Nëntë kuriozitete për ishullin e erëzave, Zanzibarin

Zanzibari, ishulli i erëzave, vendi ku koha rrjedh ndryshe, të gjithë përshëndeten me mirësjellje dhe pasdite pinë çaj.

Ky ishull është një rajon gjysmë-autonom, në Oqeanin Indian. Edhe pse zyrtarisht i përket Tanzanisë, në pothuajse të gjitha aspektet si në politikë, fe, kulturë, madje edhe ushqim, ai ndryshon nga ai vend, sipas National Geographic.

Populli Suahilian jeton në bregun lindor të Afrikës dhe flet gjuhën Suahile.

Ndërsa të krishterët, myslimanët dhe vendasit jetojnë në pjesën kryesore të Tanzanisë, në Zanzibar, e cila është udhëhequr nga Omani për shekuj, popullsia është pothuajse tërësisht myslimane.

Sot, në shumicën e fshatrave dhe qyteteve ku populli Suahilian është shumicë, xhamitë janë themeli i jetës dhe zbatohet feja islame. Sidoqoftë, disa komunitete përfshijnë elemente të besimeve tradicionale afrikane në fenë e tyre.

Zanzibari është një bazë për tregtarët nga Afrika, India dhe vendet arabe, dhe kryesisht tregtohet me erëza, ndërsa popullata lokale merret gjithashtu me bujqësi dhe peshkim. Ky ishull ka presidentin dhe legjislaturën e vet, kështu që popullata nuk ndihet sikur i përkasin Tanzanisë.

Në kulturën e këtij populli, një ditë e re fillon para lindjes së diellit, jo në mesnatë, që do të thotë se kur ora është shtatë e mëngjesit, tek ata në të vërtetë është ora një, dhe ora shtatë e mbrëmjes është në orën një të natës.

Sipas tyre, kjo matje funksionon sepse lindja dhe perëndimi i diellit janë relativisht konstante gjatë gjithë vitit, sepse Zanzibar është afër Ekuatorit.

Përshëndetja atje është shumë e rëndësishme. Shpesh kjo është turbulluese për turistët, sepse ata kanë paragjykime dhe mendojnë se popullata dëshiron t’u shesë diçka.

Megjithatë, ky nuk është rasti, përshëndetjet janë pjesë e kulturës së tyre. Ato më të përdorurat janë “Mambos” dhe “Jambos”, ndërsa “Shikamoo” i drejtohet dikujt që e njohin më pak.

Ky qytet antik u shpall monument kulture nga UNESCO në vitin 2000. Qyteti është në të vërtetë një labirint i vogël dhe megjithëse ka disa rrugë që kanë emra, askush në të vërtetë nuk i përdor ata.

Në Zanzibar, jeta është e ngadaltë dhe orari i punës nuk ka gjithmonë kuptim.

Ishulli ka dy sezone me shi, sezonin e gjatë dhe atë të shkurtër. Sezoni i gjatë me shi zgjat nga muaji mars deri në maj, por menjëherë pasohet nga një verë e gjatë dhe e ngrohtë afrikane.

Ndërsa sezoni i shirave dhe i reshjeve afatshkurtra, ndodh në nëntor dhe dhjetor.

Zanzibar-i ka ndryshuar shumë sundimtarë gjatë shekujve, dhe një histori e tillë ka kontribuar në krijimin e një prej kuzhinave më interesante afrikane. Traditat indiane, arabe, portugeze dhe afrikane të gatimit janë të përziera, të gjitha me praninë e shumë erëzave, sipas të cilave Zanzibar mori epitetin “ishulli i erëzave”.

Kultura e pirjes së çajit është një tjetër veçanti e Zanzibar-it. Çaji më së shpeshti pihet kur perëndon dielli dhe një nga çajërat më të njohur është tangawizi, çaj xhenxhefili me vanilje. /op/ KultPlus.com

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku

Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim… / KultPlus.com

Mënyra e re e jetës që solli Covid-19


Si u përjetua në Europë virusi që mori miliona jetë

Askujt nuk ja priste mendja që viti 2020 do të sillte një mënyrë të re jetese. Pandemia e Covid-19 solli rregulla, duke filluar që tek larja e duarve , mbajtja e maskës, takimet e kufizuara me familjarët si dhe distancimin shoqëror.

Shtetrrethimet ishin ato të cilat u pritën me shumë protesta në të gjithë botën, për të cilën njerëzit e quajtën shkelje të të drejtave.

Izolimi në Spanjë ishte ndër më të ashprit në Europë, për të moshuarit dhe familjet me të ardhura më të ulëta. Spanjollët janë një shoqëri e mësuar me bashkëpunim dhe komunikim shoqëror. Kostoja ekonomike ishte shumë e lartë, po ashtu edhe ndikimi në shëndetin mendor të qytetarëve.

Italianët ishin të parët që u prekën nga virusi, të parët që panë sistemin shëndetësor afër kolapsit dhe shumë humbje jete. Por respektimi i madh i masave në valën e parë të pandemisë filloi të ndryshonte me valën e dytë ku u panë edhe protesta të shumta kundër kufizimeve të reja.

Tensione pati edhe në Gjermani por shumica e gjermanëve ishin pro masave kufizuese. Qeveria e këtij shteti ndoqi një strategji shumë të mirë të testimit të popullatës.

Suedia është ndër të paktat vende që shmangu vendosjen e shtetrrethimit dhe e ndërtoi strategjinë e saj kryesisht rreth udhëzimeve për respektimin e distancimit shoqëror. Publiku u pajtua në fillim por ndërsa rastet u rritën gjatë valës së dytë.

Në fund të vitit 2020 një ligj i ri pandemik bëri që të izoloheshin një pjesë e madhe e popullsisë , duke mbyllur dyqanet dhe transportin publik madje edhe kufijtë.

Bashkimi Europian nuk ishte i përgatitur mire. Kjo shkaktoi kaos në furnizimet mjekësore dhe kolaps në vendet e varfra . Aktualisht problemi aktual mbetet vaksinimi pasi po shikohet një shpërndarje e pabarabartë dhe jo e drejtë e vaksinave të miratuara. Kjo për shkak se një pjesë e madhe e vendeve të pasura kanë marrë më shumë doza duke lënë pas kombet e varfra që deri më tani nuk kanë vaksinuar as çerekun e popullsisë. /express/ KultPlus.com

Civita Dhe Muzeu Etnik Arbëresh në fokusin e televizionit italian

Kanali televiziv “Rai Calabria” i ka kushtuar një kronikë të zgjeruar informative komunës arbëreshe Civita dhe Muzeut Etnik Arbëresh, të ndërtuar aty nën kujdesin e shoqatës kulturore “1 Placco”, dhe dy nga prej drejtuesve të tij Demetrio dhe Stefania Emmanuele, të cilët drejtojnë edhe revistën historike “Katundi ynë”.

Gjatë rrëfimit të saj për pasurinë e paçmuar arbëreshe të zonës ku ka lindur dhe është rritur Stefania, flet edhe për bukuritë fizike të kësaj zone turistike, si dhe planet për projektet e reja.

Ajo shpjegon për dëgjuesit italianë se në Civita ashtu si edhe në pjesën më të madhe të katundeve arbëreshe, jeta komunitare ka patur rëndësi të madhe e ndaj ndër ta u zhvilluan gjitonitë, si forma qendrimit së bashku, të shkëmbimit të bisedave, por edhe të ndihmës së ndërsjelltë.

Në fokus të projekteve të shoqatës ku bën pjesë është edhe rigjallërimi si dikur i shesheve të komunave arbëreshe dhe i gjitonive në lagjeve të gurta.

Në pjesën e dytë të kronikës së transmetuar në edicionin informativ TGCal24, foli edhe babai i Stefania, drejtuesi për 50 vite i revistës më të njohur e më jetëgjatë arbëreshe “Katundi Ynë”, Demetrio Emmanuele, i cili shpjegoi detajet që lidheshin me rëndësinë dhe jetëgjatësinë e kësaj reviste. /dp/

Biden shpall katastrofën natyrore prej stuhisë së dëborës në Texas

Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur sot gjendjen e katastrofës natyrore në Texas, duke i hapur rrugë dërgimit të fondeve dhe ndihmës në shtetin amerikan të goditur nga stuhia vrasëse e dëbores.

Energjia elektrike është duke u rikthyer në Texas dhe temperaturat pritet të rriten por më shumë se 10 milionë njerëz ende përballen me defekte të rrjetit elektrik dhe të sistemit të ujit të pijshëm.

Biden tha se do të vizitojë Texas kur prezenca e tij të mos jetë pengesë për përpjekjet e ndihmës e shpëtimit.

Rreth 60 vdekje në të gjithë Shtetet e Bashkuara i janë atribuar stuhisë dimërore.null

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej sot se presidenti Biden “ka urdhëruar asistencë federale për shtetin e Texas, në ndihmë të përpjekjeve vendore, në zonat e përfshira nga stuhitë dimërore”.

“Asistenca do të përfshijë grante për strehim të përkohshëm, riparime shtëpiake, hua me kosto të ulët për dëmet e shtëpive të pasiguruara dhe programe të tjera ndihme për individët dhe bizneset e prekura nga katastrofa”.

Përveç të tjerave, stuhia dimërore ka ndërprerë furnizimin me ujë në qytetin Jackson, Mississippi – ku banojnë rreth 150,000 njerëz – si dhe në një zonë të madhe të shtetit Tennessee duke përfshirë qytetin e Memphis, me 651,000 banorë.

Deri dje, rreth 180,000 shtëpi e biznese nuk kishin energji elektrike në Texas ndërsa në të gjithë SHBA, shifra llogaritej në 3.3 milionë njerëz. /express/ KultPlus.com

Këngëtarja shqiptare sjell projektin “Ninull”, album me këngët e djepit

Ninullat e fëmijëve duke përfshirë edhe këngët që gjyshja ia ka kënduar si fëmijë, artistja shqiptare nga Italia, Hersi Matmuja ka vendosur t’i sjellë në një album të quajtur “Ninull”.

Ajo për këtë ka treguar në një lidhje të drejtpërdrejtë.

“Ky projekt ështe mjaft i rëndësishëm, pasi ka qenë një rilindje e vogël muzikore dhe shpirtërore, sidomos ninulla e nënës time që unë këndoj në shqip, sepse më kujton fëmijërinë time. Ky projekt shoqëron të gjitha nënat që në muaj e shtatzënisë. Kjo CD është një ndër CD-të që do jenë pjesë e një projekti në vendin ku unë jetoj. Do të jetë një projekt me ninulla nga e gjithë bota, sepse sipas studimeve ninullat janë shumë të rëndësishme që kur fëmijët janë në barkun e nënës. Më pas kur fëmija të vij në jetë fëmija do të jetë në gjendje të njoh zërin e nënës teksa këndon”, tregon Hersi Matmuja.

“Djali i mikeshës saj italiane është rritur me ninullën e nënës Hersi, me ninullë shqiptare”, tregon Hersi në një intervistë në “Ftesë në 5” së bashku me bashkëpuntoren e saj italiane, instrumentisten Ilaria Fantin.

Këngëtarja shqiptare, jeton në Itali prej më shumë se 10 vitesh. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës në vitin 2014 dhe ka një karrierë të suksesshme artistike. / KultPlus.com

10 bibliotekat më të veçanta në botë

Thonë, mos e gjyko një libër nga kopertina e tij. E njëjta gjë vlen për bibliotekat në të gjithë botën. Eshtë brendia ajo që mund ta krijojë një histori të bukur.

Më poshtë të rënditura gjeni 10 bibliotekat më të mrekullueshme në të gjithë botën.

1. Biblioteka dhe Muzeu “The Morgan”, New York, Shtetet e Bashkuara

Gjendet në zemër të New York-ut. “The Morgan” përfshin një bibliotekë, muze, salla shfaqjesh, dhe njëkohësisht është shtëpia e koleksionit privat të librave të financierit, JP Morgan. Ajo është gjithashtu shtëpia e një koleksioni të madh të shtypjeve, vizatimeve dhe librave të shtypur para vitit 1500 të artistëve evropianë si Leonardo, Michelangelo dhe Rembrandt. Në raftet e bronzta të bibliotekës gjenden dorëshkrimet origjinale të Sir Walter Scott dhe Honoré de Balzac.

2. Biblioteka e qytetit Stuttgart, Gjermani

Moderne, minimaliste dhe estetikisht e këndshme – këto janë vetëm disa fjalë për të përshkruar Bibliotekën e Qytetit të Stuttgartit. Biblioteka është hapur në vitin 2011, dhe i ngjan një piramide të përmbysur. Me hapësirën e tij të hapur dhe shkallët që lidhin bibliotekën shumëkatëshe, ofron një vend unik për të lexuar.

3. Biblioteka e Manastirit Strahov, PragëÇeki

E ndërtuar në vitin 1679, “Biblioteka e Manastirit Strahov” luajti një rol të rëndësishëm në historinë çeke dhe është “shtëpia” e mijëra shtypjeve të bëra midis shekujve 16 dhe 18. Po ashtu, është e njohur për afresket biblike që “të lënë pa frymë”. Biblioteka ka dy salla: sallën teologjike dhe sallën filozofike, të cilat janë të gjitha të dekoruara me shkëlqim.

4. Biblioteka Abbey Admont, Austri

Biblioteka e Abontit Admont është një nga manastiret më të vjetra dhe më të mëdha në botë. Eshtë shtëpia e 70,000 mijë vëllimeve. Ambientet e brendshme janë zbukuruar me afreske dhe skulptura nga dy artistë të mëdhenj të periudhës barok, Bartolomeo Altomonte dhe Joseph Stammel.

5. Biblioteka Tianjin Binhai, Kinë

E quajtur si “Syri” për shkak të sferës në mes të bibliotekës, si dhe pamjes së saj unike nga jashtë që i ngjan një syri gjigand, kjo bibliotekë me pesë nivele është projektuar nga firma arkitektonike Hollandeze. Kjo bibliotekë është shtëpia e 200,000 mijë librave.

6. Biblioteka Publike e Stokholmit, Suedi

Projektuar nga arkitekti i njohur suedez Gunnar Asplund dhe themeluar në vitin 1928, Biblioteka Publike e Stokholmit është ikona më e njohur e qytetit, për strukturën e saj cilindrike. Biblioteka publike është gjithashtu e para në Suedi me rafte të hapura që u jep vizitorëve lirinë e qasjes pa ndihmën e stafit, një koncept ky i frymëzuar nga bibliotekat amerikane.

7. Biblioteka e Kolegjit Trinity Dublin, Irlandë

Mban 200,000 mijë nga librat më të vjetër në raftet e saj prej lisi. Po ashtu ka edhe objekte historike dhe dorëshkrime, si Libri i Kells dhe Libri i Durrow ー prezantuar nga Henry Jones, Peshkopi i Meath etj.

8. Biblioteka Alexandrina, Egjipt

“Biblioteka Alexandrina” gjendet në bregun e Detit Mesdhe në Aleksandri, pranë një pishine të madhe reflektuese. Biblioteka e Aleksandrisë dikur konsiderohej një nga bibliotekat më të mëdha dhe më domethënëse të botës antike. Ajo ka hapësirë në raft për tetë milion libra dhe gjithashtu “strehon” një qendër konferencash, katër muze, katër galeri arti, 15 ekspozita të përhershme, një planetar dhe një laborator të restaurimit të dorëshkrimeve.

9. Biblioteka Vasconcelos, Meksikë

Njihet gjithashtu si Megabiblioteca (mega-biblioteka) në Meksikë. Dizajni unik i rafteve dhe ballkoneve të grumbulluara në mënyrë asimetrike dhe muret transparente, nxjerrin iluzionin e librarive me levitim. Ndjenjës së saj të mrekullisë i shtohet një instalim i përhershëm arti nga Gabriel Orozco që është skeleti i një balene që qëndron mbi sallën qendrore të bibliotekës. Biblioteka është projektuar nga arkitektët meksikanë, Alberto Kalach dhe Juan Palomar

10. Biblioteka e Universitetit të Artit Tama, Japoni

Kjo bibliotekë njihet si një arritje arkitektonike për konceptin e saj. Është ndërtuar në vitin 2007 dhe që atherë dizajni i saj modern mbetet i përjetshëm, me harqe prej betoni, mure qelqi dhe mobilje minimaliste. /op/ KultPlus.com

Historia emocionuese: Dashuria fiton çdo gjë

Marisa dhe Marco kanë 80 vite që po jetojnë dashurinë e tyre. Ajo është 101 vjeç, ai 102 dhe historia e tyre ka zgjatur 80 vjeç. Tani janë duke imagjinuar për puthjen e parë që do t’i japin njëri-tjetrit sapo virusi të largohet.

“Dashuri e madhe, e madhe,” thotë Marco.

Marisa dhe Marco janë martuar në pranverën e vitit 1941.

Unë e përsëris për të miliontën herë që ka qenë një mrekulli. Momenti më i bukur ka qenë kur e përqafova,” thotë Marco.

“Marisa më pyeti ‘A më do’?”

“Shumë, shumë, shumë.”

Marisa thotë se dashuria e tyre ishte gjëja më e bukur që kishte ëndërruar.

Marco gjatë luftës së dytë Botërore, mori pjesë në anën e Rusisë. Marisa nuk mori asnjë lajm nga ai për tre vite rresht.

“A mund ta imagjinoni ankthin e tri viteve duke pyetur veten nëse është gjallë apo jo,” thotë Marco.

“Unë një ditë mora lajmin më të bukur që Marco ishte gjallë, larg por gjallë, ” emocionohet Marisa.

Marisa për tre vite e gjysmë shkonte në stacionin qendror ku vinin lajme me emrat e ushtarëve të vdekur. Emri i Marcos për fat të mirë, nuk arriti kurrë.

“Çdo javë vinte një listë e gjatë e personave që nuk jetonin më,” thotë Marisa.

“Marco u kthye i fortë dhe është këtu, ” thotë ai duke qeshur.

Marko u kthye nga Rusia në vitin 1946.

Ai dhe Marisa u martuan në vitin 1941. Kanë pasur dhe kanë akoma një jetë të lumtur, me tre fëmijë, 6 nipër dhe 3 stërnipër.

“Janë të pakëta historitë si e jona,” thotë Marisa. /konica.al/ KultPlus.com

Shënohet 32 vjetori i grevës së minatorëve

“Java e Minatorëve”, që ka nisur sot, këtë vit për shkak të COVID-19 është shënuar më ndryshe për dallim nga vitet paraprake ku çdo herë është organizuar manifestim qendror për nder të grevës historike të minatorëve të “Trepçës” të vitit 1989.

Me rastin e shënimit të përvjetorit të “Javës së Minatorëve” u organizuan disa aktivitete simbolike ku morën pjesë kryetari i komunës Agim Bahtiri, bordi i ndërmarrjes “Trepça” së bashku me menaxhmentin, si dhe disa prej minatorëve.

Ata bënë nderime tek pllaka përkujtimore e punuar nga komuna në shenjë nderimi për të gjithë minatorët e vitit 1989 emrat e të cilëve janë të vendosur në atë pllakë.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, tha se ishin minatorët që me grevën e tyre arritën t’i mobilizonin të gjithë shqiptarët kudo që ishin, dhe se kjo padyshim ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë. /express/ KultPlus.com

Kulaçi arbëresh kandidat në UNESCO

Kulaçi arbëresh, (cugliaccio) është një nga elementët e përfshirë në kandidaturën e Motit të Madh, riteve dhe trashëgimisë arbëreshe për në UNESCO.

Cugliaccio (në arbërisht Kulaç) është një ëmbëlsirë tipike e traditës gastronomike arbëreshe të San Costantino Albanese. Që nga shekulli i 16-të, përgatitja e kësaj buke ka qenë e lidhur me dasma dhe festat e Pashkëve, dhe karakterizohet nga një simbolikë e fortë fetare, e cila vepron në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kultures Arbëreshè.

E pasur me vezë, ajo përgatitet me përbërës të thjeshtë (miell gruri i butë, bollgur i bluar, vaj, sallo, maja natyrore, maja birre dhe kopër e egër), për të përmirësuar jetën dhe Ringjalljen, duke kujtuar shpërndarjen tradicionale të vezëve të ziera të ngjyrosura, gjatë së Dielës së Pashkëve. Në Mesjetë, në fakt, ishte e ndaluar të hahej vezë, ushqim me origjinë shtazore, gjatë kërkesave shumë të rrepta të agjërimit të Kreshmës. Vezët e pjekura nga pulat në ato gjashtë javë duhej të hidheshin shpejt, kështu që ato u bekuan në kishë gjatë meshës së së Dielës së Pashkëve dhe më pas u dhuruan, të konfirmuara, për miqtë dhe të afërmit, si një dëshirë për pjellori.

Me rastin e dasmave, Kulac përgatitet dhe paketohet nga të afërmit e dhëndrit, të enjten para dasmës, e cila në San Costantino Albanese drejtohet me ritin Greko-Bizantin. Në këtë rast ajo ka një brumë rrethor, me një ndërthurje që formon katër krahë, që dëshiron të përfaqësojë pazgjidhshmërinë e martesës.

Sipërfaqja e saj dekorohet me simbole të bëra me brumë: një fole, dy zogj dhe dy gjarpërinj. Foleja, në qendër të tortës, përfaqëson familjen e re dhe shtëpinë e saj. Vezët në të janë gjithmonë të çuditshme, si një shenjë e fatit të mirë dhe pjellorisë. Zogjtë fillimisht përfaqësojnë vjehrrat; nga ana tjetër, gjarpërinjtë përshkruajnë bashkëshortët, të cilët me keqardhje shikojnë prindërit e lënë. Më vonë, zogjtë shndërrohen në çift të ri dhe gjarpërinjtë përfaqësojnë të keqen.

Sipas traditës, duhet të përgatiten dy “cugliaccio” për secilën ceremoni, njëra e zbukuruar dhe tjetra e thjeshtë. E thjeshta vihej nën tjetrën, meqenëse gjatë meshës, e dekoruara ofrohej nga prifti, pasi ishte lagur me verë, dhe i jepej fillimisht nuses dhe më pas dhëndrit, si shenjë e përkatësisë së ndërsjellë.

Gërshetat e kulaçit

Ajo e kulaçit, siç e shohim, nuk është thjesht një recetë e kuzhinës, por një simbolike dhe përfaqësim i botës arbëreshe, e cila tregon një histori dhe shënon një ndryshim. Ky rit i kalimit ka të bëjë me ndryshimin që, me kremtimin e martesës, do të ndodhë brenda bashkësisë së vogël, fqinjësisë, familjeve të përfshira dhe veçanërisht jetën e bashkëshortëve.

Por mbi të gjitha “cugliaccio” është paraqitja e ndryshimit brenda jetës së dy të rinjve. /dp/ KultPlus.com

Ekspozita “Rënia e një diktatori” në sheshin “Skënderbej”

Me rastin e 30-vjetorin të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha u çel këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej” ekspozita “Rënia e një diktatori”.

Ambasadori I Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf i pranishëm në aktivitetin në kuadër të “Ditëve të Kujtesës “ të IDMC dhe Konrad Adenauer-Stiftung Albanien nxiti vazhdimin dhe intensifikimin e punës përkujtimore ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.

“Viktimat e diktaturës kanë të drejtën të mbahen mend. Është e rëndësishme të kujtojmë historinë e secilit dhe të ruajmë vendet e ngjarjes si vende përkujtimore. Një kulturë aktive e përkujtimit është gjithashtu e rëndësishme, në veçanti për të sensibilizuar të rinjtë për faktin se paqja, pluralizmi demokratik, toleranca dhe pranimi nuk janë dhe nuk kanë qenë marrë si të mirëqena në historinë e Europës”, tha Zingraf.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, u shpreh se  “këto aktivitete janë mënyra se si ne duhet të dialogojmë pa nevojën e fillimit të gjuetisë shtrigave që merret me emra individësh apo grupimesh. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e ka deklasifikuar tërësisht dokumentacionin që ka të bëjë me periudhën komuniste, me përjashtim të shumë pak që përbëjnë ende ‘sekret shtetëror’ dhe kjo që të kuptojmë se si është ndërtuar diktatura deri në grahmat e fundit”.

Në takim mori pjesë edhe Çelo Hoxha, Drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili kujtoi lëvizjen e 30 viteve më parë, ndërsa theksoi se rrezimi i shtatores pati efekt psikologjik.

“Duhet të kishim disa dokumente që të na shpjegonin më tepër atë që Byroja Politike po mendonte pas vdekjes së diktatorit, se çfarë do bëhej më tej. Por këto dokumente ende mbajnë siglen ‘sekret’, ndaj i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të deklasifikohen dhe historia të shkruhet dhe të analizohet siç ka qenë. Pas vdekjes së diktatorit në një mbledhje në prani të Nexhmije Hoxhes, u propozua që Tiranës t’i vihet emri Enver Hoxha, propozim që u duartrokit nga të gjithë”, tha drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole.

Erblin Vukaj që ka punuar me ekspozitën, tha në ceremoni se “ndonëse në publik  është folur për forcat e rendit që ato ditë ishin më të zbutura, ende nuk dihet se çfarë diskutohej në mbledhje dhe çfarë urdhrash qarkullonin, pasi disa prej urdhrave janë ‘sekret shtetëror’. Ende nuk dihet qartë se çfarë diskutonte pushteti në ditët e levizjeve”. /ata/ KultPlus.com

Etnomuzikologu Haxhi Dalipi, i përjetësuar në polifoninë shqiptare

Kontributi i etnomuzikologut, Haxhi Dalipit në sferën muzikore është tejet i madh, aq sa ai mori titullin “Artist i Merituar”.

Ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.

Në shkollën e mesme e studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Pas përfundimit të studimeve, për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend. Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Deri një vit më parë, Dalipi ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në krye të këtij institucioni i cili e kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm, Dalipi u mundua të rikthente publikun, të organizonte koncerte dhe të ringjallte edhe njëherë korifenjtë e muzikës dhe valles shqiptare.

Të munguara për vite me radhë, ai i ktheu ansamblit turnetë nëpër rrethe dhe pjesëmarrjen në aktivitete dhe festivale ndërkombëtare. Ai u dorëhoq nga drejtimi i Ansamblit, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vendosi ta kalonte atë sërish nën varësinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ai vdiq në vitin 2006. /dp/ KultPlus.com

“Djali im ecë, veç pak ma kadale” nga Iliriana Arifi, së shpejti premierë në Teatrin Dodona

Medina Pasoma

Fati i trishtë i një familje dhe ikja nga përballja me realitetin do të bëjnë që në muajin prill, ulëset e Teatrit Dodona të mbushen me shikues për premierën e shfaqjes “Djali im ecë, veç pak ma kadale” nën regjinë e Iliriana Arifit, shkruan KultPlus.

Dramën e shkruar nga Ivor Martinic e mirëpriti Arifi, e cila nëpërmjet profesionalizmit të saj vendosi ta jetësoj në teatër. Tanimë, teksa shfaqja ka gjetur mbështetjen e Komunës së Prishtinës, KultPlus ka realizuar një intervistë me regjisoren, për të kuptuar tutje thellësinat të cilat do t’ia dhuroj artdashësve kjo shfaqje në ardhje.

“Kjo shfaqje do të filloj provat në muajin mars në një kohëzgjatje prej 40 ditësh. Besoj se kjo është kohë e mjaftueshme përgatitore për premierë, pasiqë këtë tekst e kam në dorë qe disa muaj”, thotë Arifi.

Ajo tregon se përzgjedhja e aktorëve të cilët do të jetësojnë rolet e dramës është në proces e sipër, teksa për nga aspekti i regjisurës gjithçka është gati. Në anën tjetër, Arifi jep detaje për tematikën dhe përmbajtjen e kësaj shfaqje.

“Djali im ecë, veç pak ma kadale”, është titulli që e ka vendos autori. Nuk e di se si e ka menduar ai por, ai do të jetë në premierë nëse masat lirohen nga pandemia”, u shpreh regjisorja.

Jetësimi i dramës në skenë duket se do të jetë ‘ngacmues’ për publikun, për shkak të emocionalitetit të tij.

“Në familje të gjithë janë në një shkallë depresioni për shkak të mospërmbushjeve shpirtërore. Në shtëpi i ka kapluar nostalgjia për të kaluarën kur kanë qenë të lumtur, e këtë na e shpalos nëna e cila vuan nga harresa”, përshkruan Arifi, teksa na jep një pamje të atmosferës tematike.

Tutje, ajo zbërthen edhe më tutje ‘problemin’ apo revoltën që kjo shfaqje ka.

“Vajza e saj ka një djalë i cili nuk ec por, ajo nuk e pranon këtë fakt. Ajo përmbushet me gënjeshtrën duke mos dashur të pranoj të vërtetën. Në shtëpi askush nuk është i lumtur”, rrëfen Ilirjana Arifi.

Arifi teksa flet për synimet që ia ka vënë vetes nëpërmjet “Djali im ecë, veç pak ma kadale”, përmend përmbushjen profesionale dhe shpirtërore nëse ato arrihen.

“Fillimishte pres që këtë dramë, që e kam pëlqyer qysh në leximin e parë ta pëlqejnë edhe aktorët që përzgjedhen për rolin, sepse atëherë do ta duan edhe jetësimin e personazhit”, mendon Arifi.

Regjisorja shpreson që publiku të gjej diçka nga vetja në shfaqjen që do të vie në prill.

“Pres që publiku ta ndjej performancën e tyre duke e gjetur ndonjë ‘copëz’ interesante dhe të përjetuar ndonjëherë. Poashtu pres që shfaqja të rrugëtojë në skena e teatro brenda dhe jashtë vendit”, shpreson Arifi.

Ajo thekson se duartrokitjet që do t’i marrin bashkë me ekipin e saj do t’i dhurojnë motiv për shfaqjen e radhës.

“Unë dhe ekipa do ta bëjmë më të mirën tonë, në mënyrë që spektatori të ndahet i kënaqur dhe së paku të del nga salla me emocionet e fuqishme që besoj do të kenë mundësi t’i përjetojnë”, përfundon Ilirjana Arifi.

Shfaqja “Djali im ecë, veç pak ma kadale” është në kuadër të 5 projekteve teatrore të përkrahura nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Qindra dronë krijuan në qiell “The Starry Night” të Van Gogh, duke hyrë në rekordet Guinness (VIDEO)

600 dronë “interpretuan” kryeveprën e Van Gogh në Kinë.

“Nata me Yje” e Van Gogh është rikrijuar në mënyra origjinale nga artistët kudo në botë. Është pikturuar në mure dhe në postera, me kokrra kafeje, madje edhe në një shteg biçikletash. Dukej sikur piktura e ishte realizuar kudo.

Por Kina theu përditshmëritë teksa 600 dronë realizuan “The Starry Night” në qiellin e natës në bashkinë Tianjin të Kinës veriore, duke vendosur një rekord botëror Guinness.

EFYI Group, një kompani e prodhimit të dronëve, së bashku me Universitetin Tianjin në Kinë, arritën rekordin për animacionin më të gjatë të kryer nga mjete ajrore pa pilot (UAV) me një kohë prej 26 minutash dhe 19 sekonda, sipas faqes së internetit të Guinness./ KultPlus.com

Biden: Vini maskën pasi përbën një gjest patriotik

Vendose maskën, bëje për veten, për familjen tënde dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi veshja e saj përbën një gjest patriotik, deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden.

Këtë deklaratë Biden e bëri gjatë një vizite në një fabrikë të Pfizer në Michigan.

“Kjo administratë drejtohet nga shkenca sepse nuk ka asnjë mur për t’u mbajtur kundër pandemisë”, shtoi ai.

“Paraardhësi im, Donald Trump, nuk urdhëroi numrin e duhur të vaksinave”, shtoi ai./ KultPlus.com

Përkujtohet personaliteti i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Parashqevi Qiriazi

“Muzeu i Arsimit-Mësenjtorja e Parë Shqipe” përkujton personalitetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Parashqevi Qiriazi

Parashqevi Qiriazi ashtu si motra e saj Sevasti Qiriazi Dako, ju përkushtua çështjes kombëtare dhe arsimimit të vajzave shqiptare. Lindi në 2 Qershor të vitit 1880, dhe ishte fëmija i fundit i familjes Qiriazi. Arsimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në Manastir, në shkollat fetare të huaja.

Ajo kreu studimet universitare dhe  përfundoi në kolegjin “Robert” të vajzave, aty ku studioi dhe motra e saj Sevastia. Sapo u diplomua shkoi në Korçë, për të dhënë mësim në shkollën e Vashave të hapur prej të afërmve të saj.

Shumë shpejt Parashqevi Qiriazi morri drejtimin e shkollës së Vashave dhe morri pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, si sekretare e komisionit përkrah Gjergj Fishtës. Me këtë rast ajo kompozoi këngën “Himni i Alfabetit” dhe shkroi “Abetaren” më 1909, alfabetin e ri sipas vendimeve të dala nga Kongresi i Manastirit.

Së bashku me të motrën Sevastinë themeluan shoqërinë e grave “Yll i Mëngjesit”. Gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, do të largohet nga Shqipëria dhe merr pjesë në krijimin e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në Sofje ku do të jetë sekretare.

Ndërsa në vitet 1920-1927 merret me botimin e revistës të përmuajshme “Yll i Mëngjesit” në SHBA. Përgjatë qëndrimit aty ajo ndoqi studimet pasuniversitare për pedagogji në Kolegjin e Oberlinit në Ohaio, SHBA duke mbrojtur temën: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri”.

Në vitet 1927-1933, ndihmoi tek “Instituti Arsimor Kyrias Tiranë” i themeluar prej motrës së saj. Gjatë pushtimit nazifashist Parashqevi Qiriazi u internua bashkë me Sevastinë dhe familjarët e tjerë në kampet e përqendrimit.

Pas shumë vuajtjeve në emër të edukimit të shqiptarëve, Parashqevi Qiriazi ndërroi jetë në vitin 1970, duke mbajtur titullin “Mësues i Popullit”./atsh/ KultPlus.com

‘South Park’ rikthehet me episodin special me temë vaksinimin kundër COVID-19

‘South Park’ do të rikthehet me një episod të veçantë muajin e ardhshëm.

Regjisorët Trey Parker dhe Matt Stone kanë deklaruar se po sjellin “Specialen e Vaksinimit” për admiruesit muaji tjetër. Sezoni i fundit i ‘South Park’ ishte në 2019-n.

Ndjekur nga episodi paraprak ‘Speciali i Pandemisë’, tash episodi i ri do të paraqesë qytetarët që tentojnë të sigurojnë vaksinat kundër COVID-19, shkruan NME.

Episodi i ri vjen pas konfirmimit për datën e premierës së sezonit të 24 të serive të animuara, i cili është shtyrë vitin e kaluar për shkak të pandemisë./ KultPlus.com

30 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

30-vjetori i rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha shënohet pikërisht sot.

Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri.

Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës.

20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunis, ndërsa shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri./ KultPlus.com

12 vjet pa ‘Bacën Lah’, legjendën e boksit të Kosovës

Lah Nimani ka qenë legjenda e boksit kosovar. Edhe boksieret tanë shqiptar si Luan Krasniqi, Elvir Muriqi etj, u mbetet pikë në zemer se do të arritnin më shumë në boksin amator dhe profesionist po të kishin punuar me profesorin që të gjithë e quanin Baca Lah.

Ai fitoi çdo gjë në boksin amator duke fituar pesë here titullin e ish-Jugosllavisë, gjashtë herë nënkampion i ish-Jugosllavisë dhe tre here vendin e tretë në ish- Jugosllavi. Ai përgaditi për katër herë boksier për Lojrat Olimpike (1976,1980,1984,1988). Baca Lah ka edhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike si trainer në Moskë (1980) të Rusisë me boksierin serb, Sllobodan Kacar, gjë që asnjë shqiptar deri më sot nuk ka sjell medalje të artë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Skënderaj ndërsa atë të mesme në Prishtinë (Shkolla normale) për të vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit (Fakuleti i Edukatës Fizike).

Gjatë studimeve në Beograd ai kishte fatin të punonte me një profesor të zotin i cili e mësoj shumë gjëra të sporteve luftarake dhe këtë Lahu e shfrytëzoi mjaft mire dhe sjelli mësimin a atjeshëm në vendin tonë çka nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më pare.

Fillimisht Lah Nimani të cilët të gjithë e kishin njohur me nofkën “BACA LAH” pas diplomimit ishte punësuar si Arsimtar i edukatës fizike në qytetin e Mitrovicës. Pas një kohe fillon të punoj në klubin e boksit “Akumulatori “ ku ishte edhe zanafilla e parë për boksin e atëhershëm. Pas suksesit që kishte me ekipin Akumulatori ekipi i boksit Prishtina kishte filluar t`a gjurmonte dhe në mes të stinorit 1973-74 baca Lah transferohet në ekipin e Prishtinës. Ekipi i Prishtinës kishte boksier të shkëlqyer mirpo i mungonte një strateg i cili do të arrinte suksese me ta.

Prishtina u bë ekip me nam jo vetem në Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë. Boksieret si Nazif Gashi, Bajram Hashani,Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Aziz Salihu, e shumë tjerë filluan që popullit tone t`ju sjellin medalje krejt këto falë punës së palodhshme të Lah Nimanit.

Në vitin 1998 Lah Nimani shkoj ta vizitonte të birin në Oklahoma të SHBA-ve, atëhere filloj Lufta në Kosovë dhe nga ajo kohë legjenda Nimani jetoi atje derisa vdiq më 20 shkurt 2008./ KultPlus.com

NASA publikon fotografi të reja mahnitëse nga Marsi, kështu duket lëshimi

Pasi u lëshua me sukses në sipërfaqen e planetit Mars të enjten, sonda Perseverance e NASA-s ka dërguar fotografi që s’janë parë kurrë më herët, ku shihet se si duket lëshimi në fqinjin e Tokës.

Fotografia e parë që NASA e publikoi gjatë një konference të premten e shfaq pajisjen duke iu afruar sipërfaqes së Marsit. Kjo pamje nuk është siguruar asnjëherë në misionet që janë realizuar në të kaluarën.

“Ekipi është plot ngazëllim dhe kënaqësi që ka lëshuar një tjetër pajisje në sipërfaqen e Marsit. Kur bëjmë investime të tilla, i bëjmë për njerëzimin dhe i bëjmë si gjest i humanizmit tonë”, tha Adam Steltzner, kryeinxhinier i objektit që u lëshua në Mars.

Përderisa fotografitë e para që u dërguan nga Marsi të enjten ishin bardhë e zi, fotografitë e publikuara të premten e shfaqin sipërfaqen karakteristike me nuanca të kuqe të këtij planeti, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Si duken në realitet personazhet e preferuar të filmave vizatimorë (FOTO)

Jemi rritur duke kaluar orë të tëra me Tomi dhe Xherrin, derrkucin Pepa, Spongebob e shumë të tjerë.

Duke pëqyer këto personazhe, me siguri shumë prej nesh ka imagjinuar si mund të duken në të vërtetë.
Bright Side ka zgjedhur disa prej personazheve dhe ka ilustruar si mund të shfaqeshin para nesh. Me siguri do donim t’i përkëdhelnim dhe të luanim me ta./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta këngëtari arbëresh Pino Cacozza

Është ndarë nga jeta ditën e sotme ikona e muzikës arbëreshe Pino Cacozza. Sipas mediave italiane kantaurori arbëresh prej fillimit të këtij muaji ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.

Pino Cacozza (Giuseppe Cacozza – Zef Kakoca) lindi në San Demetrio Corone (Shën Mitre) më 27 shtator 1957. Ai ndoqi studimet  në Kolegjin e Sant ‘Adrian (Shën Adrian) dhe u diplomua Gjuhët dhe Letërsinë e Huaj në Universitetin e Kalabrisë më 1980, me specializimin në Gjuhën dhe Qytetërimin Frëngjisht, Shqip dhe Anglisht.

Si autor, kompozitor dhe këngëtar ai fitoi gjashtë herë Festivalin e këngës Arbëreshe  (për të cilën ishte drejtor artistik për katër edicione.

Cacozza u njoh me publikun shqiptar që në  fillim të viteve 1977.. Ka marre pjesë në disa aktivitete sikundër ka qene ai folklorik i Gjirokastrës, po ashtu i pari arbëresh që merr pjesë si konkurrues në festivalin kombëtare shqiptar në vitin 1992 ku u radhit ndër vendet e nderit të klasifikimit.

Në vitin 2015 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani do ta ndëronte me titullin “Naim Frashëri”, për vlerat dhe kontributin si shkrimtar dhe kompozitor për të mirën e bashkatdhetarëve të tij dhe përtej, duke mbajtur gjallë një traditë të madhe të letërsisë dhe kulturës arbëreshe në përgjithësi, kur stërvitja e kohës moderne përpiqet që këto lloj kultura të shkëputura nga fusha e tyre, siç është ajo arbëreshe “./ KultPlus.com

Rita Ora pas befasisë që i bënë fansat nga Kosova: Talenti juaj është i pabesueshëm

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka pak ditë që ka publikuar projektin e ri muzikor, ku ajo u shfaq e veshur me kostume tradicionale shqiptare, shkruan KultPlus.

Së fundi, Rita pranoi një befasi të këndshme në rrjete sociale, disa prej fansave të saj shqiptarë kanë vizatuar fotografitë e artistes nga klipi i fundit.

“Krenaria jonë”, thuhet në postimin, të cilin Rita e ndau me ndjekësit në rrjete sociale.

“Woww! Talenti juaj është i pabesueshëm”, ka shkruar këngëtarja.

Kujtojmë se projekti “Bang”, deri tani ka marrë mbi dy milionë klikime në kanalin YouTube./ KultPlus.com

Imazhet mahnitëse që zbulojnë misteret e shpellave nënujore

Një polumbar i guximshëm u zhyt në një lum meksikan për të shkrepur disa fotografi mahnitëse të një labirinti shpellash nënujore të adhuruara nga fiset Maja.

Martin Broen, 50 vjeç, guxoi të zhytej në thellësitë nën Riviera Maya në Meksikë për të parë nga afër sistemin shpellor ‘magjik’ të formuar gjatë epokës së akullit miliona vjet më parë.

Eksplorimi i tij nëpër rrjetin më të gjatë të shpellave në botë e detyruan atë atë notonte në humnera të mëdha dhe midis stalaktiteve.

Kockat dhe fosilet e njerëzve dhe kafshëve të zhdukura mund të gjenden në dyshemenë e disa prej gropave natyrore ku futen shpellat, dhe sipas Broen kjo e bën eksperiencën të jashtëzakonshme./ KultPlus.com