Publikohet kënga e re e DMX pak pasi vdiq

Pas gati një jave nga vdekja e reperit legjendar DMX, një këngë e tij është publikuar, titulluar “Been To War”.

E shkruar për seritë “Godfather of Harlem”, kënga është në bashkëpunim me Swizz Beatz dhe French Montanan.

DMX këndon pjesën më të madhe të këngës, shkruan NME. 

DMX (Earl Simmons) u hospitalizua pas sulmit në zemër për shkak të mbidozës më 3 prill, ndërsa mbeti në kujdes intensiv. / KultPlus.com

‘Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria’

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com

Prishtina dyndet nga qytetarët, nuk respektojnë masat Anticovid

Masat e reja të prezantuara nga Qeveria në javën e kaluar ka bërë që të mbyllen kafenetë dhe restorantet.

Në këtë mënyrë qytetarët është dashur të gjejnë një mënyrë tjetër që të pinë kafetë dhe të bisedojnë me njëri tjetrin. Një foto e qytetarëve të shumtë në Lagjen Dardania në Prishtinë ku shihet se qytetarët nuk po respektojnë masat Anticovid, ka filluar të qarkullojë në rrjete sociale.

Siç shihet në këtë foto, qytetarët pinë kafe e bisedojnë në mbrëmje, në pllatonë e kurrizit, lagjja “Dardania” – Prishtinë.

Vërehet grumbull njerëzish të cilët marrin kafetë me vete nga kafenetë. / KultPlus.com

Ti qave

Poezi nga Ismail Kadare

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Atëhere lotëve të tu s’ua vura veshin,
Te desha, pa e ditur se të desha.

Një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m’u duk,
Ahere e kuptova ç’kisha humbur,
Ç’kisha fituar kuptova gjithashtu.

Më rrëzëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re.
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
secila m’e bukur se tjetra qe.

Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish. / KultPlus.com

‘E duam jetën ndaj na lini të jetojmë, o mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë’ (VIDEO)

“Na lini të jetojmë” është kënga epike që vazhdimisht është kënduar nga zërat e njohur të zhanrit rock, por që më se miri mbahet mend me interpretimin e Elton Dedës, shkruan KultPlus.

“E duam jetën ndaj na lini të jetojmë”, është refreni që në koncertet e Elton Dedës ka zgjuar një jehonë të jashtëzakonshme si në ditët e para kur është kënduar. Me tekst kuptimplotë me një frymë protestuese, kjo këngë arrin t’i bëjë të gjithë të këndojnë njëzëri me këngëtarin e me duart e ngritura lart, duke e ndjerë çdo fjalë.

Kjo këngë është kënduar nga grupi Tingulli i Zjarrtë në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1991.

KultPlus sot ju sjell këtë këngë me tekst dhe video.

https://www.youtube.com/watch?v=Y8ExhP8uDc8

Më kot unë pyes pse nuk erdhe përsëri
Kush ti ndali hapat, kush të tha “Mos ik!”
Një lajm i ditës si një krismë tremb çdo shpirt
Bëhet zog plagosur
Zemër e vrarë në pritë

Çdo dashuri që të jetojë do ngrohtësi
Dhe toka s’rron pa diellin lart, pa kaltërsinë
Kudo të jesh o moshatar i vendit tim
Kush vallë si ne do dashurinë

REF:
E duam jetën ndaj na lini të jetojmë
O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë
E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo
I kam harruar përkëdheljet mos harro

Çdo dashuri që të jetojë do ngrohtësi
Dhe toka s’rron pa diellin lart, pa kaltërsinë
Kudo të jesh o moshatar i vendit tim
Kush vallë si ne do dashurinë

REF 2x:
E duam jetën ndaj na lini të jetojmë
O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë
E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo
I kam harruar përkëdheljet mos harro. / KultPlus.com

Një jetë të tërë me veshjet e Dukagjinit, Hajrije Balaj një krijuese e vlerave kombëtare

Suada Qorraj

Vitet e shkollës, ndonëse nuk i kishte të gjata i konsideron të bukura, madje dhe nostalgjike. Për sa kohë bankat shkollore ishin pjesë e jetës së saj, ndonëse fëmijë, asaj i besohej që herë pas here të luante edhe rolin e mësueses, e për orë të tëra ti mësonte shokët e saj. Mirëpo mundësia e shkollimit të mëtutjeshëm, Hajrie Balajt iu ndërpre në gjysmë, por jo dëshira e saj e madhe për punë, shkruan KultPlus.

“Nga klasa e dytë në të katërtën më kanë kalu, se mësuesi çdo herë ka thanë se jam shumë e zgjutë. Ka ardhë edhe te baba e i ka thanë që të mos më le pa shkollë, po nuk ishin kushtet në atë kohë”, fillon kështu rrëfimin e saj për KultPlus, Hajrie Balaj.

Ditët që erdhën pas ndërprerjes së shkollimit, Harjrien e gjetën të hidhëruar me nënën e babain, si dhe të mërzitur, aq sa siç thotë ajo, për ditë të tëra ka qarë. Por, ky inat e kjo mërzi nuk e kufizuan Hajrijen, sepse ajo filloi të mësonte profesionin të cilin që nga mosha 14 vjeçare do ta barte me vete për gjithë jetën.

“14 vjeçare kam filluar të punoj në maqinë. Nëna ime i kishte lënë gati gjërat për ti qepur motrës time këmishë të bezit për fëmijë, dhe unë, sa ish nëna duke bërë punë ja morra edhe ja kepa motrës teme këmishën. Prej kësaj dite kam fillu e s’ju kam da kurrë më”, tregon tutje Hajria.

Ajo krahas punës në makinën e qepjes, përgjatë jetës së saj ka punuar edhe në vek, madje ajo, tjerrjen e leshit që i duhej për qepje e kryente vet. Hajrija ende i ruan me nostalgji secilin mjet të punës, por dhe gjërat që ka qepur në to.

Blerja e një makine qepjeje në atë kohë nuk ishte një gjë e lehtë, sepse krahas çmimit të lartë që kishte, gjetja e saj ishte po aq problematike. Hajrija tregon se pas shumë muajsh punë kishte arritur që të mblidhte shumën e nevojshme dhe ta blinte makinën e saj të qepjes.

“Në atë kohë çka kam punuar i kam ruajtur dhe e kam blerë maqinën tem. 100 qese bojke një lopë, e maqina që e kam ble unë ka kushtu 600”, rrëfen ajo buzagaz.

Hajrija në punën e saj kishte qepur pajën e shumë nuseve, rrobat e palltot e shumë njerëzve që trokisnin në derën e saj. Ajo shpalosi për KultPlus të gjitha gjërat që një pajë duhej ti kishte, e që Hajrija i punonte.

“Atëherë kur unë kam qenë çikë, kur u martojke një vajzë, vajzës që martohej ju qepshin krejt gjërat e nevojshme për një jetë tek burri. Në qejz duhej të ishin 7 këmisha për vajzën që shkonte tek burri, pastaj edhe burrit duhej qepur 7 palë këmisha, familjes së burrit, vjehrrës… Madje, në qejz ndonjëherë përfshihej edhe takomi i djepit”, pohon Hajrija.

Tutje ajo tregon se si një ditë kur kishte shkuar në Pazar, kishte parë mbulojën që e kishte punuar sa kishte qenë e re. Lumturinë që Hajrija e kishte ndjerë në këtë moment krahas fjalëve e shprehte edhe me pamjen e gëzuar që kishte marrë fytyra e saj.

“Pas shumë vitesh e kam parë në pazar mlojsen që e kam punu kur kam qenë çikë, e nuk ish prish hiq, edhe i kam thonë atij që ka qenë tu e shit, sa po ma len se kta e kam punu unë kur kam qenë e re”, shpalos më tutje tregimet e saja Balaj, e cila shpjegon se atë mbulojë e kishte blerë nga shitësi, dhe edhe tash e mban si kujtim të veçantë.

Hajrija punën nuk e kishte kufizuar vetëm në veshjet e pajën e të tjerëve. Kur kishte ardhur koha për martesën e saj, ajo krahas veshjeve të cilat në atë kohë i paguante burri, i kishte qepur veshjet e tjera në mënyrën se si i pëlqenin asaj. Krahas veshjeve ajo kishte bërë edhe qilim e sixhade, të cilat më pas kishin zënë vend në dhomën e saj të gjumit.

Hajrija qilimin që kishte bërë për pajën e martesës e për të cilin i ishin dashur dy muaj kohë ta përfundonte e ruan ende së bashku me të gjitha gjërat që ishin pjesë e pajës së saj, e që i mbijetuan kohës. Pjesë e pajës së saj ishte edhe veshja e katundit, karakteristikë për zonën në të cilën ajo po martohej, Isniqin e Deçanit.

Kurse një nga elementet e kësaj veshjeje ishte edhe lidhësja, të cilën Hajrija ndonëse e punoi me aq mund e qejf të madh nuk arriti ta vendoste, sepse në të ishte qëndisur shqiponja dykrenare, e që për atë kohë ishte e ndaluar.

“E kam punuar këtë lidhëse me dyer mbyllë prej frike se po më zë dikush, se në katundin ku jam rrite i kam pasur kojshiket serbe. Po edhe kur erdha nuse burri s’më la me e vendosë se ai mësues, e u frigojke se mos po e burgosin e po ja humbin punën”, pohoi Balaj.

Puna për Hajrijen vazhdoi edhe pasi u martua. Tashmë ajo krahas vetës ndihmonte familjen dhe mundësonte shkollimin dhe jetën e fëmijëve të saj. Gjithsesi rrugët me të cilat e kishte përballur jeta nuk ishin çdo herë të lehta.

Ajo tregon se si ishte dashur që të merrte makinën e saj të qepjes e të shkonte në bjeshkën afër fshatit, në mënyrë që familja e madhe e asaj kohe dhe vëllezërit të mos ndaheshin. Madje shkuarja në bjeshkë e Hajrijes e kishte vënë në hall burrin e saj, se ai kishte frikën se ajo s’do të mund të punonte dhe të fitonte përmes punës së saj.

“Në atë kohë ishim shtëpi e madhe dhe më është dashtë me dalë në bjeshkë, se kunati i kishte thënë ashtu burrit tim. Unë kam marrë maqinen e kam palu në tesha edhe i kam ble materialet e nevojshme e kam punu edhe në stan”,  rrëfen Hajrija.

Rruga për tek stani i familjes nga shtëpia ku banonte Hajrija ishte pothuajse dy orë ecje në këmbë, e ajo këtë rrugë e kishte marrë çdo javë. Siç rrëfen për KultPlus ajo çdo të premte ishte kthyer në fshat së bashku me këmishat që kishte qepur, i kishte përgatitur dhe të nesërmen kishte dalë ti shiste. E diela e gjente Hajrijen përsëri në rrugën që të dërgonte në stanin ku po qëndronte familja e saj.

Hajrija punën e saj e ka trashëguar edhe tek vajzat e nusja e djalit të saj. Ajo ka pohuar se krahas mundësive të shkollimit që ju kishte dhënë secilit fëmijë, në kohën e lirë tre vajzave të saj u kishte mësuar si të qepin në makinë. Kurse pas martesës së djalit të saj, punën e ka trashëguar edhe tek nusja e tij.

Në ditët e sotme ajo merret vetëm me qepjen e veshjes së katundit për të cilën me disa elemente e ndihmojnë dy punëtoret e saja, por dhe vajza e saj me të cilën secilën nga porositë që marrin e punojnë së bashku.

Por trashëgimia e qepjes në makinë nuk është ndalur vetëm tek vajzat e Hajrijes, ngase siç rrëfen Hajrija edhe mbesa e saj Ana ka marrë po të njëjtin rrugëtim dhe tashmë është pothuajse në përfundim të shkollës në dizajnin e modës, duke e bërë kështu më kuptimplotë trashëgiminë ndër breza të familjes./ KultPlus.com

Pesë bibliotekat më të mëdha në botë, duken sikur kanë dalë nga përrallat (FOTO)

Vende me dritë, të qeta, me shumë libra, ngjyra dhe ndjesinë sikur po kalon kohën në një botë tjetër.

Këto janë disa nga ndjesitë që të sjellin libraritë aq më tepër kur ato janë aq të mëdha sa duken pjesë të filmave. Hidhni një sy biblioteka në botë të cilat mund ti vizitoni nëqoftëse ju bie rruga.

1-Biblioteka Tianjin Binhaiajo që gjendet brenda kësaj biblioteke të jep një frymëzim të pafund, imagjinoni që ndërtesa është po aq e jashtëzakonshme! Sikur të mos kishte arsye të mjaftueshme për të shkuar në Kinë, një vizitë në një bibliotekë si ajo “Tianjin Binhai” të shton dëshirën më shumë. E hapur që nga viti 2017, është një kryevepër arkitekturore që përmban një auditor të shkëlqyeshëm sferik.

2- Biblioteka “Cărtureşti Carusel”, e vendosur në Bukuresht brenda një ndërtese të shekullit të 19-të, është një përfaqësim i bukur i kulturës së vjetër dhe të re të Rumanisë. Është një hapësirë për të lexuar dhe shoqërua. Ajo përfshin një bistro dhe një galeri kushtuar artit bashkëkohor. Ajo ishte projektuar që të ketë një ritëm dhe simetri rreth një qendre shumë të ngjashme me një karusel në bazë të të cilin u emërua.

3-Një vizitë në dhomën e gjatë në Bibliotekën e Kolegjit Trinity në Dublin duket sikur është në një lundrim letrar në një anije të kushtueshme, shekullore. Biblioteka u ndërtua në mes të viteve 1712 dhe 1732 dhe dhoma e gjatë është 65 metra e lartë, e mbushur me 200,000 nga librat më të vjetër të bibliotekës dhe me një linjë të gjatë mermeri të shkrimtarëve dhe filozofëve të mëdhenj.

4-Biblioteka Stift Admont është më e madhja në botë, e mbushur me dizajne europian barok, përfunduar në 1776 dhe jashtëzakonisht madhështore. Për të thonë se ka histori të shkruar në eshtrat e saj, si dhe në librat e saj.

5-Pjesë e kësaj liste është dhe biblioteka vetëm për juristët në Iowa, në zemër të Amerikës. Është fizikisht e madhe dhe e zbukuruar me shkallë me spirale, mermerët dhe llambadarët që strehojnë një koleksion të librave ligjor shumë të specializuar të ligjit shtetëror dhe federal ligjor, rregullator dhe të çështjeve të ndryshme që kanë lidhje me këtë degë. /botimetliving/ KultPlus.com

Kurti viziton punëtorinë e artistit Shaqir Hoti: Ne i detyrohemi kontributit të tij të pashoq

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar shtëpinë dhe punëtorinë e artistit tashmë të ndjerë Shaqir Hoti.

Me këtë rast kryeministri Kurti ka thënë se Hoti me instrumentet dhe veprat e tij ai përcolli rrëfime njerëzish, tregime folklorike, idioma të veçanta të natyrës së folkorit, humor popullor, miqësi dhe urtësi të rrëfimeve dhe gurrës sonë popullore për shumë e shumë gjenerata që do të vijnë.

“Ne i detyrohemi kontributit të tij të pashoq. Ne kurrë nuk do të mund të bëjmë aq sa ka bërë ai, por së paku mund të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur, për të ruajtur dhe për të përçuar punën e tij brez pas brezi”, ka shkruar ndër të tjerash Kurti në statusin e tij në Facebook.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit.

Baca Shaqë, Mishërimi më i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore, muzikore e shpirtërore, figurë që me punën e tij si…

Posted by Albin Kurti on Thursday, April 15, 2021

Pas një viti pauzë, rikthehet Met Gala

Pas 1 viti mungesë, Met Gala do të rikthehet në 2022-in! Ditën e hënë (12 prill) Vogue njoftoi për planet e  Instituti i Kostumeve të Artit sipas të cilit nuk ka do të mbahen 1, por dy shfaqje të mëdha.

Revista prestigjioze konfirmoi gjithashtu që eventi është planifikuar për në 2022-in dhe shfaqja do të mbahet të hënën e parë të majit të vitit të ardhshëm. 

Tema e Met Gala 2022 nuk është bërë ende publike, por ka zëra që thonë se ekspozita e parë që do të hapet në 18 shtator do t’i përmbahet temës: “In America: A Lexicon of Fashion”, e ndërsa e dyta, që do të shfaqet në 5 maj 2022 do të bazohet në temën: “In America: An Anthology of Fashion”, transmeton KultPlus.

“Pandemia vuri një theks shumë të rëndësishëm mbi kreativitetin dhe mbi lëvizjet për të drejtat sociale.- u shpreh Andrew Bolton, kuratori përgjegjës mbi temat në Institutin e Kostumeve të Artit. Jam i impresionuar nga dizajnerat amerikanë, nga përgjigjet që kanë dhënë për klimën sociale dhe politike në vend, mënyrën sesi i kanë trajtuar gjithçka që përfshin trupin, seksualitetin, gjininë,etj. Mendoj se moda amerikane po shkon drejt epokës së rilindjes.”

Vitin e shkuar, Met Gala u anulua për shkak të pandemisë globale, megjithatë kjo nuk e pengoi Vogue që të risillte një tjetër formë të Met Gala, këtë herë me protagonistë njerëzit e thjeshtë, të cilët arritën të bëheshin pjesë përmes sfidës të krijuar në rrjete sociale. / KultPlus.com

Mick Jagger e Dave Grohl lansojnë këngë dedikuar pandemisë së COVID-19 (VIDEO)

Derisa Mick Jagger bashkë me bendin Rolling Stones ishin duke punuar në albumin ri dedikuar shpresës për një pjesë më të mirë të dekadës, anëtari i bendit Foo Fighters, Dave Grohl preferoi të punojë paksa më shpejtë.

Ai ndikoi në Jagger-in që të realizojë këngë të re. Dhe befasia është kjo, realizuan këngë dedikuar pandemisë së COVID-19. Kënga e tyre titullohet “Eazy Sleazy”, përcjell KultPlus.

Këngën e intepretojnë vetëm ata të dy, Jagger si vokalisti kryesor dhe me kitarë, e Grohl thuajse kudo, me vokal e instrumente të tjera muzikore./ KultPlus.com

Zef Pllumi: Ky popull edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet

Zef Pllumi qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane.

I pagëzuar Prenkë, lindi më 28 gusht 1924, i biri i Gjergj Tomës dhe Luke Mrisë, u lind nga e ëma në një zabel në tëbanin e tyne në bjeshkë. Malësorët që kishin rënë me kohë në ultësirë venin të veronin në bjeshkë për t’iu shmangur verës pranë zonave bregdetare të pabonifikuara. Fisi i Prenkës kishte tëbanin në Qafë të Tëthores së Bogës, mes Shkrelit dhe Shalës – bajrak ky i fundit ku ishte nip. Xhaxhai i Prenkës, Pashko Toma, ishte i pari i shtëpisë dhe burrë i shquar në ato male si plak, kuvendar e bukëdhanës. Gjatë fëminisë takoi P. Gjergj Fishtën dhe P. Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik “Saga e fëmijnisë”. Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloçi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me P. Bona Gjeçajn. Me atë rast P. Harapi i jep një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqitte atë medaljon.

Më poshtë po sjellim këtë thënie të Zef Pllumit që është aktuale gjithmonë:

“Ky popull, edhe me i shtie opangën në gojë, s’bërtet” / KultPlus.com

Më 15 prill 1923 botohej ‘Ora e maleve’, gazeta jetëshkurtër me jehonë të madhe

Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije, dhe për këtë qëllim Koliqi vendosi të hapë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin (1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare “Ora e maleve”, numri i parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923.

Ora e maleve ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër. Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Vitin tjetër, pasi kishte fituar një farë përvoje dhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës si Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid’hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik me titull Kushtrimi i Skanderbeut, Tiranë 1924. Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, të krijuara sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.

Gazeta ka qenë organ i Grupit “Ora e maleve”. Grupi “Ora e maleve” ka qenë një grupim intelektualësh katolikë për të mbrojtur të drejtat e tyne e për të dhanë ndihmesën e vet në zhvillimin demokratik të vendit. Ky Grup u krijue nga Imzot Lazer Mjeda, vëllai i poetit Ndre Mjeda. Dhe pati rreth vetes një brumë vërtetë mbrujtun me ideale kombëtare e shoqnore të përparueme, si: Fishta, L. Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shuk Gurakuqi, Harapi, Shantoja, Palaj, P.Ambroz Marlaskaj, Ndoc Ҫoba, vëllaznit Simoni e Nush Topalli, që zgjidhi i pari qesen me dhanë ndihmë në pare.

Gazeta “Ora e maleve” doli: Numri i parë, me 15 prill 1923. Gjatë këtij vjeti, 1923 dolën 43 numra, vazhdoi në vjetin 1924 me 1.I.1924 e deri me 25 dhetuer 1924, gjithsej 52 numra. Pra: 43 numra në vjetin e parë e 52 në vjetin e dytë, madje pati edhe shtesë numrash.

Në vijim po ribotojmë poemin dramatik me titull “Kushtrimi i Skanderbeut” shkruar nga Ernest Koliqi:

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924. /redaktori/ KultPlus.com

Filmi i ri i Martin Scorsese mund të jetë filmi western i fundit që realizohet si i tillë

Filmi me kauboj i shumëpritur i Martin Scorsese “Killers of the Flower Moon” më në fund është në procesin e produksionit.

Kasta e aktorëve që do të jenë pjesë e filmit përfshin Leonardo DiCaprio, Robert De Niro, Jesse Plemons dhe Lily Gladstone, transmeton KultPlus.

“Killers of the Flower Moon” përcjell një hetim të një serie vrasjesh të disa banorëve të pasur të Osage County, në fillim të viteve 1920.

Jesse Plemons luan në rolin e Tom White, agjentit të FBI që është duke hetuar për vrasjet, që është edhe karakteri tradicional i heroit të filmit.

Ky rol ishte paraparë për Di Caprion, mirëpo ai ishte më i interesuar të luante Ernest Burkhart, nipin e një fermeri të pasur (De Niro).

“Killers of the Flower Moon” pritet të lansohet në vitin 2022. / KultPlus.com

Sot ditëlindja e Da Vinçit, 16-të fakte interesante për gjeniun e Rilindjes

Misteri i emrit, piktura më e hershme, mësuesi i shastisur, mënyra e të shkruarit dhe aksidentet e fëmijërisë. Si iu shkatërruan 12 vite punë në një minutë. Dhe a e dinit që Njeriu Vitruvian është një mënyrë për të treguar zgjerimin e universit tonë?

Lexoni këto 16 fakte shumë interesante për jetën e një gjeniu të vërtetë.

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pa arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur

Në vitin 1478, ai u bë një mjeshtër i pavarur dhe rreth vitit 1482, filloi të pikturonte veprën e tij të parë të porositur – “Adhurimi i Magjistarëve”. Megjithatë, ai kurrë nuk mundi ta përfundonte atë vepër.

13. Kur 12 vite punë iu shkatërruan brenda një minute!

Në fund të shekullit të 15-të, ai u zhvendos në Milano për të krijuar një statujë kuajsh të lartë 5 metra (në bronz) për të nderuar Francesco Sforzën (themeluesi i dinastisë së klanit të atëhershëm Sforza). Ai punoi për 12 vjet në këtë projekt dhe përgatiti një model balte të kalit në vitin 1493. Megjithatë, gjatë luftës që afroi, ajo u shkatërrua kur Sforzat ranë nga pushteti në 1499.

14. Ai vizatonte një simetri të përsosur të trupit të njeriut!

Bazuar në punën e arkitektit Vitruvius, Leonardo da Vinçi përshkroi përmasat e trupit të njeriut në vizatimin e tij – Njeriu Vitruvian. Ai e vizatoi këtë rreth vitit 1490 dhe vizatimi supozohet të jetë zgjerimi i universit, në formën e trupit njerëzor.

15. Piktura murale më e famshme në botë!

Në fund të shekullit të 15-të, Leonardo da Vinçi krijoi një pikturë murale – “Darka e Fundit”. Ishte pjesë e një plani për të restauruar kishat e Milanos. Piktura murale përshkruan skenën e Darkës së Fundit të Jezusit me dymbëdhjetë dishepujt e tij, kur Jezusi njoftoi se njëri prej tyre do ta tradhëtonte.

16. Kur pikturoi një buzëqeshje misterioze!

Midis 1503 dhe 1506, Leonardo krijoi pikturën më të famshme në botë – Mona Lisa. Gruaja e përshkruar në pikturë ka qenë një objekt spekulimesh. Më parë mendohej të ishte Mona Lisa Gherardini, një kurtizane dhe më vonë, ajo u mendua të ishte Lisa del Giocondo, gruaja e tregtarit fiorentin Francisco del Giocondo. Piktura është e njohur për buzëqeshjen misterioze të gruas. Mbreti Francis I i Francës e kishte blerë pikturën dhe tani është pronë e Republikës Franceze. Piktura origjinale është shfaqur në Muzeun e Luvrit në Paris që nga viti 1797. Piktura ka fituar shumë lavdi, si më e vizituara, më e njohura, më e kënduara, më e shkruara etj./ KultPlus.com

Saimir Pirgu shkëlqen në Operën e Cyrihut

Edhe pse në sallë nuk ka patur mbështetjen e duartrokitjeve të publikut, Saimir Pirgu arriti të sjellë emocione të rralla në shtëpitë dhe familjet e shumë adhuruesve të tij duke ofruar një performancë të shkëlqyer.

Pas suksesit të shfaqjes operistike “Traviata” në Romë, ylli i muzikës klasike, Saimir Pirgu, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtarë me performancën e tij brilante në rolin e “Hoffmann-it” në Operën e Cyrihut.

Edhe pse në formatin stream (online), ku kanë munguar duartrokitjet e publikut në sallë, produksioni i regjisorit Andreas Homoki ka qenë një triumf mbi situatën momentale të pandemisë, duke përcjellë emocione të jashtëzakonshme dhe duke dhuruar shpresë për një kthim në normalitet, të cilin e shohim ende me nostalgji. Në një kohë të tillë këto projekte artistike kanë vlera të rralla për sa i përket mbështetjes emocionale nga publiku, edhe pse ai nuk i dha dot duartrokitjet direkt, por me siguri nga shtëpia apo nga zemra.

Këtu fillon në mënyrë definitive karriera mbarëbotërore e Saimir Pirgut. Ai hap një portë, e cila e katapulton në shkallë ende më të larta. “…për mua interpretimi i “Hoffmann” qe një sukses akoma me i madh personal.”,- shprehet Pirgu për albinfo.at, transmeton KultPlus.

“Hoffmann” i interpretuar nga Pirgu me pak fjalë është mahnitës, ai përmbledh lirikën, heroizmin, karakterin dhe zërin pa limit, duke kënduar në terma hyjnorë si një “Zot i ri” në aktin e “Giulietta-s”,- shkruan gazeta gjermane “Badische Zeitung”.

Pirgu mund të krahasohet pa dyshim me Nicolai Gedda apo Plácido Domingo në këtë rol tejet të komplikuar. Tenori shqiptar po i afrofet gjithnjë e më shumë një legjende të muzikës klasike, shkruan “Frankfurter Rundschau” për Pirgun. /albinfo/ KultPlus.com

Notre-Dame de Paris rihapet në vitin 2024

Katedralja e Notre-Dame de Paris, e shkatërruar nga zjarri në 15 prillin e dy viteve më parë, do të rihapet në 2024. Këtë e konfirmoi ministrja franceze e Kulturës, Roselyne Bachelot, një ditë më parë.

Ajo shtoi se pajtimi publik për të mbledhur fondet e nevojshme për rindërtimin bëri të mundur arritjen e një shume të mjaftueshme për të përfunduar ndërtimin.

“Me donacionet dhe premtimet për donacione për një total prej 833 milionë euro, shumat e mbledhura na lejojnë të përballojmë me qetësi ndërtimin e saj”, specifikoi ministrja e Kulturës, e rikuperuar së fundmi nga Covid-19, gjatë një fjalimi në Senat në Paris, transmeton KultPlus.

“Unë mund t’ju them se në 2024 katedralja Notre-Dame de Paris do të rihapet”, shtoi ajo.

Sot, kur bëhen saktësisht dy vjet pas zjarrit dhe ministrja Bachelot, së bashku me presidentin, Emmanuel Macron do të vizitojnë vendin e ndërtimit të katedrales gotike, të një prej simboleve themelore të Francës dhe Evropës.

Në atë kohë, kreu i shtetit kishte bërë thirrje që ndërtesa të rindërtohej në pesë vjet, në kohën e Lojërave Olimpike Paris-2024.

Edhe gjenerali Jean-Louis Georgelin, i cili mbikëqyr punimet në emër të Macron, ka garantuar që Notre Dame do të mund të rihapet më 16 Prill në 2024, edhe nëse punimet nuk do të përfundojnë plotësisht në atë datë. / KultPlus.com

Sony World shpall fotografët e vitit 2021 (FOTO)

Sony World Photography Awards ka shpallur sot fituesit e konkursit për vitin 2021.

Çmimet kryesore shkuan për dy fotografë që u munduan të protretizojnë në një formë tjetër kulturën dhe historinë.

Britaniku Craig Easton u zgjodh Fotografi i Vitit dhe fitoi 25,000 dollarë për setin fotografik “Bank Top”, i cili përfshin foto bardh e zi, të një komuniteti të vogël dhe tejet të veçuar në Blackburn, në Anglinë veriore, shkruan CNN të enjten, transmeton KultPlus.

Ndërkohë, fotografja nga Zimbabve, Tamary Kudita, fitoi 5.000 dollarë për portretin, “Afrikano Viktoriane”, e cila përshkruan një grua me ngjyrë me një fustan voluminoz të errët të stilit viktorian duke parë foto-aparatin, ndërsa mban në duar enët tradicionale të gatimit të popullit shona.

Imazhi pasqyron dualitetin e fotografes, e cila thotë se në ato fotografi ndërthur prejardhjen e saj nga shona dhe kulturën perëndimore në të cilën u asimilua.

Fituesit e tjerë janë Coenraad Heinz Torlage, student nga Afrika e Jugut dhe fotografi indian Pubarun Basu. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës sjell ‘Drive In Cinema Prishtina’

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtori i Kulturës Adrian Berisha, ka bërë të ditur se duke nisur nga java tjetër, do të sjellin eventin e veçantë ‘Drive In Cinema Prishtina’, përcjell KultPlus.

Open Air Cinema vjen me datë 17.04.2021 duke filluar nga ora 19:30 dhe është i hapur vetëm për personat mbi 18 vjeç.

Berisha në postimin e tij në rrjetin social Facebook ka treguar se propozimi për këtë event ka ardhur nga Architecture for Humans, ku siç ka theksuar tutje ai, ky projekt është planifikuar për vitin që lamë pas por vetëm tash do të jetësohet.

‘Me qëllimin e vetëm për relaksimin tonë në këtë kohë pandemie, po sjellim eventin e veçantë DRIVE IN CINEMA PRISHTINA. Përmes këtij eventi, do të largohemi sadopak nga problemet ditore dhe do të udhëtojmë bashkë me filmin ‘Pulp Fiction’, drejt jetes amerikane të viteve të 90-ta’, ka shkruar Berisha.

Vendi ku do të mbahet ky event është në hapësirën parkuese të Prishtina Parking, mbrapa Pallatit të Rinisë. Ndërkaq, bartja e maskës dhe distanca gjatë transmetimit të filmit është obligative.

Bashkangjitur gjeni edhe linkun e eventit. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/203356187936197?post_id=203356197936196&view=permalink

Era Syla fiton medalje të argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza

EGMO (European Girls’ Mathematical Olympiad) është garë e formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës dhe konsiderohet gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha shtetet e Evropës, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës.

Për Kosovën kjo ishte pjesëmarrja e dytë me radhë, pas asaj të vitit të kaluar kur po e njëjta atomiste, Era Syla fitoi Medalje të Bronztë.

Ky sukses i jashtëzakonshëm i Erës para së gjithash është rezultat i potencialit të saj intelektual, i talentit të saj për matematikë dhe i punës së saj të palodhshme. Veç këtyre, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa përkrahjen dhe investimin e vazhdueshëm të familjes, shkollës, mësimdhënësve, individëve e organizatave të ndryshme profesionale.

Instituti ATOMI përmes një statusi në facebook, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e potencialit të Erës dhe në arritjen e këtij suksesi të jashtëzakonshëm nga ana e saj!.

“Me këtë rast një falënderim i takon Valmir Krasniqit, i cili në vazhdimësi ka përkrahur profesionalisht Erën, qoftë në kuadër të Institutit ATOMI por edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, në të cilën Era për 3 vite radhazi ka qenë në mesin e nxënësve që kanë arritur rezultatet më të larta në Kosovë”, shkruan nga Instituti ATOMI.

Vlen të theksohet se përgatitja e ekipit të Kosovës, pjesëmarrës në EGMO 2021, është përkrahur financiarisht e jofinanciarisht nga Instituti ATOMI, përmes sponsorizimit nga kompania Alb-Architect. / KultPlus.com

Familja Qirezi akuzon familjen Qena për përvetësim të “Ervehesë”, reagon Rebeka Qena

Rebeka Qena, vajza e Muharrem Qenës, shkrimtarit, këngëtarit, aktorit dhe regjisorit shqiptar, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook për akuzat që familja Qirezi i ka ngritur kundrejt familjes Qena, shkruan KultPlus.

Sipas Rebekes, familja Qirezi ka kohë që akuzon familjen Qena për gjoja përvetësim të “Ervehesë”, e kjo akuzë mbetet e paqartë dhe njëkohësisht shqetësuese për familjen Qena.

Rebeka ka potencuar që familja Qena ka mjaftueshëm krijime, punë të ndershme dhe respekt dhe një akuzë e tillë është e pahijshme dhe tentim njollosjeje.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Rebeka Qenës:

Muharrem Qena është kantautor i pesë këngëve: “Oj Hanë”; “Kaçurrelja”; “Tetori”; “Mine”, “Shokut”.

Këngët tjera që mund ti keni dëgjuar e ju ndërlidhin me emrin e tij janë këngë të cilat ai i interpreton.

Muharrem Qena është autor i një drame, “Bashkëshortët”. Muharrem Qena ka luajtur në më se 50 role në Teatër e Film. Muharrem Qena ka bërë regjinë e më se 200 shfaqjeve. Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe këngës argëtuese. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar dhe skenarist.

Familja Qirezi ka kohë që akuzon familjen Qena për gjoja përvetësim të “Ervehesë.”

Synimi i tyre, për ne, vazhdon të mbetet sa i paqartë aq edhe shqetësues. Aq më shumë kur vjen e turbullon kujtimin e miqësisë së tyre të gjatë.

Familja Qena ka mjaftueshëm krijime, punë të ndershme dhe respekt dhe një akuzë e tillë është e pahijshme dhe tentim njollosjeje.

Erveheja, si vepër është shkruar në vitin 1820 nga Muhamet Kyçyku, në trajtën e poemës së gjatë. Më vonë Ahmet Qirezi (1932) e dramatizon këtë vepër dhe ajo inskenohet në Teatrin e Kosovës.

Muharrem Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqjeje dhe nuk e ka shkruar “Ervehenë”. Këtë askush prej nesh as që e mendon e as që e dëshiron.

E vërteta është se regjia e Muharremit ka bërë që potenca e këtij teksti të vijë në shprehje, pa ndarë këtu as aktrimin, skenografinë, ndriçimin e muzikën. Dhe, këtë nuk e themi ne, e thotë kritika e asaj kohe, e edhe e sotmja që e ka ende referencë për standardin e vendosur një gjysmë shekulli më parë.

E vërteta është se kur flitet për “Ervehenë” e Muharremit, njerëzit në radhë të parë i referohen regjisë së shfaqjes dhe jo gjithherë vetëm tekstit. Se a do të kujtojë dikush një shfaqje falë aktorit, regjisë, muzikës apo tekstit – ne këtu nuk kemi ndikim.

Pa legjendën arabe nuk do të ishte inspiruar Muhamed Kyçyku. Pa poemë te Kyçykut nuk do të kishte dramë të Qirezit. Pa Qirezin nuk do të kishte Ervehe. Pa Muharrem Qenën, atëbotë, nuk do të kishte shfaqje mbamendëse.

Muharrem Qenës edhe po t’ja heqësh “Ervehenë”, mbetet po ai i njëjti: trasues i shtigjeve të reja në Teatër, dramaturgji e muzikë. Këtë s’mund t’ia zbehë askush. Muharrem Qena nuk zbehet. / KultPlus.com

Osmani, Kurti e Konjufca me deklaratë të përbashkët pas takimit me shoqatën “Thirrjet e Nënave”

Nënat e personave të pagjetur nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, janë takuar me liderët e tri institucioneve kyçe të Kosovës, të cilët garantuan se do të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Presidentja Osmani tha se të pagjeturit janë plagë e përbashkët, duke premtuar gjetjen e tyre.

“Për institucionet e reja gjetja e më të dashurve tuaj – vajzave dhe djemve të cilët tashmë janë të të gjithë Kosovës, është prioritet. Përkushtohemi dhe ju premtojmë se do të punojmë pandërprerë që t´i gjejmë ata sa më parë të jetë e mundur”, ka theksuar Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se do ta sigurojnë drejtësinë e vonuar së bashku.

“Ashtu si deri me tani, ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju. Ju keni dhënë më të dashurit tuaj dhe keni bërë sakrificën më sublime që ne sot të jemi të lirë. Andaj, do të punojmë së bashku për të siguruar drejtësinë e vonuar”, ka theksuar Kryetari Konjufca.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti premtoi angazhim maksimal për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Dhimbja dhe ankthi që ju përjetoni janë të pakrahasueshme. Ne do të punojmë vazhdimisht për të garantuar të drejtën tuaj për të ditur për fatin e më të dashurve tu”, është shprehur Kryeministri Kurti.

“Të tre liderët institucionalë, garantuan se do të vazhdojnë të jenë pranë nënave dhe familjarëve të personave të pagjetur dhe se prioritet i tyre do të jetë zbardhja e fatit të tyre si një parakusht për sigurimin e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Ndërkaq, Nusrete Kumnova nga kjo shoqatë shprehi shpresën dhe pritjet që kanë nga institucionet e vendit që të punohet në zbardhjen e qindra të zhdukurve nga lufta në Kosovë.

“Të gjithë i kemi shpresat dhe pritjet e mëdha dhe po presim me padurim që të punohet e të veprohet prej së vërteti për të adresuar nevojat dhe kërkesat e nënave dhe familjareve të personave të zhdukur”, ka thënë Kumnova. / KultPlus.com

Nis puna për restaurimin e kullës-simbol në Kalanë e Krujës

Në Kalanë e Krujës ka nisur puna për restaurimin e kullës simbol, së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “pas dëmtimeve të rënda nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, kanë nisur ndërhyrjet emergjente përforcuese në Kullën e Sahatit”.

“Bashkë me Milva Ekonomi inspektuam këtë kantier punimesh, ku do të kryhet një operacion shumë delikat për ruajtjen e këtij monumenti, por edhe për të siguruar jetën e banorëve, që jetojnë pranë saj. Projekti është realizuar nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB) dhe po zbatohet nga “Leon Construction”, nën mbikëqyrjen e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo ndërhyrje është mbështetur financiarisht nga “Prince Claus Fund for Culture and Development””, – theksoi Margariti.

Sipas saj, ndërhyrjet përforcuese do të ndahen në tri hapa: përforcimi paraprak i kullës, me fasha poliestri dhe binarë druri; përforcimi i plotë i kullës me elemente çeliku; instalimi i sistemit të monitorimit.

Dikur prej afro 16 shekujsh e identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodrën shkëmbore të Krujës, me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastriot Skënderbeu. / atsh / KultPlus.com

Me ekspozitë nga koleksioni i Galerisë Kombëtare, shënohet Dita Botërore e Artit

Përmes një ekspozite simbolike me 15 piktura të autorëve të shquar kosovarë në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot është shënuar Dita Botërore e Artit, shkruan KultPlus.

Me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Shoqatës së Artistëve Pamorë të Kosovës, për herë të parë në vitin 2021 Kosova shënon këtë ditë në shenjë solidarizimi me të gjitha strukturat e arteve pamore në botë – si pikë e parë për të zhvilluar më tej diplomacinë kulturore të këtij sektori me të gjithë aktorët ndërkombëtarë për të pasqyruar parimet dhe veprimtarinë e arteve pamore në Kosovë.

Dita botërore e arteve pamore që për herë të parë u shënua më 15 prill 2012 nga Shoqata Ndërkombëtare e Arteve Pamore si partnere e UNESCO-s ka për qëllim të krijojë lidhje, bashkëpunime dhe të katalizojë rrjetin ndërkombëtar të artit pamor në botë. Kjo datë përkon edhe me datëlindjen e artistit të shquar botëror Leonardo da Vinçit. / KultPlus.com

Lisa Sahatçiu drejt famës botërore, në gjurmët e Rita Orës

Këngëtarja dhe instrumentistja shqiptare Lisa Sahatçiu, ka lindur dhe jeton në Vankuver të Kanadasë. Ajo vjen nga një familje artistësh, të cilët kanë ndikuar në zhvillimin e saj në fushën e muzikës.

Lisa është një kantautore e mirëfilltë, pasi shkruan vetë muzikën dhe tekstet në kompozimet e saj. Artistja e re, është duke përgatitur albumin e saj të parë, i cili do të publikohet së shpejti.

“Është hera e parë që publikoj një album dhe e kam nënvlerësuar kohën që të merr për ta publikuar, por patjetër do ta nxjerr gjatë verës”, tregon artistja e talentuar.

“Të gjithë pjesëtarët e familjes sime janë artistë, të gjithë i bien së paku një instrumenti dhe që e vogël kam qenë e rrethuar me muzikë. Më pas edhe në shkollën e muzikës. Më pëlqen që këngët dhe tekstet kam dëshirë t’i bëj vetë. Mendoj se nëse të pëlqen muzika mund të bësh çdo gjë vetë. Një ditë e imja në Vankuver tashmë është ndryshe për shkak të Covidit. Bëj një program radiofonik në vendin ku jetoj dhe merrem me sport”, thotë artistja.

Liza tutje ka folur edhe për eksperiencën e saj në Sunny Hill Festival dhe lidhjen me familjen e Rita Orës.

“Në Sunny film festival” ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe do doja të kthehesha sërish. Babai im dhe i Ritës janë djem xhaxhai. Nuk e kam takuar ndonjëherë Ritën, por sigurisht do të kisha shumë dëshirë. Emri im artistik është Sahati dhe në familjen tonë ne të gjithë dimë të riparojmë ora, ndaj dhe unë zgjodha këtë emër”, shprehet Lisa Sahatçiu për Vizion Plus. / KultPlus.com