Si u bë filmi ‘Fast and Furious’ fenomen i shekullit 21?

Një film që filloi 20 vite më parë me një “thriller modest’, por u shndërrua në telenovelën më të pëlqyer, e ka përfaqësuar në mënyrë të përkryer mënyrën se si ka ndryshuar kinemaja.

Filmi “Fast and Furious” i vitit 2001 u bë një nga filmat që u pëlqyen më së shumti nga gjithë bota.  Filmi i garave me makina ka arritur të ndryshojë edhe rrjedhën e kinematografisë duke u bërë një nga filmat që thyen rekord në historinë e kinematografisë.

Edhe 20 vjet pas ky film mbetet një prej filmave që nuk rresht së krijuari pjesë të reja, ku deri më tani janë realizuar nëntë filma, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Për më tepër, pasi është transformuar vazhdimisht në vetvete, kjo ka pasqyruar mënyrën në të cilën prodhimi i filmit është zhvendosur dhe ka evoluar në shekullin 21.

Këtë javë do të shfaqet në SHBA dhe Britani pjesa e fundit e këtij filmi “The Fast Saga” i cili mbase edhe përfaqëson kulmin e shtrirjes së këtij filmi.

Seria e parë ë këtij filmi u krijua nga leximi i një artikulli të regjisorit Rob Cohen të vitit 1998 në revistën amerikane Vibe, duke detajuar qarkun e paligjshëm të garave në rrugë të New York City dhe që nga krijimi i tij, kinematografia amerikane vendosën që të prodhojnë më shumë filma të zhanrit aksion.

Me rekordin e shikueshmërisë të pjesës së parë të “Fast and Furious” kjo normalisht edhe pati numër të madh të fitimesh dhe nxiti menjëherë kastin që t’i përveshën punës në realizimin e pjesës së dytë të tij. Duke pasur në kryeqendër garën me makina ky film korri shumë suksese në të gjithë botën në secilin sezon të tij, transmeton tutje KultPlus.

Me historinë komplekse të garave me makina, kthesave të shumta, dhe sfidave të rrezikshme, ky film në vete nxit dramaticitetin dhe entuziazmin tek secili shikues. Po ashtu ky film ka marrëdhënie jashtëzakonisht të fortë metatekstuale me figurat.

Çfarë e ka bërë këtë film të suksesshëm në atë mënyrë që askush nuk e ka imagjinuar 20 vite më parë? Mbase nuk është thjeshtë veprimi. Është për shkak se ajo ka mbajtur një konstante dhe më këmbë në tokë ndryshe prej bashkohësit.

Me gjithë suksesin e sezonit të nëntë kjo nuk do të thotë që më në fund, nuk rrezikon të frymëzojë të njëjtën lodhje të ekskluzivitetit që kanë shumë filma të tjerë.

E nëse seritë e këtij filmi vazhdojnë edhe për 20 vite të tjera suksesin do ta mbajë vetëm për shkak të cilësive të thjeshta, marifetet e shumta, tentimeve për shpëtim të botës dhe shfaqjeve të forcës hekuruliane. / KultPlus.com

U mbajt edicioni i 21-të i ceremonisë “BET Awards”

Edicioni i 21-të i ceremonisë shpërblyese, “BET”, u mbajt të dielën mbrëma me temën “Viti i grave afrikano-amerikane”.

Aktorja e shumëshpërblyer, Taraji P. Henson, e prezantoi ceremoninë e cila u mbajt në teatrin “Microsoft” në Los Angeles, dhe ku për herë të parë prej fillimit të pandemisë, publiku e ndoqi ngjarjen drejtpërdrejt nga salla.

“Nderimi i grave afrikano-amerikane nuk është vetëm një trend apo në modë, por është një gjendje shpirtërore e përhershme. Ka më shumë se mjaftueshëm vend për të gjithë ne, që të lulëzojmë në këtë industri, sepse askush nuk mund të jetë sikur unë dhe askush nuk mund të je sikur ti”, tha aktorja Henson në hapjen e ceremonisë.

Rep artistja dhe aktorja e vlerësuar, Queen Latifah, gjatë mbrëmjes e pranoi shpërblimin special për arritje jetësore, i cili e nderon suksesin e saj të jashtëzakonshëm përgjatë karrierës disa dekadëshe në industrinë e filmin, televizionit dhe muzikës.

Rep artistet Lil Kim, Rapsody, MC Lyte dhe Monie Love, e nderuan atë me një performancë të hiteve të saj, “Ladies First” dhe “U.N.I.T.Y.”, kurse Queen Latifah më pas e mbajti një fjalim duke shprehur mirënjohjen e saj.

“Dua t’i falënderojë organizatorët e ‘BET Awards’ që e kanë krijuar një platformë e cila ia mundëson komunitetit tonë të bukur që të shkëlqejnë dhe të lulëzojë në industrinë e showbizit. Kur muzika jonë nuk mund të transmetohej në radiot tjera dhe videoklipet tona nuk shfaqeshin në televizionet tjera, ne e kishim kanalin ‘BET’ i cili na lejonte të jemi plotësisht vetvetja”, deklaroi ndër të tjera Queen Latifah.

Reperaj Megan Thee Stallion e cila së bashku me reperin DaBaby, kryesonin me më së shumti nominime në këtë ceremoni, i rrëmbeu gjithsej katër trofe në kategoritë: “Artistja më e mirë Hip Hop”, “Bashkëpunimi më i mirë”, për hitin “WAP” në bashkëpunim me rep artisten Cardi B, “Çmimin e publikut” i cili shkoi për këngën “Savage (Remix)” të cilën e interpretoi bashkë me yllin e muzikës, Beyoncé dhe “Videoklipi më i mirë i vitit”, çmim ky i cili shkon për hitin “WAP”.

Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin: Cardi B, Jazmine Sullivan e cila u nderua në kategorinë “Albumi më i mirë”, për albumin e saj “Heaux Tales”, H.E.R. u shpall “Artistja më e mirë R&B dhe pop, Chris Brown e fitoi çmimin “Artisti më i mirë R&B dhe Pop”, me çmimin “Grupi më i mirë” u nderuan Bruno Mars, Anderson .Paak dhe Silk Sonic, “Hip Hop artisti më i mirë” u shpall Lil Baby dhe Giveon u nderua me çmimin “Artisti më i mirë i ri”.

Në kategorinë për film triumfoi “Judas and the Black Messiah”, i cili u shpall “Filmi më i mirë i vitit”, Andra Day u nderua në kategorinë “Aktorja më e mirë” dhe ylli i ndjerë i kinematografisë, Chadwick Boseman, e pranoi edhe një shpërblim postmortum me t’u shpallur “Aktori më i mirë i vitit”.

Kurse sportistët e nderuar gjatë mbrëmjes me çmim “BET Award”, ishin: tenistja Naomi Osaka e cila u shpall “Sportistja më e mirë e vitit”, dhe ylli i basketbollit, Lebron James, i cili u nderua me çmimin “Sportisti i vitit”.

Legjenda e muzikës rep, DMX, i cili vdiq nga sulmi në zemër në fillim të këtij vitit, u nderua në ceremoninë e së dielës me një performancë speciale të yjeve, Busta Rhymes, Method Man, Swizz Beatz dhe Michael K. Williams.

Cardi B, Andra Day, dyshja “City Girls”, DJ Khaled, Jazmine Sullivan, Lil Nas X, Kirk Franklin dhe “Migos”, ishin ndër yjet e shumtë të cilët performuar në ceremoninë e përvitshme, e cila ka për qëllim t’i nderojë arritjet e personave të komunitetit afrikano-amerikan. / Koha.net / KultPlus.com

Konferencë shkencore për veprën e dramaturgut Ethem Haxhiademi

“Dramaturgu- poet Ethem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore” ishte konferenca shkencore, që bëri bashkë akademikë dhe studiues.

Me rastin e kësaj konference u ekspozuan edhe variantet e botimit të veprave e shqipërimeve të Haxhiademit (9 vëllime) nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet “Poeteka”. Konferenca shkencore u mbajt paralelisht në dy mjedise, në Akademinë e Shkencave në sallën “Aleks Buda” dhe tek Libri Akademik.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Departamenti i Studimeve Letrare. Ethem Haxhiademi ishte një nga shkrimtarët që u dënua në mënyrë të dyfishtë nga regjimi komunist, jo vetëm me persekutim e burgosje, por edhe me shuarje të emrit dhe veprës së tij, ku siç thotë botuesi i veprave të tij Arian Leka, emri i Ethem Haxhiademit nuk u dëgjua as për t’u cilësuar si reaksionar, siç ndodhi me shkrimtarë të tjerë të viteve ‘30, si Koliqi, Fishta e të tjerë. Sipas një programi me tematika të pasura, figura e Ethem Haxhiademit u ndriçua për herë të parë e plotë si krijues, si personalitet dhe si themeltar i traditës së dramaturgjisë shqiptare, por edhe si një nga intelektualët më të përparuar të kohës në formimin e tij ideoestetik.

Seancën e parë të konferencës e përshëndeti prof. as. dr. Evalda Paci, si drejtuese e seancës me prof. dr. Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe prof. dr. Laura Smaqin. Akad. Shaban Sinani mbajti kumtesën me temë: “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit”, përmes të cilës argumentoi thyerjen e klishesë që ka bërë Haxhiademi në zbulimin e së vërtetës në tragjedinë e Kainit dhe Abelit, duke përcaktuar fajet dhe padrejtësisë njerëzore që shpallen në emër të një trashëgimie zakonore.

Prof. dr. Laura Smaqi mbajti kumtesën “Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore”, për të vijuar dhe me të tjera kumtesa. /sot/ KultPlus.com

Leka Zogu I: Të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë në sjelljen e lirisë së fjalës dhe fesë në vendin e tyre të lindjes

Nga Aurenc Bebja, Francë – 28 Qershor 2021

The Daily Colonist, 3 qershor 1976, f.3

Ky njeri do të ishte Mbreti Leka i Shqipërisë nëse babai i tij, Mbreti Zog, nuk do të ishte përmbysur nga një regjim që përfundimisht u bë qeveria komuniste e një vendi të Evropës Qendrore. Leka, duke biseduar këtu me gruan e tij Susan në Peterborough, në Ontario., thotë se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë në sjelljen e lirisë së fjalës dhe fesë në vendin e tyre të lindjes.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-daily-colonist-1976-leka-zogu-i-te-gjithe-shqiptaret-duhet-te-ndihmojne-ne-sjelljen-e-lirise-se-fjales-dhe-fese-ne-vendin-e-tyre-te-lindjes/

Hapet ekspozita në kujtim të princit Philip

Një jetë përkrah Mbretëreshës Elizabeth, kjo është mënyra se si Princi Philip, i cili ndërroi jetë më 9 prill në moshën 99 vjeçare, kujtohet në një ekspozitë të dëshiruar fuqimisht nga sovrani britanik dhe e organizuar në Kështjellën Windsor.

Me titull “Prince Philip”, ekspozita e hapur nga sot deri më 20 shtator u organizua nga Royal Collection Trust.

Ajo paraqet para publikut pjesë të rralla nga koleksionet mbretërore, përfshirë veshjen ceremoniale dhe kurorën e mbajtur nga princi gjatë kurorëzimit të Elizabetës II në 1953.

Karrigia zyrtare e Filipit, e cila zakonisht gjendet në holl, është gjithashtu e ekspozuar, madje edhe tryeza e tij personale, të cilën ai e mori si një dhuratë martese nga Hekurudha Kanadeze e Paqësorit në 1947.

Por ka edhe disa sende mjaft të pazakonta, duke përfshirë një koke pendë dhuruar Dukës së Edinburgut nga fiset vendase kanadeze dhe një ftohës ekstravagant të verës në formën e një karkaleci gjigand, dhuratë e presidentit, Georges Pompidou gjatë një vizite shtetërore në Francë në 1972. /atsh/ KultPlus.com

Hapet zemra e restauruar e Koloseut

Tani vetë zemra e Koloseut, një sistem nëntokësor tunelesh dhe dhomash ku mbaheshin të burgosurit, kafshët dhe gladiatorët përpara se të hynin në arenë, u hap për publikun pas rinovimit të bërë me financimin e prodhuesit të këpucëve “Tod’s”.

Koloseu është unik… restaurimi i tij sjell në qendër të vëmendjes një monument që dashurohet nga e gjithë bota“, thotë kryetari i “Tod’s”, Diegodella Valle.

I ndërtuar 2,000 vjet më parë, arena e gurtë ishte amfiteatri më i madh i perandorisë romake. Sot është vendi më popullor turistik që përpara pandemisë së koronavirusit tërhiqte deri në 7.6 milionë vizitorë. Amfiteatri ka 70,000 vende dhe në të janë zhvilluar ndeshjet e gladiatorëve, kryer ekzekutime dhe lojëra me kafshë. Mund të mbushej edhe me ujë në rast lufte.

Puna për restaurimin e tuneleve nëntokësore poshtë arenës, të njohur edhe si hypogea, zgjati dy vjet dhe mbi 80 vetë të përfshirë si arkeologë, arkitektë dhe inxhinierë.

Mbi arenën është hapur edhe një vendkalim për vizitorët, 160 metra i gjatë.

Tani ka përfunduar faza e dytë e një procesi me tre faza restaurimi që filloi tetë vjet më parë, ku gjiganti i modës “Tod’s” dha 25 milionë Euro. Koloseu është vetëm një prej monumenteve që po restaurohen me kontributin e formave të mallrave luksoze.

Është shumë e rëndësishme që kompanitë të japin kontributin e tyre për vendin. Koloseu është monumenti më i rëndësishëm i Italisë, i njohur në mbarë botën, i rëndësishëm për turizmin, jo vetëm një vend për argëtim, por edhe për biznesin e vendit“, thotë Della Valle.

Sipërmarrësi që ka financuar edhe restaurimin e teatrit “La Scala” të Milanos, u bëri thirrje sipërmarrësve të tjerë të ndjekin me shpejtësi shembullin e tij. / Gazeta Express / KultPlus.com

Thirrje për audicion për filmin ‘Bota jonë’ nën regjinë e Luana Bajramit

Për filmin me metrazh të gjatë të regjisores Luana Bajrami, i titulluar ‘’Bota jonë’’, është hapur një thirrje për audicion për gjithsej shtatë role kryesore, përcjellë KultPlus.

Kriteri për pjesëmarrjen në këtë film, përfshin katër ferma dhe tre meshkuj, duke filluar nga mosha 18 vjeçare deri në 30 vjeç.

Për të interesuarit, fotot mund t’i dërgoni fotot dhe videon e prezantimit në këtë email: [email protected] / KultPlus.com

A do të ishte një yll Hollivudi aktorja shqiptare?

Është ndër aktoret më të diskutuara, për bukurinë e saj. Me t’u shfqur në ekran, regjisorët panë tek ajo, mishërimin e një femre të bukur, inteligjente, të kujdesshme ndaj kritikave dhe të apasionuar pas punës. Kinemasë shqiptare do t’i shtohej kështu edhe një tjetër emër-simbol i bukurisë, origjinalitetit dhe talentit.

Rajmonda Bulku lindi në Tiranë, më 16 gusht 1958. Kur ishte gjimnaziste e vitit të të tretë, më 1976-ën, ajo do të deputonte për herë të parë në kinema, në filmin “Dimri i fundit”, me rolin e një vajze e cila, së bashku me gratë e tjera të fshatit u vijnë në në ndihmë luftëtarëve për lirinë e Shqipërisë. Filmi, do të vlerësohej në Festivalin II te Filmit.

Pas shkolles se mesme, nis punën si montazhiere në Kinostudion “Shqiperia e Re” e më pas, fillon studimet pranë Institutit të Larte të Arteve, ku diplomohet në degën e dramës, në vitin 1985, po ne Tirane. Menjëherë pas diplomitit, emërohet aktore pranë Teatrit Kombëtar. Në skenën e teatrit, ajo ka luajtur disa role madje edhe kryesore, por Rajmonda Bulku u bë e njohur përmes kinemasë.

Me një karrierë prej thuajse dy dekadash në teatër, kujtojmë shfaqjet : “Vdekja e një komisioneri” në rolin e Letës; “Pallati 176” rolin e Irenës; “Unë dhe Melistofeli” në rolin e Margaritës; “Kati i 6-shte” si Irena; sërish Irena tek “Zgjimi”; Magjia e madhe”; si Marigoja në “Motrat”; si Sano në komedinë ”Në katin e dytë është parajsa”; Zehrjaja në dramën “Hijet e natës” etj.

Falë bukurisë, hijëshise fizike, sinqeriteti dhe vërtetësia, gjithashtu edhe aftësia aktoriale kanë bërë që Raimonda Bulku, të bëhet e njohur më shumë në ekranin e madh, e cila interpreton plot 20 role dhe madje, disa prej tyre edhe kryesore. Dy vjet më vonë mbas deputimit, në vitin 1978 spikat në “Nusja dhe shtetërrethimi”, falë komunikimit tëntë në rolin e nuses, nëpërmjet syve, mimikës dhe qetësisë së brendshme.

Në vitin 1984, me rolin e Jonës, në filmin “Duaje emrin tënd”, fiton Kupën e Festivalit V të Filmit Shqiptar. Një rol me një prirje të qartë psikologjike, ku përvuajtja ndaj një dashurie të pamerituar u përjetua thellë dhe me sinqeritet prej aktores.

Ndryshe nga roli i mësipërm, ku është më pranë specifikës së lojës në artin e kinematografisë, tek Magda në filmin “Vitet e pritjes” (1990), me të cilën u nderua me çmimin e parë në Festivalin IX të Filmit, ajo spikati me lojën aktoriale të tipit teatral, duke shpalosur anët dramatike, falë një lojë të fortë të brendshme psikologjike. Ndërsa në “Vdekja e kalit”, në rolin e Merit, aktorja shfaqet ndryshe: me rolin dhe puthjen që bëri bujë për kohën, ajo shafqi njëherësh tonet e buta dhe të brishta të një gruaje, të dashuruar, por fatkeqe.

Midis dhimbjes , ankthit të fshehur, ndjesisë së fajit dhe viktimizimit, ajo e interpreton rolin e vështirë të Dianës, në filmin “Të paftuarit” (1985), përkrah profesorit të saj, aktorit të shquar Vangjush Furrxhi, rol me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit VII të Filmit.

Në teatër, ajo interpretoi disa role të ndryshme, por jo në nivelin e suksesit në ekran, për shkak të përshtatshmërisë më të madhe me filmin, si zërin e ngrohtë, portretin e bukur, aftësine e përshtatjes me kamerën, për t`u shfaqur sa më e vërtete dhe e drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, në skenën e teatrit, Bulku ka interpretuar personazhe të vështira dhe me peshë psikologjike, si dhe me një sens shpotitës e sarkastik, sikurse ai i hyjneshës Athina, në shfaqjen “Stinë e mërzitshme në Olimp”, ne vitin 2002, dramë nga Ismail Kadare. Paksimi i ofertave nga kinemaja e bëjnë që t’i përkushtohet më shumë teatrit dhe një ndër rolet më të arrira të teatrit, për Rajmonda Bulkun është realizuar në vitin 2004, me dramen “Pjata e drunjtë” nga Morison, ku ajo spikat me interpretimin, duke pasur përkrah aktorin e madhtë skenës dhe akranit, siç ishte “Artisti i Popullit”, Sulejman Pitarka.

Paralelisht ajo ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë shumë role në Teatrin Kombëtar, në Tiranë. Ne vitet 2009-2013 u zgjodh deputete e Partise Demokratike në Parlamentin shqiptar. Pas politikës, ajo i është kthyer sërish pasionit të saj të përhershëm, aktrimit, sërish me disa role në skenën e Teatrit Kombëtar.

Me këtë rol, ajo gjithashtu fitoi çmimin e parë në festivalin e teatrove “Talia”, në vitin 2005, në Dibër, Maqedonisë. Po këtë vit, luan rolin e nënës në dramën e Vedat Kokones “Hijet e natës”. Në vitin 2006, vazhdon në teatër me një rol tjetër, atë të Aidës, në “Korbi i bardhë”, të Mihallaq Luarasit, ku bie në sy përpjekja për të krjuar karaktere të vërteta njerëzore, duke nxjerre në pah, tek e para, anën humane të personazhit dhe në radhë të dytë, atë tronditjen shpirtërore të gruas se dashuruar. Me një tjetër rol, atë të gruas në komedinë “Burri i gruas time”, ajo e thyen formatin e roleve të natyrës dramatike, duke hyrë në një hapësirë të re interpretative./konica.al/KultPlus.com

Dua Lipa si fëmijë (FOTO)

Dua Lipa është një nga këngëtaret shqiptare që ka arritur një sukses të madh edhe në skena botërore, shkruan KultPlus.

Këngëtarja krahas projekteve muzikore është mjaft aktive edhe në rrjete sociale ku krahas sukseseve të shumta, ndanë fotografi edhe nga jeta e saj e përditshme.

Në një postim të bërë së fundmi në Instgram ajo ka publikuar edhe disa fotografi kur ajo ishte më e re.

Ajo se çka vërehet në këto foto është fakti se Lipa nuk ka ndryshuar shumë që nga koha kur ishte fëmijë e deri më sot./ KultPlus.com

Aktori Joseph Gordon Levitt po planifikon një projekt të ri në Shqipëri

Projekti i radhës i Joseph Gordon-Levitt përfshin ndër të tjera edhe Shqipërinë.

“Përshëndetje, miq në Shqipëri!” Po kërkoj foto të bukura të Shqipërisë për një projekt të ri”, ka shkruar ai në Facebook.

Aktori ka bashkëngjitur edhe një link të HitRecord, një platformë e themeluar nga ai, e cila ka si synim të prodhojë projekte të tilla si filma të shkurtër, video, libra etj.

HitRecord funksionon si platformë në internet për artistët dhe njerëzit e tjerë që të punojnë së bashku, duke përdorur kontributet e njëri-tjetrit për të krijuar gjëra.

Nëse një projekt fiton të ardhura, kontribuesit paguhen në bazë të punës që kanë në projektin përfundimtar.

Aktori ka dhënë pak detaje për projektin që përfshin edhe Shqipërinë, por sidoqoftë, njerëzit kanë nisur të postojnë foto. HitRecords mund të shkarkohet edhe si aplikacion./ KultPlus.com

Mbrëmje letrare- artistike për Gani Mehmetajn, fitues i çmimit “Kadare” 2021

Këtë të martë do të mbahet mbrëmja letrare-artistike që do ti kushtohet veprimtarisë së shkrimtarit dhe publicistit, Gani Mehmetaj, shkruan KultPlus.

Mbrëmja letrare-artistike me Gani Mehmetajn, do të mbahet më 29 qershor, në hotel Sirius në Prishtinë me fillim nga ora 19:00.

Në mbrëmjen artistike ku do të ketë pika muzikore, të ekzekutuara me piano, kanë paralajmëruar ardhjen shkrimtarë, artistë dhe publicistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndër të cilët Preç Zogaj, Henri Çili dhe Loer Kume, që mori çmimin “Kadare” për vitin 2019.  

Me piano ekzekuton dhe këndon Arbërie Krasniqi. 

Gani Mehmetaj mori çmimin “Kadare” 2021 për dorëshkrimin e romanit “Zogjtë e qyqes”, nga Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fondacioni “Gramoz Pashko”, ndërsa e botoi UETPRES, Tiranë.  Është autor i 26 veprave letrare, kinematografike, publicistike dhe skenarëve të filmit. / KultPlus.com

Viola von Cramon viziton monumentet kulturore të Prizrenit

Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.

Cramon këtë vizitë e bëri nën shoqërimin e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku me të cilët vizitoi edhe shumë monumente të trashëgimisë kulturore në këtë vend.

Von Cramon tha se është e nderuar që vizitoi këtë vend, ndërsa shpresoi të mos jetë vizita e fundit atje.

“Faleminderit për ditën interesante në Prizren. Ishte një nder i madh për mua të isha mysafire juaja dhe të vizitoja trashëgiminë kulturore të Kosovës së bashku me kryetarin e qytetit Haskuka dhe Ministrin e Kosovës për Kulturë, Çeku. Shpresoj të kthehem së shpejti. Vend i shkëlqyeshëm për jetën multietnike”, shkroi von Cramon në rrjetin social Twitter./ KultPlus.com

Sot hangra hudër

Nga Plator Gashi

sot hangra hudër.
shoku mbramë më tha mos me porositë tarator n’akçihane
se zaten dobësohen gjasat që m’begenisë ajo çika që na grishi për raki, po s’kish qenë puna te hudra —
tekembramja e zuna veshin, me shije shollomotke në gojë, tu mendu për tarator.

sot hangra hudër, të trazume në taratorin
që u çova me e ba kastile (edhe me pak inat) n’ferk t’sabahut.
gjysën e fshiva e pjesa tjetër i mbet nanës,
ose cilitdo nafakli që ka hy në kuzhinë mbas meje.

kur dola në shehër (tu kundërmu aq fort
sa s’la pa ma përmend as taksisti),
shoqja e ngushtë më zuni n’gushë
e m’veti për punë, gjumë, dhimbje, dëshpërime, vese e andrra,
po për hudër s’erdh fjala.

sot hangra hudër edhe, siç ndodh shpeshherë mbas buke,
u frymëzova me shkru;
me e saju ndonji analogji të brishtë
për jetën
për marrëdhaniet midis njerëzish
sa me u bindë gjoja për ekzistencën
e nji koherence e vazhdimësie në kët’ alem.

sot hangra hudër
sepse të gjithëve dikur na vjen rendi
me i mbllaçitë do hudra të figurshme
(që kemi vendosë se na i kanda)
e me dalë me u marrë me taksista,
me jabanxhi që na ftojnë për raki,
e me ojnat e njerëzve të tjerë —
tu e bajtë në shpatulla frikën
se po ia çartim qefin kujt.

po shija e taratorit, bac,
e gusha e ngrohtë e jaranisë së fortë
i shndërron thelbat e hudrës
në gonxhe të çeluna zymbylash./ KultPlus.com

‘Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë’

Disa thënie brilante nga Oscar Wilde

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.

Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.

I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.

Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër.

Në vitin 2007 Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.

Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij, shumica e të cilave “Tirana Observer” i ka përzgjedhur nga këto vepra.

Disa thënie nga Oscar Wilde

1- Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë

2- Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.

3- Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.

4- Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.

5- Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.

5- Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.

7- Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.

7- S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.

9- Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë

10 – Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

11- Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.

12- Ai që s’di të mësojë, jep mend

13 – Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.

14- Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.

15- Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.

16- Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.

17- Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.

18- Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.

19- E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.

20- Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.

21- Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.

22- Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.

23- Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.

24- Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë

25- Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.

26- Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.

27- Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.

28- Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.

29- Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.

30- Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.

31- Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme. / KultPlus.com

Malet e Sharrit, priten të shndërrohen në një park kombëtar

Pas dekadash të shfrytëzuara nga druvarët, një zonë e gjerë, ndërkufitare me bukuri që të lë pa frymë në Ballkan me qendër në Malin Sharr mund të bëhet një park kombëtar, një nga më të mëdhenjtë në Evropë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të kalojë së shpejti një projekt-ligj që i jep Malit Sharr atë status. Sipërfaqja prej mbi 240,000 hektarë që shtrihet përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është një thesar i bukurisë natyrore dhe jetës së egër të larmishme dhe unike.

Mali Sharr ka 37 liqene akullnajore, 25 prej të cilave në Maqedoninë e Veriut dhe pjesa tjetër në Kosovë, të cilat shkëlqen në shpatet e malit si një mori sysh të gjelbër-gri që skanojnë qiellin.

Veçanërisht mbresëlënëse është biodiversiteti i rajonit, i cili numëron 200 specie bimësh endemike, 167 lloje fluturash, 12 amfibësh, 18 zvarranikësh, 130 zogjsh dhe 45 gjitarë. Kjo është pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të specieve gjitare në Maqedoninë e Veriut.

Por idili në Brezin e Gjelbër të Ballkanit është rrezikuar për vite me rradhë.

Dekadat e prerjeve ilegale të pyjeve kanë lënë peizazhe të dëmtuara nga erozioni, veçanërisht në shpatet e ulëta të malit Sharr, të cilat vendasit i kanë përdorur për bujqësi falas, gjueti, karburant dhe lëndë drusore.

Gjatë dy dekadave të fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur rreth 40,000 hektarë pyll nga prerjet e paligjshme, thonë autoritetet.

Anela Stavrevska-Panajotova, një eksperte e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, thotë se vendi po dëshmon “një mundësi historike, pas 60 vjetësh, për të pasur një park të ri kombëtar, i cili është pjesa që mungon për zonat e mbrojtura në Ballkan”.

“Së bashku me zonat e tjera të mbrojtura në vendet e tjera fqinje, ne do të kemi zonën më të madhe të mbrojtur ndërkufitare në të gjithë Evropën. Dhe ne jemi shumë krenarë për këtë!” tha ajo.

Që nga viti 1994, autoritetet janë përpjekur të mbrojnë mbi 62,000 hektarë të Malit Sharr në Maqedoninë e Veriut nga shkatërrimet e mëtejshme. Parku do të ndahet në katër zona./ KultPlus.com

‘Dalin dy-tre horra të vrasin, për hiçgjë, për treqind lekë’

Në qytetin tim
Poezi nga Dritëro Agolli

I themi njëri-tjetrit “mirëupafshim”,
po s’dihet nëse shihemi vërtet;
na dalin dy-tre horra dhe na vrasin
dhe lamtumirë, ti qytet.
Të vrasin për hiçgjë, për treqind lekë,
me to mjafton të pihet një konjak
me ku***t në një klub a diskotekë,
ndaj “mirupafshim” s’vlen aspak.
1996/ KultPlus.com

Kolonia artistike ‘Art Camp’ fillon sonte edicionin e tretë në malet e Sllupçanit, bën bashkë artistë nga rajoni e bota

Në malin e fshatit Sllupçan, për të tretin vit me radhë arti dhe artistët do të bëhen një me natyrën, shkruan KultPlus.

Kolonia artistike ‘Art Camp’ ka filluar edicionin e saj të tretë sot, në malet e Likovës dhe do të zgjasë deri të martën e 29 qershorit, ku pikërisht në ketë ditë do të hapet edhe ekspozita e artistëve pjesëmarrës, që do të jetë e hapur për të gjithë të pranishmit.

Njëzet e shtatë artistët pjesëmarrës të këtij edicioni vijnë nga vende të ndryshme si Kosova, Maqedonia Veriore, Shqipëria, Ukraina e Gjermania.

Ndërkaq të ftuar special të këtij edicioni janë Reshat Ahmeti, Miftar Ahmeti, Osman Demiri dhe Xhelil Rufati.

Më poshtë artistët pjesëmarrës dhe agjendën e plotë të kolonisë artistike./ KultPlus.com

“Kthehu prapë në ëndrrat e mia, kthehu ti ashtu si dikur…”

Eliza Hoxha është një nga këngëtaret që me zërin e veçantinë e saj artistike ka prekur publikun me mjaft shumë këngë, disa prej tyre arrijnë të depërtojnë tek publiku edhe pasi që ka kaluar më shumë se një dekadë nga krijimi i tyre, shkruan KultPlus.

“Kthehu” është një nga këngët identifikuese të saj që shpalos ngjyrën e veçantë të zërit e interpretimin.

KultPlus sot e sjellë si retrospektivë këtë këngë me tekst e interpretim të Eliza Hoxhës.

E kërkoj fytyrën tënde,
t’kem pranë vetes mu si kur atëherë!
I kërkoj buzët e tua,
T’i kam afër veç edhe një herë!
I kërkoj unë sytë e shkruar,
t’më përcjellin si dikur nga pas!
E kërkoj dhe dorën tënde,
t’më ledhatoj pa ndalur ne çdo qast!

Ref:
Kthehu prapë në ëndrrat e mija!
Kthehu ti ashtu si dikur nga pas
Kthema prapë veç edhe njëherë ti mua lumturinë,
s’do te lë më kurrë.

Kërkoj që koha të ec prapa,
të më sjell edhe një here tek ti!
Të filloj prapë nga e para,
të vërtetë ta bëj këtë fantazi!

Ref:
Kthehu prapë në ëndrrat e mija!
Kthehu ti ashtu si dikur nga pas
Kthema prapë veç edhe njëherë ti mua lumturinë,
s’do te le me kurrë./ KultPlus.com

Kreacioni i Lia Stubllës në ballinën e revistës prestigjioze të modës

Lia Stublla vazhdon të ketë suksese edhe në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Së fundmi kreacioni i saj ka zënë ballinën e revistës prestigjioze të modës ‘Bazzar’.

I veshur nga artistja Iggy Azala, fustani ngjyrë kuqe i dizajneres kosovare, është bërë e shënimit të 10 vjetorit të kësaj reviste.

Lajmin e ka dhënë vet Stublla në një postim në Facebook ku ka shkruar se pas 10 vitesh punë të palodhshme ka arritur që jetë në kopër inën e kësaj magazine.

“Pas 10 vitesh punë të palodhshme arrita të jem në kopertinën e 10 vjetorit të revistës më prestigjioze të modës në botë me të mrekullueshmen Iggy Azalea. Faleminderit @harpeersbazaar ishte kënaqësi”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com

“1 mbi 1 dritaret”, Festivali Kombëtar për fëmijë çel siparin në Berat

Festivali Kombëtar i Teatrit për fëmijë, që po zhvillohet në qytetin e Beratit çeli mbrëmjen e djeshme siparin me trupën teatrore të Durrësit.

Artdashësit  e vegjël beratas, të shoqëruar nga prindërit e tyre duartrokitën në natën e parë artistët e teatrit të Durrësit, të cilët sollën një performancë të magjishme.

Mbrëmjen e sotme në këtë festival do të jenë fëmijët e qytetit të Vlorës, në 28 qershor
fëmijët e Elbasanit, në 29 të Gjirokastrës, në 30 të Korçës dhe në 1 korrik fëmijët e Beratit.

Kjo risi që sjell qyteti i Beratit bën të mundur edukimin e fëmijëve nëpërmjet teatrit, duke shkëmbyer kështu kulturën dhe traditat. Kështu për herë të parë organizohet Festivali Kombëtar i Teatrit për fëmijë, “1 mbi 1 dritaret”, i cili do të zhvillohet në datat 26 qershor- 1 korrik.

Bashkia e Beratit, nën kujdesin e kryetarit Ervin Demo ka marrë iniciativën e zhvillimit të shfaqjes më të madhe teatrale me qëllim promovimin e qyteteve shqiptare, ka prezantuar “Berati, qyteti i fëmijëve”./atsh/KultPlus.com

Në mundsh…

Poezi nga Rudyard Kipling.
Përktheu Robert Shvarc

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!/ KultPlus.com

Gjakovarët kundërshtojnë rikthimin e banorëve serbë, Qerkezi: Ajo ka punu në SUP

Në komunën e Gjakovës është tensionuar situata për shkak se familjarët e të zhdukurve janë të pakënaqur me vendimin e pushtetit komunal, i cili ka ofruar strehimin e një shtetase serbe.

Familjarët po e kontestojnë këtë vendim, ngase, sipas tyre, gruaja në fjalë ishte pjesë e organeve të dhunshme të Serbisë gjatë vitit 1999.

Madje të hënën është paralajmëruar të zhvillohet edhe një protestë në ora 11:00.

Ferdonije Qerkezi ka kërkuar nga qytetarët e Gjakovës të protestojnë nesër para objektit në të cilin është vendosur shtetasja serbe. Ajo ka thënë se sigurimi i pronës komunale nga pushteti për vendosjen e serbes është i papranueshëm.

“Turp për Komunën që ja ka mundësuar me ardhë me jetu në Gjakovë. Ajo kish punu në SUP (policinë serbe)  dhe i ka dyert e përlyemë sikur vëllezërit dhe motrat e saj. Kështu që, ditën e hënë do të zhvillojmë protesta nga ora 11 dhe do të nisemi nga shtëpia muze deri te banesa ku po qëndron ajo” ka thënë ajo për Syrin.

Trupat serbe në vitin 1999 kishin kryer masakra të mëdha në komunën e Gjakovës, madje kishin përdorur edhe metodën e zhdukjes së qytetarëve. Ferdonije Qerkezit i ishin marrë me forcë katër djem dhe burri dhe nga atëherë, ajo nuk di asgjë për fatin e tyre.

Ndërkaq edhe subjektet politike në këtë komunë janë duke trajtuar këtë çështje dhe kanë shprehur edhe qëndrimet e tyre.  

Dega e Alternativës në Gjakovë ka hedhur akuza ndaj komunës e cila drejtohet nga kryetari, Ardian Gjini, se pa konsultim me organet e rendit janë angazhuar dhe kanë mundësuar kthimin e shtetases serbe.  

“Ende më shqetësuese është angazhimi i Komunës së Gjakovës në përgatitjen e banesës, pronë të cilën e posedon komuna, pa asnjë konsultim paraprak me organet e rendit dhe ato të sigurisë, si dhe heshtja e komunës dhe kryetarit të saj në marrjen e përgjegjësisë, tashmë kur situata ka krijuar pakënaqësi në masë.”

“Me çfarë procedura ligjore Dragica Gashiq është vendosur në pronën komunale kur dihet se legjislacioni në fuqi parasheh hapjen e procedurave të ankandit publik për shfrytëzimin e pronës komunale, derisa presim përgjigje nga Kuvendi Komunal i Gjakovës si autoriteti i vetëm përgjegjës, thuhet në reagimin e Alternativës”, thuhet në reagimin e tyre./ KultPlus.com

“Stolat letrar” një homazh kushtuar poetëve arbëresh në Greci

Një nismë e bukur është finalizuar së fundmi në katundin arbëresh Greci, ku në hapësirën publike të qytetit janë vendosur “Stolat letrar”, një kënd ku të pasionuarit e letërsisë, dhe jo vetëm mund të ulen për të lexuar një libër.

Kjo iniciativë është një homazh për punën e misionarit dhe poetit arbëresh At Leonardo De Martino  në “Harpa e një Italo-Shqiptari” dhe shkrimtares Alda Merini në “Në krahët e tu” si dhe shtë recitali shëtitës krijuar nga artisti Matteo Fratarcangeli, “Komedia Hyjnore në 100 fshatra”.

Një nismë e bukur është finalizuar së fundmi në katundin arbëresh Greci, ku në hapësirën publike të qytetit janë vendosur “Stolat letrar”, një kënd ku të pasionuarit e letërsisë, dhe jo vetëm mund të ulen për të lexuar një libër.

Kjo iniciativë është një homazh për punën e misionarit dhe poetit arbëresh At Leonardo De Martino  në “Harpa e një Italo-Shqiptari” dhe shkrimtares Alda Merini në “Në krahët e tu” si dhe shtë recitali shëtitës krijuar nga artisti Matteo Fratarcangeli, “Komedia Hyjnore në 100 fshatra”./KultPlus.com

Roza Anagnosti, vajza që u bë një nga ikonat e artit tonë skenik

Foto e rinisë, dëshmimi në celuloid i një kohe pa kthim, aradha e vajzës që sfidoi me talent dhe kumtin interpretues që spikat, janë tërësorja e një kujtese dhe urimi, sot në ditëlindjen e Roza Anagnostit.

Vajza që nuk u mjaftua vetëm me privilegjin e natyrës, por kërkoi që këtë lëndë të nyjshme ta shndërronte në formatin e një identiteti artistik që në kohëpaskohje erdhi duke konsoliduar, për t’u bërë një nga emblemat e artit tonë skenik. Parakalim në ndërmendjen fotografike të rinisë së Roza (Xhuxha) Anagnosti, i bukurisë së kristaltë të shkodranes që u bë një nga ikonat e artit tonë skenik, është një cytje në kohë e një bukurie dhe një shkasi që rrjedhimisht solli ambicien dhe triumfet skenike.

Ishte dhe mbeti e bukur, si në fotografi, në skenë dhe në përditshmërinë e vajzës së dlirë dhe gruas së përkorë, aktores së talentuar dhe bashkëshortes së dinjitetshme të një regjisori të madh. Luftoi, u përpoq, sfidoi dhe arriti, i’a dorëzoi veten një karriere të suksesshme skenike dhe kinematografike.

Ajo është një hir që edhe sot pas 77 vitesh nuk ka mundur mosha ta zbresë nga piedestali, edhe pse ka lejuar që vitet të rishkruajnë në dritat e një skalitjeje fryme, portretin e Rozës artiste.Për një njohje më të themeltë të aktores kam huajtur sikurse fotot edhe një nga teksti i mikut tim, Xhahid Bushati të botuar në shqiptarja.com më 1 shtator 2019.

Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur, më 27.10.1943, në Tiranë. I ati qe oficer karriere, ndërsa e ëma shtëpiake. Pas vitit 1944, familja Xhuxha vjen të jetojë në Shkodër. Në këtë qytet jetonte familja e gjyshit nga nëna. Në Shkodër, Roza përfundoi shkollën fillore, më pas të mesmen, shënon Bushati.Që e vogël shquhej si këngëtare dhe balerinë, të cilat do të rrezatonin në vitet që do të vinin.

Ajo është mirënjohëse për jetë mësuesve të palodhur, si: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi (në Shtëpinë e Pionierit); kompozitorit Prenkë Jakova (në Shtëpinë e Kulturës). Në kujtimet e saj, Roza shkruan: “… më cilësuan si një vajzë me talent në të ardhmen, ndonëse, më pas ëndrrat nuk i pata të lehta”, vijon ai.Dënimi i të atit, përjashtimi nga Liceu do të ishin tragjike për jetën e Rozës, e cila donte të bëhej artiste dhe kishte plot ëndrra. Mbi të, nënën dhe motrën do të rëndonin varfëria dhe pasojat e luftës së klasave. Roza vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”.

Në të njëjtën kohë jepte dhe provimet me korrespondencë në Liceun Artistik (dega e artit dramatik). Në vitin 1965 diplomohet. Një rreze drite e ftoi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Bëhej fjalë për vitin 1958, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme. E ftojnë në premierën e parë të teatrit të estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik, në pjesën “Kunora e Nurijes” e dramaturgut Kolë Jakova, me regji të Lec Shllakut.

Në vitin 1961 babai i Rozës lirohet nga burgu. Artistja Xhuxha (Anagnosti) përveç skenës teatrore, pushton dhe ekranin. Ajo interpretoi plot role që shkëlqejnë në panteonin e teatrit dhe filmit shqiptar, por rrugëtimin e saj artistik që e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nuk do ta harrojë… Dhe mirënjohjen Roza nuk e harroi.

Pas shumë e shumë vitesh ajo erdhi për të lënë “dëshminë” e saj përmes arkivit të pasur e lavdiplotë.Duke kujtuar filmin, Roza rrëfen përsëri: “Bashkëpunimi im i parë me regjisorin Hysen Hakani është në filmin ‘Toka jonë”. Ai mbetet në kujtesën time shumë i veçantë. Në këtë film Dhimitri ishte operator. Në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin. Më pas krijuam dhe familjen tonë.

Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Për mua ai ishte një rol shumë i bukur. Më pëlqente shumë. Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës. Në ato vite kishim shumë pak regjisorë. Në fillim kam xhiruar filmin “Detyrë e posaçme” me regjisorin Kristaq Dhamo. Më pas kam xhiruar me regjisorin Hysen Hakani, për të vijuar me xhirime me Viktorin dhe Dhimitrin, e në vijim filma të tjerë. …

Po kujtoj një rol tjetër, atë të Files. Roli i Files ishte një karakter shumë i veçantë dhe, unë, pasi bëra kinoprovën, fitova. Në këtë film interpretonte ajka e aktorëve shqiptarë. Përmend këtu aktoren Tinka Kurti që ishte fantastike dhe unë e ëndërroja në atë kohë. Në kohën kur u xhirua filmi isha vetëm 19 vjeçe. … Në atë vit, kur unë kam bashkëpunuar me regjisorin Hysen Hakani isha aktore në teatrin e qytetit të Shkodrës. Ai më kishte parë në teatër dhe më ftoi të bëja një kinoprovë… Filmi “Ndërgjegjja” ishte i këndshëm. Në këtë film isha në rolin e një mësueseje të re. Në film kishte skena dashurie të kohës së atëhershme, kishte romantizëm. Përderisa regjisori Hysen Hakani më mori sërish të interpretoja, besoj se kishte mbetur i kënaqur nga unë në këtë film.”Rolet…Roza (Xhuxha) Anagnosti vazhdon të ngjit shkallët e teatrit “Migjeni”.

Kalon korridorin dhe i afrohet skenës…, skenës së njohur. Si një imazh, që papritur bëhet real e përmallues, nga arkivi që ka pranë vetes “zgjohen” personazhet që interpretoi… Roza “dorëzohet”… dhe kujton interpretimet në vite, si te: “Dy binjakët Venecianë” (11.01.1959, në rolin e Kolombinës –dublante), “Kunora e Nurijes” (15.03.1959, në rolin e Nurijes, dublante me Tinka Kurtin. Roza këtë rol e ka luajtur 63 herë, kurse Tinka e ka luajtur 19 herë), “Trumpetjerja” (15.07.1959, roli: Zoja Paramanova), “Maskat” (02.07.1960, në rolin e Martës), “Nora” (28.12.1960, në rolin e Norës), “Histori irkutase” (05.04.1961, Zinka), “Gjuetarët e ujqërve” (21.06.1961, Barbulla), “Këneta” (06.11.1961, R. Mushi), “Mësuesja” (07.03.1962, Mësuesja), “Bileta e llotarisë” (09.05.1963, Burbuqja), “Përtej pragut” (27.05.1964, Fata), përfundon Xhahid Bushati.Ky panoramim njohës është një vlerë trashëguese e thesareve të gjalla të artit tonë skenik dhe i personalitetit interpretues dhe njerëzor të Roza Anagnostit. Kujtesa na ysht në mirënjohje për çfarë kjo aktore dha përmes kontributit të saj interpretues. /albertvataj/ KultPlus.com