Art me mbetjet e shpërthimit që ndodhi në Liban

Hayat Nazer, është artistja libaneze e cila ka mësuar ta kanalizojë hidhërimin dhe dhimbjen e saj përmes veprave të artit. Ajo ishte në rrugën e saj për në Bejrut më 4 gusht kur një rezervë masive e nitritit të amonit shpërtheu në port, duke vrarë 190 vetë, plagosur më shumë se 6,000 vetë dhe duke lënë më shumë se 300,000 të tjerë të pastrehë nga ky shpërthim ku e gjithë bota ishte dëshmitare.

Shpërthimi më theu zemrën shprehet artistja dhe sikurse shumë banorë të tjerë, ajo kontribuoj në përpjekjet për të pastruar mbeturinat dhe për ta rikthyer qytetin në lavdinë e tij të dikurshme.

Ky ishte edhe momenti kur asaj i lindi ideja për të përdorur disa nga ato objekte që gjeti për të krijuar një statujë që mund të frymëzonte njerëzit për t’u bashkuar dhe rindërtuar vendin.

“Kur ndjehem në atë mënyrë, thjesht përpiqem të ndihmoj dhe të rregulloj dhe shëroj përmes artit, kështu që kjo është mënyra ime e pranimit të realitetit”, shprehet ajo.

Artistja libaneze bëri një statujë të një gruaje duke përdorur xham dhe rrënoja nga shpërthimi i portit të Bejrutit. Skulptura e përberë nga mbeturinat e shpërthimit përshkruan një grua me flokë të gjatë e cila mban në dorë flamurin e Libanit.

Për javë të tëra, Nazer eci rrugëve të Bejrutit, duke mbledhur metale, xhama të thyer dhe sende të hedhura të njerëzve për ti përdorur në skulpturë.

“Unë udhëtova në shtëpitë e njerëzve pasi ato u shkatërruan nga shpërthimi dhe u thashë atyre, unë thjesht dua që të më jepni gjithçka që mund ta përfshij dhe për t’ju bërë pjesë të skulpturës sime”, tha Nazer.

“Njerëzit më dhanë gjëra kaq të vlefshme, gjëra nga fëmijëria e tyre por edhe sende të gjyshërve e tyre që vdiqën në luftën civile”, u shpreh ajo.

Artistja vlerëson krijimin e saj si një objekt shumë të rëndësishëm pasi ajo mbart kujtime, emocione dhe pjesëza të jetës se qytetarëve të Bejrutit të cilët patën pasoja shumë të rënda në atë shpërthim.

Nazer krijoj një grua duke ngritur flamurin e Libanit. Skulptura, akoma edhe sot nuk ka një emër, madje pjesë e saj është edhe një orë e dëmtuar, e cila ka ngelur e fiksuar në 6:08 minuta, që është edhe momenti i shpërthimit të madh në Liban.

Nuk është hera e parë që artistja ka krijuar vepra arti të frymëzuar nga problemet shoqërore dhe politike të Libanit. /atsh/ KultPlus.com

Vepra shqiptare “Tag”, pjesë e antologjisë së dramaturgjisë bashkëkohore

Pas suksesit që ka pasur vënia në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar, vepra “Tag” e shkrimtarit dhe skenaristit Bashkim Hoxha, së fundmi është vendosur që të përkthehet në gjuhën angleze dhe gjithashtu të botohet në antologjinë e dramaturgjisë bashkëkohore.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë autori i cili ka duke falënderuar institucionin që mori këtë vendim dhe Teatrin Kombëtar që vuri në skenë veprën e tij dy sezone artistike më parë duke hapur edhe sezonin e aktiviteteve artistike në 2018.

Vepra “Tag” ka qenë pjesë edhe e disa festivale teatrore në Shqipëri dhe Kosovë. Publiku shqiptar e ka mirëpritur dhe pëlqyer këtë vepër, ndërsa tani kjo vepër do njihet edhe nga publiku ndërkombëtar.

Kohët e fundit vepra është përkthyer edhe në gjuhën rumune dhe do të bëhet edhe pjesë e leximeve skenike nga aktorët e njërit prej teatrove më në zë të Rumanisë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të teatrit në Sibiu të Rumanisë .

“Tag” është një vepër e shkruar për realitetin tonë. Është një fshat i dhënë pas “Facebook”-ut, i cili ka punët dhe angazhimet e veta, por përpiqet që të gjejë veten diku larg, duke kërkuar profile të ndryshëm për komunikim me të gjithë botën, duke harruar në të njëjtën kohë gjërat që ka shumë pranë. /atsh/ KultPlus.com

RrGK reagon për tekstet shkollore: Një sistem edukativo-arsimor që rritë pabarazitë dhe diskriminimin gjinor

Rrjeti i Grave të Kosovës nëpërmjet një reagimi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth pabarazitë gjinore që shfaqen përbrenda teksteve shkollore. Kjo organizatë kërkon nga Ministria e Arsimit përmirësimin e literaturës, shkruan KultPlus.

‘’Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi shpreh shqetësim për faktin që tekste shkollore që mirëmbajnë pabarazitë gjinore ende vazhdojnë të jenë në përdorim nga nxënësit’’, thuhet në reagimin e tyre.

Si model për këtë reagim është marrë libri i klasës së pestë ‘’Njeriu dhe Natyra’’, në të cilën në pjesën e detyrave të shtëpisë shtrohet pyetja “Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?’’. Përderisa raportimet në media për këtë fenomen kanë nisur tre vite më parë, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asgjë.

‘’RrGK kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që në  konkursin e hapur së fundi për tekste shkollore të reja dhe materiale për të gjitha klasat, të përmirësojë tekstet si ky i lartcekuri dhe të sigurohet për integrimin e perspektivës gjinore’’, thekson Rrjeti i Grave të Kosovës.

Rast tjetër përmendet edhe fjalët e hasura si “Nëna kryen punët e shtëpisë”, e të cilat për RrGK-në nuk mbesin vetëm një lëshim.

‘’Nëse nuk veprohet menjëherë, një sistem edukativo-arsimor si ky vetëm se rritë pabarazitë dhe diskriminimin gjinor, i cili veçse është mjaft shqetësues dhe një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot si shoqëri, organizata e institucione’’, shtojnë tutje kjo organizatë.

Përmirësimi i kurrikulës dhe teksteve shkollore nga perspektiva gjinore është pjesë e programit të RrGK-së./KultPlus.com

Fansat të pakënaqur me filmin biografik për muzikantin David Bowie

Kompania distribuese britanike “Vertigo Releasing”, tashmë i ka siguruar të drejtat autoriale për filmin biografik që flet për jetën dhe karrierën e muzikantit David Bowie, “Stardust”, si dhe e kanë konfirmuar lajmin se ky projekt do të lansohet në Britani të Madhe, kah fundi i këtij viti.

Për herë të parë filmi ishte shfaqur për publikun në kuadër të një gala mbrëmjeje në Londër, ku i pranishëm ishte edhe regjisori Gabriel Range, transmeton Koha.

Ndërsa së fundmi u publikua edhe trileri zyrtarë i tij, por i cili u prit me kritika të ashpra nga adhuruesit e filmit. Përmes rrjeteve sociale ata i kanë ndarë pakënaqësitë e tyre rreth faktit se në këtë film biografik nuk përfshihet muzika e ikonës David Bowie, si dhe nuk iu ka pëlqyer mënyra se si aktorit protagonist e ka portretizuar idhullin e tyre.

“Stadust” e sjell historinë e Bowiet, i personifikuar në film nga Johnny Flynn, në udhëtimin e tij të parë në Amerikë, në vitin 1971, vizitë kjo e cila thuhet se e ka inspiruar në krijimin e personalitetit të njohur si Ziggy Stardust. Në fragmentet e para të filmit Bowie shihet duke i ndarë brengat rreth albumit të tij me publicistin Ron Oberman, i cili në film portretizohet nga aktori Marc Maron.

Në filmin “Stardust” luan edhe aktorja e njohur e filmave “The Hunger Games”, Jena Malone, e cila e portretizon gruan e parë të muzikantit, Angie. Regjinë e këtij projekti biografik e ka bërë regjisori i shpërblyer me çmim “Emmy”, Gabriel Range, ndërsa skenari është punuar nga Christopher Bell.

Familja e Bowie e kishte distancuar veten tërësisht nga ky film. Djali i tij regjisor, Duncan Jones, e kishte konfirmuar se nuk e kanë autorizuar realizimin e filmit “Stardust”, dhe muzika e babait të tij nuk do të përfshihej në këtë projekt.

Filmi ishte planifikuar të lansohej në kuadër të festivalit të filmit “Tribeca”, por kjo ngjarje është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavisurit. / KultPlus.com

More Raça organizon ’Javën ndërkombëtare të filmit të grave’, promovon regjisoret

Medina Pasoma

Prishtina do të mirëpres “Javën ndërkombëtare të filmit të grave”, një festival ky që i shtohet listës së festivaleve në vend, mirëpo me një fokus krejt të veçantë.

Gruaja do të jetë ajo që do të zërë vend në dy pozicione në kuadër të ‘’Javës ndërkombëtare të filmit të grave’’, si protagoniste kryesore dhe si person i cili dirigjon gjithë procesin e transmetimit të rrëfimit nëpërmjet mediumit të filmit, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet i ri kulturor i cili do të sjell gjallëri në kryeqytet do të mbahet përgjatë datave 23-30 nëntor, duke e bërë Prishtinën virtualisht cak të kineasteve nga vendet e ndryshme si Italia, Greqia, Argjentia, Lebanoni dhe shumë të tjera.

Përgjatë javës do të shfaqen 19 filma të shkurtë, 2 deri në 3 prej tyre brenda ditës, të cilët fokusin tematik dhe regjisurën do ta kenë për dhe nga gratë. Ndërkaq ajo që e bën edhe më të veçantë do të jetë karakteri garues i organizimit, ku për filmin më të mirë do të dhurohet çmimi me emrin e regjisores së parë shqiptare, ‘’Xhanfise Keko’’.

Iniciatorja e kësaj nisme, regjisorja More Raça, për KultPlus theksoj se ideja dhe dëshira për realizimin e këtij organizimi i kishte lindur qysh moti, sa herë që ajo kishte marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

‘’Gjithmonë kam dalur me përvoja interesante dhe bashkëpunime për projektet e mia nga këto festivale. Ka qenë shumë inkurajuese kur kam takuar filmbërëse nga e gjithë bota dhe kemi diskutuar rreth sfidave dhe ideve tona. Këtë frymë kam dashur ta sjell edhe në këtë festival’’, shpjegon Raça.

Për organizimin i cili së shpejti do të gjallëroj jetën kulturore nëpërmjet filmave të shfaqur virtualisht, përgatitjet kishin filluar para disa muajsh. Anipse situata pandemike bëri që kjo javë filmike të mos organizohet me të gjitha planifikimet, sërish ajo do t’i dhuroj audiencës bindjen dhe kurajon se arti triumfon.

‘’Jemi të lumtur që kemi një program shumë interesant, divers dhe me vlera të mëdha artistike, filma që trajtojnë tema të rëndësishme, zëra të rinj që premtojnë shumë’’, shprehet More Raça.

Përderisa lista e filmave dhe anëtarët e jurisë do të bëhen me dije për publikun këtë të premte, ajo që do të karakterizoj këtë organizim do të mbetet qasja feministe, gjegjësisht promovimi i kultit të gruas nëpërmjet subjekteve të filmave.

‘’Filmat trajtojnë problematikat e gruas në shoqëritë ku jetojnë autoret e filmave. Temat janë nga më të ndryshmet si dhuna në familje, aborti, migrimi, shëndeti i gruas dhe fuqizimi i vajzave’’, thekson organizatorja Raçi.

Portretizimi i këtyre problematikave do të përdor artin si mjet për t’i shprehur ato, mirëpo, secili nga këta filma ka dimensione të reales dhe me të vërtetë një grua e botës ka frymuar me to.

‘’Janë filma të cilat portretizojnë gruan në sfidat dhe momentet e fitores, filma që vijnë nga realiteti dhe peripecitë e gruas’’, sqaron regjisorja.

Mirëpo, realiteti nuk do të shfaqet vetëm nëpërmjet artit por, edhe përmes rrëfimit. Gratë të cilat e kryen regjisuren e këtyre ‘’problematikave’’, do të shpalosin rrugëtimet e tyre subjektive.

‘’Gjithashtu publiku do të ketë mundësinë të dëgjoj rrëfimet e kineasteve dhe përmes filmit të njoftohet me realitete të reja’’, u shpreh More Raça.

Sipas regjisores Raça mesazhi mes kombinimit grua dhe film qëndron te krijimi i hapësirës për këtë kategori të shoqërisë dhe dhurimit të vëmendjes për këto rrëfime, duke krijuar ura lidhëse mes filmit dhe audiencës.

Publiku do t’i qaset gjithë këtyre gërshetimeve artistiko-reale nëpërmjet faqes në facebook të këtij organizimi: https://www.facebook.com/filmweekprishtina ./KultPlus.com

Ka vdekur dirigjenti i njohur Milto Vako

Ka vdekur sot dirigjenti i njohur shqiptar Milto Vako. Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Në një postim në mediat sociale, TKOB njofton se Vako, një nga emrat më të nderuar të artit shqiptar në fushën e dirigjimit koral, nuk është më në këtë botë.

Vako është autor i një seri përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990 ai ushtroi edhe detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve.

Njoftimi i plotë nga TKOB:

LAMTUMIRË – MJESHTRIT MILTO VAKO! Me hidhërim të thellë Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit Milto Vako. Ai është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral. Mjeshtri u diplomua në Konservatorin “Cajkovski” në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit.  Aktiviteti artistik i tij nisi dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i  korit të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Si drejtues i korit të AKVP, së bashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit edhe sot, ndër të cilat do të veçonim midis të tjerash: fitues i “Gjerdanit të Artë” të AKVP në Dijon të Francës. Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), etj. Është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide  Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare.

Autor i një seri përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990ai ushtroi detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve. Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOB shpreh ngushëllimet më të ndjera, familjes, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë të artistit të madh, Milto Vako. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!/ KultPlus.com

Versioni audio i librit “Hair Love” vjen me narracion të Blue Ivy Carter

Blue Ivy Carter duket se e ka etikën e njëjtë të punës sikurse prindërit e saj të famshëm.

Vajza e madhe e çiftit, Beyonce dhe Jay-Z, e ka bërë narracionin e librit shumë të dashur për fëmijë, “Hair Love”. Kështu ka bërë të ditur autori i këtij libri.

Shkrimtari Matthew Cherry e postoi një ‘link’ në rrjetin social Twitter, të versioni audio të librit të famshëm për fëmijë, i ilustruar nga Vashti Harrison dhe me narracion të tetë vjeçes Blue Ivy.

Në muajin shkurt një film i shkurtër i animuar i bazuar në librin “Hair Love”, që e rrëfen historinë e një babai afrikano-amerikan i cili mësohet t’ia rregullojë flokët vajzës së tij, arriti suksese të jashtëzakonshme më t’u lansuar për publikun, si dhe e fitoi një shpërblim “Oscar”.

Ndërkaq, ky nuk është angazhimi i parë publik i Blue Ivy Carterit. Përveç se është shfaqur në disa videoklipe muzikore të Beyonces dhe në ngjarje të ndryshme glamuroze ku i shoqëronte prindërit e saj, këtë vit Blue Ivy e fitoi shpërblimin e saj të parë “BET”, për bashkëpunimin me nënën e saj këngëtare në hitin “Brown Skin Girl”.

Platforma digjitale HBO Max, e cila është pronë e kompanisë “WarnerMedia”, po planifikon ta realizojë një seri televizive të bazuar në librin “Hair Love”. / Koha.net/ KultPlus.com

“Nuk di të vdes po nuk vdiqa nga ty…”

Roku është një zhanër muzikor që i fal ditëve tona gjallëri dhe plotë jetë. Kjo shtohet edhe më shumë kur tingujt përshtaten me tekste që përçojnë plotë ndjenja. Të njëjtën e bëjnë dueti i Upstream dhe Kelly të cilën sjellin këngën ‘’Nuk e di’’, duke e lënë të paharruar në kujtesën e rok dashësve.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videon e performimit të këngës në Top Fest më 2008:

Dita ndalet,
Akrepa hapat e saj,
Puthja falet,
Jam i huaj, nuk kam faj,
Nuk di të pres ,
Po nuk prite dhe ti,
Nuk di të vdes po nuk vdiqa nga ty…

Dita ndalet,
Akrepa hapat e saj,
Puthja falet,
Jam i huaj nuk kam faj,
Nuk di të pres,
Po nuk prite dhe ti,
Nuk di të vdes po nuk vdiqa nga ty…

Ref:
2x Pa ty me ty do vazhdoj rrugën që kam nisur,
do të shfletoj pas faqes që kam grisur…

Kelly:
Nuk di të fal edhe pse rënd gaboj,
nuk di të ndal ndonëse nuk di ku të shkoj…

ref.
2x Pa ty me ty do vazhdoj rrugën që kam nisur,
do të shfletoj pas faqes që kam grisur…/KultPlus.com

Veprat simfonike të klasikëve shqiptar, sonte interpretohen në Gjakovë

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sonte mban koncert në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Koncerti që do të filloj prej orës 19:00 do të udhëhiqet nga mjeshtri Gridi Kraja nga Tirana.

Publiku do  të ketë rastin të dëgjoj veprat simfonike të klasikëve shqiptar, mes tjerash poemën simfonike “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, ‘’Vallen Shqiptare nr.2’’ nga Thoma Gaqi, ‘’Baresha’’ nga Rexho Mulliqi dhe unverturën “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi.

Koncerti do të mbahet në pajtueshmëri me masat anti-covid dhe pjesëmarrësit duhet të shkojnë 30 minuta përpara fillimit të koncertit./KultPlus.com

Përkujtohet Rifat Kukaj, shkrimtari pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e letërsisë për fëmijë

Suada Qorraj

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e shkrimtarit të shquar, Rifat Kukaj, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, të ftuar në panel ishin, miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Dije Demiri Frangu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e përjetshme të një shkrimtari të madh si Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.

“Me 11 shtator të vitit 2005, në rërën e bregdetit të Ulqinit nga sulmi në zemër mbeti i vdekur Rifat Kukaj, duke pasur afër ‘Pshurranin e gjyshit’, nipin e tij të dashur të cilit ia kushtoi një libër të tërë”, filloi kështu fjalimin e tij Ibrahim Kadriu.

Ibrahim Kadriu ka shtuar se Kukaj ngrinte lartë nivelin e manifestimit me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Sipas tij ishte pikërisht sharmi i tij i veçantë që bënte të pranishmit të kërkonin më tepër nga ai.

“Rifat Kukaj ishte ai që ia ngrinte nivelin manifestimit me paraqitjen e tij të jashtëzakonshme me recitime, humor e aktrim. Sharmi i tij ishte i veçantë, i kapshëm për të pranishmit të cilët me duartrokitje në vazhdimësi kërkonin që sa më shumë të qëndronte përpara tyre”, tha Kadriu i cili tutje shprehu keqardhje që shumë nga paraqitjet e Rifat Kukaj nuk janë xhiruar me kamerë, sepse sipas tij shkrimtari ishte një humorist i lindur, që kishte dhënë shumë spektakle origjinale.

“Rifat Kukaj ishte një humorist i lindur i cili arrinte që rastet ti shoqëronte me mahitë shumë origjinale. Kur kihen parasysh ato prezantime të tij, që lirisht mund të thuhet spektakle shumë origjinale, të vjen keq që nuk janë xhiruar për të mbetur vlera të pa kapërcyera”, shtoi Kadriu.

Ndërkaq, nata e mbrëmshme e kthej pas në kohë studiuesen Demiri Frangu dhe e dërgoi pikërisht aty ku ajo kishte marrë hapat e saj të parë dhe kishte botuar librin e parë me poezi “Buzëqeshja s’është larg”, redaktor i së cilës ishte Rifat Kukaj. Dije Demiri ka shtuar se shkrimtari Rifat Kukaj posedonte një kreativitet të atillë që u shmangej rimave konvencionale dhe temave të shterura. Sipas saj ai nuk e ngarkonte poezinë me figura personifikimi.

Tutje Demiri ka thënë se “Rifati u jepte poezive deklamacion dhe bënte lojë kur i recitonte”.

Për Demirin, Rifat Kukaj mbante në vete intuitën e lindur prej krijuesi. Ajo ka shtuar se historia e letërsisë për fëmijë, por edhe antologjia e poezisë nuk mund të shkruhen e të bëhen një, nëse mungon Rifat Kukaj të cilën e cilësoi si një nga mësuesit tanë të letërsisë, që kishte lindur në një shoqëri analfabete.

“Rifati është ndër mësuesit tanë të letërsisë, sepse në një shoqëri analfabete, siç ishte Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vështirë të lindnin krijues”, ka pohuar Demiri.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe dy mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Mensur Raifi dhe Mirko Gashi. Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, mbahet nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim

Çdo 10 nëntor shënohet Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim, duke theksuar rolin domethënës të shkencës në shoqëri dhe nevojën për të angazhuar publikun e gjerë në debate mbi çështjet e reja shkencore.

Këtë vit, në një kohë kur bota po lufton me pandeminë globale Covid-19, fokusi i Ditës Botërore të Shkencës është tek “Shkenca për dhe me Shoqërinë në trajtimin e pandemisë globale”.

Duke e lidhur shkencën më ngushtë me shoqërinë, kjo ditë synon të sigurojë që qytetarët të qëndrojnë të informuar për zhvillimet në shkencë. Qëllimi i saj është të forcoj ndërgjegjësimin e publikut për rolin e shkencës për shoqëritë paqësore dhe të qëndrueshme; të promovoj solidaritetin kombëtar dhe ndërkombëtar për shkencën e përbashkët midis vendeve; të tërheq vëmendjen ndaj sfidave me të cilat përballet shkenca në ngritjen e mbështetjes për përpjekjen shkencore.

Përgjatë kësaj krize të paparë shëndetësore, UNESCO, si Agjencia e KB me fushën e shkencës në mandatin e saj, është përpjekur ta sjellë shkencën më pranë shoqërisë dhe të forcojë bashkëpunimet shkencore ndërkombëtare, të nevojshme shumë. Nga perspektiva e shkencës, përgjigja e UNESCO-s ndaj COVID-19 është strukturuar rreth tre shtyllave kryesore: promovimi i bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar, sigurimi i qasjes në ujë, dhe mbështetja e rindërtimit ekologjik./KultPlus.com

Debati ‘Racizmi dhe rrjetet sociale’ mbahet sot në KultPlus Caffe Gallery

Në KultPlus Caffe Gallery organizohet sot një debat mbi racizmin dhe kryqëzimin e figurave publike në rrjete sociale.

Në këtë debat, panelistë do të jetë aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi dhe psikologu i njohur Fitim Uka.

Kjo mbrëmje do të moderohet nga aktorja e njohur Aurita Agushi.

Për shkak të zhvillimeve të fundit si pasojë e pandemisë dhe masave që priten të merren nga Qeveria e Kosovës, debati do të mbahet në ora 15:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Ky event është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

Për shkak të Pandemisë, ata që do të vijnë të parët do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë debat. / KultPlus.com

“Izolim” shpallet si fjala më e përdorur e vitit

Fjala më e përdorur e vitit 2020 sipas fjalorit Collins është “Izolim”, përcjell KultPlus.

Sipas Collins kjo fjalë përmbledh përvojën e përbashkët të miliarda njerëzve, teksa leksikografët dalluan më shumë se 250,000 përdorime të kësaj fjale.

Në anën tjetër fjalori Collins e përcakton ‘izolimin’ si “vendosja e kufizimeve të rrepta në udhëtime, ndërveprim shoqëror dhe qasje në hapësirat publike”.

Kjo fjalë nisi të përdoret në gjuhën e përditshme që nga shfaqja e rasteve të para me Covid 19 dhe masave që ndërmerrnin qeveritë.

Përveç izolimit, në kontekstin e pandemisë në listën e 10 fjalëve më të përdorura janë edhe “vetë-izolimi” dhe “distancimi social” si dhe “koronavirusi”./KultPlus.com

Gërmimet arkeologjike gjejnë monedha të vjetra ari në Jerusalem

Përgjatë gërmimeve arkeologjike janë gjetur katër monedha ari të pastra në qytetin e Jerusalemit, të cilat janë një dëshmi historike të periudhave të mëhershme, shkruan KultPlus.

Mendohet se këto monedha janë aty që 1000 vite. Në anën tjetër, mediat e huaja raportuan se Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA) kishte thënë se monedhat u zbuluan nga arkeologët gjatë gërmimeve pranë Murit Perëndimor në Jerusalem.

Për monedhat të cilat ishin të përfshira në një enë të vogël, specialisti i IAA, Robert Kool në një deklaratë tha se ishin të ruajtura shkëlqyeshëm dhe ishin menjëherë të identifikueshme edhe pa pastrim.

Tutje ai theksoj se këto monedha janë të viteve 940-970./KultPlus.com

Ka vdekur poeti Adem Zaplluzha

Ka vdekur poeti i njohur Adem Zaplluzha, shkruan KultPlus.

Ai u lind në Prizren në vitin 1943. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues në Studençan dhe Hoçë e Qytetit e më pas vijoi të punojë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Nga viti 1957, kur edhe e botoi vjershën e tij të parë, e deri në këtë vit, botoi mbi 200 vepra letrare, kryesisht me poezi.

Adem Zaplluzha ishte njëri nga themeluesit e grupit letrar “Fan Noli” në Prizren, po ashtu ishte edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Gjatë rrugëtimit të tij letrar ishte bashkëpunëtor i vyer i shumë revistave letrare në gjuhën shqipe, ndër to edhe i revistës për fëmijë “Fidani” në Prizren.

Është prezantuar në disa leksikone të shkrimtarëve shqiptarë.

Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe.

Kontributi i tij për letërsinë shqipe do të rroj përherë./KultPlus.com

Johnny Depp do të marrë 10 milionë vetëm për një skenë të filmit

Johnny Depp do të marrë pagën e plotë pavarësisht se xhiroi vetëm një skenë të filmit.

Johnny Depp do të marrë në shtëpi të paktën 10 milion dollarë për filmimin e një skenë në ‘Fantastic Beasts 3’, pasi Warner Bros preu lidhjet me aktorin e zënë në betejë me Amber Heard, shkruan Daily Mail.

Warner Bros duhet të paguajë 57-vjeçarin me pagën së tij të plotë për filmin, për të cilin ai xhiroi një skenë që kur prodhimi filloi më 20 shtator në Londër.

Studio i tha ekuipazhit javën e kaluar se Depp nuk do të luante më ‘Gellert Grindelwald’ në filmat e J.K.Rowling.

Përveç kësaj, shfaqja e filmit është shtyrë deri në 15 korrik 2022 mes rrethanave të vazhdueshme që ndryshojnë në industrinë e teatrit mes pandemisë së Covid-19, njoftoi Deadline.

Më parë ishte parashikuar të mbërrinte në kinema më 12 nëntor 2021, ndërsa sipas botimit, Warner Bros kërkoi që Johnny Depp të largohej nga filmi./Lajmi.net/ KultPlus.com

141 vjetori i lindjes së albanologut kroat, Milan Shuflaj, që mbronte tezën se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve

Sot është përvjetori i 141 i lindjes së studiuesit kroat, Milan Shuflaj.

Një ndër themeluesit e Albanologjisë, Shuflaj, dha jetën duke mbrojtur tezën e tij që shqiptarët janë pasardhësit e Ilirëve. Ai u vra nga grupimi nacionalist “Jugosllavia e Re”.

“Anëtarë të organizatës së regjimit, ‘Jugosllavia e re’, nën mbrojtje mbretërore, i bënë pritë atij në prag të derës në Zagreb dhe ia thyen kafkën me një çekan, duke e mbytur atë. Më pas ia thyen banesën dhe i morën dorëshkrimin e librit të tij të tretë, ‘Codex albanicus’. Kurrë nuk u zhvilluan hetime për kriminelët. Autoritetet mohuan të kenë pasur njohuri për dorasit dhe ndaluan aktivitetet rreth funeralit të tij”, shkruan në Wikipedia.

Milan Shuflaj lindi në Lepogllavë të Kroacisë, më 9 nëntor 1879. Në moshën 24 vjeçare ai afirmohet si studiues i përmasave evropiane. Ka botuar librat “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”, “Shqipëria Mesjetare”, Biologjia e Fiseve të Popullit Shqiptar” etj

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shuflaj arrestohet dhe burgoset me tre vjet e gjysmë, por serbët nuk i harruan lehtësisht argumentet e tij për lashtësinë e shqiptarëve. Ai ka shkruar gati 3 mijë tituj librash e artikujsh shkencorë. Ai vritet padrejtësisht në Zagreb, më 19 shkurt 1931, pasi kishte vizituar Shqipërinë.

Jehona e vdekjes së tij u pasqyrua në të gjitha mediat e rëndësishme botërore. Për këtë reagoi edhe Albert Einstein, Josef Bajcza, Karl Fritzer, Lumo Skëndo, Faik Konica etj. /Zëri / KultPlus.com

Koincidenca Lincoln – Kennedy

Emrat Linkoln dhe Kennedy përmbajnë shtatë shkronja.

Linkoln u zgjodh në Kongres në 1846, Kennedy në 1946.

Linkoln u zgjodh president në 1860, Kennedy në 1960.

Të dy ishin të përfshirë në mbrojtjen e të drejtave civile.

Lincoln mbron heqjen e skllavërisë dhe Kennedy mbron emancipimin e zezakëve.

Gratë e tyre humbën një fëmijë ndërsa çifti presidencial banonte në Shtëpinë e Bardhë.

Të dy u vranë të Premten.

Të dy u vranë nga prapa me një plumb në kokë

Të dy u vranë në prani të grave të tyre që qëndronin pranë tyre.

Dy vrasësit ishin nga një shtet i jugut.

Dy vrasësit u qëlluan para se të gjykoheshin.

Shpesh thuhet se vrasësi i Linkolnit (John Wilkes Booth) lindi në 1839 dhe vrasësi i Kennedy (Lee Harvey Oswald) lindi në 1939.

Por në të vërtetë John Wilkes Booth lindi më 18 maj 1838, jo më 1839

Booth qëlloi Linkolnin në një teatër dhe më pas u strehua në një depo.

Lee Harvey Oswald qëlloi nga një depo më pas u strehua në një teatër filmi.

Përveç përafrimit në fjalën “teatër”, Booth nuk u strehua në një depo, por u vra ndërsa ishte fshehur në një hambar.

Teatri ku vdiq Linkoln u quajt “Teatri i Fordit”.

Makina në të cilën u vra Kennedy ishte një Lincoln.

Sekretari i Linkoln u quajt Kennedy dhe ai i Kennedy u quajt Linkoln

Pasardhësit e Linkoln dhe Kennedy quheshin Andrew Johnson dhe Lyndon Johnson.

Të dy ishin Demokratë të Jugut.

Andrew Johnson lindi në 1808, Lyndon Baines Johnson lindi në 1908.

Stephen Douglas, konkurrenti i Linkolnit dhe i mundur në zgjedhjet presidenciale të 1860, lindi në 1813; Richard Nixon, konkurrenti i Kennedy dhe i mundur në zgjedhjet e 1960, lindi në vitin 1913.

Robert dhe Edward janë emrat e parë të dy djemve të Linkolnit dhe i dy vëllezërve të Kennedy (Edward Kennedy dhe Robert Kennedy)./ KultPlus.com

Riza Lushta, shqiptari i parë që luajti me ekipin e Juventusit

Riza Lushta është shqiptari i parë që luajti me Juventusin, madje arriti të shpallej edhe kampion, duke shkruar historinë e klubit bardhezi.

Ndër shqiptarët e rrallë, që ka pasur një takim me Lushtën para viteve 90- të, ka qenë Bamir Topi. Ish-presidenti i Shqipërisë shfrytëzoi rastin gjatë kohës që kryente studimet pasuniversitare në Torino për të takuar një prej futbollistëve më të mëdhenj që kanë nxjerrë trojet shqiptare.

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, veç të tjerash, Bamir Topi, ka zbuluar një detaj interesant për sa i përket varrit të kolosit të futbollit. Ish-presidenti zbulon se varri i Lushtës ndodhet në sektorin e varrezave të myslimanëve dhe duke mos patur familjarë, të afërm dhe ishte disi i braktisur.

“Qëndrimi me Lushtën atë ditë, nuk zgjati shumë. U largova me premtimin se do të takoheshim sërish, por nuk u ktheva më. Jam rikthyer në Torino kohë më vonë, në vitin 2000, kur ai kishte ndërruar jetë. Bashkë me mikun, kolegun tim, i gatshëm kurdoherë edhe sot, sidomos kur flasim për sportin, tifozë të Juventusit të dy, shkuam në varreza.

Doja të vendosja një lule mbi varrin e tij dhe ashtu bëra. Varri i tij ndodhet në sektorin e varrezave të myslimanëve dhe duke mos pasur familjarë, të afërm, ishte disi i braktisur. Kjo që kam këtu është “La Gazzetta dello Sport”, që flet për Riza Lushtën pasi ai kishte ndërruar jetë”, tregon Topi për “Panorama Sport”.

Kujtojmë që sezonin e kaluar kampionëve të Juventusit, i është bashkuar edhe sulmuesi i Kombëtares, Xhakomo Vrioni, i cili ëndërron të ecë në gjurmët e Lushtës. /PanoramaSport/ KultPlus.com

“Oj hanë duku n’kët natë, m’shoqno në vetmi se të gjithë më kanë lan”

KultPlus ju sjellë këngën e njohur të Muharrem Qenës. Kënga “Oj hanë”, është një ndër këngët më të njohura të artistit shqiptar që ka lënë një bagazh të madh artistik. Më poshtë keni tekstin dhe videon e këngës.

Oj hane duku n’kët natë
M’shoqno në vetmi se të gjithë më kan lan
O zemra me rënkon për dashuni që ma s’kam
M’shoqno në vetmi se të gjithë më kan lan
O zemra me rënkon për dashuni që ma s’kam

Duku oj hanë edhe shkëlqe, vetmitare si une je
Unë rri me kangë e ti me dritë
O ndjenjat tona i kan grabitë
Unë rri me kangë e ti me dritë
O ndjenjat tona i kan grabitë

Oj hane,oj kangë,oj nat,i vetëm un jam

Por nata mbështjellë vetëm gjithësinë
Askund nuk shkëndin ndoj yll me m’shoqnu
M`kan lan e m`kan braktis që m’kan dashunu
Askund nuk shkëndin ndoj yll mem shoqnu
M`kan lan e m`kan braktis që m`kan dashunu

Hana mshifet o lart mbi re
Vetëm kanga mu më njeh

I vetmum me brenga t’mdha
Shkoj n’harrese sot si cdo gja

Oj hanë,oj kangë,oj natë,oj nanë
I vetem unë jam./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=hMfT8eWEM-U

Ndryshon ora e debatit “Racizmi dhe rrjetet sociale”

Për shkak të zhvillimeve të fundit si pasojë e pandemisë dhe masave që priten të merren nga Qeveria e Kosovës, ndryshon ora e debatit “Racizmi dhe rrjetet sociale”, shkruan KultPlus.

Në KultPlus Caffe Gallery organizohet një debat mbi racizmin dhe kryqëzimin e figurave publike në rrjete sociale. Ky debat fillon nesër në orën 15:00.


Në këtë debat, panelistë do të jetë aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi dhe psikologu i njohur Fitim Uka.


Kjo mbrëmje do të moderohet nga aktorja e njohur Aurita Agushi.
Debati nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.


Për shkak të Pandemisë, ata që do të vijnë të parët do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë debat./ KultPlus.com

Arbëreshja që i rrëmbeu kurorën e “Miss Italia” Sofia Loren

Në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore konkurset e bukurisë femërore ishin si një terapi shëruese për shoqëri italiane, dalë e shkatërruar nga lufta. Ishin tejet popullore, por këto konkurse bukurie gjithashtu patën një rol kryesor në evidentimin e vajzave të reja të cilat më vonë do të bëheshin yjet e kinemasë italiane.

“Miss Italia” e vitit 1950 ishte Arbëreshja Annamaria Bugliari nga katundi Arbëresh i Shën Sofia i Epirit. Në foto me Sofia Loren, e cila zuri vendin e dytë.

Titullin e fitoi në Salsomaggiore, në edicionin e parë që realizohej  në këtë qytet, dhe që në fakt ishte edicioni i shtatë në historinë e “Miss Italia”.

Ajo u bë e famshme për shkak se i “rrëmbeu titullin” nga Maria Scicolone, e cila më vonë do të njihej në gjithë botën me emrin e saj të artit Sofia Loren.

“Më kanë akuzuar se i kam vjedhur kurorën Sofia Loren” – kujton ajo edhe sot – “por unë isha padyshim më e bukur”.

Annamaria Bugliari lindi më 1934 në Romë ku babai i saj, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Partizanëve, ishte edhe avokat. Pas një eksperience të shkurtër në botën e kinemasë (ajo bëri dy filma, në njërin prej të cilëve ishte antagonistja e Lucia Bosè, Vajzat e Piazza di Spagna), u martua me avokatin Marcello Giordani me të cilin kishte dy fëmijë. Sot ajo jeton në Romë, është e ve dhe gjyshe.

Foto kortezi e Adela Kolea/diasporashqiptare/KultPlus.com

Shtyhet mbatja e festivalit Chopin Piano Fest

Është shtyrë edhe një herë mbajtja e Festivalit Chopin Piano Fest, si pasojë e zhvillimeve të reja në lidhje me situatën pandemike në Evropë por edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Chopin Piano Fest në Facebook.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:

Të dashur

Me keqardhjen më të madhe, na duhet t’iu njoftojmë, për shtyerjen e sërishme të edicionit të 11të të Festivalit ChopinPianoFEST Prishtina 2020, për shkak të zhvillimeve të reja në lidhje me situatën e #COVID19 gjithandej në Evropë, Kosovë dhe në kryeqytetin tonë Prishtina.

Përkundër dëshirës tonë të madhe, për të organizuar edicionin e 11-të të festivalit me 14 koncerte live, sepse misioni I festivalit tonë është ofrimi i performancave pianistike audiencës entuziaste në Prishtinë, e përkundër faktit se kishim bërë të gjitha përgaditjet e duhura për mbajtjen e këtij edicioni në Nëntor, duke respektuar të gjitha masat anti COVID-19, të  parapara nga Qeveria dhe institucionet përkatëse, jemi shumë të pikëlluar që për shkak të situatës së fundit, me qëllim të evitimit të rrezikimit të jetëve të artistëve tanë pjesëmarrës dhe audiencës sonë të dashur, na duhet të marrim këtë vendim me zemër të thyer.

Ne jemi të përgaditur dhe gati, që kurdo që situate do të përmirësohet dhe të lejojë mbajtjen e festivalit, ashtu sic është planifikuar me koncertet live, ne do ta realizojmë atë dhe programin e përgaditur me shumë dashuri, pasion dhe energji.

Ne i falënderojmë të gjithë artistët pjesëmarrës për gatishmërinë e tyre për të ardhur në Prishtinë, në nëntor dhe për mirëkuptimin që koncertet e tyre të realizohen në një kohë tjetër më të përshtatshme. Ju lutem qëndroni me shëndet, kujdesuni për veten dhe për të dashurit tuaj duke respektuar masat e parapara për të parandaluar infektimin dhe përhapjen e COVID-19.

Ne shpresojmë të shihemi së shpejti dhe të iu mirëpresim me muzikën e bukur të përgaditur për ju.

Bordi i ChopinPianoFEST Prishtina 2020!/KultPlus.com

Nga Zvicra, në Danimarkë: Këngëtarja shqiptare, emër i njohur i pop-it danez

Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve të rinj në botë po depërtojnë në shumë fusha të ndryshme, duke korrur suksese.

Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në botë, është sigurisht edhe Anella Zarina, këngëtare në Danimarkë, me krijimtari të pasur, shkruan albinfo.ch, transmeton KultPlus.

Anella ka lindur në Zvicër dhe që në moshë të vogël u transferua me familjen në Danimarkë. Këngët e saj janë mes 100 këngëve të momentit në Danimarkë. Rreth një muaj më parë, artistja u vlerësua si zëri më i mirë danez.

Ajo po krijon një karrierë interesante, artistike në zhanrin e pop/elektro-suing.

Duhet theksuar se Anella është me origjinë nga Kosova, por falë talentit, duket se do të pushtojë tregun ndërkombëtar.

Duke qenë se këngët e saj tashmë janë mes 100 këngëve të momentit në Danimarkë dhe si zëri më i mirë i zgjedhur danez, i dha shumë popullaritet.

Po ashtu Anella është shprehur se në Shqipëri dhe Kosovë nuk ka performuar ende, por premton se së shpejti do ta bëjë. /Albinfo.ch/ KultPlus.com