Restaurohet mulliri i shekullit 19-të në Graboc të Obiliqit

Mulliri i Behramajve në Graboc të Obiliqit, i vitit 1864, restaurohet me investimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në përurimin e restaurimit të tij, mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrat Halil Matoshi dhe Qazim Rrahmani si dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi tha se mulliri është pjesë e veçantë dhe e rëndësishme e kësaj zone, i cili ka luajtur një rol jetik në jetën e njerëzve dhe ka shërbyer për furnizimin e banorëve me përbërësin kryesor të ushqimit, miellin.

“Ky mulli ka një histori dhe i cili i ka mbijetuar fazave të ndryshme të historisë, përplasjeve të ndryshme, sidomos me këtë pjesë të popullatës, e që në luftën e fundit, banorët janë furnizuar me miell prej këtij vendi”, u shpreh ndër të tjera ministrja, duke thënë se ndjehet e lumtur që MKRS-ja e ka restauruar këtë objekt të trashëgimisë.

Gjithashtu, në kuadër të vizitës në Komunën e Obiliqit, ministrja ka zhvilluar një takim në komunë, ku me kryetarin Xhafer Gashi, kanë diskutuar për projektet që deri tani ministria ka investuar në këtë Komunë, sikurse është shtëpia e kulturës, të cilin ministrja pati rastin të vizitojë dhe e cilësoi si një investim me vend, të cilin e ka mbështetur MKRS-ja.

Ministrja Dumoshi e informoi kryetarin Gashi se MKRS-ja do ta përkrah për vitin 2021 me dy projekte të rëndësishme të cilat komuna i parasheh më me prioritet. Ajo porositi kryetarin që të informojë dhe nxisë organizatat rinore që të aplikojnë në thirrjet që ministria shpall për financim të projekteve për rini.

Nga ana e tij, kryetar i Obiliqit, Xhafer Gashi, e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen që ka dhënë dhe që planifikon për vitin e ardhshëm në projektet që janë me interes për Komunën e Obiliqit.

Kryetari Gashi tha se MKRS-ja në vazhdimësi e ka pasur në vëmendje komunën e Obiliqit.

Dumoshi e Gashi vizituan edhe shkollën “Ismail Dumoshi” në Obiliq, e cila mban emrin e heroit të Kosovës, i cili është i ati i ministres Vlora Dumoshi. / KultPlus.com

Rikthehet Era Istrefi, bashkëpunim me artistin shqiptar (FOTO)

Njëra nga këngëtaret e suksesshme, fama e së cilës tashmë ka kaluar edhe kufijtë vendor, Era Istrefi, tash e disa kohë nuk ka sjellë projekte të reja muzikore, mirëpo siç duket tashmë ajo ka filluar të përgatisë një projekt të ri, shkruan KultPlus.

Era Istrefi siç duket do të vijë me një bashkëpunim me reperin Buta.

Në një foto të postuar në rrjetin social Instagram nga vet reperi, shihen të dy artistët në ambientet e një studio muzikore. Mirëpo nuk janë dhënë detaje se kur pritet që të dal në treg kënga. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CDJ9DiuHya_/?fbclid=IwAR0J4zvKoJj6oeSKmUuBTzGmPvy-QZV8va9beK0gaNCdXtV1LrPfFKIEJr0

Historia e trishtë e Saroo Brierley, gjen nënën me Google Earth pas 25 vjetësh

   

Saroo Brierley rrëfen historinë e tij në një libër, nga i cili ka marrë spunto edhe filmi i regjizorit Garth Devis në vitin 2016.

Saroo Brierley ishte vetëm pesë vjeç, kur e pa për herë të fundit nënën e tij. Një sërë rrethanash e larguan prej saj dhe për 25 vjet ai nuk arriti ta gjente. Në vitin 2011, falë Google Earth, Saroo Brierley dhe nëna u përqafuan përsëri me njëri-tjetrin. Një takim kaq i vështirë, një udhëtim i jashtëzakonshëm, aq sa frymëzoi shkrimin e një libri pikërisht nga ai fëmijë tashmë burrë. Në vitin 2016, libri u ekranizua: “Rrugë e gjatë për t’u kthyer në shtëpi”, me regji nga Garth Davis.

Historia e Saroo fillon në vitin 1981, në Ganesh Talai, një periferi e Khandwa. Nëna ishte braktisur nga i ati, kur ai ishte ende fëmijë, Saroo vazhdoi të jetonte me të, vëllezërit më të mëdhenj, Guddu dhe Kallu, si dhe motrën Shekila. Në vitin 1986, vëllai i madh Guddu mori trenin në Burhanpur, një qytet 70 kilometra në jug dhe, me insistimin e fëmijës, mori edhe të vëllanë 5-vjeçar. Në Burhanpur, Saroo e zuri gjumi në stolin e një moli, ndërsa Guddu arriti në vendin e tij të punës. Kur u zgjua, e kërkoi të vëllanë në një tjetër tren, u kthye përsëri në gjumë dhe e gjeti veten në stacionin Howrah, stacionin më të madh hekurudhor në Indi, në portat e Kalkutës. Atë natë, Guddu u përplas nga treni dhe vdiq.

Që nga ajo ditë, Saroo vazhdoi të marrë trenat në përpjekje për t’u kthyer tek i vëllai. Netët i kalonte rrugëve të Kalkutës, duke jetuar si një i pastrehë, derisa dikush e çoi në komisariat. Më vonë, Saroo u adoptua nga një familje australiane. Nëna, nga ana e saj, mësoi për vdekjen e djalit të madh dhe kërkoi më kot mos gjente gjurmët e më të voglit.

Ndërkohë, Saroo ishte rritur në Australi, por sapo arriti moshën madhore, ai filloi të kërkonte familjen e tij të origjinës. Të dhënat e vetme: kujtime fragmentare nga fëmijëria. Këto imazhe të turbullta në mendjen e tij i krahasonte me imazhet satelitore të Google Earth, duke kërkuar stacionin ku humbi të vëllanë. Më në fund, ia doli mbanë: më 12 shkurt 2012, 25 vjet pas takimit të tyre të fundit, Saroo përqafoi nënën e tij biologjike, motrën dhe vëllanë tjetër./ KultPLus.com

Facebook, Twitter dhe Youtube fshijnë videon “e mjekëve që bënë pretendime të rreme rreth koronavirusit”

Një video ku paraqitej një grup mjekësh që bënin pretendime të rreme dhe të dyshimta në lidhje me koronavirusin u hoq nga Facebook, Twitter dhe YouTube pasi gjatë ditës së hënë u bë virale në internet.

Videoja, e publikuar nga media e krahut të djathtë “Breitbart News”, shfaqte një grup njerëzish të veshur me rroba të bardha të laboratorësh duke e quajtur veten “America’s Frontline Doctors” që po inskenonte një konferencë shtypi përpara Gjykatës Supreme të SHBA-së në Uashington, DC, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Presidenti Trump shpërndau versione të shumta të videos me 84 milion ndjekësit e tij në Twitter të hënën mbrëma, përkundër pretendimeve të dyshimta që kundërshtojnë ekspertët e vetë administratës së tij të shëndetit publik.

Zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan më tutje CNN.

Gjatë konferencës për shtyp, një folës i cili e identifikon veten si mjek, bën një numër pretendimesh të dyshimta, duke përfshirë faktin që “nuk ju duhen maska” për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, dhe se studimet e fundit që tregojnë hydroxychloroquine është joefektive për trajtimin e COVID-19 janë “shkencë e rreme” e sponsorizuar nga “kompani të rreme farmaceutike”.

“Ky virus ka një kurë, quhet hidroksilkolina, zinku dhe Zithromax”, pretendon gruaja. “Ju nuk keni nevojë për maska, ka një kurë.”

Pretendimet bien ndesh me studime të shumta mbi ilaçin kundër malarisë dhe këshillat e zyrtarëve të shëndetit publik për të parandaluar përhapjen e virusit.

Një studim zbuloi se as hidroksilklorina vetëm dhe as hidroksilkorina e bashku me azitromicinwn  nuk u duk se ndikuan në gjendjen e pacientëve në shenjën 15-ditore. Për më tepër, ritmet e pazakonta të zemrës dhe nivelet e ngritura të enzimës në mëlçi ishin më të shpeshta tek pacientët që merrnin vetëm hidroksilklorinë ose me azitromicinë.

Videoja shpejt u bë virale në Facebook, duke u bërë një nga postimet me performancat më të larta në platformë me më shumë se 14 milionë shikime para se të largohej të hënën në mbrëmje për promovimin e dezinformatave.

Ajo gjithashtu u shpërnda afro 600,000 herë, sipas Crowdtangle, një firmë analitike e të dhënave në pronësi të Facebook.

Twitter ka punuar për të fshirë videon vonë të hënën në mbrëmje pasi Trump ndau versionet e videos që grumbulluan qindra mijëra shikime.

Videoja u hoq gjithashtu nga YouTube, ku ishte parë më shumë se 40,000 herë. Përdoruesit që po përpiqeshin të hynin në video të hënën vonë u përshëndetën me një mesazh që thoshte se ishte hequr për “shkelje të Udhëzimeve të Komunitetit të YouTube”.

Deri ditën e hënën, virusi ka shkaktuar gati 150,000 vdekje në SHBA, sipas Universitetit Johns Hopkins, dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë një shkak kryesor i vdekjeve në vend./ KultPlus.com

“Disa shqiptarë analfabetë marrin guxim të kontestojnë shkencën botërore, duke thënë që virusi nuk ekziston”

Virusi Covid-19 ka përfshirë gjithë botën e rastet me fatalitet janë të shumta. Por ka njerëz që nuk e besojnë ekzistencën e virusit, shkruan KultPlus.

Në vendin tonë, numri i atyre që nuk e besojnë ekzistencën e virusit nuk është i pakët, e si rezultat i kësaj vërehet shtimi i rasteve të të infektuarve. Vetëm ditën e djeshme, në Republikën e Kosovën kanë rezultuar 276 raste pozitive me Covid-19 e që numri total për momentin ka arritur në 7413 raste, ndërsa raste aktive janë 3201 dhe 185 vdekje.

Fytyrat publike të vendit tonë janë angazhuar që të ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje nga virusi, por ka edhe nga ata që e kanë bërë të kundërtën duke u shprehur që “virusi nuk ekziston”.

Sot, përmes rrjetit të tij social Facebook, ka reaguar edhe këngëtari Genc Prelvukaj i cili shprehet i befasuar se si ka njerëz që marrin guximin të kontestojnë të gjithë shkencën botërore duke thënë se virusi nuk ekziston.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Shqiptaret me dy shtete te dobeta , me ekonomi per faqe te zeze, deri para 70 viteve 99% analfabete, me sistem arsimor te tmerrshem dhe me deficit shkencetaresh, deri vone fanatike e radikale, marrin guximin te kontestojne te gjithe shkencen boterore duke thene qe virusi nuk ekziston. Idiotesia e tyre shkon deri aty saqe me diploma te dyshimta ose pa to, te edukuar keq por me vetebesim deri ne mangesi mendore, kujtojne qe kane zberthyer komplote e konspiracione globale. / KultPlus.com

Edona Hajrullahu kandidate për tu bërë gruaja e parë në Kosovë në pozitën e Avokatit të Popullit

Në rrethin e ngushtë të kandidatëve për të fituar detyrën e Avokates së Popullit në Kosovë është edhe Edona Hajrullahu, shkruan KultPlus.

Edona aktualisht është zëvendëse Avokate e Popullit, mirëpo në qoftë se ajo arrin të zgjedhet në këtë pozitë, atëherë kjo do ta bënte atë gruan e parë në Kosovë si Avokate të Popullit.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit do të bëhet nëpërmjet votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se Avokatit të Popullit Hilmi Jasharit, i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë për një mandat pesë vjeçar i ka përfunduar mandati më 2 korrik të këtij viti. / KultPlus.com

Organizatat jo‐qeveritare: DKRS në Prizren po vazhdon ndarjen e subvencioneve në mënyrë jo transparente

Komuna e Prizrenit ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kategorinë e kulturës dhe rinisë, si dhe në kategorinë e sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve, figurojnë titujt e projekteve dhe përfituesit.

EC Ma Ndryshe sikurse edhe RrOK-u kanë kërkuar nga DKRS-ja dhe DTZHE-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:  

-Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit;

-Listën e anëtarëve të komisioneve;

-Përshkimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura;

-Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata;

-Shuma financiare e përkrahur nga DKRS;

 EC konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes, thuhet në komunikatë, përcjellë KultPlus.

 Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe në MKRS, me qëllim që kjo ministri të bëhet model i transparencës dhe llogaridhënies si dhe praktikave të mira të qeverisje edhe për nivelin lokal përkatësisht për Drejtoritë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

 Mirëpo DKRS-ja në Komunën e Prizrenit nuk e ka përfillur këtë kërkesë dhe ka vazhduar që listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve ta publikojë vetëm me titujt e projekteve dhe përfituesit.

 EC përkujton se praktika e njëjtë e kufizimit të transparencës rreth mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të subvencioneve nga DKRS-ja ka ndodhur edhe në vitin 2019, duke i kthyer prapa arritjet e përbashkëta me RrOK-un në këtë proces gjatë vitit 2018. 

Prandaj EC edhe njëherë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike. Përveç kësaj transparenca radikale ka qenë njëra prej zotimeve të kësaj qeverie komunale, që tani duhet të gjej zbatim edhe në praktikë./ KultPlus.com

Shpiket maska inteligjente, përkthen në 8 gjuhë të botës

Mënyra si koronavirusi e ka transformuar shoqërinë ka ndikuar edhe në teknologji. Kështu një kompani japoneze ka shpikur një maskë inteligjente që mund të transmetojë mesazhe dhe të përkthejë nga japonishtja në tetë gjuhë të tjera. Ideja inovative vjen për të përmirësuar komunikimin e vështirësuar nga mbajtja e maskës, kryesisht në aeroporte.

Ndërsa maskat e fytyrës janë bërë pjesë e përditshmërisë mes pandemisë së koronavirusit, një kompani japoneze ka zhvilluar një “maskë inteligjente” të lidhur me internet që mund të transmetojë mesazhe dhe të përkthejë nga japonishtja në tetë gjuhë të tjera, transmeton oranews.

E quajtur ndryshe “C-maskë”, ajo përshtatet si maskat standarde të fytyrës dhe lidhet përmes Bluetooth me një aplikacion smartphone dhe tablet që mund të transkriptojë mesazhe me tekst, të bëjë thirrje ose të amplifikojë zërin e mbajtësit të maskave.

“Shpesh herë është e vështirë të kuptohet dikush kur flet me maskë. Por duke mbajtur këtë maskë inteligjente, mund të përmirësojmë komunikimin duke transkriptuar bisedat (në smartphone)”, u shpreh Taisuke Ono, shefi ekzekutiv i kompanisë.

5000 maskat e para të “Donut Robotics” do t’u dërgohen blerësve në Japoni duke filluar nga shtatori, me synim tregjet edhe në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë gjithashtu.

Deri më tani interesi për maskën që kushton 40$ ka qenë i madh. Inxhinierët japonezë erdhën me idenë për maskën pasi ishin në kërkim të një produkti që të ndihmonte kompaninë të mbijetonte nga pandemia. / KultPlus.com

Tre miliardë kafshë të vrara apo të zhvendosura nga zjarret në 2019-2020 në Australi

Rreth tre miliardë kafshë janë vrarë apo zhvendosur nga zjarret e pazakonta që përfshinë pyjet e Australisë në vitet 2019-2020, sipas një studimi të publikuar sot që flet për një prej katastrofave më të rënda të historisë moderne për faunën.

Ky studim i kryer nga disa universitete australiane thekson se 143 milionë gjitarë janë prekur nga kjo krizë, si dhe 2,46 miliardë zvarranikë, 180 milionë zogj dhe 51 milionë bretkosa. 

Kjo nuk është shifra e kafshëve të vrara, por perspektivat për ato që iu kanë shpëtuar flakëve janë shumë të tmerrshme, për shkak të mungesës së ushqimit, pemëve dhe mbrojtjes përballë grabitqarëve të tyre”, theksoi Chris Dickman, një prej autorëve.

Këto zjarre, të cilat ktheheshin çdo vit në fund të dimrit, por që ishin shumë aktiv për disa muaj në 2019-2020, shkatërruan 115 000 kilometra katrorë, ​​një zonë tre herë më të madhe se Holanda, duke shkaktuar edhe vdekjen e 30 personave.

Një studim i mëparshëm në janar vlerësoi numrin e kafshëve të vrara në zonat më të prekura në shtetet e Viktorias dhe Uellsit të Ri Jugor në një miliard.

“Studimi i publikuar është i pari që merr parasysh të gjitha zonat që janë djegur në Australi”, sipas Lily van Eeden nga Universiteti i Sidneit./ atsh/ KultPlus.com

“Syri i kaltër” parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, destinacioni i 7700 turistëve vendas e të huaj në qershor-korrik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perla e turizmit veror ka tërhequr një numë të lartë turistësh gjatë muajve qershor dhe korrik.

Burimi karstik vetëm 22 kilometra në lindje të Sarandës edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta të ujit, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj tha për ATSH-në se “Syri i kaltër” është një mrekulli natyrore befason turistët vendas e të huaj, të cilët edhe këtë vit, pavarësisht situatës nga koronavirusi kanë qenë të shumtë. Konkretisht gjatë muajve qershor-korrik këtë burim e kanë vizituar  kanë qenë 7700 turistë, ku shumica kanë qenë vendas, por nuk kanë munguar edhe të huajt si polakë, gjermanë, çekë, francezë, etj”.

“Ndërsa vetëm gjatë kësaj fundjave pati një fluks të shtuar të turistëve ku të shtunën ishin 352 dhe të dielën 640 turistë”, – tha Hysolokaj.

Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.

Turistët vendas e të huaj nuk harrojnë të blejnë edhe ndonjë suvenir në dy dyqanet që ndodhen në zonë, të cilat tregtojnë bluza me shqiponjën dykrenare, flamura, qilima, punime balte, etj.

Valbona, një 33 vjeçare nga Tirana shprehet për ATSH-në se “e vizitoj shpesh “Syrin e Kaltër”, sa herë që shkoj në Sarandë për pushime. Është një vend shumë i bukur që të ofron qetësi dhe të mahnit me bukurinë e tij sa herë e viziton”.

Ndërsa Mirsadi, një i ri nga Kosova, i cili nuk nguroi të zhytet në ujin e ftohtë të burimit u shpreh se “është hera e parë që e vizitoj “Syrin e Kaltër”. Kisha dëgjuar shumë nga shokët e mi që e kishin vizituar dhe nuk mund të ikja nga Saranda pa e parë nga afër. Uji ishte shumë i ftohtë, por ishte bukur të zhyteshe në kaltërsinë e tij”.

“Kur të vij vitin tjetër për pushime do të kthehem sërish”, – shprehet Mirsadi.

Syri i Kaltër është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra.

Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Sipas legjendës në këtë zonë jetonte një kuçedër, një krijesë madhështore dhe e frikshme që rrëmbente vajzat, dhe ndalte ujin duke ua bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Askush nuk po mund ta vriste këtë përbindësh derisa një ditë një plak i mençur thonë se ngarkoi gomarin e tij me ashkë të ndezur, të cilin kuçedra e gëlltiti me një frymë por ashka e dogji përbrenda dhe nuk mundi të mbijetonte. Por legjenda thotë se nga syri i këtij dragoi buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë sot e kësaj dite dhe mban emrin Syri i Kaltër./atsh/ KultPlus.com

“Ndërtimi i shtëpive po ju humb dëshirën për punë, burrat tymosin duhan e gratë e mbytura i shtohen listës”

Nga Emrush Shkodra

Ka shumë kohë që në ketë vend shkruhet e thuhet që, ndihma duke ndenjur tërë ditën e lume duke mos iu dhënë mundësia për një punë, por duke i blerë banesë, duke i ndërtuar shtëpi familjeve dhe njerëzve në nevojë, jo që ju ndihmon, përkundrazi do t’i pasivizon skajshmërisht njerëzit!

Duhet familjeve të këtilla të ju mundësohet një jetë pak më e dinjitetshme, duke punësuar të zonjën e shtëpisë apo kryefamiljarin e saj.

Para audiencës, para mediave, para fëmijëve jo që do t’i kthesh krenarinë duke i dhuruar çelësat në dorë, por edhe atë pak dinjitet dhe krenari që ka njeriu i thyen dhe i shkapërderdh si hiq asgjë!

Ndërtimi i shtëpive, blerja e banesave, dërgimi i parave nga jashtë njerëzit do t’i pasivizon dhe si rrjedhojë atyre do ty ju humb dëshira për punë. Burrat do të vazhdojnë të rrinë mbi gajbet e shitoreve duke tymosur duhanin që edhe duart i janë nxirë nga ai tym.

Edhe ky rast do të kalon shpejt, dhe do ti shtohet listës së grave të mbytura nga burrat e shoqërisë patriarkale, e ne pjesa tjetër do të mbajmë kokën ulur për një kohë nga veprime të këtilla! / KultPlus.com

“The Ellen DeGeneres Show” po hetohet nga “WarnerMedia”

Shou më i shikuar në Amerikë, “The Ellen DeGeneres Show”, është duke u hetuar nga “Warner Media” pas spekulimeve për një ambient toksik të punës në këtë emision.

Një punëtorë aktual dhe dhjetë ish-punëtorë të emisionit ditorë, i cili prezantohet nga aktorja komike Ellen DeGeneres, së fundmi kanë folur hapur rreth sfidave të punës në këtë shou, si dhe i kanë akuzuar tre producentët ekzekutiv të tij, Ed Glavin, Mary Connelly dhe Andy Lassner, për bulizëm, transmeton Koha.

Pas spekulimeve të tyre, revista “Variety” tani po raporton se televizioni i cili e prodhon këtë shou, “Warner Bros. Television”, ia ka dërguar një memorandum stafit të punëtorëve për t’i informuar se i kanë filluar hetimet rreth sjelljeve joadekuate dhe të padrejta në vendin e punës.

Kompania “WarnerMedia” e cila e posedon televizionin “Warner Bros.”, u ka kërkuar punëtorëve nga departamenti i burimeve njerëzore që ta realizojnë një hetim së bashku me një firmë të palës së tretë, të cilët besohet se do t’i intervistojnë punëtorët aktual dhe të kaluar të këtij shou, rreth eksperiencës së tyre në vendin e punës.

Qëllimi i këtij hetimi është ta sigurojnë një ambient ku punëtorët mund të lulëzojnë.

Në akuzat e ngritura nga punëtorët e emisionit, të cilat ishin publikuar në një artikull të “BuzzFeed”, 62-vjeçarja Ellen nuk akuzohej për keqbërje, por ata thonë se ishin këshilluar që të mos i drejtohen asaj nëse e shohinin duke ecur nëpër ndërtesën ku xhirohet shou.

Një grua afrikano-amerikane kishte deklaruar se është trajtuar ashpër, i është injoruar kërkesa për rritje të pagës dhe është akuzuar se po duket shumë arrogante dhe e zemëruar, pasi ajo kishte kërkuar që të gjithë pjesëtarët e stafit t’i nënshtrohen trajnimeve për diversitet dhe gjithëpërfshirje në vendin e punës.

Një tjetër punëtore kishte deklaruar se është pushuar nga puna, ngase kishte marrë pushim mjekësor për një muaj pas tentimit të vetëvrasjes.

Pas publikimit të këtyre akuzave në mediat botërore, producentët e përmendur në këtë raport e kanë lëshuar një komunikatë për media, ku thuhej: “Gjatë dy dekadave të punë në këtë shou dhe punësimit të më shumë se 1000 njerëzve, ne jemi munduar ta krijojmë një ambient punë të hapur, të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Andaj, po ndihemi zemërthyer dhe na vjen shumë keq të dëgjojmë se disa pjesëtarë të stafit tonë, të cilët i konsiderojmë si një familje, kanë pasur eksperienca negative në këtë shou. Ne nuk jemi dhe nuk synojmë të jemi të këtillë, si dhe ky nuk është misioni që Ellen e ka vendosur për ne.”

Ellen DeGeneres e cila konsiderohet një prej prezantueseve më të pasur në botë, ende nuk ka bërë komente zyrtare rreth kësaj çështje.

Aktualisht ajo vazhdon të qëndrojë në karantinë në shtëpinë e saj, prej nga edhe e ka realizuar shoun televiziv tash e disa muaj. / KultPlus.com

Komentet për vrasjen e gruas në Kamenicë shqetësuese, përkrahin vrasësin e gjykojnë viktimën

25 korriku ishte i kobshëm për gruan nga Kamenica e cila u godit me shufër metalike nga bashkëshorti i saj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:20 minuta, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, ku i dyshuari N.M, rreth 42 vjeç, dyshohet se me mjet të përshtatshëm – shufër metalike ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M, rreth moshës 34 vjeçare, shkruan KultPlus.

Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari N.M, me vendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale. 

Vrasje ka tronditur gjithë vendin dhe reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Por, shumë prej komenteve që janë hasur në rrjetin social Facebook po konsiderohen tejet shqetësuese. Një pjesë e komentuesve e kanë përkrahur vrasësin dhe e kanë gjykuar viktimën.

Reagimi i këtyre ka shqetësuar njerëzit, të cilët po i konsiderojnë këta komentues si vrasës potencial të grave, vajzave e madje edhe të nënave të tyre.

“Për moral i lumtë dora morali është fundi nëse edhe për moral nuk reagon më nuk jet asgjë e keqe që nuk ndodh as 1 di burg se meriton ky jarani”

“Dora i lumt! Allahu ja lehtesoft insha’Allah don zoti e takoj najher ose marr vesh se ku esht se e kisha shperbly…”

“Ska nevojë mu mërzit shum qashtu e ka pas shkrume. Shum ma e ran o met dek ni mashkull se ni gru ne familje…”

Këto janë vetëm disa nga komentet e shkëputura nga shumë të tjera që kanë ardhur në adresa të ndryshme pas publikimit të lajmit për vrasjen e 34 vjecares. / KultPlus.com

Kirgistani shndërron hotelet dhe restorantet në spitale për koronavirus

Hotelet dhe restorantet në Kirgistan janë shndërruar në spitale të përkoheshme pas ankesave të shumta për mungesë të shtretërve në spitale për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Kirgistani i ka raportuar më shumë se 33,000 raste të koronavirusit dhe mbi 1,300 të vdekur. Të martën, zyrtarët shëndetësorë njoftuan se në këtë shtet janë shënuar 548 raste të reja.

Sistemi shëndetësor jostabil, me vetëm 2,036 shtretër për pacientët me virus, filloi të shkojë drejt kolapsit. Pacientët ankoheshin se është e pamundur të gjenden shtretër të lirë në spitale, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Për këtë arsye u aktivizuan njerëzit e rëndomtë për të ofruar ndihmë. Hotelet dhe restorantet u shndërruan në hapësira për pacientë. Aktivistët gjetën rroba mbrojtëse, ilaçe si dhe ushqim e pije për punëtorët shëndetësorë.

Spitalet raportuan më pak pacientë dhe vullnetarët thanë se tash po pranojnë më pak thirrje gjatë natës nga njerëzit që po kanë vështirësi në frymëmarrje. / KultPlus.com

Liqeni i Dushkut, peizazhi mahnitës që tërheq turistët

Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe liqeni i Zambakëve, i ndodhur në afërsi të fshatit Lenie, Gramsh në lartësinë 1105 m mbi nivelin e detit, është kthyer në një destinacion turistik vitet e fundit.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” publikoi sot fotografi nga liqeni i Dushkut, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.

Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 m dhe gjerësi 400 m. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë. Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish, të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve.

Duket sikur këtë liqen e ruajnë shumë mirë dhe i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 ha duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor.

Periudha e pranverës dhe e verës janë më të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore./atsh/ KultPlus.com

“Dikujt që jetën ia fala e shpirtin po ma merr, ty”

Poezi nga Besarta Fazliu

E kisha çue nëpër mend se…
Kam me jetue nji jetë t’tanë
Me gzue pranvera e dimna bashkë me ty
Me pa stintë e vitit tue përcjellë njana tjetrën
E motmotet tue m’sjellë pleqninë
E un’ prapë n’gjoksin tand me u shtri
Aty ku ish e vetmja prehje për mue
Edhe kur prej grushtit tand kam pas frikë

E kisha çue nëpër mend se…
S’kam me u lodhë t’u t’falë dashni
S’kam me u lodhë tue n’da kafshatën e gojës me ty
S’kam me u lodhë t’u i mbajtë evladtë e tu n’gji
E me njanën dorë djepin tue përkund
Me pogaçën n’furrë n’vështrim prej sokakut
Ty t’u t’pritë me u kthy

E kisha çue nëpër mend se…
Veç teje s’kam çare as derman
Se ti m’gjuen e m’shkelmon
Kur prej skamjes shpirti t’vjen n’fyt
Po prapë m’kthen n’krahtë e tu e m’shtrëngon
Se isha durimi yt

E kisha çue nëpër mend se…
Jeta asht ma shumë sesa veç dhimbje
Asht ma shumë sesa plagtë n’shpirt
Asht ma shumë sesa nji shufër metalike
Që bahet nji me trupin tem, t’u u pa sy m’sy
Dikujt që jetën ia fala e shpirtin po ma merr, ty

E kisha çue nëpër mend se…
Vdekja ka me m’gjetë se asht amanet
Po kam mendue se baba i fmijve t’mi
Ma ban fundin ma t’lehtë
E jo n’gjamë e shtrime n’pus prej gjaku
Me sy çelë shpirtin tue dhanë
Un’ tue thirrë Zotin
E fmijtë t’u m’thirrë “oj Nanë” / KultPlus.com

Protestojnë artistët: Askush nuk mund ta rishkruajë Historinë e Kosovës

Shumë artistë të njohur të Kosovës, mbrëmë në mënyrë të organizuar kanë postuar mesazhe për drejtësinë ndërkombëtare. Ata nëpërmjet mesazheve të drejtpërdrejta dhe sensibilizimit me viktimat e luftës, kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të gjykojnë dhe të dënojnë kriminelët serbë, shkruan KultPlus.

Kësaj nisme i janë bashkuar artistët si: Shëngjyl Ismaili, Agan Asllani, Jeton Zogiani, Ylber Bardhi, Kushtrim Sheremeti, Kushtrim Qerimi e shumë të tjerë.

Më poshtë janë disa nga mesazhet që janë postuar nga artistët e njohur të kinos dhe teatrit të Kosovës:

“Pse nuk po i gjykoni kriminelët serbë që i kryen mbi 400 masakra mizore mbi popullsinë shqiptare? #duamdrejtësi”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë Historinë e Kosovës! #meçlirimtarët”.

“Pse po i amnistoni kriminelët serbë që i dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare? #duamdrejtësi”.

“Serbia e spastroi etnikisht Kosovën dhe dëboi mbi 1 milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre. #duamdrejtësi”.

“Kriminelët serbë i dogjën mbi 120 mijë shtëpi të shqiptarëve. #duamdrejtësi”.

“Shteti i Serbisë vrau rreth 11 mijë shqiptarë të pafajshëm. #kuështëdrejtësiandërkombëtare”.

“Mbi 1300 fëmijë shqiptarë u vranë nga kriminelët serbë, të cilët lëvizin lirshëm kudo nëpër botë. #kjonukështëdrejtësi”.

“Zbardhni fatin e 1653 personave të pagjetur! #namungojnë”. “Ku janë varrezat masive? I duam eshtrat e familjarëve tanë. #duamdrejtësi”.

“Kosova është turpi i drejtësisë ndërkombëtare! #drejtësieturpit”. / KultPlus.com

Bazeli, vendi ku lindi shkenca e halucinacioneve

Bazeli është një qytet zviceran, aty ku Albert Hofmann rastësisht zbuloi vetitë e halucinacioneve të LSD-së, të cilat shndërruan kulturën popullore, si dhe psikologjinë e shkencën e trurit.

Gjatë bisedës për udhëtime të famshme me biçikleta, ju mund të mendoni për atletët e veshur me “Lycra” që garojnë në “Tour de France”. Por njerëzit në të gjithë botën festojnë gjithashtu një udhëtim më të shkurtër me biçikletë, gjatë një mbrëmjeje prilli në vitin 1943 nga një burrë 37-vjeçar, që kthehet nga puna dhe del me biçikletë në rrugët e vjetra të qytetit zviceran të Bazelit. Ky udhëtim me biçikletë, paralajmëroi lindjen e psikhedelisë.

Çdo tingull kishte një imazh të ndryshueshëm, me formën dhe ngjyrën e vet të qëndrueshme.

Këtë udhëtim me biçikletë e bënte studiuesi farmaceutik, Albert Hofmann, dhe ai sapo kishte marrë një dozë të substancës së re të njohur në laboratorin e tij si Lysergic Acid Diethylamide-25, e për të gjithë njihet si LSD (lloj droge e prodhuar nga acidi lisergjik).

Hofmann e përshkroi udhëtimin e tij nga shtëpia me një saktësi të vëzhgimit shkencor që kundërshton egërsinë psikologjike të përvojës. “Imazhet kaleidoskopike, fantastike m’u shfaqën gjatë udhëtimit, të larmishme, duke u hapur dhe mbyllur në vete, duke shpërthyer në burime me ngjyra, duke u riorganizuar dhe hibridizuar në fluks të vazhdueshëm”, ka shkruar ai në librin e tij “LSD – My problem Child. “Çdo perceptim akustik, siç është tingulli i një doreze të derës ose i një automjeti që kalon pranë jush, u shndërrua në perceptime optike. Çdo tingull kishte një imazh të ndryshueshëm, me formën dhe ngjyrën e vet të qëndrueshme”.

Bazeli, qytet shumë i veçantë

Baseli si qytet i lashtë zviceran, ndoshta nuk është vendi i dukshëm për fillimin e psikhedelisë. Karakteri i Orson Welles, “Harry Lime”, jep një reputacion të famshëm për reputacionin e tij në filmin klasik të vitit 1949 The Third Man: “Në Zvicër ata kishin një dashuri vëllazërore, kishin 500 vjet demokraci dhe paqe dhe çfarë prodhoi kjo? Orë tingëlluese”.

Arkitektura mesjetare dhe e Rilindjes i jep Bazelit një pamje të mahnitshme mes qyteteve të tjera të bukura të Evropës së Mesme, por ky qytet ka diçka që e dallon. I themeluar 2000 vjet më parë në Rhine në pikën e sotme, Zvicra plotëson të dy kufijtë francezë dhe gjermanë, lumi rrjedhës e lidh Bazelin me qendrat e tjera evropiane të mësimit. Kjo mund të shpjegojë pse universiteti më i vjetër i Zvicrës u themelua këtu në vitin 1460, ku pas dy shekujve u shtua galeria më e vjetër e artit publik në botë, tani e njohur si Kunstmuseum. Gjatë reformimit, ardhja e ngjyrave të mëndafshta e bëri Bazelin një vend të prirë për të punuar me kimikate.

Bazeli sot krenohet me numrin e madh të muzeve dhe ka më shumë muze se secili qytet tjetër në Evropë. “Bazeli ka qenë gjithmonë si një qytet ku arsimi, kërkimi dhe kultura janë pjesë e strukturës lokale”, ka thënë Josef Helfenstein, drejtor i Kunstmuseum. “Ndarja e kufirit me Gjermaninë dhe Francën i jep qytetit frymën e tij të veçantë, më të qetë dhe me mendje të hapur”, shtoi Isidora Rudolph, kreu i zyrës së turizmit në Bazel. “Është një ndjenjë e qetë”, ka thënë ai. Të gjithë pëlqejnë të udhëtojnë në Rhine gjatë stinës së verës dhe pastaj të shijojnë pamje unike që e bën Bazelin kaq të ndryshëm nga qytetet e tjera”. / KultPlus.com

Gravurë e panjohur, froni i Gjergj Kastriotit

Kështu përafërsisht është dukur froni i Gjergj Kastriotit në krye të shtetit mbretëror të Arbërisë europiane, thotë Gjon Keka, i cili ka paralajmëruar publikimin e saj në një libër autor i të cilit do të jetë ai.

Këtu është një gravurë nga kronistët europianë e vitit 1518, që pasqyron fronin e Mbretit Gjergj Kastrioti me Shqiponjën dykrenore në sfond të fronit dhe rrethin e tij këshillues, qeverisës , të muzikës shtetërore ceremoniale, të diplomacisë etj./Gjon Keka/ KultPlus.com

Serbët me film edhe për Kosharen, mediet serbe pyesin se a do të luajnë edhe aktorët shqiptarë

Pas zhurmës së madhe se Serbia është duke xhiruar një film për “Shtëpinë e Verdhë”, bëhet e ditur se në këtë shtet kanë filluar edhe  xhirimet për filmin “Koshara”, shkruan KultPlus.

Mediet serbe kanë njoftuar se kanë filluar xhirimet e filmit “Koshara”, dhe të njëjtin e kanë quajtur si një film që do të prezantojë heronjtë serb dhe se sipas tyre, ky film nuk ka të bëj me mite, por me ngjarje, film të cilin do ta shndërrojnë më pas edhe në një serial që do të shfaqet prej 12 episodeve, shkruan KultPlus.

Mediet serbe citojnë se seriali dhe filmi “Koshara”, do të prezantojnë historinë e heronjve serbë, që luftuan në vitin 1999 kundër UCK-së, Ushtrisë së Shqipërisë dhe NATO-s.

Ky film do të realizohet nën regjinë e Balsha Djogo, ndërsa me rolet e tyre do të luajnë aktorët: Zarko Lausevic, Milos Bikovic, Svatozar Cvetkovic dhe Viktor Savic.

Premiera e këtij filmi pritet të prezantohet në shkurt të vitit të ardhshëm, kurse seriali do të prezantohet tre muaj më vonë, në Superstar TV.

Disa nga mediet serbe kanë parashtruar dilemën se nëse do të luajnë në këtë film edhe aktorët shqiptarë. Film për Kosharen, nga serbët po realizohet për herë të dytë, fillimisht ata kanë realizuar një dokumentar për luftën në Koshare, kurse tashti me film dhe me serial./ KultPlus.com

Atdheut

Poezi nga Gjergj Fishta

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshem këndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh andërr,
Veç se ty të kam në mendim
Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht më vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu mu rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni por si i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Këndon ma ambël t’ Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen.

Derisa mundem me ligjërue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam.

Filozofia e Xhon Lokut, nga empirizmi te liberalizmi klasik dhe teoria morale politike

Xhon Loku dallonte qartësisht atë që ne mund ta dimë nga ajo për të cilën kemi vetëm një përvojë të pasigurt dhe subjektive. Duke bërë këtë, ai kërkonte të gjente një bazë konsensuale mbi të cilën të mundej të vendosej sa shkenca aq edhe shoqëria. Këtu janë themelet e teorisë moderne të njohjes, të shkencave të natyrës dhe të politikës:”Common sense”, liberalizëm dhe empirizëm.

Në teoritë e tij mbi marrëdhëniet midis pronës, punës dhe parasë, Loku del si një pararendës i ekonomisë politike moderne. Në shumë nga shkrimet e tij, Loku ka kërkuar të vendosë themelet e tolerancës fetare, duke formuluar një bazë mirëkuptimi midis besimeve të ndryshme të krishtera, një lloj krishterimi “minimal”, tek i cili do të mund të mermin pjesë të gjithë anglezët. Toleranca fetare është thelbësore për paqen e jetës në bashkësi.
Për Lokun është e sigurt vetëm nuhatja që e sigurojmë nëpërmjet vetes sonë, duke e lënë veten të priret nga ndijimi i shqisave. Vetëdija jonë mbushet me përmbajtje, “ide”, vetëm përmes rrugësh të tërthorta. Këto qëndrime themelore e bëjnë Lokun një empirist radikal, përfaqësuesin e parë të një empirizmi “me kulturë” të mendimit modem. Por ky empirizëm ka gjithashtu një anë “racionaliste” dhe karteziane: sepse edhe sikur asnjë përmbajtje e vetëdijes të mos jetë e bashkëlindur, megjithatë zotërojmë “nga natyra” aftësinë për “të menduar” mbi idetë që ne i kapim nëpërmjet shqisave të ndijimit, domethënë duke verifikuar cilësinë. Ne mësojmë përmes të menduarit të bëjmë ndryshimin midis “ideve të lëndës”, paraqitjeve të përbërësve të pavarur dhe “ideve të marrëdhënies”, që lidhen në kontaktin midis këtyre paraqitjeve.

Përfundimisht, mund të themi se njohja intuitive është ajo që na jep siguri; njohja demonstrative na tregon ekzistencën e Zotit dhe njohja shqisore na tregon se njerëzit dhe gjërat e tjera ekzistojnë, por vetëm atëherë kur ne i perceptojmë ato. Teoria morale dhe politike e Lokut. Fjala kyçe e etikës, e mirë, është plotësisht e kuptueshme, sepse kushdo e kupton se fjala e mirë përdoret për: ‘Gjërat që janë të mira ose të këqija vetëm në lidhje me gëzimin dhe hidhërimin. Pra ne quajmë të mirë atë që është e aftë të sjellë apo të rrisë kënaqësitë, ose të largojë dhimbjen…’. Disa lloj sjelljesh na sjellin kënaqësi, ndërkohë që disa të tjera na sjellin dhimbje. Morali ka të bëjë pra me zgjedhjen e së mirës e dëshirën për të. Si përcaktim më të plotë për etikën, Loku thoshte se ‘e mira morale dhe e keqja janë vetëm pajtim ose mospajtim i veprimeve tona të vullnetshme vetëm me disa ligje’. ‘Dhe ai flet për tre lloj ligjesh, ku përfshihen: ligji i opinioneve, ligji civil dhe ligji hyjnor. Ligji i opinioneve jep gjykimin e komunitetit për llojin e sjelljeve që do të çonin drejt lumturisë: përputhja me këtë ligj është quajtur virtyt, megjithëse është vënë re se komunitete të ndryshëm kanë ide të ndryshme për domethënien e virtytit. Ligji civil është krijuar nga shteti dhe është zbatuar nga gjykata. Ligji hyjnor, të cilin njeriu mund ta njohë si nëpërmjet arsyes së tij ashtu edhe nga kërkimet, është ligji i vërtetë i sjelljes njerëzore: ‘i cili i është dhënë njeriut nga Zoti për të qeverisur veten dhe unë mendoj’, thotë Loku, ‘që asnjëri nuk është kaq mosmirënjohës, sat a mohojë këtë’. Kështu që, në perspektivë, si ligji i përshtypjeve, ashtu edhe ligji civil, duhet të bëhet në përputhje me ligjin hyjnor, ‘kriterin e vërtetë të të drejtave morale’. Arsyeja e mospërputhjes ndërmjet këtyre tre ligjeve është sepse njeriu kurdoherë tenton të zgjedhë kënaqësinë e çastit në vend që të zgjedhë atë që ka vlerë të qëndrueshme.

John Locke (Xhon Loku) u lind më 29 gusht 1632 në Vrington, në rrethinat e Bristolit. Pasi ndoqi një formim klasik dhe filologjik në Westerminster School të Londrës.
Ka qenë një filozof dhe mjek britanik. Konsiderohet babai i liberalizmit klasik, i empirizmit modern dhe një nga paraprirësit më me ndikim të iluminizmit dhe kriticizmit. Ai vdiq më 28 tetor 1704 në vilën e fshatit Wuts, pranë Londrës, ku kishte kaluar vitet e fundit të jetës.
Albert Vataj /KultPlus.com

Hapet “Arena e Veronës” pas zbutjes së Covid-19, shqiptari Saimir Pirgu shkëlqen me arien “Ballo me maska”

Pas “mbylljes së madhe” më 25 korrik, Arena e Veronës hapi kalendarin veror me një festë që ngjiti në skenë 24 këngëtarë lirikë italianë.

Me një arie nga “Ballo in maschera” mes tyre shkëlqeu Saimir Pirgu.

Në intervistën për Il Venderdì di Repubblica, Saimiri, në një panoramë të jetës dhe punës së tij kujton bashkëpunimet e shkëlyera që ka patur edhe në krah të të madhit Pavaroti.

U drejtohet gjithashtu të rinjve për t’i tërhequr pranë skenës operistike pasi “Opera nuk është art që iu drejtohet vetëm gjyshërve, por edhe më të rinjtë e vlerësojnë gjithnjë e më shumë”.

Ai thotë gjithashtu në intervistë se pret me padurim të ngjitet në skenën e re të teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë./ KultPlus.com

Eliza Hoxha: Covidi më ka njohur edhe me njerëz të tjerë që luftonin për jetë dhe na ka lidhë shoqëri përjetë

Nata e bënte të veten. Dukej se pas terapisë së mbrëmjes të gjithë rehatoheshin për gjumë. Por teknikët e oksigjenit nuk ndalonin asnjëherë duke sjellë boca të reja…Zhurmë, krisma, tërheqje zvarrë e të tyre sepse gjithcka bëhej manualisht…por kishte edhe një rrëmujë tjetër në terracën e dhomave mbrëmë. Dola jashtë…Ora 01:00 e natës. Në dhomën nr. 9 vdiq edhe një burrë. Shqetësim, pasiguri, paqartësi… I shprehë ngushëllimet e mia djemëve të tij dhe kthehem në dhomë.
Tani kishte edhe një grua në dhomën time e cila mezi ngopej me frymë. Ishte 24 orë me oksigjen shtesë. Dikur fjeta.

Si në ëndërr më dukej se dikush thërriste emrin tim…sa e sa herë me rradhë… Në fakt u zgjova dhe gruaja pranë shtratit tim gjëmonte e rënkonte duke thirrur me rënkim emrin tim e duke përsëritur ” më është ndal oksigjeni” . Ora 03:20 e mëngjesit.

Kërceva nga shtrati e trishtuar…Motër …motër…nuk ka më oksigjen…U shqetësua edhe ajo…i thirri teknikët, erdhën dhe e ndërruan bocën…

Ajo u rehabilitua dhe fjeti përsëri…por unë më nuk fjeta…cka nëse nuk e kisha dëgju…cka nëse nuk kishte pas bocë tjetër me oksigjen atë natë…cka, nëse?!…
Më zuri mëngjesi me sy hapun.

Natë në dhomën nr.6 – infektive – reparti B

Pas 20 ditesh – 10 në shpi e 10 në spital nga sot zyrtarisht jam Covid Free, por ende me terapi shpie ne vazhdim.

Dua me këtë rast veç nja dy tre fjalë, ndoshta i shërbejnë dikujt…

1. Virusi duket se ka një paketë simptomash identifikuese, por pasojat e virusit nuk janë të njejta për asnjë person.
2. Stafi i mjekëve e infermierëve nuk kanë ndalu as edhe një herë. Por janë të pamjaftueshëm në numër për të arritur tek të gjithë. Qeveria ka patur mundësi ta decentralizojë shërbimin më heret, të testojnë më shumë persona, të rrisin nr e personelit.
3. Infrastruktura shëndetsore nuk është krejt e paqëndrueshme, sa është menaxhimi i dobët dhe mirëmbajtja e tyre…këtu i përfshijë edhe vet pacientët që shpesh nuk janë të vëmendshëm për të mirën publike.
4. Ka një gjë që këto ditë i ka zbutur duke i bërë të duken surreale ndonjëherë…Drunjët dhe hapësira e gjelbër përreth spitalit bashkë me zogjët që na zgjonin në mëngjes janë peizazhi që më ka motivuar të zgjohem e të duroj për ditë të mira. Efekti natyrë që ne po e mbysim cdo ditë në këtë qytet.
5. Covidi më ka njohur edhe me njerëz të tjerë që luftonin për jetë dhe na ka lidhë shoqëri përjetë. Fatoni dhe Gonxhja janë një pasuri e re në jetën time.
6. Mediat mendojë që duhet informatat ti përshkallëzojnë…jo vetëm në shifra sa të infektuar e sa të vdekur, por edhe se cfarë raste janë, sa me simptoma të rënda e sa pa simptoma…sa ne spital e sa në shpi …sepse jep një pamje më të qartë…rastet pa simptoma mund të jenë bartës pa dashje e më besoni se ka shumë…

I falenderoj mjeket dhe infermierët e infektives për përkushtimin dhe energjinë e mirë! Ju falenderoj të gjithë juve miqë e dashamirë që u kujdesët, më këshilluat e më inkurajuat për të vazhduar!
Falenderim special për Arditën dhe Ardianin udhërrëfyesit e mijë gjatë kohës sa isha në vetizolim!

U jam shumë mirënjohëse!
Ka qenë eksperiencë shumë e çuditshme dhe sfiduese edhe përtej dimesionit shëndetsor!

Në fund fare ka një gjë të thjeshtë.
#lajiduart
#QiteMaskën
#mbajedistancën

Për vete, për tjetrin./ KultPlus.com