Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me një tjetër çmim në Itali, atë të Presidentit të Jurisë në Edicionin e IX të Konkursit Kombëtar të poezisë “Arti në vargje” (L’arte in versi) për përmbledhjen poetike “Le pantofole della solitudine” (Pantoflat e vetmisë) botuar nën siglën e Shtëpisë Botuese Besa, Nardò, në vitin 2018.
Në motivacionin e dhënies së çmimit nga Presidentja e Jurisë, Michela Zanarella, shkruhet: “Kjo përmbledhje është e strukturuar më së miri, çdo poezi përshkruan emocione në të cilat çdo lexues e gjen veten. Autorja ndërton një dialog të ndërsjelltë dhe arrin të vizatojë ndjenja ndonjëherë në kontrast me njëra-tjetrën. Në vargje gjen vetmi, dhembje, po edhe shpresë. Me një stil të thjeshtë por të fuqishëm, poetja arrin të na shoqërojë drejt një ishulli paqeje, një vendi ideal ku mund të gjehet vetvetja dhe ekuilibri. Janë interesante gjithashtu metaforat dhe imazhet e përdorura.”
Kurse nga parathënia e librit “Pantoflat e vetmisë” veçojmë: “Delikate dhe emocionuese në të njëjtën kohë, ‘Pantoflat e vetmisë’ është një përmbledhje me poezi që rrëfen për shpirtin njerëzor, për lidhje të pamundura për t’u këputur, për ndjenja dhe kujtime që i japin formë dhe kuptim jetës sonë. Pjesa e parë e librit, titulluar ‘E kaluara është një fantazmë’, përmbledh një seri poezish të ndërtuara në fillin e nostalgjisë, midis dhimbjes për largësinë nga vendi i origjinës dhe dëshirës për t’u strehuar në një vend larg nga kaosi i jetës së përditshme. Ndërsa pjesa e dytë: “Në borxh me dashurinë”, është një udhëtim nëpër sfumaturat e panumërta të ndjenjave, që mbi të gjitha të trondit, ashtu i vendosur midis gëzimit dhe trishtimit, midis magjisë së një çasti dhe lotëve që koha nuk mundet t’i thajë.”
Irma Kurti është nderuar me 60 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali dhe në Zvicër, ndër të cilat me tepër se gjysma janë çmime të para, të dyta dhe të treta. Së fundi, ajo u shpall si një nga poetet më të mira bashkëkohore nga Enciklopedia Poetike si dhe u vlerësua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali./ KultPlus.com
Pikturat shumëngjyrëshe të cilat krijuan iluzionin se po vallëzonin në një horizont ylberi e po shpalosnin ëndrrat dhe shpresat e shumta të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë prezantuar sot në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës përmes një ekspozite të titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e realizuar nga vajzat rome, shkruan KultPlus.
Ky projekt për qëllim pati thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipave të shoqërisë në përgjithësi, ku vajzat rome patën rastin të prezantojnë rreth 50 piktura, nëpërmjet së cilave shpaloset se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë kosovare.
Pikërisht për të arritur këtë qëllim, fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejta të barabarta pa dallim të religjionit, ngjyrës, gjinisë apo moshës dhe njëkohësisht edhe për qasjen në aktivitete dhe programe socio-kulturore e edukativo-sportive.
Kjo ekspozitë që ngërthen në vetë një mesazh shumë të fortë dhe mjaft domethënës ka pritur sot vizitorë të shumtë të cilët patën rastin që nga afër ti ndjenjë emocionet dhe ndjenjat e veçanta me të cilat vajzat rome frymojnë dhe shpresojnë çdo ditë për ekzistencën totale të diversitetit.
‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e zhvilluar nga mentorja dhe kreatorja e cila ka punuar me vajzat nga Mitrovica, duke i realizuar pikturat së bashku dhe duke dhënë kështu mesazhin se piktura më e mirë është ajo e cila ka më shumë ngjyra dhe që po e njëjta vlen për shoqërinë. Pra, shoqëria më e mirë është ajo e cila ka më së shumti diversitet.
Pas hapjes së parë të kësaj ekspozite në Parlament me 8 mars, ku i është dhuruar veçanti temës për gruan dhe fuqinë e saj, tani në hapjen e dytë është fokusuar po e njëjta temë, me ç’rast përmes pikturave të cilat burojnë ngjyrë për diversitet në mbarë botën, mendohet të arrihet një e ardhme më e mirë për këto komunitete.
Në mesin e llojllojshmërisë së ngjyrave të vendosura në muret e korridorit, të pranishëm ishin edhe organizatorët e këtij projekti si: UN Women dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar si dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.
Ai që nisi këtë hapje ishte vetë Berisha, i cili ka shprehur se për të është një kënaqësi që ai ndodhet në mesin e të pranishmëve duke shpresuar kështu për më shumë bashkëpunime të tilla.
“Është kënaqësi shumë e madhe që për fatin tonë të dashur na keni mbushur muret ngjyrë. Por është ende më e veçantë që për këto punime janë përkujdesur vajzat rome. Në të ardhmen do kisha dëshirë që të ndodhin pikërisht këto bashkëpunime për realizimin e këtyre projekteve e në veçanti projektet të cilat ndërlidhen me të gjitha komunitetet në Kosovë”, thotë Berisha.
Ndërsa, Jacob Webber nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ka falënderuar Komunën e Prishtinës për këtë mundësi.
“Është një kënaqësi e madhe që sot jam këtu dhe që kemi mbështetur këtë projekt sepse është një pjesë e një projekti të madh në Kosovë, për arsye se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe mundësitë për këtë projekt janë shumë të rëndësishme për shpresën e këtyre komuniteteve’’, tha ai.
Po ashtu, Vlora Tushi Nuzi nga UN Women është shprehur se ky projekt për të ishte njëri ndër projektet më të bukura përmes së cilës janë bashkuar të gjitha forcat për të dhënë kontributin në mirëqenien e qytetarëve.
“Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e tyre sepse ky projekt kontribuon në mirëqenien e këtyre komuniteteve dhe në të gjitha kombinimet e kushteve me të cilat ne jemi detyruar të jetojmë në këtë izolim”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka falënderuar vajzat rome për kreativitetin dhe guximin e tyre dhe ka shpresuar që ende të ekspozohet puna e tyre edhe në ndërtesa të tjera, pasi që tashmë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur dëshirën e saj që të ketë pikturat e vajzave rome në zyrën e saj.
Gjithashtu, vetë mentorja e këtyre pikturave Mirjeta Qehaja, ka shprehur kënaqësinë e saj për një mundësi të tillë duke e pasur parasysh se këto vajza janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian por të cilat shumë nga to nuk merren me art.
“Fatkeqësisht për momentin unë jam e para dhe e vetmja e diplomuar në këtë drejtim dhe ende nuk kemi asnjë të regjistruar në fakultet. Prandaj, për mua është një përgjegjësi e dyfishtë jo vetëm për karrierën time por edhe për të gjitha vajzat dhe të rinjtë e komuniteteve që të arrijnë sa më shumë në art dhe që arti të zhvillohet sa më shumë në Kosovë”, thotë Qehaja.
Ajo tutje ka thënë se procesi i pikturimit ka qenë tepër i mirë sepse puna me këto vajza ishte një veçanti e bukur.
“Unë shpresoj shumë që në të ardhmen do të kemi më shumë artistë që i përkasin këtyre komuniteteve. Vajzat janë gëzuar shumë që kanë pasur një mundësi të tillë sepse jo çdo herë jepet kjo mundësi duke e pasur parasysh që arti është shumë i kushtueshëm, prandaj për vajzat e reja duhet të ekzistojnë fonde të posaçme ku jepet mundësia për ti shfrytëzuar ato materiale për të paraqitur talentin e tyre”, shpreh Qehaja për KultPlus.
Sipas saj, përderisa ngjyra e lëkurës vlerësohet më shumë sesa ngjyra e syve do të thotë se gjithmonë do të ketë një luftë në botë. Ndërsa, gëzimi i saj më i madh ishte gëzimi i vajzave rome kur ato panë materialet dhe kur filluan të pikturojnë.
Krejt në fund, teksa të pranishmit po bisedonin rreth pikturave dhe domethënies unike të tyre, drejtori i Kulturës për KultPlus është shprehur se piktura që atij i ka lënë më së shumti përshtypje, ishte piktura me një prapavijë të verdhë ku shihen katër vajza duke vallëzuar me njëra-tjetrën dhe të gjitha ato kanë një ngjyrë ndryshe nga njëra-tjetra dhe në vallëzim ato janë duke e krijuar një siluetë të një vajze që po buzëqesh.
“Unë e kuptova që vajzat rome e shohin shoqërinë duke vallëzuar me njëra-tjetrën pa dallime të ngjyrës së lëkurës dhe buzëqeshja do të ishte ajo e cila do të simbolizonte atë valle të cilën po e hedhin ato”, përfundon Berisha për KultPlus.
Ky projekt është realizuar nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa nikoqire e këtij projekti është Komuna e Prishtinës.
Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka hapur thirrjen publike për mbështetjen financiare për ‘Art në Hapësira Publike’, shkruan KultPlus.
Thirrja ka për qëllim që të përfshijë artistë të ndryshëm që sjellin produkte që ndërlidhen me skulpturën, muralet, grafitet, instalimet, si dhe shumë të tjera.
Në një postim në Facebook drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha ka shkruar se komuna synon të ketë një qasje drejt ringjalles dhe zbukurimit. Ai gjithashtu ka dhënë edhe shembuj nga veprat e artit në hapsirat publike në vende të ndryshme të botës.
“Qasja jone eshte gjithmone drejt ringjalljes dhe zbukurimit. Te krijojme per te ndikuar, duke transformuar hapesirat publike me nje vizion te fuqishem”, ka shkruar ai.
Kemi hapur THIRRJE PUBLIKE per mbeshtetje financiare per “Art ne Hapesira Publike”.
Kjo thirrje ka per qellim te…
Vlera e përgjithshme e planifikuar për këtë thirrje është 70.000 euro, ku shuma e mbështetjes financiare për projektet individuale do të jetë 500 euro minimalja, kurse shuma maksimale për një projekt është 14,000 euro.
Afati i dorëzimit të propozimeve është hapur që nga data 28 prill dhe do të mbes i hapur deri më 17 maj 2021. Ndëkraq periudha e zbatimit të projekteve përfshinë muajt Korrik –Nëntor 2021./ KultPlus.com
Në kuadër të lëndës Business Intelligence me 27 Maj, ora 17:00 studentët e Kolegjit Universum do të ndjekin ligjëratë me Dr. Irlan Grangel-González.
Dr. Irlan Grangel-González, është Inxhinier Kërkimi në Korporaten Bosch me interes në Knowledge Graph, Inteligjencë Artificiale dhe Shkencën e të Dhënave. Ai është doktor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Bonit, Gjermani.
Studentët e Kolegjit Universum do të kenë mundësinë të mësojnë të fundit nga bota e inteligjences biznesore dhe të bashkëbisedojnë direkt me Prof. Gonzalez.
Eventi do të jetë i hapur për të gjithë studentët e Kolegjit Universum.
Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Mëso më shumë www.universum-ks.org
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Goranëve ka pritur përfaqësues të këtij komuniteti, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka uruar komunitetin goran në ditën e tyre, duke i falënderuar për kontributin e tyre për diversitetin kulturor. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar mbështetjen e saj për fuqizimin e grave të këtij komuniteti në të gjitha nivelet, duke theksuar se problemet me të cilat përballet komuniteti goran janë të njëjta me të qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq përfaqësuesit e këtij komuniteti kanë theksuar se komuniteti goran ndihet pjesë e shtetit të Kosovës, ndaj kërkuan mbështetjen e institucioneve në mënyrë që të adresohen nevojat e komunitetit për punësim dhe zhvillim. Ata kanë potencuar rolin e rajonit të Gorës edhe në zhvillimin e turizmit në këtë pjesë.
Më tej, ata kërkuan rritjen e kujdesit institucional për komunitetin goran dhe vendbanimet e tyre, në mënyrë që rinia e kësaj ane të mos e braktisë Kosovën. Përfaqësues të këtij komuniteti kanë shfaqur shpresën se projektet zhvillimore që mbështesin komunitetin do të përkrahen edhe nga institucionet vendore./ KultPlus.com
Shtëpia franceze e modës Chanel sjell një koleksion krejt ndryshe për sezonin 2021/2022, ku spikasin kryesisht ngjyrat bardhë e zi.
Veshjet me thekë, të ngushta e të grisura apo lëkurë janë propozimi i Chanel në koleksionin e quajtur “Chanel Rock”.
Ende larg pasarelave për shkak të pandemisë, koleksioni i ri erdhi përmes një video të realizuar në fshatin piktoresk të Provence, në jug të Francës. Mes mureve me gurë të bardhë, modelet sfiluan veshur me fustane të bardhë e të zezë, pantallona lëkurë, rrjeta apo thekë, e shumë pak ngjyra mes tyre.
Shtëpia e modës u frymëzua për këtë vend nga filmi klasik i vitit 1960, “Testamenti i Orfeut”. Pas lehtësimit të masave anti-covid, Chanel ka planifikuar të organizojë një sfilatë në Paris në muajin korrik./a2/ KultPlus.com
Prej 15 vitesh Ardita Sopi ushtron profesionin e saj si infermiere në Bronx, SHBA. Media amerikane “News12” ka realizuar një intervistë me infermieren shqiptare, e cila në vitin 2020 u nderua nga spitali ku punon më çmimin “Punonjëse e vitit për 2020-ën”.
Ardita Sopi është pjesë e emigrantëve në kohën e luftës së Kosovës dhe ka përjetuar shumë humbje në atë periudhë të vështirë. Tashmë me pandeminë ato ndjenja trishtimi për shumë humbje jete duket sikur i janë rikthyer sërish.
Për tetë vite Sopi ka qenë pjesë e në Spitalin St. Barnabas dhe së fundmi ajo punon si infermiere në Departamentin e Shërbimeve Shëndetësore në këtë spital.
Vitin e kaluar, spitali e nderoi Ardita Sopin si “Punonjësen e vitit për 2020-ën” për punën e saj duke siguruar mbështetje fizike dhe emocionale për stafin – disa prej të cilëve ndërruan jeta nga koronavirusi.
“Unë kam jetuar në një zonë lufte dhe me të vërtetë në ato kushte jeton me frikën nëse do zgjohesh të nesërmen, nëse do shkosh në shkollë dhe për më tepër nëse do kisha mundësi të diplomohesha”, tregon Sopi.
Sopi arriti në Shtetet e Bashkuara në 1999 pasi jetoi për disa muaj në një kamp refugjatësh në Maqedoni. Ajo thotë se nuk fliste anglisht, por kuptoi që Amerika i ofroi asaj një mundësi për të përmbushur ëndrrën e saj për të qenë një infermiere si nëna e saj.
“Duke u rritur me shembullin e nënës sime e cila me punën e saj si infermiere jepte maksimumin nga vetja për të ndihmuar të tjerët, unë u ushqeva me të njëjtën frymë dhe doja patjetër të bëja të njëjtën gjë, të kisha një profesion me anë të cilit të ndihmoja të tjerët. Periudha e pandemisë, më solli në kujtesë luftën e Kosovës, ku nuk e dinim se çfarë na pret ditën tjetër, por nuk mungonte solidariteti”, tha Sopi.
Ajo thotë se qëllimi i saj i ardhshëm është marrja e një doktoraturë dhe kontribuimi në shoqërinë amerikane, për të cilën ajo thotë se tashmë i ka dhënë kaq shumë. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, ka pritur në takim përfaqësuesit e festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, me të cilët ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për organizimin dhe mirëvajtjen e kësaj ngjarje kulturore në Prizren, përcjellë KultPlus.
Nënshkrimi i memorandumit ka për qëllim mbështetjen e festivalit nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, për të realizuar zhvillimin e aktiviteteve që ndërlidhen me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes artit bashkëkohor.
Drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha, u shpreh i lumtur me nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se “aktivitetet e përbashkëta të Autostradës Biennale dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”.
Po ashtu, drejtori Hoxha sqaroi se pikat e bashkëpunimit si pjesë përbërëse e këtij Memorandumi do të zhvillohen në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore. Ai ka theksuar se promovimi i trashëgimisë kulturore, duke ri-funksionalizuar ndërtesat si hapësira për art bashkëkohor, ngritja e vetëdijes për mbrojtjen dhe promovimin trashëgimisë kulturore si dhe ofrimi i aktivitete të shumta, ku shtjellohen edhe tema sociale si barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe mesazhet të përcjella në gjuhën e artit bashkëkohor, do të nxisin promovimin e zhvillimit e turizmit kulturor dhe do rrisin ndikimin ekonomik për qytetin e Prizrenit.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, falënderoi drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
Ai tha se edicioni i tretë i festivalit do të zhvillohet në përputhje me rrethanat aktuale, dhe do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.
Bienalja Ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”, do të mbahet në Prizren, gjatë periudhës 17 Korrik – 11 Shtator 2021. Kjo ngjarje kulturore, filloi për herë të parë nënë vitin 2014, themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht apo kriter për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri, për një sezon turistik që siç e kam thënë edhe më parë duhet të jetë, një sezon shumë më i lehtë se ai i shkuari”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas mbërritjes së sasisë së vaksinave “Pfizer”, Rama tha se “me shumë kënaqësi po ndjek procesin e pronotimeve dhe kërkesave që po rriten vazhdimisht nga vendet e tjera, për të ardhur dhe për të kaluar pushimet në Shqipëri”.
Duke i referuar ecurisë pozitive të vaksinimit antikovid në vendin tonë, kryeministri theksoi se “ne jemi sot në një pozicion relativisht të admirueshëm, nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra”.
“Do të vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin me gjysëm milion vaksinime, 29 ditë përpara afatit, tani objektivi është 1 milion”, u shpreh Rama.
“Puna vazhdon intensivisht, në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht vitin e ardhshëm dhe në vijim”, deklaroi Rama.
Varhelyi: Shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale
Nga ana e tij, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh se, “ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare do të marrin vendimin sesi do të ecet përpara, si do të procedohet”.
“Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të rihapin kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera, të hyjnë në BE, në veçanti të Ballkanit Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra që të rifillojë udhëtimi i tyre”, u shpreh ai.
“Ne, natyrisht do të përdorim të dhëna epidemiologjike, në mënyrë që ato vende të cilat kanë një situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi, që qytetarët e tyre të udhëtojnë në shtetet anëtare të BE-së, si dhe ata individë që janë të vaksinuar”, tha ai.
“Shpresoj që në formë graduale ne do të rifillojmë këtë proces dhe shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale apo një normaliteti veror, pasi ka ardhur koha që të ndodhë kjo gjë”, deklaroi Varhelyi. / atsh / KultPlus.com
Sot ajo është një nga artistet më të famshme në tregun ndërkombëtar të muzikës.
Por dikur Bebe Rexha përveç dëshirës për t’u bërë një yll i muzikës, nuk posedonte kushtet e mjaftueshme për të bërë si duhet rrugëtimin e saj artistik.
Në një intervistë të fundit për “Interview Magazine”, artistja me origjinë shqiptare ka treguar se si fëmijë kishte dashur të luante në piano, por prindërit e saj nuk kishin mundësi t’ia blinim.
“Kam luajtur në trumpetë për tetë vjet dhe isha në një grup xhazi. Kam filluar të mendoj për atë kohët e fundit sepse në disa nga këngët në album, si “Die Fo A Man”, kur këndoj meloditë e mia… Unë me të vërtetë mendoj se ato erdhën duke i rënë trumpetës. Doja shumë të luaja në piano, por prindërit e mi nuk kishin mundësi dhe nuk kisha si ta mësoja. Instrumenti i vetëm që mbeti falas për t’u mësuar në shkollë në New York City ishte trumpeta. Unë isha aq e trishtuar sepse kisha proteza në dhëmbë. Gjithmonë e doja Gwen Stefani dhe No Doubt”, ka thënë 31-vjeçarja.
Bebe Rexha (e lindur si Bleta Rexha) është rritur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka treguar se është shumë e lidhur me origjinën e saj dhe se si fëmijë, ajo dhe familja e saj kanë ardhur shumë shpesh për vizitë në shtëpinë e tyre në Dibër të Maqedonisë së Veriut.
Bebe Rexha nesër (e premte) nxjerr në shitje albumin e saj të ri “Better Mistakes”, i cili njëherësh është i dyti në karrierën e saj. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Quhet projekti më ambicioz dhe emocionues i turizmit dhe mikpritjes në botë, projekti në Detin e Kuq, një kompleks prej 50 vendpushimesh ultra-luksoze me 8 000 dhoma hoteli dhe 1 300 rezidenca banimi të shpërndara në 22 ishuj në Detin e Kuq, shkruan vanityfair.it.
Ai do të projektohet për të zbutur emetimet e karbonit, për të zvogëluar mbeturinat (plastika, për shembull, do të ndalohet) dhe në të njëjtën kohë të zvogëlojë ndriçimin e dritës dhe zhurmës.
Të gjitha falë materialeve të lehta dhe eko-miqësore, furnizimit me energji të pastër të mbështetur nga sistemi më i madh i ruajtjes së baterive në botë (i cili gjithashtu do të furnizojë sistemin më të madh ftohës të parë ndonjëherë), ndërhyrjet specifike për të mbrojtur florën, faunën dhe shkëmbinjtë koralorë me mirëmbajtjen e destinacionit në një nivel të biodiversitetit ekuivalent me një zonë të mbrojtur detare.
Ishulli i parë në të cilin mund të jetohet ëndrra do të jetë Shurayrah: një ishull në formë delfini ku studioja e arkitektit Norman Foster do të ndërtojë 11 vendpushimet e para me emrin ndjellës “Coral Bloom”.
“Ishulli i Shurayrah është porta hyrëse për projektin e Detit të Kuq, kështu që është e rëndësishme që të vendos standardet në arkitekturën revolucionare dhe dizajnin e qëndrueshëm, jo vetëm për destinacionin tonë, por gjithashtu globalisht. Kjo arrihet duke tejkaluar mbrojtjen e thjeshtë të mjedisit, duke aplikuar një qasje rigjeneruese”, theksoi John Pagano, shef i Kompanisë për Zhvillimin e Detit të Kuq.
Respektimi i biodiversitetit është thelbësor në projektin Shurayrah: vendpushimet, për shembull, do të ndërtohen për të shmangur dëmtimin e habitateve të tjera të ishullit, ndërsa në të njëjtën kohë do të kryhen ndërhyrje për ta mbrojtur atë, siç janë plazhet e reja që do të ndihmojë në rritjen e nivelit të tokës, duke siguruar një shtresë mbrojtëse kundër ngritjes së nivelit të detit.
Ato gjithashtu do të projektohen bazuar në pritjet e udhëtarëve post-Covid: do të ketë shumë hapësirë për secilin mysafir, nuk do të ketë korridore dhe çdo detaj do të projektohet për t’u siguruar që ju të shijoni plotësisht natyrën.
Për të siguruar pamje spektakolare, për shembull, nuk do të ketë rrokaqiej. Asgjë nuk dihet, për momentin, për shërbimet, por fjala “luks” shpesh përsëritet në përshkrimin e projektit të nisur nga vetë Princi Mohammed bin Salman, kështu që ndërkohë mund të fantazohet.
Katër vendpushimet e para Shurayrah do të jenë gati në fund të vitit 2022, data në të cilën do të përfundojë edhe aeroporti i ”Projektit të Detit të Kuq”, i cili do të arrihet në 8 orë me fluturim nga destinacionet kryesore në botë.
Në vitin 2030, megjithatë, i gjithë Projekti i Detit të Kuq duhet të përfundojë: deri në atë datë kompleksi do të përfshijë të gjithë rrjetin rrugor, një marinë, kurse golfi dhe çdo shërbim tjetër të mundshëm të përshtatur për turistët e pasur. Në atë pikë, megjithatë, ajo mund të ndryshojë edhe hartën e turizmit global. /atsh / KultPlus.com
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” ka shpallur të hapur konkursin për ndarjen e Çmimit kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2021, përcjellë KultPlus.
Çmimi kombëtar “Ali Vishko” jepet në bazë të Statutit të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Çmimi u ndahet personaliteteve nga vendi, rajoni dhe bota, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit.
Çmimi kombëtar “Ali Vishko” u ndahet personaliteteve për vepër jetësore, për kontribut të theksuar si dhe për arritje me rëndësi të veçantë në lëmin e arsimit, të shkencës dhe të kulturës shqiptare.
Të drejtë konkurrimi kanë:
Institucionet e arsimit të lartë; Institucionet shkencore; Shoqatat shkencore dhe profesionale; Shoqatat tjera të qytetarëve dhe studiuesit individualë.
Propozimet duhet të jenë të arsyetuara me shkrim dhe të përmbajnë:
Të dhëna personale për autorin; Të dhëna bibliografike; dhe Arsyetimin e propozimit për marrjen e çmimit.
Propozimet duhet të dërgohen deri më 5. 6. 2021, në 5 kopje, në adresën: Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” – Tetovë, Këshilli për ndarjen e Çmimit kombëtar ,,Ali Vishko”, Rr. ,,Ivo Llolla Ribar”, Nr. 211/10, 1200 Tetovë, Fahu postar, Nr. 50.
Propozimet e pakompletuara si dhe ato që nuk do të dërgohen brenda afatit të sipërthënë, nuk do të merren parasysh. / KultPlus.com
Aktorja e njohur Hollywood-iane Angelina Jolie rikthehet me një super-film të ri, Those Who Wish Me Dead, filmi i cili fillon të shfaqet nga sot, më 6 maj, në Cineplexx.
Aktorja e njohur Hollywood-iane Angelina Jolie rikthehet në ekranet e mëdha me filmin Those Who Wish Me Dead, që nga sot, më 6 maj, arrin në Cineplexx si premierë e javës. Filmi nën regjinë e Taylor Sheridan, dhe me aktorë të njohur si Angelina Jolie, Nicholas Hoult, Finn Little, Aidan Gillen, Medina Senghore, Tyler Perry, Jake Weber, Jon Bernthal, flet për një adoleshent, dëshmitar i një vrasjeje, i cili e gjen veten të ndjekur nga vrasës profesionist në shkretëtirën e Montanës. Në luftë për mbijetesë, ai do të ndihmohet nga një eksperte mbijetese (Angelina Jolie), e cila do e mbrojë atë jo vetëm nga vrasësit, por edhe nga një zjarr masiv në pyll i cili rrezikon t’i kaplojë të gjithë.
Përveç këtij filmi, si premiere këtë javë vjen edhe komedia e re The Comeback Trail, me aktorët Robert De Niro dhe Morgan Freeman.
Biletat për këta filma mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, ose përmes aplikacionit të cilin mund ta shkarkoni në të dy platformat, edhe në IOS, edhe në PlayStore. Më shumë informata rreth filmit Those Who Wish Me Dead, mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.
Pas vdekjes së aktorit, këngëtarit dhe modelit Nick Kamen në moshën 59 vjeçare, Madonna ka bërë homazhe për Kamen, i cili posedon hitin më të madh të bashkë-shkruar nga vetë këngëtarja, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.
Madonna përmes një postimi në rrjetin social Instagram, është shprehur se ajo ndjehet zemërthyer nga vdekja e tij dhe se ai gjithmonë ka qenë një njeri i mirë dhe i ëmbël por edhe ka vuajtur shumë.
Ajo tutje shpreson se Kamen të jetë më i lumtur kudo që ai të ndodhet.
Emri i vërtetë i këngëtarit është Ivor Neville Kamen dhe ai fitoi famën përmes një reklame të xhinseve të vitit 1985 me markën Levi. Pas kësaj reklame, Madonna e ka ftuar atë në skenë.
Përmes kësaj reklame pasoi edhe rritja e shitjeve të xhinseve së kompanisë duke e bërë Kamen një simbol seksi përgjatë këtij procesit.
Ai gjithashtu ka kapur vëmendjen e Madonnës, e cila i tha BBC se në atë kohë ajo ishte magjepsur nga “karizma” dhe “zëri i bukur” i Kamen, me ç’rast ajo ka kontaktuar këngëtarin duke i kërkuar të regjistronte ‘Every Time You Break My Heart’, një këngë sintetike-pop e mbetur nga albumi i saj i tretë True Blue. / KultPlus.com
Tension i madh është krijuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi opozita ka lëshuar seancën.
Pas LDK-së edhe Partia Demokratike e Kosovës lëshoi sallën.
Gjatë largimit të deputetëve të PDK-së, në dera e sallës së Kuvendit, pati një tentim për përleshje. Deputeti Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati nga PDK-ja janë përplasur me ministrin Faton Peci. Më pas në tollovi është bashkuar edhe deputeti Hajdar Beqa. Në një moment, në video është parë që Beqa e shtyu me dorë me ministren e Arsimit, Arbëri Nagavci.
Paraprakisht, mes deputetëve pati fyerje e ofendime të rënda.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ka kritikuar mbarëvajtjen e seancës duke shtuar se nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci është duke degjeneruar seancën.
Tahiri ka thënë se do të kërkojnë që të mblidhet kryesia urgjentisht dhe të caktohet mbarëvajtja e seancës.
Seanca ka shkuar në pauzë deri në ora 12:00.
“Më vjen keq që një pjesë e deputetëve e lëshuan sallën. I ftoj gjithë deputetët të keni kujdes në gjuhën dhe të respektoni rregulloren e Kuvendit. Sot kam vepruar në respektim të plotë të rregullores. Kështu që ftoj këdo që ka ndonjë vërejtje sipas nenit 50 të rregullores së Kuvendit pika 1f, t’i adresohet komisionit për legjislacion. Do të shkojmë me një pauzë deri në ora 12. Lus deputetët që të jenë të gjithë në sallë në ora 12:00 të vazhdojmë me procedim të pikave që i kemi në rend”, ka thënë Bogujevci. / Koha.net / KultPlus.com
“Bagëti e Bujqësi” është poemë e shkruar nga shkrimtari shqiptar Naim Frashëri e cila është botuar për herë të parë në Bukuresht më 1886 në të përkohshmen “Drita”, shkruan KultPlus.
E mbajtur si kryevepra e Naimit, në këtë poemë baritore, barinj dhe katundarë shfaqen përsëpari në skenën letrare toske. Ata janë diçka më shumë se elementë zbukurues në përshkrimin peizazhit fshatarak. I përmalluar pas fshatit ku ishte lindur e rritur, Naimi e përshkruan në mënyrë idilike, ku asgjë nuk e cënon euforinë mistike dhe të gjitha konfliktet gjejnë pajtim dhe fashitje.
“O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë! Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë! Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar! Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar! Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni. Ti Shqipëri, më jep nderë, më jep emrin shqipëtar, Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”, janë disa ngavargjet e poemës.
Kjo kryevepër, u ribotua më 2001 nga shtëpia botuese “Dituria” në vëllimin me titullin “Bagëti e bujqësia, Lulet e verës, Vjersha të tjera”. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot ka mirëpritur Ministrin e Jashtëm të Kroacisë Gordan Grlić Radman, i cili menjëherë ka pranuar kërkesën për donacionin e vaksinave, me ç’rast ka dhuruar 10 mijë vaksina për qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë të ditur se gjatë diskutimit me Radman, ata kanë biseduar rreth kalimit të partneritetit në një nivel strategjik mes dy popujve. Ajo tutje ka potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave prandaj BE duhet ta mbajë premtimin e tyre.
Ndërsa, në mesin e diskutimeve, ajo çka është konsideruar më e rëndësishmja ishte se si Kroacia dhe Kosova duhet ti bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi dhe informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve 90-ta.
KultPlus ju sjell statusin e plotë të Osmanit:
Kisha kënaqësinë të mirëpres sot Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Pas kërkesës që i kam bërë shtetit kroat me 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave, kam marrë përgjigje pozitive menjëherë të nesërmen dhe sot Ministri i jashtëm na solli lajmin e mirë për donacion prej 10 mije vaksinash për qytetarët tanë. Ky veprim rikonfirmon partneritetin e shkëlqyeshëm mes dy popujve tanë dhe faktin se Kroacia na ka qëndruar pranë gjithnjë e në çdo sfidë.
Me ministrin po ashtu diskutuam për nevojën që partneriteti ynë të kalojë në nivel strategjik. E potencova që Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procesve të tjera. Diskutuam po ashtu për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, tregtisë, kulturës dhe shumë fusha të tjera. E më e rëndësishmja, diskutuam se si Kosova e Kroacia duhet t’i bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi të qartë dhe çdo informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve të 90-ta.
Rajoni ynë do të jetë më i sigurtë, ndërkaq e ardhmja jonë më prosperuese nga bashkëpunimi mes Kosovës e Kroacisë. E falënderoj Kroacinë për mbështetjen e pakursyer në çdo drejtim. / KultPlus.com
Kisha kënaqësinë të mirëpres sot Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Pas kërkesës që i kam bërë…
Në muajin maj, gjithmonë e kujtojmë Fehmi Aganin, një prej politikanëve më të dalluar nga Kosova, dhe një sociolog që e morri seriozisht studimin gjatë tërë jetës.
Fehmi Agani lindi më 23 janar të vitit 1932 në Gjakovë, ku mbaroi shkollimin fillor, ndërsa të mesmin e kreu në Prishtinë.
Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet pasuniversitare në shkencat politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit, duke marrë gradën shkencore Magjistër i shkencave politike me temën ‘Pjesëmarrja e punëtorëve në procesin e vendimmarrjes në Gjermani’, më 1965. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, duke mbrojtur me sukses tezën ‘Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore’. Në vitin 1951, iu kundërvu politikës së turqizimit të shqiptarëve dhe për herë të parë u konfrontua me PKJ.
Edhe pse shumë i ri, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të aleancës antifashiste. Ngjarjet e mëdha politike, veçanërisht ato të vitit 1981 e këndej, bënë që pikëpamjet dhe qëndrimet e tij politike gjithnjë e më tepër të marrin formën e social-demokracisë moderne perëndimore.
Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 punoi profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën Rilindja.
Në vitin 1967 u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Më vonë u zgjodh prodekan dhe dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema.
Në vitin 1978 mori Shpërblimin e Dhjetorit për studimet e tij shkencore.
Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Akademik Fehmi Agani ishte bartës i shumë dekoratave, ndër të cilat edhe i Dekoratës Urdhri i Lartë Skënderbeg me të cilën e dekoroi presidenti i Shqipërisë dhe Urdhri i Lidhjes së Prizrenit me të cilën e ka dekoruar kryetari i Kosovës.
Fehmi Agani u vra mizorisht afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999, shkruan KultPlus.
Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Qeveria serbe ngriti pretendimin se Agani është vrarë nga UÇK-ja, në mënyrë që ta pengonin të luante rolin e negociatorit midis Rugovës e qeverisë serbe. / KultPlus.com
Meghan Markle ka fituar një tjetër betejë ligjore në luftën e saj kundër mediave “Mail on Sunday” dhe ‘”Mail Online”.
Sipas disa raportimeve, Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur të mërkurën se Dukesha e Sussexit zotëron të drejtën e vetme të letrës që i shkroi babait të saj, Thomas Markle, pak muaj para martesës së saj me Princin Harry.
Avokatët e “Associated Newspapers Limited” më parë ngritën pretendime se ish-shefi i komunikimit të Pallatit Mbretëror, Jason Knauf, kishte një pjesë të drejte të letrës, sepse kishte parë një version të hershëm të letrës dhe kishte luajtur rol në shkrimin e saj. Por Knauf i ka hedhur poshtë këto pretendime në gjykatë dhe gjithashtu u vendos se as Pallati Mbretëror nuk ka pasur të drejta mbi letrën.
Megjithatë është zbuluar se Meghan ka ndarë një pjesë të letrës me princin Harry dhe Knauf për mbështetje, pasi ky ishte një proces shumë i dhimbshëm për të. Në muajin shkurt, Meghan fitoi gjyqin e saj të privatësisë kundër Associated Newspapers. Mark Warby, një gjyqtar në Londër, vendosi se “The Mail on Sunday” cenoi privatësinë e Meghanit duke publikuar një letër që ajo i kishte dërguar babait të saj në gusht të vitit 2018.
Meghan ngriti padinë e saj kundër “Mail on Sunday” për 5 artikuj nga shkurti i 2019-s. Këta artikuj përfshinin disa pjesë të një letre që Markle i dërgoi babait të saj, pasi ai nuk mori pjesë në dasmën e saj me Princin Harry, që u mbajt në maj të vitit 2018. \iconstyle / KultPlus.com
Nivele të thella të urisë kanë prekur të paktën 155 milionë persona vitin e kaluar si rezultat i konflikteve, dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe moti ekstrem, derisa situata këtë vit është e njëjtë ose edhe më e ashpër, është thënë në një raport të përpiluar nga 16 organizata.
Dy të tretat e njerëzve që janë përballur me këtë krizë janë nga 10 shtete – Afganistan, Jemen, Siri, Sudan, Kongo, Nigeri veriore, Etiopi, Sudan Jugor, Zimbabve dhe Haiti.
Të 155 milionë personat përballen me “krizë”, “emergjencë” apo me nivele katastrofike të urisë, çka përbën rritje prej 20 për qind të numrit të personave që janë përballur me diçka të tillë, krahasuar me vitin 2019, ka thënë raporti.
“Numri i personave që përballen me pasiguri të thellë në ushqim dhe kërkojnë urgjentisht ushqim dhe ndihmë për jetesë, është duke u rritur”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres teksa ka prezantuar Raportin Global për Krizë Ushqimore.
“Në shekullin 21, nuk ka vend për uri”, ka thënë Guterres.
“Neve na duhet ta luftojmë urinë dhe konfliktin, për ta zgjidhur njërin apo tjetrin problem”.
Raporti, që mbulon 55 shtete, po ashtu ka thënë se 133,000 njerëz në Burkina Faso, Sudanin Jugor dhe Jemenin, kanë nevojë urgjente për ushqim, për të parandaluar vdekjet nga uria.
Ekonomisti kryesor në Programin Botëror të Ushqimit Arif Husain ka thënë në një konferencë për media në OKB, se konfliktet nxisin më së shumti krizën me ushqim. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka folur para homazheve te varri i profesor Fehmi Aganit në 22 vjetorin e vrasjes së tij për kodin e procedurës penale dhe hetimin e gjykimin në mungesë.
Kurti që në homazhe ishte së bashku me presidenten e vendit, ka folur për profesor Fehmi Aganin duke iu referuar të njëjtit si politikan udhëheqës.
“Në 22 vjetorin e rrëmbimit dhe të vrasjes të profesorit Fehmi Aganit erdhëm që të vendosim lule të freskëta për figurën e tij.
Ai kishte formim të thellë social, si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi. Profesor Agani e theksonte rëndësinë e mendimit në politikë dhe të argumentimit në mendim”, tha Kurti.
Kryeministri i vendit ka folur edhe për ndryshimin e kodit të procedurës penale që i mundëson prokurorisë speciale gjykimin dhe dënimin në mungesë.
Ai tha se është koha e fundit që për vrasjet makabre të ketë procese gjyqësore.
“Me 29 maj të viti 2019-të ne e patëm plotësuar kodin e proceduarës penale për të mundësuar prokurorinë tonë speciale që të hetojë e më pas të kemi edhe gjykime e dënime në mungesë. Para dy javës e bëmë edhe një avancim legjislativ të radhës, besoj që është koha e fundit që sistemi ynë i drejtësisë, të veprojë, të punojë në mënyrë që për vrasjet e shumta të regjimit kriminal të Jugosllavisë të Millosheviqit, të kemi procese të drejta gjyqësore që sjellin drejtësi për të gjitha viktimat. Profesor Agani ka lënë studentët e tij, ka lënë veprat e tij që lexohen nga të gjithë, andaj pa dyshim se kontributi dhe puna e tij do të jehojë edhe në të ardhmen”, tha Kurti./GazetaExpress/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe të varri i veprimtarit, Fehmi Agani në 22-vjetorin e vrasjes së tij.
Osmani është parë e përfolur pas homazheve, teksa ka folur shkurtimisht për media.
Ajo tha se Agani ishte krahu i djathtë i ish-presidentit Ibrahim Rugova, teksa e vlerësoi lartë figurën e tij.
“Sot në këtë 6 maj në 22 vjetorin e vrasjes makabre të akademik Fehmi Aganit të njeriut i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen e bazamentit të Kosovës së bashku me kryeministrin dhe familjarët bëmë nderime të varri i tij për ta kujtuar në radhë të parë shpirtin e tij liridashës, por edhe liridashësin që nuk reshti kurrë duke punuar”, shtoi presidentja, duke thënë se edhe sot kërkohet drejtësi.
Ishte njeri që gjithmonë dinte t’i bënte të gjithë bashkë në kohët më sfiduese, mbi ët gjitha punoi që sakrifica e popullit të Kosovës për liri të dëgjohej në gjithë botën”, tha Osmani./GazetaExpress/ KultPlus.com
616 vjet më parë lindi Gjergj Kastrioti, Mbret dhe shpëtimtar i qenjes dhe identitetit tonë arbëror europian.
Sot është Ditëlindja e Arbërorit më të madh, i cili ka bërë dritë më së shumti në historinë e kombit tonë dhe të Europës.
Ai lindi si bekim, si mbrojtës i vetë i kombit tonë, duke e bërë atë me emër të madh për kohën e tij kur ai jetoi e veproi, saqë edhe sot veprat dhe emri i tij janë të njohura anë e mbanë botës së civilizuar.
Ai kishte urtësinë, vizionin, talentin dhe aftësinë e udhëheqjes së Shtetit të tij në udhën e dritës, lirisë dhe të ardhmes së sigurtë.
Në fakt ai u bë shembulli i lavdishëm i së kaluarës.
Gjergj Kastrioti kishte besimin e fortë, zgjuarsinë e gjarprit dhe guximi i palëkundur duke i bashkuar të gjitha vlerat e dhuntitë e tij për të arritur e bërë gjëra të mëdha me pak mjete për Arbërinë e tij.
Kështu Gjergji ynë i madh u bë një nga heronjtë më të mëdhenj në botë që shmangu rrezikun e shkatërrimit të qenjes sonë kombëtare dhe identitare nga pushtuesi gjakpirës otoman.
Këtu po e nënvizoj një nga fjalët që babi i tij Gjon Kastrioti ja la Gjergj Kastriotit kur ai u morë peng nga sulltani. Në mes vajit të babait dhe nënës, dhe mjerimit që ishte shkaktuar nga pushtuesi otoman(turk), babi i tij i la këto fjalë Gjergj Kastriotit: “Ti i dashur biri im Gjergj, mos e shuaj shpresën tonë!“
Sikur që dihet Gjergj Kastrioti u detyrua të shërbente në ushtrinë turke për 20 vjet nga vjeshta e vitit 1423 deri në nëntorin e vitit 1443, d.m.th. nga mosha 18 deri në 38 vjeç ai ishte peng dhe i detyruar për të shërbyer në perandorinë e pamëshirshme otomane.
Por, edhe pas gjithë atyre arritjeve dhe të mirave që gëzonte në oborrin e Sulltanit, Gjergj Kastrioti nuk i harroj fjalët e babait të tij që ia la atij, ato ai i mbante në zemër, ndërsa puthjen dhe shenjën që i dhanë prindërit në ballë i mbetën atij si një vulë e mos harresës dhe dashurisë ndaj atdheut të tij. Dhe ai e dëgjoi zërin e brendshëm i mbajti fjalët e babait të tij dhe i ktheu shpresën Arbërisë, duke ia sjell sëbashku me arbërorët e tij besnik lirinë e munguar, pastaj duke u bërë jo vetëm mbreti i saj, por edhe shpëtimtarin i saj dhe i tërë kontinentit dhe civilizimit të përbashkët europian.
Gjergj Kastrioti e mbajti fjalën e babait të tij, u rikthye në rrënjët e tij, i ktheu atdheut respektivisht arbërorëve dinjitetin, lirinë, identitetin dhe emrin e lashtë e të lavdishëm që e mbanin që nga Mbreti Pirro, Mbretëresha Teuta etj. / KultPlus.com
Sot më datën 6 maj janë bërë 22 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Aganit. Agani u vra nga forcat serbe.
Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ish-nënkryetari i LDK-së së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Treni u kthye mbrapsht, në kufirin me Maqedoninë, diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë.
Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.
Për nder të tij është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. / KultPlus.com