Kurti: Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është një nga proceset më delikate të Republikës së Kosovës

Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e pestë e Komitetit Ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në këtë mbledhje, që zgjati tre orë, u prezantua dhe u diskutuan rezultatet e hulumtimit shumë-sektorial për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Planit për këtë kompleks, përgatitur nga komisioni i ekspertëve të formuar në fillim të këtij viti. Ky hulumtim paraqet hapin e parë drejt fazës së ardhshme e që është shpallja e konkursit për hartimin e Master Planit për këtë Kompleks.

“Gjatë vitit të kaluar kemi ndërmarrë hapa për t’u siguruar që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në Kompleks dhe përmes vlerësimeve profesionale dhe ndërhyrjeve emergjente të realizuara, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar” u shpreh Kryeministri Kurti.

Historia e Familjes Jashari duhet të rrëfehet ashtu siç e meriton, me dinjitet dhe me krenari, tha kryeministri Kurti.

“Ky rrëfim duhet të bëhet i ditur për të gjithë, për të rinjtë edhe të rejat, për ata që do vijnë pas nesh dhe për çdo të huaj që e viziton vendin tonë. Duhet të tejkalojmë edhe barrierat kohore, dhe kujtimin për veprën heroike të Familjes Jashari ta shndërrojmë në përjetësi, sepse është një ngjarje unike me efekte të cilat do të shtrihet edhe kur ne nuk do të jemi më”, u shpreh më tej Kryeministri Kurti.

Ai shtoi se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është një nga proceset më delikate të Republikës së Kosovës, dhe për atë jemi siguruar të punojmë me një ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me qasje profesionale e multi-diciplinare, nga historia, monumentaliteti, peizazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe kujtesa kolektive. /KultPlus.com

Në rrugën e gjatë

NË RRUGËN E GJATË

-Sonet-

U lodh dhe plaku Dritëro, u lodh!…
Me briskun “Astra” mirë e bukur rruhet
Dhe pi duhan dhe pret këtej ç’po ndodh,
Se loja politike nuk i luhet.
Sa keq që s’e besoi të madhin zot,
Sa keq që para tij nuk di të skuqet,
Se zoti mund t’ia mbushte hejbet plot,
Madje në varr t’i kishte plot sunduqet!
Eh, s’ke ç’t’i bësh!…I tillë u gdhend ky dreq
Dhe le të shkojë atje ku shkuan miqtë,
Atje ku prehin kockat shokët pleq…
Po varri kurrizdalin nuk e ndreq,
Në varr i mbledh të mirët dhe të liqtë,
Rakinë e gjen dhe vallen prapë e heq.

28 janar 1998 /KultPlus.com

Drejt përfundimit edhe Qendra e edukimit jo-formal për fëmijë dhe të rinj në Pjetërshan

Kjo qendër rinore e standardeve ndërkombëtare me ambiente të llojllojshme e multifunksionale do të ofrojë hapësira të reja rekreative dhe kulturore për të rinjtë e Komunës së Gjakovës por edhe nga e gjithë Kosova, është bërë e ditur për këtë investim nga ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.

“E destinuar të ofrojë kushte fizike të një qendre rezidenciale, kjo Qendër Rinore do të mund të përdoret gjatë tërë vitit për aktivitete kulturore e sportive, e që për më tepër, mundëson gjithashtu prezencën dhe aktivizimin e të rinjve në ambient natyror”, ka thënë ministri Çeku./ KultPlus.com

Flutra Zymi kundërshton mbajtjen e Sunny Hill Festival në Gërmi:  Ju jeni yje po njerëz nuk jeni, shihemi në gjykatë

Flutura Zymi e njohur edhe si aktiviste për mbrojtjen e ambientit ka dalë me një reagim pas njoftimit të Sunny Hill Festival, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës se ky festival do të mbahet në lokacionin e Gërmisë.

Flutra Zymi nëpërmjet rrjeteve sociale ka ftuar ambientalistët, aktivistët, qytetarët dhe shoqërinë civile që të dalin në protestë, në mbrojtje të Gërmisë.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Zymit.

Ftoj të gjithë ambientalistët, aktivistët, qytetarë dhe shoqërinë civile se shpejti në protestë në mbrojtje të Gërmisë. Ju njoftojmë për datën e protestës së shpejti.

Nuk duhet leju një grusht analfabeta që qeverisine me u sjell si ky vend është i tyre dhe vetëm i tyre. Shpresoj që Instituti i Kosovës për mbrojtjen e Natyrës nuk ka ba këso lëshime.

Zymi poashtu po për të njëjtin organizim ka reaguar edhe me një status tjetër, duke paralajmëruar se me të gjithë do të shihet së shpejti në gjykatë.  

Ju definitivisht jeni njerëz egoista, mizor të pa kulturë. Njerëz pa pikë respekti për natyrën biodiversitetin. Ju jeni yje po njerëz nuk jeni e as kurrë nuk do bëheni. Shpresoj natyra sa më shpejt të na hakmerret se njeriu nuk e meriton këtë planet. Shihemi në gjykatë që të gjithë!/ KultPlus.com

Osmani: Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë me ndjekësit e saj momente të festës së Pavarësisë së ShBA-ve, festë kjo që është shënuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se ‘Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara’.

KultPlus ju sjell të plotë mesazhin e presidentes Osmani.

Mbrëmë, në një atmosferë të jashtëzakonshme, mes miqsh të shumtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Kosova, festuam festën e pavarësisë së SHBA-ve.

Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota.

Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që nëpër dekada kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme./ KultPlus.com

‘Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë’

Sot bota e letrave përkujton përvjetorin e nobelistit gjerman Herman Hesse, lindur më 2 korrik 1877.

Pas debutimeve të para letrare, në fillim të shekullit XX, autori gjeti një numër lexuesish gjithnjë në rritje falë romaneve si “Siddharta” dhe “Narcisi dhe Bokardi”. Herman Hesse ishte një nga filozofët më të shquar të shekullit të 20-të. Romancier, piktor dhe filozof, Hesse fitoi çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1946, pas një jete kushtuar letrave, me veprën “Loja e rruazave prej qelqi”. Mendimi i rrjedhshëm dhe i përsosur, me një prozë për t’u patur zili, e bëri atë një nga shkrimtarët më të lexuar në historinë moderne.

Jam një yll

Jam një yll në universin qiellor,

Që vëzhgon dhe përçmon botën,

Dhe tretet brenda dritës së vet.

Jam deti që tërbohet natën,

Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,

Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.

Kam mërguar nga bota juaj,

I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,

Jam mbret pa atdhe.

Jam pasioni i heshtur,

Në vatër pa oxhak,

Në luftë pa shpatë,

I sëmurur nga vetë forca ime.

Gjithmonë jemi në kërkim të diçkaje më shumë nga ato që kemi dhe ato që jemi. Madje, jemi të bindur se kjo “më shumë” është përtej mundësive tona. Shpesh na pëlqen të strehohemi në fjalët e mrekullueshme të Herman Hesses, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve tona, për të qetësuar shpirtin, për të përjetuar fundja qetësinë që nuk duhet kërkuar jashtë, por brenda nesh.

Herman Hesse ishte shkrimtar, poet, po edhe mësues i vërtetë i jetës.

Në faqet e librave të tij, gjithsecili mund të takojë pjesë të fshehura të shpirtit, të shkruarit e tij është pasqyra e brendisë tonë, që na tregon ato cilësi, të dhimbshme dhe brenguese, që ndonjëherë e kemi vështirë t’i pranojmë. Kush e njihte, e kujton si një njeri me një personalitet të vështirë dhe disi të ashpër. E donte vetminë dhe zhytej në humnerat e gjendjes së brendshme shpirtërore. Një krijues gjeni, vetmitar dhe disi i paqëndrueshëm, që gjithçka që ndiente e shndërronte në fjalë. Në fakt, ai konsiderohet si “autor i krizës” gjithnjë në kërkim të identitetit të tij të vërtetë. Konica.al

Thëniet nga Hesse, janë një ftesë për të reflektuar mbi jetën dhe kërkimin e identitetit, një dhuratë për këdo që dëshiron të thellohet, të pyesë veten dhe të zbulojë vetveten. Një trashëgimi me thellësi të madhe psikologjike dhe shpirtërore që meriton të lexohet.

Ç’mund t’ju them që mund t’ju vlejë, përveçse mund të jeni duke kërkuar diçka me aq këmbëngulje, sa nuk mund të gjeni asgjë?

Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë.

Si trup jemi të gjithë beqarë, si shpirt askush nuk është.

Zogu lufton derisa del nga veza. Veza është bota juaj. Çdo qenie e gjallë duhet të përpiqet të shkatërrojë botën.

Feja, ashtu si arsyeja, nuk kalon përmes arsyes.

Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.

Përjetësia është vetëm një moment, i gjatë mjaftueshëm për t’u tallur me të.

Kur urrejmë dikë, në imazhin e tij urrejmë diçka që kemi në brendësinë tonë.

Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë.

Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë.

Mund të shkruash libra me psikologji, por jo të depërtosh në zemrën e njeriut.

Nuk ekziston një ëndërr e përhershme. Çdo ëndërr ia lë vendin një ëndrre të re dhe nuk ka pse të frenoni asnjërën prej tyre.

E keqja lind gjithmonë atje ku dashuria nuk mjafton.

Jo rrallëherë u hamë kohën miqve, për t’ua kushtuar atë armiqve tanë.

Veprat e Hesses janë përkthyer në gati 60 gjuhë, ndërsa të paktën 125 milionë kopje janë shitur në të gjithë botën. Hesse e dinte saktësisht, se çfarë dëshironte të bëhej – “poet ose asgjë fare”. Udhëtimi i tij drejt shkrimit, ka qenë në vetvete një odise e vërtetë. Ndër veprat kryesore, citojmë “Siddharta”, “Ujku i Stepës”, “Endacaku Knulp”, “Narcisi dhe Gojarti”, “Loja e rruazave prej qelqi”, etj.

U shua nga ataku në zemër, më 9 gusht 1962.

Hesse është një burim i magjepsjes për çdo të ri, me krijimtarinë udhëzim për shqyrtimin e identitetit. Librat e tij, ndihmojnë për të analizuar pyetjen e përjetshme të kuptimit të jetës. / Konica.al / KultPlus.com

Afrim Muçaj me rol kryesor në “Everybody calls Redjo”: Besoj se nuk do i zhgënjej ata që do të më thërrasin Rexho

Me skenar të Ibër Dearit e Artin Selmanit e me regji të Ibër Dearit janë duke u bërë përgatitjet e fundit që ky film tashmë të zbresë në shesh xhirim, e që është filmi debutues i Ibër Dearit, sa i përket filmave të metrazhit të gjatë, shkruan KultPlus.

Ky film që kishte marrë dritën jeshile nga Agjensioni Shtetëror i Maqedonisë së Veriut, tashmë ka edhe aktorin kryesor që do të luaj rolin e Rexhës, e që ekipi i këtij filmi ka konfirmuar se ky rol do të luhet nga aktori kosovar Afrim Muçaj.

Se janë drejt rrugëtimit për fillimin e xhirimeve,  ekipi i filmit tashmë ka publikuar edhe posterin e filmit, kurse Afrim Muçaj, në një prononcim për KultPlus ka thënë se ndihet shumë i lumtur për besimin që i është dhënë nga ana e regjisorit.

“Por gjithsesi jam i vetëdijshëm që më pret një punë dhe përgjegjësi shumë e madhe”, ka thënë Muçaj për KultPlus, i cili ka shpjeguar se ai edhe më herët ka bashkëpunuar me Ibër Dearin, por që, sipas tij, kësaj here që të dy i pret një punë shumë e madhe.

“Kemi të bëjmë me një film të metrazhit të gjatë, dhe që në muajin gusht do të nisim me xhirime, dhe jemi duke punuar me një intensitet të madh, qysh tani”, ka thënë Muçaj.

Duke uruar që do t’ia dalin me këtë projekt të madh, Muçaj ka thënë se “Every body calls Redjo” do të jetë sfida e tij e radhës. “Dhe besoj se nuk do i zhgënjej ata që do të më thërrasin Rexho’, ka përfunduar Muçaj./ KultPlus.com

Venecia bëhet qyteti i parë që duhet të paguash për të hyrë, ky është çmimi

Numërimi mbrapsht ka filluar. Nga 16 janari 2023, vizitorët në Venecia, i njohur si xhevahir i turizmit të Italisë do të duhet të paguajnë për privilegjin e hyrjes në qytet.

Është vendosur që Venecia të bëhet qyteti i parë në botë që kërkon një tarifë hyrjeje. Data e nisjes u njoftua nga këshilltari i Venecias për turizmin, Simone Venturini, në një konferencë për shtyp të premten.

Venturini e quajti masën e re “revolucion të madh” dhe një zgjidhje për problemin e mbiturizmit me të cilin qyteti lagunor ka luftuar për dekada.

Kostoja e biletës do të variojë nga një minimum prej tre euro deri në 10 euro. Çmimi nuk do të jetë fiks, por do të ndryshojë sipas numrit të vizitorëve: Sa më shumë kërkesa për hyrje, aq më e lartë është kostoja.

Qëllimi, shpjegoi Venturini, nuk është të mbyllë qytetin, por t’i bëjë njerëzit të rezervojnë praninë e tyre për të reduktuar “majat turistike”. “Venecia është një qytet i gjallë dhe duhet të qëndrojë i tillë”, tha ai. /abcnews.al

“Gërmia Park” – lokacioni ku do të mbahet SunnyHill Festival këtë vit

Tema e lokacionit për mbajtjen e Festivalit SunnyHill këtë vit u diskutua shumë dhe tani duket se gjithçka është zgjidhur, shkruan KultPlus.

Pas një deklarate të përbashkët mes Sunny Hill Festival, Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është vendosur edhe për këtë vit lokacioni të jetë parku Gërmia.

“Sunny Hill Festival, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë e linjës në Qeverinë e Republikës së Kosovës janë pajtuar që edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme.

Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali.

Sunny Hill Festival zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë tjera përkatëse, bashkë me Komunën e Prishtinës janë zotuar të ofrojnë mbështetje të plotë për realizimin e një edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022″, thuhet mes tjerash në njoftim. /KultPlus.com

2 Korriku 1990, polici i “Rrugës B” të vërshuar dhe ideja e lirisë (VIDEO)

Rrahman Paçarizi

S’para i kqyri videot “virale”, por në ditë si 2 Korriku, bëhemi emocionalisht më të ndieshëm dhe na rritet nevoja për konsum edhe gjërash në të parë më triviale si videot që qarkullojnë në rrjete sociale.. Pamja e një polici që e merr ngrykë një fëmijë në rrugën B të vërshuar nga uji kishte bë xhiro në rrjetet sociale. Kemi pa shumë heroizma të policëve dhe ushtarëve të Kosovës dhe ky ishte vetëm një gjest i mirë dhe në ditë zakonshme nuk do ta quaja heroizëm. Heroizmin e pashë diku tjetër – polici e futi fëmijën në veturë dhe mua m’u kthy filmi në fëmijërinë e rininë time. Do të isha tmerru me më pasë futë në veturë policie, kur isha fëmijë. 17 vjeç më patën futë në veturë të policisë dhe pata përfundu aq keq, sa edhe sot i ndiej pasojat e asaj xhiroje me veturë policie. E tash, një fëmijë i lidhet për qafe policit i cili shkon e merr atë nëpër ujin e turbullt, e sjell ne anë të rrugës dhe e futë në veturën zyrtare (e ëma i ndjekë ngadalë dhe sigurisht, pa frikë). Dhe , këtë video e kqyra më 2 Korrik, 32 vjet pas shpalljes se Deklaratës së Pavarësisë nga Serbia.

A e dini çka kemi fitu? Kjo është LIRIA. E ke shtetin tënd që nuk të persekuton, e ke policinë që nuk të rrah e vret, madje ke edhe politikanë të cilët mundesh me i deshtë ose jo, por e di që për shtetin mendojnë si ti, e duan si ti.

E, ai polici nuk bëri heroizëm, se gjasat e fëmijës për ta kalu rrugën e vërshuar me ndihmën e së ëmês ishin te larta. Polici me gjestin e tij ma kujtoi edhe një herë se çka është liria. Lirinë e përjetojnë të gjithë – njerëzit lindin të lirisë prandaj e kuptojnë si diçka të zakonshne, por asaj i rritet vlera në krahasim, në krahasim me mungesën e saj, me robërinë. Ne mund ta bëjmë këtë krahasim. Ne duhet të dimë me bë atë krahasim.

Gëzuar 2 Korriku!/ KultPlus.com

Herman Hese: Vetmia është pavarësi

Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të.

Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare. Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota./Konica.al/Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim, një të tretën e veprës. Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.

“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. 

Shumica e njerëzve, pra e gjithë grigja, nuk e kanë shijuar kurrë vetminë. Po, ata shkëputen një herë nga babai dhe nëna, por vetëm për t’u strukur pranë një gruaje dhe për t’u qetësuar sa më shpejt, në një ngrohtësi dhe lidhje të re. Asnjëherë të jenë vetëm, asnjëherë të flasin me veten”.

Në romanet e Herman Heses, ashtu si në jetë, vetëzbulimi eci në një shtegth të ngushtë, midis njohurive të thella dhe solipsizmit. Është i famshëm si “autori i krizës”, në romanet e tij ai i nënshtrohet vetanalizës për të gjetur identitetin. Pa dyshim, edukimi i autorit pati një ndikim të madh, si në farkëtimin e personalitetit, ashtu edhe në stilin letrar. Nobelisti jetoi nëpër krizat e jashtëzakonshme politike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, duke i mbijetuar vështirësive të mëdha personale dhe izolimit social. Ndërsa bota ishte në kaos dhe jeta individuale ishte e kërcënuar nga ideologji të ashpra konfliktuale, ishte pothuajse e pamundur për çdo individ, që të ndiqte një jetë kuptimplote drejt realizimit të vetes.

“Kushdo që dëshiron muzikë në vend të zhurmës, gëzim në vend të kënaqësisë, shpirt në vend të arit, punë krijuese në vend të biznesit, pasion në vend të budallallëkut, nuk gjen vend në këtë botën tonë të vogël”./Konica.al / KultPlus.com

Shkurtohet për 3 orë rruga drejt Sarandës, pamje (VIDEO)

Mëngjesin e kësaj të shtune është hapur zyrtarisht aksi i ri rrugor Kardhiq-Delvinë. Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Turizmit Mirela, e cila ka publikuar pamjet e rrugës përmes një video në rrjetet sociale.

Kumbaro shkruan se nga sot rruga do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër.

“U tha, u bë! Mirëmëngjes me udhëtimin nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër” shkruan Kumbaro.

Me aksin e ri Kardhiq-Delvinë, pritet që rruga Tiranë-Sarandë të shkurtohet me rreth 45 minuta.

Presidentja Osmani: Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur

Mesazhi i Presidentes Osmani me rastin e 32 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë një mesazh për 32 vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese, shkruan KultPlus.

Më poshtë e sjellim mesazhin e saj të plotë.

114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, atëkohë morën guximin që në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme nëpërmjet këtij akti heroik e juridik ta artikulojnë vullnetin e popullit të Kosovës për trajtim të barabartë.

Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur, ta krijojnë bazën për subjektivitet të shtetit në ardhje, ndaj në këtë përvjetor falënderoj secilin që vuri një gur në projektin tonë historik për shtet.

Themelet e shtetit të janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut, ndaj sot Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe sovran!

Urime 2 Korriku!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!/ KultPlus.com

Kur gazeta ‘Rilindja’ shkruante për Deklaratën e 2 Korrikut (FOTO)

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar.

Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Ndërkaq, sot në 31 vjetorin e kësaj ngjarje të madhe për shqiptarë, Ndriçim Çekaj ka publikuar në rrjetin social Tëitter, një fotografi ku shfaqet ballina e gazetës ”Rilindja”, një ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut. / KultPlus.com

Kjo është Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990

Jusuf Buxhovi

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 – gurthemel i shtetësisë së Kosovës

Shtetësia e Kosovës është e lidhur ngusht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990. E shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën. 
Kështu, Deklarata e 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, ua hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës. 
Shpallja e Kosovës shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008, rikofirmoi këtë proces historik që filloi më Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe u përmbyll me Referendumin për Pavarësi të vitit 1991.
Andaj, për historikun e shtetësisë së Kosovës 2 korriku 1990 paraqet gruthemelin e saj.

Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990.

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat)./KultPlus.com

Tatuazhi dhe simbolikat tek populli shqiptar

Nga Gjon Keka

Fjala “tatuazh” vjen nga fjala tahitiane “tatau”, nga një formë e përsëritur e fjalës “tau” që do të thotë të bërit shenjën duke shkaktuar plagë.

Studiuesi Cook dhe bashkëmendimtarët e tij e sollën fjalën në Europë si “tatu” e cila pastaj u përdor në shumë gjuhë ,pra kjo fjalë u internacionalizua tek popujt e ndryshëm.

Në lashtësi sidomos tek Ilirët është përdorur vizatimi i trupit apo vendosja e shenjave në trup, në atë kohë nuk njihej fjala tatuazh,por ngjyrosja apo vendosja e ndonjë simboli në trup bëhej për të imituar, pastaj për të adhuruar ,e poashtu edhe si shenjë e dallueshmërisë së fiseve.

Ka pas raste kur simbolet janë vendos në trup për të përcaktuar rendet e fisnikërisë së një race.

Ne mësojmë se edhe në kohën e Herodotit dhe më pas simbolet apo tatuazhet të tilla janë vendos nga njerëz e grupe të caktua të fisnikërisë si dhe të popujve të ndryshëm të asaj kohe. Tatuathi në fakt nuk e bënë dikë fisnik ,por në atë kohë ishte më shumë shenjë e dallueshmërisë dhe e njohjes njëri me tjetrin.

Ndërkaq ,thuhet se Aleksandri i Madh mbante shenjën e pëlqyer të tij simbolike në trupin e tij të vizatuar apo të bërë tatuazhë të asaj kohe, poashtu edhe Konstantini i Madh simbolin e tij, pastaj edhe Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) mbante simbolin e tij, madje për Gjergj Kastriotin thuhet të ketë lindur më një shenjë në krahërorin e tij në formën e shpatës etj.

Megjithkëtë tek shqiptarët tatuazhi apo vendosja e shenjave dhe simbolikave të tilla ka qenë pjesë e zakoneve që nga lashtësia, p.sh., pellazgo-ilirët e lashtë mbanin simbolet e diellit, të kryqit të thyer,të dragoit si dhe shumë simbole tjera që njiheshin ndër ta, pastaj iliro- arbërorët poashtu mbanin simbole në vijimësi, si ato të diellit, yllit ,shqiponjës ,kryqit .luanit , hënës etj.

Edhe ky shqiptar që shihet në imazhin e vendosur këtu i botuar në vitin 1872 (I.Z.332,1872)imazhi mund të jetë edhe më i vjetër,por ai është botuar në vitin 1872,trupi i tij është i mbushur me tatuazh e me simbolika të ndryshme të asaj kohe./ KultPlus.com

Nina Mula: Dashuria për Avniun, muzikën dhe gjuhën shqipe

Një pjesë nga intervista e realizuar në Tiranë në vitin 2000 e cila u botua më vonë me rastin e koncertit të sopranos Inva Mula, në New York

-A mund të na tregoni si u njohët me Avni Mulën, i cili do të bëhej partneri juaj në skenë e në jetë?

-Në vitin 1952, në konservatorin tonë erdhën një grup studentësh shqiptarë. Mes tyre ishte dhe Avni Mula. Në një koncert të madh, i cili edhe u filmua në disa dokumentarë, Avniu këndoi këngën e Simon Gjonit “Luleborë,” e cila u pëlqye shumë nga të gjithë. Djali i pashëm, elegant, i talentuar nga Shqipëria u bë i njohur në të gjitha rrethet brenda një periudhe të shkurtër. Jo vetëm Avniu , por edhe Shqipëria u bë e njohur prej tij, sepse ajo ishte vendlindja e tij. Një ditë pata rastin ta takoja edhe unë djalin që e mbanin në gojë pedagogë e studentë. Pata rastin të interpretoja me Avninë në dy pjesë, në “Palacio” të Leon Cavalos dhe në “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit. Ne këndonim rusisht. Unë fillova ta ndihmoj në transhqiptimin e rusishtes. Miqësia jonë filloi e nuk vonoi të shndërrohej në dashuri. Vendosëm të martoheshim gjatë një rrëshqitjeje me slita. S’ishte një dasmë e kushtueshme, por ishte shumë romantike dhe e bukur. Edhe sot e kujtoj deri në detajet më të vogla atë natë të paharrueshme të jetës sonë.

-Ju hytë përsëri në një ambient të ri e krejt të panjohur. Si e përjetuat këtë ndryshim? Si u pritët nga miqtë e shokët e Avniut?

-Si çifti Mula shkuam në një udhëtim në Republikat Balltike. Aty u njoha me gjithë grupin e studentëve shqiptarë. Njoha Gjon (Xhon) Athanasin, Ibrahim Tukiçin, Zoica Haxhon, Milushe Bebeziqin, Ganimete Vendreshën, Agron Aliajn, Petrit Vorpsin. Shumë shpejt e gjeta veten pjesë përbërëse të këtij grupi. Ata më deshën po aq sa ç’i desha dhe unë. Kënga e parë që mësova pa ditur asnjë fjalë shqip qe “Dashnor t’u bana.”



-Zgjedhje me vend, pa dyshim. Ju dhe Avniu kishit si gjuhë të nënës dy gjuhë krejt të ndryshme nga njëra tjetra. A solli ky diferencim pengesa në fillimin e jetës bashkëshortore?

-Me Avniun s’patëm asnjëherë probleme gjuhe. Gjuha muzikore ishte gjuha më e rëndësishme për ne e për fat të mirë atë e zotëronim të dy në të njëjtën shkallë. Në Festivalin e fundit të Rinisë në Moskë, Avniu fitoi çmimin e dytë. Mua nuk më kujtohet përse nuk konkurrova, por ai konkurs ishte suksesi i parë muzikor për familjen tonë të re.

-Kur erdhët në Shqipëri për herë të parë? Si iu duk vendlindja e bashkëshortit?

-Ne u nisëm për në Shqipëri me vapor më 15 shtator 1957. Në të njëjtin vapor udhëtonte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Pra ishim në një shoqëri të njohur e të mrekullueshme. Porti i Durrësit ishte i vogël dhe tepër i varfër, por unë s’pata kohë të hidhërohesha nga ky zbulim. Disa nga shokët tanë dolën me shpejtësi, para se të zbrisnim unë dhe Avniu dhe filluan të këndonin këngë dasme. Ia nisën me “E bukur na ka dal’ nusja.” Unë nuk i kuptoja fjalët, por ndjeja bukurinë e muzikës e ngrohtësinë e zërave të tyre. Ata më dhuruan edhe një tufë me lule. Në port kishte dalë për të na pritur edhe motra e madhe e Avniut. Ajo na mori në shtëpinë e saj, në Tiranë, se ne s’kishim vendbanim. Në mëngjes u nisëm për në Shkodër. Shtëpia e Mulave ndodhej në lagjen Zdrale. Ende s’e di pse quhej pisllëk. Atje çdo gjë ishte shumë e pastër. Në portën e shtëpisë na priste nëna e Avniut, një grua zonjë, të cilën e desha shumë. Me të s’patëm asnjëherë kontradikta, megjithëse u përkisnim kulturave e brezave të ndryshëm. Ajo më trajtoi gjithnjë mjaft mirë, edhe pse isha e huaj.
-Kur u kthyet në Tiranë?

-Në kryeqytet u kthyem shpejt, sepse filloi sezoni. Zumë vend në Hotel “Vjosa.” Jeta në hotel ishte e vështirë e me shumë mungesa, por ne u zhytëm në punë e s’kishim kohë të shihnim vështirësitë e banimit. Punonim me të gjitha energjitë tona për veprën “Jolanda” të Çajkovskit. Jolanda ishte përkthyer e unë duhet ta interpretoja në gjuhën shqipe. Tani ishte radha e Avniut për të më ndihmuar në shqiptim. Punoja shumë, por prapë ndihesha e shqetësuar. Një shoqja ime ruse, balerina e njohur dhe e famshme Biroska, më dërgoi një dhuratë të vogël. Ishte një elefant metalik. Ja, ky që sheh edhe sot në apartamentin tonë. Biroska kishte gdhendur aty dhe datën e premierës, 18-1-1958. Në traditën tonë elefanti është fatsjellës.
-A u vërtetua supersticioni në rastin tuaj?

-Oh, plotësisht!. Shfaqja qe sukses i plotë. E për mua suksesi ishte i dyfishtë; muzikor e gjuhësor. Interpretova një opera të njohur të vendit tim, por në një gjuhë që ende s’e njihja e s’e flisja lirshëm.

-A e mësuat shpejt shqipen? Ç ‘vështirësi hasët në përvetësimin e saj?

-Shqipen e mësova relativisht shpejt. E mësova më shumë përmes interpretimit të operave të ndryshme. S’di për çfarë arsye, por në Shqipëri edhe “Berberi i Seviljes,” “La Boheme,” “Peshkatarët e Perlave,” “Rigoleto” etj s’lejoheshin të interpretoheshin në gjuhët origjinale.

-Ndoshta më mirë për ju. U shtrënguat që në fillim të interpretonit shqip.

-Po , është e vërtetë.

-Në vitet ’50 në Shqipëri kishte mjaft rusë që punonin e banonin në vendin tonë. Gjuha ruse dëgjohej në rrugë, në restorante, radio, etj. Rusisht flisnin edhe shumë të huaj të ardhur nga vende të tjera komuniste. Kishe mundësi të shpreheshe në gjuhën amëtare kudo ku shkoje, apo jo?

-Kisha raste të shumta të flisja rusisht, por unë jetoja tani në Shqipëri e doja të flisja gjuhën e vendit. E quaj veten me fat që interpretova që në fillim në gjuhën shqipe veprat e kompozitorëve të njohur e të dashur për mua. Qe një përgatitje e duhur për të interpretuar edhe në operetën shqiptare “Lulja e Kujtimit” të kompozitorit Kristo Kono. Gjithsesi me Avniun vendosëm të flisnim shqip edhe kur ishim vetëm, në mënyrë që ta mësoja shpejt. Kështu unë flisja shqip në skenë dhe në shtëpi. Unë e mësova edhe shkodranishten për bukuri. Edhe sot e kësaj dite kur dal në pazar shitëset më ftojnë: “Eja shkodrane, bliji zarzavatet tek unë!”

-Pse zgjodhët dialektin e Shkodrës? Apo sepse burri dhe familja e tij vinin prej atij qyteti? Unë ndoshta do të zgjidhja “tironçen” dialektin e qytetit ku jetoja e punoja.

-Të mësosh gjuhë të huaja më duket se duhet talent. Të shqiptosh mirë, duhet të kesh vesh. Mua më pëlqente shkodranishtja me zanoret më të mbyllura, shumë afër belkantos, prandaj më duket se zgjodha këtë dialekt për të folur. Më duket se edhe shënimet që u lija fëmijëve për të kryer detyra të ndryshme, ua lija në gjuhën shqipe, si p.sh. “zbuloni kosin,” “futini ushqimet në frigorifer,” etj. Kur kthehesha i gjeja të korrigjuara fjalët e shkruara me gabime drejtshkrimore. Ishte një shkollë e mirë për mua. Mësova edhe ta shkruaja shqipen pa gabime.

-Pak vite pas ardhjes suaj në Shqipëri marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u acaruan e më vonë u ndërprenë plotësisht. Si e përjetuat ju prishjen e miqësisë me vendin tuaj të lindjes?

-Në vitet ‘60, kur po prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, unë ndodhesha në atdheun tim, në qytetin e lindjes, ku po përgatitej një koncert i madh. Më vjen një letër nga Avniu, në të cilën më shkruante të kthehesha sa më shpejt. Nuk kuptoja dot arsyen e këtij nxitimi. Bisedova me vëllain e vogël dhe ai më shpjegoi situatën. Më këshilloi të mendohesha mirë e më tha se nëse dëshiroja mund të qëndroja aty e të mos kthehesha më në Shqipëri. Ishte një ngjarje tronditëse. Unë e lashë koncertin e u ktheva me vaporin e parë që udhëtonte nga Odesa për në Shqipëri. Atje ishte Avniu, aty ishte familja ime, atdheu i fëmijëve të mi e tashmë edhe atdheu im.

-A jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjen tuaj?

-Jo!. Edhe sikur ta rijetoja jetën time përsëri, atë zgjedhje do bëja sërishmi pa më të voglin hezitim. Më rëndoi ndarja me vëllezërit e motrën, po unë s’mund të jetoja pa fëmijët e Avniun. Kur u ktheva në Shqipëri fillova të punoj për sezonin e ri. Më dërguan bashkë me disa artistë të tjerë në Republikën Çekosllovake. Interpretuam pjesë operistike në Pragë, Bërno, Luhashevicë, etj. Ky ishte turneu ynë i parë operistik. Lavdërime, vlerësime nga kritikë e artdashës të shumtë. Disa madje shprehnin një lloj habie. “S’e dinim se opera e Tiranës ishte kaq e mirë,” ishte një refren që dëgjohej ngado. Disa herë kënduam edhe shqip dhe suksesi qe i njëjtë.

-U kujtohet vënia në skenë e operës “Lulja e Kujtimit”?

-Pa tjetër. Provat i filluam menjëherë pas kthimit nga Çekosllovakia. Unë isha e emocionuar të interpretoja në një opera të kompozuar nga një shqiptar. Dhamë shfaqje në Tiranë e pastaj edhe në Korçë, në vendlindjen e autorit. Më mbahet mend mjaft mirë se pas kthimit nga Korça marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u prishën përfundimisht. Në fillim mendova se kjo shkëputje do të ishte e përkohshme. U dëshpërova dhe u bëra pesimiste. S’kishte asnjë mundësi për të vizituar vendin e lindjes e për të parë e takuar vëllezërit e motrat e mia, nipërit e mbesat e shumta. Edhe letrat ishin tepër të rralla, por gjithsesi ishte një gëzim i madh sa herë arrinin në shtëpinë tonë. Unë isha shumë e lidhur me familjen, me operën, me kolektivin. Unë s’mund të shkoja ndërmend të shkatërroja familjen. Vuaja vetë shpirtërisht, por pa u ankuar tek askush.

-Pas koncertit në Çekosllovaki a patët raste të tjera të jepnit koncerte jashtë vendit?

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik mua s’më nxorën më jashtë shtetit për koncerte.

-Kështu sukseset tuaja u kufizuan vetëm brenda vendit.
-Jo vetëm u ndërprenë vajtjet jashtë shtetit, por më 1966 u hoqën nga repertori i operas të gjitha veprat e huaja. Interpretimet e mia u kufizuan shumë. Ky ishte dëshpërimi im i dytë. Më vonë na detyruan të shkonim të jepnim koncerte në qytete e fshatra. Opera, ushqimi ynë kryesor, mori fund. Të gjitha veprat u hoqën. Tani duhet të interpretonim këngë e pjesë që shoqëroheshin me fizarmonikë, jo me orkestër. Avniu hoqi dorë nga opera dhe iu kushtua kompozimit gjithnjë e më seriozisht.

-Si e keni ndjerë veten gjatë këtyre pesë dekadave të qëndrimit në Shqipëri.

-Mirë, shumë mirë. Shqiptarët i respektojnë të huajt. E kam ndjerë gjithnjë në qenien time respektin e përkujdesjen e tyre. Kudo më jepnin pa radhë, më zgjidhnin perimet apo frutat më të mira. Kur jetonim me tallona, më jepnin diçka më shumë dhe më pyesnin cilën pjesë të mishit të therur preferoja.

-Ju ishit soprano e pas disa vitesh u bëtë edhe mëmë. Si mundët t’i pajtonit dy detyrat e rëndësishme të jetës suaj?

-Kur linda vajzën e parë, Adelinën, kërkova një dado, por ishte e pamundur të gjendej dikush që të punonte në orët e vona të pasdites e deri natën vonë, kur mbaronin shfaqjet tona. Kështu fëmijët tanë, Adelina në fillim e Inva më pas, u rritën skenave të operas dhe të teatrove , ku ne shkonim për turne të ndryshme.

-Çfarë kujtoni më me dhimbje nga periudha hoxhiste?

-Një merak më ka mbetur nga ajo kohë, dalja në pension në moshën 45 vjeçare, tamam atëherë kur isha në kulmin e arritjeve të mia. Po socializmi kështu e kishte. Mbushje moshën, dilje në pension…/illyriapress.com/ KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: SHBA mbetet e palëkëndur në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka bërë një pritje mysafirëve të ftuar për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, festë e cila kremtohet çdo 4 korrik, shkruan KultPlus.

Këto komente ambasadori Hovenier i ka bërë gjatë pritjes së shumë mysafirëve të ftuar për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha para të pranishmëve se 246 vjet më parë, 56 përfaqësues nga 13 koloni amerikane u mblodhën në Filadelfia dhe ratifikuan atë që atëherë konsiderohej si një dokument radikal, Deklaratën e Pavarësisë, ku ajo shpalli statusin e kolonive si shtete sovrane të pavarura.

“Ajo paraqet një citim premtues amerikan: ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë burrat -dhe unë po shtoj në mënyrë redaktuese- dhe të gjitha gratë janë krijuar të barabartë që të janë të pajisur nga krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, siç janë; jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë’. Ky premtim udhëzon edhe politikën e jashtme amerikane, jashtë kufijve tanë dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kanë qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë, e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës. Prandaj ne mbetemi të palëkundur, siç kemi qenë gjithmonë dhe duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës. Pra, sot, ndërsa ne festojmë 246 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ne gjithashtu festojmë së bashku, 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përparimin e jashtëzakonshëm që keni arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore“, ka thënë ai. /KultPlus.com

Ambasada e Kosovës në Holandë organizon koncert, performojnë Arben Ramadani dhe Armend Xhaferi

Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës ka organizuar koncertin e titulluar “Pa kornizë”, ku kanë performuar pianisti i njohur, Arben Ramadani që jeton në Holandë dhe kitaristi i njohur, Armend Xhaferi nga Kosova.

Ata kanë intepretuar nga repertoari i tyre me muzikë të këngëve të vjetra shqipe të kombinuar me xhaz.

Me këtë rast, Ambasadori Dren Doli ka përshëndetur të pranishmit dhe ka folur për punën dhe veprat e artistëve që performuan.   

Në këtë koncert kanë marrë pjesë Ambasadorë të akredituar në Hagë, diplomatë të shumtë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe pjesëtarë të diasporës. /KultPlus.com

Syri, Mendja, Hunda

Dritëro Agolli

Ish nje sy, nje sy, per dreq
Qe kish marre huq te keq:

S’shihte fare aty prane
Por matane, tej matene

I tha mendja: More sy
Bej cudi, cudi me ty

Shih me pare c’ke perqark
Me pastaj bridh tutje, larg-

Edhe nje thumb i ngjesh ne fund
Ngjitur ti ke motren hunde! /KultPlus.com

Sulmet me raketa ruse vrasin 21 njerëz në rajonin e Odesës

Të paktën 21 persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur në sulmet me raketa ruse gjatë natës në rajonin jugor të Ukrainës Odesa, thonë zyrtarët ukrainas.

Shërbimi i emergjencës shtetërore, DSNS, thotë se 16 persona u vranë në një ndërtesë nëntëkatëshe të goditur nga një raketë në fshatin Serhiyivka.

Pesë persona të tjerë, përfshirë fëmijën, u vranë në një sulm të veçantë në një vendpushim pushimi në fshat.

Rusia ka lëshuar dhjetëra raketa në qytetet e Ukrainës në ditët e fundit.

Të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi përsëri se Rusia po godiste objektiva civile.

“Ne dëgjuam tre shpërthime dhe tani nuk ka mbetur asgjë nga qendra e rekreacionit,” tha banorja lokale Yulia Bondar, 60 vjeç, për BBC.

“Fshati është shumë i qetë, nuk e kishim menduar kurrë se kjo mund të ndodhte”.

Zyrtarët ukrainas thanë se tre raketa u lëshuan nga avionët luftarakë rusë mbi Detin e Zi. /KultPlus.com

Granit Musliu realizon ëndrrën e tij, performon së bashku me Placido Domingon

Tenori i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, Granit Musliu së fundmi ka ndarë skenën me Placido Doningon, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”. 

Postimi i plotë:

Së bashku në skenë për aktin e dytë të operës La Traviata me Maestron Placido Domingo, në Bayerische Staatsoper!

Gjatë viteve kam ëndrruar të shoh dhe ndëgjoj për së afërmi Maestron, por të jemi në një skenë së bashku, ka qenë vetem një ëndërr! Ndjehem shumë i lumtur të kem pasur këtë nder! /KultPlus.com

Djersitem

Poezi nga Arbër Selmani

Çka bëj unë tërë ditën, çdo ditë?
Djersitem
secili burrë brenda meje është i bërë qull
secila grua brenda meje çurgon e djersitur
në klimaks
e mpirë prej menstruacioneve,
por kujt i ha palla
kur asnjë njeri nuk më lë të fundosem?

Vazhdimisht më duhet të piqem nën lëkurë
mëngjes e pasdite me një tabletë antihistaminë
gjëndrra të mëdhaja
punë e ‘palodhshme’
ku të ulem kur nuk ka karrige
tjegull pas tjegulle
derdhem, pluskoj, o pellg bre jam, pellg prej frike
jam mjaftueshëm lodhshëm, o dhjefsha në arkitekturë
t`u plastë shpirti kapitalizëm, damlla t`raftë diktaturë
ty sheficë që je grua, edhe ty shef që je pis burrë.

Djersitem kur punoj në pikun e verës, në varreza
djersitem që as një ulëse nuk ma jep, askush
di me qenë e buzëqeshun, di me qenë prush
fatbardhë e pres një shuplakë në kofshët e mia
sa punoj për rrogë, aq punoj për apetitet e tjetrit, apetitet e tia.

Djersitem
duke e la nanën, vëllaun, motrën, bulëza uji më vijnë nëpër fytyrë
A jetë i thonë kësaj?
spec djegës i kuq më duket vetja, në fund të ditës, në pasqyrë.

Një person në Klinë vdiq në vendin e punës

Një i vdekur në Minierën e Trepçës
Ka vdekur një punëtor në vendin e punës në Prishtinë

Çka bëj unë tërë ditën, çdo ditë?

Ndërroj të brendshmet, mundohem, mustaqet më kruhen prej sikleti
më vjen i ithtë kaftjalli, më duket pafundësisht i zagushishëm qyteti
me fëmijët s’më shkon muhabeti
fustani më ngjitet për trupi
sigurimi shëndetësor nuk ekziston
bereta më shtrëngon, më asfikson
pushimin e verës, të lehonisë, pushimin që më takon se dua të vdes
zotëri kapadaiu nuk e aprovon, nuk e konfirmon.

Merreni me mend çka lexuan sytë e mi!
…djersa e punëtorit është më e vlefshme se parfumi i dembelit…
Absurde!

50 herë në ditë më hyjnë në hak
krejt këta zullumqarët e krejt sistemeve
fatpreme
hajde gjoksin prekma, takikardinë ndjema
litrën e djersës vrema.

Ta dhjefsha emancipimin, orët jashtë orarit, vdekjen gjatë orarit
Të lumtë,
nuk jam punëtori yt më i mirë, jam skllavi yt dorëshlirë.