‘Kaçurrelat e tu’, kënga për dashurinë e humbur që u kompozua në qelitë e burgut të Burrelit

Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit.

Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. Ishte kënga e fundit, melodia e fundit e djalit 20-vjeçar. I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.

Natyra t’fali, bardh – o si bora,
Unë përmbas tejet, jetën e bora;
Oh! Se dy sytë m’i kanë verbue,
M’i kanë verbue moj kaçurrelat
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

M’i ke faqet, t’kuq – o si gjaku,
Se me ty vashë m’ka xan maraku;
Oh! Se marakun ma kanë shtue
Ma kanë shtue moj kaçurrelat,
Kaçurrelat e tu.
Aman kaçurrelat, kaçurrelat e tu!

Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur “Kaçurrelat e tu”. E këndoi menjëherë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur. Ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij.

Gac Çunilindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.

Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues.

Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin. …Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpë ato male.

Gac Çuni dha shpirt në burgun e Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg “kaçurrelave të saj”./kujto.al/ KultPlus.com

Mbi 200 profesorë teologjie dënojnë qëndrimin e Vatikanit ndaj çifteve homoseksuale

Më shumë se 200 profesorë të teologjisë nga vendet gjermanisht folëse bënë sot një deklaratë, ku dënojnë refuzimin e Kishës Katolike për të bekuar çiftet homoseksuale.

”Deklarata e javës së kaluar nga Vatikani është formuluar nga një ide paternaliste e epërsisë dhe diskriminon homoseksualët dhe stilet e tyre të jetesës”, sipas deklaratës së profesorëve, transmeton KultPlus.

“Ne jemi duke u distancuar me vendosmëri nga ky pozicion. Ne besojmë se jeta dhe dashuria e çifteve të të njëjtit seks nuk vlen më pak para Zotit sesa jeta dhe dashuria e çdo çifti tjetër”, shton ajo.

Deklarata, e nënshkruar nga 212 profesorë të teologjisë dhe e hartuar nga një grup pune në Universitetin e Muenster, tha se qëndrimit të kishës i mungon thellësia teologjike dhe fuqia argumentuese.

“Nëse zbulimet shkencore injorohen, doktrina minon autoritetin e saj”, thanë akademikët.

Vatikani e bëri të qartë javën e kaluar se kisha nuk ishte e autorizuar për të bekuar çiftet homoseksuale dhe se çdo bekim që njeh një partneritet homoseksual nuk lejohet.

Kjo shkaktoi një stuhi proteste në Kishën Katolike në Gjermani. / KultPlus.com

Gëte: Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij, është të dojë nënën e tyre

Më 22 mars të vitit 1832, në Gjermani, vdiq njëri ndër shkrimtarët më të njohur gjerman, Johan Volfgang Gëte.

Gëte, akoma vazhdon të njihet si ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore, shkruan KultPlus.

Sot, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të këtij shkrimtari të pavdekshëm.

“Fati na i plotëson pjesën më të madhe të dëshirave tona, por në mënyrën e tij, me qëllim që të na japë diçka përtej asaj që ne kemi projektuar në dëshirimet tona.”

“Njerëzit e angazhuar në politikë janë gjithnjë dinamikë, kërkojnë pareshtur mundësi të reja, hidhen nga njëra anë në tjetrën, siç përpëlitet i sëmuri në krevat, duke menduar se ashtu do të gjejnë rehatinë e munguar.”

“Do të parapëlqeja të mbetesha në gjykimin e një fëmije, sepse për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, fëmijët janë një gur prove, ata nuk kanë ende nevojë për të vjetrit që të gënjejnë vetveten.”

“Del se një grumbull librash nuk janë shkruar që dikush të mësojë diç nga to, më shumë janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë.”

“Bukuria, ajo që gjithnjë ka aftësinë të na magjeps, është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat nëse nuk i qëmtojmë me ngulmin e një eksploratori, do të na fshiheshin ne përgjithmonë për të mbetur mister.”

“Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë gjithnjë kërcënuese.”

“Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen, më të dhunshmen dhe të kahur deri në caqet e mizorisë atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta.”

“Kush dëshiron të shpëtojë nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon, kush kërkon diçka më të mirë nga ajo që e ka, priret të veprojë përherë verbërisht.” / KultPlus.com

Gazeta hebraike më 1935: Aktori i njohur hebre Aleksandër Moisiu vdiq nga një grip

Nga Aurenc Bebja

“L’Univers Israélite” ka botuar, të premten e 29 marsit 1935, në faqen n°10, një shkrim në lidhje me ndarjen nga jeta të aktorit të famshëm Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Austri

Vdekja e Aleksandër Moisiut

 “Aktori i njohur hebre Aleksandër Moisiu vdiq në Vjenë nga një grip.

Ai lindi në 1890 (në fakt lindi në 1879) në Trieste. Pati qenë pjesë e trupës së famshme të Max Reinhardt-it.

Që nga viti 1933, nuk u shfaq më në një skenë gjermane. Përkundrazi, ai kishte një interes të madh për teatrin hebraik dhe e ndihmoi shpesh “Habima-n”. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-univers-israelite-1935-hebreu-i-njohur-aleksander-moisiu-vdiq/

Shtëpia e Kulturës në Hajvali me pamje krejtësisht të re

Shtëpia e Kulturës e cila ishte pronë e “Trepçës”, do të rinovohet.

Objekti i ndërtuar nga Miniera e Kishnicës në vitet 1950,i cili deri tani ka qenë pronë e Trepçës,  i’u dha si pronë komunitetit të Hajvalisë.

Gjithë çfarë ka mbetur nga objekti është struktura arkitektonike dhe disa mure, por së shpejti do të ketë pamje krejtësisht tjetër, shkruan Demokracia, përcjellë KultPlus.

Komuna e Prishtinës do të investojë në jetësimin e projektit restaurues të realizuar nga arkitektja Fatbardha Fejzullahu, i cili do të fillojë së shpejti.

Kështu do të duket Shtëpia e Kulturës në Hajvali./demorkacia/ KultPlus.com

Mbahet ngjarja mbarëkombëtare ‘Java e Gruas’, Ahmeti: Nga 16 drejtori në Komunën e Prishtinës, 7 prej tyre udhëhiqen nga gratë

Ngjarja vjetore mbarëkombëtare, Jave e Gruas (WoW) është mbajtur në Prishtinë, duke mbledhur kështu më shumë se 120 gra dhe burra nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia, me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave udhëheqëse dhe t’i mbështesë ato për të marrë pozicione më të mëdha drejtuese.

Ngjarja është mbajtur përmes platformës Zoom, duke respektuar kështu masat anticovid.

Kyetari Shpend Ahmeti, duke folur për barazinë gjinore, ka theksuar se në komunë nga 16 drejtori, 7 prej tyre udhëhiqen nga gratë. Ai shtoi se edhe votuesi është emacipuar, me ç’rast në Kuvendin Komunal është tejkaluar kuota gjinore prej 30%, e paraparë me ligjet ekzistuese. / KultPlus.com

Zia e Madhe e Bukës​ ose siç njihet ndryshe “Kriza e Patates”, tragjedia më e mëdha në historinë e Irlandës



Jemi në vitin 1845. Popullsia e Irlandës ishte rreth 8 milionë. Deri në vitin 1850, një milion e gjysmë njerëz do të vdisnin si pasojë e zisë së bukës! Dy milion të tjerë do te emigronin, kryesisht në Britani ose në Shtetet e Bashkuara, në kërkim të një jete më të mirë.

Por, ç ‘gjë e shkaktoi këtë zi buke kaq të madhe?

Rreth fillimit të shekullit të 19-të, Britania e Madhe e kishte shtrirë sundimin e saj mbi një pjesë të madhe të botës. Këtu përfshihej edhe Irlanda. Pjesa më e madhe e tokave të Irlandës ishte nën zotërimin e pronarëve anglezë, shumë prej të cilëve jetonin në Angli. Këta pronarë që nuk jetonin në Irlandë, iu vinin qira të larta qiramarrësve të tyre irlandezë dhe u jepnin paga të ulëta për punën e tyre.

Mijëra bujq qiramarrës jetonin në një varfëri të thellë. Duke mos qenë në gjendje të blinin mish, si dhe shumë ushqime të tjera, njerëzit rrisnin pataten, që në kushtet e tyre ishte bima me më pak shpenzime, më e lehtë për t’u rritur dhe më ushqyese. Por në vitin 1845, të mbjellat e patates u goditën nga sëmundja kërpudhore (Phytophthora infestans), e njohur ndryshe si vrugu. Si rezultat u shkatërruan te gjitha të mbjellat. Filloi uria e madhe.

Situata rendohej edhe nga Corn Laws (Ligjet e Misrit), – dogana e lartë që i kishte vënë parlamenti i Londrës importit të drithërave, për të mbajtur lart çmimin e drithërave vendas, që i interesonte çifligarëve, të cilët kishin shumicën në Dhomën e Lordëve.

Mbretëreshë ishte Viktoria. Kryeministër ishte Robert Peel.

Ishte popullore teoria e Maltusit, që popullsia rritet më shpejt se prodhimi bujqësor prandaj duhen luftërat, epidemitë, urite; për të mbajtur nën kontroll popullsinë.

Thirrjeve për të ndihmuar irlandezet që të mos vdisnin, qeveria angleze i përgjigjej me teorinë se njerëzit duhet të mësohen të jetojnë brenda te ardhurave te veta, po i ndihmuam këtë radhë do kërkojnë gjithmonë dhe do të krijohet varësi. Çfarë do mendojnë ata që e fitojnë vet nëqoftëse disa te tjerëve u japim lëmoshë?

Me ne fund, me këmbënguljen e Viktorias, Peel arriti te bindte parlamentin të abrogonte Ligjet e Misrit.
1 milion e gjysmë irlandez humben jetën.

Shumë nga pronarët e tokave, të cilët nuk banonin në Irlandë, vazhdonin t’i kërkonin qiratë. Shumë prej qiramarrësve nuk ishin në gjendje për të paguar dhe, si pasojë, mijëra u dëbuan nga tokat e tyre. Për një numër njerëzish që sa vinte e shtohej, emigrimi u bë e vetmja mundësi.
Rreth vitit 1850, në qytetin e Nju-Jorkut 26 për qind e banorëve ishin irlandezë, madje kishte më shumë qytetarë irlandezë atje, sesa në kryeqytetin e Irlandës, Dublin.

Gjatë gjashtë viteve të zisë së bukës, pesë mijë anije bënë udhëtimin e rrezikshëm prej 5.000 kilometrash duke përshkuar Atlantikun.
Anijet që lundronin drejt Amerikës u quajtën anijet e vdekjes.

Sot, në të gjithë Irlandën, mure të shkatërruara dhe shtëpi të rrënuara qëndrojnë si përkujtues të zymtë të kohëve të vështira që sollën si pasojë diasporën mjaft të përhapur irlandeze. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mbi 40 milionë njerëz mund të pohojnë se kanë prejardhje irlandeze. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi, si dhe Henri Ford, shpikësi i makinës së tipit Ford, janë pasardhës të drejtpërdrejtë të emigrantëve që erdhën me anije nga Irlanda, në kohën e zisë së bukës.

Pothuajse dyqind vjet pas tragjedisë së tmerrshme, Mbretëria e Bashkuar nuk ka bërë asnjë deklaratë për përgjegjësi. Kohët e fundit është folur edhe për gjenocid.

Fotografia: Dublino, a “An Gorta Mór”. / KultPlus.com

Mërgim Cahani, themeluesi i Kompanisë “Gjirafa” me rrëfim inspirues në KultPlus Caffe Gallery

Themeluesi i Kompanisë së madhe “Gjirafa” do të jetë i pranishëm në KultPlus Caffe Gallery për të shpalosë rrëfimin e tij inspirues.

Mërgim Cahani është udhëheqës i kompanisë Gjirafa në Kosovë, e cila është një platformë e përmbajtjes me video dhe studio të produksionit, dhe kompani lidere e shitjes online.

Gjirafa, Inc., është kompania me rritjen më të shpejtë në Ballkan që ofron shërbime të internetit dhe një nga start-ups me investimin më të madh VC nga investitorë me reputacion në Evropë. Gjirafa është cilësuar në pozitën e 11 në listën ‘Deloitte Technology Fast 50 ranking’ për Evropën qendrore dhe në pozitën e parë në regjion, me rritje 1,500% në katër vitet e fundit.

Ejani dhe dëgjojeni nga afër se si Mërgim Cahani përkundër sfidave dhe dështimeve në fillim, arriti të krijojë kompaninë më të suksesshme në vend.

Përveç rrëfimit, gjatë kësaj mbrëmje do të jeni të shoqëruar edhe me nga një gotë verë e muzikë të lehtë. / KultPlus.com

Pink e ka paralajmëruar dokumentarin e ri mbi jetën e saj

Këngëtarja e njohur amerikane, Pink, ka ndarë detaje nga dokumentari i saj i ri, i cili do të shfaqet në platformën digjitale “Amazon Prime Video”.

Me titull “P!NK: All I Know So Far”, dokumentari vjen i punuar nga regjisori i filmit “The Greatest Showman”, Michael Gracey. Ai sjell pamje nga prapaskenat e turneut të vitit 2019 të këngëtares, “Beautiful Trauma Tour”, kësaj mundohet ta balancoj jetën si nënë e dy fëmijëve, grua, afariste dhe performuese.

“I realizuar nga regjisori shumë i talentuar Michael Gracey. Me protagonist fëmijët më të lezetshëm, të krijuar nga unë. Edhe unë përfshihem në këtë dokumentar të ri. Bashkohuni me ne në prapaskenat e turneut, dhe shikojeni si realizohen këto ngjarje”, kishte shkruar Pink në postimin e saj në Twitter.

Dokumentari i cili e përfshinë një përzierje të pamjeve nga prapaskenat e koncerteve, intervista dhe xhirime personale të këngëtares dhe familjes së saj, do të lansohet më 21 maj 2021.

Vitin e kaluar, Pink e kishte ndarë me publikun lajmin se ajo dhe djali i saj janë prekur nga koronavirusi, menjëherë pasi ishin diagnostikuar, duke shpjeguar se kjo sëmundje ua kishte vështirësuar frymëmarrjen dhe Jameson ishte ankuar për dhimbje të mëdha të gjoksit. Këtë eksperiencë këngëtarja e përshkroi si një prej gjërave më të frikshme që i ka kaluar në jetë.

Pas shërimit nga COVID-19, këngëtarja e famshme e muzikës i dhuroi 1 milion dollarë, të cilat i kishte ndarë në dy pjesë të barabarta për fonacionet, “Temple University Hospital Emergency Fund” në Philadelphia dhe “City of Los Angeles Mayor’s Emergency COVID-19 Crisis Fund”. / KultPlus.com

2017 MTV Video Music Awards – Arrivals – Inglewood, California, U.S., 27/08/2017 – Pink. REUTERS/Danny Moloshok

U mbajt edicioni i pestë i Manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, e organizoi edicionin e pestë me radhë të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, përcjellë KultPlus.

Ky aktivitet letrar u mbajt online, më 21 mars pikërisht në Ditën Botërore të Poezisë. Në të morën pjesë, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili me rastin e hapjes së këtij manifestimi, tha se veprimtaria letrare shërben për të këmbyer mendime, ide dhe kritika për zhvillimet në lëmin e letërsisë. Ai tutje u shprehu ngushëllime familjarëve kudo në botë që humbën të afërmit e tyre nga virusi korona, duke u uruar shërim të gjithë të infektuarve nga ky virus.

“Sot jemi tubuar bashkërisht për ta shënuar Ditën Botërore të Poezisë, për t’ia shprehur nderimin tonë asaj për mundësinë që na ofron për të plotësuar tërë atë që është e këndshme në urtësi dhe që është e kapshme në dëshira. T’i shprehim nderim poezisë nga që e meriton në kohën tonë dhe në të gjitha kohët, për të vërtetën  e saj për të ndikuar në zgjuarsinë dhe mendjet e njerëzve. Në ditën e saj me përmasa botërore, besoj nuk do ta teproja nëse them se poezia është e domosdoshme në këtë botë moderne, në të cilën ne jemi të pllakosur nga frika dhe trazimi”, theksoi Sulejmani.

Referatin kryesor në këtë manifestim e paraqiti profesoresha e letërsisë në Universitetin e Tetovës, Vjollcë Berisha. Ajo e nxitur edhe nga situata pandemike e cila e ka vështirësuar zhvillimin normal në çdo veprimtari, u shpreh se “Një ditë kjo ka për të kaluar dhe ne do t’i kthehemi poezisë”.

“Ishte një grafitë siriane që e pashë diku në postimet e facebook-it (2020) dhe që më bëri të ndjehesha si të kisha gëlltitur një humnerë. Ishte çasti kur një zë njeriu nga lufta artikulonte dëshirën për poezi, e poezia në atë fjali shumëfishohej në një grumbull kuptimesh që kishin të bënin me njerëzoren, me ndjenjën, me nevojën për t’iu kthyer jetës, për t’iu kthyer gjërave aty ku i kishin lënë. Përtej dobësisë njerëzore për tjetrin që vuan, përtypa në mendje plotninë e fjalës Poezi. A ishin poezi vetëm ato krijime letrare të shkruara në vargje? S’do mend që jo. Një grafitë e thjeshtë, shkruar në kohën kur njeriut i mungon gjithçka dhe e kërcënon pothuajse gjithçka, ishte zbërthimi më i mirë që mund t’i bëhej poezisë, atij krijimi të epërm ku përthyhen të gjitha ndjenjat, ku poeti është bashkarkitekti i gjësë që shpreh, se tjetri arkitekt është lexuesi, i cili s’dihet se sa është në numër dhe çfarë në të vërtetë i shton asaj”, theksoi Berisha e cila tutje tregoi se artisti gjenia i atij shkrimi në mur thotë: “‘Dhe ne do t’i kthehemi poezisë’, e që ne e lexojmë: do t’i kthehemi asaj që kishim të shtrenjtë, jetës sonë normale me poezi brenda, ëndërrimit tonë, honeve të fshehta të vetes sonë, dashurive tona, udhës për në koncertin me harqe, vizores së thyer në fund të çantës… Ai premton poezinë, si shpresën e epërme, si blatimin më të lartë ndaj vuajtjes së njerëzimit.

“E ndesha një ditë të rëndomtë këtë fjali që ma shndërroi në një muranë ditën e bardhë, të cilën ma mbanin në këmbë plot xhingla-mingla të rutinës. Ishte njësoj si të thyente një gotë dikush kur qeshë përhumbur në një këngë të qetë a në një roman të thellë. Mu ashtu më zgjoi dhe mendova për jetët e njerëzve që kishin dalë nga binarët dhe që ende diku shpresonin t’i ktheheshin poezisë për të ‘ngirë ujën’ elementare të qytetërimit”, veçoi Berisha.

Në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar u mbajt edhe ora letrare në të cilën morën pjesë poetë, shkrimtarë, veprimtarë të artit dhe kulturës nga Tetova, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë: Xhelal Zejneli, Entela Kasi, Rabije Bytiqi, Arlind Farizi, Rozafa Shpuza, Vjollcë Berisha, Fatos Rushiti, Teuta Anif Muji. Po ashtu u lexuan edhe poezi të vetë krijuesve por edhe nga poetë të njohur si: Frederik Reshpja, Ylber Merdani dhe Viktor Hygoi.

Edicioni i pestë i “Shtigjeve poetike” u begatua edhe me pjesën muzikore nga artistët e talentuar si Olti dhe Oreli Esati, ku realizuan disa melodi nga krijimtaria e artit muzikor.

Ky manifestim u përmbyll me një debat, këmbim idesh, mendimesh dhe u vlerësua se ky model ndërkomunikimi është i dobishëm jo vetëm për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive dhe etnive. Manifestimi është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. / KultPlus.com

Deputetet e VV-së në të bardha: Të gjitha bardhë, për gatishmërinë tonë për barazi

Deputetet e VV-së sot kanë marë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku edhe kanë zgjedhë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, njëherit që do të jetë edhe ushtrues detyre i Presidentit të Kosovës, mandat që i është besuar Glauk Konjufcës që vjen nga VV-ja, shkruan KultPlus.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. 20 vende të garantuara u takojnë pakicave, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës.

Mirëpo në këtë seancë, shumica dërmuese e deputeteve nga VV, ishin veshur me të bardha, e deputetja Tinka Kurti ka shpjeguar rëndësinë e kësaj ngjyre me të cilën janë veshë gratë deputetet nga partia fituese e këtyre zgjedhjeve.

“Të gjitha bardhë. Për shprehjen e gatishmërisë tonë për barazi. Bardhë për rëndësinë historike që ka kjo ngjyrë veshjesh për gratë krah për krah.

Sot në Kuvend 40%, për barazi kudo”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Posta e Kosovës promovon pullën postare “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”

Posta e Kosovës ka njoftuar për pullën më të re postare – “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”  që do ta promovojnë ditën e enjte, shkruan KultPlus.

Në mesin e këtij promovimi, të pranishëm do të jenë familjarët e Sahatçiut dhe Qenës, përfaqësues të institucioneve, pjesëmarrës nga sfera e artit dhe kulturës, mediave dhe mysafirë të tjerë.

Promovimi do të mbahet në CINEPLEXX,  Albi Mall-Prishtinë, më datë 25 mars 2021, orën 11:00. Të pranishmit do të kanë mundësinë për të shijuar një koktej rasti. / KultPlus.com

Diamant Arbrashi, shqipëron poetët më të njohur tiçinezë

Gjatë këtyre ditëve poeti dhe përkthyesi nga Gjakova, Diamant Abrashi i natyralizuar prej vitesh në Zvicër, vjen para lexuesve me dy përmbledhje të reja poezish të botuara në shqip e italisht, përcjellë KultPlus.

Abrashi i takon brezit të krijueseve të viteve të 90-ta. Ai deri me tash ka publikuar përkthimin e veprës ”Homeri i verbër” të poetit të njohur arbëresh Franco Espoistio.

Përkthimi mjaft cilësor i kësaj vepre i ka dhënë atij guxim dhe kurajë që të merret edhe me përkthimin e autorëve tjerë italianë.

Abrashi së voni ka përzgjedhur për përkthim në shqip autorët më të mirë të poezisë bashkëkohore italiane të kantonit Tiçino të Zvicrës. Ai veçantë ka përkthyer poezitë e Adele Desideri,Alberto Nessi, Angelo Maugeri,Carla Ragani etj.

Ky cikël poezish titullohet “Brigjet-Sponde” dhe përmban njëqind e njëzetepesë poezi që zgjojnë kërshërinë e secilit lexues.

Libri tjetër me poezi i Abrashit quhet ON-LINE (Letrat e pashkruara) dhe përbëhet nga vargje ose njësi poetike që vijnë njëri nën tjetrin. Prandaj libri ka pamjen e një kolone me vargje.

Përdorimi me mjeshtëri i elementeve gjuhësore e bën poezinë e Abrashit funksionale dhe kuptimore. Në të shohim një organizim të përsosur, ku zgjidhet rendi, tingulli, e çdo fjalë.

Vargu si varg del me kuptim të plotë. Poezitë e Abrashit lidhen kryesisht me jetën, dashurinë dhe vdekjen e njeriut. Një nga temat në këtë libër është edhe lirika e dashurisë së cilës nuk i shpëton sikurse poetët tjerë as Abrashi.

Mbi të gjitha gjithmonë në kuptimin pozitiv habit llojshmëria e shfaqur e këtij lloj vargu të cilin Abrashi e ka kultivuar me mjeshtëri të rrallë.

Gjatë leximit të këtyre poezive lexuesi krijon përshtypjen që Abrashi e ka marrë si model edhe llojin e lirikës së poetit tonë të madh Lasgush Poradeci. Në këto poezi poeti bën dialog me dashurinë, me kohën duke shprehur fate me dimensione të reja e që mund të kapen nga kënde të ndryshme. Po ashtu në këtë përmbledhje poezish nxjerr krye dashuria dhe malli për atdheun, ku autori këtë dashuri e shpreh tek poezitë “Dasma gjakovare” dhe “Fole e vjetër”.

Diamant Abrashi gjithashtu ka lënë shije të mirë tek lexuesit edhe me përmbledhjet e më hershme të poezive “Qortimet e Vonuara”, “ L’esilio” dhe “Hapa nëpër kohë” të botuara edhe në italisht nga shtëpia botuese “ARMANDO DADO” e Locarnos së Zvicrës.

Librit “Qortimet e vonuara” të publikuar më 1993 të Diamant Abrashit i paraprinë dhe një analizë e thukët e studiuesit dhe kritikut të njohur letrar, Milazim Krasniqi, me çfarë lexuesi që në shpalosjen e fletëve të para kupton që Abrashi është me aftësi të rralla krijuese dhe për këtë arsye qëndron përkrah autorëve më të njohur të poezisë sonë

Argumenti më i mirë se Abrashi, është poet i vlerave të mirëfillta janë dhe përkthimet e librave të tij në gjuhët: italiane, frënge, gjermane, suedeze, rumune e sllovene.

Krijimtaria e këtij krijuesi përputhet fjalë për fjalë me kohën, andaj edhe është pjesë e letërsisë së shumë gjuhëve të huaja. / KultPlus.com

Godzilla vs Kong vjen në Cineplexx me eventin Action Night ku do të ketë shumë shpërblime

Një nga filmat e shumëpritur, Godzilla vs Kong arrin në Cineplexx më 25 mars, me eventin Action Night, ku do të ketë shumë shpërblime.

Njëri prej filmave të shumë pritur të këtij viti, Godzilla vs Kong arrin në Cineplexx këtë javë! Kinemaja më e madhe në vend Cineplexx, për këtë film, do të organizojë eventin Action Night, ku do të ketë shumë shpërblime. Ky event do te mbahet ne të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, më 25 mars, duke filluar nga ora 19:00.

https://www.facebook.com/cineplexxprizren/photos/a.109508333776909/533240598070345/

Kapitulli tjetër epik në “Monsterverse, vë dy nga ikonat më të mëdha në historinë e filmave kundër njëri-tjetrit – Godzilla i frikshëm dhe Kong i fuqishëm – me njerëzimin të zënë në ekuilibër. Filmi është vazhdim i filmave Godzilla (2014), Kong:Skull Island (2017) dhe Godzilla: King of Monsters (2019).

Fokusi kryesor i këtij eventi do të jetë pikërisht premiera e këtij filmi. Për të pranishmit, do të ketë shumë shpërblime nga brende si:

2x Syze Ray-Ban nga Optika Simon
10x Anëtarësi 1 vjeçare në Fivestar Fitness

Ndërsa në kinemanë në Prizren, shpërblimet do të dhurohen nga brendet si:

2x Syze Ray-Ban nga Optika Gacaferi
5x Anëtarësi 1 vjeçare në Fivestar Fitness

Për më tepër informata rreth eventit dhe orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 15:00. (lidheni me kete link: https://www.cineplexx-ks.eu/Content.Node/ks/events/_items/Godzilla_vs._Kong_-_Action_Night.sq-KS.php

Pezullohet përkohësisht greva, nis qarkullimi i autobusëve në Kosovë

Shoqatat e Transportit rrugor të udhëtarëve ka pezulluar përkohësisht grevën.

Kjo thuhet se është bërë në shenjë solidarizimi me qytetarët nga moti ftohtë.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj theksoi se pezullimi i grevës dhe protestës nuk do të thotë që heqin dorë nga kërkesat e tyre, por siç tha ai ky vendim ka ardhur për shkak të motit të ligë.

Kjo shoqatë ka paralajmëruar bisedime me Qeverinë e re.

Ndryshe, transporti ndërurban dhe ai periferik urban janë futur në grevë nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Greva u bë pas moszbatimit të marrëveshjes nga Qeveria për subvencionimin e këtij sektori. / KultPlus.com

22 vjet nga vrasja e aktores Adriana Abdullahu nga forcat serbe

Sot shënohet 22 vjetori i vrasjes makabre të aktores Adriana Abdullahu, e cila u vra në mars të vitit 1999 nga sulmi i forcave serbe në një kafiteri në Prishtinë, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, shkruan KultPlus.

Adriana ishte një aktore e talentuar, plot jetë e e dashur për të gjithë. Kishte fatin të shëtiste botën dhe kjo e kishte kultivuar edhe më shumë personalitetin e saj kulturorë e social.

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Adrians, teatri i qytetit të Ferizajt që njëkohësisht mban emrin e aktores, e ka kujtuar atë përmes një postimi në facebook ku shprehin krenarinë e tyre që teatri mban emrin e aktores.

“Prindërit e kolegët e saj e përshkruajnë si një vajzë të hareshme e me dell humori të rrallë. Buzëqeshja dhe perspektiva e aj u ndërprenë dhunshëm nga një sulm i papritur i forcave serbe në një lokal ku Adriana dhe miqtë e saj takoheshin mbrëmjeve, kështu duke shuar një shpirt artisteje, e një vajzë që ishte shembull emancipimi e progresi shoqëror. Sot, teatri i Ferizajt, mban me krenari emrin “Teatri Adriana” dhe në vazhdimësi mëton të kujtoj e të afirmoj vlerat e saja  njerëzore e artistike”. / KultPlus.com

Eja ashtu si je

Poezi nga Rabindranath Tagore
Përktheu: Ag Apolloni

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet!
Eja mbi bar me hapa të shpejtë!
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga gjerdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë!
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet!
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet! / KultPlus.com

Ekspertët ndërkombëtarë kërkojnë ndalimin e ndërtimit të Bypass-it të Gjirokastrës

Një grup ekspertësh ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore të cilët kanë punuar në Gjirokastër i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të ndalojë ndërtimin e Bypass-it, duke theksuar se nëse ky projekt përfundon, mund t’i kushtojë Gjirokastrës statusin e saj si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Grupi thotë se Shqipëria duhet të adoptojë një plan mobiliteti për Gjirokastrën përpara implementimit të çdo projekti.

“Humbja e statusit të UNESCO-s, mund të ishte një goditje e rëndë ndaj turizmit kuoturor shqiptar në zhvillim, dhe mund të njolloste reputacionin e fituar me vështirësi të Shqipërisë si një partner ndërkombëtar i besueshëm”, thuhet në letër.

Grupi është gjithashtu i bindur se banorët e Gjirokastrës nuk do ta aprovonin rrugën nëse do të ishin plotësisht të informuar në lidhje me pasojat e saj.

Letra është iniciuar prej Stephan Doempke, ish-kordinator programi i UNESCO/UNDP mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, i cili ka jetuar katër vite në Gjirokastër, ndërsa tani është kryetar i World Heritage Watch, një rrjet global i 180 organizatave jo qeveritare, i cili monitoron Vendet e Trashëgimisë Botërore dhe raporton në UNESCO. / KultPlus.com

Johnny Depp me film për misterin e vrasjes së Tupacut

Johnny Depp la mënjanë të gjithë dramën e tij ligjore për të bërë një postim të rrallë në rrjetet sociale në lidhje me filmin e tij të fundit. Aktori 57-vjeçar publikoi posterin për dramën e tij të re “City of Lies” në Instagram, të premten.

“Faleminderit Voletta Wallace dhe familjes Poole që lejuan Bradin, Forestin dhe mua e ekuipazhin të tregojmë këtë histori të rëndësishme dhe në kohë”, shkroi ai. “E vërteta është një zog i rrallë. Aq më shumë arsye për ta kërkuar atë. ‘City of Lies’ është lansuar në kinematë amerikane. Në VOD vjen më 9 prill. Më shumë territore që do të shtohen së shpejti”, ka shkruar aktori në postimin e tij.

Drama e krimit futet në misterin pas vrasjeve të Tupac Shakur dhe Notorious B.I.G.

Depp e kishte xhiruar filmin më 2017, por nuk ishte publikuar më 2018, siç ishte planifikuar, për shkak të një procesi gjyqësor të ngritur kundër Deppit nga një menaxher në film, duke pretenduar se ylli e sulmoi atë në shesh xhirimi.

Postimi erdhi një ditë pasi aktori i “Pirates of the Caribbean” e quajti ish-bashkëshorten e tij Amber Heard, “mashtruese e cila interesin primar e ka tek paratë”. Martesa e çiftit përfundoi katër vjet më parë në Gjykatën e Apelit në Londër, kurse tani ylli hollywoodan Depp, po përpiqet të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Lartë, ku ai akuzohet ta ketë sulmuar ish-bashkëshorten dhe e bëri të frikësohej për jetën e saj.

Pas shkurorëzimit të përcjellë me skandale të shumta, karriera e Johnny Deppit, që dikur shquhej si një prej aktorëve më të paguar të hollywoodit, pësoi dëme. Me t’u identifikuar si person i ashpër dhe i dhunshëm ndaj ish-gruas, Depp e humbi një prej roleve më të rëndësishme në vjetët e fundit. Bëhet fjalë për filmat “Fantastic Beasts” ku ai e kishte portretizuar magjistarin e keq, Gellert Grindelwald.

Studioja “Warner Bros” i kishte kërkuar aktorit që të heq dorë nga ky rol, pas humbjes së betejës ligjore në Londër me gazetën “The Sun”, rast ky i cili ndërlidhej me akuzat për dhunë familjare kundër tij. Aktori Mads Mikkelsen është caktuar për ta zëvendësuar Deppin, në këtë projekt shumë të suksesshëm në arkat filmike.

Kurse të dielën më 21 mars, një burrë i panjohur hyri pa leje në shtëpinë e aktorit. Policia ishte lajmëruar nga kompania e sigurimit se një burrë ka hyrë në shtëpi pa leje, të cilët më pas e kishin arrestuar atë. Kjo është hera e dytë që kjo pronë e yllit 57-vjeçar të kinematografisë është shënjestruar nga fansat. Para dy muajve një grua u arrestua nga policia, brenda shtëpisë së Johhny Deppit në Hollywood. / KultPlus.com

Diskutim në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, Matoshi: Poezia është gjuhë e cila e zbulon qenien

Dashuria për poezinë, përhumbja mes vargjeve rrëqethëse në brendësinë e shpirtit unik të secilit njeri dhe dëshira për trashëgiminë e traditës gojore mblodhi mbrëmë dashamirësit e poezisë si: Halil Matoshi, Nora Prekazi dhe Shpëtim Selmani në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, një debat ky i organizuar nga Social Creativity, Vlora Ademi dhe Valbona Raifi, shkruan KultPlus.

Kjo ditë e cila është shpallur nga UNSECO si dita botërore e poezisë që nga viti 1999, synon që të nderojë poetët, leximin, shkrimin e po ashtu edhe ndërlidhjen e saj me artet e tjera. Ndonëse poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, lidhja e poezisë me artet e tjera vlerësohet si lidhje e veçantë, qofshin lidhjet ato që i shpalosin ndjenjat e përbashkëta mes njerëzve apo edhe ato të kundërtat.

Mbrëmë, shprehja lirike la gjurmë në tryezën e KultPlus Caffe Gallery, më së miri edhe nga vetë të pranishmit e sidomos nga humori i njohur i Halil Matoshit, i cili nisi mbrëmjen me arsyen se pse ai shkruan.

“Poezia nuk ka definicion, por më kujtohet një regjisor i madh rus, Andrei Tarkovsky, i cili thotë se arti e poezia nuk mësohen dhe nuk ka shkollë për to, sepse ato vetëm përjetohen e janë dhuratë nga Zoti. Por mbi të gjitha, poezinë e shoh si befasi dhe për të shkruar poezi të mirë duhet të futesh në një univers në vete. Kush mundet brravo i qoftë. Ndonëse edhe novelistët nganjëherë më zhgënjejnë sepse nuk kanë krijuar atë universin paralel, një kozmogoni unike. Por përpjekja është e barabartë me arritjen”, thotë ai.

Ndërsa me një modesti të jashtëzakonshme, ajo e cila njihej si vogëlushja e urtë, Nora Prekazi, por që shpërtheu fillimisht në pikturë e pastaj në poezi dhe e cila vjen nga një familje e zhurmshme me identitet dhe opinione të forta, poezinë e sheh si një moment individual, një rrëfim ndaj vetes, prandaj edhe shkruan. Ndonjëherë më pak e ndonjëherë më shumë, por që vërtetë u inspirua edhe nga shoku i saj, Shpëtim Selmani, me ç’rast edhe ajo filloi të shkruante përsëri pasi që e kishte lënë një kohë. Ajo filloi të shkruante të vërtetën e saj.

“Poezia duhet të krijojë emocion dhe ndjenjë. Ndjeshmëria, komunikimi, mesazhi, identiteti ynë është ajo çka e rrumbullakon gjuhën tonë. Gjuha është hapësira jonë e të shprehurit”, lë mesazhin Prekazi e cila mbrëmë interpretoi disa nga poezitë e saj siç ishin: ‘Janar’, ‘Më pas’ dhe ‘Deti’, poezi kjo e cila u dallua mjaft shumë edhe nga ambienti në të cilin të pranishmit po e vështronin borën por njëkohësisht ëndërruan për detin.

Fuqia e poezisë dhe emocioni që ajo përcjell së pari dallohet tek komunikimi indirekt, tek ato mesazhet e vogla, të fshehura në një vend të posaçëm për njerëzit e dashur apo ndoshta edhe tek reflektimet personale drejt atyre që nuk kanë guxim të shprehen apo mbase poezia nuk ka efekt fare përderisa nuk mund ta përjetosh atë. Poezia ka lëvizë botën e njeriut duke e tundur atë sa në një emocion në tjetrin. E në natën e mbrëmshme, në mesin e larmive të emocioneve, ishte Shpëtim Selmani, i njohur edhe për Çmimin fitues të European Union Prize for Literature, që solli një sërë poezi që as duart e tij nuk po mund ti mbanin dot.

Përgjatë atmosferës së ngrohtë dhe nën hijen e vargjeve të interpretuara nga Selmani, e sidomos nga ato të fundit të cilat të lënë me gojë hapur ishte edhe poezia e tij, ‘Rrugës për tek Danjela’, e cila tundi audiencën me fjalët ‘fus gishtat në gojë dhe nga aty e heq vetëvrasjen’, që la pas jehonën e saj. Teksa tutje ai vazhdoi edhe me poezitë, ‘Çfarë shoh në mëngjes’ dhe ‘Në dhomën e ditës’, ku publikut i dhuroi vizione me përmbajtje kafshësh të mbështjella në kokë.

“Shkruaj sepse mendoj se askush nuk më kupton”, ndonëse jo plotësisht e vërtetë, këto fjalë padyshim që njihen si fjalë të Selmanit, i cili nuk ka një konstatim specifik se pse ai shkruan. Ai ende nuk e ka gjetur arsyejen. 

Teksa moderatorja nisi ta hap diskutimin rreth rëndësisë së poezisë, Halil Matoshi potencoi se ai kishte rizbuluar rëndësinë e poezisë në vargjet e Martin Camajt të cilat buronin nga rrënjët e Ndre Mjedës, për të vazhduar me dy poetë modernistë, dhe përmbyllur me thënien: “Nëse poezia nuk është tiranike, nëse poezia nuk vendos pushtet total absolut, ajo nuk është poezi fare”.

“Përjetimi i poezisë duhet të dërgojë në emocione sikur ato të cilat të vdekurin e rrotullojnë, e ringjallin, ku edhe e përmbysin malin. Poezia është një realizim magjik. Nëse lexon dy strofa e për të tretën herë bie në gjumë, edhe kjo është poezi për mua. Poezia së pari është gjuhë e cila e zbulon qenien sikurse edhe lëvorja prej së cilës del lajthia, njëjtë është edhe gjuha shqipe me të cilën ne shkruajmë. Nga pluhuri i fjalëve të moçme shqipe del një filozofi e tërë. Gjuha e përditshme fatkeqësisht është shndërruar në një aktualitet me shumë pak fjalë por gjuha shqipe shtrihet në një thellësi të cilën shumë pak nga ne nuk e dimë. Duhet të gërvishtesh dheun e do të të dalë gjuha” u shpreh Matoshi nën dritën e qiriut dhe nën sytë adhurues të metaforës.

E kështu nuk munguan të qeshurat e publikut të cilat burojnë thellë nga shpirti i tyre teksa dëgjonin interpretimin e poezive të Matoshit siç ishin: ‘Traktat estetik’ dhe vazhdimi i saj ‘Ra ora e të vërtetës’, ku epiqendër e tyre u bë fjala ‘shtojzovalle’, me të cilën publiku do mbajë mend edhe këtë natë sa poetike po aq edhe argëtuese.

Shpeshherë fryma poetike nga vullkani i ndjenjave të përvëluara nga secila jetë që sot frymon, ndodh që ajo frymë të humbet brenda rrjeteve sociale dhe vorbullës të cilën shkaktojnë ato. Natyrisht që poezia ka vlerë, por sa vlerësohet ajo nga falsiteti i njerëzve që lënë kokën për like e komente, tregohet edhe nga Matoshi i cili foli për një ngjarje ku ai e përfundoi një ese dhe mendonte se e kishte formuar mirë ku pasoi me 40 like, por pas një krahasimi ai e pa që nuk ishte ashtu. Prandaj vizioni dhe pamja e jashtme me trillime dëmton poezinë tej mase. Mirëqenia e saj gjithmonë shihet nga brenda prandaj edhe zemra nuk sheh por ndjen.

 Ndërsa në anën tjetër kur temë bëhen Çmimet dhe rëndësia e tyre, poeti Selmani potencon se ai më para do të zgjidhte Çmimin Pulitzer sesa Çmimin Oscar për një rol, sepse poezia për të veçohet si një shpëtim nga një gjendje e çfarëdo lloji.

“Nëse nuk dhuron ndjeshmëri, atëherë nuk e quaj poezi”, shprehet Selmani duke uruar se një ditë ti arrijë ato.

Ndërkohë duke pranuar se poeti ka një cikël ku ai i shkruan letra autorëve ku vetëm dy prej tyre janë shqiptarë, pikërisht i pari është Halil Matoshi, të cilit iu interpretua poezia e pa lexuar më parë, me një përfundim: “Nuk njoh një të dalë mendsh më të bukur se ti”. Një përmbyllje kjo mjaft e lezetshme dhe unike, siç di edhe vet poeti ta sjellë në formën e tij. Ndërsa shqiptari tjetër që iu kushtua poezia është Armend Mazregut, miku i tij i afërt i cili momentalisht jeton në Kanada.

Ishte sakrifica ajo që dje solli të vërtetat ndaj familjarëve të pranishëm, një moment i këndshëm ku Nora Prekazi thotë “E kam sakrifikuar veten një kohë pa shkruar, një sakrificë e keqe që mohon Çlirimin brendësor. Do i sakrifikoja të gjitha, që të gjitha për tu ndjerë më së miri”, teksa duke buzëqeshur ajo iu drejtohet familjarëve në publik.

Prekazi për fund i shoqëroi pjesëmarrësit me poezitë e saj si: ‘‘Zell’, ‘Tymi’ dhe me poezinë e papërfunduar të titulluar ‘Njeri’ e cila flet për vuajtjen, zvarritjen e njeriut dhe se si është që të jesh njeri e të përtypësh hekur, po ashtu ajo krahason vështirësitë edhe me të vrapuarit nën ujë, pastaj e shfaq edhe si një flirtim me vdekjen.

Pas përmbylljes së veçantë të saj, po i vinte fundi edhe dy protagonistëve të tjerë ku Selmani për në fund shpalosi poezinë me domethënie enigmatike të titulluar ‘Amerikë’, ndërsa Matoshi na rikujtoi pandeminë, nga e cila edhe është frymëzuar të titullonte poezinë e tij ‘Stërkala drite’. Ai po ashtu rrëfeu se kërkimi adekuat dhe poetik e edhe shfletimi i fjalorit është i domosdoshëm për krijime poetike.

“Nëse duhet të harxhosh energji për poezinë atëherë shkruaj për vdekjen por për atdheun dhe poezinë duhet të jetosh e jo të vdesësh”, kështu Matoshi përmbylli natën poetike e cila përfundoi me duartrokitje të zjarrta që edhe dëborën që po binte jashtë, do ta shkrinte plotësisht.

Në mbrëmjen e organizuar në KultPlus, i pranishëm ishte edhe maestro, Primo Shllaku, që me madhështinë e tij shpalosi një rrëfim që publikun e la pa fjalë.

“Të flasësh për poezinë në Kosovën tonë e cila po ringjallet nga të gjitha pikëpamjet, kryesisht edhe nga ajo shpirtërore, treguesi autentik i ringjalljes është vetë poezia. Si njeri letrar kam qenë i orientuar në ngjarjet në Kosovë para viteve 90, ku kam konstatuar se Kosova është djepi i një shpirti autentik e poetik. Kam parë poetë të mëdhenj me presion të brendshëm që mezi përmbaheshin për të shpërthyer lavën e tyre. Si në rastin e Azem Shkreli, Rrahman Dedaj dhe Ali Podrimja ku në kushtet e trysnisë së madhe, në një pushtim real, poezia ishte e pa pushtueshme”, tha Shllaku.

Ai tutje u shpreh se në një pjesë kaq speciale shqiptare siç është Kosova, ka qenë i shëndetshëm fati ku poezia, arti, filmi e teatri nuk u bënë kurrë shkalla për ngjitjen në pushtet, përkundër në anën tjetër të Alpeve Shqiptare ku fati ishte shkatërrues dhe la shenja të cilat nuk mund të rikuperohen.

“Në Kosovë ka grupe të mira poeteshash të cilat unë i quaj ‘Amazone’, ku përmes artit poetik arrijnë të thonë shumë më tepër seç arrin të thonë burrat. Pra, ka një transferim të çuditshëm të revolucionit gjinor, e po ndodh pikërisht në terrenin e artit.”

Për Shllakun, poezia është momenti kur ne biem në shtrat, zëmë rahat mes çarçafëve, fikim dritën dhe mbesim me veten tonë. Aty është momenti i së vërtetës. Në atë moment askush nuk është aq i fuqishëm sa të gënjejë vetën e vet.

“Sonte këta njerëz të mrekullueshëm që ishin epiqendra e mbrëmjes, kanë bërë rrëfime konfesionale jashtëzakonisht të thella. Pra kanë pranuar për tu zhveshur në publik për të thënë se ‘ky jam, më shikoni nudo’, dhe ne e kemi parë, jo me mëshirë por me konkursin e brendshëm se ‘a mund të zhveshëm edhe unë si ky’?. Në qoftë se ne arrijmë me kriju këtë, ta dini se i kemi ata që mund të na prijnë”, përfundon ai.

Të pranishmit, të emocionuar pafund nga ky rrëfim, vazhduan bisedat rreth poezisë nën shoqërimin e melodive shqipe që ku më mirë tingëllojnë se në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Ujit, Albin Kurti bën thirrje që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Sot në Ditën Botërore të Ujit, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i bënë thirrje Republikës së Shqipërisë që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe që qeveria të heqë dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

Kurti tutje potencon se Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane.

Ai vazhdon të thotë se duhet të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e të restaurohen e rikthehen përsëri ato që tanimë janë degraduar.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit:

“Sot në Ditën Botërore të Ujit i bashkohem thirrjes së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, aktivistëve lokal dhe ndërkombëtar, kandidatëve për deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 25 prillit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane. Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë.

Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë.

Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë.

Njëjtë sikurse në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë qeveritë, pavarësisht kundërshtimeve publike e protestave të banorëve, kanë bërë presion të vazhdueshëm për ndërtim të hidrocentraleve. Në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, qeveritë në Kosovë kanë mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla duke prishur burimin e lumenjve ekzistues. Investime të tilla afatshkurtra për përfitime të shpejta materiale individuale, pa llogaritur fare dëmet afatgjate ekologjike dhe ndikimet negative në mirëqenien e komuniteteve, nuk do të bëhen më.

Tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e t’i restaurojmë e rikthejmë ato që tashmë na i kanë degraduar.” / KultPlus.com

“Maskat dhe distanca fizike mund të zgjasin me vite”

Njerëzit mund të kenë nevojë të mbajnë maska në fytyrë dhe distancë shoqërore edhe disa vjet akoma, derisa të kthehemi në normalitet.

Mary Ramsay, shefja e imunizimit në Shëndetin Publik Angli, tha se masat bazë mund të mbeteshin siç janë derisa shtetet e tjera të kryenin vaksinimin.

Ajo gjithashtu tha që kthimi i aktiviteteve të mëdha me spektatorë do të kërkonte monitorim të kujdesshëm dhe udhëzime të qarta për të qëndruar të sigurt.

Sekretari i Mbrojtjes nuk e ka përjashtuar ndalimin e pushimeve jashtë vendeve.

Ben Wallace i tha BBC e rezervimi i një pushimi jashtë vendit tani do të ishte “i parakohshëm” dhe “potencialisht i rrezikshëm”.

Mbretëria e Bashkuar vendosi një rekord tjetër për numrin e dozave të vaksinave të koronavirusit të dhëna në një ditë të vetme të shtunën, me 844 285 doza.

Dr Ramsay tha se kufizime të tilla si mbulimi i fytyrës në vende të mbushura me njerëz dhe distancimi social ishin bërë të pranuara nga shumë njerëz dhe lejonin që ekonomia të funksiononte.

Ajo tha se “njerëzit janë mësuar me ato kufizime të nivelit më të ulët tani, dhe njerëzit mund të jetojnë me to, dhe ekonomia mund të vazhdojë ende me ato kufizime më pak të forta në vend”. / KultPlus.com

Pas 18 vitesh Fitnete Tuda rikthehet në skenë (VIDEO)

Fitnete Tuda dhe i biri Don Duli vijnë në festivalin ‘’Kënga Magjike 2021”​, por njëkohësisht artistja rikthehet edhe në skenë pas 18 vitesh. Ajo na tregon edhe përse zgjodhi të vinte në një duet me djalin.

Fitnete Tuda lindi në Strugë dhe u zhvendos në Kosovë ku jeton aktualisht. Ajo ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në universitetin e Prishtinës.

Pjesëmarrjet e saj në festivalin e RTSH në vitet 1995-1996-të shndërruan hite këngët “Rrugë” dhe “Shi bie në Tiranë”. Në vitin 1999-të në edicionin e parë të “Kënga Magjike” ka marrë pjesë me këngën “Duke kërkuar jetë” dhe në vitin 2003 me këngën “Si muzika”, ku është vlerësuar me çmimin e produksionit.

Don Duli, 13 vjeç, është i biri i artistes Fitnete Tuda dhe studion për piano në shkollën e muzikës.

Ardit Gjebrea: Pas 18 vitesh rikthehesh në “Kënga Magjike”, njëkohësisht edhe në skenë.

Fitnete Tuda: Rikthehem në skenë, por tani nuk jam vetëm, me Donin tim.

Ardit Gjebrea: Përse zgjodhe këtë moment për t’u rikthyer?

Fitnete Tuda: Rikthehem në skenë, por tani nuk jam vetëm, me Donin tim. Ishte një ndjesi, një moment reflektimi, sepse kënga lindi gjatë pandemisë. Është një këngë për jetën, për dashurinë, buzëqeshjen, këtë vit të vështirë të cilin e kaluam edhe sikur kisha nevojë që të këndoj dhe të them këto që i ndjeva përmes këngës.

Ardit Gjebrea: Don, po t’i ishe dakord me mamin që të vije apo bëre pak rezistencë në fillim? Don Duli: Në fillim kisha pak frikë, po tani kam qejf të këndoj me mamin.

Ardit Gjebrea: Fitnete, nëse do krahasoje emocionet e këndimit solo dhe me djalin si do i përshkruaje?

Fitnete Tuda: Ndjesia është shumë e bukur që jam sot këtu para publikut me djalin tim, Donin.

Ardit Gjebrea: Çfarë mësimesh të ka dhënë mami për këtë performancë?

Don Duli: Më ka thënë të mos kem frikë, të kënaqem. Nuk kisha nevojë të stresohesha se mos bëj gabim nëpër këngë. E ka bërë këtë këngë për qejf, për dashuri.

Ardit Gjebrea: Pra bëj qejf. Nuk mund të mungonin edhe pyetjet nga publiku për Fitnete Tudën dhe Don Dulin.

Pyetja 1: Pse zgjodhët të këndoni me djalin dhe jo me vajzën?

Fitnete Tuda: Ne e ftuam edhe vajzën. Ajo quhet Dua dhe ka talent, por ajo këndon vetëm për vete. Ndërsa Doni është më shumë i dhënë pas muzikës edhe ka pasur momente ku thoshte herë vij herë s’vij, por u bind dhe tha: Mami do ta këndojmë bashkë.

Pyetja 2: A mund të më thuash ndonjë gënjeshtër që i ke thënë mamit tënd?

Don Duli: Le të mendohem… Fitnete Tuda: Diçka me internetin ndoshta… Don Duli: I kam thënë vetëm një herë, por ka ndodhur shpesh.

Fitnete Tuda: Ka blerë lojëra nga interneti.

Ishte kjo një pjesë e bashkëbisedimit në mes të moderatorit dhe artistëve në skenë të cilët pas kësaj bisede ja than këngës e cila u mirëprit nga publiku. / KultPlus.com

Digjitalizimi i artit edhe në Ditën Botërore të Poezisë

Fuqia e poezisë në botën bashkëkohore nuk humbi në UNESCO, kur në një Konferencë të Përgjithshme në Paris më 1999 ajo për herë të parë miratoi 21 Marsin si Ditën Botërore të Poezisë.

Ajo përkon me fillimin e Pranverës, të paktën në Hemisferën Veriore – kur një ndjenjë e shpresës dhe rinovimit përshkon ajrin.

“Poezia riafirmon njerëzimin tonë duke na zbuluar se individët, kudo në botë, ndajnë të njëjtat pyetje dhe ndjenja”, na kujton faqja e UNESCO-s.

“E rregulluar me fjalë, e ngjyrosur me imazhe, e goditur me njehsorin e duhur, poezia ka një fuqi që nuk përputhet. Kjo është fuqia për të na shkundur nga jeta e përditshme dhe fuqia për të na kujtuar bukurinë që na rrethon dhe rezistencën e shpirtit njerëzor”, kishte Audrey Azoulay, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, me rastin e Ditës Botërore të Poezisë në vitin 2020.

Dita e kremtimit përqendron formën letrare dhe promovon leximin, shkrimin, botimin dhe mësimin e saj. Me mbledhjet e kufizuara bashkë me udhëtimet dhe leximet letrare e panairet anuluara për shkak të pandemisë, ne mund të heqim pluhurin dhe të hapim ato vëllime të Shekspirit në raftet tona ose të shohim ngjarjet poetike online.

Platforma shumëgjuhëshe “Poezia rreth botës” e “Google Earth” bashkon forcat me organizatën amerikane të leximit “Leximi është themelor” për t’u dhënë mundësi përdoruesve të shijojnë poezi nga e gjithë bota.

Projekti i partnerit “Literacy Central” u mundëson mësuesve dhe nxënësve që të zhyten së bashku në libra dhe poezi të shkruara për fëmijë dhe të rinj. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Roterdam, Holandë, një nga festivalet më të mëdhenj të poezisë në Evropë, ka tërhequr për mbi 50 vjet të mëdhenjtë të poezisë si Pablo Neruda, Joseph Brodsky, Margaret Atwood dhe Rita Dove si dhe yje në rritje të zhanër, si Sayaka Osaki i Japonisë dhe Zheng Xiaoqiong i Kinës.

Edicioni i vitit të kaluar u anulua për shkak të pandemisë, por “Koleksioni online ‘Poetry International’ i veprave nga poetë nga e gjithë bota është zgjeruar jashtëzakonisht gjatë 20 vjetëve të fundit, duke e bërë atë një nga më të mëdhenjtë në botë”, ka thënë drejtorja Inez Boogaarts.

Festivali i këtij viti është planifikuar për në qershor dhe do të jetë një përzierje e leximeve të drejtpërdrejta, intervistave me poetë dhe përkthyes, dhe ndoshta ngjarje të vogla në natyrë.

Boogaarts ka thënë se pandemia e bën të vështirë planifikimin për çdo festival. “Në të kaluarën, shumë vizitorë kanë ardhur në festival jo vetëm për të dëgjuar poezi, por për një ambient dhe për të takuar njerëz të tjerë: kjo është normalisht gjysma e argëtimit për të shkuar në një festival. Kjo është një përvojë krejtësisht e ndryshme nga pjesëmarrja në kompjuter”, ka thënë ajo.

“Të rinjtë tani janë rritur me internetin, telefonat inteligjentë dhe posaçërisht mediat sociale. Për ta, interneti është një vend për të takuar poetë të tjerë dhe dashamirë të poezisë në të gjithë botën”, vuri në dukje ajo.

“Poezia në internet ka shpërthyer në pesë vjetët e fundit, madje edhe përpara pandemisë – nga bloget e poezive në platformat në internet deri në mediat sociale”, ka thënë ajo.

Folegj: Poezia ka përjetuar një shpërthim online përgjatë pandemisë. / DW/ KultPlus.com