Ngre siparin në Tiranë, festivali kulturor Shqipëri-Izrael 2021.
Muzikë, kërcime ritmike, tinguj të papërsëdytshëm erdhën në sheshin ”Nënë Tereza” nga Klezmer Orchestra, në këtë natë hareje që shënoi fillimin e kremtimit të shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve.
Mbrëmja e djeshme u çel me përshëndetjet e dy anëtarëve të Bordit Honorifik të Festivalit, Avital Leibovich, drejtore e Komitetit Hebre Amerikan (American Jewish Committee) në Jeruzalem dhe të drejtorit të Rabinatit të Shqipërisë, Rabinit Yisroel Finman.
Në fjalën e saj nga Jeruzalemi, Leibovich e vuri theksin te potenciali i madh që mund të eksplorohet në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, duke filluar nga turizmi, teknologjia, marrëdhëniet midis njerëzve, biznesi, arsimi dhe akademia.
Në fjalën e saj hapëse, drejtorja artistike e Festivalit Almira Emiri, theksoi se kjo risi kulturore synon të shndërrohet në një event të përvitshëm dhe se ”frymëzimi i Festivalit është dëshira për të krijuar një platformë shkëmbimesh dhe vizibiliteti që përfaqëson një brand referencë të ekselencës artistike në Shqipëri dhe Ballkan.” Ajo nënvijëzoi se ”arti dhe kultura krijojnë lidhje të forta mes vendeve e popujve përmes urave të komunikimit që ato ndërtojnë dhe përmes kultivimit të njohjes e vlerësimit të ndërsjelltë.”
Ky event përkoi me performancën e parë në vendin tonë të Klezmer Orchestra nga Izraeli.
Zhanri muzikor Klezmer është një nga më të veçantët e kulturës hebraike dhe është një zhanër që ka përtypur shumë elementë nga tradita të tjera muzikore duke përfshirë atë otomane, muzikën baroke, vallet gjermanike dhe sllave, si dhe muzikën fetare hebraike. Klezmer Orchestra përbëhej nga drejtuesi i grupit Gershon Leizerson, nga Aria Shifman, David Wiesel, Itay Dayan, Regev Baruch, Yehuda Fogel.
Pjesë e mbrëmjes ishin dhe këngëtarja nga Kosova Vesa Smolica dhe Agron Peni Band, të cilët performuan një repertor këngësh shqiptare për publikun e gjerë të mbledhur në këtë atmosferë festive.
Më herët, si pjesë e Festivalit, u hap ekspozita me piktura ”Streha” e artistit të talentuar Arben Golemi – ekspozitë që do jetë e hapur te Muzeu Historik Kombëtar për publikun e gjerë shqiptar deri në datën 20 shtator. Leibovich, duke komentuar punimet e Golemit, u shpreh se arti i tij përcjell ”teknika unike dhe të ndryshueshme, të pakrahasueshme me asnjë stil tjetër”.
Festivali kulturor Shqipëri-Izrael mbështetet nga Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Jashtme e e Shqipërisë, Ambasada e Izraelit në Tiranë, si dhe Komiteti Hebre Amerikan dhe Kongresi Hebre Amerikan./atsh/KultPlus.com
“Memento Mori” është romani i Tobias Xhaxhiut që është botuar së fundi, i cili është thellë i kapur në mitet shqiptare, por që janë ngërthyer nën një shtrirje dhe shkëlqim të princërve evropianë. Xhaxhiu, në një intervistë për KultPlus ka treguar për romanin “Memento Mori”, që prej titullit e deri të thelbi i këtij romani, sikurse edhe për dorëshkrimet që tashmë është duke i përpunuar.
KultPlus: Do të ishte e rëndësishme që të zbërthehej shkurtas për audiencën e Kosovës – Prishtinës – titulli i romanit tuaj “Memento Mori”
Tobias Xhaxhiu: Postulati e ka gjenezën tek një zakon i veçantë i Romës antike. Thuhet se kur një gjeneral u kthye në qytet pas një triumfi në betejë, turma e priti plot ovacione e nderime, duke ia përkëdhelur kështu egon ushtarakut. Për ta shpëtuar nga krenaria e verbër dhe iluzionet e madhështisë, dikush pas tij i pëshpëriti në vesh frazën: «Respice post te. Hominem te memento« (” Vështroni pas vetes. Mos harroni se jeni veç një burrë “).
Doktrina ‘Memento mori’ më pas u bë e njohur në pikturën e krishterë të Kundër-Reformës në kontekstin tablove të trajtuara si “natyra të vdekura”. Shembulli më tipik është ai i një kafke të vendosur pranë luleve ose frutave të thara, shenja të dekadencës.
Në mesjetën e krishtere, që është dhe ambientimi kohor i këtij romani, perspektiva e vdekjes shërbente për të theksuar zbrazëtinë dhe përkohshmërinë e kënaqësive tokësore, luksit dhe ambicieve, dhe kësisoj, si një ftesë për të përqendruar mendimet e individit në perspektivën e jetës së përtejme, tipike për disiplinat asketike.
Madje dhe sot, shumë artistë kanë krijuar vepra kushtuar kësaj teme, përmes përfaqësimit simbolik, shpesh duke përdorur kafkën si alegori; përmendim: Damien Hirst, Marina Abramovic, Andy Warhol, Jean-Michel Basquiat, Paul Cézanne, Salvador Dalì, Frida Kahlo, Gustav Klimt e shumë të tjerë.
KultPlus: Kush është autori i librit – një sintagmë të përmbledhur për fizionominë e autorit të këtij libri?
Tobias Xhaxhiu: Pyetje interesante. Ç’është e vërteta, në një nga dialogët e romanit, Dritëveçuesi, entiteti i mbinatyrshëm që i mundëson Konstandin Progonit rikthimin në jetë, i pyetur nga ky i fundit se kush apo çfarë është, përgjigjet: “Më parë duhet të provoj se ekzistoj!”
Thënë kjo, do të thosha se Tobias Xhaxhiu është një shkrimtar i ri, fitues i Fondit për Letërsinë e Re nga Qendra Kombëtare e Librit në Shqipëri, autor i një drame për Teatër (Nimfea), ngjitur në skenë në 2014, dhe moderator/ autor i emisionit të kulturës, TOTEM (2020). Merret me kritikë filmi e libri. Ka studiuar në degën e Komunikimit dhe Dizajnit.
KultPlus: Çfarë qarkullon nëpër damarët ideofabular të librit tuaj? Kush janë këto figura historike në kontekstin e kohës gjersa autori i librit tuaj, jeton në oazën e një bibliotekarie të tërë, i qepur me gjilpërën e legjendës së Konstandinit, figurë mitologjike, e cila është filmuar, muratosur dhe kryqëzuar në dasmën e pritjeve të mëdha?
Tobias Xhaxhiu: Mitet i kam parë gjithnjë si fillesa e komunikimit abstrakt mes njerëzve, banketin e madh dhe arkaik të kulturës, ku gërshetohen filozofia, psikologjia, padija dhe emocionet më primitive. Në thelb, mitet kanë treguar gjithçka, por në shtresat e kuptimeve të tyre, gjithmonë mund të gjenden thesare të reja, të cilat çuditërisht përshtaten në shoqërinë njerëzore në çdo fazë të zhvillimit të saj.
Në rastin e Baladës së Konstandinit, ishte e rëndësishme për mua që ta trajtoja nocionin e Besës si një abstraksion filozofik dhe shpirtëror, një shkallë ndërgjegjeje te njeriu, që jeton jashtë botës materiale, në universin metafizik të ideve.
Përpos këtij qëndrimi autorial, një pikë tjetër ku do të ndalesha ishte trajtesa romanore e jetës në Arbrin mesjetar, larg klisheve dhe ndikimit obskurantist lindor në letrat dhe mendimin shqip.
Në dallim nga vargjet e Baladës, Konstandini im nuk është një bir katundi, por një pinjoll fisnikësh, i lëçitur dhe vizionar, të cilit s’i mungon asgjë nga shkëlqimi dhe madhështia e princërve evropianë, E tillë është familja e tij, i tillë është Lissusi, të tillë janë arbrit e mesjetës në faqet e ‘Memento Mori’.
Në vijim, ishte parësore për mua që ngjarja në roman t’i përshtatej përmasave botëpërmbysëse që mbart një episod epokal, siç është rikthimi i të vdekurit në jetë. Ndaj, përfshirja e skenës së kryqëzimit të Konstandinit në afërsi të qytetit të tij të lindjes, e krahasuar me historinë biblike, ishte për mua një mjet përforcues i gjenisë së mitit dhe një zgjedhje estetike, e cila do t’i jepte trillit një tjetër peshë.
Do ta cilësoja këtë roman si një projekt zbulese, një himn për një kulturë të humbur, në pritje për t’u rizbuluar,
KultPlus: Ka një numër të theksuar të personazheve që e ndjekin personazhin kryesor Konstandinin – kush është Konstandini yt në relacion me kohën, çfarë d.m.th. besë e dhënë, vdekje, mort apo ringjallje e besës – shpresës!?
Tobias Xhahxhiu: Në romanin tim, Konstandin Progoni është pinjolli i një Dere të madhe fisnikësh, që mbart mbi shpinë, peshën e rëndë të krimeve të babait. I munduar nga brenga të shumta mbi kuptimin e jetës dhe në kërkim të një mënyre për të shlyer këto faje të së shkuarës, ai bëhet pjesë e kryqëzatës së Papa Urbanos së II-të, me qellim çlirimin e Jerusalemit nga selxhukët.
Me t’u rikthyer në atdhe, ai kryqëzohet në një kodër pranë Lissusit (Lezha e sotme); atentat ky i menduat deri në detajet më perverse nga mendja e Andrea Kamonas dhe vëllezërve Diogjeni, bij të familjeve fisnike të asgjësuara nga Progonët në të shkuarën. Në çastet finale, ndërsa është duke dhënë frymën e fundit, para Konstandinit të kryqëzuar, shfaqet një qenie e mbinatyrshme, një entitet i mbiquajtur Dritëveçuesi.
Ky i fundit është simbol i baraspeshës mes së mirës dhe së keqes, idili i rendit natyror të gjërave. Dritëveçuesi sheh tek Konstandini një pasardhës të denjë të misionit të tij mbi këtë tokë, ndaj i jep mundësinë, përmes një unaze me mbishkrimin ‘Memento Mori’, që ai të rikthehet në jetë dhe të përmbushë misionin e tij për vënien e drejtësisë, dhe njëherësh, mbajtjen e besës së dhënë ndaj së ëmës, për të sjellë të motrën pranë saj, si në baladën e njohur.
Kështu, përmes kësaj unaze, Konstandini merr trajtën e një Krishti të Dytë: një figurë që thyen mitet e së pamundurës dhe përforcon idenë se premtimet e mëdha dhe fisnike nuk ka forcë që i thyen, madje as vetë vdekja.
Andrea Kamona, nga ana tjetër, është antagonisti kryesor i romanit, një jetim fisnik, familja e të cilit u asgjësua nga Progoni i Madh, babai i Konstandinit. Për vite ai ushqen një urrejtje të natyrshme për Konstandinin dhe bën çmos për të minuar fuqinë e Progonëve, duke i vrarë me pabesi dhe duke bashkëpunuar me forca të huaja. Në thelb, ai është një alter ego i errët i Konstandinit, gjithçka që ky i fundit refuzon të jetë.
KultPlus: Të ka shërbyer për dhuntinë tuaj ky libër, për të cilën ke ndarë një pjesë të mishit dhe gjakut përreth zemrës suaj – a do ta ndaje me qytetin dhe qytetarinë e Tiranës – me besën e Tregtarit të Venedikut!?
Tobias Xhaxhiu: Tregtari i Venedikut, markanti hebre Shajlok, kërkon 1 copë mish nga trupi i Antonit, huamarrësit të tij, në rast se ky i fundit nuk paguan në kohë detyrimin e 3000 dukateve të arit. Kjo është një marrëveshje makabre nga natyra, por e veshur me krenarinë e fjalës së dhënë. Në raport me jetën kulturore të Tiranës, di të them se i jam kushtuar këtij trilli me gjithë qenien time, jam lodhur dhe kënaqur me të dhe, njëkohësisht, jam rritur artistikisht.
KultPlus: Si do ta pikturoje portretin e librit tuaj, me cilat ngjyra, cila do të dominonte në relacion me gjumin dhe ëndrrat e qytetit ku ti flenë?
Tobias Xhaxhiu: Nëse ky libër do të qe një tablo, do ngjante me një skenë epike beteje mes engjëjsh e djajsh, një luftë e ndezur mes së mirës dhe së keqes, përgjakur nga e kuqja e Onufrit.
KultPlus: Kadarenë – e ke takuar ndonjëherë, nëse po, çfarë të ka thënë – nëse jo, e ke diku në rrugicat e librit tuaj frymëzimin e tij?
Tobias Xhaxhiu: Për fatin tim të mirë, këtë vit, munda të takoj shkrimtarin e madh. Të them të drejtën, teksa largohesha drejt banesës time me një taksi dhe, ndiqja shkrimtarin tek hynte në shtëpinë e tij, përjetova një ndjesi në kufijtë e surreales. Kur rritesh duke studiuar veprën e dikujt, që për ty është i largët sa një trup qiellor, ndjesia e të rrokurit duart me të është sikur ke shkelur mbi Hënë.
Për letërsinë shqipe, e re në moshë, e cila historikisht trashëgon një rrëfim gojor, por jo të shkruar, korpusi letrar i Kadaresë është si rruga Egnatia për shkrimtarët e tjerë. Për më tepër, si është ai i pari që shkroi një interpretim magjik të ‘Besës së Konstandinit’, në romanin policor “Kush e solli Doruntinën”.
Demetrus Erkolani, mercenari nga Kostandinopoja që thirret të zbardhë ringjalljen e Konstandinit në faqet e romanit tim, ka një aluzion të Kapiten Stresit në “Kush e solli Doruntinën”. Sidoqoftë, funksioni i këtij personazhi dhe shpirti i dy veprave janë krejtësisht të ndryshme dhe të largëta nga njëra -tjetra. Nëse kam mësuar diçka nga Kadareja, është mënyra origjinale dhe e guximshme e rrëfimit të realitetit, larg kornizave të provincializmit. Kjo është shume e rëndësishme.
KultPlus: Po shkruan diçka të re?
Tobias Xhaxhiu: Për momentin jam duke përpunuar një dorëshkrim të disa viteve më parë, të një natyre krejt të ndryshme nga “Memento Mori”. Bëhet fjalë për një roman atipik për adoleshentë dhe të rritur, që pleks botën e njerëzve me atë të përrallave më të njohura. Ju jap “besën” se do të jetë diçka ndryshe. Në vijim, jam duke punuar dhe për një triller të ambientuar në ditët e pandemisë, por si thonë: çdo gjë në kohë të vet!/ KultPlus.com
E di që po e lexon këtë poezi vonë, para se të lësh zyrën tënde me të vetmen llampë të verdhë dhe një dritare që nxin në plogështinë e një ndërtese të zhytur në qeti kur ora e pikut ka kaluar me kohë. E di që po e lexon këtë poezi në këmbë, në një librari larg oqeanit në një ditë të hirtë fillim pranvere, flokë të lehtë dëbore degdisen mes hapësirave të pamata të rrafshirave përreth. E di që po e lexon këtë poezi në një dhomë ku ka ngjarë shumë më tepër nga ç’mund të durosh ku një lëmsh çarçafësh dergjen amullt mbi shtrat dhe valixhja e hapur flet për arrati por ende s’mund të largohesh. E di që po e lexon këtë poezi ndërsa metroja ngadalëson shpejtësinë, para se të rendësh nëpër shkallë drejt një dashurie të re që jeta kurrë s’ta fali. E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e televizorit, ku shfaqen pandalur imazhe pa zë, ndërsa pret lajmet e fundit mbi intifadën. E di që po e lexon këtë poezi në një sallë pritjeje me sytë që ndeshin vështrime të huajsh që të panjohur do mbeten. E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e neonit me mërzitinë e të rinjve që ndihen të përjashtuar, që në moshë shumë të re vetëpërjashtohen. E di që po e lexon këtë poezi me shikim të turbullt: xhamat e trashë të syzeve t’i zmadhojnë gërmat përtej çdo kuptimi e ti prapëseprapë vazhdon të lexosh ngase edhe alfabeti i çmuar është. E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë teksa ngroh qumështin, me një fëmijë që të qan mbi supe dhe një libër në dorë, sepse jeta është e shkurtër dhe ti etje ke. E di që po e lexon këtë poezi që nuk është në gjuhën tënde domethënien e disa fjalëve nuk e di, ndërsa të tjerat të ngasin të vijosh leximin dhe unë dua të di cilat janë. E di që po e lexon këtë poezi në pritje që diç të dëgjosh, e mëdyshur mes hidhësisë dhe shpresës, që mandej t’u kthehesh detyrave që s’mund t’i refuzosh. E di që po e lexon këtë poezi sepse nuk ke tjetër ç’të lexosh, aty ku ke ngecur, lakuriq siç je. / KultPlus.com
Shqiptari Islam Alijaj vuan nga paraliza cerebrale, por ky fakt nuk e ka penguar të ketë një jetë aktive dhe me synime të qarta. Politikani 35-vjeçar shqiptar dëshiron që dy fëmijët e tij të rriten në një shoqëri, në të cilën babai i tyre nuk perceptohet më si inferior, por “Përfshirja është ende shumë larg”, thotë ai.
Së fundmi Islami është nominuar për çmimin e rëndësishëm në Zvicër “Prix Courage 2021”, nomiminim i cili vjen shoqërohet me moton “dëshiron të fuqizojë njerëzit me aftësi të kufizuara”, transmeton KultPlus.
1.7 milion persona në Zvicër jetojnë me një lloj paaftësie, 500 000 prej tyre janë me dëmtim të rëndë. Por vetëm një nga 246 anëtarët e parlamentit është me aftësi të kufizuara. “Këtu diçka nuk është në rregull”, thotë shqiptari me rrënjë nga Kosova, shkruan revista prestigjioze zvicerane “Beobachter”.
Në vitin 2019 ai kandidoi për Këshillin Kombëtar, por dështoi për shumë pak vota. Vitin tjetër ai dëshiron të bashkohet me këshillin bashkiak të Cyrihut. “Unë i kombinoj të gjitha karakteristikat që një politikan i suksesshëm nuk duhet të ketë: aftësi të kufizuara fizike dhe verbale, sfondin e migrimit, plus emrin `Islam`. Një `no go`”, thotë ai duke qeshur. Por këto janë pikërisht pikat e forta të tij.
Islam Alijaj ka themeluar disa organizata, për shembull Behindertenpolitik.ch dhe Tatkraft.org. Ato sigurojnë që personat me aftësi të kufizuara të vërehen në politikë dhe shoqëri dhe mund të kenë fjalën e tyre./shtegu/ KultPlus.com
Kënga ‘Bella Ciao’ është një këngë italiane partizane e Luftës së Dytë Botërore. Krijuesi i saj është i panjohur, siç nuk është e ditur saktë data e qarkullimit. Megjithatë, ajo këndohet ende sot si një himn për lirinë dhe rezistencën. Poashtu është përshtatur dhe përkthyer në dhjetëra gjuhë: angleze, ruse, boshnjake, kroate, serbe, spanjolle, finlandeze, kineze, kurde, turke, japoneze dhe greke.
E këndonin gra punëtore. Sipas një teorie, muzika e këngës vinte nga një këngë e vjetër tradicionale italiane. Të tjerë argumentojnë se ritmi i këngës është regjistruar në Amerikë në fillim të shekullit XX dhe më pas u transferua në Iali nga një muzikant. Fjalët e para mendohet se u shkruan dhe kënduan nga gra punëtore që punonin në plantacionet e orizit në Luginën Po, në Italinë Veriore.
Graë duhej të rimbillnin dhe të mbronin fidanët e ndjeshëm nga ndryshimet e temperaturës, por edhe të shkulnin barërat e këqija nga kulturat që pengonin ritjen e shëndetshme të bimëve të reja. Procesi zhvillohej nga fundi i Prillit deri në fillim të Qershorit.
Fermerët që vinin nga klasat më të varfëra sociale punonin në kushte të tmerrshme. Ishin zbathur dhe uji nga fushat e përmbytura u arrinte disa herë deri në gju. Qëndronin të përkulura për të mbledhur barërat e këqija gjatë gjithë ditë. Dhe kjo për pak para.
Vargjet e para të këngës denonconin kushtet e rënda të punës së grave nën diellin e nxehtë. Ato bëjnë fjalë për martirizmin e tyre të përditshëm në fusha dhe mbikqyrjen e pronarit të egër që qëndronte pranë tyre më shkop në dorë, ndërsa ato ishin të përkulura për orë të tëra. Gratë thoshin se për çdo orrë që kalonin nëpër fusha, shkonte dëm jeta dhe rinia e tyre, por shpresonin se do të çliroheshin dhe se do të vinte dita kur të gjitha do të punonin të lira.
Regjistrimi i parë i ‘Bella Ciao’ me këto vargje u bë në vitin 1906, në qytetin Vercelli, në rajonin italian të Piemonte-s.
Keqtrajtimi i tyre i çoi në greva dhe trazira në fillim të shekullit të XX. Betejat e tyre pengoheshin nga punëtorë, të cilët ishin të gatshëm të paguheshin edhe më pak, ngaqë kishin nevojë për punë. U konsideruan grevë-thyes. Kërkesat e protestuesëve u plotësuan pjesërisht gjatë periudhës së viteve 1906-1909, kur të gjitha komunitetet e rajonit italian të Piemonte-s duhej të respektonin të drejtën e tetë-orëshit të punës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët italian ndryshuan tekstin në mënyrë që të shprehnin luftën e tyre çlirimtare dhe rezistencën kundër fashizmit dhe trupave naziste gjermane.
Vargjet e përshtatura flsinin për një partizan që pa armiqtë të pushtonin vendin e tij. U lutej partizanëve të tjerë ta merrnin lar, për shkak se ndiente se po afrohej vdekja. Në rast se vdiste në betejë, u thoshte që ta varrosnin diku në mal dhe mbi të, të mbillnin një lule të bukur. Në vazhdim u kërkonte t’u thoshin atyre që kalonin andej se është lulja e një partizani, i cili vdiq për liri.
Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore çuan në zhvillimin e lëvizjes së fuqishme guerilase në Itali, e cila luftoi kundër trupave gjermane dhe Italisë fashiste. Regjimi fashist italian filloi të tronditej si rezultat i zhvillimit të lëvizjes popullore dhe për shkak të dështimeve ushtarake në Greqi, Jugosllavi dhe Bashkimin Sovjetik. Fundi i tij ishte zbarkimi i forcave Aleate në Siçili, që filloi me 10 korrik 1943. Partia e Musolinit u destabilizua. Kundër tij u kthyen edhe shokët e tij. Më 24 korrik, në takimin e Këshillit të Lartë Fashist u vendos përmbysja e Musolonit dhe transferimi i pushtetit ekzekutiv të mbreti Viktor Emanueli i III.
Më vonë Musolini u internua dhe kryeministër u bë marshalli Pietro Badoglio. Këto zhvillime çuan në ndërhyrjen e trupave naziste dhe pushtimin e një pjese të Italisë Veriore. Me një operacion mbresëlënës parashutistë gjerman liruan Musolinin dhe dërguan në zonën e kontrolliar nga gjermanët.
Fillimisht, qeveria Badoglio vazhdoi politikat represive të regjimit të Musolinit, fakti që çoi në revolta. Në të njëjtën kohë, u përpoq të afrohej me Aleatët Perëndimorë, ndërsa u kërkonte forcave të Boshtit të hiqnin qafe Aleatët nga Italia. E gjithë kjo çoi në nënshkrimin e marrëveshjes të kapitullimit të Italisë më 3 shtattor, ndërsa më pas qeveria Badoglio i shpalli luftë Gjermanisë.
Në vitin 1945, Musolini u përpoq të arratisej në Zvicër, por u arrestua nga partizanët italianë dhe u ekzekutuaa. Që atëherë, kënga ‘Bella Ciao” u bë e famshme në botë dhe është interpretuar nga artistë nga e gjithë bota, ndër të cilët edhe Manu Chao. Kënga dëgjohet tani në çdo betejë për të drejtat e njeriut./defektteknin/ KultPlus.com
Kina ka pezulluar përkohësisht miratimin e lojërave të reja video, në atë që është një goditje e re për kompanitë në sektor dhe, në përgjithësi, për sektorin e teknologjisë.
Siç raportohet edhe nga gazeta ”South China Morning Post”, që citon burime pranë dosjes, vendimi u mor dje në mbledhjen e drejtuesve të gjigantëve të lojërave video, të tilla si ”Tencent” dhe ”NetEase”, nga zyrtarë të Departamentit Qendror të Propagandës të Partisë Komuniste, Administrata Kombëtare për Shtypin dhe Publikimet, Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës dhe Ministria kineze e Kulturës dhe Turizmit, transmeton KultPlus.
”Ngjarja u përqendrua sidomos në kufizimet për të miturit dhe në kontrollin e përmbajtjes”, shpjeguan burimet.
Ky skenar çoi menjëherë në humbje të mëdha në teknologji (”Tencent” në minus 8,48% dhe ”NetEase” në minus 11,03%).
Bursa e Hong Kongut u mbyll në të kuqe me 2,30%. / KultPlus.com
FILE PHOTO: People play online games at an internet cafe in Fuyang, Anhui province, China August 20, 2018. REUTERS/Stringer
Çdo qytet ka atraksionet e veta turistike, vendet që duhen vizituar doemos dhe muzetë.
Por, një qytet në Poloni ka një atraksion të padëgjuar më parë: një qen në ballkon. Nuk bëhet fjalë për një statujë qeni, si në rastin e Hachiko-s në Stacionin Shibuya të Japonisë. Është një qen i vërtetë që qëndron në ballkonin e një banese në qytetin Gdansk, transmeton KultPlus.
“Qeni në ballkon” ka marrë 5 yje në faqet polake me këshilla për turizmin, ndërkohë që në Facebook, Milka ka mijëra ndjekës. / KultPlus.com
Më 13 shtator të vitit 1985, vdiq njëri nga skulptorët më të njohur shqiptar, Odhise Paskali.
Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927.
Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.
Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa frikë si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë.
Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20.
Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja.
Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë.
Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.
Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.
Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen.
Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash.
Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte.
Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.
Veprat artistike:
“I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Lufëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)” “Isa Boletini” “Fan Noli” “Onufri” “Jeronim De Rada”, në Tiranë “Pashko Vasa” “Zef Skiroi” “Çerçiz Topulli” “Naim Frashëri” “Vojo Kushi” “Migjeni” “Enver Hoxha” “Idriz Seferi” “Ahmet Zogu”, e shumë vepra të tjera. / KultPlus.com
Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve, vijnë pëmes ”Ditë e Kuqe” nën regjinë dhe skenarin e Besim Ugzmajlit. Një film ky i metrazhit të shkurtë, për të cilin regjisori Ugzmajli ka shpalosur më shumë detaje në një intervistë për KultPlus.
Loja me simbole te regjisori Ugzmajli nuk është kurrë e rastësishme, në filmat e tij paraprak e që kanë rezultuar tejet të suksesshëm, kemi parë shpesh se arti filmik i regjisorit në fjalë shkon përtej asaj që jemi mësuar të shohim më parë. Ai ka një mënyrë më unike të trajtimit të ngjarjeve, përmes së cilave hedh dritë mbi shumë faktor negativ të shoqërisë. ”Ditë e Kuqe” vjen po në këtë mënyrë të veçantë, pra, e kuqja si një variant i gjakosjes, si moment realizimi, përkatësisht si një moment kur dikush është gati për diçka magjike. Pra, siç ka theksuar tutje regjisori për KultPlus, Dita e Kuqe është ditë alarmi për shoqërinë që vjen përmes një vajze 13 vjeçare dhe sjell në vëmendje gruan si vlerë kulminante në shoqërinë botërore.
”Unë përpiqem që çështjet sociale t’i sjell si rrëfime që ndërtohen në rrafshin psikologjik të situatave dhe personazheve. Sigurisht që këtë mënyrë e konsideroj më të përshtatshmen për mua për t’i paraqitur shqetësimet e mia të përgjithshme në medium kinematografik si vepra artistike. Imazhi është komunikimi absolut i këtij shekulli dhe kinematografia padiskutim ka një imazh të jazhtëzakomshëm komunikues”, ka theksuar regjisori për KultPlus.
”Ditë e Kuqe” ka filluar me xhirime në mars të këtij viti dhe filmi është xhiruar brenda një ditë, mirëpo, provat e këtij filmi kanë zgjatur mbi dhjetë ditë dhe janë përfshirë diku rreth 150 persona deri në realizimin final. Kjo mënyrë e xhirimeve ka të bëjë me faktin që ”Ditë e Kuqe” është realizuar në One-Shoot dhe koha e provave siç ka treguar regjisori për KultPlus, ka të bëjë me sinkronizimin dhe harmonizimin e të gjitha departamenteve në filmbërje në mënyrë që gjithçka të shkoj sipas planit në ditën e xhirimit.
Duke pasur parasysh se situata pandemike ka vështirësuar gjithçka, edhe ”Ditë e Kuqe” ka hasur në vështirësi të shumta deri në finalizimin e vet. Ugzmajli ka treguar për KultPlus se i gjithë projekti është punuar nga një presion që lidhej ngushtë me pandeminë.
”Gjithçka është punuar në njëfarë presioni që lidhet me pandeminë, mirëpo ky fakt edhe ka ndihmuar në një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë ekipës e në veçanti të aktorëve dhe ekipës kreative ku vlen të përmendim punën e jashtëzakonshme të aktorëve siç janë: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Blin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu. Pastaj drejtori i fotografisë Aleksandar Krstevski, Kompozitori Memli Kelemndi me korin e tij fantastik ”Sipararantum Choir” dhe gjithsesi një angazhim i jashtëzakonshëm i asistentëve Sovran Nrecajt, Lorena Sopit, Leart Binakut, Ndriçuesit Hajrullah Elelezit, Kostumografes Eleonora Gagica, Dizajnerit Ngadhënjim Ismani, Skenografit Bekim Korça e shumë të tjerëve që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në film e që është një listë e gjatë profesionistësh”, shprehet Ugzmajli tutje për KultPlus.
Deri më tani, regjisori ferizajas para adhuruesëve të filmit është paraqitur me filma të metrazhit të shkurtë, mirëpo, regjisori ka treguar për KultPlus se në planet e tij të ardhme është edhe filmi i metrazhit të gjatë.
”Unë kam disa skica e tritmente për film të gjatë, vështirësia ime më e madhe është në përcaktimin e asaj që vërtetë dua ta punoj, kjo ndoshta është edhe dobesia ime si skenarist e regjisor, pra përcaktimi në idenë që dua ta realizoj si film. Është vëretetë e vështirë për mua të vendosi se cilës ide me ia dhanë gjithë mundin drejt një filmi. Por ajo që dihet me siguri është fakti se filmi i gjatë është qëllimi im i radhës. Do të jetë rrugë e vështirë e gjetjes së mbështetjes financiare, por përvoja më ka mësua se duhet ta përfundoj skenarin dhe pastaj gjithcka tjetër do të bëhet e mundur si me magji”, potencon Ugzmajli.
Besim Ugzmajli ka treguar për KultPlus se kanë bërë një marrëveshje me kompaninë italiane ”Premiere Film”, zyret e së cilës ndodhen në Itali dhe në Los Angeles, kompani kjo e cila do të merret me distribuimin e filmit në festivale dhe televizione. Regjisori ndër të tjera thekson se ambicien kryesore në punën e tij e ka gjithmonë realizimin e ideve të tij kinematografike dhe asgjë tjetër nuk i jep më shumë kënaqësi se puna në film. ”Festivalet dhe shitjet eventuale janë gjithmonë sekondare, prandaj filmin ua kam dhënë për distribuim kompanisë profesionale që merret me këtë punë dhe kështu unë të jem më i lirë në punë të tjera. Gjithashtu dihet mirëfilli se në mungesë të distributorëve është shumë i vështirë prezentimi ndërkombëtarë, sidomos viteve të fundit”, shprehet tutje Ugzmajli
Për artistin është shumë e rëndësishme përçimi i mesazheve që ai shpalos përmes artit të tij, cilido art qoftë ai. Ugzmajli zakonisht, si në teatër po ashtu edhe në film, përçon mesazhe të fuqishme tek shoqëria. Arti i tij prek thellë tek problemet e shoqërisë kosovare dhe jo vetëm. Njejtë ndodhë edhe tek filmi ”Ditë e Kuqe”, tek i cili mesazhi është shumështresor dhe si i tillë mëotn të jetë krejtësisht personal, pra, siç ka treguar vetë regjisori, mesazhet e këtij filmi varen shumë se si dhe nga kush shikohen. ”Gjithmonë konsideroj që audienca gjenë mesazhe të ndryshme në secilin rrëfim apo film, prandaj nuk do ta kisha përkufizur këtë film me një mesazh të caktuar edhepse filmi konsiston në rendësinë që ka konsistenca e njeriut në qëllimet dhe aspiratat në të cilat synon me të drejt, por që pengohet rrugës”, shprehet Ugzmajli.
”Ditë e Kuqe” do të ketë premierën në Tirana International Film Festival i cili do të mbahet në shtator të këtij viti, ndërkaq, regjisori nuk ka treguar saktë se kur do të shfaqet edhe për publikun kosovar, por ka lënë të nënkuptohet se filmi do të ketë disa hapësira për tu shfaqur edhe në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm. / KultPlus.com
Sonte, duke filluar nga ora 19:00, fillon edicioni i 20-të i festivalit Remusica.
Festivali do të hapet me performancë nga sopranoja Elbenita Kajtazi dhe Camille Lemonnier në piano, të cilën mund ta ndiqni në formë dixhitale në Remusica TV http://www.remusicafestival/live/ në orën 20:00.
Festivali i cili ndërvite solli muzicientë të shquar, sivjet shënon ediconin jubilar të 20 vjetorit, duke rishkuar të gjitha arritjet dhe historinë e festivalit gjatë viteve. Në këtë kontekst edicioni i këtij viti titullohet Rikthimi Para.
20 vitet e festivalit po ashtu do të përmblidhen në filmin e shkurtër ‘’Remusica 20 years’’ nga Hana Agani, i cili do të shfaqet në ora 19:00 në kanalin e Youtube të festivalit.
Festivali u krijua me qëllim të prezantojë publikun shqipëtar me muzikën bashkëkohore, dhe gjatë viteve solli shumë programe te pasura, asamble dhe artistë të mirënjohur si: Petrit Ҫeku, Aki Takahasi, Marc Bouchkov, Andreas Richter, Annete Vande Gorne e shumë emra tjerë të mirënjohur të botës së muzikës. Festivali po ashtu ka pasuruar literaturën muzikore gjatë viteve me publikime nga artistët vendor për instrumente të ndryshme (kitarë, piano, instrumente të tunxhit etj) .
Sivjet, disa nga aktivitetet e festivalit do të mbahen në formë fizike, siꞔ janë puntoritë dhe ligjeratat, ndërsa koncertet nga artistë të mirënjohur do të mbahen në formë dixhitale. Disa nga artistët më të shquar vendor dhe ndërkombëtar do të performojnë në saje të edicionit të 20-të si : Elbenita Kajtazi si soprano, Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, ndërsa Merita Rexha Tërshana është në piano si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë. / KultPlus.com
Ylli i muzikës pop nga Kanada, Justin Bieber është shpallur ”Artisti më i mirë i vitit” në MTV Video Music Awards 2021, përcjell KultPlus.
Bieber u nominua për shtatë çmime përfshirë këtu: “Videoja muzikore më e mirë e vitit”, “Artisti më i mirë i vitit, Kinematografia më e mirë”, “Regjia më e mirë”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” me Peaches.
“Po shikoj nga këtu dhe po e shoh gruan time të bukur, dhe dua të të them që të dua shumë”, tha ai, ndërsa vazhdoi: “Travis Scott, ju më keni frymëzuar shumë. Faleminderit që ke qenë ti. Muzika është një mundësi e mahnitshme për të qenë në gjendje të arrijë tek njerëzit që të na bashkojnë të gjithëve”, thekson më tej ai. “Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu tani. Ne jemi të gjithë këtu së bashku. Ne kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta. Unë shikoj dhe shoh kaq shumë fytyra të bukura. Unë me të vërtetë besoj se më e mira nuk ka ardhur akoma”, theksoi Bieber në marrjen e çmimit. / KultPlus.com
Talibanët kanë njoftuar se gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë vetëm në universitet në klasa të ndara sipas gjinisë dhe veshja islame do të jetë e detyrueshme, duke nxitur frikën se një ndarje gjinore do t’i imponohet vendit nën regjimin e ri.
Të shtunën, talibanët ngritën flamurin e tyre mbi pallatin presidencial në 20 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit, duke sinjalizuar se puna e tyre për të qeverisur emiratin islamik të sapoformuar kishte filluar. Flamuri i bardhë u ngrit nga Mulla Mohammad Hassan Akhund, kryeministri i qeverisë së përkohshme talibane, transmeton KultPlus.
Ministri i Arsimit të Lartë, Abdul Baqi Haqqani, vendosi një sërë rregullash që do të qeverisin qasjen e grave në arsimin e lartë në Afganistan. Duke folur në një konferencë për shtyp, Haqqani tha se gratë do të lejoheshin të vazhdonin arsimin e tyre universitar, por do të ishte e detyrueshme të mbanin një hixhab. Ishte e paqartë nëse kjo nënkuptonte një shami apo se fytyrat e grave do të duhej të mbuloheshin plotësisht.
Ndarja gjinore gjithashtu do të zbatohet në të gjitha universitetet, që do të thotë se burrat dhe gratë do të duhet të mësohen në klasa të veçanta.
“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku, ne nuk do të lejojmë bashkë-edukim,” tha ai. Studentët femra gjithashtu do të lejohen të mësohen vetëm nga gratë. Haqqani tha gjithashtu se lëndët që mësohen në universitete do të rishikohen.
Talibanët kanë premtuar se qeveria e tyre e re do të jetë më përfaqësuese dhe respektuese e të drejtave të grave dhe vajzave, edhe pse akoma brenda një “kornize islame”, sesa kur ata më parë mbajtën pushtetin midis 1996 dhe 2001.
Atëherë, gratë u penguan të shkonin në shkolla dhe puna, nuk u lejuan të dilnin nga shtëpia pa një udhëheqës mashkull dhe u detyruan të respektonin ligjet që qeverisnin “virtytin femëror”.
Axhenda e plotë e talibanëve ende nuk është shpallur. Sidoqoftë, si në regjimin e mëparshëm, nuk ka asnjë grua të vetme në kabinet, pavarësisht premtimeve për një qeveri “gjithëpërfshirëse” dhe gratë janë ndaluar nga sportet.
Në një intervistë të fundit në kanalin televiziv “Tolo News”, zëdhënësi i talebanëve Sayed Zekrullah Hashimi tha se roli i grave ishte të lindnin dhe të rritnin fëmijë, duke shtuar se “nuk ishte e nevojshme që gratë të ishin në kabinet”.
Politikat e reja arsimore shënojnë një largim domethënës nga mënyra se si universitetet funksiononin më parë. Para rënies së Kabulit në duart e talebanëve më 15 gusht, universitetet në të gjithë Afganistanin kishin qenë bashkë-edukative dhe gratë nuk duhej të përputheshin me asnjë kod veshjeje.
Numri i studenteve femra në arsimin e mëtejshëm kishte arritur nivele rekord, dhe institucionet si Universiteti Herat dhe Universiteti Ghalib në Kabul kishin më shumë studente femra sesa meshkuj.
Që në momentin që talebanët morën pushtetin, shumë studente femra kanë qëndruar në shtëpi nga pasiguria dhe frika, dhe gratë që dolën në rrugë në protestë ditët e fundit duke kërkuar të drejta të barabarta u pritën me dhunë dhe armë zjarri.
Megjithatë, shumë kanë vënë në dyshim realizueshmërinë e rregullave të reja të arsimit, në veçanti sesi universitetet dhe zyrat do të ishin në gjendje të përballonin koston e ndarjes dhe të ndanin mësimet dhe hapësirat vetëm për gratë.
Mungesa e objekteve dhe mësueseve femra tashmë po shkakton probleme në universitete, me disa institucione që u thonë studentëve se nuk do të kenë mundësi tjetër veçse të ndalojnë drejtimin e kurseve të caktuara për gratë.
Heather Barr, bashkëdrejtore e divizionit të të drejtave të grave në Human Rights Watch, tha se qasja e talebanëve ishte ajo “ku gratë, në teori, lejohen të vazhdojnë disa nga funksionet e tyre të përditshme, por vetëm nën kufizime që në thelb i bëjnë ata të veprojnë në një botë që është krejtësisht e ndarë nga djemtë dhe burrat ”, transmeton tutje KultPlus.
Përjashtimi i grave nga të folurit me burrat në zyra dhe universitete do të kontribuonte në përjashtimin e tyre nga jeta publike më gjerë, tha Barr.
“Ka shtresa të ndryshme diskriminimi për këtë, që do të thotë se do të ketë një ndikim vërtet shkatërrues tek gratë dhe vajzat,” shtoi ajo. / KultPlus.com
Ndarja e çmimeve në MTV Video Music Awards 2021 është rikthyer të dielën në New York duke grumbulluar kështu yjet më të mëdhenj të muzikës.
Doja Cat ka qenë nikoqire e këtij evenimenti madhështor, i cili u transmetua në MTV, transmeton KultPlus.
Artisti kanadez, Justin Bieber, ka kryesuar listën me më së shumti nominime duke përfshirë “Videoja muzikore më e mirë e vitit”, “Artisti më i mirë i vitit, Kinematografia më e mirë”, “Regjia më e mirë”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” me Peaches. Ai ka arritur të fitojë çmimin për ‘Artistin më të mirë të Vitit’ dhe për ‘Pop-in më të mirë”, gjersa Olivia Rodrigo fitoi për ‘Këngën më të mirë’ dhe Lil Nas X për ‘Videon e Vitit”.
Më poshtë ua sjellim listën e plotë të fituesve:
VIDEOJA MË E MIRË MUZIKORE E VITIT
“Montero (Call Me By Your Name)” – Lil Nas X, Columbia Records
“WAP” – Cardi B ft. Megan Thee Stallion, Atlantic Records
“Popstar” – DJ Khaled ft. Drake (starring Justin Bieber) OVO / we The Best / Epic Records
“Kiss Me More” – Doja Cat ft. SZA, Kemosabe Records / RCA Records
“Bad Habits” – Ed Sheeran, Atlantic Records
“Save Your Tears” – The Weeknd, XO / Republic Records
ARTISTI MË I MIRË I VITIT
Justin Bieber
Ariana Grande
Doja Cat
Megan Thee Stallion
Olivia Rodrigo
Taylor Swift
KËNGA MË E MIRË E VITIT
“Drivers License” – Olivia Rodrigo, Geffen Records
“Mood” – 24kGoldn ft. Iann Dior, Records LLC / Columbia Records
“Leave the Door Open” – Bruno Mars, Anderson .Paak, Silk Sonic, Aftermath Entertainment / Atlantic Records
“Dynamite” – BTS, Bighit Music
“WAP” – Cardi B ft. Megan Thee Stallion, Atlantic Records
“Levitating” – Dua Lipa, Warner Records
ARTISTJA E RE MË E MIRË E VITIT
Olivia Rodrigo
24kGoldn
Giveon
The Kid Laroi
Polo G
Saweetie
PERFORMANCA E VITIT
“Drivers License” – Olivia Rodrigo, Geffen Records
“Are You Bored Yet?” – Wallows, Atlantic Records
“Daisy” – Ashnikko, Warner Records
“Gorgeous” – Saint Jhn, Godd Complexx / HITCO
“Coco” – 24kGoldn, Records LLC / Columbia Records
“Break My Heart” – JC Stewart, Elektra Music Group
“Sex Lies” – Latto, RCA Records
“Selfish” – Madison Beer, Epic Records / Sing It Loud
“Without You” – The Kid Laroi, Columbia Records
“Serotonin” – Girl in Red, World in Red / AWAL
“My Slime” – Fousheé, RCA Records
“Think About Me” – Jxdn, DTA Records / Elektra Music Group
BASHKËPUNIMI MË I MIRË I VITIT
“Kiss Me More” – Doja Cat ft. SZA, Kemosabe Records / RCA Records
“Mood” – 24kGoldn ft. Iann Dior, Records LLC / Columbia Records
“WAP” – Cardi B ft. Megan Thee Stallion, Atlantic Records
“Laugh Noë Cry Later” – Drake ft. Lil Durk, OVO / Republic Records
“Peaches” – Justin Bieber ft. Daniel Caesar, Giveon, Def Jam
“Prisoner” – Miley Cyrus ft. Dua Lipa, RCA Records
KËNGA MË E MIRË E ZHANRIT POP
“Peaches” – Justin Bieber ft. Daniel Caesar, Giveon, Def Jam
“Positions” – Ariana Grande, Republic Records
“Therefore I Am” – Billie Eilish, Darkroom / Interscope Records
“Butter” – BTS, Bighit Music
“Treat People With Kindness” – Harry Styles, Columbia Records
“Good 4 U” – Olivia Rodrigo, Geffen Records
“Wonder” – Shawn Mendes, Island Records
“Willow” – Taylor Swift, Republic Records
KËNGA HIP-HOP MË E MIRË
“Franchise” – Travis Scott ft. Young Thug & M.I.A., Cactus Jack / Epic Records
“WAP” – Cardi B ft. Megan Thee Stallion, Atlantic Records
“Laugh Now Cry Later” – Drake ft. Lil Durk, OVO / Republic Records
“On Me (remix)” – Lil Baby ft. Megan Thee Stallion, Quality Control / Motown
“Said Sum” – Moneybagg Yo, N-Less Entertainment / Interscope Records
“Rapstar” – Polo G, Columbia Records
ALTERNATIVA MË E MIRË
“My Ex’s Best Friend” – Machine Gun Kelly ft. Blackbear, Bad Boy / Interscope Records
“Stop Making This Hurt” – Bleachers, RCA Records
“Heat Waves” – Glass Animals, Republic Records
“Follow You” – Imagine Dragons, Kidinakorner / Interscope Records
“Popstar (starring Justin Bieber)” – DJ Khaled ft. Drake, Directed by: Julien Christian Lutz aka Director X, OVO / We The Best / Epic Records
“Willow” – Taylor Swift, Directed by: Taylor Swift, Republic Records
“Franchise” – Travis Scott ft. Young Thug & M.I.A, Directed by: Travis Scott, Cactus Jack / Epic Records
“Lumberjack” – Tyler, The Creator, Directed by: Wolf Haley, Columbia Records
KINEMATOGRIA MË E MIRË
“Brown Skin Girl” – Beyoncé, Blue Ivy, SAINt JHN, WizKid, Cinematography by: Benoit Soler, Malik H. Sayeed, Mohammaed Atta Ahmed, Santiago Gonzalez, Ryan Helfant, Parkwood
Entertainment / Columbia Records
“Therefore I Am” – Billie Eilish, Cinematography by: Rob Ëitt, Darkroom / Interscope Records
“Shame Shame” – Foo Fighters, Cinematography by: Santiago Gonzalez, Rosëell Records / RCA Records
“Holy” – Justin Bieber ft. Chance The Rapper, Cinematography by: Elias Talbot, RBMG / Def Jam
“911” – Lady Gaga, Cinematography by: Jeff Cronenëeth, Interscope Records
“Solar Power” – Lorde, Cinematography by: Andreë Stroud, LAVA/Republic Records
KOREOGRAFIA MË E MIRË
“Treat People With Kindness” – Harry Styles, Columbia Records
“34+35” – Ariana Grande, Choreography by: Brian Nicholson & Scott Nicholson, Republic Records
“Butter” – BTS, Choreography by: Son Sung ëith BHM Performance Directing Team, Bighit Music
“Bad Habits” – Ed Sheeran, Choreography by: Natricia Bernard, Atlantic Records
“Shame Shame” – Foo Fighters, Choreography by: Nina McNeely, Rosëell Records / RCA Records
Edhe pse në vende të ndryshme ka data të ndryshme, 13 shtatori është Dita Ndërkombëtare e çokollatës, prandaj në këtë ditë le të zbulojmë më tepër për një nga shoqërueset më besnike dhe më të dashura të ditëve tona, cila është historia e saj?
Dita Botërore e çokollatës, festohet më 7 korrik.
Çokollata është një produkt ushqimor industrial që ka për bazë kakaon. Përdoret për ushqim në formë të pastër dhe si gjysmë produkt në industri e kuzhinë. Fjala çokollate rrjedh nga pija e parë me përmbajtje të saj Xocóatl (Xócoc: ëmbël; atl: ujë; d.m.th “ujë i ëmbël”), e cila prodhohej nga Astekët. Kjo pije ka qenë ujë i përzier me kakao, vanile dhe beber Cajen.
Bima Theobroma Cacao (emri shkencor i kakaos) u klasifikua nga Lineu, duke patur parasysh emrin dhe përdorimin e tij në qytetërimet që e përdornin në atë kohë.
Historia e kakaos dhe çokollatës
Bima e kakaos ka origjinë antike dhe sipas disa studimeve botanike mendohet të ketë qenë e pranishme mbi 6000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko. Bujqit e parë që filluan ta kultivonin bimën e kakos ishin majatë, rreth vitit 1000 p.e.s. Tokat që shtrihen mes gadishullit Jukatan, Ciapasit dhe bregut paqësor të Guatemalës ishin të parët që panë fillimin e historisë së kakaos dhe bashkë me të, të çokollatës.
Më vonë majatë dhe astekët filluan kultivimin e kakaos dhe më vonë të prodhonin çokollatë.
Përveç përdorimit liturgjik e ceremonial, në Amerikë çokollata përdorej si pije e quajtur ksokoatl, shpesh e aromatizuar me vanilje, spec djegës e piper. Kjo pije përftohej e ftohtë ose e nxehtë duke i shtuar ujë ose përbërës të tjerë, si mielli e mineralet. Një tjetër mënyrë prëgatitjeje ishte duke i shtuar çokollatës miell misri dhe mjaltë.
Karakteristika e saj parësore ishte shkuma, e cila në Antikitet përftohej duke e kaluar disa herë nga një enë në tjetrën. Pas pushtimit spanjoll filloi të përdorej “dybeku” (molinilo), i cili lëvizej poshtë e lart dhe kështu arrihej më shpejt shkuma aq e dëshiruar.
Nuk mund të mos vihet re koincidenca e mënyrës së pregatitjes të pijes së kakaos me traditën afrikane të pregatitjes së çajit (tre cikle të njëpasnjëshëm pregatitje, çdonjëri prej të cilëve përftohet nga zierja e gjetheve të çajit, përzierja e përsëritur deri në arritjen e shkumës). Ksokoatl-i kishte si efekt lehtësimin e ndjesisë së lodhjes, gjë që lidhej me teobrominën që përmbante. Ai ishte një artikull luksi në gjithë Amerikën qëndrore pre-kolumbiane; farat e kakaos përdoreshin si monedhë dhe si njësi matëse: në thesarin e perandorit Motekuhzoma (më i njohur si Montezuma), gjendeshin thuajse një miliard të tilla. Thuhet se ksokoatl-i kishte një shije të shkëlqyer.
Hoze de Akosta, një misionar jezuit spanjoll që jetoi në Peru dhe më pas në Meksikë në fundin e shek.XVI, shkruante: Jo e shijshme për ata që nuk e njohin, më një shkumë në sipërfaqe që nuk ka aspak shije të mirë. Gjithsesi, është një pije shumë e vlerësuar nga indianët, të cilët e përdorin për të nderuar fisnikët që përshkojnë vendin e tyre. Spanjollët, si burrat dhe gratë, të cilët janë mësuar me vendin, janë shumë xhelozë për këtë çokollatë. Thonë se përgatisin shumë lloje, të ngrohta, të ftohta, të vakta dhe se i fusin shumë ereza; bëjnë me të dhe një brume që sipas tyre është i mirë për stomakun.
Vetëm në vitin 1502 kakao u njoh nga qytetërimi evropian: Kristofor Kolombi gjatë udhëtimit të tij të katërt e të fundit në Amerikë, zbarkoi në Honduras ku pati rastin të provonte një pije me bazë kakaoje; në kthim morri me vete disa fara kakaoje për t’ia treguar Ferdinandit dhe Izabelës së Spanjës, por nuk i dha asnjë rëndësi zbulimit. Vetëm me Hernando de Soto u arrit futja e kakaos në Evropë në mënyrë të përhapur, ishte viti 1519.
Ai arriti në Amerikë nga Spanja. Perandori Montezuma e priti krahëhapur dhe i ofroi një plantacion të tërë me kakao.
Ngarkesa e parë e dokumentuar e çokollatës drejt Evropës me qëllim tregtar udhëtoi mbi një anije nga Verakruzi në Sevilje në 1585. Çokollata shërbehej gjithmonë si pije, por evropianët dhe sidomos urdhërat murgjërore spanjolle, të cilat kishin një përvojë të gjatë me mishelat, i shtuan vaniljen dhe sheqerin për t’i hequr shijen e hidhur dhe ia hoqën piperin dhe specin djegës.
Gjatë gjithë viteve 500, çokollata mbeti një ekskluzivitet i Spanjës, e cila ia zgjeroi kultivimin. Vetëm në vitet 600, nëpërmjet Toskanës, kakao arriti në Itali me anë të tregtarit fiorentinas Antonio Carletti dhe në 1615 në gjithë Evropën. Gjurmët e lidhjes së vjetër të Firences me çokollatën gjenden në disa libra të Biblotekës Kombëtare Qëndrore të Firences, ku gjenden dëshmi të shumta të shkruara duke filluar nga viti 1600 me një debat mbi çokollatën dhe konsumin e saj. Gjithmonë në Firence, nga viti 1680 gjenden gjurmë të shkruara mbi temën e çokollatës. Në 1680 botohet “Ndryshimet mes ushqimit dhe çokollatës…” të cilin e ndjekin në 1728: “Mendime rreth përdorimit të çokollatës”, “Letër ku ekzaminohen arsyetimet e autorit të mendimeve të para, rreth përdorimit të çokollatës”, “
Në shek. XVII u kthye në një luks mes fisnikëve të Evropës dhe hollandezët, lundrues e zotët, ia morën Spanjës kontrollin botëror. Në Venecian e viteve 700 lindnin dyqanet e para të kafesë, paraardhësit e bareve të sotëm; ato ishin sigurisht dhe dyqane çokollate dhe ishin në garë për të ndryshuar recetat ekzistuese duke shpikur të reja. Në vitin 1790 “Gazeta Veneciane” dokumentoi përhapjen e produktit. Deri në fund të shek. XVIII çokollata konsiderohej si shëruese ndaj çdo gjëje dhe mendohej me veti mrekullibërese. Brazili, Martinika dhe Filipinet e rritën kultivimin e kakaos; në të njëjtën kohë shumë qytete evropiane u shquan për përpunimin e çokollatës; një shembull ishte Torino i cili kishte një prodhim prej 350 kg në ditë, pjesa me e madhe eksportohej në Austri, Svicër, Gjermani dhe Francë, ku pak nga pak pregatitja e pijeve të çokollatës u kthye në një pasion.
Në fund të shek. XVIII çokollata e parë e ngurtë siç e hamë sot, u shpik në Torino nga Doret-i. Në 1802 Bozzelli shpiku një makineri për ta rafinuar brumin e kakaos e për ta përzier me sheqer e vanilje. Duhet të vinte viti 1820 që sistemi të vihej në punë dhe kubi i parë i çokollatës u prodhua në Angli.
Në vitin 1826 Pierre Paul Caffarel filloi prodhimin e çokollatës në sasi të mëdha falë një makinerie të re, e cila mund të prodhonte mbi 300 kg çokollatë në ditë. Në 1828 hollandezi Conrad J. van Houten, e shpejtoi metodën e nxjerrjes së yndyrës nga farat e kakaos, duke i transformua në kakao pluhur dhe gjalp kakaoje. Zhvilloi gjithashtu të ashtuquajturin “proces hollandez”, i cili konsiston në trajtimin e kakaos me alkale për t’i hequr shijen e hidhur. Këto trajtime bënë të mundur prodhimin e çokollatës si ajo e sotmja.
Çokollata e parë me përmasa më të mëdha se ajo e Doretit u prodhua në 1847 nga Joseph Fry. Në 1852-shin në Torino Michele Prochet filloi të përziente kakaon me lajthi të shtypura e të pjekura, duke krijuar brumin Gianduia. Daniel Peter, një fabrikant zviceran qirinjsh, u bashkua me të vjehrrin për të prodhuar çokollatë. Në 1867 filluan të fusnin edhe qumështin si përbërës dhe nxorrën në treg çokollatën me qumësht në vitin 1875. Për të larguar ujin nga qumështi në mënyrë që çokollata të ruhej me gjatë, u ndihmua nga një fqinj, fabrikant ushqimesh për femijë, me emrin Henri Nestlè. Rudolph Lindt shpiku procesin e quajtur “conching”, i cili konsiston në mbajtjen për një kohë të gjatë të çokollatës së shkrirë për ta bërë mishelën homogjene.
Në 1946 Pietro Ferrero shpiku një krem me çokollatë dhe lajthi me qëllim për t’i shitur disa kile pastiçierëve: produkti pati një sukses shumë më të madh nga ç’pritej dhe disa vjet më vonë, në vitin 1964, lindi çokokremi, i cili u bë i famshëm në të gjithë botën. / KultPlus.com
Assorted handmade milk and dark chocolate pralines in a row.
Dhimitër Pasko ka lindur më 13 shtator të vitit 1907, ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës Mitrush Kuteli. Pseudonime të tjera që përdori për të shkruar qenë edhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia me Dr. Pas.
Kjo është Letra-Testament, që shkrimtari Mitrush Kuteli, u drejtoi gruas dhe fëmijëve të tij, para se të ndahej nga jeta, në kushtet e njohura kur nuk i lejohej dalja në dritë, botimi i veprave të tij, dhe, sigurisht, për pasojë, edhe të vuajtjeve të thella shpirtërore.
Një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, autor i dhjetëra novelave, (apo rrëfenjave, siç i quante), romaneve, poeti, studiuesi, përkthyesi i shkëlqyer, ekonomisti i talentuar dhe atdhetari i madh, u dënua me burg pas një gjyqi farsë, duke u akuzuar, madje, edhe si propagandist i Luftës së Tretë Botërore (!)…
Gjimnazistet e Shkollës së Gjuhëve të Huaja, Fiona Kopali dhe Klaudia Hasanllari, ia kërkuan Letrën-Testament familjes së shkrimtarit.
Po e botojmë këtë Letër–Testament, me disa pak shkurtime të pjesëve thjesht familjare.
E dashur Efterpi,
Këtë letër, që është ndoshta e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.
Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqija. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur. Isha i zbathur, i zhveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qejf të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha dhe e kam të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..
Letrën ta nisa për tjetër gjë: të të përsëris porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qenë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.
Ne u bashkuam, rrojtmë e bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëherë kisha shëndet dhe i kapërceva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netët ë mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngrën. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua,po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i lë fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’ua arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar,po këta vjetë pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta,pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime të kaluar; në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë e shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes,po se s’munda. Kaq munda,kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi e nuk kthehet dot,nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë,kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë. Luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi as me veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qenë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arsye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojat e para ka qenë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk e di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u lë trashëgim punën dhe ëndrrat e mija- të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.
Jam i sigurt se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.
Nisa të shkruaj një letër të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonëse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa- dhe shiko se ku arrita.
Dëgjo!
Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netët i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!
Nuk do të lajmëroni para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërm për të bërë formalitetet e varrimit dhe varrimin. Kaq.
S’kam qejf të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.
2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.
3……………………..
4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeliu kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë, ay mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ua lë atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet,do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos i prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njeri-tjetrin, të ndihmoni njeri-tjetrin, të duroni njeri-tjetrin! Mos i vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hidhni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mendja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjerësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arsyes. Shpesh, zemra të shpie në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arsyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndërroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjesit, me mendjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.
Ta doni dhe ta nderoni mamanë, se ka qenë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvojë nga jeta e hidhur dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.
Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.
Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga sot do të hyjnë në fuqi masat e reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë koronavirus në Kosovë nga data 13 deri 26 shtator, transmeton KultPlus.
Çdo person, i cili hyn në Kosovë, duhet të ketë me vete dëshminë e vaksinimit të plotë apo të njërës dozë apo testin RT-PCR negativ të bërë brenda 72 orëve. Ora policore vazhdon të jetë në fuqi nga 22:00-05:00, përveç në rastet emergjente.
Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor, pezullohet deri më 26 shtator, ndërsa gastronomia lejohet të zhvillojnë aktivitetin e saj nga ora 05:00-21:30.
Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Kosovës.
Këto janë të gjitha masat e reja të cilat hyjnë në fuqi nga sot:
A. [Zbatimi territorial]
Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;
2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;
2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;
2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.
Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:
4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tri orëve;
4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID[1]19;
4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë orëve;
4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;
4.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.
[Mbrojtja dhe siguria në punë]
Në institucionet publike dhe private, deri me datë 26 shtator 2021, vazhdohet obligimi që të paraqitet në punë vetëm stafi esencial, ndërsa stafi jo esencial obligohet të punojë nga shtëpia. Për qëllime të këtij vendimi, staf esencial konsiderohen punëtorët prania fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës.
Punëdhënësit publikë dhe privatë obligohen që në bashkëpunim me punëtorët të përcaktojnë stafin esencial.
Punëdhënësit publikë dhe privatë udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit.
Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës.
Nëpunësi më i lartë administrativ i çdo institucioni publik është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4
Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës.
Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
14.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
14.2 Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike;
14.3 Gjatë ngrënies apo pijes.
Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private që të përcaktojnë një punonjës të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 15.
[Kufizimi i qarkullimit]
Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:
17.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
17.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
17.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
17.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;
17.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 19, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 17 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.
Dh. [Institucionet e arsimit]
Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.
Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021.
Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4., në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
Nëpunësi më i lartë i çdo institucioni sipas pikës 22, 23 dhe 24, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
[Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.
[Kufizimi i mbledhjeve publike dhe private]
Lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në 20 persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime). Organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
28.1 Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca sociale.
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon numrin prej 20 persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.
Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
Pavarësisht pikës 28 dhe 30, për koncerte dhe festivale vlen pika 34.
Mbajtja e pritjes për ngushëllim/kryeshëndoshë ndalohet.
Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri.
[Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]
Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gj. [Gastronomia]
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.
Ndalohet shërbimi në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë.
Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.
Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:
38.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:
38.2 Ndërsa paguan porosinë;
38.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;
38.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.
Në rastet nga pika 38.1 deri 38.4 është e obliguar bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.
Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në distancë së paku një metër. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.
Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).
[Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë]
Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna/përdorimi i këndeve të lojërave për fëmijë. Ndërsa për shërbimet e gastronomisë në kuadër të qendrave tregtare vlen pika 36.
Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra të thirrjeve (call center) duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.
Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve (call center) është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
[Puna me palë]
Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatoreve ekonomikë, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1.5 metra nga grupet e tjera të personave.
[Transporti publik]
Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik pa maskë.
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.
[Teatrot, bibliotekat, etj.]
Kinematë, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, deri me datë 26 shtator 2021 pezullojnë aktivitetin e tyre.
55.1. Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezencë të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet.
Nga data 27 shtator veprimtaritë sipas pikës 55, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.
Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 55, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.
Bibliotekat dhe muzetë lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave. Shfrytëzuesit e bibliotekave dhe muzeve, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt.
Në biblioteka dhe muze duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
[Sporti dhe rekreacioni]
Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse.
Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura nuk lejohet prania e shikuesve.
Në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 5% të kapacitetit të objektit apo hapësirës sportive (stadium, salla sportive, pishina, hapësira të tjera të mbyllura) duke respektuar masën e distancës prej 1.5 metra dhe masat tjera mbrojtëse.
Shikuesit në aktivitetet garuese në hapësira të jashtme, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
Organizatorët e garës janë të obliguar të caktojnë persona përgjegjës për kontrollimin e posedimit të ndonjërës nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, si dhe të ndërmarrin masat specifike, në përputhshmëri me protokollet ndërkombëtare, për menaxhimin e masës (tifozëve) para, gjatë dhe pas hyrjes në hapësirën sportive.
Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative. Klientët dhe stafi, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi.
Çdo fitnes, palestër dhe i ngjashëm është i obliguar të caktojë të paktën një punonjës i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme, bëhet në proporcion 1 klient në 10 m2. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijesimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit.
[Banjat termale]
Nga data 13 shtator 2021, për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 2.1 deri 2.4 të këtij Vendimi. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4.
[Tregjet dhe therja e kafshëve]
Tregjet publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve lejohet të zhvillojnë veprimtarinë duke shfrytëzuar 20% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe vendosja e tezgave në distancë fizike prej të paktën dy metra.
[Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 2.1 deri 2.4]
Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar sipas pikave 9, 25, 49, 50, 60, 68, 71 bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe mbiemri i personit të autorizuar. Prezantimi i dëshmive të përmendura në pikat 2.1 deri 2.4, bëhet në një formë e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbehen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave.
Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë përmendura në pikat 2.1 deri 2.4, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
76.1. Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
76.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
76.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
76.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
76.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore,
76.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;
76.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik;
76.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
76.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
76.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;
Udhëzuesit nga pika 76 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët ndaj të cilëve zbatohen.
Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e këtij vendimi.
[Zbatimi]
Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
Obligohet Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.
Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.
Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
[Shfuqizimi i vendimit Nr. 01/32]
Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/32, i datës 28.08.2021.
[Hyrja në fuqi]
Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se cilat gra kanë të drejtë të aplikojnë për të marrë shtesat për lehona.
Në një postim të publikuar në rrjetin social Facebook thuhet se për mbështetjen e lehonave mund të aplikojnë të gjitha lehonat që:
– Kanë lindur fëmijën pas datës 1 gusht 2021 e tutje;
– Janë të moshës mbi 18 vjeç;
– Janë shtetase të Kosovës.
Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj për gjashtë muaj radhazi, ndërsa lehonat që figurojnë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për tre muaj radhazi
Ju lutemi ndiqni videon më poshtë me udhëzimet se si të aplikoni për të marrë shtesa: / KultPlus.com
Në edicionin e 20-të të festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, i cili në mënyrë tradicionale mbahet në Dibër, triumfoi teatri “Aleksandër Moisiu”, shfaqja e të cilit “Revizori” në regji të Driada Dervishit u shpall si më e mira.
Aktori Gentian Zenelaj u shpall si aktori më i mirë.
Çmimin “Sulejman Pitarka” për regjinë më të mirë e mori Zana Hoxha nga Teatri Kombëtar i Prishtinës për dramën “Zgjimi pranveror”.
Çmimin për aktoren më të mirë, për herë të dytë, e mori Vjollca Bekteshi nga Teatri Shqiptar i Shkupit.
Shfaqjet e teatrove nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova u mbajtën në sallën e koncerteve në Qendrën e Kulturës, duke ruajtur protokollet për mbrojtje nga Covid-19. / atsh / KultPlus.com
Për herë të parë sheh dritën e botimit romani i parë i Santorit, “Il Soldato Albanese per L’Impero Ottomano del 1420” i shkruar në italisht, i mbetur për 157 vite në dorëshkrim.
Vepra rezulton të jetë hartuar e gatshme për botim, në variantin e tretë të saj, si vullnet i fundmë i autorit, rreth vitit 1864. Dorëshkrimet e romanit ndodhen në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës.
Francesk Anton Santori njihet si krijuesi i romanit të parë të shkruar në gjuhën shqipe “Sofia e Kominiatëve”.
Por me romanet në italishte “La figlia maledetta” (Cosenza 1863) dhe “Il soldato albanese” ai vendos një tjetër gur fillese në historinë e letërsisë shqipe: atë të krijimit të romanit të parë të shkruar në gjuhë të huaj nga një shqiptar, duke i paraprirë romanit të Sami Frashërit “Taaşşuk-u Tal’at ve Fitnat” (Stamboll 1872) dhe romanit të Pashko Vasës “Bardha de Temal, scenes de la vie albanaise” (Paris 1890).
Kjo vepër u përgatit nga tri studiues e botues të dorëshkrimeve santoriane: parathënia prezantuese nga Italo C. Fortino dhe studimet hyrëse e transkriptimi nga Oreste Parise e Merita Bruci.
Kjo vepër i kushtohet kujtimit të Giusy Barci-it, pasardhëse e Santorit dhe albanologut Gianni Belluscio. Faqet e para të veprës mund t’i shikoni në sitin e Shtëpisë Botuese ARACNE duke shtypur linkun: https://www.aracneeditrice.eu/anteprime/9791259941053.pdf/ KultPlus.com
Aktori shqiptar Zgjim Baraliu përzgjedhet në mesin e shumë konkurentëve nga ‘American Academy of Dramatic Arts’ në New York, për të interpretuar gjithsej dy role kryesore nga dy filma tejet të njohura, përcjellë KultPlus.
Roli i parë kryesor është ai i “Stanley Kowalski” nga drama ‘A Streetcar Named Desire’ të regjisorit amerikan Elia Kazan si dhe rolin kryesor të personazhit “Sky Masterson” në filmin ‘Guys and Dolls’ të regjisorit amerikan Joseph L. Mankiewicz.
Këto dy role kryesore për herë të parë janë luajtur nga aktori i njohur amerikan Marlon Brando.
Po ashtu, Zgjimi do të këndoj edhe këngën “Luck Be a Lady” të kompozuar nga Frank Loesser si pjesë e filmit “Guys and Dolls” nën interpretimin e personazhit ‘SkyMasterson’.
Rolet do të luhen në ‘MM Theater’ në skenën kryesore. / KultPlus.com
Në mesin e vendimeve të reja të ndërmarra për parandalimin e transmetimit të koronavirusit, Qeveria e Kosovës e ka bërë obligative për klientët dhe stafin e qendrave tregtare të posedojnë vërtetim të vaksinimit ose testit negativ.Një vendim i njëjtë është marrë edhe për “Call Center”.
“Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra të thirrjeve (call center) duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Rrjedhimisht, qytetarët që ia mësyjnë qendrave tregtare dhe qendrave të thirrjeve duhet të kenë me vete njërën nga dokumentet në vijim: certifikatën e vaksinimit të marrjes së një doze të plotë, ose vetëm të parën; testi PCR negativ jo më i vjetër se 72 orë; test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë dhe dëshmi se dikush ka kaluar koronavirusin.
“Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve (call center) është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4”, thuhet tutje në kategorinë e qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomik.
Përgjatë ditës, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka prezantuar të gjitha masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi nga nesër. Vitia përmes një konference për media tha se këto masa mund të ndryshojnë edhe gjatë kohës sa janë në fuqi, varësisht nga situata në terren.
“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri me datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar.Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar (ose qe ka vetëm një prind dhe ai prind është i punësuar), njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 – 26 shtator 2021 “, ka njoftuar ai.
Tutje drejtuesi i dikasterit të Shëndetësisë bëri me dije se nuk do të hiqet ora policore dhe se kufizimi i qytetarëve do të vazhdojë nga ora 22 deri në ora 5.
“Studentët për regjistrim në konvikt duhet të paraqesin testin ose kartelën e vaksinës. Institucionet publike dhe private deri më 26 shtator obligohen që në punë të paraqitet vetëm stafi esencial. Kufizimi i qytetarëve vazhdon nga ora 22 deri në ora 5. Biblotekat lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30 përqind të hapsirës”, shtoi Vitia. / KultPlus.com
Në një kohë kur personat me nevoja të veçanta ende janë të lënë pas dore, dhe për më tepër, nuk përfillen as ligjet e rregulluara për ta, po ndërmerren nisma të ndryshme private, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për trajtim të mirëfilltë të personave të përfshirë në këtë kategori.
Problemi më madhor i personave me nevoja të veçanta, edhe më tutje vazhdon të mbetet mospërfshirja e tyre në vendet e punës, çfarë ua pamundëson të ndihen të barabartë me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.
Duke e pasur parasysh faktin që këta persona, jo vetëm që kanë probleme për t’u qasur në tregun e punës, por edhe për t’u shkolluar, atëherë qendra e trajnimeve profesionale, ROI Academy, ka vendosur që të ndërmarrë një hap për t’i ndihmuar personat e kësaj kategorie, por edhe për t’i sensibilizuar bizneset që punësimi i tyre nuk është barrë, por vlerë e shtuar e secilës kompani.
Sipas drejtorit ekzekutiv të ROI Academy, Arb Abdyli, ndarja e këtyre bursave është momenti më i veçantë që nga themelimi i kësaj akademie. “E dimë që personat me nevoja të veçanta fizike janë të diskriminuar dhe nuk u janë plotësuar kushtet as për qasje në edukim dhe as në punësim. Ne po mundohemi ta ndryshojmë këtë gjë, duke i pajisur ata me njohuri praktike mbi fushat aktualisht më të kërkuara në tregun e punës”, theksoi ai.
Sipas tij, inspirimi për ndërmarrjen e kësaj nisme ka ardhur pasi një person i verbër, edhe përkundër të gjitha vështirësive dhe pengesave, pak muaj më parë ishte bashkëngjitur dhe e kishte përfunduar me sukses trajnimin për marketing digjital.
Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet bashkërisht me organizatat dhe individët që merren me këtë kategori, ndërkaq të njëjtit do të kenë mundësi të përzgjedhin 9 fusha të ndryshme për t’u trajnuar, përfshirë marketingun digjital, dizajnin grafik, programimin, video animacionin, sigurinë kibernetike, etj.
Përmes kësaj nisme, ROI Academy po synon të nxisë dhe inspirojë të gjitha bizneset që të japin kontributin e tyre përmes punësimit, shkollimit dhe aftësimit profesional të personave me nevoja të veçanta.
Sipas ligjit të Kosovës, një ndërmarrje është e obliguar që në çdo 50 të punësuar të punësojë një person me nevoja të veçanta, ndërkaq, sipas statistikave, në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona që i takojnë kësaj kategorie. / KultPlus.com
Si sot, më 12 shtator 1922, Kisha Ortodokse e Shqipërisë u shpall Autoqefale nga Kongresi i Beratit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli në vëmendje detaje historike nga kjo ngjarje.
Statuti i KOASH-it u miratua në Kongresin e dytë kishtar ortodoks. Ky Sinod u mblodh në Mitropolinë e Korçës nën kryesinë e Kryeepiskopit Visarion. Në Kongres u zgjodhën delegatë intelektualët dhe klerikët e shquar të vendit. Më 16 qershor 1929 delegatët përfaqësues të klerit dhe të ortodoksëve shqiptarë filluan punimet e Kongresit të dytë kishtar.
Imzot Visarioni në fjalën e tij, parashtroi përmbajtjen kryesore të Statutit dhe të Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe parimet e përgjithshme që frymëzuan Sinodin e Shenjtë për hartimin e Statutit.
Statuti sanksionoi Autoqefalinë e deklaruar në Berat më 12 shtator 1922, duke qenë dogmatikisht e bashkuar me patriarkanat e shenjta dhe me kishat e tjera ortodokse autoqefale. Ndërkohë administrativisht Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare mbetej tërësisht më vete nën flamurin kombëtar. Imzot Visarioni këmbënguli që gjuha zyrtare e Kishës të jetë gjuha shqipe.
Kjo për shkak se ajo i zotëron të gjitha aftësitë e duhura dhe kurorëzon përpjekjet më të hershme dhe të rilindasve. Në një artikull të veçantë u përcaktua pavarësia e kishës shqiptare: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare”.
Në përfundim të diskutimeve, në datën 29 qershor të vitit 1929, të gjithë delegatët firmosën dokumentet për t’u miratuar në statutin përfundimtar. DPA solli edhe dy fotografi të delegatëve të mbledhur në Kongresin e mbajtur në Korçë, që ruhen në Fototekën e AQSH-së. / KultPlus.com