Portreti i aktorit me maskë tragjike teatri nga Ulpiana

Skulptura e Ulpianës portretizon aktorin më maske tragjike teatri. Paraqet ekzemplarin më të realizuar artistik jo vetëm në Dardani por në Evropën juglindore. Është punuar në shek. III pas Krishti.  Me gjasë ka qenë pjesë e përmendores së varrit të ndonjë aktori apo ka stolisur ndonjë godinë luksoze të Ulpianës. Në Memorien Veriore të Ulpianës janë zbuluar edhe pesë antefikse të zbukuruara më palmeta dhe maska tragjike e komike teatri, të cilat së bashku më portretin e aktorit janë dëshmi bukur të sigurta që Ulpiana kishte teatër.

Haxhi Mehmetaj

Në vitin 1956 kur po behshin gërmime arkeologjike në Memorien Veriore të Ulpianës në  mesin e skulpturave të plota u zbulua edhe një kokë e  me lartësi 27.5cm, e skalitur në mermer cilësor të ngjyrës së përhimet.

Skulptori emri i te cilit ka mbetur anonim,  ka skalitur portretin e një mashkulli në moshë të shtyrë, me flokë të rena në tepe të kokës, ballë të lartë, flokë të shkurtra anash, zgavra të mëdha e groteske të syve, të mbuluara me arkada të theksuara të vetullave. Kokrrat e syve, të cilat mungojnë, me gjasë kanë qenë të modeluara nga pasta e qelqit apo nga ndonjë material tjetër.

Në ballë janë skalitur tri rrudha të thela, një në mes të ballit dhe dy të vetullave. Goja e hapur përtej mase nga frika a tmerri gjithashtu është paraqitur me  pamje groteske. Veshët janë dhëne të rregullt e simetrik, ndërsa mjekra e shkurtër më maje të mprehtë.

Tiparet e përshkruara të portretit janë karakteristikë e maskave antike tragjike të teatrit. Maskat tragjike dhe komike të teatrit, fillimisht u vunë në përdorim në Greqi në periudhën helenistike dhe u përhapen në  Romë dhe në terë Perandorinë Romake në shekujt e parë pas Krishtit.

Skulptura e Ulpianës portretizon aktorin më maske tragjike teatri.  Paraqet ekzemplarin më të realizuar artistik jo vetëm në Dardani por në Evropën juglindore. Është punuar në shek. III pas Krishti.  Me gjasë ka qenë pjesë e përmendores së varrit të ndonjë aktori apo ka stolisur ndonjë godinë luksoze të Ulpianës. Në Memorien Veriore të Ulpianës janë zbuluar edhe pesë antefikse të zbukuruara më palmeta dhe maska tragjike e komike teatri, të cilat së bashku më portretin e aktorit janë dëshmi bukur të sigurta që Ulpiana kishte teatër..  

Koka e aktorit nga Ulpiana ( Dizajni: Dukagjin Mehmetaj)/dardaniapress/ KultPlus.com

Vdekja e Bajramit

Poezi nga Bajram Mjeku

Ti duhet të vdesësh patjetër të lindësh përsëri

Një ditë kur çelin lulet me vajin tënd të parë

Besimi yt i vetëm të heshtësh në këtë botë

Kallje truri katarsë shpirti të mos përjetosh

Megjithatë, ti duhet ta jetosh jetën nga fillimi

Qetë shumë qetë urtaku im qetë dhe pa e vrarë

Miqtë tuaj; kitara, dhoma e errët, librat, vetmia

Përditë të gërryejnë si shtratin e lumit të fryrë

Merr guxim udhëto një ditë drejt detit Marmara

Atje ku fle dashuria jote e parë dashuria e mbramë

Po ti nuk ke guxim as hapin e parë ta qesësh

Ke frikë se fryhet deti e barka nuk të mban

A e ndjenë derisa vështron me shqisa nëpër kohë

Se optimizmi yt paskësh qenë sall rrenë

Që e trillojnë bukur poetët e mëdhenjë në botë

Derisa në skenë i sheh aktorët e përgjumur

Si nuk pranon shpirtërisht, botërisht s’pranon

Mashtrimin e tjetërkujt, mbretërinë tënde të humbur

Alfabetin mësoje nga fillimi këngën thure vet

Kohës nuk i dihet e fati mund të lind

Një ditë me shi kur papritur shkrepë drita diellore

Ti duhet të vdesësh patjetër, ti duhet të vdesësh

Bota është e vogël për dashurinë tënde të madhe./ KultPlus.com

Dua Lipës i vërsulët një fanse në Meksikë (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka përjetuar një moment të sikletshëm në Meksikë.

Një fanse i është vërsulur asaj, gjatë kohës sa ishte duke hyrë në veturë.

Sipas videos e cila tashmë po qarkullon nëpër media sociale, shihet se sigurimi i Lipës ka reaguar.

Dua Lipa së fundi ka fituar çmimin Grammy për albumin më të mirë pop./ KultPlus.com

Para 15 vjetësh u postua ‘cicërima’ e parë në Twitter

15 vjet më parë është publikuar postimi i parë në rrjetin social Twitter. Këtë e kishte bërë drejtori i Twitterit, Jack Dorsey, ku kishte shkruar “sapo krijova Twitterin tim”.

Twitteri ishte themeluar më 21 mars në San Francisco ndërsa ishte lansuar për publikun më 15 korrik të 2006-s.

Në bazë të statistikave, Twitteri ka rreth 187 milionë përdorues në mbarë botën. Më së shumti ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoni, Indi dhe Britani të Madhe./ KultPlus.com

Shkolla e Muzikës, Artit dhe Baletit ‘Beethoven’ shënoi ditën e poezisë me aktoren Roza Berisha

Dita ndërkombëtare e poezisë në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit ‘Beethoven’ është shënuar së bashku me aktoren Roza Berisha – Fejzullahu, shkruan KultPlus.

Nxënësit e kësaj shkollë se bashku me aktoren kanë lexuar poezitë e shkrimatarëve të njohur, por dhe të dashur për dashur për fëmijë si Agim Deva, Adelina Mamaqi, Olta Spahiu, Qani Seferaj, si dhe shumë të tjerë.

Krahas leximit të poezive fëmijët së bashku me aktoren Roza Berisha – Fejzullahu patën mundësinë që edhe të argëtohen dhe përmes muzikës./ KultPlus.com

​Biden: Tërheqja e Turqisë nga Konventa e Stambollit është zhgënjyese

Presidenti i SHBA-së Joe Biden vlerësoi sot tërheqjen e Turqisë nga Konventa e Stambollit për të Drejtat e Grave si thellësisht zhgënjyese dhe si një hap prapa në përpjekjet për të ndaluar dhunën ndaj grave.

Vendet duhet të punojnë për të forcuar dhe rinovuar angazhimin e tyre për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, në vend që të hedhin poshtë traktatet ndërkombëtare të krijuara për të mbrojtur gratë dhe për t’i bërë autorët e krimeve të përgjegjshëm, tha Biden në një deklaratë.

Ky është një hap dekurajues prapa për lëvizjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave në nivel global, theksoi Biden, raporton Reuters.

Turqia u tërhoq dje nga Konventa e Stambollit për të Drejtat e Grave, e cila synon të mbrojë gratë nga dhuna.

Siç thuhet, vendimi për t’u larguar nga Konventa e Stambollit u mor në një kohë kur numri i grave të vrara është rritur për vite me radhë, gjë që shkaktoi indinjatë të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe kritika ndaj Bashkimit Evropian./ KultPlus.com

‘Avni mor vëlla i Xhafos, ç’forcë të madhe na ke futur në gjak vëllau im’ (VIDEO)

‘’Dy krisma në Paris’’ është një dramë nga Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla. Tema që trajtohet është ajo e vrasjes së Esat Pashë Toptanit në Paris dhe poashtu gjyqin e bërë ndaj Avni Rrustemit, shkruan KultPlus.

Avni Rrustemi ka qenë nja atdhetar demokrat revolucionar i shquar, udhëheqës i shoqërisë demokratike ‘’Bashkimi’’, pjesëtar i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare në prag të Revolucionit të Qershorit.

Filmi ‘’Dy krisma në Paris’’, vazhdon të shikohet edhe sot nga një pjesë e madhe pasiqë tema që trajtohet është mjaft delikate. Në një pjesë të dramës, personazhi i Avni Rrustemit thotë ‘’Keni për të parë edhe ju, se ky do të jetë gjyqi i Esat Pashë Toptanit’’, kështu edhe del të jetë deri në fund.

Në film preken tema si tradhëtia, besa, lufta e sakrifica e popullit të Shqipërsië, nën interpretimin e trupës teatrale të Fierit, me aktorët Fatos Sela, Vladimir Muzha, Andrea Pepi etj.

KultPlus ju sjell skenën më të ndjeshme të kësaj drame, atë të ardhjes së Xhafo Idrizit në tavolinën e dëshmitarit. /KultPlus.com

Skitarja Kiana Kryeziu shkruan historinë duke fituar medaljen e argjendtë në Mal të Zi

Skitarja Kiana Kryeziu ka fituar medaljen e argjentë në disiplinën sllallom, në garën e Kolashinit që u mbajt sot në Mal të Zi, shkruan KultPlus

17 vjeçarja ka shkruar historinë duke i sjellur Kosovës medaljen e parë nga arena ndërkombëtare në skijim.

Ajo përfundoi garën me kohë 2:12.46 minuta.

Pjesëmarrës në garë ishin 18 garuese, ndërsa 12 prej tyre nuk e përfunduan njërin nga dy lëshimet. Bashkë me to ishte edhe Arba Pupovci, që nuk e përfundoi lëshimin e dytë.

Kiana, 17-vjeçare është zgjedhur këtë vit nga KOK-u pjesë e listës prej 24 bursistëve “Shpresa Olimpike 2021”, që do të marrin bursa mujore gjatë tërë vitit 2021./ KultPlus.com

Kiana Kryeziu bëhet skitarja e parë femër⛷🇽🇰 që ngjitet në podium🥈 në një garë ndërkombëtare👏👏👏

Prishtina Brass hap Javën e Frankofonisë, solli ngrohtësinë e munguar të pranverës në Kino Armata

Me koncertin e Prishtina Brass të mbajtur sot në Kino Armata, u shënua fillimi i Javës së Frankofonisë në Kosovë e cila prezantoi edicionin e 24-të të programit të tyre që në thelb shfaq kulturën franceze me të gjitha degët e saj diversive, shkruan KultPlus.

Prishtina Brass filloi koncertin e hapjes së Frankofonisë, pikërisht nën tingujt e himnit shtetëror. Të pranishmit edhe pse qëndruan në të ftohtë shijuan melodinë e përzemërt të përcjellë me heshtje. Me vazhdimin e interpretimit të instrumentistëve të mahnitshëm dhe pas secilës këngë ishte publiku ai që me entuziazmin e vet e bëri edhe më të ngrohtë koncertin e mbajtur nën tezgën e jashtme të objektit Kino Armata. Për shkak të pandemisë COVID-19, pjesëmarrësit ishin të limituar por megjithatë publiku i paktë i cili afroi pranë edhe fëmijët e vegjël, përcolli lumturinë e cila u shpalos edhe nën duartrokitjet e tyre nga duart e akullta ku edhe më pas atmosfera u gjallërua edhe më shumë.

Ndonëse data 21 mars përkon me ditën e parë të stinës së Pranverës, ardhja e së cilës përcaktohet me ndjekjen e qendrës së Diellit sipas ekliptikës, dielli sot nuk ishte prezent për të shoqëruar tingujt e instrumenteve dhe interpretimit të orkestrës. Edhe pse në mot me borë, audienca nuk po humbiste ritmin e saj, teksa ata kërcenin e lëviznin herë pas herë, me qëllim të ngrohjes së trupit, pasi që tanimë zemrat dhe shpirti i tyre, ishin të mbushura plot me harmoninë e pasuar nga talenti i shfaqur para syve të tyre.

Kënga e fundit që u soll nën interpretimin e Prishtina Brass ishte ‘Kur pranvera ishte në Prishtinë’, për të sjellë sado pak melankolinë e pranverës, të shoqëruar me fluskat e borës që kishin zënë të bien.

Pas përfundimit të koncertit të Prishtina Brass, të pranishmit vazhduan të mbledheshin brenda objektit të Kino Armata, për të shijuar nga një kafe apo gotë verë. Ata më pas u shoqëruan nga shfaqja e filmit “Le chant du loup” nga Antonin Baudry. Kësaj rradhe filmi u transmetua në rehatinë dhe ngrohtësinë e domosdoshme në këtë mot të ftohtë./KultPlus.com

‘Kënga e përshpirtshme’, poezia më e hershme shqipe

Në Ditën Botërore të Poezisë, sjellim poezinë më të hershme në gjuhën shqipe, që është ‘Kënga e përshpirtshme”, gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës ‘E mbsuame e krështerë’, në vitin 1592, shkruan KultPlus.

Kënga e përshpirtshme

Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë

Të mirë e të krështe, bura e gra

Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë

Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka

E lum kush e kujton se ka të vdesë

E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka

Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë

E bën për bir të ti e për vëlla.

Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut). Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm me titull “E mbsuame e krështerë”, i cili u botua në Romë në vitin 1592. Nga dorëshkrimi i autorit, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, gjendet një vjershë me 8 (tetë) vargje njëmbëdhjetërrokëshe.

Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar fillimin e poezisë autoriale./ KultPlus.com

“Vulë” fiton çmim në Samskara International Film Festival

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Samskara International Film Festival, shkruan KultPlus.

Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani.

Për realizimit e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë, si dhe ka fituar 10 çmime në festivale të ndryshme. / KultPlus.com

Shfaqja ‘E vërteta’ e regjisorit Agon Myftari me premierë në Teatrin e Gjilanit

Në Teatrin e Gjilanit regjisori Agon Myftari ka filluar punën për shfaqjen ‘E vërteta’ të shkrimtarit dhe dramaturgut francez Florian Zeller, premiera e së cilës do të luhet në muajin prill, shkruan KultPlus.

Në shfajqen  ‘E vërteta’ (La vérité) do të luajnë Kushtrim Qerimi, Avni Shkodra, Safete Mustafa dhe Tringa Hasani.

Lajmi për shfaqjen e Myftarit është bërë i ditur nga vetë Teatri i Gjilanit të cilët dhe i kanë uruar suksese regjisorit Myftari.

Agon Myftari është regjisor i mirënjohur kosovar i brezit të ri. Ai i diplomua në vitin 2008 në Fakultetin e Arteve, drejtimi i Regjisë Teatrore në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2011, Myftari përfundon studimet post-diplomike dhe merr gradën “Master i Regjisë Teatrore” në drejtimin e “Teatrit të absurdit” me shfaqjen “Duke pritur Godonë” nga Samuel Beckett. Në vitin 2015 Myftari emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe drejtoi artistikisht këtë institucion për një mandat të plotë katër-vjeçar.

​Agon Myftari ka bërë regjinë në më shumë se 15 produksione teatrore deri tani, dhe disa shfaqje për fëmije. Ai u dallua si student në drejtimin e regjisë teatrore duke u shpërblyer në Festivalin Ndërkombëtar për Teatër dhe Film “Skena UP” në 2006 dhe 2007. Në vitin 2009 ai bën regjinë e parë në një produksion profesional në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe qysh atëherë ai punon si regjisor i pavarur teatri. Në vitin 2018 ai ishte anëtar i laboratorit LCT Director’s Lab në Neë York (program që zgjat një muaj dhe ku marrin pjesë rreth 70 regjisorë nga e mbarë bota). Që nga qershori i vitit 2018, me pjesëmarrjen e shfaqjes “Peer Gynti nga Kosova” në festivalin ‘Schone Ausicht Festival’ në Stuttgart, puna e Agon Myftarit si regjisor fillon të jetë prezente në festivale të ndryshmë të rëndësishmë teatrore europiane. Z. Myftari vazhdon të punojë si regjisor në bashkëpunim me teatrot private si dhe ato shtetërore si në Kosovë poashtu edhe jashtë saj./ KultPlus.com

Vazhdon edhe sot vaksinimi i mjekëve kosovarë në Kukës

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka thënë se edhe sot është duke vazhduar vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve kosovarë.

“500 mjekë dhe infermierë të Kosovës po vaksinohen në Kukës”.

“Edhe sot në ditën e dytë, do të vijojë vaksinimi me stafet mjekësore të vijës së parë”, ka shkruar Manastirliu në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Halil Matoshi, Nora Prekazi e Shpëtim Selmani me mbrëmje poetike në KultPlus Caffe Gallery

Në Ditën Botërore të Poezisë në ambientet e KultPlus Caffe Galery do të mbahet diskutimi kritik mbi poezinë, shkruan KultPlus.

Në këtë diksutim do të marrin pjesë Halil Matoshi, Nora Prekazi dhe Shpëtim Selmani.

Dskutimi kritik mbi poezinë i cili organizohet nga Social Creativity mbahet në orën 19:00.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Dita Botërore e Poezisë është një akt për të nderuar poetët, për të promovuar leximin, shkrimin dhe mësimin e poezisë, si dhe për të nxitur takimin midis poezisë dhe arteve të tjera.

Poezia i pohon njerëzimit të përbashkëtat, duke na zbuluar se individët, kudo në botë, ndajnë të njëjtat pyetje dhe ndjenja.

Është shtylla kryesore e traditës gojore, përmes së cilës, me shekuj mund të komunikojnë vlerat më të thella të kulturave të ndryshme.

Pra poezia vazhdon të krijoj ngjarje dhe t’i bëj bashkë njerëzit, pavarësisht distancave gjeografike dhe jo vetëm.

Andaj, nesër me 21 mars, në KultPlus Caffe Galery prej orës 19.00 jemi bashkë me Halil Matoshin, Nora Prekazin dhe Shpëtim Selmanin për një diskutim kritik mbi poezinë.

Vërejtje:

Për arsye të respektimit të masave anti Covid, numri i pjesëmarrësve është i kufizuar./ KultPlus.com

Kosova shënon ditën ndërkombëtare të poezisë

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në një takim me shkrimtarët, ka shënuar ditën ndërkombëtare të poezisë.

Nga aty u tha se këto takime kanë për qëllim nxitjen e një krijimtarie sa me cilësore, pasi kjo krijimtari elitare kërkon nxitje dhe përkushtim të veçantë.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqeri Galica tha se përmes këtyre takimeve letrare-artistike synohen të krijohen lidhje nëpërmjet poezisë dhe formave të tjera të artit si muzika, vallëzimi, piktura, teatri e të tjera.

Kjo ditë sipas Galicës, ka për qëllim nxitjen e një krijimtarie sa me cilësore, pasi që poezia është konsideruar gjithmonë si krijimtari elitare.

“Diversiteti gjuhësor ishte objektivi kryesor i UNESCO-së ku në vitin 1999 morri vendim në konferencën e saj të 30 në Paris për ta shpallur 21 marsin, ditën botërore të poezisë, por ky vendim kishte për qëllim edhe të kthej gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë traditën gojore, kështu nëpërmjet takimeve letrare artistike synohen të krijohen lidhje nëpërmjet poezisë dhe formave të tjera të artit si muzika, vallëzimi, piktura, teatri e të tjera që me një aspekt ndërlidhen në një mënyrë mediale”.

“Dita botërore e poezisë reflekton edhe në nxitjen e një krijimtarie sa me cilësore sepse arti poetik gjithnjë është konsideruar krijimtari elitare që padyshim kërkon nxitje dhe përkushtim të veçantë… Gjuha e poezisë është e specifike, sepse janë specifike edhe gjuha dhe ndjenjat që shpreh krijuesi nëpërmjet vargjeve, në të vërtete është diçka e bukur e fisnike që në mënyre imediate futet në mëndje në zemër e në shpirt të recituesit por edhe të krijuesit” tha ai

Në ketë takim disa shkrimtarë kishin shkruaju edhe poezi për pandeminë dhe situatën në të cilën gjendemi.

UNESCO me 21 mars të viti 1999, shpalli ditën e dita botërore e poezisë. Këtë vendim e morri në konferencën e saj të 30-të në Paris. Ky vendim kishte me qëllim kthimin e kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë traditën gojore./ Insajderi/ KultPlus.com

Letër prindërve që kanë fëmijë me sindromën Down

Shkruan: Fjolla Rraci

Do të doja ta takoja tani një nënë që sapo e ka kuptuar që brenda saj po rritet nje fëmijë i cili ka sindromen Down, apo një nënë që sapo solli në jetë një fëmije e që mjeket nuk e uruan, por e ngushëlluan për faktin qe femiu i saj lindi i prekur me sindromen Down, e t’ia them këto fjalë që burim kanë zemrën time dhe secilën eksperience timen me buzëqeshjen e dashurinë e ofruar nga çdokush i prekur me këtë sindromë.

Dua t’i tregoj që në librat e biologjisë edhe sot akoma shkruhet qe personat me sidromen Down jetojnë deri në 12-13 vjeç, e disa prej miqve të mi tashmë i kane kaluar te 40-at. Dua t’i tregoj qe shumë vite më parë dëgjoja fjalë nga me te ndryshme për personat me sindromen Down, qe janë të egër, shumë hiperaktiv, kokëfortë, ngacmojnë njerëzit e gjithfarë epitetesh jo të mira.
E gjate këtyre viteve e kam kuptuar qe këto fjale vinin prej njerëzve që nuk kanë dashur t’i njohin miqtë e mi, nga ata njerëz qe asnjëherë s’kanë bërë ndonjë muhabet më të gjatë, nga ata shok që kurrë nuk i përfshinë ne lojën e tyre, nga ata njerëz qe i kane konsideruar si të sëmurë, nga ata njerëz që se kanë njohur kurrë dashurinë e vërtetë.
Po, edhe femiu yt’ mund te kalojë nëpër situate të tilla e te etiketohet me gjithfarë emrash nëse ti e konsideron lindjen e tij si ndëshkim e fatkeqësi, por besojini zërit tim qe dridhet se fjalët po me vijnë prej shpirti e zemre që sindroma Down NUK është fatkeqësi, fatkeqësia më e madhe është veç padituria që nuk i lejon njerëzit me kuptu që çdo njeri që e ka afër një person me sindromën Down është i bekum sepse dashninë, ndjenjën e mirë dhe të qeshurën që ju rrjedh prej shpirtit që ta dhurojnë ata rralle mundesh me e marr prej dikujt tjetër.
Miqtë e mi e dinë saktë kur kam nevojë për dashuri dhe përqafime, mjafton me më pa ne sy, edhe ata kane me e kuptu çdo ndjenjë timen. Ata më kanë bërë ta kuptoj sa e bukur është jeta dhe se ka njerëz që dhurojnë dashuri pa kushte, pa pretendime, pa etiketime, ata e pranojnë çdo njeri ashtu siç është, sepse krejt çka shohin është dashni e mirësi, ashtu siç do te duhej te ishte çdo njeri.
E di, edhe e kuptoj qe mund te jete e vështire për ty në fillim e që i bën vetes pyetje te llojit, pse me ndodhi kjo mua ? Çfarë kam bere unë që të kem një fëmijë të tillë?
Këto pyetje do të fillojnë te zbehen me rritjen e femiut tënd, atëherë kur ta kuptosh që ai është i aftë që vetëm përmes një buzëqeshjeje, ai do ta dhuroj dashurinë e gjithë botes, qe ai do t’i gëzohet prezencës tande e që përmes veç një fjale e përqafimi do ta hekë barrën tende mbi supe.
Personat me sindromen Down janë ëndërrimtarë, ata e shohin boten pa luftë, pa krime, pa tradhti, pa ligësi, e shohin boten ashtu siç duam ta shohim të gjithë. I vetmi dallim mes nesh edhe personave me sindromen Down nuk është kromozomi shtese, as pamja, e as kurrgjë tjetër përpos asaj që ne i bëjmë pikërisht gjerat që i luftojmë, i bashkëngjitëm luftës, nënçmojmë, dhurojmë urrejtje, e ata nuk i pranojnë këto koncepte, por dhurojnë veç dashuri, mirësi e ëmbëlsi që ua flet krejt trupi e shpirti.
Do te doja ta takoja atë mjekun qe sapo i tha një nene, me vjen keq por femiu yt’ është me sindromen Down, t’i tregoj qe nëse secili njeri ne bote te kishte afër një person me sindromen Down, bota do të ishte vend shumë më i lumtur.

E do te doja qe mbiemri i zbuluesit te këtij sindromi te mos ishte John Langdown Down, por John Langdown Love, kështu sindroma do te merrte emrin “Love Syndrome” , sepse miqtë e mi dhurojnë veç dashuri”./KultPlus.com

Në Ditë Botërore të Sindromës Down, Osmani: Për sytë plotë jetë, do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se Kosova të cilën e duan është Kosova në të cilën personat me Sindromën Down ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen

“Vizituam sot shoqatën Down Syndrome Kosova për të bashkëbiseduar me udhëheqësit e shoqatës, prindërit, e për të parë nga afër shërbimet që ofrohen aty për fëmijët dhe për të dëgjuar kërkesat për mbështetje institucionale. Kosova të cilën e duam është Kosova në të cilën personat me Sindromën Doën ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen. E për të arritur këtë qëllim, së pari duhet të punojmë në vetëdijësim në mënyrë që përfundimisht të ndodhë integrimi i natyrshëm i personave me Sindromen Down në shoqërinë tonë”.

“Jemi shumë më shumë të njëjtë se sa të ndryshëm. Pas një viti sfidues, përtej thirrjeve për mbajtje të distancës ne nuk kemi lënë gurë pa lëvizur që të mbesim të afërt e përzemërt me njëri tjetri. Në po këtë frymë, të punojmë së bashku për t‘u siguruar që të mos presim nga të tjerët të ndryshojnë e t’i përshtaten masës, por të ndryshojmë ne në mënyrë që ata që sot ndihen ndryshe e të përjashtuar, nesër të ndihen të dëgjuar e të integruar. Për sytë plotë jetë e buzëqeshjet më të dëlira, do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Dita e Pranverës: Traditat e lashta vazhdojnë në botën moderne

Pas një dimri të ashpër e të gjatë, njerëzit në lashtësi mirëprisnin ardhjen e pranverës përmes riteve të shumta, disa prej të cilave janë trashëguar edhe sot në botën moderne.

Kremtimi i ndryshimit të ciklit natyror, bëhej për të festuar jo vetëm ardhjen e një stine të re, por edhe ardhjen e ditëve më të gëzuara, të begata dhe të mbara.

Për mijëra vjet, njerëzit kanë festuar këtë kohë të “ringjalljes” përmes festivaleve apo ritualeve misterioze, atë që për shkencën njihet si ekuinoksi i pranverës (termi latin “ekuinoksium”, që do të thotë “barazi midis ditës dhe natës”).

CNN Travel rendit disa nga vendet e ndryshme në botë që akoma dhe sot ndjekin disa prej këtyre traditave të trashëguara. Shumë prej tyre janë një rimarrje nga fetë monoteiste, por rrënjët e tyre datojnë shekuj më parë.

Nevruzi (Viti i Ri Persian), pavarësisht se sot kremtohet kryesisht nga bektashianët, përfaqëson një nga festimet më të vjetra të njerëzimit, që shkon prapa mijëra vjet më parë dhe festohet nga më shumë se 300 milionë njerëz. Kjo përfshin Iranin, si dhe vendet që kanë ndjerë ndikimin persian gjatë epokave si Ballkani, Pellgu i Detit të Zi, Kaukazi, Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme.

Photoreport: International holiday Navruz is widely celebrated in  Turkmenistan | Culture

Dita e Ekuinoksit Vernal: Japonia, është një nga vendet e tjera në botë, që mirëpret përmes festash ardhjen e stinës së luleve. Traditë është bashkimi me njerëzit e familjes dhe vizitat në vende të shenjta. Simbolikë e kësaj feste, që tashmë është kthyer edhe në simbolin e Japonisë, është lulja e qershisë.

Cherry Blossoms In Japan: When And Where To See Sakura This 2020 - KKday  Blog

Holi, një tjetër festë aziatike, një festival shumë i vjetër, përmendet për herë të parë në një poezi të shekullit të katërt. Një festë kombëtare kjo në Indi e njohur për pluhurat me ngjyra të ndezura, me të cilat njerëzit mbulojnë veten dhe të tjerët.

Holi: The legends behind India's festival of color | CNN Travel

Në Spanjë, në qytetin e Kordobës, çdo pranverë organizohet “Festival del Patios”, një ritual i mbrojtur nga UNESCO. Shtëpitë, rrugët dhe i gjithë qyteti mbushen me lule, si karafila, trëndafila dhe barbaroza.

Discover "Los Patios de Cordoba" festival of flowers 2019

Ballkani, po ashtu, kremton ardhjen e pranverës përmes traditave pagane të trashëguara deri më sot. Tradita që përfshijnë receta me bimë të ndryshme, festa karnavalesh, ndezje zjarresh dhe kapërcimi i tyre.

Paraardhësit tanë kishin një vetëdije të mprehtë për stinët dhe lëvizjen e diellit e yjeve të tjerë. Ndaj, ata ndërtuan disa vende misterioze të vizituara gjatë solsticeve dhe ekuinokseve, që ende vizitohen.

Në Meksikë p.sh. në kompleksin e rrënojave Chichen Itza, njerëzit marshojnë çdo vit gjatë ekuinokseve të pranverës dhe vjeshtës. Në piramidën “El Castillo”, dielli i vonë i pasdites krijon iluzionin e hijes së një gjarpri që rrëshqet ngadalë nëpër shkallë. Mijëra mblidhen aty për të parë këtë spektakël dhe ka një atmosferë karnavalesh me muzikë, valltarë etj.

Në Maltë, çdo fillim pranvere në tempujt Mnajdra, që datojnë nga viti 3600 para K. deri në vitin 2500 p.K., njerëzit presin të shohin rrezet e para të diellit që kalojnë nëpër hollin kryesor të këtij vendi të shenjtë.

Në Angli, në një nga strukturat më të famshme neolitike, Stonehenge, gjatë ekuinoksit të pranverës, por edhe festave të tjera pagane, mijëra njerëz marshojnë dhe festojnë. /demokracia/ KultPlus.com

Vitrinat e zbrazëta të dyqaneve mbushen me vepra arti

Banorët e qytetit Haverhill, kanë vendosur verpra arti në vitrinat e zbrazëta të dyqaneve për t’i dhënë qytetit më shumë jetë.

Bizneset janë ato të cilat i ka prekur më së shumti pandemia, duke i lënë kështu shumë vitrina dyqanesh të zbrazëta, transmeton KultPlus.

Këshilli i Qytetit Haverhill, u kërkoi vendasëve të dërgojnë vepra arti për të bërë qytetin “një vend më të këndshëm për të jetuar, punuar dhe vizituar”.

Art in shop windows in Haverhill

Persona mes moshës tetë dhe 97 vjeç i’u përgjigjën thirrjes duke dërguar veprat e tyre të artit.

Organizatorja, Sara Marsh tha se njerëzit besojnë se arti ua ndriçon ditën.

Ajo gjithashtu tregoi se ekipi mori shumë më tepër nga se kishte paramenduar. / KultPlus.com

Banja e grave

Poezi nga Nerimane Kamberi

Janë ulur te shkallët, fërkojnë nyjet, qafën
Uji sot qenka edhe më i nxehtë se dje, thojnë
Avulli krijon një atmosferë intime në këtë hamam modern
Si tymi në sallonet e opiumit,
Piktura të gjalla të reprezentacionit të orientit
Trupa që kanë duruar shumë, që nuk mërziten për kodet e bukurisë
E për shpirtin e tyre, a pyesin ?
Zëri i Armendit dëgjohet, u shërova, këndon ai
Gratë futën më thellë në ujë, fërkojnë krahët, barkun, kofshët
Duan të lëjnë gjithë lodhjen, dhimbjen këtu, skuqen, djersiten
Hynë nga dy, nga tri, shoqe, motra, kunata, sa muhabetin e kanë,
“Dedikodi” thoshte daja im, i cili shkoi para dy dite, “tetë ishim, tre mbetëm” tha nana tu qajt në telefon.
Edhe shoqja ime shkoi; lexoi, shkroi, e shkoi, grua në mes grave, zë në mes zërave
Shkoi pa bë zë, pa lamtumirë,
Shkroi për nanat, bashkëshortet, zyshat, zonjat, si ishte vetë, shkoi,
“në një botë më të bukur se kjo e jona”, prapë Armendi.
Vdekja e ftohtë, e mua faqet po më digjen flakë, hall m’u kanë bë.
Zambaka të bardhë mbi varr, por unë dua të ti kujtoj shallat me lule, rruzet plot ngjyra,
Se sot eshtë pranverë, kanë çelur thanat, edhe pse bie borë, “jallan dynja”.
Pse gjithë kjo melankoli, s’është natë dimri.
Unë zhytem edhe më shumë në këtë ujë që bëhët i padurueshëm por dhimbja ëshë edhe ma e padurueshme
“Kujdes, mos rri shumë” me thonë shoqet e panjohura, ah ky solidaritetit jonë,
As nuk shpërlahen, lëkurën e duan kështu, të zbutur, pak butësi, pak dashuri.
I shërojnë duartë e plasaritura e zemrën e plastë.
Dal nga uji, i shkoi pas grave, vijmë nesër, vijmë edhe njëhere,
fjalët që mbetën pa thënë i fusin në xhepin e bademantelit,
aty te çelsi e te orari i tretmaneve / KultPlus.com

‘A thua tërë jetën do të na vijë era sëmundje e murtajë, a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët’

Poezi nga Ali Podrimja

LUM LUMI

A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapësirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;

Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

Spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.

A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.

A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.

Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.

Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.

Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë

Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.

Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi. / KultPlus.com

Misteret e egjiptianëve të lashtë dhe sekretet e tyre të bukurisë

Misteret e egjiptianëve të lashtë janë të shumta, por truket e tyre të bukurisë nuk janë më sekret. Grimi mund të duket si një fenomen modern, një industri miliarda dollarëshe, por produktet kozmetike ishin po aq të rëndësishme në botën antike.

Që në epokat më të hershme të perandorisë egjiptiane, burra dhe gra nga të gjitha klasat shoqërore vijëzonin sytë, theksonin mollëzat, si dhe përdornin buzëkuqin. Imazhe të tilla, na i përcjellin më së miri dy mbretëreshat më të famshme të qytetërimit egjiptian: Kleopatra dhe Nefertiti. Këta ikona të bukurisë së antikitetit, përdornin produkte kozmetike jo vetëm për t’u zbukuruar, por edhe për trajtime në të mirë të lëkurës së tyre.

Janë të njohura ritualet e bukurisë së Kleopatrës, me banja qumështi dhe kripëra nga Deti i Vdekur, maska fytyre  me vajra dhe esenca lulesh e mjalti. Egjiptianët, gjithashtu, shpikën një metodë natyrore të depilimit me një përzierje të mjaltit dhe sheqerit. “Sugaring”, siç quhet sot, është rikthyer nga kompanitë e bukurisë si një alternativë më pak e dhimbshme.

Produktet që përdoreshin për të lyer sytë me nuanca të forta, kryesisht blu, mendohej se mbronin nga rrezet e forta të diellit, nga toksina të dëmshme, por edhe nga syri i keq. Ndonëse, në të vërtetë, shumë prej tyre rezultonin në fakt fatale, pasi prodhoheshin nga yndyra shtazore të rrezikshme. Kleopatra, p.sh. shtypte brumbujt, për të theksuar me të kuqe mollëzat dhe buzët e saj, ndaj ky ritual njihej edhe si “puthja e vdekjes”.

Gjithashtu, egjiptianët mendonin se të zbukuruarit ishte thelbësore, edhe përtej kësaj jete, jo më kot në varre gjenden bizhuteri, kozmetika, krehër, e çdo gjë që do t’i ndihmonte ata të ishin bukur edhe në udhëtimin e përjetshëm.

Estetika e veçantë egjiptiane ka ndikuar padyshim artin modern, përmes këtyre produkteve, ritualeve, dhe mjetesh që përdoreshin në funksion të një bukurie mahnitëse, por edhe shëndetit të lëkurës dhe flokëve. /a2/ KultPlus.com

Holanda eksperimenton me një festival me shumë njerëz në kohë pandemie

Një festival muzikor është duke u mbajtur në Holandë pavarësisht se gati e tërë bota po mban masa të rrepta të mbylljes për shkak të COVID-19.

Ky festival po zhvillohet në formë të eksperimentit me qëllim që të shikohet nëse ka ndonjë mundësi që këto organizime të mëdha të rinisin dhe të mbahen pa ndikuar në përhapjen e virusit, raporton BBC, transmeton KultPlus. Pjesëmarrësit në këtë koncert ishin të gjithë pa maska dhe nuk mbahej distanca sociale. I gjithë festivali po zhvillohet sikur të mos ekzistonte virusi.

Disa prej pjesëmarrësve janë shprehur të entuziazmuar që kanë mundur të marrin pjesë sërish në një ngjarje muzikore me shumë njerëz.

Kujtojmë se shumë vende të botës nuk kanë liruar masat, madje i kanë shtrënguar ato për të parandaluar një valë të tretë të infektimeve me koronavirus, pavarësisht se tashmë shumë prej këtyre vendeve janë duke vaksinuar popullatën e tyre.

Vetëm në Evropë, që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur mbi 1 milion njerëz duke u bërë kështu rajoni i parë që e kalon këtë shifër të të vdekurve nga COVID-19. / KultPlus.com

Regjisorja e ‘Quo Vadis, Aida?’: Pas këtij filmi, bota kurrë nuk do ta harrojë Srebrenicën

Filmi ‘Quo Vadis, Aida’, tashmë ka marrë vëmendjen e botës, në këtë film poashtu luan edhe aktori i njohur shqiptar Alban Ukaj, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për RadioSarajeva, regjisorja e këtij filmi Jasmila Zhbaniq, ka folur më shumë rreth filmit të saj.

‘Edhe pse për ne Jasmila është tashmë një fituese e Oskarit dhe shumë më tepër se kaq, duke pasur parasysh rëndësinë e punës së saj, ajo, mund të themi lirisht, lufton për kulturën e kujtesës, filmit dhe artit në përgjithësi, vendimi i nesërm nëse Aida do të jetë pesë filmat e nominuar për çmimin më prestigjioz në botë çmimi i filmit duhet të konfirmojë vetëm arritjet më të larta të këtij autori dhe artistit të vërtetë’, thekson gazetari Faruk Vele, përcjell KultPlus.

”Pas filmit Aida, bota kurrë nuk do ta harrojë Srebrenicën”, ka potencuar regjisorja e filmit.

Bashkangjitur gjeni linkun e plotë të intervistës. / KultPlus.com

https://radiosarajevo.ba/metromahala/lica/jasmila-zbanic-poslije-aide-svijet-nikada-nece-zaboraviti-srebrenicu/410037?fbclid=IwAR0jHyl7BLj_snDBPM5W9ghaf-uweHjW3mtUOdbiI_dp7vLXk7WOcvtHiZY