Ylli i njohur i muzikës, Lana Del Rey, e ka paralajmëruar lansimin e albumit të ri “Blue Banisters”, në muajin korrik.
Përmes një postimi në Instagram, Del Rey e konfirmoi lajmin se do ta publikojë albumin e radhës më 4 korrik të këtij viti, në ditën e pavarësisë së Amerikës.
“Blue Banisters” do të jetë albumi i tetë i incizuar në studio për këngëtaren, dhe vjen pas incizimit të lansuar në muajin mars, me titull “Chemtrails Over the Country Club”.
Para 5 javësh, Del Rey i paralajmëroi ndjekësit në Instagram se më 1 qershor do ta lansonte një projekt të ri me titull, “Rock Candy Sweet”, për të cilin tha se do t’i sfidonte akuzat ndaj saj për përvetësim kulturor dhe promovimin e abuzimit në familje. Atëkohë, shumë adhurues spekuluan se bëhet fjalë për një album të ri, kurse tani mendohet se “Rock Candy Sweet” mund të jetë vetëm njëra prej këngëve të reja të këngëtares. Meqenëse Del Rey nuk ka dhënë më shumë detaje, është më se e natyrshme që fansat kanë mbetur të hutuar se cili nga këto projekte është album e cila do të jetë vetëm këngë.
Së fundmi në media u raportuar se albumi i kaluar i këngëtares, “Chemtrails Over The Country Club”, ishte ndër albumet më të shitura të vitit 2021 në Britani të Madhe.
Në një intervistë të fundit për revistën muzikore “MOJO”, këngëtarja 35-vjeçare pati deklaruar se gjithmonë do ta kujtojë ditën kur i pranoi vlerësimet e para rreth muzikës së saj, pasi pas vdekjes së idhullit Amy Winehouse, ajo nuk dëshironte të këndonte më.
Pavarësisht kësaj, Lana e vazhdoi karrierën muzikore duke u shndërruar në një prej artisteve më të veçanta dhe më fitimprurëse në tregun muzikor, e cila shquhet për the të tilla si: “Born To Die”, “Blue Jeans”, “Summertime Sadness”, “High By The Beach” dhe të tjerë. / KultPlus.com
Për disa mund të jetë makth të lahen në një kuti xhami të varur në 35 metra lartësi, por për disa të tjerë, është simbol i statusit shoqëror.
Pishina më e re dhe më luksoze në Londër është gati. E gjatë 25 metra, pishina transparente lidh dy prej qiellgërvishtësve më të rinj në Londër, të vendosur në lagjen “Nine Elms”. Atë mund ta përdorin vetëm banorët e dy kullave rezidenciale.
E vendosur pranë ambasadës amerikane në Londër, pishina është pa dyshim diamanti i një kompleksi që përveç apartamenteve do të përmbajë edhe bare, restorante dhe dyqane. Pishina është ndërtuar në Kolorado dhe ka udhëtuar për më shumë se 8000 kilometra për të mbërritur në “shtëpinë” e re. Ajo është 3 metra e thellë dhe mban rreth 375 mijë litra ujë, ndërsa vetë peshon rreth 50 tonë. Data zyrtare e hapjes është 19 maji, por disa modele kanë provuar ndjesinë e të notuarit në një pishinë të tillë, duke realizuar foto promocionale.
Në total, aty janë ndërtuar 2000 apartamente, me çmime që fillojnë nga mbi 1 milion euro për një apartament me dy dhoma dhe një kuzhinë./a2/ KultPlus.com
Mijëra nëna prisnin bijtë e tyre. Ato kishin njëzet e ca vjet që presnin. Është e vërtetë se kjo pritje ndryshonte pak nga ajo pritja tjetër, kur ato shpresonin t’u ktheheshin gjallë bijtë e tyre, por, sidoqoftë, edhe të vdekurit priten. / KultPlus.com
Ende mungoni Sa herë që derë e shtëpisë hapet e mbyllet Festat parakalojnë në kalendar e emri juaj përmendet Sa e sa herë që zemra thyhet e gotat cakërrohen me shpresë Hahet e pihet e loti përbihet…
Ende mungoni Në varr, epitaf, në fundfaqe gazetash në letra varur drurëve e shtyllave Mungoni kur çjerrim zërin protestave Veçse teproni në retorikën boshe të atyre që atdheun kanë kryefjalë e valutën kult mbase edhe qëndroni si simbol triumfi në shkresat e okupatorit.
Ende mungoni… Të pagjetur, të zhdukur, të vrarë, të strukur në harresën kolektive Ju që sot e mot në muret e shtëpive jeni kopje fizike e në testamentin e shoqërisë plagë që kullon
Ende mungoni…. Në emër të dhimbjes pse fshihen përgjigjet kur ju mungoni?!/ KultPlus.com
Familja e Chadwick Boseman, ylli i “Black Panther” që pritej gjerësisht të merrte Oscar si “Aktori më i mirë” pas vdekjes për rolin e tij në “Ma Rainey’s Black Bottom”, i ka ardhur në mbrojtje aktorit Anthony Hopkins që mori çmimin.
Vëllai i aktorit, i cili gushtin e kaluar ndërroi jetë nga kanceri në moshën 43-vjeçare, thotë se familja nuk ka asnjë problem ndaj Anthony Hopkins.
Në një deklaratë për TMZ, Derrick Boseman tha se vëllai i tij do të kishte qenë i pari që do t’i uronte Hopkins më të mirën pas fitores. Sipas tij, aktori i ndjerë do ta kishte parë fitimin e një Oscar si një arritje, por kurrë si një “mani”, duke shtuar se ai mendonte se të gjithë aktorët e përzgjedhur ishin të denjë për çmimin.
Rezultati i befasishëm të dielën në mbrëmje shkaktoi reagime të ashpra për mungesën e Hopkins gjatë transmetimit, si edhe ndërrimin e radhës së çmimeve.
Tradita e do që “Best Picture” është çmimi që mbyll ceremoninë e Oscars, por këtë vit, çmimi i fundit ishte ai për “Aktorin më të mirë” dhe kjo renditje e çmimeve nuk u pa si rastësore.
Në internet, njerëzit dhe kritikët e konsideruan vendimin e Akademisë fyerje si për Hopkins ashtu edhe për Boseman. Anthony Hopkins reagoi dje duke falenderuar Akademinë dhe duke vlerësuar të ndjerin Boseman./ KultPlus.com
Ka rezultuar i suksesshëm eksperimenti i kryer në Barcelonë, ku mbi 5000 persona morën pjesë në një koncert për të testuar mënyrën për të organizuar evenimente të mëdha në kohë pandemie.
Një muaj pas ngjarjes, organizatorët bëjnë më dije se asnjë nga 5000 pjesëmarrësit nuk ka rezultuar i infektuar me koronavirus.
Të gjithë të pranishmit iu nënshtruan një testi përpara se të hynin në koncert dhe kishin detyrim të mbanin maskë. Por ata kërcyen gjithë mbrëmjen nën tingujt e muzikës rock të grupit Love of Lesbian pa mbajtur distancë./ KultPlus.com
Teatri i famshëm moskovit, Bolshoi, njoftoi sot vendimin e tij për të anuluar turnetë e tij ndërkombëtarë për sezonin 2021/22, për shkak të pandemisë COVID-19.
“Të gjitha turnetë e planifikuar për këtë sezon janë anuluar deri në mars 2022″, tha drejtori i teatrit, Vladimir Urin, gjatë prezantimit vjetor të sezonit të ri, i cituar nga agjencia Interfax.
“Megjithatë, për këtë sezon aktual, të gjitha planet që kishim, i realizuam”, shtoi ai, duke pranuar se periudha kishte qenë e vështirë për teatrin, financiarisht dhe për nga ana humane.
Në kulmin e valës së dytë, në nëntor, 150 persona të punësuar në Bolshoi u sëmurën.
Pavarësisht anulimit të shfaqjeve jashtë vendit, Bolshoi do të vazhdojë të realizojë disa prodhime me pjesëmarrje të huaj.
Aktualisht, matësi i autorizuar në teatër është 50 %, i shoqëruar nga një detyrim për të mbajtur maskë dhe për të respektuar distancën shoqërore./atsh/ KultPlus.com
Sot 22 vjet më parë ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha në Kosovë ku 376 persona janë vrarë dhe masakruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
Sot edhe pas më shumë se dy dekadave 18 persona janë ende të pagjetur.
Kjo dhimbje e madhe mbetet ende për Ibrahim Haxhiun i cili ka familjarë të masakruar në Masakrën e Mejës.
Kujtimet për të janë akoma të freskëta, por e ka vështirë të flasë për këtë ngjarje tragjike.
Ai në Klan Kosova, ka rrëfyer për disa momente shumë të dhimbshme të kësaj ngjarje.
“Kujtimet i kena të freskëta sikur të kishte ndodhur ngjarja sot, por rrëfimet janë aq rrënqethëse sa që nuk po mundemi as t’i paramendojmë. Një traktor me familjarë, dhe jo vetëm nga një shtëpi por nga e gjithë lagjja, burra gra dhe fëmijë, kur kanë ardhur tek pika e ndalimit i kanë zbritur të gjithë burrat dhe kanë mbetur vetëm gratë dhe fëmijët në traktor. Shumicën e rasteve janë detyruar që gratë të zbresin nga rimorkiot e traktorëve dhe ta drejtojnë traktorin për në Shqipëri. Prej moshës 13 vjeçare deri në moshën 86 vjeçare kemi pasur raste që i kanë larguar nga familjet e tyre”.
Ai tha se të masakruar i ka dy anëtarë të familjes, derisa tregoi një moment shumë emocional ku nëna e tij ka zbritur nga traktori duke iu kërkuar forcave serbe që ta merrnin atë dhe të mos ia merrnin djalin,
“Unë bashkë me vëllanë dhe djalin e axhës i kam edhe 54 bashkëfshatarë të masakruar. Në ditën e masakrës nuk kam pasur kontakt me familjen për shkak se kam qenë në një pikë të quajtur “Kallavaj” në zonën e Junikut. Forcat serbe i kanë tërhequr nga shtëpia dhe ne nuk kemi pasur rast më t’i takojmë”.
“Kur kanë ardhur tek pika e kontrollit e kanë zbritur edhe vëllanë. Ka zbritur nëna ime dhe ka thënë ‘Më merrni mua dhe mos ma merrni djalin’, dhe e kanë goditur me qytë të armës dhe është rrëzuar nëna e cila ka qenë edhe e sëmurë”./klan/ KultPlus.com
Mbretëresha mund të heqë dorë nga detyrat mbretërore, për pjesën tjetër të jetës që do e kalojë pa princin Philip, tha një korrespondent mbretëror.
Pasardhësit e mbretëreshës janë në pritje për marrjen e përgjithësive të reja mbretërore, pasi mbretëresha të heqë dorë zyrtarisht.
Ish-korrespondenti mbretëror i BBC, Peter Hunt tha për New York Times: “Në fund të fundit, mbretëresha do të zbehet me hijeshi.”
“Covid-19 gjithashtu ka përshpejtuar këtë vendim, që çdo grua e arsyeshme 95-vjeçare, e cila nuk qëndron në këmbë gjatë gjithë ditës, do të dëshironte të bënte.
Këtë javë u raportua se Princi Charles do të marrë mantelin e babait të tij të ndjerë, duke shoqëruar Mbretëreshën në Hapjen Shtetërore të Parlamentit.
Pas vdekjes së Princit Philip, ai do të caktohet “partneri” zyrtar i Mbretëreshës dhe do të bashkohet me nënën e tij për ceremoninë në 11 maj./ KultPlus.com
Një vit pas suksesit në ndarjen e Çmimeve Oscar të filmin “Parasite” i regjisorit koreano-jugor Bong Joon Ho, çmimi për bashkatdhetaren e tij Youn Yuh Jung, si aktorja më e mirë në rol dytësor në Academy Awards, ka shkaktuar edhe një herë gëzim të madh në atdheun e saj.
“Fitorja e Youn ka forcuar edhe një herë krenarinë e Koresë së Jugut për kulturën dhe artin e tyre”, shkroi presidenti Moon Jae In në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Moon foli për rëndësinë historike të çmimit për 73-vjeçaren Youn, që bëhet kështu gruaja e parë e koreano-jugore që fiton një Oscar në kategoritë e aktrimit.
“Ajo rishkroi historinë 102-vjeçare të filmit korean përmes aktrimit”, shtoi Moon.
“Filmi tregon se të gjithë jemi të lidhur ngushtë, edhe nëse jetojmë në vende të ndryshme”, shtoi kreu i shtetit.
Media e Koresë së Jugut gjithashtu përshëndeti fitoren e Oskarit të Youn si historike për filmin korean.
Gjithashtu, edhe ambasada e SHBA-së në Seul e uroi Youn./atsh/ KultPlus.com
Violinisti i talentuar Olen Çezari ka shëtitur me instrumentin e tij muzikor me dhjetëra teatro në mjaft vende të botës duke mbajtur koncerte e performanca të jashtëzakonshme.
U ngjit në skenë në moshën 5-vjeçare si një virtuoz i lindur dhe në moshën 7-vjeçare dha koncertin e tij të parë recital në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në moshën 10-vjeçare e mbaroi gjithë programin e Liceut Artistik dhe si mbaroi këtë, ishte i vetmi fëmijë mes studentëve 24-vjeçarë që korrte sfidat në Institutin e Lartë të Arteve. Shteti e dërgoi në Romë të vazhdonte studimet për violinën. Në moshën 18-vjeçare kishte mbaruar 3 konservatore: një në Shqipëri, një në Itali, dhe një në Austri. Në vitin 2010, Çezari publikon albumin “Unexpected”.
I ftuar në emisionin për fëmijë në Tv Klan, Çezari theksoi se historitë në jetën e tij janë të shumta, por njërën do ta veçonte si më të veçantën: “Mund të numëroj pa fund histori që më kanë ndodhur…”.
Karriera e Olen Çezarit ka shëtitur pothuaj të gjithë botën. Gjatë bisedës ai veçoi një takim, të cilin mund ta cilësojë si një prej atyre historive që shënuan të ardhmen e tij si violinist.
“Mund t’ju tregoj një histori gallatë. Ime më më kishte lënë porosi t’i çoja një violin dikujt. Ma dha adresën, u nisa drejt saj. Kur mbërrita, u mahnita nga ajo studio gjigante. Ana Maria e kishte emrin vajza së cilës duhet t’i dorëzoja violinën. Ishte në një orkestër ku ishte edhe babai i Giorgia-s. Kur e çova, thashë ‘a mund të provoj t’i bie violinës?’ dhe nisa t’i bija… Pas pak, pashë dikë që po vraponte drejt meje. Ishte Pippo Baudo….”
Atë që ndodhi pas kësaj, e vijoi Alketa: “Pippo Baudo ishte ai që mori në telefon mamanë tënde dhe i tha se ky djalë nuk do të kthehet më në Shqipëri…”
Kështu, për Olenin dhe për fatin e tij të mëvonshëm, kjo ishte një ngjarje mjaft domethënëse. Pas kësaj, të gjithë nisën të kuptonin se një gjeni shqiptar mund të konkurronte këdo me talentin e tij./ KultPlus.com
Antonio Gramshi, arbëreshi intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquar të kohës.
U nda nga jeta 84 vjet më parë, pikërisht me 27 prill të vitit 1937. Arbëreshi Gramshi ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës dhe të kulturës në Itali.
Ai ka shkruar 54 volume me shkrime filozofike, sociale, estetike etj. Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e politikës”, etj.
Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve. Ai ka dhënë kontribut me vlerë edhe në trajtimin e një varg çështjesh teorike të letërsisë dhe të artit në përgjithësi.
Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë. Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut.
Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve. Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik. Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj./ KultPlus.com
Ronnie Wood është shëruar nga sëmundja e kancerit.
Legjenda e rokut, thotë se atij i është bërë e qartë nga mjekët se ai e mundi kancerin për herë të dytë, shkruan CNN.
Kitaristi 73-vjeçar i Rolling Stones zbuloi se gjatë mbylljes nga koronavirusi, ishte diagnostikuar me karcinomë me qeliza të vogla, një kancer që prek zakonisht mushkëritë.
“Unë kam pasur kancer në dy mënyra të ndryshme tan”, tha Wood.
Është një formë më agresive e kancerit të mushkërive që përbën rreth 13% të rasteve të kancerit të mushkërive.
Wood tha për “The Sun” se pikturimi i gruas së tij Sally Humphreys, 43 vjeçe dhe binjakëve të tyre 4-vjeçarë, Gracie dhe Alice, e kishin ndihmuar atë në shërimin.
Ai shtoi se terapia e artit “e vetë-imponuar” e lejoi atë të “shprehej dhe të humbte”.
“Tani po kaloj shumë probleme, por gjatë gjithë rimëkëmbjes sime, ju duhet ta lini atë të shkojë”, tha ai. “Dhe kur ia dorëzoni rezultatin fuqisë suaj më të lartë, kjo është një gjë magjike”.
“Ajo që do të jetë do të jetë, nuk ka asnjë lidhje me mua. E tëra çfarë mund të bëj është të qëndroj pozitiv në qëndrimin tim, të jem i fortë dhe ta luftoj atë, dhe pjesa tjetër varet nga fuqia ime më e lartë”, u shpreh artisti.
Babai i gjashtë fëmijëve kishte zbuluar më parë se ai mori diagnozën e tij 2017 gjatë kontrollit rutinë pas “50 vjet pirje duhani pa ndalë”.
Wood vendosi të mos bënte kimioterapi nga frika se do të humbte flokët, por iu nënshtrua një operacioni pesë-orësh për të hequr një pjesë të mushkërive të tij. Në vitin 2018, ai konfirmoi se ishte pa kancer. / KultPlus.com
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për seksizëm, duke kujtuar incidentin e ndodhur gjatë vizitë së saj në Ankara dy javë më parë.
Në atë takim, ishin vendosur vetëm dy karrige në qendër të sallës, ku u ul Erdogan dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa Von der Leyen u detyrua të ulej në një divan, pas disa sekondash tepër të sikletshme në këmbë.
“Nuk gjeta asnjë justifikim për atë që ndodhi. Prandaj më duhet të dal në përfundimin se ndodhi pasi unë jam një grua”, tha Von der Leyen. “Unë jam gruaja e parë që bëhet presidente e Komisionit Europian. Jam presidente e Komisionit Europian dhe prisja që të trajtohesha si e tillë kur vizitova Turqinë. A do të kishte ndodhur kjo po të kisha veshur kostum dhe kravatë? Në fotot e mëparshme që kam parë, nuk dallova mungesë karrigesh, por gjithashtu nuk pashë asnjë grua në takime”./ KultPlus.com
Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi sapo ka njoftuar se po shpalosë një faqe të re në histori, duke prezantuar Kosovën në BBC Cardiff Singer of the World, shkruan KultPlus.
Kajtazi sapo ka njoftuar për këtë sukses, e cila ka treguar për këtë sukses.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj e cila e ka shoqëruar edhe me video.
Miq të dashur, më në fund mund të shpërndaj lajmin e mrekullueshëm që mezi kam pritur ta ndaj me të gjithë ju.
“This year’s competitors come from 15 countries, including Madagascar and the Republic of Kosovo – neither of which have ever featured in the competition before.”
Virgjinia Perëndimore e Shteteve të Bashkuara do t’u ofrojë kursime prej 100 dollarësh të rinjve që e marrin vaksinën kundër Covid-19.
Autoritetet e këtij shteti thonë se shpresojnë që kjo pagesë për personat e moshës 16- deri në 35-vjeçare do t’i motivojë të rinjtë që ta marrin vaksinën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
“Fëmijët tanë ndoshta nuk e kuptojnë vërtet se sa të rëndësishëm janë ata që t’i jepet fund kësaj”, tha guvernatori i Virgjinias Perëndimore, Jim Justice, të hënën.
Virgjinia Perëndimore ka qenë në mesin e shteteve amerikane me shkallët më të larta të vaksinimit, por progresi është ngadalësuar në javët e fundit.
Nisma e re nënkupton që personat e grupmoshës së caktuar që vaksinohen mund t’i tërheqin 100 dollarët plus shkallën e interesit në një datë të mëvonshme. Nga kjo shumë do të përfitojnë edhe ata që janë vaksinuar më parë e që nuk janë nën 16 vjeç e mbi 35 vjeç.
Virgjinia Perëndimore është e gjashtëmbëdhjeta në ShBA për shkallën më të lartë të rasteve për numër banorësh. Rreth 52 për qind e 1.5 milion personave të përshtatshëm për vaksinim tashmë e kanë marrë të paktën njërën dozë, por guvernatori tha se rreth 40 për qind e popullsisë mund të ngurrojë që ta marrë vaksinën. / KultPlus.com
Në javën e imunizimit në botë, UNICEF ka organizuar një bashkëbisedim më epidemiologun Lul Raka, me të cilin u diskutua imunizimi me vaksinim të rregullt, dhe imunizimi nga COVID-19.
Vaksinat AstraZeneca të cilat u dhanë qytetarëve të Kosovës, sipas Lul Rakës pas 21 ditëve nga doza e parë të mbron 100% nga vdekja, ku edhe përmendi se qëllimi i vaksinimit është parandalimi i vdekjes, rihapja e shoqërisë dhe eliminimi i sëmundjes.
Ne këtë bashkëbisedim epidemiologu Lul Raka foli për rëndësinë e vaksinimit të rregullt tek fëmijët, vaksinim i cili për shkak të pandemisë është lënë anash duke e shtuar kështu rrezikun e shpërthimit të fruthit, paralizës së fëmijëve dhe lijës.
“Qëllimi i imunizimi me Covid-19 prej fillimit lajm i jashtëzakonshëm ka qenë sigurimi i vaksinës. Qëllimi kryesor ka qenë me ndal vdekjet. Unë thash që kategoria më e rrezikuar ka qenë të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike duke e ndalur vdekshmërinë, duke imunizu edhe për këtë arsyeje jo vetëm në Kosovë por edhe bota fokusin e ka pas tek imunizimi i të moshuarve mbi 65 vjeç[…]Vaksinat të cilat janë në përdorim në Kosovë është AstraZeneca për momentin, vetëm një dozë e AstraZeneca e cila merret pas 21 ditëve të mbron 100% nga vdekja[…]Qëllimi tjetër për vaksinim është edhe hapja e shoqërisë edhe e fundit është eliminimi i sëmundjes”, tha ai
Raka tha edhe se COVID-19 përpos vështirësive që ka shkaktuar në sistemin e shëndetësisë, problem ka shkaktuar edhe në vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke e shtuar kështu rrezikun për afër 20 sëmundje që mund të u ngjiten fëmijëve të pa imunizuar.
“Problemet që i ka shkaktuar në fillim COVID-19, sidomos në fillim kur ka qenë frika dhe paniku në maksimum edhe në atë fazë por edhe më vonë edhe tash kanë pësu një gamë të gjerë të pacientëve të tjerë që vuajnë prej sëmundjeve të tjera. Nuk e kemi veç COVID-in, kur jemi tek sëmundjet vaksinë parandaluese, sëmundje që mund të ndalen me vaksinë këtu janë afër 20 sëmundje tilla të cilët shkaktohen jo vetëm prej viruseve por edhe prej baktereve shkaktohen për të cilat ka shërim dhe kjo bëhet përmes vaksinave, gjatë kësaj pandemie imunizimi i rregullt është godit shumë”, tha ai
Raka tha se fruthi është një prej sëmundjeve më ngjitëse, ku një person i infektuar mund t’i infektojë 16 deri 18 persona të pa imuniziuar. Andaj prindërit që nuk kanë arritur të kryejnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre mund të vazhdojnë vaksinimin duke u lajmëruar në QKMF-të më të afërt
“Edhe nëse ka vonesa (për vaksinim të rregullt) munden me mbërri prapë se prapë kalendarin duke u lajmërua në QKMF-të më të afërta[…]5-6 vitet e kaluara kemi pas shpërthime të fruthit jo vetëm në Kosovë po në krejt rajonin edhe ka ndodh pikërisht sepse nuk janë imunizu një pjesë e konsiderueshme e popullatës. Fruthi është një prej sëmundjeve ma ngjitëse nga të gjitha viruset. Mesatarisht një i sëmurë me COVID i infekton 2 deri në 3 persona të tjerë, te fruthi, një person i infektuar me fruth i infekton 16 deri 18 të tjerë të cilët nuk janë të imunizuar”, tha ai.
Për të u kthyer në normalitet, Raka tha se për shpëtimi i jetës së njerëzve, shmangia e shtretërve spitalorë, hapja e teatrove, stadiumeve dhe dasmave zgjidhja e vetme është vaksinimi
“Faktori më i rëndësishëm është imunizimi dhe mbrojtja e fëmijëve tanë. Vaksina është rruga e vetme e kthimit në normalitet e shpëtimit të jetës së njerëzve e shmangies së shtretërve spitalorë e kthimit në punë, në teatër, stadium, dasma po e përsëriti prapë andaj vaksinohuni”, ka theksuar Raka në bashkëbisedimin e organizuar nga UNICEF në javën e imunizimit në botë. / KultPlus.com
Familja e mbretit të ndjerë të muzikës pop, Michael Jackson, e kanë shënuar një fitore ligjore teksa e kanë bindur një gjykatës që ta hedhë poshtë padinë e Wade Robsonit për abuzim seksual.
Valltari dhe koreografi Wade Robson në vitin 2013 ngriti padi kundër Jacksonit, duke pretenduar se ylli i ndjerë i muzikës e kishte abuzuar seksualisht kur ai ishte i mitur.
Spekulimet dhe akuzat e Robsonit ishin shpalosur hollësisht në dokumentarin e profilit të lartë “Leaving Neverland”, të realizuar nga kanali “HBO”.
Duke e mbështetur një vendim paraprak, të hënën gjykatësi i Gjykatës Supreme të Qarkut të Los Angelesit, Mark A. Young, e hodhi poshtë padinë e Robsonit duke deklaruar se familja dhe udhëheqësit e pasurisë së këngëtarit të ndjerë, nuk ishin përgjegjës financiarisht ndaj Robsonit sepse korporatat nuk kishin asnjë detyrë ligjore ose aftësi për t’i kontrolluar veprimet e Michael Jackson.
Vince Finaldi, avokati i Robsonit në një deklaratë për media tha se vendimi i gjykatës kishte të meta fatale, dhe nëse është e nevojshme do të apelohet në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë.
Familja Jackson vazhdon ta ketë një betejë të veçantë gjyqësore me kanalin “HBO”, për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumentarit “Finding Neverland”. / Koha.net / KultPlus.com
Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka vizituar Ferdonije Qerkezin në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Orlando ka shkruar në Twitter se ka qenë shumë i prekur me dëshminë e saj të dhimbjes dhe humbjes së të dashurve.
“Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë u preka thellë nga dëshmia e jetës së Ferdonije Qerkezi për dhimbjen dhe humbjen. Shtëpia e saj e madhe e zbrazët është një kujtesë dinjitoze dhe imponuese e plagëve të hapura që ende duhet të marrin përgjigje, duke shmangur çdo politizim”, ka shkruar Orlando.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett sot ua ka çuar një porosi liderëve të Ballkanit që fatin e të pagjeturve të mos mbajnë peng të politikës së tyre. / KultPlus.com
Zhgënjimi i vazhdueshëm për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të pagjetur, drejtësia e pa vendosur ndaj qytetarëve dhe familjeve të cilat ende jetojnë me shpresën dhe njëkohësisht edhe me ankthin për të dashurit e tyre që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ishte arsyeja që organizata ‘Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë’, sot ka zhvilluar një aksion rrugor për vendosjen e një instalacioni me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur në Sheshin ‘’Skënderbeu’’, shkruan KultPlus.
Ky instalacion shfaqte emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë ku tash e 21 vite, Kosovës i mungojnë gjithsej 1,639 qytetarë. Ky zhgënjim është shprehur tash e sa vite nga familjarë të afërm dhe personat e dashur të të zhdukurve.
Prandaj sot, në shënimin e datës 27 Prill e cila konsiderohet si Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, vizitorë të shumtë patën rastin të shohin nga afër instalacionin i cili portretizoi zhgënjimin dhe neglizhencën institucionale mbi më shumë se dy dekada drejt çështjes së të pagjeturve që ka lënë në pritje të përditshme mbi 1000 familje kosovare.
Në këtë aksion rrugor, për të luftuar kundër mohimit të së drejtës për të ditur të vërtetën dhe pro të së drejtës për drejtësi për bashkëqytetarët dhe familjet e tyre, nga organizata jo-qeveritare ‘YIHRKS’ e pranishme ishte Marigona Shabihu e cila na tregoi më shumë rreth kësaj iniciative.
“Ne si ‘YIHR’, dy herë në vit në ditën kombëtare për personat e pagjetur dhe me 30 gusht në ditën ndërkombëtare për personat e zhdukur, organizojmë aksione të tilla rrugore me qëllim të informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për zbardhjen e së vërtetës për personat e pagjetur por edhe vendosjes së drejtësisë. Ne kërkojmë përgjegjësi dhe seriozitet më të madh nga ana e institucioneve publike në mënyrë që këta 1,639 të iu rikthehen familjarëve të tyre”, tha për KultPlus Shabihu.
Sipas saj, në nivelin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje veçse është bërë njëra ndër çështjet kryesore por duhet të vazhdojë të jetë e tillë ku të kërkohet një bashkëpunim më i madh nga institucionet në shtetin e Serbisë që lokacionet e varrezave masive të zbulohen dhe përfundojnë proceset e nevojshme në mënyrë që plaga e hapur e familjarëve të mbyllet.
Ajo tutje ka folur edhe për vështirësinë e realizimit të këtij projekti për shkak të pandemisë Covid-19 dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve.
“Normalisht që këto aktivitete janë vështirësuar pak, por ne jemi bërë së bashku edhe me organizata të tjera që së bashku të dërgojmë një mesazh duke ngritur vetëdijen e publikut që kjo çështje nuk është vetëm përgjegjësi individuale por edhe kolektive, prandaj duhet dhënë kontributi i secilit sado i vogël të jetë”, thotë Shabihu.
Për Shabihun, këto aktivitete shprehin një lloj përkrahje në mënyrë që të gjithë të bashkëndjenjë me dhembjen, terrin dhe ankthin në të cilën gjenden familjarët.
“Sado pak t’i përkrahim familjarët duke iu treguar se ne jemi me ta si shoqëri, i mbështesim dhe që sigurisht nuk do të harrohen por janë dhe do të mbeten pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe kujtimeve tona kolektive.”
Sot në ora 20:00, ‘YIHR’, së bashku me organizata të tjera si: HLC, Forumi ZFD, KRCT dhe disa të tjera ka bërë thirrje që sonte publiku në një formë përkrahje t’i ndalin dritat në shtëpitë e tyre për 5 minuta. / KultPlus.com
Skënder Luarasi, ishte arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues, vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist e hartues fjalorësh.
Ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936 nëpërmjet kufirit grek nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936 Luarasi takoi në Parsi Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin. Në vitet 1939-44 vuajti në kampet e pëqendrimit në Francë, pastaj në vitin 1945 u kthye përsëri në atdhe.
Mbas çlirimit të vendit, ishte nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet.
Ishte deputet në vitet 1946-50. Më 1950 nis punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave.
Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).
Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.
Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Studenti” ShBA më 1920, “Djalëria” Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.
Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore. / KultPlus.com
Dokumentimi, dimensionet, shqyrtimet, hulumtimet dhe perspektivat e zgjeruara të historikut të Prishtinës, por kryesisht me fokus në lagjen ku ndodhet objekti i Kryqit të Kuq, u jetësuan në formën e një libri të titulluar ‘’but first, check the water’’, në kaudër të edicionit të tretë të ‘Metamorphosis’, ku së bashku me ndërhyrjen artistike specifike për lokacionin nga artistja Nurhan Qehaja, projekti ka zënë vend me datën 30 shtator 2020, me ç’rast mbrëmë erdhi edhe promovimi i tij në Kino Armata, shkruan KultPlus.
Libri ‘but first, check the water’, sjell një qasje me dimensione historike, kulturore dhe arkitektonike duke trajtuar kështu pyetjet e shumta rreth objektit të Kryqit të Kuq dhe jo vetëm. Ky libër përfshin hulumtime në terren, mbledhjen e rrëfimeve të banorëve dhe intervenime artistike.
Gjithçka nisi me shfaqjen e një video të shkurtër e realizuar nga regjisori Leart Rama ku nëpërmjet muzikës u shpalosen pjesë të shkëputura nga ndërhyrja artistike dhe performanca e artistes Nurhan Qehaja. Vepra muzikore nën kompozimin e Liburn Jupollit, tërhoqi vëmendjen e publikut me meloditë dhe tingujt mahnitës të interpretuar nga Rron Bakalli në instrumentin e violinës, Ylli Zhaveli në instrumentin e klarinetës dhe Kaltrina Berisha në instrumentin e Çellos.
Kjo video e xhiruar brenda objektit të Kryqit të Kuq, portretizoi ambientin e një objekti të braktisur i cili po shkon drejt shkatërrimit për shkak të rrjedhës së ujit e cila është lënë e harruar. Prandaj, gërshetimi i veçantë i instrumenteve të cilat jehonin në objektin bosh dhe imazhet e zymta që përngjanin pothuajse me lule të vyshkura, sollën një ndjenjë ndaj gjithsecilit që ndoshta ky objekt do të duhej të ringjallej përsëri dhe në vend të shkatërrimit tutje të tij nëpërmjet rrjedhës së ujit, objekti të ringjallet përsëri me një ‘ujitje’ që e pasuron dhe ngritë atë në këmbë përsëri për të bashkëjetuar së bashku me gjelbërimin që e rrethon këtë objekt.
Ndërsa për të folur më shumë rreth këtij procesi në kuadër të realizimit së edicionit të tretë të ‘Metamorphosis’, që ka nisur planifikimin një vit më përpara, së pari me hulumtimin pastaj me intervenimin akustik e duke përfunduar me botimin e librit, e pranishme ishte edhe Sihana Klisurica, përfaqësuese nga organizata ‘Shtatëmbëdhjetë’.
“Ne kemi trajtuar disa aspekte të rëndësishme që kanë ndihmuar në realizmin e tretë të metamorfozës në rrethana të jashtëzakonshme. Ideja kryesore dhe fillestare ka qenë të fokusohemi në objektet e braktisura dhe që në një formë apo tjetër të kontribuojmë në mbledhjen e kujtesës kolektive dhe përmes hulumtimit dhe bisedave me persona që kanë kujtime rreth objektit, kemi parë se sa shumë ka mungesë të informacioneve dhe arkivave dokumentuese të shumë pjesëve të vendit tonë”, shprehet Sihana.
Sipas saj, me anë të këtyre objekteve janë munduar të hedhin dritë në disa pjesë historike të rëndësishme që sot duhet të ruhen. Prandaj, arsyeja për përcaktimin e vendit është bazuar në fokusimin e hapësirës në lagjen e vjetër të Prishtinës, ku stafi gjithmonë ka parë se në çfarë gjendje është objekti dhe si po trajtohen nga institucionet.
Ajo tutje ka folur se pse është vendosur që artistja Qerhaja, të jetë pjesë e projektit e cila ka hasur në problemin ku iu është ndaluar hyrja në objekt me arsyetimin se objekti nuk është i sigurtë pavarësisht se raporti ekzistues tregon që shkallët e objektit mund të përdoren.
“Qasja e saj artistike së bashku me punën shtatë mujore ka ndikuar edhe në reagimin e institucioneve dhe shumë njerëzve që janë interesuar mbi këtë objekt që i takon shekullit XX. Prandaj, për neve ka qenë e rëndësishme që të mbledhim copëza të historikut të këtij objekti në aspektin e trashëgimisë kulturore”, përfundon ajo.
Libri që mbrëmë u promovua është cilësuar si një përmbledhje e hulumtimeve në terren dhe autorët që kanë kontribuar me shkrimet e tyre si: Haxhi Mehmetaj, Sali Shushi, Artan Krasniqi, Merita Gorani-Balaj dhe Linda Gusia së bashku me studentët që kanë qenë pjesë e punëtorisë që kanë kontribuar në pjesën e hulumtimit duke u ndarë në dy grupe: grupi i arkitektëve dhe grupi i hulumtuesve, që kanë bërë një punë të mrekullueshme.
Po ashtu, për të folur më shumë rreth angazhimit dhe sfidave përgjatë procesit të këtij projekti, ku në hyrje të objektit shprehet qasja artistike, e pranishme ishte edhe artistja Nurhan Qehaja.
“Çka ka qenë shokuese është se nuk e kam parë më herët këtë objekt edhe pse kam kaluar tërë kohën aty. Në të njëjtën kohë më kujtohet që objekti ka qenë shumë e vështirë për tu parë sepse kishte një pamje dërrmuese. Prandaj, muzika ka qenë e vetmja përgjigje mbi këtë situatë”, shprehet Qehaja.
Sipas saj, është menduar të krijohet diçka e re dhe prandaj pas shtatë muajve punë, është thënë se nuk është e lejuar të përdoret objekti brenda, prandaj ajo është dashur që të marrë shiritin e kuq.
“Shiriti i kuq ka qenë si një mënyrë revolte sepse nuk ka qenë në rregull që pas shtatë muajve, ata të ndërrojnë mendje rreth përdorimit të objektit. Pikërisht aty më është dhënë ndjenja që objekti nuk është i mbrojtur dhe ajo në fakt është gjëja që ai objekt përfaqëson, prandaj edhe unë vetëm e mbylla me shiritin e kuq sepse aq kam pasur mundësi”, përfundon Qehaja.
Ndërsa, për finalizimin e këtij projekti dhe anën e një perspektive të re mbi këtë objekt, e pranishme ishte edhe Erëmirë Krasniqi.
“Unë jam kyçur në një moment kur veçse kanë përfunduar disa mendime dhe detyra ime ka qenë finalizimi i punës në një aspekt tjetër duke shkuar më tutje me hulumtime. E rëndësishme ka qenë mosfshirja e shtresave në pjesët e vjetra të qytetit të cilat kanë të bëjnë me komunitete tjera ku ka turq dhe mjaft kultura diversive, prandaj kur shkruan një libër të tillë nevojitet fokus i madh sepse reflektimi i njerëzve duhet të mos bazohet vetëm në përvojën shqiptare”, shprehet Krasniqi.
Sipas saj, libri fillon që nga Ilirët duke trajtuar aspektin e Prishtinës qysh nga antikiteti deri tek nënshkrimi i parë në vitin 1912 përmes Haxhi Mehmetaj. Pastaj Sali Shosha, i cili i afrohet zhvillimit urban në vitet e 70-ta, ku çmimin për këtë zhvillim e ka paguar pjesa e vjetër e qytetit që është shumë e neglizhuar si trashëgimi dhe shumë nga ajo zonë historike është e atakuar.
“Libri është munduar që pavarësisht informacioneve të pakta, mungesa e informacioneve të na shërbejë si dije për statusin dhe trashëgiminë e këtyre ndërtesave që ato të mos neglizhohen”, potencon ajo.
Objekti i “Kryqit të Kuq” në lagjen e vjetër të Prishtinës është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme dhe pavarësisht kësaj shumë pak dinë për këtë monument i cili prej vitit 2016 ka mbetur i braktisur. / KultPlus.com
Sot shënohet 27 Prilli – Dita e të Pagjeturve të Kosovës.
Për të nderuar këtë ditë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë nderime te memoriali për të Pagjeturit, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, Osmani është shprehur se sot e përherë duhet ta kuptojmë se fati i Kosovës është i lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe se përgjegjësia e Serbisë për krimet makabre duhet të ndodhë në mënyrë që rajoni ynë të ec përpara.
“Sot, bashkë me familjarët e të pagjeturve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, shënuam 27 prillin, Ditën e të Pagjeturve në Kosovë.
Sot e përherë, duhet ta kuptojmë se fati i Kosovës është i lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, se drejtësia për ta është parakusht për paqen, e që përgjegjësia e Serbisë për krimet makabre që përbëjnë gjenocid duhet të ndodhë në mënyrë që rajoni ynë të ecë përpara”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com