Panairi i librit këtë vit në Tiranë do të jetë online

Pandemia e koronavirusit ka prekur çdo fushë të jetës, dhe për shkak të COVID-19 edhe edicioni i 23-të i Panairit të Librit do të jetë online.

Sot është bërë çelja e tij dhe për 20 ditë lexuesi do të ketë evente të lidhur drejt për drejt me ta duke prezantuar libra të rinj, autorë e shtëpi botuese. Ceremonia e hapjes u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Informimi për titujt e rinj dhe ofertat do të bëhet përmes platformave online si Bukinist dhe televizioni Top Channel.

Bukinist dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë kanë bërë një marrëveshje bashkëpunimi që librit t’ia bëjmë festën që i takon edhe këtë vit, duke shfrytëzuar profesionalisht të gjitha hapësirave virtuale dhe për të shkuar tek lexuesi, kudo ku ndodhet; brenda dhe jashtë vendit.

Sipari i këtij panairi do të hapet më 12 nëntor, me ceremoninë e përvitshme, dhe do të vazhdojë për gati tre javë, deri më 30 nëntor. Do të kemi një faqe të dizenjuar vetëm për këtë panair, ku lexuesit do ti kenë të gjithë ofertat e përvitshme, si dhe eventet, autorët në fokus dhe shumë e shumë aktivitete të tjera.

Katër ditët e para do të jenë me një agjendë të ngjeshur me aktivitetet që do të zhvillojë Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe botuesit në veçanti, qoftë në mjediset fizike në kryeqytet, qoftë edhe përmes platformave profesionale të transmetimit online. As këtë vit nuk do të mungojë ceremonia e dhënies së çmimeve vjetore nga Shoqata e Botuesve.

Bukinist po koordinon me të gjithë botuesit, autorët, përkthyesit dhe partnerët e tjerë zhvillimin e mbi 50 aktivitete që do të jenë online, me mundësi aksesi për këdo lexues, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Çdo shtëpi botuese do të ketë stendën virtuale tek Panairi Online i Bukinist; e prezantuar me të gjithë titujt e rinj, ofertat, eventet dhe autorët në fokus. Pjesa më e veçantë e çdo panairi sigurisht janë ofertat e mezipritura: Bashkë me botuesit do të ketë ulje nga 15% deri në 50% për rreth 8000 mijë tituj: – libra të rinj, botimet bestseller, e të tjera. Çdo ditë do të keni informacione rreth librave më të shitur dhe librat e tij. Por, ne do të përcjellim edhe atë që dëshirojnë lexuesit nëpër panaire: Promovimet dhe eventet. Të gjithë aktivitetet do të përcillen përmes një platforme profesionale që do të transmetohet për ndjekësit tanë në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, si dhe në mediat sociale të vetë botuesve dhe shoqatës së tyre.

Përderisa kemi një event të këtyre përmasave online, këtë vit vendosëm që autorët në fokus të jenë dy maja të letrave shqipe: Gjergj Fishta, të cilit i përkujtojmë këtë vit 80 vjetorin e ndarjes nga jeta dhe Ismail Kadarenë. Po ashtu, secila shtëpi botuese do të ketë në vetvete dy autorë në fokus, veprat e të cilëve do të jenë në ofertë./ KultPlus.com

Masakra e 12 nëntorit 1944, ekzekutimi pa gjyq i 14 burrave

Brenda një nate, forcat komuniste që pas pak ditësh do të merrnin Tiranën, vranë në kryeqytet 14 burra. 14 figura të shquara të kombit dhe kulturës shqiptare u ekzekutuan pa gjyq e pa faj

Nëntor 1944. Ajo vjeshtë çdo ditë e më shumë merrte ngjyrën e gjakut. Forcat komuniste ekzekutonin në oborret e shtëpive, në rrugica, në bodrume, buzë lumenjve ata që i konsideronin armiq. Ata që vriteshin pa gjyq e pa faj, ishin njerëz të dëgjuar, ndikimi dhe mendimi i të cilëve i shqetësonte komunistët që po përgatiteshin të vinin në pushtet ndaj dhe çdo ditë firmoseshin urdhra ekzekutimesh që viheshin menjëherë në vend.

Ky program shfarosës solli edhe masakrën e 12 nëntorit, kur në Tiranë u ekzekutuan  Ismail Agë Petrela, Muntaz Kokalari, Vesim Kokalari, Syrja Kokalari, Nebil Çika, Reshat Stërmasi, Muharrem Lleshi, Rifat Tërshana, Lluka Xhumari dhe Ali Panariti, 14 burra të nderuar që ranë nën plumbat e guerrilasve dhe ushtarëve.

Ismail Agë Petrela thuhet se u ballafaqua me ekzekutorët duke thirrur: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”, ndërsa Muharrem Lleshi nuk pati mundësi të thoshte asgjë sepse pasi i hynë në oborrin e shtëpisë në mesnatë, e vranë sapo u shfaq te pragu i derës. Mes të pushkatuarve ishte patrioti nga Dibra e Madhe që kish marrë pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në hapjen e shkollave në zonën e tij, Rifat Tërshana, njeriu i suksesshëm i biznesit Lluka Xhumari dhe tregtari Ali Panariti, luftëtari i lirisë, Reshat Stërmasi, pjesë e Ushtrisë Kombëtare dhe më pas komandant i Rinisë së Ballit Kombëtar, por edhe intelektualë klasi si drejtuesi  i “Arbëria”-s dhe “Minerva”-s dhe korrespondenti i Reuters dhe New York Times në Shqipëri, gazetari Nebil Çika, apo Muntaz dhe Vesim Kokalari, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare”, të cilët u ekzekutuan në skutat e hotel Bristol. Përndjekja ndaj familjes gjirokastrite nuk do të rreshtte kurrë. Ca më vonë do të arrestohej dhe burgosej edhe motra e Muntazit dhe Vesimit, shkrimtarja Musine Kokalari. Ato ditë vjeshte po bëhej prezantimi zyrtar i asaj që duhej pritur nga ky regjim: vrasjet pa gjyq dhe zhdukja e kundërshtarëve me metoda kriminale, por edhe sa lehtësisht e për sa pak dikush mund të shpallej armik dhe të ekzekutohej. Të kishe njohur nga afër udhëheqësin e ri, si Kokalarët që vinin nga i njëjti qytet apo si Rifat Tërshana që e kishte strehuar në shtëpi gjatë luftës,  shpesh ndëshkohej me jetë. Po kaq rëndë ndëshkoheshin edhe ata që ishin angazhuar në Luftë me forcat e Ballit, edhe pse armët i kishin ngritur kundër pushtuesve, si Reshat Stërmasi i cili ishte bir i një prej flamurtarëve të Pavarësisë. Por nuk ishin të mbrojtur as ata që politikës i kishin qëndruar larg si durrsaku Lluka Xhumari që pas studimeve në Itali, ishte kthyer në atdhe dhe kishte ngritur me iniciativën e tij një shoqëri automobilistike, apo korçari Ali Panariti, tregtar i suksesshëm që kishte studiuar në Romë dhe ishte bërë edhe sipërmarrës i ndërtimit të rrugëve.

Plot 14 burra të njohur u ekzekutuan atë natë të 12 nëntorit, kur komunistët nxitonin të spastronin rrugën e marshimit në Tiranë. Pesë ditë më vonë hynë si triumfatore në kryeqytet, në tokën e të cilit ende nuk qe tharë gjaku i të vrarëve pa gjyq./kujtoal/KultPlus.com

Botohet “Litari i mallit” nga autori i njohur shqiptaro-kanadez Kristaq Turtulli

Kristaq Turtulli, rrjedh nga një familje patriote, bamirëse, dhe të shquar korçare. Ai krenohet me të parët e tij që në vitet ’30-të, me humanizëm të pashembullt i ndërtuan dhe i dhuruan qytetit të tyre të dashur Korçës, tre pikat më të rëndësishme të një qyteti, për t’i dhënë fytyrë evropiane: Liceun, Bibliotekën dhe Spitalin, si dhe shtëpinë e fëmijës dhe të katedrales dhe plot bamirësi të tjera.

Kristaq Turtulli është shkrimtar i mirënjohur, ndër më cilësorët e aktivët shqiptarë që jetojnë në Kanada, ndërsa qeveria shqiptare duke vlerësuar rolin e tij intelektual, para dy vitesh ia ka ndarë titullin “Ambasador i Kombit”. Turtulli ka filluar të shkruajë dhe të botojë në moshë fare të re; poezi, tregime, novela, romane, me shumicën e të cilave vlerësohet edhe me çmime kombëtare.

Kristaqi emigroi në Kanada në fillim të vitit 2000, rrugëtim që nuk e pengoi, por me këmbëngulje dhe pasion vazhdoi të shkruante si rrallë tjetër, të botojë dhe të promovojë librat e tij në Shqipëri, Kosovë, Francë, Greqi, Itali si edhe në vendin ku tashmë jeton prej vitesh në Kanada. Krijimtaria e tij është dhe vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet dhe të botohet në gjuhën angleze, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si romanet “The Inn with two doors”, “ Ivory Eye”, Mysteries of Little Paris” dhe “Friends”.

Libri më i ri shkrimtari Kristaq Turtulli, të cilin e botoi para do kohe në Shqipëri, është libri me tregime dhe novela “Litari i Mallit”, dhe pritur me mjaft sukses dhe interesim nga media, kritika dhe dashamirësit e letërsinë shqiptare. Libri në fjalë përbëhet nga njëzetë tregime dhe katër novela, me tema të ndryshme shoqërore e psikologjike të situatave të poashtu të ndryshme. Edhe në këtë libër autori Turtulli ka arritur ta ruajë dhe përsos stilin e vet duke i dhënë tregimit shqiptar edhe zërin autentik, të një shkrimtari që zbulon fshehtësi të të rrëfyerit në letrat shqipe.

Sipas redaktorit të librit Elvi Sidheri “Turtulli është qëndistar i personazheve dhe, optimizmin e gjen brenda kontradiktës. Metafora, fantazia, intrigat, tensioni psikik, lufta shpirtërore dhe përplasjet shoqërore. Në këtë libër me tregime dhe novela përvijohen me art të rrallë, ngjarje, situate, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, shpirtshitje, vogëlsira, hidhësi dhe madhështi. Autori e njeh jetën dhe e jep atë me të gjitha dimensionet e saj. Në këtë libër si në të gjitha librat e tij të shumta, paraqitet mjeshtër i rrallë tregimit dhe filozof i jetës”. Ai me të drejtë vazhdon se “nga tregimi në tregim nga shumëllojshmëria e temave, ngjarjeve të befason nga forca, frymëzimi i papërmbajtshëm dhe njëherësh endesh, depërton në thellësitë e shpirtit krijues të këtij shkrimtari, që gjithnjë guxon aty ku pakkush ose askush nuk ka shkelur më parë”.

Turtulli i ka vizatuar personazhet me vërtetësinë e një artisti, për dashurinë e sinqertë, mallin e mërgimtarit për atdheun, vendlindjen e munguar, dinjitetin, dashurinë prindërore, kryesisht të nënës, zhgënjimin e njeriut të ndershëm nga të korruptuarit, etj.

Personazhet në këtë libër, janë ndërtuar me mjeshtëri, të befasojnë, sidomos portreti i skalitur me art të rrallë i femrës dhe himni i mrekullueshëm për nënën shqiptare. Shkrimtari Turtulli edhe në këtë vepër ka dëshmuar se si shkrimtar bashkëkohor i letërsisë shqipe ai është në mes dy shteteve dhe dy kulturave të ndryshme, asaj shqiptare dhe kanadeze, mirëpo perzonazhet dhe shqetësimet e tyre janë kryesisht të shqiptarëve modernë. Tregimet dhe novelat më të reja të këtij autori, sjellin edhe njëherë muza e frymëzime që e kanë bëre një autor të vlerësuar, jo vetëm nga kritika letrare shqiptare, por edhe nga kritika kanadeze, pjesë e së cilës jetë është tashmë.

Nga tregimi në tregim, dhe nga novela në novelë Kristaq Turtulli prek tema dhe ngjarje interesante nga jeta e njeriut, e cila trajtohet me një zë të veëantë përmes rrëfimit të shkrimtarit./ ShaniPnishi/diasporashqiptare/KultPlus.com

Ndahet nga jeta akademik Ekrem Murtezai

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, ka njoftuar se sot në moshën 89-vjeçare ka ndërruar jetë akademik Ekrem Murtezai.

Akademik Ekrem Murtezai lindi në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe mori mësime në Medresenë e Madhe të Gjakovës. Në vitin 1948 u regjistrua në Shkollën Normale të Gjakovës, ndërsa në vitin 1951 u diplomua në Pejë. Studioi për filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Pas studimeve deri në fund të viteve ’60 punoi mësimdhënës në shkollën normale dhe në gjimnazin e Gjakovës, ku ishte edhe drejtor.

Nga viti 1969 e deri në vitin 1973 ishte në detyrën e këshilltarit të pavarur në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të Lidhje Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) dhe njëkohësisht edhe shef i kabinetit të Fadil Hoxhës, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Ekzekutive.

Ndërkohë mbaroi studimet pasuniversitare për politikologji në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Në vitin 1973 u zgjodh ligjërues i lëndëve historia e filozofisë antike dhe mesjetare dhe filozofisë marksiste në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP), ku më 1977 mbrojti edhe tezën e disertacionit të doktoratës me titull “Lenini për logjikën dialektike”. Ishte profesor i rregullt i lëndëve të lartpërmendura gjatë viteve 1983-1991, por edhe i disa lëndëve të tjera filozofike: estetikë, logjikë, filozofi klasike gjermane, filozofi bashkëkohore etj. Për një kohë ligjëroi edhe metodologjinë dhe teknikat e kërkimeve shkencore në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist. Kreu edhe detyra të tjera në institucionet e arsimit.

I ndjeri ka qenë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt. E. Murtezai është autor i disa librave nga fusha e filozofisë, i artikujve shkencorë, i fjalorëve terminologjikë, i librave shkollorë: “Filozofia materialiste-dialektike” (1975), “Studime filozofike” (1975), “Stalinizmi dhe neostalinizmi” (1976), “Pikëpamja e Leninit për metodën dialektike” (1976), Marksizmi, socializmi dhe vetëqeverisja” (1981), “Disa terma aktualë politikë” (1986), “Fjalori i filozofisë” (1995), “Fjalor i feve” (2000), “Hyrje konceptuale në filozofi” (2015) etj.

Për shkak të rrethanave të pandemisë, të shtunën në orën 11:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative me familjarët dhe anëtarët e Akademisë.

Ceremonia e varrimit do të bëhet duke respektuar masat parandaluese për mbrojtjen nga pandemia Covid-19./ KultPlus.com

Anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si garanci për kufijtë

Krijimi i organizatës së Lidhjes së Kombeve, si pjesë e zgjidhjeve që dha Konferenca e Paqes në Paris 1919, me idenë dhe kontributin e madh të presidentit amerikan Wilson, ngjalli shpresa të mëdha për më shumë drejtësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, kryesisht për shtetet e reja e të vogla të krijuara në prag apo pas Luftës së Parë Botërore, pasi sillte një element të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare atë të diplomacisë publike, debatit të hapur dhe sigurisë kolektive.

Sipas dokumentave që gjenden në arkivën online të MEPJ-së, Qeveria shqiptare e konsideroi antarësimin në këtë organizatë si garanci për një trajtim më të drejtë të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në tryezat vendimarrëse të Fuqive të Mëdha . Ajo shfrytëzoi faktin që me 15 nëntor 1920 do të hapej sesioni i pare i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjeneve të Zvicrës. Me 12 tetor, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes Pandeli Evangjeli i drejtoi një leter Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Eric Drummond në të cilën në emër të popullit shqiptar kërkoi që Shqipëria të pranohej anëtare në Lidhjen e Kombeve e të merrte pjesë në Asamblenë e madhe që do të hapej me 15 nëntor.

Shqipëria u anëtarësua me të drejta të plotë në OKB më 17 dhjetor 1920.

Presidenti i shtetit të varfër që i bën statujë ari qenit të preferuar

Presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhamedov, ka inauguruar një statujë ari të racës së preferuar të qenit të tij në kryeqytetin e këtij vendi, Ashgabat, ndonëse një pjesë e madhe e popullit është në varfëri.

Kreu i shtetit të Azisë Qendrore personalisht e zbuloi statujën gjashtë metra të lartë. Raca Alabay është një racë e qenit të barinjve në Azinë Qendrore dhe cilësohet si trashëgimi kombëtare në Turkmenistan.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti turkmen e nderon këtë racë qensh. Vitin e kaluar, ai shkroi një libër për këto kafshë, shkruan BBC

Pavarësisht bukurisë së statujës, një pjesë e madhe e popullsisë së Turkmenistanit mund të mos i jetë gëzuar shumë kësaj vepre, sepse jeton në varfëri. Ky shtet radhitet në mesin e vendeve me më së paku liri të medieve nga organizatat ndërkombëtare, madje gjendet edhe më poshtë se Koreja Veriore.

Statuja e qenit është vendosur në një zonë banimi që është ndërtuar për shërbyesit civilë, ndërsa kostoja e objetit nga ari nuk dihet.

Mediet shtetërore thanë se kjo statujë i reflekton krenarinë dhe vetëbesimin e qenit Alabay.

Në dhjetor të vitit 2011, organizata “Transparency International” e vlerësoi Turkmenistanin si vendin e tretë më të korruptuar në botë. /gazeta express/ KultPlus.com

Përfundon edicioni i pestë i Novelave Grafike Shqiptare

Në ambientet e odeonit të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua konkursi i Novelave Grafike Shqiptare ku u ndan dhe 8 çmime për pjesëmarrësit.

Ky event i cili këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 5-të është kthyer në një traditë të përvitshme duke sjell pranë publikut krijime të veçanta dhe duke i dhënë një mbështetje të madhe artistëve të cilët punojnë dhe zhvillojnë këtë zhanër të grafikës.

Në këtë konkurs u ndan 8 çmime ditën e djeshme, ku tre prej tyre ishin çmimet klasike që u vlerësuan me një mbështetje materiale, në mënyrë që artistët të vazhdojnë të investojnë në rrugëtimin dhe talentin e tyre.

Me çmim të parë me punimin më të mirë në këtë konkurs u vlerësua Artiol Izri, me çmim të dytë Klejdi Domi dhe me çmimin e tretë Adrian Engjëlli. Çmimet e tjera ishin vlerësues dhe inkurajues që gjithashtu edhe për këta të fundit kishte një ndihmë financiare.

Në këtë konkurs morën pjesë 46 pjesëmarrës të moshës nga 14-18 vjeç. Pjesëmarrësit vinin nga shkolla artistike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Ky projekt vlerësohet nga Ministria e Kulturës e cila ishte edhe organizatore, si një mënyrë mjaft e mirë për të ndihmuar brezat e rinj të artistëve, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor nëpërmjet arteve. Konkursi i Novelave Grafike ka rezultuar shumë i suksesshëm në të pestë edicionet e zhvilluara. Duke parë interesin e madh të artistëve, Ministria e Kulturës disa ditë më parë ka hapur konkursin për edicionin e radhës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. /aa/ KultPlus.com

IKSHPK: Kosova së shpejti me raportim mbi cilësinë e ajrit në kohë reale

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka mbajtur konferencë me Fondacionin e Mileniumit të Kosovës, ku është diskutuar për projektin i cili do t’i informoj qytetarët për cilësinë e ajrit, shkruan KultPlus.

Ky projekt do të siguroj raportimin mbi cilësinë e ajrit në kohë reale në 12 stacione monitoruese.

‘’Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja e CA në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit’’, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Synimi kryesor i këtij projekti mbetet informimi i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve për cilësinë e ajrit, në tentim të përmirësimit të shëndetit publik dhe zvogëlimit të ndotjes.

‘’Fushtata mbarëkombëtare për vetëdijësim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit’’, njofton IKSHPK.

Kjo fushatë është njëra nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe MFK, implementuar nga NIRAS. /KultPlus.com

Nis puna për restaurimin e kishës së Shën Ilias, objekt kulti 400 vjeçar

Në fshatin Stegopull, Gjirokastër ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias.

Kisha e Shën Ilias është rreth 400 vjeçare e ndërtuar në shek. XVII dhe konsiderohet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

Lajmin për fillimin e punimeve në këtë objekt kulti e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ku thekson se punimet restauruese në këtë kishë erdhën si pasojë e kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të zonës.

“Pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të zonës, ka nisur puna për restaurimin e Kishës së Shën Ilias, në fshatin Stegopull, Gjirokastër. Një monument i shek. XVII, i cili i ka rezistuar kohërave e zografisur nga dora e Kostandinit”, shprehet Margariti.

Puna restauruese në këtë objekt bën të ditur ministrja konsiston në stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe në ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit.

“Projekti i hartuar nga specialistët e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe financuar nga buxheti i shtetit, parashikon rishikimin e gjendjes dhe strukturës së çatisë së hajatit në anën perëndimore, pastrimin e territorit përreth, stabilizimin e strukturës së muraturave si dhe ndërhyrje konsoliduese – restauruese në pikturën murale të interierit”, bën të ditur Margariti.

Ky projekt i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do financohet nga fondet e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 8 milionë lekësh të reja.

Kisha e manastirit të Shën Ilias është e vetmja e mbijetuar mes 13 kishave të fshatit Stegopull në Gjirokastër. Kisha e një stili të rrallë arkitekturor mendohet se është një ndër më të vjetrat në rajon dhe ka njohur disa faza rindërtuese përgjatë shekujve. /a.a/ KultPlus.com

Sindikatat e Shëndetësisë apel kryetarëve të komunave: Sa dekoroni qytetet për festa, investoni në shëndetësi

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka bërë  një apel tek të gjithë Kryetarët e Komunave dhe  tek Asambletë Komunale  të tyre që të kenë parasysh situatën e rënduar me Pandeminë COVID-19 kur bëjnë plane për shpenzime për të dekoruar qytetet për festat e fundvitit.

“FSSHK është njoftuar me shumat e projektuara për një aktivitet të tillë, andaj kërkon që këto mjete të investohen në sektorin e shëndetësisë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore gjatë Pandemisë COVID-19  dhe në mbrojtje të popullatës në nivel të Komunave.Është i patoleruar dekorimi i qyteteve për festa të fundvitit kur qytetarët tanë po ballafaqohen me kushte të rënda mbijetese me Pandeminë dhe gjendjen socio ekonomike të familjeve të tyre”, thuhet në komunikatë.

FSSHK bën apel tek Kryetarët e Komunave dhe Asambleve Komunale që të jenë më të arsyeshëm sa i përket shpenzimeve të parasë publike.

“Tek e fundit Kosova që nga nesër futet pothuajse në karantinë e që nënkupton edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, andaj pyetja është kjo?. Kush do ti vizitojë këto qendra të dekoruara të qyteteve kur kemi masa kufizuese dhe të paktën a kemi ndjeshmëri dhe solidaritet këtë vit me familjet të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga COVID-19”, thekson komunikata. / KultPlus.com

Tejkaloi sëmundjen për t’u shkolluar, Blerina Murtezi boton librin e dytë “Ëndrrat e mia”

Medina Pasoma

Përballja me sfidat jetësore shumë shpesh i bën njerëzit të dobësohen, ndërkaq atë veçse e kanë forcuar. Blerina Murtezi i doli përballë çdo vështirësie, duke e bindur veten se ëndrrat e saj janë më të mëdha se çkado tjetër. Tanimë ajo frymon në raftet e lexuesve, nëpërmjet librit të saj të dytë ‘’Ëndrrat e mia’’, shkruan KultPlus.

Përderisa letërsia për shumicën është çlirim shpirtëror, për të ka qenë përherë një shpëtim. Ajo e kishte kapur lapsin për të rrëfyer problemet të cilat e preokupojnë, vështirësitë jetësore, bukuritë të cilat i haste por, edhe ëndrrat e saj. Pikërisht në momentin kur shkruante për këto të fundit, ajo veçse i falte realitet.

Librit të saj të parë ia dha emrin “Guxo”, për të rrëfyer nëpërmjet vargut guximin e madh që kishte një vajzë si ajo. Pasi që “guxoj” njëherë, pastaj ajo filloj ‘’të ëndërroj’’ duke ia sjellur frymëzimet poetike për të dytën herë me radhë publikut.

Pavarësisht pse u diagnostikua me distrofi muskulare, shkrimi dhe shkollimi për të mbeti gjithmonë një përpjekje jetësore. Anipse dyert e shkollës së mesme të Ferizajt nuk u hapën për të, ajo insistoj që të vazhdoj rrugën e dijes. 7 vitet në pritje i rezultuan me vazhdimin e shkollimit në Prishtinë, ndërkaq tani ajo ëndërron edhe të mbaroj fakultetin.

“Ëndrrat e mia” është vepra e radhës e poetes Blerina Murtezi, e cila është mirëpritur nga audienca. Teksa ajo shpalos rrugëtimin e saj me KultPlus, thekson se ëndrra e saj gjeti jetësim.

‘’Tani po më njihni me epitetin ‘shkrimtare’ dhe jam e lumtur që ia dola të bëhem. Kjo ishte një ëndërr e imja, ende pa e kuptuar fjalën poete’’, shprehet Murtezi.

Në ardhjen e saj të dytë me një libër, dukshëm që ajo është përmirësuar edhe më shumë. Madje edhe Blerina, këtë të fundit e quan si vepër që ka më shumë gjallëri.

‘’Poezitë kanë bukurinë e ëndrrave dhe dashurinë përrallore. Prandaj edhe u quajt ‘’Ëndrrat e mia’’, theksoj autorja.

Çdo autor ka muzën e tij dhe i sheh e ndjen gjërat varësisht nga këndvështrimet personale. Për Blerinën gjithçka që e rrethon mbetet një frymëzim.

“Ajo që më ka inspiruar për këtë temë është jeta ime, stinët që ndërrohen, ajri që merr”, tha autorja.

Për këtë libër Blerina dha një vit e gjysmë mund, duke i kombinuar poezitë e vjetra me ato që i shkruante gjatë procesit të punës.

‘’Në disa poezi shfaq edhe lumturi të realizimit të ëndrrave, e në disa jam ende në kërkim të lumturisë’’, thotë autorja Murtezi.

Mirëpo veprat ‘’Guxo’’ dhe ‘’Ëndrrat e mia’’ për të nuk mjaftojnë.

‘’Ajo për të cilën nuk do të heq dorë është studimi, deri ta rimëkëmbi shëndetin i cili ka qenë për mua gjithnjë parësori. Kjo është edhe arsyeja se nuk më njohët më herët si shkrimtare dhe pse shkollimin e ndërpreva’’

Blerina Murtezi do të shkoj edhe përtej tyre, duke u bërë një emër i njohur i letërsisë shqipe dhe duke u ngritur në studime akademike. /KultPlus.com

Arrihet marrëveshja për rrugët afër Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se është arritur marrëveshja për përdorimin e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka bërë me dije se marrëveshja është arritur me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando, e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi.

“Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj./ KultPlus.com

Kosova në mesin e fituesve në Festivalin e Filmit Sportiv në Itali

Në festivalin e filmit sportiv i cili u mbajt në Milano të Italisë, fitues është shpallur edhe dokumentari i punuar nga Xhemajl Avdyli, i cili bazohet mbi sfidat, kapacitetet dhe triumfin e atletit dhe rekordmenit nga Kosova, Muhamet Ramadani nga Mitrovica.

Dokumentari titullohet “Beyond the Dream” që në shqip do të thotë “Përtej ëndrrës”!

Në këtë festival kanë marrë pjesë rreth 40 shtete. / KultPlus.com

Autorja e ‘Half of a Yellow Sun’ triumfon me çmimin ‘winner of winners’

Trembëdhjetë vite pasi ajo fitoi çmimin e shkrimtareve për fiksion, romani i Chimamanda Ngozi Adichie, ‘Half of a Yellow Sun’ është zgjedhur për çmimin letrar ‘winner of winners’ në një votim publik, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

Në 25 vjetorin e dhurimit të këtij çmimi, u kërkua nga publiku të vlerësojnë më të mirin nga 25 fitues ndër vite. 8,500 njerëz votuan për romanin e Adichie ‘’Gjysma e një Dielli të Verdhë’’.

Adichie ishte vetëm 29 vjeçe kur fitoi çmimin e shkrimtareve grave për romanin e saj të dytë në 2007. Atëherë i njohur si ‘Çmimi Portokalli’, në konkurs u vu përballë puna e shkrimtares nigeriane kundër fituesit të Booker, Kiran Desai me veprën ‘’The Inheritance of Loss’’ dhe me Anne Tyler’s me veprën ‘’Digging to America’’.

Kryetari i jurisë në konkursin e vitit 2007, Muriel Grey, e vlerësoj veprën ‘’Half of a Yellow Sun’’ si  “mahnitëse, jo vetëm në temën e aftë, por në shkëlqimin e mundësisë së saj të arritjes”.

Autorja theksoj se ishte “veçanërisht e emocionuar për t’u votuar ‘winner of winners’ sepse ky është çmimi që së pari solli një lexues të gjerë në punën time – dhe gjithashtu më ka prezantuar me punën e shumë shkrimtarëve të talentuar.”

Romani i Adichie trajton kolonializmin, besnikëritë etnike, klasat, racat dhe fuqizimin e grave. / KultPlus.com

Bejtexhinjtë dhe kremtimi i tiranëve…

Nga Jusuf Buxhovi

Zvarritjen për te maja e Sukës, ku duhej të ndjeja atë frymën e vullnetit për fuqi për të cilën më kishte folur Baba Tali para se në kasabën e mallkuar fytin të ma gjente thika e jeniçerëve, ma ndali hordhia e bejtexhinjve e shoqëruar me fedainjë të përgjakur dhe qaramanë të përjargur nga ilahitë. Kur më panë ashtu të shkallmuar me qehrën e mejtit, nga bindja se një kufomë i shkonte orgjisë së tyre, më thanë se duhej t’u bashkohesha.

“Do të ngjitemi në atë maje për ta hyjnizuar me ilahi shpëtimtarin tonë, atë që na çliroi nga e keqja, ndërsa katilat po e mallkojnë…”

Desha t’u thosha se ne nuk jemi të çliruar nga e keqja, pos që ajo e jashtmja ishte zëvendësuar me një tejtër nga brenda, gjë që nuk ishim të lirë siç shtireshim, por fyti i tharë nuk m’i nxori ato fjalë.

Po ashtu, po të kisha fuqi të flisja, do t’u thosha të më kurtalisnin me thikat e tyre, meqë ashtu shpëtoja nga ai nënçmim pa fund…

Por, ç’e do që ata, sikur t’i kishin kuptuar ato që nuk m’i nxirrte goja, po më ngrehnin zvarrë. Në atë gjendje katandisëse, bejtet që i thoshin për profetin e tyre dhe ilahitë për të, po i përjetoja më rëndë se çfarëdo dënimi me vdekje…

Në atë siklet, koka ime, seç po i sillte ato që dikur m’i thoshte Baba Tali për bejtexhinjtë e përhershëm, që madhërojnë pushtetarët zullumçarë dhe jeniçerët që janë në gjendje të vrasin në emër të tyre këdo që mendon ndryshe…

(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, Prishtinë, 2013)

16 vjeçarja shqiptare boton libër në gjuhën angleze, përkthimi në gjuhën shqipe ëndërr për të

Medina Pasoma

Ajo i ka vetëm 16 vjet, por frymëzimet letrare i shkojnë përtej moshës. Shqiptarja nga diaspora, Gerta Miftari ka publikuar romanin e saj të parë në gjuhën angleze ‘Coldhearted Mafia Boss’, të cilën synon ta përkthej edhe në shqip, shkruan KultPlus.

Shqiptarët të cilët janë detyruar ta lënë vendin e tyre për shkak të një jetese më të mirë dhe arsyeve tjera, përveç që janë themeli i Kosovës për shumë gjëra, kanë qenë edhe krenaria jonë ndër vite. Një rast konkret është edhe Gerta Miftari, e cila jeton në Gjermani, ndërkaq prejardhjen e ka nga Vushtrria. Ajo është ende në klasën e 11-të të shkollës së mesme, mirëpo diapazoni i gjerë që ka e ka bërë ta sfidoj veten me publikimin e një libri. Mes gjuhës shqipe që i flet familja dhe asaj gjermane me të cilën shkollohet, ajo zgjodhi gjuhën angleze për të rrëfyer këndvështrimet e saja në një roman.

Letërsia të cilën e deshi shumë, nuk vazhdoj ta shikonte nga larg me admirim por, vendosi të futej në thellësitë e saj. Kështu nisi rrugëtimi i librit ‘Coldhearted Mafia Boss’, i cili përfundoj nga një shkrim në një fletë, në një roman të përmbledhur.

KultPlus ka marrë rrëfimin e gjithë këtij udhëtimi 13 mujor drejt finalizimit të romanit. Tanimë që ëndrra e Gertës është arritur, ajo thotë:

“Gjithmonë kam dashur të lexoj libra dhe prandaj romani erdhi në një mënyrë natyrale për mua”.

Ajo i hyri shtigjeve të vështira të letërsisë kriminalistike, duke i vënë personazhet përballë sprovave të mëdha jetësore, për të parë se sa të fuqishëm në të vërtetë janë.

‘’Tema lidhet me martesën e dhunshme por, ky nuk është problemi i vetëm. Qëllimi tematik ka qenë thellimi në sekrete dhe te njerëzit që mendojnë vetëm për pasurinë’’, shprehet Gerta Miftari.

Përpjekjet materiale të disave shkojnë përtej të duhurës, duke i bërë që të ndërrojnë këndvështrim dhe ta shohin paranë si gjënë më të shtrenjtë në jetë. Pikërisht këtë mesazh ka tentuar ta përçoj autorja e re vushtrriase.

‘Mesazhi im është të dihet se pasuria nuk është gjithçka. Gjithashtu është e rëndësishme të jesh i shëndetshëm dhe i lumtur. Pasuria nuk është, por janë edukimi dhe mësimi’’, thekson Miftari.

Gerta i bëri dy sfida të njëpasnjëshme në këtë roman. Njëren e bëri me të shkruarit e saj dhe tjetrën me gjuhën që përdori. Mirëpo, leximi i rregullt në një gjuhë të huaj ia ka lehtësuar asaj realizimin e këtij qëllimi.

‘’Lexoj shpesh libra në gjuhën angleze dhe prandaj shkrimi në këtë gjuhë mu duk normale për ta bërë’’, tha Gerta Miftari.

Në anën tjetër, përballja e rregullt me kriminalistikën e shkruar e bëri që të dal nga skutat e lexueses së thjeshtë.

‘’Jam e interesuar për këtë zhanër sepse e pëlqej. Poashtu është shumë interesante sepse nëpërmjet saj dimë më tepër dhe mësojmë se si t’i përgjigjemi pyetjeve tona’’, vlerësoj autorja e romanit ‘Coldhearted Mafia Boss’.

Librin e saj të parë, Gerta ka dëshirë ta përkthej në shumë gjuhë, në mënyrë që mesazhi i saj të shkoj në shumë audienca. Gjermanishtja dhe frëngjishtja janë disa nga to mirëpo, ajo që ka më së shumti rëndësi për të mbetet gjuha identitare e saj.

‘’Unë jam shqiptare me zemër, kështu që përkthimi i librit tim në gjuhën shqipe është një ëndërr që do të realizohet një ditë’’, shprehet autorja optimiste.

Tutje, ajo synon të shkruar një libër në zhanrin e fantazisë sepse e pëlqen këtë frymë letrare. ‘’Coldhearted Mafia Boss’’ do të mbetet libri i saj i parë në rrugëtimin letrar. /KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës përkujton sot Mensur Raifin

PEN Qendra e Kosovës përkujton kritikun, shkrimtarin, përkthyesin dhe ish-profesorin e Universitetit të Prishtinës Mensur Raifin.

Përkujtimi mbahet sot, më 12 nëntor, me fillim në orën 17.00 në KultPlus Caffe Gallery.

Për veprën e Raifit do të flasin Gëzim Aliu dhe Flamur Maloku.

Mbrëmjen e udhëheq Nerimane Kamberi.

Përkujtimi për Mensur Raifin është mbrëmja e nëntë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit”, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

PEN Qendra ka paraparë edhe një mbrëmje përkujtimore, të fundit për sivjet për shkrimtarët e ndjerë. Mbrëmja që do t’i kushtohet poetit e bohemit Mirko Gashi dhe  të mbahet më 19 nëntor. / KultPlus.com

Historia prekëse e çiftit: Jetonin që 60 vite bashkë, vdesin për një ditë nga COVID 19

Opinioni publik në Volos është tronditur nga historia prekëse e një çifti të moshuar që jetonin së bashku prej 60 vitesh.

Të dy kanë humbur jetën nga koronavirusi me një diferencë kohe prej 24 orësh në klinikën e Spitalit të Patologjisë, Acillopoulio ku ishin të shtruar dhe merrnin mjekimet përkatëse.

Por megjithatë përpjekjet e mjekëve, në fillim është ndarë nga jeta 90-vjeçari dhe disa orë më vonë edhe bashkëshortja e tij 86 vjeçe. Përveç moshës, të dy përballonin prej vitesh edhe probleme të tjera shëndetësore.

Të gjithë ata qe i njihnin thanë se bëhej fjalë për një çift që jetonte në harmoni për më shumë se 6 dekada. Ndaj qëndruan bashkë në jetë dhe bashkë në vdekje. / KultPlus.com

Foto ilustruese

Demi Moore: Kur isha 15 vjeç, mamaja më shiti për 500 dollarë tek një përdhunues

Ajo është padyshim një ndër aktoret më të dashura të Hollivudit dhe që ka një karrierë të gjatë artistike.

Mirëpo aktorja Demi Moore përtej të gjithë suksesit, jeta e saj ka pasur momente shumë të errëta.

Vitin e kaluar, ajo botoi një autobiografi të titulluar “Inside Out” thënë ndryshe “Nga Brenda Jashtë”. Aty rrëfente detaje lidhur me përjetimet e aktores përpara se të rritej në karrierë.

Libri flet për periudhën e adoleshencës, karrierën si dhe tre martesat e dështuara me Freddy Moore, Bruce Willis dhe Ashton Kutcher.

Dhe në mes të gjithë këtyre rrëfimeve, është dhe guximi që ajo pati për të folur për përdhunimin që kishte kaluar në moshën 15-vjeçare, ku ajo pretendon se personi që e dhunoi e pagoi të ëmën e saj më vonë.

Mamaja e aktores, Virginia King e merrte Demin nëpër bare dhe lokale nate në mënyrë që ajo të tërhiqte vëmendjen e meshkujve. Ajo u njoh me një burrë rreth të 40, 50 kur ishte në shkollë dhe tha se ai nisi të shfaqej vërdallë shkollës në atë periudhë.

Kur ajo u kthye nga shkolla një ditë ai ndodhej në shtëpi. Ai e përdhunoi, më pas pagoi të ëmën 500 dollarë.

“Çfarë ndjesie të jep të përdoresh nga mamaja për 500 dollarë?”, e pyeti ai pas pak.

Teksa vijon rrëfimin e saj, Demi shprehet: “Për vite me radhë nuk e kam menduar si përdhunim. Pasi e shihja si diçka që unë vetë e kisha shkaktuar, diçka që unë vetë u ndjeva e detyruar ta bëja sepse ai burrë priste diçka nga unë. Sikur unë vetë e lejova që ai të priste prej meje. Sikur isha një pre e lehtë për një grabitqar” .

Kjo eksperiencë e la me pasoja dhe ajo vuante nga ankthi, pagjumësia, çrregullimi i të ngrënit, PTSD.

Dhe mamaja e saj më vonë i kërkoi përdhunuesit të vajzës së vet ta ndihmonte të zhvendoseshin diku tjetër. Kjo gjë e bëri një Demi 15-vjeçare të ndihej sikur nuk kishte një vend të sigurtë ku të fuste kokën.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, kishte parë disa herë mamanë e saj të tentonte vetëvrasjen. Madje disa herë i është dashur të nxirrje ilaçet nga goja e saj. Në gjimnaz filloi duhanin, alkoolin dhe dilte nëpër festa. U lidh me një djalë 28-vjeçar dhe në moshën 16-vjeçare jetonte me të.

Një vit më vonë i ati i vrau veten duke e lënë Demin fillikat, me një nënë të trazuar. Ato nuk folën për tetë vjet, pasi e ëma vazhdimisht tregonte historitë e të bijës për gazetat. Vitet e fundit të jetës së të ëmës, Demi arriti të bënte paqe me të./ KultPlus.com

Lista e fituesve në CMA Awards 2020

Të mërkurën mbrëma u shënua një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës ‘country’ – Country Music Association (CMA) Awards 2020.

Nga Miranda Lambert e deri te Keith Urban ishin të pranishëm në këtë mbrëmje, ndërsa po udhëhiqej nga Reba Mc Entire dhe Darius Rucker.

I nominuari kryesor i mbrëmjes ishte Lambert, i cili fitoi 7 çmime. Pasoi nga Luke Combs dhe Dan + Shay’s Dan Smyers, me 6 nominime secili.

Smyers po ashtu fitoi nominime shtesë për punën e tij si producent.

Mbrëmja gjithashtu kishte mbledhur dhe prezantoi shfaqje të ndryshme duke përfshirë këtu Maren Morris, Rascal Flatts etj.

Lista:

Ngjarja muzikore e vitit: “I Hope You’re Happy Now”, Carly Pearce dhe Lee Brice

Videoja muzikore e vitit: “Bluebird”, Miranda Lambert

Muzikanti i vitit: Jenee Fleenor

Kënga e vitit: “The Bones”, Maren Morris nga Taboola

Artisti i ri i vitit: Morgan Wallen

Dyshja e vitit: Dan+Shay

Grupi i vitit: Old Dominion

Albumi i vitit: “What Your See Is Ëhat You Get”, Luke Combs

Artistja femër e vitit: Maren Morris

Artisti mashkull i vitit: Luke Combs

Argëtuesi i vitit: Eric Church./ KultPlus.com

Michele Obama: Ime ëmë më pati mësuar si ta përdor zërin tim

Ishte 12 nëntori i vitit 2018, kur ish zonja e parë e Amerikës, Michele Obama publikoi veprën ‘Të bëhesh’, e cila shumë shpejt u shpërnda në mijëra lexues, shkruan KultPlus.

Në këtë libër, për herë të parë, Michelle Obama përshkruan fillimet e martesës, vështirësitë për të gjetur një ekuilibër mes karrierës, familjes dhe ngjitjes së vrullshme të të shoqit në politikë.

Na zbulon debatet e tyre lidhur me mundësinë për të konkurruar për presidencën e Shteteve të Bashkuara dhe na rrëfen për popullaritetin që përjetuan dhe për kritikat që morën përgjatë fushatës elektorale.

Me finesë, sens humori dhe një sinqeritet të pazakontë, Michelle Obama përshfaq gjithë jetën e një familjeje që, krejt befasisht, u ndodh nën dritat e projektorëve dhe përballë gjithë botës, si dhe tetë vitet më domethënëse në Shtëpinë e Bardhë, ku ajo e njohu më mirë vendin e saj, por edhe vendi i saj e njohu më mirë atë.

KultPlus ju sjell një fragment nga vepra ‘Të bëhesh’ e Obamës:

Ka ende shumë gjëra që nuk i di për Amerikën, për jetën, për atë çka e ardhmja mund të të sjellë. Por njoh mirë veten time. Im atë, Fraser-i, më pati mësuar të punoj fort, të qesh shpesh dhe ta mbaj fjalën.

Ime ëmë, Marian-a, më pati mësuar si të mendoj me kokën time dhe si ta përdor zërin tim. Së bashku, në apartamentin e tejmbushur të Anës Jugore të Çikagos, më ndihmuan të zbuloja vlerat në historinë tonë, në historinë time, në historinë më të madhe të Amerikës.

Edhe kur nuk është e bukur apo e përsosur. Edhe kur është më e vërtetë nga ç’do të doje të ishte. Historinë tënde e mbart me vete, do ta mbartësh gjithnjë me vete. Është diçka që duhet ta zotërosh tërësisht e të mos e harrosh kurrë. /KultPlus.com

Një fragment nga ditari i Lasgush Poradecit në 33 vjetorin e vdekjes

Sot 33 vite më parë ka vdekur poeti shqiptar Lasgush Poradeci, shkruan KultPlus.

Llazar Gusho ishte emri i vërtetë i shkrimtarit që kishte shkruar për yjet, dashurinë dhe gruan. Ai njihet me pseudonimin e tij letrar ‘Lasgush Poradeci’ e cila vie nga shkurtesat e emrit të tij dhe babait, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur vendlindjen e tij, Poradeci.

Lasgushi është autor i dy vëllimeve me poezi ‘Vallja e yjeve’ botuar në vitin  1933 dhe ‘Ylli i zemrës’ në vitin 1937. Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, ai u nderua me titullin ‘Nderi i Kombit’ dhe ‘Qytetar Nderi’. Shumë lagje të Shqipërisë mbajnë emrin e tij.

KultPlus në përvjetorin e vdekjes së Lasgushit, ju sjell një fragment nga ditari i tij:

Nga ditari i Lasgushit

– Poradec, 3 Nëntor 1977:

Dyke u kthyer që prapa Kalasë tatëpjetë ne “Lumi i trahanit” dhe buzë liqerit për në Poradec, ndenja disa minuta në lapidarin përballë fortesës italiane, me “Cuc”-in, konen t’ime besnike. Pas atyre pak minutave u ngrita, u ngrit përnjëheresh dhe ‘Cuc”-i, që eci përpara meje si gjithnjë, nj’a 7 a 8 metra përpara. Pa pritur pa kujtuar – “Cuc”-i po alurinte me alurim të math dyke u parpalitur dhe dyke u rrëkëllyer në rrugë, midis shkëmbit dhe fortesës, si dyke vdekur: rrëkëlleheshe me këmbët përpjetë dhe parpaliteshe, e drithte, e përdrithte trupin, dyke qarë dhe dyke u rrëkëllyer e dredhur e përdredhur me këmbët përpjetë dhe me gojën hapur e sytë e llahtarisur të zgurdulluar e të pavetëdijshëm. Obobo thashë me shpirtin t’im të tundur, të dëshpëruar: m’a kish shtypur kamioni, e kish marrë nënë rrota. E përkëdhela shumë, me sekonda, i thosha me emër: “Cuc”, “Cuckë”, “Cuc-Cuc” po ay nuk ngjalleshe. E pashë vdekjen e Cucit me sy, kujtova me tronditje të madhe se e humba Cucin e dashur, se më vdiq Cuci im aq besnik, i cili m’a gëzon jetën t’ime në Poradec ku unë jam i shkretë pa njerí, i vetëm, i shkretë si një eremit, ku unë, passi lë punën e shkrimit, s’vete nëpër kafene dhe pijetore se unë nuk pi dhe mua s’më pëlqejnë njerëzit e kafeneve me fjalët e tyre të kota, që kështu të kota më duken mua. Ata janë të lumtur me atë jetë të tyre, po mua më ngjajnë të kota fjalët e tyre. S’e kanë ata keq atë jetë të tyre të shoqërimit, ndofta s’e kam as unë keq këtë jetën t’ime të vetmuar, po ata janë të lumtur që e vrasin ditën ashtu, në shoqërim, kurse une e vras e s’e vras me vetminë t’ime. S’e vras dot fare dhe prandaj jam fatkeq. Që të shpëtoj prej jetës, t’a harroj të mos e kem në vetëdijen t’ime jetën t’ime, këtë lloj jete të mjeruar, unë ngjit Kalanë e Poradecit, larg njerësve, atje e harroj veten, shkrihem me natyrën, me bukuritë e mbëdha të natyrës rreth e përqark meje, sikur jam ashtu i lumtur, i qetë, sikur flas atje prapa Kalasë me Perëndinë. Sepse Kalaja, prapa, nga Perëndimi i saj, është shumë e bukur me 1000 pamje të mahnitshme, që mua m’a mahnitin ëmbël shpirtin t’im.

Kështu zbrita edhe sot prej Kalasë, që prapa Kalasë ku ngjit e sbres e qetësohem e gëzohem i ndjekur me aq besnikëri të madhe prej Cucit t’im. Po sot Cuc-i gjesh më vdiq, parpaliteshe dhe ish i mbytur në gjak; Kokën tërë gjak, veshët, trupin, tërë gjak. Kështu tërë gjak e përkëdhelnja të ngjallet, mezi m’u ngjall – isha unë vetë me duar e pallto me gjak. Lavdi zotit që s’më vdiq, që i shpëtoj vdekjes. Sa u gëzova që shpëtoj, po prapë kisha frikë mos më vdesë, aq i vrarë, i plagosur, i gjakosur ishte.

Lasgush

– Poradec, e Hënë 7 Nëntor 1977:

Sot “Cuci” mund të them se është më mirë: zuri të hajë, të baresë nga pak, sbret shkallët dhe nxiton ose harbon dyke çaluar nga këmba e përparme e djathtë.

Lasgush. /KultPlus.com

Artisti shqiptar Bujar Berisha fiton çmimin e kulturës në Zvicër

Artisti Bujar Berisha ka fituar çmimin vjetor për kulturë të komunës Emmen në Zvicër.

Sipas “Luzernerzeitung” ai është vlerësuar si muzikant, shkrimtar, skenarist, producent muzikor, reporter, fotograf, artist grafik, stilist dhe krijues filmash.

Berisha njihet për artin e tij multidisiplinar. “Çmimi i Kulturës Emmen më jep një shtysë të mëtejshme për punën time. Kjo tregon se jam në rrugën e duhur dhe se arti im kuptohet”, ka thënë Berisha.

Brahim Aakti, drejtor i shkollës së Kulturës thotë se “Berisha është unik si një artist i gjithanshëm dhe dallohet në skenën kulturore të Emmen. Punimet e tij mbështesin angazhimin kritik të invididit dhe shoqërisë”.

Me grupin e tij “Die Diebe” Berisha përpiqet të formësojë një botë më të mirë dhe të tërheqë vëmendjen për problemet sociale. “Unë e shoh artin si shkencë, dua të kërkoj zgjidhje. Vetëm ajo që shihet si e pamundur është e pamundur”, thotë Berisha i cili sapo ka marrë çmimin për punën e tij artistike.

Projektet e ardhshme të Bujar Berishës janë të larmishme. Grupi janë duke punuar në një kalendar vjetor dhe do të kenë një album të ri që do të dalë më 27 nëntor 2020.

Por krahas të tjerash Berisha është i angazhuar dhe në jetën politike të vendit ky është zgjedhur anëtar i asamblesë nga Partia Socialdemokrate në komunën e tij./ KultPlus.com