Fjalimi i Bill Clintonit për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  KultPlus.com

Historia na tregon se disa herë qeveritë shqiptare u ngritën me ndihmën e Beogradit

Nga Ilir Canhasi

-Përshtypje nga leximi i librit “Kosova” 1912-1945 të autorit Jusuf Buxhovi, botoi “Jalifat Publishing” dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2015

Sa herë që e lexojë historinë e popullit shqiptarë aq herë më rrëqethet trupi nga vuajtjet, vrasjet, burgosjet, shpërnguljet, humbjet e territoreve dhe pasurive private e shtetërore.

Por, pastaj ndalem dhe mendoj, por nuk ishin vetëm të huajt që na binin ditë të zeza, ishim edhe ne bashkëfajtorë.
Pse, pse ky popull kaq i vogël e lindi kaq shumë tradhtar???

Ndoshta në një periodë kaq të shkurtër kohore me një zhvillim të marramendshëm të shpejtë të ngjarjeve ishte e pamundur që çdo figurë politike të mos gabonte, por gabimet e tyre dallonin në ato të mëdha që ishin te kobshme për të ardhmen e vendit dhe gabime të vogla e të mundshme për riparim.

Historia na tregon disa herë që qeveritë shqiptare u ngritën me ndihmën e Serbisë.

Ishte qeveria e Esat Pashës, qeveria e Ahmet Zogut dhe në fund kishim Enver Hoxhën që morri në dorë udhëheqjen Shqipërisë me ndihmën e Serbisë.

Ishte Ahmet Zogu që me ndihmën e Serbisë i shpallë luftë të pa mëshirë ndaj figurave të mëdha në popull siç ishin Bajram Curri, Azem Bejta, Hasan Prishtina e shumë të tjerë.

Dhe në fund kishim Enver Hoxhën që me ndihmën e komunistëve serbë morri pushtetin në Shqipëri.

Në libër autori përshkruan edhe luftërat vëllavrasëse gjatë 1912-1945:
Kishim tri luftëra vëllavrasëse:
Lufta e parë 1914-1915 grushtshteti islamik proturk në krye me Haxhi Qamilin “ duam babën”.
Lufta e dyte 1924 grushtshteti kundër qeverisë së Ahmet Zogut dhe Lufta e tretë 1944 kur Enver Hoxha me njësitet shqiptare dhe serbe sulmojnë forcat reaksionare siç ishin Ballistët, Zogistët, SS-Skenderbeg.

Për lexuesin shqiptarë është e qartë kur lexon për programet antishqiptare të akademikëve serbë si ” Naçertanja” e Ilia Garashaninit dhe “Shpërngulja e Shqiptarëve” (Iselevanje Arnauta) e Vasa Çubrilloviqit, por është e pa kuptueshme qëndrimet e komunistëve shqiptarë nga Shqipëria.

Hyrja e brigadave të Shqipërisë në Kosovë ishte mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës.
Nga frika që kishin për tu përballur me forcat balliste, zogiste dhe të SS-ve shqiptare, Tito dhe komunistët serbo/jugosllav dhanë urdhër dy brigadave shqiptare të Shqipërisë të nisen për në Kosovë për të mashtruar popullin se ne jemi këtu që t’ju mbrojmë nga gjermanët fashistë.

Me fotografi të Titos dhe Enverit dhe me dy flamurët atë shqiptar dhe jugosllav, pasi luftuan disa ditë me vëllezërit e tyre shqiptarë dhe forca të pakta gjermane morrën qytetin e Gjakovës, duke valëvitur flamurin shqiptar dhe pa KURRFARË PARALAJMËRIMESH SE PAS TYRE DO TË VININ ARADHAT PARTIZANE SERBO/JUGOSLLAVE.

Këtë poshtërim na solli Enver Hoxha, Ramiz Alia, Reiz Malile e të tjerë.
Dy gjenocide serbe dhe një gjenocid të përbashkët nga serbo-shqiptarët komunist.

Kishim dy gjenocide të bëra më herët nga serbët mbi popullsinë shqiptare, atë të vitit 1877-8 dhe të vitit 1912, por që gjenocidi i tretë ndaj popullit shqiptarë të ndihmohet edhe nga vetë komunistët shqiptarë të nisur së pari nga Enver Hoxha me bashkëpunëtorët e tij e pastaj të ndiqet edhe nga komunistët shqiptarë të Kosovës siç ishte Fadil Hoxha me bashkëpunëtorët e tij kurrë se kisha besuar që kjo mund të ndodhte.

Gjenocidi i tretë mbi popullin shqiptarë të Kosovës filloi kur Tito pranoi ofertën e Çubrilloviqit për vrasjen e 200.000 gjermanëve dhe 50.000 shqiptarëve.

Urdhri për mobilizimin e mijëra shqiptarëve për ti dërguar në front erdhi nga shtabi suprem i armatës Jugosllave dhe e zbatuan shtabet e divizioneve V e VI të UNÇ të Shqipërisë.
15.000 mijë shqiptarë vdesin në frontin e Sremit.

Komandant Shaban Haxhia nga Tropoja tregon:
“Mbasi kishim hyrë brenda kufijve të Serbisë, na ngujuan në trena të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën në çelës. Nuk dinim se ku ishim e shka po bahet me ne…Na dukej vetja rob lufte…pa ushqim.
Po na vinte një vdekje e ngadalshme. Ma në fund, na përplasen në Banatë në duart e oficerëve serbë. Qëllimin e kuptuam, kur na përpiu një tifo dhe na hallakatën nëpër repartet serbe në luftime. Shtabin tonë shqiptarë na e hoqën dhe e kthyn për në Kosovë…”
Komandanti e përfundon me fjalët tronditëse:
“U kthyem pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne….”

Ndërsa në vrasjen e Shaban Polluzhës me 8000 luftëtarë të tij në Drenicë, Ramiz Alia duke lëvduar punën e partizanëve jugosllav raporton:
“ Kjo lëvizje ka qenë dhe ka përfshi në gjirin e saj një pjesë të mirë burrash 7000-8000 të armatosur. Lëvizja e këtyre reaksionarëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit dhe disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashti gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë…”

Në një raport të Reiz Maliles, zëvendës komisar politik i Divizionit V dërguar komandantit suprem Enver Hoxhës shkruan:
“ Partizanët shqiptarë janë duke ndjekur dhe asgjësuar bandat reaksionare kosovare, nē njē sulm ku morri pjesë edhe Divizioni VI asgjēsuam 68 reaksionarë kosovarë”.

Brigadat shqiptare përveç vrasjeve bënin spastrimin e terrenit nga përkrahësit dhe tē familjeve të tyre, burgosjes së tyre, të gjithë dezertorët e kapur janë dorëzuar te shtabi operativ i Kosmetit, ku ata pushkatoheshin ose dërgoheshin si njësi plotësuese partizane në frontin e Sremit, ku gjenin VDEKJEN E PASHMANGSHME SI PARAROJË PËR PASTRIMIN E TERRENIT NGA MINAT.

Nga të dhënat jugosllave del se nga Divizionet shqiptare partizanëve jugosllavë u janë dorëzuar mbi dy mijë shqiptarë që ishin dorëzuar te ta, ku këta së bashku me 13.000 ushtarë të tjerë shqiptarë të mobilizuar me dhunë i dërgojnë në grupe të vogla në frontin e Triestës, ku shumica e tyre u vranë gjatë rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Mali i Zi.

Dhe masakra më e madhe ndodhi në Tivar ku u vranë qëllimisht mbi 4000 mijë shqiptarë dhe 400 shqiptarë në një depo të Shibenikut kur atë do ta marrë flaka.

Pas këtyre vrasjeve, burgosjeve, shpërnguljeve të shqiptarëve nga komunistët serbë dhe shqiptarë nga frika udhëheqësit shqiptarë të Kosovës njëherit nënshkrues të marrëveshjes së Bujanit ( Mehmet Hoxha kryetar, Fadil Hoxha mësues, Ali Shukriu, Hajdar Dushi etj) ndryshuan qëndrimet e tyre 100% kur votuan pro rezolutës për bashkim të popullit shqiptarë me serbinë mbajtur në kuvendin e Prizrenit me 1945.

Mehmet Hoxha:
“Që Kosova dhe rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptarë, por e forcon dhe i jep siguri se do të ketë të njëjtat të drejta me popujt e tjerë”.

Xhavid Nimani:
“Është dëshirë e masave tē gjëra të Kosovës e të rrafshit të Dukagjinit që të bashkohen me Serbinë Federale”.
Memorandumi i Çubrilloviqit
Në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e Shqiptarëve, të bëjmë për vete klerin dhe njerëzit me ndikim, me para ose me shtrëngim…

Dr. Vasa Çubrilloviq 1937
Statistikat tona të viteve 1921-1931, tregojnë se politikën tonë të kolonizimit e mundi pjellorja e grave shqiptare.
Pra, shtrohet pyetja: cili ishte gabimi më fatal për kombin shqiptarë?
Gabimi më i madh historik i popullit shqiptarë sipas meje ishte prishja e marrëveshjes së Mukjes me 1943 nga Enver Hoxha.

Më 1943 filloi tmerri i shqiptarëve në Ballkan e që përfundoi me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe sulmin e Nato-s ndaj forca e serbe.
A ka tentime që edhe sot Shqipëria me liderët e saj të përzihen në punët e brendshme të Kosovës?
Po! / KultPlus.com

Burri në SHBA helmonte të pastrehët dhe pastaj i filmonte

Një burrë në Kaliforni është akuzuar për helmimin e tetë personave të pastrehë me një substancë të përshkruar si “dy herë më të fortë” sesa spraji me piper.

William Robert Cable, 38 vjeç, akuzohet se i ka dhënë të paktën tetë personave ushqim ku kishte hedhur oleoresin capsicum dhe pastaj i filmonte teksa ata sëmureshin, transmeton KultPlus.

Disa nga viktimat e dyshuara kanë përfunduar në spital dhe autoritetet besojnë se i dyshuari mund të kishte shënjestruar edhe të tjerë, transmeton Shqip shkrimin. Cable përballet me 19 vjet burg nëse shpallet fajtor dënohet. “Këto qenie njerëzore ranë pre e tij sepse janë më të cenueshme,” tha avokati i rrethit të Orange County Todd Spitzer.

“Ata u shfrytëzuan dhe u helmuan si pjesë e një forme argëtimi sëmurë, dhe dhimbja e tyre u regjistrua në mënyrë që sulmuesi i tyre ta përjetonte pa pushim,” shtoi ai.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Orange County, i dyshuari u afrohej personave të pambrojtur në zonën e Huntington Beach në maj dhe u ofroi atyre ushqime të spërkatura me substancën e rrezikshme. Disave u kishte thënë se do të bëheshin pjesë e një konkursi me ushqime super pikante. / KultPlus.com

Osmani propozon që një ulëse në Kuvend t’u dedikohet fëmijëve që u vranë në luftë

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri.

Ajo ka propozuar që një ulëse në sallën e Kuvendit t’i kushtohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.

Duke kujtuar ardhjen e Ditës së Çlirimit, Osmani ka thënë se pas 78 ditë bombardimeve shpresa ngadhënjeu, Kosova e pa dritën e lirisë, dhe qytetarët morën frymë.

Ajo ka thënë se u dëshmua se në Kosovë liria e jashtme mund të vije vetëm nëse fitohet liria e brendshme

“Prandaj ne u çliruam sepse edhe e fituam lirinë e brendshme dhe këmbëngulëm në vlerat humanë kur fqinjët tanë i shkelen atë. Do t’i propozojë Kuvendit që njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim të fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi të cilëve iu këput ëndrra për jetë”, ka thënë ajo

Osmani ka thënë se sot duhet unitet për paqe të qëndrueshme dhe mbrojtje të sovranitetit e territorit në Kosovë.

“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e popujve në Ballkan. Historinë e kemi në krah. Kosova e ka numrin të madh të fëmijëve e grave të vrara. Në këtë ditë të lirisë, kemi një mesazh, siç ishim unik dikur si një akt sublim, sot të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e territorit tonë në çdo pëllëmbë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

Një amerikan në Kosovë dhe një shqiptar në Amerikë

Recension nga Ibrahim Berisha

(Muhamet Mjeku: Një jetë në mes Kosovës dhe Amerikës. New York, 2008)

Libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” për Familjen Bajraktari, për Bajraktarët e Vranocit dhe të Amerikës, për Kullat tradicionale, kulturën dhe bizneset e Bajraktarëve ka 400 faqe. I shkruar me një stil të lehtë e mjeshtëror nga publicisti Muhamet Mjeku, që jeton ka vite në Nju Jork të SHBA, përmban në vete aq shumë pjesë, ide, filozofi, ngjarje, memorie, dhe njerëz me perspektivat antropologjike, historike, sociologjike e publicistike.

Jeta, Liria dhe Ndjekja e Lumturisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me idetë e Etërve Themelues, u patën ngritur mbi këto tre ideale, që janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra tjetrën. Ose i ke të tre ose nuk e ke asnjërin. Mbi këto ideale, duke pasur si model Kushtetutën Amerikane, me kalimin e shekujve, janë themeluar shumë shtete moderne. Po mbi këto ideale është shpallur edhe shteti më i ri në Evropë, në vitin 2008, Kosova.

Familja Bajraktari, sikur edhe shumë familje të tjera shqiptare atdhedashëse gjatë fundit të shek XIX, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dhe gjatë gjithë shek XX, ishin detyruar të sakrifikojnë, por edhe të jetojnë pa të drejtën themelore, pa lirinë.

Atyre pushteti jugosllav ua ndalonte të ndiqnin mirëqenien dhe lumturinë e tyre dhe të mos jetosh i lumtur do të thotë të kesh kaluar jetën tënde dëm.

Kështu, baba i Harryt, Metë Bajraktari, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për familjen e tij, vendosi të bëjë atë që pak vetë e bënin: të ndiqte ëndrrën amerikane nisur nga Vranoci i largët.

Ky do të ishte fillimi i një jete më të mirë, i një suksesi në biznes dhe i një kontributi të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës.

Por, emigrimi nga Vranoci i shtypur nga Jugosllavia Komuniste për në Amerikën e largët, në vitin 1969, natyrisht se nuk ishte vendim i lehtë. Për këtë arsye kuraja për të mposhtur frikën e të panjohurës dhe guximi për të ndjekur lumturinë, siç bëri Metë Barjaktari, meriton konsideratën dhe nderimin tonë të thellë.

Nëse Metë Bajraktari, nuk do kishte besuar në guximin e tij, përballë mospajtimit të rrethit familjar dhe shoqëror, askush asnjëherë nuk do të kishte dëgjuar për gazetën e njohur Illyria, dhe shumë nga aktivitetet Shqiptaro-Amerikanëve për çështjen e Kosovës, dhe kosovarët sot, nuk do të kishin si model një Biznismen dhe veprimtar të jashtëzakonshëm të çështjes kombëtare në Amerikë dhe në Kosovë, si Harry Bajraktari.

Udhëtimi i Metë Bajraktarit nuk kishte pasur pëlqimin e të shoqes së tij dhe nënës së Harryt, Zizë Gecaj-Bajraktari. Është e kuptueshme brengosja e saj prej nëne, kur nuk do të kishte më shikim që do të kapte fushën e butë të Dukagjinit, kur diheshin pasiguritë që përmbante rruga e familjes Bajraktari drejt lirisë.

Sidoqoftë, edhe pse mospajtimi i saj ishte i pashkrirë, kjo nuk e pengoi atë që në SHBA të pajtonte nostaligjinë dhe mërzinë për Gecajt dhe Bajraktarët e mbetur në Dukagjin, me dashurinë për familjen në Neë York dhe të punonte për gjashtëmbëdhjetë vjet, pa ditur shkrim lexim dhe pa njohur gjuhën angleze, në një bankë në Ëall Street.

Në po këtë Bankë ku ajo kish punuar, do të vinte pas disa viteve një biznesmen i ri dhe ambicioz nga Kosova, që ende ishte në fillimet ëndrrës së tij, për të marrë një kredi 12 milionë dollarë me qëllim të zhvillimit të biznesit. Ai quhej Harry Bajraktari dhe për herë të parë kishte ardhur në atë bankë si 13 vjeçar për ta shoqëruar nënën e tij në ditën e parë të punës.

I përmenda këto tre inserte me qëllim të vënies në pah të tre vlerave të rëndësishme të familjes Bajraktari. E para, guximin e z. Metë Bajraktari për të kërkuar me çdo kusht një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij, e dyta, punën e palodhshme të zonjës Zizë, në rrethana jo të këndshme, që më vonë do të bëhet virtyt i fëmijëve të saj dhe do shpaguhet me sukseset e tyre ,

dhe e treta, Harry kish filluar jetën si një fëmijë i guximshëm dhe realist sa shqiptar po kaq edhe amerikan.

Shoqëria amerikane si shoqëri multikulturore, në diversitetin e pasur të saj, fokusohet në vlerat që individi i lirë mund t’i ofrojë shoqërisë, pavarësisht racës dhe etnisë. Këtë e dëshmon Barry Levites që përvojën dhe dijen ia përcjellë Harry-t, një shqiptari në Amerikë, me të cilin e lidhë një vlerë, dhe ajo është dëshira për punë dhe arritje në shoqërinë amerikane.

Dhe në një shoqëri të barbartë, dëshira për punë e arritje kurrë nuk të lë vetëm dhe gjithherë të gjen një mik më shumë.

Janë pikërisht këto baza mbi të cilat edhe ne duhet të ndërtojmë shtetin tonë të ri. Pluralizmi, toleranca dhe liria individuale duhet të jenë fundamente të shtetit të Kosovës dhe për këtë si model kanë qenë dhe mbeten SHBA-të.

Lidhja e shqiptarëve të Kosovës me Amerikën është lidhje e zhvilluar në kohë të vështira, por e veçantë në të gjitha etapat e ekzistencës së saj. Për këtë meritorë janë natyrisht, shqiptarët që për arsye ekonomike e politike, lanë vendlindjen dhe jetuan e punuan ndershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke dhënë shumë kështu edhe për vendlindjen dhe popullin e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Emigracioni nacionalist i shqiptarëve, në modelin e miqve të Familjes Bajraktari, si Mulosmanaj, Rashkoci, Kërnaja, Emra, Deva etj. dhe shqiptarët e Amerikës, kanë qenë dhe mbeten një pikë kyçe e përfaqësimit dhe përkrahjes së interesave të popullit tonë për dekada me radhë, duke bashkvuajtur me ne dhe duke punuar çdo ditë për ne nga larg.

Ndërsa ne, shoqëria shqiptare, këtë ndihmë e vlerësojmë dhe e kujtojmë sot, në kohë paqe. Për këtë edhe jemi mbledhur këtu sonte të promovojmë aktivitetin dhe kontributin 25 vjeçar të Harry Bajraktarit për çështjen shqiptare në Ëashington.

Emigrimi i familjes Bajraktari në Amerikë doli të ishte storie suksesi dhe kjo mund të thuhet për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Të dy këto udhëtime, janë të lidhura me njëra tjetrën. Janë po të njëjtat vlera të familjes Bajraktari- kuraja, guximi, puna e ndershme, sakrifica e solidariteti- që kanë shtyer mërgimtarët shqiptarë në diasporë, veçmas në Amerikë, për dekada, të themelojnë

shoqata dhe organizime politike, të themelojnë gazeta dhe revista, të lobojnë në qarqe diplomatike, të shkrijnë pasurinë e tyre, për të shfaqur gjendjen e rëndë të popullit të Kosovës para syve të botës. Janë po këto vlera që kanë shtyer njerëzit të thonë mendimin e tyre kur shqiptimi i mendimit ishte i barbartë me burg e shumë herë me vdekje, në kohën e Jugosllavisë komuniste.

Janë po të njëjtat vlera, që në vitet ‘90 shtyn shqiptarët të ngrehin një sistem kundërshtues paralel; mësues e mjekë të punojnë pa apo me pagesa simbolike, çdo ditë për vite me radhë; që shtyri politikanë, biznismenë, diplomatë, gazetarë brenda dhe jashtë Kosovës të bëjnë gjithçka që çështja e Kosovës të ndërkombëtarizohej; dhe mijëra e mijëra njerëz me të gjitha mundësitë që kishin – duke mos kursyer as jetën përmes organizimit ushtarak- të kontribuonin për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo në këto veprimtari ishte fryma, shpirti, mendimi dhe paraja e Harry Bajraktarit dhe e Familjes së tij.

Mbas vitit 1999, shqiptari në Amerikë Harry kthehet si amerikan në Kosovë, për të investuar mbi 40 milionë dollarë për të hapur vende të reja pune, për të dhënë shembullin e tij bashkë me Rrustem Gecin, se begatia dhe lumturia krahas lirisë, qëndron vetëm në punë.

Është mirënjohja më e çiltër dhe me e thjeshtë e atdheut për kontributin e veprimtarit dhe biznesmenit të mirënjohur, Harry Bajraktari.

Në fillim të fjalës thashë se libri “Një Jetë mes Kosovës e Amerikës” përmban aq shumë pjesë dhe elemente për t’u përmendur sa është e vështirë të nxirren për një fjalim kaq të shkurtër. Kjo për faktin se kemi të bëjmë me një libër prej të cilit mund të marrë diçka secili që i bie në dorë, pavarësisht çfarë tip lexuesi është ai apo ajo. Nëse do të kishte një fjalë që e përshkruan këtë libër, ajo është: Udhëtim. Mbi të gjitha, ky libër është udhëtim; udhëtim prej Vranocit të Lugut të Baranit në Amerikë, udhëtim prej shtypjes në liri dhe, udhëtim i një populli drejt lirisë dhe pavarësisë.

Dhe edhe pse udhëtimet mund të jenë të gjata, të mundimshme e ndonjëherë të rrezikshme, të tre këto udhëtime kanë një fund të lumtur.

Përpos shkrimit të kontributit të çmueshëm të Harry Bajraktarit dhe familjes së tij për dekada me radhë, nga gjenerata në gjeneratë, libri posedon edhe dimensionin e vet filozofik mbi zgjedhjet që bëjmë si individ dhe dëshirat që materializojmë në përballje me vështirësitë. Mendimi im i parë posa e përfundova “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës” të autorit Muhamet Mjeku ishte, ky libër do duhej të jetë libër shkollor për shqiptarët e rinj.

Ata gjithsesi do gjejnë gjëra të çmueshme në të. Përmes këtij libri do ta kuptojnë më mirë dhe më thellë vetëveten dhe fatin tragjik të popullit të tyre. Do të kuptojnë ndihmën e shoqërisë amerikane dhe të njerëzve tanë që shkuan atje në kërkim të lirisë dhe na dhanë pjesë të saj të çmueshme edhe neve këtu në Kosovë. Një shembull tipik i kësaj paradigme është Harry Bajraktari, i cili bëri aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me miqtë e tij amerikanë.

Libra të tillë i duhen shqiptarëve më shumë se kurrë për të parë qartë imazhin e vet real në pasqyrë. E përpos kësaj, ata të rinj do të gjejnë në të edhe dy mësime të cilat mund t’i kujtojnë si forcë motivuese sa herë jeta i demoralizon e gjërat nuk shkojnë si duan ata.

E para se: gjithherë puna sjell fatin. E dyta se, humbja është përherë me ne e fitoren s’kemi rrugë tjetër pos ta marrim vetë siç bëri Familja Bajraktari nga Kosova në Amerikë dhe nga Amerika në Kosovë. / KultPlus.com

‘Nova Univerza’ në Slloveni aprovon bursat për studentët kosovar

Kolegji Universum lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral, këtë po e dëshmon fakti se deri tani këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë i janë aprovuar 121 marrëveshje me universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. Së fundmi, gamës së bashkëpunimeve i është shtuar edhe projekti tjetër për BURSA ndërkombëtare në Slloveni.

Studentët e Kolegjit Universum do kenë mundësinë të studiojnë për një semestër në “New University European Faculty of Law” në Slloveni.

Të gjithë studentët përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 800 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.

Kolegji Universum, mbetet lider për mundësitë ndërkombëtarë për studentët! Deri sot 248 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi.

Shiko detajet në thirrjen për aplikim https://bit.ly/2MSSbLi

Për informata shtesë kontakto Kolegjin Universum në [email protected], ndiqni faqen në facebook & instagram apo telefononi në +383 44 144 062.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Pal Lekaj bën gafë të madhe, ngatërron feminizmin me fëmijërinë (VIDEO)

Pal Lekaj i ftuar në emision ‘Special’, e ka quajtur politikën e ish-kryeministrit Kurti një politikë feministe.

‘Është një politikë feministe e z. Kurti apo mospërgatitja apo guximi për të qeverisur me vendin, sidomos në situata të vështira, kur edhe përpara ka pasur një dialog me Serbinë që nuk ka qenë i përgatitur. Unë mendoj që nëse ke përgjegjësi për të qeverisur Kosovën për të qenë i pari, e të mos përballesh me sfidat dhe të marrësh vendime të tjera mendoj që është feministe’, tha mbrëmë Lekaj.

Në fund, ai tha se kur foli për fjalën feminizëm në fakt e pati për sjellje fëmijërore.

Më poshtë mund të ndiqni videon e përgjigjes së plotë të Lekajt. / KultPlus.com

GMK sjell ekspozitën e radhës me autore Engji Jahasë

Pas periudhës së izolimit si rezultat i pandemisë më virusin Covid-19, si dhe tash pas lehtësimit të masave nga kjo pandemi, Galeria e Ministrisë së Kulturës i rikthehet aktiviteteve kulturore të parapara për këtë vit, njofton KultPlus.

Të martën më 16 qershor 2020, në orën 18:00, bëhet hapja ekspozitës personale të piktores Engji Jaha, e titulluar “Selfie Mundi.”

Për dallim nga herët tjera, kësaj radhe ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të jetë nëpërmjet një konference për media, ku folës do të jenë kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi, koordinatorja e GMK-së, Dhurata Ramosaj, si dhe autorja Engji Jaha.

Në këtë ekspozitë Engji Jaha sjellë piktura dhe instalacion artistik. Ky instalacion është bërë me qëllim që brenda tij të jetë vetëm një pikturë, e ndriquar nga brenda dhe nga jashtë, në një shoqërim me pjesën tjetër të punimeve të ekspozuara jashtë “kabinës” së instalacionit. E personazh i pikturave të saj është vet piktorja Jaha.

Kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi vlerëson se “Tablotë̈ e ekspozitës janë̈ inskenime të frymëzuara nga ikonografi të artit klasik, por që autorja i sajon në mënyrën e vet, si “selfie historike”. Më tutje, ai thekson se “Për arritjen e këtyre sukseseve nuk mjafton talenti dhe dëshira individuale për afirmim dhe njohje. Ato janë̈ rezultat i një̈ vetëbesimi që po fuqizohet sepse janë̈ pjesë e procesit të emancipimit të vajzave dhe grave në shoqërinë̈ tonë, çliruar nga mbetjet e traditave shtypëse që ngufasin kreativitetin dhe ambiciet e tyre”.

Ekspozita pritet që të qëndrojë e hapur për një muaj. / KultPlus.com

Hapet Burgu i Prishtinës, shpalosen figurat e rezistencës së çështjes kombëtare në Kosovë

Xhemile Hysenaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot ka organizuar hapjen e Burgut të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Ky burg shpalos një histori të dhimbshme, historinë e popullit tonë, përmes të cilit kaluan shumë personalitete që u torturuan për kohë të gjatë në dhomat e atij burgu.

Hapjen zyrtare të burgut e bëri kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili e quajti një moment të veçantë hapjen e këtij burgu, duke thënë se me të drejt është quajtur ‘Burgu i ideve’, pasiqë aty edhe kanë nisur idetë për levizjet e rezistencës së Kosovës.

“Është ndjenjë e veçantë dhe e përjeton kur hyn nga një çeli në tjetrën. Ky është burgu i ideve. Le të jetë kjo një qendër që të gjithë qytetarët e Kosovës ta përjetojnë atë që kanë kaluar njerëzit gjatë kohës sa ishin të burgosur”, u shpreh tutje Hoti për të pranishmit.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi shprehej se të burgosurit e këtij burgu, në periudha të ndryshme kanë qenë dhe janë bazament i rezistencës.

“Ne e kemi paraparë që për këtë ditë ta ofrojmë për vizitorët ta hapim. Burgu është ndërtuar në vitin 1945 në kohën e Rankoviqit, është ndërtuar nga të burgosurit politikë. Kjo tregon për historinë e popullit tonë sa kemi qenë të fortë. Çka është specifike, burgu është i ndërtuar në formën harkore, sepse ka qenë urdhër Aleksandër Rankoviqit që me qenë bashkë me hetuesinë apo UDB-në. Kemi këtu individë që me vjet kanë qëndruar në çeli. Kjo do të jetë pjesë integrale e historisë tonë”, deklaroi Dumoshi.

Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës, është ndërtuar në fund të viteve 1940-50, në kohën kur është ndërtuar edhe ndërtesa e Komunës së Prishtinës dhe ndërtesa e ish-Komitetit në Sheshin Nënë Tereza. Disa shënime të tjera tregojnë se në këtë zonë para ndërtimit të burgut ka ekzistuar një shkollë e vjetër e muzikës, e cila më pas është transformuar në administratë policore.

Në rastin e burgut, tema që trajtohet është shumë e rëndësishme, por edhe komplekse sepse ngërthen burgimet politike, përndjekjet, rezistencën por edhe gjithë organizimin politik për liri të shqiptarëve në Kosovë.

Ndërkaq në një pjesë të murit, jashtë burgut, qytetarët dhe personalitete të njohur, vendosën mbishkrime të ndryshme dedikuar të gjithë atyre që dikur kanë vuajtur tortura të mëdha në dhomat e këtij burgu.

Në muret e këtij burgu vareshin disa nga fotografitë e figurave më të mëdha që Kosova ka pasur përgjatë historisë së saj në luftën për liri e pavarësi, Ukshin Hoti, Rexhep Mala e Adem Demaçi ishin disa nga këto figura. Në ato mure akoma gjendeshin lutje e gëvishtje të të burgosurve të atëhershëm, të cilët përjetuan tortura nga më të rëndat, disa prej të cilëve përfunduan edhe fatalisht e disa të tjerë nuk u gjetën më kurrë.

Ish-burgu i Prishtinës planifikohet që në të ardhmen të shndërrohet në muze. / KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Plazhi i famshëm Copacabana, shndërrohet në një ‘varrezë masive’

Plazhi i famshëm në Rio de Janeiro, Copacabana, u shndërrua “në një varrezë masive”, pasi një organizatë lokale zhvilloi një protestë ndaj qeverisë, e cila po akuzohet se nuk po përgjigjet si duhet ndaj pandemisë së coronavirusit.

Anëtarët e një organizate jo qeveritare filluan të gërmojnë njëqind varre në rërë, vendosën disa kryqe dhe flamuj të Brazilit për të theksuar numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19.

Brazili renditet pas Shteteve të Bashkuara sa i përket numrit të infektimeve dhe kaloi Italinë me numrin e viktimave. /voa/ KultPlus.com

21 vjet nga çlirimi i Kosovës

Sot mbushen 21 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.

Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, Gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar Millosheviçin të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Më 10 qershor të vitit 1999 tërheqja e trupave serbe nga Kosova bëri që NATO-ja t’i japë fund fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 urdhëroi ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Pas kësaj rreth 800 mijë refugjatë të dëbuar nga forcat serbe u rikthyen në Kosovë.

10 qershori i viti 1999 shënon edhe fundin e luftës së Serbisë nga Kosova, pas 78 ditësh të bombardimeve ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan mbi 37 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it nga 36 shtete.

Ndërhyrja e NATO-s u bë pasi Serbia vrau rreth 13 mijë e dëboi nga Kosova mbi 1 milion shqiptarë si dhe luftimeve dyvjeçare të përgjakshme të UÇK-së dhe forcave serbe. / KultPlus.com

‘Zgjimi i pranverës’ pa publik shkaku i pandemisë

E shkruar midis vjeshtës së vitit 1890 dhe pranverës së vitit 1891, drama “Zgjimi i pranverës” e gjermanit Frank Wedekind llogaritet të jetë midis veprave që hyjnë në fillet e historisë moderne të teatrit.

Shoqërohet me nëntitullin “Tragjedia e fëmijëve”. Do të inskenohej për herë të parë më 1906 në Berlin, nën regji të Max Reinhard.

Gjatë inskenimeve të mëvonshme, për shkak të përmbajtjes shpesh do të censurohej.

Në Prishtinë ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e me sallën plot. I është ofruar shumë verës, e premiera do të jetë pa publik. Jo për shkak të censurës, por sherri i pandemisë. Dashuria, seksualiteti, ndrydhja e ndjenjave e krejt problemet e fazës së pubertetit te adoleshentët do të trajtohen në formë mjuzikli në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Por në një tip premiere të mbyllur.

Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë kanë bërë që teatrot e kinematë të mos hapen ende. Madje shfaqja në njëfarë forme do të jepet “ilegalisht”.

Nën regji të Zana Hoxhës, premiera e sonte do të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Një publik më i gjerë do të mund ta shohë shfaqjen vetëm nëse transmetohet online. /koha.net/ KultPlus.com

Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët, disa nga thëniet më brilante të Faik Konicës

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com

Lipjani anulon aktivitetet kulturore të planifikuara për Ditën e Çlirimit për shkak të pandemisë

Shkaku i gjendjes së pandemisë, komuna e Lipjanit ka anuluar një varg aktivitetesh për nder të Ditës së Çlirimit të Lipjanit. Komuna ka bërë thirrje tek qytetarët të kenë kujdes të veçantë dhe t’i zbatojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

“Për shkaqe të pandemisë COVID-19, dhe pas rastit të fundit të shfaqur në Lipjan, për të treguar kujdes ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj vetës sonë, Komuna e Lipjanit, kryetari Imri Ahmeti ka vendosur që të anulohen të gjitha aktivitetet e parapa të mbahen me 12 Qershor, Ditës së Çlirimit të Komunës së Lipjanit, kështu duke respektuar rekomandimet e nevojshme”, thuhet në një njoftim të komunës së Lipjanit.

Sipas tyre për nderë të ditës së çlirimit do të mbahen vetëm disa aktivitete si homazhe pranë shtatores së komandantit legjendar “Adem Jashari” dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të kësaj komune. Komuna ka vendosur flamuj në sheshin e qytetit dhe në rrugët kryesore.

“Moj bjondinë me sytë e zi, e me buzë si qershi, eja belin të ta marrë” (VIDEO)

Grupi “TNT” është njëri nga grupet e para të muzikës rok në Kosovë, i formuar në Mitrovicë më 1974. Ata sollën një frymë të re në muzikën shqipe, me tekstet të gërshetuara me zërin unik të vokalistit Ferki Shala.

“TNT” si grup u identifikua me muzikën e zhanrit pop-rok, duke kombinuar nganjëherë edhe muzikën popullore.

Në repertuarin e tyre, “TNT” numëron një numër të madh këngësh të cilat kanë mbetur të popullarizuara sot e kësaj dite, dhe të kënduara edhe nga artistët e tjerë shqiptarë.

Formacioni i parë i grupit kishte në përbërje Ferki Shalën si vokalist, Murat Shabanin bateristë, Urim Koshin saksafonist, dhe Nexhat Maculën kitarist.

Disa nga këngët më të famshme të tyre janë: “E mallkoj”, “Moj bjondinë”, “200 ditë”, “Këto ura”, e të tjera…

KultPlus, jua sjell këngën “Moj bjondinë” të këtij grupi, që është ndër më të famshmet, e cila u këndua e rikëndua nga shumë artistë tjerë. /KultPlus.com

https://youtu.be/ZO6k5LI8pzo

Twitteri “ndalon” shpërndarjen e lajmeve pa i lexuar

Rrjeti social Twitter po përpiqet t’ua ndalojë njerëzve shpërndarjen e artikujve që s’i kanë lexuar, në një eksperiment me të cilin kompania shpreson se do të promovojë “diskutimet me informata” në rrjete sociale.

Në këtë test, të nisur te disa pajisje Android, kompania po pyet përdoruesit nëse me të vërtetë duan ta shpërndajnë një artikull, pa klikuar fare në të fillimisht.

“Shpërndarja e një artikulli mund të nxisë debat, kështu që ju ndoshta dëshironi ta lexoni para se ta shpërndani”, ka thënë Twitteri në një njoftim. “Për të ndihmuar promovimin e diskutimit me informacione, ne po testojmë një opsion në Android – kur ju shpërndani një artikull të cilin nuk e keni hapur në Twitter, ne do t’ju pyesim nëse dëshironi ta hapni fillimisht”.

Problemi i shpërndarjes së artikujve pa i lexuar artikujt, nuk është i ri. Një studim i 2016-s, i shkencëtarëve të Universitetit Columbia dhe Microsoftit kishte gjetur se 59 për qind e linqeve të postuara në Twitter nuk klikohen fare.

Britaniku i shkruan Osmanit: Unë isha ushtari që drejtoja tanken, e merituat pavarësinë

Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, i ka shkruar në profilin e saj në Facebook, një ish-ushtar i KFOR-it që shërbeu në Kosovë.

Ai ka komentuar në fotografinë e postuar nga kryeparlamentarja, ku shihen ushtarët dhe qytetarët e gëzuar kosovarë.

Bëhet fjalë për Cllr James Paul Watson, i cili ka deklaruar se Kosova e meritoi pavarësinë nga Serbia, transmeton Indeksonline

“Unë jam ushtari që drejtoj atë automjet ushtarak. Ne të gjithë ishim shumë krenarë për ta ndihmuar Kosovën ta fitojë pavarësinë e saj”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Osmani ka deklaruar se 11 qershori shënon fillimin e lirisë për vendin tonë, kur me mbështetjen e forcave të Aleancës Veri-Atlantike, pas 78 ditë bombardimesh, forcat e ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe u detyruan të tërhiqen.

Sikur s’jetoj në vendin tim

Poezi nga Dritëro Agolli

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qytet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh

Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
Më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm

Helmohemi çdo çast me njëri tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në termet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshët

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetëra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërrvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Brenda dy javësh rezultatet e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë

Brenda dy javësh Këshilli Shtetëror i Cilësisë pritet të marrë vendime për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë. Fillimisht do të bëhet akreditimi institucional e më pas do të vazhdohet me procesin e akreditimit të programeve studimore.

Për akreditim institucional kanë aplikuar 14 institucione të arsimit të lartë të cilave u ka skaduar akreditimi, prej tyre 5 universitete publike dhe 9 kolegje private.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, ka thënë se procesi i vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë i nisur më 1 prill tashmë ka përfunduar dhe janë në pritje të raporteve të ekspertëve, raporton KOHA.

Vendimi për akreditim ose jo, sipas tij, është në duar të ekspertëve dhe konform vlerësimeve të tyre Këshilli Shtetëror i Cilësisë do t’i marrë vendimet.

Edhe pse procesi i vlerësimit është realizuar në distancë, sipas tij, gjithçka është realizuar në bazë të standardeve që i aplikojnë Agjencia dhe ENQA, dhe nuk ka pasur ndonjë ankesë nga institucionet e arsimit të lartë.

Në pritje të akreditimit institucional janë: Universiteti i Prishtinës, ai i Prizrenit, Pejës, Mitrovicës e Ferizajt.

Ndërkaq nga kolegjet private janë: Kolegji “Fama”, UBT, “Universi”, “Iliria”, “Arbëri”, “Pjetër Budi”, “Biznesi”, “Dukagjini” dhe “Tempulli”.

Agim Gjakova shpallet fituesi i katërmbëdhjetë i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Agim Gjakova është shpallur fitues i katërmbëdhjetë i çmimit letrar “Beqir Musliu”, shkruan KultPlus

Ky çmim jepet për nder të jetës dhe veprës së shkrimtarit nga Gjilani, Beqir Musliut.

“Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi e Edi Shukriu”, thuhet në njoftim.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“AGIM GJAKOVA FITUES I KATËRMBËDHJETË I ÇMIMIT LETRAR “BEQIR MUSLIU”

Gjilan, 11 qershor 2020

Shkrimtari Agim Gjakova është shpallur sot fitues i Çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e jep Komuna e Gjilanit, përmes Zyrës së Kryetarit të Komunës, në bashkëpunim me asociacionin alterantiv të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubin “Beqir Musliu”, për përmbushjen e një kariere të begatshme letrare dhe prurje të reja në letërsi.
Fituesi është përzgjedhur nga një juria profesionale letrare, e emëruar nga kryatri i komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, në përbërje: Sabit Rrustemi, Albina Idrizi dhe Nexhat Rexha.

Në një konferencë me gazetarë , fill pas komunikimit të Vendimit të Jurisë, në Zyrën e kryetarit, nënkryetari Arbër Ismajli dke falënderuar Jurinë letrare, Familjen e shkrimtarit gjilanas Beqir Musliut si dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport si dhe Ars Clubin “Beqir Musliu, që ndikuan në ruajtjen e kësaj vazhdimësie letrare edhe enë këto rrethana pandemike, përgëzoi fituesin e ri, Agim Gjakovën si dhe lartësoi figurën e shkrimtarit të shquar gjilanas, përmes emrit të të cilit që nga viti 2004 e këndej po nderohen pena të shquara të letërsisë shqipe nga mbarë hapësira shqiptare dhe krijuesit tanë nëpër botë.

Gjithashtu, edhe drejtuesi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, njëherësh dhe kryetar i Jurisë, z. Sabit Rrustemi, e ka vlerësuar lartë veprën e shkrimtarit Agim Gjakova, duke thënë se ky çmim që po i komunikohet sot , pikërisht në datëlindjen e shtatëdheetepesë të Beqir Musliut, është mëse i merituar. dhe, me këtë përzgjedhje nderohet jo vetëm ky fitues i radhës, po edhe vepra e emri i vetë Beqës dhe njëkohësisht, nderohet dhe vendlindja e tij, Gjilani po, natyrshëm dhe letërsia jonë.

“Agim Gjakova është një prej krijuesve tanë më prodhimtar, është autori i 10 -të vëllimeve me poezi, i 8-romaneve për të rritur, disa vëllimeve me tregime për fëmijë e të rritur dhe i disa skenarëve të filmave të realizuar”,po dhe i disa veprave publicistike, të cilat për gati mbi 6 dekada, janë shkruar në tri shtete ballkanike, Kosovë, Serbi e Shqipëri, ku, në secilën veç e veç, Kosova mbetet lajtmotivi i pashmangshëm i tij dhe intenca për një art të mirëfilltë dhe gjurmimi i temave të paprekshme dhe në interes të lexuesit, tha mes tjerash shkrimtari Rrustemi.

Në këtë ngjarje ka folur edhe djali i shkrimtarit Beqir Musliu, Iliriku, i cili ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe Ars Cubin “Beqir Musliu” për punën dhe për nderin që ia kanë bërë babait të tij po edhe këtij qytetit të cilin më i dashuri ynë e deshi aq shumë.

Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi e Edi Shukriu”.

Fragmente nga te ndriturit: Seneca, Popper dhe Freud

– Karl R. Popper

“Filozofia është një aktivitet i domosdoshëm sepse ne, të gjithë, shumë gjëra i marrim si të sigurta dhe shumë nga këto supozime janë të karakterit filozofik; ne veprojmë sipas tyre në jetën private, në politik, në punën tonë dhe çdo sferë tjetër të jetës – por përderisa disa nga këto pohime janë të vërteta të pa dyshuara, është e mundshme, që shumë prej tyre janë të gabuara, e disa madje edhe të dëmshme.

Prandaj, ekzaminimi vendimtar i kërtyre presupozimeve – që është filozofia – është moralisht dhe intelektualisht i rëndësishëm.”


– Seneca

“Do të vijë koha kur studimi i zellshëm për kohë të gjatë do të sjellë në dritë gjërat të cilat tani janë të fshehura. Një jetë e tërë, madje e përkushtuar e tëra ndaj qiellit, nuk do të mjaftonte për studimin e një subjekti të madh… njohja do të shpaloset vetëm përmes epokave të gjata dhe të suksesshme.

Do të vijë një kohë kur pasardhësit tonë do të habiten se si ne nuk i kemi ditur disa gjëra që për ta do të jenë shumë të thjeshta… shumë zbulime janë të rezervuara për gjeneratat që do të vijnë, atëherë kur kujtimi për ne do të zhduket.”


– Sigmund Freud

“Religjioni është tentimi për ta marrë nën kontroll botën shqisore, në të cilën ne jemi të vendosur, nëpërmjet mendimit për botën e dëshiruar, të cilin e kemi zhvilluar brenda nesh si rezultat i nevojave tona biologjike dhe psiqike. Por religjioni nuk mund të arrijë në fund të këtij synimi. Doktrinat e tij mbajnë brenda vetes vulën e kohës në të cilën u krijuan, ditët naive të fëmijërisë njerëzore. Ngushëllimet e tij nuk meritojnë besim.

Eksperienca na mëson se bota nuk është një qerdhe fëmijësh. Komandat etike, tek të cilat religjioni kërkon ta ngarkojë peshën e tij, kërkojnë edhe disa bazamente të tjera, për shkak se shoqëria njerëzore nuk mund të bëjë po ato, por është e rrezikshme shkrirja e bindjeve tek ato, pa besimin religjioz.

Nëse dikush tenton ta përcaktoj vendin e religjionit në evoluimin e njeriut, nuk duket më shumë përvetësim afatgjatë, se sa një paralele për tek neuroza, përmes së cilës individët e civilizuar duhet të kalojnë, gjatë rrugës së tyre nga fëmijëria tek pjekuria.”

Flet djali me fanellë të kuqe në fotografinë e para 21 viteve me Bill Clinton

I kishte vetëm gjashtë vjet dhe në palcën e tij e kishte përjetuar luftën e Kosovës, pikërisht në fshatin e lindjes në Llashticë të Gjilanit.

Ai kujton tmerret e asaj kohe që pak shpresë kishte atëherë se do të mbijetonte. Ilir Ramushi tashmë 27 vjec kujton për KultPlus edhe braktisjen e fshatit bashkë me 1500 fshatarë, pas masakrave të shumta, djegies së fshatit dhe vrasjes së mbi 25 personave.

“Kur kanë hyrë serbët në fshatin tonë kanë vrarë edhe gjyshen time, gjyshja ime ishte vajza e heroit të madh Idriz Seferit”, ka thënë Ramushi.

Dhe nuk e kishte menduar se nga ajo vuajtje e madhe, ai një ditë do të takonte presidentin më të dashur amerikan për shqiptarët, Bill Clinton.

Ai bashkë me fshatarët e tij kishte shkuar në kampin e Stankovecit, dhe atë kamp e kishte vizituar presidenti i SHBA-ve, dhe pikërisht Iliri i vogël kishte fatin të kapte dhe të shtrëngonte për dore Bill Clinton.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme, një emocion që ndodhë vetëm një herë në jetë”, ka thënë Ilir Ramushi për KultPlus, i cili dha këto detaje për gazetën tonë para disa ditëve.

Tash si një ekonomist i diplomuar, ai shpreson që edhe të mërkurën ta takojë nga afër Bill Clinton, një njeri që shpëtoi popullin e tij, edhe pse, sipas tij, ai ka shpresuar që për këto 21 vite do të ndryshonte  Kosova me një hap më të madh.

Ilir Ramushi në fotografinë me Bill Clinton është bashkë me motrat e tij, sikurse edhe me fëmijët e tjerë që i ka familjarë të afërm. /KultPlus.com

Joana Schopenhauer i shkruan të birit, Arthurit!

Joana Shopenhauer (Johanna Schopenhauer) vendos të çlirojë të birin nga detyrimi atëror për të vazhduar profesionin familjar prej tregtari. Mjeti ishte një letër profetike, të cilën ajo ia drejtoi Artura Shopenhauerit (Arthur Schopenhauer), më 28 mars të vitit 1807, dy vjet pas vdekjes së babait të tij. Filozofi gjerman Shopenhauer, në moshë të thyer do të shkruante se pasi përfundoi së lexuari këtë letrër, derdhi lot.

“I dashur Artur,

Toni serioz dhe i qetë i letrës tënde, më datë 28 mars, që shkoi nga mendja jote tek e imja, më zgjoi dhe zbuloi se mund të jesh duke marrë një rrugë në drejtim të kundërt me prirjen tënde!

Prandaj, unë nuk duhet të lë gurë pa lëvizur që të të shpëtoj, sado e mundur që të jetë kjo; unë e di çfarë do të thotë të jetosh një jetë të pështirë për shpirtin dhe, nëse është e mundur, dua të ta kursej, bir i dashur, këtë fatkeqësi.

Oh i dashur, i dashur Artur, përse zëri im pati kaq pak peshë, ajo që ti dëshiron tani ishte, në fakt, dëshira ime më e flaktë, se shumë u përpoqa që ta bëja realitet, pavarësisht të gjitha atyre që u thanë kundër meje… nëse ti nuk dëshiron të ndjekësh rregullin e nderuar filistin, unë, Arturi im i dashur, vërtet që nuk dua të vendos ndonjë pengesë në rrugën tënde; vetëm ty të takon që të kërkosh rrugën tënde dhe ta zgjedhësh atë.

Më pas, unë do të të këshilloj dhe të ndihmoj aty ku është e mundur dhe si të mundem. Në fillim, përpiqu që të bësh paqe me veten… mbaj mend, duhet të zgjedhësh studime që të premtojnë një rrogë të mirë, jo vetëm sepse është e vetmja mënyrë me të cilën ti mund të jetosh, pasi ti nuk do jesh ndonjëherë aq i pasur, saqë të mund të jetosh vetëm në saje të trashëgimisë.

Nëse e kë bërë zgjedhjen tënde, më trego cila është, por ti duhet që ta marrësh këtë vendim vetë… nëse ndjen se ke fuqinë dhe zemrën për ta bërë këtë, unë me dëshirë do të të jap një dorë. Por, mos imagjino që jeta e një njeriu tepër të mësuar është shumë e këndshme. Unë e shoh tani përreth meje Artur. Është një jetë e lodhshme, me probleme, një jetë plot punë; bukuria qëndron vetëm në kënaqësinë që ajo sjell si punë; njeri nuk pasurohet me të; si shkrimtar, njeriu merr me vështirësi atë që nevojitet për mbijetesë… që të jesh në gjendje të nxjerrësh jetesën duke qenë shkrimtar, duhet që të jesh në gjendje që të nxjerrësh diçka të shkëlqyer.. tani më tepër se kurrë ka nevojë për mendje të shkëlqyera.

Artur, mendo për këtë gjë me kujdes dhe zgjidh, por më pas qëndro i vendosur; lër që këmbëngulja jote të mos tepet asnjëherë dhe ti me siguri që do ta arrish qëllimin tënd. Zgjidh atë që dëshiron.. por me lot në sy të përgjërohem, që mos ta gënjesh veten. Trajtoje veten me seriozitet dhe ndershmëri. Mbarëvajtja e jetës tënde është në rrezik, sikurse dhe lumturia e ditëve të mia të fundit, sepse kam shpresë, që vetëm ti dhe Adela mund të zëvëndësoni rininë time të humbur. Nuk mund të duroj që ti të mos jesh i lumtur, veçanërisht nëse duhet të fajësoj veten që e lashë këtë fatkeqësi të ndodhte, për shkak të përultësisë time.

Më kupton, Artur i dashur, që ti je i shtrenjtë për mua dhe unë dua të të ndihmoj me çdo gjë. Më shpërble me vetëbesimin tënd dhe që pasi të kesh ndarë mendjen të ndjekësh këshillën time në përmbushjen e zgjedhjes tënde. Dhe mos më lëndo duke u treguar rebel. Ti e di që unë nuk jam kokëfortë. Unë i kuptoj argumentet dhe nuk do të kërkojë ndonjë gjë nga ty, që nuk do jem në gjendje ta mbështes me argumente…

Adieu, i dashur Artur, posta është urgjente dhe gishtat po më dhëmbin. Mendohu për të gjitha gjërat që të dërgoj dhe të shkruaj dhe m’u përgjigj shpejt.

Nëna jote,

J. Shopenhauer”