Shukrije Obërtinca, 16 vjeçarja që u vra nga policia jugosllave në qendër të Prishtinës

27 mars 1989. Është ditë e hënë. Shukrije Obërtinca, një nxënëse 16 vjeçare nga fshati Lismir, niset drejt Prishtinës. Jo për të shkuar në shkollë, siç bënte zakonisht të hënave, por për të protestuar. Rrethanat po i rritnin para kohe fëmijët…

Katër ditë më parë, nën rrethimin e tankeve, ishin miratuar amandamentet kushtetuese që ia largonin Kosovës edhe atë autonomi që e kishte brenda ish-federatës jugosllave. Kosova po futej në një vorbull të ri dhe të pakthyeshëm politik, spiralja e të cilit nuk do të pushonte gjer në qershor ’99.

Shukrija në Lismir do të kthehej në arkivol. Ishte vrarë atë ditë nga policia jugosllave në qendër të Prishtinës. Një këngë do të këndohej shpesh ato ditë: “moj Shukrije Obërtinca, je trimneshë si Shotë Galica”.

Ato ditë nuk u ndalën protestat. Po atë ditë, në Prishtinë u vranë edhe katër protestues – Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli dhe Mustafë Veselaj. Në tërë Kosovën, më 27 dhe 28 mars u vranë 28 demonstrues, u arrestuan dhjetëra dhe u plagosën qindra të tjerë. Në ato muaj, përllogaritjet flasin për rreth 100 demonstrues të vrarë në krejt Kosovën.

Serbia, duke vrarë një fëmijë si Shukrija, paralajmëroi masakrat në fëmijë e pleq që ndodhën më 1999. Në anën tjetër, Shukrija, duke rënë dëshmore, paralajmëroi se vajzat dhe djemtë e Kosovës nuk do të zmbrapsen përballë Serbisë së fuqishme, siç edhe ndodhi më 1999. / Fitim Salihu – marr nga Facebook / KultPlus.com


Ava Max publikon videoklipin e këngës “Kings & Queens” (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Ava Max sapo ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “Kings & Queens”, shkruan KultPlus.

Kënga është mjaft ritmike dhe vjen e shoqëruar edhe me videoklip. Ndërsa paraqitja e Ava Max në këtë videoklip qëndron në kornizat e dukjes së saj, si gjithmonë mjaft interesante.

Këngëtarja dhe kompozitorja tashmë e njohur, mori famë të menjëhershme me këngën “Sweet but Psycho”, këngë e cila qëndroi në krye të toplistave në 17 shtete të botës.

Ava Max është rritur duke dëgjuar muzikën e këngëtarëve si Mariah Carey dhe Whitney Houston. Ajo ka cituar Madonnën, Gwen Stefan, Fergie, Britney Spears dhe Christina Aguilera si disa prej influencave të saj. / KultPlus.com

Udhëzime për shtëpiakë

Tregim nga Ibrahim Berisha

Gjysmë ore prita përpara derës. Pastaj zbrita shkallët dhe dola në oborr.

Merita çelësin ma hodhi nga dritarja. Prit, më tha ajo, provoje, nëse mund të hapet nga jashtë. E stresuar vazhdoi: Nga brenda nuk hapet.

Ajo lëvizte dhe shikonte e hutuar nga ballkoni. E, po nuk është e mundur çelësi, që është tamam i bagllëmës së vet, të mos rrotullohet, së paku aq sa ta hapë derën, mendova.

Prit, rri syçelë, se të humbë në atë barishtë atje poshtë, më tha.

Merita çelësin do ta hedh nga kati i pestë, por unë jam në një pozitë fare të palakmueshme pasi vendi ku duhet të pres, është i pjerrtë dhe i mbuluar me një barishtë të dendur, të egër. Ballkoni gjendet në pjesën e veriut dhe për oborrin mbrapa pallatit nuk kujdeset askush.

Sado nuk isha i sigurtë se çelsi nuk do të humbej në barë, dhe t’më duhej kohë për ta gjetur, i bindur thash: Mos më torturo, hidhe, këtu jam.

Atje je, por, mirë, tha.

Lëshoi atë copë të bardhë metali, mund të ishte mesing i përzier me ndonjë legurë, mund të ishte edhe nga material tjetër, por ai ra, ra ku unë nuk e saktësova mirë.

Shih në të majtë. Shih, edhe pak në të majtë.

Pastaj shih në të djathtë.

Në cilën rrënjë të barishtës, e pyeta lodhur e mërzitur.

Vështirë me gjetë, në barë, më tha fqinja Arta që shikonte nga ballkoni i katit të tretë.

Do ta gjej, i thash prerë.

Ndoshta, tha.

Preka thuaj çdo rrënjë bari me dorë pa më të voglin dyshim se do ta kem në dorë çelsin që më bëri fatkeq në këtë ditë me kaq vapë.

Më në fund, e gjete, tha gëzuar Merita nga ballkoni.

Sa mirë u bë, tha fqinja Arta, e cila nuk largohej nga ballkoni.

U nisa vrap për në banesë, arrita në katin e pestë, sa ktheva në anën e majtë, pashë numrin 24, saktësisht imja derë.

Provoj, por kot.

Del fqinji nga banesa afër dhe provon edhe ai, e ndihmon edhe gruaja e tij, por kot. Provo përsëri, e përsëri.

Ndodhin gjëra të tilla, tha fqinji, por është e pamundur të mos gjenden mënyrë për ta hapur derën.

I thotë gruas: Ne kemi një libër. Ma sjell guidën “Udhëzime për shtëpiakë”.

Pas pak, shfleton dhe saktësisht dëgjoj fjalët kur i lexon triumfueshëm: Kur s’ka tjetër zgjidhje: “…dera duhet të hapet me goditje të fortë”.

Kjo d.m.th. se dera duhet të thyhet, zonja Meritë, i thashë fqinjes, duke kërkuar që ta lexonte më me kujdes edhe një herë udhëzimin në rastet kur bllokohen bravat. Burri i saj mund ta kishte gabuar rekomandimin.

Dera duhet të hapet me goditje të fortë, shkruan, tha ajo.

Është e pamundur, thashë, nuk mund të godas derën time. Ajo do të thyhet. Kushton shumë.

Ndoshta nuk thyhet, por nëse do të hysh brenda, ne duhet t’u përmbahemi udhëzimeve, në fund, edhe duhet ta thyejmë, tha fqinji.

Je mjeshtër, e pyeta fqinjin.

Paj, nuk mbetem keq, përgjigji ai.

Gruaja e tij bërë me kokë, sikur tha, ashtu-ashtu.

Pasi pritëm edhe pesëmbëdhjetë minuta pa gjetur zgjidhjem ai ishte gati ta godiste bravën me lloz. Mu në këtë kohë, nga brenda dëgjoja zërin e gruas, por nuk ishte e qartë çfarë thoshte. Më bëhej se kërkontë ndihmë,

Kujdes, i thash. Ma thyen derën,

Mbyll sytë, më tha, fqinji.

Dëgjoj një krismë të fortë dhe një tjetër ende më të fortë që shpërndahet në tërë objektin.

Udhëzimi nuk jipte asnjë alterantivë, pyes frymëmbytur, kur shoh derën e çarë, me bravën e kacavarur dhe një vrimë afër saj çuditërisht të ngjashme me shputën e ariut.

Jo, përgjigji fqinja. Udhëzuesi nuk jipte ndonjë alternativë.

Fatkeqësi, ç’ më gjeti kështu, shfreva.

Ja çelësi, mbaje, por nuk të duhet asgjë, tha fqinja. Ky është i përfunduar. Dera tjetër do të ketë çelës të ri.

Gruaja qëndronte e pafrymë në korridorin e banesës: Hata, hata.

Mos, provova ta qetësoj.

E kisha gabuar çelësin, tha ajo.

Mbetëm pa derë, i thash, duke shikuar me urrejtje nga përballë kur po largoheshin fqinjët.

As nuk të falenderuan, sa mosmirënjohës, i tha gruaja burrit me zërin e ulët, kur ai po mbyllte derën e banesës së tij me dorën e djathtë, ndërsa në të majtën mbante guidën “Udhëzime për shtëpiakë”. / KultPlus.com

Koronavirusi mund ta ndryshojë mënyrën se si shikojmë filma

Mbyllja e kinemave kudo nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë kanë shtrënguar studiot filmike që ta rimendojnë mënyrën se si t’i transmetojnë filmat.

Gjatë pikut të përhapjes së virusit në Kinë, një film i shumëpërfolur u transmetua drejtpërsëdrejti në një platformë online dhe është shikuar nga më tepër se gjysmë miliardi shikues.

Studiot amerikane të filmit do ta pasojnë këtë hap dhe tanimë janë duke i lancuar filmat online, paralelisht me transmetimin e tyre nëpër kinema.

Industria megjithatë është duke u ballafaquar me humbje prej më tepër se 15 miliardë dollarësh këtë vit, shkaku i koronavirusit, ka bërë të ditur një ekspert.

SHBA-ja dhe Kina janë tregjet më të mëdha botërore për adhuruesit e filmave, bazuar në shitjet e tyre nëpër arkat filmike. Por këto dy shtete janë ballafaquar me vështirësi të shumta shkaku i koronavirusit, përhapja e të cilit ka shtrënguar kudo mbylljen e kinemave.

Kina ka rreth 60 mijë kinema përgjatë vendit, të cilët janë mbyllur që në fillim të janarit.

Ky afat kohor ka goditur rëndë industrinë e filmit, pasi që ndodhi pak para pushimeve për Vitin e Ri kinez, i cili normalisht shënon rritje prej 2 miliardë dollarësh në arkat filmike.

Duke qenë një film me pritshmëri të mëdha, “Lost in Rusia” u transmetua drejtpërdrejt në një uebfaqe dhe u shikua nga më shumë se 600 milionë shikues, kanë bërë të ditur mediat kineze. Ai ishte i qasshëm pa pagesë falë gjigantit kinez të teknologjisë “ByteDance”, që u transmetua përmes dy platformave të saja të “streamingut”. /KultPlus.com

Koncert online nga muzikanti shqiptar me famë botërore Elvin Hoxha

Muzikanti shqiptar, Elvin Hoxha, i cili jeton prej vitesh në Madrid, këtë fundjavë do të zhvillojë një koncert online për të argëtuar dhe rritur optimizmin e njerëzve në këto ditë të vështira. Elvini është lindur në Ankara, me prindër artistë; i ati është një muzikant nga Shkodra, transmeton albinfo.ch.

Duke qenë se në këto ditë, ku e gjithë bota ndodhet në izolim nga rreziku i koronavirusit, artistë të ndryshëm botërorë kanë marrë nisma për të argëtuar sadopak njerëzit.

Një nga këta artistë të angazhuar në këtë luftë globale është edhe muzikanti shqiptar me famë botërore, Elvin Hoxha, i cili këtë fundjavë do të zhvillojë një koncert online që do të ndiqet njokohësisht në gjithë planetin.

I cilësuar si “Paganini” i ri, Elvini është lindur në Ankara, me prindër artistë gjithashtu. Hajredini, i ati, një muzikant nga Shkodra, pjesë e filarmonisë së Ankarasë. Ndërsa e ema është me origjinë nga Azerbaxhani.

Por Elvin Hoxha prej vitesh jeton në Madrid, ku dhe po ndjek një nga konservatorët më të rëndësishëm evropianë dhe jep koncerte në disa shtete europiane.

Koncerti i ditës së shtunë, i cili është online, do të organizohet nga një agjenci e mirënjohur gjermane. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Më 27 mars iku në amshim Tiepolo, njëri nga gjenitë e pikturës klasike

Muaji mars solli në jetë shumë artistë të mëdhenj që mahnitën botën me talentin e tyre.

Giovanni Battista Tiepolo është njëri nga ta. Tiepolo lindi dhe vdiq në muajin mars. Ai ishte piktor Italian nga Republikës e Venedikut e asaj kohe. Ka qenë mjaft i suksesshëm me punimet e tij, të cilat dolën edhe jashtë kufijve italianë, si fjala vjen në Gjermani dhe Spanjë.

Tiepolo nga kritikët, konsiderohet si një nga mjeshtrit tradicional të asaj periudhe. Ndryshe është konsideruar si “piktori më i madh dekorativ i Evropës së shekullit tetëmbëdhjetë”.

Në vitin 1716 ai pikturoi afreskun e parë, ndërsa më vonë ai do të krijojë edhe shumë të tilla që përgjithësisht përshkruanin mure dhe tavane të kishave.

Tiepolo në vitin 1722 ishte njëri nga dymbëdhjetë artistët e porositur për të kontribuar në një pikturë ku shfaqej një nga apostujt, si pjesë dekorative e një kishe në Venedik. /KultPlus.com

Bill Gates letër për Covid-19: Po na mëson një qëllim shpirtëror


Multi-miliarderi Gates, 64 vjeç i cili dhuroi 85 milion paund për të luftuar virusin muajin e kaluar – beson se përkundër kaosit, ekziston ‘një qëllim shpirtëror pas çdo gjëje që ndodh’.

Në një letër të hapur, me titull “Çfarë është vërtet duke na mësuar virusi Corona / Covid-19?’, ai shkroi:

‘Një qëllim shpirtëror”

“Unë jam një besimtar i fortë dhe mendoj që ka një qëllim shpirtëror prapa çdo gjë që ndodh, pavarësisht nëse kjo është ajo që ne e perceptojmë si të mirë apo të keq.
“Ndërsa meditoj për këtë, unë dua të ndaj me ju atë që ndiej se virusi Corona / Covid-19 po na bën me të vërtetë.
1) Po na kujton që të gjithë jemi të barabartë, pavarësisht nga kultura, feja, profesioni, situata financiare apo sa të famshëm jemi. Kjo sëmundje na trajton të gjithëve në mënyrë të barabartë.
Nëse nuk më besoni mua, thjesht pyesni Tom Hanks.
2) Po na kujton se ne jemi të gjithë të lidhur dhe diçka që prek një person ka një efekt tek një tjetër.
Po na kujton që kufijtë e rremë që kemi shtruar kanë pak vlerë pasi këtij virusi nuk i duhet pasaportë.
3) Po na kujton se sa e vlefshme është shëndeti ynë dhe si kemi lëvizur ta lëmë pas dore duke ngrënë ushqim dhe ujë që është i kontaminuar me kimikate.
Nëse nuk kujdesemi për shëndetin tonë, sigurisht që do të sëmuremi.
4) Po na kujton se sa e shkurtër është jetës dhe atë që është më e rëndësishmja për të bërë, që është të ndihmojmë njëri-tjetrin, veçanërisht ata që janë të moshuar ose të sëmurë.
Qëllimi ynë nuk është të blejmë letër tualetit.
5) Po na kujton sesa materialiste është bërë shoqëria jonë dhe si, kur në raste vështirësish, kujtojmë se gjërat thelbësore që na duhen janë (ushqimi, uji, ilaçi), në krahasim me lukset, të cilat ndonjëherë ne mënyrë të panevojshme i japim vlerë .
6) Po na kujton se sa e rëndësishme është familja dhe jeta në shtëpi dhe sa e kemi lënë pas dore këtë.
Po na detyron të kthehemi në shtëpitë tona, në mënyrë që t’i rindërtojmë ato dhe të forcojmë njësinë tonë familjare.
‘Puna e vërtetë e tyre’
7) Po na kujton se puna jonë e vërtetë nuk është puna jonë, kjo është ajo që ne bëjmë, jo ajo që jemi krijuar për të bërë.
Puna jonë e vërtetë është të kujdesemi për njëri-tjetrin, të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të jemi në dobi të njëri-tjetrit.
Po na kujton të mbajmë kontrollin e egove tona.
Po na kujton se, pavarësisht sa të shkëlqyeshëm ne mendojmë se jemi një virus mund ta ndaloj botën tonë.
9) Po na kujton se fuqia e autostradës është në duart tona.
Ne mund të zgjedhim të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, të ndajmë, të japim, të ndihmojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin ose mund të zgjedhim të jemi egoist, të mbajmë, të kujdesemi vetëm për veten tonë.
Në të vërtetë, janë vështirësi ato që sjellin ngjyrat tona të vërteta.
10) Po na kujton se mund të jemi të durueshëm, ose mund të kemi panik.
Ne ose mund të kuptojmë se kjo lloj situate ka ndodhur shumë herë më parë në histori dhe do të kalojë, ose ne mund të panikojmë dhe ta shohim atë si fundi i botës dhe, rrjedhimisht, t’i shkaktojmë vetes më shumë dëm sesa të mirë.
11) Po na kujton se ky mund të jetë ose një fund ose një fillim i ri.
Kjo mund të jetë një kohë reflektimi dhe mirëkuptimi, ku mësojmë nga gabimet tona, ose mund të jetë fillimi i një cikli i cili do të vazhdojë derisa të mësojmë më në fund mësimin për të cilin kemi për qëllim.
12) Po na kujton se kjo Tokë është e sëmurë.
Po na kujton se duhet të shohim shkallën e shpyllëzimit po aq urgjent kur shikojmë shpejtësinë me të cilën rrotullat e tualetit po zhduken nga raftet. Ne jemi të sëmurë sepse shtëpia jonë është e sëmurë.
13) Po na kujton se pas çdo vështirësie, gjithmonë ka lehtësi.
Jeta është ciklike, dhe kjo është vetëm një fazë në këtë cikël të madh. Ne nuk kemi nevojë për panik; edhe kjo do të kalojë.
14) Ndërsa shumë e shohin virusin Corona / Covid-19 si një fatkeqësi të madhe, unë preferoj ta shoh atë si një korrektor * të madh *
Dërgohet për të na kujtuar mësimet e rëndësishme që duket se kemi harruar dhe varet nga ne nëse do t’i mësojmë apo jo. / KultPlus.com

Kantautori amerikan Bob Dilan sjell këngë të re, teksti rrëfen vrasjen e Presidentit Xhon Kenedi

Kantautori i famshëm amerikan Bob Dilan, ka befasuar këtë të enjte të gjithë fansat e shumtë anembanë botës, shkruan KultPlus.

Bob Dilan i cili për 5 dekada qëndroi në skenë duke shkruar qindra këngë që ndikuan tek shumë artistë të rinj, për këtë ndikim Dilan arriti që mes shumë çmimeve të rëndësishme, ta fitoi edhe çmimin “Nobel” për letërsi.

Këtë të enjte, Dilan lajmëroi fansat se ka lëshuar këngën e tij më të re. Ai nuk ka publikuar ndonjë këngë që nga viti 2012.

Bëhet fjalë për këngën “Murder most foul”, për të cilën ai nuk ka jep asnjë detaj se kur është incizuar.

“I përshëndes gjithë fansat e mi për mirënjohjen, mbështetjen dhe besnikërinë ndër vite” ka shkruar ai.

“Kjo këngë është e pa publikuar, është incizuar kohë më parë dhe mund të jetë interesante. Zoti qoftë me ju!”.

Teksti i këngës rrëfen vrasjen e Presidentit Xhon Kenedi, por zgjerohet në një udhëtim impresionist, elegant, që bëhet gjithnjë e më apokaliptik. Në këtë këngë shohim Dilanin e viteve të hershme, ku shohim atmosferën e viteve ’60, dhe stilin e Dilanit me referenca për Woodstock, Altamont, e gjithë muzikën e Amerikës së shekullit 20.

Kënga është e disponueshme në webfaqen e Bob Dilanit si dhe në kanalin e tij zyrtar në YouTube. /KultPlus.com

https://www.facebook.com/bobdylan/videos/518518722376142/?epa=SEARCH_BOX

Intervista ekskluzive e Isa Boletinit në Londër, në zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori

Nga Aurenc Bebja

“L’Echo de Paris” ka botuar, të hënën e 5 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të Isa Boletinit, të zhvilluar asokohe në Londër, ku si përkthyes i ka shërbyer Luigj Gurakuqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Bisedë me shefin shqiptar Isa Boletini

Londër, 4 maj.

E kam takuar Isa Boletinin në një nga hotelet e mëdha në Londër, i ulur para një filxhani çaji, i patundur, me një cigare në gishtat e tij. Rreth tij, anëtarët e qeverisë së përkohshme shqiptare të veshur me pardesy prej mëndafshi. Me këtë stil, ata mund të ligjërojnë në “House of  Commons”. Isa Boletini, edhe në zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori luftarak. Ai mban plisin e bardhë, traditë për të gjithë bashkatdhetarët e tij.

Për të mashtruar disi kureshtjen e publikut, ai veshi një pardesy gri krejt perëndimore, por veshja kombëtare përsëri dukej : këmisha blu dhe jeleku (xhamadani), rripi i gjerë dhe pantallonat që i ngjiten nga afër pjesës së prapme të këmbëve. Një strukturë kockore, shumë e gjatë dhe e harkuar, mbart fytyrën, e pjekur dhe të djegur nga dielli, mbi të cilën shkëlqen një sy mjaft i mprehtë. I tillë është njeriu, i cili, me përsosmëri, përfaqëson Shqipërinë luftarake, atë, që e palodhur dhe prej shekujsh, ka zbritur nga lartësitë për të dëbuar gjithnjë e më larg serbin, grekun dhe bullgarin; ajo që, nesër, do të sulmojë ushtarët evropianë, qofshin në shërbim të koncerteve (planeve) apo interesave austro-italiane.

Shqiptarë të tjerë kanë pasur sukses në Yildiz – Kiosk, në poste të larta publike, por ky njeri përfaqëson shumë më mirë tokën shqiptare, të cilën kurrë nuk ka dashur ta braktisë, dhe që, edhe sot, në këtë hotel të madh perëndimor, ka një marshim të dhimbshëm dhe gjeste të ngadalta të kujtdo që ngjit një lartësi dhe mbart armë.

Z. Luigj Gurakuqi, një katolik nga Shkodra, anëtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës, pranon të më shërbejë si përkthyes.

E pyes Isa Boletinin :

— Në çfarë moshe keni filluar të luftoni ?

— Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Unë jam dyzet e shtatë vjeç sot. Domethënë, tridhjetë vjet luftë. Kam lindur në fshatin Boletin, afër Mitrovicës. Armiqtë e mi të parë ishin serbët dhe malazezët. Ishte për të zmbrapsur bastisjet e tyre që pak nga pak fitova besimin e bashkatdhetarëve të mi dhe u bëra shef klani.

— Ju keni pasur marrëdhënie të mira me turqit e regjimit të vjetër ?

— Ndonjëherë ndoshta disa mosmarrëveshje; por, në përgjithësi, nuk kemi shkuar keq. Sulltani Hamid e dinte se çfarë vlere kishte një shqiptar; në vitin 1902, ai më thirri pranë tij, më vuri në krye të gardës së tij shqiptare dhe më dha titullin bej.

Isai me jep këto detaje copëza-copëza që i lë të dalin një nga një.

— Në Shqipëri, tha ai, njerëzve nuk u pëlqen të flasin për veten; kjo është në kundërshtim me zakonet.

— Fatkeqësisht ! iu përgjigja, në Perëndimin tonë, të mos flasim për veten është gjithashtu në kundërshtim me zakonet.

I ardhur në Londër për t’i shërbyer vendit të tij, Isai, nga Boletini, e pranon reagimin tim.

Për dy orë, ai u përgjigj pyetjeve të mia biografike, duke thënë herë pas here: “Kam vuajtur aq shumë sa nuk mund të them gjithçka !”

Pasi qëndroi për katër vite pranë sulltan Abdul-Hamidit, beu i ri u kthye në Shqipërinë e tij. Ai jetonte prej tre vitesh në kullën e tij afër Mitrovicës kur ndodhi lëvizja xhonturke. E dimë se, gjatë një takimi në Ferizaj, më 15 korrik 1908, delegatët shqiptarë e pranuan Kushtetutën. U kishin thënë se ishin të lirë ndaj pushtetit qendror, efektet e të cilit nuk është se ndiheshin atje.

— Nuk e lashë veten të mashtrohem, thotë Isai. Unë nuk kam qenë në Ferizaj.

— Pse ? A i njihnjit turqit e rinj ?

— Vetëm disa.

— A keni pasur marrëdhënie të këqija me ta ?

— Jo ! marrëdhënie të mira. Megjithatë, nuk kisha besim tek ata. Burrat e regjimit të ri nuk më falën për abstenimin tim. Të ngarkuar për nënshtrimin e të gjitha elementeve armiqësore, komandanti i Mitrovicës, Xhavit pasha, përmes meje, vendosi të fillojë serinë e ekzekutimeve të tij. Ai, pa asnjë paralajmërim, rrethoi kullën time, nga e cila familja ime mezi arriti të dilte. I kapur në befasi, kisha vetëm 20 burra rreth meje. Nga këta 20 burra, 12 u vranë. 8 të tjerët, përfshirë edhe mua, qemë në gjendje të shpëtonim por të mbuluar nga plagët.

Duke rrëfyer këtë arritje, shefi shqiptar tregon shpatullën e tij të majtë të enjtur. Ishte e shpuar nga njëra anë në tjetrën. Shoh që në dorën e tij të majtë mungon gishti i mesit.

— E ka marrë Xhavit pasha ?

Isai buzëqeshi me përbuzje :

— Jo. Aksident i thjeshtë gjatë rinisë.

Natyrisht, kjo nuk llogaritet. Që ky gjigant i zhdërvjellët dhe esmer të rrëzohet për tokë, do të duhej të vritej shtatë herë, si një mace. Ai vazhdon :

— I detyruar të largohem nga Mitrovica, u strehova afër Pejës. Xhaviti arriti shpejt me pesë batalione, duke djegur të mbjellat dhe kullat. Pasi u mundova të luftoj me aq sa munda, u strehova te malsorët e Gjakovës. Rezistenca u organizua, betejat e Lumës dhe Rugovës u mësuan shtypësve modestinë. Në pranverën e vitit 1909, të thirrur për arsye të ngjarjeve të Kostandinopojës, ata u larguan. Kjo ishte për t’u kthyer një vit më vonë, nën urdhrat e Shefqet Turgut pashës. Këtë herë, erdhën për të ndëshkuar lëvizjet shqiptare në krahinën e Kosovës. Ne luftuam në Kaçanik, të shpërndarë, kurrë të mposhtur. Pastaj, kam gjetur azil në Mal të Zi.

— Çfarë mendoni për mbretin Nikolla ?

— Ai më ftoi disa herë në tavolinën e tij, duke më bërë të ulem pranë mbretëreshës. Më mbetet vetëm ta falënderoj atë dhe popullin e tij. Pasi paqja u rivendos, u ktheva në fshatin tim të lindjes Boletin, më mungonte vendlindja. Unë qëndrova në heshtje për një vit të tërë dhe nuk mora pjesë në kryengritjen e malësorëve të Shkodrës dhe në kuvendin e Berçës, i cili hartoi statutin e lirive shqiptare. Isha akoma në Boletin në gusht, kur sulltani erdhi të vizitojë fushën e betejës së Kosovës, ai më ftoi të shkoj. Nuk pranova. Mësova se ishte i shoqëruar nga Haki pasha dhe Mahmud Shefqeti. E dija si njeri pa vullnet, mendova se ishte e kotë të shkoja e ta shihja. Një vit më pas, unë mora drejtimin e kryengritjes së madhe, e cila na çoi radhazi në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup. Hyra me në krye ushtarët e mi. Kështu arrita qëllimin e përpjekjeve të mia : të siguroj ekzistencën kombëtare të Shqipërisë, të kërcënuar nga Turqit e Rinj. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Gazi Muktar  pashën (Ahmed Muhtar Pashën) kur papritmas deklarata e luftës së aleatëve shpërtheu.

— Duke pasur parasysh zgjedhjen midis serbëve, me të cilët keni luftuar tërë jetën, dhe turqit, të cilët i keni luftuar për pesë vjet, çfarë bëtë ?

— Unë kërkova armë në Kostandinopojë; me të vërtetë, të gjithë njerëzit e mi i kishin çarmatosur. Këto armë m’u refuzuan. Unë luftova me mundësitë që pata, duke u tërhequr nga Mitrovica në Dibër, Elbasan dhe Vlorë. I emëruar kryetar i milicisë së formuar nga qeveria e përkohshme, m’u desht të ndërhyja për të larguar grekët nga Himara. Ndërsa vizitova jugun e Shqipërisë, vura re se të gjithë shqiptarët janë vëllezër; isha shumë i lumtur. Tani kam ardhur për të kërkuar drejtësi në Europë.

— A do t’i pranoni kufijtë e rinj që kanë vendosur ambasadorët ?

— Kurrë. Është një dhimbje e madhe për mua që vendi im Kosova është ndarë nga Shqipëria. Shqiptarët nuk do t’i nënshtrohen kurrë me qetësi zgjedhës serbe.

— A do ta ndaloni hekurudhën tregtare që i është dhënë Serbisë ?

— Trazirat do të jenë të pandalshme.

— Çfarë mendoni në lidhje me një pushtim italo-austriak ?

— Për sa kohë që nuk ka drejtësi, dhe ndërsa Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të aneksojnë vendet shqiptare, Italia dhe Austria mund të jenë pjesë e kësaj loje. Kam ardhur këtu për të protestuar si një përfaqësues i Kosovës, si një delegat i qeverisë së Vlorës. Tërë jetën time, unë do të luftoj serbin, malazezin, grekun, italianët, austriakët, deri në çlirim ose vdekje.

Duke thënë këto fjalë, Isai merr flakë dhe lëviz. Ai përsërit të njëjtën fjali tri ose katër herë. Ka frikë se unë nuk i kam shënuar mirë fjalët e tij.

Ndërsa unë e kam lënë tashmë të qetë, ai ngrihet dhe nxiton drejt meje :

— Ajo që thashë është e vërteta. Nëse dikush pretendon ndryshe, unë jam këtu për t’iu përgjigjur atyre.

Ndërsa largohem, mendoj për të ardhmen që pret Isain dhe arnautët e tij krenarë. I krijuar për luftë, i papërshtatshëm për çdo punë tjetër përveç asaj të pushkës; i ushqyer në idhtësinë fisnike të armëve, kur ai të ketë luftuar mirë kundër ndërhyrësve të rinj, pa dyshim malli për vendlindjen do ta kthejë sërish në kullën e tij në Boletin, në Serbi; ai do të shohë njerëzit (rayas), që, dikur, kur takonin shefat shqiptarë,  zbrisnin me përulësi nga gomerët e tyre, të kalojnë tashmë para tij duke e shikuar në sy; ai do t’i shohë djemtë e tij të bëhen gjithnjë e më pak luftëtarë dhe gjithnjë e më shumë fshatarë; udhëtuesit shitës dhe sllavët do të qarkullojnë me mallrat e tyre në këtë vend, i çelur më parë vetëm për vendasit (autoktonët). Ata do ta tregojnë me gisht plisin e tij të bardhë dhe jelekun e tij blu. Isai do të flasë me veten se fundi i botës ka mbërritur. Europa do të ketë humbur racën e saj më bukur ushtarake. — A. C

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-echo-de-paris-1913-intervista-ekskluzive-me-isa-boletinin-ne-londer-perfaqesuesin-e-kosoves-dhe-delegatin-e-qeverise-se-vlores/

Dita Botërore e Teatrit pa ndonjë aktivitet

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Teatrit. Për shkak të virusit COVID-19 në Kosovë nuk është paraparë ndonjë aktivitet për të shënuar këtë ditë.

Shënimi i Ditës botërore të teatrit ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit ndërkombëtar teatror – INT të UNESKO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezona e “Teatrit të kombeve” në Paris. Sot kjo shënohet në mënyra të ndryshme në pothuajse njëqind qendra të INT-së.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESKO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese. INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve. / KultPlus.com

Vendi i Mihal Gramenos në letërsinë dhe gazetarinë shqiptare

Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.

Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.

Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.

Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.

Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj

Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.

Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

* * *

Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.

Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.

Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.

Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.

E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.

  1. Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.

Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimitqë botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.

Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.

Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.

Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.

Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liriArdhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.

Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.

Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.

Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu.        Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), DuvaxhinjtëI gjori IbrikXinxifkë pashaXhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.

Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.

Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.

Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.

Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.

Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.

Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.

Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.

Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.

Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.

Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).

Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.

Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.

Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f.,  edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.

(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.

Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës

Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!

Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.

Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.

Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve) /KultPlus.com

Vdes nga koronavirusi aktori i njohur amerikan

Ylli i “Crocodile Dundee”, Mark Blum, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare.

Aktori ishte infektuar me virusin vdekjeprurës Covid-19 dhe s’ka mundur ta përballojë dot këtë epidemi.

Blum ka ndërruar jetë, ndërsa lajmin e hidhur të vdekjes së tij e ka dhënë kompania teatrore me qendër në New York , e cila shkruante në një status në rrjete sociale:

“Me dashuri dhe zemra të thyera, Mark Blum, një mik i dashur dhe një artist i mirënjohur, ndërroi jetë këtë javë.

Faleminderit Mark për gjithçka që solle në teatrin tonë dhe në teatrot e gjithë botës. Do të na mungosh!”

Karriera e Mark Blum zgjati afro 40 vjet dhe ai fitoi një “Obie” për performancën e tij në “Gus And Al”.

Emri i tij përfshihet në 80 projekte filmike në mbarë botën dhe vdekja e tij është një humbje e madhe për kinemanë. / KultPlus.com

Puthja e cubit

Tregim nga Migjeni

Edhe një prandverë ka ardhë. Prandvera e 17-të për Dilen, e cila, e shtrime në bar, ndjeu se ka taman, as më pak as më tepër se 17 vjet.

– Nano! Sa vjet kam? – pyeti nanën në shtëpi.

– Tashti i mbushë 17, bijo! – I tha nana me një dorë n’ijë e me tjetrën mbi sy, për m’u mprojtë nga rrezet e diellit.

Edhe Dila, e shtrime në bar, ndjeu se ka taman 17 vjet. Ashtu e shtrime, shikon qiellën e kaltërt dhe ndigjon cingaret, një të dashit të grigjës ma e hollë, dhe tjetra e lopës me za ma të trashë. Çohet herë herë e shikon bagtinë dhe prap shtrijet, me një dëshirë të vokët në gji. Sa fort Dila që i ndjen të 17 vjetat në vete! Kur në të kapërthyemit e dëshirës, ven shplakët në krye dhe ma fort shtrihet, ndjen si nder veshë dhe nder tamtha i rreh gjaku rrjedhje të forta dhe e ban me ndie edhe me dishrue ma tepër. Atëherë Dila mbyllë sytë. Ashtu me sy mbyllë pret diçka. Buzët e saj të lagta e të çeluna për gjysë i terte flladi i lehtë.

Para ksaj prandvere bani një dimën acar. Bora që tashti shifet si kunorë vetëm nder bjeshkët e nalta, në dimën kish mbulue mbarë tokën. E stuhia e tmerrshme s’kish lanë pa futë borën deri ndër shpella mali dhe zgavrriqe drunjsh. Në kët acarim dimri dhe bishët e malit zbriten nëpër katunde te njerëzit. Por kta nuk i priten mirë. Bashkë me bishët e malit zbriti edhe Cubi, i cili ishte tmera për ata që kishin ndigjue për të e që nuk e njifshin. Në besë, në buk’e krypë, i ati i Diles e mbajti cubin si mik.

Dhe gjatë një mueji sa ndenji Cubi në shtëpi te saj, Diles iu ba se ky Cub nuk asht ai Cub për të cilin flisnin se vret, grabit, përdhunon. me të vërtet po at emen kishte; por jo nuk ishte ai. Cubit mik njezetekatërvjeçar i buzqeshej nana, i buzqeshej Prenda, e shoqja e re e vllaut, baba i fliste me za të butë e vllau këndonte me te. Cubi-mik ishte i mirë dhe të gjithë e nderojshin, Dila kanjëherë me dashje dhe pa dashje e shikonte në sy dhe kuqej, kanjëherë me dashje e pa dashje, tue bamë punë nëpër shtëpi, në të kaluem e prekte me krah dhe nga kjo prekje iu rritshin gjitë.

As nga armët e tija, rrypat me fishekë, pushka dhe revolja nga të gjitha këto Dila s’kish frigë. Një ndjesi e fshehtë rritej në zemrën e Dilës dhe sa ma shum ditë kalojshin aq ma e madhe bahej. Dhe ndiesia u ba dëshirë, dëshirë që të len pa gjumë.

Por një ditë, kur dielli sa një pare e madhe sermi u çfaq në qiell, Cubi shkoi. E dila mbet vetëm me dashurinë për Cubin.

Asht e flakët dëshira e Dilës në një ditë të shkëlqyeshme prandvere kur, e shtrime në bar, ndjen se si i rreh gjaku ndër dej. Asht edhe ma e flakët dëshira e Dilës kur i ka syt’e mbyllun e me andrim vezullues don me krijue ate që s’ka. S’ka… Nuk u pa ma Cubi. E 17 prandvera të saja janë 17 thirrje të nxehta të heshtura drejtue Cubit.

Ashtu e shtrime dhe n’andrim Dila nuk desht t’i çeli syt’ edhe se ndjeu mbi trupin e vet një peshë dhe prishi dihatunin e nji mashkulli e mbi buzët e veta të përvlueme një njomsi.

S’i çeli syt’. Ndoshta kish frigë të mos prishi ekstazën në të cilën kishte ramë… E kur ndjeu lehtësimin e trupit i çeli syt. Por aty s’pa kend. U hodh nga ana e majt. Dila u drodh. “Ai asht! tha – Cubi!” dhe u vue në ndjekje të gjurmës majtas. Sie dehun, gjithnjë n’ekstazë. La grigjen, as që i binte ndër mend, pse kërkonte Cubin. Doli në rranxë të malit shkambuer. E thirri me emën, por bashkë me këmbët e saja që përplaseshin prej shkambit në shkamb, q’ashtu dhe thirrjet e saja u përplaseshin – kot.

***

Një parandjenjë i thoshte se ai është afër , shumë afër dhe sikur e ledhatonte me atë shiqimin thumbues, u ndal dhe hodhi një vështrim si të ishte vëzhguese profesionale, e krehi me shiqim tër bjeshkën e lartë që sikur bashkohej me qiellin. Mbledhi forcë shtrëngoj duar dhe filloi të thërrs:

o Cubiiii … jehona e thirrjes si oshtimë vullkani, përplasej nga shpati në shpat duke krijuar jë eho të pafund dhe përseritej; o Cubiiii, o Cubiiii, o Cubiiii, …. Dilo u step Ju duk e quditshme, se si përseritej thirrja e saj.

sikur e harroi Cubin u thellua në mendime dhe mendja i vajti ke gigja në bregun e shqipes. Hudhi bistekët anash, u kërrus ti shtrëngon të mbathurat, dhe u kthye nga kishte ardhur, bri përroit që kishte një gurgullimë uji me karakteristikë të vëqantë. Papritmas dëgjoi një thirrje të fuqishme: Dilooooo, iloooooo, loooooo,

Është Cubi, tha.

Shiqoi rreth e rrotull por nuk vërejti askund Cubin, o zot ç’ndodh me mua, është ky një ankth ëndrreje apo ç’është duke ndodhur, nuk kuptonte më asgjë. Nuk vonoi shumë dhe Dilo shpejtoi hapat rrëzë proit që thente monotonin që ia brente shpirtin Dilos, kaloi edhe gurin e Plakës dhe për një çast filloi ti rrahën zemra furishëm, drejtoi shiqimin dhe me gjymës zëri tha Cubi, Dilo… Nga ky moment ajo nuk shiqonte nga e bartnin këmbët, për një çast u gjend në përqafimin e Cubit me trup vigani, puthjet e njëpasnjëshme, qetsuen dy zemra që vlonin nga dashuria.

Cubi ishte kurreshtar dhe e ngacmon Dilon.

O Dilo, ke humbur gigjen apo si erdhe këtej ke guri i Plakës?

E ajo shkurt.

Më mungoje ti, e ndjeva se je afër andaj të kërkoja matanë, ke shkëmbi i trimave dhe ja të gjeta, desha të të tregoj se jam rritur, edhe unë mund ta mbaj pushkën krah për krah me ty.

Apo të dukem ende e re?

Cubi e dëgjoi me vëmendje dhe mburrej me Dilen sa e vendosur që ishte.

Hë ç’thua fol pyste Dilo?

Cubi u kërrus lëshoi pushkën rrëzë një Bredhi t’badhë, ia vëri njëren dorë mbi krahun e Dilos, u bashkuan shiqimet, sytë e Dilos shkëlqenin, fytyra saj ishte kapluar nga një zjarr i paparë më herët.

Dilo je e vetëdijshme se jeta në male nuk është e lehtë?! pastaj….

Por Dilo kthej shpinën dhe nuk dëshronte spjegime, ajo dinte se çdonte, kishte vendosur.

Një lot i rrëshqiti nga faqja si zjarr, pastaj tjetri. Cubit i erdhi keq për Dilon, ai nuk e kishte të kjartë a janë lot dashurije apo lot vëndosmërie për Liri.

Dilo ti po deshe mund të vishë, por je ende e re andaj prit edhe një vit e të hedhësh shtat dhe një çik.

Jo Cubi, unë nuk pres dot më, mjaft kam pritur, unë dua të jem me ty. Prap një vrushkull lotësh vërshuan faqet e Dilos!

Cubi ia vëri duart në bel me dorën e majtë ia fshiu lotët e vakët dhe i tha unë nuk të them po pa e marrë pelqimin e prindërve të tu, kjo është luftë Dilo. Ajo e gëzuar shumë iu hodh në përqafim Cubit duke e puthur si e qmendur, ngase e dinte që prindërit nuk do e pengonin kurr Dilon të jet perkrah Cubit trim.

Me ardhjen e Pranverës lindi edhe një dashuri e re, edhe një pushkë për Liri. /KultPlus.com

Pse u demoralizua herët në jetë Melihate Ajeti?

Nëse përmendim një aktore shqiptare e cila në jetë pati edhe rolin që u shkrua enkas për të, e luajti në një shfaqje për 13-të vite me radhë për ta përsëritur, nuk shkruhet emër tjetër pos ai i Melihate Ajetit.

Aktorja e njohur e shqiptarëve, aktorja e laureuar me çmimin më të madh të Kosovës me rolin e Margaret Goties, aktorja e roleve të mbretëreshës dhe aktorja që u largua nga skena pa ndonjë lamtumirë e pa bujë, sot kujtohet më pak prej gjeneratave të reja.

Melihate Ajeti, e lindur në Prishtinë, u martua shumë e re me Muharrem Qenën.

“Atë ditë, me 17 shtator 1953, mëhallën tonë e pushtoi jehona e këngës. Meli po bëhej nuse, veçse nuk ishte i pranishëm i ati, Shaban Ajeti, për ta përcjellë të bijën. Vajza Antigona Qena është i vetmi fëmijë i këtij çifti” shkruan Sanije Gashi në një libër ku është përfshirë edhe primadona e teatrit në Kosovë.

Ndarja prej Muharremit ndodhë pas 14-të vitesh. Nuk e botoi kurrë librin e kujtimeve, ku tregoi për rolet e saj të mëdha, për dhomën e saj të vetmuar ku ndoshta do të duhej të kishte më shumë njerëz.
Meli, megjithatë nuk pranoi kurrë më shumë se kaq. Luajti në “Hamleti” ,”Erveheja”, “Antigona”, “Makbethi”, “Besa”, e “Sikur të isha djalë”, mes tjerash. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë iu nda në vitin 1971 ndërsa në vitin 1963 morri çmimin e madh të Kosovës – Shpërblimin e Dhjetorit.

“Jam demoralizuar shumë herët në jetë. Pse të ketë urrejtje, xhelozi, lakmi, pse luftëra, vrasje, tortura, robëri? Pse të vdesin familjarë, atdhetarë, pse të zhduken dijetarë, shkencëtarë? Pra, jeta është një pyetje e madhe: përse vdekja” thotë Melihate Ajeti për Sanije Gashin në librin e grave që dhanë kontributin e tyre ndër shqiptarë në fusha të ndryshme të artit.

Rreth 200 role teatrore, mijëra faqe të Ervehesë që si shfaqje qëndroi 13-të vite në repertori, “Vajza pa pajë” me Istref Begolli, rolet në “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melin damën e parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

“Sot dua të të them më fal, asgjë më shumë njeri unë jam” (VIDEO)

Elvana Gjata është njëra nga këngëtaret më të njohura në skenën artsitike mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.com

Para rreth një viti, Elvana Gjata, mes shumë këngësh të lansuara, kishte realizuar edhe këngën “Më fal”, e cila doli të jetë shumë e pëlqyer për publikun.

“Më fal” është balada e saj e cila është interpretuar me emocione dhe me një spot të thjeshtë dhe artistik.

KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

S’ma fal ti…
unë e di më shumë ku të kam vrarë
nuk desha… besomë nuk desha.
S’ma fal ti…
unë s’u bëra kurrë si ti ke dasht’
si ti ke dasht’,
si ti ke dasht’
si ti ke dasht’
Si një mallkim, një mallkim

Sot dua të të them më fal
asgjë më shumë, njeri unë jam
Mos gjyko ti zemra ime, se kush e di
Ndoshta dhe më keq do bëje ti.

Harrohet, oh sa shpejt harrohet cdo e mirë
jo e keqja, jo e keqja
Mësohet, kam mësuar shumë nga cdo gabim
nuk guxoj te mendoj dhe njëherë
të lëndoj unë ty

Sot dua të të them më fal
asgjë më shumë, njeri unë jam
Mos gjyko ti zemra ime, se kush e di
Ndoshta dhe më keq do bëje ti
Ndoshta dhe më keq do bëje ti.

Mos gjyko ti zemra ime, se kush e di
Ndoshta dhe më keq do bëje ti
Ndoshta dhe më keq do bëje ti.


15 vjet nga ikja në amshim e aktores së shquar Melihate Ajeti

Melihate Ajeti lindi më 9 tetor 1935 në Prishtinë; vdiq më 26 mars 2005 në Prishtinë. Semimaturën e kreu në Prishtinë. Vijoi shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedia Française). Aktorja numër një e teatrit Prishtinas. E nisi aktrimin si 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin, bukurinë e kapacitetin e madh prej aktoreje: Zullumqari, Vajza pa pajë, Zonja me kamelie, Besa, Sikur të isha djalë, Halili e Hajrija, Erveheja, Hanka, Hamleti, Shtetrrethimi, Othello, Ana Karenina, Vdekja e një mbretëreshe, Svinga e Gjallë, Magbethi, Antigona, etj.

La gjurmë të pashlyera edhe në kinematografin Kosovare e Jugosllave: Uka i Bjeshkëve të nemuna, Buka, Zonja me kamelie, Etja, Trimi, Lepuri me 5 këmbë, Era e Lisi, Erveheja, Kur Pranvera vonohet, Të ngujuarit, E shtëna në ajër, Othello, Përroi vërshues, Migjeni, Gjurmët e bardha, Magbethi, Dorotej, etj.

Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic (1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.

Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti, nga femrat tona e para e më të merituara – Doajenja e Teatrit Kombëtar të Kosovës – Primadona e skenës shqiptare.

Veprimtaria

Teater

  • Zullumqari
  • Vajza pa pajë
  • Zonja me kamelie
  • Besa
  • Sikur të isha djalë
  • Halili e Hajrija
  • Erveheja
  • Hanka
  • Hamleti
  • Shtetrrethimi
  • Othello
  • Ana Karenina
  • Vdekja e një mbretëreshe
  • Svinga e Gjallë
  • Magbethi
  • Antigona

Filmografia

  • Uka i bjeshkëve të nemuna
  • Buka
  • Etja
  • Trimi
  • Lepuri me 5 këmbë
  • Era e lisi
  • Kur pranvera vonohet
  • Të ngujuarit
  • E shtëna në ajër
  • Përroi vërshues
  • Migjeni
  • Gjurmët e bardha
  • Dorotej /KultPlus.com

Sonte në RTK, “The Remigrant” ku luan edhe Leze Qena (VIDEO)

Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, dhe elemente të tjera të një familje shqiptare janë prezantuar në mbrëmjen e së dielës në “Queens Ëorld Film Festival” në Neë York, nëpërmjet filmit “The Remigrant”,  ku ishte edhe në selektim zyrtar shkruan KultPlus.

 “The Remigrant” është filmi i cili e sjellë për herë të parë në rolin e regjisorit aktorin e njohur Astir Alihajdari. Ky film zgjatë 18 minuta dhe flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve, janë disa nga temat që jetësohen përmes aktorëve: Florist Bajgora, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Leze Qena.

“The Remigrant” do të shfaqet sonte ekskluzivisht në RTK 1, prej orës 22:30, dhe ky film do të prezantihet në kujtim të ikonës së teatrit dhe filmit Leze Qena. Përpos Leze Qenës, në këtë film me rolet e tyre luajnë edhe aktorët: Ilire Vinca, Florist Bajgora e Veton Osmani./KultPlus.com

https://www.facebook.com/florist.bajgora.1/videos/2710209945775200/

Dostojevski: Njeriu që gënjen veten fyhet më lehtë se kushdo tjetër

Fyodor Dostoevsky është një nga emrat më të njohur të letërsisë ruse dhe asaj botërore. I konsideruar edhe si një nga ekzistencialistët, rrymë moderne filozofike, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrafshin intelektual, shkruan KultPlus.com

“Vëllezërit Karamazov”, është një nga librat e tij më të njohur. KultPlus këtu ka shkëputur një fragment nga ky libër, i cili flet për natyrën njerëzore:

“E para është që veten tuaj mos e gënjeni. Njeriu që e gënjen veten e tij, ai që i vë veshin gënjeshtrës së vet, shkon deri aty, sa asnjë lloj të vërtete nuk e dallon dot, as në veten e tij, as në njerëzit që e rrethojnë, për rrjedhojë ai humbet respektin ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve.

Duke mos i respektuar, ai pushon së dashuruari, kurse duke mos pasur dashuri, për ta detyruar veten që të argëtohet, jepet pas pasioneve të shfrenuara, pas përmbushjes së tundimeve të ulëta, duke u kthyer kështu në kafshë dhe duke u mbuluar nga mëkati.

E pra, që të gjitha këto i vijnë ngase gënjen veten dhe të tjerët. Njeriu që gënjen veten fyhet më lehtë se kushdo tjetër.”

– Fyodor Dostoyevsky“Vëllezërit Karamazov”

‘Libri i karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: ‘Mjeshtri dhe Margarita’

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Mihail Bulgakov, nga këndvështrimi i sotëm, është gjithsesi emri më i rëndësishëm i letërsisë ruse të kohës së tranzicionit nga shekulli XIX. I mrekullueshëm nëpërmjet hapësirës së ndjeshmërisë së re dhe avangardës, drejt sensibilitetit të lartë modernist e madje edhe postmodernist.

Edhe pse i shkolluar për mjek, Bulgakovi tërë jetën e tij është marrë me teatër, madje si shkrimtar, kritik, por edhe aktor dhe krijues i shfaqjeve. Drama e tij, “Ditët e Turbinëve”, e bërë në bazë të romanit “Garda e Bardhë”, ishte ndër më të suksesshmet, por edhe më përmbysëset të asaj kohe (ajo u kritikua nga Stalini personalisht).

Me konstruksion të brishte psikologjik, duke e ndjerë presionin e fuqishëm të realitetit të tillë, Bulgakovi kishte për qëllim të largohej nga Rusia, por Stalini nuk ia lejoi. Në vitet e fundit të jetës, në një vrull plot afsh, shkroi faqet brilante të kryeveprës së tij, romanit “Mjeshtri dhe Margarita”, por në prag të Luftës së Dytë Botërore, ai vdiq i dëshpëruar me pozicionin e vet.

“Mjeshtri dhe Margarita” në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniste mundi të shpërndahet në dorëshkrim në mënyrë klandestine në rrethin e ngushtë të miqve të Bulgakovit. Në format libër u botua vetëm njëzet e gjashtë vjet mbas vdekjes së tij.

Kjo kryevepër konsiderohet si një roman kompleks, e ndërlikuar dhe tronditëse. Përshkrimi alegorik deri në detaje i dramës njerëzore e zhvendos lexuesin mes dy botëve paralele. Pasi ka përjetuar emocione tronditëse ai e ka të vështirë që të bëjë dallimin mes asaj që është e gënjeshtërt dhe së vërtetës.

Ky trazim i ndjesive gjatë leximit nuk lë hapësirë për një zgjedhje vetjake, por e dikton lexuesin për t’i shkuar këtij “teatri” deri në faqen e fundit i shoqëruar me dilema të shumta dhe vështirësi që të bëjë zgjedhjen e duhur mes botës materiale dhe asaj ideale, mes jetës tokësore dhe shpresës për të ardhshmen, gëzimit të rilindjes apo hidhërimit mbas një jete të vështirë e pa shpresë.

Intrigë demoniake, perde të shumta tymi.., satirë therëse, kjo është gjuha e Bulgakovit i cili na bën të reflektojmë për njerëzit, rrezikun që paraqet ndikueshmëria e manipulatorëve dhe sharlatanëve në një grupim shoqëror të caktuar.

Ky libër e çon individin në një marrëdhënie trishtuese e pa perspektivë, e ku i duhet të luftojë për të ringjallur vetveten, përballë një bote të ndërtuar mbi pabesinë dhe dashurinë e humbur.

Një nga romanet më të mëdha të shekullit të XX – të. Nuk është botuar gjatë jetës së autorit. Mihail Bulgakov ka vdekur më 1940, i thyer nga realiteti i rëndë sovjetik, ndërsa ky roman monumental së pari u botua në dy numra të revistës moskovite “Bota e Re” më 1966 – 1967.

Rrëfimi për një dashuri, i përfshirë me skena jashtëzakonisht sugjestive të orëve të fundit të Jezuit nga Nazareti para prokuratorit romak të Judesë, Pons Pilatit, por edhe me paraqitjen ekzoterike të zotëri Volandit në Moskën e asaj kohe, shndërrohet në njërën nga historitë më ngacmuese për fatin njerëzor dhe rrugëve të shpëtimit.

Fragment nga libri

Kur mbaruan rrebeshet dhe erdhi vera e nxehtë, në vazo u shfaqën trëndafilat e shumëpritur që aq fort i pëlqenin ata të dy. I vetëquajturi mjeshtër shkruante me pasion romanin e vet, roman ky që përpiu madje edhe të panjohurën.

-Ç’është e drejta, kur e kur bëhesha edhe xheloz ndaj saj se më tepër i kushtonte vëmendje romanit sesa mua, – i tha Ivanit mysafiri i natës, i cili ia behu aty nga ballkoni i larë me dritën e hënës.

Duke gafruar flokët me gishtërinjtë thonjmprehtë, ajo lexonte e rilexonte faqet e shkruara, mandej qëndiste atë kapelen që ai tani e mbante në kokë. Hera – herës, me ndonjë leckë ajo fshihte pluhurin nga kopertinat e librave.

Ajo i premtonte famën, e nxiste në punë dhe e quante mjeshtër. Ajo priste padurimthi rreshtat e fundit të romanit që, siç i pat thënë ai, bënin fjalë për prokuratorin e pestë të Judesë dhe përsëriste, sikur këndonte, ato frazat që i kishin pëlqyer më tepër dhe ngulmonte se në atë roman ajo shihte jetën e saj.

Romani mbaroi së shkruari në muajin gusht, ia dhanë një daktilografeje të panjohur, e cila e shtypi në pesë kopje. Dhe, më në fund, erdhi koha të linim strehën e fshehtë dhe të dilnin në jetë. /KultPlus.com

Tahir Kolgjini, studiues i shquar i gjuhës shqipe

Ndihmesat që ka dhënë Tahir Kolgjini në lëmijet e dijes janë të shumta e të vlerta; ato dëshmojnë kulturën e gjerë të tij, mendjen e hollë, zellin grafllues, dëshirën për t’i shërbyer popullit e vendit të vet. Me punën që bëri, Loku i Limthit u kacarrua e ia mbrrini të ulet këmbëkryq në logun e burrave më të mirë të Lumës dhe të atyre më në zë të kulturës shqiptare.

Në interesat intelektuale të Tahirit, gjuha shqipe zë një vend të shënuar. Këtë ai e ka dashur, e ka çmuar, e ka qëmtuar, e ka studiuar, e ka përpunuar dhe e ka pralmenë si rrallëkush në kohën e tij. Ai, madje, qe ndër të paktët që shkroi siç ligjëronte; e folmja e tij është njësh me gjuhën e polemit, bart të gjitha vlerat dhe ngjyrat e ylberit të saj.

Për ata që kanë bubrruar dhe vazhdojnë të kullosin në krijimtarinë letrare dhe në shkrimet publicistike, shkencore e në letërkëmbimin e tij, gjuha e Tahirit u kujton ushtimën e erës, mumrimin e qiellit, erzimin e luleve, blegrimën e deleve ruda, vringllimën e shpatave, zhuzhitjen e bletëve, belbëzimin e foshnjeve, bumllimën e lodrave e të curleve, jehonën e këngëve, grafllimin e zemrave, ofshamën e nënave, vajin e lokeve, gërhitjen e mundçarëve, logun e zanave, mençurinë e burrave në kuvend të dheut…

Gjuha e Lok Limthit herë është e butë si fjollë, herë fërfllizë, herë meçavë, herë faftimë e një rreshmeje…, por gjithherë duhi malesh të Veriut e kapur për skapllari për t’u përbimë në hullinë e një shqipeje të mesme, e lehtë për t’u rrokur, e ëmbël në shije, e saktë në shprehje. Gegërishtja e tij, me një drejtshkrim të lakmueshëm, e pastër dhe e pasur në fjalë, në forma, në frazeologjizma nuk i len gjë mangut gjuhës së sotme letrare, përkundrazi, në mos si gjuhë standarde, ajo mund të përdorej pa dam për të pasuruar prozën e poezinë shqipe.

Edhe si qëmtues dhe studiues i gjuhës (leksikolog, dialektolog, etimolog, gramatikan, komentus) Tahir Kolgjini ka vënë gurë të shëndoshë. Punimet kryesore të lëmin e gjuhësisë janë: Fjalët turkisht ose t’ardhuna me anën e turkishtes të përdoruna në “Lahuta e Malcis” (1961); Medis bashkëpunëtorëvet tonë nji letërkëmbim mbi çashtje gjuhësore (1967); Shpalime rreth lahutës (1969); Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar (1970); Drejtshkrimi dhe shqiptarët (1984). Veç këtyre studimeve, Tahiri ka edhe shënime, komente, vërejtje gjuhësore etj., të shpërndara, gjithandej, nëpër gazeta e revista të kohës. Mandej lëndë gjuhësore gjejmë edhe në krijimet letrare (prozë e poezi), në artikujt publicistikë dhe në veprat historike (Luma dhe luftat e saj; Esat Pashë Toptani dhe akuzat qi i bahen; Të vërteta shqiptaro-greke etj.).

Si qëmtues e studiues i gjuhës shqipe Tahir Kolgjinin e karakterizon skrupoloziteti, aftësia për të dalluar të veçantën dhe të përgjithshmen, mprehtësia për të bërë krahasime për të nxjerrë përfundime shkencore. Dhe të gjitha këto veçori ai i fitoi duke studiuar e zgjeruar horizontin kulturor, sepse përgatitje universitare për linguist ai nuk pat. Megjithate vepra shkencore e Tahir Kolgjinit qëndron në nivelin e punimeve më të mira të kohës.

Dhe së fundi, vlen për t’u theksuar se aq sa ai paraqitej si kompetent në mendimet dhe vlerësimet që jepte, aq shfaqej edhe modest. Kështu, disa herë në veprën “Shpalime rreth Lahutës”, Tahir Kolgjini kërkon edhe ndihmën e “kompetentave”, siç i quan ai figura të tilla si Shpend Bardhi, Karl Gurakuqi etj., për të cilët kishte një respekt të veçantë. Por nuk nënvlerëson edhe gjuhëtarë të tjerë, me të cilët edhe polemizon ashpër. Kështu, kur vjen puna për t’u përballur me Fjalorin e Gjuhës Shqipe (1954), shkruan: “ky, si duket, me ndonji urdhën epruer, do të jetë sajue në rrethana tepër të ngutëshme. Dhe prandej, simbas mendimit tem – sado qi autorët e tij janë dikush ma shum e dikush ma pak, të njoftun me autoritet në lamën e gjuhësis, – për fat të keq ené nuk ka mbërritun në shkallë qi t’i përgjigjet nevojës, siç e kërkojnë dashamirët e penës.”

Parë në tërësi, puna e Tahir Kolgjinit në lamin e gjuhësisë, duhet çmuar sidomos për ndihmesat që dha në qëmtimin dhe botimin e leksikut e të frazeologjisë krahinore, veçanërisht atyre të Lumës, si dhe për hulumtimin e fjalëve të huaja që kanë hyrë në gjuhën shqipe, në veçanti të orientalizmave (turqisht, arabisht, persisht). Pra, ai i bëri një vend vetes edhe në rrethin e etimologëve, dmth., të atyre që janë marrë me gjurmimin e burimit e të historisë së fjalëve të gjuhës shqipe.

Biografia

Leu më 24 prill 1903 në Lamshejt të katundit Lusën të Lumës, i biri i Alisë së Osman Kolgjinit dhe Qamiles së Sadik Totës. Mësimet fillestare i mori në vendlindje ku mësuesi i parë ishte hoxhë Mulla Ademi nga rrethinat e Shkupit. Me të plasur Lufta Ballkanike emigroi në Stamboll me familjen, por pas gjashtë muajsh familja iu kthye dhe Tahiri qëndroi me të atin që zhvillonte tregti atje. Tahiri të studjonte në shkollën fillore “Sulltan Mahmud” ku mësoi dhe Kur’anin përmendsh e muer titullin Hafiz. Po në Stamboll e kreu edhe Medresenë e Lartë “Dar-ul Hilafet-ul Aliyye” deri më 1924 kur u suprimua nga Republika e Atatürk-ut për unjësimin e arsimit.[1][2]

Më 1925-’26 punoi si mësues e kryemësues në Bicaj, 1927-’28 Lusen e pasi e kalojnë në Kukës jep dorëheqjen dhe transferohet në Tiranë. Në fund të vitit 1928 emërohet si sekretar i gjykatës së paqes në Himarë, ndërsa nga prilli i vitit 1929 emërohet si Sekretar i Gjykatës të Shkallës së Parë në Kukës.[2] Më 1932 hodhi kandidaturën për deputet por listat manipulohen, i zhgënjyer angazhohen në një parti politike ilegale – arsye për të cilën e internuan një vit në Porto Palermo. Pas kryerjes së dënimit, u kthye në Kukës, ku hapi një shkronjëtore si shkrues publik.

Nga 1939 punësohet dhe vendoset në krye të bashkisë së Kukësit. Me rënjen e Mbretërisë Jugosllave më 1941 vendoset në Prizren për të ndihmuar vendosjen e administratës në gjuhën shqipe dhe merr kryesinë e bashkisë nga 15 prilli gjer në tetor për t’u kthyer mbasandej në Kukës sërish. Në nëntor takohet me klerin musliman dhe mbledh tubimin e quajtur Kongresi i Klerit Musliman në Prizren në marrëveshje me Hafëz Abdullah Telakun, gjë për të cilën do të raportohej nga F. Alizoti. Pas një takimi me kryeministrin që sapo u emërua, M. Krujën, ftillon situatën dhe bien në ujdi. Pas një lëvizjeje që Kruja do ndërmerrte ndaj Bajraktarit, Kolgjini i shkruan kryeministrit për t’i shpjeguar pavolitë për një lëvizje, kësodore Kruja për ta pajtuar Lumën e emëron zv/prefekt. Emërohet mandej gjatë viteve 1942-’43 prefekt përfundimtar në Gjirokastër dhe pas qeverisë Kruja dërgohet në Prishtinë ku shërbeu gjer në shtator 1943. Me hyrjen e Xhaferr Devës në kabinetin qeveritar si ministër i mbrendshëm, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, detyrë të cilën e kreu deri në gusht të 1944.

Në gusht të 1944 caktohet prefekt i Shkodrës ku shërbeu deri më 24 nëntor. La qytetin verior me Kapidanin e Mirditës, Gjon Marka Gjonin duke shkuar permes Jugosllavise në Vjenë, e prej aty me tete miq vajti në Milano e më tej në Romë. Me shumë antikomunistë vendoset në Reggio-Emilia deri në 1948. Shkon në Stamboll më 30 qershor të 1948 pas tri ditësh udhëtim në anijen “Istanbul”.

Në mërgim qe anëtar i Bllokut Kombëtar Independent dhe mori pjesë ndër veprimtari të ndryshme të organizuara nga mërgimtarët shqiptarë.

Ndërroi jetë në Stamboll më 12 dhjetor 1988. /KultPlus.com

Përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri

Sot përkujtohet protesta e parë antikomuniste në Shqipëri
26 mars 1990, Kavajë i Murit të Berlinit dhe një sërë ndryshimesh radikale politike, që ndodhën në vitet 1989-1990 në Bllokun Lindor kanë patur ndikim edhe në jetën politike shqiptare.

Protesta e parë kundër regjimit komunist në Shqipëri u zhvillua më 26 mars 1990 në qytetin e Kavajës. Kjo protestë erdhi si pasojë e ngjarjeve të një dite më parë, më 25 mars 1990, në stadiumin “Besa” gjatë ndeshjes Besa-Partizani, ku shumë të rinj shpërthyen në thirrje kundër regjimit komunist. Gjatë kësaj proteste u arrestuan shumë të rinj.

Më 26 mars 1990 një numër i madh njerëzish iu drejtua rajonit të policisë me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë Diktatura”, “Liri, Demokraci”. Kjo protestë i hapi rrugën zhvillimeve të reja në vend. Atsh / KultPlus.com

Ramë Lahaj: A e dini, ohh të mjerë se ju urrejmë me gjithë qenien? (VIDEO)

Ramë Lahaj

Në këtë ditë zie për politikën kosovare, kam vendosë të këndoj bashkë me kolegët e mi në Kosovë, marrë parasysh që ‘vaji i burrit është kënga’ e njëkohësisht t’ju tregojme se pavarësisht largësisë në mërgatë, e ju në Kosovë, jemi të bashkuar e më të unifikuar se kurrë. Rri n’shpi derisa të kalojmë edhe këtë fortunë, rri n’shpi e bëjë kujdes më shumë se kurrë sepse pas gjithë kësaj do të kemi punë edhe më të madhe që t’ua tregojmë vendin atyre që dje na e vranë shpresën me thikë pas shpine.
A e dini, ohh të mjerë se ju urrejmë me gjithë qenien?/KultPlus.com

https://www.facebook.com/rame.lahaj/videos/230990098042745/

Akti i ngujimit

Poezi nga Sali Bashota

Së pari buka e gojës
Pastaj uji i pijshëm
Tabletat e bardha të gjumit
Pak ofshamë shpirti
Dhe vetmia e ngujuar
Me plot vetëbesim
Deri në ditën tjetër
Durimi sipas zakonit
Gjysma e fjalëve të pathëna
Shtrydhen si limon i verdhë
Mbi mendimet e ngrira
Aty ku është e panjohura
Asnjë puthje e ëmbël
Asnjë ëndërr e bukur
Asnjë kënaqësi e gufuar
Dhoma me plot optimizëm
Tek sillet në vetminë e vet
Vetëm një gotë dëshpërim
Pak ofshamë shpirti
Derisa të na zë gjumi
Kur shuhet frika
Së pari buka e gojës
Pastaj uji i pijshëm
Mjaftojnë për jetën

(Prishtinë, 26 mars 2020) /KultPlus.com

Anmiku në shtëpi

Nga: Ernest Koliqi

Të dielave e të marteve nadje Simon Rrukulli s’e linte kurrë pa shkue në meshë. Donte me qenë në rregull me Zotin. Aty në kishë, ndër banga të para, lutej për vete e për punët e veta. Natyra e tij shumë e përshpirtshme, nuk e shtynte fort me u lutë për kënd tjetër, por lutej shpesh ku ndër disave, sidomos kundër anmiqve të besimit të tij. “Faroji, o Zot!”. Deri diku qëndronte mbrenda rregullës e zakonit, prandaj duhej, në një pikëpamje, lëvdue. Çudia e përshpirtnisë së Simon Rrukullit niste aty kur ai, në vargun e anmiqve të besimit, fuste të gjithë ata që urrente për arsyena vetjake. As nuk i shkonte mendja se mund të gabonte në gjykim, kaq bindje ushqente në drejtësinë e pastërtinë e shpirtit të vet. Kur, me gjithë hovin e shpirtit të pastër naltonte kah qielli lutjen zharritëse: “Faroji, o Zot!”, mendja i shkonte te Tef Ballstani, që s’i linte kurrkah shteg tash do kohë në tregti, te kushrini i vet që i qiste fjalë për disa tokë të pandame, te një varg i gjatë njerëzish që, në një mënyrë a në një tjetër, ia kishin prishë qejfin. Veçse çka, ditë-ditë, aty në kishë, të gjithë ata që përmendëm, kalonin në rend të dytë e shigjetat e mënisë së tij fetare ai i drejtonte vetëm kundër Tush Kezenës.

“Faroji, o Zot!”

Lutjen e bante në shumës, pse Tush Kezena para tij përfaqësonte masën e re të sotme. Lypte prej qiellit, tue mendue ate, farimin e tij edhe të gjithë shokëve që i ngjanin. Si shifet, natyra e Simon Rrukullit, prirej ma fort kah mënia se kah simpatia. Pak sende ai pëlqente e donte në këtë botë, por shumë tjera urrente e mëninte. Kishte maraz fletoret, si shqipe, ashtu të hueja, edhe kurrë s’i prekte me dorë; kishte maraz marrëdhaniet shoqnore e prandaj as vetë nuk shkonte, as familjen s’e çonte kund e jetën e përmblidhte në shtëpi, në dugajë dhe në kishë; kishte maraz e njihte të kota të gjitha ato punë që s’lidheshin drejtazi a zhdrejtazi me dobinë vetjake. Por, në mënyrë të veçantë, urrente të rijt e sotëm… Anima ata që mbaronin ndonjë shkollë jashtë. Gjithçka në ta e tërbonte.

Mëninte atë mënyrë të zhdërvjellët e të sigurtë ecjeje të tyne, fjalët e qarta në çdo rasë, çiltërsinë e sjelljeve, thjeshtësinë ndër marrëdhanie.

-Po shifi… shifi…

Prej dritorjet të dugajës tregonte me gisht kur përshkohej atypari ndonjë sish.

-Pse i japin gjithë atë randësi vedit, xhanëm? Çka kujtojnë se janë?

Kur kalonte Tush Kezena, s’e zinte vendi. U hidhte prej ndejses, shëtiste mbas banakut tue u dridhë në një zemrim të pakuptueshëm. Edhe shegertat u çuditnin për furinë e asaj mënie. Edhe mendonin qenien e ndonjë shkaku të msheftë. Por, jo: nga asnjë shkak i msheftë s’buronte ajo mëni. Në asnjë punë të tregtarit s’ish përzie kurrë djaloshi. Ai e urrente vetëm pse shumëkush vinte tue ia lëvdue.

Tush Kezena, shkrimtari i ri shkodran, shembër i Hilush Vilzës, kalonte habitshëm, para dugajës së anmikut të panjoftun, humbë ndoshta në ndonjë aso përftimesh që, mandej, veshë me një shqipe të harmonishme dilnin ndër libra të tij. Kurrë s’i shkonte mendja se aty afër, dikush, e shante me të dhanun.

-Shife si ecë njëherë… I duket se vetëm ai asht i meçëm në Shkodër, e kurrkush tjetër…

Simon Rrukulli s’e njifte mirë Tushin. Jo vetëm që librat e tij s’i këndonte (ai s’këndonte asnjë libër), por vonë mori vesht se djaloshi shkruente. Filloi me pasë maraz kur e ndeshi së pari në një vizitë për emën, te një mik i përbashkët. Tregtari i njoftun, krenar për pasuni e punë të ngritun, ndejë në krye të vendit në odën mbushë me gjind, kuvendonte tue shitë dije e marifet, si gjithmonë. E qe, hyni i riu… Zuni vend në një skaj. Dikush e pyeti diçka sa u ul. E sa nisi ai me folë, të gjithë u sollën me e ndëgjue, edhe harruen bisedën e Simon Rrukullit. Edhe ky qe i shtrënguem me ia vu veshin, tue e mshefë pezmin e përmbrendshëm. Djaloshi thonte sende e fiiste në mënyrë që ai s’kuptonte mirë. Vetëm vinte re se fjalët e tia, të rrjedhshme e të sigurta, e mbushnin me një shqetësim të hollë. Simon Rrukulli, i cili besonte ngultas në zotësinë e truve të veta, shka do që kapërcente kuptimin e tij, e numëronte ja marri për t’u përbuzë, ja mbrapshti kundër feje e kundër Zotit. Kështu që edhe bisedën e asaj dite, mbajtë prej djaloshit e ndjekë me vërejtje prej të tjerëve, mbasi s’mundi ta përfshijë me kuptim të vet, e numëroj të rrezikshme e trushkyese.

-Ah, ai luteran!

Nxitohej me dënue fjalët e djaloshit se ato ia cënonin parimin gjykues themelor që tregtari përdoronte me shoshitë sendet e këtij shekulli. Ndiente qartas se për atë djalë parja e gjaja, zotsia në tregti, nderi i mbështetun mbi ato rregulla jete që ai mbante me fanatizëm, mendimet që frymëzuen e gjithënjë frymëzonin çdo vepër të tij, s’përmbanin atë vlerë që urtia dhe përvoja e tregtarit u jepte. Tush Kezena peshonte e maste veprat e njerëzve me një kandar e me një masë tjetër. Kjo gja e tërbonte Simon Rrukullin. Mos me nderue e admirue atë, me gjithë atë zotësi në rregullim të punëve të veta, mos me pranue me bindje të plotë çdo parim e gjykim të tij, që ishte në hir e në rrugë të Zotit, i dukej mëkat e krim. Kush binte në këtë mëkat, jo vetëm ishte anmik i tij, por edhe i fesë. Prandaj: “Faroji, o Zot!”.

Një ditë, pak para mesdite, erdhi në dugajë me ndreqë disa llogari Kel Mashi, burrë bukur i motnuem, mësues shkolle fillore në qytet, njeri i squet dhe i urtë. Mbante në dorë një fletore shqipe. Simon Rrukulli, si kryen punë, pyet pak si në shpoti:

-Çka thonë këto gazeta?

Mësuesi, ndejë në karrige para tryezës së zotit të dugajës, hapi fietoren, ia solli faqet tue i hedhë një sy. Tha:

-S’e kam pa ende. Por kjo s’asht një fletore me lajme.

Merret me letërsi. Paska një artikull të Tush Kezenës. Tregtari kërceu:

-Çka din me shkrue ai bihude?

-Jo, sa me shkrue, shkruen mirë – përgjegji mësuesi qet-sisht. – Shumëkush s’e merr vesht pse ai ka ndiesi të reja e prandej përdorë edhe trajta të reja shprehjeje. Trutë tona janë mësue me u rrokullue mbi shina të një letërsie të vjetrueme. Ai rreh një rrugë të parrahun ndër ne deri më sot.

Tregtari shprazi fishekun që në të tilla biseda ruente për në fund:

-Paj, unë s’kam nge me u habitë mbas këtyne sendeve, që ju njihni ma mirë. Vetëm tham se për atë djalin ka ardhë koha me zanë mend e me gjetë ndonjë punë, pse kështu asht në rrezik me ndejë pa bukë me gjithë nanë e motër.

Mësuesi ndëgjoi kumbonët e mesditës dhe u çue tue ia pritë:

-Kurrkush ma tepër s’e meriton një punë. Ndoshta mos të ishte aq i zoti e kishte gjetë. Mundet që tash vuen edhe për bukë. Poetët i ndjek ky fat i zi. Por unë tham, simbas meje, padrejtësi e madhe më duket mos me qenë i ushqyem prej dheut shqiptar shi njaj që këndon me dashuni të parrëfyeshme bukuritë e atij dheut.

E shkoi.

-Kanë dalë mendsh të gjithë – u idhënue Simon Rrukulli.

– Për me pasë të drejtë me hangër duhet me punue. E ajo që ban ai… teveqel, s’asht një punë.

U ngjit nalt në shtëpi, që e kish sipër dugajës. Sofrën e gjet të shtrueme. Dita, e bija e tij njëzetvjeçare, priste të anë me u ulë në tryezë. Pështetej në kanape me një libër në dorë. Sa hyni i ati, la librin dhe i qiti të atit gotën e zakonshme të rakisë. Simon Rrukulli, me raki në të djathtën, shtrini kot të majtën kah libri mbi kredencë. U përdrodh si ta kish hangër gjarpni.

Vikati:

-Si? Edhe këtu në shtëpi time?

-Çka ke, more njeri? – pyeti Ganxhja, e shoqja, tue hy në odë të bukës.

Ai, ndezë në fytyrë, me një furi të tërbueme, shqeu katër copash librin edhe e flakëroi në tavanr

-Çka qe? – pyeti rishtas grueja, tue u afrue trembshëm kah burri.

Ky, as me folë s’mundte prej zemrimit. I qiste shkumbë goja. Shëtiste nëpër odë si i çmendun.

-Po a s’e shef se na ka mblue marrja e turpi? Edhe në shtëpi time këso punësh! Ia mbrrijtme edhe kësaj dite! E ka hangër dreqi vajzën; a s’e shef-a? a i ke sytë në ballë? Por këtu, sa të jem gjallë, sundoj vetë. A morët vesht? Sundoj vetë. Dhe tue u drejtue kërcnueshëm kah vajza:

-E ti, në’ daç me u shnjerëzue… E ama ndërhyni:

-Çka ke me vajzë: a ban me e dijtë?

-Deli zot, po; banu edhe ti me te…

-Çka ka? – u soll e ama e pyeti të bijën. – Çka e ka kapë? Kjo që kish ndejë tue e shikue të atin deri atëherë me çudinë ma të madhe, u shkund e bani me za të tanë pezëm:

-Për punë të librit, veç…

-Por çka asht ai dreq librit, mos më ban me e true? –Një libër shqip…

Dhe i ati prap filloi me za shpotie të idhët:

-Po, po; shqip… Sot librin e nesër ate… Shqip, po. S’asht për t’u çuditë kur ta gjejë një ditë edhe ate këtu… Asht nisë kështu: sot libri, nesër ai…

-Pashë fenë që kemi, për ke flet? – pyeste gjithnjë e ama të bijën.

Dita, për të parën herë në jetë të vet, u idhënue aty para prindëve. Ato dyshime, ato të fyeme të zhdrejta që ia lëshonte i ati, e neveritën. Padrejtësia e qartë i dha guxim me folë ashtu si nuk kishte folë kurrë.

-Don me ditë për ke flet? Për Tush Kezenën flet. Më ka gjetë me një libër të tij e mendon kush e di se çka. Por a doni me dijtë një gja? Dal e iku e ju la, po më fojët prap ashtu. Pse këndoj librat e tij, nuk më duket se jam ulë aq

poshtë sa…

Ia këputi vaji fjalën. Doli prej odës tue lanë të dy prindët me gojë hapët. Ishte e para herë që vajza fliste me aq hov në sy të atit.

-A shef? Njëkëtë vajzë të vetme kemi, edhe kësaj don me ia shti dergjën – i bërtiti e shoqja të shoqit e shkoi me pajtue të bijën.

Simon Rrukulli mbet vetëm para sofrës së shtrueme. U lëshue në kanapë, i lodhun në trup e në shpirt. Shkaku i atij…, tashti turbullime edhe në familje. Ai lutera… Çoi sytë përpjetë e, me të tanë hovin e shpirtit të përshpirtshëm, u lut me mend:

– Faroje, o Zot!

Këso here lutja i doli në njëjës… /KultPlus.com