Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.
Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha. Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! /KultPlus.com
Ekspozita e veçantë kushtuar temës së librave të ndaluar për publikun gjatë komunizmit u risoll dhe njëherë për publikun në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, ku do të qëndrojë hapur për dy javë.
E realizuar nga bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit në kuadër të “Muajit të Kujtesës” krahas ekspozimit të librave të ndaluar ekspozita tregon historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore mbi ndalimin e qarkullimit të librave të caktuar, fshirjen e emrave të redaktorëve apo përkthyesve, pezullimin dhe ndalimin e autorëve të shpallur si armiq të regjimit.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i përgjithshëm i Akivave dr. Ardit Bido, drejtoresha e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari.
Kjo ekspozitë skicon historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore të urdhëresave mbi ndalimin e qarkullimit të botimeve, fshirjen e emrave të redaktorëve ose përkthyesve, hedhjen e librave për karton, pezullimin dhe ndalimin e botimit të autorëve të shpallur si armiq të dënuar nga regjimi i kohës, pastrim të botimeve të elementëve armiq, autorë shqiptarë dhe të huaj, botime brenda Republikës së Shqipërisë por edhe jashtë saj.
Në këtë ekspozitë një hapësirë të veçantë zënë edhe botimet e shtypura në Kosovë nga shtëpia botuese “Rilindja”, të cilat shërbeheshin me autorizime të posaçme nga institucionet studimore, si Anton Pashku, Ali Prodrimja, etj. /Atsh /KultPlus.com
Artisti i njohur i grafiteve, Banksy, në veprën e tij të fundit ka trajtuar temën e koronavirusit.
Ai është parë të ketë bërë grafitë në metronë e Londrës me mesazhe rreth përdorimit të maskës në këtë kohë pandemie, transmeton KOHA.
Artisti enigmatik ka postuar një video në llogarinë e tij në Instagram ku shihet duke pikturuar “minjtë e tij të famshëm” duke teshtitë me tërë fuqinë brenda trenit.
Në llogarinë e tij në Instagram ai ka shkruar, “If you don’t mask you don’t get (Nëse nuk maskoheni nuk e kuptoni)”.
Ai gjithashtu e bën të qartë se beson se secili që nuk bart maskë po rrezikon të shpërndajë koronavirusin, në një video të shkurtë që përfundon me mesazhin, “I get locked down – but I get up again (mbyllem – por ngitem sërish)”. /KultPlus.com
Një sy i stërvitur me imazhin dhe fotografinë do të bjerë në grackë njësoj si një vëzhgues kalimtar, si ai që e përcjell komunikimin vizual si yshtje estetike të çasteve. I shohim këto pamje dhe me të drejtë do të themi: Po, fotografia të arrira. Kapje brilante e momentit. Një fokus që të lë pa frymë. Etj., etj. Jo miq, këto të gjitha janë piktura, realizimi i të cilave është thjeshtë i paimagjinueshëm. Asnjë detaj që mund të kuadratojë një foto e rezolucionit të lartë nuk i shpëton syrit dhe realizimit të mjeshtrit italian të pikturës hiperrealiste.
Piktori italian Giuseppe Muscio lindi në Orta Nova, një qytet i vogël i vendosur në rajonin historik dhe kulturor të Pulias. “Jam magjepsur nga peizazhi madhështor përreth meje dhe kuptova se unë kam lindur për të qenë artist dhe piktor. Nëse i mbyll sytë, akoma mund të nuhas parfumin e rreshtave të hardhive, aromën e ullinjve dhe bajameve. Unë menjëherë fillova të riprodhoja ato që mund të shihja në fletët e vizatimit, të cilat do të më jepte gjyshi im. Së shpejti u transferova në Milano me familjen time, duke lënë pas rrënjët dhe dashurinë time për rajonin. Isha i apasionuar pas pikturës. Kam studiuar teknikat e pikturës të mjeshtrave më të mëdhenj të shekujve 16, 17 dhe 18. Kam eksperimentuar edhe me teknika të ndryshme të pikturës duke përdorur metoda shkencore”, shprehet mjeshtri. Poetika e Kozmosit në Artin e Giuseppe Muscio Nëse ekziston një koncept, i përfshirë në një term që më shumë se çdo grup tjetër pajtohen me mendimin shkencor, teologjik dhe filozofik, ky është Kozmosi. E lashta e kuptonte termin Kozmos si rendin harmonik të krijuar pas kaosit origjinal. Është sikur të thuash që nga kaosi një shkëndijë e Krijuesit ka lejuar që një masë anonime dhe amorfe të ketë një imazh të ri, një rol të caktuar në krijim dhe një arsye të veçantë. E gjithë kjo për çdo gjë të krijuar jo vetëm për njerëzit. Për filozofët Grekë, Kozmosi ishte ideja e bukurisë maksimale të bashkuar midis shpirtrave, psikikës dhe njeriut të jashtëm, jetës racionale. Një person që jetonte këtë njësi ishte në një gjendje hiri dhe kishte dhuratën të bënte gjëra të bukura rreth tij. Për filozofët e Pitagorës, ajo shkëndijë që shndërroi kaosin në Kozmos, është e pranishme në çdo qenie të gjallë, nga ajo më e madhja tek ajo e padukshmja, sikur të kishte shumë të madhe imazhin dhe arsyen, të ekzistonte edhe në pafundësi të vogla dhe kështu pafundësisht i vogël reflekton vetveten dhe mund të njihet në pafundësi të mëdha. Ishte kështu për filozofët Neo-Platonikë, si Marsilio Ficino, Giordano Bruno, Francesco Bacone, për Leon Battista Alberti, Leonardo Da Vinci dhe Michelangelo Buonarroti, pafundësisht i madh mund të njihej në rreshtin që u bë një simbol, në misterin e shenjtë të përfaqësimit, dhe në atë bërje arti që çliron mendjen nga lënda e parë. Giuseppe Muscio është një piktor hiper realist, por është në vetëdijen që ai zbulon dhe rizbulon kozmosin përmes artit, për tu kuptuar në studimin e tij artistik. Në veprat e tij, pavarësisht nëse janë momente ose trupa të marrë si në një imazh të qëndrueshëm nga një koreograf, ajo që është e qartë dhe ajo që ky artist ndjek dhe arrin një harmoni të përsosur midis hapësirës, ngjyrës dhe formës së ngjyrave. Punimet e tij lindin nga një përdorim i zgjuar i materialeve shumë të ngjashme me ato që lexoni në traktatet e Cennino Cennini. Ai përdor liri të rafinuar dhe më pas një komponim specifik me të njëjtat siç tregohet në traktatet e Rilindjes, ai përdor furça të bëra nga marten të shkëlqyeshëm, ai shkurton shpatullat sepse ngjyra është shpërndarë nga pika jo për nga sipërfaqja, unë do të preferoja të flas për përbërjen kromatike sesa për pikturën.
Revolucioni Francez (1789 – 1799) ishte një periudhë e përgjakshme që përfshiu të gjithë Francën për arsye kryesisht sociale dhe politike. Kjo shënoi fundin e monarkëve në Francë dhe ardhjen e një rendi të ri, që tronditi të gjithë Evropën.
Kur Luigji XVI thirri parlamentin, ai shpresonte të fitonte sërish mbështetjen e masave të popullsisë Franceze. Reformat ekonomike sipas tij do të shuanin revoltën dhe do të risillnin stabilitetin në vend. Për tu theksuar është se parlamenti nuk ishte mbledhur që më 1614, dhe askush nuk mund ta parashikonte se çfarë do të trajtonin deputetët e tre klasave kur ata do të takoheshin në Versajë.
Fundi i revolucionit me dekapitimin e mbretit (Luigji XVI) dhe mbretëreshës (Marie Antoinette Josèphe Jeanne de Habsbourg-Lorraine), do të sillte në pushtet jakobinët me në krye Maksimilian Robespierin, i cili legjitimoi Regjimin e Terrorit.
Deficiti i madh i shtetit dhe pakënaqësia popullore e detyruan Luigjin XVI që në maj 1789 të mblidhte Përfaqësinë e Përgjithshme,e cila nuk ishte thirrur gjatë 2 shekujve. Përfaqësuesit (deputetët) e shtresës së tretë, pa vullnetin e mbretit e shpallën veten Asamble Kushtetuese dhe deklaruan se nuk do të shpërndaheshin pa i dhënë vendit kushtetutën. Në mbrojtje të Asamblesë, më 14 korrik 1789 populli i armatosur i Parisit sulmoi dhe pushtoi kështjellen burg, Bastijën, qe ishte simbol i absolutizmit. U liruan të burgosurit dhe u ngrit flamuri trengjyrësh (i bardhe, i kuq, blu) i revolucionit. Kjo datë, 14 korriku, shënoi fitoren mbi regjimin e vjetër dhe vendosjen e regjimit të ri. Sot kjo ditë është festa kombëtare e Francës. Në provinca u pushtuan kështjellat, u dogjën dokumentet e detyrimeve dhe kudo u vendosën organe të reja të zgjedhura nga populli. Revolucioni fitoi. Për të mbrojtur Asamblenë u krijua një forcë e re ushtarake e përbërë nga vullnetarë, që u quajt Garda Kombëtare. Kjo forcë u bë ushtria e revolucionit.
Revoltat Popullore
Më tutje akoma, ndërkohë që Asambleja Kombëtare po punonte për kushtetutën e re (ata kishin punuar që nga korriku i 1789), qytetarët e Parisit dhe fshatarësia në rrethinat e kryeqytetit filluan revoltat që do ti jepnin revolucionit një pamje krejt tjetër; një pamje akoma më radikale. Qytetarët dhe fshatarët e thjeshtë kishin menduar se reformat do të ishin të shpejta. Ata kishin shpresuar që të liroheshin shpejtë nga taksat e rënda dhe nga varfëria e tejskajshme, por mbledhjet e Asamblesë Kombëtare kërkonin akoma më shumë kohë ndërkohë që banorëve të Parisit iu sos durimi. Mbase punimet kërkonin pak më shumë durim, por ishte popullsia e thjeshtë ajo që po përballej me inflacionin, papunësinë dhe shkurtim të rezervave ushqimore. Fjalë të shumta po përhapeshin se mbreti po përqendronte trupa të armatosura rreth Parisit. Të gjithë këto faktorë, të ndihmuar edhe nga një pasiguri e madhe, bënë që qytetarët e Parisit të hidheshin në revoltë.
Thashethemet u vërtetuan shpejtë. Luigji XVI, i ndikuar vazhdimisht nga gruaja e tij e bukur Maria Antonieta, do të sillte trupa ushtarake në Versajë. Si një veprim i gabuar ky, në një kohë të papërshtatshme, mbreti vetëm sa shtoi akoma më shumë frikën e qytetarëve se ato trupa “nesër ose pasnesër” do të godisnin Asamblenë Kombëtare. Kjo sipas masave ishte një lëvizje e mbretit për të shtypur revolucionin. Reagimi i turmës erdhi shpejtë. Më 14 korrik të 1789, një turmë e revoltuar sulmoi Bastijën. Bastija ishte një burg ku zakonisht hidheshin kundërshtarët politik, ndaj sulmi ndaj saj u pa nga të gjithë si një goditje ndaj padrejtësive që i ishin bërë atyre deri atëherë.
Shqetësimet do të përfshinin edhe rrethinat e Parisit. Gjatë verës të po atij viti, fshatarët u kapën në një ankth të papërshkrueshëm që u emërua si “Frika e Madhe.” Thashethemet u përhapën si era nga një fshat në fshatin tjetër sikur banditë dhe banda hajdutësh sulmonin fshatrat në të gjithë Francën duke vjedhur dhe bastisur të mbjellat dhe të korrat. Në këtë gjendje paniku, fshatarët shtrënguan në duar armët për tu mbrojtur nga një armik virtual që në vërtetë ishte thjeshtë pjellë e thashethemeve frikë-ndjellëse. Kur “bandat e hajdutëve” dhe “banditëve” nuk u dukën në horizont, fshatarët e tromaksur nga “Frika e Madhe,” sulmuan fisnikët e tyre. Ata shkatërruan, vodhën dhe bastisën depot ushqimore, dogjën regjistrat e taksave, si edhe u zotuan se kurrë më nuk do të paguanin ndonjë detyrim feudal. Ashtu si edhe parisienët, edhe fshatarët po zhvillonin një revolucion (në mënyrën e tyre) kundra regjimit të vjetër.
Reforma e të tjera
Duke parë trazirat në Paris dhe në të gjithë Francën, Asambleja Kombëtare kaloi në veprim. Në natën e 4 gushtit, pjesëtarë të shumtë të asamblesë mbajtën fjalime të gjata dhe pasionuare në mbrojtje të reformave. Mendohet se një nga vetë fisnikët, pretendoi që edhe këta të fundit të paguanin taksa. Një tjetër propozim ishte heqja dorë nga e drejta fisnike e gjuetisë (që ishte një nga hobit e preferuara të Luigjit XVI). Duke guxuar më shumë, edhe kleri vetë deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasuritë e luksit në se këto do i shërbenin reformave. Me pak fjalë, deri në agim asambleja hodhi poshtë të gjitha traditat e fisnikëve. Fisnikët tashmë mund ti gëzoheshin vetëm titujve të tyre. Një tjetër hap i rëndësishëm ishte edhe barazia e të gjithë meshkujve të rritur për tu punësuar në institucione shtetërore dhe fetare.
Mbledhja në atë natë gushti bëri shuma hapa para. shkurt, mjafton të përmendim citatin e një fisniku të moderuar Francez, Conte de Merabeau:
“ – Në se nuk është për të qeshur… shpenzuan një muaj të plotë duke u kapur mbas gabimeve ortografike, se si shkruhej kjo ose ajo fjalë. Por ju desh vetëm një natë për të përmbysur të gjithë rregullat e vjetra të mbretërisë.”
Para se të mbaronte gushti, Asambleja Kombëtare hartoi dhe vuri në zbatim të Deklaratën e të Drejtave të Njeriut. Kjo deklaratë përmbante shumë ide filozofike të iluminizmit dhe u frymëzua nga Karta e të Drejtave e hartuar në Angli. Një ndikim tjetër të madh pati edhe Deklarata e Pavarësisë amerikane. Deklarata e të drejtave të Njeriut (deklarata franceze), u përkthye në shumë gjuhë të tjera dhe u përhap në të gjithë Evropën. Nën këto ide, shumë vende të tjera, edhe Shqipëria, do të bënin revolucionet e tyre nën shembullin Francez. Pra deklarata bënte thirrje për barazi të të gjithë personave dhe siguri të pronës. Këto mendime do të parashtroheshin edhe në kushtetutë.
Zhvillime të mëtejshme
Ndërkohë që juristët dhe zyrtarët hartonin dhe debatonin reformat, qytetarët e revoltuar të Parisit hynë në asamble duke i kujtuar atyre se duhet të pyeteshin edhe kërkesat e tyre. Debati ishte pak i vështirë të qetësohej pasi shumica e protestuesve ishin me arsim të mesëm dhe nuk mund të kuptonin lehtë gjuhën e ngarkuar juridike.
Gjatë tetorit të 1789 më datë 5, me mijëra gra të revoltuara do të marshonin drejt Versajës, ku ndodhej mbreti me familjen e tij. Gratë ishin të revoltuara për çmimet e larta të ushqimeve. Një tjetër arsye e marshimit ishte si gjithmonë dyshimi se mbreti dhe mbretëresha austriake po komplotonin kundra Asamblesë Kombëtare. Ato kërkuan që mbreti të kthehej me ta në Paris së bashku me familjen e tij. Atje, ato do ta kishin më të thjeshtë të kontrollonin aktivitetet e mbretit. Luigji XVI pranoi duke shmangur në këtë mënyrë dhunën.
Kthimi i mbretit në Paris ishte një skenë e paparë. Rikthimi i mbretit habiti të gjithë. Luigji XVI, i hipur mbi një kalë parakaloi në rrugët e Parisit i ndjekur nga një turmë grash që përshëndesnin me gëzim. Mbreti vetë mbante të veshur shiritin tre ngjyrësh; blu, të bardhë dhe të kuqe, ngjyra këto që revolucionarët i kishin mbartur nën flamurin e tyre. Kjo gjë, i bëri revolucionarët të mendonit se ishin pikërisht ata që e kishin në dorë Francën tashmë. Asambleja Kushtetuese gjithashtu u zhvendos në Paris sepse në këtë mënyrë revolucionarët mund ta analizonin punën e tyre akoma më mirë.
Në fakt shumë do tju dukej periudha e revolucionit koha në të cilën Franca do të shkatërrohej përfundimisht, por nuk ishte ashtu. Rezultatet ishin shumë të mëdha duke qenë se kanë qenë produkti i kauze të hershme.
Pasojat e revolucionit nuk ishin aspak të papërfillshme, ato cuan në një ndryshim rrënjësor në sistemin e politik, ekonomia u rrit, dhe shpërndarja klasore ndryshoi. Nga e gjithë situata e ngatërruar e Francës, kaosi politik dhe ekonomik që përfundoi në përmbysjen e Direktoratit në 1799, ishte Napoleon Bonaparti ai që vendosi rregull dhe i solli Francës lavdinë e mëparshme. Në fakt regjimi i tij ishte akoma më i fortë dhe absolutist sesa ai i Luigjit të XIV por, në këtë rast francezët donin unitet dhe lulëzim të vendit të tyre.
Kështu uniformiteti i ligjit dhe i institucioneve u zbatua dhe afirmua në të gjithë Fancën, privilegjet ligjore të disa klasave u zhdukën, sistemi i vjetër agrar u hoq, një pjesë e madhe e tokave mbretërore, të fisnikëve dhe të klerit u shpërndanë dhe iu shitën personave të shtresës së mesme dhe të ulët me cmime relativisht të ulëta. Sistemi i ri fiskal i tatonte njerëzit sipas fitimeve dhe u hoqën të gjitha pengesat për tregëtinë brenda vendit. Cdo profesion u bë pa pagesë dhe secili e merrte atë në bazë të talentit dhe aftësive. Besimi fetar dhe fjala kishin pothuajse një liri të plotë.
Të gjitha këto produkte të revolucionit bënë që francezët të duronin të gjitha reformat dhe masat drastike që i sollën ato.
Reformat Fetare
Për tu theksuar janë edhe reformat fetare që u zbatuan në këtë revolucion. Në të gjithë Francën, u hoqën të gjitha privilegjet dhe zakonet prapanike të fisnikëve dhe klerit. Asambleja Kombëtare i hoqi të gjitha privilegjet kishës, si edhe shpalli lirinë e besimit. Më 1790, asambleja i hartoi Kodin Civil (edhe pse në të vërtetë kodi civil do të hartohej në një mënyrë më të mirëfilltë dhe të saktë vetëm gjatë sundimit të Napolon Bonapartit). Sipas këtij kodi, asambleja merrte fuqi absolute mbi veprimtaritë fetare. Gjithashtu tashmë njerëzit mund ti zgjidhnin vetë klerikët. Situata degjeneroi më tepër kur asambleja filloi të shiste tokat e kishës si të sajat (kjo për arsye financiare). Ky veprim në të vërtetë nuk ndikoi shumë në rrjedhën e revolucionit, por bëri që disa përkrahës të flaktë të tij të cilët ishin katolik, të revoltoheshin dhe të mallkonin revolucionin, edhe pse kjo dyshohet se ishte thjeshtë një propagandë e Papatit.
Kushtetuta dhe Ngjarje të Tjera
Më 1791, Asambleja Kombëtare i dorëzoi më në fund popullit francez kushtetutën e saj të parë. Kushtetuta i la shumë pak fuqi mbretit edhe pse ai mund të vazhdonte të ishte monarku i vendit. Mbreti u vendos në krye të ekzekutivit. Legjislatura iu la në dorë Asamblesë Kombëtare. Mbreti mund të përdorte veton për të penguar një ligj, por legjislativi mund ta kundërshtonte veton e mbretit. Reforma të shumta u bënë gjithashtu edhe në gjykata ku këtyre të fundit iu dha një pavarësi për ta pasur zili. Kushtetuta do e ndante Francën në 83 departamente (rajone), dhe zëvendësoi punonjësit e vjetër lokalë me gjak të ri të zgjedhur nga vetë populli.
Nën ndikimin e Kushtetutës, dallimet e vjetra ndërmjet klerit, fisnikëve dhe “plebenjve”, u zhduk krejtësisht. Tashmë Franca i kishte përjashtuar elementët e vjetër të feudalizmit dhe ato, gjithmonë sipas kushtetutës nuk ishin më të mirëpritura në tokën e lirisë. Kushtetuta do të garantonte liri dhe barazi përpara ligjit për të gjithë qytetarët francez.
Mbas hartimit të kushtetutës, që priste akoma nënshkrimin e mbretit, shumë persona u kënaqën me monarkinë konstitucionale. Megjithatë radikalët nuk u pajtuan me këtë zgjidhje. Ata dëshironin republikë dhe jo monarki të kushtëzuar. Për shumë fisnikë, kushtetuta e 1791 e kishte tepruar me nenet e saj. Madje fisnikët (shumica e tyre) e kishin parë me dyshim kushtetutën përpara se ajo të fillonte të hartohej. Të frikësuar nga turmat e armatosura në rrugët e Parisit dhe gjetke, ata u larguan nga Franca. Këta “emigrantë politikë” do të luanin një rol vendimtar në bindjen e fisnikëve evropianë për të kundërshtuar revolucionin.
Kushtetuta frikësoi kryesisht Luigjin XVI. Luigji u alarmua nga vendimet e asamblesë dhe si gjithmonë ai do të bënte gjënë e gabuar në një kohë të gabuar. Ai do kërkonte ndihmë jashtë vendit të tij. Maria Antonieta do ti kërkonte ndihmë vëllait të saj, i cili ishte perandor i Austrisë. Megjithatë, familja mbretërore do të përpiqej të arratisej në qershor të 1791. Arratisja do të kishte qenë një sukses në se mbreti s’do të njihej në kufi. Asambleja e revoltuar e arrestoi atë dhe e detyroi të rikthehej në Paris ku kishte edhe vendin. Luigji e kuptoi se kishte qenë gjithnjë një i burgosur virtual i asamblesë. Në këto kushte, ai u detyrua ta pranonte kushtetutën e re më shtator të po atij viti.
Përpjekja për arratisje e mbretit i vuri në siklet revolucionarët e moderuar (të djathtët), që pavarësisht se ishin të kënaqur me monarkinë kushtetuese nuk mund ta justifikonin “tradhtinë” e mbretit. Radikalët revolucionar (të majtët) godisnin pikërisht në atë pikë. Ata ishin për republikë me pretendimin se mbretit nuk mund ti zihej besë. Si vazhdim, radikalët revolucionar arritën të merrnin pushtetin. Grupi i Jakobinëve me Maksimilian Robespierin në krye do të drejtonte Francën në “Regjimin e Terrorit.” /KultPlus.com
Këshilli Drejtues i QKK-së në mbledhjen e fundit të mbajtur, ka hapur konkursin në këto kategori: konkursi për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar, konkursi për film të shkurtër dhe të gjatë të animuar, konkursi për film debutues të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik si dhe konkursi për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.
Afati i fundit për të aplikuar për mbështetjen e projekteve filmike është 31 Gusht, 2020.
Aplikimi bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK-së.
Për kryeveprën e Zhak Luis David (Jacques Louis David), janë 3 fakte që nuk i dimë. Në ditën e Bastijës, një vështrim nga afër homazhit të Davidit për vrasjen e revolucionarit Jean-Paul Marat.
Më 1793, Zhak Luis David, artisti zyrtar i revolucionit francez, pikturoi “Vdekjen e Maratit” si një homazh për mikun e tij të vrarë, propagandistin revolucionar Jean-Paul Marat, menjëherë pas vrasjes. Piktura, e cila sot gjendet në Muzeun e Arteve të Bukura në Bruksel, mbetet një nga imazhet përcaktuese të asaj epoke. Shumica e vizitorëve të muzeut njihen përciptazi me imazhin dhe historinë që fshihet pas saj./Konica.al
Me siguri e dini se atentati në fjalë ndodhi gjatë mbretërimit të terrorit në Revolucionin Francez, si dhe faktin që piktura e Davidit u përdor si propagandë e Jakobinëve. Po ashtu, duhet të dini se u vra nga Charlotte Corday, e cila arriti të hyjë në shtëpinë e tij, duke u premtuar armiqve të revolucionit se do ndihmonte Maratin, më pas e goditi me thikë. Gjithashtu dihet se Marat është pikturuar në një vaskë, sepse aktualisht po trajtonte një problem të lëkurës, ndërsa shënimi i kapur në dorën e tij është menduar si provë e mashtrimit të Corday, ku shfaqte një mesazh se gjoja ai po i kërkonte ndihmë.
Mund të jetë homazh për një tjetër revolucionar: Karavaxhio (Caravaggio)
Nuk mund të mos mendojmë për neoklasicizmin si të lidhur me barokun bombastik. Mirëpo, studiuesit e kanë quajtur “Vdekjen e Maratit” të Davidit “si kryeveprën më të thellë të karavaxhizmit”. Davidi student ishte tejet i frymëzuar nga Karavaxhio, i cili nuk ishte referenca më e modës në Francën e asaj epoke. Me krahun e tij të varur dhe plagën pa gjak, në formën e stigmatës, figura në “Vdekja e Maratit” i bën jehonë “Entombment of Christ” të Karavaxhios (1603). Me pamjen e një fytyre të dehur, dramatikisht të ngathët të Maratit i bëhet disi jehonë edhe pikturës “Mary Magdalene në Ekstazë” të Karavaxhos (1610).
Revolucioni Francez u rebelua kundër kishës, kësisoj ata e ndaluan ikonografinë fetare gjatë asaj periudhe. Por referenca e veprave të Karavaxhios e ndihmoi Davidin ta bënte Maratin një martir revolucionar. Meqenëse gazeta e Maratit quhej “Zëri i Popullit” dhe Karavaxhio ishte i famshëm (ose famëkeq) për futjen e imazheve të njerëzve të thjeshtë në skenat biblike, ndikimi mori vërtet kuptim.
Corday, jo Maratit, do t’i thureshin lavde në art për dekada pas “Vdekja e Maratit”
Charlotte Corday, vrasësja, nuk është paraqitur në pikmturën e Davidit, e cila është pjesë e asaj që i jep figurës së Maratit statusin e zbukuruar. Gjatë gjyqit, Corday e papenduar deklaroi se ajo kishte vepruar për të ndaluar Maratin të nxiste më tej mbretërimin e terrorit, duke thënë: “Unë vrava një njeri për të shpëtuar qindra mijëra” para se të dërgohej në gijotinë. Dëshira e fundit e Corday ishte qët’i bëhej portreti. Oficeri i Gardës Kombëtare, Jean-Jacques Hauer, i cili i kishte bërë tashmë disa skica të burgosurës, në orët pak para ekzekutimit krijoi portretin e saj. Në dekadat që pasuan, mendimi për Revolucionin ndërroi drejtim, e njëjta gjë ndodhi edhe me opinionin për “Vdekjen e Maratit”. Davidit iu desh që ta fshihte pikturën kur u internua në Bruksel. Ndërkohë, Corday vazhdoi të ishte subjekt i pikturave dhe poezive që e përshkruanin atë si një heroinë, duke e mbiquajtur me pseudonimin “Engjëlli i Vrasjes” deri në mesin e shekullit të 19-të.
Sharl Bodëleri e solli sërish në jetë “Maratin”
Piktura mbeti në errësirë relative pas vdekjes së Davidit në 1825. Madje, familja u përpoq ta shiste, por pa sukses. Sharl Bodëleri, i konsideruar si një nga kritikët e parë të artit, si dhe një poet modernist, mori guximin të ringjallte entuziazmin e publikut për pikturën. Në vitin 1846, pasi e pa atë në një ekspozitë të vogël të veprave të Davidit dhe Ingresit në Paris, krijoi një odë për veprën, ku vendosi posaçërisht të vërtetën e saj emocionale mbi politikën e ditës, rrjedhimisht krijoi skenën që ajo të nderohej përtej konteksti të saj të ngushtë revolucionar:
“Ka diçka njëherazi të dhimbshme dhe goditëse kjo vepër; në ajrin e akullt të asaj dhome, në ato mure të ftohta, rreth asaj vaske të ftohtë dhe funerale, rri pezull një shpirt. Mund të kemi lejen tuaj, ju politikanë të të gjitha partive, po edhe ju gjithashtu, liberalë të egër të 1845-s, t’u japim udhë emocioneve para kryeveprës së Davidit? Kjo pikturë ishte dhuratë për një vend të lotur dhe nuk ka asgjë të rrezikshme për lotët tanë”./Konica.al /KultPlus.com
Me iniciativë të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, sot janë shpërndarë rreth 1000 maska për qytetarët kalimtarë në sheshet e qytetit të Mitrovicës.
Me këtë rast, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, së bashku me drejtoreshën për Shëndetësi, Erseka Hasanaj Barani, dhe drejtorët komunal, Nehat Bahtiri, Tafil Peci, Nazan Kërveshi, Shukri Gashi, Hysni Ahmeti, dhe Hysen Muzliukaj, kanë bërë shpërndarjen e maskave dhe disa broshura informative për qytetarët.
Ky aktivitet simbolik kishte për qëllim realizimin e fushatës vetëdijesuese, përmes së cilës të arrihet ndërgjegjësimi i qytetarëve për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e përdorimit të maskave, që konsiderohet një prej masave më mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.
Gjatë shpërndarjes së këtyre maskave nënkryetari Faruk Mujka, ka informuar qytetarët për rëndësinë e përdorimit të maskave në këtë kohë pandemie, si dhe ka kërkuar që të jenë të kujdesshëm dhe të mbrojnë shëndetin e tyre, pasi që në këtë mënyrë ruajnë familjen dhe shoqërinë.
Ndërkaq qytetarët e mirëpriten dhe u shprehën të kënaqur me iniciativën e marrë nga kjo drejtori, me shpresën që këto aktivitete të jenë më të shpeshta. /KultPlus.com
Ekspertët mjekësorë thonë se rastet me shfaqjen e sindromës së njohur si, “Broken heart syndrome”, janë rritur dukshëm gjatë pandemisë së koronavirusit.
Shkencëtarët nga klinika e Clevelandit kanë raportuar raste të shpeshtuara të pacientëve me këtë sindromë, që shkaktohet si pasojë e stresit.
Kjo sëmundje e zemrës ndryshe e njohur edhe si kardiomiopati, ndodhë kur stresi i madh emocional shkakton mosfunksionim të muskujve të zemrës, transmeton KultPlus.
Dhe si pasojë e pandemisë globale shëndetësore, njerëzit nga e mbarë bota kanë filluar ta vajtojnë humbjen e personave të dashur, duke qenë se koronavirusi u ka marrë jetën më shumë se 570 mijë njerëzve. Të tjerët po përjetojnë shqetësime emocionale, nga frika e sëmurjes me COVID-19.
Qëndrimi disa muaj në karantinë po ashtu ka shkaktuar krizë ekonomike, çka e shton stresin tek njerëzit nga frika për ta humbur punën, si dhe pjesa tjetër e njerëzve ndihen në ankth shkaku i vetmisë e cila vjen nga izolimi në shtëpi.
Çfarë është kardiomiopatia e stresit?
Kardiomiopatia e stresit ndodhë kur barkushja e majtë e zemrës ndryshon formën dhe zmadhohet.
Kjo e dobëson muskulin e zemrës, duke mos e lejuar pompimin e gjakut në mënyrën e duhur.
Ende nuk është e qartë se çfarë saktësisht e shkakton kardiomiopatinë e stresit, sidoqoftë, shpesh vjen si pasojë e shqetësimit fizik apo emocional.
Këtu përfshihen ngjarje nga jeta e përditshme të tilla si: humbja e një personi të afërt, abuzimi, sulmi fizik, brengat financiare apo edhe përballimi i ndonjë katastrofe natyrore, siç është tërmeti.
Në raste të rralla, njerëzit kanë përjetuar kardiomiopati të stresit pas ndonjë ngjarjeje të hareshme, sikur martesa apo lindja e fëmijës. / KultPlus.com
Nëse dashuron një poete, shpirtin zemra do ta shkund, do puthësh vargun, do humbësh fillin, në botën e saj krejt ti humb.
Ëmbël me valë do të të përkëdhelë, do të përplasë me dallgë deti, do të kthejë në varkë të humbur, do të thërrasë në zemër i imi Mbreti.
Nëse dashuron një poete, në shpirt do të pikojë vesë argjend, petale zemre do të çelin, po aq fort shpirti do të të dhemb.
Nëse dashuron një poete, akullnajat e shpirtit do t’i bëjë zhur, zjarrin që të djeg do ta akullojë, e zemrën pamëshirë do ta kthejë në gur.
Do të frymosh pafund qetësinë, kur t’i mbledh për ty gjithë yjet e qiellit, do të ndjesh vërtetë ngrohtësinë, kur të të mbështjellë me rreze dielli.
Nëse dashuron një poete, me fuqinë e fjalës fort do të të ndriçoje, sado ta vrasësh, s’e dorëzon as tingullin, në prehrin e saj shpirti do të qëndrojë.
Nëse dashuron një poete botën do ta kesh krejt në duar, ujërat e qeta mund ta trazojnë shpirtin, ka fuqi të të bëjë engjëll edhe kur je dragua.
Mos dashuro një poete, bota e saj ndonjëherë do të duket çmendinë.
Mos dashuro një poete, zemra aq fort do ta dojë, sa shpirtit do t’ia vrasë lirine. / KultPlus.com
Një punë kërkimore me vlerë për etnologjinë shqiptare mbi interpretuesit dhe muzikantët shqiptarë të Kosovës e realizuar në fillim të shekullit nga etnologu i njohur slloven Matija Murko, i cili shëtiti këtë pjesë të trojeve shqiptare në vitet ’30 të shekullit të kaluar, është publikuar së fundmi.
Përmes fotografive ai ka dokumentuar grupimet artistike, interpretuesit, këngetarët e asaj kohe, etj.
Matija Murko konsiderohet si një ndër studiuesit më të mëdhenj slloven të shekullit të kaluar.
Në vitet ’30 Murko sëbashku me gruan e tij shëtisin pothuajse të gjithë ish-Jugosllavinë e dikurshme. Si një studiues i eposit, këngës, traditës dhe etnologjisë ai vizitoi edhe Kosovën duke dokumentuar përmes fotografive personat që njiheshin për interpretimet e këngëve epike, por edhe ansambleve të para.
Në një nga fotot është edhe Ymer Riza, legjenda e muzikës tradicionale shqiptare. /dsh/ KultPlus.com
Tina Turner po rikthehet pas pensionimit për ta sjellë një version të ri të hitit të saj ikonik të vitit 1984, “What’s Love Got To Do With It”, në bashkëpunim me DJ dhe producentin e njohur muzikor, Kygo.
Këngëtarja 80-vjeçare kishte dalë në pension menjëherë pas përfundimit të turneut, “Tina! 50th Anniversary Tour”, i cili u përmbyll në vitit 2009, dhe nga atëherë është shfaqur në publik vetëm me rastin e ngjarjeve të caktuara.
Sidoqoftë, këtë të premte, ylli i hitit “Proud Mary” do të shfaqet në remixin e ri të këngës së saj të shpërblyer me çmim “Grammy”, e i cili vjen i realizuar nga muzikanti norvegjez, Kygo.
“What’s Love Got To Do With It”, në vitin 1985 ia pati fituar Turnerit 3 shpërblime të rëndësishme “Grammy”, në kategoritë të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Incizimi më i mirë” dhe “Performanca më e mirë pop”.
Kygo, i cili verën e kaluar e realizoi remixin e këngës “Higher Love” nga ikona e ndjerë e muzikës, Whitney Houston, e bëri të ditur lajmin e bashkëpunimit të tij me Tina Turnerin, përmes një postimi në Twitter.
“Nuk mund të besoj se po e lansoj një bashkëpunim me, Tina Turnerin, këtë të premte. ‘What’s Love Got To Do With It’ është një prej këngëve të mia të preferuara, dhe më duket ëndërr mundësia për të punuar me një artiste legjendare si ajo! Mezi pres ta dëgjoni këngën,” kishte shkruar DJ Kygo në mbishkrimin e postimit të tij. / KultPlus.com
Maria De Filippi është një prezantuese televizioni e famshme në Itali, e cila tërë jetën e saj ia ka kushtuar televizionit, shkruan KultPlus.
Më poshtë KultPlus ju sjell një thënie të fuqishme të saj.
Kam frikë nga meshkujt që janë shumë budallenj. Kam frikë nga ata që janë të vëmendshëm ndaj gjërave që veshim dhe jo ndaj gjërave që themi. Kam frikë nga burrat që nuk e kuptojnë se të duash një grua do të thotë ta duash lirinë e saj mbi të gjitha. / KultPlus.com
Filmi ‘Shpia e Agës’ nga regjisorja Lendita Zeqiraj, ka arritur të nominohet edhe për tre çmime tjera në Festivalin Internacional të Filmit në Spanjë.
Regjisorja e filmit Lendita Zeqiri është e nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, ndërkaq Rozafa Çelaj është nominuar në kategorinë për aktoren më të mirë, kurse në anën tjetër filmi është i nominuar për muzikën më të mirë, njofton KultPlus.
Producenti i filmit, Bujar Kabashi, për KultPlus është shprehur i kënaqur me nominimet, pasiqë konsideron se secili nomimin dhe shpërblim është një lloj kompensimi për gjithë ekipin, sidomos në një kohë të cilën ai e konsideron të jetë një kohë ku qartazi vërehet neglizhenca që intitucionet kanë në raport me artin, artistët e kulturën në përgjithësi.
‘Kjo tregon që kemi autorë, regjisorë e aktorë që janë të talentuar, e që çmohen shumë në botë. Me një përkrahje më të madhe nga institucionet, besoj që kishim arritë edhe më shumë’, vazhdon tutje Kabashi për KultPlus.
‘Në Evropë jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin e tragjedisë së luftrave në Ballkan.. ‘Shpia e Agës’ bën një pasqyrim të mrekullueshëm mbi pasojat “kolaterale” të luftës përmes një përralle me një thellësi tejet emocionale’, janë këto fjalët e Qazi Abdur Rahim, drejtori artistik i festivalit.
Vlen të ceket se ‘Shpia e Agës’, deri tash ka marrë pjesë në mbi 30 festivale ndërkombëtare, me mbi 35 nominime dhe 18 çmime.
‘Shpia e Agës’ flet për pesë gra bashkëjetojnë, ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet. Secila e ka një tregim ndryshe prej tjetrës, por në fund të ditës secila bashkohet rreth vuajtjes, nga e kaluara, nga e tashmja. Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.
Filmi është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. / KultPlus.com
GMK ka sjellur në mënyrë virtuale ekspozitën ‘Selfie Mundi’ të artistes Engji Jahaj, ekspozitë kjo që ka qenë në plan të hapet muajin e kaluar, mirëpo pasiqë përhapja e pandemisë e pamundësoi hapjen e kësaj ekspozitë,GMK e sjelli atë virtualisht për artdashësit, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë Engji Jaha sjellë piktura dhe instalacion artistik. Ky instalacion është bërë me qëllim që brenda tij të jetë vetëm një pikturë, e ndriquar nga brenda dhe nga jashtë, në një shoqërim me pjesën tjetër të punimeve të ekspozuara jashtë “kabinës” së instalacionit. E personazh i pikturave të saj është vet piktorja Jaha.
Kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi vlerëson se “Tablotë̈ e ekspozitës janë̈ inskenime të frymëzuara nga ikonografi të artit klasik, por që autorja i sajon në mënyrën e vet, si “selfie historike”. Më tutje, ai thekson se “Për arritjen e këtyre sukseseve nuk mjafton talenti dhe dëshira individuale për afirmim dhe njohje. Ato janë̈ rezultat i një̈ vetëbesimi që po fuqizohet sepse janë̈ pjesë e procesit të emancipimit të vajzave dhe grave në shoqërinë̈ tonë, çliruar nga mbetjet e traditave shtypëse që ngufasin kreativitetin dhe ambiciet e tyre”. / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se propozimi i saj për shpërndarjen e maskave falas shumëpërdorimëshe për qytetarët është bërë për shkak se ka kërkesa të mëdha nga qytetarët kudo.
Osmani ka thënë se është pikërisht gjendja e rëndë ekonomike që ka bërë atë të propozojë një gjë të tillë, përcjellë KultPlus.
Kryekuvendarja ka thënë se në vend të kërkesave për shpenzime luksi që bëjnë institucionet siç janë mobiliet e reja, telefonat e madje edhe veturat e blinduara ato shuma të ndahen për maskat falas.
“Është pikërisht gjendja ekonomike e qytetarëve e cila më ka shtyrë që ta bëjë një amendament të tillë. Në vend se të brengosemi për 3 milionë euro që do të shpenzoheshin për maska për qytetarët ne duhet të brengoseshim për shumë shpenzime luksi që janë propozuar nga institucione të ndryshme. Buxheti që mund të shfrytëzohet për maska të merret nga shpenzimet e institucioneve që dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për blerjen e mobiljeve të reja, sepse mobiljet munden me pritë. Përderisa buxheti është paraparë për mobilje, telefona të rinj, laptopa madje për vetura të blinduara, më mirë është që ajo shumë të shfrytëzohet që t’ia lehtësojmë barrën ekonomike qytetarëve që kanë nevojë”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com
Biblioteka françeskane ka bërë të ditur se ka ardhur me një botim të ri të historianit At Paulin Margjoka, vepër kjo që mban titullin ‘Epizode historike’, shkruan KultPlus.
Lajmi për botimin e veprës u bë i ditur në faqen zyrtare të bibliotekës françeskane në rrjetin social Facebook.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të bibliotekës.
”Kolana e shkrimtarëve françeskan u pasunue me nji botim të ri të historianit Át Paulin Margjoka, OFM. Veprën e kemi titullue Epizode historike. Në ketë vepër janë përfshi artikujt studimor të Át Paulinit botue në revistën “Shêjzat” themelue prej Ernest Koliqit. Natyrisht, Át Paulin Margjokaj bashkëpunoi ngusht për çeshtje të historisë kombëtare me Koliqin. Vlera e librit, që e ka në dorë lexuesi, nuk asht numri i faqeve, por trajtimi i problemeve ma të shqetësuese të kohës me pendën e mprehtë të nji studiuesi të kujdesshëm e të paanshëm.
Asht shoshitja, arsyetimi, argumentimi i ngjarjeve dhe dokumentimi i tyne në mënyrë objektive. Prej këndej, studimet historike, që po i botojmë, janë kontribut i çmueshëm jo vetëm për lexuesin, që kërkon të vërtetën e historisë së vendit ku lindi, por edhe, e sidomos, për historinë tonë kombëtare.
Episodet historike rreth kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe zhdukja e Republikës së Suliotëve, nxjerrin edhe nji herë në dritën e diellit mizoritë e Ali Tepelenës kundra popullsive të pambrojtuna.
Ndërsa, në tre kapitujt e tjerë të veprës, historia e vendit tonë vihet përballë historive të popujve të tjerë të Ballkanit. Tue e shfletue këtë vëllim, vërejmë se Át Paulini studioi me kujdes të madh jo vetëm gjendjen historike të Ballkanit, por dhe ndikimet e Rusisë mbi politikat e shteteve fqinje. Mbërriti, kështu, të skjarojë shkencërisht situatat ma të ngatërrueme të Shqipnisë, e cila e fitoi pamvarësinë e fundmja, kur “i sëmuri i Bosforit” po jepte shpirt.
DIFTOJSI I LANDES
EPIZODE HISTORIKE NGA KOHA E ALI PASHË TEPELENËS KERDIJA NË POPULLIN E KARDHIQIT NJI FIS HEROJSH SHQIPTARË: SULJOTËT ZHDUKJA E REPUBLIKËS SË SULJOTËVET
LËVIZJA E MADHE PER ÇLIRIMIN KOMBTAR Kapitulli i parë
PERANDORISË TURKE ASHT KAH I VJEN E MBRAMJA
Çashtja lindore
Serbë e Grekë fitojnë lirinë shumë kohë para Shqiptarve
Rusi e Turki në krizen lindore
Lufta ruso – turke e vj. 1877/78
Filloi coptimi i tokës shqiptare
Kapitulli i dytë
PREJ TRAKTATIT TË SHEN STEFANIT DERI NË KONGRES TË BERLINIT
Traktati në Shen Stefan
Kongresi i Berlinit
Si i ndreqin punët në Berlin Fuqitë e Mdhá
E Shqipnija kû âsht? Kapitulli i tretë LIDHJA E PRIZRENIT
Si ndodhi qi Shqiptarët e fituen aq vonë lirinë
Liri kombtare apo tjeter liri’, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Xhemile Fetaji është një punonjëse në sferën e integrimit, migracionit dhe të të drejtave të gruas në kantonin Thurgau. Veç tjerash, ajo ka qenë kandidate për t`u zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të saj. Për këtë kandidim dhe për aktivitete tjera të saj.
Ndërkohë, aktivistja me rrënjë nga Gostivari, ka treguar një angazhim të veçantë edhe në luftimin e koronavirusit në regjionin ku jeton.
Duket se këto dhe aktivitetet tjera të zonjës Fetaji nuk kanë kaluar pa u vënë re. Kështu, ajo është caktuar së fundi nga autoritetet federale të Zvicrës për t`i ndarë një mirënjohje të lartë nga vetë presiedentja federale, Simonetta Sommaruga për festën nacionale të Zvicrës, 1 Gushtin.
Në vijim, albinfo.ch publikon pjesë nga njoftimi për ndarjen e kësaj mirënjohjeje që i është dërguar Xhemile Fetajit
Më 1 gusht, Presidentja Federale Sommaruga dëshiron t’ju nderojë në Rütli për angazhimin tuaj të veçantë gjatë krizës së koronavirusit.
Në festën federale, më 1 gusht 2020, Presidentja Federale simonetta Sommaruga do të nderojë në Rütli, një grua dhe një burrë nga çdo kanton, si dhe nga zviceranët që jetojnë jashtë vendit, për kontributin e veçantë të dhënë për shoqërinë tonë gjatë kohës së masave kundër koronës.
Ky kontribut konsiston, qoftë në transportin publik, në supermarkete apo farmaci, në ekipin kantonal të krizave ose në blerje për fqinjët e moshuar, në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit ose në qendrat e të moshuarve… vazhdon numërimi i aktiviteteve për të cilat presidentja ndan mirënjohjet më 1 Gusht.
Më tutje në njoftim sqarohet se, për shkak të rrethanave të njohura, në manifestimin tradicional të 1 Gushtit në Rütli nuk do të ketë prani të publikut. “I gjithë festimi do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin YouTube të Këshillit Federal më 1 gusht, duke filluar nga ora 12 deri në orën 15 pasdite./ KultPlus.com
Një artiste mjaft e re në moshë, që artin e konsideron më shumë se jetë e më shumë se një mënyrë jetese. Bëhet fjalë për Mimoza Rracin, një artiste e cila njihet per muralet, pikturat, punimet me dorë, skulpturat e punimet në tekstil, përmes së cilave çdoherë bartë mesazhe të ndryshme e kuptimplotë për artdashësit e adhuruesit e saj.
Në një intervistë për KultPlus, Mimoza ka shpalosur më shumë rreth të qenurit artiste, rreth asaj se çfarë paraqet përmes artit të saj dhe patjeter edhe për përvojën e saj prej artisteje në ditët e izolimit si pasojë e pandemisë.
Mimoza tregon për KultPlus se talentin e saj për art nuk e ka zbuluar edhe aq herët, mirëpo edhe pse ‘me vonesë’ ajo ka arritur të bëhet një nga artistet më të njohura të gjeneratës së saj, në të njëjten kohë duke premtuar shumë në këtë fushë. ‘Unë nuk jam person që bëjë plane afatgjata, rruga nëpër të cilën po kaloj së bashku me artin, është shoqëruesi më i mirë. Prandaj, le të vazhdon të mbetet kështu’, tregon tutje Mimoza.
Si çdo vepër arti dhe si çdo artist, edhe Mimoza ka frymëzimet e saj, që siç tregon ajo, frymëzimin e gjen tek jeta e përditshme, e në Kosovën tonë të vogël inspirim ke ngado që të shkosh. ‘Zakonisht inspirohem nga veprimet e njerëzve, nga ndonjë ngjarje që kam përjetuar apo dëgjuar, të thëm më shkurt, inspirohem nga çdo gjë që më rrethon’, vazhdon tutje Mimoza.
Mimoza ka provuar veten pothuajse në të gjitha fushat e artit pamor, ajo tregon se në secilin prej tyre, ka punuar me shumë vullnet e dashuri, sipas saj, secili është bërë në kohë dhe në aryse të caktuar dhe secili e ka vlerën e vet. ‘Ekziston një ndjesi shumë e çuditshme sepse duke krijuar një vepër, hynë aq shumë brenda saj, saqë të duket sikur ke shkrirë çdo pjesë tënden aty. Shpesh edhe të dhimbset kur ajo vepër ndalon së qenuri e jotja, por në anën tjetër nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të ekzistoj në një vend, të kesh një jetë, të jetosh e të frymosh në çdovend përmes veprave tua’, shprehet me emocion të madh Mimoza.
Secili artist me kohë fillon e njihet nga stili të cilin e posedon, duke bërë kështu që të ata të njihen përmes veprave të tyre dhe jo vepra përmes tyre. Mimoza, në këtë rast, cilësohet për stilin e saj mjaft të veçantë. Stilin e saj Mimoza e konsideron të lirë, asaj nuk i pëlqejnë kufizimet, nuk i pëlqen të ndalet dhe të kufizohet në një stil apo të ndikohet nga ndonjë artist speçifik. ‘Jam njeri i lirë, i tillë është edhe arti im. Dua që edhe kur nënshkrimi im nuk gjendet në punimet e mia, njerëzit të njohin artin tim, duke e njohur kështu që ajo ide dhe ajo mënyrë e lirë e qetësuese e punimit është diçka Mimoze’, tregon Mimoza.
Ditët në karantinë kanë bërë që shumë artistë të shpalosin kreativitetin e tyre, të zbulojnë anë të reja të artit të tyre, e të jenë më afër se kurrë pranë artdashësve. Sigurisht se edhe Mimoza ka qenë pjesë e këtij grupi artistësh që kanë qenë mjaft kreativ gjatë atyre ditëve aspak të lehta. Në ato ditë izolimi, arti i Mimozës zuri vend në tekstil, ku me një stil Mimoze (pikërisht ashtu siç dëshiron ajo të njihet), ajo në tekstil me një kombinim të mahnitshëm ngjyrash, paraqiste figurën e gruas ashtu siç ne rrallë herë jemi mësuar të shohim.
‘Njihem si tip që ka dëshirë të zbukuroj çdo gjë që më rrethon, më jep ca ngjyra dhe një brushë dhe ashtu ndihem si në parajsë. Arsyeja pse arti në tekstil, tek i cili kësaj radhe protoganiste ka qenë më së shumti portreti i gruas, ka ardhur kështu: Cili është subjekti më i mirë për të shprehur ndjenjat dhe për të marrur vëmendjen e njerëzve më shumë se portreti i një gruaje?! Pasiqë është mjaft e vështirë për të gjetur një më të mirë se ato, gratë janë një nga mrekullitë më të mëdha të botës.’
Pandemia që ka kapluar botën ka shqetësuar secilin dhe ka qenë një periudhë mjaft stresuese për të gjithë, fatkeqësisht akoma vazhdon të mbetet e tillë. Mirëpo Mimoza, këtë periudhë e ka parë me mjaft optimizëm, duke e konsideruar si një ‘luks’ për punë intenzive. ‘Mendoj që në kohë stresi dhe trazirash lindin disa nga idetë më kreative. Besoj se kjo ka ndodhur edhe me mua gjatë kësaj periudhe, jam pajtuar me realitetin dhe po mundohem të shoh vetëm anën pozitive të kësaj situate’, shprehet tutje Mimoza.
Mimoza, një artiste e cila nuk ndalon kurrë së eksploruari botën e pafundme të artit, në moshë shumë të re, erdhi para artdashësve me një mori veprash artistike që përjetësisht do të bartin vulën e saj. ‘Le të ndriçojmë, frymëzojmë dhe motivojmë të gjithë rreth nesh’, përfundon intervistën ajo. / KultPlus.com
Studentët nga University of Applied Sciences in Nysa nga Polonia – Kamelia Herbaciana, Urszula Wojtas dhe Dawid Michalak përfunduan me sukses semestrin pranveror në Kolegjin Universum.
Urszula, Kamelia dhe Dawidi kanë përfituar bursë për shkëmbim semestral në Kolegjin Universum nga Universiteti i Nysa në Poloni. Deri tani 20 studentë ndërkombëtar nga Universitetet më prestigjoze në Evropë kanë përfituar shkëmbim semestral në Kolegjin Universum.
Kolegji Universum mbetet lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral. Deri tani, Kolegji Universum ka nënshkruar marrëveshje me 121 universitete prestigjoze në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. Mëso më shumë https://www.universum-ks.org/bursa-nderkombetare/
Deri tani 257 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi. Të gjithë studentët përfitojnë shkollim falas, kompenzim mujor 850 euro dhe 275 euro kompenzim për shpenzime të transportit.
Me numrin më të madh të bursave ndërkombëtare Erasmus+ në rajon, me vlerësimin më të lartë në procesin e akreditimit dhe i vetmi nga Kosova i ranguar në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga agjencia prestigjioze Eduniversal.
Kush qëndronte pas hartimit të një plani të madh të rimëkëmbjes ekonomike, të bazuar tek solidariteti, kundër rrënimit ekonomik dhe social të shkaktuar nga një pandemia e Covid-19, e cila kërcënoi t’i jepte një goditje fatale kohezionit në Bashkimit Evropian?
Përgjigja qëndron tek një treshe:Kristin Lagard, Ursula Von der Lejen dhe Angela Merkel, 3 gra me personalitete dhe prejardhje të ndryshme, por që secila në pozicionin e saj kryesor, diti të merrte vendimet e duhura dhe në kohën e duhur.
Tre gratë, në të 60-at e tyre, nuk prisnin të bëheshin “fanari ndriçues” i këtij momenti delikat. Mendohej se Merkel ishte në vitet e saj të muzgut politik. E konsumuar dukshëm pas 13 viteve në pushtet në Berlin, “dekania” e liderëve evropianë kishte njoftuar në fund të vitit 2018, se do të hiqte dorë nga një mandat i pestë si kancelare e Gjermanisë.
Von der Lejen, që disa muaj më parë u zgjodh presidente e Komisionit Evropian, ishte po aq e re sa Merkel, por kancelarja kishte më shumë përvojë. Ministrja jopopullore gjermane e Mbrojtjes, që u imponua si kryetare e ekzekutivit të BE-së nga krerët e shteteve dhe qeveritë, mori vetëm një mbështetje me rezerva nga anëtarët e Parlamentit Evropian.
Kristin Lagard, ishte gjithashtu tërësisht e huaja për qarqet e Brukselit, kur u propozua nga Emanuel Makron për të qenë drejtuese e Bankës Qendrore Evropiane (ECB). Fakti që ajo është një grua, ishte domethënës në këtë përzgjedhje, në emër të barazisë gjinore për pozicionet kryesore në institucionet evropiane.
Ish-ministrja franceze e Financave, nuk kishte drejtuar më parë një bankë qendrore si paraardhësit e saj në Frankfurt; dhe nuk ishte as ekonomiste. A do ta dinte ajo si të reagonte në rastin e një krize? Ishte Lagard, ajo që pas një gabimi që i shërbeu si paralajmërim, u vendos në linjën e parë të mbrojtjes përballë krizës.
Më 18 mars, presidentja e BQE njoftoi se do të niste zbatimin e një plani masiv për të mbështetur ekonominë. Banka shpalli blerjen e 1.000 miliardë eurove borxhe të qeverive, dhe brenda disa muajsh pati një strategji që ishte më ambicioze se sa ajo e Rezervës Federale në SHBA.
Synimi ishte të lehtësohej presioni mbi normat e interesit, dhe të largohej rreziku i copëtimit të eurozonës. “Kohët e jashtëzakonshme, kërkojnë veprime të jashtëzakonshme”-tha ajo në atë kohë. Banka Qendrore shtoi përpjekjet e saj në fillim të qershorit, duke akorduar 600 miliardë euro shtesë.
Lagard ka mësuar leksionet e krizës së vitit 2008 në krye të një banke qendrore, që tani po përdor të gjitha burimet që ka në dispozicion. Merkelit i është dashur pak më gjatë që të reagojë. Por tani, ajo po e kupton më në fund se depresioni ekonomi në zhvillim e sipër, do t’i gjunjëzojë vendet e Evropës Jugore, dhe mund të kërcënojë ndjeshëm Tregun e Përbashkët Evropian.
E shtyrë në limitet e saj nga Gjykata e Lartë e Gjermanisë, që vuri në dyshim ligjshmërinë e veprimit të Bankës Qëndrore Evropiane, presidenca franceze e nxitin homologen e kujdesshme dhe të arsyeshme të vepronte dhe të thyente tabunë e solidaritetit financiar.
Bashkë me Emanuel Makronin, ajo po propozon tashmë një fond rimëkëmbje prej 500 miliardë eurosh, të huazuar në mënyrë kolektive nga Bashkimi Evropian, dhe të rishpërndara nga buxheti i BE-së tek vendet më të prekura.
Ishte kthesa e fortë e Merkelit, ajo që do t’i japë mundësi Von der Lejenit të luajë rolin e vet. Kjo e fundit nuk ka qëndruar duarkryq që nga fillimi i krizës, duke bërë thirrje të vazhdueshme për bashkëpunim midis shteteve anëtare, dhe duke prezantuar që në fund të muajit shkurt programe të përbashkëta të blerjes se pajisjeve mjekësore mbrojtëse.
Ndërkohë më 19 mars, organizoi krijimin e rezervës së parë të përbashkët në historinë e BE-së të pajisjeve mjekësore të urgjencës. Ndërsa Parisi dhe Berlini e shohin të përshtatshëm bllokimin e eksporteve të maskave, për të shmangur zhdukjen e rezervave për vendet e tyre, një Ursula empatike, u kërkoi ndjesë italianëve për mungesën e solidaritetit dhe reagimet egoiste të shteteve anëtare.
Pas marrëveshjes franko-gjermane të 18 majit, Komisioni Evropian i drejtuar Von der Lejen ndryshoi ndjeshëm qasje duke propozuar një plan të madh të rimëkëmbjes ekonomike, dhe rritur në 750 miliardë euro mbështetjen e BE-së ndaj vendeve anëtare.
Ky plan hodhi themelet për një union shëndetësor, duke propozuar mbrojtjen e industrive strategjike evropiane nga vendet e huaja, si Kina, përmes subvencioneve shtetërore. Ndërkohë, ai mobilizon fonde për kërkime mbi një vaksinë të disponueshme për të gjithë.
Secila në fushën e vet, dhe me një lloj përulësie, Kristin Lagard, Angela Merkel dhe Ursula Von der Lejen, kanë treguar vlerën e shtuar të Bashkimit Evropian kur ai ecën përpara i bashkuar, dhe i nxitur nga e njëjta ambicie. /Les Echos/ KultPlus.com
Gustav Klimt, artisti austriak i cili i përkiste periudhës të simbolizmit në art, sot shënon 158 vjetorin e lindjes.
Klimt njihet për pikturat e tij të veçanta, subjekt i të cilave zakonisht ishte trupi i femrave, duke bërë kështu që në veprat e tij të shënjohet një erotizëm i pashoq, shkruan KultPlus.
Përveç veprave të tij figurative, të cilat përfshijnë alegori dhe portrete, ai pikturoi peizazhe. Ndër artistët e tjerë të Vjenës, Klimt ishte më i ndikuari nga arti japonez dhe metodat e atij arti.
Në 102 vjetorin e vdekjes së njërit prej artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, KultPlus ju sjell disa fakte interesante të jetës së tij.
-Klimt kishte jetuar në varfëri të skajshme për një kohë të gjatë, por falë talentit të tij arriti që të sigurojë të ardhura të kënaqshme.
-Klimti ka qenë një person shumë introvert, nuk dihet nëse njëherë ai ka pasur shoqëri me të tjerë artistë.
-Klimt ka qenë shumë i apasionuar pas grave, mirëpo nuk u martua kurë.
-Klimt i ka dashur shumë edhe macet, thuhet se ka mbajtur shumë mace.
-Klimt ka qenë i apasionuar pas seksualitetit, ëndërrave dhe të pavetëdijshmes.
-Ai vdiq në moshën 55 vjeçare, në vitin 1918 nga i ashtuquajturi Gripi Spanjoll. / KultPlus.com
Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infective, Dr. Anthony Fauci thotë se shtimi i ritmeve të përhapjes së koronavirusit ditët e fundit në SHBA është rezultat i faktit se Shtetet e Bashkuara nuk e mbyllën plotësisht aktivitetin për të ndalur avancimin e sëmundjes.
“Nuk realizuam një mbyllje të plotë dhe për këtë arsye shohim rritje,” tha të hënën drejtori i Institutit të Sëmundjeve Infektive dhe Alergjike në një intervistë me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Stanford, transmeton KultPlus.
“Ritmet kishin filluar të binin, realizuam një sheshim të kurbës me shifra gjithsesi shumë të larta prej rreth 20 mijë infektimesh të reja në ditë. Pastaj filloi rihapja dhe tani po shohim shtim të rasteve, në Kaliforni, në Arizona, në Teksas e Florida si dhe shtete të tjera,” tha Dr. Fauci.
Eksperti u shpreh gjithashtu me “optimizëm të matur” se brenda vitit do të ketë të paktën një vaksinë kundër koronavirusit. / KultPlus.com