Regjisorja shqiptare në Rumani fitoi trofeun në Galanë e Çmimeve “Gopo”

Është bërë e ditur se regjisorja shqiptare në Rumani, Enxhi Rista, me filmin “El iubeste ochi mei” (Ai dashuron sytë e mi), fiton trofeun për filmin dokumentar me metrazh të shkurtër më të mirë në Galanë e Çmimeve “Gopo”.

Me çmimet “Gopo” vlerësohen realizimet e rëndësishme të kinematografisë rumune dhe promovohen vlerat e kësaj fushe.

Enxhi Rista është një talente shqiptare në Rumani. Ajo me filmin “El iubeste ochi mei” rrëmbeu mbrëmjen e djeshme trofeun për filmin dokumentar me metrazh të shkurtër më të mirë në Galanë e Çmimeve “Gopo”.

Çmimet “Gopo” përfaqësojnë një event prestigjoz të përvitshëm, përmes të cilit shpërblehen realizimet më të rëndësishme të kinematografisë rumune të vitit paraardhës dhe promovohen vlerat e vërteta të kësaj fushe. Albinfo.ch / KultPlus.com

Tom Hanks: ‘Turp për ju’ nëse nuk bartni maska

Një nga personat më të famshëm në botë që u prek me Covid-19 raportohet se ka bërë të ditur ndjenjat e tij për ata që nuk mbajnë maska.

Aktori Tom Hanks dhe gruaja e tij, aktorja / këngëtarja Rita Wilson, ishin dy nga të famshmit e parë që njoftuan se kishin marrë virusin sipas People dhe Hanks tani po u bën thirrje njerëzve të bartin maska.

Revista raporton se Hanks foli për maskat  gjatë një konference për shtyp për filmin e tij “Greyhound”, i cili debuton më 10 korrik në Apple TV +.

“Ka vërtet vetëm tre gjëra që mund t’i bëjmë për t’i arritur nesër: Bartni një maskë, distanca sociale, lani duart,” u citua të ketë thënë ai, përcjell CNN.

“Këto gjëra janë kaq të thjeshta, kaq të lehta, nëse dikush nuk mund t`i praktikojë ato tre gjëra shumë themelore – Unë thjesht mendoj se është turp për ju”.

Hanks dhe Wilson u diagnostikuan – dhe u karantinuan – derisa ishin në Australi në muajin mars.

Tani Hanks po u bën thirrje njerëzve që të ndihmojnë në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Turizëm me biçikleta, forma e re e kosovarëve për të shijuar veriun e Shqipërisë

Kjo maratonë çiklistike e nisur nga Gjakova ka përfunduar në Krumë. Gjatë ndalesës në qytetin e Kukësit, grupi i çiklistëve vizitoi Kullën e Qendrës si dhe Muzeun Etnografik.

Ata tregojnë pse zgjodhën pikërisht këtë lloj turizmi dhe mbresat e tyre gjatë udhëtimit në veriun e Shqipërisë.

Si në shumë vende të Shqipërisë ku natyra të mahnit, dora e njeriut apo edhe institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm që këtë bukuri ta përkthejnë në të ardhura.

Dhe për këtë pjesë një prej anëtarëve të këtij grupi ka edhe një apel që sipas tij natyra nuk mjafton. Në verilindje, turizmi i biçikletave viteve të fundit është bërë i preferuari për aventurierët kosovarë të natyrës/A2CNN. / KultPlus.com

Poetja nga Kosova, Zade Kuqi është fituese e Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Naji Naaman” i ndarë në Liban

Poetja dhe prozatorja nga Kosova, Zade Kuqi, ka fituar çmimin ndërkombëtar për letërsi “NAJI NAAMAN” për vitin 2020, të ndarë në shtetin e Libanit.

Ky çmim i ndarë nga Fondacioni “Naji Naaman”, çdo vit ndahet për disa kategori, kurse në mesin e fituesve ndërkombëtar për vitin 2020 janë ndarë çmime për 77 autori nga 78 vende të ndryshme, ndërsa kanë marrë pjesë gjithsej 3034 autor nga e gjithë bota.

Duhet theksuar se autorja Zade Kuqi, është fituesja e vetme nga Kosova e Shqipëria e Çmimit për Kreativitet (Creativity Prize).

Poetja dhe prozatorja Kuqi në këtë konkurs të letërsisë ishte pjesëmarrëse me disa poezi të përkthyera në gjuhën angleze.

Ndërsa, Çmimi i Fondacionit, “Naji Naaman” nga Libani u themelua në vitin 2002 dhe ju ndahet autorëve, të cilët në veprimtarinë e tyre letrare, edhe nga përmbajtja edhe nga stili i realizimit artistik, kultivojnë vlera njerëzore dhe përkrahin të drejtat e njeriut.

Ambasadori Heldt: Pamjet nëpër rrugë dhe terracat e kafiterive janë të padurueshme

Ambasadori gjerman, Christian Heldt ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Heldt tha se janë të padurueshme pamjet nëpër rrugë dhe në terracat e kafiterive në Kosovë.

Madje ai shtoi se pasojat do të shihen në kujdesin intensiv.

“Apostolova, vërtetë shpresoj se kjo do të frymëzojë të gjithë të sillen me përgjegjësi dhe institucionet qeveritare e shtetërore të kenë zbatim të fuqishëm të rregullave. Pamjet në rrugë dhe në terracat e kafiterive janë të padurueshme. Pasojat do të shihen në kujdesin intensiv”, shkroi ai në Twitter.

Këtë reagim Heldt e bëri duke shpërndarë një publik të BE-së, lidhur me ndihmën që iu dha sot shëndetësisë kosovare për luftimin e koronavirusit. / Insajderi / KultPlus.com

Gjykata lejon publikimin e librit të mbesës së Trumpit

   

Një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në New York, ka lejuar publikimin e librit të Mary Trump, mbesës së presidentit amerikan rreth historisë familjare. Disa ditë me parë mediat e huaja raportuan se gjykata bllokoi përkohësisht botimin e disa rrëfimeve të mbesës së Donald Trump, në lidhje me të pathënat e familjes presidenciale.

Mary Trump ka shkruar librin “Shumë më shumë dhe kurrë mjaftueshëm, si familja ime krijoi njeriun më të rrezikshëm të botës’, i cili ishte caktuar që të hidhej në treg më 28 korrik.

Gjykata tha se më 1 korrik se do të heqë ndalesën e vendosur ndaj shtëpisë botuese, Simon & Schuster, që synonte të bllokonte shpërndarjen e librit “Kaq shumë, por kurrë mjaftueshëm: Si e krijoi familja ime, njeriun më të rrezikshëm në botë”.

Libri është planifikuar të publikohet zyrtarisht më 28 korrik, mirëpo shtëpia botuese ka thënë se mijëra kopje të librit janë shpërndarë nëpër librari.

Robert Trump, vëllai i presidentit amerikan, ka kërkuar kufizim në botim të librit, duke thënë se Mary ka shkelur një marrëveshje të vitit 2001, që ndalon zbulimin e detajeve pas shpërndarjes së pasurisë në familjen Trump.

Gjyqatari, Alan Scheinkman ka thënë se shtëpia botuese, Simon & Schuster “nuk është pjesë e marrëveshjes” prandaj nuk vlen bllokimi i publikimit të librit.

Simon & Schuster ka thënë se Mary, psikologe, ka rikujtuar në librin e saj për “familjen toksike” në shtëpinë e gjyshërve të saj.
Javën e kaluar, një gjyqtar ka refuzuar të ndalojë publikimin e librit të ish-Këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, me titullin “Dhoma ku ndodhi”. Në të, besohet se ka detaje të administratës Trump. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi e Kryetari Haziri vunë gur themelin e stadiumit ndihmës në Gjilan

Ministrja Vlora Dumoshi bashkë me zv. ministren Valdete Bajrami, gjatë vizitës në Gjilan ishin të pranishme për vënien e gur themelit të stadiumit ndihmës në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ministrja Dumoshi tha se investimi në fushën ndihmëse në lagjen “Arbëria” kap koston e 550 mijë eurove. Me këtë rast ministrja u bëri thirrje të rinjve dhe organizatave rinore që të aplikojnë për mbështetje nga fondi emergjent 5 milionësh që është ndarë për MKRS-në për kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ky fond do të përfshijë vende pune për të rinjtë, në fusha që ndërlidhen me kulturën, rininë e sportin, me ç ‘rast të rinjtë ftohen të aplikojnë përkitazi në projekte programore të Ministrisë. Me këtë theksoi që synohet që pjesën që i përket rinisë, përmes këtij fondi ta përkthejnë në vende punë për të rinjtë.

“Sot ndodhemi në komunën e Gjilanit ku në programin tonë bashkë me Federatën e Futbollit shpalosim programin për avancimin e sportit në përgjithësi e në veçanti për futbollin. Në katër komuna do të investojmë rreth 4 milionë euro. Fusha ku ndodhemi sot ka koston prej 550 mijë euro”.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se të rinjtë e Gjilanit do të shkollohen e stërviten në këtë stadium. Haziri mes tjerash ka thënë se ky është stadiumi i tretë në Gjilan.

“Ministrja dhe zëvendësministrja sot janë në Gjilan për të parë punimet në infrastrukturën sportive dhe për ta inauguruar stadiumin ndihmës të Gjilanit. Të rinjtë tanë do të shkollohen e stërviten por edhe klubet do t’i kryejnë stërvitjet në këtë stadium. Shpresoj që kjo t’ju shërbejë si motivim për lojën së bukur që do të zhvillohet këtu – tha Kryetari Haziri.

Stadiumet në fjalë janë projekt i përbashkët i MKRS-së, FFK-së dhe komunave dhe ndërtohen për ekipet e futbollit të cilat garojnë në Super Ligën e Kosovës.

Gjashtë fusha ndihmëse janë ndërtuar edhe gjashtë pritet të ndërtohen në tërë Kosovën. / KultPlus.com

Mbi 1500 artistë bashkohen për të shpëtuar industrinë e muzikës së gjallë

Radiohead, The Cure, Dua Lipa, Nick Cave, PJ Harvey, Johnny Marr, Dizzee Rascal, Primal Scream, Paul McCartney, The Rolling Stones and Coldplay, janë disa nga artistët të cilët po kërkojnë nga qeveria që të merr masa të menjëhershme për të shpëtuar industrinë e muzikës së gjallë në Britani.

Afro 1,500 artistë dhe grupe të ndryshme kanë nënshkruar një letër të hapur qeverisë me kampanjën LetTheMusicPLay, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të ndalur “dëmtimin katastrofal” që po përjeton industria e muzikës së gjallë për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan revista NME, transmeton KultPlus.

Muajin e kaluar, organizata Music Venue Trust ka dërguar një letër të nënshkruar për 560 hapësira për koncerte duke bërë thirrje për 50 milionë funte ndihma për të shpëtuar industrinë e muzikës, në përpjekje që të parandalohet mbyllja permanente e këtyre vendeve. Afro 92% të bizneseve të festivaleve gjithashtu janë në rrezik të mbylljeve, transmeton KOHA.

Letra e hapur e nënshkruar nga 1500 artistë iu dërgua Sekretarit të Britanisë për Kulturë, Media dhe Sport Oliver Downden për të marrë përkrahjen e duhur në mënyrë që kjo industri të mbijetojë, duke cekur se në të kundërtën do të humbet edhe një pjesë vitale e kulturës dhe artit në Britani. / KultPlus.com

Dumoshi dhe Haziri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bashkë me zëvendësministren Valdete Bajrami kanë vizituar sot Komunën e Gjilanit.

Gjatë vizitës, ministrja Dumoshi e zv. Bajrami kanë zhvilluar takim me Kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, i cili u informua për projektet e MKRS-së në këtë komunë.

Me kryetarin Haziri ministrja Dumoshi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit” në vlerë prej 20.000.00€.

Ministrja Dumoshi tha se është e gëzuar që po e finalizon një memorandum për të përkrahur këtë manifestim duke shprehur se çfarë e bën edhe më të veçantë është nënshkrimi pikërisht më 2 korrik kur kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet. Ai u shpreh i nderuar që pret për vizitë ministren Dumoshi dhe zv. Bajrami dhe u shpreh se simbolika e kësaj dite është kontributi i heronjve të 2 korrikut. Ardhja e vet ministres tregon kujdesin institucional për qytetin tonë – tha ai.

Gjatë takimit u diskutua edhe për finalizimin e projekteve si Muzeu i qytetit, Galeria e qytetit si dhe plani për një fond të veçantë për përkrahjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj.

Ministrja Dumoshi, zv. ministrja Bajrami dhe kryetari Haziri inspektuan edhe ecurinë e punimet në Stadiumin e Gjilanit i ku investimet janë mbi 9 milion euro.

Ky stadium sipas standardeve të UEFA-s i takon kategorisë së katërt. Ministrja Dumoshi, tha se si ministri do të vazhdojnë investimet nëpër stadiume, teksa shtoi se prioritet i tyre është rregullimi i infrastrukturës sportive.

Investimet tjera në Komunën e Gjilanit janë edhe Palestra sportive në Zhegër e cila kap vlerën e mbi 2 milion euro, dy fusha të tenisit, me vlerë mbi 70.000.00 dhe investimet në Palestrën “Petrit Selishta”, me vlerë mbi 400.000 euro.

Edhe kryetari Haziri, tha se stadiumi i qytetit është prioritet i lartë i Komunës dhe se ky konfirmim i kontribuon standardizimit të plotë të sportit në gara ndërkombëtare.

Gjatë inspektimit në stadium i pranishëm ishte edhe sekretari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili mbështetjen e MKRS-së për stadiumin e qytetit të Gjilanit dhe në përgjithësi për projektet infrastrukturore në futboll i vlerësoi si të jashtëzakonshme, pasi që ua mundësojnë futbollistëve të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë garat vendore e ndërkombëtare. / KultPlus.com

Hazz & Bllind sjellin këngën “Latina”, pritet të jetë hiti i verës (VIDEO)

Janë dy artista të rijnë që menjëherë pas publikimit të këngës së parë në muajin shkurt kanë marrë vëmendje të madhe nga publiku, shkruan KultPlus.

Hazz & Bllind sapo kanë lansuar hitin veror të titulluar “Latina”. Nën ritme të mrekullueshme dhe me një videoklip shumë verorë të realizuar në Shqipëri, dy djemtë shkëlqejnë me performancën e tyre.

Kënga është incizuar në studio te Genc Prelvukaj, përderisa për tekstin dhe melodinë janë përkujdesur vetë artistët. “Latina” pritet të shndërrohet në një hit verorë.

Videoklipi është realizuar nga Blackfish entertaiment.

Hazz & Bllind nuk e kanë ndërmend të ndalen, ata tashmë kanë gati edhe këngën e dytë e cila pritet të publikohet shumë shpejt.

Më poshtë ju ftojmë të shihni këtë projekt interesant:

Hapet hoteli i parë në botë i larë me flori 24 karatësh

Një hotel që pretendon se është i pari në botë i larë me flori, është hapur në kryeqytetin vietnamez, Hanoi.

Gjithçka, që nga tualetet e deri te vaskat, nga lugët e pirunët e deri tek dushet, në hotelin “Dolce Hanoi Golden Lake”, është e larë me flori 24 karatësh. Ka madje edhe një pishinë të larë në flori që ofron një fushëpamje nga qyteti. Por, siç transmetojnë mediet e huaja, mysafirët duhet të nxjerrin nga xhepat 250 ose më shumë dollarë për një nga 260 dhomat në hotelin me 25 kate në Hanoi, ku edhe vaktet mund të jenë të përziera me pluhur ari.

“Hoteli ka në shënjestër këdo, që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek super të pasurit, që mund ta vizitojnë atë dhe të reklamojnë pushimin e tyre atje në të gjithë botën”, thanë drejtuesit e tij.

“Kur hyra në këtë hotel të larë në flori, m’u duk sikur statusi im u rrit papritur dhe me të vërtetë shijova atmosferën luksoze dhe elegante këtu”, thotë një prej vizitorëve.

Për ndërtimin e hotelit janë dashur afërsisht 200 milionë dollarë, thonë pronarët, duke shpjeguar se ata kishin përdorur një fabrikë vietnameze për të prodhuar sendet e lara me flori duke reduktuar në mënyrë domethënëse kostot.

“Me siguri, duke filluar nga viti i ardhshëm, ne do të fillojmë të bëjmë para”, thonë ata. / KultPlus.com

Studio dhe punësohu përmes bursave për studime duale

Kolegji Universum ka lansuar programin Studime & Punësim. Studim & Punësim është program i cili kombinon studimet akademike me aftësimin profesional ose përvojën praktike në Kolegjin Universum dhe mundëson kyçjen më të lehtë në tregun e punës.

Kolegji Universum me këtë program i’u ofron studentëve financim të plotë të studimeve, praktikë gjatë tri viteve si dhe punësim të garantuar në të gjitha drejtimet në Kolegjin Universum.

Në këtë program Kolegji Universum financon edukimin e 20 të rinjve në Kolegjin Universum. Këta përfitues të bursave nënshkruajnë kontrata me Kolegjin Universum e cila mundëson studentët të punojnë 20 orë në javë në Kolegjin Universum gjatë gjithë studimeve në Kolegjin Universum.

Pas përfundimit të studimeve, studentët me performancë më të mirë nënshkruajnë kontratë të rregullt të punësimit me Kolegjin Universum.

Linku për aplikim https://forms.gle/xZNipiBLdEUEHfoS9

Afati i fundit për aplikim 31 Korrik 2020, ndërsa testi vlerësues do të mbahet me 10 Gusht. 

Për studentët e përzgjedhur pas fazës së testimeve, studimet në Kolegjin Universum financohen 100% nga Kolegji Universum dhe vlen për 3 vite studime. Ky financim dhe puna praktike vlen për të gjitha drejtimet në Kolegjin Universum.

Për më shumë info për pozitat e hapura dhe bursat kliko këtu https://www.universum-ks.org/studime-punesim/ ose kontakto [email protected] apo 044 144 062.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Nënës sime

Sot në 143 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur, Herman Hesse, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më prekëse të tij kushtuar nënës.

Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të XX-të. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.

Kaq shumë kisha për të të thënë
Po mbeta larg e larg mërguar
Në këto ditë, e dashur Nënë,
Më mirë ti më ke kuptuar.

Për ty dhuratën kam menduar
Edhe punuar gjat’ e gjatë,
Porse më mbet këtu, në duar.
Ti mbylle sytë këtë natë.

Por ndjej se, duke e lexuar,
Më zbutet dhimbje e kësaj zije.
Mirësia jote e patreguar
Më lidh me ty me mija fije.

Edhe çdo natë e njëjta ëndërr
Në ëndërr ti më rri kaq larg
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, vallë s’di
Tek unë si të vish?

E njëjta ëndërr net për net!
Si më rreh zemra, ta dish!
O Nënë, Nënë, përse nuk do
Këtu, tek unë, të vish?

Në fushat
Në qiell enden retë pafund,
Në fushat fryjnë e fryjnë thëllime,
Në fushat endet e endet gjithkund
Fëmia i humbur i nënës sime.

Në rrugë era fryn gjethet e thata,
Në pemë zogu klith me vajtim,
Atje, matanë malesh të larta,
Ndodhet, diku, atdheu im. / KultPlus.com

Aziz Mustafa boton romanin e parë

Specialisti i otorinolaringologjisë, Aziz Mustafa, pas disa librave me poezi dhe tregime botuar vite më parë, këto ditë ka botuar romanin e parë “Mos e harro Japoninë, Suzanë”.

Kjo prozë, ka veçuar botuesi, është nisur në Japoni, në kullën a kështjellën Aizuvashamatzu, kurse është bitisur në kohën e pandemisë Covid-19, në banesën e autorit përballë Teatrit të Qytetit në Gjilan.

“Të priturat dhe të papriturat e saj vlojnë nga dramat dhe nga tragjeditë e personazheve të cilët, me kujtimet që kanë shkruar në ditar ndër vite, të rrëqethin me natyrshmërinë dhe me befasitë e situatave nga jeta e tyre. Askush në këtë roman nuk është i sigurt për asgjë. Sot je, nesër nuk je. Vdekja shfaqet papritur, karshi saj edhe pikëllimi. Fatet e njerëzve të rinj e të vjetër parakalojnë para nesh sikurse gardat e nderit të ushtrive në ditë nderimi dhe ditë festimi, të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje”, ka shkruar për librin shtëpia botuese “Armagedoni”.

Ndërkaq recensenti i librit, kritiku Imer Topanica, ka shprehur mendimin se, “Aziz Mustafa, me profesion të parë mjek, por me dell të veçantë poeti e prozatori, nuk i është paraqitur lexuesit shqiptar sa kanë vlerë veprat e tij në këto dy gjini. Njohuritë i tij për shkenca dhe për arte janë të pafundme dhe janë të paraqitura edhe në këtë vepër në mënyrë mjaft artistike. Duke kombinuar shkencën me artin, proza e tij, ashtu si një lloj parfumi i veçantë brenda romanit që personazhet i tërheq për hunde, na tërheq për hunde edhe neve dhe e bëjnë një prozë të këndshme dhe të lehtë për lexim. Prandaj, shpresoj shumë se me këtë prozë dhe me këtë botues emri i tij dhe vepra e tij do ta zënë vendin që e meritojnë në letërsinë shqipe”.

Librin nga e premtja e gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë, gjatë javës së ardhshme edhe në qytetin e Gjilanit, të Ferizajt, të Prizrenit, të Pejës, të Gjakovës, të Mitrovicës etj.

Shënime për autorin

Aziz Mustafa (1967) është nga Malisheva e Gjilanit. Është specialist i otorinolaringologjisë dhe shkrimtar. Nga fusha e gjerë e shkencës së mjekësisë e nga fusha e ngushtë e lëmit të otorinolaringologjisë ka publikuar dhjetëra punime në revista shkencore botërore. Ka botuar tre libra me poezi dhe një libër me tregime. / KultPlus.com

Mikullovci, njëri nga protagonistët kryesor të 2 Korrikut: Deklarata ishte dhe mbetet gurëthemel i shtetësisë së Kosovës

Më 2 korrik 1990, duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave.

Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Në këtë 30 vjetor të deklaratës së 2 Korrikut, ka reaguar edhe njëri ndër protagonistët e atëhershëm, Adem Mikullovci, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka falenderuar të gjithë ata që sot e kanë përkujtuar këtë ditë të madhe për historinë e Kosovës.

‘Në emër të të gjithë Deputetëve të 2 Korrikut dhe Deklaratës Kushtetuese-falënderoj gjithë qytetarët që po e përkujtojnë dhe po e festojnë këtë vendim legjitim të kuvendit.
Deklarata ishte, është dhe mbetet gurëthemel i SHTETËSISË së KOSOVËS.
2 Korrik 2020′, ka shkruar Mikullovci në Facebook.
/ KultPlus.com

Filatelia e Kosovës lëshon në qarkullim pullat postare “30 Vjetori i Deklaratës Kushtetuese”

Me rastin e shënimit të 30 Vjetorit të Deklaratës Kushtetuese, Filatelia e Kosovës nga sot emeton emisionin e ri të pullës postare titulluar: “30 Vjetori i Deklaratës Kushtetuese”, përcjellë KultPlus.

“Përmes kësaj pulle postare, nderojmë guximin e delegateve të Kuvendit të Kosovës, të cilët në kushte jashtëzakonisht të vështira okupimi, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të ish federatës jugosllave”, thuhet në njoftim.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, pas dy muaj më, 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Pas këtij akti, populli ynë vazhdoi përpjekjet për liri e pavarësi përmes politikës paqësore, ndërsa çlirimi i Kosovës u arrit më 12 qershor 1999 falë sakrificës së popullit me luftë çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja dhe të mbështetur nga NATO-ja. Nga 17 shkurti 2008 kemi shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht nga më se 116 shtete. / KultPlus.com

Shkrimtarja shqiptare në mesin e 5 grave fituese nga e gjithë bota për çmimin e ekselencës në Itali

Një nga 5 fitueset e Çmimit “Eccellenza Donna International” për vitin 2020 është shpallur shkrimtarja shqiptare, presidente e Qendrës Pen për Shqipërinë, Entela Kasi.

Ky çmim i është dhënë nga Komuna e Aulla-s, në Toskanë, 5 grave nga e gjithë bota për kontributin e tyre në fushën e letërsisë dhe arteve. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve së “Ekselencës në Itali dhe botë” do të mbahet në muajin nëntor në Komunën e Aulla-s.

“Për këto gra – thotë Marina Pratici – të cilat sjellin përsosmërinë e tyre në Itali dhe në botë, shkojnë urimet tona më të ngrohta”. / KultPlus.com

Nisin përgatitjet për Festivalin e 59-të të Këngës në RTSH

Përmes një deklarate zyrtare të publikuar në faqen e Radio Televizionit Shqiptar, u njoftua se më 1 korrik kanë nisur përgatitjet për Festivalin e 59 të Këngës në RTSH.

“Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet. Nëndrejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi sot takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues. Në takim u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, pritet që në muajin shtator krijuesit të paraqesin këngët konkurrente për edicionin e 59. Ndërkohë përsa i përket fitueses së edicionit të kaluar, Arilena Arës, nuk ka një vendim, por për sa kohë do të zhvillohet Festivali i Këngës, gjasat janë që të vazhdojë tradita e viteve të kaluara, ku në Eurovision shkon këngëtari/ja ose grupi i fundit që shpallet fitues i Festivalit të Këngës. Kujtojmë gjithashtu që në një intervistë në Report Tv në maj, përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision, Kleart Duraj u shpreh:

“Duke qenë se siç ju thashë anulimi i Eurovizionit ndodhi në një periudhë pas takimit të kryetarëve të delegacioneve, si të thuash pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm për zhvillimin e festivalit europian të këngës, sigurisht që EBU (Europian Broadcasting Union) dhe Universal Music, që merren me të drejtat e këngëve, i konsideroi këto këngë që do ta shfrytëzonin veten e tyre, do të shfrytëzoheshin nga mediat”, ishin fjalët e tij.

Në vijim të bisedës, Duraj tregoi se “rrjedhimisht këngët nuk mund të marrin pjesë për vitin tjetër”. / KultPlus.com

Osmani ndan mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës së 2 Korrikut

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e shënimit të këtij përvjetori historik për Kosovën, ka ndarë mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990.

Me këtë rast, Osmani është shprehur se 2 korriku, shënoi themelet e shtetësisë.

Ky është postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sot prita dhe ndava mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990. Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe qe akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti. Prandaj, ua shpreha mirënjohjen më të thellë timen dhe të Kuvendit të Kosovës për aktin sa heroik, aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari, z. Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe në veçanti atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh.
Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë.
Ne ju përkulemi sot sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve ’80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik.
Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si Kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t’i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese. E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam.

Urime 2 korriku, që shënoi themelet e shtetësisë! / KultPlus.com

59 vjet nga vdekja e Hemingway, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore

Ernest Hemingway ishte një novelist amerikan, shkrimtar i historive të shkurtëra dhe gazetar. I përket shkrimtarëve të periudhës klasike të letërsisë amerikane. Ernest Hemingëay në profilin e tij shkrimtaresk përfaqëson në menyrë të shkëlqyer realizmin letrar në Amerikë.

Hemingway la vulën e tij në historinë e letërsisë botërore, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në botën e letërsisë, shkruan KultPlus.

I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Hemingway vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plotë jetë. Personazhet kryesore të Heminguejit janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore.

Ky shkrimtar kolosal amerikan është lauruar me shpërblime prestigjioze letrare, madje në vitin 1953 ky shkrimtar merr Çmimin Nobel me ” Plaku dhe deti ” u vetëvra me 2 korrik te vitit 1961 vetem tre jave para 62-vjetorit te lindjes se tij. Në gjuhën shqipe janë përkthyer një varg romanesh, e vëllimesh me prozë tregimtare të këtij shkrimtari. Vlen të përmenden shqipërimet kolosale të Ismail Kadarese, Vedat Kokonës.

Ndër veprat më të njohura të shkrimtarit janë: ”Plaku dhe deti”, ”Dëborërat e Kilimanxharos”, ”Për kë bien këmbanat”, ”Të kesh e të mos kesh”.

Në vijim, KultPlus ju sjell disa thënie të njohura nga veprat e Hemingway:

“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.

“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.

“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.

“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.

“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”

“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.

“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.

“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për të ikur kurrë nga ty”.

“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.

“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”./ KultPlus.com

Gruaja e Adem Jasharit e cila në kohë lufte barte municione dhe luftonte

Për figurën e Adem Jasharit kemi dëgjuar shumë, ai ka qenë dhe vazhdon të mbetet heroi i luftës së fundit në Kosovë, mirëpo pak kanë dëgjuar për gruan e tij, Adilen, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e njohin Adem Jasharin, por askush nuk e njeh gruan e tij, Adilen, e cila në kohën kur po luftonte Ademi, ajo barte municion dhe luftonte gjithashtu. – Ana Di Lellio(sociologe italiane)

Adile Jashari lindi më 10 maj të vitit 1957, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Shkollën tetëvejeçare, Adilja e kreu në fshatin e lindjes, në Akrashticë. Rreth moshës 20-vjeçare martohet me Adem Shaban Jasharin e Prekazit.

Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me familjarët, kur papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adilja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës.

Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar, ku ndihmonte dhe i furnizonte me municion luftëtarët e familjes. / KultPlus.com

Fatlum Hajredini nga Kosova, merr ftesë për takimin e Laureatëve të Nobel-it në Gjermani

Fatlum Hajredini, një kandidat për doktoraturë në Qendrën e Diplomuar, CUNY, dhe në Divizionin e Shkencave të The City College of New York, është një prej më shumë se 600 shkencëtarëve të gjeneratës së ardhshme yjore të përzgjedhur globalisht për Takimin e 70-të të Laureatit të Lindau në Gjermani, njofton KultPlus.

Por bashkimi unik midis disa prej mendjeve më premtuese shkencore në botë dhe deri në 70 laureatë të Nobelit në shkencat natyrore të planifikuar për 28 qershor – 3 korrik, tani është shtyrë në 2021 për shkak të pandemisë COVID-19. Data e re për atë që organizatorët e përcaktojnë një “shkëmbim ndër-gjenerues dhe ndërdisiplinor” është 27 qershor – 2 korrik.

Hajredini, bio-kimist, fitoi biletën e tij për në Lindau pas një procesi shumë konkurrues të përzgjedhjes në dy nivele. Ai doli në krye të klasës midis bashkëmoshatarëve të tij të emëruar nga Divizioni i Shkencave i City College dhe më pas paraqiti një paketë të suksesshme aplikimi për organizatorët e Takimit Lindau. Paketa përfshinte një ese, CV-në e tij, detaje të hulumtimit të tij dhe të dhëna për botimet e tij.

Një qytetar nga Kosova që erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2012, hulumtimi ndërdisiplinor i Hajredinit në Qendrën e Kolegjit të Qytetit për Zbulimin dhe Inovacionin (CDI) është në ndërfaqen e fizikës, kimisë dhe biologjisë. Ai do të diskutojë kërkimet e tij me bashkatdhetarët dhe laureatët e Nobelit në Lindau vitin e ardhshëm.

“Punët e mia përqendrohen rreth të kuptuarit se si një klasë e proteinave, e njohur si proteina kinazë, kryejnë funksionin e tyre në nivelin atomik,” tha Hajredini. “Kinazat e proteinave luajnë role kryesore në funksionet e duhura qelizore dhe mosfunksionimi i këtyre proteinave shoqërohet zakonisht me shfaqjen e disa prej sëmundjeve më shkatërruese. Kështu, të kuptuarit se si këto proteina kryejnë funksionet e tyre është thelbësore për zhvillimin e strategjive për trajtimin e këtyre sëmundjeve. /cunny.edu/ KultPlus.com

https://www1.cuny.edu/mu/forum/2020/03/26/ccny-phd-candidate-fatlum-hajredini-earns-lindau-nobel-laureate-invitation/?fbclid=IwAR0hWEGgAO0n6pqpdCOGJLyxS8Pq7oD3UP92mKeyTDHVmmrFw_nKCvgeV88

30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot eksodin historik të shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist.

Në videon e publikuar nga Kryeministri Rama, shfaqen pamjet e shqiptarëve 30 vjet më parë duke hyrë në ambasadat e huaja dhe në anijet që u nisën drejt Barit, Itali.

“Mirëmëngjes, 30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë”, thekson Rama.

30 vjet më parë, 2 korrik 1990 mijëra vetë hyjnë në ambasadat e huaja në Tiranë, duke shënuar fillimin e ndryshimit politik në Shqipërinë komuniste. Ai që u quajt si eksodi i madh i shqiptarëve i dha goditjen e fundit regjimit komunist duke u hapur mijëra vetëve portën e lirisë./atsh/ KultPlus.com

“Për kopenë dhe kasapin që kremtohet”

Nga Jusuf Buxhovi

Kur nxora atë oshëtimen se deshtakët si unë i kanë fat jeniçerët dhe po i jepesha ndjenjës së zhberjes si shpëtim, ishte zëri i Baba Talit që sikur përpak më ndali nga ai shkallmim shpirti. Siç më kishte thënë para katërdhjetë ditësh kur buzë detit ishim ndarë me premtimin ngushëllues se ishim të pandashëm, ngaqë na bashkonte forca e shpirtit të lirë dhe ajo e mendimit ndryshe që mbante Urdhrin tonë dhe do ta mbante pa marrë parasysh masakrat që e prisnin, tash po më thoshte se në kasabën tonë të mjerë, kasapit nuk mund t’i ikja, ngaqë ata ishin arma e fundit e tiranisë. Por, duhej që thikën e tyre të mos e puthja, siç ndodhë me kopenë që pret në radhë para tyre dhe falendërohen që po u ndihmohet për t’u larguar sa më parë nga bota e mekateve për tek amshimi…
Në atë pahintikë sikur nxora fjalët dëshpëruese se ç’fuqi ka viktima e shkretë para kasapit?… Çfarë mund t’i thuhet atij që vrasjen e merr si pastrim nga mëkati?…
“Thuaj nuk jam pjesë e kopesë, por shpirt i lirë…”
“Mund ta ndryshojë kjo fatin tim të mjerë kur më pret gropa e coftimave ku përfundojnë ata që therën?…”
Një copë herë ia përsërita vetit ato fjalë. Dhe, kur mendova se ishte dëshpërimi im, që po më rrokulliste kah fundi i pashmangshëm, prapë m’u bë se Baba Tali po më thoshte se kundërshtimi i rendit të kopesë, nuk më shpëtonte nga thika që më priste, por do ta ndryshonte gjendjen time,ngaqë gjaku im, nga frika se mund t’i infektonte me mikrobin e shpirtit të lirë, nuk do të derdhej në ata kazanat që pastaj u shërbejnë atyre çorbave ku pihen nga tiranët për kuvet, por do të varrosesha shtatë pash thellë…
“Herezinë duhet ta mbajë toka të mbyllur përgjithmonë… Ndërsa mbi atë varr, nga frika se kryeneqësia dhe liria janë të pandalshme, ata do të ngrisin lapidar për lavdinë e tyre të përgjakshme…”

(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, 2013). / KultPlus.com