DW: Shpresa për lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi

Pas qëndrimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Ballkan, duket se dialogu Kosovë-Serbi, pas disa vitesh ngecjeje, po rigjallërohet konkretisht. Pritet së shpejti një marrëveshje e re.

Më në fund duket se do të ketë së shpejti lëvizje në dialogun Kosovë-Serbi. Pas vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Ballkan, duket se Kosova dhe Serbia po tregojnë gatishmëri të re. Sipas të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak javën e ardhshme pritet edhe një marrëveshje me rëndësi në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve. Nga Bashkimi Evropian u bë e ditur se bëhet fjalë për marrëveshjen për energjinë për serbët në veri të Kosovës.

“Ne do të kemi një tjetër takim mes kryenegociatorëve javën e ardhshme. Me shpresë, ne do të mund të njoftojmë rreth një marrëveshjeje shumë të rëndësishme, dhe unë gjithashtu po shpresoj t’i bëj të dy liderët bashkë në Bruksel, për takimin e tretë të nivelit të lartë përpara pushimeve të verës”, tha Lajҫak.

Finalizim i ҫështjeve të energjisë

Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, pret që javën e ardhshme delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të finalizojnë temën e energjisë.

“BE-ja pret që palët të mbyllin çështjen e energjisë gjatë javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve”, tha Stano.

Përfaqësues të Bashkimit Evropian, kanë qenë të pranishëm në një takim të mbajtur javën e kaluar në Stamboll të Turqisë, ndërmjet palës serbe dhe Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KEDS nga viti 2013 kryen shpërndarjen e energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës.

Vuçiq: Marrëveshja drejt përfundimit

Edhe autoritetet e Beogradit dhe ato të Prishtinës në fillim të javës paralajmëruan se janë afër marrëveshjes për zgjidhjen e problematikave të energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk paguajnë faturat e rrymës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe për këtë çështje ai tha se “ka pasur negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

“Kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar dhe shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike që të rregullohet dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, tha Vuçiq.

Edhe qeveria e Kosovës nga ana e saj, e konfirmoi se palët janë shumë pranë zgjidhjes së çështjes së furnizimit dhe inkasimit të energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveҫan dhe Zubin Potok.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të vitit 2013”.

“Në emër të Kosovës, negocion vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës. Takimi mes KEDS-it dhe palës serbe, i organizuar nё Stamboll më 9 qershor, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit të garancive për katër shërbimet e dakorduara në vitin 2015: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi, dhe këtë obligim e ka përmbushur”, shkroi Bislimi në profilin e tij social.

Serbët e veriut të Kosovës nuk kanë paguar për energjinë

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për energjinë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës në veri të Kosovës. Që nga atëherë kjo marrëveshje nuk është zbatuar ndonëse vazhdimisht është bërë presion nga bashkësia ndërkombëtare.

Serbët e veriut të Kosovës  që nga përfundimi i luftës furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë. Asnjëherë nuk është bërë e qartë se nga kush furnizohen me energji elektrike serbët në veri. KOSTT që është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, thotë se furnizimi në veri bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, ndërsa, autoritetet e Beogradit thonë se energjia elektrike në veri të Kosovës sigurohet nga elektro-rrjeti i Serbisë.

Me marrëveshjen në parim të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike në veri të Kosovës, parashihet që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

Që nga përfundimi i luftës nga viti 1999 e deri në vitin 2017, rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës e kanë paguar qytetarët e tjerë të Kosovës të regjistruar nga faturat e tyre si humbje e energjisë në rrjetin në veri. Nga viti 2017, pasi një gjykatë në Kosovë e ndërpreu këtë praktikë rrymën për serbët e veriut e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT). Sipas tyre humbjet nga mospagesa e rrymës në veri vetëm në vitin 2021 janë rreth 40 milionë euro. /dw/ /KultPlus.com

Sami Frashëri: Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij

Thënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. / KultPlus.com

“Dhe ti, qe s’vdiqe nga plumbi, vdes një ditë nga thumbi”

Poezi nga Dritëro Agolli

Rastësitë

Në supin tim papritur erdhi të ulej një flutur,
Një sup të tillë kjo flutur c’pati që zgjodhi?
Të thuash se ishte një sup i bukur,
Gjepura! Kjo duhej të ndodhte dhe ndodhi!
Shumë gjera s’dime pse ndodhin ne lufte a ne paqe,
Për shembull, s’të zuri mes luftrave plumbi,
Në paqe të vjen një grerëz, me thumb të thumbon në faqe
Dhe ti, qe s’vdiqe nga plumbi, vdes një ditë nga thumbi…. /KultPlus.com

Zelensky: Ne nuk ndalemi së punuari për fitore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar qytetin port jugor të Mykolaiv në një udhëtim të rrallë jashtë kryeqytetit, Kiev, shkruan BBC.

Në një video të publikuar nga zyra e tij, ai shihet duke parë një ndërtesë banimi të dëmtuar rëndë në qytet, duke mbajtur një takim me zyrtarë rajonalë – duke përfshirë kreun e administratës rajonale të Mykolaiv, Vitaliy Kim – dhe duke dhënë çmime shtetërore.

Zyra e tij tha se ata diskutuan gjendjen e ekonomisë, rivendosjen e furnizimit me ujë dhe situatën bujqësore, transmeton KultPlus.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua kërcënimeve nga toka dhe deti. Ne nuk ndalemi së punuari për fitore”, thuhet në deklaratë.

Vizita e tij vjen një ditë pasi një sulm rus vrau dy persona dhe plagosi 20 të tjerë në qytet.

Qyteti është shënjestruar rregullisht nga sulmet e artilerisë dhe raketave ruse, thonë zyrtarët. /KultPlus.com

‘FemArt’ solli performancën “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda, shpaloset motivi i një kënge të vjetër arbëreshe

Era Berisha

Dita e katërt e edicionit të dhjetë të festivalit “FemArt” solli performancën artistike me titull “Vals i këputun” nga koreografi Gentian Doda i cili në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës arriti të krijojë një frymëzim të gjallëruar përbrenda motiveve të paqarta të cilat u grumbulluan dhe morën formë atëherë kur trupat e tre balerinëve bashkoheshin për të formësuar një imazh të ngurtë që ngjallte kuriozitete të shumta, shkruan KultPlus.

Mbrëmë salla e Teatrit Kombëtar po mbushej dalëngadalë me prezencën e të pranishmëve të cilët fillimisht u përplasën me një mjegull në atmosferë e cila veçse po tregonte pak për formatin e kësaj performance. Ndonëse numri në publik nuk ishte edhe aq i madh, kjo megjithatë e bënte këtë mbrëmje edhe më të veçantë ngase ajo që pas pak do të shpalosej mbi skenë, do të ishte aq speciale dhe e mjaftueshme për të pranishmit që sytë i kishin të drejtuar me padurim drejt skenës.

Fiks në orën 20:14, nisi gjithçka. Terri zgjoi krahët sipër vendit dhe mbuloi gjithë hapësirën derisa drita rrethore mu në mes të skenës e përndjekur nga mjegulla e vazhdueshme përgjatë gjithë shfaqjes, shoqëroi lëvizjet, hapat dhe kërcimet e balerinëve si: Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa. Të tre këta trupa shpalosën një mori intensitetesh që në thelb kuptimi i tyre ishte i fshehur por gjallërohej kur trupi i ndonjërit prekte një trup tjetër, kështu dhe rikrijohej lidhja e këputur mes tyre, me ç’rast evokohej një ndjenjë, një emocion dhe një fotografi nostalgjike.

Muzika origjinale nga kompozitori Çezar Aliaj vjen e frymëzuar nga një këngë e vjetër arbëreshe andaj dhe rrjedh lehtësisht nëpër gjymtyrët e tri balerinëve që mbi skenë krijonin përfytyrimin se po transformoheshin vazhdimisht e po merrnin formë të ndryshme nga çasti në çast. Ndërkaq, muzika si pjesë e pandashme e vallëzimit, i përngjante ‘tik-takut’ të një ore që po kalonte dhe ndërkohë ndjehej nevoja për ndërveprimin e performuesve në skenë.

Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa shfaqën në pah një punë të fortë dhe mjaft të kontrolluar të këmbëve dhe krahëve, duke vënë fokusin mbi tkurrjen dhe lirimin e trupit në momente të paparashikueshme por jashtëzakonisht të bukura. Në anën tjetër, dalloheshin ndryshimet drastike në ritëm, shpejtësi dhe drejtim të cilat shpalosën karakteristika unike jo vetëm të lëvizjeve në këmbë, por edhe në dysheme, e sidomos në rëniet e tyre improvizuese.

Po ashtu, vetë koreografi Gentian Doda ka arritur të krijoj baraspeshën midis një tradite të lashtë arbëreshe dhe kërcimit bashkëkohor e lëvizjeve që erdhën në një nivel shprehës tejet të lartë. Talenti i tij krijues solli mbi skenën e Teatri Kombëtar të Kosovës një vepër që në esencë është sa tradicionale aq edhe moderne. Vetë shkëputjet e emocioneve dhe disponimit përbrenda teknikave të balerinëve ndërlidheshin në një mënyrë mbresëlënëse me stilin muzikor të përzgjedhur.

Gjetja e mënyrave për të kërkuar angazhimin moment pas momenti të të pranishmëve brenda një mjedisi siç është teatri, është bërthama kryesore para krijimit të një vepre. Koreografi Doda me këtë krijim të veprës siç është “Vals i këputun” ka hyrë brenda qosheve të zemrës së njeriut dhe ka ngjallë një ndjeshmëri të pakrahasueshme e cila ka lënë gjurmë që as koha nuk do të mund t’i fshijë dot.

Për të treguar më shumë rreth kësaj shfaqje, për KultPlus foli koreografi Gentian Doda i cili konsideron se folklori pa artin bashkëkohor dhe modern, nuk do të kishte jetëgjatësi.

“Është një festival shumë i rëndësishëm për vetë aktivizmin dhe socializmin e këtij qëllimi që ka si festival. Për mua është një kënaqësi e madhe sepse është hera e parë në Prishtinë por më vjen keq ngaqë nuk kishte publik shumë. Por ishte shumë interesante sepse po ndanim së bashku këto ndjenja”, thotë Doda.

Sipas tij, vepra është komplet e frymëzuar në motive shqiptare, më konkretisht në motivin e një kënge të vjetër shqiptare arbëreshe, në bashkëpunim me kompozitorin shqiptar Çezar Aliaj i cili jeton në Spanjë.

“Këtë vepër kemi që një vit që po e lëvizim. Zana Hoxha e ka parë para një viti në ‘Za Fest’ dhe ishte shumë e interesuar, andaj dhe më kontaktoi. Shpresoj që edhe këtij pak publiku, t’i ketë interesuar vepra e të ketë ndjerë diçka”, shpalos ai.

“Arti kontemporan dhe arti modern është shumë i rëndësishëm t’i japi jetëgjatësi, traditës dhe folklorit. Folklori pa artin kontemporan dhe pa artin modern nuk do të ketë jetëgjatësi, për shkak se duhet të ketë një zhvillim.”

Ndërsa, balerini Elton Cefa e cilëson këtë shfaqje si shumë të vështirë në realizim por tejet të bukur në pamje. Ai për KultPlus, koreorgrafin Doda e cilësoi si “shkollë më vete”.

“Është kënaqësi shumë e madhe që unë të kthehem pas pesëmbëdhjetë viteve në këtë skenë pasi kam punuar me trupën e Baletit të Kosovës gati shtatë vjet. Kam shumë kujtime të bukura këtu dhe shpresoj të kem lënë ndjesi dhe shije shumë të mirë tek spektatorët. Shfaqja është shumë e bukur për t’u parë por shumë e lodhshme për ne sepse kemi gati një vit e gjysmë që punojmë në këtë proces shumë të vështirë por aq edhe të bukur. Kur punohet me koreografin Gentian Doda është si të bësh një shkollë më vete nga të gjitha anët dhe shpresoj shumë që edhe trupa e Baletit të Kosovës të ketë një bashkëpunim të tillë me Gentian Dodën, sepse do të ishte një fitore e madhe për ne dhe për të gjithë”, thotë Cefa.

Kurse, balerina Rosella Pellicciotti për KultPlus tha se shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike prandaj e gjithë shfaqja është një përpunim i kujtimeve.

“Kjo shfaqje është vendosur për herë të parë në muajin gusht të vitit 2021, në Shkodër ku pati premierën, ndërkohë që procesi ka filluar që në janar të 2021-tës. Pastaj është vendosur edhe në Tiranë dhe tani për herë të parë në Prishtinë. Mund të them që shfaqja nuk ka një narrativë apo histori logjike apo ngjarje por kompozitori ka krijuar një muzikë origjinale për shfaqjen dhe është bazuar në motive shumë të vjetra arbëreshe, kështu që e gjithë shfaqja është si një përpunim i kujtimeve që vinë bashkë nga një kohë e papërcaktuar mirë në formë imazhesh”, thotë Pellicciotti.

Gjithashtu, balerini Fjorald Doci foli rreth lëvizjeve që sipas tij vinë të bazuara në kujtime, fotografi apo imazhe.

“Lëvizjet janë të bazuara në kujtime, foto, imazhe të cilat mundohemi t’i rikthejmë nga një kohë e shkuar por që janë të ngrira në fragmente. Kjo sjell një qasje shumë interesante gjatë procesit dhe na ka bërë të eksplorojmë në fusha të cilat i kishim të reja”, thotë Doci.

Koreografi Robert Nuha për KultPlus tregoi se këso shfaqje janë shumë të nevojshme në Kosovë, ngase janë në një mungesë të madhe.

“Shfaqja ishte padyshim e nivelit evropian. Është një shfaqje e dansit bashkëkohor e cila tek ne në Kosovë, megjithëse ka tendenca, akoma mungon. Kështu që kjo që sonte e pamë këtu është shumë e mirë për artistët, artdashësit dhe kërcimtarët që duan të zhvillohen në dansin bashkëkohor. Ishte një shfaqje tejet mbresëlënëse dhe unë për vete kam pasur fat që të punojë me kërcimtarët që ishin në skenë por sonte ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Kur vjen një shfaqje nga një koreograf si Gentian Doda, sigurisht që pritshmëritë janë të tilla. Më bëhet qejfi shumë që FemArt po sjell shfaqje të tilla sepse na duhen shumë”, thotë Nuha.

Performanca “Vals i Këputun” vjen nga realizimi i ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’.

‘was bleibt kollektiv’ është një nismë e koreografit të mirënjohur botërisht Gentian Doda. Një bashkëpunim mes artistësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Fokusi i tyre qëndron në zbulimin e gjendjes njerëzore nëpërmjet lëvizjes (ose mungesës së saj). / KultPlus.com

Gurakuqi: Nesër do të nisem për në Romë së bashku me Isa Boletinin, ku do t’i bashkohemi shefit tonë Ismil Qemali dhe më pas do të vazhdojmë të gjithë për në Londër

Nga Aurenc Bebja

Bisedë me një ministër shqiptar

Burimi : Gazetta di Venezia, e premte, 4 prill 1913, ballinë
Burimi : Gazetta di Venezia, e premte, 4 prill 1913, ballinë

Telegrami i shqiptarëve për Sir Grey

(Korrespondenca jonë e veçantë)

Bari, 1 prill.

Mbrëmë, me trenin nga Brindizi, në stacionin tonë mbërriti Shkëkqesia e Tij Ismail Qemal beu, kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare, i shoqëruar nga djemtë e tij Et’hemi dhe Qazimi, nga ministri i arsimit publik Luigj Gurakuqi dhe nga revolucionari i njohur Isa Boletini, po ashtu me dy djemtë e tij.

Ata u mirëpritën nga kolonia e madhe shqiptare e Barit nëpërmjet duartrokitjeve të gjata e entuziaste.

Ismail Qemali përshëndeti të gjithë i emocionuar dhe shprehu menjëherë keqardhjen e tij që duhej të vazhdonte menjëherë për në Romë, duke pasur parasysh urgjencën e çështjeve me të cilat duhej të merrej në kryeqytet. Ndërsa qëndruan në Bari ministri Gurakuqi dhe Isa Boletini dhe nesër në mëngjes do të nisen për në Romë.

I shoqëruar këtu nga një mik prej Shkodre, shkova në Hotel Cavour dhe munda të realizoj një intervistë me ministrin Gurakuqi.

Ai flet në mënyrë perfekte italisht pasi ka përfunduar studimet në Napoli; me sjellje të dashur dhe të dalluar, nuk është më shumë se 33 vjeç dhe ka lindur në Shkodër të Shqipërisë.

E pyeta menjëherë se çfarë përshtypjeje kishte lënë tek ai dhe kolegët e tij në qeverinë e përkohshme qëndrimi i Italisë në favor të autonomisë shqiptare.

— Ne, u përgjigj ministri, duhet t’u jemi mirënjohës qeverive italiane dhe austro-hungareze së bashku, sepse ato ishin faktorët e parë dhe të vazhdueshëm të pavarësisë së Shqipërisë kur vendi ynë heroik dhe i trazuar kërcënohej të ndahej midis katër shteteve ballkanike. Ne ende duhet t’u jemi mirënjohës fuqive të Evropës, që ftuan Malin e Zi të ndalojë bombardimet e Shkodrës dhe të vërtetojë në çdo rast se ky qytet i përket shtetit të ri shqiptar. Për ne Shkodra është absolutisht e nevojshme dhe nuk do të mund të imagjinohej një Shqipëri e lirë dhe e pavarur, pa Shkodrën si kryeqytet.

— Cila do të jetë forma e qeverisjes dhe cili do të jetë udhëheqësi i saj? — e pyeta zotin Gurakuqi.

— Epo, u përgjigj ministri, forma e qeverisjes sigurisht që do të jetë kushtetuese dhe do të qeveriset me ligje civile dhe moderne, por për momentin nuk mund t’ju them asgjë, as të mundshme, sepse edhe këtu gjithçka do të varet nga vendimet që do të marrin më vonë fuqitë evropiane.

— Por Duka i Montpensierit, që ju transportoi me jahtin e tij nga Vlora në Brindizi, nuk ka mundësi?

— Edhe ai, si shumë të tjerë, është një nga kandidatët, por e përsëris se nuk ka asgjë pozitive.

— Dhe për ku do të niseni nesër ?

— Do të nisem për në Romë së bashku me Isa Boletinin, ku do t’i bashkohemi shefit tonë Ismail Qemali dhe më pas do të vazhdojmë të gjithë për në Londër, ku synojmë të jemi pranë ambasadorëve për të paraqitur dëshirat tona në lidhje me kufijtë e shtetit të ri.

Gjatë intervistës hyri i famshmi Isa Boletini, vrasja e të cilit nga serbët u njoftua disa herë, ai flet vetëm gjuhën shqipe, ndaj më duhej t’i përcillja përshëndetjet dhe urimet e mia më të mira për çështjen shqiptare, përmes përkthimit të vetë ministër të sjellshëm Gurakuqi.

Ndërkohë, munda të lexoj telegramin e mëposhtëm, i cili do t’i dërgohet Sir E. Grey në Londër :

Armiqësia e qeverisë xhonturke kundër shqiptarëve na kishte detyruar t’u rezistonim me armë në dorë për ruajtjen e ekzistencës sonë kombëtare. Kjo luftë, e cila vazhdon për katër vite radhazi, ka kushtuar shumë burra dhe para. Fqinjët tanë në Ballkan, të prekur nga fatkeqësitë tona, në disa raste na kishin treguar simpatinë e tyre dhe na kishin premtuar edhe mbështetjen e tyre. Në fund të katër viteve, verën e kaluar, më në fund arritëm të merrnim njohjen e pjesshme të të drejtave tona nga qeveria. Në një moment rraskapitjeje, Shqipëria u pushtua nga fqinjët e saj, pa qenë fare përgjegjëse për luftën ballkanike. Agjitatorët e dërguar në Shqipëri dhe të lidhur me elementët shqetësues të vendit kanë kryer mizori të tilla që e bëjnë njerëzimin të dridhet nga tmerri. Të bindur për drejtësinë e Konferencës së Ambasadorëve, ne presim çlirimin e ardhshëm të tokës sonë kombëtare dhe besojmë se përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të ruajnë të drejtat tona legjitime si dhe ekzistencën tonë kombëtare. Rezultati i luftës së tanishme, një luftë për të cilën përgjegjësia nuk mund të binte mbi popullin shqiptar, nuk duhet të ndikojë veçanërisht në fatin e integritetit të vendit tonë. E përfundojmë duke iu lutur botës së qytetëruar që të mos lejojë ndarjen e territorit tonë në të cilin kemi jetuar për dyzet shekuj.

Para se të largohesha, kërkova mendimin e ministrit Gurakuqi për qëndresën e Shkodrës dhe për rënien e mundshme në duart e ushtrive serbe e malazeze.

— Qyteti, u përgjigj ai, do të mund të rezistojë për një kohë të gjatë, sepse garnizoni përbëhet pothuajse tërësisht nga shqiptarë që e kuptojnë mirë se si fati i shtetit të ri varet nga rezistenca e tyre heroike; në çdo rast, nëse ushtritë rrethuese do të mund të kishin për momentin epërsinë, të jeni të sigurt se populli shqiptar nuk do t’i linte pushtuesit të qetë dhe masakra të tjera nuk do të ishin krejtësisht të pamundura. /KultPlus.com

“Ora e vdekjes”, shfaqja e bazuar në histori të vërteta të të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri premierë më 23 qershor

Shfaqja “Ora e vdekjes”, shfaqje e bazuar në histori të vërteta të burgosurve politik në Kosovë dhe Shqipëri, do të jepet premierë në Muzeun e Burgut të Prishtinës më 23 qershor, shkruan KultPlus.

Në kuadër të FemArt, kjo shfaqje do të shfaqet më 23 qershor, për të vazhduar edhe për 3 ditë të tjera.

Më pas, në datat 28, 29 dhe 30 qershor do të vazhdojë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Autorë të shfaqjes janë Ulpiana Maloku dhe Agnesa Mehanolli, ndërsa regjisor është Ilir Bokshi. Në shfaqje do të luajnë Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti. /KultPlus.com

Çfarë i shkruante Sami Frashëri Jeronin de Radës në vitin 1881

Sami Frashëri, (1850-1910) , një nga rilindasit dhe nacionalistët më të flaktë për çështjen shqiptare në shekullin e XIX është një figurë qendrore e kombit shqiptar.

Është një personalitet dhe funksionar i perandorisë osmane, por njëkohësisht përparimtar me ide perëndimore bashkëkohore që mendonte për një Shqipëri të pavarur si komb-shtet.

Në kohën kur ‘’E sëmura e Bosforit’ po bëhej gati të përdorte akoma levat e saj mbi Ballkanin, kur shtetet e Ballkanit mendonin më shumë të zhvasnin sesa të jetonin në paqe, shumë personalitete shqiptare që jetonin jashtë atdheut  u vunë në lëvizje.

Samiu ishte një personalitet në fushën e kulturës që përdorte 9 gjuhë të huaja, dije të gjera në shumë fusha të shkencave shoqërore si dhe të natyrës, enciklopedist dhe publicist.

Në lidhjet e shumta dhe letrat epistolare që ka me shumë personalitete të kohës ai ka një letër shumë interesante me një personalitet tjetër të mendimit dhe iluminizmit shqiptar, Jeronin de Radës.

Më poshtë janë shprehur mendimet e Sami Frashërit për situatën e krijuar në ato vite, lufta për bashkimin e shqiptarëve, problemin themelor të gjuhës dhe fesë si dhe problemi i Shqipërisë për ndarjen dhe luftën nga shtetet ballkanike, ndikimin e Turqisë.

Ndë Kostandinupojë më 20 të shkurtitë 1881

Zot i nderçur’ e vëlla i dashurë

Përgjigjemi në dy letra të zotërisë sate, njera shkruarë më 28 të sht Mërtirit (novembre), tjatra më 2 të shkurtit (fevrier) 1881. Edhe të lutemi të na ndjejsh që mënuamë të përgjigjeshimë mbë kohë në të parët.

Kemi kënduarë, që motit, këngëtë që ke mbledhurë e punëratë që ke bërë zotëria Jote në gjuhët tënë e për kombinë tënë edhe i kemi pëlqyerë shumë, sikundrë edhe gramatikënë e zotit të nderçurë djalit zotërisë satë z Giussep Radësë, të cilit i gëzohemi edhe e përqafojmë vëllazërisht.

Të përgjigjemi përpara për punët t’allfabetësë: Allfabeta, që ka bërë shoqëria jonë na duketë se është shum’ e leht e e plotë, edhe gjuha jonë shkruehtë me të fort mirë.

Kjo allfabetë ësht’ edhe e pëlqyerë e e dheksurë prej gjithë shqiptarëvet, e sot është e përhapurë nëpër gjithë Shqipërinë. P’andaj na duketë që s’është nevojë të kërkojmë tjetërë alfabetë.

Për punët të fletësë (a ditaresë) jemi menduarë që kohët, edhe shumë herë kemi kërkuarë pandaljenë (la permission) nga kuvern’ e turkutë, po s’na është dhënë; e turku nukë do xjuarjenë e shqiptarëvet edhe lindjen e Shqipërisë përsëri, po do t’e ketë fjetur’e të verbërë.

Kemi shumë nevojë po do t’e sjellë puna që t’e nxjerëm (le publier) në Shqipëri, nukë me gjuhëra shumë po vetëm në gjuhët shqip të pandemë e të njëjtë, sikundrë duhetë të jetë edhe Shqipëria, se shumë gjuh’ë e shumë djalekta sjellinë, ndarje e mërgimi.

Vërtet sot kemi disa djalekta, po këto nukë janë të huaja njera nga jatera; po ca nga fraset edhe nga fjalët e gjuhësë kanë humburë më ca anë të Shqipëris’e të kolonivet e kanë rojturë më ca anë të tjera, shumë fjalë, pase e mbrujtime të fjeshta e të mira që rojnë në Shqipëri janë humburë nëpër kolonit, shumë të tjera janë humburë në Shqipëri e rojnë nëpër koloni(a kolonjat), kshu edhe në mest të Gegërisë e të Toskërisë edhe të gjithë këtyre fjalëve e fraseve bashkë, edhe gjuha shqip do të bëhetë e begatë (riche), e gjerë e do të shpëtonjë nga të pasurit nevojë më fjalë të huaja, edhe gjithë djalektatë do të gjendenë të gjitha të bashkuara e të përzjera.

Të vimë në punët e ndarjes Shqipërisë më tri degë të bashkuara (a trois etats confederes). Kjo punë as e mirë na duketë, as mund të bënetë kurrë në Shqipëri; se e para nukë duamë të ndahemi, po duamë të bashkohemi satë muntmë më teprë; e dyta, Shqipëria nuk ësht’ ndarë pas fevet, edhe shqiptarët e çdo feje nukë janë të ndarë më vet’he po gjendenë të bashkuarë më çdo anë, përveç në Shqpëri të poshtërme që s’ka katolikë.

Shumë fara e fise  janë që pushtojnë muhametanë e të krishterë, edhe një i krishterë është m’i aftrë me një muhamentan që ka në farët të ti, se nga një i krishterë që është nga një farë e tjatërë; edhe me të gjithë të pjekurit  të huajët, do-me-thënë të turqet, të krekërvet, të shqehet (des slaves) e të tjerëve, që rahana nat- e ditë të na ndajn’ e të na çajnë, vëllazëria në mest tënë nukë na është prishurë, edhe të gjithë shqiptarëtë duanë të quhenë vëllezërë edhe djemt’ e një mëmëdhethi të dashurë; edhe në ka më nonjë anë ndarje duhet t’e çkulim e t’e hedhimë poshtë, duke lënë fetë për në kish’ë për në xhami, e duke bërë gjithë vëllezërë sikundrë n aka bërë natura e sikundrë kemi qënë të moti.

Pun’ e vëllazërisë shqiptarëvet edhe e bashkimit e e ngjalljes Shqipërisë është pun’ e Lidhjesë (de la Ligue) që e ka zënë punënë shëndoshë edhe po vete gjithënjë mbarë; pun’ e të ngjallurit të gjuhësë shqip edhe të bashkuarit të djalektavet t’asaj e të ndritësuarit të kombit tënë që është një pun’ë e shenjtëruarë t’e mbaronjë pa ndihmën e burave si zotëria Jote e si të tjerë djem e të ndrituarë të mëmëdhethit tënë që janë në kolonjat e Italisë e gjetëk.

Po tani nuk po vemi përpara si duamë se gjendemi në një vënt që s’ka dliri(liberte) e papengim për të këtilla punëra, edhe më teprë sot që mbretëri e turkut ka zën’ e s’zë besë më shqiptarët, po i vështron si armiqt e saj.

Punërat që po bën lidhja e Shqipërisë në Gegëri, që nonjë muaj e tëhu, mbase nuk i kini dëgjuarë, se fletët e Evropesë nukë bëjnë shumë fjalë , duk me qënë që më nj’anë Turqia nukë le të dëgjohenë nëpër botët më nj’anë armiqtë tanë greqt’ e shqehtë, duanë t’i tregojnë të vogëla e të mosgjëjta.

Lidhja e shqiptarëvet që ka kërthizën në Pizdren, në Gegëri, ka kërkuarë shumë herë që nga tre vjet e tëhu, bashkim’i i Shqipërisë më një provincë me otonomi po mbretëria gjer më sot e kish gënjyerë me fjalë, edhe s’ka dashurë të bënjë gjë farë për Shqipërinë.

Këtë herë shqipëtarëtë e kupëtuanë fort mirë që mbretëria nukë do të bënjë gjë kurrë për ta, edhe Lidhje e Pizdrenit pa nevojë të bashkojë Shqipërin’ e t’ë bënjë një me otonomi, e mbase me ç’këputje (indepedance) fare, pas punës, kështu Lidhja mori emërin e kuvernos të përdorme (gouvernement provisoire) edhe përzuri kuvernatorëtë turq nga gjithë vilajet i Kosovësë edhe nga Pizdreni, nga Djakova, nga Tetova, nga Dibra etj.

10000 shqipëtarë të armatosurë kanë zënë Ysqypnë (Shqupnë) edhe udhënë e hekurtë; 10000 të tjerë bëhenë gati për të unjurë në Toskëri.

Për pakë kohë do të dëgjoni një ngritje (revolution) të madhe në Shqipëri. Në u bëftë dot Shqipëria më vet’he, nukë do të kemi nevojë për prensër, as të krishten’ as muhametanë, që të na rjepën e të na pinë gjaknë’ vëndi ynë munt edhe do të kuvernohetë prej një farë dhmokratije prej pleqet, sikundrë kanë qenë prindët tanë që motit, edhe sikundrë jan’ edhe sot malësit’ e Shqipërisë, që janë thuase të dlirë e më vetehë.

Po të mbarohetë kjo punë, atëherë [krijohen mundësi] edhe për fletët edhe për të shkelurit e këngëvet të zotërisë s’ate e të tjera. Të falemi me nder e me shumë dashuri.

Sami Frashëri  (marrë nga vepra 2 e Sami Frashërit)

Përgatiti Eugent Kllapi/diasporashqiptare/ KultPlus.com

Boris Johnson: Ukraina e meriton të jetë nikoçire e Eurovision 2023

Ukrainës duhet t’i jepet shansi të presë Festivalin e Këngës në Eurovizion në vitin 2023, ka thënë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, transmeton KultPlus.

Duke folur me gazetarët pasi u kthye nga Kievi, Boris Johnson tha se rrugët atje ishin të gjalla dhe ukrainasit ishin “të sigurt”.

Si fituese e konkursit në maj, Ukraina duhet normalisht të presë shfaqjen, por organizatorët thanë të premten se mendonin se do të ishte shumë e pasigurt.

Planifikuesit e saj po diskutojnë për ta mbajtur atë në MB, e cila doli e dyta.

Grupi rap-folk ukrainas Kalush Orchestra, të cilit iu dha leja speciale për t’u larguar nga vendi për të konkurruar, u ngjit në vendin e parë me 631 pikë në një shfaqje simbolike të mbështetjes publike pas pushtimit të Rusisë.

Pavarësisht se fitoi votën e jurisë në ngjarjen në Torino, Sam Ryder doli i dyti për MB – rezultati më i mirë i vendit që nga viti 1998.

“Ukrainasit e fituan atë në mënyrë korrekte, edhe pse ne patëm një hyrje të shkëlqyer, dhe atyre duhet t’u jepet shansi për ta pritur atë,” tha Johnson në RAF Brize Norton pasi u kthye nga udhëtimi i tij në Ukrainë të shtunën.

“Është një vit larg. Do të jetë mirë në kohën kur të vijë Festivali i Këngës në Eurovizion dhe shpresoj që ata ta marrin atë.”

Ai foli pasi u kthye nga një vizitë e paparalajmëruar në Kiev, ku u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky./KultPlus.com

Jetë kulturore në mes të luftës, mbrëmje gala në operan e Odesës kushtuar ushtrisë

Një teatër opere në qytetin port të Odesës, në jug të Ukrainës, ka mbajtur një shfaqje gala kushtuar ushtrisë ukrainase.

Vendi, i cili është bombarduar vazhdimisht nga rusët në javët e fundit, iu rikthye në njëfarë mënyre jetës kulturore.

Odesa është identifikuar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës si një objektiv kyç për forcat e Vladimir Putin.

Është qyteti i tretë më i madh i Ukrainës dhe një qendër e rëndësishme industriale dhe importi. /abcnews/ KultPlus.com

Kurti: S’mund të jap datë për vizat, s’varet nga ne

Kryeministri Albin Kurti ka folur para gazetarëve për 23 qershorin, datë kur Këshilli i BE-së mblidhet për një takim dy ditor në të cilin është përfolur se mund të ketë lëvizje përpara për liberalizimin e vizave.

Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar 95 kriteret për vizat por që për datën se kur liberalizohen s’mund të flasë pasi që ajo varet nga shtetet e BE-së raporton Gazeta Express.

“Ne moti i kemi plotësuar 95 kriteret që është më shumë sesa dyfishi i kritereve për vendet e rajonit. Gjithmonë është theksuar problemi me imazhin e Kosovës e tash gjatë këtij më shumë se një viti kemi punuar shumë dhe organizatat ndërkombëtare kanë thënë se imazhi i Kosovës s’është i para dy vjetëve.  Unë s’mund të flas për data se kur mund të ndodhë liberalizimi ne po i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe po e bëjmë më të mirën por s’mund të flasim në emër të shteteve të BE-së”, tha ai.

Kurti tha se tash bëhen katër vjet prej kur Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave.

“Ajo cka duhet të theksojmë cdo ditë është se moti i kemi plotësuar kriteret dhe se muajin e ardhshëm shënojmë katër vjetorin që kur Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për herën e dytë se Kosova i ka plotësuar krietere”, tha ai./ KultPlus.com

10 pikat turistike më të bukura në botë sipas TikTok

Edhe pse TikToku njihet tashmë për videot virale qoftë ato me kërcime apo edhe ato humoristike, kjo platformë mund të përdoret edhe si një tregues i vendeve më popullore për sa i përket turizmit.

Faqja e udhëtimeve Next Vacay ka analizuar të dhëna nga kjo platformë për të ndërtuar një studim rreth atraksioneve më ‘të preferuara në TikTok’.

E para në listë ishte Disney World në Orlando dhe kjo nuk duhet të vij si çudi kur merret parasysh që moshat e reja dhe fëmijët janë ata që zënë pjesën më të madhe të përdoruesve të TikTok.

Kjo është lista e 10 pikave turistike më tërheqëse në botë sipas TikTok:

1 – Disney World – Orlando, SHBA (8.6 miliardë shikime)

Resorti i Walt Diseny i njohur ndryshe edhe si Disney World, është një kompleks argëtimi masiv në Orlando, Florida. Ai u hap për herë të parë në vitin 1971 nga kompania e famshme e filmave të animuar Walt Disney. Që atëherë, ky vend ka tërhequr familje nga e gjithë bota me atraksione të ndryshme që përqendrohen rreth personazheve më të famshme të filmave Disney dhe jo vetëm.

2 – Burj Khalifa – Emiratet e Bashkuara (1.9 milardë)

Burj Khalifa apo Kulla Khalifa është ndërtesa më e lartë në botë e inauguruar në vitin 2019 në Dubai. Disa nga gjërat që mund të bëhen gjatë një vizite në Burj Khalifa janë ngjitja deri në majë për të parë pamjet piktoreske, vizita në restorantin At.mosphere apo edhe një rezervim në SPA-në e hotelit ekskluziv të Armani-t.

3 – Kulla Eifel, Francë (719 milionë)

Kulla Eifel është kthyer tashmë në një destinacion emblematik në kryeqytetin e Francës, Parisin. Ajo është emërtuar pas inxhinierit të saj Gustave Eiffel dhe nofka e përdorur nga parisienët është La dame de fer apo Zonja e Hekurt. Kjo kullë njihet edhe si monumenti më i vizituar në botë dhe që prej vitit 1991 ajo është bërë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.

4 – Taj Mahal, Indi (377 milionë)

Taj Mahal i njohur ndryshe i ‘Pallati i Kurorës’ është një mauzoleun islamik i ndërtuar krejtësisht nga mermeri, gjë që i ka dhënë të gjitha karakteristikat e nevojshme për t’u kthyer në një prej 7 mrekullive të botës. Ajo u porosit në vitin 1632 nga perandori Shah Jahan në nder të gruas së tij Mumtaz Mahal. Taj Mahal është pjesë e një kompleksi të madh që përfshinë një xhami, disa kopshte madhështore dhe një lumë që rrethon të gjithë kompleksin.

5 – Grand Canyon, SHBA (273 milionë)

dawn on the S rim of the Grand Canyon

Një nga kanionet më të famshme në botë por edhe një pikë turistike e preferuar nga turistë nga e gjithë bota, Grand Canyon është një monument natyror i gdhendur nga vetë Lumi i Kolorados në Arizona, SHBA.

6 – Las Vegas Strip, SHBA (259 milionë)

Las Vegas Strip është një pjesë e Bulevardit Jugor të Las Vegas në Nevada, SHBA. Pak mund të thuhet për Las Vegas që ende nuk dihet tashmë. Ai është qyteti ku përqendrohen hotelet, resortet, luksi dhe kazinotë më të famshme në botë. Atraksionet që ofrohen këtu nuk janë për të gjithë, por ata që tërhiqen nga dritat dhe ndërtesat luksoze janë gjithnjë të mirëpritur këtu.

7 – Ura Golden Gate, SHBA (118 milionë)

Kjo urë është një ikonë e San Franciskos në SHBA. Ajo bashkon Gjirin e San Franciskos me Oqeanin Paqësor dhe vizitohet nga miliona amerikanë dhe turistë të huaj çdo vit.

8 – Hoover Dam, SHBA (79 milionë)

Hoover Dam është një digë dhe strukturë e madhe betoni brenda Kanionit të zi në Lumin e Kolorados e cila ndodhet në kufirin e Nevadës dhe Arizonës në SHBA. Ajo u ndërtua në vitet 30-të gjatë Depresionit të Madh dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar jetën qindra njerëzve.

9 – Parku Kombëtar Yosemite, SHBA (59 milionë)

Paru Yosemite është një Park Kombëtar në Kaliforni të SHBA-së. Ai është i rrethuar nga Pyjet Sierra. Ky park mori statusin Objekt i Trashëgimisë Kulturore në vitin 1984 dhe dallon për kodrat e granitit, ujëvarat, burimet e pastra, malet, liqenet, akullnajat dhe diversitetin e faunës.

10 – Stonehenge, Mbretëri e Bashkuar (52 milionë)

Stonehenge është një monument prehistorik dhe tejet misterioz në Wiltshire, Angli. Ai përbëhet nga një unazë e jashtme gurësh masiv të cilët janë mbi 4 metra të lartë dhe peshojnë rreth 25 ton secili. Këto gurë janë pjesë e monumenteve të periudhës së Neolitit dhe Epokës së Bronzit. Arkeologët mendojnë se Stonehenge u ndërtua dikur mes shekullit 3000 dhe 2000 para erës sonë dhe sot e kësaj dite, pavarësisht disa teorive, nuk dihet ende se si njerëzit e asaj kohë kanë pasur mundësi të ndërtojnë këtë strukturë kaq të rëndë pa asnjë teknologji të avancuar./ KultPlus.com

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

‘Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet’

Thënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. 

/ KultPlus.com

Senatorët amerikanë të shqetësuar për TikTok: Po ndihmon në përhapjen e propagandës pro luftës në publikun rus

Senatorët republikanë kanë pyetur shefin ekzekutiv të TikTok, Shou Zi Chew, në lidhje me raportet se faqja e mediave sociale kishte lejuar përmbajtje mediatike të miratuara nga shteti rus, por kishte ndaluar video të tjera.

Senatorët shkruajtën se ishin thellësisht të shqetësuar që TikTok po mundëson përhapjen e propagandës pro luftës në publikun rus.

Kompania është në pronësi të kompanisë së teknologjisë së internetit me bazë në Pekin, ByteDance dhe ka qenë nën vëzhgimin në rritje të SHBA-së mbi të dhënat personale që ajo trajton.

Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

TikTok tha në një deklaratë për Reuters se kompania mezi pret të vazhdojë të angazhohet me anëtarët për këto çështje dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre.

Në mars, aplikacioni i videove në pronësi kineze tha se do të pezullonte transmetimin e drejtpërdrejtë dhe ngarkimin e videove në platformën e tij në Rusi, ndërsa shqyrtonte implikimet e një ligji të ri për median të nënshkruar nga Vladimir Putin.

Senatorët thanë se TikTok ka dështuar të zbatojë në mënyrë të barabartë këtë politikë dhe cituan një raport lajmi që thoshte se duket se TikTok reagoi vetëm më 25 mars./ KultPlus.com

Mungesa e stafit, shkaktohet kaos me valixhe ne aeroportin e Londrës

Mungesa e stafit në aeroportin Heathrow të Londrës, e kombinuar me një problem të sistemit të bagazheve krijoi një koas me valixhet.

Skenat kaotike me qindra valixhe të grumbulluara jashtë terminalit në aeroportin më të ngarkuar në Mbretërinë e Bashkuar, regjistroi një reporter i Sky News.

“Kishte grupe valixhesh pa pronarë të grupuar rreth rripave të ndryshëm transportues,” tha Deborah Hines, e cila i tha stafit të aeroportit se kishte një problem të sistemit të bagazheve.

“Punonjësit dukej se po përpiqeshin t’i rregullonin valixhet pranë shtyllave me shkronjat e alfabetit të ngulur në to, ndoshta do të përputheshin me emrin e pronarit të secilës çantë”, vlerësoi gazetari.

Sipas një zëdhënësi të Heathrow, “kishte një problem teknik me sistemin e bagazheve të Terminalit 2, i cili tani është zgjidhur. Pasagjerët tani mund të bëjnë check-in normalisht, por disa pasagjerë që u larguan nga Terminali 2 më herët sot mund të kenë udhëtuar pa bagazhet e tyre. “Ne punojmë ngushtë me linjat ajrore për të ribashkuar pasagjerët me bagazhet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.”

Imazhet e kaosit në aeroportin Heathrow vijnë në një kohë kur disa aeroporte evropiane po përballen me probleme të ngjashme për shkak të politikës së disa kompanive ajrore dhe aeroporteve për të reduktuar stafin e tyre gjatë pandemisë, duke rezultuar në qindra anulime muajin e kaluar.

Gjithashtu të premten, aeroporti Gatwick njoftoi se po reduktonte numrin e fluturimeve ditore në 825 në korrik dhe 850 në gusht. g.v/abcnews/KultPlus.com

Është një qiell tjetër

Poezi nga Emily Dickinson

Është një qiell tjetër,
gjithmonë i kthjellët dhe i qartë,
Dhe është një shkëlqim tjetër dielli,
ndonëse duket të jetë errësirë;
S’kanë rëndësi pyllishtet e zbehura, Austin,
S’kanë rëndësi fushat e heshtura —
Këtu është një pyll i vogël,
Me gjethe të bleruara përherë;
Këtu është një kopsht i ndritur;
Ku kurrë një brymë s’ka rënë;
Në lulet e tij të që nuk vyshken
Dëgjoj bletën e praruar të gumëzhijë:
Prithee, vëllau im,
Eja në kopshtin tim./ KultPlus.com

AMHERST, MA – SEPTEMBER 4: A daguerrotype of Emily Dickinson at age 16, is displayed at the Emily Dickinson Museum in Amherst, Wednesday, Sept. 4, 2013. (Photo by Wendy Maeda/The Boston Globe via Getty Images)

Paul McCartney planifikon një ‘duet virtual’ me John Lennon në Glastonbury

Paul McCartney thuhet se do të bëjë duet virtualisht me John Lennon në Glastonbury.

Këngëtari i ‘Yesterday’, i cili sot mbushi 80 vjet, thuhet se po planifikon të ‘bashkohet’ me ish-shokun e tij të Beatles në skenë në festivalin e javës së ardhshme, transmeton KultPlus.

Një burim i tha Daily Mail se ai do të performojë një “duet virtual” me Lennon, të vrarë në vitin 1980 në Nju Jork.

Insajderi, i cili thuhet se është i afërt me McCartney, shtoi: “Ai është duke u përpjekur rreth setlist-it, por duket se do të bëjë një duet virtual me John Lennon.

“Ka disa pamje të Lennon duke kënduar “I’ve Got a Feeling”, nga “Let It Be”, të cilat Paul e vendos në ekranin e madh, dhe më pas ai kthehet dhe i këndon atij.

“Vokali i John është i izoluar në pamje dhe është mahnitës.”

Burimi shtoi se McCartney ka qenë në duet me Lennon në koncertet e fundit në Amerikë dhe gjithashtu mund të shtojë një flamur ukrainas në Glastonbury të tij, të vendosur në nder të kombit të shkatërruar nga lufta.

Ata shtuan për planet: “Ai e ka bërë këtë në datat e fundit në Amerikë dhe ka gjasa që ai ta sjellë atë në Glastonbury.

“Paul mund të jetë i shtyrë të shtojë “Jepi Paqes një shans” në listën e tij të seteve dhe se ai do të vrapojë në skenë për bisin e tij duke mbajtur flamurin ukrainas.”

McCartney do të performojë në skenën e Piramidës si pjesë e ditës së fundit të Glastonbury, gjë që do ta bëjë atë titullarin më të vjetër në festival.

Kjo vjen pasi Bon Jovi, 60 vjeç, i këndoi ditëlindjen shokut të tij të ngushtë McCartney në koncertin e tij në New Jersey në MetLife Stadium të enjten. (16.06.22)

Këngëtari e befasoi McCartney-n duke u paraqitur në koncert dhe duke i dhuruar atij tullumbace – teksa ishte gati të performonte klasiken e tij të Beatles ‘Birthday’.

Pasi turma iu bashkua Bon Jovit në interpretim, këngëtari u përpoq t’i lëshonte balonat në qiell, por ato u kapën në çati ndërsa ai doli nga skena.

Bruce Springsteen, 72 vjeç, gjithashtu iu bashkua koncertit për të luajtur me McCartney dhe tha në fund të duetit të tyre: “Ja edhe 80 vite të tjera ditë lavdie”./ KultPlus.com

Promovimi i romanit të ri “Dremit Lyhnidi në vezullim” të Elvi Sidherit

Të mërkurën, më datë 22 qershor, në orën 19.00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, do të promovohet romani i ri “DREMIT LYHNIDI NË VEZULLIM”, i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri.

Ky promovim, gjithashtu synon të shndërrohet në një bashkëbisedim të hapur kulturor, me pjesëmarrjen e disa të ftuarve specialë, kushtuar kulturës, letërsisë dhe gjuhëve në rajonin tonë, duke biseduar për pikëtakimet e shumta historike midis popujve të gadishullit tonë, mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinjë, pikërisht si tematika e shpërfaqur në faqet e këtij romani, ku shtjellohen imtësisht e kaluara, shtegtimet dhe pleksjet e shumta shekullore, të shqiptarëve të vjetër vendas ortodoksë të qytetit të lashtë të Ohrit, në periudha dhe kontekste të ndryshme historike, gjer në ditët e sotme.

Përmes një rrjedhe ngjarjesh që zhvillohet në disa kohë dhe disa periudha të ndryshme historike, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe Konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, teksa gjithçka sidoqoftë gjen burim në udhëzat e gurta të Ohrit të moçëm në fundin e viteve 30 të shekullit XX, në faqet e këtij romani përvijohen ngjarjet, jeta, andrallat, guximi dhe mërgimet e njëpasnjëshme të shqiptarëve drejt Lindjes, që i patën shpënë ata nga Bullgaria në Bosfor, nëpër trojet rumune, Besarabi, e deri buzë detit të largët Azov, ku sot viset ukrainase janë përflakur nga lufta heroike kundër agresionit të pashembullt rus./KultPlus.com

Zëri i shiut

Poezi nga Ernest Hemingway

Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël,
Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon:
jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,
përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i
padepërtueshëm,
lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake
ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta,
zbres për të lag toka të thara skeletike,
shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës,
dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente, e palindur;
dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime,
e bëj të pastër, e qendis;
(Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes,
pas plotësimit, bredharake,
i intereson asaj ose jo,
kthehet në kohë me dashuri.)

Përktheu: Faslli Haliti / KultPlus.com

Rreth 22 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot Provimit të Maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit më 18 qershor 2022 organizon Provimin e Maturës 2022, të cilit do t’i nënshtrohen rreth 22 mijë maturantë.

Provimi i Maturës këtë vit do të organizohet në 171 Qendra të Testimit, ndërsa të angazhuar për mbarëvajtje të procesit janë rreth 1600 administrues.

“Me qëllim që Provimi i Maturës të realizohet sipas rregullave dhe standardeve të përcaktuara, Këshilli Shtetëror i Maturës në takimin e mbajtur ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit që të jenë në nivel të përgjegjësive të përcaktuara.

KShM njofton se, Provimi i Maturës fillon në ora 10:00 dhe përfundon në ora 12:30, ndërsa administruesit duhet të arrijnë në Qendrat e Testimit më së voni në ora 9:00”, thuhet në njoftim.

KShM po ashtu bënë të ditur se, me qëllim të monitorimit të këtij testimi është krijuar një Grup Punues, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë, ekspertë të kibernetikës, përfaqësues nga MAShTI, drejtorë të DKA-ve dhe Këshilli Rinor i Kosovës (KYC).

Ndër të tjera, KShM thekson se, ndaj personave përgjegjës (komisionerë, administrues, nxënës etj) të cilët thyejnë rregullat për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës do të marren të gjitha masat e parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa të gjithë maturantëve i’u uron sukses në Provimin e Maturës.

KShM, gjithashtu kërkon nga DKA-të që të sigurohen që administruesit të arrijnë me kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete Udhëzuesin me rregullat për administrimin e testit, të respektojnë rregullat e administrimit të testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit dhe të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ndalohen organizimet e jashtme në një pjesë të Francës si pasojë e motit të nxehtë

Ngjarjet publike në ambiente të jashtme janë ndaluar në disa pjesë të Francës, si pasojë e temperaturave të larta.

Koncertet dhe organizimet e mëdha publike janë anuluar afër qytetit Bordu.

Është raportuar edhe për anulim të disa ngjarjeve në ambiente të brendshme, të cilat nuk kanë kondicioner.

Të enjten, në disa pjesë të Francës janë shënuar temperatura në deri 40 gradë Celsius dhe ato pritet të rriten edhe më shumë të shtunën.

Nxehtësi e tillë në këtë periudhë të vitit, nuk është regjistruar ndonjëherë në Francë.

Ministria e Brendshme franceze ka paralajmëruar njerëzit që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të mos ekspozojnë veten në këtë mot të nxehtë.

Autoritetet për motin kanë thënë se Franca po përballet me një mot të tillë për shkak të ajrit të nxehtë që është bartur nga veriu i Afrikës.

Shkencëtarët thonë se periudhat e të nxehtit ekstrem janë duke u bërë më të shpeshta dhe janë duke zgjatur më shumë si pasojë e ngrohjes globale.

Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar janë duke regjistruar po ashtu temperatura të larta.

Spanja, e cila ka regjistruar ditën më të nxehtë të muajit maj prej nisjes së shekullit, pritet të regjistrojë temperatura deri në 43 gradë Celsius këtë fundjavë, sipas meteorologëve.

Për temperatura të tilla nuk është raportuar vetëm në Evropë këtë javë.

Të mërkurën, një e treta e gjithë popullsisë së Shteteve të Bashkuara është udhëzuar që të qëndrojë në ambiente të brendshme, për shkak të temperaturave rekorde. / KultPlus.com

118 vjet nga vdekja e intelektualit më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashërit

Sami bej Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, ka qenë funksionar dhe intelektual i Perandorisë Osmane si dhe gazetar, dramaturg dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.

Ndryshe nga Naimi që iu përkushtua gjuhën amtare, Samiu bashkëpunoi për reformën e gjuhës osmane-turke, në hapësirën shprehëse të së cilës loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.  Është autor i njërit prej romaneve më të hershëm të gjuhës osmane, titulluar Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât (shqip. Dashuria e Talatit me Fitneten) botuar më 1872.

Samiu lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh muslimanë të përkatësisë bektashie, me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.

Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes së bashku me Naimin në Teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.

Më 1872 po prapë me Naimin, u vendos në Stamboll ku nisi punë në administratën osmane dhe i dhënë pas kulturës e gjuhës frënge nisi të përkthente “Të Mjerët” e Hygoit në osmanisht. Për dy vite u caktua që të punonte në Tripoli ku redaktoi gazetën lokale ‘Tarablus’ për t’u kthyer më pas sërish në Stamboll ku nisi të shkruante në gazetën ‘Sabah’. Më 1877 sërish u caktua gjetkë, duke shërbyer në Rodos si sekretar i vilajetit. Më pas u caktua në Janinë, si sekretar i komisionit ushtarak. Pasi u kthye në Stamboll, u emërua kryeredaktor i gazetës Tercümân-i Șark dhe nuk do të lëvizte më për pjesën e ngelur të jetës së tij. U shqua si një ndër intelektualët më në spikamë të kryeqytetit osman, duke drejtuar dhe redaktuar disa gazeta, duke shkruar mbi dymbëdhjetë libra në osmanisht si ”Insan” (Njeriu), ”Medeniyet-i Islamiye” (Qytetërimi islam) and ”Kadınlar” (Gratë). Hartoi një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882 dhe një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884, një fjalor të gjuhës arabe më 1898, një fjalor në dy vëllime në osmanisht (1899-1901) së bashku me enciklopedinë gjashtëvëllimshme Kamus al Alam. Duke shtuar këtu një pamflet për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, një gramatikë dhe traktatin politik mbi çështjen shqiptare, të titulluar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Më 1874 Samiu kishte shkruar dramën “Besa yahut Ahde Vefa” (shqip: Besa ose Mbajtja e Fjalës) në osmanisht me temën rreth çështje së një etnie shqiptare, të lidhur me një territorialitet etnik, një diversitet etno-kulturor që mëton përbashkimin, nderin, besnikërinë dhe vetëflijimin osman. Me këtë vepër Samiu u përpoq t’i paraqiste shqiptarët nën një dritë tjetër për opinionin osman, duke e informuar për moralin, vlerat, zakonet e traditat e shqiptarëve të cilët i mendonte një element tejet të rëndësishëm të perandorisë; gjithashtu donte të hidhte themelet e një teatri autentik osman, i cili asokohe kishte shumë ndikime të jashtme. Për audiencën më të hollë elementi i besës nënkuptonte zhvillimin ushtarak e politik që mund të merrte.

Më 1901 u përkthye në gjuhën shqipe nga miku i tij, Abdyl bej Ypi dhe u botua nga Kristo Luarasi në Sofie, ndërkohë që ishte pjesë e kurrikulave shkollore në Mësonjëtoren e Korçës deri kur u mbyll më 1902. Përkthimi shqip i dramës nga autoritetet osmane mbahej si “nxitës i ndjesive kombëtare të shqiptarëve” dhe pas Revolucionit Xhonturk më 1908 kishte raportime se çeta kaçakësh luanin pjesë nga drama rreth zjarrit. Drama e Samiut nuk do të shfaqej gjer pas kalimit të Revolucionit Xhonturk, më pas u shfaq për tre vjet të tjera deri më 1911-1912.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë e “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është , botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.

Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.

Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare Sami Frashëri “Besa”, e botuar më 1875 (?) e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.

Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroi disa libra dhe broshura, të cilat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”, hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: “” (“Mëngjezi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, (“Java”) etj.

Në punën krijuese të Sami Frashëri një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, e kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime. Për veprimtarinë patriotike edhe për frymën përparimtare që përshkon veprat e tij Porta e Lartë e ndoqi dhe e persekutoi Sami Frashërin, duke e internuar e izoluar. Vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Atdhetari i shquar vdiq në Stamboll më 18 qershor të vitit 1904. / KultPlus.com

‘Prandaj jetën mos e fut në presje’

Poezi nga Herman Çuka

dhe në një perëndim
të kuq, si një avlëmënd
i fillit për fustan dashurie,
ndodh një vdekje

dhe në një agim të shkëlqyer
sikur dielli ka lëshuar diamentet për kurorë
ndodh, gjithashtu

kaq e vogël për horizontin,
i është si një pikë e pashqueshme
për sytë e tij të
përmasës

e madhe, vetëm për njeriun,
kur humb njeriun!

si një arkëmort
ku futet e mbytet
me të vdekurin; dhe globi
dhe hapësira me përmasat
sa një pikë,
si boshllëku ndërmjet karkasave,
kur i pat dalë një peronkë e vogël se ndihej ngushtë,
që se sheh as sy’ i furneralit

dhe horizonti në ngjyrë alle tkurret
aty brënda, si një fije e perit,
t’kuq mes buzëve t’meitit

më patetike, kur ndodh
në mesditë në kohën e drekës
kur gëlon taverna e birra,
e në shtëpi aromë e bukës
së pjekur që pret të kafshohet

asnjëherë nuk është kohë
e bukur…
sidoqë stiliti do t’hedhë pudër
rozë e bërë makeup të rafinuar,
përveç natës,
si tekst i një kënge dark
që i fsheh banalitetin

gjithmonë do ndodhë;
prandaj jetën mos e fut në presje / KultPlus.com

Jabanxhi

Nga Xhabir Tabaku

jabanxhi

mori kodrat me vrap. ishin kodra të thata shkëmbinjsh ngjyre të murrmë. ndonjë pishë shatorre aty – këtu këpuste ndoca monotoninë dhe piklonte cikla jete mbi gurët e nxehtë gushtit. fabrika e tjegullave ishte m’at anë kodrave, pranë një katundi të vogël me emër të çuditshëm Rrenc. goja i qe tharë e trupi i djersinte çurg. herë – herë e lëshonte këmba a i rrëshqiste çakulli poshtë dhe lëshohej mbi gurë, binte. ngrihej ashtu e gjakuar e fillonte risht vrapin. Mendimi se mund ta gjente të vdekur burrin e tmerronte. i erreshin sytë e i tkurrej diçka poshtë barkut… boshllëk. kur mbërriti majë kodrës desh iu mbajt fryma. atje poshtë, shtrihej një trupë gjigante betoni. ca automobilë të mëdhej të shëmtuar parkuar në një rrethomë me mur e tela me gjëmba. ishte parku i tatrrave e ndanë tij një punishtë e mirëmbajtjes dhe riparimit të armëve. zona ishte tejet e militarizuar. bri kodrave ishin pesë a gjashtë reparte speciale ushtarake.

fabrika e tjegullave ishte tej, më të djathtë… larg. fabrika ishte me seksione ngrehinash, si stalla bagëtish. ndër ato gërmadha prodhoheshin tjegullat e nxehta.

këmbët zunë t’i dalin jashtë kontrollit e rreziku i theqafjes ndër shkrepat e thatë e të nxehtë rritej. po i afrohej fabrikës. sa më shumë afrohej, më tepër i rritej ankthi, frika. o Zot i madh jo! – thirri me zë, kur pau një grumbull njerëzish në rrugë pranë një autoambulance lyer me të verdhë e të kuqe, si të ishte qerre kineze. nga fabrika drejt rrugës, një karvan me njerëz që nxitonin me shkalca në duar drejt automobilit spitalor. thua të kenë qenë shumë të dëmtuar? të kenë vdekur vallë?

***

mbas vorrimit të burrit, Lena shkoi në katund të vet diku në jug të vendit… nuk u kthye më. atje gjeti një burrë vejan që e kishte dashur në rini. më vonë të dy thuhet se vdiqen në Greqi në aksident me motor. askush nuk dinte gjë me siguri.

Lena nuk u kujtua kurrë për burrin e vorruar në atë katund të Shkodrës ku nuk kishin asnjë të njohur. askush nuk ia vizitonte vorrin burrit të vetmuar…

***

katundarët pyesnin njëri – tjetrin: – kush qenë vallë këta njerëz? pse i sollën nga jugu në këto anë? ca thoshin se qenë grekë minoritarë të internuar… disa të tjerë, mendonin se ishin spijunë të policisë sekrete. kishte nga të dy llojet në atë katund përzierjesh. një fëmijë i mbrapshtë iu thoshte të gjithëve se e kishte parë Lenen sa e sa herë me operativin e sigurimit te zonës duke u puthur e duke bërë turpe tek ullishta, poshtë moknave me mrina bri Kirit, pranë urës me tela… roja i vreshtave përdridhte musteqet kur flitej për Lenen dhe lironte një nënqeshje prej bandilli. / KultPlus.com