“Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat, shqiptarët u pajtuan e u afruan”

Toplica Badivuku ka sjellur në rrjete sociale rrëfimin e saj për Çettën, teksa rrugëtimit human të faljes së gjaqeve ajo iu bashkua si 15 vjeçare.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Adelina Toplica Badivukut:

Në jetë kam taku shumë njerëz, po janë disa kujtimi për të cilet nuk vdes kurrë. Jo-rastësisht kanë qëlluar të jenë të dy në këtë fotografi të shkrepur në Drenicë në vitin 1990. I bashkoi një ideal- po ai ideal që me solli edhe mua në këtë fotografi Levizja për Faljen e Gjaqeve.

Të dy I takova kur ju bashkova karavanit të pajtimit si 15 vjeqare. Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat – shqiptarët u pajtuan e u afruan me njeri tjetrin si pregaditje për shtrëngatën që na priste. Sa herë ka ndodh, që natën vonë, kur kishim edhe nga 10 orë te ulur në një odë, baca Anton ti thërriste zotit të shpisë, urtësisht : “qohu hé burrë, mos ja falsh dorasit, falja gjakun rinisë, zgjatja dorën e pajtimit kësaj vajze të re, fale për ardhmerinë e saj e të rinjëve te Kosovës”.

Ateherë une e pergjumur pritsha te ngrihej ai në këmbë dhe me lot në sy, ma zgjaste mua dorën ta falte gjakun, shpesh për djalin a vëllaun e vetëm.

Sa akt human, I madhërishem!

Sot në ditēlindjen e bacës Anton, kjo fotografi ma kujtoj ate njeri të rralle. Dhe afer tij bacen Elez Zogaj, shtëpia e të cilit në Komoran, na bani konak me muaj te tane te gjithëve.

I pavdekshëm kujtimi për të dy . / KultPlus.com

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”

Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.

Konica vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Washington./ KultPlus.com

Mos i thuaj vajzës që ‘është e derës huj’

Nga Marigona Jahaj

Gratë nuk mund t’i mbrojmë nga dhuna ose vdekja duke shkruar në rrjete sociale, duke marrë pjesë në sfida në Instagram ose duke bërë zhurmë disa ditë pas një vrasjeje.

Gratë i mbrojmë kur në familje e ndryshojmë të menduarit, dhe i mësojmë fëmijët që jeta e vajzave dhe grave vlen njëlloj si ajo e djemve dhe burrave.

Pra, të dashur prindër: Rritini dhe edukojini vajzat aq të forta, që të bahen të pavarura.

Në vend që t’i thuash «shuj, ti je çikë s’ban me folë», mësoje që zëri saj është i rëndësishëm dhe që fjala e lirë vlen për vajzat ashtu si për djemtë.

Në vend që ta mësoni vajzën «m’i ba punt e shpisë se do t’shkon te burri», fiksoja në kokë që shkollimi dhe karriera është me rëndësi për mos me qenë e varur nga dikush.

Mos i thuaj vajzës që «është e derës huj», por mësoje që ajo është një pjesë e familjes, që ajo ta dijë se gjithmonë e ka një mbështetje dhe një vend të sigurt në shtëpinë tuaj. Mësoje që familja do të luf-tojë bashkë me të nëse dikush nuk e respekton, e bën të ndihet pa vlerë ose ia kufizon lirinë.

Mos i thuaj vajzës që nuk i takon trashëgimia, por mësoje që nuk i mohoet e drejta e pronës – që ajo të ketë pavarësi dhe siguri ekonomike edhe nëse shteti nuk i ofron ndihmë.

Kështu i rrisim vajzat të forta dhe me plot vetëbesim dhe siguri. Kështu i mbrojmë ato! / KultPlus.com

Një vit nga vdekja e Maradonës

25 nëntor 2020, ora 17:30, nga Argjentina shpërndahet lajmi se Dieago Armando Maradona ka ndërruar jetë. Ishte një pasditë e ftohtë në Champions League. 25 nëntori do të jetë një ditë e pakëndshme për Maradonët dhe për të gjithë tifozët e futbollit.

Ai nuk ishte vetëm një legjendë, ai nuk ishte një person i thjeshtë, për shumë njerëz ai ishte zot.

Në kto 365 ditë ka patur homazhe të panumërta që i janë bërë në mbarë botën, Buunos Aires, Napoli dhe në shumë cepa të tjerë të globit të cilët kanë kujtuar figurën e një djali kontrovers, të shkëlqyer në fushën e futbollit dhe që la në gjurmë në të gjitha kuptimet në botën e futbollit.

Disa çështje të hapura:

Për momentin, çështja për një neglizhencë të mundshme mjekësore të shtatë profesionistëve të implikuar në një “vrasje të thjeshtë” të mundshme është ende e hapur në gjykatë.

Trashëgimia e tij është kthyer në një luftë të pamëshirshme që sapo ka nisur mes avokatit të tij, Matias Morla, tashmë pronar zyrtar, me motrat Maradona, vëllezërit e yllit, ish-gruaja e tij e vetme, Claudia Villafane dhe pesë fëmijët e tij të njohur./ KultPlus.com

Driton Kuka dhe Distria Krasniqi në konkurrencë për më të mirët e vitit 2021, votimi online (LINK)

Federata Ndërkombëtares e Xhudos ka hedhur votimin online për të zgjedhur më të mirët e vitit 2021.

Në konkurrencën e trajnerëve, Driton Kuka është në mesin e pesë trajnerëve më të mirë.

Sa i përket garuesve, në garë është Distria Krasniqi.

Votimi është online dhe një votë juaja për Dritonin e Distrian është një nder më shumë për Kosovën si shtet./Indeksonline/ KultPlus.com

Votimi bëhet KËTU

Një dhuratë për Rita Orën, Jusuf Buxhovi i dhuron librin “Kosova”

“Kosova”, libri i gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi do të jetë edhe në bibliotekën e Rita Orës, shkruan KultPlus.

Buxhovi është takuar me babain e Rita Orës, Besnikun, ku edhe i ka dhuruar këtë libër.

Më poashtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Buxhovit.

Çfarëdo çasje për te Rita ORA, këngëtarja jonë me famë botërore, tashmë ikonë e identietit kulturor dhe shtetëror të Kosovës, kalon nëpërmes lidhjeve të saj me gjyshin, Besim Sahatçiu – regjisorit të njohur të brezit të artë të krijuesve, që me veprat e tyre artistike e shkencore, ndërtuan identietin institucional të shtetësisë së Kosovës.

Këto ditë, me të birin Besnikun, që jeton në Londër, përpak evokuam kujtime nga ajo kohë. Me këtë rast, shkëmbyem edhe libra. Nga Besniku mora monografinë “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”. Ndërsa nga unë, me dedikim për Rita Orën, mori “Kosovën” në anglisht./ KultPlus.com

Dhuna

Poezi nga Erich Fried

Përkthyer nga Lis Bukuroca

Dhuna nuk fillon,
kur një njeri tjetrin ngulfat.
Ajo fillon kur njëri thotë:
“Unë të dua:
ti më takon mua!“
Dhuna nuk fillon,
kur të sëmurët vriten.
Ajo fillon kur njëri thotë:
“Ti je i sëmurë:
Ti duhet të bësh atë që them unë.”
Dhuna fillon,
kur prindërit
sundojnë fëmijët e tyre të dëgjueshëm.
Dhe kur papët dhe mësuesit dhe prindërit
kërkojnë vetëpërmbajtje.
Dhuna sundon atje, ku shteti thotë:
“Për të luftuar dhunën,
nuk duhet të ketë më dhunë,
përveç dhunës sime.”
Dhuna sundon
ku dikush, apo diçka
është shumë e lartë,
ose shumë e shenjtë,
për t’u kritikuar.
Ose, ku kritikës nuk i lejohet të bëjë gjë
por vetëm të flasë.
dhe shenjtorët ose të mëdhenjtë
mund të bëjnë më shumë sesa të flasin.
Dhuna sundon aty ku thuhet:
“Ty të lejohet përdorimi i dhunës!“
Por edhe aty ku thuhet:
“Ty nuk të lejohet përdorimi i dhunës!”
Ligji Themelor i Dhunës
thotë:
“E drejtë është ajo që ne bëjmë.
Dhe çfarë bëjnë të tjerët
ajo është dhunë.”
Dhuna sundon atje,
ku ajo burgos kundërshtarët e saj
dhe shpif ndaj tyre
si nxitës të dhunës.
Dhuna ndoshta nuk mund kurrë
të mposhtet me dhunë,
por mbase jo gjithmonë
pa dhunë.
Ti
Aty ku nuk ka liri
je ti liria
Aty ku nuk ka dinjitet
je ti dinjiteti
Aty ku nuk ka ngrohtësi
Ku nuk ka afërsi të njeriut me njeriun
je ti afërsia dhe ngrohtësia
Zemra e botës së pa zemër
Buzët tua dhe gjuha jote
janë pyetje dhe përgjigje
Në krahët tu dhe në prehrin tënd
është diçka si qetësia
çdo e „detyruarpërtëikur“ prej teje
shkon te rikthimi
Ti je një fillim i së ardhmes
Zemra e botës së pa zemër
Ti nuk je një artikull besimi
dhe as filozofi
as rregullore dhe as pronë
në të cilën kapet njeriu
Ti je një njeri i gjallë
ti je një grua
dhe mund të lajthitesh dhe të dyshosh dhe meqenë e mirë
Zemër e botës së pa zemër

Erich Fried është lindur më 6 maj 1921 në Vjenë, vdiq më 22 nëntor 1988 në Baden-Baden, Gjermani. Ishte poet, shkrimtar, eseist dhe përkthyes gjerman nga Austria. Ka publikuar mbi dyzetë vepra me poezi, tregime, një roman dhe ese.

Ai konsiderohej në qarqe konservatore dhe të djathta si problematik. Një nga poemat më të famshme të tij është “Was es ist”, e cila konsiderohet si një model shembullor i poezisë moderne dhe është bërë pjesë integrale e librave të leximit, në të cilat bëhet fjalë për dashurinë.

Veprimtaria e tij ngërthen kryesisht vargje lirike. Fried konsiderohet një nga përkthyesit më të rëndësishëm të Shekspirit, pasi ai arriti për herë të parë të transferonte lojërat e fjalëve dhe neologjizmat e dramaturgut anglez me kuptim të plotë./ KultPlus.com

“Vera Andrron Detin” do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kairo

“Vera Andrron Detin” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kairo.

Filmi “Vera Andrron Detin” i Kaltrina Krasniqit, do të jepet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Kairo.

Kështu, shënohet një sukses i radhës i filmave vendor, premierat e të cilëve po jepen gjithandej në Festivale Ndërkombëtare.

Festivali i cili shënon 43 vjetorin dhe mbahet nga 26 nëntori deri më 5 dhjetor.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./ KultPlus.com

Ma gjeni një gru që s’di ç’asht dhuna

Poezi nga Valbonë Bajrami

Ma gjeni një gru n’vendin tem që nuk i ka jetu

një nga njëzet e tetë strofat e Sylvia Plath

njëzet e tetë ditë t’përsërituna

derisa jeta t’i sprovon nandë shpirta e ndalon ciklin

me marr guxim me lëshu za

krejt n’liri

ma gjeni një të vetme pa zemërim

që e ka pa jetën në dritë syni

e s’di se ç’asht’ dhuna

-fizike, mendore, materiale-

një ma gjeni, që ka thye mite

s’përputhet me traditat

se ç’asht’ gru e mirë, e ndershme

sipas hireve që tjetër kush i ka thurë për mu e ty

ma gjeni një të vetme për lapidar

me kujtu, me i frymëzu

të nandë shpirtat buzë vdekjes

ma gjeni një

një të vetme

një për be që nuk asht’ zonja Lazarus. / KultPlus.com

Sonte në KultPlus Caffe Gallery, Nagip Tashi do të prezantojë 15 mozaikë të figurave kombëtare

15 mozaikë të realizuara nga Nagip Tashi, nga Tërrnoci i Bujanocit, sonte do të ekspozohen në KultPlus Caffe Gallery.

Zdrukthëtari Nagip Tashi, i cili artin e ka pasion tash e 20 vite, disa nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare por edhe ndërkombëtare i ka sjell nëpërmjet mozaikut, vepra të cilat do prezantohen para artdashësve, shkruan KultPlus.

Mozaikët janë të punuara në dru, kryesisht me arrë, bung, ah, frashër…

Nagip Tashi, përpos 20 mozaikëve që tashmë i ka në atelienë e tij, ka realizuar edhe dy instalacione: Neë Born dhe Shtëpinë e Pavarësisë.

Në KultPlus Caffe Gallery do të prezantohen mozaikët në kuadër të ekspozitës personale “Distanca”, ku përfshinë figura nga arti dhe politika: Bekim Fehmiu Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Hadi Shehu, Leze Qena, Muharrem Kadriu, Llukman Halili, Abdurrahman Shala, Ridvan Qazimi- Vaja, Ibrahim Kodra dhe Barac Obama./KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”. /KultPlus.com

‘Nëse dëshironi të dini se sa e civilizuar është një shoqëri, shikoni se si i trajtojnë gratë’

Dhuna ndaj gruas ka qenë pothuajse gjithmonë e pranishme, ndërkaq shkaktarët që e nxisin këtë sjellje janë të shumtë, e që zakonisht nuk lidhen direkt me viktimën.

KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur nga Bacha Khan që i dedikohet gruas dhe kulturës së një shoqërie. Ku sipas tij, këto dyja nuk funksionojnë dot pa njëra tjetrën.

-Nëse dëshironi të dini se sa e civilizuar është një shoqëri, shikoni se si i trajtojnë gratë. / KultPlus.com

Këngëtari më me ndikim në histori, shtatë gjëra që nuk i keni ditur për Freddie Mercury-n

Freddie Mercury do të mbahet mend për gjurmët e mëdha që la në historinë e muzikës botërore, për vokalin e tij të fuqishëm dhe për energjinë e tij të mrekullueshme që shpaloste në skenë, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni disa fakte jo shumë të njohura për këngëtarin.

Bohemiian Rapsody- Një histori e shekullit rreth traumave të Freddie-t

Freddie e shkruajti këtë këngë në 1975 dhe në atë kohë “Bohemiian Rapsody” u konsiderua kënga më e gjatë e regjistruar ndonjëherë. Kënga zuri vend në albumin e katërt të grupit, A Night at the Opera. Mediat e huaja shkruanin në atë kohë që kënga në të vërtetë fliste për traumat që këngëtari kishte përjetuar në fëmijëri.

Festat deri në mëngjes me Princeshën Diana

Thuhej se princeshë Diana takohej me Freddien dhe ekipin e tij gjatë kohës kur kishte probleme martesore me princin Charles. Duke parë atë të trishtuar, Freddie i kishte thënë Dianës: “Eja e dashur, dil dhe argëtohu pak”. Pasi ishte e pamundur që Diana të vizitonte klubet e natës, Freddie ishte ai që i kishte sugjeruar që princesha të maskohej si burrë dhe të dilte në klubet për personat gay. Diana e pranoi idenë me entuziazëm, dhe u gëzua veçanërisht me “lirinë” që fitoi ngase mund të argëtohej si çdo person i zakonshëm.

Pse nuk donte të dihej varri i tij?

Në testamentin e tij, Freddie në vullnetin e tij të fundit e detyroi ish-të fejuarën e tij Mary Austin që të kujdesej për hirin dhe kurrë të mos tregonte publikisht atë që kishte bërë me urnë. Në fillim të këtij viti, një pllakë u zbulua në Varrezat e ëest London: “Në kujtim të Farok Balsar. Unë gjithmonë do të jem me ju me dashurinë time. M”. Ende, askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht se urna e muzikantit legjendar ndodhet poshtë pllakës.

Freddie nuk ka asnjë përmendore në Londër

Ndikimi i tij vihet ende në diskutim në publikun britanik. Konservatorët mohojnë rëndësinë e tij, kryesisht për shkak të zgjedhjeve private dhe mënyrës së jetesës. Edhe pse adhuruesit e tij janë përpjekur të ngrenë një monument në Londër për vite me radhë, kjo ende nuk ka ndodhur. Busti i tij përkujtimor ndodhet në Zvicër, në qytetin Montreux, i cili është bërë një vend pelegrinazhi për tifozët e Freddie dhe grupin Queen.

Koncerti për Guinness

Gjysmë viti pas vdekjes së Freddie, grupi organizoi një koncert në stadiumin ëembley të Londrës. Të gjitha të ardhurat shkuan për bamirësi për një organizatë në luftën kundër AIDS, Fondi “Mercury Phoenix”. Koncerti është në Librin e Rekordeve Guinness dhe konsiderohet të jetë koncerti më i madh bamirës rock ndonjëherë.

Ai ishte tejet i turpshëm

Edhe pse ai ishte i njohur për performancën e tij të egër dhe “skandaloze”, shumë njerëz që e njihnin Merkurin personalisht thonë që ai ishte shumë i turpshëm, kjo është një nga arsyet që ai rrallë paraqitej në intervista.

Para se të bëhej yll rocku, punonte në aeroport

Shumë kohë para se të bëhej një nga këngëtarët më ikonikë në historinë e muzikës, Freddie nxirrte jetesën duke punuar në aeroportin Heathroë të Londrës. / KultPlus.com

Dorëshkrimi i Ajnshtajnit rreth teorisë së relativitetit shitet për 11,6 milionë euro

Një dorëshkrim nga Albert Ajnshtajn, ku fizikani fitues i çmimit Nobel kishte shkruar teorinë e tij të relativitetit, u shit në ankand në Paris për 11,6 milionë euro, sipas shtëpisë së ankandit ”Christie’s”.

Dokumenti prej 54 faqesh u shkrua nga Ajnshtajni, i cili jetoi nga viti 1879 deri në 1955, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Michele Besso, dhe është një nga dy shembujt e vetëm të mbijetuar të fillimeve të teorisë së Ajnshtajnit.

Sipas ”Christie’s”, dorëshkrimi është shkruar mes viteve 1913 dhe 1914 në Berlin dhe Zyrih.

”Ky është çmimi më i lartë i arritur deri më sot për një dorëshkrim shkencor në Francë”, sipas ”Christie’s”, që nuk tha se kush ishte blerësi. / KultPlus.com

Si tingëllon arbërisht “Emira” drama e parë në prozë e letërsisë shqipe?

Aktorët e Teatrit të Metropolit provojnë atë që studiuesja Merita Bruci beson, se arbërishtja nuk është një tabu për shqiptarët modernë. Në një regjistrim audio aktorët sjellin në formatin e radio dramës, të lexuar dhe interpretuar në arbërisht  “Emira” nga Antonio Santori.

Dëgjo të plotë këtu:

Pjesa e parë e saj është botuar më 1883 nga Jeronim De Rada. Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Antonio Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë që paraqesin jetën e banorëve të fshatit Picilia, në një kohë historike kur cubëria trazonte banorët dhe shteti i sapokrijuar i Italisë, për të mbajtur rendin dhe rregullin, dërgon komandant Fumellin.

Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmie dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës. Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej. E cilësuar nga autori si tragjikomedi, ajo ka fund të gëzuar me dasmën e Emirës dhe bashkimin e Kallinës me Albencin. / KultPlus.com

Koreja Veriore dënon me vdekje burrin që kontrabandoi e shiti kopje të serisë “Squid Game”

Koreja Veriore ka dënuar me vdekje një burrë që kontrabandoi dhe shiti kopje të serisë së famshme, “Squid Game”, pasi autoritetet kapën shtatë nxënës të shkollës së mesme duke e shikuar serinë e popullarizuar, i thanë burimet në këtë shtet Radios Azia e Lirë.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Thuhet se kontrabanduesi kishte sjellë një kopje të serisë në Korenë Veriore nga Kina dhe kishte shitur USB me këtë seri. Burimet thanë se dënimi do të zbatohet përmes skuadrës së pushkatimit, shkruan Radio Azia e Lirë.

Një nxënës që bleu një USB me këtë seri është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa gjatë të tjerë, të cilët e shikuan serinë, janë dënuar me pesë vite punë të rëndë. Mësuesit dhe administratorët e shkollës janë shkarkuar nga puna dhe përballen me dëbim për të punuar vetë ose në miniera, thanë burimet.

Radio Evropa e Lirë raportoi javën e kaluar se kopjet e serisë me skena të dhunshme kishin arritur në shtetin e izoluar pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve që të mos lejohet depërtimi i medieve të huaja. Kopjet besohet se filluan të shpërndaheshin përmes USB-ve dhe kartelave SD.

E tëra kjo filloi javën e kaluar, kur një nxënës i shkollës së mesme në mënyrë të fshehtë bleu një USB me dramën e Koresë Jugore, Squid Game, dhe e shikoi atë me një nga shokët më të mirë në klasë”, i tha një burim i organeve për sundimin e ligjit në provincën e Hamgyong-ut Verior Shërbimit Korean të Radios Azia e Lirë të hënën.

Sipas burimit, arrestimi i pesë nxënësve e shënon herën e parë që qeveria koreane po e zbaton ligjin e miratuar së fundi për “Eliminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare” në një rast ku përfshihen të miturit.

Në bazë të ligjit të ri, shikimi, mbajtja ose shpërndarja e medieve nga shtetet kapitaliste, veçanërisht Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara, mund të dënohet maksimalisht me vdekje. / KultPlus.com

72 vjet nga krijimi i Teatrit “Migjeni”

Teatri “Migjeni” në Shkodër feston sot 72 vjetorin e krijimit.

Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” u krijua me 24 Nëntor 1949, në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave të asaj kohe.

Trupa përbëhej nga një regjisor Andre Skanjeti, tetë aktorë profesionistë Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi dhe 12 aktorë gjysmë profesionistë, Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa, Zef Jubani, Lin Gjoni, Enrik Prendushi, Gjovalin Çarkashija, Halim Kali, Kolec Tarfuku, Çesk Vuksani, Muhamet Ulqinaku.

Pjesë e trupës ishte një sufler Palok Kurti, një skenograf Pjetër Deda, dy marangozë Lec Prendi, Kin Marashi, një rekuizitjer Ndoc Bazhdari, një rrobaqepës Ejll Gjushi, një llogaritar Zef Jubani.

Premiera e parë u shfaq më 26 maj 1950. Gjatë 71 viteve, kjo trupë ka realizuar 220 premiera, me një mesatare prej 3.01 në vit. Nga këto 220 premiera ishin 133 drama, 64 komedi, 6 teatër poetik, 4 monodrama, 10 drama dhe 1 komedi për fëmijë.

Në 72 vite kanë interpretuar 92 aktorë profesionistë, nga këto 33 aktore femra dhe 282 aktor amatorë.

Në 220 premierat kanë kontribuar 70 dramaturgë shqiptarë, nga këto 1 grua, 43 regjisor nga këto 5 regjisore, 45 skenografë nga këto 2 skenografe, 5 koreograf, 9 kostumografë, nga këto 7 kostumografe.

Sipas teatrit “Migjeni” ky numër është më i madh në realitet, por para viteve ’90 kostumet i kanë dizenjuar skenografët dhe nuk janë shënuar në posterat e shfaqjeve.

Në vitin 2019 teatri “Migjeni” u vlerësua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta në Kullën e Sahatit

Në Kullën e Sahatit në Kalanë e Prezës vijojnë me ritme të shpejta punimet për restaurimin e saj, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas CHwB Albania, këndi i shembur dhe muratura e sipërme e kullës po rindërtohen gradualisht, me synimin për të siguruar një lidhje më të mirë të muraturës së re me atë ekzistuese si dhe në të njëjtën kohë duke e siguruar atë ndaj fatkeqësive të mundshme natyrore, përmes përforcimit strukturor.

“Kulla e Sahatit përfaqëson një monument shumë të rëndësishëm dhe simbolik për Prezën dhe jo vetëm, prandaj po bëjmë çmos për t’u siguruar që të rezistojë në kohë, më e sigurtë dhe për brezat që do të vijnë”, thekson CHwB Albania.

Tërmeti i rënë më 26 nëntor 2019 shkaktoi dëme edhe në kalanë e Prezës, monument kulture, e cila nisi të ndërtohej në shekullin e 14-të dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15-të. Si pasojë e tërmetit muri i kalasë u ça, ndërsa ranë edhe disa gurë.

Projekti i restaurimit është zhvilluar dhe po zbatohet nga ChwB Albania dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII–XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m. / KultPlus.com

“Ditët e Kulturës Shqiptare” së shpejti fillon në kuadër të festave të muajit nëntor

Si çdo vit në kuadër të Festave të Nëntorit, Diaspora shqiptare në Kroaci organizon aktivitete të ndryshme kulturore në disa qytete të Kroacisë.

Nga dita e djeshme, “Ditët e kulturës shqiptare” rifillon aktivitet për deri më datë 27 nëntor. Këto aktivitete zhvillohen në Qendrën Kulturore Shqiptare të organizuar nga Këshilli i komunitetit shqiptar në qytetin e Karllovacit dhe Bashkësia shqiptare në prefekturën e Karllovacit, në mbështetje të Unionit Shqiptar në Republikën e Kroacisë.

Aktivitetet janë të ndryshme ku përfshihen prezantime të librave të rinj, filma dhe shfaqje teatër, muzikë shqiptare etj. / KultPlus.com

Për herë të parë pas 49 vitesh, albanologët mblidhen në Tiranë

Prej vitit 1972, kohë kur u mbajt në Tiranë Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Ilire, i cili bëri një bilanc të plotë të të gjitha arritjeve që ishin shënuar deri në atë kohë në fushë të historisë së shqiptarëve, prejardhjes së tyre, të gjuhës shqipe, duke treguar vijimësinë iliro-shqiptare përmes argumenteve historikë, arkeologjikë dhe gjuhësorë, e deri më sot, gati 50 vjet më vonë nuk ka pasur një aktivitet që ta kthej Tiranën në qendër të studimeve albanologjike.

Nga datat 25 deri më 27 nëntor 2021 Tirana do të bëhet qendra e diskutimeve dhe e arritjeve më të fundit në fushën e shkencave albanologjike.

Këtë vit, pra në vitin 2021 Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizojnë Kuvendin e Studimeve Albanologjike për ta ridimensionuar kuptimin dhe përmbajtjen e albanologjisë dhe disiplinave të saj: vijimësia iliro-shqiptare, shqipja si gjuhë indoeuropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët motra të kësaj familjeje, trashëgimia e shqiptarëve në trojet etnike do të pasurohen në këtë Kuvend edhe me vështrime nga disiplina e antropologjisë, etnomuzikës dhe përmes analizave që mbështeten në teoritë moderne e që do të hedhin një dritë të re për origjinën, gjuhën, kulturën dhe qytetërimin shqiptar në trojet e veta.

Kuvendi ka komitetin organizues dhe atë shkencor si dhe  ka edhe një bord nderi të cilit i prin shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare dhe mjaft personalitete të tjera shqiptare dhe të huaja.

Kuvendi do t’ zhvillojë punimet në hotel Plazza. Do të mbahen tri seanca plenare në datat 25, 26 dhe 27 nëntor, pastaj do të vazhdohet për tri ditë resht me dy seanca paralele të pasditeve rreth katër temave themelore : Histori, Gjuhësi, Antropologji dhe Studime letrare. Do të referojnë rreth 182 studiues shqiptarë dhe të huaj.

Një tjetër vlerë e Kuvendit është se synon të krijojë rrjetin e shkollave, qendrave dhe individëve që merren me albanologji në të gjithë botën. Do të krijojë mundësinë që albanologët e ftuar dhe organizatorët shqiptarë të dëgjojnë njëri-tjetrin. Do të qartësojë gjendjen e albanologjisë sot dhe ndryshimet që kanë ndodhur nga një kohë në tjetrën. Do të konfirmojë arritjet e albanologjisë te ne dhe do të bëjë një bilanc krahasues me albanologjinë në qendrat e tjera dhe me vetveten në të shkuarën. Do të verifikojë e rikonfirmojë tezat bazë të albanologjisë si strategji shkencore për të ardhmen.

Duke përbashkuar arritjet më të mira të qendrave dhe studimeve albanologjike si ato të Palermos, Kozencës, Mynihut, Regensburgut Vjenës si dhe pas viteve 1999 arritjet dhe zhvillimin e dukshëm të studimeve albanologjike në Republikën e Kosovës, dija shqiptare e albanologjisë për të vënë një kufi të qartë mes shkencës albanologjike dhe pseudoshkencës .

Kuvendi i studimeve albanologjike shënon gjithashtu edhe një shkallë të re në vështrimin e dukurive të historisë, arkologjisë, gjuhësisë, antropologjisë e letërsisë sepse tani qendrat e Studimeve albanologjike të Tiranës dhe Prishtinës janë pasuruar me dijetarë të rinj që sjellin në këtë anë të dijes shqiptare teoritë moderne të vështrimit të dukurive tradicionale albanologjike. / KultPlus.com

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri: Ja arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e Mbretit Zog

Nga Aurenc Bebja, Francë – 24 Nëntor 2021

“The New York Herald” ka botuar, të martën e 3 janarit 1933, në faqen n°5, deklaratën e Sir Robert MacLeode Hodgson (ambasador i Britanisë së Madhe asokohe në Shqipëri) mbi arritjet e kombit tonë nën udhëheqjen e Mbretit Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar

Diplomati përshëndet përparimin shqiptarKujton çrregullimin e 20 viteve më parë 

Burimi : The New York Herald, e martë, 3 janar 1933, f.5

(Speciale nga The Herald.)

Tiranë, e hënë. — Vlerësimi i Evropës për përparimin e shpejtë që ka bërë Shqipëria nën mbretërimin e Mbretit Zog I u ilustrua këtu në festën kombëtare, kur Sir Robert MacLeode Hodgson, ministër britanik dhe dekan i trupit diplomatik, bëri një homazh sinjalizues për vendin.

Në prani të monarkut, i cili argëtoi diplomatët, Sir Robert kujtoi çrregullimin dhe prapambetjen e Shqipërisë 20 vjet më parë.

“Ne, kolegët e mi dhe unë, e shohim me sytë tanë përparimin e këtij vendi,” tha ai. “Njëzet vjet më parë çrregullimi ishte rregulli i vetëm, të gjitha llojet e ndërlikimeve dobësonin kombin, nuk kishte mjete lëvizjeje dhe nuk bëhej fjalë për një qeveri qendrore.”

“Tashmë rendi dhe paqja janë siguruar, një rrjet rrugësh krejt i mbaruar ose në ndërtim e ka përhapur (zhvilluar) vendin, shkollat dhe gjykatat e drejtësisë ekzistojnë kudo dhe është krijuar një sistem administrimi në të gjitha degët. Në një 20 vjet Shqipëria arriti të ngjitet në vendin e saj të duhur.”

“Unë jam për të gjitha reformat që janë të dobishme për komoditetin dhe prosperitetin e Shqipërisë,” tha Mbreti Zog para asamblesë.

Spitale të reja janë ndërtuar, po hapen shkolla, po kultivohen arat dhe lindi një letërsi e re shqipe. Është formuar një shoqëri e arteve, ndërsa një teatër kombëtar dhe një akademi muzikore pritet të pasojnë institutin e ri dramatik të hapur së fundmi në Tiranë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-herald-1933-sir-robert-macleode-hodgson-ambasadori-i-britanise-se-madhe-ne-shqiperi-ja-arritjet-e-shqiperise-nen-udheheqjen-e-mbretit-zog/ / KultPlus.com

Sir Robert MacLeod Hodgson (1874 – 1956)

Dafinë Neziri grimon Bebe Rexhën: Mbeta e mahnitur nga shpirti i saj i pastër


Artistja shqiptare Dafinë Neziri së fundmi ka grimuar këngëtaren me famë botërore Beba Rexha, e përpos kësaj ato kanë realizuar edhe një sesion fotografie që pritet të dalë së shpejti, shkruan KultPlus.


”Sapo bëra këtë grim për një superstar

@beberexha #mbeta e mahnitur nga shpirti i saj i paster dhe mbi të tjera ajo është aq e bukur.

Ne bëmë gjithashtu një fotoshoot @natascha.lindemann dhe mezi pres t’ju tregoj rezultatet

Pata nderin te bashkpunoja me nje Yll Bote”, ka shkruar Neziri në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Miley Cyrus feston sot ditëlindjen

Nga shkëlqimi i hershëm i Hollivudit deru tek dukja e saj e fundit në “Midnight Sky”, hidhini një sy evolucionit të bukurisë së Miley Cyrus në ditëlindjen e saj.

Nga ylli me fytyrë të freskët të Disney-t deri te rrokerja me buzë të kuqe të ‘Plastic Hearts’, qasja e Miley Cryrus ndaj bukurisë ka pësuar transformime të mëdha.

Ndërsa ylli feston ditëlindjen e saj të 29-të, ne hedhim një vështrim prapa në evolucionin e saj të bukurisë, transmeton KultPlus.

Duke rivizituar një nga ngjarjet e para të Cyrus në Hannah Montana, 14-vjeçarja u shfaq e freskët me kaçurrela me shkop, shkëlqyes të pastër buzësh dhe shtresë delikate të bojë për vetulla.

Në ‘American Music Awards 2007’, qasja e yllit adoleshent ndaj grimit mbeti minimale, duke përdorur ‘eyeliner’ të zi dhe shkëlqim buzësh rozë. Megjithatë, theksimet bionde të trasha të Cyrus mahnitën, ndërsa ajo ndërroi kaçurrelat e zakonshme me unazë me bravë të hijshme të hekurosura.

Ndërsa performonte në ‘VMA 2013’, Cyrus kishte një gamë spektakolare të kostumeve të çmendura dhe aksesorëve novatorë gjatë performancës së saj të diskutueshme me Robin Thicke. Duke hyrë në moshën e eksperimentimit të yllit, ajo e kompletoi pamjen e saj në tapetin e kuq me topuz hapësinor dhe buzë të kuqe.

Cyrus ekzekutoi pa mundim magjinë e epokës së artë të Hollivudit me një kaskadë kaçurrelash të lirshme dhe një buzë të kuqe të përjetshme.

Duke nxjerrë në pah bukurinë natyrore të Cyrus dhe valët e zhbëra, shumë pamje të paharrueshme nga viti 2019 mbajtën një qasje më minimaliste. Një sy klasik mace me hije delikate dhe një buzë nudo plotësonte smokingun e yllit të ‘Saint Laurent’, të huazuar nga babai, Billie Ray Cyrus.

Menjëherë pas publikimit të videos muzikore “Midnight Sky”, interneti u rrotullua me mijëra fansa që rikrijuan pamjen e çuditshme të Cryus-it të frymëzuar nga disko. Artistja e gjatë e grimit e yllit, Janice Daoud, mahniti me një sy mace ngjyrë vjollce metalike dhe një buzë të kuqe mbresëlënëse. / KultPlus.com

Interesim i madh i nxënësve në Prishtinë për t’u vaksinuar kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se interesimi i nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, për t’u vaksinuar kundër COVID-19, ka qenë i madh sot.

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka nisur sot vaksinimi përmes ekipeve mobile në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku të pranishëm ishin edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku dhe sekretari i përgjithshëm i MSh-së, Naim Bardiqi.

“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë”, tha sot zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku.

Me këtë rast, zëvendësministrja Gexha Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi, në cilësinë edhe të prindërve, përcollën nga afër edhe vaksinimin e fëmijëve të tyre.

Zëvendësministrja Gexha-Bunjaku dhe Sekretari Bardiqi, sipas MSH’së thanë se përmes  shembullit personal duan t’i sigurojnë dhe inkurajojnë prindërit për vaksinimin e fëmijëve të tyre si rrugën më të mirë për t’i mbrojtur ata dhe për të siguruar mbajtjen e shkollave hapur.

“Shkolla është vendi ku çdo i ri takohet me dijen dhe me shkencën. Një nga zbulimet më të rëndësishme shkencore në dy shekujt e fundit ka qenë vaksina. Pa vaksina, shumë sëmundje nuk do të kaloheshin kaq lehtë sot. Edhe gripi dikur ka qenë një pandemi vdekjeprurëse në gjithë botën, të cilën njerëzimi e mposhti vetëm përmes vaksinave, dhe sot gripi konsiderohet ndër sëmundjet e lehta e të zakonshme”, tha Ministrja Gexha.

Ajo theksoi se  Qeveria e Kosovës e Ministria e Shëndetësisë kanë siguruar vaksinat më cilësore në tregun botëror, pa pagesë, derisa u shpreh se tashmë këto vaksina administrohen pa termin, kudo, pavarësisht vendbanimit apo shtetësisë.

Zëvendësministrja Gexha u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen për ta fituar betejën kundër COVID-19.

“U bëj thirrje gjithë nxënësve të shkollave të përfitojnë nga ekipet tona e të vaksinohen, sepse nxënësit janë e ardhmja e shoqërisë. Rastësi, në këtë shkollë ndjekë mësimet edhe bija ime e madhe, e cila u vaksinua sot bashkë me shoqet e shokët e saj. Me këtë rast  shpreh një falënderim e mirënjohje për administratën e shkollës për organizimin dhe profesionistët shëndetësor që janë në krye të detyrës”, tha Zëvendësministrja Gexha.

“Procesi i vaksinimit me ekipe mobile në shkolla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ndërkohë që u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e krijuara për t’u vaksinuar kundër COVID-19, duke qenë që nuk kanë nevojë për terminë, dhe mund të vaksinohen kudo në Kosovë”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë. / KultPlus.com