Vdes aktorja çeke Libuse Safrankova, Hirushja legjendare

Aktorja çeke Libuse Safrankova, e njohur për rolin e saj në “Tre lajthi për Hirushen”, vdiq sot në moshën 68-vjeçare, raportoi CNN Prima News.

Në këtë film shumë popullor, i xhiruar në 1973 nga regjisori çek Vaclav Vorlicek, Sarankova luan një Hirushe shumë të re që vallëzon, gjuan me hark dhe ngjitet në pemë.

Aktorët gjermanë, si Carola Braunbock, Rolf Hoppe dhe Karin Lesch interpretuan gjithashtu role kryesore në këtë film, që transmetohet çdo Krishtlindje nga televizionet në Republikën Çeke, Gjermani, Norvegji, Sllovaki, Spanjë, Suedi dhe Zvicër.

Një pjesë e filmit u xhirua në kështjellën piktoreske Moritzburg, në Saksoni, ku, që nga viti 2009, mbahet një ekspozitë vjetore kushtuar këtij filmi./atsh/KultPlus.com

Kur zëri i bukur i Haki Misinit i këndonte dashurisë (VIDEO)

Vrasja e morri nga kjo jetë mirëpo, muzika e tij ende frymon. Haki Misini nuk mbetet vetëm një zë i bukur që dëgjohet por, ai është kthyer në një ndër figurat kryesore të muzikës rok, shkruan KultPlus.

Ani pse kanë kaluar 22 vite prej kohës kur ai u vra, krijimtaria e tij e bujshme do të vazhdoj të jetoj gjatë.

“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.

E ajo që është tejet e ndjeshme është kënga “Në syrin tënd pash një lot”. E kënduar me një tonalitet tejet të bukur, me një melodi të qetë dhe një tekst të ndjeshëm, kjo këngë ka bërë të mbetet në mendjet e dëgjuesve gjatë.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën e plotë:

Në syrin tënd pashë një lot,
që rrjedhte qetë në vetmi,
loti sikur më tha,
djal pse rrinë ne largësi?

Prej meje kush të largoj?
Dhe zemrat na i helmoj,
vet’ thoshe të dashuroj,
ai premtim tash, ku shkoj?

Ku janë netët e haresë?
Ku janë ditët e rinisë?
Vallë çdo gjë, u vu në harresë
i lamë çastet e vetmisë.

Në zemër dritë më nuk ka,
errësira seç na kaplon,
unë më nuk te shoh,
as dielli më nuk më ngroh.

Prej meje kush të largoj?
Dhe zemrat na i helmoj,
vet’ thoshe të dashuroj,
ai premtim tash, ku shkoj?

Ku janë netët e haresë?
Ku janë ditët e rinisë?
Vallë çdo gjë, u vu në harresë
i lamë çastet e vetmisë./ KultPlus.com

Hapet ekspozita e parë e Holokaustit në botën arabe, pjesë e saj edhe ndihma e shqiptarëve

Një ekspozitë përkujtimore e Holokaustit, e para e këtij lloji, është hapur në Lindjen e Mesme. Ekspozita “Ne kujtojmë!” u hap në Dubai për publikun muajin e kaluar dhe për rabinin e Këshillit Hebre të Emirateve, Elie Abadie, kjo ekspozitë është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi asgjë e ngjashme nuk është organizuar ndonjëherë në këtë rajon.

Ai thotë se Holokausti ndodhi gjithashtu edhe në vendet e Lindjes së Mesme në vitet 1940, ku hebrenjtë arabë në Libi, Tunizi dhe Irak u persekutuan për shkak të ndikimeve të frymëzuara nga nazistët, dhe ideologjive të Hitlerit që kishin kapërcyer përtej Europës.

Misioni i ekspozitës është të edukojë dhe të rrisë ndërgjegjësimin për Holokaustin në mesin e mbi 200 kombësive të ndryshme të Dubait. Nazistët vranë më shumë se gjashtë milionë hebrenj gjatë Holokaustit, së bashku me miliona të tjerë përfshirë personat me aftësi të kufizuara dhe LGBT, disidentët politikë dhe pakicat fetare dhe etnike. Ahmed Obaid Almansoori, një Emirat i cili themeloi muzeun privat, thotë se ishte koha për të hapur një ekspozitë të Holokaustit në rajon, për të kujtuar një ngjarje të tmerrshme, një krim kundër njerëzimit.

Në një fjalim në hapjen zyrtare të ekspozitës, Peter Fischer, ambasadori i Gjermanisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha se Holokausti është “një shenjë e përjetshme turpi për vendin tim”, dhe kjo është arsyeja pse ai është kaq i kënaqur të shohë ekspozitën.

Ekspozita ka në qendër historitë e shumë fëmijëve që vdiqën në kampet e Holokaustit, pjesë nga ditari i Anna Frankut, si dhe arabëve dhe myslimanëve që ndihmuan në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Në të theksohet historia e bashkëjetesës midis arabëve, myslimanëve, të krishterëve dhe hebrenjve në shekullin e 20-të.

Përfaqësuesi i Ekspozitës, Yael Grafy, thotë për CNN se ka kaq shumë histori rreth arabëve dhe myslimanëve që kanë ndihmuar hebrenjtë me kalimin e kohës, dhe kjo është ana pozitive që njerëzit nuk e dinë. Qindra hebrenj kërkuan strehë në Shqipëri në vitin 1943 dhe u mirëpritën nga shumica e popullsisë myslimane.

Ekspozita ndër të tjera i kushtohet një prej traditave kulturore më të shenjta të Shqipërisë, njohur si “Besa” (“fjala e nderit”) që vë theksin në mbrojtjen e njerëzve në kohë nevoje, pavarësisht nga vijnë. “Shqipëria është i vetmi vend nga ku hebrenjtë me të vërtetë po ngriheshin pas Holokaustit”, thotë ai.

Një histori tjetër thekson trimërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore të Selahattin Ulkumen, Konsull i Përgjithshëm i Turqisë në ishullin grek të Rodosit, të pushtuar nga gjermanët. Në vitin 1944, ishte një komunitet i vogël me rreth 1700 hebrenj që jetonin në ishull, të cilët rrezikonin të vriteshin. Ulkumen arriti të shpëtonte më shumë se 42 hebrenj, por pagoi një çmim të rëndë si rezultat. Gjermanët bombarduan shtëpinë e tij, duke çuar në vdekjen e gruas së tij shtatzënë. Kur u pyet pse e bëri, ai u përgjigj, “gjithçka që bëra ishte të përmbushja detyrën time ndaj njerëzimit”.

Ekspozita mbyllet, me një varg nga Kurani i shkruar në arabisht dhe i përkthyer në anglisht: “Kush shpëton një jetë, shpëton tërë botën”./ KultPlus.com

Turpi i madh me Kafen e Madhe

Shkruan: Arbër Sadiki, arkitekt, 09 06 2021, Prishtinë

Ishte viti 1996. Isha student në vitin e parë në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë, dega Arkitekturë. Profesori i Historisë së Artit na dha për detyrë kursi që të mblidhim materiale, ta analizojmë dhe pastaj të shkruajmë një punim seminarik për një artist apo arkitekt simbas përzgjedhjes sonë të lirë. Të gjithë filluan të mblidhnin libra, të cilat në atë kohë, ishin të pakta. Disa huazonin nga bibliotekat e familjarëve të tyre, kush-kush shkëmbente ndonjë me njëri-tjetrin. Unë s’kisha kujt t’i drejtohesha. Si i sapo shkuar në Tiranë, atë kohë njihja vetëm kujdestarin e konviktit, nga i cili mund të huazoje me vështirësi ndonjë sustë apo dyshek, por asesi libër. Kështu, vendosa të shkoj në Bibliotekën Kombëtare për të parë nëse mund të gjeja gjë. Në mesin e jo shumë vitrinave të drunjta ishte edhe një që shkruante “Artet”. Fillova ti shikoja me radhë të gjithë kartonat jo lehtë të lexueshëm nga dëmtimet që kishin pësuar nga kushedi sa duar që ishin prekur. Në mesin e tyre më ra në sy një libër biografik për Kolë Idromenon, piktor, arkitekt – siç shkruante në kartonin e librit, e që të jem shumë i sinqert, nuk kisha dëgjuar asgjë për të më parë. Nisur nga kurreshtja për të njohur një arkitekt shqiptar, e mora pa e shikuar se çfarë formati apo numër faqesh kishte dhe u drejtova drejt tek bibliotekistja e cila të siguronte librin në bazë të kartonit. Pas pak minutash, gjersa me padurim po prisja një libër voluminoz të një formati të madh, kolor me plotë imazhe dhe fotografi, siç isha mësuar t’i shihja rëndom librat e artistëve të mëdhenj, nga bibliotekistja mu ofrua një libërth i një formati xhepi numri i faqeve të të cilit nuk mbërrinte në treshifror. Pak i dëshpruar, edhe për faktin se nuk e dinja se si do ti mbushja faqet minimale që kërkonte profesori, e mora dhe u ktheva në konvikt. Edhe pse fillimisht duhej prezentur librin profesorit që të jepte fizën që të mund të vazhdoje me hulumtimin, megjithate libërin e lexova që atë natë. Fundja nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, punë dy-tre orësh lexim.

Të nesërmen filluan ti prezentonin secili prej studentëve se çka kishte përzgjedhur. Dikush kishte marrur Mikelanxhelon, dikush Albertin e Da Vinçin, shumica me materiale serioze në italishte, me libra pikërisht siç e paramendoja edhe atë të Kolë Idromenos para se ta merrja. Profesori po i përgëzonte për përzgjedhjet që kishin bërë. Dikur nga fundi i orës, mora guximin edhe unë të prezentoj përzgjedhjen time. U ofrova tek profesori gjer sa ai po shikonte mbi një libër gjigant të Mikelanxhoelos të cilin i a mbajti studentit paraprak për ta parë më gjatë dhe i thash se kam zgjedhur Kolë Idromenon.  Në çast ndërpreu shikimin mbi librin që po shihte dhe rrufeshëm kthehu kokën në drejtim timin. “Pse m’o s’gjete dot ndonjë artist a arkitekt italian ti, po merresh me kshu gjonash… (veç sa s’tha: koti)”! Edhe pse nuk e kuptova nëse m’a aprovoj apo jo autorin që po hulumtoja, unë vazhdova me Kolë Idromenon. Natyrisht që librat e Mikelanxhelos, Da Vinçit e Albertit, me të cilat megjepsej profesori, i kisha gjetur në raftet e bibliotekës familjare që kur kisha lindur, por ja që tani më tërhiqte Kola, ndoshta edhe për faktin se planprogramet jugosllave që zbatoheshin në Kosovë asokohe, nuk përfshinin artistët shqiptar.  

Ta lëmë për një çast ndodhinë time personale me profesorin, edhepse nuk është e parëndësishme për temën që po trajtoj. T’i kthehemi njohjes time me Kolën. Sado i vogël që ishte ky libër, tek unë bëri një kthesë të madhe. Për herë të parë po ballafaqohesha me një personalitet të nivelit intelektual fare të pazakont për kohën dhe vendin ku jetoi i cili përpos pikturës, skulpturës, fotografisë e regjisurës,  jo pak kishte kontribuar edhe në arkitekturë. Në fakt, nuk mu desht të lexonja më shumë se faqet e para për ta kuptuar se për rrethanat shqiptare të kohës, unë para vetes kishta pikërisht një Mikelanxhelo, Da Vinç, Albert shqiptar.

Mes veprash që përmendeshin, ishte edhe Kafja e Madhe në Shkodër e përcjellur edhe me një fotografi bardh e zi të një kualiteti shumë të dobët por që mjaftonte të dalloheshin element të spikatur të neoklasicizmit austro-hungarez, vlera këto që nuk i takonja shpesh në Tiranën që kisha gjetur. Imazhi im i zbehtë mbi qytetet e Shqipërisë ishte ai që më ishte krijuar mbi ato pak libra ideologjik që kishin depërtuar në Kosovë në fund të shtatëdhjetave dhe fillimin e tetëdhjetave. Ky imazh ishte ai i një Shqipërie të uzinave, tymtarëve, brezareve dhe ca blloqeve monotone me fasada të papërfunduara pa kurrfar intence arkitektonike. Këtë imazh, në masë të madhe ma vërtetoi edhe Tirana që kisha gjetur. Shtresëzime arkitektonike të tipologjisë që përfaqësonte Kafja e Madhe, për mua ishin një befasi e këndëshme. Kjo më bëri që kërrshëria për këtë ndërtesë të rritej. Shpejt kuptova se ajo përpos vlerave arkitekturore, me dekada të tëra kishte përfaqësuar vendin kryesor në kryeqytetit kulturor shqiptar, brenda dhe rreth mureve të cilës ishin zhvilluar debatet e intelektualëve më të mëdhenj të kohës nën tingujt e lehtë të muzikës klasike. Këtu kishin lindur barcoletat më të këndëshme mbarshqiptare, maloditë e pavdekshme të këngës shkodrane. Si e tillë, ajo nuk përfaqësonte vetëm një ngrehinë me vlera estetike fizike për edhe më shumë një institucion kulturor dhe shpirtëror me të cilin qytetarët ishin të ludhur emocionalisht. Ajo nuk ishte më vetëm ndërtesë por edhe vend. Qarqe të tëra intelektualësh, artistësh, lënin takim tek vendi, pa i nxënë emrin, e vendi ishte Kafja e Madhe. Fuqia e një ndërtese që të krijojë vend është arritja më e madhe në arkitekturë.

Sado e dërmuar, fillimisht përgjatë dekadave të komunizmit duke u lënë pasdore sepse nuk paraqiste “vlera të arrira të pushtetit të proletariatit por një trashëgimi borgjezie”, e më pastaj duke e shëndërruar në kazino ku gumzhinte muzika tallava përgjatë dalldisë kolektive të viteve të para të rënijes së komunizmit, si për çudi ajo erdhi deri në ditët tona. Në vitin 2007 ajo u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë duke dhënë shpresë se shkëlqimi i saj i dikurshëm do të kthehet. Fatkeqësisht, për më shumë se një dekadë përpos një pllakeje të shëmtuar që tregon se ndërtesa gëzon statusin e Ndërtesës së Mbrojtur, asnjë intervenim të paktën për të ndalur degradimin, nuk u bë. Një shkëndi shprese u shfaq në vitin 2017, eshe pse fare e dyshimt sepse vinte si pjesë e fushatës elektorale për njëfar “rilindje” të gjithëçkaje, por që megjithate sikur na pëlqente t’a besonim. Sot, katër vite më pas, kuptuam se projekti i “rilindjes” paska nënkuptuar shembjen tërësisht të ndërtesës. Zhdukjen e përhershme të shushurimave të intelektualëve dhe artistëve më të mëdhenj shqiptar të cilat ishin strukur diku në mes fugave të tullave të mureve të ndërtesës për të na bekuar më praninë e tyre të përhershme. Rindërtimi i saj rishtaz nuk është asgjë më shumë se një pornografi arkitektonike, një akt i kriminelit që hedh acid mbi ftyrën e përkryer të gruas me premtimin se do i bëjë një të mirë prej silikoni, një vrasje me paramendim se do t’i bëjë viktimës një gurë varri prej ari.  

Jo pa qëllim, këtë akt të trisht të shembjes së Kafes së Madhe e lidha me një eksperiencë timen në fillimet e studimeve të mia për arkitekturë. Edukimi i brezave duke mësuar ata të përbuzin vlerat burimore dhe autorët kombëtar dhe të vlerësojnë vetëm ata ndërkombëtar, na shpie detyrimisht në veprime që zhdukin çdo gjurmë që mund të kenë lënë këta të tanët. Është vështirë të presësh që një gjeneratë studentësh të cilëve profesori u ka mësuar se vetëm Mikelanxheloja, Da Vinçi dhe Alberti vlejnë dhe se Idromeno, Butka, e të tjerët janë… (gati se kot), t’i dalin në mbrojtje të vlerave që kanë krijuar këta të fundit.

Këtu një gjë ka lidhje edhe me profecinë. Kafja e Madhe ndërroi shumë emra. U quajt “Adriatik”, “Kafe-Hotel Park”, “Grand Hotel Savija”, për tu kthyer përsëri tek “Kafja e Madhe”, sikur të parandjente diçka të madhe me fundin e saj, një TURP TË MADH kolektiv./ KultPlus.com

Kurti në 22 vjetorin e Misinit: Grupi ‘MAK’ ka meritat për popullarizimin e muzikës rok në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot në 22 vjetorin e vdekjes, njërin nga zërat emblematik të muzikës rok në Kosovë, Haki Misinin, shkruan KultPlus.

Kurti ka shkruar se Misini ishte ikona e rok muzikës dhe se grupi ku ai bënte pjesë, ‘MAK’ është një ndër grupet me krijimtarinë më të mirëfilt të rok muzikës në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Sot 22 vite pa ikonën e rok muzikës Haki Misini

Dy anëtarë të grupit MAK, vokalisti Haki Misini dhe bateristi Mehmet Tupella janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999 në qytetin e Mitrovicës, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë. 

Trupi i këngëtarit Haki Misini u gjet në Suhodoll të Mitrovicës në vitin 2005, ndërsa Mehmet Tupella ende rezulton i zhdukur. Trishtimin që përjetoi familja, e shpjegon në një dokumentar edhe Urimi, djali i Haki Misinit.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet ndër grupet me krijmtari të mirëfilltë e të pasur të rok muzikës në Kosovë me merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vendin tonë.

Këngët e Hakiut vazhdojnë të interpretohen edhe sot nga artistë të ndryshëm, si “Moj e mira te pojata”, “Në syrin tënd pash një lot”, “Idila verore”, “Tri gota”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, dhe shumë këngë të tjera./ KultPlus.com

May be an image of one or more people and people playing musical instruments

22 vjet nga vrasja e Haki Misinit, zëri që s’u shua kurrë

Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70-ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash 22 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.

Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.

Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.

Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.

Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.

“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com

Nesër organizohet ceremoni në nder të 143 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Për nder të 143 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, monumentin e Lidhjes në Prizren, do të organizohet një ceremoni për shënimin e këtij përvjetori, përcjell KultPlus.

Ceremonia do të organizohet nesër duke filluar prej orës 11:00 ku do të mbahet një ekspozitë dhe fjalime për shënimin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në ceremoni do të marrin pjesë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe personalitete tjera të institucioneve qëndore të jetës politike e kulturore të vendit.

Përgjatë kësaj ceremonie do të bëhen homazhe tek shtatorja e prijësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, recital nga aktori, Armend Baloku, si dhe prezentim të veshjeve të Rugovës, Hasit, Lumes, Dibrës, Gurit të Bardhë, Matit, Hotit e Grudës.

Më poshtë gjeni agjendën e plotë e ceremonisë:

10:50  Homazhe te shtatorja e prijësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
11:00  Intonimi i Himnit

Fjalë hyrëse, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore
Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit  
Mytaher Haskuka, Kryetar i Komunës së Prizrenit
Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës se Kosovës


11:25 Recital,  Armend Baloku, aktor
11:40 Vizite ne ndërtesën e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit
 Prezantim i veshjeve të Rugovës, Hasit, Lumes, Dibrës, Gurit të Bardhë, Matit, Hotit e Grudës./ KultPlus.com

Restaurohet “Porta me Kulla”, një atraksion më shumë për t’u vizituar në Butrint

Restaurimi i objektit “Porta me Kulla” në Butrint ka përfunduar. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se falë këtij projekti u bënë ndërhyrje në monument, duke e kthyer në atraksion edhe më tërheqës për vizitorët.

“Përfundon restaurimi i objektit “Porta me Kulla”, në parkun kombëtar të Butrintit. Projekti i financuar në kuadër të projektit Mo.Na – Interreg IPA, Balkan Mediterranean, bëri të mundur kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në monument, duke e rikthyer kështu në një atraksion edhe më tërheqës për vizitorët e Butrintit”, shprehet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që ka publikuar edhe një video nga parku i Butrintit.

“Porta me Kulla” ndodhet në afërsi të Bazilikës së Madhe, pranë rrënojave të ujësjellësit antik. Ajo datohet në shekullin III para Krishtit. Kjo portë përbëhet nga dy kulla, një kullë katërkëndore në anën perëndimore dhe një kullë në formë patkoi në anën lindore. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.

Parku kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Sipas specialistëve, krijimi i parkut kombëtar u bë një domosdoshmëri, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit dhe për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve. Në videon e publikuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mund të shijoni bukuritë natyrore të Butrintit./ KultPlus.com

‘Të tregosh historinë e Oriana Fallacit është si të tregosh historinë e shekullit të 20-të’

E guximshme dhe e talentuar. Me mënyrën e mrekullueshme të të shkruarit, ajo mahniti gjenerata të tëra, një nga gazetaret më me ndikim të shekullit XX. Ajo është një nga shkrimtaret dhe gazetaret më të vlerësuara, po edhe më të lexuara në të gjithë botën. 12 librat e saj janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë. Vlerësohet të ketë shitur, të paktën 20 milionë kopje të punimeve të saj në të gjithë botën. Ka spikatur veçanërisht si intervistuese, madje askush nuk ka qenë në të vërtetë aq i mirë në prezantimin e aspekteve më misterioze të yjeve dhe figurave që pushtuan organet e pushtetit.

Oriana Fallaci është një nga ikonat e pushtetit të katërt, duke treguar se gazetaria e praktikuar me parime të qarta është e aftë të ndikojë mbi ngjarjet. Në diktofonin e saj kanë kaluar disa nga figurat më me ndikim të shekullit të 20-të. Thonë, se të gjithë e urrenin. Ndërsa për të, kjo nënkuptonte se po e bënte mirë punën. Përveç gazetare, ishte dhe një shkrimtare e mrekullueshme. Stili i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm dhe zbavitës ka magjepsur breza të tërë. Në krijimtari ka prekur një larmi temash: nga ndrydhja e grave në botën myslimane, deri te udhëtimi për në hënë, përfshi historinë e Muhamedit Ali. Sa i përket udhëtimit në Hënë, një nga historitë më të famshme të Oriana Fallacit, rrëfen udhëtimin e “Apolo XII”.

Oriana Fallaci lindi në Firence, Itali, më 29 qershor 1929. E ëma kishte karakter të fortë, kurse i ati, Eduardi, ishte një marangoz i thjeshtë, i dashuruar me punën e Marsel Prustit dhe i majtë radikal. Oriana ishte më e madhja fëmijë dhe ai do kishte dashur të ishte djalë. Meqë nuk ishte rasti, ai e edukoi atë sikur të ishte djalë. Babai e mësoi të shtinte, të gjuante dhe t’i rezistonte situatave të dhimbshme pa u ankuar. Kur u përhap fashizmi në Itali, Eduardi dhe vajza 13-vjeçare iu bashkuan rezistencës. Babai i Orianës u burgos dhe u torturua nga nazistët gjatë pushtimit, në Firence, ndërkohë ajo shërbeu si korriere ndaj rezistencës. Në fund të luftës, ushtria italiane i akordoi medalje nderi për guximin e treguar, kur ishte vetëm 14-vjeçe. Ishte nxënëse e shkëlqyer dhe falë një burse arriti të studionte për mjekësi. Sidoqoftë, fati do ta drejtonte në një tjetër tjetër: do ta joshte gazetaria. Përpara se të mbushte të njëzetat, i kishte hyrë zanatit.

Dëshmitare e historisë

Fallaci punoi për shumë gazeta të vogla. Në fund të viteve 1950, filloi të shkruajë për revistën “L’Europeo”, prej nga shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku shkroi kolonën për teatrin. Pikërisht përmes kësaj përvoje, lindi libri i parë. Udhëtimi e bëri të kuptonte se ndihej mirë në Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë në fillim të viteve 1960 u zhvendos në Nju Jork. Më vonë, filloi një seri udhëtimesh drejt Orientit. Librat “Seksi i padobishëm” dhe “Penelopa në luftë” janë fryt i kësaj periudhe, mandej shkroi një seri artikujsh dhe një libër mbi projektet hapësinore të NASA-s. Në 1967 u emërua korrespondente lufte dhe iu kërkua të mbulonte konfliktin në Vietnam, ku do të trajtonte kronika të shumta dhe një nga librat më të famshëm: “Jeta, lufta dhe pastaj asgjë”. Qysh atëherë, u njoh në të gjithë botën. Mbuloi disa lëvizje shoqërore, madje gjatë masakrës në Tlateloco, në sheshin e “Trois Cultures”, Meksikë, ajo u qëllua disa herë. E pandehën të vdekur dhe e dërguam në morg. Ishte një funksionar që vërejti se ishte ende gjallë dhe u dërgua në spital.

Oriana Fallaci: një grua, një legjendë

Epoka e intervistave të mëdha, filloi më vonë. Mund të aprovojmë, se ajo arriti të ulej në tryezën e burrave më të fuqishëm në botë të asaj periudhe. Një nga dialogët e paharrueshëm ishte ai që shkëmbeu me Ajatollah Khomeinin. E pyeti për trajtimin e gruas dhe hoqi në praninë e tij rrobën që ishte detyruar të vishte. Pjesa më e madhe e punës është regjistruar në librin “Intervista me historinë”. Në vitin 1973, gjatë një prej intervistave të saj, ajo takoi Aleksandros Panagulis, heroi grek që i ishte kundërvënë diktaturës. U dashuruan marrëzisht. Lidhja, përfundoi tri vjet më vonë, kur Panagulis vdiq, gjë e cila shenjoi thellë jetën e Oriana Fallacit. Librin “Një burrë”, Fallaci ia kushtoi Panagulisit. Fallaci eci në rrugën e suksesit, por pas disa vitesh u strehua në apartamentin njujorkez. Më pas, u trondit nga kanceri i mushkërive dhe 11 shtatori. Lidhur me këtë fakt, ajo shkroi artikuj kaq radikalë kundër islamit, sa tri qeveri e ndoqën penalisht për ksenofobi. Në vitin 2006 dhe në fshehtësi, kërkoi ta kthenin në Firencen e lindjes, pasi donte të vdiste në qytetin ku lindi. Dhjetë ditë më vonë, më 15 shtator, Oriana Fallaci ndërroi jetë, duke lënë një trashëgimi të pakrahasueshme gazetareske.

Oriana Fallaci e mbylli jetën mbuluar me paradokse.

Luftëtare e flaktë antifashiste dhe laike, u shndërrua në ksenofobe ekstremiste dhe fetare. Papritmas, u deklarua “ateiste e krishterë”, e ftuar në 2005 nga Papa Benedikti XVI, të cilin e admironte për mbrojtjen e vlerave të krishtera, në pallatin papnor të “Castel Gandolfo”. Ia delegoi trashëgiminë personale Universitetit Pontifical Latran. “Të tregosh historinë e Oriana Fallacit është si të tregosh historinë e shekullit të 20-të”./ KultPlus.com

72-vjetori i Arkivit Qendror Shtetëror

Arkivi Qendror Shtetëror feston sot 72 vjetorin e krijimit, por fillimet e veprimtarisë arkivore në Shqipëri datojnë që nga antikiteti.

Historia dëshmon se në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, në principatat feudale shqiptare, në shtetin e Skënderbeut, në shoqëritë patriotike e kulturore, në institucionet fetare, në firmat tregtare, në esnafët, në familje dhe individë të veçantë, krahas librave ruheshin edhe dokumente.

Zhvillimet politike e shoqërore në hapësirat shqiptare dhe më gjerë, u shoqëruan me dukuri të reja edhe për arkivat dhe dokumentet. Në përgjithësi arkivat konceptoheshin si bibliotekë-arkiva dhe kujdesi për dokumentet vinte në rritje.

Shpallja e Pavarësisë, më 1912 dhe krijimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar, krijoi kushte edhe për organizimin e punës për kujdes më të madh për dokumentet. Për herë të parë në histori vlerësimi i dokumenteve dhe administrimi e ruajtja e tyre gjen pasqyrim në aktin më të lartë normativ të shtetit. Në kanunin e Përkohshëm të Qeverisë së Vlorës, u sanksionua veprimtaria e njësive të posaçme strukturore në organet e administratës shtetërore, për punën me dokumentet.

Krahas këtyre masave nuk reshtën dhe përpjekjet për krijim e një arkivi qendror, ku do të përqendroheshin dokumentet më të rëndësishëm për historinë kombëtare.

Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, që bën fjalë për përpjekjet drejt krijimit të një Arkivi Qendror, është vendimi i datës 02.01.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Në këtë projektrregullore, parashikohej edhe krijimi i Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit.

Moment i rëndësishëm për historinë e arkivave shqiptare është projekt-ligji i vitit 1932 “Për krijimin e Arkivës së Përgjithshme të Shtetit dhe të Kronikës Historike”, në nenin 1 të të cilit përcaktohej: “Krijohet në kryeqytet një Arkivë e Përgjithshme e Shtetit , për me përmbledh e ruajt gjithë dokumentet zyrtare”. Megjithëse projekt-ligji nuk u zbatua, ai i dha një nxitje zhvillimit të veprimtarisë arkivore.

Lufta e Dytë Botërore, ngadalësoi nismat e marra nga organet shtetërore për arkivat dhe ata deri në përfundim të saj mbetën në nivelin e sekretari-arkivave, si njësi strukturore të institucioneve, që ndiqnin dhe përgjigjeshin vetëm për administrimin e dokumenteve të tyre. Megjithatë në sajë të veprimtarisë së tyre, u bë e mundur që të ruhen e të trashëgohen sasi të vlerësueshme dokumentesh me shtrirje pothuajse gjithëpërfshirëse subjektesh, kohore, hapësinore dhe në përmbajtje.

Përpjekjet për krijim e një arkivi qendror vazhduan edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1947, pranë Institutit të Studimeve u krijua “Arkivi Dokumentar i Institutit”. Ai grumbulloi një sasi të konsiderueshme dokumentesh historikë që ruheshin në organet shtetërorë apo individë të veçantë, duke marrë kështu dhe atributet e një Arkivi Qendror, por jo me të gjitha karakteristikat e një organi të tillë.

Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), u krijua si organ qendror, megjithëse në varësi të Institutit të Studimeve, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr 21 datë 08.06.1949.

Krijimi i tij shënon një moment kulmor për historinë e arkivave shqiptare.

Për herë të parë, krahas arkivave të organeve shtetërore, filloi funksionimi i një organi të mirëfilltë arkivor me shtrirje gjithështetërore. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) , në varësi të Këshillit të Ministrave. Krahas të qenit organ qendror, kjo Drejtori kishte dhe ka edhe atributet e Arkivit Qendror Shtetëror, si arkivi më i rëndësishëm dhe më i pasur i rrjetit arkivor të vendit./atsh/KultPlus.com

Filmi ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit edhe në ‘Sydney Film Festival’

Filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli është përzgjedhur zyrtarisht në Festivalin e Filmit ‘Sydney’, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë regjisorja nëpërmjet një postimi më Facebook. Ajo krahas lajmit ka shpërndarë edhe përshkrimin e bërë nga ana e festivalit, ku ndër të tjera theksohet se regjisorja ka sjellë një përallë tërheqëse për publikun.

HIVE in Sydney Film Festival!!!! Winner of three major awards at Sundance 2021, this outstanding drama is based on the…

Posted by Blerta Basholli on Wednesday, June 9, 2021

“Basholli ka krijuar një përrallë tërheqëse, krejtësisht klasike për tejkalimin e fatkeqësive’, thuhet në përshkrim.

‘Zgjoi’, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Kujtojmë se bëri historinë duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA./ KultPlus.com

Ky është qyteti më i mirë në botë për të jetuar

Oklland në Zelandë të Re, është shpallur qyteti më i mirë në botë për të jetuar.

Departamenti për hulumtime në gazetën The Economist, ka renditur 140 qytete bazuar në faktorë si: stabiliteti, infrastruktura, edukimi dhe qasja në kujdes shëndetësor.

Mirëpo pandemia e koronavirusit ka dalë të jetë faktor tejet i rëndësishëm në renditjen e këtij viti.

Kjo i bie që shtetet evropiane kanë rënë më poshtë në listë, ndërsa ato në Australi, Japoni dhe Zelandë të Re janë ngritur lart.

Këto vende janë përgjigjur shpejt ndaj valëve të pandemisë dhe kanë qenë në gjendje të ulin numrin e rasteve dhe të heqin më shpejt kufizimet në lëvizje.

Shtetet e Bashkimit Evropian, në anën tjetër, kanë hasur në pengesa gjatë procesit të vaksinimit, si dhe kanë zbatuar gjatë masat kufizuese.

Pas Oklland, vendin e dytë e ka zënë Osaka në Japoni, më pas Adelaide në Australi, Vellingon nën Zelandë të Re dhe kryeqyteti japonez Tokio.

Pesë vendet me kushtet më të rënda për jetesë në botë janë shpallur: Tripoli, Karaçi, Harare, Douala dhe Karakas. /REL/ KultPlus.com

‘Ajo nuk bën kompromise, vendos standarde, jo barriera por kufij, cilësi e privatësi’

Nga Ambra Hysa

Ajo është një femër Alpha!

Më impresionon mënyra delikate dhe e ëmbël sesi kujdeset për veten, sesi e kuron portretin e bukur me copëza dashurie, të njëjtën dozë që mund të pranojë edhe nga të tjerët, jo më pak, jo më shumë.
Ajo nuk bën kompromise, vendos standarde. Jo barriera por kufij, cilësi e privatësi.
Nuk ka rëndësi sa herë e sheh, gjithmonë do të magjepsesh si herën e parë.
Ka një sekret që fshihet në labirintin e shpirtit të vajzave/grave të suksesshme, ato nuk janë thjesht të bukura, mund të mos jenë fare të bukura, por janë të mahnitshme.

Një vajzë Alpha është ajo, zonjusha që vepron sipas mënyrës së saj.
She is her own Boss!
Nuk e di nëse sekretin e mban të fshehur në buzëqeshjen çarmatosëse, mendimin e strukturuar bukur, vijën melodike të fjalëve apo forcën për të ia dalë vetë mbanë në gjithçka.

Nuk e di nëse është e veçantë sepse ajo mund të jetë mikja jote më e besuar e njëkohësisht mbështetësja më e zjarrtë e objektivave të tua apo se është partnerja ideale.

Prezenca e saj gjithmonë përmirëson njerëzit rreth saj, asnjëherë nuk zvogëlon.

E ëmbël dhe e fortë, e pathyeshme por delikate, lehtësisht e lexueshme por e padeshifrueshme, mëngjes i butë pranvere kombinuar me stuhi të acartë, të gjitha aksidente, brenda një zemre të vetme.

Ajo e di fuqinë e saj!
Ajo e di që ka papërsosmëri dhe zgjedh t’i dashurojë dhe t’i përqafojë ato në mënyrë perfekte.

Është ë dashuruar me veten, mund ta kuptosh këtë në vigjilencën e saj te lartë, formën e bukur të së jetuarit, mënyrën e shëndetshme për të trajtuar veten dhe aftësinë për ti marrë vetëm energjinë diellore jetës.

Alpha është zonjusha inspiruese që e jeton jetën si një vepër arti, mbi të cilën ajo ka të gjitha të drejtat autoriale./ KultPlus.com

“Active Albanians” ngrit flamurin shqiptar në Paqësor: Një përvojë e jashtëzakonshme

Organizata “Active Albanians” (Shqiptarët Aktiv) u themelua në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni, nga Marsel Alickolli dhe Mario Ismaili. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”, Marsel Alickolli shprehet se ai dhe miku i tij kurrë nuk e kishin menduar që kjo ide do kishte një efekt përshkallëzues. Themeluesi i “Active Albanians” tregon se ideja për të ngritur flamurin shqiptarë nën ujë ishte e të gjithëve bashkë, por realizimi nuk ishte aq i thjeshtë sa e menduan, por jo i paarritshëm.

Si lindi ideja për krijimin e “Active Albanians” në vitin 2018?

Organizata “Active Albanians” është themeluar në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni. Bashkë me mikun tim të mirë Mario Ismaili menduam fillimisht të krijonim një klub shoqëror që shërben si një organizues për komunitetin shqiptar. Kurrë nuk e kishim menduar që kjo ide e jona do kishte një efekt efekt përshkallëzues.

Përveç miqësisë tonë, unë dhe Mario ndajmë një pasion të përbashkët për sërfin. Pikërisht sërfi ishte një nga aktivitetet e para sa i pëlqyer aq edhe i panjohur për komunitetin shqiptar. Gjithçka filloi në një faqe në Facebook të quajtur “Active Albanians Los Angeles” si platforma e preferuar për të informuar komunitetin shqiptar në lidhje me aktivitetet që ne zhvillojmë.

Jemi habitur nga interesi dhe pjesëmarrja e  madhe, gjë që nuk e kemi pritur për shkak të popullaritetit të ulët që sërfi kishte në komunitet. Të motivuar për të bërë dicka ndryshe, unë dhe Marseli organizuam një seri aktivitetesh në zonën e Los Anxhelosit, si “ekskursione” në Palos Verdes, ditë volejbolli dhe plazhi që rezultuan në një pjesëmarrje të suksesshme. Duke pasur parasysh interesin e shtuar dhe numrin e anëtarëve të rinj, nëpërmjet Active Albanians” filluam të organizojmë veprimtari shumë të suksesshme. Ndër më të njohurit janë: “Paint Balling” në Shtator the 2019 “Rock Climbing” Shkurt 2019, Mud Run Shkurt 2020, Boëling Nëntor    2019, Hiking Dhjetor 2018, Surfing Mars 2019 dhe aktiviteti me ndikimin më të madh nga të gjitha ishte mbledhja e fondeve gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019.

Aktualisht sa është numri i anëtarëve të bashkuar me ju?

Numri i anëtarëve të bashkuar me ne është gjithmonë dhe në rritje dhe ndryshon në bazë të aktiviteteve që ne organizojme. Një shëmbull konkret do të ishte fakti që ne po zgjerojme aktivitetet tona edhe në Teksas tashmë.

Në nisma të tilla organizimi është një pjesë shumë e rëndësishme. Si kordinoheni për aktivitetet që realizoni?

“Active Albanians” tashmë ka tre platforma. Faqja origjinale e “Active Albanians Los Angelos” në facebook, një faqe e re e “Active Albanians DFW” (Në zonën e Dallas -Forth Worth) në facebook që synon të organizojë komunitetin tonë fantastik në Dallas, dhe një faqe në Instagram “Active Albanians” që ka si funksion të shërbejë si një  pikëlidhje për të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe pse jo në të gjithë botën.  Ne shpresojmë që kur të arrijmë statusin jofitimprurës, të gjitha platformat do të lidhen nën një ombrellë të madhe. Qëllimi është bashkimi dhe fuqizimi i shqiptarve kudo ku ata  ndodhen.

Si ishte të ngrinit flamurin shqiptar të zhytur në ujë dhe e kujt ishte ideja?

Ngritja e Flamurit shqiptar nën ujë si pjesë e dy zhytjeve radhazi ishte një temë bisede midis anëtarëve për një kohë të gjatë përpara eventit. Në pamje të parë   duket si diçka e thjeshtë për t’u arritur, por duke qënë se ka nevojë për një komunikim të  sinkronzuar, na kushtoi pak kohë të gjenim mënyrën se si do e arrinim dhe kjo nga ana tjetër na dha një përvojë të paharrueshme. Në një moment, unë duhej ta merrja “demin nga brirët” dhe të zbatoja përvojën time të zhytjes së bashku me disa hulumtime midis komunitetit të zhytjeve në Kaliforninë e Jugut.

Nëse donim të kishim një përvoje të suksesshme dhe të paharrueshme, disa aspekte që duheshin konsideruar përfshinin “shikueshmërinë e ujit në thellësinë më të mirë”, si dhe një “çertifikim të pranueshëm të zhytjes qe ishte ventdosur ” për të gjithë zhytësit e “Active Albanians”. Nuk duhej harruar komunikimi nënujor i ndjekur nga një vend i paracaktuar që nuk ishte i populluar nga leshterikët por në të njejtën kohë ofronte një përzierje të shkëmbit dhe formimit të rërës të duhurin për përvojën përfundimtare. Ky ishte aspekti logjistik dhe plani paraprak i një zhytjeje. Sapo të plotësoheshin të gjitha këto kushte, ishte koha për të ekzekutuar planin.  Jam shumë krenar për zhytësit tanë shqiptarë që ndoqën gjithçka në përsosmëri, dhe rezultati ishte me sukses.

Ne të gjithë kishim maska zhytjesh,  por pasi jemi zhytur me flamurin tone kuq e zi dhe shqiponjën tonë me dy koka 20 metra  nën ujë, unë mund të shikoja se ata ishin të gjithë të qeshur dhe duke marrë frymë fort në të njëjtën kohë. Ishte një ndjenjë e pakrahasueshme. Për mua ishte një emocion i veçantë pasi vij nga ai brez i shqiptarëve të cilëve u bëhej pyetja: “ku është Shqipëria në  hartën e botës” nga shumë njerëz kur unë emigrova në Shtetet e Bashkuara.

Tani Shtetet e Bashkuara dinë shumë më tepër për komunitetin tonë Shqiptar, por edhe për vendin tonë fantastik. Brezi im kishte këtë përgjegjësi mbi supe për të prezantuar kulturën dhe simbolet tona në botë pas 5 dekadave të izolimit nga bota e jashtme gjatë komunizmit. Fakti i thjeshtë që “bijtë e Shqiperisë” po ngrinin flamurin e tyre nën ujë në tokën e premtuar ishte diçka shumë e madhe për ne. Ishte një borxh mirënjohje që i detyroheshim  vendit që na ka bekuar me identitetin tonë shqiptar. Një identitet që ne jemi krenar ta shfaqim sa herë që kemi mundësi.

Tashmë me lehtësimin e masave Covid aktivitetet do jenë më të shpeshta? Cilat janë planet e afërta që keni si grup?

Me lehtësimin e masave kundrejt Covid aktiktivitet tona shpresojmë që do të jenë më të shpeshta. Fakti që organizata shtrihet tashmë në dy shtete të ndryshme paralelisht, Kaliforni dhe Teksas, na ofron një gamë më të gjërë veprimi për  aktivitetet tona.

Tri vite nga krijimi i “Active Albanians”, cfarë synoni në të ardhmen, do vazhdoni me të njëjtin ritëm?

Qëllimi fillestar i klubit ishte të prezantonte anëtarët e tjerë të komunitetit shqiptar me aktivitetet që nuk ishin njohur më parë, dhe të promovonte aktivitete që të gjithë do të sugjeronin. Kjo ishte një qasje e suksesshme që rriti radhët tona dhe na sfidoi të shtrijmë aktivitetet jashtë shtetit tonë të origjinës. Jam i lumtur të them se qëllimi që ne patëm fillimisht, është tani një mision. Eshtë misioni ynë ta kthejmë organizatën “Active Albanians” në një organizatë të strukturuar jofitimprurëse, një organizatë që mund të egzistoje ligjerisht e pavarur dhe jetojë gjatë mbasi anëtarët fillestarë të kenë përfunduar participimin e tyre në të njëjtën kohë t’i japë shumë më tepër komunitetit tonë shqiptar krahasuar me fillimet e saj.

Keni në plan të vini në Shqipëri bashkë me anëtarët e “Active Albanians”?

Jam i sigurtë që në qoftë se e prezantoj si ide, anëtarët e Active Albanians nuk do të donin asgjë më shumë sesa të shtrinin rrjetëzimin dhe ndarjen e përvojave edhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, ne nuk kemi ndonjë plan konkret dhe aktual për të vizituar Shqipërine në një ardhmen të afërt. Ndërsa organizata jonë rritet dhe shpresojmë që të zhvillohet në një organizatë jofitimprurëse, të cilën po punojmë të ndërtojmë, ne mund të mendojmë për një plan që ka një shtrirje dhe ndikim më të madh se sa ai që aktualish kemi edhe në Shqipërinë tonë të dashur.

A mund të na bëni një prezantim për veten, kush është Marsel Alickolli dhe me çfarë merreni tjetër?

Unë quhem Marsel Alickolli dhe unë jam një nga themeluesit e organizatës “Active Albanians”. Unë kam lindur në qytetin e bukur të Pogradecit, Shqipëri. Midis shumë mundësive që jeta më ka ofruar, një prej tyre ka qenë dhe zhvendosja në USA në vitin 2002. Një nga arritjet kryesore në aspektin profesional ka qenë diplomimi në Universitetin DePaul në Çikago në fushën e financës. Pavarësisht se komuniteti shqiptar  në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm që nga dy dekada më parë kur unë u largova nga Shqipëria, unë gjithmonë kam menduar se ne gjithmonë mund të bëjmë diçka   më shumë për të forcuar komunitetin tonë.

Gjithashtu dhe për të ofruar disa mundësi te ndryshme që ndoshta nuk ishin aty më parë dhe kështu u formua “Active Albanians”. Përveç aktiviteteve dhe menaxhimit të grupit, unë jam pjesë e komunitetit shqiptar në Dallas, një nga komunitetet më të organizuara në Shtetet e Bashkuara si dhe jam një sipërmarrës i një biznesi ushqimor me shumicë në zonën e Dallas-Forth Ëorth në shtetin e Teksasit në Shtetet e Bashkuara. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Arkitekti shqiptar pjesë e projektit ‘Filamonia e Gjenevës’

‘Cité de la Musique’, në shqip ‘Filarmonia e Gjenevës’, quhet projekti i cili ka për synim të gërshetojë kulturën dhe muzikën brenda një objekti të përkryer, i cili është duke u zhvilluar në Zyrën e Arkitekturës në Gjenevë, Pierre-Alain Dupraz Architectes.

Në këtë projekt nuk mungon edhe një shqiptar.

Bëhet fjalë për Denis Sermaxhaj, 28-vjeçari me prejardhje shqiptare, arkitekt në këtë zyrë e që po merr pjesë në zhvillimin e këtij projekti. Ai ka treguar për albinfo.ch më shumë rreth projektit ‘Cité de la Musique’.

“Projekti rrjedh nga një konkurs ndërkombëtarë i arkitekturës në vitin 2017. Objekti i cili do këtë në mesin e tij, Fakultetin e muzikës (hem Genève), orkestrën e Zvicrës romande, bibliotekë, restaurant, etj.. në një fjalë objekt i përkryer për kulturën dhe muzikën, për të cilin jam përgjegjës i zhvillimit të fasadave që janë mjaftë të vështira dhe estetike”, thotë Sermaxhaj.

‘Filarmonia e Gjenevës’ deri më sot ka kaluar të gjitha fazat e zhvillimit, megjithatë një iniciativë popullore e shndërruar në referendum rrezikon anulimin e tij.

“Projekti ka kaluar deri sot të gjitha fazat e zhvillimit, por një iniciativë popullore është nisur në vjeshtën e kaluar pas aprovimit të planit hapësinor, nga Këshilli komunal i Komunës së Gjenevës dhe tashmë kjo iniciativë është shndërruar në një referendum që rrezikon anulimin total të projektit. Votimi do të jetë më datën 13 qershor 2021. Arsyet e oponentëve janë të bazuara në faktin që ky projekt nuk zotëron të gjitha zhanret e muzikave apo se për të ndërtuar këtë projekt duhet prerë disa pemë, etj…”, është shprehur Denis Sermaxhaj.

Votimi për këtë çështje do të jetë vetëm për banorët e komunës së Gjenevës. Ndërsa, arkitekti Sermaxhaj, ka kërkuar mbështetje nga shqiptarët që jetojnë në këtë komunë që projekti ‘Cité de la Musique’ të mos anulohet, derisa ka treguar edhe për rëndësinë që përmban ky projekt për komunitetin shqiptar atje.

“Popullsia shqip-folëse me kombësi nga Kosova dhe Shqipëria në këtë komunë, është mjaftë e konsiderueshme. Përfundimi pozitiv i këtij votimi, mund të luaj rol të rëndësishëm për rininë që rrjedhë nga familjët shqiptare, duke e ditur që numri i të rinjve që vazhdojnë studimet shkon duke u rritur, dhe ky projekt kontribon në këtë drejtim duke e pas parasysh që është i financuar pothuajse totalisht nga një fondacion privat botëror i njohur, dhuruar për kantonin e Gjenevës”, ka përfunduar Denis Sermaxhaj, për Albinfo.ch. / KultPlus.com

MKRS: Shtatorja e Fadil Vokrrit do të përurohet në ditëlindjen e tij

Sot bëhen tri vite nga vdekja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit. I njohur për talentin e tij, ai ishte më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA. Andaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka kujtuar futbollistin për kontributin e tij dhe njëkohësisht kanë bërë të ditur se më 23 korrik, në ditën e lindjes së Vokrrit, do të përurohet shtatorja për nder të tij, shkruan KultPlus.

I cilësuar si njëri nga futbollistët më të mirë dhe më të pëlqyer shqiptar, Vokrri nga MKRS-ja do të mbahet mend për kontributin që ka dhënë për sportin gjatë gjithë jetës së tij dhe njëkohësisht ata do të përkushtohen që kjo fushë të vazhdoj sukseset.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga MKRS:

Tri vite pa legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri

Sot janë bërë tri vite nga vdekja e ish-kryetarit të Federatës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë dhe më të pëlqyer shqiptar. Një prej meritorëve më të mëdhenj për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Kontributi që ka dhënë për sportin gjatë gjithë jetës së tij do të mbahet mend gjithmonë, ndërsa ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të përkushtohemi që kjo fushë të vazhdoj sukseset.

Më 23 korrik, në ditën e lindjes së Vokrrit, do të përurohet shtatorja për nder të tij ndërsa së bashku me FFK do të koordinohemi për bashkërendim të aktiviteteve për këtë ditë.

Ndihemi krenar që patëm një njeri si Fadil Vokrri në sportin e Kosovës dhe do të jemi gjithmonë falënderues ndaj veprës së tij. / KultPlus.com

Tirania e bukurisë ideale

Nga Gëzim Mekuli

Javën e kaluar në Kuvendin e Norvegjisë kaloi një ligji i ri në lidhje me reklamat. Këtu u vendos që reklamueset/reklamuesit që kanë përdorur filtër që ndryshon pamjen e tyre në mënyrë artificiale, ose nëse kanë kryer ndërhyrje kirurgjike estetike, duhet të shkruajnë e të informojnë publikun në mediat sociale për një gjë të tillë.

Kjo do të thotë se të gjithë ata/ato të cilët merren me reklamën ose që publikojnë artikuj të sponsorizuar në mediat sociale, duhet të tregojnë nëse kanë ndryshuar pamjen e tyre trupore. Kjo vlen për shembull nëse keni ndryshuar ngjyrën e lëkurës, keni bërë operacione estetike në fytyrë ose në trup. Qëllimi i këtij ligji është që të rejat dhe të rinjët të mos kenë presion për atë se si duken në aspektin trupor/estetik.

Sot, për fat të keq, ka shumë figura publike dhe ndikues/ndikuese* që kontribuojnë për një “bukuri ideale”, joreale dhe të pashëndetshme. Kjo për shkak se këta reklamues bëjnë ndërhyrje plastike dhe “redaktojnë” trupin e tyre në mënyrë që, në disa raste shfaqen si dikushi që nuk janë në të vërtetë fare. E kjo është e dëmshme.

Është e dëmshme sepse vajzat dhe djemtë e rinj e krahasojnë veten e tyre me ideale joreale të bukurisë dhe kjo krijon presion të madh psikologjik e fizik mbi trupin.

Në Norvegji ekziston paragrafi 21, i cili merret me praktikat e marketingut ndaj fëmijëve. Këtu përcaktohet qartë që marketingu nuk guxon të luajë me pasigurinë sociale, ndërgjegjen e vrarë, vetëvlerësimin e dobët ose të kontribuojë në presionin e trupit.

Të gjithë ne i duam fotografitë e bukura dhe i postojmë ato për të cilat mendojmë se janë të mira dhe që na bëjnë të lumtur. Por ky nuk është problemi. Problemi qëndron në fotografitë që manipulohen me aplikacionet e rregullimeve të fotografisë, ku ti mund ta bësh veten më të hollë, më seksi e më të bukur.

A duhet të flasim për tiraninë e bukurisë?

Ne shqiptarët duhet të diskutojmë kritikshëm për presionin e trupit që po bëhet tek të rinjtë dhe të rriturit përmes medias. Kjo tirani e bukurisë po ekspozon fëmijët dhe të rinjtë çdo minutë, çdo orë e çdo ditë…

Nuk është në rregull që oligarkët e mëdhenjë të bëjnë para nga pakënaqësia e trupit dhe nga vuajtja e dhimbja shpirtërore. Industria e bukurisë është cinike. Është cinike dhe e sëmurë sepse me prekjen e një butoni, ju mund të jeni 7 kg më të lehtë dhe “e pastër” nga defektet dhe tiparet e veçanta që na bëjnë vetëvetja – e për të cilat çdo ditë na thuhet se janë tipare të këqija, jo të bukura e të gabuara.

Duhet pranuar se shumë të rinjë po mashtrohen e po besojnë se trupat e redaktuara me skalper janë të arritshëm nëse blen “produktin e duhur”. E kjo ka të bëjë me shfrytëzimin e njerëzve me vetëbesim të dobët.

Të dashur lexues, atëherë kur edhe një 10-vjeçare ndihet shumë e trashë për të dalë në plazh për të notuar, ne duhet t’ï vemë gishtin kokës e të mendojmë se punët janë më shumë se keq.

Ju jeni të mirë ashtu siç jeni

Fëmijët e të rinjtë tanë janë të ekspozuar ndaj këtyre reklamave mediatike pa qenë të vetëdijshëm se ajo që ata shohin nuk është pasqyrim i realitetit, por vetëm një version i manipuluar, që është e pamundur të arrihet, pavarësisht se cilin produkt kozmetik e blen.

P.s. “Ndikuesit/Ndikueset” (pra reklamuesit) janë ata/ato të cilat fitojnë para nga mediat sociale, kanë shumë ndjekës dhe mund të ndikojnë tek njerëzit. / KultPlus.com

Liderëve më të fuqishëm të botës u bëhet skulpturë nga mbeturinat elektronike

Një skulpturë e bërë nga mbeturinat elektronike, e ngjashme si ajo në “Mount Rushmore”, është bërë në Cornwall të Anglisë para nisjes së samitit të Grupit G7, në të cilin do të marrin pjesë liderët e vendeve më të industrializuara të botës.

Skulptura është emërtuar “Mount Recyclemore” dhe me të synohet që të theksohet dëmi i shkaktuar nga hedhja në mbeturina e pajisjeve elektronike, shkruan BBC.

Skulptori Joe Rush tha se shpreson që skulptura do të tregojë se këto materiale duhet të jenë më lehtë të ripërdorshme dhe të riciklueshme.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 53 milionë tonë mbeturina elektronike janë krijuar në botë vetëm në vitin 2019 – mbi nëntë milionë tonë më shumë se pesë vite më parë.

Shtatë liderët e paraqitur në skulpturën e pazakontë janë kryeministri britanik, Boris Johnson, kryeministri japonez, Yoshihide Suga, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri italian, Mario Draghi, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Joe Biden.

Autori i skulpturës shpjegoi se vendndodhja e saj është zgjedhur me qëllim afër Hotelit Carbis Bay, ku samiti pritet të mbahet në fundjavë, me shpresën se liderët do ta vërejnë objektin gjatë fluturimit. / Gazeta Express / KultPlus.com

Monedha më e shtrenjtë në botë u shit në Nju Jork

Një nga monedhat e fundit të arit në Shtetet e Bashkuara u shit të martën në Nju Jork për një shifër rekorde prej 18.9 milionë dollarësh.

Monedha jashtëzakonisht e rrallë e vitit 1933, “Shqiponja e Dyfishtë”, tani është më e shtrenjta që ka mundur të vendoset në ankand. Shuma e shitjes ishte gati dyfish më e lartë se rekordi i kaluar, shkruan CNN.

Në njërën anë, kjo monedhë ka të gdhendur trupin e një gruaje, fjalën Liberty (Liri) dhe vitin e prodhimin, ndërsa në anën tjetër ka një shqiponjë gjatë fluturimit. Edicioni i vitit 1933 i monedhës “Shqiponja e Dyfishtë” kurrë nuk kishte dalë në qarkullim dhe gati të gjitha monedhat i ishin kthyer qeverisë dhe ishin shkrirë.

Vetëm një numër i vogël i monedhave i shpëtuan këtij fati dhe një numër më i vogël u futën në treg. Megjithatë, më 1944, pas një hetimi të Shërbimit Sekret u deklarua se secila monedhë e këtij lloji që u gjendet koleksionistëve do të cilësohet si e vjedhur.

Monedha që u shit të martën thuhet se është e vetmja që mund të mbahet ligjërisht në pronësi nga një individ privat, pas betejës ligjore mes Thesarit të Shteteve të Bashkuara dhe ish-pronarit të monedhës. / Gazeta Express / KultPlus.com

Qendra e artit francez e hap postën e saj të parë në ShBA

Një nga institucionet më të njohura të artit në Francë, Qendra Pompidou, ka zgjedhur Jersey City si vendin e postës së saj të parë në Amerikën e Veriut.

I vendosur të hapet në vitin 2024, muzeu satelitor do të presë ekspozita të marra nga koleksioni i artit modern dhe bashkëkohor prej 120,000 personash të institucionit në Paris.

Sipas një njoftimi për shtyp, ky veprim është pjesë e qëllimeve më të gjera të kryebashkiakut të qytetit të Xhersit, Steven Fulop, për të shndërruar Journal Square, ku do të vendoset muzeu, në një qendër rajonale për kulturën, dhe qytetin në një destinacion më të madh për artet.

Zyra për Arkitekturën Metropolitane (OMA) është ngarkuar të rinovojë ndërtesën historike Pathside, e cila u ndërtua në vitin 1912. Fillimisht një zyrë për Shërbimin Publik të Kompanisë Elektrike dhe Gazit, ajo u përdor nga Kolegji i Komunitetit Hudson deri më 2017.

Sipas OMA, hapësira e papërdorur fillimisht ishte caktuar për përdorim banesor, derisa u ble nga qyteti në vitin 2018.

Arkitekti Jason Long, i cili do të drejtojë rinovimin, tha në një deklaratë për shtyp se ndërtesa Pathside është një strukturë historike e pasur me potencial. Zyrtarët e qytetit të Jersey ndërkohë thanë se elementët historikë të ndërtesës, duke përfshirë detaje dhe guri të hedhur, origjinal me tulla, do të ruhen dhe restaurohen.

Si dhe duke ekspozuar art nga koleksioni i gjerë i Qendrës Pompidou, i cili përfshin kryevepra nga artistë të tillë si Frida Kahlo, Joan Miró, Henri Matisse dhe Marcel Duchamp, posta do të presë gjithashtu ngjarje kulturore dhe programe edukative.

Hapja do të bëhet një vit pasi Qendra Pompidou në Paris mbyllet për punë të gjerë mirëmbajtjeje që qeveria franceze thotë se do të vazhdojë deri në vitin 2026.

Hapur në Paris më 1977, Qendra Pompidou ka krijuar disa posta ndërkombëtare në vitet e fundit. Në vitin 2019, institucioni filloi një bashkëpunim pesë-vjeçar me Muzeun West Bund të Shangait, i cili huazoi rreth 100 vepra arti për shfaqjen inauguruese të partneritetit. Pompidou gjithashtu ka degë në qytetin francez të Metz, kryeqytetin belg Bruksel dhe në Malaga, Spanjë.

Serge Lasvignes, presidenti i Center Pompidou, tha në një deklaratë për shtyp se projekti Jersey City do të hapte një dialog me SHBA-në. / cbc.al / KultPlus.com

Si dukeshin Maldivet para turizmit masiv

Por besoni apo jo ka qenë një kohë kur Maldivet nuk ishin vendet më joshëse në botë, shkruan CNN.

Kur Mohamed Umar dhe tre shokët e tij hapën vendpushimin e parë turistik atje që quhej “Kurumba” në 1972, vizitorët duhej të hidheshin në ujë deri në bel për të shkuar në plazh, shkruan KK.

Vizitorët e parë ishin kryesisht gazetarë dhe fotografë nga Italia.

Derisa, sot ka më shumë se 100 vendpushime të shpërndara në më shumë se 1,200 ishuj.

Kurumba, që do të thotë “kokos” në gjuhën lokale në Maldive, ishte fillimisht një fermë e pabanuar e kokosit, kurse tani ajo ka të gjitha kambanat e pritshme të një vendpushimi luksoz në Maldive.

Strehimet e para për mysafirët u bënë në korale dhe gur gëlqeror. Çdo gjë që nuk rritej në vend duhej të sillej me anije dhe mund të duhej deri në tre muaj për të mbërritur.

Gazetat mbërrinin me muaj vonë dhe shërbimet e tjera ishin vështirë të realizueshme. Para turizmit, kishte vetëm rreth dy banorë në ishullin ku Kurumba tani është vend luksoz.

Maldive duket më shumë si një arratisje prej një vendi në një tjetër teksa tani këta ishuj konsiderohen si ndër vendet më tërheqëse në botë, dhe presin vizitor gjatë gjithë vitit. / KultPlus.com

Bebe Rexha thotë se pasi u rrit në një familje shqiptare mund të përballojë çdo gjë

Bebe edhe një herë tregon me krenari që është shqiptare.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, është çdo herë afër fansave të saj përmes postimeve që i bën në rrjete sociale.

Artistja, jo rrallëherë ka folur në intervista për prejardhjen e saj, ndërsa këtë e tregon edhe para miliona fansave në rrjete sociale.

Së fundi, këngëtarja ka shpërndarë një postim në Instagram, ku thuhet se duhet në rezyme ta shtojë se është rritur nga një familje shqiptare, andaj ia del me çdo gjë.

“Unë do të vendos “Unë u rrita në një familje shqiptare” në rezymenë time, në mënyrë që ata të dinë se unë mund të përballoj çdo gjë”, shkroi ajo. / KultPlus.com

Tri vite nga vdekja e Fadil Vokrrit, legjenda më e çmuar e futbollit shqiptar

Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i çmuar në Kosovë.  

Vokrri ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA. 

Karriera e tij filloi në moshën 16 vjeçare dhe Vokrri numëron gjithsej 121 gola dhe 363 paraqitje në klub. Në vitin 1980 u transferua në Prishtinë dhe qëndroi aty deri në vitin 1986 duke shënuar 55 gola në 172 paraqitjet e tij. Por, suksesi i tij shtrihet edhe në Beograd ku shënoi gjithsej 18 gola në 55 paraqitje.

Ai ishte kyç për ekipin që pretendonte titullin e Ligës së Parë Jugosllave në vitet 1986–87, dhe në drejtimin e tyre të suksesshëm në Kupën Jugosllave gjatë viteve 1988–89, duke shënuar veçanërisht në finale pasi Partizani fitoi 6–1 kundër Velež Mostarit.

Suksesi i tij do të shtrihej edhe në ekipin e Juventusit nëse Vokrri do ta kishte të përfunduar shërbimin dy vjeçar të detyrueshëm ushtarak, por pasi nuk e kishte të përfunduar ai nuk pati mundësi të udhëtonte jashtë vendit dhe iu desh që ofertën ta refuzonte.

Nîmes Olympique dhe Fenerbahçe ishin dy ekipe që patën rastin ta kenë Vokrrin në ekipin e tyre, por që produktiviteti i tij gjithmonë ishte në një nivel më të lartë kur ai luante për FC Prishtinën dhe Partizanin.

Ai vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak. Është varrosur me ceremoni të larta shtetërore në varrezat e Prishtinës në Arbëri më 10 qershor 2018.

Në datën e lindjes së ish-futbollistit dhe ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Stadiumi i Prishtinës u emërua me emrin e Fadil Vokrrit. / KultPlus.com

SHBA zgjedh Kosovën në tri shtetet e para më mike dhe më prioritare për t’ia dhuruar vaksinat

Kosova do të jetë në mesin e tri shteteve të para që do pranojë nga SHBA’ja kontigjente vaksinash të dhuruara për imunizimin ndaj koronavirusit. Përzgjedhja e shteteve është bërë në bazë të miqësisë dhe prioritetit.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Ambasada e SHBA’së në Gjeorgji nëpërmjet një komunikate, derisa ka thënë se shteti respektiv, Kosova dhe Ukraina do jenë tri shtetet e para që do marrin vaksinat, shkruan Gazeta Express.

“Këtë javë Presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndajë vaksinat COVID-19 me Gjeorgjinë. Gjeorgjia, Ukraina dhe Kosova janë tre vendet e para evropiane që marrin vaksina nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në përparësitë dhe partneritetet rajonale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndonëse nuk është bërë me dije numri i vaksinave që do dhurohen, presidentja Vjosa Osmani përpara disa ditësh ka bërë me dije se më 19 prill iu është pranuar kërkesa për dhurim dozash të vaksinave.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, pati njoftuar Osmani.

Në komunikatë, tutje thuhet se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia në këto vende. /Gazeta Express/ KultPlus.com