Bob Dylan i shet të gjitha të drejtat e këngëve të tij

Këngëtari dhe kompozitori amerikan, Bob Dylan i ka shitur kompanisë Universal Music Group, të gjitha të drejtat e krijimtarisë së tij muzikore.

Kjo marrëveshje përbën një nga blerjet më të mëdha në historinë e kompanisë Universal dhe nënkupton se kompanisë do t’i shkojnë të gjitha të hyrat nga këngët.

Aty përfshihen të hyrat që fiton Dylan si tekstshkrues dhe të drejtat mbi të gjitha këngët që ka krijuar deri tani.

Dylan, 79-vjeçar, është i njohur në gjithë botën për këngët The Times They Are A-Changin’, dhe Like a Rolling Stone.

Kompania Universal do të blejë rreth 600 këngë të tij, nga karriera prej gjashtë dekadave.

Kushtet e kontratës nuk janë bërë publike, mirëpo besohet se është në vlerë të qindra miliona dollarëve. /rel/ KultPlus.com

Grimieri shqiptar fiton çmimin e rëndësishëm në SHBA

Çmimi “Grimieri i vitit për personazhet e njohur” në “American Influencer Awards” i ka shkuar grimierit me origjinë shqiptare Ariel. Ky është një çmim i rëndësishëm në SHBA.

Pas këtij çmimi Ariel ka reaguar në rrjete sociale dhe ka falënderuar publikisht Kylie Jenner që e ka mbështetur pafund në këtë rrugëtim të tij.

“Faleminderit të gjithë ndjekësve të mi dhe çdo personi në jetën time që ka dhënë një kontribut në karrierën time, ju të gjithë e dini se kush jeni! Për familjen time ju dua! Për të gjithë klientët që gjatë këtyre 5 viteve të fundit kanë qenë më të mirët e jetës sime, ju dua të gjithëve! Një falënderim special shkon për mbretëreshën time Kylie Jenner, të dua! do të jem përgjithmonë borxhli! Zoti kishte një plan dhe ja ku jemi”, shkroi Ariel pas fitores.

Ariel është mik i shumë emrave të famshëm botëror, sidomos familjen Kardashian-Jenner. Mes emrave shqiptarë të njohur të showbiz-it ai ka miqësi të veçantë me Anxhelina Hadërgjonaj./ KultPlus.com

Zvicra urdhëron dëbimin e një fshati të tërë

Këshilli Federal në Zvicër ka vendosur që të dëbojë një fshat të tërë alpin. E gjithë popullsia e fshatit do të largohen nga vendlindja për shkak të pasigurisë.

Arsyeja e këtij vendimi është sepse Zvicra dyshon sa ka eksplozivë të mbetur në këtë zonë nga magazina e municioneve që ishte e vendosur për shumë vite.

Banorët e fshatit të quajtur Mitholz do të sigurohen me banime nga shteti në vende të tjera në Zvicër.

“Mbetjet e municioneve nga ish-dyqani i municioneve duhet të pastrohen dhe të mos lihen pas për brezat e ardhshëm. Ky koncept duhet patjetër të zbatohet. Ende do të kishte paqartësi “të konsiderueshme” në lidhje me rrezikun. Sidoqoftë, popullata duhet të jetë e përgatitur të largohet. Pronarët e shtëpive duhet të kompensohen në përputhje me rrethanat nga qeveria federale. Qëllimi është që një zgjidhje e pranueshme dhe e dakorduar”, ka thënë këshilltarja Federale, Viola Amherd./ KultPlus.com

Schengen Visa Info: Tirana, ndër pesë qytetet që duhet vizituar për Krishtlindje

Shumë shtete anëtare të BE-së dhe zonës Shengen janë në “lockdown” dhe këto do të jenë Krishtlindjet më të pazakonta të festuara ndonjëherë në botë.

Por ndërkaq, Agjencia e njohur e lajmeve evropiane “Schengenvisainfo.com” e cila jep informacione në lidhje me lëvizjet dhe kufizimet në zonën Shengen, u sugjeron evropianëve disa mundësi mjaft të mira për ata që dëshirojnë të kalojnë Krishtlindjen në Evropë. Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të BE-së mund të jenë të njohura për tregjet e tyre të Krishtlindjes, por vende të tjera si Shqipëria, Turqia dhe Rusia, e festojnë Krishtlindjen në një nivel krejt tjetër.

Ndërsa udhëtarët mund të marrin një shije të një Krishtlindjeje perëndimore në këto vende, ata gjithashtu do të hasin traditat lokale të Krishtlindjes; edhe Krishtlindjen e festuar nga fetë e tjera, ose në një datë krejt tjetër.

“Schengenvisainfo.com” shkruan se Shqipëria njihet për verërat e saj të gjata dhe të nxehta, bregdetin e saj të bukur dhe trashëgiminë kulturore. Sidoqoftë, është gjithashtu një destinacion i mrekullueshëm për ata që dëshirojnë të kalojnë pushimet e fundvitit jashtë vendit të tyre.

Me mbi gjysmën e popullsisë së saj të vetëshpallur myslimanë dhe vetëm rreth 10 për qind katolikë dhe shtatë për qind ortodoksë, ndokush do të pyeste veten se si është e mundur që Shqipëria të jetë një destinacion i Krishtlindjes.

Shpesh e quajtur “feneri i fundit i tolerancës fetare në Evropë”, Shqipëria është një vend i harmonisë fetare dhe të gjitha fetë jetojnë së bashku, jo vetëm pa shqetësuar njëra-tjetrën, por edhe duke festuar me njëri-tjetrin data të rëndësishme fetare.

“Schengenvisainfo.com” thekson se Tirana, është mbuluar me drita gjatë Krishtlindjeve dhe një pemë gjigante është zbukuruar në sheshin kryesor të kryeqytetit, ndërsa pemë të tjera janë vendosur nëpër të gjithë qytetin.

Gjithashtu, zakonisht, organizohen edhe tregjet e Krishtlindjes. “Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini është se aktualisht, Shqipëria nuk ka një ndalim hyrjeje. Dhe megjithëse ekzistojnë procedura të kontrollit shëndetësor në aeroporte dhe porta të tjera hyrëse, nuk kërkohet asnjë test negativ i COVID-19”, shkruan “Schengenvisainfo.com”. /dp/ KultPlus.com

Nëse ti je…

Poezi nga Elizabeta Qarri

Nëse ti je shiu, dua të lagem e të ndjej vërshimin tënd
mbi trupin tim të squllur.
Nëse ti je nata, dua të tretem e përhumbem
në largësitë e yjeve plot magji.
Nëse ti je dielli, dua të ngroh trupin që më dridhet
saherë ti shfaqesh pranë.
Nëse ti je era, dua të ndjej puhizën tënde
mbi gjinjtë e mi të harlisur.
Nëse ti je uji, dua t’më shuash etjen
e buzëve të thara.
Nëse ti je qielli, bardhësive të shtratit tënd
dua të të pres.
Nëse ti je deti, dua të zhytem e të prek thellësitë
e botës tënde.
Nëse ti je lumturia, dua të jem flaka që zjarrin
tënd se shuan kurrë.
Nëse ti je durimi,dua pranë teje të dorëzohem e
të të them sa shumë e jotja jam.
Nëse ti je ëndrra, dua nga gjumi të mos
zgjohem kurrë.
Nëse ti je dehja, dua të jem epshi e dashuria
që shpirtërat tanë i bën të gjallë. / KultPlus.com

Rrëfimet e të mbijetuarëve të dhunës seksuale shpalosen në diskutim online

Rrëfimet e familjarëve të të mbijetuarave dhe të dy burrave që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës do të shpalosen në një diskutim online, bashkë me panelistë të përbërë nga komuniteti artistik, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga ora 15:00, të mërkurën më 9 nëntor do të organizohet diskutimi “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Përballja me rrëfime të dhunës seksuale në luftë dhe përfaqësimi i tyre artistik” nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe forumZFD, programit në Kosovë.

Ky organizim i cili përcjellet drejtpërdrejtë në faqe të QKRMT, vie në kuadër të ditëve të 16 Ditëve të Aktivizmit do të shpalos intervistat e dhjetë familjarëve të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe dy burrave të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Këto rrëfime janë ruajtur dhe bashkuar në një libër të emëruar ‘Përtej dhimbjes, drejtë guximit!, të cilin për ta promovuar do të jenë të pranishëm panelistët regjisorja dhe piktorja Lendita Zeqiraj, piktorja Fitore Berisha, redaktori Gazmend Bërllajolli dhe diskutimi do të modertohet nga ligjëruesi universitar Durim Abdullahu.

Panelistët nëpërmjet bashkëbisedimit do të shpalosin mënyrat se si lexohen dhe interpretohen rrëfimet traumatike të të mbijetuarëve, për përfaqësimin artistik të tyre dhe rëndësinë e dokumentimit.

Ky diskutim dhe libri organizohet nga QKRMT dhe forumZED. / KultPlus.com

Krasniqi: Për traumën kolektive nuk ka pasur një program adekuat rehabilitimi

Publicisti dhe shkrimtari, Milazim Krasniqi ka shpërndarë në profilin e tij në facebook opinionin e tij për pasojat e luftës dhe rehabilitimin kolektiv të tyre, shkruan KultPlus.

Profesori universitar në shkrim ka theksuar se arsyeja e mjerimit të shoqërisë sonë qëndron në traumën e marrë nga vrasjet, ekzekutimet, dhunimet, dëmtimet materiale që kanë ndodhur gjatë luftës.

Të gjitha këto Krasniqi mendon se nuk kanë gjetur një program adekuad të rehabilitimit shoqëror.  Madje sipas tij, periudha e pasluftës është mbushur me triumalizma, militantizma dhe narracione të pavërteta.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Krasniqit:

Njëra nga arsyet pse shoqëria jonë është bllokuar në mjerimin e vet, ka të bëjë me traumën e pashëruar nga spastrimi etnik dhe gjenocidi serb. Shumica e ne shqiptarëve të Kosovës kemi kaluar nëpër përvoja të tmerrshme gjatë luftës, që nga ekzekutimet e familjarëve dhe të afërmve, dëbimeve nga shtëpitë, djegiet e shtëpive dhe të pronave të tjera, mbajtja në kampe përqendrimi, dhunimet e numërta të grave e të burrave, zhdukja e kufomave të të ekzekutuarve. Të gjitha këto tragjedi kanë mbetur të gravuara në kujtesë, pa u shëruar kurrë. Për shërim të traumës kolektive e individuale nuk ka pasur një program adekuat shoqëror rehabilitimi.Nuk ka pasur as debat të sinqertë e hapur lidhur me atë që na ka ndodhur si popull. Përkundrazi, pas çlirimit e tërë tragjedia është mbuluar si me vello nuseje nga triumalizmi, nga militantizmi dhe narracione të pavërteta. Këto narracione të pavërteta , shoqërinë e traumatizuar e ka bërë edhe shoqëri gënjeshtare. Nga ana tjetër, si ikje nga lemeria, ajo traumë e lemerishme, është konvertuar edhe në frikë nga pushtetarët e rinj, në gjunjëzim para atyre që morën oreolin e fitimtarëve. Shoqëria jonë nuk pati energji e guxim të ngrihej në këmbë, të adresonte përgjegjësinë dhe të bëhej sovrane, në kushtet e lirisë. Vazhdoi të jetonte në frikë, të votonte në frikë, të duronte në frikë. Këtu jemi edhe tash, njëzet vjet pas injektimit të traumës, shoqëri thellësisht e traumatizuar dhe e frikësuar, një shoqëri që aktron se gjoja është shoqëri e rehabilituar nga trauma dhe e liruar nga frika, pa qenë e rehabilituar nga trauma dhe pa qenë e liruar nga frika.23 gusht 2019 / KultPlus.com

Dua Lipa në tryezën e ushqimeve tradicionale shqiptare

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, është rikthyer në tryezën e vendit të saj, shkruan KultPlus.

Lipa ka shpërndarë storje të instagramit teksa ishte duke ngrënë drekë me ushqime tradicionale shqiptare.

Ajo ishte e pranishme në restorantin e njohur shqiptar “Çka ka qëllu” në Nju Jork bashkë me të dashurin e saj.

Qebapat, ajvari, specat me ajkë, mantiat dhe flijat ishin pjesë e tryezës së katërshes.

I dashuri i yllit shqiptar, qebapat kosovar i quajti “ushqimi kampion i shqiptarëve”.

Restoranti shqiptar “Çka ka qëllu”, edhe pse ndodhet në një territor ku dominojnë kuzhina dhe restorantet italiane, megjithatë ka arritur të tërheqë vëmendjen e njujorkezëve dhe të dallohet për veçantinë dhe specialitetet që ofron. Në të kaluarën Dua Lipa e kishte vizituar këtë lokacion bashkë me familjen e saj, Dukagjinin, Anesën, Rinën dhe Gjinin. / KultPlus.com

Zbulohen dy varre antike në parkun e Amantias në Vlorë

Përgjatë gërmimeve të shpëtimit në qytetin ilir, në Amantia të Vlorës janë gjetur dy varre.

Gjatë punës për një varr monumental që ndodhet brenda parkut, janë zbuluar dy varre, për të cilat kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Orges Feimi tha se vlerësohet se varri i parë është me muraturë tulle dhe i përket shek. III-II para lindjes së Krishtit, ndërsa brenda tij janë gjetur edhe disa objekte.

Ndërsa varri i dytë i zbuluar mbi portën me hark në qytetin ilir të Amantias vlerësohet se i përket periudhës otomane.

“Këto zbulime konfirmojnë një datim të parkut arkeologjik të Amantias. Do të veçoja dhe zbulimin në gërmimin e shpëtimit që u krye në varrin tjetër, pjesë e akropolit i cili ndodhej mbi portën me hark të qytetit ilir të Amantias ku nga vlerësimet paraprake ne mendojmë se ky varr i përket periudhës otomane pasi përveç enëve qeramike të gjetura, u gjendën edhe disa monedha të ndryshme brenda varreve antike. Ne kemi evidentuar 4 apo 5 pika të tjera brenda këtij parku, të cilat ne presim të nisim gërmimet që ti shtohen edhe disa monumente të tjera pjesë e këtij parku për t’u shtuar. Objektet e gjetura do të ruhen, ndodhet në zyrat e Drejtorisë Rajonale, do të studiohen restaurohen dhe më pas do të gjendet vendi ku do të ekspozohen”, tha Feimi.

Këto varre janë një vlerë e shtuar për parkun arkeologjik dhe sipas drejtorit Feimi, ato do të ndryshojnë të ardhmen e kësaj zone historike. Krahas pasurimit të parkut arkeologjik me monumente të reja për t’u vizituar dhe të dhëna me rëndësi për historinë e qendrës antike, nga gërmimet e këtij viti u rikuperuan objekte të një rëndësie të veçantë që do të pasurojnë stendat e muzeve lokalë dhe kombëtarë. /zhurnal/ KultPlus.com

Dua Lipa shpalos vështirësitë e karrierës së saj

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ka shpalosur detaje për rrugëtimin e saj muzikor, ku ndër të tjera e ka përmendur edhe Kosovën në intervistën e dhënë për “Sunday Morning”, shkruan KultPlus.

Këngëtarja amibicioze përgjatë intervistës ka treguar që qëllimi i saj ishte të mbërrinte majat botërore, e që tanimë ëndrra e saj ka gjetur realizim.

Lipa, albumi i së cilës  “Dua Lipa” u transmetua më shumë se shtatë miliardë herë në Spotify, morri dy çmime “Grammy”, fitoi në dy festivale ndërkombëtare brenda një nate të vetme dhe pati shumë suksese të tjera, vazhdon të na bën krenarë.

Gazetarja Roxana Saberi në bashkëbisedim risjelli faktin që albumi i fundit i Lipës ishte përplotë me hite që të bëjnë të vallëzosh, e që kjo ka shërbyer si një argëtim për njerëzit gjatë kohës së izolimit.

“Dua të them, asnjëherë në një milion vjet nuk kam menduar se do të duhej të bëja një rekord gjatë një kohe të tillë”, u përgjigj Lipa, ‘dhe do të gënjeja nëse do të thosha se nuk kisha frikë ta nxjerr këtë”.

Gazeta prestigjioze CBS News, e ka përmendur edhe nacionalitetin e Lipës, duke thënë se është shqiptare dhe se familja e saj u detyruan të braktisin Kosovës nga lufta në vitet e 90’ta.

Përderisa Dua kishte lindur në Angli, familja e saj u kthye në Kosovë kur ajo ishte 11 vjeçe, teksa Lipa i kishte bindur prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën që ta linin atë.

Pyetjes së gazetares se si kishte shkuar biseda për bindjen e prindërve që të qëndronte në Angli, Dukagjin Lipa iu përgjigj duke thënë se ishte një bisedë e qetë.

“Edhe unë mendoj se ajo planifikoi të ndodhte e gjithë kjo gjë. Ishte fati i saj”, u shpreh nëna e Duas, Anesa Lipa.

“Unë isha qartazi e bindur! Prindërit e mi më pyetnin se “Çfarë po bën?”, “A je e sigurt që dëshiron ta bësh këtë?”. Ndërkaq unë isha e bindur se do të vazhdoja”, tha Dua Lipa.

Përndryshe, kur Lipa ishte 21 vjeçare, kënga e saj si një ‘himn’ për fuqizimin e grave, “New Rules” e bëri që ëndrra e saj të realizohej, duke arritur famën botërore. / KultPlus.com

76 vjetori i aktores së mirënjohur të teatrit “Migjeni”, Donika Frenja

Aktorja e mirënjohur e teatrit “Migjeni”, Donika Frenja feston sot 76-vjetorin. Frenja lindi në Shkodër më 7 dhjetor të vitit 1944.

Aktorja, zhvilloi aktivitetin e saj artistik, kryesisht në skenën e teatrit “Migjeni” në vitet ’70 deri në mes të viteve ’80.

Ajo ishte aktive në drama të ndryshme duke mishëruar figura dhe personazhe të arritura.

Mund të përmendim: “Fisheku në pajë” – 1973 në rolin e Diella, shkruar nga Fadil Kraja, një lojë që bëri bujë dhe arriti një sukses; një vit më vonë në dramën “Shpartallimi” – 1974, ose rolin e gruas së Kryeministrit në shfaqjen “Drenusha e Drenicës” – 1978, etj. Frenja gjithashtu pati sukses si aktore edhe në komedi si  “Sa afër paske qene. Edhe gjatë viteve 80 aktorja vazhdojë të jetë prezentë në skenë me rolet  “Kënga e dhimbjes krenare” (1980), “Gjaku i Arbrit” – 1982, Interpretimin e personazhit të Shyretës në shfaqjen “Të gjithë të qeshur” – 1984 në “Çështja e Blertës” në rolin e Angustisë në “Shtëpia e Bernarda Albës” 1986, etj.

Edhe në ditët e sotme publiku shkodran i kujton me nostalgji të veçantë personazhet e interpretuar nga kjo aktore brilante dhe që shquhej shumë edhe për zërin e saj kumbues. Gjatë karrierës së saj Donika Frenja ka luajtur me disa nga aktorët me në zë të skenës shqiptare si Lec Bushati, Tinka Kurti, Serafin Fanko, Viktor Bruceti, etj. /a.a/ KultPlus.com

Shoqata që u bë ‘shtëpi’ e kulturës për studentët shqiptarë në Beograd

15 nëntori i vitit 1957 do të shënonte themelimin e Shoqatës Letraro Muzikore të studentëve shqiptarë në Beograd, shkruan KultPlus.

Studentët shqiptarë të Universitetit të Beogradit ishin bashkuar me qëllim të themelimit të një vatre kulturo-artistike që do të ruante dhe promovonte vlerat shqiptare.

Mesnëntori i këtij viti unifikoi ndihmën e profesorëve në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Beograd, Anton Çetta, Idriz Ajeti dhe veprimtarëve të tjerë për themelimin e kësaj shoqate, që do të titullohej “Përpjekja”.

“Përpjekja” bashkoi rreth vetes shumë emra të njohur të letërisë, kulturës e çështjes atdhetare kombëtare.

Atë kohë, si studenti më i vjetër i Katedrës, kryetar i shoqatës u zgjodh Latif Berisha, sekretar Zekeria Cana dhe kryetar i Këshillit Artistik, Muhamed Kërveshi.

Vite më vonë, në kremtimin e 20 vjetorit të themelimit të Shoqatës “Përpjekja”, profesori Anton Çetta kishte treguar për idenë e lindjes së këtij emri.

“Me erdhën një grup studentësh për t’u këshilluar për themelimin e një shoqate studentore dhe se çfarë emri duhet t’i venin. Atëherë, vazhdoi profesori, unë u thash se ata kishin ardhur për të studiuar, për t’u përpjekur për t’i mbaruar studimet, për të dhënë ndihmesën e tyre për zhvillimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në ish Jugosllavi, prandaj shoqata le ta marrë emrin, “Përpjekja”, kishte thënë Çetta.
Anëtarë dhe veprimtarë të “Përpjekjes” ishin ata që më vonë do të bëheshin shkrimtarët dhe poetët e njohur të Kosovës: Muhamed Kërveshi, Fahredin Gunga, Din Mehmeti, Agim Gjakova, politikani Riza Sapunxhiu, historiani, Zekeria Cana, piktorët: Muslim Mulliqi, Xhelosh e Mikel Gjokaj, shkenctari i njohur, Dervish Rozhaja, aktorët e njohur në tërë hapësiren e ish Jugosllavisë: Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci e të tjerë. / KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kërkon zgjatjen e orarit të punës

Pas kalimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kanë reaguar duke i bërë Qeverisë thirrje për përmbushjen e disa kërkesave, shkruan KultPlus.

Në reagimin e tyre kërkohet zgjatja e orarit të punës dhe kjo shihet si shansa e fundit për t’u ‘ngirtur’ në këmbë pas kolapsit ekonomik.

“Lusim Qeverinë e Kosovës të na lejojnë të punojmë! Jemi pranë festave si për qytetarët e Kosovës po ashtu edhe për diasporen, duam të ju qëndrojmë më afër në kohë më të gjatë pune dhe sado pak ta përmbyllim së bashku një vit të brishtë, duke u mundësuar kështu edhe bizneseve të mbijetojnë. Është mundësia jonë e fundit që sado pak të mbesim në këmbë këtë vit”, kanë shkruar ShGK.

Një kërkesë tjetër e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës ka qenë lejimi i shërbimit ‘delievery’. Ata madje kanë sjellur shembullin e taksistëve të cilën punojnë jashtë orarit të përcaktuar të lëvizjes.

“Delevery duhet urgjentisht me u liru! Nuk ka kuptim taxit me punu edhe jashtë kufizimit të orarit ndërsa delivery jo. Delivery nuk është ndalu edhe në shumicën e vendeve të botës, sepse njerëzit janë lodhur, dhe delivery është vetëm një ndihmes për gjithë ato nana që përveq punës po kryejnë edhe rolin e mësueses e kujdestares”, kanë kërkuar Shoqata në fjalë.

Tutje, ata kanë thënë se nëse masat lirohen vetëm për 3 net të vitit të ri, kjo të mos ndodh fare.

“Me 3 lule nuk qel pranvera! Nëse qendron ideja të lirohen masat vetëm për 3 netë të vitit të ri, atëherë për ne si gastronom mos e bëni fare. Siç e ceka, me 3 lule nuk qel pranvera!” .

Kujtojmë që së fundmi Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kanë protestuar para lokaleve në Prishtinë. / KultPlus.com

SHKA “Bajram Curri” fitoi çmimin e parë në “Hasi Jehon 2020”

Festivali i cili ndër vite ka ruajtur dhe promovuar folklorin burimor shënoi edicionin e 31-të të organizimit, shkruan KultPlus.

I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të Rajonit të Hasit dhe i quajtur dasma hasjane, sot festivali “Hasi Jehon” është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë e dëshmoi edhe një herë organizimi në kushte të vështira pandemike, ku fshati Gjonaj mirëpriti 12 konkurrentë.

“Hasi Jehon 2020” kësaj radhe u organizua nën mungesën e publikut, mirëpo me mesazhin e ruajtjes së vlerave dhe traditës shqiptare.

Ashtu siç e do natyra garuese e këtij Festivali, u ndanë edhe çmime përgjatë edicionit të 31-të.

Me çmimin e parë “Malësori” u vlerësua Shtëpia Kulturo-Artistike “Bajram Curri” nga Prishtina.

Drejtori i Festivalit, Haziz Hodaj, ndau çmimin “Jehonë hasjane e kulturës” dhe disa mirënjohje, në 45 vjetorin e themelimit të Shtëpia Kulturo-Artistike “Malësori”, për disa personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë për “Malësorin”, dhe për festivalin “Hasi Jehon”.

Përderisa u përmbyll edicioni i 31-të, u kumtua që edicioni i radhës do t’i hap dyert e Hasit për konkurentët më 2, 3 dhe 4 maj, sipas datave tradicionale të organizimit në kushte normale. / KultPlus.com

Ava Max fitoi çmim në LOS40

Festivali i njohur LOS40 vlerëson me një çmim edhe një këngëtare tjetër shqiptare, shkruan KultPlus.

Ava Max arriti të fitoj çmimin “Klipi më i mirë” për kategorinë kombëtare, respektivisht atë spanjolle në këtë rast.

Ajo arriti të fitojë për klipin e saj “Tabu”, në bashkëpunim me artistin e famshëm latin Pablo Alboran.

https://www.instagram.com/p/CIbpMtCjdJr/?utm_source=ig_embed

Ky çmim shënoi edhe një vlerësim tjetër të të arriturave të këngëtares.

Dua Lipa gjithashtu ditë më parë fitoj 2 çmime në këtë Festival. / KultPlus.com

Daut Qulangjiu: Ndonjëherë e dëgjoj ‘mos u bo si magjup’, çdo formë e racizmit dhe paragjykimit më bën të ndihem keq

Arbër Selmani

Fotografitë: Nok Selmani

Daut Qulangjiu shumë moti e ka nisur aktivizmin e tij për ta ndihmuar komunitetin rom në Kosovë. Sot 49 vjeçar, Dauti është një aktivist i pashoq, paçka se në fillimet e tij nuk e ka ditur këtë gjë, duke punuar thjeshtë për të qenë kreativ, për të qenë i vyer e i dëshmuar në punën e tij, për të nxjerrë në dritë jo vetëm dëshirat e tij por edhe të shokëve e shoqeve të komunitetit rom në Kosovë.

Tash e 18 vjet, Qulangjiu është redaktor në redaksinë rome në Televizionin Publik të Kosovës, por rrugëtimi i tij deri në këtë pikë nuk ka qenë as i lehtë e as me mungesë dyshimi. Shumë herë e kanë përqeshur, atë dhe shpesh edhe familjarët e tij, por megjithatë një njeri me fokus suksesin dhe profesionalitetin, nuk e kishte në plan të ndalej veç shkaku i zilisë dhe ziliqarëve.

Është e rëndësishme që sot Qulangjiu, bashkë me një ekip të tërë, përkujdeset ta sjellë komunitetin rom, problemet dhe përditshmërinë e komunitetit, më afër shikuesve dhe audiencës dhe atyre që krijojnë e implementojnë politika shtetërore.

*

“Televizioni i Prishtinës, para luftës në Kosovë, ka pasë program në gjuhëm rome, dhe ndoshta ka qenë ndër të vetmit në botë që ka pasur program televiziv në gjuhën rome, kjo i bie diku rreth vitit 1986. Asokohe ka pasë emisione javore, dhe normalisht që programi u ndërpre gjatë luftës. Më vonë, RTK filloi punën si televizion publik, fillimisht me program në gjuhën shqipe, serbe, në gjuhët turke e boshnjake, ndërsa programi në gjuhën rome mbeti si në ajër. Unë asokohe kam qenë gazetar në një radio në Prizren si dhe drejtor i Organizatës ‘Durmish Asllano’. E bëmë një kërkesë më pas që të rihapej në RTK redaksia e gjuhës rome, në vitin 2003, dhe pas donacioneve që i morrëm por edhe pas ndihmës e mbështetjes së Ibrahim Elshanit, projekti u aprovua dhe në vitin 2003 u shpall konkursi për të aplikuar për gazetarë, moderator, redaktor si dhe një kameraman nga komuniteti”.

Qulangjiu më tregon kësisoj se si pas luftës në Kosovë, në një periudhë ngacmuese për komunitetin rom, u arrit që gjuha rome të jetë pjesë e RTK-së.

Zyra zvicerane, atëbotë, bashkë me RTK-në fillua bashkëpunimin për redaksinë e gjuhës rome dhe programi nisi të transmetohej edhe në radio, edhe në televizion. Gjuha rome, kjo gjuhë e shtypur e nëpërkëmbur edhe nga shoqëritë më të civilizuara të botës, po frymonte bukur edhe në Kosovë, prapë, e ringjallur.  

“Në atë kohë asnjëri nuk e kishim të përfunduar fakultetin për gazetari, prandaj emisionin e parë e punuam me ndihmën e redaktorit përgjegjës për programin e minoriteteve – Sylejman Shaqirin, dhe shumë shpejtë hymë në rrjedha të televizionit. Emisionin e dytë e përpilova vet, stafi u profesionalizua, unë e përfundova edhe Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Sot, të gjithë stafin e kam me arsim akademik, dhe është një staf i kompletuar dhe me shumë profesionalizëm” tregon tutje Qulangjiu.

Qysh në shkollën fillore, në Prizren, Qulangjiu do ta kanalizonte energjinë e një djali të ri në forma të ndryshme: ai ishte pjesë e grupit folklorik të shkollës, ishte edhe në korin e shkollës, dhe më vonë u bë edhe pjesë e Shoqërisë Kulturore Artistike ‘Agimi’ në Prizren. Koreografi Alajdin Bojaxhiu do ta ftonte Qulangjiun të bëhej edhe asistent i tij, anipse ky ishte rom dhe kjo do të mund të acaronte gjakërat e racistëve përreth.

“Në atë kohë nuk e kemi ndjerë diskriminimin apo racizmin. Unë kam qenë pjesë e trupës për një kohë të gjatë, dhe e kam udhëheqë grupin me 30 persona, kam qenë në vijat e para. Ne kemi shku në Shqipëri në kohën kur shumica e kosovarëve nuk kanë guxu me kalu në Shqipëri. Ka pasë gjithmonë rrezik në atë kohë, sepse kur jemi kthy këtu kemi pasë frikë mos po na marrin në pyetje. Kemi qenë në këtë trupë unë edhe një tjetër rom, Gazmend Dervishi, dhe para syve tanë nuk e di që kemi dëgju ndonjë të sharë, së paku para neve nuk është ekspozu racizmi. E di që koreografi në atë kohë ka marrë kritika se pse këta dy romë janë kaq përpara në vallet dhe koreografitë që i vallëzonim, megjithatë kam dëgju prej të tjerëve që koreografi ka qenë fleksibil dhe ka thënë – E di unë si veproj, i di unë punët e mia. Më vonë mu bë ftesa të vazhdoj në ansambël por u rrita dhe nuk kisha kohë sepse kisha angazhime tjera. E vazhdova punën në teatër” rrëfen Qulangjiu, i cili çdo ditë udhëton nga Prizreni në Prishtinë, dhe si një burrë me principe dhe i saktë, nuk përton të na sjellë tregimin e tij mahnitës.

Në Prizren, në vitin 1992, Qulangjiu bashkë me të tjerë aktivistë e themelojnë teatrin amator rom, i cili funksionon ende. Këtu duket se është zanafilla e aktivizmit mrekullues të këtij burri me qëndrim unik e profesional, me një karizmë dhe artikulim për lakmi të mendimeve të tij të kthjellta, mbi të gjitha të pastra. Meqë jemi te teatri dhe drama, Qulangjiu bashkë me kolegë ishte pjesë e ekipit që e realizoi dramën e parë në gjuhën rome, në Kosovën e pasluftës.

*

Edhe për Qulangjiun, si për çdo njeri që jetonte në Kosovë në kohën kur shpërtheu lufta, realiteti ishte i hidhur dhe duhej menduar një zgjidhje edhe brenda kushteve e mundësive të kufizuara.

“Isha i ri dhe mendoja me dalë dikah, gjenerata ime në përgjithësi menojshin me dalë jashtë Kosovës. Erdhi koha e sanksioneve dhe nuk kishim mundësi me dalë edhe lehtë prej Kosovës, e u duk sikur për një kohë u bllokova këtu në Kosovë. Kam punu edhe si moler, bashkë me prindin, kemi punuar çfarëdo pune. Vendosa të dal prej Kosovës, kisha gruan dhe djalin me vete. Dëgjova që në atë rreshtin rrugës për Shqipëri, po ktheheshin prapa të gjithë pjesëtarët e komunitetit rom. Na hyri një frikë, dhe u mundova që përmes kanaleve tjera me gjetë kohën e përshtatshme për me ikë. Ishte një autobus që të çonte për Beograd, e di që unë dhe shoqja kemi pagu 220 marka asokohe biletën, për të ikur për në Gjermani. Unë kisha familje në Gjermani, dhe ata kishin përgatitur një shumë të parave që do ta paguanin nëse do të arrija të dilja andej. Me atë pretendim u nisa për në Beograd por kur dëgjova se atyre ditëve ishte fundosë një barkë në Mal të Zi, e cila po bartte emigrantë, vendosa që të kthehesha përfundimisht në Kosovë. Më pas edhe UÇK ishte aktive dhe kësisoj nuk përfundova jashtë Kosovës, mbeta këtu” tregon Qulangjiu.

Dauti nuk e zvogëlon faktin se lufta e fundit në Kosovë ishte një kthesë e madhe për racizmin në Kosovë, meqë po në këtë pikë sikur u shtua racizmi dhe paragjykimi i shumicës shqiptare ndaj komunitetit rom, për arsyet tanimë të ditura dhe të dhimbshme.

“Situata ishte e keqe pas luftës, sepse komuniteti rom në atë kohë ishte etiketu si bashkëpunëtor me ish regjimin. Kur të ulemi e ta mendojmë më detajisht këtë punë, si mundet një komunitet që ka qenë vazhdimisht i segreguar, i diskriminuar, me qenë bashkëpunëtor? Nëse kanë bashkëpunu individë, kjo nuk do të thotë që i gjithë komuniteti ka bashkëpunu. Në atë kohë, serbët nuk kanë pasë besim në komunitetin tonë. Unë nuk kam pasë frikë sepse do ta tregoja të vërtetën, çka kam punuar para luftës. Nëse dikush ka punuar për një kafshatë goje, kjo nuk do të thotë patjetër bashkëpunim me ish regjimin, por një mbijetesë. Nuk e kisha frikë ballafaqimin sepse e dija saktë kush isha si njeri. Bashkëpunimi gjithmonë është mendu në aspektin kriminal, dhe unë nuk po them që nuk ka pasë njerëz prej komunitetit rom që nuk kanë bërë gjeste të tilla, por ata janë individë që duhet të gjykohen. Prej që punoj në televizion, e kam marrë edhe si detyrë që ta mbroj komunitetin tim dhe t’i tregojmë kësisoj shumicës se jemi pjesë e Kosovës, jetojmë dhe kemi jetu edhe ma herët në Kosovë, nuk jemi bashkëpunëtorë të regjimeve iks-ypsilon. Kjo ka qenë ideja prej fillimit, ta përçojmë një informatë të tillë” vazhdon Qulangjiu.

*

“Çdo punë i ka rreziqet dhe sakrificat e veta. Pas luftës, ishte zymtësi, e dinim që në Prishtinë nuk ka shumë romë dhe një pjesë e mirë edhe shkoi në diasporë, apo edhe në shtetet tjera të ish Jugosllavisë. Kur u punësova në RTK, familja ishte skeptike nëse do të mund ta mbaja punën. Një prej fjalëve të nënës sime të ndjerë tani, ishte ‘mbas tre ditëve nuk do të vish në shtëpi’. Ndoshta kishte frikë edhe ajo, ka mendu që dikush ka me m`bo diçka, tash që po dilja publikisht dhe po e tregoja që jam rom dhe po e flisja gjuhën rome edhe në televizion”.

Daut Qulangjiu, shkollën fillore dhe të mesmen i përfundoi në Prizren, ndërsa më pas e përfundoi fakultetin në Prishtinë. Ai thotë se gjithmonë ka reaguar me pjekuri e maturi nëse i ka ndodhur të jetë viktimë e racizmit apo të jetë i pranishëm në një moment racizmi.

Dauti ka një ngjyrë të lëkurës më të hapur sesa romët tjerë në Kosovë. Më vjen i tmerrshëm fakti se edhe në intervistat tjera më është thënë se shpesh njerëzit janë më me fat nëse ngjyra e lëkurës së tyre është më e bardhë, edhepse janë romë.

“Ndoshta fati im ka qenë që jom pak ma i bardhë, por ndoshta edhe qëndrimi im ka luajtë rol, sepse kam triumfu mbi situatat e ndryshme. Unë flas pesë gjuhë dhe i përdori të gjitha, kjo më ka bërë të jem më i vetbesueshëm. Mund të kryej punë si të gjithë, e ndoshta të jem edhe më i mirë se të tjerët. Kam qenë ndër dhjetë studentët më të mirë të gjeneratës sime. Kur dikujt prej komunitetit rom i jepet mundësia, duhet forcë dhe guxim për të ecur përpara. Është e rëndë kjo që po e them sepse shpesh na diskriminojnë qysh me fillim, me ngjyrën e lëkurës sonë. Qasja ndërron menjëherë nëse iu them njerëzve se jam rom, nëse kjo nuk është kuptuar deri në një pikë”.

Dauti kujton se në disa raste ka parë njerëzit rreth tij të qeshnin me të, duke u zgërdhirë para tij.

“Në disa raste, njerëzit qeshnin, kur kam hy në ndonjë shitore. Në dy raste edhe i pyeta njerëzit, pse po qeshnin, nëse ka diçka për të qeshur le ta tregojnë dhe qeshim së bashku. Kjo e qeshmja më ka pengu, më dukej si një përqeshje, si përçmim nga njerëzit që më kanë parë në televizor dhe e kanë ditur se jam rom dhe jam pjesë e redaksisë rome” tregon tutje Qulangjiu.

“Nëse në rrugë dëgjoj fjalë pezhorative, pa marrë parasysh a adresohet ndaj meje apo dikujt tjetër, ndihem shumë keq. ‘Mos u bo si magjup’ e dëgjoj ndonjëherë. Kjo e tregon kulturën familjare. Nuk mundemi përmes institucioneve ta hekim këtë fjalë, por problemi është te familja. Ja një rast: vajza ime u kthye nga shkolla edhe tha – babë, e çka jemi na? Nëse jemi romë, pse një shoqe më tha magjupe? Unë ja shpjegova që ne jemi pjesë e komunitetit rom, por ajo fjalë është përdorë shkaku i xhelozisë për sukseset e saj në shkollë, sepse ajo është e mirë në mësime. I tregova se ne nuk jemi shqiptarë por me shekuj jetojmë në Kosovë, me shqiptarët këtu. Fëmijët e mi kanë mësu fillimisht gjuhën shqipe, ndërsa tash më vonë edhe gjuhën rome. Për edukimin e tyre, unë kam menduar se është më mirë ta dijnë gjuhën shqipe fillimisht, anipse babai i tyre punon shumë për gjuhën rome dhe për promovimin dhe avancimin e saj në Kosovë” tregon Qulangjiu.

Ai thotë se është problematike që fëmijëve t`ua shpjegojë këto fjalë ofenduese të cilat e vrasin çdo ditë brendësinë e anëtarëve të komunitetit rom në Kosovë. Atij i pengon fjala ‘minoritete’, sepse ai nuk e ndjen se komuniteti rom është minor, apo ka diçka minore në esencë, diçka më pak, në aspektin pezhorativ.  

*

Me Dautin mund të flasim me orë të tëra, sepse ka plot tregime të pashkruara.

“Shoqëria civile dhe aktivistët e komunitetit rom kanë ndihmuar shumë, prej para luftës e deri sot. Kemi punuar edhe brenda komunitetit rom, që t’i bindim njerëzit të rrijnë në Kosovë dhe të bëhen pjesë integrale e vendit këtu. Kemi punuar që të kemi deputetët tanë në Parlamentin e Kosovës, që të kemi përfaqësim më të lartë të komunitetit, dhe krejt kjo është transferu nga shoqëria civile drejt partive politike. Kemi punuar shumë që djemtë dhe vajzat e komunitetit të mos e ndërprejnë arsimimin, të vazhdojnë shkollën. E mendoj shpesh se partitë duhet ta kopjojnë aktivizmin tonë. Nëse ky aktivizëm do të ishte i tillë para luftës në Kosovë, por edhe para njëzetë vitesh, ndoshta do ta kishim luftuar edhe më shumë paragjykimin dhe racizmin. Megjithatë, fëmijët tanë do t’i shohin rezultateet e aktivizmit që po bëhet për momentin. Aktivistët e momentit unë i quaj si heronjtë e komunitetit rom, komunitetit edhe sot më të margjinalizuar në Kosovë” përfundon Daut Qulangjiu.

Dautin sot e shohim si një prej figurave më intelektuale dhe përfaqësuese të komunitetit rom në Kosovë, i cili me emisionet e tij në RTK por edhe me aktivizmin e tij është një prej shpresave se në këtë vend ka hapësirë për të gjithë dhe çdo komunitet e grup i njerëzve mund të jetojë lirshëm e pa drojë.

TEKSTI NË GJUHËN ROME.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

“Çka ka dielli qe s‘po bënë dritë, na u dhez lufta në Kaçanik”(VIDEO)

Flaka e Maleve” është film i prodhuar në Shqipëri në vitin 1982, nga regjisori Vladimir Kasa, shkruan KultPlus.

Ky film epik dhe emocional shqyrton jetën e Bardh Sokoli me pasoja, ky emërim ka kuptim Toka e bardh. Një barut punues i cili jeton ne anën veriore te Shqipërisë nen okupacionin e otoman dhe ne mes luftës se partizanëve qe ka zgjatur një shekull. Filmi fillon me një vdekje dhe varrosje te djaloshit te ti te vetëm si luftëtar, humbja e tij është percjellur nga i gjithë qyteti i tij me Bardhin i cili ishte djali i tij si një fëmijë adoptiv dhe me ngushëllim dhe si një shqyrtar për te ndihmuar te prodhoj barut për te shkaktuar një kurs qe ata te jen rezistent dhe plot me barut qe te vazhdojnë luftën në mes partizanëve deri sa ata provonin te thyenin dhe të jenë të tepruar në mënyrë që të tërhiqnin vëmendje tek informatat dhe te provonin te mbahen dhe te jenë fisnik dhe te nderuar.

KultPlus më poshtë ju sjellë një pjesë të shkëputur nga ky film dhe vargjet të cilat thuhen për Kaçanikun.

Çka ka dielli qe s‘po bënë dritë

Na u dhez lufta në Kaçanik

Kaçanikut i rraftë pika

Nuk po e ditka çka është friga

9 sahat t’u therr me thika

T’u therr me thika 9 sahat

Ka ra kali me not në gjak./ KultPlus.com

“Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje, e jo para mikrofonit”

Poezi nga Martin Camaj

Nji poeti të sotëm

Rruga jote â e mirë:

Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme

të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,

por për rrasa guri e ballë njerzorë

me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje

e jo para mikrofonit

si të çetës së poetëve tjerë,

zemra

ndonëse nën shtatë lëkura

akull,

akull

ndonëse nën shtatë lëkura./ KultPlus.com

Sopranoja Donika Mataj dhe suksesi në akademinë “Santa Cecilia”

Një nga solistet shqiptare me famë botërore, sopranoja Donika Mataj është koriste e soliste e Akademisë Nacionale të Santa Cecilias, me përgatitjen e saj në operën lirike, simfonike e sakrale e me interpretimet e saj të larta, ka marrë disa çmime të para dhe vlerësime nga kritika italiane dhe ndërkombëtare.

Zëri i saj i bukur e teknikisht i perfeksionuar, ka “pikturuar” afresket e teatrove të kryeqyteteve europiane dhe katedraleve të tokës dhe të qiellit ku arrin zëri i saj, kudo që ka kënduar, për të gjithë artdashësit e muzikës lirike, që kanë pasur fatin të dëgjojnë zërin e Sopranos, ndër më të mirët që janë sot në Europë, duke dhuruar vetëm emocione unike, që arrijnë në zemrën dhe mendjen e çdo dëgjuesi e të apasionuari të muzikës dhe kangës së saj, magjia e së cilës të shoqëron gjithë jetën në udhën e artit dhe bukurisë të krijimtarisë njerëzore dhe hyjnore në këmbim simbiotik.

Që në vitin 1998 fiton çmimin e parë, të jurisë dhe publikut, në konkursin “Rocca delle Macìe”, për interpretimin me zërin e saj të ngrohtë dhe akut si soprano. Në vitin 2009 është vlerësuar si “zëri i parë mes të barabartëve, ashtu si Verdi donte” në Te Deum e Giuseppe Verdit, e dirigjuar nga M.stri Antonio Pappano. Sukses i përsëritur në Royal Albert Hall të Londrës në 2013. Në shkurt të 2015, përherë me dirigjencën e M. Pappano, në kastin ndërkombëtar të AIDA-s, ka marrë vlerësimin personal nga kritika: “Donika Mataj, është zëri më i gjerë dhe autoritar i mbrëmjes…. i shkëlqyer, i kadiftë dhe shumë i vendosur”. Përgatitja e saj në operën lirike, simfonike e sakrale e kanë prezantuar atë, me interpretime të larta në të gjitha skenat që ka marrë pjesë. (vijon poshte fotos)

Çfarë do të thotë për një këngëtare lirike të jetë soprano e soliste e Akademisë “Santa Cecilia”?
Akademia nacionale “Santa Cecilia”, bashkë me teatrin “La Scala” të Milanos, janë institucionet për ekselencë të Italisë dhe kështu njihen në gjithë botën për këngën lirike. Kori ynë, është një ndër koret më të rëndësishëm në Europë. Ai ekziston që në 1500-n dhe ka marrë disa çmime ndërkombëtare shumë të rëndësishëm. Unë jam artiste e këtij kori, që nga viti 1999, kur fitova konkursin e për të bërë një konkurs të tillë, duhet të kesh një përgatitje jo vetëm si këngëtare, por edhe si muzikante.

Për 5 vende fikse që kërkoheshin, në konkurs, morën pjesë 500 soprano. Unë hyra e dyta në listë. Për mua është një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse çdo gjë që kam studiuar në teori ne e bëjmë praktikë, që nga muzika polifonike, sakrale, sinfonike, lirike e bashkëkohore. Kemi punuar me dirigjentët më të mëdhenj të botës. Aktualisht dirigjenti dhe drejtori artistik i Akademisë është Maestro Antonio Pappano, që është një nga dirigjentët më të rëndësishëm të kësaj epoke. Unë aty nuk jam vetëm koriste, por tash 21 vjet mbuloj shpesh role solistike, të cilat më japin shumë kënaqësi dhe kam kënduar me dirigjenta shumë të rëndësishëm.
Edhe kritika më ka vlerësuar disa herë….

Si arrihet një sukses i tillë?
Unë kam filluar të studioj muzikë në moshën 9 vjeçe, në shkollën 17 tetori në Lezhë, ku kam studiuar 4 vjet kitarë. Pastaj fitova konkursin për liceun artistik Prenkë Jakova, në Shkodër, ku kam fillu edhe studimin e kantos lirike 2 vjet me prof. Ferid Balen, e 2 vjet me Violeta Kananin. Pas katër viteve, bëra konkursin për konservator dhe vitin e parë nuk e fitova. Atë vit, kam punuar si mësuese muzike në Ungrej të Kashnjetit.

Mbas një viti e bëra edhe një herë konkursin dhe e fitova. Profesoresha që më ka dhanë kurajo për me vazhdu me këtë profesion, ka qenë Rozmari Jorganxhi (nëna e kompozitorit Gjergj Leka) e cila ka një muaj që nuk është më pranë nesh. Ajo zonjë, grua dhe artiste e madhe më thoshte gjithmonë: “Donika, ti nga këtu duhet të ikësh sepse zëri yt, është shumë i rëndësishëm e i cilësisë së parë dhe vetëm larg nga këtu, do të gjesh rrugën tënde, sepse Shqipëria ka vetëm një teatër”. Në vitin e tretë të konservatorit, kam njohur edhe Bassin e madh shqiptar Lukë Kaçaj, me të cilin kam studiuar gati 1 vit. Kur bëra “saxhon” në fund të vitit kanë mbetur “me gojë hapur” të gjithë profesorat, kaq mirë më përgatiti profesor Kaçaj. Sapo mbarova konservatorin, m’u dha mundësia me shku në Itali, në një festival të muzikës folkloristike të Ballkanit, në Agrigento, si anëtare e grupit artistik të Lezhës.

Edhe kjo ishte një eksperiencë e mirë për mua e pastaj shkova direkt në Romë, ku me priste vëllai im (i ndjeri pediatri dr. Llesh Mataj, shënimi im a.k). Në Romë kam studiuar në privat me disa profesora e, në veçanti me një profesoreshë me origjinë shqiptare, Silvana Ferraro. Fillova të bëja konkurse internazionale për kanto lirike, sepse vetëm ato mund t’i bëja nga që nuk kisha dokumenta artistike, por si punëtore e thjeshtë.

Konkursi i parë që mora pjesë ka qenë në Trapani të Siçilisë, që quhej “Giuseppe di Stefano” (në nder të tenorit me famë botërore) dhe fitova çmimin e tretë. Më vonë erdhën edhe çmimet e para: në Romë, konkursi i muzikës së shenjtë; në Siena, konkursi “Rrocca delle Macie”, çmimi i parë absolut i jurisë dhe i publikut. Pastaj në Vjenë, konkursi ma i madh në botë “Belvedere”, ku mora çmim special. Konkurruam 3 mijë soprano nga gjithë bota. Në finale arritëm vetëm 3 soprano. Në vitin 1995 kam ba një kurs perfeksionimi me sopranon e famshme Katia Ricciarellin dhe në 1999, me sopranon e famshme Renata Scotto. Në 98-n, jam njohur me tenorin italian Vincenzo De Angelis, i cilin më vonë u ba edhe bashkëshorti im.

Ndërkohë, bashkë me burrin kemi kënduar operat “La Boheme” e Giacomo Puccinit, “La Traviata” e Giuseppe Verdit, “La Carmen” i Bizet, “Il Trovatore” e “Aida” të Verdit etj. Kemi kënduar në Itali, në Spanjë në Francë. Filluan edhe kontaktet nga agjentët për karrierë, por unë mora nje vendim, që në fillim edhe im shoq nuk ishte fort dakord, që të hyja në korin e “Santa Cecilia” dhe siç fola më sipër, e fitova. Edhe sot jam shumë e kënaqur nga zgjedhja që kam ba, sepse të bësh karriere të madhe, do të thotë të mos kesh kohë për familjen. Unë kam vu gjithmonë në vend të parë familjen. Dhe me interpretimin si soprano e korit “Santa Cecilia”, kam sodisfaksione të mëdha artistike.

Si studion Donika tani dhe me kë?
Në këto 22 vite që jam e martuar, kam fatin e madh, që burri im është edhe një mjeshtër kantoje shumë i mirë, dhe më jep këshilla, që ta mbaj zërin gjithmonë në formë. Përgatitemi minimumi 4 herë në javë dhe çdo ditë të paktën 30 minuta vetëm vokalica.

Cilët janë tenorët dhe sopranot më të preferuar?
Këngëtarja ime e preferuar sot është Anna Netrebko. Tenori im i preferuar sot është Rame Lahaj, shqiptar nga Kosova. Ndërsa, sopranoja ime e preferuar mbi të gjitha është Maria Callas. Pas saj vijnë Renata Tebaldi e Mirella Freni, ndërsa tenorët janë Franco Corelli, Giuseppe di Stefano, Nikollai Gedda e shumë të tjerë, që nuk mund t’i përmend të gjithë.

Cila është këshilla juaj për çdo aspirues të këngës së lirikës për të arritur rezultate të larta në nivele kombëtare e ndërkombëtare?
Këshilla ime për çdo aspirues të ri të kësaj gjinie muzikore është studim, durim, këmbëngulje dhe të jesh sa më i thjeshtë, sepse në këtë mjeshtri nuk ia arrin gjithmonë. Çdo koncert e çdo premierë, është gjithmonë si hera e parë./ Mapo/ KultPlus.com

Çfarë i kërkonin Fan Nolit për zyrën e pasaportave jashtë vendit?

Fillesat e shërbimit konsullor në Shqipëri në vitet 1919-1921 ishin një periudhë shumë e vështirë në procesin shtetformues të Shqipërisë.

Sfidë e qeverive të asaj kohe ishin marrëdhëniet ndërkombëtare pasi nuk mund të njiheshin nga qeveritë e tjera për shkak të mungesës së stabilitetit të brendshëm dhe debatet që vazhdonin te ndërkombëtarët për statusin e shtetit shqiptar, shto këtu dhe pretendimet e fqinjëve për territoret shqiptare.

Shteti shqiptar për të fuqizuar lobimin pranë qeverive të Fuqive të Mëdha për njohjen e qeverisë shqiptare dhe rikonfirmimin e statusit të shtetit shqiptar si shtet i pavarur e sovran, kishin dërguar përfaqësues jozyrtarë në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha si në Londër, Romë, Uashington, ndërsa në Paris këtë funksion e kryente delegacioni shqiptar që ndiqte punimet e Konferencës së Paqes.

Për shkak të pengesave që u dilnin shtetasve shqiptarë me banim jashtë për të udhëtuar, ose për t’u kthyer në atdhe për shkak të mungesës së pasaportave të përshtatshme, lindi nevoja që të kishte përfaqësues të shtetit shqiptar, jo vetëm në vendet me peshë në politikën ndërkombëtare, por edhe në vendet ku banonin shumë shqiptarë.

Që nga pranvera e vitit 1920 filluan të hapen Zyrat legale të Pasaportave, të cilat pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve 9 nëntor 1921, që konfirmoi statusin dhe kufijtë e shtetit shqiptar u kthyen në konsullata e legata. Zyrat e delegacionit shqiptar në Paris filluan të kryenin edhe shërbimet e para konsullore për shqiptarët me banim në Francë.

Shtysë për hapjen e Zyrave të Pasaportave që do pajisnin shqiptarët me një format të njëjtë pasaportë shqiptare për udhëtime jashtë, ishin jo vetëm kërkesat e shumta që vinin nga shqiptarët në botë që kërkonin të udhëtonin në Shqipëri, por edhe rrethana të tjera.

Pasaportat që lëshonin komitetet e kolonive shqiptare në botë nuk njiheshin më nga shtetet e huaja, sidomos pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920.

Nuk njiheshin më gjithashtu pasaportat që nxirreshin nga prefektura të ndryshme në vend për banorët e saj, por kërkohej që ato të lëshoheshin nga autoritetet qendrore në vend.

Me hapjen e këtyre Zyrave, nga pranvera e vitit 1920 deri në fund të vitit 1921, pranë qeverisë shqiptare mbërritën kërkesat e para nga shqiptar me banim jashtë që të emëroheshin si Agjent Konsullor ose i Ngarkuar me Zyrën e Pasaportave shqiptare.

Në një prej letrave dërguar Fan Nolit në gusht të 1920, në dokumentet e botuara nga arkiva online e MEPJ-së Ilia Chapullari shprehet se shumë shqiptarë udhëtarë po presin dita ditës zgjidhjen e çështjes së pasaportave dhe hapje e udhës, duke kërkuar emërimin e agjentëve konsullorë apo të ngarkuar me Zyrën e Pasaportave.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhjetor 1920, pa u konfirmuar akoma statusi i shtetit të pavarur, detyroi shtetin shqiptar të hapte në janar 1921 një zyrë përfaqësuese edhe në Gjenevë ku ndodhej selia e Lidhjes. Eugen Pittardi, nënshtetas zviceran, mik i Shqipërisë, me pëlqimin e Këshillit të Naltë, emërohet Konsull i parë i Përgjithshëm i Nderit i shtetit shqiptar në Gjenevë. Shpenzimet e shtëpisë i paguante shteti shqiptar.

Zyrat e Pasaportave do të funksiononin për të mbrojtur interesat e shtetasve shqiptarë në një periudhë tranzitore, 1919-1921 kur ekzistonte një qeveri shqiptare, por që akoma nuk njihej nga ndërkombëtarët, dhe përbën fillesat e shërbimit konsullor shqiptar./ KultPlus.com

Loredana dhuron 100 mijë euro për fëmijët nevojtarë

Loredana ka dhuruar një shumë të madhe për fëmijët në nevojë.

Të shtunën mbrëma në Gjermani është mbajtur eventi i bamirësisë “Ein Herz für Kinder” (Një zemër për fëmijët), në të cilën morën pjesë personazhe të njohura.

Në mesin e tyre ka qenë e pranishme edhe reperja shqiptare, Loredana, e cila ka bërë një gjest shumë fisnik për fëmijët që janë në nevojë.

Reperja ka dhuruar plot 100 mijë euro dhe ka bërë një deklaratë, e cila preku zemrat e të gjithëve, ku u shpreh se është vetë nënë e një vajze, Hanës, dhe dëshiron që të gjitha mamatë të kenë mundësinë të përjetojnë momente të mira si ajo.

“Unë kam një vajzë që së shpejti do të bëhet 2 vjeçe. Unë kam parë se si ajo ecën, si flet. Për mua si nënë është shumë e rëndësishme që edhe nënat e tjera të provojnë këtë lumturi. Të dhurojë 2 mijë euro nuk është e mjaftueshme për mua, unë fitoj pak më shumë. Do të dhuroj 100 mijë euro”, tha Loredana në fjalimin e saj.

Loredana është një nga emrat më të përfolur të momentit në Gjermani. Para pak ditësh ajo mori titullin si reperja më e dëgjuar në Spotify në gjithë Gjermaninë./ KultPlus.com

Pandemia ia “anuloi” dasmën, çifti i shpenzon paratë për personat në nevojë

Përhapja e koronavirusit ka ndikuar edhe planifikimin dhe organizimin e dasmave mbarë botën. Si rezultat i kësaj, çiftet që kanë planifikuar të bëjnë dasmë me shumë mysafirë, është dashur t’i ndryshojnë listat e të ftuarve.

Ndër ta, edhe Emily Bugg dhe Billy Lewis kishin planifikuar të organizojnë dasmë. Pandemia i detyroi që dasmën ta mbajnë me një ceremoni të vogël familjare.

Ata vendosën që me të hollat që i kishin grumbulluar, t’i shpenzonin në ndihmë ndaj njerëzve në nevojë.

Ushqimin e dasmës, që e kishin aranzhuar kohë më parë, e shndërruan në ushqim për të varfrit, personat me sëmundje mendore dhe të varurit e substancave narkotike.

“Në skemën e madhe të gjërave, anulimi i një martese të madhe nuk është gjëja më e keqe që mund të ndodhë,” deklaroi Bugg në një deklaratë.

Heidi Moorman Coudal, që është udhëheqës i hotelit ku ishte organizuar dasma e çiftit, thotë se shumica e çifteve që anulojnë dasmën, kërkojnë t’u kthehen të hollat, duke mos menduar se ato mund të shpenzohen diku me vlerë./ KultPlus.com

Këshilla falas për të pasur sukses nga njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos

Jeff Bezos, themeluesi dhe presidenti i Amazon, njeriu më i pasur në botë, deri më sot nuk ka shkruar një libër mbi suksesin e pakufishëm, por ndër vite janë dalluar disa nga parimet e tij.

Mos u bëni një lepur, bëhuni një breshkë

Për Bezos gjithçka ka rëndësi janë objektivat me një afat të gjatë. Mes shumë pikave të forta të tij, është aftësia për të qenë jashtëzakonisht i duruar.

Në fermën e tij në Teksas, shpikësi i Amazon (i cili zotëron edhe ‘Washington Post’) nisi ndërtimin e “një ore të së tashmes së gjatë”, për të shënuar kohën për dhjetë mijë vitet e ardhshme, projektuar nga Danny Hillis.

“Është një orë e veçantë, e projektuar për të qenë një simbol, një ikonë për mendimin në një kohë të gjatë” – shpjegon Bezos.

Punësoni njerëzit e duhur

Zgjedhja e bashkëpunëtorëve më të mirë nuk është një opsion: është gjëja e vetme dhe më e rëndësishme që duhet të bëni. Ideja e Bezos është të përqendroheni te punonjës të gjithanshëm dhe të talentuar, të merrni prej tyre maksimumin dhe t’i shpërbleni me aksione të kompanisë (stock option) më shumë se me shpërblime në para, në mënyrë që t’i nxisni për të arritur suksesin kolektiv.

“E dimë që suksesi ynë do të ndikohet në pjesën më të madhe nga aftësia jonë për të tërhequr dhe për të ruajtur një bazë punonjësish të motivuar”.

Bezos u kërkon drejtuesve të burimeve njerëzore t’i bëjnë vetes tre pyetje:

1. A do ta admironi këtë person?;

2. A do të rrisë ky person nivelin mesatar të efikasitetit të grupit në të cilin po hyn?;

3. Si mund të jetë ky person i suksesshëm?

Përqendrohuni te vendimet e rëndësishme

Nuk duhet të merrni mijëra vendime në një ditë, por të kufizoheni në një numër të caktuar vendimesh me rëndësi. Zgjedhjet që mund të ndryshohen ose tërhiqen duhet të delegohen (t’u lihen vartësve), ndërsa ata që janë në krye të zinxhirit drejtues, duhet të merren pothuajse ekskluzivisht me zgjedhje të parikuperueshme.

Mendoni për klientët, jo për konkurrentët

Që në vitin 1997, një thënie e Bezos ishte: “Bëjeni klientelën fokusin tuaj”. Në 1998-ën, shkroi: “Synojmë të ndërtojmë kompaninë më të përqendruar te klienti në botë”.

 “U kujtoj vazhdimisht punonjësve tanë të kenë frikë, të zgjohen të frikësuar. Jo nga konkurrenca, por nga klientët tanë”./ KultPlus.com

Një film shqiptar në festivalin e Amsterdamit

“Emancipimi i turmave” filmi i regjisorit shqiptar Ervin Lerra po merr pjesë në Festivalin e Amsterdamit (World International Film Festival Amsterdam).

Filmi merr shkas nga protestat e studentëve shqiptarë gjatë vitit 2018 dhe përpiqet të shpjegojë nevojat e shoqërisë për t’u zhvilluar përmes revoltave.

Pas një premiere të suksesshme në Tiranë gjatë pranverës së kaluar, filmi mori pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Puglias në Itali, Dormeo Films, (Dormeo Films Puglia International Film Festival”.

“Ideja më lindi nga ngjashmëria e mahnitshme dhe shumë e bukur nga midis protestave të studentëve në Tiranë në vitin 2018 dhe jelek-verdhëve në Paris. Unë atëherë isha në Paris, ku ndenja rreth një muaj. Pashë se zhvillimet ishin krejtësisht të njëjta deri sa politika ndërhyri tek të dyja lëvizjet. Unë e kam thënë edhe në film shumë hapur që protesta e studentëve ishte e mahnitshme dhe një protestë model për gjithë botën dhe jo vetëm për Shqipërinë, deri në çastin kur ndërhyri politika dhe mediat politike në këtë protestë, duke i etiketuar si FRESH-istë, LRI-stë, FRPD-istë etj” – tha regjisori Lera për Zërin e Amerikës.

Dokumentari “Emancimipi i turmave” trajton dilemat e shoqërisë shqiptare që pas Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme, nëse kryengritjet i sollën zhvillim, nëse pas revoltave përfitojnë pjesëmarrësit masivë apo individë pa merita.

“Turma është përzgjedhur simbolikisht si treguesi i dukshëm i një shoqërie, sepse filmi tregon zhvillimin e shoqërisë shqiptare, por ka edhe një përqasje ndërkombëtare, sepse ngjarjet dhe situatat që kanë ndodhur në Shqipëri kanë ndodhur kudo. Filmi është bazuar te filozofia e Hose Ortega el Caset, filozofi më i madh i shekullit të kaluar. Edhe në mes të Parisit ndodhin të njëjtat ngjarje si në Tiranë, në Prishtinë, në Romë, Milano dhe kryeqendra të tjera me demokraci shumë më të konsoliduara në botë” – thotë autori.

Për suksesin e këtij filmi autori Lera ka bashkëpunuar ngushtë me profesor Përparim Kabo, me dr. Afrim Krasniqi dhe publicistin Ben Andoni.

Studiuesi i njohur Përparim Kabo, ka thënë se “dokumentari zbërthen sfidën e qytetarisë shqiptare për të protestuar në dobi të vetvetes apo turmëzimit të palogjikshëm në dobi të të tjerëve”.

Regjisori Ervin Lera thotë se idealizmi i kryengritjeve dhe protestave gjithmonë humbet nëpër kthesat e papritura.

“Unë mendoj që vetëm fillimet e kryengritjeve janë idealiste, pastaj me zhvillimin e tyre, çdolloj kryengritje, lëvizjeje apo formë reagimi tjetër, që sjell zhvillim dhe ndryshim, nuk mbetet më gjatë idealiste, sepse nga vet turmat kryengritëse apo protestuese, që kërkojnë ndryshimin, dalin individë me qëllime të caktuara, të cilat në shumicën e rasteve janë qëllime egoiste. Mund të themi që nuk ka kryengritje idealiste deri në finale” – tha autori.

Filmi përpiqet dhe arrin me sukses të shpjegojë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve moderne në Shqipërisë nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe dy dekadat e këtij shekulli të ri.

Pjesëmarrja e tij në festivale ndërkombëtare është një zë i veçantë nga Shqipëria në valën e nismave evropiane për të zbërthyer pikëpyetjet, që u dalin shoqërive gjatë revoltave për të sjellë zhvillim, dhe për t’u emancipuar, duke u përpjekur të rrëzojnë mure izolim dhe me gurët e tyre të ndërtojnë ura bashkëpunimi./voa/ KultPlus.com