350 studentë vendorë e ndërkombëtar janë duke ndjekur Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Nga ta, 200 janë ndërkombëtar, përfshirë edhe 17 profesorë.
Këto të dhëna, i ndau në Sytë 7, prorektorja e UP-së, Albulena Blakaj. E njëjta, tha se ka studentë nga shumë vende që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, siç janë edhe nga Rusia, Serbia, Rumania, Greqia. Madje, Blakaj, shtoi se në Universitetin Veror të sivjetmë janë pranuar edhe nga Hong Kongu, Brazili e vende tjera të largëta. Por, sipas saj, nuk ka pasur të interesuar nga Ukraina, ndonëse të gjitha shpenzimet i ka mbuluar për ta Universiteti në bashkëpunim me donatorë e Ministri.
Blakaj, tha tutje se, veç misionit edukativ e arsimor që ka Universiteti Veror, në vete përmban edhe një mision diplomatik, për të ndikuar tek të angazhuarit ndërkombëtar. Kjo, meqenëse, sipas prorektores, përmbajtja e dy javëve, sa zgjat programi, ka aktivitete kulturore e vizita në lokacione të veçanta në gjithë Kosovën.
Blakaj, ka shtuar se studentëve do t’u ofrohet vizitë në Prekaz, tek Kullat Jashari, Prizren, e lokacione tjera. Për të njëjtit, do të shtrohet edhe darkë tradicionale gjatë mbrëmjes të së premtes. / KultPlus.com
Xhudistja nga Kosova, Flaka Loxha, pas suksesit në Lojërat Mesdhetare në Oran, tani po merr pjesë edhe në Grand Prix të Zagrebit, shkruan KultPlus.
Në përballje me Bakyt Kussakbayeva në kategorinë (-57kg), Loxha tregoi aftësitë e saj dhe arriti që të fitojë meçin dhe të kualifikohet në fazën tjetër.
Flaka Loxha do të përballet në raundin e tretë me xhudisten nga Monlogia, Ichinkhorloo Munkhtsedev.
Ndërkaq, edhe Distria Krasniqi është kualifikuar në çerekfinale, derisa Laura Fazliu do të ndeshet nesër. /KultPlus.com
Vetëm edhe pesë ditë na ndajnë nga festivali më i madh i gastronomisë mbarë shqiptare “Prishtina Gastronomy Festival”.
Njëmbëdhjetë net ushqim, muzikë e argëtim ju presin në këtë edicion në “Prishtina Gastronomy Festival” që vjen me shumë artistë vendor e ndërkombëtar.
Motoja “Bukë e kripë e zemërbardhë” e përmbushur me program, do të bëj që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit, me ushqimet tradicionale si flijat e qebapët, me muzikën shqiptare, sa të Prishtinës, e Dukagjinit, të Tiranës, e Vlorës, e pa harruar edhe meloditë arbëreshe nga Italia.
Do ta ndjeni bashkimin kombëtar si asnjëherë më parë, me Vlorën që ngrit flamurin në Prishtinë, e Tiranën që i këndon bashkëqytetarëve në zemër të Prishtinës, e nën flladin strugian do të mund të këndoni edhe serenata korçare.
Dhjetë plus një, po fiks njëmbëdhjetë ditë e net, në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, do të ketë bashkim të shqiptarëve nga gjitha trojet tona, do të ketë ndërlidhje të kulturave të pasura shqiptare mes vete, por jo vetëm. Gjatë tërë festivalit do të ketë përveç atyre tradicionale, edhe ushqime moderne, internacionale, e pjata speciale nga kuzhinierë të njohur italian, e turq. Pra secili nga ju e ne do të ketë mundësinë të provojë shumëllojshmëri të kulturave të ushqimit, e t’i shijoj ato me pije.
Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e njerëzve të të gjitha moshave e bëjnë këtë festival të veçantë dhe të pa harruar.
Hapja e Festivalit do të bëhet nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet nga data 21 deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në 23:00. Ndërsa biletat dalin në shitje sot nga ora 13:00.
Më poshtë të bashkëngjitur e gjeni programin e muzikës. E së shpejti do të prezantohet edhe programi i ushqimit. / KultPlus.com
Sot është përvjetori i Rembrandit, një nga themeluesit e shkollës flamande në art.
Piktori holandez, Rembrandt Harmenszoon van Rijn lindi më 15 korrik 1606 në Leiden. Si djalë, ai ndoqi shkollën latine dhe më pas u regjistrua në Universitetin e Leidës, edhe pse sipas një bashkëkohësi ai tashmë tregoi një talent të madh për pikturë. Pas një periudhe të shkurtër, por të rëndësishme të profesionit në Amsterdam me piktorin e njohur Pieter Lastman, Rembrandt hapi një studim në Leida, i cili ndahej me shokun e tij dhe kolegun Jan Lievens. Në vitin 1627 Rembrandt filloi të pranonte nxënës, mes tyre Gerrit Dou.
Një nga tablotë e tij më të shquara është “Kthimi i djalit plangprishes”.Tabloja është një ilustrim i rrëfenjës biblike “Kthimi i djalit plangprishës”.
Shëmbëlltyra, që e shpreh më mirë dashurinë e Hyjit për të humburit, është pa dyshim ajo e djalit plangprishës (Lk 15, 11-32). Këtu s’është delja, apo monedha, që humbet. Humbet një nga djemtë. Më i vogli. Babai e lë të ikë nga shtëpia, pa e kundërshtuar. Madje nuk ngurron t’i japë edhe pjesën, që i takon si trashëgim. Djali e kundërshton, ndërsa i jati vijon ta dojë. Biri e grind, po i jati vijon t’i përgjigjet me butësi e mirësi. Biri ikën, pa kthyer kokën prapa, po babai vijon ta kthejë çdo ditë kokën nga shtegu, ku e pa të zhduket, e të dëshirojë me gjithë zemër kthimin e tij.
E kur e shikon, të mbuluar me rrecka, në krye të shtegut, zemra i shkrihet nga mëshira. I del me vrap përpara, e përqafon, e puth, nuk pret t’i lypë të falur, nuk ia vë veshin kërkesës së tij për t’u trajtuar si të ishte një prej shërbëtorëve më të humbur. Një gjëje të vetme ia vë veshin: gëzimit, që i vlon në kraharor, për birin e kthyer. Sepse ishte i humbur, e u gjet përsëri; madje ishte i vdekur, e u rikthye në jetë. Prandaj, kur e shikon se i biri është kthyer rishtas në gjirin e familjes, nuk mund të mos bëjë festë të madhe.
Rembrand vdiq më 4 tetor 1669 në Amsterdam. / KultPlus.com
Filmi “Vera andrron detin” po vazhdon që të korr suksese të mëdha nëpër festivale të ndryshme, shkruan KultPlus.
Së fudmi, filmi me regji të Kaltrina Krasniqit ka fituar çmim në Festivalin e 21-të Ndërkombëtar të Filmit Evropian “Cinedays”.
Nën sloganin “Shihesh më mirë nga lart”, këtë vit festivali i hapësirave jostandarde për shfaqje nëpër Shkup bashkoi më shumë se 15 dashamirës të filmave evropianë.
U shfaqën 50 filma dhe kurioziteti ishte përzgjedhja ekskluzive Gala, ku u shfaqën filmat nga Festivali i Filmit në Kanë i mbyllur së fundmi.
GOLDEN SUN
“Golden Sun” për filmin më të mirë për “Vera andrron detin” e regjisores Kaltrina Krasniqit.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri.
Me shfaqjen e filmit “Nuk do të jesh vetëm” të regjisorit Goran Stolevski, përfundoi Festivali i 21-të Ndërkombëtar i Filmit Evropian “Cinedays”./ KultPlus.com
Temperatura në disa pjesë të Britanisë së Madhe mund të arrijë 40 gradë Celcius për herë të parë dhe njerëzve u kërkohet të marrin masa paraprake kundër nxehtësisë së madhe, transmeton KultPlus.
Një paralajmërim për motin ekstrem të nxehtësisë zbatohet nga e diela deri të martën në të gjithë Anglinë, që do të thotë se mund të ketë rrezik për jetën ose sëmundje të mundshme serioze.
Prezantuesi i BBC Weather, Matt Taylor, tha se kishte një “gjasë në rritje” që rekordi i lartë në Mbretërinë e Bashkuar të thyhej.
Vala e të nxehtit mund të shkaktojë ndërprerje të udhëtimit dhe infrastrukturës.
Temperatura më e lartë e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar ishte 38.7C në Kembrixh në vitin 2019. /KultPlus.com
Muzeu Etnografik dhe Muzeu “Ismail Kadare” bashkë me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga dy muzetë e rinj në Gjirokastër, të cilët janë rinovuar tërësisht.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje ftuese të dy muzeve të rinj në Gjirokastër, Muzeut Etnografik dhe Muzeut “Ismail Kadare”, që bashkë edhe me “Sokakun e të marrëve” e me shtegun “Edward Lear”, i kanë dhënë një përmasë të re turistike qytetit të gurtë, ju uroj një ditë të bukur”, u shpreh Rama.
“Përmirësimi dhe Rinovimi i Sistemit të Muzeve në Qytetin e Gjirokastrës” është një projekt që u zhvillua në kuadër të Programit për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin, me financim nga Banka Botërore dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. / KultPlus.com
Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.
Gjatë ditës u mbajtën tre punëtori nga Andy London – “Deluzione të Animuara”; Marcus Grysczok – “Si të Bëhesh Animator i Stop Motion” dhe Kristina Saganova – “Animacioni dhe Realiteti i Shtuar”.
Shfaqja e filmave filloi nga ora 12:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla me shfaqjen e garës së filmave të metrazhit të gjatë ku u shfaq filmi “Dozens of Norths”. Po ashtu, në ora 12:00 në teatrin Istref Begolli filloi edhe shfaqja e filmave për programin e fëmijëve të moshave 4+.
Ndërsa, programi i fëmijëve të moshave 9+ u mbajt me fillim nga ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Shfaqja e “Garës Ballkanike” solli për publikun një numër të filmave të prodhuar në vendet e rajonit (Slloveni, Kroaci, Serbi, Greqi), ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe premierat e “Shpija” nga Flaka Kokolli dhe “Magneti” nga Arvan Berisha, dy filma të animuar të prodhuar në Kosovë.
Dita vazhdoi me programin e veçantë: Scratch, Crackle dhe Pop: Filmat of Steven Woloshen. Gjatë këtij programi u prezantuan disa nga filmat e shkurtër të animuar të Steven Woloshen, të krijuara ndërmjet viteve 1983 dhe 2022.
Ndërsa, pas përfundimit të shfaqjes së filmave Steven ishte i gatshëm t’ju përgjigjet pyetjeve nga publiku, ku ai shpalosi më shumë detaje rreth punës së tij.
Përgjatë ditëve të festivalit përveç shfaqjes së filmave e masterklasave, vizitorëve të festivalit do t’u ofrohet hapësira për të ndjekur nga afër edhe një seri panelesh me folës të shquar.
Në ora 17:00 në Galerinë e Arteve në Pejë, filloi paneli i parë për këtë edicion, ku përgjatë një ore të pranishmit diskutuan mbi pavarësinë e artit në Ballkan nëpërmjet animacionit.
Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave të garës ndërkombëtare, ku u shfaqën gjashtë filma për të pranishmit.
Duke vazhduar pastaj me garën e studentëve në Kino Kubat. Nata përfundoj me argëtim nën tingujt e muzikës nga Sahati dhe Eptani, duke përmbyllur kështu natën e dytë të “Bestytndejave” të Anibar-it.
Edicioni i 13 i festivalit me një program të larmishëm me shumë aktivitete të ndryshme do të vazhdoj çdo ditë deri më 19 korrik në qytetin e Pejës. /KultPlus.com
Al Pacino dhe Robert De Niro kanë krijuar magji sa herë që kanë punuar së bashku, veçanërisht në filma të tillë si “Heat” i Michael Mann, ku ata dhanë disa nga performancat më të paharrueshme të karrierës së tyre të shquar. Megjithatë, De Niro beson se ekziston një përjashtim që ‘njollos’ trashëgiminë e tyre të përbashkët, transmeton KultPlus.
Kur u njoftua se të dy po ribashkoheshin për një projekt krejt të ri nën drejtimin e askujt tjetër përveç Martin Scorsese, fansat nuk mund të përmbaheshin nga emocionet e tyre.
Krahas karrierës së tyre të aktrimit, të dy kanë një miqësi prej gati 50 vitesh tashmë. Ndërsa kujtonte takimin e tyre të parë, Al Pacino pohoi se ishte mahnitur nga prania magnetike e De Niros që në fillim, edhe pse ky i fundit nuk kishte luajtur në ndonjë produksion të madh në kohën e takimit të tyre të parë.
Duke folur për atë rast të paharrueshëm në një intervistë, Pacino shtjelloi: “Më kujtohet shumë qartë takimi. E pabesueshme, e pashë këtë djalë, mendova, Uau, ai ka një karizëm të tillë. Ai nuk po bënte asgjë. Ai thjesht po ecte. E mbani mend? E dini, ai ishte Bob. Por ti ndjeve diçka prej tij.”
Me njoftimin e fundit të Michael Mann për një vazhdim të opusit të tij të madh Heat, shumë kanë rishikuar disa nga kryeveprat me Pacino dhe De Niro së bashku. Ekziston një projekt i veçantë që asnjëri prej tyre nuk dëshiron që ju ta shikoni pasi De Niro më vonë pretendoi se ishte penduar vërtet që ishte pjesë e atij filmi.
I titulluar Righteous Kill, prodhimi amerikan i vitit 2008 është një thriller aksioni që paraqet De Niro dhe Pacino si detektivë të NYPD-së të cilët nisin një kërkim të rrezikshëm për të gjurmuar një vrasës serial të rrezikshëm. Ndërsa nuk ishte një dështim komercial për shkak të fuqisë së yjeve të kastit, ai mori vlerësime të gjera negative për shkak të filmave të dobët dhe skenarit të paaftë.
Në një intervistë, De Niro kujtoi se sa fajtor u ndje gjatë premierës në Romë të Righteous Kill kur të dy yjet takuan fansat që prisnin me padurim filmin e tyre të ri. Aktori kujtoi premtimin që u dha atyre: “Unë thashë: ‘Ky është një reagim i mrekullueshëm, por do të ishte mirë sikur të ishin këtu për një film për të cilin ne vërtet ndihemi krenarë. Herën tjetër do të bëjmë një që na pëlqen.” /KultPlus.com
Çmimet e larta në jug të Shqipërisë po bëjnë që numri i turistëve të jetë i vogël dhe plazhet të boshatisen.
I pyetur në lidhje me këtë, kryeministri Edi Rama u shpreh se nëse është e vërtetë, ky do të jetë një mësim për bizneset që abuzojnë me çmimet ndërsa ndodhen në një treg shumë konkurrues, ku kanë afër Turqinë, Greqinë, Malin e Zi e Kroacinë.
Rama gjithashtu u shpreh se Qeveria e tij ka ndryshuar për mirë kartëvizitën e Shqipërisë.
“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për tu parë dhe analizuar në fund, jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vetë i bën. Nëse në fund do të kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë, në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e Qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Në Lungomare nuk kishe ku kaloje se kishte jashtëqitje delesh, dhe në anën tjetër ndërtime pa leje, sot është ndryshe”, tha Rama. / KultPlus.com
epa09044890 Albania Prime Minister Edi Rama during a joint press conference after an EU – Albania Association Council meeting in Brussels, Belgium, 01 March 2021. EPA-EFE/JOHN THYS / POOL
“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë dhe çdo ditë po zbulojnë emra të pjesëmarrësve, ndërsa kësaj radhe kanë zbuluar një tjetër bashkëpunim të rëndësishëm, shkruan KultPlus.
Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur se në të mirë të edukimit e shkëmbimit kulturor, RLIOF dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri po bashkojnë forcat për një bashkëpunim ku me artistët e rinj dhe ata me karrierë do të shkëmbehen përvojat mes kolegëve muzikantë që do të vijnë nga e mbarë bota në Prishtinë, për të qenë pjesë e festivalit të vetëm operistik në Kosovë e rajon, RLIOF.
“Jemi një dhe e kemi për detyrë të jetësojmë bashkëpunime!
Për më tepër, kur bashkëpunimet ndodhin në të mirë të edukimit e shkëmbimit kulturor, është mrekulli!
Këtë vit, Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri po bashkojnë forcat për një bashkëpunim, ku me artistët e rinj dhe ata me karrierë do të shkëmbejmë përvojat tona me kolegët muzikantë që do të vijnë nga e mbarë bota në Prishtinë, për të qenë pjesë e festivalit të vetëm operistik në Kosovë e rajon, RLIOF.
Shihemi së shpejti në Prishtinë, e në një të ardhme të afërt edhe në Tiranë!”, ka shkruar Lahaj. / KultPlus.com
Organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit sot do të dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura në të gjitha komunat e Kosovës përmes së cilave kërkojnë të bindin ligjvënësit që t’ju plotësohet kjo kërkesë.
Lajmi është dhënë nga Adnan Jashari, një prej përfaqësuesve të grupit, të cilët më parë kanë organizuar edhe protesta duke kërkuar lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Ata do të priten edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili personalisht por edhe partia që përfaqëson është kundër një tërheqjeje të dytë të Trustit.
Në seancën parlamentare të 23 qershorit pas një debati të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës, nuk kaloi projektligji që mundëson tërheqjen e një përqindje të caktuar nga Trusti.
Nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 44 patën votuar “për”, 57 “kundër” dhe 1 “abstenim”.
Qeveria dhe mazhoranca në Kuvend të Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin në fjalë për tërheqjen e 10 deri 30 përqind të mjeteve, ku iniciues i kësaj nisme ligjore, ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe ishin tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues. / KultPlus.com
Artistja me renome botërore, Dua Lipa, ka konfirmuar se do të jetë pjesë një prej festivaleve më të mëdha në Evropë, “Sunny Hill Festival”, i cili do të mbahet në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Lipa, ka shkruar se është duke u rikthyer në shtëpi.
“Sunny Hill Festival – Prishtinë, Kosovë – Unë po vij në shtëpi, shihemi në gusht”, shkroi ndër të tjerash 26-vjeçarja në lajmërimin e saj.
Artistë të ndryshëm do të marrin pjesë në këtë festival, derisa nuk është bërë e ditur në qoftë se do të ketë edhe artistë të ri ndërkohë.
Sunny Hill do të mbahet në datat 4-7 gusht në Gërmia Park të Prishtinës. /KultPlus.com
Të enjten në Prishtinë, Ambasada e Francës organizoi pritje me rastin e Festës Kombëtare Franceze, ndërsa nuk munguan edhe deklarata për çështjen e liberalizimit të vizave.
Mbajtja e samitit të BE-së në qershor të këtij ndonëse nuk pati lëvizje konkrete, ngjalli shpresa se ka hapa pozitivë drejt liberalizimit të vizave.
Ndonëse Komisioni Evropian ka theksuar dy herë se Kosova ka përmbushur kriteret për liri të lëvizjes, është vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë liberalizimin e vizave.
E në pritjen e organizuar nga ambasadorja franceze Marie-Christine Butel nuk u la pa u përmendur kjo çështje.
Diplomatja franceze tha se për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave, megjithëse nuk iu dha drita e gjelbër nën presidencën franceze.
“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtet diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë. Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton KP.
Pritja me rastin e Festës Kombëtare Franceze
Ambasadorja Butel pati një porosi edhe për dialogun, Kosovë-Serbi, për çka tha se nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë në BE, derisa ka mosmarrëveshje mes vendeve.
“Lufta në Ukrainë rikujton urgjencën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Nuk ka alternativë dialogu. Përderisa kjo mosmarrëveshje vazhdon, nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Dita e Bastiljes është shpërthim i Deklaratës së Lirisë.
“Dita e Bastiljës është në të njëjtën kohë edhe shpërthimi me çdo kusht i Deklaratës së Lirisë, rënia e burgut të Bastiljës, por edhe shpallja popullore e një kryengritje masive të madhe për liri. Prandaj, Republika do të përbënte një marrëdhënie të përhershme midis lirisë dhe popullit. Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet për të përfshirë një Republikë, që përbën një arsye të mjaftueshme për një 14 korrik të dytë atë të Federatës, një vit më vonë”, tha ai.
Sipas njoftimit për media nga Kryeministria, në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.
“Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.
“Jam i lumtur të them se në nivel politik dy republikat tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë. Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen”, deklaroi Kurti. / Gazeta express / KultPlus.com
Atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit. Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër në vitin 1880, ku rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh Bajo Topulli.
Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur.
Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë.
Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit, si dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut në disa kryengritje të armatosura.
U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat e pushtuesve malazeze. / KultPlus.com
Kur pashë për herë të parë, një copë kafke, njeriu. Unë i kisha vetëm njëzet e dy.
Sapo kishim mbërritur në front, e dhjetori pat sjellë një dimër t’egër. Kërcisnin nën çizmet tona gjethet e veshura nga bryma.
Shtegut, pashë gllënjka gjaku, e një copë kafke njeriu: që i binte nga brënda një tufë flokësh, si një sipërfaqe e ashpër e viskoze, aq e ngjashme me atë të Hënës;
Kjo, ishte gjithçka që kishte mbetur në tokë, nga Šarić Seduan.
“Eugenio Scalfari ishte një figurë referuese për kundërshtarët e minë politikë. Megjithatë, sot nuk mund të mos e pranoj se ai ishte një regjisor dhe gazetar i madh, të cilin e kam vlerësuar gjithmonë për përkushtimin dhe pasionin e tij për punën”, shkroi në Twitter lideri i partisë “Forza Italia” Silvio Berlusconi, sipas corriere.it.
Dhe ky është ndoshta mesazhi më domethënës i ngushëllimit, sepse vjen nga një kundërshtar historik, ndër qindra të tjerë pas përhapjes së lajmit për vdekjen e themeluesit të gazetës “La Repubblica”.
“Ndihem i pikëlluar nga vdekja e gazetarit, regjisorit, eseistit, politikanit, dëshmitarit të kthjellët dhe të pasionuar të historisë sonë republikane Eugenio Scalfari”, deklaroi sot presidenti i Republikës, Sergio Mattarella.
“Që nga hapat e parë brenda asaj shkolle të madhe gazetarie që ishte ‘Bota’, nga drejtimi i “L’Espresso” deri në themelimin e “La Repubblica”, Scalfari ka qenë gjithmonë një pikë referimi tërheqëse për brezat e gazetarëve, intelektualëve, klasës politike dhe një numër të madh lexuesish,” tha ai.
“Gjithmonë një avokat i bindur i etikës në shoqëri dhe i ripërtëritjes në jetën publike, kohët e fundit ai iu përkushtua me mjeshtëri çështjeve të mëdha ekzistenciale të njeriut me efektivitetin dhe thellësinë e zakonshme të reflektimit”, përfundon Mattarella.
“Papa Françesku mësoi me dhimbje vdekjen e mikut të tij, Eugenio Scalfari. Ai ruan me mall kujtimet e takimeve dhe bisedave me të gjatë viteve dhe ia beson shpirtin e tij Zotit në lutje, që ai ta mirëpresë dhe të ngushëllojë ata që ishin afër tij”, tha drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, sipas ANSA.
“Vdekja e Eugenio Scalfari lë një boshllëk të pakalueshëm në jetën publike të vendit tonë. Themeluesi i “L’Espresso” dhe “La Repubblica”, të cilat ai i drejtoi për njëzet vjet, Scalfari ishte protagonisti absolut i historisë së gazetarisë në Italinë e pasluftës”, tha kryeministri Mario Draghi.
“Qartësia e prozës së tij, thellësia e analizave, guximi i ideve të tij i kanë shoqëruar italianët për më shumë se shtatëdhjetë vjet dhe i kanë bërë editorialet e tij një lexim themelor për këdo që dëshiron të kuptojë politikën dhe ekonominë”, tha Draghi.
“Themeluesi i “La Repubblica”, dashurinë për gazetarinë e shoqëroi me angazhimin civil e politik, me ndjenjën e lartë të institucioneve dhe shtetit. Shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta në emër të gjithë Qeverisë për të dashurit, për të gjithë gazetarët e “La Repubblica” dhe “L’Espresso””, tha ai. /atsh/ KultPlus.com
Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.
Skepta, AJ Tracey, Diplo dhe Elvana Gjata, Burak Yeter, Mahmood, Regard, Kida, Ghetto Geasy, Onat, Cozman, Kamal, Romeo Blanco, Ledri Vula, Emir Taha, Yll Limani dhe J Blavin janë vetëm disa artistë që deri më tani janë pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.
Ndërkaq së fundi, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se Dua Lipa është artistja e radhës që do të jetë pjesë e këtij festivali.
“Sunny Hill Festival – Prishtina, Kosovo – Po vij në shtëpi. Shihemi në gusht”, ka shkruar Lipa në rrjetet soicale. / KultPlus.com
Gustav Klimt njihet për pikturat e tij të veçanta, subjekt i të cilave zakonisht ishte trupi i femrave, duke bërë kështu që në veprat e tij të shënjohet një erotizëm i pashoq, shkruan KultPlus.
Përveç veprave të tij figurative, të cilat përfshijnë alegori dhe portrete, ai pikturoi peizazhe. Ndër artistët e tjerë të Vjenës, Klimt ishte më i ndikuari nga arti japonez dhe metodat e atij arti.
KultPlus ju sjell disa fakte interesante të jetës së tij.
-Klimt kishte jetuar në varfëri të skajshme për një kohë të gjatë, por falë talentit të tij arriti që të sigurojë të ardhura të kënaqshme.
-Klimti ka qenë një person shumë introvert, nuk dihet nëse njëherë ai ka pasur shoqëri me të tjerë artistë.
-Klimt ka qenë shumë i apasionuar pas grave, mirëpo nuk u martua kurë.
-Klimt i ka dashur shumë edhe macet, thuhet se ka mbajtur shumë mace.
-Klimt ka qenë i apasionuar pas seksualitetit, ëndërrave dhe të pavetëdijshmes.
-Ai vdiq në moshën 55 vjeçare, në vitin 1918 nga i ashtuquajturi Gripi Spanjoll. / KultPlus.com
Me një ceremoni të veçantë, të organizuar në Kino “Liqeni” në Pejë u hap edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit – Anibar.
Edhe këtë vit ata kanë kuruar një program të pasur artistik dhe aktivitete të shumta. Deri me datën 19 korrik do të prezantohen më shumë së 200 filma të animuar që trajtojnë tema të rëndësishme sociale dhe kulturore.
Tema e festivalit është “Besëtytnitë” ndërsa këtë edicion me karakter garues organizatorët e kanë ndarë në kategori të ndryshme.
Të pranishëm në hapjen e festivalit ishin edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, filmbërës e artdashës. / KultPlus.com
Mbrëmë u promovua libri “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut”.
Historitë e paraqitura në këtë libër janë rrëfime të vuajtjeve e torturave por edhe të rezistencës e solidaritetit mes aktivistëve politikë nga Kosova që kaluan ditë e netë në dhomat e izolimit të kampit të Goli Otokut, por edhe në burgjet e tjera.
Kjo ngjarje u bë edhe më e veçantë për faktin që u promovua në Muzeun e Burgut të Prishtinës, që do të jetë qendër e dokumentimit për gjithë rezistencën politike të popullit shqiptar gjatë dekadave dhe hulumtimet e tilla do të jenë pjesë e rëndësishme e punës së këtij institucioni.
Hapjen e bëri ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, për të vazhduar pastaj debati “E kaluara para së kaluarës” me panelistë Shkëlzen Gashi, Mrika Limani Myrtaj dhe Aurela Kadriu, me moderator Eraldin Fazliu.
Libri është botuar nga Integra dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com