I dashur 2021…

I dashur 2021, kjo letër është për ty, që do të mbërrish, bartës i shpresave, ëndrrave dhe dëshirave të reja. Një vit i ri, një kohë e re që nuk di ta shpjegoj. Si mund të të ​​tregoj për një fëmijë që nuk di asgjë ende për botën?

Ndoshta mund të merrja ndihmë nga historia e fundit dhe e fillimit, duke përfituar nga atmosfera e ngrohtë, magjike dhe e lumtur e Krishtlindjes, që na bën të gjithëve më mirë dhe që nuk është asgjë tjetër veç parathënia e një viti të ri që do të përjetojmë. Por duke parë këtë 2020, nëse do të duhej të shpjegoja se çfarë ishte për ata që më pyesnin, nuk e di më.

Në këtë interval të shkurtër që ndan të vjetrën dhe të renë, të kaluarën nga e ardhmja, unë mbetem i mbështjellë me heshtjen e të gjitha gjërave që nuk janë bërë dhe gjërave që nuk janë thënë në këtë vit surreal, që do të përfundojë duke menduar për gjithçka që do të vijë. Të gjithë kemi humbur diçka, ca më shumë e ca më pak. Dhe është pikërisht nga kjo vetëdije, që mund të imagjinoj se çfarë do të doja për veten time, i dashur 2021.

Një përqafim për njerëzit që dua, që darka me miqtë të zgjasë pa fund, një vrapim në ajër të pastër dhe një piknik buzë detit. Ja çfarë dua: jetën time, atë të së kaluarës, të mësoj të vlerësoj të gjitha gjërat e vogla që më bënin të ndihesha gjallë, të cilave u dhashë vlerë vetëm kur i humba.

Po, mbase kjo është ajo që unë do të doja nga ky 2021: një kthim në atë normalitet të cilit i ikja, sepse ishte shumë banal dhe i mërzitshëm. E kush do ta kishte imagjinuar se do të më mungonte kaq shumë!

Do të doja të mëkatoja me pak naivitet dhe të imagjinoja atë kohë në të cilën do të ndryshojnë të gjitha gjërat, nga më e madhja tek më e vogla, pavarësisht nga realiteti objektiv. Do të doja që ky 2021 të vendosë një kapak mbi të kaluarën, për t’u kthyer dhe për të filluar nga e para, sepse ta bësh këtë është gjithmonë ebukur.

Unë do të doja të pretendoja se orët, ditët, muajt dhe vitet që kemi “shpikur” mund të rekuperojnë vërtet atë që ka qenë dhe të na japin një shans të ri. Por zhgënjimi më kujton se koha nuk ndalet, dhe as nuk fillon përsëri, ajo thjesht rrjedh midis stuhive dhe ditëve me diell.

Por unë me të vërtetë shpresoj që për këtë të ardhme imagjinata të zërë vendin e racionalitetit sepse më duhen, tani më shumë se kurrë, iluzione, ëndrra dhe shpresa, pa programe ose parashikime.

Më duhet të jetoj përsëri, intensivisht. Dhe nëse kjo nuk do të ndodhë do të kujtoj se do të ketë një vit tjetër, dhe një tjetër, dhe një tjetër./bota.al/ KultPlus.com

Përkujtohet aktori i njohur Bujar Lako në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta

Sot përkujtohet 4-vjetori i ndarjes nga jeta i njërit prej aktorëve më të mirë të skenës dhe të kinemasë shqiptare, Bujar Lako.

Bujar Lako lindi në Tiranë më 23 maj të vitit 1946 dhe ndërroi jetë më 26 dhjetor 2016.

Ai ishte një ndër aktorët më të vlerësuar në Shqipëri për aftësitë e tij në aktrim, pasi gjithmonë ishte vlerësuar si një aktor shumëdimensional. Ai vlerësohej prej kolegëve të tij dhe prej kritikës si një aktor që arrinte të realizonte më së miri personazhet që interpretonte duke u futur thellë në psikoanalizën dhe lëkurën e personazheve.

Kjo ishte edhe arsyeja se përse Bujar Lako gjithmonë që interpretonte rolet, arrinte të fitonte simpatinë e publikut dhe çmime të shumta.

Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role në në shfaqje teatrore nga të cilët veçohen ato në veprat “Vdekja e një Komisioneri” A, Miller, “Ariu”A.P.Çehov, “Vizita e Inspektorit” Xh,Pristli etj, ndërsa në kinematografi, aty ku edhe publiku e vlerësoi edhe më shumë veçohen filmat “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni” ,”Udha e Shkronjave” si dhe në një nga produksionet më të vlerësuar edhe në Festivalin e Venecias, atë me titull “Muajt e Mjaltit”

Bujar Lako gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime. Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në “Cairo”, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.

Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe titulli “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës. /atsh/ KultPlus.com

Shqiptarja në Organizatën Ndërkombëtare si specialiste e Vlerësimit dhe Monitorimit

Megi Çullhaj është një vajzë shqiptare që jeton dhe punon në Majlazi, transmeton KultPlus.

Megi qe zhvendosur në moshën 13 vjeçare me familjen në Itali dhe kur, më vonë, ju dha mundësia për të punuar në vendin aziatik, nuk e refuzoi ofertën.

Në një intervistë, Megi rrëfen historinë e saj të emigrimit deri në Malajzi. “Unë punoj prej 2 vitesh për një organizatë ndërkombëtare si specialiste e vlerësimit dhe monitorimit.

Oferta e punës ishte në përputhje me specializimin tim dhe unë nuk mund të mos e pranoja pasi do më shërbente dhe në karrierën time të re.”- tregon specialistja shqiptare nga Malajzia.

Gjatë 10 viteve të fundit ajo ka jetuar në shumë vende brenda dhe jashtë Europës, duke njohur shumë kultura dhe destinacione nga më të ndryshmet. / KultPlus.com

Adele fitoi 5 milionë euro këtë vit pa publikuar asnjë këngë të re

Këngëtarja e njohur Adele fitoi rreth 5 milionë euro gjatë vitit 2020 edhe pse gjatë 12 muajve nuk nxorri asnjë këngë të re.

32-vjeçares i duhet të përballet me një ulje të ndjeshme të fitimeve të saj pasi vetëm një vit më parë ajo fitoi plot 15 milionë euro.

Ylli i muzikës vlerësohet të ketë një pasuri prej 150 milionë eurosh falë albumeve të saj dhe turit të vitit 2016-2017 që sjell ende para. / KultPlus.com

Familja pa shenja gishtash

Apu Sarker është një 22-vjeçar nga Bangladeshi. Së bashku me familjen e tij, ai jeton në një fshat në Natore, ku punon edhe si ndihmës mjek, ndërsa babai dhe gjyshi i tij ishin fermerë.

Ata janë bërë të famshëm pasi të gjithë nuk kanë shenja gishtash. Burrat e familjes Apu kanë një mutacion gjenetik të rrallë, i cili prek një numër jashtëzakonisht të vogël personash në botë. Po të kthehemi në ditët kur ka jetuar gjyshi i Apu, të mos kishe shenja gishtash nuk ishte ndonjë gjë e madhe. “Unë nuk e mendoj se ai e ka pasur ndonjëherë problem këtë gjë”, tha Apu, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Por, gjatë dekadave, shenjat e gishtave janë kthyer në një element mjaft të rëndësishëm identifikues, të njohura edhe si dermatoglifet.

Në vitin 2008, kur Apu ishte ende shumë i ri, Bangladeshi prezantoi kartat e identitetit, ku kërkoheshin edhe gjurmët e gishtave. Punonjësit u befasuan fillimisht dhe nuk dinin si të vepronin për t’i lëshuar kartën e identitetit babait të Apu. Më në fund, ata morën një vendim, ku në vend të shenjave të gishtave shkruan, “pa shenja gishtash”.

Në vitin 2010, gjurmët e gishtave u bënë të detyrueshme për pasaportat dhe lejet e drejtimit të automjeteve. Pas shumë përpjekjesh, Amal ishte në gjendje të merrte pasaportën, pasi paraqiti edhe një vërtetim nga një grup mjekësh. Megjithatë, ai kurrë nuk e ka përdorur atë, pasi i trembet problemeve me të cilat mund të përballet në aeroporte. Ndërkohë, edhe pse drejtimi i një motoçiklete është mjaft e rëndësishme për punën e tij, ai nuk ka mundur të marrë një patentë. “Kam paguar tarifën, kam dhënë provimin, por ata nuk ma lëshojnë patentën sepse nuk kam shenjat e gishtërinjve”, tregoi ai.

Së fundmi, Amal dhe Apu, morën edhe kartat e reja të identitetit të lëshuara nga qeveria e Bangladeshit, pasi ata paraqitën një certifikatë mjekësore. Këto karta kanë edhe të dhëna të tjera biometrike, si për shembull skanimi i retinës. / KultPlus.com

Zoom mundēson thirrje pa limit pēr festat e fundvitit

Platforma e video konferencave Zoom ka njoftuar se pērkohēsisht nuk do të ketë kufizim prej 40 minutash në bisedat virtuale gjatë sezonit të festave.

Muajin e kaluar, Zoom njoftoi se do të heq kufizimin kohor nē thirrje për t’u dhënë familjeve mundēsinē që t’i festojnë festat e fundvitit dhe praktikisht më shumë kohë për të qëndruar të lidhur me njēri tjetrin.

“COVID-19 ka ndryshuar mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe festojmë në vitin 2020, dhe si gjithçka tjetër këtë vit, sezoni i festave nuk duket i njëjtë. Në shenjë vlerësimi për përdoruesit tanë gjatë një kohe të jashtëzakonshme, ne po heqim kufirin prej 40 minutash në llogaritë falas të Zoom për të gjitha takimet në të gjithë botën për disa raste të ardhshme speciale,” u tha nga platforma e madhe e video thirrjeve në një njoftim pēr media. / KultPlus.com

Sudani për herë të parë paraqet një film për Oscar

Për herë të parë në historinë e vendit, Sudani ka një paraqitje për “Academy Awards”. Është prodhuar nga partneriteti i kompanive egjiptiane dhe evropiane, por ka producent dhe aktorë sudanezë.

“You will die at twenty” do të garojë për kategorinë “Filmi për i mirë ndërkombëtar”, shkruan AP.

Ngjarja përfshinë një djal të ri vdekja e të cilit në moshën 20 vjeç profetizohet jo shumë kohë pas lindjes së tij, duke hedhur një hije mbi vitet e tij të jetës.

Bazuar në një ngjarje të shkurtë të sudanezit Hammour Ziyada, kritikët thonë se ajo demonstron se skena kulturore e vendit po rizgjohet pas dekadash shtypjeje.

Filmi është prodhuar pas demonstratave masive kundër al-Bashirit, pasi ishte rrëzuar nga ushtria në prill 2019 pas udhëheqjes së shtetit pas afër 30 vjetësh. / KultPlus.com

Pesë minuta nga dokumentari për ‘The Beatles’, dhuratë në kohë të vështira

Filmbërësi me nam, Peter Jackson, ka ndarë një dromcë ekskluzive të dokumentarit në përgatitje e sipër “The Beatles: Get Back”.

Klipi pesëminutësh i filmit të shumëpritur është tashmë i qasshëm për adhuruesit kudo në botë te faqja “TheBeatles.com”.

“Ne deshëm t’iu japim adhuruesve të ‘Beatles’ kudo në botë një dhuratë për pushime”, ka thënë regjisori i njohur për trilogjinë “The Lord of the Rings”. “Ndaj bëmë bashkë këtë dromcë pesëminutëshe të filmit të ardhshëm. Shpresojmë që do të sjellë buzëqeshje në fytyrën e secilit dhe gëzimin aq shumë të nevojshëm në kohëra të vështira”.

Sipas Paul McCartneyt, ky klip nuk është triler për dokumentarin, por më shumë si shembull i xhirimeve 56-orëshe që nuk janë parë asnjëherë. / KultPlus.com

Mbi ne ra ndarja si një dëborë

Poezi nga Teodor Keko

Ja, ra mbrëmja. Ti s’je më.
Ku ke shkuar? Unë s’e di.
Ne u prishëm për hiçgjë,
edhe gjatë do mbajmë mëri.

Do harrohen telefonat,
nëpër pellgje sytë do na thahen.
Si prelud do bjerë nga qielli,
një dëborë… kristal i bardhë.

Dhe kështu, gjersa një ditë,
të na thotë jeta ne: Harro!
Do të mbesim anonimë,
do të jemi ne përemra,
Unë “Ai” dhe ti “Ajo”.

Mbi ne ra ndarja si një dëborë,
mbuloi gjithçka: puthjet dhe fjalët.
Dhe vitet shkuan dalngadalë,
ujrat u ndotët, lumejtë u thanë.

Por, qaramanë, jo, s’do të bëhemi,
se na u thye ëndrra ty dhe mua.
Ndonjë ditë nëpër botë,
sytë tanë kur të takohen,
s’do të ketë urrejtje brenda/ KultPlus.com

Nënë Tereza: Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë

Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët, por edhe për ne, është flaka e dashurisë në ndezje. Gëzimi është uratë, gëzimi është fuqi, gëzimi është dashuri në veprim.

-Gëzimi është rrjeti i dashurisë ku mund të “peshkohen” shpirtrat e njerëzve. Zoti e do njeriun që dhurohet me gëzim. Mënyra më e mirë për ta treguar falënderimin tonë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit është ta pranojmë shoqi-shoqin me gëzim… Të jemi të lumtur me Zotin domethënë: të duam si na do Ai ne, të ndihmojmë si na ndihmon Ai ne, të shërbejmë si na shërben Ai ne… Ne lëvizje tuaja shpërndani gëzim që jeni të Zotit, që jetoni për Zotin, që e doni Zotin në të afërmin… Që të mund të jemi të lumtur dhe ta shpërndajmë atë edhe të tjerëve, duhet shumë pak, çdo ditë të kërkoni ta bëni vullnetin e Zotit, sepse bota ka uri për Zotin dhe për dashurinë e tij; lutja në vazhdimësi, të dimë të duam dhe të falim… Ne, me paduresë e presim parajsën, ku është Zoti, por kemi mundësi qysh tash të jemi në parajsë, prej këtij çasti: duke dashur dhe flijuar për Zotin dhe për të afërmin në vuajtje.

-Sot bota ka uri për gëzim që vjen nga zemra e pastërt, sepse ata e shohin Zotin… Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë… Gëzimin ndriçon ne sytë tuaj dhe në fytyrë. Kur njerëzit do ta shohin gëzimin në sy tuaj, do ta zbulojnë Zotin në ju.

-Puna apo jeta pa uratë është robëri. Kisha dëshiron përtëritjen e saj dhe të botës së sotme. Mirëpo përtërija nuk është ndërrimi i traditave, i jashtëm, por mbi të gjitha i brendshëm, rrënjësor, i zemrës së njeriut me hirin e Zotit”.

Përgatiti: Don Lush Gjergji. 

‘Vizita e Zonjës Plakë’, premierë në teatrin ‘Adriana’

Shfaqja ‘Vizita e Zonjës Plakë’, do të vijë si premierë më datë 28 dhjetor të këtij viti në teatrin e qytetit të Ferizajit, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga Vjosa Abazi, e cila do të jetë edhe pjesë e kësaj shfaqjeje.

‘Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë për të gjithë ne. Por për mua ky vit do të përmbyllet me diçka të mirë dhe pozitive’, ka shkruar Abazi në rrjetin social Facebook.

Shfaqja e cila është realizuar nën regjinë e Sulejman Rushitit do të shfaqet në orën 17:00.

Ndërkaq, në rolet tjera do të jenë Milot Salihu, Ali Krasniqi, Uratë Shabani, Dora Xhemajli, Arben Marevci, Dardane Mehmeti, Gresa Gashi, Jajush Ramadani, Mevlan Saraçi, Nexhat Xhokli, Blin Sylejmani, EEdona Berisha Bekteshi, Sherif Bega, Durim Neziri dhe Valdrin Osmani. / KultPlus.com

Rita Ora uron festën: Të gjithë meritojnë atë pak dashuri dhe magji të Krishtlindjes

Rita Ora ka uruar ndjekësit e saj për festën e Krishtlindjeve.

Ajo ka publikuar disa fotografi ku shfaqet tejet këndshëm afer një peme të Vitit të Ri.

“Gëzuar Krishtlindjet, ju dërgoj dashuri dhe dritë…Të gjithë e meritojnë atë pak shtesë esktra të dashurisë dhe magjisë së Krishtlindjes duke ju uruar të gjitha të mirat”, ka shkruar Rita në Instagram. / KultPlus.com

‘It’s a Wonderful Life’, filmi më emocionues i Krishtlindjes

Capra trajton një nga temat më të përsëritura në kinematografi: idenë e një klase të mesme me probleme si borxhe, një krizë dashurie ose familjare që në fund lufton një luftë heroike si një aventurier në toka të huaja. Në fakt kjo ka qenë ideja kryesore e “It’s a Wonderful Life”

Nuk janë të shumtë filmat e mëdhenj për Krishtlindjen. Klima e festimeve të Krishtlindjes të jep më shumë ndjesinë e vetmisë të personazheve në fund tek filmi “The umbrellas of Cherbourg” dhe dritëzat dekorative e bëjnë akoma më të çuditshme aventurën erotike të protagonistit tek “Eyes Wide Shut” . Kur filmi i Krishtlindjes kërkon të jetë një ndryshim emotiv ose fetar është e zakonshme që të kthehet në tmerrësisht sentimental. Megjithatë ka një përjashtim nga ky rregull dhe është filmi i Krishtlindjes par excellence, me titull “sa bukur është të jetosh” (It’s a Wonderful Life) dhe u drejtua nga Frank Capra në 1946.

Historia e këtij filmi me metrazh të gjatë filloi me një tregim të shkurtër të titulluar “dhurata më e madhe”, e shkruar nga Philip Van Doren Stern. Meqë nuk është ndonjë kushedi çfarë tregimi, argumenti kryesor (një njeri i quajtur George Bailey në një moment kur kërkon të kryejë vetëvrasje i vjen për vizitë një ëngjëll që i tregon se si do të ishte bota, nëse ai nuk do të kishte lindur), ishte mëse i mjaftueshëm që producentja RKO donte ta blinte për ta bërë një film të protagonizuar nga Cary Grant, i cili nuk e pranoi për arsye të axhendës dhe RKO e hoqi nga lista për ta bërë film. Në këtë mënyrë regjisori dhe producenti Frank Capra e bleu nga producentja të drejtat për ta shfaqur me protagonist James Stewart.

Meqë Capra ishte një nga regjisorët më të njohur të momentit dhe Stewart një yll i madh, bëri që të realizonte një film shumë të kushtueshëm dhe madhështor. U xhirua një një studio gjigande e ngritur mbi një fshat të tërë, e vendosi filmin në një dimër me dëborë, ndërkohë që xhironte në mes të verës (aktorët xhironin me rroba dimërore, i nxehti ishte i padurueshëm) dhe realizoi kështu një nga filmat më të bukur amerikanë për periudhën e Krishtlindjes dhe që është një traditë e domosdoshmërisë së të parit të tij gjatë kësaj feste. Respektoi përshtatjen e skenaristit, por i shtoi një kontekst më të sofistikuar. Si fillim i shtoi historisë origjinale se pse Bailey donte të vetëvritej dhe e vendosi ngjarjen në rrethinat amerikane. Në fakt, ky film ndoshta më së miri reflekton jetën e lagjeve amerikane me ambicie modeste dhe punë, por edhe me idenë e një filmi që të refektonte atë që quhej epika e njeriut të zakonshëm. Për të qënë më të qartë, Capra trajton një nga temat më të përsëritura në kinematografi: idenë e një klase të mesme me probleme si borxhe, një krizë dashurie ose familjare që në fund lufton një luftë heroike si një aventurier në toka të huaja. Në fakt kjo ka qenë ideja kryesore e “It’s a Wonderful Life.”

Këtu Bailey ëndërron një jetë epike, në të cilën udhëton dhe kthehet milioner dhe bën një jetë konvencionale, një baba i një familjeje që ka një biznes familjar. Zbulimi i tij përmes mënyrës se si do të ishte bota, nëse ai nuk do të kishte lindur, kjo jetë e thjeshtë që ai e beson të dështuar, kishte një heroizëm diskret, i cili mundësoi që shumë jetë të prosperonin dhe të shpëtoheshin. Kjo është arsyeja se pse gjatë shfaqjes së tij të parë në 1946 mori kritika negative që e cilësonin filmin si të thjeshtë dhe tepër sentimental.

Filmi do të hakmerrej disa dekada më vonë sepse filluan ta konsideronin si tepër të sofistikuar nga ajo që dukej në pamje të parë. Në këtë situatë del që “It’s a Wonderful Life” është një kostante në jetën e Bailey-it, prirja e tij për të braktisur projektet e jetës madhështore për dashuri ose për një ndjenjë detyre. Kështu që pak nga pak humb gjërat për çdo vendim altruist ose dashuror. Në një pikë del se një nga temat kryesore të këtij filmi është kostoja e lartë e të qënit i mirë.

Nuk njohim shumë filma që trajtojnë këtë temë dhe është një nga gjërat më shqetësuese. “It’s a Wonderful life” pas perdes së emotivitetit nuk duket se është shumë optimist. Të jesh i mirë për Bailey-in nuk duket se i sjell shumë rikompesim, në mos i jep veç vështirësi.  Fati nuk duket së është me George-in që në një moment mund të burgoset për një gabim të një nënpunësi. Emocioni për ta parë Bailey-n në fund të filmit mirë lind sepse në fillim regjisori na zhyti në pusin e dëshpërimit. Ka një logjikë religjoziteti në dëshpërim. Capra, regjisor katolik, u shpreh se e realizoi këtë film sepse perceptonte një valë ateizmi në Amerikën e kohës. Ajo që na thotë Capra është që më mirë t’i besojmë Zotit për të na shpërblyer mirësinë sepse njerëzimi nuk duket se ndihmon.

Kjo errësirë u pa në vitet 60 dhe nuk janë të paktë kritikët ose kineastët që ndihen të shqetësuar nga një film që supozohej të ishte një himn për jetën e Krishtlindjes. David Cronenberg, regjisor, e ka akuzuar si sadist filmin. Një herë Milan Kundera tha se veprat e mëdhaja komike nuk janë ato që bëjnë për të qeshur, por ato që gjejnë forma të reja komike. Në këtë mënyrë “It’s a Wonderful life” jo vetëm që është një film që emocionon, por edhe që krijon një formë të re emocioni, një të çuditshëm dhe intensiv, e bërë nga mrekulli, pemë Krishtlindjeje dhe me deux ex machina kaq të mëdhaja ashtu si edhe kinemaja nga e cila është realizuar ky film gjenial. /bota.al/ KultPlus.com

94-vjeçari telefonon policinë: Kam nevojë të bëj dolli me dikë për Krishtlindje

Një 94-vjeçar në Itali ka bërë bujë në lajmet e mediumeve italiane për festën e Krishtlindjeve, pasi për të mos festuar i vetëm këtë festë zgjodhi të thërriste Policinë t’i bënte shoqëri.

“Jam 94-vjeçar, i vetmuar në shtëpi. Nuk më mungon asgjë, por kam nevojë për një person me të cilin mund të bëj dolli për Krishtlindje”, ka qenë thirrja që italiani 94-vjeçar Alto Reno i ka bërë policisë për të festuar me dikë tjetër Krishtlindjen, transmeton KultPlus.

Dy policë i ishin përgjigjur thirrjes dhe kishin shkuar në shtëpinë e të moshuarve ku ai po i priste.

Ata, siç raportojnë mediat italiane, biseduan me të moshuarin, ngrenë dolli dhe më pas bënë video-telefonatë me familjarët e tij. / KultPlus.com

QKK nuk mbështetë dokumentarin ‘Masakra e Reçakut’, regjisori kërkon përkrahje për projektin

Dje Qendra Kinematografike e Kosovës publikoi projektet të cilat do t’i mbështesë në vitin e ardhshëm, shkruan KultPlus.

Ndër projektet që nuk u mbështetën, ishte edhe dokumentari ‘Masakra e Reçakut’, projekt ky nën regjinë e Ilir Kabashit. Kabashi ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Faebook, ku ka potencuar se ky dokumentar duhet trajttuar si mision dhe si obligim qytetar e profesional, pasi, siç ka cekur tutje ai dëshmitarët e kësaj masakre po plaken e po vdesin.

Më poshtë mund te lexoni reagimin e plotë dhe pa ndërhyrje të Kabashit.

‘Dite me pare shkrova se jemi ne gare ne QKK (Qendren Kinematografike te Kosoves) me dokumentarin: ‘Masakra e Reçakut’.
Nga dje nuk jemi as ne gare. Juria ka bere zgjedhjen e saje. Urojme qe ta kete bere zgjedhjen me te mire dhe urime fituesve. T’tjerat jane fjale…
Kaq sa i perket Jurise dhe QKK-se!..
….
Por, une si regjisor, skenaristi Xheladin Rexhepi dhe producenti Astrit Alihajdaraj vazhdojme te besojme shume, ne kete projekt, vazhdojme qe kete projekt ta trajtojme si mision dhe obligim qytetar dhe profesional. Ndonese me vonese per vite, vonesa po i shtohet edhe me tutje.
Edhe pak dite na ndajne nga 15 janari i pergjakshem…deshmitaret dhe ata qe ishin protagoniste te ndryshem (vendor dhe nderkombetar) po plaken dhe po vdesin. Institucionet tona dhe ne si shoqeri prap do t’ mjaftohemi te themi e ‘dine bota te verteten’.. pa cka se kemi nje gjenerate te re nga paslufta, tek ne dhe ne bote, qe per shkak te dy dekadave ne mes e kane te ‘larget’ edhe kete masaker.
Prandaj nese dikush ka vullnet dhe mundesi te mbeshtese kete projekt jemi te gatshem te shkojme drejt berjes se filmit.
Gezuar Festat e Fundvitit
!’, ka shkruar Kabashi. / KultPlus.com

Zbulimi i rrallë në Sllovaki, gjenden kupat e arta me mbishkrimin ‘Albania’

Mediat e huaja, në Sllovaki bëjnë me dije se një banor i zonës në fshatin Hubinë, teksa ishte duke mbledhur kërpudha, gjeti nën tokë disa kupa të veçanta, me përmbajtje të lartë bakri. Ndërkohë arkeologët kanë thënë se kupat janë të lara me flori të kuq, transmeton KultPlus.

Gjetjet iu dorëzuan Zyrës Rajonale të Monumenteve të Trnavës, ndërsa specialistët kërkuan me detektorë metalikë te i njëjti vend, por nuk gjetën sende të tjera.

Sipërfaqja e të dy kupave është e mbushur dendur me unaza të vogla të farkëtuara, duke krijuar një efekt vezullues.

Ajo që e bën të veçantë, por edhe të mistershme këtë gjetje, është origjina e tyre. Arkeologët thonë se nga inspektimi i imtësishëm, në brendësi të njërës prek kupave është shquar mbishkrimi “Albania”, inicialet dhe një numër.

Sipas tyre, këto enë janë përdorur në liturgjinë kishtare, ndërsa origjina e tyre ballkanike konfirmohet edhe nga punimi karakteristik dhe motivet në këto kupa. Por si kanë përfunduar këto enë kishtare nga Shqipëria në pyllin e fshatit Hubina, në Sllovakinë e largët? Ka gjasa se këto enë, si dhe shumë thesare të tjera të çmuara, të kenë rënë në duart e gabuara, të trafikantëve.

Arkeologët sllovakë besojnë se do të arrijnë të zbulojnë edhe më tepër rreth origjinës së objekteve, ndërsa në të njëjtën kohë i bëjnë thirrje banorëve të zonës, që nëse kanë gjetur objekte të ngjashme, t’i dorëzojnë. /noa/ KultPlus.com

Vdes violinisti i njohur izraelit, Ivry Gitlis

Violinisti i njohur izraelit Ivry Gitlis, ka vdekur të enjten në moshën 98-vjeçare në Paris, kanë njoftuar familjarët e tij, raporton BBC-ja, transmeton KultPlus.

Një figurë jashtëzakonisht karizmatike me pasion për eksperimente, Gitlis është përshkruar si një nga më të mirët të muzikës klasike.

Ai luajti me orkestrat më të mira në botë, por performoi edhe me yje të rokut dhe xhazit.

Në vitin 1955, ai u bë muzikanti i parë izraelit që luajti në Bashkimin Sovjetik. Gitlis ishte gjithashtu një avokat i vendosur i procesit të paqes Izrael-Palestinë.

Ai lindi në vitin 1922 në Haifa nga prindër hebrenj që ishin larguar nga Ukraina dhe filloi të luante violinë kur ishte gjashtë vjeç.

Gitlis kishte një karrierë të suksesshme muzikore dhe ishte ambasador i vullnetit të mirë për Kombet e Bashkuara. / KultPlus.com

Dua Lipa me mesazh motivues për fundvit: Zemra ime është me ju, jemi të gjithë në këtë së bashku

Dua Lipa përmes një postimi ka shkruar një mesazh tejet motivues për fansat e saj, duke pasë parasysh situatën pandemike që tashmë ka bërë që festat e fundvitit të festohen shumë më ndryshe, shkruan KultPlus.

Lipa ka uruar fansat e saj për festat e fundvitit, duke thënë se pandemia globale nuk duhet të jetë shkak që ata të dorëzohen.

“Festat nuk janë gjithmonë të lumtura për të gjithë dhe veçanërisht gjatë këtij viti të vështirë është kaq e rëndësishme të kontaktoni me miqtë tuaj, familjen dhe veçanërisht ata që mund ta festojnë atë larg nga të dashurit e tyre këtë vit ose ata që kanë pësuar humbje. Dërgoni dashuri. Kontaktoni. Duhen vetëm disa momente nga dita juaj. Zemra ime është me të gjithë ju ndërsa shohim fundin e këtij viti dhe ndërsa parashikojmë vitin e ri. Jemi në këtë së bashku. Gëzuar Krishtlindjen. Ju dua x Dua”, ka shkruar Lipa.

Lipa e shoqëroi shkrimin me një fotografi të një qeni me një dekorim festash, si kartolinë për fundvit.

https://www.instagram.com/p/CJOVqUzsZW9/?utm_source=ig_embed

/ KultPlus.com

Si festohen Krishtlindjet në disa vende të botës

Atmosferë magjike që vjen nga larg. Krishtlindjet që festohen në mënyra të ndryshme, e të cilat bëjnë që shumë familje të mblidhen bashkë e të gëzojnë për harmoni dhe ditë më të mira

Festa e Krishtlindjeve ka pasur një histori të gjatë dhe të shumëllojshme. Prej shekujsh thuhet se është festuar në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra vërtet të ndryshme. Mesi i dimrit ka qenë prej vitesh një kohë për të festuar në të gjithë botën.

Në Filadelfia

Në Filadelfia fëmijët presin Babagjyshin në dritare së bashku me mamin dhe babin. Ndërkohë, të rriturit tregojnë historinë e Babagjyshit me detaje magjike, më pas hahet darka tipike e vigjiljeve. Por çfarë gatuajnë banorët e këtij vendi për këtë festë?

Proshutë krishtlindjesh (një lloj mishi i pjekur), i shoqëruar me patate, panxhar të kuq dhe sallatë. Për ëmbëlsirë konsumojnë kek të vegjël me kanellë, xhenxhefil dhe reçel kumbulle. Sapo përfundojnë së shijuari, të vegjlit flenë mbi jastëk të mëdhenjtë pranë dritareve dhe si me “magji”, në mëngjes, gjejnë pakot me dhurata poshtë pemës së Krishtlindjeve.

Në Poloni

Përgatitja e një darke speciale për vigjilje, është një traditë polake. Njerëzit atje gatuajnë dhe u shërbejnë miqve dhe të afërmve, plot dymbëdhjetë pjata të ndryshme (si 12 dishepujt). Menyja, zakonisht, përmban supë me panxhar, ravioli, kërpudha, makarona me mbushje, si dhe pjata me bazë peshkun harengë dhe krapin.

Për të mos u harruar, është edhe një pjatë e madhe e mbushur me “wafer” (ëmbëlsirat tradicionale të meshës): personat e pranishëm në tavolinë, hanë secili nga një prej tyre në nder të lindjes së Jezusit Fëmijë dhe pikërisht për të, rezervojnë edhe një vend bosh në tavolinë. Në Poloni, pema e Krishtlindjeve bëhet pikërisht mbrëmjen e 24 dhjetorit.

Në Austri

Në Austri, traditat e festimeve të Krishtlindjes fillojnë që më 5 dhjetor me “çorapët” e mbushura me ëmbëlsira dhe karamele. Por, sipas zonave dhe provincave, ekzistojnë shumë tradita, të cilat duhen respektuar dhe rituale që duhen ndjekur.

Për shembull, në Korintia, të gjithë së bashku përgatisin “Kletzenbrot” ( një lloj buke me dardha të thata) dhe sallam me lakër turshi (ushqim tipik austriak për të festuar Krishtlindjet). Në Salzburg, gatuhet “Bachlkoch”, një përzierje e qumështit me miellin, ndërsa më pas ndihet kudo rënia e një kambane magjike, e cila sinjalizon ardhjen e Krishtlindjeve.

Në Zvicër

Fëmijët zviceranë e zbukurojnë shtëpinë me gjësende të veçanta prej fijesh kashte dhe me lule të kuqe, blu dhe rozë. Por jo vetëm kaq; me rastin e Krishtlindjeve, atje përgatiten edhe biskota të veçanta të cilat vendosen në çdo dhomë pranë dritareve, për të “thirrur” Babagjyshin. Mbrëmjen e vigjiljes, për të ngrënë përdoret një supë speciale prej orizi me salsiçe dhe me qofte mishi.

Shumë i përzemërt në Zvicër është edhe festimi i Santa Luçias (më 13 dhjetor). Me këtë rast, vajza e madhe (ose mamaja, nëse shtëpia ka vetëm fëmijë meshkuj) vishet si Babagjyshi: me një mjekër të bardhë, me brez të kuq dhe një kurorë me drita të ndezura. E veshur në këtë mënyrë, “Santa Luçia”, sjell një qese të madhe të mbushur me ëmbëlsira për të gjithë familjen.

Në Meksikë

Në Meksikë, festa e Krishtlindjeve zhvillohet nëntë ditë para datës 25 dhjetor. Quhet “Las navidades” dhe festimet zhvendosen nëpër kishat kryesore të vendit. Gjatë këtyre ditëve, të cilat simbolizojnë shtatzëninë e Marias, në çdo shtëpi përgatiten dhuratat e mëdha të mbështjella me letër të kuqe. Disa prej tyre mbushen me frutat e stinës, fishekzjarrë dhe kallame sheqeri.

Në prag të përfundimit të nëntë ditëve, zhvillohet një shfaqje e shkurtër, e cila njihet si “Las posadas”. Një çift troket derë më derë me qirinj të ndezur, duke personifikuar Jozefin dhe Marian që kërkojnë një vend për të kaluar natën, ashtu siç ndodh para Lindjes së Krishtit. Në mesnatë, të gjithë së bashku këndojnë dhe hapin dhuratat me bastunë, më pas shtrihen në tokë në kërkim të frytit më të mirë. / KultPlus.com

Shpallet pema më e bukur e Krishtlindjeve në Evropë

Disa ditë më parë, për të dytin vit radhazi, kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius, është zgjedhur qyteti me pemën e Krishtlindjes më të bukur në Evropë, duke lënë prapa Pragën dhe qytetet e tjera të mëdha

Vizualisht, pema e Krishtlindjes duket si një imazh surreal – një kompozicion modern i lartë 24 metra, transmeton KultPlus.

Është rrethuar nga 6.000 degë të gjalla dhe aromatike të zbukuruara me pothuajse 4 km drita të Krishtlindjes që ndryshojnë ngjyrat, 800 dekorime argjendi dhe 150 metra katrorë pasqyra.

Instalimi më modern në të vërtetë është i dyfishtë: vendosja hapësinore e strukturave metalike krijon disa sipërfaqe të zbukuruara me pasqyra, ndërsa pjesa e brendshme është bërë që të duket komode, si shtëpi dhe intime me një pemë të Krishtlindjeve të gjallë të zbukuruar me boça pishash dhe fenerë.

Pemët e Vitit të Ri nga Vilnius janë bërë të njohura falë temave të tyre origjinale, dekorimeve unike dhe atmosferës magjike që evokojnë.

Thuhet se Pema e Krishtlindjeve e Vilniusit është aq e ndritshme sa është e dukshme me sy të lirë për të gjithë që fluturojnë mbi kryeqytetin e Lituanisë

Pema e Krishtlindjeve e Vilniusit do të kënaqë vizitorët deri më 7 janar 2021. / KultPlus.com

Princi William dhe Kate Middleton: Nuk është e drejtë të urojmë Krishtlindjen këtë vit

Princi William dhe Kate Middleton kanë thënë “se nuk është e drejtë ” ta urojnë Krishtlindjen këtë vit dhe ” po shpresojnë për një 2021 më të mirë ” përpara se të dërgojnë mendimet dhe dashurinë e tyre tek ata persona që do ta kalojnë vetëm këtë ditë.

Në Twitterin zyrtar të Pallatit Mbretëror, Duka dhe Dukesha, të dy 38 vjeç kanë shkruar:

” Të urojmë gëzuar Krishtlindjen këtë vit nuk është e drejtë, kështu që jemi duke shpresuar për një 2021 më të mirë . Këtë Krishtlindje mendimet tona janë me ata që po e kalojnë ditën vetëm, me ata që po vajtojnë për humbjen e një personi të dashur dhe për të gjithë  ju që po shpenzoni energjinë tuaj  për të na rikthyer sërish jetën tonë”.

Postimi erdhi një javë pasi Kryeministri britanik lajmëroi se data 25 nuk do të ishte ashtu siç u planifikua, duke bërë që Duka dhe Dukesha të anulonin planet e tyre ashtu si gjithë familjet e tjera të vendit.

Planet e tyre kishin qenë që bashkë me fëmijët , George, Charlotte dhe Louis, të vizitonin shtëpinë e klasës së II të Middletons në Bucklebery, shkruan Emily Andrews për Mail të Dielën.

Motra e Kate, Pippa, burri i saj James dhe djali i tyre Arthur gjithashtu do t’i bashkoheshin familjes në Bucklebury për Krishtlindje.

Do të jetë e trishtueshme për Mike dhe Carole të cilët kishin planifikuar Krishtlindjen e tyre të parë me të katërt nipërit dhe mbesat .

Si një “mbretëreshë e kuzhinës ”  Carole bëri të ditur dy vite më parë në një intervistë se gatimet e saj tipike të Krishtlindjes ishin “byrek me mish të grirë dhe verë.”

Sot familja mbretërore do të festojë vetëm. / KultPlus.com

‘E vetmja gjë që nuk e marrim dhe japim mjaftueshëm është dashuria’

Henry Miller është shkrimtar amerikan i shekullit të XX që shkroi një lloj të ri të novelës, e karakterizuar më vonë si një autobiografi e fiksionit.

Veprat tij janë “Tropic of Cancer” (1934), “Tropic of Capricorn” e cila u publikua në vitin 1939. Novela “Black Spring” u botua në vitin 1936 dhe më pas libri i udhëtimeve “The Colossus of Maroussi” (1941).

KultPlus ju sjell thëniet më të famshme të Henry Miller:

Ne vrasim sepse frikohemi nga hija jonë, frikohemi se nëse shfrytëzojmë pakë mendjen do të duhej të pranonim se principet tona të famshme janë gabim.

E vetmja gjë që nuk e marrim mjaftueshëm është dashuria. Dhe e vetmja gjë që nuk e japim mjaftueshëm është dashuria.

Rrëmujë është fjala e shpikur për të treguar një rregull që nuk kuptojmë.

Njeriu që merakoset vazhdimisht për hallet e njerëzimit ose nuk ka halle të vetat ose refuzon të përballet me to.

Qëllimi është në të shndërruarit e jetës në art.

Janë vetëm tre gjëra për të bërë me një grua. Ta duash atë, të vuash për të ose ta kthesh në letërsi. / KultPlus.com

Nis restaurimi i shtëpisë së piktorit Ali Shijaku, monument kulture e destinacion turistik

Ka nisur restaurimi i shtëpisë së piktorit të njohur Ali Shijaku, e ndërtuar në vitin 1400 e cila ka një arkitekturë tipike të shtëpive tiranase.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ku thekson se kjo shtëpi është një monument kulture dhe një destinacion turistik në kryeqytet për vizitorët.

“Ka nisur restaurimi i shtëpisë së piktorit Sali Shijakut, monument kulture e destinacion turistik. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Tiranës kanë nisur punën për restaurimin e odës së zjarrit, zëvendësimin e trarëve dhe rregullimin e dyshemesë, dritareve e çatisë”, shprehet Margariti.

Ky objekt është vlerësuar si një ndër  më të vjetrit në Ballkan e cila vazhdon të jetë ende funksionale. Banesa e piktorit Ali Shijaku ka shërbyer në një farë mënyre edhe si një ekspozitë e piktorit pasi kanë qenë të ekspozuara brenda ambienteve të saj rreth 100 punimet që konsiderohen njëkohësisht edhe si ndër punimet më të mira të tij.

Ky objekt është shpallur monument kulture. Në katin e parë ndodhet dhoma e pritjes që zhvilloheshin aktivitete të ndryshme afër oxhakut dhe vendi është i mbushur me piktura të veçanta. Në katin e dytë janë dhomat e gjumit, ku gjithashtu është e mbushur me piktura dhe portrete.

Piktori Ali Shijaku ka lindur në Tiranë më 12 mars të vitit 1933 në një familje të vjetër tregtare tiranase. Piktori ka qenë student i mjeshtrit të madh  prof. Boris Vladimiroviç Joganson, në Shën Petërburg kur ai studioi në ish-Bashkimin Sovjetik. /ata/ KultPlus.com