Në Gjirokastër ka filluar rindërtimi i një prej rrugëve kryesore në pazarin karakteristik, asaj të mozaikut të pazarit, që do të jetë një punë shumë delikate pasi po punohet gur pas guri. Zbatuesit thonë se sekreti ka qenë te përdorimi i gurit 14 cm të gjatë . Andrea Goxho njëri prej mjeshtrave thotë se është kthyer nga emigracioni për të qenë pjesë e ndërtimit të mozaikut historik. Ai beson se punimet do të sjellin një qilim me cilësi edhe më të lartë se mozaiku i mëparshëm.
Ndërsa inxhinieri zbatues i punimeve Pilo Dhame tha se skicat e ndërtuara mbi projektin e hartuar 50 vjet më parë nga Genci Braja janë ruajtur rigorozisht. Ajo që do të ndryshojë tek nozaiku i ri i pazarit të Gjirokastrës do të jetë zbatimi korrekt i parametrave duke korrigjuar edhe gabimet e bëra gjatë ndërtimit të parë të tij. Mozaiku pritet të ketë në përfundim të tij 37 kuadratë të parametrave 2.20 x 2.20 në vend të 39 kuadratëve të dikurshëm.
Punimet në qafën e pazarit nisën në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Projekti me vlerë mbi 137 milion lekë ka një afat zbatimi njëvjeçar. Prishja e kalldrëmeve të ndërtuara në vitin 1968, u shoqërua me reagime të ashpra dhe dyshimin e fortë jo vetëm të cilësisë së punimeve, por edhe të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore për qytetin që mbrohet nga UNESCO. Në fillim të vitit rehabilitimi i infrastrukturës nëntokësore të qafës së pazarit që tashmë ka përfunduar pasoi projektin e restaurimit të fasadave të pazarit që përfundoi vitin e shkuar. /KultPlus.com
Nën kthetrrat e një regjimi të dhunshëm jugosllav, muzika shqiptare megjithatë nuk e humbi veten dhe nuk la të degradohet ose zhduket krejt. Sepse muzika dhe zëri i njeriut e ka këtë fuqi.
Disa anëtarë të një familjeje për herë të parë performuan
para publikut në një koncert të organizuar me rastin e pritjes së Vitit të Ri
në Gjakovë, në Fabrikën ‘Metalik’. Viti 1983. Ideja ishte e Faik Shalës, që të
grumbullonte rreth vetes një pjesë të familjes për të kënduar së bashku. Faik
Shala ishte violinisti fillimisht i shtëpisë, më pas i ahengjeve të vogla dhe
më vonë i një iniciative që do të përthekohej në diçka tjetër më madhore.
Dy vajzat e tij. Nezafetja e posedonte zërin e saj si ‘armë’
të fortë. Nezahatja luante në piano. Dy djemtë, Asimi dhe Njaziu e kompletuan
mozaikun me mandolinë dhe i dyti me vokal e me kitarë. Familjes Shala, e cila
fillimisht do të njihej si e tillë në mesin e mbrëmjeve muzikore, iu bashkua
edhe Agimi si anëtar i rregullt, vokal dhe kitarë në këtë grup që nga viti
1994. Pos tij, edhe emra të tjerë.
Dhe kësisoj, edhe sot një trashëgimi e tillë e këtij grupi merr frymë.
Edhe sot familja Shala, ndonëse jo e kompletuar, jetësohet
me anë të këngëve. I kanë bërë ballë kohërave më të thyera e rënduara ndër
shqiptarë, po i bëjnë ballë sot edhe banalizimit muzikor. Familja Shala është
shkrirë në Grupin ‘Melodia e Vjetër’ të cilët përkujdesen që mos ta ndalin
hovin dhe dashurinë për muzikën.
***
Familja Shala e ka kultivuar muzikën që nga vitet e 70-ta.
Faiku, kryefjala e tërë familjes dhe ai falë të cilit sot ky
grup vazhdon të këndojë, e ushqeu në këtë familje ndjenjën e melosit popullor,
folklorit, këngës qytetare dhe këngës së mirëfilltë. Restaurant “Bajram Curri”
në rrugën e ish-Dubrovnikut, “Te Syla” – rrugës për në Gërmi në Prishtinë, te
Ali Dybeshi në Mëhallën e Muhaxhirëve, lokacioni “Rozafa” në kompleksin e Qafës…këto
janë disa prej vendeve ku Familja Shala mblidhej bashkë për të kënaqur zemrat e
shqiptarëve me muzikën më të mishëruar shqipe.
Faiku kishte qenë një fotograf i famshëm, dhe si për ta mbushur tutje shpirtin e tij artistik zgjodhi krahas kësaj edhe muzikën.
Melodia e Vjetër / Facebook
“Grupi u bë bashkë dhe më pas ka kultivuar këngët e vjetra
qytetare nga Shqipëria e Mesme dhe ajo e Veriut, të këngëtarëve me zë të asaj
kohe si Fitnete Rexha, Hafsa Zymberi, Shyqeri Alushi, Vaçe Zela, Anita Take,
Luçie Miloti, Luan Zhegu, Ibrahim Tukiçi e Bajram Spahija por edhe ka sjellë
këngët e vjetra gjakovare të kompozitorëve Ymer Riza, Qamili i Vogël e Mazllom
Myezini. Këngët janë interpretuar në mënyrë shumë origjinale dhe e kanë ruajtur
formën, melodinë dhe tekstin” tregon Nezafete Shala. Nezafetja sot është 64
vjeçare dhe ende vazhdon të jetë pjesëmarrësja aktive dhe zëri kryesor i
grupit.
“I ndjeri Faik Shala në atë kohë e ka kultivuar në mënyrë profesionale artin e fotografisë, megjithatë muzika e zuri vendin kryesor në familjen Shala. Ai muzikën e kishte pasion, duke e parë talentin e fëmijëve me shumë vullnet dhe disciplinë filloi ushtrimet me ta, për mësimin e këngëve e melodive dhe për luajtjen në instrumentet respektive. Faiku gjithashtu ka qenë edhe anëtar i grupit të atëhershëm ‘Ymer Riza’ dhe më pas edhe në grupin ‘Hajdar Dushi’, ku ishte shumë aktiv” tregon Agim Malazogu, pjesë e grupit.
Nga Familja Shala në ‘Melodia e Vjetër’, ky formacion
muzikor është i bukur nga brenda e jashtë, me një ndërtim muzikor të thellë dhe
me një aurë të cilën e reflekton secili anëtar i grupit, edhe në qoftëse kalon
shumë pak kohë me ta.
Unë, në një intervistë që e pata realizuar me grupin në vitin
2013-të, kujtoj se në një shtëpi simpatike dhe në një dhomë aromë natyre, me
xhamat e hapur dhe me pastërtinë e mendjes, grupi po këndonte e performonte
para meje, para shikuesit të vetëm të shtangur. Kjo nuk ndodhë pa arsye. Të
shpeshta janë herët kur grupi mirëpret mysafirët me muzikë.
*
“Melodia e Vjetër’, emri të cilin grupi e mori pas vitit 2000, ishte një zgjedhje e vetë anëtarëve të grupit.
Nezafete Shala / Facebook
Grupi jo pak herë ka bashkëpunuar edhe me instrumentalistët
tjerë, përpos formacionit standard. Behar Arllati në fis-harmonikë dhe profesor
i muzikës në Gjakovë, Lulzim Kazazi poashtu në fis-harmonikë, Gazmend Makolli
në violinë dhe Masar Spahiu në klarinet disa herë i janë bashkuar grupit që
emocioni për dëgjuesin të jetë në formën më të përkryer muzikore.
“Sot, merita kryesore për grupin i takon Nezafete Shalës, e
cila me zërin e saj mahnitës, ka bërë për vete publikun e gjerë e pothuajse të
të gjitha moshave. Ajo veçohet për modestinë, origjinalitetin, stilin dhe zërin
e saj të bukur” tregon Agimi.
Por Agimi veç sa e konfirmon madhështinë e Nezafetes.
Një grua e pak fjalëve dhe plot notave, Nezafetja ka
diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë – dega e solokëndimit dhe ka
përfunduar specializimin në Zagreb.
Nezafetja të jep ndjenjën e një piktureje e cila lëviz, një
honepsje e lehtë që Zoti ka ditur t’i japë formën e një gruaje. E ta mendosh që
Nezafetja për pak donte të linte gjithçka e të mos vazhdonte me muzikën. Mëkat,
por i cili nuk ndodhi, për fatin tonë të mirë.
“Pasi ka vdekur baba, unë nuk kam dashur të vazhdoj këndimin. Nëna ka qenë ajo e cila ka insistuar që të vazhdoj të këndoj sepse unë isha në një disponim ndryshe. Unë edhe sot nuk e konsideroj veten si pjesën kryesore të grupit, por unë gjithmonë këndoj në kujtim të babës” tregon Nezafetja, jashtëzakonisht e lidhur me Faikun- Agën, babain e saj i cili ndërroi jetë në vitin 2007.
Nezafetja sukseset i ka të kahmotshme, dhe ndonëse nuk i
përmendë shpesh ato mbesin të tilla, të pakontestuara dhe pjesë e plotësimit
shpirtëror të një artisteje që e kompleton një grup artistësh. Nezafetja, zëri
i ëmbël në Radio Prishtinë i dha grupit emocionin e Gjakovës dhe Shqipërisë së
Mesme.
Me këngën “Lule për të dashurën” Nezafetja në vitin 1983
triumfoi në asokohe Akordet e Kosovës, festivalin që mbajti gjallë shqipen.
Suksesi u përsërit në vitin 1985, kur ajo prapë fitoi me këngën “Një fjalë
goje, një martesë”. Këngët kanë vulën e Rahmi Ymerit dhe Nezafetes, dhe i hapën
rrugë asaj dhe grupit për një karrierë e cila edhe sot nuk e sheh fundin e saj.
Njaziu, anëtari tjetër i familjes, ka fituar dy herë në festivalin ‘Revyja e Muzikës’ në Gjakovë, vendin e parë me këngë emetuese shqiptare dhe vendin e parë me këngë origjinale.
Me ardhjen e viteve të 90-ta, nuk do të ishte e lehtë edhe për grupin të vazhdonte të funksiononte në mënyrën më të mirë. Familja ishte gati në skamje, Faikun e larguan nga puna ndërsa fëmijët i larguan nga Koret Profesionale ku ata bënin pjesë.
“Vështirësitë ekonomike të cilat
lindën pas largimit nga puna të mijëra shqiptarëve nga regjimi serb detyruar
shumë familje të punojnë profesione të ndryshme private për mbijetesë. Kjo ka
qenë edhe arsyeja kryesore që familja Shala ka filluar të bëjë muzikë nëpër
restaurane të ndryshme, punë kjo e cila përcillej me shumë vështirësi. Njëra
nga to ishte rreziku që u kanosej muziktarëve nga forcat serbe, nëse
këndoheshin këngë me motive patriotike. Kjo po që ishte një sfidë nga më të
vështirat” fillon e tregon Njazi Shala.
Faiku i ndjerë i thoshte tërë familjes që çdo ardhje e mysafirëve në shtëpi duhej të shoqërohej me muzikë.
“Baba thoshte merrni instrumentet dhe sa herë kemi mysafirë
duhet me këndu. Atëherë edhe në ishim në sinkron me të dhe silleshim të gjithë
më mirë se herëve tjera, meqë ishim shumë fëmijë dhe dinim të bënim problem”
tregon Njaziu.
Një sfidë paraqesin pikërisht këto vite dhe një kërkesë e
një familjeje nga Presheva që familja Shala t’i vizitonte dhe të performonte në
një martesë.
“U nisëm për Preshevë me një veturë shumë të vjetër, të pesë
anëtarët e grupit, rrugët në atë kohë ishin vështirë të kalueshme, është dashur
të kalohet nëpër rrugët malore për Gjilan e Preshevë. Ishte kohë e ftohtë, rrugët
me baltë e borë dhe të pa asfaltuara dhe ishte e rrezikshme, disa herë ishim në
rrezik, por arritëm në Preshevë dhe ahengu u mabjt me sukses. Morrëm shumë herë
falenderime nga familja e dasmorëve” tregon Agimi.
***
Agim Malazogu, i lindur në vitin 1961, është pjesë e grupit që nga viti 1994.
“Bashkëpunimi me anëtarët tjerë dhe me familjen Shala ka qenë shumë i lehtë. Thjeshtësia, bujaria, ngrohtësia dhe afërsia e familjes ka sjellë sukses në tërë grupin dhe kjo është dëshmia më e mirë që grupi ende funksionon i bashkuar dhe fuqishëm. Është e vertëtë që interesi i bashkon njerëzit, por në familjen Shala vlera e njeriut është mbi të gjitha” tregon Agimi.
Ndër vite, grupi ka qenë në përbërje të Faik Shalës,
Nezafete e Nezahate Shalës, Asim e Njazi Shalës, Agim Malazogut dhe Lulzim
Kazazit. Sot, anëtarë të rregullt të grupit janë Nezafetja, Asimi, Njaziu, Agimi dhe Lulzimi.
Muzika e grupit ka vlera të mirëfillta artistike, kultivohet
muzika e pastër e cila nuk përmban elemente bastarduese që e humbin
origjinalitetin. Përmbajtjet e teksteve të këngëve janë të natyrave të
ndryshme, kryesisht i dedikohen natyrës, dashurisë apo luleve, pra jane tekste
me motive pozitive. Kjo muzike është padyshim dëshmi dhe trashëgimi e kulturës
sonë.
Para dy vitesh, në dokumentarin nga Fatime Kosumi dhe
Vincent Moon gjejmë brenda edhe këtë grup dhe bagazhin e tyre, në mesin e të
tjerë këngëtarëve që kultivuan e kultivojnë muzikën rapsodike në Kosovë.
*
Të kthehemi pak në vitet e 90’ta, përsëri. Në vitin 1992, familja sikur ra në një humnerë të pavullnetshme, të shtypur në të gjitha anët. Ishte një krizë financiare për familjen, e cila do të tejkalohej duke përdorë talentin që familja e bëri punë të përditshme, muzikën.
Familja ftohej në bufenë e Kosova Filmit, aty ku edhe mund
të rimëkëmbte veten dhe muzikën e saj.
“Aty kemi nisur të vinim në vete, duke performuar e kënduar para plot intelektualëve të kohës, edhe pse në kushte të rënda shkaku edhe i orës policore serbe por edhe rrethanave në përgjithësi. Policët e Serbisë vinin por megjithatë nuk na pengonin, na thonin ‘Këndoni se luftën me muzikë do ta fitoni’. Bënim muzikë edhe në orët e para të mëngjesit” tregon Nezafetja.
Një pëlqim gati në adhurim grupi e ka pasur sidomos për Fitnete Rexhën, këngëtaren e njohur shqiptare të folklorit e cila u bë shpejt inspirimi më i fuqishëm për grupin. Fitnete Rexha, në një mënyrë, po e mbante gjallë këtë grup.
Grupi nga Gjakova ditëve të sotme ekzekuton në def, kitarë,
mandolinë, tupan, tarabuk dhe në të kaluarën edhe në udi.
“Vitet ikin tutje”, “S`mendoja”, “Në Shkodër të vish”, “Lulet e majit”, plot e plot këngë tjera janë sot pjesë e repertorit të grupit.
“Sot angazhimet tona janë të shumta, netët muzikore janë të
shpeshta, jemi në festivale të ndryshme që organizohen nga Ministritë, Komuna,
Muzeu, jemi edhe në rajonin e Maqedonisë, në Preshevë, në lokalet e ndryshme të
qytetit. Ka plot vende e mundësi për publikun të vijë e ta shijojë muzikën
tonë” tregon Nezafetja.
“Muzika të cilën sot e performojmë në krahasim me atë të viteve
të mëhershme nuk ka dallime të mëdha. Jemi munduar që ta ruajmë në maksimum
origjinalitetin tonë. Tash në repertory kemi inkuadruar edhe këngë të reja të
cilat janë aktuale dhe pëlqehen nga publiku i gjerë. Instrumentet janë të
njëjta, të gjitha klasike” përfundon Agimi.
( Ky botim është
prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është
përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të
konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )
Qendra Kinematografike e Kosovës i shprehë ngushëllimet më të sinqerta Familjes Xhuvani, filmbërësve dhe të gjithë admiruesve të tij.
Gjergj Xhuvani njihet si një ndër krijuesit më të mdhenjë të kinematografisë shqipëtare, ndër veprat më të njohura që i sollën edhe famë ndërkombëtare janë “Parullat”, “I dashuri Armik”, “Lindje Perendim Lindje”, ndërsa vepra e tij e fundit “Liqeni im” që ishte e mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike pritej të ipet premiere këtë vit.
“Është humbje e madhe për kinematografinë shqiptare dhe europiane ikja kaq e hershme e Xhuvanit. Do t’a kujtojmë si një njeri të mrekullueshëm, si mik të madh dhe artist të përmasave globale”- u shpreh drejtori i QKK-së Arben Zharku.
Gjergj Xhuvani u lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 diplomoi në Akademinë e Arteve në Tiranë dega Artet dramatike.
Presidenti Ilir Meta ka ngushëlluar familjarët për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur, Gjergj Xhuvani.
Meta e quan një humbje të madhe për artin, ikjen para kohe të regjisorit. Sipas tij, trashëgimia e lënë pas, do të mbahet mend dhe do të nderohet nga të gjithë.
Reagimi i plotë
Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen sot nga jeta të Gjergj Xhuvanit! Ikja kaq e parakohshme e këtij regjisori të shquar, skenaristi e producenti të spikatur, i cili shkëlqeu përmes punës së palodhur krijuese dhe modestisë fisnike, është një humbje e madhe për artin dhe kinematografinë shqiptare, që Ai i dha një dimension të shquar edhe ndërkombëtar. I shpreh familjes, miqve e bashkëpuntorëve të tij ngushëllimet më të thella e të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre! Gjergj Xhuvani na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, që nderohet me respekt nga të gjithë e do të mbahet mend gjithmonë. I përjetshëm kujtimi i Tij! /KultPlus.com
Ju, vëllezër të shpirtit tim, Njerëz të mjerë larg dhe pranë, Nën këtë qiell me yje pa anë Që n’ëndërrime gjeni ngushëllim; Ju të plakur pa një fjalë Nëpër netë yjezbehtë, Duarduruar mbaheni ngadalë Dhe ruani dhe vuani vetë, Turmë e mjerë, e gabuar, Lundërtarë pa yll e pa fat, Të huaj e prapë me mua bashkuar, Ma ktheni përshëndetjen që ju jap!
Unë nuk mund të ekzistojë pa ty. Unë harroj gjithçka, veç të shoh ty, e jeta ime ndalon aty, nuk shkon më tutje. Këtë moment, e kam një ndjesi sikur, jam gjysmë. Unë tronditem sesi burrat vdesin për fe, unë vazhdoj të tronditem nga kjo gjë. Edhe unë do të vdisja për fe- Dashuria është feja ime, për dashurinë do të vdisja, për ty do të vdisja. Besimi im është dashuria dhe ti je parimi im. Ti më ke magjepsur me një fuqi, të cilës unë nuk mund t’i rezistoj.
13 tetor, 1819.
John Keats ka qenë një poet romancier anglez. Ishte figura më e rëndësishme e periudhës së romantizmit, së bashku me Lord Byron dhe Percy Bysshe Shelley. / KultPlus.com
Është ndarë nga jeta ditën e sotme, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani.
Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë në moshën
56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Këtë vit pritej dhe premiera e filmit të tij të ri ‘Liqeni
im’. Ai ishte gjithashtu, autori i filmave të suksesshëm pas viteve ‘90, ndër
të cilët “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.
Xhuvani do të përkujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë shqiptare./Gazeta Liberale / KultPlus.com
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në kuadër të detyrave programore të tij, në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës, ka realizuar projektin e evidentimit të vlerave natyrore në këtë komunë.
Gjatë këtij hulumtimi janë evidentuar disa zona me vlera natyrore, të karakterit botanik, hidrologjik dhe speleologjike, që dallohen me karakteristika të veçanta.
Vlerat e identifikuara që kanë plotësuar kriteret për tu marrë në mbrojtjen ligjore janë:
Trungjet e Ahut (Fagus sylvatica) në fshatin Bajgorë;
Trungu i Ahut (Fagus sylvatica) në fshatin Bare;
Shpellat e Kaçandollit në fshatin Kaçandoll;
Burimi i ujit mineral në fshatin Mazhiq;
Ujëvara e trapçalive në fshatin Melenicë;
Trungu i Ahut (Fagus sylvatica) me Burimin e ujit nën rrënjë, në fshatin Ovçar;
Kroni i Akullit në fshatin Rahovë;
Ahishtat e Llomovës në fshatin Selac;
Trungjet e Qarrit (Quercus cerris) në fshatin Zabërgjë;
Trungu i Ahut (Fagus sylvatica) në fshatin Zabërgjë;
Trungu i Qarrit (Quercus cerris) në fshatin Zabërgjë. / Koha.net / KultPlus.com
Ky mund të jetë shkrimi më i vjetër shqip që përmend kontinentin dhe vendet e saj. Dalë nga pena e rilindasit Naim Frashëri, në një kohë kur librat në gjuhën tonë qenë të ndaluar. Teksti përshkrun Shtetet e Bashkuara apo «Vëndet’ e bashkuarë» si vendin më të zhvilluar të botë, përcjellë KultPlus.
Njëherësh, poeti ynë kombëtar duket se e ka quajtur Kanadanë «Kanadë», ashtu siç bëjnë sot kosovarët.Tekstin e gjejmë në dy libra shkollorë: kapitullin «Dheshkronja» në Dituritë për mësonjëtoret e para (1886) dhe te Gjithësija (1895).
Me germa të sotme del kështu: Amerik’ e veriut ndahetë më katërë copë:
1. Anët’ e veriut, që janë shumë të ftohta, edhe më të shumëtë vënde janë t’Ingliterësë; kanë katërë miliunë njerës, m’i ditur’ i këti vëndi është Kanada dhe ka k. q. Kjebeknë.
2. Vëndet’ e bashkuarë, që janë prej 34 dhimokrative të bashkuara, dhe kanë 35,000,000 njerës: k. q. i gjithëve është Vashinktoni edhe më të mbëdhenjtë qytete janë Nevjorku me 800,000 njerës, Bostoni me 200,000, Filladhelfija me 560,000 etj. Ky vënt është më mbroth në dituri e në dritë dhe së gjithash nga gjithë bota.
3. Meksika, q’ është një dhimokrati me 8 miliunë njerës, edhe ka k. q. Meksikënë.
4. Guatemalla dh’ Amerik’ e mezit, që kanë 2 miliunë njerës, edhe k. q. Guatemallënë: në këtë vënt është [kanali] Panama, që po e hapinë tani.
Se Naimi i veçon Shtetet e Bashkuara si vendin ma të zhvilluar të rruzullit është e qartë. Por për se e ka fjalën kur thotë «në dituri e në dritë»? Shkencën dhe arsimin? /KultPlus.com
Këngëtaret Dafina Zeqiri dhe Tayna këto ditë kanë publikuar bashkëpunimin e tyre të titulluar “Bye Bye”. Dyshja kanë marrë lëvdata të shumta për këtë bashkëpunim, madje edhe Rita Ora u shpreh krenare me dyshen. Por nuk po mungojnë edhe kritikat. Rreze Abdullahu është shprehur se këto dy këngëtare përkundër vullnetit për të promovuar feminizmin, ato nuk ja kanë dalë, shkruan KultPlus.
Më poshtë po ju sjellim postimin e plotë të Rrezes:
Dafina, Tayna e te tjere artiste verehet se e kane njifare
vullneti per me promovu feminizmin, por vullneti dhe deshira nuk te sherbejne
kur nuk di.
Nuk eshte marre, qe ato, apo te tjere artiste, edhe politikan me
pyet per me u njoftu me konceptet dhe parimet baze te feminizmit, qe me pas me
kompetence me vazhdu me trajtu levizjen permes artit apo veprimtarise se tyre,
ne cfaredo fushe.
Feminizmi mbeshtetet ne parimin radikal baze se: “Edhe
grate jane njerez”. Pra, grate nuk jane objekt seksi, grate nuk jane
bitcha, grate nuk shkojne mas kushteve materiale te burrave; kurve nuk eshte
gruaja per te cilen te braktise i dashuri e shume stereotipe tjera, te cilat,
artistet se vecanta si Dafina e Tayna vazhdojne me i promovu dhe jo me i luftu,
sic supozojne ato se po bejne, apo edhe sic do te duhej te ishte.
Arti eshte me i fuqishem kur e perdore si mjet per ta eduku
shoqerine, perndryshe muzika eshte shume me rendesi ne formimin e
personalitetit te njeriut. Dhe, si Dafina e Tayna, pafund here kane qene
viktima te seksizmit medial, viktima te seksizmit e mizogjenise se mases, e
viktima s’ka pse me u njejtesu me agresorin, me k*rlleqet, viktime e te cilave
bie gjithe kohen, por me luftu, me cilatdo mundesi qe ka.
IN mundesh me qene edhe pa u zhyt ne seksizma se “grate jane kurva”. JUST STOP IT! / KultPlus.com
Është publikuar traileri për versionin e ri të ”Gratë e vogla”, me regji të Greta Gerwig. ”Gratë e vogla”, është një roman nga Louisa May Alcott, i botuar për herë të parë në vitin 1868, përcjellë KultPlus.
Filmi është adaptimi i tetë në kinema, ngjarja e të cilit është e vendosur në vitet 1860 në New England, pas Luftës Civile Amerikane dhe eksploron jetën e motrave Mars.
Në rolet kryesore do të jenë: Saoirse Ronan, Emma Watson, Florence Pugh, Eliza Scanlen, Timothée Chalamet, Laura Dern dhe Meryl Streep.
Filmi pritet të dalë në dhjetor, në ditën e Krishtlindjeve. /TheGuardian/ KultPlus.com
Kruja një destinacion turistik i mirënjohur tashmë për vizitorët, jo vetëm vendas por edhe të huaj, vijon të ngjallë interes për shkak të mjaft vendeve interesante për t’u vizituar. Një prej tyre është pazari karakteristik i Krujës që shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut.
Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut në shek XV, kur
dyqanet e tij arrinin deri në hyrje të kalasë. Pazari i ka rezistuar sundimit
500 – vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së
Skënderbeut.
“Shqipëria është plot me vende magjike, e destinacione të reja për tu
vizituar”, thekson Agjencia Kombëtare e Turizmit, duke publikuar fakte për këtë
Pazar dhe Krujën si qytet, emri dhe rëndësia e të cilit lidhen ngushtësisht me
25 vitet e aktivitetit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
Skënderbeu e bëri Krujën në shekullin e pesëmbëdhjetë një bastion të
rezistencës kundër osmanëve. Muzeu i Gjergj Kastriot Skënderbeut ndodhet brenda
mureve të kështjellës, që datojnë në shekujt e pestë dhe të gjashtë.
Vetë muzeu është inauguruar në vitin 1981. Brenda mureve të kështjellës ndodhet po ashtu edhe Muzeu Etnografik. /atsh / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në vënien e gurthemelit të Kullës së Shaban Manxhollit në Mikushnicë.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se “njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës, dekada të tëra pas luftërave të Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, kryetrimit të UÇK-së, Adem Jasharit, vendosëm gurë themelet e Shtëpisë Muze, Kullës të një ndër luftëtarëve më besnik të Lëvizjes Kaçake, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës e Shaban Polluzhës, luftëtarit guximtar dhe sypatrembur të Drenicës dhe të mbarë shqiptarisë, atdhetarit, Shaban Manxholli. Jeta e Shaban Manxhollit, sikur edhe e bashkëkohanikëve të tjerë trima, Ahmet Delia, Ramë Islami, Shaqir Smaka, Halit Bajrami, Hazir Rama, Kamber Loshi, Sejdi Meta, Isuf Rexha, Shote Galica e shumë të tjerë, ishte luftë e pa ndalur për mbrojtjen e tokave të parëve tanë, luftë për nderin, krenarinë e rrënjëve tona, gjakut, identitetit dhe emrit shqiptar”, tha ministri Gashi.
Tutje ministri Gashi u shpreh i lumtur dhe shumë i nderuar që në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, së bashku me popullin trim, të Drenicës po i vendosim gurë themelet e Shtëpisë Muze/ Kullës së atdhetarit, Shaban Mangjolli, të cilin shkrimtari e kishte portretizuar si ‘Kaçaku i gjatë si një Flamur’, tha ministri Gashi.
“Mbi themelet e kësaj Shtëpie Muze, Kullës së Shaban Manxhollit, përjetë do të zë rrënjë edhe një copë e kujtesës sonë historike, për rrugëtimin tonë, nga robëria deri te liria, çlirimi dhe shtetndërtimi i Republikës së Kosovës. Sa herë që, rinia dhe vizitorë tjerë të vijnë në këtë Kullë të krenarisë shqiptare, gjithnjë dhe gjithmonë do ta ndjejnë se populli shqiptar lirinë e tij e shkroi me gjakun e vetë”, shtoi ministri Gashi.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari si dhe deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Kolegji Universum dhe kompania zvicerane Vision Agency për të dytin vit me radhë po sjellin në Kosovë projektin real të ndërlidhjes së Akademisë dhe Industrisë. Duke iu mundësuar studentëve financim të plotë të studimeve, punë part-time gjatë studimeve dhe punësim të garantuar pas diplomimit.
Studentët që nga viti i parë do të punojnë part-time, e më pas vazhdojnë
kontratën e punësimit në Vision Agency. Financimi i studimeve do të
bëhet për këto programe studimi 20 BURSA për Shkenca Kompjuterike dhe 20 BURSA
për Gjuhë Gjermane. Linku i aplikimit https://bit.ly/2ZIxjLD.
Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm të maturantëve për këtë
mundësi, Kolegji
Universum në bashkëpunim me Vision Agency me 15 Gusht nga ora 11:00 në
objektin e Kolegjit Universum në Ulpianë organizon Ditë Informuese
për Studime Duale. Eja informohu fito BURSË për 3 vite studimi
dhe PUNËSIM 100% të garantuar.
Puno për tregun global që nga mosha 18 vjeçare si programer, IT, Data
Security, Digital Marketing, Call Center apo Content Writing. Apliko përmes
këtij linku https://bit.ly/2ZIxjLD
Përzgjedhja e studentëve bëhet përmes Testit në bazë të drejtimit dhe
Intervistës nga Kolegji Universum dhe Kompania Vision Agency. Mëso
më shumë https://bit.ly/31kG1A6
Afati i fundit 6 Shtator 2019, për më shumë informata ndiqni Kolegjin
Universum në facebook & instagram,
kontaktoni në [email protected] apo
telefononi në +383 44 144 062.
Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum. /KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri “Adriana” Ferizaj, Teatri i Gjilanit dhe Qendra Multimedia nga Prishtina, kanë nënshkruar një ‘Memorandum Bashkëpunimi’, përmes të cilit zotohen të angazhohen bashkarisht, në organizimin e edicionit të sivjetshëm të ”Kosovo Theater Showcase 2019”, që këtë vit do të mbahet nga data 31 tetor deri me 4 nëntor 2019, përcjellë KultPlus.
Në këtë edicion pritet të prezentohen së paku gjashtë shfaqje të prodhuara nga teatrot nënshkruese të këtij memorandumi. Poashtu, edicioni i sivjetshëm i showcase-it 2019, pritet të sjellë në Kosovë rreth 50 kritikë teatri, gazetarë, selektorë festivalesh e admiruesë të teatrit, nga vende të ndryshme të botës.
Përveç Prishtinës, showcase do të zhvillohet edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë, mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës. Ky edicion gjithashtu do të sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.
Memorandumin e kanë nënshkruar drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi dhe drejtori i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj.
Kosovo Theater Showcase 2019 është pjesë e platformës kulturore “Platforma Kulturore e Kosovës 2019 +”. /KultPlus.com
“Le Figaro” ka botuar, të shtunën e 22 korrikut 1939, në ballinë, fotografinë e mbretëreshës Geraldinë duke u dhënë autografe fëmijëve suedezë, pranë Stokholmit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Një autograf madhëri !
“Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë, aktualisht në Suedi, me Mbretin Zog, u jep autografe fëmijëve të një fshati afër Stokholmit.”
Në atelien e Cite International des Arts në Paris, përgjatë muajit shtator do të jetë i pranishëm artisti shqiptar Agron Saliu, shkruan KultPlus.
Saliu i cili njihet për një punë
mjaftë të veçantë ka potencuar për KultPlus se ai në këtë atele po merr pjesë me
mbështetje të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.
“Në rezidencën e artistëve Cite International des Arts në Paris do të trajtoj portretet në vizatim”, ka thënë Aliu, i cili ka shtuar se këtë konkurs e ka fituar për të dytën herë në karrierën e tij profesionale, dhe i gjithë projekti do të realizohet përbrenda muajit shtator të këtij viti./KultPlus.com
Më 6 dhe 7 shtator 2019 do të mbahet Festivali Rock United në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë. Rock United është projekt që bashkon grupet e muzikës rock dhe fansat nën moton “Një për të gjithë, të gjithë për Rock”, përcjellë KultPlus.
Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të vazhdojë tradita e rockut, e
cila në Kosovë ka fillet tek vitet e gjashtëdhjeta, dhe të promovohet kjo
kulturë tek të rinjtë, me pjesëmarrje më të madhe të bendeve të reja, duke përfshirë
të gjitha komunitetet në Kosovë.
Gjatë 2 mbrëmjeve të festivalit në Gërmi do të marrin pjesë 12 grupe nga
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, duke u zgjeruar me bende ndërkombëtare në
vitet në vijim.
MBRËMJA E PARË: ü The Mole Pack, Zwada, Vini e Veni, Gillespie, Purgatory,
kurse për mbylljen e natës së parë janë grupi legjendar kosovar Grupi 403, për
të cilët kjo natë do të jetë kulminacioni i karrierës së tyre.
MBRËMJA E DYTË: ü Proximity Mine, Jutbina, Këpurdhat, Trampolinë, PeterPan
Quartet, dhe natën e dytë të festivalit do ta përmbyllë grupi i njohur Elita 5,
të cilët i rezistuan kohës për 30 vite, duke i qëndruar besnikë muzikës rock,
me shumë hite të njohura dhe performanca të paharruara.
BILETAT NË PRISHTINË: Rockuzine, Dit’ e Nat’, MIQT Pub, Deck, Papillon, Rave Travel (Soma Book Station, Zyra e Rave Travel dhe Kiosku në Sh. Zahir Pajaziti) BILETAT në Prizren – Bar Aca, Ferizaj – Check In Bar, Gjilan – Te Papaku, Mitrovicë – Museum Pub dhe Therandë – Rock Hard. Kontak. / KultPlus.com
Gjuhëtari i madh kroat, Radoslav Katičić, autor i studimeve shumë të vlefshme në fushën e filologjisë klasike, bizantine dhe ilire, ishte shumë mirënjohës për pranimin e tij si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në letrën e falënderimit drejtuar Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të
Kosovës, ai i vlerësonte “të vjetra dhe të thella” lidhjet e tij me Kosovën dhe
me kosovarët, posaçërisht me përfaqësuesit e inteligjencies humanistike
shqiptare”.
Ai shkruante se i kishte përjetuar thellë “ngjarjet dramatike, madje
tragjike të dhjetëvjetëshave të fundit” në Kosovë.
Radoslav Katičić ishte autoritet shumë i respektuar në qarqet shkencore e
kulturore. Ai ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë,
Akademisë Austriake të Shkencave, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjës
dhe Hercegovinës, Akademisë Norvegjeze, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të
Kosovës dhe Akademisë Evropiane të Shkencave.
Radoslav Katiçić vdiq më 10 gusht 2019, në Vjenë, ku i ka kaluar vitet e
fundit të jetës.
Letra e falënderimit dërguar Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të
Kosovës:
Academia scientiarum Kosovensis
Lartësisht e nderuara Akademi!
Kërkoj ndjesë që në letrën tuaj të shkruar anglisht po përgjigjem në gjuhën
time amtare. Por lajmi që më erdhi sot nga Zagrebi këtu në Vjenë se më keni
njoftuar zyrtarisht që më keni zgjedhur anëtar tuaj të jashtëm më ka prekur aq
thellë sa nuk mund të përgjigjem në gjuhë tjetër. Lidhjet e mia me Kosovën dhe kosovarët,
posaçërisht me përfaqësuesit e inteligjencies humanistike shqiptare janë të
vjetra dhe të thella. Po kështu thellë i kam përjetuar ngjarjet dramatike,
madje tragjike të dhjetëvjetëshave të fundit. Jam i nderuar dhe i gëzuar me
mirënjohjen e lartë për punën time dhe për raportin tim ndaj Kosovës që është
shprehur përmes zgjedhjes suaj. E pranoj këtë zgjedhje me krenari e falënderim.
Në çdo rast të përshtatshëm do ta theksoj këtë anëtarësi dhe do të krenohem me
të. Ju faleminderit!
Me shprehjen e respektit të thellë
Radoslav Katičić
Letra në origjinal:
Academia scientiarum Kosovensis
Visoko poštovana Akademijo!
Ispričavam se što na vaše pismo pisano engleski odgovaram na svojem
materinskom. Ali vijest koja mi je danas iz Zagreba stigla ovamo u Beč da ste
me službeno obavijestili da ste me izabrali za svojega vanjskog člana tako me
je porersno dirnula da ne mogu odgovarati na drugom jeziku. Moje su veze s
Kosovom i s Kosovarima, osobito s predstavnicima tamošnje albanske humanističke
inteligencije stare i duboke. Jednako sam tako, duboko, proživljavao
dramatična, pa i tragična zbivanja posljednjih desetljeća. Počašćen sam i
obradovan visokim priznanjem mojemu radu i mojemu odnosu prema Kosovu koje je
izraženo Vašim izborom. Prihvaćam taj izbor ponosno i zahvalno. U svakoj ću
primjerenoj pritgodi isticati to članstvo i podičiti se njime. Hvala Vam!
Një festival, që prej vitesh është mirëpritur nga publiku, ku dhe këtë vit nuk do të mungojnë koncertet dhe aktivitet e ndryshme.
Festivali do të startojë këtë verë më 17 gusht në qytetin e Shkodrës për të vijuar me muzikën dhe artistët pjesëmarrës. Me drejtor artistik Florian Jakaj festivali në edicionin e dhjetë do të nisë me masterclasse dhe “Rrok Academy”, që mban emrin në nderim të kujtimit të ideatorit Rrok Jakaj. Në edicionet e festivalit, të ftuarit kanë qenë artistë të huaj të njohur botërisht, por edhe shqiptarë me karriera brenda dhe jashtë vendit.
Deborah J. Carter, këngëtarja e njohur amerikane e muzikës jazz e cilësuar nga revista prestigjioze Music Maker “Absolutely Top-Class” me zërin e saj magjepsës, Johannes Fabbersi dhe Alboran trio do të jenë disa nga grupet dhe artistët, që do të marrin pjesë në edicionin e sivjetshëm të “Shkodra Jazz”, që do të zgjasë deri më 1 shtator. Këngëtarja e njohur amerikane e muzikës jazz, Deborah J. Carter u shpreh: “Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, por më kanë folur për atmosferën që krijohet në Shkodër. Do jetë kënaqësi të punoj me studentët në “Rrok Academy””, pohon Deborah J. Carter, njëra prej yjeve më të njohura të muzikës jazz në botë, e cila ka kënduar e shoqëruar nga Metropole Orchestra, HR Frankfurt Radio Big Band, Berlin Jazz Orchestra e shumë të tjera.
Në festival do të marrë pjesë edhe pianistja e suksesshme në skenat e teatrove më me emër në të gjithë Europën, Vezena Zeiner nga Austria. Ajo do të bëjë dhe hapjen e “Main Concert”.
Në ditët në vazhdim, performanca do të kalojë në telat e kitarës nën tingujt e Manouche, një prej emrave me të shquar në Itali, Nunzio Barbieri, duke kaluar më pas tek magjia e trios të Daniele Gorgone, e cila do pasurohet me pjesëmarrjen e Deborah J. Carter me ngrohtësinë e zërit të pasur me ngjyra. /sotnews/ KultPlus.com
”Friends”, seriali më i famshëm amerikan, feston përvjetorin e 25 duke u kthyer përsëri në ekranin amerikan, përcjellë KultPlus.
Intervista me aktorë, sezonet dhe prapaskenat e serialit do të transmetohen
në qindra kinema të Amerikës për tre netë radhazi, në datat 23, 28 shtator dhe
më 2 tetor të këtij viti.
Serialin në kinemanë amerikane e solli “Fathom Events” dhe ”Warner Bros”.
”Friends” është një komedi amerikane, prodhuar nga NBC gjatë periudhës
1994 – 2004. Seriali bën fjalë për një grup shokësh, që jetojnë në Manhattan të
New York City, që të gjashtët kanë shumë të përbashkëta, por edhe shumë
kontraste. Tematika e këtij seriali kryesisht flet për shoqërinë, situatat
qesharake dhe afeksionin ndaj të tjerëve. Ka qenë një prej serialeve që ka
marrur shumë kritika pozitive, dhe shpejt u bë një ndër serialet me më së
shumti shikueshmëri dhe ndikim jo vetëm në Amerikë, por në tërë botën.
Në këtë serial humoristik bëhet fjalë për gjashtë shokë të pandashëm nga njëri tjetri. Që të gjashtët kanë shumë të përbashkëta, por edhe shumë kontraste. Tematika e këtij seriali kryesisht flet për shoqërinë, situatat qesharake dhe afeksionin ndaj të tjerëve. ”Friends” ka qenë i nominuar për 63 çmime Emi. / KultPlus.com
Festivali i Dizajnit në Londër, i vitit 2019, i cili do të hapet muajin e ardhshëm përfshinë projekte të ndryshme, të krijuara nga arkitektët më në zë si Kengo Kuma e studio “Sam Jacob”.
Festivali i cili do të mbahet nga 14 deri më 22 Shtator do të përfshijë instalacione nga Paul Cocksedge, Martino Gamper, PATTERNITY, Dan Tobin Smith dhe Camille Walala. Ky organizim manifeston dizajnin e projektimin në të gjithë Londrën, transmeton Ndërtimi.info.
“London Design Festival” është një event i përvitshëm që mbledh së bashku një komunitet global të stilistëve, artistëve, arkitektëve dhe industrive krijuese me një vizion për të festuar dhe promovuar Londrën si një ndër kryeqytetet kryesor të projektimit.
Revista “Arch Daily” ka përpiluar një listë me instalacionet më interesante të këtij festivale, të cilat deri tani kanë tërhequr më së shumti vëmendje./Ndërtimi.info/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është shprehur e mahnitur me projektin “Bye Bye” të sjellë në fundjavë nga dy yjet e estradës kosovare, Tayna dhe Dafina Zeqiri.
Kënga e lansuar para dy ditësh menjëherë është kthyer në hit, duke marrë rreth 2.5 milionë klikime deri tash.
“A mund të them pse ne vajzat kosovare jemi kaq mahnitëse! E dua vendlindjen! Dhe kënaqem kur shoh gra që marrin kontrollin dhe janë vetvetja e inspirojnë. Faleminderit vajza që përfaqësoni lirinë dhe po u tregoni vajzave se është në rregull të jesh e lirë dhe seksi në të njëjtën kohë”, ka shkruar Rita Ora në Instagram.
Postimin e saj e kanë rishpërndarë dy këngëtaret Tayna e Dafina Zeqiri, me këtë të dytën që ka thënë se shembulli më i mirë i suksesit është vetë Rita Ora. / Koha.net / KultPlus.com
Ferdinand Victor Eugène Delacroix, artist dhe piktor francez, lindi në 26 Prill 1798 në Charenton-Saint-Maurice, Francë, në departamentin e Luginës së Marne, jo larg nga Parisi. Ai mbaroi studimet e para, duke u bërë i dashur për klasikët e leximit, në shkollën e mesme Louis-le-Grand, ndërsa në 1815 filloi mësimin e tij me Pierre-Narcisse Guérin, duke admiruar Zhak-Louis David dhe stilin e tij neoklasik.
Më 1819 atij iu porosit një pikturë me temë fetare, “Virgjëresha e Mesisë”, në të cilën mund të shihet një ndikim rafaelian, ndërsa nja dy vjet më vonë daton “Virgjëresha e Zemrës së Shenjtë”. I interesuar për stilin shumëngjyrësh dhe të hijshëm të Pieter Paul Rubens, ai është shumë i mahnitur nga “Rrapi i Meduzës” nga miku i tij Théodore Géricault, i cili e çon atë të bëjë “Varka e Dantes”, veprën e tij të parë të shkëlqyeshme që do të pranohet, më 1822, në Sallonin e Parisit: piktura Delacroix bën bujë dhe nuk vlerësohet nga bota akademike, pavarësisht se është blerë nga Galeria e Luksemburgut.
Më 1825 Eugène Delacroix bëri një udhëtim në Britaninë e Madhe, ku ai ishte në gjendje të vizitonte Richard Bonington dhe Thomas Lawrence: gjatë kësaj përvoje ai zbuloi me kuriozitet përdorimin e ngjyrës tipike të artit britanik të asaj periudhe, që e çoi atë të hartojë dhe përfundojë “Portretin e Louis-Auguste Schwiter”, portreti i vetëm i dimensioneve imponuese të jetës së tij.
Ndërkohë, ai iu përkushtua edhe bërjes së litografive që përshkruanin vepra nga William Shakespeare dhe vizatimin frymëzues nga “Faust” i Goethe; temat e dhunshme dhe sensuale shfaqen në “Lufta e Gjaurit dhe Hasanit” dhe në “Gruaja me papagall”, përfunduar në mes 1826 dhe 1827. Menjëherë pas kësaj, piktura “Vdekja e Sardanapalus” portretizon mbretin e famshëm të rrethuar Asir, ndërsa ai vëzhgon ushtarët që vrasin konkubinat e tij dhe shërbëtorët e tij.
Më 1829 Eugène Delacroix pikturoi “Vrasja e Peshkopit të Liège”, një përqëndrim i temave romantike të frymëzuara nga Walter Scott në të cilin përfaqësohet vrasja e Louis of Bourbon.
Piktura më e famshme nga Eugène Delacroix
Një vit tjetër, në vend të kësaj, ai përfundon atë që do të konsiderohet njëzëri, puna e tij më e rëndësishme, përkatësisht “Liria që udhëheq popullin”; në pikturën e tij më të famshme, parizianët shihen në krah ndërsa marshojnë duke mbajtur flamurin francez trengjyrësh: në plan të parë shtrihen kufomat e ushtarëve që veprojnë si kundërpeshë ndaj gruas që përfaqëson pavarësinë dhe lirinë.
Piktura është blerë nga qeveria franceze, megjithëse konsiderohet tepër revolucionare nga disa zyrtarë që, rrjedhimisht, parandalojnë shfaqjen e saj publike.
Udhëtimi për në Afrikën e Veriut
Më 1832 Delacroix, pas pushtimit francez të Algjerisë, shkoi në Afrikën e Veriut pasi kishte kaluar nga Spanja, duke qenë pjesë e një misioni diplomatik në Marok: këtu ai nuk iu përkushtua shumë studimit të artit vendor, por më thjeshtë, ai ka mundësinë që të shkëputet nga mjedisi shtypës parizian, ndërsa gëzon mundësinë për të rënë në kontakt me një kulturë të lashtë.
I frymëzuar dhe i lirë, gjatë këtij udhëtimi ai përfundon më shumë se njëqind vizatime dhe piktura të ndikuara nga popullsia vendase, prej nga ai mbetet i futur. Në Algjer, për shembull, ai portretizon disa gra pa u zbuluar (është piktura “Gratë e Algjerisë në banesat e tyre”), por padyshim se ai duhet të merret me vështirësitë në gjetjen e grave myslimane në dispozicion për t’u shfaqur. Në Tangier, në vend të kësaj, ai krijon disa skica të qytetit.
Kthimi në Paris
Nga viti 1833 e tutje artisti francez ishte marrësi i një numri të madh projektesh që synonin të dekoronin ndërtesa të ndryshme publike në qytetin e Parisit: në atë kohë ai filloi të punojë në Dhomën e Deputetëve të Palazzo Borbone, në Salon du Roi, dhe më vonë ai gjithashtu merret me afreskimin e bibliotekës së Palazzo del Lussemburgo dhe atë të Palazzo Borbone.
Më 1834 ai përshëndeti Jeanne-Marie le Guillou, qeveria e cila do të kujdeset për të për pjesën tjetër të ditëve të tij, duke kontribuar në mbrojtjen e intimitetit të tij me respekt dhe përkushtim. Më 1838 ai ekspozoi në Sallonin “Furia e Medeas”, duke shkaktuar një ndjesi të thellë: të përfaqësohesh është një skenë e marrë nga mitologjia Greke, në të cilën njeriu e sheh Medejën në aktin e grabitjes së fëmijëve të saj për t’i vrarë ata me një kamë që është e pangopur dhe duke marrë hak, në këtë mënyrë, ndaj braktisjes së Jasonit.
Gjithashtu kjo pikturë është blerë nga Shteti, që më pas do të dërgohet në Lille, në Muzeun e Arteve të Bukura (megjithëse Eugène Delacroix do të preferonte që ajo të ekspozohej, së bashku me “Masakrën e Scio” dhe “Varkën e Dantes”) në Galerinë e Luksemburg).
Dekori i Kishës së Saint-Denis del Santo Sacramento daton që nga 1843, duke përfshirë një “Mëshira” të madhe; në fund të viteve 1940 Delacroix punoi në tavanin e galerisë Apollo në Louvre: ndërkohë, përveç shtëpisë së tij pariziane, piktori kishte filluar të frekuentonte një vilë në fshatin Champrsay, ku mund të pushonte larg nga mundi i qytetit.
Vitet e fundit
Duke filluar nga 1857 ai është i përkushtuar për Kapelën e Agnes në Saint-Sulpice. Në ndërkohë, ai duhet të përballet me gjedjen shëndetësore, të përkeqësuar nga angazhimi i rëndë që sjell kjo lloj pune. Më 1862 Delacroix merr pjesë në krijimin e Société Nationale des Beaux-Arts, nga të cilat bëhet mik i tij Théophile Gautier: në komitet ka edhe Puvis de Chavannes dhe Carrier-Belleuse, ndërsa lista e ekspozuesve përfshin, ndër të tjera, Gustave Doré dhe Léon Bonnat.
Eugène Delacroix vdiq më 13 gusht 1863 në Paris: trupi i tij u varros në varrezat Père Lachaise. /KultPlus.com