Letra nga fronti mbërrin në destinacion pas 78 vitesh

Ai ishte larguar nga Barletta për në frontin rus në 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, por nuk u kthye më: sot, 78 vjet më vonë, familjes së Toger Vincenzo Fugallit iu dha një letër, që ushtari i ri nga Barletta e kishte shkruar nga fronti, por që nuk mbërriti kurrë në destinacionin e saj.

Letra përfundoi aksidentalisht në duart e një gruaje nga Mantua, Olga Rosa Davini, e cila në një ceremoni të organizuar në pallatin e qytetit ia dorëzoi atë Serena Fugallit, mbesës së ushtarit.

“Prindërit e mi, veçanërisht babai im u munduan pareshtur në periudhën e pasluftës me qeverinë ruse për të bërë të mundur kthimin e trupave të disa ushtarëve që ranë në atë front gjatë Luftës së Dytë Botërore”, shpjegoi Davini.

“Një mision i bazuar mbi negociata shumë të vështira më e pakta, por të kryera me vetëdijen morale për të ofruar një nderim të çmuar në kujtesën e kaq shumë ushtarëve që nuk kanë qenë në gjendje të përqafojnë të dashurit e tyre”, shtoi ajo.

Dorëzimi u bë në prani të kryetarit të bashkisë, Cosimo Cannito, i cili e komentoi gjestin si “një mision i ngarkuar me humanizëm, një mësim ndjeshmërie. /atsh/ KultPlus.com

Djepi i kulturës së meksikanëve të Amerikës në kërkim të pavarësisë

Los Angeles Lindor është burim rrëfimesh të suksesshme të meksikanëve në SHBA prej boksierit Oscar De La Hoya, rock-grupit “Los Lobos”, e deri te studentët njohës të matematikës të filmit “Stand and Deliver” të vitit 1988.

Megjithatë, përkundër gjithë famës dhe gjallërisë, pothuajse i gjithë komuniteti latin prej 120 mijë banorësh vuan prej një krize identiteti, në mos një krize politike. Hapësira prej 19 kilometrash katrorë nuk është as qytet më vete, as pjesë e Los Angelesit, por një hapësirë e painkorporuar e komunitetit të Los Angelesit.

Tani një grup i liderëve të komunitetit shpreson të ketë më shumë kontroll, duke krijuar një distrikt të veçantë. E vetmja zyrtare e qeverisë që përfaqëson pjesën lindore të Los Angelesit është politikania Hilda Solis, që përfaqëson një distrikt me gati 2 milionë banorë nga dhjetëra qytete, nga zona të painkorporuara dhe lagje të Los Angelesit.

“Unë e shoh pjesën lindore të Los Angelesit si një fëmijë të lënë pas dorë nga njerku. Dhe kjo është më së shumti për shkak të mungesës së integrimit. Nuk ka kontroll lokal dhe nuk ka asnjë formë të vetëvendosjes brenda komunitetit”, ka thënë Eric Avila, profesor i studimeve për meksikanët e Amerikës në UCLA, por që nuk ka lidhje me kampanjën për një distrikt të veçantë.

Disa dekada përpjekje për ta shndërruar këtë zonë në qytet kanë dështuar, kështu që ithtarët zgjodhën një mundësi më pak ambicioze. Projekti është ende në fillimet e tij, kështu që asnjë kundërshtim i dukshëm nuk është shfaqur. Solis nuk pranoi të intervistohej.

“Shumë njerëz jashtë pjesës lindore të Los Angelesit po marrin vendime për ne dhe kjo duhet të ndalet”, ka thënë Tony DeMarco, president i shoqatës “Whittier Boulevard Merchants” dhe avokues kryesor për themelimin e një distrikti të veçantë.

Përpjekja më e fundit për t’i marrë të drejtat e një qyteti u bë në vitin 2012, pasi një organ i njohur si “Komisioni i Formimit të Agjencisë Lokale” bëri të ditur se si qytet, Los Angelesi Lindor do të kishte deficite të mëdha buxhetore. Kritikët e këtij studimi theksojnë se ai është bërë në prag të krizës së madhe të vitit 2007-2009 dhe që atëherë janë hapur biznese të reja.

Në masë të madhe, kampanja për distrikt të veçantë ka lindur nga krenaria e vendasve.

“Nëse pjesa lindore do të kishte një flamur, unë do ta valëvisja atë”, ka thënë një banor i përhershëm i kësaj pjese, Alex Villalobos, 38-vjeçar, mbështetës i distriktit të veçantë dhe drejtor i marketingut në firmën këshilluese “Barrio Planners”.

Në çfarëdo nomenklature, shumë meksikano-amerikanë të Los Angelesit Lindor kanë një identitet të komplikuar, pak a shumë si vetë komuniteti.

“Ne kemi një prejardhje amerikane dhe kemi një prejardhje meksikane. Ne nuk mund të jetojmë pa njërën ose tjetrën”, ka thënë Froilan Godiles, emigrant i cili zotëron biznes për furnizime. “Ne nuk e konsiderojmë veten latinë. Ne jemi meksikanë. Ne jemi nga lindja e L.A-së. Ne jemi amerikanët e veriut”.

Që nga ushqimi e deri te moda, muzika e gjuha, kultura e meksikanëve të Amerikës shfaqet me krenari në një zonë që ishte pjesë e Meksikës deri në vitin 1848.

“Neve na pëlqen t’i shfaqim elementet tona, lëkurën tonë. Nuk e di nëse është e mirë apo e keqe, por na pëlqen. Ne jemi krenarë për rrënjët tona”, ka thënë Godiles. /koha/ KultPlus.com

Fituesit e ‘Eurovision 2021’ akuzohen për plagjiaturë

Pas akuzave për përdorimin e drogës nga Damiano David në Eurovision, një histori tashmë e mbyllur, tani banda, e cila fitoi “Euovisionin” më 22 maj në Roterdam, akuzohet për plagjiaturë.

Një anëtar i grupit “The Vendettas”, Joris Lissens, i cili i tha medias RTL se kënga “Zitti e Buoni”, e cila triumfoi së pari në Sanremo dhe më pas në Roterdam, i kujton atij disa tinguj të hitit të tij “You want it, you’ve got it”.

Vendettas, specifikon RTL, nuk do të ndërmarrë asnjë veprim kundër fituesve të Eurovision.

“Këta djem nuk kanë lindur kur ne e kemi pasur këtë bandë rock”, pranoi këngëtari./ KultPlus.com

Gjon Muharremaj: Mësuesi më tha që s’do të arrija asgjë në jetë

Gjon Muharremaj, i njohur ndryshe me emrin e artit Gjon’s Tears, ishte përfaqësuesi i Zvicrës në Eurovision 2021, transmeton KultPlus.

Ai arriti të dilte i pari falë votave të jurive profesioniste, ndërsa në rezultatin përfundimtar, ku përfshihet edhe votimi i publikut u pozicionua i treti.

Gjon ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të shtune në emisionin “Soiree” me Jonida Shehun në ABC në një rrëfim shumë interesant, ku nuk kanë munguar edhe performancat e tij.

Këngëtari i talentuar ka treguar se nëse nuk do t’i hynte rrugës së muzikës, do dëshironte të bëhej mësues frëngjishte dhe kjo sipas tij, nuk do të ishte aspak një zgjedhje rastësore.

“Kishte një plan B që ishte arsimi. Unë doja që të bëhesha mësues i frëngjishtes, sepse më pëlqen shumë literatura franceze, ose dhe mësues muzike në shkollë, por jo në shkollë muzike. Unë kam patur një mësues shumë të keq dhe i kam thënë atëherë vetes që unë do bëhem mesues dhe do ju tregoj njerëzve që arsimi nuk është i prishur, por ka dhe njerëz të mirë. Ai ishte një mësues i pakuptueshëm. Një gabim të vogël bëja unë matematikë, se isha skandal, ma hidhte të gjithë punën poshtë. Ai më kishte thënë që nuk do isha i arrirë në jetën time, se isha shumë keq në matematikë dhe tani mund ta shikojë që më në fund ia dola edhe pa matematikën”, ka treguar Gjon’s Tears.

Ai ka shtuar se pas suksesit në Eurovizion ka patur shumë mesazhe urimi nga njerëz të ndyrshëm, madje dhe nga të afërt që më herët nuk ishin kujtuar për të./ KultPlus.com

Zhvillohet në komunën e Tuzit Konferenca e V Mbarëkombëtare e Arkivistikës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia shtetërore të Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me komunën e Tuzit në Mal të Zi, zhvilluan Konferencën e V Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Kjo konferencë bëri bashkë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët si çdo vit, diskutuan për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitetet e sotme.

Hapja e Konferencës u përshëndet nga Drejtori i DPA-së, Prof.asoc.dr Ardit Bido, kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës Mr.Sc.Bedri Zyberaj si dhe zyrtari i Komunës së Tuzit, Mark Lucgjonaj.

“Është kënaqësi e veçantë për mua që së fundmi, Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës po zhvillohet në Tuz, po zhvillohet në Malësi sepse që kur e kemi nisur këtë konferencë të përbashkët mbarëkombëtare të arkivistikës në fakt ne kemi vendosur që kjo do të jetë konferencë e shqiptarëve ngado. Jo si pikëpamje nacionaliste po si një pikëpamje thellësisht patriotike dhe profesionale. Arkivat e kombit tonë janë një. Mund të jenë të ndara ne institucione të ndryshme, mund të jenë të ndara në shtete të ndryshme po kur vjen fjala për historinë tonë ajo histori është kombëtare”, tha Bido.

“Falënderoj shumë në emër të dy arkivave që organizojnë këtë konferencë dhe në emrin e të gjithë pjesëmarrësve këtu, komunën e Tuzit, që me përkrahjen e me mbështetjen që iu dha dy institucioneve tona për ta mbajt Konferencën e V në Tuz, pra i dha një dimension tjetër, e zgjeroi, pikërisht ashtu siç ka qenë e ideuar në krye të herës”, u shpreh Zyberaj.

“Është një kënaqësi e veçantë për komunën e Tuzit që së bashku me dy institucione kaq të rëndësishme siç janë arkivi i Kosovës dhe i Shqipërisë të organizojmë së bashku Konferencën e V Mbarëkombëtare këtu në Malësinë tonë. Ndihem i lumtur që kjo sallë sot mirëpret kaq shumë njerëz të letrave, të studimeve, të atyre që çdo ditë të jetës së vet ia kushtojnë kulturës, historisë, kombit, gjuhës, kujtesës, pra atdheut”, tha Lucgjonaj.

Temat e diskutuara kishin të bënin specifikisht me arkivistikën, të drejtat e njeriut dhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse. Në fokus ishin çështjet që kanë të bëjnë me arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale, bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore, trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare, etika dhe arkivat, ndryshimet klimaterike dhe arkivat, trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional si dhe turizmi dhe promovimi i arkivave.

Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare të pranishëm me kumtesa ishin dhe profilet e tjera të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive.

Konferenca e V Mbarëkombëtare është traditë që vazhdon mbas katër të parave të mbajtura në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Sarandë. /atsh/ KultPlus.com

Fillikat

Poezi nga Maya Angelou

Përktheu Skënder Buçpapaj

Shtrirë, duke menduar
Mbrëmë nëpër natë
Si t’ia gjej shpirtit tim një shtëpi
Ku uji etje nuk të jep
Dhe feta e bukës s’është gur i thatë
Unë dola me një përfundim
Dhe mendoj se nuk gaboj
Askush
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat

Fillikat, krejt fillikat
Askush, bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Na janë do milionierë
Me para që nuk i përdorin dot kurrë
Gratë e tyre shtrigula vijnë vërdallë
Fëmijët e tyre këndojnë këngë bluz
Ata kanë marrë mjekë që kushtojnë
T’ua kurojnë zemrat gurë të thatë.
Por askush,
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Tash nëse më dëgjon mirë
Unë të tregoj çfarë vetë di
Retë e stuhisë po bëhen bashkë
Era tashi po fryn e fryn
Raca njerëzore po vuan pa masë
Dhe unë nuk po ndjej ankim,
Pse askush
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Fillikat, krejt fillikat
Askush, bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat./ KultPlus.com

Saimir Pirgu shfaqje në ‘Staatsoper Unter den Linden’ në Berlin

Tenori i mirënjohur shqiptar Saimir Pirgu, do të interpretojë në skenën e ‘Staatsoper Unter den Linden’ në Berlin, përcjellë KultPlus.

Me hapjen e sezoneve artistike, ai do të jetë në operan e Giuseppe Verdi “Rigoletto”.

“Një nga një teatrot po përgatiten me hapjen e sezoneve artistike. Së shpejti në Berlin me operan Rigoletto”, shkruan Saimir Pirgu në Facebook.

Kujtojmë se në datën 15 shtator 2021 do të interpretojë në skenën e Théâtre des Champs-Élysées në Paris, Francë.

Ai do të jetë në rolin e ‘Le Chevalier des Grieux’, në operan “Manon”.

Operat dhe teatrot po hapen gradualisht në të gjithë botën pas një viti të vështirë për shkak të pandemisë./ KultPlus.com

Rikthehet UNUM Festival, Shëngjini shndërrohet në kryeqytet turistik

I shtyrë një vit më parë për shkak të pandemisë COVID-19 është rikthyer Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike UNUM në Shqipëri.

I pari festival europian që organizohet në periudhën pas pandemisë, UNUM nisi mbrëmjen e të enjtes për të zgjatur për rreth 4 ditë me radhë në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin të Lezhës.

Të rinj nga vendi, rajoni, Europa por edhe nga vende të ndryshme të botës u bënë pjesë e këtij festivali duke respektuar masat antikovid.

Çdo person pjesëmarrës në këtë festival, i cilësuar si një ndër ngjarjet më të bukura kulturore në Ballkan dhe Europë është testuar negativ për Covid ndërsa i gjithë stafi është i vaksinuar.

Mbi 75 artistë me famë botërore, përgjatë 24 orëve luajnë muzikë në skenat e improvizuara në zonën e Ranës së Hedhun duke çelur edhe aktivitete e sezonit turistik në Shëngjin. Edhe për organizatorët e UNUM, ky event i ka tejkaluar pritshmëritë  ku janë shitur rreth 10 mijë bileta.

Mbi 60% e pjesëmarrësve janë të shtetas të huaj nga Holanda, Zvicra, Blegjika, Italia, Anglia, Gjermani, Franca por edhe nga vendet e rajonit për të shijuar jo vetëm muzikën, por edhe Shqipërinë turistike. /atsh/ KultPlus.com

Gjergj Kastrioti i vetmi burrë-shteti që e bëri me famë Arbërinë e tij

Nga Gjon Keka

A nuk ishte drita e tij ajo që ndriçoi kombin tonë arbëror dhe turpëroi armiqtë e paragjykuesit e të gjitha llojeve?

A nuk ishte guximi i tij që e ushqeu ushtrinë e tij të vogël arbërore duke e bërë atë një ushtri të pakapërcyeshme?

A nuk ishte arti dhe strategjia e tij e luftës,i cili e dëboi armikun të shumtë për nga numri?

A nuk ishte vetë ai si burrë-shteti që me gjithë vështirësitë,varfërinë dhe mjetet e pakëta e ndërtoi dhe unifikojë Shtetin e Arbërit duke e bërë atë pishtar të lirisë jo vetëm të vendit të tij ,por edhe të gjithë Europës?

A nuk ishte ai që e pranoi çdo të madh e të vogël që donte t’i bëhej mik atij dhe i cili vendosi marrëdhëniet e tij shtetërore,realizojë traktatet dhe aleancat e tij?

A nuk ishte ai gjenerali më i madhë i të gjitha kohërave,saqë gjeneralët e shumë popujve e kombeve morën planet e tij nga shpirti i tij i artit luftarak, mbretërit e princat e shteteve të ndryshme morën nga arti i tij i qeverisjes?

A nuk ishte ai e mira e atdheut tonë dhe sot nderi i kombit tonë?

Nga kjo mund të thuhet se,nëse ka ekzistuar ndonjëherë një Shtet që kishte një plan thellësisht të menduar, të lidhur kudo me veten e tij, i llogaritur për efektin më të lartë të mundshëm ; ai ishte Shteti i Arbërit në krye me Mbretin e tij Gjergj Kastrioti.

Kjo është mënyra e vetme si një pasardhësi i tij për ta lavdëruar Mbretin tonë Arbëror europian me të cilin Providenca na ka bekuar./ KultPlus.com

Fshati Shipskë, vendi historisë dhe traditës

Me verën e freskët plot gjelbërim dhe dimrin e ftohtë, ajrin e pasur me oksigjen dhe aromë pishash, si edhe pista e skive me dëborën që zgjat deri në prag pranvere, janë karakteristika që e bëjnë Voskopojën dhe rrethinat përreth një zonë tërheqëse për turistët në çdo stinë.

Një prej tyre është dhe fshati Shipskë, me histori e tradita shumëvjeçare por dhe një natyrë mahnitëse. Gjithnjë e më shumë ky fshat, dhe pse ka mbetur me shumë pak banorë po kthehet në një destinacion për turistët në çdo stinë.

Fshati Shipskë ka qënë një qendër e banuar dhe mjaft e dëgjuar dikur, i pozicionuar vetëm 5 km larg Voskopojës, ky fshat po merr vëmendjen e turistave dhe kryesisht ndaj të apasionuarit e hiking. Të cilët në këtë periudhë mund ta shijojnë edhe më shumë për shkak edhe të dëborës.

Natya duket që të lë pa fjalë në këtë fshat.Në hyrje të fshatit ortodoks gjendet kisha e vjetër e Shën Gjergjit, një pasuri e vërtetë e trashëgimisë kulturore.

Ky objekt fetar i kultit ortodoks, thuhet se është ndërtuar në vitet 1620-1650. Vlerat e saj natyrore dhe trashëgimia, e bëjnë këtë fshat një destinacion të mundëshëm turistik.

Kisha e Shën Gjergjit, është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, daton që nga shekulli XVIII./ KultPlus.com

‘Folja dua nuk e duron mënyrën urdhërore’

Jorge Luis Borges, ka qenë një shkrimtar tregimesh të shkurtra, eseist, poet, përkthyes dhe figurë kyçe e letërsisë së gjuhës spanjolle, shkruan KultPlus.

Librat e tij më të njohur me tregime, Ficciones dhe El Aleph, të botuara në vitet 1940, janë përmbledhje me tregime të shkurtra të ndërlidhura nga temat e përbashkëta, duke përfshirë ëndrrat, labirintet, bibliotekat, pasqyrat, shkrimtarët e sajuar, filozofitë dhe fetë.

KultPlus sot ju sjellë një nga thëniet e famshme të shkrimtarit.

“Folja  ‘lexoj’, ashtu si folja ‘dua’ apo folja ‘ëndërroj’, nuk e duron dot mënyrën urdhërore”./ KultPlus.com

Produkti 4000-vjeçar, vendi që prodhoi rastësisht kosin dhe e shpërndau në të gjithë botën

Në këtë vend, kosi është kudo, në dyqane e në lokale, dhe është baza e pjatave tradicionale si taratori, apo “snezhanka”, një sallatë e përbërë nga kosi, trangujt, hudhra dhe kopra. Historia e prodhimit të kosit lidhet me Bullgarinë, por identiteti i Bullgarisë mund të gjurmohet përmes prodhimit të këtij produkti.

Shumë bullgarë pretendojnë se u zbulua rastësisht rreth 4000 vjet më parë kur fiset nomade endeshin në këto zona. Nomadët mbanin qumështin në lëkurat e kafshëve, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe të mbyllur që bakteret të rriteshin dhe të nxisnin fermentim, që çonte më pas në prodhimin e kosit.

Elitsa Stoilova, profesoreshë e etnologjisë, është e mendimit se ndonëse mund të jetë pak e vështirë të përcaktosh saktë nëse është Bullgaria, vendi i origjinës së këtij produkti, shumë vende të Ballkanit e kanë pasur pjesë të dietës së tyre kosin për shekuj me radhë. Sipas saj, vetëm në Ballkan dihet formula e papërcaktuar saktë, e prodhimit të këtij produkti. Megjithatë, Bullgaria luajti rol në shndërrimin e kosit në një produkt popullor, që tregtohet masivisht, dhe që hyri shumë shpejt edhe në dietat mesdhetare dhe perëndimore.

Një shkencëtar bullgar në vitin 1904, analizoi në laboratorin e tij një enë tradicionale prej balte, të quajtur “rukatka”, që përmbante kos shtëpie. Ai arriti të identifikonte bakterin thelbësor që nxiste fermentimin e kosit, mikroorganizmi u bë i njohur si “lactobacillus bulgaricus”, duke e lidhur kështu përgjithmonë kombin bullgar me prodhimin e kosit. Për nder të zbulimit të tij, fshati Trun i Studen Izvor, ku lindi shkencëtari Grigorov, tani strehon muzeun e vetëm të kosit në botë. Pas tij edhe një sërë shkencëtarësh vunë re benefitet e kosit bullgar të prodhuar në mënyrë tradicionale. Ata vunë re se ky produkt ishte një nga ushqimet që siguronte jetëgjatësinë e banorëve sidomos, në Malet Rodope të Bullgarisë, ku prodhimi i kosit bëhej sipas traditës mijëravjeçare.

Veçantia e kosit bullgar qëndron në shumëllojshmërinë e tij. Nëse dy gjyshe në fshatra të ndryshme prodhojnë kos nga të njëjtat produkte, rezultatet do të kenë shije të ndryshme. Kjo vjen nga një sërë faktorësh, që lidhen me tokën, kafshët dhe njohuria për prodhimin e tij që përcillet nga brezi në brez./a2/KultPlus.com

Albumi ‘Anima Rara’ i Ermonela Jahos nominohet nga ‘Opus Klassik’ në Gjermani

Albumi ‘Anima Rara’ e sopranos së njohur Ermonela Jaho është nominuar për dy çmime nga “Opus Klassik’ , transmeton KultPlus.

“Opus Klassik” është një vlerësues muzikor gjerman për personalitete dhe prodhime nga fusha e muzikës klasike.

‘Këngëtarja e vitit’ dhe ‘Albumi vocal solo’, janë dy nominimet që ka marrë soprano Jaho.

Thank you OPUS KLASSIK for distinguishing the Anima Rara CD with two nominations: 1) Singer of the year @ermonelajaho 2)…

Posted by Ermonela Jaho on Saturday, June 5, 2021

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ermonela Jaho ne Facebook, e cila shprehet se ndihet e privilegjuar nga ky vlerësim./ KultPlus.com

Ed Sheeran do të performojë në eventin e UEFA Euro 2020

Ed Sheeran ka njoftuar se do të mbajë një koncert virtual nga Ipswich Town si pjesë e UEFA Euro 2020 Show.

Koncerti, nëpërmjet të cilit do të prezantojë dhe këngën e re, do të transmetohet live nga llogaria e artistit në TikTok dhe adhuruesit e muzikës së tij do të mund ta shohin falas.

Koncerti do të zhvillohet më 25 qershor, por për ata që nuk arrijnë ta shikojnë atëherë, transmetimi do të përsëritet më 26 qershor dhe 9 korrik.

Kjo do të jetë shfaqja e parë e madhe që Sheeran ka mbajtur që nga koncerti i fundit në Chantry Park në Ipswich në Gusht 2019.

“Mezi po pres të përformoj në TikTok në UEFA EURO 2020 Show drejtpërdrejt nga Portman Road. Është një vend që e dua dhe po pres me padurim të interpretoj disa adhurime të fansave, si dhe këngën time të re për herë të parë! Shihemi më 25 qershor.“, është shprehur artisti britanik./ KultPlus.com

Librat e gatimit të Marilyn Monroe do të dalin në ankand

Librat e gatimit të Marilyn Monroe, dy prej të cilëve janë konfirmuar se i përkisnin ikonës, do të dalin në ankand.

Librat ofrojnë një paraqitje të shkurtër të jetës së saj personale së bashku me dietën e saj dhe pritet të shiten për 75 mijë dollarë.

“The New Fanny Farmer Boston Cooking-School Cook Book” dhe “The New Joy of Cooking”, u publikuan në fillimet e vitit 1950.

Librat e gatimit të Monroe dalin në ankand më 22 qershor në Galeritë e Ankandit Siegel. / KultPlus.com

Pas 20 vjet betejë me ligjin, boshnjakes i hiqet kisha serbe nga oborri (VIDEO)

Autoritetet boshnjake kanë rrënuar një kishë ortodokse serbe që ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e një gruaje boshnjake.

Deri te ky vendim erdhi pas një beteje ligjore 20 vjeçare pasi rasti shkoi deri te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, përcjell KultPlus.

Punëtorët dhe makineritë e ndërtimit arritën në oborrin e Fata Orloviq në fshatin Konjevic Polje, mëngjesin e hershëm të kësaj të të shtunën herët. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në tetor të vitit 2019 që autoritetet duhet të rrënonin kishën.

Në vendim gjithashtu u obliguan autoritetet e Bosnjës që të paguajë dëmet familjes Orloviq që arrin në 31,000 euro, shkruan AP, përcjell tutje KultPlus.

Kisha u ndërtua menjëherë pasi Orloviq dhe familja e saj u dëbuan nga fshati, 20 kilometra në lindje të Srebrenicës gjatë Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995. Familja është myslimane boshnjak u shpërngul bashkë me gjithë fshatin që u mor nga serbët e Bosnjës.

Burri i Orloviq ishte në mesin e rreth 8000 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në gjenocidin e Srebrenicës së vitit 1995.

Srebrenica u njoh si gjenocid ndërkombëtarisht si gjenocidi i vetëm që ndodhi që nga Lufta e Dytë Botërore. Kërkesa e Orloviq që të rrënohej kisha pas ajo u kthye në shtëpi u injorua. Në vitin 2000, ajo nisi një procedurë legale për të detyruar autoritet e Republikës Srpska të pajtohet për rrënimin e saj.

Më shumë 100,000 njerëz u vranë në konflikt dhe miliona të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. / KultPlus.com

Ag Apolloni i dorëzon Ferdonijes çmimin e ndarë nga MKRS

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 13-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte ndarë çmimet vjetore për letërsi, shkruan KultPlus.

Këto çmime u ndanë nga ish-Ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi.

Në ndarjen e këtyre çmimeve, shkrimtarit Ag Apollonit i ishte ndarë Çmimin për Prozë “Anton Pashku”, për veprën e tij ”Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Një vepër kjo ku njëra ndër protagonistet është edhe Ferdonije Qerkezi.

Sot, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Ben Apolloni ka njoftuar se ka vizituar Ferdonije Qerkezin, me ç’rast edhe ia ka dorëzuar çmimin e pranuar në shkurt nga MKRS. / KultPlus.com

Pjetër Gaci, kolosi i muzikës dhe violinës

Pjetër Gaci, një ndër kompozitorët më të njohur që kanë bërë edhe historinë e muzikës profesionale shqiptare përkujtohet sot në kuadrin e muajt të muzikës që është shpallur si iniciativë nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, përcjell KultPlus.

Pjetër Gaci lindi më 27 mars të vitit 1931 dhe ndërroj jetë po më të njëjtën datë, pra më 27 mars të vitit 1995. Kompozitori lindi në qytetin e Shkodrës ku mori edhe formimin bazë arsimor. Më pas studioj për violinë ne “Liceun Artistik J.Misja Tiranë” për të vazhduar studimet e larta në në Konservatorin e Moskës “ P. I. Cajkovski” në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967 me rezultate të shkëlqyera.

Karriera e tij si violinist kulmon edhe me mësimdhënien si pedagog i muzikës klasike në “Liceun Artistik P. Jakova në Shkodër”, “Liceun Artistik J. Misja” dhe më pas në “Institutin e Lartë të Arteve Tiranë”.

Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës profesionale të violinës në Shqipëri. Ndër arritjet e tij më të mëdhaja si artist janë krijimet si “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Gjithashtu artisti Gaci dha kontribut të madh edhe në muzikën operistike me operat “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni” etj… . Ai ka meritën të ketë kompozuar gjithashtu të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptarë, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale në Shqipëri.

Në vitin 1989, artistit Pjetër Gacit iu akordua edhe titulli i veçantë për kohën “Artist i Popullit”. /atsh/ KultPlus.com

Fotografi që portretizon sytë e të famshmëve

Fotografi Platon ka realizuar pamje me kontrast të lartë të disa prej fytyrave më të njohura në botë, duke përfshirë këtu, ish-presidentin amerikan Barack Obama, presidentit rus Vladimir Putin, tenistes Serena Williams, biznesmenit miliarder Elon Musk, themeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, e këngëtarëve Adele dhe Harry Styles.

Të gjithë këta janë fotografuar nga Platon, derisa qëndronin të ulur përballë kamerës së tij.

Por tani artisti britanik, po heq portretet e tij, duke lëshuar një koleksion të ri të veprave që secila përmban vetëm një iris nga sytë e këtyre të famshmëve, udhëheqësve të fuqishëm politikë dhe figurave të diskutueshme. Ndërkohë, se kujt i takon irisi, do të mbetet sekret për të tjerët, përveç blerësve të imazheve.

Platon, i cili është fotograf i rregullt për revistën “Time”, ka thënë se ka parë anë të ndryshme të syve të figurave që ka fotografuar, përcjell KultPlus.

“Kam shikuar në sytë e Gaddafit dhe Putinit. Gjithashtu ka pasur momente të ngushta me Princin dhe Edward Snowden”, ka thënë ai duke bërë të ditur se projektin e tij për të ndarë vetëm irisn e syrit të të famshmëve, e ka quajtur “Eye Love You, Eye Hate You”.

Të gjitha këto pamje, në total fotografitë më 36 irisë të syve të disa prej njerëzve më me ndikim në botë, ai do t’i shesë ndërkohë që vetëm blerësi do të mund të kuptojë se syrin e kujt po e blen. / KultPlus.com

Institucionet e Kosovës nisin kampanjën për mbjelljen e 1 milion drunjve

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i është bashkuar kampanjës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo kampanjë po realizohet me bashkimin e forcave të këtyre tri institucioneve, njofton Klankosova, përcjell KultPlus.

“Gjersa po punojmë vazhdimisht për të siguruar një ringritje të qëndrueshme pas pandemisë e kemi të qartë që çfarëdo që do të ndërmarrim nuk mundemi kurrsesi ta bëjmë atë duke anashkaluar mbrojtjen e mjedisit, përkundrazi mbrojtja e mjedisit është prioriteti ynë i përbashkët. Prandaj i kemi bashkuar forcat për të filluar kampanjën nëpërmjet së cilës synojmë mbjelljen e një milion drunjve gjatë muajve në vijim”, ka thënë presidentja Osmani.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë thirrje për t’u bashkëngjitur në këtë kampanjë për mbjelljen e një milion drunjve në gjithë Kosovën, krejt kjo me qëllim që vitin tjetër Dita Botërore e Mjedisit ta gjejë Kosovën me një ambient më të gjelbër.

“Shpyllëzimi në vendin tonë ka arritur nivele shqetësuese e ndotja e ajrit mbetet një ndër problematikat kryesore ndër vite, prandaj të angazhohemi së bashku sot në mënyrë që e ardhmja të frymoj lirshëm nesër. Aktivitetet tona sociale e ekonomike t’i zhvillojmë në një mjedis më të shëndosh”, ka thënë ministri Faton Peci.

Në anën tjetër, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bën thirrje që të mbrohet mjedisi, pasi që në këtë mënyrë thotë se mbrohet edhe kombi. “Sfidat kemi të shumta e të përbashkëta, por besoj fuqishëm që nga sot po hapim një kapitull të ri të mentalitet qeverisës në vendin”, ka thënë ministri Aliu.

Ndryshe, kampanja për mbjelljen e 1 milion drunjve ka filluar sot dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Kjo kampanjë mbështetet nga Presidenca e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. / KultPlus.com

Gazeta franceze në vitin 1912: Marrrëdhënia speciale e Edith Durham-it me Shqipërinë dhe shqiptarët

Nga Aurenc Bebja, Francë – 5 Qershor 2021

“La Vie heureuse” ka botuar, me 15 prill 1912, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me marrëdhënien speciale të Zonjës Edith Durham me Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zonja Edith Durham në Shqipëri

Një heroinë e bamirësisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Midis mijëra mënyrave prekëse dhe gjeniale të të qenit bamirëse që gratë kanë zbuluar, këtu është një që, për më tepër, nuk shkon pa guximin. Ne e dimë se cila është jeta e mjeruar e shqiptarëve, mbi të cilët, pikërisht në këtë moment, çështja e Lindjes rëndon shumë. Ju gjithashtu duhet ta dini se për njëmbëdhjetë vjet një grua, Zonja Durham, ka qenë Providenca e tyre.

Ishte në Podgoricë në fillim të gushtit të kaluar që takova zonjën Edith Durham. Unë e takova atë në një qytet të vogël në kufirin me Malin e Zi, ku shqiptarët malsorë ishin strehuar, të përndjekur nga turqit. Nuk mund të imagjinohet skamja në të cilën ndodheshin këta njerëz fatkeq, shtëpitë e të cilëve ishin djegur nga trupat e Turgut Pashës dhe që kishin vetëm për strehim shpellat e gërmuara në brigjet e thepisura të Moraçës. Në këto kaçube të infektuara, burra, gra dhe fëmijë, të përzier me disa bagëti të pakta, kishin pritur për pesë dhe tetë muaj fundin e dhimbjeve të tyre. Kam vizituar refugjatët me zonjën Durham. Këta njerëz të varfër erdhën ta takonin, i puthën duart, e quajtën mbretëresha e tyre, i kërkuan ndihmë dhe mbrojtje kundër armiqve të tyre. Çdo ditë, nën 50 gradë nxehtësi, përgjatë shtigjeve me gurë, ajo endej në kampin e tyre të dëshpëruar, duke shpërndarë pak para që mori për ta nga Anglia. Ajo kishte blerë pëlhura (veshje) të cilat i ndau në copa prej tre metrash; për secilën pjesë, ajo shtoi dy gjilpëra dhe fill peri, sepse ajo kishte përvojë të rrallë dhe prekëse të këtyre gjërave.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për njëmbëdhjetë vjet Zonja Edith Durham nuk është larguar nga vendet ku zgjedha Osmane rëndon rëndë mbi popullatat, duke paguar me paratë e saj, me personin e saj, duke mbrojtur gjithashtu me pendë ata të cilëve u është kushtuar plotësisht. Ajo ka shkruar disa vepra të botuara në Londër : dhe pa dyshim që një ditë do të lexojmë historinë shqetësuese të kësaj fushate të vitit 1911 në Shqipëri.

Situata politike në Evropë duke ngritur frikën e kryengritjeve të reja në këtë anë, zonja Durham mbeti atje, në mënyrë që të inkurajojë para së gjithash malsorët për të ngritur rrënojat e shtëpive të tyre, para sezonit të tmerrshëm të shiut.

Gazetarët që ishin në Podgoricë këtë verë, duke qëndruar në hotelin (bujtinën) e vetëm në këtë qytet të humbur Ballkanik, nuk do të harrojnë spektaklin kurioz dhe prekës të ofruar nga vaktet – dhe çfarë vaktesh! – kryesuar nga Zonja Durham. Të shtënat me pushkë shkëmbeheshin çdo mëngjes në një marshim dy orësh midis turqve dhe shqiptarëve dhe në këtë jetë kampi që bëmë të gjithë, nën një nxehtësi përvëluese, vetëm shpirti i devotshmërisë e mbajti të gjallë këtë grua.

Zonja Edith Durham është e njohur nga bashkatdhetarët e saj. Unë e përgëzoj veten time që kam parë bamirësinë e saj në rrethana në të cilat pak burra do të kishin pranuar ta ushtronin atë dhe të ishin në gjendje të dëshmonin para lexuesve të “La Vie Heureuse”.

André Duboscq. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1912-marredhenia-speciale-e-zonjes-edith-durham-me-shqiperine-dhe-shqiptaret/?fbclid=IwAR2Dz2rjYnCvDIBqgmHTdineE00ZAqKDBt66dc2e-zONxswJQGF8TWvVX-g

Anglia, vendi i parë në botë që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të jashtme

Oxfordshire po punon për t’u bërë një zonë krejtësisht pa duhan. Vendi po planifikon të ndalojë pirjen e duhanit edhe në ambiente të jashtme deri në vitin 2025. Nëse gjërat shkojnë sipas planit, Oxfordshire do të bëhet vendi i parë në Angli, por edhe në Evropë, që bën diçka të tillë.

Aktualisht, sipas Oxford Mail, 12% e popullsisë së Oksfordit pinë duhan. Por numri i duhanpirësve aktivë duhet të bierë në një kuotë 5% ose më pak, në mënyrë që të arrihet qëllimi për një vend pa duhan.

Rreth 7 milionë njerëz janë identifikuar si duhanpirës në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019, ndërsa statistikat e fundit tregojnë se mbi 1 milion njerëz e kanë lënë duhanin që nga goditja e pandemisë së koronavirusit. Shkak për këtë mund të jetë bërë paralajmërimi i mjekëve se duhanpirësit mund të jenë më të rrezikuar nga shfaqja e simptomave të rënda të COVID-19.

Sipas NHS, pirja e duhanit është një nga shkaqet më të mëdha të vdekjeve dhe sëmundjeve në Mbretërinë e Bashkuar. Pirja e duhanit pasiv (frymëmarrja në në një ambient ku dikush tjetër pi cigare) gjithashtu rrit faktorin e rrezikut për të njëjtat probleme shëndetësore si duhanpirësit. / KultPlus.com

Muzeu i Kulturës Arbëreshe merr çmim nga Ministria e Kulturës në Itali

Muzeu i Kulturës Arbëreshe në San Paolo Albanese ka fituar një çmim nga Ministria italiane e Kulturës, atë të “Çmimit Kombëtar të Peizazhit”.

Ky çmim nga ministri Dario Franceschini i jepet për “vlerësimin e apsekteve kulturore dhe të identitetit të territoreve të brendshme të Apenineve; për aktivitetet gjatë kohës; shprehjen e impenjiit të vazhdueshëm me kujdes të dashur ndaj territorit dhe vendit; për mbrojtjen e identitetit dhe ndjesisë së përkatësisë së komunitetit arbëresh.

Muzeu rihapi dyert më 1 qershor pas një kohe të gjatë mbyllur për shkak të pandemisë.

Muzeu kombinon disa realitete në tërësi: është një vend me vlera tradicionale dhe një panoramë e jetës nga e kaluara, e mbajtur e paprekur midis teknologjive të reja dhe komunikimeve masive të globalizuara; është territori dhe peizazhi i saj rural; është fshati i banuar dhe ndërtesat urbane; është komuniteti dhe kultura e tij; është vendi i kujtimeve dhe laboratori i së ardhmes.

Muzeu është një vend dhe një mënyrë për të ruajtur, mbrojtur, përmirësuar, promovuar identitetin kulturor, territorial, shoqëror dhe ekonomik të komunitetit lokal Arbëreshe të San Paolo Albanese; është mjeti me të cilin mund të prodhohet kulturë e re.

Lindur si një ekspozitë agro-baritore, në 1975. Ka një strukturë, inauguruar në vitin 1993, e marrë nga ripërdorimi i ndërtesave të vjetra të pabanuara në qendrën historike, në të cilën ekspozohen objekte të kulturës materiale; dokumentohet kultura gojore, popullore, agro-baritore; dëshmohen rrënjët dhe identiteti i pakicës etnike-gjuhësore arbëreshe.

Funksionet e strukturës së ekspozitës plotësohen nga biblioteka e specializuar për shqiptarët, e krijuar në vitin 1979, nga ekspozita e “Objekteve nga kujtesa”, e ngritur në 1987 dhe nga punëtoria e artizanatit e përfunduar në 2000.

Muzeu përmban objekte të përditshme, veshje tradicionale, produkte dhe mjete të jetës shtëpiake dhe të punës etj. /diasporashqiptare/ KultPlus.com