Shkrimtarët e rinj: Na mungon kritika, një filtër letrar dhe takimet me lexuesin

Ata janë shkrimtarë të rinj, por që premtojnë shumë. Disa prej tyre kanë fituar çmime letrare e fill pas kësaj kanë nisur të përkthehen duke u përballur edhe me lexuesin e përtej kufijve. Por, e dinë se mund të bëjnë më shumë, jo vetëm me artin e tyre por edhe me qasjen që tregu i letrave shqipe ka ndaj tyre.

Mungesa e kritikës, filtrit, apo takimeve me lexuesin janë ato që i shqetësojnë më së shumti këta të rinj.

Qendra ku ata u mblodhën sot, premton jo vetëm financime, por edhe më shumë qasje ndaj kësaj letërsie që po vjen, si në botimin e më të mirëve, por po ashtu edhe përpjekjen që kjo letërsitë dialogojë edhe përtej kufijve./a2/ KultPlus.com

“Bijat i shesim, votat i qesim”, grafiti seksist në muret e shtëpisë së deputetes

Pjesët e murit rrethues të shtëpisë ku banon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, disa persona të panjohur kanë shkruar një grafit fyes me katër fjalë: “Bijat i shesim, votat i qesim”.

Grafiti me përmbajtje seksiste, i shënuar në murin rrethues të shtëpisë së familjes Grainca në Ferizaj, shpreh urrejtje ndaj ligjvënëses shqiptare, vota e së cilës përcaktoi zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente më 4 prill.

Adelina Grainca, u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, rreth dy javë ditë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në ditën e zgjedhjes së Osmanit presidente, ajo zgjodhi të ndërronte subjektin politik. Kaloi nga radhët e PDK-së në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Deputetët tjerë të PDK-së nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentes./ KultPlus.com

Reagon Shpend Ahmeti për rrugën në lagjen Emin Duraku: Jo që kemi mbuluar, por kemi shpluar kalldërmen

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar dhe një herë për kalldërmin në lagjen Emin Duraku, ku ka potencuar se ajo rrugë prej vitesh ishte mbuluar me asfalt, shkruan KultPlus.

Ahmeti nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se komuna ka ndërruar projektin për të rikthyer kalldrëmin që ishte mbuluar kohë më parë me asfalt.

“Pash disa statuse që insistojnë që kemi mbuluat një pjesë me asfalt.  Në fakt ka qenë asfalt qe plotë vite.  Kur e kanë gryer për asfaltim e kemi parë që ka kalldërm përfundi.  Kemi insistuar dhe kemi ndërruar projektin për ta kthyer kalldërmen. Pra jo që kemi mbuluar, por kemi shpluar kalldërmen”, thka shkruar Ahmeti./ KultPlus.com

Ditët e Librit në Kalanë e Tiranës nga 21 prilli deri më 7 maj

Brenda katërmbëdhjetë ditëve në Kalanë e Tiranës do të mbahen nëntë aktivitete të ndryshme në kuadër të ditëve të librit, shkruan KultPlus.

Ditët e Librit në Kalanë e Tiranës do të mbahet përgjatë datave 21 prill e deri më 7 maj të këtij viti, ku do të prezantohen tre romane të rinjë si pjesë e projektit ‘Rrugëtim drejt identitetit’, por dhe shumë aktivitete tjera.

Përgjatë këtyre ditëve do të prezantohet për herë të parë një vëllim me poezi në respekt të individëve me autizëm, Network-u Rajonal për Diversitetin Kulturor READ, pjesë e të cilit është Instituti i Librit dhe i Promocionit, do të promovohen botime të reja me vlera të veçanta për historiografinë e letërsisë shqipe.

Në Ditët e Librit në Kalanë e Tiranës gjithashtu  do të prezantohen për herë të parë për lexuesit shqiptarë, 3 romane të rinj të autores italiane Giulia Besa./ KultPlus.com

Ministria e Arsimit merr vendim që të mbahet mësim plotësues për nivelin parauniversitar

Ministria e Arsimit, Shkencës e Inovacionit ka marrë vendim që të organizohet mësim plotësues nga 3 maji, i cili do fillojë implementimin në nivelin e Arsimit Parauniversitar.

Kështu ka bërë të ditur vetë ministrja e MASH’it, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook.

“Nga vlerësimi i gjendjes kemi marr vendim për organizimin e mësimit plotësues që do të implementohet për nivelin e Arsimit Parauniversitar. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të dorëzojnë në Inspektoratin e Arsimit planifikimet e shkollave për mësimin plotësues deri me datën 28 prill 2021, ndërsa do të raportojnë dy herë brenda muajit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues”, shkruan ndër të tjera Nagavci në postim.

Mësimi do të organizohet në këtë mënyrë:

– Për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa I-V), mësimi plotësues do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikë, ndërsa

– Për nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX) dhe të arsimit të mesëm të lartë (X-XII), mësimi organizohet në lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore.

Nagavci theksoi se “Mësimi plotësues fillon nga data 3 maj 2021 në objekte shkollore dhe vazhdon deri në përfundim të vitit mësimorë 2020-2021. Mësimi plotësues është një prej mundësive që do të lehtësojë humbjen e mësimit, përshpejtimin e të nxënit dhe përmirësimin e rezultateve të nxënësve. Në këtë vit të pazakontë me pandeminë, sfida kanë qenë të shumta për të gjithë. Edhe angazhimi e puna për të tejkaluar sfidat e ecur përpara duhet të jetë e madhe e nga të gjithë, për të gjithë”./ KultPlus.com

Kurti dhe Çeku pritën xhudistët kampionë të Evropës

Menjëherë pas kthimit nga Kampionati Evropian i Xhudos, reprezentacioni i xhudos u prit në takim nga Kryeministri Albin Kurti, Ministri Hajrulla Çeku dhe Zëvendësministrja Daulina Osmani.

Kryeministri, Ministri dhe Zëvendësministërja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit uruan xhudistët kosovarë Akil Gjakova, Distria Krasniqi, dhe Nora Gjakova për performancën e tyre dhe medaljet e fituara fundjavën që lamë pas.

Kryeministri Kurti falemnderoi Kryetarin e Federatës së Xhudos z. Agron Kuka dhe trajnerin z. Driton Kuka për koontributin e tyre të vazhdueshëm në konsolidimin e imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ministri Çeku dhe Zëvendësministrja Osmani shpalosën vendosmërinë e tyre për përkrahjen maksimale të sportistëve kosovarë, duke uruar që edhe sportet e tjera të ndjekin rrugën e sukseseve të xhudos. Në takim u diskutua për përgatitjen dhe paraqitjen e xhudistëve tanë në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, për çka trajneri Kuka bindshëm foli për mundësitë e mëdha për të fituar medalje olimpike.

Reprezentacioni i xhudos i uroi shumë suksese Kreministrit për detyrën e re dhe i kërkoi mbështetje për rregullimin e problematikave me të cilat sfidohet sporti vendor./ KultPlus.com

Esat Shala i mblodhi 2000 video të masakrave serbe mbi shqiptaret, ministrja Haxhiu: Do të bëjmë adresimin e këtyre krimeve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është takuar me të riun nga Krajkova e Drenasit, Esat Shalën i cili që nga paslufta në mënyrë vullnetare ka koleksionuar mbi 2000 video incizime të masakrave të kryera nga regjimi serb në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook, Haxhiu ka thënë se tashmë janë dakorduar për të adresuar e krimeve që janë në këto video incizime.

“Në emër të Ministrisë, falenderova Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduam për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve”, ka shkruar Haxhiu.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sot, së bashku me Valzën, pritëm në takim z.Esat Shala, të riun nga Krajkova e Drenasit, i cili që nga paslufta në mënyrë vullnetare ka koleksionuar mbi 2000 video incizime të masakrave të kryera nga regjimi serb në Kosovë.

Në këtë takim u njoftuam për punën e tij vullnetare në mbledhjen e dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e po ashtu folëm për bashkëpunimin në iniciativën për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në emër të Ministrisë, falenderova Esatin për punën e bërë deri më tani në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë si dhe u dakorduam për bashkëpunim në arritjen e synimeve për adresimin e këtyre krimeve./ KultPlus.com

Akademia e Shkencave promovon dy fjalorë të gjuhës shqipe, Gjinushi: Njohja e fuqisë shprehëse së saj prej fillimeve deri më sot

Akademia e Shkencave e Shqipërisë promovoi dy fjalorë “Fjalor i gjuhës shqipe” dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” i Aleksandër Xhuvanit.

Kreu i këtij institucioni akad. Skënder Gjinushi theksoi se synimi ynë është që përmes fjalorëve të bëhet e njohur fuqia shprehëse e gjuhës shqipe jo vetëm në gjendjen e sotme, si gjuhë e njësuar, por edhe në rrjedhat e shekujve, prej fillimeve deri më sot.

“Ky fjalor, për të cilin është punuar më shumë se dhjetë vjet, mbështetur në një traditë shumë të vlefshme që kanë fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe, është një arritje e veçantë e botimeve tona akademike. Është i pari fjalor që është përgatitur duke pasur si pritës të parë shkollat, nxënësit dhe mësuesit, programet shkollore, duke plotësuar një nevojë parësore të tyre, në kushtet kur gjuha shqipe po zhvillohet si një gjuhë e hapur e ndërkomunikim intensiv me gjuhë të tjera”, tha Gjinushi.

Gjinushi u shpreh se, “është i pari fjalor i hartuar për të shërbyer si medium që lehtëson zotërimin e shqipes si gjuhë në zhvillim për brezat e rinj. Është i pari fjalor që ka pranuar në përmbajtjen e vet edhe qindra fjalë që kanë hyrë në përdorim shumica me shqiptim si në gjuhën e huaj për shkak të zhvillimit të pandalshëm të teknologjisë, duke përfshirë edhe atë të informacionit, me të cilën jemi të gjithë përditë në komunikim”.

“Fjalori i Aleksandër Xhuvanit u përgatit nën kujdesin e prof. Memishës dhe me bashkëpunimin e punonjësve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Ky fjalor, pjesa më e madhe e të cilit ruhej në dorëshkrim, ka pritur gjatë, deri sa u bë e mundur të botohej. Është një vepër me rëndësi jo vetëm për të plotësuar personalitetin e gjuhëtarit të paharruar Aleksandër Xhuvani, por edhe për të pasuruar shqipen në pikëpamjen leksikore me një lëndë që vetëm një njeriu që e kishte lidhur jetën me gjuhën mund t’i binte në sy. Prandaj urime prof. Memishës dhe përgatitëses së botimit Engjëllushe Kara”, vijoi Gjinushi.

Ai shtoi se, “rruga që hapi Kolë Ashta, me Leksikun historik të shqipes, me fjalorin e autorëve të vjetër nga Buzuku deri tek Bogdani, është një nga mënyrat për të nxjerrë nga arkivi fjalët dhe format e vjetra të gjuhës sonë dhe për t’i kthyer në komunikim libror e ndoshta dhe bisedor”.

“Në anën tjetër, fjalori i Ismail Kadaresë, i nisur por ende i papërfunduar; fjalori i Martin Camajt, për të cilin po punohet; fjalori i Dritëro Agollit, fjalori i shkrimtarëve bashkëkohorë në Kosovë, është një rrugë tjetër për të certifikuar gjendjen e sotme të shqipes dhe rekordet e saj në vepra vetjake”, tha Gjinushi.

Ai bëri të ditur se, “gjatë këtij viti do të botojmë edhe një fjalor krahinor, fjalorin gjuhësor e etnografik të Malësisë së Mbishkodrës, përgatitur nga akad. Gjovalin Shkurtaj. Kështu, fjalorët historikë, fjalorët dialektorë dhe fjalorët njësues, zhvilluar në përpjesëtim të arsyeshëm, na japin mundësi të paraqesim gjuhën tonë jo vetëm si kod komunikimi mbarëshqiptar, por edhe si trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar”.

“Në këtë kahje shkon edhe vëmendja jonë ndaj punës së jashtëzakonshme që po bëjnë kolegët tanë arbëreshë, akademikët Francesco Altimari e Matteo Mandalà, para së gjithash me fjalorin e madh digjital të arbërishtes së shkruar dhe të folur, pastaj edhe me nismën tjetër shumë të rëndësishme për të regjistruar trashëgiminë arbëreshe si pasuri e rrezikuar në listat e UNESCO-s”, u shpreh ai.

Gjinushi theksoi se, “tashmë ka filluar edhe botimi i rimarëve të poetëve më të njohur, që përbën një prirje krejt të re, pas asnjë traditë të mëhershme. E kemi quajtur vitin e kaluar vit të fjalorëve dhe vit fjalorësh do të jetë edhe 2021-shi. Para së gjithash sepse ka nisur puna për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, me mbi 110 mijë fjalë e shprehje frazeologjike, një nga tre projektet tona madhore në albanologji; që ka gjetur edhe mbështetje shtetërore me burime financiare dhe që do të realizohet si bashkëpunim ndërakademik e ndëruniversitar midis gjuhëtarëve të Shqipërisë, të Kosovës dhe të vendeve të tjera”.

“Kështu, brenda 2-3 vjetësh, do të realizohet një ëndërr e hershme e shkrimtarëve rilindës dhe e atyre që erdhën më pas dhe do të hapet rruga për të kaluar nga fjalorët dhe korpuset elektronikë, tek një thesaurus shterrues i gjuhës sonë, për të cilin do të na duhet të punojmë relativisht gjatë. Dy botimet që përurohen sot janë nyja të këtij zinxhiri punësh, realizimesh dhe projektesh, që janë arritur e do të arrihen në të ardhmen”, përfundoi Gjinushi fjalën e tij gjatë promovimit të dy fjalorëve./atsh/ KultPlus.com

Shfaqja e llojit ‘Dance Theater’ nën autorësinë e Robert Nuhës, me premierë në TKK

Shfaqja e parë për vitin 2021 e llojit ‘Dance Theater’ me titull ‘Totem dhe Tabu’, nën autorësinë dhe koreografinë e Robert Nuhës si dhe me dramaturgji të Zana Hoxhës, do të vij me premierë më 18 maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Trupa artistike e Artpolisit ka filluar provat për premierën e kësaj shfaqje qysh nga 29 marsi. Kurse kjo shfaqje që shfaqje që kombinon gjuhën e trupit dhe të folurës, që plotësojnë njëra-tjetrën, tenton t’i jap më shumë hapësirë imagjinatës së audiencës për të parë e perceptuar diçka më ndryshe në skenën teatrore të Kosovës.

Shfaqja ngreh pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, traumat, ndikimin e teknologjisë dhe Covidit, hipokrizinë por pa ardhur në konkludime, me synimin që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe gjuhë abstrakte të konkretizuar herë-herë me fjalë, si element tjetër i rëndësishëm./ KultPlus.com

EBC vjen me zbritjen më të madhe vjetore, datat 21 – 23 prill janë rezervuar për ju

EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.

Në muajin prill të këtij viti, EBC ka vendosur të ofrojë zbritjen vjetore deri -30% në të gjithë artikujt nga data 21 prill deri më 23 prill.

Tetë dyqanet e EBC ndodhen në këto lokacione:

1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej

2. Rr. Nëna Terezë

3. Rr.Garibaldi, perballë hotel Grand

4. ETC Fushë Kosovë

5. Royall Mall, Rruga B

6. Galeria Mall, Prizren

7. Albi Mall, Veterrnik kati 0

8. Albi Mall, Veterrnik kati 1

Platforma online EBC SHOP : www.ebc.shop

Njëkohësisht, EBC Cosmetics ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të dezinfektuar objektet e pikave si dhe ka pajisur stafin me mjetet e nevojshme për mbrojtje të shëndetit sipas standardeve dhe udhëzimeve higjienike dhe të sanitarisë. / KultPlus.com

Ditëlindja e heshtur e Mbretëreshës Elisabeth pa Princin Philip pas 74 vitesh martesë

Këtë vit 95-vjetori i lindjes së Mbretëreshës Elizabeth do të jetë një rast i heshtur pas vdekjes së burrit të saj prej 73 vjetësh, Princit Philip, shkruan People.

Ditëlindja e shënuar e monarkut të Mërkurën nuk do të festohet si zakonisht, ndërsa Mbretëresha dhe anëtarët e tjerë të familjes shpesh shënojnë ditëlindjet e tyre duke ndarë portrete të reja me publikun, nuk do të ketë një foto të lëshuar këtë vit.

Kjo do të jetë ditëlindja e parë e Mbretëreshës Elizabeth pas vdekjes së burrit të saj, i cili u varros në Shën George’s Chapel në Kalanë Ëindsor të Shtunën. Ai vdiq në 9 Prill në moshën 99 vjeç, vetëm dy muaj larg 100 vjetorit të lindjes.

Mbretëresha është e rrethuar nga stafi i saj besnik dhe tre qentë e saj (të cilët ajo është parë në Kopshtet Frogmore gjatë javës së kaluar) në Windsor Castle, dhe anëtarët e familjes me gjasë do të vizitojnë monarken në ditët në vijim./ KultPlus.com

Del në shitje burgu historik në Florida

Një burg historik i krijuar në vitin 1920 është vënë në shitje në Florida.

Pjesa e brendshme e këtij burgu raportohet se është ruajtur mjaft mirë, ku dyert e qelive kanë mbetur origjinale mirëpo ka mungesë të energjisë elektrike.

Kjo pronë besohet se kushton rreth 140 mijë dollarë.

Kurse, në anën tjetër dihet pak për historinë e këtij burgu për shkak të mungesës së të dhënave në dispozicion nga gjykata dhe departamenti i policisë./paper/KultPlus.com

Autostrada Biennale dhe Manifesta 14 e shpallin partneritetin e tyre në Prishtinë

 
Në frymën e bashkëpunimit, miqësisë dhe solidaritetit, Autrostrada Biennale dhe Manifesta 14 Prishtina, dy bienale arti të cilat momentalisht po operojnë në Kosovë, kanë kënaqësinë të shpallin bashkëpunimin dhe partneritetin e tyre që do të rezultojë me prezantimin e dy punëve artistike ku do të angazhohet edhe publiku, në Prishtinë, në korrik të këtij viti.
 
Autostrada Biennale dhe Manifesta 14 Prishtina aktualisht po përgatiten secila për edicionet e tyre të radhës për verën e këtij viti dhe vjeshtën e vitit 2022, përkundër rrethanave të vështira. Ne besojmë se veçanërisht gjatë këtij realiteti të shtrënguar, të dyja bienalet e vendosura në Kosovë duhet të qëndrojnë të bashkuara dhe në solidaritet me njëra tjetrën. Duke e pasur këtë në mendje, jemi të lumtur e të kënaqur që po e lansojmë partneritetin tonë. 
 
Edicioni i tretë i Autostrada Biennale do të hapet në Prishtinë, me 1 Korrik 2021, me dy punë të mëdha të komisionuara artistike që do të zënë vend në hapësira publike, në bashkëpunim dhe mbështetur nga Manifesta 14 dhe organizata të tjera lokale, për të vazhduar më pas në Prizren me 17 Korrik dhe në Pejë me 21 Korrik. Kuratoret e këtij edicioni janë Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza.
 
“Autostrada Biennale i ka fillet e saj në Prizren, në Kosovë, në vitin 2017, bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore me anë të artit bashkëkohor në Ballkanin Perëndimor. Pandemia na detyroi që ta rimendonim modelin e sivjetmë të Bienales dhe rolin e saj në ndërtimin e infrastrukturës, prandaj jemi shumë të entuziasmuar të bashkojmë forcat me Manifesta 14 Prishtina. Në këtë mënyrë, ne do të vazhdojmë punën në objektivat tona: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur”
Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu, Barış Karamuço – Bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale 
 
“Në këtë moment shumë të veçantë në kohë, kur bota është ende e bllokuar dhe gjithçka mbetet në një ngërç shkaku i pandemisë globale, ekziston një kërkesë për metodologji të reja, për mënyra të reja të bashkëpunimit dhe fokus intensiv në krijimin e projekteve lokale të qëndrueshme. Manifesta e ndjen se me mbështetjen e projekteve lokale në Kosovë, duke nisur me mbështetjen e Autostrada Biennale në kapitullin e saj në Prishtinë, po e stimulon një ekonomi kulturore të bujarisë dhe harmonisë, përtej zhvillimit të një edicioni tjetër të Manifestas përmes ekspozitave të kuruara monolite. Aktet e solidaritetit me institucionet ekzistuese në Kosovë dhe krijimi i një ndikimi të qëndrueshëm për komunitetet lokale do të jenë dy rrugë përmes së cilave do të rigjenerohen bienalet gjithandej nëpër botë, në një periudhë pas Covid”.
Hedwig Fijen – Drejtoreshë Themeluese në Manifesta
 
Puna në bienale përgjatë pandemisë na ka bërë të kuptojmë se arti sot është mbi të gjitha një formë e rimëkëmbjes, një mënyrë për të kapërcyer izolimin. Ne e shohim bashkëpunimin tonë si një akt rezistence”
Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza – kuratore të edicionit të tretë të Autostrada Biennale
 
Autostrada Biennale dhe Manifesta 14 Prishtina do të bashkëpunojnë gjatë kurimit dhe implementimit të programeve publike të cilat lidhen me këto dy punë artistike dhe ekspozitat respektive, për të cilat do të njoftoheni me kohë. Të dyja organizatat artistike kanë përzgjedhur një bashkim shembullor të forcave, duke ftuar kësisoj edhe banorët e Prishtinës që të marrin pjesë në këto prodhime.
Lajme të tjera fantastike po vijnë së shpejti në emailin tuaj!
Bashkohuni me ne për edicionin e tretë të Autostrada Biennale, 1 Korrik – 11 Shtator 2021 në Prishtinë, dhe Manifesta 14 Prishtina, në vjeshtën e vitit 2021.

Edicioni i trete i Autostrada Biennale në Prishtinë përkrahet nga:
Komuna e Prishtinës dhe
Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë/ KultPlus.com

‘Mbasdite ora katër, ishim ndarë…’

Poezi nga Konstadinos Kavafis
Përktheu Edon Qesari

Dielli i mbasdites

Këtë dhomë, sa mirë e njoh.
Tani, ësht’ dhënë me qira tok me atë ngjitur
për zyra tregtare. E gjithë shtëpia kthyer
në zyra ndërmjetësimi, e tregtimi, e Shoqëri.

Ah kjo dhomë, sa e njohur më është.

Pranë derës këtu ishte ndenjësja,
e përballë një sixhade turke;
pranë, rafti me dy vazo të verdha.
Në të djathtë… jo, karshi, një dollap me pasqyrë.
Në mes tryeza e punës;
dhe tre ulëse të mëdha kashte.
Ndanë dritares ishte shtrati
ku jemi dashuruar sa e sa herë.

Ndokund ende do jenë të gjorat gjëra.

Ndanë dritares ishte shtrati;
dielli i mbasdites e zinte deri në mes.

…Mbasdite ora katër, ishim ndarë
veç për një javë… Mjerisht,
ajo javë u bë përjetësi./ KultPlus.com

Këngëtarja thyen rekordin Guinness duke kënduar notën më të ulët (VIDEO)

Një këngëtare nga Kandaja e quajtur Joy Chapman theu rekordin Guinness duke kënduar notën e cilësuar si nota më e ulët e kënduar nga një grua.

Ajo këndoi C1 që konsiderohet nota më e ulët në piano, dhe padyshim se ajo ka praktiuar shumë për të arritur këtë.

Një video e publikuar në platformën YouTube e shfaq këngëtaren Chapman në studion e saj duke kënduar notën e ulët në mënyrë perfekte.

Dëgjojeni në linkun poshtë. /demokracia/ KultPlus.com

Profesorët e UHZ pjesë e zbulimit të llojit të ri të insektit në Kosovë

Pjesë të punimit në të cilin është përshkruar ky lloj janë dy profesorë nga Fakulteti i Agrobiznesit Astrit Bilalli dhe Milaim Musliu.

Punimi është publikuar në revistën prestigjioze Biodiversity Data Journal, e cila boton lloje të reja për shkencën (shih linkun: https://www.facebook.com/BioDataJournal).

Lloji i emërtuar si Potamophylax coronavirus, i takon një rendi të vogël të insekteve ujore, që janë të ndjeshme në ndotjen dhe degradimin e ekosistemeve ujore. Aktualisht ky lloj është vetëm në Kosovë në Bjeshkët e Nemuna, pjesa burimore e Lumëbardhit të Deçanit.

Për përshkrimin dhe analizimin e këtij lloji janë përdorur teknikat më të avancuara molekulare, filogjenetike dhe morfologjike.

Prania e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Kosovë.

Pjesë e këtij hulumtimi gjithashtu janë profesorë nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Vjenës dhe Universiteti Gießen në Gjermani

Linku i punimit: https://bdj.pensoft.net/article/64/ KultPlus.com

Për shkak të masave anti-COVID, përfaqësuesja e Australisë në Eurovision do të performojë nga “shtëpia”

Transmetuesi kombëtar australian SBS njoftoi sot se përfaqësuesja e tyre në festivalin evropian “Eurovision Song Contest”, Montaigne dhe i gjithë delegacioni australian nuk do të udhëtojnë për në Rotterdam të Holandës, për të marrë pjesë ne festival.

Udhëtimi i delegacionit australian për në Evropë është bërë i pamundur për shkak të masave që ka marrë Australia për COVID-19, transmeton Zeri.info.

Që nga marsi i kaluar kur ndodhi shpërthimi i koronavirusit, qeveria australiane ka mbyllur të gjithë kufijtë dhe ka ndaluar fluturimet ndërkombëtare nga dhe drejt Australisë, duke synuar të parandalojë përhapjen e mëtejshme të virusit brenda vendit.

Pasi këngëtarja Montaigne nuk do të jetë e pranishme në arenën “Ahoy” në Rotterdam gjatë netëve sa do mbahet “Eurovisioni”, performanca e saj do të xhirohet dhe do të transmetohet në natën e parë të festivalit, më 18 maj.

“Australia ka përqafuar frymën e Eurovisionit për më shumë se 35 vjet në SBS dhe afeksioni dhe emocioni ynë për konkursin ka vazhduar të rritet prejse kemi garuar për herë të parë në Vjenë më 2015.

Në vitin 2021 Australia do të garojë përsëri në garën më të madh të këngës, por kësaj here artisti ynë, Montaigne, do të interpretojë nga shtëpia dhe jo jashtë vendit”, ka thënë Josh Martin, shefi i delegacionit të Australisë në Eurovision.

Eurovisioni këtë vit mbahet nga datat 18, 20 dhe 22 maj dhe pritet të ketë numër të kufizuar të publikut vendas në arenen “Ahoy” në Rotterdam të Holandës.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën “Karma”, e cila do të ngjitet në skenë në natën e dytë, më 20 maj. /Zëri / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ghT5QderxCA

Kisha e ”Shën Nikollës” në Voskopojë e restauruar, ndër më të bukurat në vend

Kisha e Shën Nikollës në Voskopojë, tashmë e restauruar, është monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1948.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti rikujtoi për publikun një nga punët e përfunduara nga institucioni që ajo drejton.

“Restauruam Kishën e “Shën Nikollës” në Voskopojë, Korçë, një nga më të bukurat në Shqipëri”, shprehet Margariti.

Për Voskopojën dhe besimtarët e krishterë ajo përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike për zonën dhe jo vetëm. Përfundimi i ndërtimit të kësaj kishe daton që prej vitit 1721. Ky objekt është ndërtuar prej materialit të gurit të tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks dhe hajat. Brendësia e kishës është dekoruar me piktura murale të ekzekutuara nga mjeshtri i shquar David Selenica dhe bashkëpunëtorët e tij Kostandini dhe Kristo.

Kisha e Shën Kollit përfaqëson një ndër monumentet më të rëndësishme të Voskopojës, jo vetëm për sa i përket arkitekturës por gjithashtu edhe cilësisë së pikturave, të cilat mbajnë autorësinë e mjeshtrit të shquar David Selenicës dhe të ateliesë së njohur të Athanas Zografit dhe Kostandin Zografit. /atsh / KultPlus.com

“Vitet e Pritjes”, sot premiera botërore e versionit të restauruar

Sot shfaqet premiera botërore online e versionit të restauruar të filmit artistik “Vitet e Pritjes” me regji të Esat Musliut.

Premiera do të shfaqet në festivalin prestigjioz “goEast- Festival of Central and Eastern European Film”, që mbahet në Wiesbaden, Gjermani nga data 20 deri më 26 prill.

Restaurimi i filmit “Vitet e Pritjes” u bë i mundur falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit me partnerët “Fabula Films, AV Preservation by reto.ch” dhe “Kastle Films”.

Restaurimi është realizuar nga regjisori  Steven Kastrissios  (i njohur për publikun shqiptar për realizimin e filmit të parë horror në shqip “Bloodlands”).

I shfaqur premierë në vitin 1990 në një kohë kur drama e emigracionit në Shqipëri po niste sërish, akoma me e fuqishme se ajo e viteve 1930, ky është bashkëpunimi i parë i Regjisorit Esat Musliu me shkrimtarin Teodor Laço, bazuar mbi romanin e tij  “Lëndina e lotëve”.

Një roman kushtuar emigracionit me ngjarje të ndodhura në vitet ’30-të. Temë kjo që është parë si plagë e shoqërisë dhe që Laços i pëlqente ta quante “operacion që bëhet mbi plagën e varfërisë”. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Aktorja që fitoi katër Oskar dhe nuk u shfaq kurrë për t’i marrë ata

Për shumicën e aktorëve, një Oskar është një njohje e vërtetë e talentit të tyre në aktrim, duke e bërë statujën e artë një dëshirë të zjarrtë, të paktën për më të kota nga të gjithë.

Sidoqoftë, kishte dhe ka aktorë të cilët në historinë e institucionit të Akademisë, jo vetëm që nuk ishin asnjëherë të interesuar nëse do të shpërbleheshin me të, por ata u vlerësuan dhe nuk u shfaqën kurrë që ta merrnin atë. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që ata nuk e pranojnë fare.

Një shembull tronditës është rasti i Kathryn Hepburn, aktorja më e mirë e të gjitha kohërave sipas Institutit Amerikan të Filmit, e cila në karrierën e saj të gjatë rreth 70 vjet arriti të fitonte gjithsej 4 Oskar në kategorinë e Aktores së Parë.

Pas një total prej 12 nominimesh, legjenda e gjallë e televizionit u dha për interpretimet e saj në filmat Morning Glory (1933), Guess Who Coming to Dark (1967), The Lion in Winter (1968) and On Golden Pond (1981), kështu duke ruajtur, rekordin për shumicën e çmimeve të Akademisë për aktoren më të mirë, Meryl Streep më moderne është në distancë të frymëmarrjes prej 3.

Ajo që e veçon atë nga fituesit e tjerë është fakti se ajo nuk është shfaqur kurrë në ndonjë ceremoni çmimesh për të marrë çmimin e saj personalisht. Arsyeja: Siç ka deklaruar ajo “Për mua, çmimet nuk janë asgjë. Çmimi im është puna ime”.

E vetmja herë që ajo ndoqi një nga ceremonitë e Akademisë ishte në 1974, jo për të marrë çmimin e saj, por për të paraqitur çmimin special Irving G.Thalberg producentit dhe mikut të tij Lawrence Weingarten, duke thënë zakonisht se “Unë jam prova e gjallë që dikush mund të prisni 41 vjet që të bëheni plotësisht vetëmohues“. / KultPlus.com

Pas lajmit të KultPlus se Kabashi nuk u respektua për mozaikun e Bllacës, Komuna e Suharekes kujtohet ta nderojë

Ditë më parë në Bllacën e Hanit të Elezit është përuruar ‘Muri i Kujtesës’, në qendër të së cilit qëndron fotografia e Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën, teksa po iknin nga ushtria serbe. Ky mozaik është punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm nga Fatos Kabashi për rreth gjashtë muaj. Por, gjithë kjo punë nuk ka mjaftuar për prezantuesit e organizatorët e ngjarjes të cilët nuk e prezantuan fare autorin e mozaikut.

Pas kësaj ndodhie, Fatos Kabashi në një intervistë për KultPlus ka shprehur shqetësimin e tij rreth së drejtës autoriale për mozaikun e nënës shqiptare Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën, për çka nuk është nderuar ana e organizatorëve.

Lajmi i KultPlus për mos respektimin e punës së autorit arriti të shpërndahet shumë dhe kështu t’i kujtojë Komunës së Suharekës që të nderojë punën e Kabashit.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka falënderuar sot Kabashin për punën profesionale dhe pasionin e tij duke potencuar se puna e Kabashit dhe veprat e tij artistike e kanë nderuar kudo Komunën e Suharekës, e për të cilën do të mbështetet gjithmonë nga ana e tij.

Autori i këtij mozaiku, i cili njëkohësisht ka mbajtur një numër të madh të ekspozitave dhe mozaikëve, duke fituar edhe çmime si: ‘Muslim Mulliqi’ dhe ‘Fytyra Universale’, është shprehur i lumtur për këtë nderim nga ana e komunës së Suharekës. / KultPlus.com

 

Greta Thunberg dhuron 100 mijë euro për vaksinat në vendet më të varfra të botës

Aktivistja adoleshente në mbrojtje të klimës, Greta Thunberg, duke denoncuar “tragjedinë” e pabarazisë së vaksinave, ka vendosur të dhurojë 100 mijë euro për programin Covax.

Thunberg i ka kërkuar Fondacionit që mban emrin e saj të kryejë transferimin e parave që do të mbështesin blerjen e vaksinave për popullatat më të rrezikuara dhe punonjësit shëndetësorë për disa nga vendet më të varfra të botës.

“Rreth një në katër njerëz në vendet me të ardhura të larta kanë marrë tashmë vaksinën. Vetëm një në 500 njerëz e kanë marrë atë në vendet e varfra,” shkroi Greta në Twitter.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për të përballuar tragjedinë që është pabarazia në shpërndarjen e vaksinave. Ne kemi mjetet në dispozicion për të korrigjuar ç’ekuilibrin e madh që ekziston në botë sot, në luftën kundër Covid-19. Ashtu si me krizën klimatike, së pari duhet të ndihmojmë më shumë ata që nuk kanë mundësi. Duke e konsideruar Covax rrugën më të mirë për të siguruar barazinë e vërtetë në shpërndarjen e vaksinave dhe rrugëdaljen nga pandemia”, ka përfunduar ajo. / KultPlus.com

Ministria e Arsimit ka një kërkesë lidhur me mësimdhënëset shtatzëna

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit numrin e saktë të punësuarave shtatzëna në institucionet edukativo-arsimore, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga Ministria e Arsimit, ku ndër të tjera thuhet se kjo po bëhet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të grave dhe fëmijëve.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të grave dhe fëmijëve, konform vendimit të Qeverisë së Kosovës për lirimin e grave shtatzëna nga puna, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit numrin e saktë të të punësuarave shtatzëna në institucionet edukativo-arsimore”, thuhet në njoftim.

 Tutje është bërë e ditur se në bashkëpunim edhe me Fakultetin e Edukimit, komunat dhe shkollat, MAShTI do të sigurohet që nxënësit të mos të humbin orët mësimore, njëkohësisht grave shtatzëna t’u realizohet e drejta e tyre. / KultPlus.com

AGK-ja reagon për rënien e Kosovës për 8 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

Kosova ka rënë sivjet për tetë pozita më poshtë sesa vitin e kaluar, sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, sa i takon lirisë së mediave në botë. Kosova hyn në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit.

E për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

AGK-ja thotë se renditja e Kosovës në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit qëndron më mirë, duke e krahasuar me disa vende të rajonit.

“Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme, të lirisë së medieve në Kosovë. Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online, si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja thekson se “Sipas indeksit të ‘Reporterëve pa Kufij’, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999 mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport”

Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet e tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnjë dhe Hercegovina 58.

“AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”. / KultPlus.com