Edina kërkon ndihmën e KultPlus: Kërkoj Venerën, shoqen e spitalit në Beograd, ishte engjull mbrojtës për mua

Ishte vetëm 13 vjeçare kur iu dashtë të shtrohej në spitalin ‘Instituti për Nëna dhe Fëmijë’, në Beograd. Edhe pse e vogël, një takim me bashkëmoshataren e saj, bëri që Edina edhe tash pas 24 viteve, ta kujtojë Venerën me një dashuri e respekt të pashoq, shkruan KultPlus.

Edina Resulbegu është një shqiptare nga Ulqini, e cila para 24 viteve është shtruar në spitalin e Beogradit, ku për një muaj rresht ka qëndruar me Venerën, që ishte edhe bashkëmoshatare e saj. Këto të dyja atje kanë qëndruar me nënat e tyra. Ndërkaq, tash, kur teknologjia ka bërë që kontakti me të afërmit tanë të jetë më i lehtë, Edina nuk e ka idenë se çfarë mbiemri kishte Venera apo se nga vinte, duke e privuar Edinën nga gjetja e shoqes së saj të fëmijërisë.

Ishin të vogla dhe në atë spital ishin për një hall, e kujt do t’i binte ndërmend të pyeste për mbiemër, apo për vendbanimit.

Edina tregon për KultPlus se krejt çka din është vetëm se Venera vinte nga Kosova.

Ajo çfarë e bënë më të ndjeshme këtë temë për Edinën, është fakti se Venera edhe pse bashkëmoshatare me Edinën, ishte kujdesur jashtëzakonisht shumë për të gjatë asaj periudhe.

‘Në atë spital ka pasur shumë fëmijë nga Kosova. Ndërkaq, as unë dhe as Venera nuk kemi pasë motër, por ajo ka qenë si motër për mua. Më freskonte me peshkir me orë të tëra sepse më digjte plaga nga operimi’, tregon tutje Edina për KultPlus.

Nga nostalgjia e madhe për të, Edina e kujton Venerën si një vajzë të bukur shumë, me flokë të gjatë e ngjyrë kafe.
‘Ajo ka qenë drita ime në ato ditë. Ka qenë engjulli im mbrojtës, prandaj nuk më hiqet kurrë nga mendja. Nuk e kam harruar kurrë’, shprehet Edina.

Për Edinën ka shumë rëndësi gjetja e kontaktit të Venerës, prandaj ajo apelon për të gjithë që mund ta njohin atë, miqtë e saj, familjarët apo kushdo tjetër, t’i tregojë asaj se Edina ka shumë dëshirë ta kontaktojë, ta takojë, pasiqë ka një dashuri e mirënjohje të madhe për të. / KultPlus.com

Vdes kitaristi i rok grupit ‘Red Hot Chili Peppers’

Në moshën 64-vjeç, ka vdekur kitarsti i rok grupit ‘Red Hot Chili Peppers’, Jack Sherman, i cili ishte shfaqur në skenë me debutimin e albumit nga ky grup.

Sherman, i cili iu bashkangjit grupit në turneun e parë në SHBA në vitin 1984, po ashtu bashkëpunoi në shkrimin e teksteve të këngëve për albumin e tyre të dytë.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij, raporton BBC. 

Sherman kishte zëvendësuar kitaristin dhe një nga anëtarët themelues të grupit, Hillel Slovak, në dhjetor të vitit 1983. Slovak ishte rikthyer në grup në vitin 1985, kur Sherman ishte larguar.

Megjithatë, Sherman vazhdoi kontributin e tij në albumet tjera të grupit, ashtu si bashkëpunoi me artistë të mëdhenjë si, Bob Dylan dhe George Clinton / KultPlus.com

O nënë, eja në dritare

Poezi nga Teodor Keko

Muzgu i kaltër vel u var,
mahnitës u bë qielli.
Gjithcka si me magji më ngjan
me një dekor baleti.
Dhe hëna paksa e trishtuar
si pikëllimi i Lorkës,
qiellit i shkon kaq shumë
sic i shkojnë nuses lotët.
O nënë, eja në dritare
të shohim hënën mbi Dajt tek ndrisë
dhe të më thuash me një zë zemre:
Nuk ka si muzgjet e Shqiperisë! / KultPlus.com

Granti 800 mijë dollarë, në ndihmë të restaurimit të fortifikimeve të lashta shqiptare

Programi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore po ndihmon në restaurimin e fortifikimeve të lashta shqiptare në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 19 nëntorit të vitit të kaluar.

Ambasada Amerikane shkruan se një grant prej 800.000 dollarësh, programi Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore do të mbështesë stabilizimin kritik të strukturave, studimin për ruajtjen e secilit nga fortifikimet dhe rindërtimin e pjesëve të dëmtuara.

Në muajin qershor të këtij viti ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe ambasadorja Yuri Kim ishin në qytetin e Krujës, ku u nënshkrua dhe një marrëveshje bashkëpunimi për punën që do të bëhet në monumentet e kulturës. Në fjalën e saj ambasadorja Yuri Kim ndër të tjera tha se prej vitit të themelimit në 2001, Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore, ka ofruar mbështetje për më shumë se një mijë projekte, në mbi 125 vende të botës.

“Këto angazhime tregojnë se sa thellë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera, por mbi të gjitha, dëshirën tonë, që miqtë tanë të mund ta ruajnë atë”, tha ambasadorja Kim në Krujë, ku vijoi në fjalën e saj se në Shqipëri kanë kontribuuar në shumë projekte përmes Fondit të Ambasadorit.

Duke falënderuar znj. ambasadore atë kohë në Krujë, ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh ndër të tjera se qeveria shqiptare, krahas me rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, duke u mbështetur tek vizioni për të ardhmen, për një jetë më të mirë, po punon për ringritjen e këtyre monumenteve. Kalaja e Krujës është e njohur për rëndësinë e saj historike dhe kulturore në vendin tonë. Kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r.

Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek.  IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Edhe në ditët e sotme është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët. / KultPlus.com

Dukagjin Lipa uron Duan në 25 vjetorin e lindjes: Jam i lumtur që jemi bashkë në këtë udhëtim, do më kesh gjithmonë pranë

Sot Dua Lipa feston 25 vjetorin e lindjes.

Sigurisht se urimi i babit të saj, Dukagjin Lipa, nuk do të mungonte. Ai uroi Duan përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.

Dukagjin Lipa shprehet se ndjehet i bekuar dhe me fat për Duan.

“25 vjet nga koha kur linde dhe unë jam i bekuar. Je rritur tani, por ti je akoma fëmija im i vogël. Unë jam aq mirënjohës që jam me ty në këtë udhëtim të mahnitshëm. Do më kesh gjithmonë duke u kujdesur për ty. Gëzuar ditëlindjen dashuria ime”, shkruan ai në mbishkrimin e fotografive të postuara. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CELzmZPhnYE/?utm_source=ig_web_copy_link

Gruaja më e fuqishme në botë jeton në një shtëpi të thjeshtë, Merkel: Mendoj për popullin

Është gruaja më e fuqishme në botë, mirëpo nuk është e dhënë pas luksit dhe markave të shtrenjta. Bëhet fjalë për kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila jo rrallëherë është vënë në fokus të mediave për shkak të jetës modeste që bën.

Merkel, përkundër të ardhurave nga pozita e rëndësishme që mban në shtetin gjerman, jeton në një banesë me qira në Berlin. Ajo bashkë me burrin e saj prof. Dr. Joachim Sauer, jeton në një banesë në katin e 4-të në Am Kupfergraben 6, në “Muzeun e Ishullit”, në një hapësirë prej vetëm 80 metrash katrorë. / KultPlus.com

Falem’nerës Liburn Dema

Liburn Dema, është njëri nga punonjësit shëndetësor i cili tash e pothuajse një muaj është pjesë e mjeksësisë sportive në mjekimin intenziv të pacientave me Covid, duke u bërë kështu edhe ky ndër mjekët që po dhëjnë kontributin e tyre në luftën e Kosovës kundër Covid19.

Liburn Dema tashmë është është pjesë e rubrikës ‘Falem’nerës’ së KultPlus-it për promovimin publik të punëtorëve shëndetësor në Kosovë në shenjë vlerësimi dhe solidariteti për punën e tyre tash e sa muaj.

Për të gjithë njerëzit, Liburni ka edhe një mesazh: Të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë kujdesë që nesër të mos i rrezikojnë më të dashurit e tyre!

KultPlus, edhe më tutje fton të gjithë punëtorët shëndetësor pa dallime dhe nga të gjitha vendbanimet të na i dërgojnë të dhënat e mëposhtme dhe ne do i publikojmë ato në faqen tonë në Facebook.

1.Emri dhe mbiemri:
2.Qyteti:
3.Një fotografi me uniformë mjekësore dhe të jetë fotografi profili
4.Një mesazh për qytetarët (E preferuar por jo e domsodoshme)

Këto të dhëna dërgoni në email tonë: [email protected] apo në faqen tonë www.KultPlus.com

Nënë Tereza: Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë

Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët, por edhe për ne, është flaka e dashurisë në ndezje. Gëzimi është uratë, gëzimi është fuqi, gëzimi është dashuri në veprim.

-Gëzimi është rrjeti i dashurisë ku mund të “peshkohen” shpirtrat e njerëzve. Zoti e do njeriun që dhurohet me gëzim. Mënyra më e mirë për ta treguar falënderimin tonë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit është ta pranojmë shoqi-shoqin me gëzim… Të jemi të lumtur me Zotin domethënë: të duam si na do Ai ne, të ndihmojmë si na ndihmon Ai ne, të shërbejmë si na shërben Ai ne… Ne lëvizje tuaja shpërndani gëzim që jeni të Zotit, që jetoni për Zotin, që e doni Zotin në të afërmin… Që të mund të jemi të lumtur dhe ta shpërndajmë atë edhe të tjerëve, duhet shumë pak, çdo ditë të kërkoni ta bëni vullnetin e Zotit, sepse bota ka uri për Zotin dhe për dashurinë e tij; lutja në vazhdimësi, të dimë të duam dhe të falim… Ne, me paduresë e presim parajsën, ku është Zoti, por kemi mundësi qysh tash të jemi në parajsë, prej këtij çasti: duke dashur dhe flijuar për Zotin dhe për të afërmin në vuajtje.

-Sot bota ka uri për gëzim që vjen nga zemra e pastërt, sepse ata e shohin Zotin… Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë… Gëzimin ndriçon ne sytë tuaj dhe në fytyrë. Kur njerëzit do ta shohin gëzimin në sy tuaj, do ta zbulojnë Zotin në ju.

-Puna apo jeta pa uratë është robëri. Kisha dëshiron përtëritjen e saj dhe të botës së sotme. Mirëpo përtërija nuk është ndërrimi i traditave, i jashtëm, por mbi të gjitha i brendshëm, rrënjësor, i zemrës së njeriut me hirin e Zotit”.

Përgatiti: Don Lush Gjergji. / KultPlus.com

QBD boton falas përrallat dy gjuhëshe shqip-anglisht për fëmijët në Diasporë

Përrallat shumë të dashura për fëmijët “Pitër Pani” dhe “Bukuroshja e fjetur”, tashmë vijnë në botimin dygjuhësh shqip dhe anglisht, si pjesë e serisë “Klasikët Dygjuhësh” – projekt i Qendrës së Botimeve për Diasporën.

Vëllimi, i sjellë në shqip nga Parid Teferiçi, është i pajisur me ilustrime shumë të këndshme, tekst të thjeshtë dhe me fjalët më të përdorshme në dy gjuhë që lehtësojnë mësimin e gjuhës në mënyrë argëtuese. Metoda krahasuese ndihmon në ngulitjen e fjalëve të reja dhe të fjalive të thjeshta në tërësi. Libri i shkarkueshëm në versionin digjital mund të përdoret edhe nga mësuesi gjatë orës së mësimit.

Kjo seri, shumë e dobishme e mirëpritur dhe e përshëndetur nga shqiptarët e Diasporës, përfshin përrallat më të bukura, botuar në një vëllim dygjuhësh, dhe synon t’u vijë në ndihmë fëmijëve shqiptarë të rritur në mërgatë që gjuhën shqipe e mësojnë paralelisht me gjuhën e vendit, apo si gjuhë të dytë.

Botimi dygjuhësh, shqip dhe anglisht, “Piter Pani” dhe “Bukuroshja e fjetur”, është falas për fëmijët shqiptarë të Diasporës dhe falas në versionin online për të gjithë. / KultPlus.com

https://drive.google.com/file/d/1r1YWqY15g5ZtBvAY_xowD1_Y6pEfMfoi/view

Esat Pasha: Mos harroni se shqiptari është krenar, guximtar dhe i lidhur fort me traditat e tij kombëtare

Nga Aurenc Bebja, Francë – 22 Gusht 2020

“La Liberté” ka botuar, të martën e 6 prillit 1920, në faqen n°3, intervistën e saj me Esat Pashën në lidhje me vendimin e Kongresit të Londrës ndaj Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fati i Shqipërisë

Një takim me Esat Pashën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne jemi të vetëdijshëm për shërbimet e shkëlqyera që Esat Pasha i bëri Francës gjatë luftës. Ishte mjaft interesante të merrnim mendimin e këtij miku, të djeshëm dhe të sotëm, për çështjen shqetësuese të Shqipërisë, zgjidhja e së cilës, duket se është e menjëhershme.

Esat Pasha ka vështirësi të shprehet në frëngjisht dhe përdor një përkthyes.

“Jo, u përgjigj pyetjes sonë, pushtimi i Shqipërisë nga trupat italiane nuk është përfundimtar dhe nuk fyen në asnjë mënyrë ndjenjat e shtetasve tanë.

Fati i vendit tim është akoma i pavendosur; Kongresi i Londrës po vazhdon në mënyrë aktive punën e tij dhe vendimi i tij nuk do të zgjasë shumë.”

A besoni, gjeneral, se atij do t’i jepet autonomia ?

E shpresoj dhe besoj. Do të bënin një gabim të madh, tepër të madh, nëse nuk respektojnë vullnetin e shqiptarëve; pra, ata duan të jenë të lirë. Nëse pavarësia e tyre nuk do të njihej, paqja e Ballkanit do të rrezikohej seriozisht dhe, për t’u dhënë mendimin tim, do të kishte arsye për t’u frikësuar nga trazira të vazhdueshme. Mos harroni se shqiptari është krenar, guximtar dhe i lidhur fort me traditat e tij kombëtare. Të gjithë personat kompetente në këtë çështje do të jenë njëzëri me mendimin tim.

— Cili do të ishte regjimi (politik) që do t’i përshtatej më mirë ?

Gjenerali bën një gjest. “Kjo, tha ai, është delikate. Gjatë luftës, unë kam qenë Presidenti i Këshillit të Shqipërisë deri në kohën e pushtimit. Aktualisht, vendi është nën kontrollin e Aleatëve.” Gjenerali ndalet. Natyrisht, modestia e tij e ndalon atë që të zhvillojë mendimet e tij. “Le ta lëmë këtë, shton ai. Unë i besoj besnikërisë së Francës dhe pres me padurim vendimet e Kongresit të Londrës : është e mundur që status quo-i i paraluftës të ruhet; vetëm atëherë mund të jap më shumë detaje.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/la-liberte-1920-esat-pasha-mos-harroni-se-shqiptari-eshte-krenar-guximtar-dhe-i-lidhur-fort-me-traditat-e-tij-kombetare-prandaj-kongresi-i-londres/?fbclid=IwAR2FVzak-j7rK5aZmEi7PfjSXKwa0TYdtt8qXPSCKB_4SxKU9X3I-8gnkEI

Dua Lipa feston 25 vjetorin e lindjes

Më 22 gusht të vitit 1995 do të lindte vajza shqiptare, e cila Kosovës do t’i mveshte një pasyqrë tjetër në të cilën bota do të mund të shihte se edhe nga ky vend i vogël, ekziston arti. Dua Lipa, një vazjë kosovare e cila tash e 5 vite karrierë ka rrëmbyer zemrat e miliona fansave në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Kënga e parë e Duas ishte ‘New Love’, ndërkaq kënga me të cilën Dua i hapi shumë rrugë vetes ishte kënga ‘Be the one’.

Talenti i Duas nuk është i rastësishëm, pasiqë ajo është vajza e rokerit të njohur kosovar, Dukagjin Lipa, i cili poashtu edhe ai pas vetes la një mori këngësh që dëgjohen edhe sot e kësaj dite.

Dua ka kënduar qysh në vegjëli, ku në rrjete sociale nuk kanë qenë të rralla videot e publikuara ku shihet Dua duke kënduar nëpër evente të ndryshme shkollore, e potenciali i saj sigurisht se vërehet qysh atëherë.

https://www.facebook.com/kultpluscom/videos/2566456923570741/?t=7

Ndër të tjera, vlen të ceket se Dua ka fituar shumë çmime gjatë karrierës së saj, duke përfshirë dy çmime Grammy, tri çmime Brit dhe dy çmime MTV Europe Music. Ajo është nominuar edhe për tri çmime Billboard, një çmim American Music dhe katër çmime MTV Video Music. Ndërsa, sa i përket viti 2020, Dua veçse e ka rrëmbyer plotësisht këtë vit me sukseset e saj të njëpasnjëshme.

”Dua Lipa u lind në Westminster, Londër nga prindër shqiptarë nga Kosova të larguar nga Prishtina në vitin 1992. Në lidhje me emrin e saj, Lipa shtjelloi: “Tani jam krenare për të. Por kur isha e vogël, e gjitha që doja ishte të quhesha Hana, Sara, Ela… diçka normale. Sepse me emrin “Dua”, njerëzve duhet t’ua shpjegoj: Jam nga Kosova.” Babai i saj, Dukagjin Lipa është menaxher marketingu dhe vokalisti kryesor në një grup roku në Kosovë, Oda, ndërsa nëna e saj, Anesa Lipa (Rexha) punon në turizëm. Lipa ka edhe një motër më të re dhe një vëlla më të ri. Ajo, me gjysmë orari, ka ndjekur shkollën Sylvia Young Theatre School, një shkollë artistike teatrale, para se të zhvendosej me familjen e saj në Kosovë në vitin 2006, kur babai i saj gjeti një vend pune. Në Kosovë, ajo ndoqi shkollën “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë dhe u bë fanse e artistëve hip hop, të cilët do të ndikonin në stilin e saj muzikor.

Në moshën 14-vjeçare, Lipa filloi të postojë në YouTube versionet e kënduara vetë, të këngëve të saj të preferuara nga artistë si: Pink, dhe Nelly Furtado. Pas një viti, ajo u rikthye në Londër me qëllimin që të bëhet këngëtare, jetoi me një shoqe dhe studioi në Parliament Hill School gjatë javës dhe në Silvya Young Theatre School të shtuneve. Për të fituar para për qëllimet e saj muzikore, Lipa pati profesione të ndryshme, si menaxhimi i restoranteve dhe klubeve të natës. Ajo punoi edhe si modele në katalogun online ASOS Marketplace kur ishte 16-vjeçe, me qëllimin e vetëm që të takonte njerëz që mund ta ndihmonin ta ndiqte karrierën e saj muzikore, por dha dorëheqje pasi një menaxher i tha të humbte peshë. Në vitin 2013, këngëtarja mori pjesë në një reklamë televizive për The X Factor”, është ky përshkrimi mbi fillimet e Dua Lipës, që i bëhet në mediet e huaja.

Ajo çfarë e bënë Duan tejet të dashur edhe për publikun shqipfolës, është fakti se ajo vazhdimisht shprehet krenare me rrënjët e saj, ka ndihmuar edhe në kauza të ndryshme që kishin të bënin me Kosovën, ku poashtu i ka sjellur vendit tonë edhe Festivalin më të madh të këtij vendi. / KultPlus.com

Dokumentet zyrtare serbe tregojnë si e vrau Serbia Ukshin Hotin

Ekipi i emisionit “Udhëve” në RTK hulumtoi një kohë të gjatë për rrethanat e zhdukjes së veprimtarit shqiptar Ukshin Hoti dhe arriti të zbulojë shumë fakte.

Në bazë të dokumentave të ushtrisë dhe policisë serbe që i ka siguruar redaksia e “Udhëve”, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu I Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet e siguruara nga redaksia e “Udhëve”, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesise për krime lufte. 

Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shteteror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999. 

Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtepisë së një shqiptari. Deshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje per deren dhe oborrin siç i kishte pare në maj të vitit 1999. Pas luftës ai mur është ndertuar me blloka të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës.

Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rruges lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose shtallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe.

Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjestarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga Komandanti Milićko Janković. Të gjitha këto të dhëna thuhen në dokumentin e siguruar nga redaksia jonë. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Williams e Jay Z, me këngë të re rreth lëvizjes së të drejtave afro-amerikane

Pharrell Williams dhe Jay-Z i kanë bashkuar forcat dhe kanë realizuar këngën e re “Entrepreneur”, e cila lartëson lëvizjen për të drejtat e afro-amerikanëve.

Kënga, e publikuar të premten, është bashkëpunim në kuadër të projektit të veçantë me ‘coverë’ të “Time”-it, “The New American Revolution”, i cili ishte krijuar nga Williamsi dhe përfshin bisedat me Angela Davisin, Naomi Osakan, Tylerin, “Creator” dhe disa të famshëm të tjerë, në ngritje të zërit kundër padrejtësive ndaj qytetarëve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Projekti i ri muzikor i vë në pah të arriturat e qytetarëve të thjeshtë, të cilët kanë krijuar kompani, brendë, produkte dhe nisma për komunitetin, duke nisur nga zeroja dhe shpesh në varfëri, transmeton KultPlus.

Në videoklipin e projektit paraqiten po ashtu shumë të famshëm të tjerë, të cilët kanë arritur vetë suksesin, përfshirë Issa Raen, Tylerin and Six Sev. Ndërkaq, është përfshirë edhe një pauzë prej një minute heshtjeje në nderim të aktivistit, reperit dhe interpretuesit të vrarë, Nipsey Hussle.

Williams ka thënë për “TIME” se kënga është “rreth asaj se sa e vështirë është të jesh interpretues në vendin tonë në rend të parë”.

“Sidomos si person me ngjyrë. Ka shumë disavantazhe sistematike dhe bllokime të qëllimta”, ka thënë ai. “Si mund ta ndezësh një zjarr apo vetëm shpresën e prushit për të ndezur zjarr, kur fillon me disavantazhet që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, edukimin dhe përfaqësimin?”

Jay-Z është artisti me të cilin ka bashkëpunuar Williams në këtë këngë.

“Entrepreneur” është prodhim i Neptunes, i Williamsit dhe bashkëpunëtorit të tij të kamotshëm, Chad Hugo. Jay-Z dhe Williams kanë bashkëpunuar edhe në shumë hite gjatë dy dekadave të kaluara, përfshirë në këtë mes “I Just Wanna Love U (Give It 2 Me)”, “Excuse Me Miss”, “Change Clothes”, “Frontin” dhe “Apes**t”, ndërsa kanë përfshirë në projektet e tyre edhe bashkëshorten e Jay-Z, këngëtaren Beyoncé. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=SjgPbrXRWok&feature=emb_title

Syzet e Gandhit shiten për gati 300 mijë euro

Një palë syza, që besohet se i takonin liderit politik indian, Mahatma Gandhit janë shitur për gati 300 mijë euro në një ankand publik, të premten.

Syzet janë blerë nga një koleksionues amerikan, me ankandin që zgjati vetëm gjashtë minuta. Syzet ishin gjetur pasi pronari i tyre i kishte lënë në një zarf të bardhë në kutinë e postës së shtëpisë së ankandeve në Bristol të Britanisë së Madhe.

Ato fillimisht ishte pritur që të shiteshin në një çmim deri në rreth 20 mijë euro, ndërsa në fund u shitën për 288 mijë euro.

Nga shtëpia e ankandeve kanë thënë se pronar i syzeve ka qenë një person i moshuar që kishte thënë se do t’i ndante paratë me të bijat e tij. Ato ishin bartur brez pas brezi në familjen e tij, qysh kur një i afërm kishte takuar Gandhin në një vizitë në Afrikën e Jugut në vitet e ’20-a, shkruan BBC.

Pronari i tyre i kishte lënë syzet në një të premten në mbrëmje, ndërsa kutia e postës nuk ishte hapur deri të hënën. Nga ankandi kanë thënë se ato lehtë kanë mundur të përfundonin në kopsht mbeturinash. / KultPlus.com

‘Grueja don veç me ecë ndër njerëz si njeri, pa e vrarë, pa e shkelmu’

Nga Entela Tabaku

Grueja ndër ne ka vetëm dy vende:
– ose e çojmë në qiell, këtë hyjni, i projektojmë në të tana virtytet dhe vlerat e kësaj bote si shufra të arta të një kafazi që rrin varë në ideale të pamunduna që ia marrin frymën.
– ose e hedhim përdhé, këtë hore, i projektojmë në të tana dështimet dhe zhgënjimet e kësaj bote si kamxhikë që i rrinë mbi krye gati me e qëllu dhe me ia marrë frymën.

Grueja asht njeri dhe don veç me ecë ndër njerëz si njeri, me kambët në tokë, me vlerat dhe gabimet e veta. Pa e varë (për flokësh) në qiell, pa e shkelmu (për vdekje) rrugësh.
Me e dashtë dhe me e shpëtu një gru ndër ne nuk don me thanë me e çu në qiell, i vjen dita dhe veç bjen ma randshëm. Don me thanë me e lanë me ecë në punën e vet. Secilën për vedin e vet, për jetën e vet. Si njeri. / KultPlus.com

Gresa Pallaska nominohet për çmimin e Aktores më të Mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë

Filmi ‘Rruga’ nën regjinë e Besim Ugzmajlit që tashmë ka gëzuar mjaft suksese edhe jashtë kufijve, si protagoniste kryesore ka edhe Gresa Pallaskën, shkruan KultPlus.

Pallaska, sëfundi është nominuar për çmimin e Aktores më të Mirë në Film Festival under the Moon in Islantilla, Andalusia, Spain.

Ndër të tjera vlen të ceket se filmi ”Rruga”, ka qenë i nominuar edhe në shumë festivale të tjera, prej tyre edhe festivale të akredituara nga Akdemia Oscar.

“Rruga” është prodhim i Figurina Film’s. / KultPlus.com

Shkodra, qyteti ku lindi lëvizja feministe shqiptare

Është folur shumë për civilizmin e gruas shqiptare. E nëpërkëmbur ndër shekuj, gruaja shqiptare ka vuajtur shtypjen e saj qoftë nga pushtuesit, kanunet, qeveritë maskiliste ashtu dhe nga opinioni.

Por në jetën shqiptare gjen plot shembuj të grave që kapërcyen vështirësitë, mentalitetin represues dhe ia dolën mbanë.

Nga lajmet që kanë mbërritur deri në ditët tona, shumë gra e vajza të guximshme arritën të thyenin tabutë dhe të kryenin një jetë publike , bile dhe artistike. Pikërisht në një prej qyteteve më të zhvilluara shqiptare nuk kishte si të mos kishte një lëvizje feministe të çmueshme për gjithë Shqipërinë. Ky qytet do të ishte Shkodra. Dhe nuk ishte e rastësishme.

Qyteti i Shkodrës ishte vendi ku kishte një lulëzim letrar, politik dhe diplomatik. Në gjithë historinë tonë të brishtë ky qytet është dalluar për kulturën, artin dhe civilizimin e hershëm. Dhe pa dyshim që dhe Shkodra e viteve 1910-1930 do ndriste në gjithë shkëlqimin e saj.

Në vitin 1911, Kolë Idromeno hap një sallon ku projektonte dispozitat e para të filmit. Ai do të sillte në Shqipëri filmat e parë dhe në të gjitha shtëpitë e katolikëve, shfaqeshin filmat e parë në Shqipëri. Në vitin 1913 u hap “Internacionali” dhe Shkodra u bë qyteti më i rëndësishëm diplomatik, kulturor në të gjithë rajonin, sepse kishte shumë konsullata të huaja që imponononin shkëmbime kulturore dhe letrare.

Gratë dhe vajzat në lagjet G’juhadol dhe Sarreq ishin me të vërtet të emancipuara. Ato mësonin gjuhë të huaja dhe kjo është një shenjë e dashurisë së tyre për arsimin, pasi aty ishte shkolla e murgeshave stigmatine.

Pikërisht në vitin 1919 në Shkodër do të vihej në skenë një shfaqje teatrale e bazuar në një ngjarje kinematografike. Ajo quhej “Eminia e vorfën” dhe ishte një dramë me temë dashurie.

Rolin e Eminias do të luante një vajzë, edhe pse e padalë në reklamat e qytetit. Kjo në fakt është një ngjarje, sepse deri në atë kohë luanin vetëm burrat të veshura si gra. Sigurisht që kjo ngjarje do të merrte dhenë dhe shumë njerëz do e përflisnin këtë akt, duke aluduar se ishte një grua e huaj, dhe siç ishte zakon në Shkodër, kjo ngjarje u kthye në barcaletë.

Vitet 1921 dhe 1922 në Shkodër do jenë vite shpërthimi për teatrot dhe shoqëritë artistike dhe një nga kulmet e saj është shfaqja gjimnastikore “Katër caqet Themelore” e interpretuar e gjitha nga vajza. Paraqitja e tyre në skenë ishte e ngjashme me shfaqjet e vjetra të Broduejit dhe kjo ngjarje nuk kaloi pa u vënë re. Shkodranet e famshme janë përkatësisht : Adelajdja e K. Muzhanit, Kjara e Ejëll Koliqit, Karitina e Ejëll Koliqit, Margerita e Sh. Koliqit, Kristina e Zef Gjonej, Pina e Zef Gjonej, Nikolina e Kel Kodhelit, Domenika Tedeskini, Gizela Tedeskini, Viktorja e Z. Jakut, Roza e Z. Çurçisë, Adelajdja e F. Loros, Marta e Mati Logorecit, Nusha e Shuk Gjokës, Despina e Joakin Kokosheviç, Nineja e Tom Naraçit.

Kulmi do të shënohej me vënien në skenë të dramës “E tradhëtumja” që luhet vetëm nga vajza e gra. Ndër to do të shquheshin: Markeza e Sh. Justit nga Tina e Gjon Ashikut, Ema nga Angjelina e Mark Temalit, Marija nga Lezina e Pashko Cefës, Elvira nga Adelajdja e Pjetër Lekës, Lena nga Kristina e Zef Gjonej, një shërbëtore nga Katrina e Ndrekë Çefës, një rojtare burgu nga Ida e Kel Kodhelit dhe një zonjë, e luajtur nga Metilda e Kol Kakarriqit.

Shfaqja ishte një lojë reale ku aktoret dilnin të zbuluara dhe interpretonin në skenë. Interesante ishte që në fund të shfaqjes aktoret luanin një valle patriotike, e titulluar “Rroftë Shqypnia”.

Pikërisht kjo shfaqje tregonte se qyteti i lashtë, i quajtur me të drejtë një qytet evropian që gjithnjë kish synuar perëndimin i kishte rrënjët tek tradita. Dhe kjo në fakt ka qenë karakteristikë e shkodraneve.

Këto të fundit janë me nam për kulturën, qytetërimin dhe udhëheqjen që i kanë bërë lëvizjeve feministe në Shqipëri. Ndaj kjo përpjekje e tyre në kohën kur shqiptaret ishin me perçe dhe kur fanatizmi sundohet patjetër që duhet përshëndetur sepse ishte përpjekja e parë për të dalë krah burrave, në shfaqje publike.

Kështu që në Odeonin artistik shqiptar, shkodranet mbajnë skeptrin e të parave artiste në Shqipëri. /konica.al/ KultPlus.com

Disa nga besëtytnitë më të çuditshme të shqiptarëve

Atë Donat Kurti, një ndër folkloristët më të njohur shqiptarë, që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e Zakone Shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos besëtytnitë që lidhen me të.

Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt, ai shkruan:

Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (ngopë). (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër).

Kështu, në fund të kapitullit “Fëmijët në familje”, në pikën e tretë, ai shkruan:

Besëtytni në lidhni me të lem të fëmijve

Fëmijës, një ditë mbasi ta ketë falë Zoti, i jepet me pi ujë me pak hi brenda, që mos me e marr më sysh (Mirditë).

Në rast se një mik harron në at’ shpi ku nji grue asht me barrë, nji fyshek, që, pa dashtë, i ka ra prej rrethit a qemerit, ose harron kutinë e duhanit, ose pipin, thohet se me siguri ka me lind nji djalë (Mirditë).

Kur shkojnë gratë me vizitu gruen që ka lind e fëmijën, lyejn përpara majen e gishtit me pështymë e, tuj thanë “Marshallah” i prekin buzën fëmijës (Dibër).

Për mos me marrë më sysh fëmija, e zhigasin (e ngjyejnë) në fytyrë më dy – tri danga (njolla) të zeza e i varin nji pare ndër flokë (Dibër).

Kur lahet fëmija për herë të parë, thehet në ujë nji kokërr vë (vezë) dhe e përziejn me ujë (Dibër).

Ndërsa në pikën e katërt Atë Donati shkruan:

Fjalë t’urta

Ku asht fmija, gëzohet shpija.

Kur len (lind) vajza, kjajnë hatllat e shpisë (Malsi e Madhe).

Kollomoqi i vonë i lopve, djali i vonë i shokve (Dukagjin).

Djali i plakut, vaji i sokakut (Has).

Djali pa nanë si nata pa hanë.

Gjysë asht pak, nji asht tepër (për vajzat, Shkodër). / KultPlus.com

Fëmijëria para se teknologjia të pushtonte botën (FOTO)

Fëmijëria padyshim që është një ndër periudhat më të bukura të jetës. Kur vitet kalojnë dhe ne rritemi, kujtojmë me nostalgji vitet e fëmijërisë.

Shumë nga lojërat që do përmendin në shkrim do të duken të çuditshme për fëmijët sot, të cilët në pamundësi për t’u mbledhur poshtë pallatit, ose para shtëpisë, tashmë krijojnë ambientet e tyre të takimit në mënyrë virtuale.

Ndoshta këto takime virtuale për fëmijët sot duken aq normale, aq sa të pakuptimta mund të duken për ta lojërat tona në rrugë.

Ne po ju sjellim në kujtesë disa lojëra; për të zgjuar për disa nostalgjinë, e për t’iu sugjeruar disa të tjerëve që sot janë prindër se mbase do t’ua tregojnë fëmijëve të tyre.

Loja me litar

Dy persona qëndronin në të dyja anët e litarit dhe e tundnin me të njëjtin ritëm. Në mes kërcenin një ose më shumë persona. Po ju sjellim në kujtesë disa nga vargjet që shoqëronin këtë lojë: ‘O litar, litar i gjatë që s’pushon as ditë as natë,Luajnë vajzat me litar me nga dhjetë pa lënë në radhë… 1.2.3.4.5.6.7.8.9.10…’

Kala Dibrançe

Në këtë lojë marrin pjesë persona të ndarë në dy grupe. Njëri grup vendoset në mesin e fushës duke formuar kalanë të përkulur me shpinë dhe të kapur dorë për dore më njëri tjetrin. Grupi kundërshtar nisen të hidhen një nga një mbi personat që kanë formuar kalanë deri sa ti shembin atë. Kalaja nuk duhet të lëvizte gjatë lojës.

Loja ‘Hapa dollapa’

Kjo lojë luhet me dy ose më shumë persona. Teksa njëri mbyllte sytë dhe mbështetej në mur me njërin krah para fytyrës, të tjerët duhet të fshiheshin.’Hapa dollapa kush është fshehur mbrapa’, ishin fjalët që personi që kishte mbyllur sytë duhet të thoshte.

Loja ‘Ngriva shkriva’

Një person duhet të ndiqte të tjerët nga pas dhe duhej ti prekte para se ato të thoshin fjalën ngriva. Kur lojtari thoshte ‘ngriva’ ai bëhej imun dhe nuk mund të prekej. Loja vazhdonte sërish derisa lojtari thoshte fjalën ‘shkriva’.

Loja me shtet-qytete

Në këtë lojë duhej të gjendej emri i shtetit apo qytetit, gërma e parë e të cilëve zbulohej. Loja quhej e fituar nëse gjendej i saktë ky emër.

Loja ‘Telefoni i prishur’

Një varg njerëzish transmetonin tek njëri tjetri një fjalë të thënë në vesh, nga i pari tek i fundi i lojës. Qëllimi ishtë që fjala të dilte ashtu si ishte thënë në filllim. Nëse gabohej personi që e kishte thënë gabim skualifikohej.

Karroca me ‘kuzhineta’

Karroca me kuzhineta ishte loja më e preferuar e fëmijëve të asaj kohe. Me një copë dërrasë apo me një arkë të vendosur në kuzhineta krijonin automjetin e tyre dhe shëtisnin rrugëve duke i shtyrë dikush nga pas.

Loja me pafka

Në dysheme vizatoheshin katrorë me numra të ndryshme dhe vendosej një pafkë të cilën duhej ta shtyje me njërën këmbë, nga fillimi deri në fund të kuadrateve.

Gjuajtje me llastiqe

Një llastik i lidhur në dy degë druri në formë ‘Y’ shërbente si hark për të gjuajtur. ‘Shigjeta’ e këtij harku ishin zakonisht gurë të vegjël. /syri/ KultPlus.com

Bonjour, Madame

Tregim nga Nerimane Kamberi

“Bonjour, madame”, ju duk sikur e dëgjoj një zë mbrapa saj dhe e kthej kryet ngadalë, por nuk e pa askënd. Rruga ishte e zbrazët, u çudit paksa, se ishte mesi i javës dhe gjithmonë kishte gjallëri në këtë orë të ditës, ditës së hënë, kur pas të dielës së qetë, kthehej zhurma në rrugën kryesore të fshatit, aty ku ishin posta, dyqani i ushqimeve dhe shkolla gjashtë klasash përreth sheshit ku uleshin, paradite, pleqtë, dhe pasditeve, nënat me fëmijët e tyre, pas orës së fundit të mësimit, kur i merrni nga mësuesja që priste me ta në oborr. Ajo vazhdoj të ec, me shpresë se do ta shihte dike, se do ta dëgjonte prapë atë përshëndetje që e gëzoj kur doli nga shtëpia, edhe pse shpejt e kuptoj se ajo ishte e vetëm, por nuk donte të shqetësohej, t’ia prishte vetit ngazëllimin që e ndiente.

Pothuajse dhjetë ditë nuk kishte dalë nga shtëpia, e mundonin eshtrat në këtë fillim pranvere, shiu kishte rënë pandërprerë, dhe ajo shikonte, kur mundte të ngrihej në këmbë, nga dritarja, pak minuta, e pastaj drejtohej kah kuzhina ku e përgatiste një supë, në drekë, dhe një çaj, pasdite vonë, pak para se të binte në gjumë, se flinte herët. Tash i kujtohej se as nga dritarja nuk e kishte parë asnjë njeri të kaloj në rrugë, qoftë duke shkuar të blej bukë, apo duke u kthyer nga shtëpia e kulturës ku do të ishte dhënë ndonjë shfaqje, vërtetë binte shi pa ndal por ndonjë çadër, e kuqe, e kaltër, do ta kishte thyer zymtësinë e ditëve që ende nuk kishin nisur të zgjaten.

E sot dielli kishte hyrë në mënyrë diskrete në dhomën e saj dhe rrezet kishin luajtur kukafshehur te perdet, ajo e kishte shtyrë edhe pak gjumin, gjë e pazakonshme për të. “Do të dal për një shëtitje.” mendoj ajo. E tash gjendej para shtëpisë së Luizës, aty përballë kishës. Me Luizën ishin njohur në klasë të katërt, dhe nuk ishin ndarë më, derisa vendosën ta çojnë atë në shtëpi të pleqve. “Ajo nuk po mban në mend më asgjë. Nuk mund të jetoj më e vetëm.” i kishin thënë fëmijët e saj kur ajo kishte kundërshtuar largimin e shoqes së saj nga vendi ku kishin kaq shumë kujtime.

Por Luiza mbante në mend emrat e djemve të klasës, të atij me syza, atij flokëkuqit, atij me dhëmbët e rralla që e pëlqenin të dyja dhe atij të përkëdhelurit të mësuesit. I kujtoheshin të gjitha vjershat e mësuar në shkollë. Mbante në mend se cilën kapelë mbanin kur dilnin për piknikun vjetor të fshatit. Prej asaj dite, kur kishte parë të largohej vetura që e kishte marrë shoqen e saj, ajo kishte kaluar çdo here para shtëpisë së Luizës, por pa u ndalur, se i dhembte shpirti dhe fillonin t’i dridheshin buzët, jo, jo, s’do të qante, kurrë nuk e kishte derdhur asnjë pikë loti.

Por nuk e diti pse sot nuk mundi t’i përmbaj lotët, ndoshta për shkak të qetësisë së padurueshme që mbretëronte në rrugë, ndoshta për shkak të dyqanit të mbyllur apo për shkak të sheshit të zbrazët, edhe kur kryej tregu që mbahej aty, kishte më shumë zhurmë,; shpejt, duhej të kthehej në shtëpi, ta thërriste Luizën me telefon atje ku nuk kishte dashur kurrë të shkoj ta shoh, por ku e thërriste çdo të diele, dita e meshës “më mirë po e dëgjoj zërin tënd, se atë të zotit.” i thoshte ajo duke qeshur.

“Kërkoni Madame Luizën? Por a nuk e dini, ajo ka vdekur, para dy ditëve, e mori kjo murtajë. Si, cila murtajë? Nuk e dini për çka e kam fjalën? Nuk ju ka treguar askush? Nuk keni dëgjuar lajme? Nuk e dini çka po ndodh në botë? Kujdes, se po sëmurën më shumë të moshuarit. ” Ajo mbylli telefonin, i dridheshin duart, mbylli derën, e solli dy here çelësin, dhe e ulur në kolltukun e saj kadifeje, pasi e çiti krahëve një shall shumë të vjetër, pothuajse sa ajo vetë, të thurur me ngjyra plot, hapi kutinë e biskotave ku i ruante letrat e saj, ashtu sikur ajo i kishte ruajtur të sajat, e dinte, i kishte treguar, do t’i botonin një ditë, e të bëheshin të famshme, e të pasura, ah ah ah, sa kishin qeshur me këto idetë e tyre, e do t’ia vinin titullin “Mike qe gjithmonë “. E kapi njërën, ashtu, pa rend, e hapi zarfin dhe filloj ta lexoj: “E dashur Anë, ….” / KultPlus.com

Falem’nerës Sulejma Ramadani

Sulejma Ramadani është njëra nga infermieret e cila ishte vullnetare në klinikën e infektivës për gjashtë javë, ndërsa tash e një muaj është përsëri vullnetare në Klinikën e Neurologjisë në repartin e Covid19, duke dhënë kështu kontributin e saj në luftën e Kosovës kundër pandemisë.

Sulejma Ramadani tashmë është është pjesë e rubrikës ‘Falem’nerës’ së KultPlus-it për promovimin publik të punëtorëve shëndetësor në Kosovë në shenjë vlerësimi dhe solidariteti për punën e tyre tash e sa muaj.

KultPlus, edhe më tutje fton të gjithë punëtorët shëndetësor pa dallime dhe nga të gjitha vendbanimet të na i dërgojnë të dhënat e mëposhtme dhe ne do i publikojmë ato në faqen tonë në Facebook.

1.Emri dhe mbiemri:
2.Qyteti:
3.Një fotografi me uniformë mjekësore dhe të jetë fotografi profili
4.Një mesazh për qytetarët (E preferuar por jo e domsodoshme)

Këto të dhëna dërgoni në email tonë: [email protected] apo në faqen tonë www.KultPlus.com

Dua Lipa feston pesë vjetorin e këngës së parë “New Love”

Dua Lipa ka arritur të thyej rekorde botërore me artin e saj, e sidomos këtë vit të cilin e ka rrëmbyer qysh në fillim, shkruan KultPlus.

E gjithë kjo karrierë e saj e bujshme, ka filluar para pesë viteve, kur ajo për herë të parë u paraqit para publikut botëror me këngën ‘New Love’, duke sjellur një frymë të re në tregun ndërkombëtar që mban, një fryme që tashmë mban emrin e Duas.

Dua ka shpërndarë një foto në rrjete sociale, ku tregon se sot është pesë vjetori i publikimit të kësaj këngë, dhe falenderon të gjithë ata që i qëndruan pas gjatë kësaj kohe. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CEJ8gNknhWY/?utm_source=ig_web_copy_link

Një shqiptare rrëmben çmimin amerikan ‘Woman of Consequence’ për vitin 2020

Etel Haxhiaj, aktiviste e njohur shqiptaro-amerikane, i jepet çmimi “Woman of Consequence“ për vitin 2020 nga Komiteti Këshillimor për Statusin e Grave në Qytetin e Worcester-it, transmeton KultPlus.

Etel ka studiuar zhvillimin ndërkombëtar dhe ndryshimet shoqërore, master në zhvillimin e komunitetit dhe planifikimin në Clark University.

Karriera e saj profesionale ka në fokus shërbimin ndaj komunitetit. Aktualisht është Drejtore e Avokatisë Publike dhe Arsimit në Aleancën e Strehimit në Central Massachusetts.

Ajo është përfshirë në shumë organizime në komunitet dhe është vullnetare për Bordin e Drejtorëve të YWCA. / KultPlus.com

Sot 4 vjet më parë përfunduan Lojërat Olimpike “Rio2016”, Kosova u kthye me medalje të artë

Sot katër vite më parë ishte dita kur lojërat Olimpike Verore në “Rio2016” përfunduan.

Njëherit ky ishte edhe viti më i mirë për Kosovë, pasi vendi ynë debutoi për herë të parë në një kompeticion të tillë dhe u kthye me medalje të artë, falë Majlinda Kelmendit.

Ekipi i xhudos edhe pse ishte kthyer më herët në Kosovë, ata u kthyen krenar së bashku me Mjalinda Kelmendi që kishte fituar medaljen e artë.

Kujtojmë se flamurin e ceremonisë mbyllëse e barti notari Lum Zhaveli. / KultPlus.com