Studentët e Kolegjit AAB dhe Universitetit të Tiranës mbajnë konferencën e parë online

Studentët e Kolegjit AAB dhe të Universitetit të Tiranës, sot duke filluar nga ora 14:00, do të mbajnë konferencën e parë online me temë “Komunikimi në kohën e pandemisë Covid-19”.

Në konferencë marrin pjesë kryesisht studentë të masterit të drejtimit të gazetarisë, komunikimeve dhe marrëdhënieve publike. Studentët do të prezantojnë rezultatet nga hulumtimet e tyre disajavore për specifikat e komunikimeve në jetën e përditshme të izolimit global, specifikat e punës së gazetarëve në kohë pandemie në Kosovë e Shqipëri, për komunikimin dhe diskursin politik në kohë karantinimi, fake news në kohën Covid-19, për transformimin e komunikimit sot etj.

Në këtë konferencë online, e cila është e para e këtij lloji në mjediset shqiptare për nga forma, përmbajtja dhe rrethanat e organizimit, do të prezantohen 22 hulumtime nga studentët e Kolegjit AAB dhe nga ata të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, do të zhvillohet një debat për prezantimet e tyre si dhe do të grumbullohen rekomandimet të cilat kanë dalë nga hulumtimet e realizuara të studentëve. / KultPlus.com

Sam Smith dhe Demi Lovato paralajmërojnë projekt të përbashkët

Yjet e njohur të muzikës, Demi Lovato dhe Sam Smith, kanë shkaktuar spekulime në publik rreth një bashkëpunimi të mundshëm mes tyre.

Dyshja e këngëtarëve i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’i ngacmuar fansat rreth një dueti të mundshëm mes tyre, duke paralajmëruar diçka të re brenda kësaj jave, transmeton Koha.

“A jeni gati,” kishte shkruar Sam Smith, të cilit Demi Lovato iu kishte përgjigjur: “Unë jam gati”.

Në njëfarë mënyre, lajmin e kishte konfirmuar edhe menaxheri i yllit të hitit “Sorry Not Sorry”, Scooter Braun i cili e kishte postuar mesazhin ku shkruhej: “Këtë javë!! #SamxDemi”.

Dyshja e njohur e muzikës po ashtu ka bërë të ditur se detajet rreth këtij bashkëpunimi, do t’i bëjnë të ditura gjatë ditës së hënë.

Muajin e kaluar, Smith tregoi se po planifikon ta riemërojë albumin e tij të tretë të incizuar në studio, lansimi i së cilit është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ylli i hitit “Too Good At Goodbyes”, Smith ishte dashur ta lansonte incizimin e ri i cili mbante titullin “To Die For, më 5 qershor të këtij viti, por tani ka vendosur t’i bëjë disa ndryshime të rëndësishme në këtë album, para se të hedhë atë në treg. / KultPlus.com

“Foshnjat deri në moshën tre vjeç janë engjëj, pastaj ju hyn shejtani dhe bëhen njerëz”

Letërsia shqipe krijoi një poet me afinitet të jashtëzakonshëm krijues, i cili lirisht mund të futet në mesin e poetëve të mëdhenj evropianë.

Ky është Lasgush Poradeci, i lindur me emrin Llazar Gusho më 27 dhjetor të vitit 1899.

Lasgushi është autori i dy vëllimeve poetike “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”, të cilat i botoi në Bukuresht të Rumanisë.

Përveçse si poet ai njihet edhe si përkthyes i afirmuar, që solli në shqip lirikat e poetëve të mëdhenj si Gëte, Lermontov, Bllok, Hajne, “Eugjen Onjeginin” e Pushkinit e të tjerë.

Lasgush Poradeci është autor i më shumë se 100 poezive, një pjesë e mirë e të cilave janë poezi dashurie. Ai mbeti gjithmonë adhurues i fjalëve arkaike, shprehje filozofike popullore, e po ashtu ishte ithtar i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore.

Sot, vajza e tij Marie Poradeci ka kujtuar një thënie të Lasgushit e të cilit KultPlus e sjell për lexuesit.

“Foshnjat deri në moshën tre vjeç janë engjëj, pastaj ju hyn shejtani dhe bëhen njerëz”.

Lasgush Poradeci pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh. / KultPlus.com

Artikujt e bendit “The Beatles” u shitën me sukses në një ankand online

Shënimet e shkruara me nguti të ish anëtarit të grupit “The Beatles”, Paul McCartney, nga incizimi në studio i këngës “Hey Jude” në vitin 1968, janë shitur në shtëpinë e ankandeve “Julien” me çmim prej 910.000 dollarësh.

Fleta në të cilën muzikanti legjendar e kishte shkruar tekstin e këngës, gjatë kohës që po e incizonin atë në studio “Trident” në Londër, në korrik të vitit 1968, arriti të shitet për një shumë më të lartë se ajo që ishte parashikuar, prej 160.000 dollarësh, transmeton Koha.

Në mesin e 300 relikteve të bendit të famshëm botëror të cilat u shitën në ankandin e zhvilluar online, ishte edhe skena prej druri e një koncerti të vogël të “The Beatles” në Liverpool, ku bendi kishte performuar para se të bëheshin të famshëm anembanë botës. Ajo u shit në çmim prej 25.600 dollarëve.

Ndër artikujt e tjerë të vënë në ankand ishin, vizatimi i John Lennonit dhe Yoko Onos me titull “BAGISM”, një term ky të cilin çifti e kishte krijuar për të bërë shaka me stereotipat. Vizatimi në fjalë ishte përfshirë edhe në dokumentarin e tyre të vitit 1969, “Bed Peace”, ndërsa në ankand arriti të shitet për 93.750 dollarë.

Një daulle me logon e bendit “The Beatles” u shit për 200.000 dollarë, skenari i xhirimit të videoklipit të hitit “Hello Goodbye” arriti të shitet në çmim prej 85.000 dollarëve dhe taketukja të cilën Ringo Starr e kishte përdorur në studio “Abbey Road”, u shit në çmim prej 32.500 dollarësh. / KultPlus.com

Osmani: Nëse ne i japim këmbë virusit, beteja me të do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme

Pas raportimit të mbrëmshëm ku u njoftua që numri i të prekurve me Covid-19 ishte gjithsej 79 për 24 orë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke lutur qytetarët që të jenë të kujdesshëm, përndryshe beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ajo ka shkruar se numri i të infektuarve mbrëmë tregon fuqinë e armikut të padukshëm.

“24-orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve të konfirmuar me Covid-19, gjithsej 79. Ky numër tregon fuqinë e armikut të padukshëm, dëshmon se, nëse ne, sikur thonë profesionistët shëndetësorë, ne i japim këmbë atij, ia bartim atë tjetrit, beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme.”

Tutje, ajo bënë thirrje që të jeni të kujdesshëm për të shpëtua jetën tona.

“Prandaj, të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndalur atë, për të shpëtuar jetët tona e të të dashurve tanë; t’i kufizojmë liritë tona sot që t’i gëzojmë përherë pastaj; ta kuptojmë se fatin e betejës e kemi në duart tona dhe se vetëm duke qëndruar në shtëpi dhe duke i ndjekur udhëzimet e profesionistëve, mund ta fitojmë atë. Së bashku mund t’ia dalim! #Rrinshpi #ShpëtoJetë.” / KultPlus.com

Cili është qëllimi i jetës nëse ajo mund të humbet kaq lehtësisht

Cila është qëllimi i jetës nëse ajo është kaq e brishtë sa që papritmas mund të merret nga një virus i thjeshtë?
Çfarë mbetet dhe çfarë mund të bëjmë me jetën tonë në epokën e koronavirusit?

Dua të them, përveçse të veshim maska, të lajm duart me xhel alkooli dhe të shmangim vendet publike, çfarë mund të bëjmë tjetër?

A është jeta vetëm për të mbijetuar? Nëse po, ne kemi marrë fund, sepse herët a vonë duhet të vdesim. Pra, për çfarë ia vlen të luftosh dhe cila është pika e ekzistencës në këtë dimension të brishtë dhe të shkurtër?

Le t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve. Por le ta bëjmë këtë nga një pik e thellë dhe e vërtetë. Kemi pasur mjaft broçkulla nga religjioni dhe motivuesit. Nëse duam të gjejmë përgjigje, duhet të gërmojmë thellë.

Kërkimi ynë duhet të fillojë duke parë realitetin më të padëshirueshëm, të frikshëm por sigurisht të pranishëm në zinxhirin e jetës: vdekjen.

A keni parë ndonjëherë dikë duke vdekur? Jo statistikat e Coronavirusit apo filmat e Hollywood-it, por në jetën reale, përpara jush. A ju ka ndodhur ndonjëherë të ballafaqoheni me një sëmundje kronike e cila dalë ngadalë e ka marrë një të dashur tëndin? A e keni vuajtur ndonjëherë humbjen e mikut apo ndonjë të afërmi nga ndonjë aksident ose krim i papritur?

Vdekja, sëmundja dhe poshtërimi duken banale kur shfaqen në media ose filma, por nëse e keni parë nga afër, me siguri jeni tronditur deri në themel.

Ne jemi trajnuar të besojmë në bukurinë e jetës. Të programuar për të menduar se jemi të veçantë dhe mund të ndryshojmë botën. Ne sillemi sikur gjithçka që bëjmë ka rëndësi. Nga teoritë fetare të pas vdekjes dhe teoritë e reja të epokës deri në ndjekjen e një lavdie të jashtëzakonshme për të pavdekësuar emrin tonë, secili prej nesh ka krijuar një mënyrë personale për të anestezuar ndjenjën e papërshtatshme e cila lind nga konfrontimi me brishtësinë dhe shkurtësinë e jetës. Por ne nuk mund të shpëtojmë nga ato momente kur i gjithë pozitiviteti ynë është marrë dhe ne kemi mbetur vetem me pyetjen e pakëndshme: “Cila është qëllimi i jetës?”

Kemi frikë nga vdekja jo vetëm sepse kërcënon mbijetesën tonë. Ne i frikësohemi, sepse jo kontrollon kuptimin e të gjitha ëndrrave dhe qëllimeve tona. Paraja, asetet, lavditë, njohuritë, madje edhe kujtimet tona bëhen të kota pasi të kuptojmë se ne jemi thjesht grimca të vockla të jetës, gati të zhduken në pafundësinë e kohës. Vdekja futet brenda për të kontrolluar arsyet tona më themelore për të jetuar.

Nga piramidat gjigante dhe sarkofagu i artë i Egjiptit e deri te Libri Tibetan i të Vdekurve dhe miti i krishterë i parajsës, purgatorit dhe ferrit, paraardhësit tanë kanë zhvilluar qasje të ndryshme ndaj vdekjes. Reale apo jo, pozitive apo negative, të paktën ekzistuan qasje të tilla. Paraardhësit tanë të paktën i dhanë një vend vdekjes në të kuptuarit e jetës.

Po në lidhje me botën tonë të tanishme? Si i’a bëjmë ne me vdekjen?

Ne kemi mësuar ta banalizojmë atë.

Industria jonë e filmit ka krijuar Rambo, Terminator dhe vrasës të tjerë masivë dhe tërheqës, duke e kthyer vdekjen në argëtim. Media jonë sjell lajme të përditshme për aksidente, fatkeqësi natyrore, plagë dhe vrasje, të përziera me raporte të motit dhe receta të tortës. Ne jemi marrë kaq të zënë me punë ose argëtim saqë në të vërtetë nuk ndalemi të mendojmë për ndjenjat tona më të thella rreth vdekjes. Ne kemi krijuar një lëvore për të na mbrojtur nga këto emocione. Ne nuk e shohim atë produktive apo argëtuese, kështu që thjesht anestezojmë ndjenjat dhe kthehemi mbrapa, duke e future këtë çështje nën qilim.

Ne po i zëvendësojmë filozofët tanë me trajnerë motivues dhe me mësues kapitalistë, të cilët shesin rregulla të jetës ose teknika për të zgjuar luanin tonë të brendshëm, në mënyrë që të mund ta mbajmë në dollap krizën tonë ekzistenciale. Por çështja është: krizat ekzistenciale janë të domosdoshme! Mund të jetë një gjë shumë e mirë nëse jemi mjaft të guximshëm për të shkuar vërtet thellë. Fatkeqësisht, dhe për ironi, shoqëria jonë e dënon dhe etiketon këtë si mashtrim, dobësi ose frikë. Por përballja me çështjen e vdekjes dhe të gjitha emocionet e fshehura nën sipërfaqen e saj është një nga gjërat më të guximshme dhe më produktive që një qenie njerëzore mund të bëjë. Është rruga më e efektshme për të gjetur kuptimin e vërtetë në jetë.

Pra, le të përballemi me faktet. Le ta shohim hijen e hedhur nga vdekja mbi llojin tonë. Le të përballemi me disa përfundime të qarta që zakonisht preferojmë t’i injorojmë:

1) Jeta e njeriut është një luftë e vazhdueshme kundër natyrës

Po, nëse doni të qëndroni gjallë, nuk mund të ndaloni së luftuari natyrën. Nuk ka rëndësi se sa i rraskapitur apo depresiv jeni, thjesht nuk mund të ndaleni.

Ndonjë dyshim?

Pushoni së preri flokët dhe thonjtë tuaj. Ndaloni të bëni dush, lëreni trupin tuaj të nxjerrë erërat e tij natyrale. Hani gjithçka që dëshironi. Nuk ka më fitnes. Asnjëherë mos e preni barin e kopshtit tuaj. Nuk ka mirëmbajtje për makinën tuaj. As pastrim për shtëpinë tuaj. Flini sa herë që dëshironi. Zgjohuni sa herë që dëshironi. Thuaj çfarë të duash, kur të duash. Mos shtypni emocionet tuaja. Qani në zyrë. Vrapo sa herë që ndjehesh i frikësuar. Mos e ndrydhni dhunën tuaj. Godite kë të doni. Lironi instinktet tuaja më të thella seksuale. Ji i lirë!

Po, bëjini të gjitha këto dhe jini të lirë për aq kohë sa të keni mundësi, përpara se të kapeni, burgoseni, pushkatoheni, internoheni, vriteni. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç luftimit të natyrës brenda dhe rreth nesh në mënyrë që të mbijetojmë. Nëse ndalemi, ne kemi mbaruar. Ne harxhojmë kaq shumë kohë, energji dhe para – edhe më shumë jetën tonë – vetëm për të shtyrë vdekjen. Kaq shumë gjëra duhet të bëjmë, vetëm për të qenë gjallë! Megjithatë jeta do të mposhtet në fund. Ne jemi duke luftuar një luftë humbëse. A Ia vlen vallë?

2) Do të fshiheni nga kujtesa planetare

Të gjithë jetojmë nën hijen e pakuptimësisë. Sa kohë do të zgjasë derisa të harrohesh plotësisht? Nuk ka rëndësi se sa famëkeq jeni, do të përfundoni dhe të zhdukeni nga kujtesa e brezave të ardhshëm. Nuk ka rëndësi se sa ju bëni, koha do të sigurohet që të ju shkatërrojë jo vetëm juve, por të gjithë ata që i doni dhe gjithçka që keni bërë. Dhe nëse shikoni lart në qiell, mund të kuptoni se jeni një prej gati 8 miliardë njerëzve, të gjallë vetëm për një moment të shkurtër, brenda këtij planeti të vogël, që rrotullohet rreth njërit prej 250 miliardë diejve në Rrugën e Qumështit.

Ndoshta kjo do t’ju bëjë të vini në dyshim rëndësinë e vërtetë të veprimeve, qëllimeve dhe madje edhe të qëllimit tuaj më të madh. A jeni vërtet i rëndësishëm? A ka rëndësi ajo që ju bëni?

3) Natyra e jetës është mizore

Nuk ka rëndësi se sa shumë e adhurojmë bukurinë e jetës dhe shenjtërinë e Zotit. Jeta është e dhimbshme, e dhunshme, e ashpër dhe brutale. Vetë natyra është e mirë dhe e keqe në të njëjtën proporcion. Nuk ka rëndësi sa mundohemi të jemi të mirë. Ne, bijt e Natyrës, përfundojmë duke sjellë shkatërrim në mjedisin tonë, speciet e tjera dhe llojin tonë. Dhe ne nuk jemi vetëm. I gjithë zinxhiri i jetës është i strukturuar në këtë mënyrë. Nuk ka shumë mundësi, përveçse të hajm ose të na hajn. Edhe bimët luftojnë dhe e vrasin njëra-tjetrën.

Për ta bërë edhe më keq, natyra është e butë. Nuk mund të rezistojë në krijimin e stuhive, uraganeve, vullkaneve, dhe tërmeteve. Fatkeqësitë natyrore vijnë periodikisht pa ndjenjën e drejtësisë, duke u ngatërruar me gjithçka dhe me çdo gjë që ju del përpara.

Si e ruajmë besimin dhe qëndrojmë pozitivë përballë gjithë këtij brutaliteti dhe shkatërrimi? Nuk ka rëndësi se sa të mirë jemi, sa të sukseshëm dhe sa pozitive është mendja jonë. Nuk do të ketë fund të lumtur. Thjesht është vdekja që na pret në fund të shtegut.

Cila është pra qëllimi i jetës?

Pra, nëse jeta është një luftë e vazhdueshme kundër natyrës, nëse ne do të fshihemi nga kujtesa planetare dhe natyra e jetës është mizore, a ka kuptim të jetosh? Cili është qëllimi i jetës? A është e mundur ta gjesh një përgjigje të arsyeshme, pa u mbështetur në teoritë fetare të pas vdekjes apo epokës së re?

Ndoshta jo.

Natyra e jetës nuk mund të interpretohet nga intelekti ynë. Asnjëherë nuk do të ketë kuptim në mendjen tonë. Por nëse vërejmë reagimin tonë natyror dhe instinktiv përpara dilemave tona ekzistenciale, do të gjejmë atë që na përcakton me të vërtetë si qenie njerëzore.

Ne mund të mësojmë shumë nga vëzhgimi i qëndrimit tonë përballë jetës dhe vdekjes. Dhe ne mund të mësojmë mësim të çmuar nga këto vrojtime:

1) Ne jemi luftëtarë – ju jeni të bërë me fuqi personale

Ne jemi luftëtarë në thelb. Ne kemi lindur nga dhuna! Njëqind milion spermatozoide që garojnë për të pushtuar një vezë të mbushur me pengesa kimike të cilat synonin t’i vrisnin të gjithë. Kështu fillojmë. Dhe ne luftojmë gjatë gjithë jetës sonë. Mendoni sa kërcënime keni përballuar. Secilën nga aftësitë tuaja, ju i keni zhvilluar me përpjekje. Asgjë nuk erdhi falas! Ndërsa ishit ende fëmijë, ju keni luftuar një betejë të tillë kundër gravitetit, deri sa të fillonit të ecnit. Zhvillimi i gjuhës ishte i vështirë. Sa përpjekje keni bërë për të mësuar ndërsa ishit ende fëmijë, në mënyrë që të zhvilloni aftësitë tuaja intelektuale në shkollë? Dhe lista vazhdon, deri në betejën që duhet të luftosh sot, për të mbijetuar edhe një ditë në këtë botë të egër që jetojmë.

Fryma jonë luftarake e kombinuar me krijimtarinë dhe zgjuarsinë tonë na bën qenie të jashtëzakonshme! Ne, krijesat e vogla, pa forcë dhe gatishmëri, kemi arritur të kapërcejmë kaq shumë specie që mund të na shuanin. Ne kemi luftuar në rrugën tonë dhe e kemi bërë të pamundurën, duke lulëzuar në një botë kaq konkurruese, të egër dhe të rrezikshme. Dhe përkundër të gjitha sfidave përreth dhe brenda vetes, ne nuk e ndalojmë luftën tonë. Ne kemi shpikur gjëra të mrekullueshme për ti luftuar sfidat tona! Bujqësia për urinë, ilaçi për sëmundjet, madje diplomacia dhe ekologjia për dëmtimin kolateral të dhunës tonë të natyrshme mbi veten dhe mjedisin tonë. Ne vazhdimisht po përballemi me vdekjen, dhe nuk ka rëndësi se sa herë fiton, ne vazhdojmë ta shtyjmë atë larg e më larg, duke e zgjatur hap pas hapi jetën e çdo brezi.

Ne jemi krijesa të mrekullueshme! Ne ëndërrojmë të pamundurën dhe luftojmë fort për ta bërë atë të arritshme. Ne besojmë në përsosmërinë, paqen, mirësinë dhe lumturinë e përjetshme. Ne e kemi këtë zjarr që insiston të jemi të gjallë, pavarësisht se sa mund të vuajmë.

Tani, në vend që të intelektualizoni, thjesht ndjejeni atë. Ju mund të lidheni me këtë fuqi të natyrshme që ju bën kaq njerëzorë dhe kaq të pabesueshëm. Ju mund të meditoni atje, duke soditur fuqinë tuaj personale. Nuk ka rëndësi sa të lodhur jeni, ajo është akoma atje, duke ju mbajtur gjallë. Është e juaja. Mund ta rrëmbeni dhe ta shijoni!

2) Veprimet tona na përcaktojnë shumë më tepër sesa rezultatet tona

Është mjaft interesante të vërejmë sa jemi fiksuar pas suksesit. Edhe para fillimit të një projekti, ne tashmë jemi në ankth për rezultatet. Një sjellje e tillë shoqërore ka arritur një nivel patologjik! Ne jetojmë për të ardhmen. Ne jemi bërë të varur nga ajo. Edhe pse, kur ju sjellni kohën dhe vdekjen në ekuacionin e jetës, të gjitha arritjet dhe fitoret tuaja bëhen pothuajse të kota. Asgjë nuk do të mbetet. Të gjitha arritjet tuaja do të fshihen me kohë. Dhe lumturia dhe nxitja e vetë-rëndësisë që ndjen kur arrini një qëllim është edhe më e brishtë. Zhduket pas disa ditësh, nëse jo disa orësh. Por ju mund të përqendroheni në veprimet tuaja, në vend se në rezultatet dhe kjo mund ti sjell të gjitha ndryshimet në jetën tuaj.

E vetmja gjë që ju keni është momenti juaj aktual. Jeta është në ndryshim të vazhdueshëm dhe nuk do të jetoni kurrë në të njëjtin moment dy herë. Si mund ta xjerrni më të mirën tuaj tani? Si mund ta afroni zemrën tuaj në gjithçka që bëni? Mrekullitë e vërteta ndodhin kur ndaloni së provuari të shmangni të tashmen tuaj. Kur përballeni me dashurinë, trishtimin, zemërimin, frikën, gëzimin, ankthin dhe mërzitjen me të njëjtin pranim. Kjo tërësi kaotike dhe e egër e emocioneve kontradiktore që digjen dhe ziejnë brenda zorrëve tuaja është jeta juaj e brendshme.

Përqafoni! Ndjeni intensitetin e saj të çmendur. Kalon shumë shpejt. Personi plotësisht paqësor dhe i lumtur që dëshironi të jeni kurrë nuk do të ekzistojë. Por kur ndaloni së vrapuari dhe e hapni veten ndaj gjithçkaje që e ndjeni në këtë moment, fitoni më shumë përceptues për jetën përreth jush. Mpirja juaj do të zhduket. Do të afroheni më shumë me njerëzit. Do e gjeni veten shumë më simpatikë dhe të dhembshur. Dhe nga kjo pikë, ju mund të zbuloni veprime të vogla ditore të cilat do ta bëjnë ndryshimin.

Pra, mos u ngut. Mos harroni, fundi i udhëtimit është në varr. Pasuria juaj më e çmuar është momenti juaj aktual. Nuk ka rëndësi sa ju ëndërroni për një jetë më të mirë, mos e lini pas dore jetën që keni tashmë. Shijoni çdo hap të udhëtimit tuaj. Mos harroni të ardhmen, por mos lejoni që t’ju verbojnë ndaj veprimeve që mund të ndërmerrni sot. Vepro me zemrën tënde. Ndoshta nuk mund ta shpëtosh botën, por mund t’i sjellësh një buzëqeshje fytyrës së dikujt sot, dhe kjo mund të jetë e mjaftueshme.

3) Respektoje dhe admiroje atë që je

Nëse mund të gjeni kaos, egërsi dhe brutalitet në jetën tënde, mund të prisni që këto elemente t’i gjeni edhe brenda vetes gjithashtu. Ju jeni natyra, ju jeni jeta. Ju jeni e mira dhe e keqja, konstruktivja dhe dekonstruktivja në të njejtën kohë.

A keni parë ndonjëherë një vullkan që qan si fajtorë pasi të shpërthen? Prandaj, pse duhet ta fajësoni veten për aspektet tuaja negative? Ne qeniet njerëzore jemi krijesa transcendente! Ne kujdesemi dhe luftojmë në errësirën tonë. Ne duam të jemi më të mirë.

Është e jashtëzakonshme!

Ndonjëherë kemi sukses, por ka raste kur humbasim betejën. Është në rregull, nuk keni nevojë ta fajësoni veten. Ju nuk keni nevojë për vetë-ndëshkim. Tashmë jeni shumë më mirë sesa duhet të jeni! Njihni dhe nderoni përpjekjet tuaja. Respektoni veten, që të mund të qëndroni në një vend fuqie në jetën tuaj. Pra, sa herë që të vijnë duart e pashmangshme të vdekjes për t’ju shqyer juve, ajo nuk do të gjejë një mëkatar të mposhtur dhe të thyer, por një person të nderuar, me paqe në zemër, të vetëdijshëm për kontributin e vetë në zinxhirin e jetës./filozofia.al / KultPlus.com

Autor: Rudá Iandê


Vdiq arbëreshi Gianni Belluscio, studiues i fonetikës, fonologjisë e dialektologjisë shqiptare

Arbëreshi Gianni Belluscio, vdiq ende pa i bërë 59 duke shënuar kështu një humbje të madhe për albanologjinë, arbëreshët e arbërishten, shkruan KultPlus.

Gianni Belluscio ka qenë pjesëmarrës i hershëm dhe i rregullt i Seminarit të Albanologjisë në Prishtinë.

Profesori Rrahman Paqarizi, është shprehur thellësisht i prekur nga kjo vdekje e Belluscios duke e vlerësuar si një ndër studiuesit më të mirë të fonetikes shqiptare.

“Dje paska nderru jete nje arberesh i madh. Pa i bere 59 vjet qenka nda nga kjo bote dhe nga ne Gianni Belluscio, nje nder studiuesit me te mire te fonetikes, fonologjise e dialektologjise shqiptare. Gianni Belluscio ka qene pjesemarres i hershem dhe i rregullt i Seminarit te Albanologjise. E kisha mik te shtrenjte e bashkepunetor. E donim dhe na donte. E quanim edhe Skenderbe. Kjo eshte nje humbje e madhe per albanologjine dhe per arbereshet e arberishten. U takofshim ne jeten e pertejme Xhani i dashur!”, ka shkruar Paqarizi. / KultPlus.com

Shëtitje virtuale në Muzeun Etnologjik në Prishtinë

Në këtë kohë pandemie, të izoluar në shtëpitë tona, ju ftojmë ta bëni një shëtitje virutale nëpër Muzeun Etnologjik të shek. 18 “Emin Gjiku”, në qendër të Prishtinës.

Që nga viti 2003, ky Muze strehon një koleksion të gjerë të veshjeve tradicionale, si dhe vegla, elemente të dorës dhe mjete të tjera të përdorura në jetën e përditshme të cilat përfaqësojnë mënyrën e jetës gjatë periudhës osmane në Kosovë.

Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës #HeritageSpace. Projekti “Ecja Virtuale” është ideuar dhe zhvilluar nga Petrit Ibrahimi ndërsa përcjellët nga tinguj dhe zëra të instaluar në muze në kuadër të projektit “Haptic Space” nga Anyla Berisha.

Pamjet 360 shkallë, mundësia për të klikuar çdo artefakt dhe tingujt në sfond mundësojnë përjetim të veçantë për vizitorin virtual.

Klikoni vegëzën më poshtë, ndiqni shigjetat, dëgjojeni me zë:

https://go.aws/3edLGPF

Donin t’i hiqnin aparaturën e jetës 33 vjet më parë, historia e gjeniut të cilin e mbajti gjallë gruaja

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës.

Fizikanti, kozmologu dhe autori i teorisë angleze konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe puna e tij ka ndikuar në mësimet e relativitetit të përgjithshëm dhe mekanikës kuantike.

Që nga viti 1963, Hawking ka vuajtur nga një sëmundje e njohur si ‘skleroza laterale amyotrophic’, ose ALS. Në atë kohë mjekët i dhanë vetëm dy vjet kohë jetë. Në fakt kjo sëmundje i merr jetën njerëzve brenda 5 viteve, por ai është njeriu që sfidoi doktorët dhe veten tij. Që pas deklaratës së mjekëtve ai ka jetuar 50 vjet më shumë.

Në vitin 1985, gruaja e tij refuzoi idenë e mjekëve se makineria që e mban gjallë duhej të fikej, se nuk kishte më shanse për të jetuar. Në atë kohë, Hawking ndodhej në koma në spitalin e Gjenevës. Ndërkohë që në një dokumentar të vitit 2013, ai tha: Mjekët menduan se kisha shkuar aq larg me mendje sa nuk mund të kthehesha më në tokë, në realitet dhe kështu i kërkuan Jane-it t’i fiknin makinën.

Por Jane nuk pranoi dhe këmbënguli që ai të kthehej në Kembrixh. Hawking tregon se terapia intensive ishte periudha më e keqe e jetës së tij. Sëmundja e ka lënë të paaftë të flasë dhe ka nevojë për kujdes të përhershëm, por kjo nuk e ka penguar që të vazhdojë punën në lidhje me shkencën.

Në vitin 1988 botoi ​​librin “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila që atëherë u kthye në best seller, me 10 milion kopje të shitura në mbarë botën. Gjithashtu, Hawkings u kthye në një model frymëzuar për njerëzit me aftësi të kufizuara anembanë globit, ku në një fjalim me rastin e hapjes së Lojërave Paraolimpike në Londër, në vitin 2012, i bëri njerëzit të qajnë e të kuptojnë sa e rëndësishme është jeta. / KultPlus.com

Karantinë në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Vala e dytë e murtajës kishte prekur për gjysmë më pak njerëz nga ajo e para. Duket se grithja po e bënte të veten. Por, ne, nuk dëshironim të mendonim se po shkonim kah fitorja, ngaqë e dinim se kjo jo vetëm që nuk do të pranohej nga ata që e kishin sjellë dhe kishin hesapet me murtajën, por do të përcillej me masa të tjera nga futja e vëllavrasjes e deri te gjetja e ndonjë shkasi që gjendja e jashtëzakonshme të kthehej në gjendje lufte, me çka, përfundimisht, atë që nuk do ta arrinte mikrobi, ta bënin armët, paçka se gjitha, do t’i ndajmbathej murtajës…
“Atyre u duhen numrat”, i thashë Lamit. “A nuk e sheh mjekun Izet Aga , gjoja me brengosje, se si nxjerr numra të të prekurve nga sëmundja ose edhe të vdekur, që ne nuk i dimë fare, për t’u paraprirë masave të tjera. A nuk u fut në këtë mënyrë në karantinë edhe shehri? Mjeku izet Aga arsyetohet se kështu ndërpritet përhapja e murtajës, edhe pse dihet se shkëputja e shehrit nga nahija, do të thotë më keq se murtaja – dënim me vdekje, jo vetëm nga uria, por ngaqë ai, pa Malësinë dhe Rekën bëhet pre e çfarëdo komploti shkatërrues?”
“Njëmend, ma ktheu Lami gjithë brengosje, kur shehri shkëputet nga Reka e Malësia, ai vritet…Por, kjo nuk duhet pranue… Do të gjejmë rrugë që qarku ynë jetësor të mbahet. Përndryshe, po ra Gjakova, vdes edhe Reka… Vdes edhe Malësia… Vritemi shpirtnisht… Këtë do Ibrahim Pasha…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982. / KultPlus.com

COVID-19 do të prekë turizmin, Denaj: Po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se sektori i turizmit është një nga sektorët që do të preket, në krahasim me vitet e tjera për shkak të anulimeve të prenotimeve, si pasojë e infeksionit COVID-19 që ka prekur mbarë botën.

Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj u shpreh se po shikohet mundësia ta adresojmë ndikimin në këtë sektor me stimuj të ndryshëm, që nxisin konsumin e brendshëm në fushën e turizmit.

“Jemi akoma shpresëplotë. Situata në sektorin e turizmit mund të adresohet në një periudhë të dytë, në qershor edhe mbështetur në konsumin e brendshëm më shumë se sa te ai i jashtmi, i cili mund të ndihmojë në uljen e regresionit të qarkullimit që ishte parashikuar të kishim”, u shpreh ministrja Denaj.

Ne nuk mund të jemi në të njëjtin nivel, thotë ministrja Denaj, në krahasim me porositë që ishin para se të ndodhte përhapja e COVID-19.

“Nuk mund të presim që situata mbas daljes nga COVID-19, do të kthehet shumë shpejt në të njëjtën nivel siç ishte më përpara, por të paktën ne po punojmë që rënia të mos jetë aq e madhe”, vuri në dukje Denaj për ATSH.

Të jemi të qartë, vijon ajo, që të gjitha bizneset sikurse edhe qeveria do të jenë të prekur financiarisht nga kjo situatë dhe çështja është këtë adresojmë në radhë të parë dhe të arrijmë të zbusim sa më shumë këtë rënie./atsh / KultPlus.com

Katërdhjetë ditë

Nga Nerimane Kamberi

12 prill 2020, nga katundi i karantinuar

Thanë që katundi jonë hyri në karantinë. Katundi jonë, i vogël, i bukur, si çdo katund, si asnjë katund, u bë teme e lajmeve, vendore, kombëtare, si Kosova që dikur, moti, ishte bërë lajm në gazetat ndërkombëtare, kur e kishte prekur një sëmundje, tinëzare, e panjohur, vrasëse, Kosova, të cilën as Jugosllavia nuk e njihte, një krahinë e prapambetur dhe fukura, temë e lajmeve ndërkombëtare ! Një gazetë madje kishte shkruar se kryetari i një komune diku në Gjermani kishte përgëzuar qytetarët e saj për durimin që kishin treguar gjatë karentinës për festët e Pashkëve, hajt Gesundheit!,  se një shqiptar , ia kishte sjell virusin, kur në kërkim të një jete më të mirë, kishte shkuar në kurbet, si baba im,  për të gjetur punë, e me rininë, me bukurinë dhe me mjerimin e tij e kishte sjell edhe sëmundjen.

          Lexoj, shkruaj për lijen e para pesëdhjetëvjetëve, e jetoj në një shekull tjetër, një frikë tjetër, që na ka kapluar, mu, ty, tërë botën, tërë njerëzimin. Një zotëri gazetar kishte shkruar atëhere që ishte rritur importi i sapunit dhe eksporti i lajmeve të vërteta dhe i trillimeve. Zoti gazetar, asgjë s’ka ndryshuar, a jeni duke parë, a jeni edhe ju duke lexuar gjithçka, por më së pari të ju pyes, a i keni la duart? Sapuna, ka plot shtëpia, me vaj ulliri, vaj argani, dhuratë nga udhëtimet e miqve, suvenire nga udhëtimet e mia, sot udhëtoj nga shpija,  në kryeqytetet e mëdha, të mbetur shkretë, foto në kopertinë të Newyorker, Grand Central, ku shtyhesha me dhjetëra udhëtarë një dimër, para dy-tri vite, tash aty askush nuk shtyhet, as une këtu nuk shtyhem, as nuk prekem, as nuk përqafëm, jo jo , ju betohem, e ky urdhër : Rrni në shpi! Rrini në shpi! Vini re! Vini re! Nuk i dua urdhërat, kurrë nuk i kam dashur, por do të rri në shpi. Vini re, vini re! Rrini në shpi! Rrini në ship! Lufta po vazhdon.

          Karantinë? Në gjuhën time të parë apo të dytë, nuk po di më, karantinë, karantë (quarante), katërdhjetë, katërdhjetë ditë më tha nana, nuk del prej shpije, nuk vjen te na, kur e linda fëminë e parë. Katërdjetë ditë ta ruaj këtë ëngjëll nga sëmundja, nga syri i keq, se ç’na dishin gratë, katërdhjetë ditë ndejta, nuk dola, po pse moj nanë nuk më tha se pas katërdhjetë dite do të dilnim ai dhe unë në një botë të egër, të frikshme, po moj bijë, kësëm ti me shkollë, a nuk e dije? Nuk ndejta katërdhjetë ditë për fëminë e dytë, edhe nana u dorëzua, para shpirtin tim rebel, para etjes sime për liri, fundja jetonim në liri, lindnim në liri, as katër ditë nuk ndejtëm, se nuk kishim frikë se nuk do të na kapte mësyshi, edhe pse është e vërtetë,  më kishte rënë njëfarë nuri, nuri i lehonave,  thojshin gratë, prapë ato gra.

          Ditëlindja e tij po afrohet, do ta festojmë bashkë more bir, të premtoj se do ta bëj atë ëmbëlsirën me dredhëza, kanë dal në pazar, po nuk mbahet më pazar,  e nëse nuk mund të dalim t’i blejmë, t’i mbledhi të egra, këtu në mal, jo larg, se jemi në karantinë, janë më të ëmbla, më të shijshme, por ma të vogla, e vërtetë, por po të premtoj se ta mbushi tortën, ta qendisi me dredhëza, se e di ti se e mbaj premtimin, edhe në luftë kur patëm ik, e strehoshim 100 km prej shpisë sonë,  hiç me larg, jo nuk ishim të mbyllur, por nuk mundeshim të kthehemi, ta pata bërë një ëmbëlsirë. Ta pata shkruar një poezi, a e ke ruajtur?

Nisu në pelegrinazhin tënd,

Në bredhjet e tua,

Bëftë zoti mos të zgjasin dhjetë vjet,

Do të shohësh shtatë mrekullirat e kësaj bote,

Jo shtatë po aq sa kanë mbetur

Do të vërtetosh se toka është e rrumbullakët

Dhe se njeriu kurrë nuk ngopet, edhe këtë e përjetuam biri im.  Sot nuk mund të nisesh askund, do të rrish në shpi me mua, me babën dhe vëllain tënd.

Apo pelegrinazhin, atë të haxhive nuk e lejuan sivjet, ndoshta në mot, në rrëfimin e para pesëdhjetë vjeteve, thuhet që sëmundjen e sollën nga Lindja, prej Mekës; a thua edhe zoti u hidhëru me ne, sot në katedralë Ipeshkëvi i jonë kremtoj Pashkët vetë, gjithë ajo katedralë e zbrazët, a thua prifti ndihej i vetmuar, apo me të ishte Perendia ?   

U ktheva kah vetvetja më thotë një mik, kisha harruar vetën në ketë botë që sillej tepër shpejt, ku unë vrapoja jashtë normalës, por edhe une u ktheva kah vetja, si të them që u kënaqa, do të më shpallin heretike,  abdall, kush mërzitet më, kush merret me mua në këtë rrëmujë, kush, kush, unë?

          Do të kthehemi, të dalim, të takohemi, të flasim për atë që na gjeti, dhjetë ditë, katërdhjetë ditë, do të harrojmë, do të skruajmë memoare, të botojmë ditaret e karentinës, të na shkruajnë biografinë për heroizmin tonë, për ca mijëra kartëmodha të pista, t’i harrojmë heronjtë e vërtetë, të vazhdojmë të bëjmë foto të fotova tona, aty në akuariumet tona, dikur, e ju, e thefshit qafën, por unë kur dua hy në karentinë./KultPlus.com

Presidentja e Komisionit Evropian: Mos planifikoni pushime këtë vit!

Miliona njerëz në mbarë botën janë izoluar, dhe mbi 1.8 milionë të tjerë janë të infektuar nga koronavirusi, ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasë pandemia, e cila ka gjunjëzuar botën.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u ka rekomanduar qytetarëve që të mos planifikojnë pushimet verore këtë vit.

“Unë rekomandoj që qytetarët të presin pak më gjatë për planet e pushimeve verore. Askush nuk mund të bëjë parashikime serioze se si do të zhvillohet pandemia në korrik dhe gusht”, tha Ursula von der Leyen në një intervistë me edicionin javor të Bild am Sonntag.

Tanimë Gjermania ka vendosur që agjencitë udhëtimit dhe kompanitë e klientëve, rezervimet e të cilëve dështuan për shkak të një virusi pandemik koronar nuk ishin të detyruar të paguanin kuponat e tyre.

“Në të gjithë Evropën, konsumatorët kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan para ose një kupon në vend të një udhëtimi të vonuar,” tha von der Leyen.

“Në këtë krizë, të gjithë neve na kërkohet solidaritet. Kushdo që mund ta mbajë financiarisht këtë nuk duhet të insistojë në një rimbursim por të ndihmojë duke mbajtur një kupon për të ndihmuar agjensitë e udhëtimit të kalojnë këto javë të vështira,” tha Von der Leyen.

Vendet turistike para dhe pas koronavirusit

Prej Romës deri në Moskë, zonat e njohura, rëndom të mbushura me turistë, tani janë të zbrazura, shkaku i shqetësimeve dhe izolimit nga koronavirusi që i ka mbajtur njerëzit të ngujuar. Roma, dikur qytet i hapur, tani është qytet fantazmë.

Numri i vdekjeve dhe infektimeve të përditshme ka rënë në Itali, por jo aq shpejt sa kanë shpresuar italianët e izoluar për më shumë se një muaj, raporton KOHA.

Numri i të vdekurve në Itali ka arritur në 19 mijë teksa të infektuar janë 152 mijë njerëz.

Greqia rastin e parë me virusin vdekjeprurës e konfirmoi më 26 shkurt dhe menjëherë anuloi të gjitha ngjarjet publike. Më 10 mars janë mbyllur shkollat, ndërsa 12 ditë më vonë qeveria vendosi për izolim total. Numri i të infektuarve në Greqi ka arritur në 2 mijë, ndërkaq kanë vdekur 92 persona.

Parisi është në heshtje totale që prej 17 marsit. Njerëzit janë të obliguar që të qëndrojnë në shtëpi së paku edhe 15 ditë. Franca ka 90 mijë të infektuar përfshirë 13 mijë të vdekur. Moska pjesërisht u izolua në fund të marsit. Banorëve u mundësohet të largohen nga shtëpitë vetëm për të blerë gjëra esenciale.

Rusia ka raportuar 1 mijë e 600 raste të reja me virusin vdekjeprurës, duke çuar në 13 mijë numrin total të të infektuarve. Numri i të vdekurve në shtetin rus është 106.

Rrugët e Berlinit janë të zbrazëta, teksa numri i rasteve të konfirmuarve është rritur në 2 mijë e 800 gjatë 24 orëve të fundit. Numri total ka arritur në 120 mijë.

Më shumë se 1.6 milion njerëz janë infektuar nga virusi në botë. Deri më tani, kanë vdekur mbi 110 mijë persona.

Virusi është konfirmuar në më shumë se 210 shtete dhe territore të botës që prej rasteve të para të konfirmuara në Kinë gjatë dhjetorit të vitit 2019.

De Biasi: Po shkruaj libër për Shqipërinë

Gianni De Biasi nuk dëshiron ta harrojë kurrë eksperiencën e tij te kombëtarja shqiptare dhe për këtë arsye ka vendosur të shkruajë një libër për aventurën e tij kuqezi. Italiani e ka zbuluar këtë në një intervistë për gazetën spanjolle Marca.

“Po shkruaj në këto ditë historinë time me Shqipërinë futbollistike, po shkruaj dhe jam te kapitulli i tretë i këtij libri. Është diçka që po bëj për të hedhur në letër një eksperiencë që kam të qartë në kokë”, tregoi ish-trajneri i kuqezinjve i cili me siguri ka shumë për të treguar për ate eksperiencë unike në stolin e kombëtares”.

Ndërkohë ai ka zbuluar gjithashtu se ka qenë pranë stolit të një kombëtareje europiane, por nuk ka arritur të firmosë dot pasi gjithçka u ndal për shkak të koronavirusit, megjithatë De Biasi shtoi se firma mund të vijë kur situata të normalizohet./TCH / KultPlus.com

“Shikimin tënd, buzët e tua mi shëndrit pranvera” (VIDEO)

Gjurmët janë njëri nga grupet më të vjetra muzikore në Kosovë, shkruan KultPlus.com

Një numër i madh i këngëve të realizuara nga ky grup tashmë janë hite të pavdekshme të cilat janë ripërpunuar ndër vite.

“Era”, është një nga këngët e tyre e cila i ka rezistuar kohës shumë mirë. KultPlus këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Sa herë e ndëgjojë erën
Nga largësit më del ti
Kujtimet mbulojnë mendjen
Rrëneqethëm në vetemi
Më duket të shoh ty

Buzqeshjën tënde e zërin tënd
Mua mi sjellë era
Shikimin tënd, buzët e tua
Mi shëndrit pranvera

Me ecë ngadalë nëpër qiell
Sikur të ishe zanë
Emrin tënd e ndëgjoj në erë
Më duket të shoh ty

Sa herë e ndëgjojë erën
Nga largësit më del ti
Kujtimet mbulojnë mendjen
Rrëneqethëm në vetemi
Më duket të shoh ty

Buzqeshjën tënde e zërin tënd
Mua mi sjellë era
Shikimin tënd, buzët e tua
Mi shëndrit pranvera

Me ecë ngadalë nëpër qiell
Sikur të ishe zanë
Emrin tënd e ndëgjoj në erë
Më duket të shoh ty”.

“Muzikë për shpresë”, Andrea Bocelli performancë në Katedralen Duomo (VIDEO)

Tenori Andrea Bocelli po mban një performancë në katedralen Duomo të Milanos, në Itali me rastin e Pashkëve.

Performanca pa audiencë e tenorit vjen në këtë ditë të shenjtë për të gjithë besimtarët e krishterë. Të krishterët kanë kremtuar sot Ringjalljen e Krishtit në karantinë.

Ndërkohë, Bocelli sjell muzikë shprese në këto ditë të vështira, veçanërisht për italianët, që janë edhe ndër më të prekurit nga Covid-19./ Opinion.al / KultPlus.com

Prishtinasit i këndojnë qytetit nga ballkonet në natën e parë të karantinës

Qytetarë të shumtë në Prishtinë kanë zgjedhur që t’i këndojnë qytetit të tyre në natën e parë të karantinës.

Kryeqyteti u fut në karantinë mbrëmë dhe që nga ora 17:00 e ditës së sotme askush pa leje speciale nuk mund të hyjë apo të dalë nga Prishtina.

Në lagjen e ‘Muhaxherëve’ në Prishtinë janë dëgjuar këngë nga banorët të cilët kishin dalë në ballkonet e tyre.

Në Prishtinë janë konfirmuar 47 pozitive me Covid-19. Gazeta Ekspress / KultPlus.com

‘Libri i Karantinës’, rekomandimi nga KultPlus: Duar të ndyra

Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.

KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.

Vepra “Duar të ndyra” e filozofit dhe dramaturgut të famshëm botëror, Zhan Pol Sartre, është ndarë në shtatë tablo. Me një mjeshtri tejet profesionale, Sartre ka përdorur dialogë të shkurtër që fillojnë me disa pyetje e që përfundojnë më përgjigje të shkurtra, dinamike, domethënëse.

Ngjarja zhvillohet ka fundi i Luftës së Dytë Botërore, kur ushtritë gjermane luftojnë në tërheqje, gjatë gjithë gjerësisë së fronit. Ushtritë sovjetike kanë hyrë në dyzet kilometra të frontit ilirian. Kjo zbulohet qysh në fillim të veprës nëpërmjet një folësit. Sartri menjëherë përcakton kohën, ngjarjen dhe politikën e asaj kohe nëpërmjet këtij folësi, që paraqitet në valë të radios. Ne si shikues kthehemi në kohë, presim çfarë po ndodh tash.

Sartri mes dy personazheve siç është një grua, Olga dhe një djalosh 23 vjeçar, Hygoi, krijon një dialog që vazhdimisht ka efekt estetik dhe artefakt. Olga paraqitet si një personazh i drejtpërdrejt në pyetjet e shtruara nga Hygoi. Ndërkaq, Hygoi është një djalosh i cili kishte kaluar pesë vjet në burg dhe është lëshuar për shkak sjelljes së tij të butë, mirëpo ai në thellësinë e tij ka harruar të sillet me njerëz dhe liria i ka humbur. / KultPlus.com

Diaspora organizon në mënyrë virtuale “Festivalin e Traditës së Këngëve dhe Valleve Popullore”

Është bërë e ditur se Festivali i Traditës së Këngëve dhe Valleve Popullore, me pjesëmarrjen e grupeve valltare nga SHBA-ja dhe Kanada-ja, këtë vit organizohet në mënyrë virtuale, për shkak të pandemisë COVID-19, transmeton albinfo.ch.

Festivali i përvitshëm organizohet nga Albanian Heritage Foundation, në bashkëpunim me shoqatat dhe anëtarët e palodhur të diasporës, dhe ka për qëllim ruajtjen e traditave kombëtare.

Realizimi i këtij festivali është nën kujdesin e: Fondacioni i Trashëgimisë Shqiptare i Gjirit Tampa. Organizata Shqiptare e Biznesit dhe Rrjetit, Lidhja e Shkrimtareve dhe Artisteve Tampa Bay, Qendra Kulturore Islame Shqiptare. Organizata Shqiptare Amerikane e Grave – Kapitulli i FL dhe Organizata Shqiptare Amerikane Jugperëndimore FL. /Albinfo.ch. / KultPlus.com

Miss Serbia: Nëse nuk mund të udhëtoni tani, Kosova s’ka mundur të udhëtoj që 20 vite

Miss Serbia i ka habitur të gjithë me deklaratën e bërë për pandeminë e koronavirusit, duke mos harruar të mbështesë sërish Kosovën.

Bukuroshja Irina Jovanka ka kujtuar luftën e Kosovës duke i treguar të gjithëve se duhet të pyesin kosovarët se çfarë do të thotë me të vërtetë izolimi.

“Nëse keni problem se nuk mund të udhëtoni dot, atëherë pyesni njerëz nga Kosova. Shumica prej tyre nuk kanë mundur të udhëtojnë për 20 vite me radhë. Përpiquni të kuptoni njëri-tjetrin”, shkroi Irina Jovanka.

Irina, e cila ka marrë edhe titullin “Miss Freedom of the World” mbështeti edhe Shqipërinë në ditët e saj më të këqija kur u godit nga tërmeti i fuqishëm. Ajo bëri shqiponjën me duar dhe ishte e pranishme për të dhënë ndihmën e saj. Insjaderi / KultPlus.com

Rregullat e vetmisë

Poezi nga Sali Bashota

RREGULLAT E VETMISË

S’është dashur të mërziten ëndrrat
Ashtu siç thonë poetët
Pse jeta ka kaq shumë dhimbje
Kur vjen e diela tjetër e ngujimit
Me plasë ecja në karantinën e vet

S’është dashur të mërziten as përqafimet
Ashtu siç thonë poetët
Me pa si vjen pa paralajmërim dashuria
Me çelësin e pritjes së shkrumbuar
Vetëm deri tek dera aman
Kur çmendet edhe zjarri i buzëve
Pa kafenë e mëngjesit në “Symphony”
Pa ia shtrënguar dorën miqve të dashur
Pa ndërruar as një fjalë për poezinë
Në mbrëmjet e vona në “Amaro”

S’është dashur të mërziten as zogjtë
Pse qielli hatërohet me heshtjen e vet
Si toka me mungesën e hapave të rëndomtë

S’është dashur të mërzitet
As qetësia e dëshpërimit të shpirtrave
Ashtu siç thonë poetët
Së paku për rregullat e sakta të vetmisë


Pse e lëndojmë njëri-tjetrin – korrespondenca mes Tolstoit dhe Gandit

Pse e lëndojmë njëri-tjetrin – korrespondenca mes Tolstoit dhe Gandit!

Në vitin 1908, revolucionari indian Taraknath Das i shkroi Leo Tolstoit, një nga figurat më të njohura e të rëndësishme në botë në atë kohë, duke i kërkuar mbështetje ndaj pavarësisë së Indisë nga Anglia.

Më 14 dhjetor, Tolstoi i shkroi Das një letër të gjatë, të cilën ky i fundit e botoi në gazetën indiane “Free Hindustan”. E kaluar dorë më dorë, letra i arriti Mahatma Gandhi, karriera e të cilit si lider i paqes sapo kishte nisur.

Ai i shkroi Tostoit, duke i kërkuar leje që ta botonte letrën eshe një herë. Ky moment do të shënonte nisjen e një korrespondence të gjatë mes të dyve, që zgjati deri në vdekjen e Tolstoit.

“Pa dyshim që nuk ka asgjë të re në ato që thotë Tolstoi. Por paraqitja e të vërtetave të vjetra nga ai është kaq e efektshme. Logjika e tij është e pakundërshtueshme. Mbi të gjitha ai të bind në ato që thotë. Ai kërkon vëmendje dhe e merr atë”,- shkruante Gandhi.

Tolstoi e hap çdo kapitull të letrës së tij të gjatë me një pasazh nga Krishna (një nga hyjnitë më të rëndësishme hindu).

“Arsyeja pse shumica e klasës punëtore vazhdon të punojë për një grup njerëzish, që kontrollojnë punën e tyre dhe rrjedhimisht jetët e tyre, është kudo e njëjtë, edhe kur nënshtruesit dhe të nënshtruarit janë të së njëjtës racë e të së njëjtit komb”-, shkruante ai.

Sipas Tolstoit, edhe shkenca, edhe feja mund të çojnë në dogma të rrezikshme, që na zhvendosin nga ligji më bazik i dashurisë.

“Dashuria është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga të gjitha të këqijat, për të shpëtuar njerëzimin nga skllavëria”,- shkruan shkrimtari i njohur.

“Çfarë po ndodh tani me njerëzit në Lindje e Perëndim është njëlloj me atë çfarë i ndodh çdo individi kur kalon nga fëmijëria në adoleshencë apo nga adoleshenca në rini e njëlloj me çdo fazë të jetës, Ai jeton pa asnjë drejtim, humb busullën, kështu që shpik shpërqendrime të çdo lloji. Kohëzgjatja e këtyre fazave është çështje më vete.”/filozofia.al

Në mesazhin e Pashkëve, Papa bën thirrje për solidaritet global

Papa Françesku bëri thirrje të dielën për solidaritet global në luftën kundër koronavirusit.

“Kjo nuk është koha për indiferencë, sepse e gjithë bota është duke vuajtur dhe duhet të jetë e bashkuar”, tha Papa në mesazhin e tij për Pashkët, të lexuar në Bazilikën e zbrazët të Shën Pjetrit.

Mesazhi u transmetua drejtpërdrejt online.

“Kjo nuk është kohë për vetëpërqendrim, sepse sfida me të cilën përballemi ndahet nga të gjithë”, tha kreu i Selisë së Shenjtë.

“Indiferenca, vetëpërqendrimi, ndarja dhe harresa nuk janë fjalë që duam t’i dëgjojmë në këtë kohë. Ne duam t’i ndalojmë këto fjalë përgjithmonë”, shtoi ai.

Papa po ashtu paralajmëroi se BE-ja rrezikon të shpërbëhet dhe bëri thirrje për lehtësimin e borxheve për vendet e varfra.

Pa përmendur ndonjë vend specifik, Papa bëri thirrje për zbutjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe lavdëroi mjekët, infermierët dhe punëtorët e tjerë, që vazhdojnë të mbajnë në funksion shërbimet themelore.

Besimtarët katolikë festojnë të dielën Pashkët, por shërbimet janë mbajtur në kisha të mbylluara, pasi miliona njerëz janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.