Zbardhet ditari i ish-kreut të Hetuesisë, “Kadaresë i ishte përgatitur arkivoli”

I privilegjuar apo i ndjekur nga regjimi?! Kjo është pyetja që ngrihet prej 30 vitesh rreth figurës së shkrimtarit Ismail Kadare.

Në këtë pikë opinionet ndahen. Vitet e fundit janë të shumta botimet, dokumentet që kanë dalë rreth ndjekjes dhe spiunimit që i bëhej Ismail Kadaresë, por kanë qenë fragmente dëshmish, raportesh, që mund të linin vend për interpretim. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim. Është vetë ish-kryehetuesi, Qemal Lame, që dëshmon me përgjegjësi të plotë që Kadare jo vetëm ishte i ndjekur, por për të ka pasur edhe urdhërarreste të anuluara në momentet e fundit. Qemal Lame, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë përgjatë dhjetë viteve, në vitet 1981-1992, dëshmon se kanë qenë krerët më të lartë të shtetit që janë marrë me çështjen “Kadare”.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Hekuran Isain e Ramiz Alinë, por vetë Enver Hoxhën, i cili ia ka komunikuar gojarisht atij vendimin për eliminimin e shkrimtarit. Në librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Neraida”, Lame pretendon të hedhë dritë mbi këtë çështje, duke u mbështetur në dokumente origjinale. Përveç risjelljes së disa momenteve me rëndësi në jetën politike të Shqipërisë gjatë diktaturës, Lame publikon edhe pjesë nga ditari që ai ka mbajtur gjatë kohës kur shërbente si kryehetues.

Sipas tij, Kadaresë i ishte përgatitur më e keqja. “Janë dhënë dy urdhra konkretë nga Enver Hoxha për arrestim, të cilët u anuluan në çastin final të ekzekutimit të tyre. Në Arkivin e Shtetit dhe të institucioneve të tjera administrohen qindra dokumente. Fati i tij është paragjykuar, ishte përgatitur arkivoli, predikimi ligjor në sallën e gjykimit të burgut, ekzekutimi në errësirën e mesnatës, zhdukja që të mos i gjendeshin as eshtrat dhe as një varr për ta kujtuar familjarët, njëlloj si me ish-kryeministrin”, shprehet Lame.

Me mjaft interes janë takimet dhe bisedat telefonike me Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain, të cilat i publikon gazeta “Panorama”.

Nga të dhënat, për shkak të funksioneve që kam pasur, vërtetohet se Ismail Kadare do të arrestohej dhe do të dënohej si tradhtar, agjent i zbulimeve perëndimore, bashkëpunëtor i komplotit të kryesuar nga Mehmet Shehu.

Janë dhënë dy urdhra konkretë nga Enver Hoxha për arrestim, të cilët u anuluan në çastin final të ekzekutimit të tyre. Në Arkivin e Shtetit dhe të institucioneve të tjera administrohen qindra dokumente. Fati i tij është paragjykuar, ishte përgatitur arkivoli, predikimi ligjor në sallën e gjykimit të burgut, ekzekutimi në errësirën e mesnatës, zhdukja që të mos i gjendeshin as eshtrat dhe as një varr për ta kujtuar familjarët, njëlloj si me ish-Kryeministrin.

Pas kërkesës për azil politik në Francë, Ismail Kadare u deklarua tradhtar e dezertor nga Ramiz Alia. Opinioni publik në Shqipëri nuk e mbështeti këtë akuzë absurde.. shtetet e demokracive perëndimore e mbrojtën shkrimtarin dhe demaskuan vazhdimin e diktaturës së maskuar me reformat për demokratizim. Shekspiri me dramën e “Makbethit” jep mesazhe aktuale për krimet e fshehta dhe mbrojtjen prej tyre. Ndërsa nga “Makbethi” i Tiranës mësojmë pasojat e pushtetit absolut, egërsinë e eliminimit me ceremoni zyrtare, me vendime publike apo të fshehta gjyqësore, me vrasje ose “vetëvrasje” mafioze të agjenturës së fshehtë të kundërshtarëve të politikë potencialë, me të cilët u njësuan edhe shokët e përbetuar për miqësinë e besnikërinë e përjetshme me udhëheqësin.

Qëllimi i punës së gjatë hulumtuese dhe të përvojës personale për të vërtetën e publikuar me botimin e këtij libri, me temë sa të rëndësishme aq edhe sensibilizuese, është hedhja dritë tej propagandës politike dhe njohja e anës së errët të pushtetit gri që viktimizoi padrejtësisht personalitetet e njohura dhe kolosët e letërsisë e artit shqiptar. Me përgjegjësi profesionale, morale, intelektuale e qytetare, vendosa të shkruaj dhe përfundova këtë libër mbështetur në fakte, më 14 dhjetor 1990. Këto probleme kanë qenë objekt i detyrës sime që t’u jepja zgjidhje ligjore.

Prandaj, ato janë dokumente origjinale. Për arsye të caktuara, botimi nuk u realizua në atë kohë. Për ta aktualizuar, pasqyruam dhe analizuam edhe ngjarjet e temat e diskutuara deri kohët e fundit. Me këtë dëshiroj të jap ndihmesën e mëtejshme për sqarimin e problemeve që dalin përpara lexuesve e studiuesve me interes për historinë, shkencën, letërsinë, mendimin politik, juridik e shoqëror.

Një punë e tillë mendoj se do të ishte e dobishme të bëhej edhe nga përfaqësues të organeve të tjera të diktaturës. Bashkërisht të japim kontributin e mundshëm për të vërtetën që meriton të fiksohet në historinë e shtetit, të popullit e të letërsisë, të mos lëmë pikëpyetje, të cilat kemi për detyrë dhe janë kushtet për t’i qartësuar në nderim të brezave të ardhshëm.

* * *

Urdhrat për arrestimin e Ismail Kadaresë

Ismail Kadare ka qenë dy herë në kushtet e urdhrit për arrestim.

Ndjekja dhe realizimi i arrestimit dhe dënimit si armik i shkrimtarit ka qenë veprimtari e fshehtë e agjenturës.

Në kushtet e caktuara, kur mendohet se ishin krijuar rrethanat për goditjen e tij, është përgatitur me kujdes edhe testimi i opinioneve dhe reagimeve. Këto janë bërë objekt i diskutimeve e njohjes së qëndrimeve në elitën e familjeve të Bllokut e me radhë në ato të lidhjeve të tyre familjare e shoqërore.

Në vitin 1980 është përhapur lajmi se Ismail Kadare ishte agjent i Perëndimit. Në fakt, fillimisht është diskutuar në familjet në Bllok dhe më pas kjo legjendë u përgojua në rrethe të ngushta shoqërore.

Lajmi nuk është një njoftim zyrtar i bazuar në një dokument. Njëkohësisht nuk është as një thashetheme i diskutuar me kuriozitet në familjet e udhëheqjes në Bllok. Njoftime me të dhëna të klasifikuara të kësaj natyre të veprimtarisë së spiunazhit përbëjnë sekret shtetëror.

Diskutimi i tyre tregon se në udhëheqjen politike është diskutuar për veprimtarinë e spiunazhit dhe më pas është përhapur edhe në familjet e tyre. Paragjykimi i personave më të njohur dhe më të rrezikshëm fillonte pikërisht nga Blloku. Të diskutoheshe për akuzën më të rëndë të tradhtisë me anë të spiunazhit, do të thotë se ishe realisht i dënuar dhe pritej vetëm momenti politik i përshtatshëm për ta ligjëruar formalisht me Hetuesinë dhe Gjykatën.

Në vitin 1992, Bashkim Shehu ka publikuar se “në vitin 1982, pyetjen në mes të natës nga zëvendësministri Rexhep Kolli’.

Të quanin ‘armik të vjetër e të rrezikshëm’, por nuk ia ‘hidhje dot’, se ‘Partia të kishte njohur prej kohësh’, të kishte dhënë dorën disa herë, kurse tani nuk kishte ‘ku të vejë më’ etj.

Kërkonin të dinin çfarë mendimi kishe ti për regjimin, çfarë kishe thënë kundër Enver Hoxhës, madje të implikonin dhe në çështje agjenturore, ngaqë më kanë pyetur nëse ti ke shkuar ndonjëherë në Francë i dërguar nga Mehmeti dhe kë ke takuar atje”.

Takimi me Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain

E hënë, më 3 maj 1982, 8:00

Hekuran ISAI: Nga hetimet dhe puna operative kanë dalë implikime me rëndësi për komplotin kundër Partisë. Vërtetohet fajësia për disa drejtues të Sigurimit, disa ministra të besuar të Mehmetit etj. Rexhepi më solli një raport agjenturor edhe për implikimin e Ismail Kadaresë. Hetuesit po marrin raportet agjenturore dhe dokumentet që kemi dhe po punohet për t’u zbardhur kërkesat ligjore procedurale për procesverbalet e pyetjeve të të pandehurve e dëshmitarëve, kallëzimet dhe arrestimet.

Ramiz ALIA: Është i domosdoshëm objektiviteti në pyetjet e të pandehurve, dëshmitarëve, si formulimi korrekt i akuzave të bazuara në prova sipas kritereve procedurale..Shoku Enver është në dijeni. Më ka thënë të veprojmë..

Hekuran ISAI: Të analizoj dokumentet, shoku Ramiz. Kërkohet kohë. Janë të dhëna të administruara në disa dosje voluminoze. Në përfundim do të jap mendim.

Ramiz ALIA: Mirë. Por mos u mendo shumë. Ka porositur vetë shoku Enver…

Hekuran ISAI: Problemi tjetër është qenia në detyrë aktualisht e personave të dyshuar nga Sigurimi i Shtetit. Kjo e bën edhe më të vështirë studimin e dokumenteve…

Ramiz ALIA: Po, ashtu është.

Hekuran ISAI: Janë të njëjtët persona që drejtojnë Hetuesinë dhe Sigurimin e Shtetit. Në kushtet që dyshimet janë edhe për disa kuadro të lartë të organeve të Punëve të Brendshme, normalisht duhen analizuar të dhënat e tyre dhe të mbështetësve që ata kanë..

Ramiz ALIA:-Do ta bisedoj me shokun Enver…

Shënim: Në qershor 1982 u bënë ndryshime të rëndësishme masive. Drejtuesit e Sigurimit të Shtetit e të Drejtorisë së Hetuesisë, në qendër e në rrethe, u larguan nga detyrat, duke i nxjerrë në pension, transferuar në detyra të ulëta, larguar nga organet e Punëve të Brendshme etj/Panorama/ KultPlus.com

Shqipëria përfituese e 7 projekteve të programit “Europa Krijuese”

Në këtë kohë të krizës ardhur nga pandemia e Covid-19, Shqipëria është bërë përfituese e shtatë projekteve europiane në kuadër të thirrjes “Bashkëpunimi Kulturor në Ballkanin Perëndimor 2020”.

Është ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ajo e cila ka dhënë lajmin, ku thotë se ndër 300 aplikues, vetëm 13 projekte u shpallën fituese, mes tyre, shtatë organizata jofitimprurëse dhe institucione publike kulturore nga Shqipëria.

Ministrja sqaron se programi “Europa Krijuese” mbështet Shqipërinë në projektet: Shoqata Poeteka (2 herë fitues), Tulla, Qendra Marrëdhënie, Vox Baroque, Qendra Harabel dhe Muzeun Historik Kombëtar. Programi ”Europa Krijuese” jep mbështetje për sigurimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor europian dhe mbështetje për fuqizimin e sektorit të konkurrueshmërisë.

Synimet e programit janë të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues që të shfrytëzojnë mundësitë në kuadër të moshës dixhitale dhe globalizimit; të mundësojë që sektorët të forcojnë potencialin e tyre ekonomik duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, vende pune dhe kohezion social; të japë akses për sektorin e kulturës dhe medias në Europë me mundësi bashkëpunimi në nivel, tregje e audience ndërkombëtare. / KultPlus.com

Artistja shqiptare në filmin “The Cuban” luan përkrah fituesit të çmimit Oscar

Artistja e njohur shqiptaro-kanadeze, Ana Golja, përmes filmit “The Cuban” ka ndarë eksperiencën e saj personale me sëmundjen e Alzheimer-it që kishte prekur stërgjyshen e saj. Ajo ka kontribuar me përvojën e saj në organizatën ndërkombëtare të shëndetit “Alzheimer’s Association”.

Ana, te filmi “The Cuban”, luan përkrah fituesit të çmimit Oscar, Louis Gosset Jr., dhe si producente ka fituar “Best Narrative Feature” dhe “Best Cinematography”, transmeton albinfo.ch.

Muzika ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës së aktorit fitues të çmimeve Oscar, Louis Gossett Jr. dhe këngëtarja-aktore Ana Golja, e cila luajti në filmin e ardhshëm “Kubani”. Gosset Jr. portretizon një muzikant të famshëm kuban, që jeton me Alzheimerin, i cili krijon një miqësi – të falsifikuar nga fuqia e muzikës dhe imagjinatës – me infermierin e tij, të luajtur nga Golja.

Muzika mund të jetë një forcë e fuqishme në jetën e atyre që jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit. Studimet kanë treguar që muzika mund të përmirësojë çështjet e sjelljes të zakonshme në fazat e mesme të sëmundjes. Një person në fazën e vonë të Alzheimerit mund të jetë akoma në gjendje të këndojë tekste këngësh nga fëmijëria e tyre.

«Kubani» tregon se si fuqia e së kaluarës mund të mbretërojë muzikën brenda nesh.

Çfarë do të thotë muzika për ju dhe muzika nga filmi?

Ana: Muzika me siguri ka luajtur një rol të madh në marrjen time përmes pandemisë COVID-19. Unë kam qenë i frymëzuar për të kaluar kohën time duke shkruar dhe incizuar.

Muzika në skenën përmbyllëse të filmit tonë lidhi me të vërtetë gjithçka. Ka diçka kaq të veçantë në lidhje me kulturën kuban që ne ishim në gjendje ta kapnim me kamera. Skena u filmua në Kubë, ku personazhi i Louis ka kaq shumë kujtime të dashura. Sergio, drejtori ynë, vetëm le muzikantët të riff, dhe bëri ata! Ai e kapi atë magji të tyre në elementin e tyre, dhe ajo u pagua me lakër. Muzika dhe fryma janë infektive.

Louis: Para se të kishte fjalë, tingulli ishte se si njerëzit komunikonin. Për mua, muzika është tingulli universal që i bashkon njerëzit.

Ka disa skena në film ku personazhi im dëgjon muzikë dhe buron në jetë; ai shkon nga 1 në 100 kur muzika fillon. Ishte një përvojë shumë interesante si aktor, duke shkuar mbrapa dhe larg nga të qenit i vetëdijshëm për të qenë pak të humbur në këtë moment.

Njerëzit në fazën e vonë të Alzheimerit nuk kanë kontrollin kur janë të pranishëm në këtë moment. Ata mund të zhyten nga kujtimet e tyre, dhe kjo është e dukshme në film, pasi personazhi im zhvendos nga momentet muzikore të së tashmes në kohërat magjike të jetës së tij të kaluar në klubin e vallëzimit Copacabana në Kubë. Ishte prekëse, është e trishtuar, është magjike, e gjitha në të njëjtën kohë. / KultPlus.com

Gashi publikon albumin e ri, frymëzohet nga vitit ’80: Gjithmonë kam dashur të jetoja në atë kohë

Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë. Që nga vdekja e parakohshme e Juice WRLD, Kobe Bryant dhe Pop Smoke, ditët e këtij viti kanë qenë të mbushura me trishtim dhe dëshpërim. Madje ky vit shënon edhe fillimin e një pandemie që tashmë ka lënë shumë njerëz të vdekur. Prandaj, me të gjitha gjërat që janë duke ndodhur është më se e natyrshme që çdo kush dëshiron që të arratiset në një kohë dhe vit më të mirë. E premtja e kësaj jave, mundësoj një arratisje të tillë, pasi që Gashi bëri publik albumin e tij të ri të titulluar “1984”, shkruan DefPen, transmeton KultPlus.

Projekti i ri i Gashit është një tribut për një vit që ka frymëzuar procesin e krijimit të këtij albumi. Nga vizualet e deri tek muzika, ky projekt mund të konsiderohet edhe kapsulë kohore.

“Unë nuk isha gjallë gjatë asaj dekade, por lidhem aq shumë me gjithçka nga ajo epokë. Unë e dua gjithçka rreth kulturës së viteve ’80, nga muzika, filmat e deri tek moda. Gjithmonë kam dashur të jetoja në atë kohë”, tha ai për albumin e tij të ri.

“Prindërit e mi u martuan në 1984 dhe disa nga këngët më të mira të bëra ndonjëherë ishin nga vitet ’80. Unë thjesht kam dashur të bëj muzikë që ti bëjë njerëzit të ndjejnë mënyrën sesi ndjehem unë kur dëgjoj ndonjë gjë nga ajo epokë”, ka thënë Gashi. / KultPlus.com

Poetja shqiptare Irma Kurti shpallet “Akademike dhe Presidente nderi” e Enciklopedisë Poetike italiane

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti është nderuar me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Wikipoesia, krijuar në Itali në 2019 me rastin e Ditës Botërore të Poezisë. Në Presidencën e Nderit pranohen deri në dhjetë personalitete në fushën  e poezisë.

Wikipoesia përshkruhet nga media e shkruar si “Wikipedia e poezisë”.  Në kontekstin e poezisë bashkëkohore, ajo përfaqëson rrjetin më të madh ndërlidhës dhe të vetmen enciklopedi poetike semantike në botë.

Irma Kurti ka botuar njëzet libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh për të rritur e fëmijë dhe njihet si autore e këngëve të suksesshme në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkruan tekste dhe në gjuhën angleze e italiane, të cilat janë hedhur në tregun ndërkombëtar të muzikës nga shtëpi diskografike italiane.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. / KultPlus.com

Mijëra nënshkrime në një peticion me kërkesën që Franca të marrë nën kontroll Libanin

Më shumë se 40,000 vetë nënshkruan një peticion dhe kërkojnë që Franca të vërë nën kontroll Libanit pas shpërthimit vdekjeprurës në Bejrut.

Mbi 44,000 vetë kanë nënshkruar një peticion në internet për “vendosjen e Libanit nën një mandat francez për 10 vitet e ardhshme”. Peticioni në faqen e peticioneve Avaaz njoftohet se është iniciuar nga qytetarët libanezë pas shpërthimit që tronditi Bejrut të martën, duke vrarë mbi 140 vetë dhe duke plagosur më shumë se 5,000 të tjerë.

“Zyrtarët e Libanit kanë treguar qartë një paaftësi totale për ta siguruar dhe menaxhuar vendin,” thuhet në peticion. “Me një sistem të dështuar, korrupsion, terrorizëm dhe me milicinë vendi është në grahmat e fundit.”

“Ne besojmë se Libani duhet të rikthehet nën mandatin francez në mënyrë që të krijohet një qeverisje e pastër dhe e qëndrueshme.”

‘Libanezët janë të dëshpëruar’

Dima Tarhini, nga departamenti arab i DW, tha se peticioni ka qarkulluar gjerësisht në mediat sociale libaneze. Ai tregon se “sa të dëshpëruar janë disa libanezë,” tha ajo. “Ata kanë humbur shumë. Ata humbën shtëpitë dhe pronat e tyre, ata nuk mund t’i shpëtojnë dot fëmijët e tyre. Ata nuk dinë se ç’të bëjnë.”

Franca e ka pasur nën kontroll Libanin nga viti 1920 deri në vitin 1945 sipas një mandati të vendosur pas Luftës së Parë Botërore.

Emmanuel Macron premton ndihma

Peticioni i drejtohej presidentit francez Emmanuel Macron, i cili qe lideri i parë i huaj që shkoi të enjten në Beirut pas shpërthimit tragjik.

Macron paralajmëroi në Bejrut se Libani do të “vazhdojë të fundoset” nëse nuk do të ndërmarrë reforma.

Ai premtoi se Franca do të ndihmojë për mobilizimin e ndihmave për Bejrutin e shkatërruar, ku dëmet dhe shkatërrimet shkojnë në një vlerë prej miliarda dollarësh.

“Ju garantoj se ndihmat nuk do të shkojnë në duar të korruptuara,” tha Macron para një grupi protestuesish.

Prokuroria e Francë ka nisur hetimet në lidhje me shpërthimin, sepse nga shpërthimi në Bejrut u plagosën të paktën 21 shtetas francezë dhe një u vra/DW/ KultPlus.com

Artisti nga Ohio që krijon mini piktura në kuti teneqeje

Frymëzimi mund të vie kudo e kurdo prandaj dhe një artist asnjëherë nuk e di se nga do ti vie ideja për krijimin e tij të ardhshëm.

Remington Robinson nga Chagrin Falls, Ohio, nuk e ka menduar asnjëherë si ide krijimin e një arti të tillë pas transferimit në Boulder, Colorado. Si një artist me një pasion për pikturimin e maleve, Robinson pëlqen të kalojë kohë në natyrë dhe në një nga këto ekspedita frymëzuese, ai erdhi me një qasje të re brilante ndaj artit. Ai filloi të krijojë mini piktura marramendëse, të cilat zinin vendin në një kuti prej teneqeje “Altoids”.

“Kam parë dikë tjetër duke bërë diçka të ngjashme, dhe gradualisht edhe vetë fillova që të pikturoj gjëra më të vogla dhe më të vogla, derisa një ditë thash ‘pse jo?’. Prandaj fillova të bëja piktura të tilla. Kjo ka filluar rreth tre vite më parë”, ka thënë artisti për mediat e huaja, përcjellë KultPlus.

Nëse mendoni se pikturat mund të humbnin hijeshinë dhe vlerën e tyre kur futen në një kuti të vogël, duhet të shikoni veprat e artit të Robinsonit. Artisti arriti të kapte bukurinë e peizazheve pa e cenuar, pavarësisht nga madhësia e kufizuar e kanavacës së tij.

Artisti ka shpjeguar se frymëzimin për punën e tij e gjenë nga vetë natyra.
“Frymëzimi më i madh për punën time është vetë natyra. Unë konsideroj se çdo pikturë e vetme që prodhoj është një studim i ligjeve krijuese-natyrore që rregullojnë gjithë natyrën, të cilën unë e mësoj pjesërisht përmes përvojës sime, dhe pjesërisht nga një njohës dhe mësues imi shumë i veçantë, autori im më i preferuar zviceran ‘Billy’ Eduard Albert Meier. Meier ka shkruar mbi 60 libra që merren me natyrën e realitetit, shkakun dhe efektin. Gjersa unë jam duke pikturuar ndjej një soditje të thellë për gjërat të cilat ky autor i ka shkruar. Por edhe puna e Claude Monet dhe piktorëve të tjerë më jep motivim që unë të vazhdoj me artin tim dhe të përmirësohem çdo ditë e më shumë.”

Robinson për mediat e huaja ka thënë se realizimi i një pikture të tillë i merr 1 deri në 3 orë, megjithatë ka pasur raste kur i janë dashur edhe 6 orë për të përfunduar një pikturë të vogël. Ai gjithashtu ka shtuar se në të ardhmen dëshiron që të hulumtoj Evropën dhe të bëjë piktura edhe atje, ngase peizazhet e gjelbërta e kanë mahnitur çdoherë. / KultPlus.com

Eqrem Çabej, ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare

Në datën 07 Gusht përkujtojmë datëlindjen e gjuhëtarit, profesorit, akademikut dhe Mësuesit të Popullit Eqrem Çabej.

Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanologji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet “Doktor në filozofi”. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë.

Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike.

Disa nga veprat e tij janë “Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, “Hyrja në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari” i Gjon Buzukut”, etj.

Në studimet e tij Eqrem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Vdiq në Romë më 1980. / KultPlus.com

Rivalizimi i TikTokut çon pasurinë e Zuckerbergut në 100 miliardë dollarë

Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, ka arritur në pasurinë prej më shumë se 100 miliardë dollarësh, pasi ka lansuar një veçori të re për të rivalizuar direkt rrjetin social TikTok.

Të mërkurën, Facebooku lansoi veçorinë “Instagram Reels”, me të cilën shijoi rritje të vlerës së aksioneve prej 6 për qind të enjten. Zuckerbergu ka 13 për qind të aksioneve në kompani.

Me këtë rast, Zuckerberg iu bashkohet Jeff Bezosit të Amazonit dhe Bill Gatesit të Microsoftit në listën ekskluzive të “miliarderëve me më shumë se 100 milionë dollarë pasuri”.

Pasuria personale e Zuckerbergut u rrit për 22 miliardë dollarë këtë vit, sipas Bloombergut. / KultPlus.com

‘Jam në martesë mikse, kam dy fëmijë dhe dallimet etnike nuk e kanë pamundësu bashkimin tonë’

Pjesë e komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqi është sot deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë se në Kosovë ka racizëm dhe diskriminim të heshtur, në shumicën e rasteve. Ai është i martuar me një shqiptare, dhe ka dy fëmijë. KultPlus.com dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) me anë të projektit ‘Personalja: Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit’ e sjellin tek ju një copëz nga tregimi i Elbertit.

Kjo video është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.

Heronjtë e vërtetë të Bejrutit: Ekipi i zjarrfikësve kishin mbërritur në depo pak momente para shpërthimit, të gjithë humbën jetën

Në rrjetet sociale janë shfaqur fotografi që tregojnë momentet e fundit të zjarrfikësve, që tentojnë të parandalojnë përhapjen e mëtejme të zjarrit në depon e 12-të në portin e Bejrutit, vetëm pak momente para shpërthimit të kimikaleve.

Fotografitë, autenticitetin e të cilave e ka konfirmuar Daily Mail, shfaqin zjarrfikësit para dyerve masive të metalit të një depoje me mbishkrim “hyrja nr 12” ku paralajmërohen për kimik*alet, transmeton Telegrafi. Guvernatori i Bejrutit ka bërë të ditur se ekipi i zjarr*fikësve që ishin në port janë zhdukur pas shpërthimit. E personi që i ka fotografuar zjarrfikësit gjithashtu ka vdekur, e imazhet janë gjetur në telefonin e viktimës. Fotografitë janë shpërndarë në masë të madhe në profile të ndryshme në Twitter, kurse përdoruesit e rrjeteve sociale kanë nderuar zjarrfikësit e zhdukur. / KultPlus.com

Mali i Tomorit mes turizmit dhe shenjtërisë

Mali i Tomorit, me një lartësi 2416 metra mbi nivelin e detit është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.

Mali i Tomorit shtrihet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në një largësi rreth 20-25 km dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ka sjellë mbrëmjen e sotme pamje nga mali i Tomorit, që shtrihet në një sipërfaqe prej 4 000 ha dhe kufizohet nga lindja me kufirin verior të Tomorit dhe nga perëndimi me rrugën automobilistike Berat-Skrapar. Në të ndodhet edhe pika më e lartë 2415,7 metra mbi nivelin e detit e cila quhet Çuka Partizane.

Kryeministri Rama, në kuadër të rubrikës “Beautiful Albania” ka publikuar foto piktoreske nga Mali i Tomorit, si ftesë për turistët e huaj dhe vizitorët vendas.

Të katër stinët janë shumë të bukura në këtë park, por veçanërisht dimri me dëborë. Faqja perëndimore e malit është pjesa më e pyllëzuar. Tipike të tij janë pyjet e ahut, të cilët takohen kryesisht në lartësitë 1000-1200 m mbi nivelin e detit dhe pyjet e rrobullit në lartësitë mbi 1600 m. Parku karakterizohet nga një larmishmëri e lartë kafshësh të egra, ku në disa pjesë të pyllit takohet shpesh ariu i murrmë, në afërsi të fshatrave takohen ujku, dhelpra, kunadhja dhe baldosa, ndërsa në rrethinat e pyllit dhe afër tokave bujqësore derri i egër, lepuri i egër etj.

Për të arritur në malin e Tomorit shfrytëzohen 2 rrugë: rruga e shkurtër Pronovik – Mali i Tomorit me gjatësi 10 km dhe aksi tjetër Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorit me gjatësi 25 km. Në lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit, gjenden Tyrbja e Abaz Aliut, i cili konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fundgushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme.

Gjithashtu, nga të apasionuarit e natyrës organizohen gjatë vitit në malin e Tomorit hiking, ski, dhe shumë sporte të tjerë. /atsh/ KultPlus.com

Ku ishe ti?

Poezi nga Frederik Rreshpja

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! / KultPlus.com

Diaz e lumtur që ka lënë aktrimin

Aktorja hollivudiane, Cameron Diaz, ka gjetur “paqen” pas largimit nga aktrimi.

Diaz njihet për rolet në filmat “There’s Something About Mary”, “Charlie’s Angels” dhe “Shrek”. Por paraqitja e fundit e aktores amerikane në një film në karrierën 20-vjeçare ishte më 2014 në “Annie”.

“Kam gjetur paqen në shpirtin tim, sepse më në fund po kujdesem për vetveten”, i ka thënë Diaz yllit tjetër Gwyneth Paltrowit, në një emision së bashku. “Është e çuditshme ta them, e di se shumë njerëz s’do ta kuptojnë, e di se ti po, por është aq punë e pandalshme në nivel të tillë dhe je gjithmonë në publik”, ka shtuar 47-vjeçarja.

Diaz konfirmoi pensionimin nga aktrimi më 2018, por më vonë kishte deklaruar se nuk përjashton mundësinë e rikthimit ndonjë ditë.

Ylli shpërtheu më 1994 në komedinë “The Mask”.

Pas 27 vjetësh burgim, burri kinez shpallet i pafajshëm

Zhang Yuhan, një  burrë 53 vjeçar nga Kina  ishte shpallur fajtor për vrasjen e dy fëmijëve në vitin 1993, por ai asnjëherë nuk e kishte pranuar krimin duke apeluar disa herë radhazi vendimin e Gjykatës.

Pas një beteje  shumë të gjatë për ta dëshmuar pafajësinë  e tij, ai ka arritur që përfundimisht të mërkurën të shpallet i pafajshëm nga Gjykata kineze, raporton CNN, transmeton Klan Kosova.

Pas lirimit të tij Zhang Yuhan tha se vendimi i pa drejt i Gjykatës i ka marr atij vitet me të bukura të jetës por që shpreson se tani do të  mund të kompensojë vitet e humbura dhe të kujdeset për nënën e tij.

Ky vendim po cilësohet si gabimi me i madh në historinë e gjyqësorit kinez.

Libanezja rrëfen tmerrin e shpërthimit gjatë fotosesionit të martesës

Israa Seblani ishte duke pozuar për fotosesionin e martesës së saj jo shumë larg portit të Bejrutit në Liban, në momentin kur ndodhi një shpërthim masiv të martën e që la të vdekur së paku 137 persona e më shumë se 5000 të lënduar.

Kamera që po xhironte momentet e gëzimit të Seblanit për një çast u shkund fuqishëm dhe nga pamja e nuses gjithçka u kthye në pluhur.

“Isha e shokuar, nuk e dija çka po ndodhte. ‘A do të vdes? Si do të vdes?’ Isha shumë e lumtur sikur gratë tjera. ‘Po martohem. A do të jenë të lumtur prindërit e mi të më shohin me fustan të bardhë? Do të dukem sikur princeshë dhe gjithçka tjetër’. Ndihem shumë keq për atë që u ka ndodhur të tjerëve në Liban”, është shprehur ajo.

Fotografi Arton Sefa në kështjellën e parfumeve në Francë, realizon fotografi për Louis Vuitton dhe Vogue të Gjermanisë (FOTO)

Les Fontaines Parfumées kishte hapur portat për fotografin shqiptar Arton Sefa, i cili në një ambient si të përrallave së fundi ka realizuar fotosesionin për Louis Vuitton dhe Vogue të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Të hysh në këtë ambient ku prodhohen parfumet më të njohur botëror, të shijosh nga afër lulet e këtij kopshti, ku të njëjtat lule përdoren për krijimin e aromave më të fuqishme botërore, e që shumëkujt do ti kujtojë momente të rëndësishme të jetës, konsiderohet një eksperiencë e paharruar, por që në të njëjtën kohë me fotografi të vuloset suksesi i këtyre kompanive të mëdha botërore, me modelen emblemë të Lois Vuitton, është vetëm një sukses i radhës i fotografit shqiptar Arton Sefa.

Ai ka treguar për KultPlus për këtë fotosesion, dhe përvojën e tij në Les Fontaines Parfumées që gjendet në Grasse të Francës.

Sefa ka shpjeguar se me modelen Emmy Rappe, ai ka fiksuar fotografi nga kopshti i parfumerisë, që ka pas për qëllim që të tregojë edhe këtë vend magjik se prej ku dalin kaq shumë parfume të njohura. Në të njëjtën kohë ai ka treguar se janë fotografuar edhe proceset e krijimit të këtyre parfumeve, që janë të shtrira nëpër kate të ndryshme të  Les Fontaines Parfumées.

““Les Fontaines Parfumées” është një vend që ka një traditë që klientë të shumtë, shkojnë po në këto hapësira të blejnë parfumet e tyre, pikërisht në vendin edhe ku krijohen.

Arton Sefa ka ndarë me lexuesit e KultPlus edhe fotografitë e këtij sesioni që janë realizuar në Grasee të Francës.

Arton Sefa është fotograf i njohur nga Kosova që tashmë e sa vite bashkëpunon me revistat më prestigjioze të botës, dhe përvoja e tij me fotografinë tashmë është shtrirë në shumë vende të botës. / KultPlus.com

Babai i Elizabetës kërkon kujtimin e saj

Mosvendosja e emrit të Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore në Mitrovicë, në vendin ku ajo humbi jetën më 13 mars 1999 gjatë një shpërthimi granate në tregun e qytetit, për babanë e saj, Rrahimin, është e dhimbshme.

“Më dhemb zemra, beso. Duhet të dihet kush është duke pushuar aty. Duhet t’ia vendosin emrin dhe mbiemrin, të dihet kush është duke pushuar, se kështu pa emër, si e panjohur. Kur e ka emrin aty, edhe mua zemra më pushon, më vjen më lehtë. A kështu po më duket keq, shumë keq”, thotë Hasani në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Më 13 mars të këtij viti, Komuna e Mitrovicës ka zbuluar pllakën përkujtimore për viktimat që pësuan pas shpërthimit në treg në vitin 1999. Aty vdiqën 7 persona dhe u plagosën 128 të tjerë. Në pllakën përkujtimore u shkruan vetëm 6 emra, por jo edhe emri i shtatë, që ishte vajza 5-vjeçare e një familjeje rome. Nga komuna kanë deklaruar se ky lëshim ka ndodhur për shkak të mungesës së informatave.

Babai i saj, Rrahimi, në atë kohë ishte në Itali. Tash është pensionist dhe jeton në Podgoricë. Pos Elizabetës, gjatë këtij shpërthimi është lënduar rëndë edhe vajza tjetër.

“Bashkëshortja, e cila ndërkohë ka ndërruar jetë, më ka treguar se ajo ka dashur të blejë djathë dhe i ka lënë fëmijë aty në një qoshe. Njëra vajzë ishte e plagosur në të dy këmbët prej asaj bombe, ndërsa Elizabeta ka vdekur në vend”, tregon Hasani.

Viktimat po harrohen në mungesë të dokumentacionit

Dy dekada pas luftës së fundit në Kosovë, vërehen pasojat e dëmshme të mungesës së dokumentacionit të duhur për viktimat e luftës së viteve 1998-1999.

Elizabeta Hasani e lindur më 4 maj 1994, është vetëm një nga viktimat që është harruar.

Me mosdokumentimin e ngjarjeve të luftës, sipas analisti ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ekziston rreziku të harrohen edhe raste të tjera.

“Normalisht që një harresë e tillë ka të bëjë me dokumentimin e mangët dhe në këtë mënyrë krijohet një narrativë jo e saktë dhe gjeneratat e reja nuk do të kenë informatat sakta së çfarë ka ndodhur në atë rast nëse bazohen vetëm në përshkrimin e pllakës”, thotë Alija.

Sipas tij, shteti asnjëherë nuk është marrë me këtë masakër që kishte ndodhur në Mitrovicë.

“Familja sigurisht kërkon edhe drejtësi. Duhet të hapet edhe një procedurë gjyqësore nëse Prokuroria arrin të zbulojë personat që e kanë vendosur atë eksploziv në treg. Sipas informacioneve tona, dy dekada nga përfundimi i luftës, nuk ka pasur një procedurë gjyqësore lidhur me këtë ngjarje”, thotë Alija.

Komuna e Mitrovicës zotohet se do të shkruhet edhe emri i Elizabetës

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, thotë për Radion Evropa e Lirë se emri i Elizabeta Hasanit do të shkruhet në pllakën përkujtimore.

Kjo do të ndodhë, sipas tij, pasi të kontaktojnë familjen e saj dhe të shikojnë nëse ka edhe ndonjë viktimë që të mos përsëritet gabimi dhe të harrohet dikush tjetër.

“Gabim ka qenë, por i paqëllimshëm. Në mungesë të informatave, në mungesë të shënimeve zyrtare ka ndodhur shtypja e gjashtë emrave që kanë figuruar në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Mitrovicë dhe në Zyrën Rajonale për viktimat e luftës. Bazuar në të dhënat e tyre, ne kemi shtypur këta gjashtë emra”, thotë Mujka.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli dhe Veton Berisha, që vijnë nga radhët e komunitetit rom dhe egjiptian, kanë thënë se është e papranueshme mospërfshirja e emrave të komunitetit rom dhe egjiptian në pllakat përkujtimore.

Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13,500 persona, ndërsa 1,600 ende konsiderohen të pagjetur./REL/ KultPlus.com

Facebook dhe Twitter censurojnë postimet e Trumpit, i quajnë dezinformata të dëmshme

Facebook dhe Twitter kanë penalizuar presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe kampanjën e tij për postime në të cilat presidenti deklaron se fëmijët janë “pothuajse imun” ndaj koronavirusit.

Facebook ka hequr postimin, që ishte pjesë e videos nga një intervistë që Trump kishte bërë për Fox News, duke thënë se përmban “dezinformata të dëmshme rreth Covid-19”.

Twitter bëri të njëjtën gjë duke thënë se kishte pezulluar një llogari të kampanjës së Trumpit deri sa nuk te hiqej pjesa e njëjtë e videos, shkruan BBC.

Këshillat e shëndetësisë publike të SHBA-së e bëjnë të qartë se fëmijët nuk kanë imunitet ndaj Covid-19.

Një zëdhënës për Facebook tha të mërkurën mbrëma: “Kjo video përmban të dhëna të rrejshme se një grup i njerëzve është imun ndaj Covid-19, gjë që shkelë rregullat tona për ndalimin e dezinfomatave të dëmshme lidhur me Covid-19”.

Kjo është hera e parë që ky gjigand i platformës sociale ka ndërmarrë veprim kundër postimeve nga presidenti për shkak dezinformatave lidhur me koronavirusin.

Edhe Twitter të mërkurën mbrëma ka thënë se ka ngrirë llogarinë TeamTrump sepse kishte postuar të njëjtën pjesë të intervistës, transmeton KOHA.

Një zëdhënës i Twtterit tha se postimi i TeamTrump “shkelë rregullat e Tëitterit mbi dezinformatat rreth Covid-19”.

“Pronari i llogarisë duhet të heqë postimin para se të mund ta përdorë sërish”, ka thënë kjo platformë.

Në këtë intervistë Presidenti Trump në rrjetin televiziv Fox të mërkurën kishte thënë se është koha të hapen shkollat në tërë shtetin.

Ai tha: “Nëse i shikoni fëmijët, ata janë pothuajse, dhe mund të them definitivisht, imun nga kjo sëmundje”.

Në Kamenicë do të hapet shkolla e muzikës

Në Kamenicë sot është mbajtur takimi i udhëheqësve të komunave të Regjionit të Anamoravës. Me këtë rast kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati dhe ai i Gjilanit Lutfi Haziri kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku nga shtatori dega e shkollës së muzikës do të jetë edhe në Kamenicë.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se sot u diskutua për menaxhimin e pandemisë dhe situatën në rajonin e Gjilanit.

“Diskutuam e para për menaxhimin e pandemisë dhe rreth situatës në komunën tonë. Ne do të vazhdojmë të nënshkruajmë me kryetarin e komunës së Gjilanit një marrëveshje ku shkolla e muzikës do të hapet në Kamenicë me ndihmën e komunës së Gjilanit. Kjo është ajo që na duhet gjatë një kohë pandemie ku të gjithë duhet të jemi së bashku dhe ta ndihmojmë njëri- tjetrin”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani dhe Kamenica janë duke bashkëpunuar gjatë tërë kohës, pasi që sipas tij problemet janë të njëjta ani pse në territore të ndara.

“Koordinimi jonë për bashkëpunim komunal, në zgjidhjen e problemeve për arsim dhe bashkëpunimi ynë në segmentin e infrastrukturës, rregullimi i kufijve administrativë në mes të komunave, çështja e problemeve lokale dhe ekonomike, së fundi ne e kemi një treg të përbashkët për ekonominë private në komunën tonë. Dhe ka edhe shumë çështje tjera për të cilat e ndihmojmë komunën tonë dhe njëri-tjetrin… Ne i kemi problemet e njëjta në territore të ndara në aktivitete dhe detyra. Por problemet i kemi të njëjta, duke filluar prej buxhetit e deri tek investimet të buxhetit për çështje të caktuara me të cilat duhet të përballemi çdo ditë”, ka thënë Haziri.

Për këtë bashkëpunim kanë qenë falënderues edhe kryetari i Ranillugut, Vladica Artinoviq dhe ai i Novobërdës, Vetislav Ivanoviq. Koha.net / KultPlus.com

Rita Ora: Coronavirusi po prish gjithçka, ju lutem dhuroni aq sa mundeni

Ylli botëror, Rita Ora, do të performoj nga shtëpia për të mbështetur thirrjen më të madhe për ndihmë të bërë ndonjëherë nga UNICEF, shkruan KultPlus.

Ajo ka bërë thirrje që të dhurohet aq sa mundet teksa ka thënë se ka nderin të performoj për këtë thirrje.

“Është një nder i madh të performoj nga shtëpia ime për të mbështetur thirrjen më të madhe të @ unicef UK  në histori!  Ju lutemi dhuroni gjithçka që mundeni në linkun në llogarinë time”, ka shkruar Ora në Instagram.

Tutje, Ora ka thënë se Coronaviusi po shkatërron gjithçka.

“Në të gjithë botën, Coronavirus po prish gjithçka. Po mbyll shkollat, po u pamundëson foshnjave të marrin vaksina dhe vazhduar jetën në këto zonat e katastrofës. Një brez i tërë fëmijësh janë në rrezik dhe unë ju bëj thirrje që të jepni me aq sa mundeni”. / KultPlus.com

Nënshkruhen Memorandumet e Bashkëpunimit për projektin “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit”

Organizatat ETEA dhe The Library Project Kosova sot kanë nënshkruar Memorandume Bashkëpunimi me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit të Komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Obiliqit. 

Në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart” ku gjendet edhe “Biblioteka Qarkulluese”, drejtori i organizatës ETEA, z. Agon Ahmeti së bashku me stafin e projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit”, priti në një takim miqësor drejtores e arsimit të Komunës së Prishtinës, znj. Shpresa Shala, drejtorin e arsimit të Komunës së Gjilanit, z. Nazim Gagica dhe drejtorin e arsimit të Komunës së Obiliqit, z. Rexhep Zeka.

Në këtë takim u nënshkruan Memorandumet e Bashkëpunimit  për ndarjen dhe koordinimin e përgjegjësive më rastin e shtrirjes së projektit “Biblioteka Qarkulluese më strategjitë e lexim-kuptimit” në shkollat kampione të komunave të lartëcekura, projekt ky i cili është inicuar nga  organizata The Library Project – Kosova me seli në Stokholm dhe implementuar në bashkëpunim me organizatën ETEA dhe me mbështetjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane.

Drejtori i ETEA-s, z. Agon Ahmeti u shpreh se projekti deri në këtë fazë po ecën mirë dhe po mirëpritet nga mësimdhënësit dhe shkollat përfituese. Ai shtoi se ky projekt është një mundësi tejet e mirë për të gjitha shkollat që kanë fonde të varfëra të librave apo që nuk kanë fare biblioteka shkollore, pasi “Biblioteka qarkulluese” mundëson furnizimin e vazhdueshëm me libra, dhe atë me libra cilësor. Mbi të gjitha ai vlerësoi se udhëzuesit e mësimdhënësve për strategjitë e lexim-kuptimit që do të shpërndahen së bashku me librat në shkolla, do të mundësojnë zhvillimin e mendimit kritik dhe analitik tek fëmijët, diçka që sipas rezultateve të testit PISA mungon ndër nxënësitkosovarë.

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, znj. Shpresa Shala shtoi se qysh në fillim ka qenë e fascionuar nga ideja se si duhet fëmijët të udhëzohen nga mësimdhënësit që ta kuptojnë atë që janë duke e lexuar. Ajo potencoi përvojën e mirë të mësimdhënësve të shkollave të Prishtinës që kanë aplikuar strategjitë e lexim-kuptimit paraprakisht, përvojë kjo që e ka nxitur të jep kontributin e vet në zgjerimin e projektit edhe më tej.

E koordinatorja e The Project Library Kosova, znj. Gresa  Haxhimusa theksoi pikat kryesore të memorandumit duke thënë se këto momorandume janë të lidhura specifikisht me aktivitetet e projektit. Ajo kërkoi mbështjetjën e drejtorëve që Orët e Leximit  të  integrohen në dy orë obligative brenda javës. Znj. Haxhimusa, po ashtu tha se do të vlerësonin nëse komunat ndajnë ndonjë shumë simbolike që të blihen libra për çdo vit në mënyrë që Biblioteka Qarkulluese të pasurohet edhe më tej me tituj librash.

Z. Rexhep Zeka, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Obiliqit tregoi se ata janë bashkëpunues me çdo organizatë joqeveritare dhe se i kanë dyert e hapura për të gjtihë akterët që kanë synim dhe qëllim ngritjen e nivelit të arsimit. 

Më tej, zyrtarja e projektit, znj. Anita Tahiri njoftoi se projekti do të shtrihet gjithsej në shtatë komuna të Kosovës, dhe brenda javës së ardhshme do të nënshkruhen memdoranumet e bashkëpunimit më drejtorët e Drejtroive të Arsimit në komunat e Prizrenit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes. 

ORCA e quan Likajn plagjiator: Po tenton ta kap totalisht arsimin

ORCA thotë se e dënon emërimin në mënyrë jotransparente të anëtarit të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë Binak Beqaj. Dje u raportua se Likaj, ka emëruar Binak Beqajn anëtar të KSHc-Së.

ORCA shprehet e shqetësuar me, siç thotë ajo, “komoditetin e Beqajt për të deklaruar në medie se është anëtar i AAK-së”.

“E po ashtu me komoditetin e ministrit plagjiator të Arsimit Ramë Likaj për të bërë emërime politike. Për më tepër, në vështrimin tonë të parë të punës shkencore të anëtarit të ri të KShC-së, del se është nën mesataren e profesorëve të Universitetit të Prishtinës”, thueht në reagimin e ORCA-s.

Në anën tjetër, thotë ORCA, “ministri plagjiator, përmes anëtarëve të vet në Këshillin Drejtues të UP-së e ka bllokuar procesin e zgjedhjes së rektorit pasi ka dështuar tentativa e parë për kapje të pozitës së rektorit përmes Zenun Halilit, i cili doli se ka konflikt interesi”.

“Kalendari i procesit për zgjedhjen e rektorit është anashkaluar për t’u orvatur që përmes Agjencisë Kundër Korrupsion apo në ndonjë formë tjetër, të prishet i tërë procesi ashtuqë Halili të zëvendësohet me një kandidat tjetër nga radhët e partisë së ministrit plagjiator. Ministri plagjiator nuk po ndalet dhe ka vazhduar me tentativën e radhës për kapje institucionale duke emëruar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë një anëtar tjetër të AAK-së në mënyrën më jotransparente, madje duke mos e shpallur vet emërimin, por duke u zbuluar nga mediet siç ndodh rëndom me klandestinime të tilla”, thotë ORCA.

Kësisoj ORCA i bën thirrje shoqërisë kosovare për mobilizim, në veçanti OJQ-ve dhe aktivistëve, që të ndalet degradimi i mëtejmë i arsimit.