Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa të reja si preventivë në luftimin e coronavirusit.
Telegrafi merr vesh se së shpejti pritet që Qeveria të merr vendime të reja sa i përket kufizimeve, por edhe lirimit të disa masave që prekin fusha të ndryshme.
Njëra nga to është vendosja për hapjen e kopshteve, dhe orari pritet të zgjatet në gastronomi nga 21:00 sa ishte deri më tani e deri në ora 22:30
Telegrafi mëson se do të ketë edhe vendime tjera që priten të publikohen së shpejti, që do të prekin edhe vendime të tjera.
Disa nga vendimet do të hyjnë në fuqi nga nesër, disa të tjera pas dy ditësh. /Telegrafi /KultPlus.com
Dizajnuesi i famshëm japonez i modës, Kansai Yamamoto, një nga pionierët e modës së ashtuquajtur Sol Levante dhe artisti i parë japonez që prezantoi një koleksion personal në Londër, në vitin 1971, kur ishte vetëm 27 vjeç, vdiq sot në moshën 76-vjeçare.
I njohur për një stil të guximshëm, Yamamoto u frymëzua nga artet tradicionale japoneze të Kabukit dhe u admirua veçanërisht nga brezat e rinj.
Pasi punoi me bashkatdhetarin e tij Junko Koshino, gjatë punës së tij midis Parisit dhe Nju Jorkut, projektuesi japonez kishte zhvilluar lidhje të ngushta me muzikantë si David Bowie, John Lennon dhe Stevie Wonder.
Një nga veprat më ikonike të Yamamoto ishte bashkëpunimi me Dukën e Bardhë për krijimin e personazhit Ziggy Stardust, i frymëzuar nga një legjendë japoneze që përshkruante marrëdhëniet midis një hyjnie dhe një lepuri të bardhë.
Yamamoto vuante nga leukemia dhe ishte në trajtim që nga fillimi i këtij viti në një spital të Tokios. /KultPlus.com
Shtëpia e Homerit shqiptar, At Gjergj Fishta është drejt përfundimit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha sot se punimet e nisura në 17 qershor të këtij viti janë drejt përfundimit.
Ishte 23 tetor i vitit 2019, kur në ditën e lindjes së poetit tonë të madh, Homerit shqiptar, At Gjergj Fishta, u premtua se do të restauronim shtëpinë, ku ai jetoi për pak kohë, në Fishtë.
Margariti shton se “punimet restauruese po i përmbahen konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati”.
“Por ky është vetëm një stacion i jetës së Fishtës. Do të vijojmë punën me të tjera objekte e pika ndalese, që përbëjnë atë që ne e kemi quajtur “Itinerari Fishtian”, një rrugëtim fizik dhe shpirtëror në jetën e një prej njerëzve më të mëdhenj të letrave shqipe”, shprehet ajo. /Atsh /KultPlus.com
‘Farmer’s Blues’ filmi i metrazhit të shkurtë me regji të Ibër Dearit, ka dalë të jetë filmi më i mirë i festivalit në Maqedoni, në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtë, përkatësisht në festivalin ‘Beach Film Festival Ohrid’, shkruan KultPlus.
Ky film poashtu ka pas premierën në këtë festival, dhe fillimi i këtij prezantimi është kurorëzuar me sukses.
Vetë Ibër Deari ka njoftuar për këtë çmim, duke falënderuar njëkohësisht ekipin e filmi. Me rolet e tyre në këtë film luajnë aktorët: Afrim Muçaj dhe Enis Abazi./KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Dua Lipa po vazhdon me suksese. Së shpejti ajo ka paralajmëruar lansimin e një kënge bashkë me Madonën dhe rep këngëtaren e njohur, Missy Eliottin, shkruan KultPlus.
Ky padyshim do të jetë një sukses i madh nga ajo. Në Facebook ajo ka shkruar se ëndrra po i bëhet realitet, bashkëpunimi me këngëtaret që i kishte idolë.
14 gushti do të jetë data e lansimit të këtij projekti.
Së fundmi Dua doli në përkrahje të Kosovës pas largimit teksa nuk ngurroi të tregojë me krenari prejardhjen e saj para botës. /KultPlus.com
Gjiganti i filmave “streaming”, Netflix, sapo ka anuluar një serial të ri, që do të xhirohej në Turqi. Shkak për këtë vendim drastik, u bë roli i një homoseksuali dhe kjo, nuk do të shmangej as me ndryshimin e skenarit.
Netflix ka anuluar serialin “Nëse vetëm” – “If Only” (“Şimdiki Aklım Olsaydı”) veç një natë para fillimit të xhirimeve. Platforma e filmave “streaming” nuk ia doli, megjithë negociatat për të marrë lejen për fillimin e xhirimeve, nga RTÜK – Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Turqisë. Veçanërisht prodhuesit e filmave të huaj në Turqi, si Netflix, duhet të paraqesin skenaret e filmave të planifikuar pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për të marrë lejen, që ka nën kompetencë punën e RTÜK. Edhe kineastët vendas, shpesh janë nën mbikëqyrjen e shtetit.
Autorja e skenarit, Ece Yorenc, u shpreh për portalin turk të kinemasë, “Altyazi Fasikul”, se “leja e xhirimit për serinë nuk u mundësua, pasi filmi përmban një protagonist homoseksual.” Ajo shtoi, se filmi nuk përmban asnjë lloj episodi ku nënkuptohet marrëdhënie intime mes homoseksualëve apo diçka e ngjashme. Më herët, në mediet turke ka pasur informacione të pasakta, që tregonin variantin e kundërt – sipas Yorenc – e cila shtoi se, ky akt censure është “shumë shqetësues për Turqinë, në kontekstin e asaj që na pret.”
Vendimi pesëmilionë dollarësh
Sipas Netflix pjesa me protagonistin homoseksual, Osman, ishte një rol dytësor në serialin “If Only”. Subjekti i serialit ishte përvoja e një nëne të martuar e jo të lumtur, Reyhanit. Seriali do të ishte gati në vitin 2021, por tanimë ajo u anulua plotësisht. Skenaristja Yorenc, me gjasë kishte ofruar ndryshime në minutën e fundit, për të marrë parasysh edhe standardet e RTÜK-së, raporton plataforma “Altyazi Fasikul”. Por, sipas revistës amerikane, “Variety Magazine”, Netflix kishte preferuar anulimin e të gjithë prodhimit. Megjithatë, Netflix është shprehur se pagesat e premtuara për ekipin e serialit “If Only”, do të kryhen plotësisht. Pas anulimit të serialit, Netflix humbet 5 milionë dollarë. Por, firma ka theksuar, se “ndjen detyrim të thellë, për abonentët në Turqi dhe komunitetin krijues atje.”
Sipas Yorenc, Netflix e mori këtë vendim të vështirë në minutën e fundit, parimisht, sepse refuzon të pranojë ndryshime skenari nga qeveria. Mahir Ünal, ministri turk për Kulturën dhe Turizmin, shkroi më vonë në Twitter, se ai beson fort se, Netflix do të tregojë “më shumë sensibiliet për kulturën dhe artin turk, në emër të një bashkëpunimi të ngushtë (me Turqinë).”
Turqia: Mes lirisë dhe autoritarizmit
Kultura turke e përmendur nga Mahir Ünal, duket se nuk është aq në kundërshtim me vetë Netflix, por me historinë e saj: Nën performuesit dhe njerëzit më të njohur në historinë moderne turke, bëjnë pjesë një transseksual (Bülent Ersoy), një Drag Queen (Huysuz Virjin) dhe një homoseksual (Zeki Müren) – të gjithë kanë arritur suksesin në shoubiznes, para se të përmendeshin nocione si: martesa mes homoseksualëve, apo masa të tjera mbrojtëse për komunitetin LGBTQ.
Që nga themelimi i Turqisë moderne, në vitin 1923, nga Mustafa Kemal Atatürk, nuk ka pasur ligje kundër homoseksualitetit. Në vitin 1934 u përfshi e drejta e votimit për gratë, para shumë vendeve të tjera, mes tyre edhe disa vende perëndimore. Por, megjithë këtë qëndrim të moderuar në dukje, në vendin me shumicë myslimane, Turqia po haset me një luftë kulturore, ku orientimi seksual është një nga temat që e përçajnë shoqërinë. Prej pesë vitesh, në Stamboll janë ndalur aktivitetet e ditës së njohur si “Christopher Street Day”. Policia ndërhyn brutalisht, ndaj atyre që i shkelin këto ndalime.
Diplomacia e tipit Netflix
Ndërkohë, duket se Netflix mban distancë nga konfrontimet me qeveritë e huaja. Në vitin 2019 u ndalua seriali-komedi “Akt patriotik me Hasan Mihaj” nga oferta e Netflix në Arabinë Saudite, pasi autoritetet arabe të mbikëqyrjes së telekomunikimit kishin thënë se, kjo shkel ligjin kundër kriminalitetit kibernetik. Episodi, në të vërtetë paraqiste në mënyrë satirike princin trashëgimtar saudit, Mohamed bin Salman, për bashkëpërfshirjen e tij, të dyshuar në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashogi.
Organizatat si “Amnesty International” e kritikojnë mënyrën e veprimit të Netflix, si edhe faktin që firma ende qëndron në tregun saudit. Kurse në Turqi, Netflix është aktiv që në vitin 2016 dhe ka 1,5 milionë abonentë. Megjithatë, entuziazmi për serialet që mbajnë emrin Netflix, nuk është shumë i madh. Por kjo është e qartë: Netflix, nuk mund t’i konkurrojë serialet e televizioneve turke. Shumica e popullsisë turke, ende ka televizionin burim kryesor informacioni. /Konica.al /KultPlus.com
Nga: Petro Marko (Marrë nga libri, “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët)
Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa. Fola: “Es que vous parles français?”
Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë!” I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë.
Prandaj, u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin!”
Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.”
Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak… Togeri që përkthente quhej Tenente Kok. Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit.
Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, qëkur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.
Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:
– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. – …(Fliste Koliqi.) – Quhet Petro Marko… – … (Fliste Koliqi.) M’u drejtua mua: – Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”…
Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”… – …
(Fliste Koliqi.) – Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.
Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt: – Falëndero Gëten dhe Shilerin. Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek. Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit.
Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.
Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.
Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”.
Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë.” /KultPlus.com
Pas tubimit madhështor të pajtimit të gjaqeve, dy muaj më vonë në Samadraxhë të Suharekës u mbajt një tubim tjetër po aq popullor organizuar nga Motrat Qiriazi me një qëllim të lartë kombëtar ruajtjen e shkronjave të dijes e diturisë, çrrënjosjen e analfabetizmit, plagë e trashëguar nga sistemi shovenist sidomos pas demostratave të vitit ’81 kur me dhunë nxirreshin e troturoheshin nxënës e arsimtarë.
Mehmet Gjevori, duke e përshëndetur masën që ishin mbledhur nga gjitha anët e Kosovës tha: “Jemi mbledhur sot këtu, burra, gra, pleqë e të rinjë për një qëllim madhor që pas pajtimit të gjaqeve ta shërojmë edhe një plagë tjetër, analfabetizmin, të mos lejojmë që rinia jonë të zhytet në pellgun e padijes. Duhet ti shpallim luftë kësaj të keqeje që po i përhap rrënjët në shtresat e gjëra të popullit tonë. Prandaj para kësaj gjendjeje trishtuese ne nuk bën të qëndrojmë duarkryq e symbyllur por duke mos humbur kohë me fuqi të bashkuara të bëhemi levë e fuqishme në këtë aksion të madh.”
Nuredin Loxha vazhdon: “Do ti rrokim lapsat e penat, librat e fletoret që ti tregojmë pushtuesit se kurrë s’do ti lejmë fëmijët pa shkollë, se vetëm si popull i arsimuar mund ta lartësojmë vetvetën dhe ta nderojmë Kosovën. Sot do të zotohemi që shtëpitë ti shëndrrojmë në shkolla, sepse mësuesit e arsimtarët kanë premtuar që do të punojnë vullnetarisht.”
Veteranja e arsimit Nadire Dida e mori fjalën: “Ju drejtohem juve mësues e arsimtarë që ta nisim aksionin në fshatra e qytete, të vizitojmë çdo shkollë e çdo shtëpi, çdo fabrikë e kombinat t’i shëndrrojmë në vatra arsimi ku do të krijohen dhe edukohen kuadro të mësuara dhe ku do të emancipohen edhe vajzat tona pa të cilat nuk mund të ecim përpara në rrugën që dëshirojmë. Nuk duam armë e dhunë, duam shkronja e dituri.”
Folën edhe Tahir Berisha, Sanije Gashi, Safete Rogova dhe shumë mësues e arsimtarë.
Pas kuvendit musafirët u ftuan nëpër shtëpitë e vendasve ku shtruan sofrat me bukë e kripë e zemër e muhabete të paskajshme. Organizator ishte Qazim Voca, drejtor i shkollës, bashkë me të rinjët e Samadraxhës.
Pastaj jehoi një këngë e re, kënga e dijës dhe e diturisë. /KultPlus.com
Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratiek. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.
Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.
Nga jeta
Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.
Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.
Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.
Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.
Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.
Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.
Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..
Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.
Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.
Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.
Veprat
Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.
Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).
Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.
Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.
Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.
Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.
Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.
“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).
Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.
Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.
Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.
Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).
Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).
Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).
Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.
Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.
Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.
Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.
Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.
Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).
Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.
Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.
Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.
Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.
Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.
Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.
Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com
Fotografi i mirënjohur Arton Humolli është shpallur fitues i edicionit të 39-të të konkursit më të madh të fotografisë në botë “Le plus Grand Concours Photo du Monde” në kategorinë “Beauty”, shkruan KultPlus.
Njoftimi i tij në rrjetin social Facebook:
Me kenaqesi ju njoftoj se jam fitues i edicionit te 39-te te konkursit me te madh te fotografise ne bote – “Le plus Grand Concours Photo du Monde” (kategoria “Beauty”). Konkursi organizohet nga revista prestigjioze PHOTO me seli ne Paris – France.
Me kete rast dua t’i falenderoj te gjithe pjesemarresit ne realizimin e fotografise fituese “Mystic eyes” duke fillu nga modelja Gresa Hoti, stilisten Njomeza Luci si dhe grimeren e frizerin Sellma dhe Kaci. Njekohesisht dua t’i falenderoj te gjjthe ata qe i besuan dhe vazhdojne ti besojne punes time tash e 15 vite.
Info shtese: Rrevista PHOTO funksionon prej vitit 1967 dhe nga shumekush llogaritet si revista me prestIgjioze sa i perket artit te fotografise. Ne ballina te saj ka pasur personalitete te medha boterore si Barack Obama, Marylin Monroe, Michael Jackson, Rihanna, David Bowie, etj.
P.s. Numri 544 i revistes eshte planifiku te dal ne treg ne muajin Janar-Shkurt por per shkak te pandemise eshte shty per muajin Korrik. /KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz kanë bërë lansimin e “Ueb-faqes së Turizmit për Komunën e Prizrenit”, shkruan KultPlus. : https://visit-prizren.com/.
Në këtë ueb faqe mund të gjenden videot përshkruese të qytetit, informatat e hollësishme rreth arritjes në Prizren, broshura informuese, harta të monumenteve kulturore e historike, evente, destinacione dhe oferta turistike, e shumë fusha të tjera që lidhen me zhvillimin e turizmit.
Në një fjalë rasti kryetari Haskuka deklaroi se turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19, por theksoi se kjo periudhë e krizës mund të shfrytëzohet për t’i adresuar nevojat e këtij sektori.
“Sipas analizës që është bërë në kuadër të strategjisë së turizmit në Komunën e Prizrenit, një nga nevojat e sektorit të turizmit ishte qasja në informata, e cila do të plotësohet nga kjo ueb-faqe. Gjatë kohës së pandemisë turizmi i brendshëm po e merr primatin, për këtë arsye ne shpresojmë që kjo ueb-faqe po ashtu do të ndikojë në ngritjen e vizitave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga vendet e rajonit”.
Duke theksuar se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në fushën e turizmit, Haskuka shtoi se puna e Komunës së Prizrenit në këtë sektor nuk do të ndalet, ngase në periudhë afatgjate turizmi është një ndër sektorët e ekonomisë që krijon më së shumti vende të reja pune. /KultPlus.com
Kolegji Universum mbetet lider i mundësive reale ndërkombëtare për studentë dhe staff për shkëmbim semestral. Enis Mustafa, student master në Kolegjin Universum është një ndër 257 studentët përfitues të bursës Erasmus i cili ka përfituar shkëmbim semestral me bursë të plotë në “Politechnika Warszawska University” në Poloni.
Sa i përket përvojës së tij në Poloni, Enisi thotë “Shkëmbimi semestral gjatë studimeve Master në Poloni, është përvoja më e mirë deri tani, e për këtë i jam pafundësisht falenderues Kolegjit Universum”.
Ndërsa për njerëzit në Poloni, Enisi thotë: Nëse e pyetni një shtetas të Polonisë se si po kalon gjatë ditës ata do ju përgjigjen shumë sinqerisht. Nuk do ju përgjigjen se janë mirë vetëm për hirë të mirësjelljes. Nëse është duke kaluar një ditë të bukur atëherë ashtu do të thotë, por përndryshe përgatituni ta dëgjoni duke folur për motin e keq, trafikun e tmerrshëm, politikanë të bezdisshëm dhe punë jo të kënaqshme“.
Gjatë qëndrimit atje, Enisi ka provuar lloje të ndryshme të ushqimeve, ja çfarë thotë për to: “Është e vështirë të konkurrosh me vendet e tjera evropiane si Italia ose Franca për titullin e kuzhinës si më të mirët në kontinent. Por shumicën e kohës, polakët janë të bindur se ushqimet i kanë të shijshme dhe se meritojnë të vlerësohen si një nga nga ushqimet më të mira.” thotë Enisi.
Sikurse çdo student tjetër i Kolegjit Universum edhe Enisi e shijoi pjesën e udhëtimit në Evropë. Përveç Polonisë Enisi ka udhëtuar edhe në vende të tjera si Hungaria dhe Austria.
Siç mund ta shihni, përfitimet e Erasmus janë të shumta. Ju garantoj se pas Erasmus ju do të keni mjaft histori për të treguar dhe shumë kujtime që do t’i mbani pranë zemrës suaj. Edhe pse mund të jeni të mërzitur kur kjo të marrë fund, do të kuptoni se sa me fat keni qenë për këtë mundësi. Apliko edhe ti, fillo studimet në Universum universum-ks.org/aplikimionline/Programi Master në Kolegjin Universum është i vetmi program i cili është ranguar si i 16’ti në Evropën Lindore dhe në Top 200 programet më të mira të kësaj fushe në botë nga agjencia prestigjioze franceze Eduniversal. Për më tepër këtë vit Kolegji Universum ka shtuar programe të reja për studime në programin master duke përfshi edhe diplomë të dyfishtë gjermane e cila siguron praktikë dhe punësim për studentë në Gjermani. Mëso më shumë https://www.universum-ks.org/studime-master/
Për më shumë info rreth programit master në Kolegjin Universum dhe mundësisë për shkëmbim semestral ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062. /KultPlus.com
Mihail Jur’eviç Lermontov ishte një poet, dramaturg dhe piktor rus.
Figurë që spikat në romanticizëm, konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XIX. Ushtarak në karrierë, gjatë jetës së tij të shkurtër publikoi vetëm një vëllim me poezi, vargje dhe kryeveprën në prozë “Një Hero i Kohës Sonë” (Geroj našego vremeni) (1840) ndërsa vepra e cila më shumë do të lartësohej në ‘800-ën, qe “Demoni”, e publikuar pas vdekjes.
Lermontov-i ishte nga një familje me prejardhje spanjolle (e natyralizuar skoceze) dhe mbeti jetim nga e ëma (Marija Michajlovna) në moshën tre vjeç, në 1817, dhe rritet nën kujdesin e gjyshes – nga e ëma – Elizaveta Alekseevna Arsen’eva në Tarhan ku kishte pronat e saj. I ati ishte i varfër, kurse e ëma rridhte nga një familje aristokrate ruse. Ata ishin martuar pa pëlqimin e prindërve të saj, kështu që midis dy familjeve vazhdoi një grindje dhe urrejtje kundrejt njëra – tjetrës. Këto grindje të njëpasnjëshme bën që Lermontovi të ishte që në fëmijëri i mbyllur në vetvete dhe nuk i pëlqente të shoqërohej me të tjerët. Gjyshja tregoi kujdes të madh për edukatën e të nipit. Që në vogëli i mësoi frëngjishten, gjermanishten dhe anglishten dhe i shtiu dashuri për muzikën e për vizatimin. Më 1818 udhëtoi në Kaukaz, në Pjatigorsk, ku u rikthye shpesh, në vitet 1820 dhe 1825.
Ende adoleshent jepet pas letërsisë duke lexuar i paepur Bajronin dhe nis të shkruaj poezitë e para vetëm pesëmbëdhjetë vjeç.Më 1827 Lermontov-i shkoi në Moskë dhe hyri në Kolegjin e Fisnikëve,që ishte një shkollë përgatitore pranë universitetit. Në krye të dy vjetëve hyri në universitet të cilin e lë më 1831 për shkak të vdekjes të së atit dhe dyshimeve të autoriteteve akademike pas një zënke me një profesor.
Kërkoi të hynte në universitetin e Pjetërburg-ut por nuk arriti. Atëhere u shtrëngua të hyntë në shkollën ushtarake për nëntoger. Në krye të dy vjetëve u emërua oficer në një regjiment të husarëvet. Në jetën e tij tani hyri një ambient i ri: jeta mondane. Tre vjet me rradhë kaloi në Pjetërburg me gëzime e dëfrime të çfrenuara e plot zhurmë. Po me gjithë këtë Lermontov-i nuk reshtte së shkruari. Të kësaj perjudhe janë poema Haxhi Abrek, drama ne vargje Maskarada si dhe një varjant i ri i poemës Demoni të cilën kish nisur ta shkruante qysh pesëmbëdhjetë vjeç dhe të cilën e përpunoi shtatë herë. Kjo kryevepër e letërsisë botërore u publikua një vit pas vdekjes së poetit,më 1842.
Kjo jetë mondane tërë zhurmë e dëfrime iu ndërpre nga një lajm i papritur: nga fundi i janarit të vitit 1837 u vra në duel Aleksandër Pushkini, i konsideruar si babai i romanticizmit rus dhe një nga frymëzuesit e Lermontov-it. I tronditur nga ky lajm, Lermontov-i shkruajti poemen Vdekja e Poetit. Vargjet e këtij “ligjërimi” kopjoheshin e shpërndaheshin fshehur dorë më dorë në tërë Pjetërburg-un; fryma e saj e egërsoi popullin, sidomos rininë. Emri i Lermontov-it,që nuk njihej si poet gjer atëherë, tani mori dhenë. Një shkrimtar i asaj kohe shkruan: “Vdekja e Pushkin-it i lajmëroi Rusisë lindjen e një poeti të ri, të Lermontov-it.
Rrethet mondane të oborrit dhe fisnikët rusë u zemëruan së tepërmi për të katërmbëdhjetë vargjet e fundit të poemes. Me titullin “Kushtrim për kryengritje” poemën ia dërguan Carit. Më 20 shkurt Lermontovin e arrestuan dhe një javë më vonë e dërguan për dënim në një regjiment në Kaukaz, ku bëhej luftë kundra malësorëve. Kaukazi me bukuritë natyrore dhe me zakonet e ndryshme dhe origjinale u bë për poetin një fymëzim i madh. Këtu ai u njoh me kritikun e madh, Bjelinski, dhe me poetin dekabrist, Odojevski me të cili lidhi një miqësi të ngushtë.
Nga që gjyshja e tij u interesua shumë, poetin e trasferuan që nga Kaukazi në Novgorod e që andej më 1838-ën iu fal çdo dënim dhe u kthye ne regjimentin e tij të parë,në Pjtërburg. Aty filluan përsëri paradat, ballot, audiencat e personave me pozitë. Shoqëria e priti në gjirin e saj si një poet me famë dhe disident. Por Lermontov-i nuk kënaqej aspak. Gëzimin e vetëm e ndjente duke shkruajtur, ose duke kuvenduar në rrethet letrare me shkrimtarë të shquar të kohës si Zhukovskin, Gogolin, etj.
Për vitin e ri 1840 u bë një ballo e madhe në “Shtëpinë e fisnikëve”. Nga kjo ballo u frymëzua për poezinë “Një janar” e cila kritikon aristokracinë, kështu që ia nisën përsëri ta urrenin poetin. Në shkurt të vitit 1840 Lermontov-i bëri një dyluftim me të birin e ambasodrit francez për shkaqe që nuk dihen. Shpëtoi nga vdekja por menjëherë e arrestuan. Për internim e dërguan përsëri në Kaukaz, ku mori pjesë në luftrat që zhvilloheshin atje dhe tregoi trimëri të madhe, sidomos te lumi Valerik ( për këtë betejë Lermontov-i shkruajti poemën Valerik më 1841 dërguar ne formë letrash të dashurës së tij, Lupohinës).
Në janar të vitit 1841 vajti në Pjetërburg për të dhënë dorëheqjen, por s’u pranua. Tre muaj kaloj me leje në kryeqytet – tre muajt më të bukut e më të lumtur të jetës së tij të shkurtër. Duke u kthyer për në Kaukaz kaloi në Pjatigorsk. Lermontovi-i, megjithatë, e dinte që urrehej nga pushteti, edhe pse ai fliste hapur dhe e tregonte me vendosmëri urrejtjen kundër shoqërisë së lartë dhe kundër Carit. Në Pjatigorsk takohet me shokun e tij të shkollës, majorin Nikollaj Matinov. Dhe qe po Martinov-i, për shkak të një fyerje të poetit ndaj tij, që e ftoi në duel dhe e vrau më 27 korrik, në malin Mashuk, në të njëjtin vend ku qe përshkruar dueli i librit Një Hero i Kohës sonë. /KultPlus.com
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) është renditur i dyti në nivel vendi edhe në përditësimin e fundit në ranglistën e institucioneve të arsimit të lartë në botë të publikuar nga Webometrics (Spanish National Research Council). Në mesin e 29 mijë universiteteve nga i gjithë globi, UMIB është renditur në vendin e 12970.
UMIB-i është pozicionuar në vendin e dytë pas Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në nivel vendi. Rektori, Alush Musaj, tha se ky është një lajm që tregon për punën e mirë që po bëhet në UMIB”.
Sipas tij, sukseset e UMIB-it vetëm sa po vijnë e shtohen dhe kjo si rrjedhojë e punës dhe angazhimit të madh. “Duke pasur parasysh rrethanat dhe sfidat me të cilat jemi përballur, ky rangim është një arritje që na gëzon dhe na motivon për të ecur tutje”, tha ai. /KultPlus.com
Edicioni 14 i Talenteve të Sarajevës konfirmon entuziazmin si dhe talentin e brezave të rijnë të prodhuesve të filmave nga Europa Juglindore dhe Kaukazi i Jugut. Në programin e këtij viti që do të zhvillohet nga 14 deri me 18 Gusht nën emrin “Fillimet e Reja” u zgjedhën 62 kandidat, shkruan KultPlus.
Këtë vit kandidatët vijnë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Festivali i Filmit të Sarajevës do të mbahet në një formë të modifikuar për shkak të pandemisë. Talentet e Sarajevës nuk do të zhvillohet si çdo herë në Sarajevë, por në mënyrë elektronike në internet.
Ky zhvillim rreth ndryshimit të formës së mbajtjes së këtij festivali, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, është bërë i ditur qysh në prill të këtij viti, në kohën kur dhe ishte hapur thirrja për aplikim në këtë program.
Sidoqoftë kjo nuk dekurajoi 305 regjisorë, skenaristë, producentë, aktorë, operatorë kamerash, redaktorë dhe kritikë të filmit për të aplikuar në “Fillimet e reja”, i cili në të njëjtën kohë u prezentua edhe si një forum për hulumtimin e efekteve pandemike në filmin si art dhe industri.
Këtë vit edicioni i Talenteve të Sarajevës do të përfshijë kandidatë nga 14 prej gjithsej 19 vendeve të Evropës Juglindore dhe Kaukazit Jugor. Më shumë se e treta e kandidatëve vijnë nga Greqia (16), Rumania (10) dhe Kroacia (8).
Programi i Talenteve të Sarajevës do të ketë strukturën e tetë moduleve: Samiti i Drejtorëve, Samiti i Prodhuesve, Studio e Aktrimit, Studio e Kamerave, Studio e Editimit, Pack & Pitch, Script Station, dhe Talent Press.
Që nga edicioni i parë me 2006, në bashkëpunim me Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “Talentet e Sarajevës” ka mbështetur zhvillimin e prodhuesve të rijnë të filmit duke i ndihmuar ata të krijojnë kontakte dhe të shkëmbejnë përvoja me profesionistë të njohur të filmit nga rajoni dhe bota. Talentet e Sarajevës është bërë qendra më e rëndësishme rajonale e filmit për profesionistët e rinj të filmit, përfshirë ata që do të udhëheqin një pjesë të konsiderueshme të ringjalljes së kinematografisë rajonale pas pandemisë. /KultPlus.com
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit fton qytetarët, studiuesit dhe të interesuarit të shohin dosjen e Vrionëve, përsekutuar nga Sigurimi i Shtetit.
Në kuadër të kurimit të së shkuarës AIDSSH hedh dritë mbi një nga familjet më të mëdha të vendi siç janë Vrionët.
“I lindur më 16 mars 1916, në familjen e mirënjohur beratase të Vrionëve, Jusufi u arsimua në Paris, pas emërimit të të atit diplomat. Në vitet 1920, Iliaz bej Vrioni u dekorua me Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit nga shteti francez. I shkolluar për drejtësi në Francë e Itali, intelektual i nivelit të lartë, Jusuf Vrioni u rikthye në Shqipëri në 1943.Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës trathëtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë””, shprehet AIDSSH.
AIDSSH shton se “pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu,. Po në aktakuzë shkruhej se: “Përpara hetuesis, ka mbajtë nji qëndrim nga më armiqësorët, duke qëndruar shumë i vendosur në rrugën e trathtisë dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat që i atribuoheshin, por ma e keqja asht se n’asnji mënyrë nuk përgjegjesh rreth pyetjeve që i bëheshin, duke pretenduar se këta janë pyetje pa vend dhe të shkëputura, me nji fjalë kërkonte që hetuesija të ndjeki një formë proceduriale t’atillë që dëshironte ky, dhe këtë e bante gjithmonënjë kohë kohe kur vehesh në pozita të vështira dhe kur nuk kish ndonjë bazë mbrojtjeje”. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit”.
“Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës…Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua. Në dokumentet e dosjes së përpunimit nr. 1452, citohet: “Është shtresë e pasur feudale, babai i tij ka qenë kryeministër si dhe ministër fuqiplotë (ambasador) në Francë në kohën e Zogut. Vetë ka qenë me Legalitetin dhe mbas çlirimit është dënuar me burg, si spiun i francezëve. Është anëtar i “Partisë Popullore”. Ka tendenca zogiste. Miqësi me ministrin (ambasadorin) anglez. Vrioni ka shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës” dhe e ka cilësuar si inkompetent, “ku ligji është zbatuar arbitrarisht”, AIDSSH.
Gjithashtu, AIDSSH shton se “Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Po sipas raportimeve, Vrioni dyshonte në drejtësinë e gjyqeve komuniste. Sipas tij, njerëzit janë marrë në qafë për një fjalë goje, se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë se nga torturat, të gjithë e kanë dhënë nga një fjalë. Demokracia e vërtetë nuk vendoset me burgje dhe vrasje”. Veç Vrionit, mbi 17 veta të rrethit të tij mbaheshin në vëzhgim. Dosja e përpunimit e Isuf (Jusuf) Iliaz Vrionit është deklasifikuar nga AIDSSH më 21.1.2019. Të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015”, shprehet AIDSSH/ATSH /KultPlus.com
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” artistin e shquar dhe piktorin, Qamil Grezda (pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në realizimin e veprave të arteve pamore në gjininë e portretit dhe peizazhit, duke lënë gjurmë në zhvillimin tradicional të këtyre gjinive me cilësi të lartë artistike, si dhe për përgatitjen e shumë brezave të artistëve të rinj”.
Në ceremoninë solemne të organizuar në kopshtin e Institucionit të Kreut të Shtetit, në prani të artistësve, studiuesve dhe personaliteteve të kulturës, Presidenti Meta duke i dorëzuar titullin e lartë të birit, skulptorit Ermir Grezda, theksoi se “Kam kënaqësinë e veçantë që të dekoroj një personalitet, i cili ka lënë gjurmë të thella e të rëndësishme në artin shqiptar dhe që do të vlerësohet e ndikojë edhe në brezat e ardhshëm të artistëve, piktorin e shquar Qamil Grezda. Për gjithë kontributin e madh të dhënë për artin pamor shqiptar si dhe në përgatitjen e brezave të rinj të artistëve shqiptarë, kam nderin t’i akordoj Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.
“Arti kapërcen kohë dhe dimensione, ndikon e prek breza të tërë edhe pas dekadash e shekujsh, ndaj edhe veprat e Qamil Grezdës e bëjnë atë të pranishëm në kohën tonë. Është një kënaqësi dhe privilegj që veprat këtij artisti, të njohur edhe si ‘grabitqari i bukurisë së natyrës’ janë të ekspozuara sot edhe në mjediset e këtij institucioni”, tha Meta.
“Artisti Qamil Grezda vinte nga një familje e shquar patriotike, e cila për shkak të dhunës serbe u detyrua të shpërngulej në Shqipëri dhe ardhja në Tiranë i shërbeu pikërisht për të nisur edhe rrugëtimin e tij artistik pasi iu mundësua të studionte vizatimin dhe pikturën me artistë të mëdhenj të artit tonë si Odhise Paskali e Abdurrahim Buza”, theksoi ai.
“Ai i përket grupit të artistëve të cilët dhanë një kontribut të madh si krijues dhe si përgatitës të një plejade artistësh të rinj. Nëpërmjet punës si një ndër themeluesit dhe pedagogët e Liceut Artistik “Jordan Misja”, si drejtori i parë i Muzeut Kombëtar, njëkohësisht i Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe si piktor i Teatrit Popullor, Grezda ka lënë gjurmët e tij në artin shqiptar, por edhe në konsolidimin e institucioneve kulturore të vendit. Qamil Grezda është nga artistët që hodhën bazat profesionale të arteve figurative shqiptare. Në mjedisin e artit pamor shqiptar, artisti Grezda dallohet për dashurinë e tij për ngjyrat dhe për ndjeshmërinë e lartë realiste në portrete e peizazhe, duke u ndikuar edhe nga piktori i shquar Kolë Idromeno”, tha Meta.
“Në peizazhet e tij dallohet tërheqja e veçantë që ai kishte për natyrën dhe historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilave iu kushtoi një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij të shquar. Ndërkohë që edukimi me atdhedashurinë dhe kombëtarizmin shqiptar, qysh në vendlindjen e tij Gjakovë, shprehet me madhështi në portretizimin dhe pikturimin e figurave historike si Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina apo edhe te veprat ‘Gryka e Kaçanikut’, ‘Lidhja e Prizrenit’, etj”, u shpreh Meta.
“Vepra e tij është e qartë plot frymë atdhetarie, një ndër elementët për të cilin është konsideruar e vlerësuar përgjatë gjithë krijimtarisë. Është kënaqësi që edhe disa prej pasardhësve të tij, vazhdojnë rrugën e artit e të kulturës, duke dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim”, – u shpreh Presidenti Meta. Me këtë rast në kopshtin e Institucionit të Kreut të Shtetit, u zhvillua edhe një ekspozitë me punime të hershme të piktorit Qamil Grezda”, tha Meta. / atsh/ KultPlus.com
Territoret e sunduara nga perandoria osmane po liroheshin kah fundi i vitit 1912. Mbrapa po mbetej një popullsi e dërrmuar nga sundimi i egër shumë vjeçar Osman, dhe territore të tëra po mbeteshin po ndonjë rregull qeverisës e funksional.
Perandoria osmane kishte lënë pas me sundimin e saj mbi 85% të popullsisë analfabete, dhe mbi 90 % e popullatës të varfër skajshmërisht. Nuk kishte një organizmin shtetëror, e as territor të definuar. Nuk ishin lejuar të krijoheshin figura udhëheqëse ndër shqiptare, dhe si rrjedhojë rajone të ndryshme ishin munduar në mënyra vetanake të organizoheshin në çlirimin e territoreve shqiptare nën sundimin osman. Organizmi ishte krejtësisht në mënyra primitive, popullore e fisnore. Perandoria kishte ruajtur lidhjet me fqinjët grabitqar, dhe nuk i kishte larguar langonjtë armiqësor që rrethonin shqiptarët, përkundrazi kishte mbajtur marrëdhënie të mira me ta, dhe rezultatet do të duken më vonë. Kishte pasur shpërngulje masive nga territoret serbe e Maqedonase drejt Turqisë, vendbanimet e tyre digjeshin, dhe gjurmët e tyre shfaroseshin deri nën dhe (shih Edit Durham, Through the Lands of the Serb).
Lëshimi i territoreve shqiptare nga perandoria osmane vinte në kohen siç u potencua më lartë, popullatë e çorganizuar, e varfër, analfabete, dhe pa një territor të caktuar.
Apetitet e fqinjëve tanë për gllabërimin e tokave shqiptare ishin shumë të mëdhaja. Me ikjen e osmanëve u rriten edhe më shumë, ata filluan aneksimin e territoreve shqiptare, filluan spastrimin etnik të popullatës shqiptare. Përvoja e tyre institucionale, dhe shtetërore që kishin ne avantazh ju ndihmoi shumë.
Eksponanca e saj, perandoria osmane pasi kishte varfërua shqiptarët skajshmërisht, pasi i kishte çarmatos, i kishte vrarë ata të cilët kishin kërkuar të drejtën e tyre brenda perandorisë po ju vinte fundi. Po mposhteshin nga shqiptarët dhe fuqitë tjera perëndimore, dhe ata po iknin me bisht ndër këmbë, duke lënë pas një katrahurë rrëqethëse saqë pasojat e sundimit të tyre do të shkonin dhe ndjeheshin deri vonë .
Perandoria osmane bëri çmos dhe u orvat të pengonte shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse perandoria ishte e vetëdijshme për territoret që do të shpallet pavarësia, nuk bëri asgjë për ti ndaluar fqinjët serbo-maqedon-malazeze e Grek në aneksimin e territoreve shqiptare.
Shqiptarët i la në baltë, me shpalljen e pavarësisë ata nuk rezistuan më shumë, dhe ikën të koritur.
Fqinjët barbar filluan të përdorin disa lidhje që kishin lënë osmanët ndër të ashtuquajtur shqiptarë, dhe disa i përdornin edhe për biseda më bashkësinë ndërkombëtare. Kështu nga 110 mijë kilometra katror se pandehej se ishin territor shqiptarë, ku përfshihej, Kosova, Ulqini, Igumenica, Shkupi, Janina. Territoret shqiptare tkurren në 28 mijë kilometra katror.
Cungimi i trojeve shqiptare
“Konferenca e Londrës, që e cungoi atë që duhej të ishte Shqipëria e pavarur, i jepte Shtetit të ri një sipërfaqe me rreth 28.000 km2, me 800.000 banorë. Kjo nuk ishte Shqipëria e Madhe që dëshironin patriotët. Ata do të donin të katër ish-vilajetet turke të Shkodrës (10.800 km2), të Janinës (17.000 km2), të Kosovës (32.900 km2) dhe të Manastirit (28.500 km2), së cilës i shtonin edhe një pjesë të vilajetit të Selanikut (rreth 3.000 km2), pra gjithsej 92.200 km2, me një popullsi prej rreth më se dy milionë e gjysmë banorë. Por kjo kërkesë e tyre ishte një aspiratë e tepruar, sepse, ndërsa është e vërtetë që shteti i përkufizuar nga Konferenca e Londrës, nuk përmblidhte të gjithë familjen e madhe të shqiptarëve.
Është e vërtetë edhe se, brenda këtyre kufijve të pretenduar, intensiteti i grupeve të shqiptarëve zvogëlohet, sa më tepër ato largohen nga bërthama qendrore e përbërë nga Shteti i ri, deri në atë shkallë sa ato lejoheshin brenda popullsisë greke dhe sllave, që përbënin shumicën. Krijimi i një shteti shqiptar të madhësisë mesatare, siç u projektua nga Evropa, dhe e banuar thuajse vetëm nga shqiptarë, ushqente shpresën se do të mënjanonin kërkesat këmbëngulëse fetare dhe politike në dobi të njërës ose tjetrës propagandë, dhe duke nxjerrë në pah një ndjenjë civile, do të sigurohej mirëqenia e atdheut të përbashkët.( shih: ANTONIO BALDACCI (Romë, 1917)-Pse u nda Shqipëria në fillim të shekullit XX ).
Për shqiptarët ditët e zeza po vazhdonin, tash më një intensitet edhe me të madh, dhe me armiq më të shumtë, iku një, u turrën katër tjerë.
Shqiptarët kishin mbet plotësisht të vetëm, pa miq, pa ndihmë, të varfër e të rraskapitur nga një pushtues i rreptë, siç ishin osmanet.
Thomas Woodrow Wilson) 28 dhjetor 1856 – shkurt 1924). Presidenti i SHBA në vitet 1913-1917 dhe 1917 – 1921, kryetar i delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920); hartues i Deklaratës së 14 pikave të shpallura më 8 janar 1918, ku kërkohej vendosja e paqes mbi bazën e parimit të kombësisë dhe vetëvendosjes së popujve; ideator i Lidhjes së Kombeve; Kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian në janarin e 1920, e cila parashikonte kalimin e Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut në kufijtë e Mbretërisë S.K.S vetëm të drejtën e një daljeje ekonomike në territorin e shtetit shqiptar; Ndërhyrja e Presidentit W. Wilson ishte fitim kohe për Lëvizjen Kombëtare shqiptare e cila e organizoi Kongresin e Lushnjës (28-31 janar 1920) dhe Luftën e Vlorës (11 qershor- 2 gusht 1920), që siguruan tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pas vdekjes së Presidentit Ë. Wilson, Asambleja Kushtetuese më 4 shkurt 1924, nderoi kujtimin e tij, njeriu që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi (shih: Dr.Nebi Dervishi)
Në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë, ruhen mjaft dokumente origjinale të shtetit shqiptar që bëjnë fjalë pikërisht për kërkesat e shqiptarëve drejtuar Qeverisë amerikane për mbështetje të interesave të saja të pavarura. Vështirësitë e panumërta që ndeshen shqiptarët fill pas shpalljes së pavarësisë, rrezikuan seriozisht ekzistencën e shtetit shqiptar. Për veprimtarët politik por edhe për njerëzit e thjeshtë u bë krejtësisht e qartë së Lufta e Parë Botërore (1914-1918) dhe Luftërat ballkanike rrezikonin jo vetëm copëtimin e trojeve shqiptare midis fqinjëve, por ndoshta edhe fshirjen përfundimisht nga harta politike e Evropës e një shteti shqiptar.
“Një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë”
Presidenti W. Willson ka qenë një mik i përhershëm i shqiptarëve. Ka mbetur prej Tij shprehja lapidare “një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë”. Kjo është një arsye më shumë që figurës së tij t’i kushtohen portrete modeste nga shqiptarët deri në amshim.
Shumë pak njerëz e njohin nga afër figurën e presidentit e 28-të Amerikan që shërbeu në këtë detyrë nga 1913 deri në 1921. Figura e tij lidhet shumë më shqiptarët, dhe është jetike prezenca e tij në kohën kur shqiptarët me territoret e tyre të sapo dala nga pushtuesit osman, ishin ra në duart ë fuqive tjera perëndimore të cilat ishin po aq të pamëshirshme sa edhe vet perandoria osmane.
Woodrow W.Wilson Lindi më 28 dhjetor të vitit 1856, në një nga shtetet jugore në Virginia, në prag të Luftës Civile (1861-1865), midis Veriut dhe Jugut. Ndonëse me origjinë nga jugu konservator, Wilsoni u bashkua me fitimtarët e luftës, progresistët e Veriut. Kishte qenë gjithnjë me pikëpamje liberale, ishte për të drejtuar njerëzore, mbrojtës i të drejtave të grave dhe të zezakëve, në një kohë kur këtyre u mohoheshin të drejtat elementare dhe trajtoheshin si skllevër.
Është e llahtarshme të çosh në luftë këtë popull të madh paqësor Presidenti e quante se hyrja në Luftë (6 prill 1917 – Kongresi amerikan i shpalli luftë Gjermanisë), ka qenë për të vendimi më i vështirë. “Është e llahtarshme, thoshte ai, – të çosh në luftë këtë popull të madh paqësor…, por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për demokracinë…, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vegjël, për një pushtet universal të së drejtës”. Për shpërthimin e luftës Wilsoni nuk ia hidhte krejt fajin udhëheqëses gjermane.
Kishte pjesën e vet edhe sistemi evropian i ekuilibrit të forcës, të cilin ai e denonconte si një sistem i armiqësive të organizuara” (dy blloqet e Fuqive: Antanta përballë Aleancës Trepalëshe). Presidenti i SH.B.A-ve bënte pyetjen: “A është lufta e sotme një luftë për një paqe të drejtë e të sigurt apo vetëm për një ekuilibër të ri force? “Dhe përgjigjej: “Nuk duhet të ketë ekuilibër force, por bashkësi force, jo armiqësi të organizuara, por një paqe e përbashkët e organizuar”. Duhej t’i hapej rrugë një rendi të ri të punëve, në të cilin të vetmet pyetje që mund të bëheshin ishin: “Është e drejtë”? “Është e arsyeshme”, “Është në interesat e njerëzimit” ?.
Fuqitë e mëdha tokat shqiptare i kishin tkurr nga 110 mijë kilometra katror në 28 km/k. Këta kishin organizuar konferencë tjetër të radhës, ku territoret shqiptare sërish do të viheshin në tavolinat e fuqive të mëdha për ndarje të mëtutjeshme, ku interesat e fuqive të mëdha, shkonin në favor të fqinjëve tanë, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi, e më gjerë.
Shpallja e pavarësisë gjysmake e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 ishte padyshim një përfundim logjikë i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, por edhe një përcaktim i interesave të Fuqive të Mëdha të kohës. Mirëpo, nga akti sublim i ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë e deri në njohjen e tij përfundimtar si shtet i pavarur me kufi të përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha dhe nga shtetet fqinje, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1912/1913, kaluan plotë tetë (8) vjet. Kështu, nga 1912 deri në 1920, u organizuan disa konferenca ndërkombëtare, u hartuan traktate u arritën marrëveshje, të cilat fatkeqësisht pak ose aspak patën parasysh kërkesat e drejta e të ligjshme të shqiptarëve.
Megjithatë, në këto vite të trazuara e të mbushura me ngjarje të hidhura për Shqipërinë e shqiptarët, u gjenden miq, të cilët ndihmuan në qeveritë e tyre për të ndihmuar çështjen shqiptare. Fuqitë, nga të cilat shqiptarët nga të gjitha krahinat e vendit që në fillim patën besim dhe kërkuan fuqimisht përkrahjen e tyre, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (TheAlbanian.co.uk / Prof.Dr.Nebi Dervishi)
Por fatmirësisht politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt me Shqipërinë janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes sonë, sepse kanë parë të vërtetën dhe padrejtësinë që bëhet kundra nesh. Midis tyre në radhën e parë është Z. Gjorgj Dred Uilliams, ish ministër i SH.B.A. në Athinë, i cili dha dorëheqjen më 1913, për të protestuar kundra përdorimit të keq të Shqipërisë prej Fuqive të Mëdha të Evropës, duke ju drejtuar Presidentit Wilson.
… Zoti President! Në qoftë se në vendimin e paqes një komb lihet i pambrojtur dhe përdoret kaq mizorisht, a mundet, vallë në atë anë të botës të sigurohet paqja? Tashmë presidenti Wilson kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në konferencën e Londrës që do të mbahej, dhe kishte vendosur parimet me vendimin që: Dy parimet themelore të diplomacisë do të jenë: a) mbështetja në drejtësi dhe b) vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.
Këto dy parime përjashtojnë pushtimet e huaja e sundimin e çdo forme, qoftë të një fuqie të huaj mbi një vend tjetër. Më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte për priftin shqiptar Fan S. Noli : “Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Kjo formulë shpëtimtare karakterizoi qëndrimin e tij ndaj çështjes shqiptare.
Me 1919 në konferencën e paqes në Versajë Presidenti Wilson, pasi ishin rritur tensionet në tryezë, atëherë merr fjalën dhe duke përdorur dokumentet që tashmë ishin mbi tavoline dhe flitej për fatin e trojeve shqiptare shprehet kështu. Të gjitha kombet do të kenë të drejtë në vetëvendosje, kjo është e drejtë që do të bëhet rregull botëror i demokracisë që synojmë ne. Pas kundërshtimesh, dhe polemikash aty, Wodroow W.Wilson ngritët në këmbë dhe grushton tavolinën me dorë, duke shikuar dokumentet që ishin shkapërderdh mbi tavolinën e madhe që kishin nxënë fuqitë e mëdha botërore, dhe ju drejtohet të pranishmëve aty! “A ka territor ky popull? përgjigjja ishte PO. A kanë flamur identifikues të kombit të tyre? përgjigjja ishte PO, a kanë shpallë pavarësinë e tyre bazuar në ketë territor dhe ketë flamur? përgjigjja ishte PO. Atëherë këta kufijtë, ky shtet nuk ka guxuar për tu copëtuar më tej, dhe ka për të ekzistuar si shtet më të gjitha të drejtat e tyre, si të gjitha shtetet normale! Në të kundërtën e kësaj, SHBA dhe populli i saj do të jenë në luftë me secilin nga ta që do të gjej kundërshtinë. Heshtja kishte kapluar dhomën e lordëve, dhe shikimet që tashmë i bënin njëri me tjetrin i kishin kthyer poshtë, dhe kishin ulur kokën, sepse përgjigjja ishte e qartë, e rreptë dhe e prerë. Ekzistenca e Shqipërisë falë Amerikanëve
Shqipëria, sot më ketë territor që e ka ekziston falë këtij presidenti, fal vendosmërisë së Wilsonit, dhe demokracisë së popullit Amerikan, që e drejta për vetëvendosje të kombeve qoftë të mëdhaja qoftë të vogla edhe sot e kësaj ditë vazhdon të jetë prioritet i SHBA-ve. Kosova, sot ekziston më ndihmën, dhe vendosmërinë Amerikane që ne të jemi shtet, dhe një ditë të faktorizohemi përmes fuqisë sonë ushtarake, politike dhe ekonomike duke u bërë bashkë në një territor të vetëm. Institucionet shtetërore andej e këndej kufirit në përgjithësi sot duhet të ju shpjegojnë fëmijëve, nxënësve, studenteve, studiuesve për figurën e presidentit të 28-të amerikan, Wodroow Wilson, dhe aktivitetin e tij prej një figure që shqiptarët nuk do të mund të harrojnë sa të ekziston qenia e tyre, sepse Wilson ka dhënë kontribut për ketë të mos zhduket.
Duhet të ketë rrugë të emërtuara në emër të tij. Nëse për shumë figura janë ngritur përmendore, dhe nderohen heronjtë të shumtë, më patjetër duhet të ketë vend edhe një bust për shpëtimtarin e etnisë dhe racës sonë, presidentin e SHBA-ve Wodroow Wilson.
Wodroow Wilson thoshte “Motivi ynë nuk do të jetë hakmarrja apo pohimi fitimtar duke u bazuar në fuqinë fizike të kombit, por vetëm mbrojtja e së drejtës, e së drejtës njerëzore, për të cilën ne jemi kampion i vetëm në botë i mbrojtjes së të drejtës të vetëvendosjes së kombeve. “Me Amerikën ne jemi të vegjël, por miq të mëdhenj që mund të bëjmë edhe punë të mëdha (Rugova). “Ne i duam Amerikanët sepse ata na dhuruan lirinë, që ne e dëshironin”. / KultPlus.com
Situata e krijuar nga pandemia Covid-19, ka bërë që shumë festivale në Kosovë të anulohen ose të mbahen pa prezencën e publikut.
Festivali “Zambaku i Prizrenit” në 5 shtatorin e këtij viti do të shënoj edicionin e tij të 31-të, por ndryshe prej herëve tjera në bahçen “Kino Lumbardhi”, ku dhe do të mbahet ky festival do të mungoj publiku, shkruan KultPlus.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se për shkak të situatë të krijuar në vend, festivali do të organizohet pa prezencën e publikut, por më një transmetim të drejtpërdrejtë në kanalet televizive.
“Për shkak të masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, u vendos që ky manifestim i festivalit të mbahet më 5 shtator 2020, pa prezencën e publikut, i cili do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanale televizive për të gjithë teleshikuesit”, thuhet në njoftim.
Të gjithë artistët do të kenë mundësinë të dërgojnë këngët e tyre në festival deri me datën 7 gusht të këtij viti, kurse votimi për këto këngë do të bëhet online.
“Zambaku i Prizrenit” ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore përmes këngës së lehtë. Ky festival është themeluar nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës së lehtë si baladat, shansonet e serenatat.
Karakteristikë e këtij festivali është edhe kultivimi i artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertorin e muzikës së lehtë, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtar, kompozitor, poet, instrumentist, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë. / KultPlus.com
Presidenti i Republikës, i ka uruar sot 70-vjetorin e lindjes komedianit dhe artistit të shquar, Zef Deda, të cilin e ka cilësuar si “Charlie Chaplini” shqiptar.
“Urimet më të përzemërta me rastin e 70-vjetorit të lindjes “Charlie Chaplinit” shqiptar, komedianit dhe artistit tonë të shquar, Zef Deda”, është shprehur Meta.
“Jetë të gjatë Mjeshtër, me shëndet të plotë dhe përherë me humorin fin shkodran pranë spektatorit!”, ka theksuar ai.
Faleminderit për çdo emocion dhe buzëqeshje që na ke dhuruar! “Dita e mirë shifet nadje, E ti ke le bash n’ditë t’qejfit!”, ka thënë Meta./ atsh/ KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës ka kryesuar në renditjen e universiteteve në mesin e institucioneve shqipfolëse.
Sipas rangimit të fundit të Webometrics-it, në kategorinë e Transparencës, Universiteti i Prishtinës zë vendin e 1745-të në botë dhe është universiteti i 11-të më i mirë në rajon.
Rangimi i Transparencës merr parasysh citimet nga profilet institucionale në Google Scholar. Për secilin universitet nxirren të dhënat e citimeve nga 210 profilet publike me më shumë citime, prej të cilëve mënjanohen 20 autorët më të cituar.
Kjo metodë siguron pavarësi nga ndikimi i madhësisë së institucionit dhe përfaqësueshmëri nga profilet e mbetura. / KultPlus.com
Zyrtarët spanjollë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se vendi tashmë mund të jetë duke përjetuar një “valë të dytë” të koronavirusit, pasi Franca, Gjermania dhe Belgjika raportuan rritje të mëdha në numrin e rasteve.
Shtetet në të gjithë Evropën u kanë kujtuar njerëzve nevojën për vigjilencë mes rasteve në rritje ndërsa sezoni i pushimeve verore vazhdon.
Franca tha se po këshillonte që qytetarët të mos udhëtojnë në rajonin spanjoll të Katalonjës në mënyrë që të ndihmojnë në frenimin e virusit, ndërsa Norvegjia tha se po rivendoste një karantinë 10-ditore për njerëzit që vijnë nga Spanja – masa që rikthejnë hijen e karantinës në të gjithë kontinentin.
Ministria e Shëndetësisë e Spanjës po ndjek më shumë se 280 shpërthime aktive në të gjithë vendin. Të premten, ajo regjistroi 922 raste të reja Covid-19.
María José Sierra, nënkryetare e qendrës për emergjencat shëndetësore, tha se ndërsa kurba ishte rrafshuar, “transmetimi komunitar” po shihej në zonat veri-lindore.
“Mund të jetë tashmë një valë e dytë, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme,” u tha Sierra gazetarëve të enjten. “Gjëja më e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të ndjekim ato që po ndodhin, të shohim se çfarë masash janë të nevojshme dhe t’i marrim ato sa më herët”.
Ajo tha gjithashtu se njerëzit duhet të mbajnë mend se incidenca e virusit është trefishuar në vetëm dy javë, nga 8.76 raste për 100,000 njerëz në 3 korrik në 27.39 për 100,000. “Natyrisht, kurba po shkon lart, por le e të presim të shohim se në çfarë situate gjendemi,” shtoi ajo.
Gati 8,000 raste janë diagnostikuar në Katalonjë gjatë 14 ditëve të fundit – që përbën gati gjysmën e 16.410 rasteve të zbuluara në Spanjë.
Sekretari i Shëndetit Publik i Katalonjës, Josep Maria Argimon, tha se situata brenda dhe rreth Barcelonës ishte “në një moment kritik” dhe u bëri thirrje njerëzve që të dëgjojnë kërkesën e qeverisë rajonale për të mos lënë shtëpitë e tyre, nëse nuk është e domosdoshme.
Ka gjithnjë e më shumë frikë se virusi po përhapet nga njerëzit që shkojnë në bare dhe klube nate, dhe se mund të jenë të nevojshme kufizime për të frenuar rritjen e rasteve.
Të enjten, qeveria e rajonit jug-lindor të Murcias urdhëroi 32,000 banorët e Totanas të rikthehen në fazën e dytë të de-përshkallëzimit të bllokimit pasi 55 raste u gjurmuan në një bar në qytet.
Qeveria rajonale e Madridit tha të premten se planifikon të rishikojë udhëzimet për numrin e njerëzve që lejohen të takohen natën.
“Ne do të vëmë në zbatim masa për jetën e natës, duke përfshirë kufizimin e numrit të njerëzve të lejuar në tarracat e bareve dhe restoranteve ose vendeve të tjera të takimeve sepse virusi pëlqen lëvizjen dhe tubimet e mëdha,” tha zëvendësministri i shëndetësisë i rajonit, Antonio Zapatero.
Qeveria rajonale po i kërkon gjithashtu qeverisë qendrore të vendosë kontrolle më të rrepta në aeroportin e Barajas në Madrid pasi doli se 77 njerëz kishin ardhur atje me virus që nga maji.
Autoriteti shëndetësor kombëtar i Francës, Santé Publique, raportoi 1.062 raste të reja të enjten dhe tha se ndërsa kishte pasur një rritje midis moshave mbi 75-vjeç dhe njerëzit në azile, një rritje gjithashtu ishte raportuar në rastet midis “të rriturve më të rinj”.
Autoriteti tha që kishte pasur “një ngadalësim të zbatimit të gjesteve barrierë” dhe u kujtoi njerëzve që distanca fizike duhej të ruhej.
“Gjatë verës dhe pushimeve, mund të duket artificiale të përshëndetsim njëri-tjetrin në distancë, të flasim nga një distancë, të lajmë duart rregullisht dhe të mbajmë maska në hapësira të mbyllura, por kjo përpjekje individuale dhe kolektive është thelbësore për të mos lejuar që virusi të shkelë lirinë tonë dhe epidemia të rikthehet”, tha në deklaratë.
Të Premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, mbajti një takim të këshillit të mbrojtjes së vendit për të diskutuar rritjen e rasteve dhe shqyrtojë masat e reja duke përfshirë forcimin e kontrolleve në kufijtë me Belgjikën dhe Spanjën dhe masat e mundshme karantinë për pasagjerët ndërkombëtarë në aeroportet.
Instituti Robert Koch i Gjermanisë (RKI) raportoi 815 raste të reja të premten, krahasuar me 583 një javë më parë dhe 395 dy javë më parë.
Duke përjashtuar shpërthimet e fundit në fabrikat e përpunimit të mishit, rritja ishte më e madhja që nga mesi i majit. Shifrat kanë tendencë të jenë më të larta të premteve, për shkak të rasteve të raportuara që akumulohen gjatë javës.
Më shumë se 40% e rasteve aktuale janë në shtetin perëndimor të Rhine-Vestphalisë së Veriut, por shtetet e tjera gjithashtu tregojnë rritje të mesatares.
Jonas Schmidt-Chanasit nga Instituti për Mjekësinë Tropikale në Bernhard-Nocht në Hamburg tha se shifrat duket se tregojnë për një rritje në të gjithë popullsinë, sesa në vendndodhje specifike, siç janë ato rreth fabrikave të përpunimit të mishit. Nëse do të ishte kështu, do ta bënte virusin më të vështirë të frenohej”, i tha ai Der Spiegel.
“Ne duhet të shohim nëse kjo ka të bëjë me tubime të mëdha, që tani lejohen, rihapjen e kopshteve dhe shkollave, apo ka të bëjë me njerëzit që kthehen nga pushimet?” tha ai.
Njerëzit që kthehen në Gjermani nga Ballkani, Turqia dhe Majorca kanë dalë pozitivë në testin për virusin.
RKI ka vendosur 100 vende në një listë të zonave të rrezikut, përfshirë SHBA, Izraelin dhe Luksemburgun. Ministria e Shëndetësisë pritet të njoftojë se testet për njerëzit që kthehen nga zonat e rrezikut së shpejti do të jenë të detyrueshme.
Në Belgjikë, ku numri i infeksioneve të reja javore është rritur me 89%, zyrtarët thanë se një vajzë tre-vjeçare ishte bërë viktima më e re në vend.
Zëdhënësi i agjencisë së shëndetit tha se tre njerëz po vdesin çdo ditë në Belgjikë nga Covid-19, duke shtuar se vdekjet e fundit përfshinin ato të vogëlushes dhe një 18-vjeçari.
Catry tha që vajza kishte sëmundje “të rënda” para-ekzistuese, por paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë tek të shëndetshmit, duke theksuar se 85% e rasteve të reja të diagnostikuara javën e kaluar ishin midis njerëzve nën 60 vjeç.
“Eshtë e vërtetë që është e rrallë që një i ri vdes nga Covid-19, por është e qartë se askush nuk është imun,” tha ai. / theguardian/ KultPlus.com
Burrë nuk bahesh veç pse e ki nji femër n’krevat, as burrninë nuk ta shton mardhanja me to. Burrë bahesh e je kur respekti mbi grun tande e dashnia për to, m’poshtë çdo gja, Burrë je nëse gruas tande i shkëlqejnë sytë prej lumturisë që ti ja ofron.
Jo, mos e quaj vetën burrë nëse e dashura jote, ma shumë qanë se qeshë me ty, Mos thuj jam burrë e jam i fortë, nëse karshi saj shet trimni.
Mos u kreno po e lëndove e ja mbushe sytë me lotë n’pikë t’natës E as mos thuj unë jam burrë’ e baj çka du, Burrë s’bahesh nëse e ki grushtin e fortë As zani i naltë nuk t’ban burrë Ti je i dobt, e ma i dobët s’bahesh kurrë!
Mos u ndij i lumtur, po e bane nji gru tjetër me buzqeshë, në vend të asaj, As mos u ndij i plotsum, Ti je flliqësire, e ma flliqësirë nuk bahesh kurrë!
Në vend të saj, po i dërgove lule dikujt tjetër E po e bane dikan tjetër t’ndihet mirë Mos u kreno, turpërohu!
Kur ajo kërkon diçka, mos u mburr po s’ja plotësove kërkesat Mos e mëbshtet burrninë në nji veprim të tillë Egërsirë bahesh!
Po u turpërove me dal me njeriun e jetës tande, në nji drekë Po u turpërove, ta duash, ta respektosh, e ta vlersosh E po ngurrove t’i tregosh gjithë botës se nuk ka diçka n’jetë ma t’rëndësishme se ajo Vdis ma mirë! / KultPlus.com
(Shkrimi është marrë i plotë pa ndërhyrje nga redaksia.)
Kohët e fundit, unë dhe mamaja jote kemi qenë duke kërkuar në Google për disa punë tonat dhe kemi vënë re se një nga pyetjet që shtrohet më së shumti në kërkesat në Google është: “Si ta bëj atë të ndihet i interesuar?”
Me thënë të drejtën u mërzita shumë. Hapa një shumësi artikujsh që flisnin se si një vajzë duhej të vishej seksi për partnerin e saj, apo kur duhej t’i sillte birrën e kur një sandviç – me pak fjalë të gjitha gjërat që ajo duhej të bënte për ta bërë mashkullin e saj të ndihej më mirë, më i zgjuar dhe më superior.
U nxeha pa masë!
Vogëlushja ime…
Nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë detyra jote që ta mbash mashkullin të interesuar te ti.
Vogëlushja ime…
E vetmja detyrë e jotja është që ta dish brenda shpirtit tënd se ti vlen shumë! (Nëse do ta dish që vlen, e ke fituar betejën me botën, por këtë do ta shpjegoj në një letër tjetër).
Nëse ke besim te vetja, ti do jesh shumë atraktive jo vetëm për meshkujt, por për të gjithë. Ti do të jesh atraktive për një mashkull që jo vetëm do të jetë i interesuar për ty, por do të dojë të kalojë gjithë jetën duke investuar mbi interesin për ty.
Vogëlushja ime…
E kam fjalën për një mashkull që nuk ka nevojë për lojëra që ti të jesh interesante për të, sepse ai do ta dijë se ti je dhe do ta çmojë këtë! Nuk më intereson nëse ai qëndron me turinj në tavolinë, mua më intereson që të të shohë ty me sytë e dashurisë. Nuk më intereson nëse nuk vjen të luajë golf me mua, mua më intereson që ai të luajë me fëmijët që të dy bashkë do të keni. Nuk më intereson nëse ai pëlqen të bëjë të fortin me mua, më intereson vetëm që të jetë i fortë mjaftueshëm për të mbajtur zemrën tënde.
Nuk më intereson se kë voton në zgjedhje, më mjafton të të zgjedhë ty gjithnjë, çdo ditë. Nuk më intereson çfarë ngjyre ka lëkura e tij, më intereson që pikturën e jetës tuaj ai ta pikturojë me ngjyra të ndezura. Nuk më intereson se në çfarë beson apo nuk beson, për aq kohë sa ai është rritur me vlerën se çdo ditë që do të kalojë pranë teje do të jetë një ditë plot shpresë dhe dashuri.
Në fund të fundit, shpirti i babit, nëse ai i ka të gjitha këto, por nuk ka asgjë të përbashkët me mua, ti mos u mërzit! Ne do të kemi të përbashkët gjënë më të çmuar: ty!
Sepse vogëlushja ime, e vetmja gjë që ti duhet të bësh për ta mbajtur atë të interesuar është të jesh kjo që je. Dhe këtë po ta thotë dikush që do të jetë përjetësisht i interesuar ndaj teje,