TIFF ndan çmimet, dy kineaste shqiptare mes fituesve

Ka përfunduar edicioni i 20-të i Tirana International Film Festival, me mbrëmjen-gala në Kinema Millennium, ku janë ndarë çmimet për kineastët dhe filmat më të mirë, pjesëmarrës në këtë festival.

Filmi më i mirë i mirë i festivalit është shpallur filmi polak “Illusion” nga Marta Minrowicz, duke fituar cmimin “Bufi i artë”. “Bufin e argjendtë” e ka fituar “The Den” nga regjisorja Beatrice Baldacci, film Italian (90’).

Regjisori më i mirë u vlerësua Vaclac Kadrnka, për filmin “Saving one who was dead”. Filmi i Kadrnka ishte bashkëprodhim mes Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Francës.

Me çmimin  “Skenari më I mirë” juria vlerësoi Ellie Foumbi, për skenarin e filmit “Our father, the devil”, film amerikano-francez i vitit 2021.

Mes shumë të përzgjedhurve të tjerë, të këtij festivali, do të veçojmë dy artistë, të vetmet shqiptare që morën cmime në TIFF 2022. Ato janë Keti Stamo, në kategorinë BEST Made in ALBANIAn, me filmin “Sons of Cain” (Bijtë e Kainit), si dhe Flaka Kokolli, nga Kosova, e cila u vlerësua me Best Short Film in Albanian, për filmin “Shpija”./ KultPlus.com

Ngacmoi seksualisht dy të mitura në autobus, arrestohet 55-vjeçari nga Lipjani

Është arrestuar nje 55-vjeçar nga Lipjani, pasi i njëjti dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy të mitura.

Policia njofton se i dyshuari i kishte ngacmuar të miturat në një autobus që po udhëtonte nga Prishtina, përcjell Klankosova.tv.

“Sot rreth orës 21:00, hetuesit policor të stacionit në Lipjan, kanë arrestuar një person të dyshuar për ngacmim seksual. Rasti është raportuar rreth orës 16:00,  ku i dyshuari A. Sh.  mashkull 55 vjeç, dyshohet se në një autobus që po udhëtonte nga Prishtina,  kishte ngacmuar dy të mitura. Ka qenë reagimi i shpejtë i zyrtarëve ai që ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar,  i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë./ KultPlus.com

Kryetari i Pejës reagon pas sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqit

Pas denoncimit publik që u bë nga alpinistja Mrika Nikqi për sulmin seksual, ka reaguar edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri.

“Dhuna nuk është çështje private, por është çështje sociale, është çështje politike. Por mbi të gjitha, është krim i dënueshëm, për të cilin kërkohet reagimi i secilit prej nesh. Mrika Nikqi, ti je sportistja e dalluar, krenaria e qytetit të Pejës dhe mbarë shqiptarisë!”, ka shkruar Muhaxheri.

Kujtojmë që alpinistja Mrika Nikçi ka publikuar sot një video nga sulmi seksual që i është bërë asaj në qendër të qytetit të Pejës./ KultPlus.com

Natë vetmitare

Poezi nga Hermann Hesse

Ju, vëllezër të shpirtit tim,
Njerëz të mjerë larg dhe pranë,
Nën këtë qiell me yje pa anë
Që n’ëndërrime gjeni ngushëllim;
Ju të plakur pa një fjalë
Nëpër netë yjezbehtë,
Duarduruar mbaheni ngadalë
Dhe ruani dhe vuani vetë,
Turmë e mjerë, e gabuar,
Lundërtarë pa yll e pa fat,
Të huaj e prapë me mua bashkuar,
Ma ktheni përshëndetjen që ju jap!/ KultPlus.com

Dalin rezultatet, 54.8% e mësuesve votojnë për ta pezulluar grevën në arsim

Janë numëruar votat e mësimdhënësve të shkollave në sistemin publik në vend.

Rezultati përcakton se greva duhet të pezullohet dhe mësimi të fillojë të hënën.

Burime të transmetuesit publik konfirmojnë se nga të gjitha votat e mbledhura, e që jamë dërguar në Këshillin Grevist të SBASHK-ut, 54.88% janë për pezullim të grevës.

Ndërkohë, 45.12% e mësimdhënësve janë për vazhdimin e saj./ KultPlus.com

Mjeku kosovar Arbër Shehu bëhet drejtor në gjigantin farmaceutik ‘AstraZeneca’

Mjeku kosovar, Arbër Shehu, nga 28 nëntori do të ushtrojë punën e tij si drejtor në një prej kompanive më të mira biofarmaceutike në botë “AstraZeneca’, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shehu përmes një postimi në Instagram.

“Duke filluar nga data 28 Nëntor, do t’i bashkohem një prej kompanive më të mira biofarmaceutike në botë, ASTRAZENECA, si Drejtor Mjekësor i Asociuar/Drejtor Mjekësor i SHBA-së për Onkologji, Çështje Mjekësore”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Arbër Shehu, nuk është një emër i pa dëgjuar në mjekësinë amerikane.

Nga një i mbijetuar i gjenocidit serb, në një student të shkëlqyer të mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, pas punës klinike si mjek në Kosovë, u pranua për të vazhduar studimet postdiplomatike në shkencat mjekësore në Universitetin e James Madisonit, në shtetin e Virginias të ShBA-së.

Pas diplomimit, ai siguroi një pozicion në Universitetin e Johns Hopkins, fakultetin e mjekësisë, në departamentin e sëmundjeve mushkërore dhe kujdesit intensiv, duke menaxhuar dhe koordinuar një laborator të ri të kërkimeve shkencore që u krijua për të kryer hulumtime që u ofron informacion praktikave më të mira mjekëve që trajtojnë COVID-19.

Pas punës dhe bashkëpunimeve me shumë qendra tjera spitalore ndërmjet grupit ai punon, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve (QKS) në SHBA, Shehu gjithashtu u bë një nga autorët e një studimi për efektivitetin e vaksinave Pfizer dhe Moderna. Vetëm në vitin e fundit publikuan mbi 10 punime shkencore në revistat prestigjioze botërore, që në mënyrë të vazhdueshme e informuan QKS, Departamentin e Shëndetit dhe Administratën e Presidentit Biden, në lidhje me efektivitetin e vaksinave Covid-19 në parandalimin e hospitalizimit, ventilimit mekanik dhe vdekjes./ KultPlus.com

Mbahet ceremonia e shpërndarjes së 394 titujve të librave dhe 19 revistave letrare për 32 biblioteka komunale

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 394 titujve të librave dhe 19 revistave letrare për 32 biblioteka komunale të cilat janë financuar nëpërmjet thirrjes publike për përkrahjen e botimit dhe blerjes së librave dhe revistave letrare.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha që MKRS-ja do të vazhdojë të qëndrojë afër botuesve, shkrimtarëve, bibliotekave dhe institucioneve komunale kulturore.

Gjithashtu ka treguar edhe për programin “Rrjeti Bibliotekar në Republikën e Kosovës”, angazhim ky i përbashkët i MKRS, MASHTI dhe MAPL, i cili mbi të gjitha ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të materialit bibliotekar në nivel vendi si dhe qasje në formë elektronike në titujt e arkivuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe bibliotekat publike lokale.

Në mënyrë simbolike, ministri Çeku ka ndarë titujt për bibliotekën e Preshevës, Bibliotekën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atë të komunës së Kamenicës./ KultPlus.com

Haxhiu për rastin e alpnistes Nikçi: E kam parë videon, ndjehem e shqetësuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për rastin e sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikçi.

Haxhiu për Klankosova.tv tha se e ka parë videon e publikuar nga Nikçi, teksa shtoi se ka biseduar edhe me vetë atë dhe se ndjehet mjaft e shqetësuar.

Tutje, Haxhiu tha se në bazë të informacioneve që ajo ka, personi i dyshuar për rastin është arrestuar.

“Duhet sensibilizim i opinionit publik dhe institucionet ta kryejnë punën. Në bazë të informatave që i kam, personi i dyshuar është arrestuar”, është shprehur Haxhiu.

Më tej, e para e Drejtësisë tha se si qeveri “planifikojmë që ata persona që janë të dënuar për vepra të tilla të mos kenë mundësi që të punësohen nëpër institucione publike”./ KultPlus.com

Shpaloset programi ‘Kosova, shtet i xhudos’, Kurti: Për herë të parë, sporti po merr vendin dhe trajtimin e merituar

Është shpalosur sot projekti i nënshkruar në mbledhjen e 99 të Qeverisë së Kosovës “Kosova, shtet i xhudos’ me të cilin synohet që të fuqizohet sporti si mjet për ndërtimin dhe ruajtjen e mirëqenies shoqërore dhe ekonomike si dhe kanal kryesor për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë ceremoni kaq me rëndësi për sportin kosovar ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se xhudo dhe rezultatet e xhudistëve kosovarë kanë qenë kryefjala e sportit vendos tash e 15 vite.

“Qysh në të kaluarën në vitet 90-ta pastaj edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e fuqishëm deri në ditët e sotme, sporti është dëshmuar si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të imazhit tonë shtetëror dhe promomivimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.”, u shpreh i pari i qeverisë, duke shtuar se sporti në përgjithësi dhe xhudo posaçërisht ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë brenda shoqërisë sonë dhe krijimin e përceptimit pozitiv të opinionit të huaj për Kosovën.

“‘Kosova shtet i xhudos’ është hapi konkret të cilin e kemi ndërmarrë si Qeveri për të siguruar jo vetëm vazhdimësinë e ndikimit të xhudos në promovimin tonë ndërkombëtar por mbi të gjitha zhvillimin maksimal të këtij sporti përbrenda Republikës së Kosovës.”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Kurti po ashtu tha se për herë të parë në Kosovë, sporti po zë vendin dhe po merr trajtimin e merituar.

Më pas, fjalën e mori kryetari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka i cili e cilëson këtë program si programin më me vlerë që ka ndodhur në historinë e sportit të Kosovës, duke ia atribuuar punës së xhudistëve dhe trajnerëve të sportit të xhudos në Kosovë që sivjet shënon edhe 55-vjetorin e themelimit.

“E Përgjatë këtyre 55 vitete kemi gjenerata të tëra që punuan me zell e përkushtim për avancimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos duke filluar me gjeneratën e artë të viteve 70-të dhe duke vazhduar deri në ditët e sotme ku patëm fatin e jashtëzakonshëm që në mesin tonë të veprojë dhe punojë kampioni olimpik, Driton Kuka, i shpallur edhe zyrtarisht si trajneri më i mirë në botë dhe Evropë për vitin 2021. Tri medalje të arta olimpike, dhjetëra botërore e evropiane e qindra ndërkombëtare.”, u shpreh Kuka duke shtuar tutje se kjo duhet të ketë qenë arsyeja dhe motivimi për ministrin Çeku që të fillojë një program të tillë që në thelb e ka promovimin e vendit dhe avancimin e xhudos në shumë dimensione.

E pranishme në këtë cermoni ishte edhe ish-kampionja olimpike, Majlinda Kelmendi e cila tha se ky është një program jashtëzakonisht i rëndësishëm, që u mundëson sportistëve të kenë masivitet, kushte më të mira për stërvitje duke marrë parasysh që do të ndërtohet nga një doxh në pothuajse në secilin qytet të Kosovës dhe më e rëndësishmja të ketë vazhdimësi të sukseseve.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur që sporti i xhudos më në fund po e merr vendin dhe trajtimin e duhur, siç e tha edhe kryeministri sepse ka tash e 15 vite që çdo qytetar i Kosovës mburret me sukseset e sportit të xhudos. Fatmirësisht, përmes punës së jashtëzakonshme të trajnerit Driton Kukat kemi hapur dyer të cilat edhe sot përmes politikës është e vështirë të hapen. Jemi ulur në tavolina që politika e ka të vështirë të ulet me ata njerëz, me ato shtete, kështu që përmes sportit ka qenë shumë më e lehtë.”, u shpreh mes tjerash Kelmendi.

Kurse për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, programi ‘Kosova shtet i xhudos’ i shërben qëllimeve strategjike të institucioneve shtetërore dhe synon të ndikojë në mirëqenien shoqërore, shëndet publik dhe në promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Çeku më tutje njofton se ky program ka gjithsej gjashtë qëllime kryesore.

“Janë gjashtë qëllime kryesore, një është infrastruktura e përmirësuar fizike, dy është fuqizimi i kapaciteteve trajnuese, tre është masivizimi i sportit të xhudos, katër është mbështetja për sportistët dhe trajnerët elitarë, pesë është organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe gjashtë promovimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës”, u shpreh ministri Çeku.

Programi ‘Kosova shtet i xhudos’ është një kornizë strategjike veprimi për pesë vitet e ardhshme në vlerë prej  12 milionë eurosh./ KultPlus.com

Radhë të gjata në Londër për të vizituar varrin e Mbretëreshës Elizabeth

Rezidenca e fundit e Mbretëreshës Elizabeth në Kështjellën Windsor u hap për publikun dhe qindra njerëz u dyndën për të vizituar varrin në kështjellën e Shën Gjergjit.

Siç raportojnë mediat britanike, pjesëmarrja ishte e madhe. Ndër vizitorët e parë ishte Anne Daley, nga Cardiff. “Kështjella duket bosh, e errët. Askush nuk jeton në të. Është si të shisni shtëpinë tuaj.”

Certifikata e vdekjes së Mbretëreshës, e lëshuar nga Arkivi Kombëtar i Skocisë, thotë se shkaku ishte pleqëria.

Vdekja e saj u njoftua nga Buckingham Palace në orën 18.30 me orën lokale.

Nëse Mbretëresha do të vdiste në Angli, nuk do të kishte nevojë të plotësohej një certifikatë vdekjeje, një detyrim ligjor që vlen për subjektet, por jo për vetë monarkun.

Megjithatë, ky detyrim ligjor, i cili daton në 1836 nuk zbatohet në Skoci, ku ligji thotë se “vdekja e çdo personi” duhet të regjistrohet./ KultPlus.com

Flet babai i alpinistes Mrika Nikçit, pret zbardhjen e rastit

Babai i alpinistes Mrika Nikçi, Arianit Nikçi, ka dhënë një prononcim për Klan Kosovës, pas videos që e kishte publikuar vajza e tij, në të cilën shihej duke u sulmuar seksualisht nga një person që tashmë është arrestuar.

“Kuptohet që jam ndier shumë i shqetësuar, por fatmirësisht ka qenë një bashkëpunim i mirë me organet përkatëse dhe me qytetarët”, ka thënë Nikçi.

I pyetur për detaje të tjera lidhur me të dyshuarin dhe me procedimin e rastit, ai tha se nuk mund të prononcohet për momentin për këtë dhe se pret që çështja të zgjidhet përmes rrugëve ligjore.

“Për më tepër, nuk mund të prononcohem”, ka përfunduar Nikçi./ KultPlus.com

‘Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi’

Poezi nga Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj./ KultPlus.com

Alpinistja Mrika Nikçi sulmohet seksualisht në qendër të qytetit të Pejës, publikon videon nga ky rast (VIDEO)

Alpinistja Mirka Nikçi ka njoftuar se pak ditë më parë ka qenë viktimë e një sulmi seksual në qendër të qytetit të Pejës. Ajo ka publikuar edhe video nga ky sulm duke thënë se është në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohet në tërësi, përcjell KultPlus.

Nikçi shprehet se do të njoftojë për rrjedhën e situatës pas vendimit të Gjykatës.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të Nikçit:

Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht !

Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës.

Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt.

Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji.

Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time./ KultPlus.com

Monica Bellucci: Bukuria zgjat vetëm pesë minuta nëse nuk ke asgjë tjetër

Ajo e ka të qartë faktin se është e bukur, por dëshiron të mos etiketohet gjithmonë vetëm si një grua e bukur.

Monica Bellucci, aktorja e njohur italiane dhe një prej aktoreve më të mira e aktive, në një intervistë të saj të moçme ka treguar se sa i ndihmon dhe sa e dëmton bukuria në botën e filmit.

“E di që bukuria i bën njerëzit të jenë kurioz. Por, sic ka thënë Oscar Wilde, bukuria zgjatë vetëm pesë minuta nëse nuk ka diçka tjetër që e mban këtë kuriozitet. Nuk do ta kisha këtë karrierë me vetëm bukurinë time. Regjisorët nuk të ftojnë për bukurinë tënde, por për talentin tënd. Bukuria ka qenë pengesë për mua, sidomos duke e ditur që vij nga industria e modës. Pasi jam e bukur, të gjithë mendojnë se jam budallaqe. Është si një maskë të cilën duhet ta largosh e ti tregosh botës se ke më shumë sesa bukuria. Duhet ti tregosh njerëzve se ka diçka në ty që mund të zbulohet nga ata” pati thënë Bellucci.

Aktorja është e njohur për rolet e saj në “Malena”, “Spectre”, “Irreversible” dhe “Passion of the Christ”. Ajo është 53 vjeçare dhe ka dy fëmijë.

Monica Anna Maria Bellucci ka lindur në Città di Castello, Umbria, Itali. Ajo vazhdimisht në intervista tregon se nuk dëshiron të njihet vetëm si një grua e bukur, por si një grua që jep maksimumin në rolet e saj filmike dhe provon të hyjë në karakter në secilin rol që merr. / KultPlus.com

Misteri i dorëshkrimit të Arkimedit

Identifikimi i një dorëshkrimi në 1906, që përmban disa nga veprat e Arkimedit, duke përfshirë Metodën e Teoremave Mekanike, është pothuajse aq i shquar sa dhe vetë përmbajtja e tij. Në 1840-ën, një vizitor dhe studiues  i Varrit të Shenjtë në Konstandinopojë (tani Stamboll) iu hodhi një sy  gjurmëve të simboleve matematikore të shkruara nën tekstin e një libri lutjesh.

Disa linja të transkriptuara u kataloguan si pjesë e koleksionit të bibliotekës. Pas mësimit të ekzistencës së këtij tekstit, arkitekti i Arkimedit Johan Heirberg, udhëtoi për të parë dorëshkrimin dhe më vonë e identifikoi atë si një nga  veprat origjinale të Arkimedit, shumica e të cilave konsideroheshin të humbura që nga viti 1906. Dorëshkrimi pastaj u zhduk, duke u rishfaqur në vitin 1998, kur një blerës anonim e bleu atë në ankand për dy milionë dollarë dhe e dhuroi më vonë  në Muzeun e Artit Walters në Baltimore, Maryland, ku është rivendosur dhe digjitalizuar.

Leonardo dhe Arkimedi

LEONARDO DA VINCI e ka shfaqur admirimin e tij për Arkimedin në disa raste të ndryshme. Dijetari i madh e Rilindjes u habit jo vetëm nga llogaritë e makinave luftarake arkimediane, por edhe nga aftësia e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve gjeometrike dhe për të gjetur aplikime praktike për teoritë e tij.

I interesuar  në përmirësimin e armëve të zjarrit, Leonardo punoi me një top të posaçëm  avulli, të cilin e quajti aritronito, një pajisje e frymëzuar nga historiani i shekullit të parë. Leonardo e përcaktoi arkitroninën si një “Shpikje të Arkimedit” . . . një makineri prej bakri, e cila thuhej se i hidhte topat me zhurmë dhe më forcë të madhe.

Ashtu si shkencëtarët e tjerë që i përkasin historisë, Leonardo ishte gjithashtu i intriguar nga ideja e përdorimit të pasqyrave për të sulmuar nga distanca. Dëshmitë se Arkimedi e ka arritur një  gjë  të tillë mungojnë, por legjenda mbeti, mjaftueshëm sa ta nxistë Leonardon të provonte vetë një gjë të tillë./ KultPlus.com

Përkthimi, pasuria e përjetshme e njerëzimit

Pse 30 shtatori është përzgjedhur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit?

Sepse 30 shtatori është festa e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, i cili konsiderohet edhe si shenjtori mbrojtës i përkthyesve.

Shën Jeronimi ishte një prift nga Italia Verilindore, i cili njihet kryesisht për përpjekjet e tij për të përkthyer pjesën më të madhe të Biblës në latinisht nga dorëshkrimet greke të Dhiatës së Re.

Ai gjithashtu përktheu pjesë të Ungjillit Hebraik në greqisht.

Ai ishte me prejardhje ilire dhe gjuha e tij amtare ishte dialekti ilir.

Ai mësoi latinishten në shkollë dhe fliste rrjedhshëm greqishten dhe hebraishten, të cilat i mori nga studimet dhe udhëtimet.

Ai vdiq pranë Betlehemit, më 30 shtator 420.

Çfarë do të thotë në të vërtetë të përkthesh? Përkthimi është shpesh parakushti thelbësor për të hyrë në një kulturë universale, të shumëfishtë dhe të larmishme.

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit është menduar si një mundësi për të nderuar punën e profesionistëve të gjuhës, që luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombeve, lehtësimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë botërore.

Kalimi i një vepre letrare ose shkencore, përfshirë veprën teknike, nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, përkthimi profesional, përfshirë përkthimin e duhur, interpretimin dhe terminologjinë, është i domosdoshëm për ruajtjen e qartësisë, klimës pozitive dhe produktivitetit në diskursin publik ndërkombëtar dhe komunikimin ndërpersonal.

Gjuhët, me implikimet e tyre komplekse për identitetin, komunikimin, integrimin social, edukimin dhe zhvillimin, janë të një rëndësie strategjike për njerëzit dhe planetin.

Ekziston një ndërgjegjësim në rritje se gjuhët luajnë një rol jetik në zhvillimin dhe sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor, por edhe në rritjen e arsimimit cilësor për të gjithë dhe forcimin e bashkëpunimit, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të dijes dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

A keni menduar ndonjëherë se cilët janë autorët më të përkthyer në botë?

Sipas OKB, vendin e parë e mban novelistja britanike, Agatha Christie me 7 236 përkthime dhe më pas vijojnë Zhyl Vern, shkrimtari francez i letërsisë fantastiko-shkencore me 4 751 përkthime, dramaturgu britanik, William Shakespeare me 4 296 të tilla, të ndjekur nga Enid Blyton, Barbara Cartland, Danielle Steel, Vladimit Iliç Lenin, Hans Cjristian Andersen dhe Stephen King./ KultPlus.com

Letra e Princeshës Diana del në ekspozitë në Las Vegas

Gjatë jetës së saj, Princesha e Uellsit ishte e njohur për letrat dhe kartat e përzemërta që shkruante pas dyerve të pallatit. Njëra prej tyre, e cila i drejtohej një burri që po luftonte me buliminë, tani është ekspozuar në Las Vegas.

“Kjo është e vetmja letër që ne kemi, ku ajo flet publikisht për buliminë dhe i shkruan dikujt tjetër për luftën që pati me të. Letra ishte shkruar nga fundi i viteve ’80, fillimi i viteve ’90. Askush nuk po fliste për shëndetin mendor. Ajo e ndryshoi botën e vetme” tha për “Fox News Digital” kuratori i ekspozitës David Corelli.

“I dashur Richard! Faleminderit shumë për letrën tuaj. Nuk është e lehtë për një zotëri të jetë i hapur dhe i sinqertë në lidhje me buliminë. Megjithatë, padyshim që po përballeni jashtëzakonisht mirë me rrethanat dhe duke pasur Sam pranë jush do t’ju sjellë mbështetjen dhe inkurajimin që nevojitet në këtë moment të jetës suaj. Ishte bukur të dëgjoja nga ju dhe të kujtoja nëse unë isha në gjendje t’ia dilja, edhe ti mundesh!”, ka shkruar Diana në letrën e datës 31 janar 1996.

Gjatë jetës së saj, Princesha e Uellsit ishte e njohur për letrat dhe kartat e përzemërta që shkruante pas dyerve të pallatit. Njëra prej tyre, e cila i drejtohej një burri që po luftonte me buliminë, tani është ekspozuar në Las Vegas.

Ekspozita përmban më shumë se 700 artikuj kujtimesh. Artikujt, shumë prej të cilëve nuk janë parë më parë nga publiku, përfshijnë fustane mbrëmjeje, letra personale që shkroi Diana, si dhe dhurata që ajo u bëri miqve./ KultPlus.com

Çeku takohet me Infantinon, diskutohet për të ardhmen e futbollit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në kabinetin e tij Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku njofton se aty u diskutua dhe ndanë mendime e vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.

Postimi i plotë:

‘Nder i veçantë që sot të pres në kabinetin tim Presidentin e FIFA-së, Gianni Infantino.

Me Infantinon dhe ekipin e tij – përfshirë legjendën e futbollit, Youri Djorkaeff, ndamë mendime dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.

Me qëllim të kultivimit të pasionit dhe talentit të natyrshëm të të rinjve tanë në futboll, zhvilluam diskutim produktiv me fokus të veçantë në infrastrukturën fizike të sportit të futbollit dhe përfshirjen e futbollit në sistemin arsimor të Kosovës.

Përveç diskutimit, u dakorduam që të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për konkretizim të bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla” në programin tonë shtetëror “Sporti në Shkolla”.

Rruga që duhet të ndjekim për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të sportit të futbollit është bashkëpunimi dhe ndërveprimi i thellë ndërmjet organizatave sportive vendore dhe ndërkombëtare dhe institucioneve relevante të sportit“, thuhet në postimin e tij. /KultPlus

15 vjeçarja shet veprat e saj të artit për 23 mijë funte

Makenzy Beard po mban ekspozitën e saj të parë personale në Galerinë Blackwater në Cardiff, me disa nga pikturat e saj që shiten për 23 mijë funte.

15 vjeçarja nga Swansea filloi të pikturojë vetëm në mars 2020 gjatë bllokimit të parë, duke e kthyer një strehë kopshti në një studio arti.

Disa nga veprat e saj janë ekspozuar në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër.

“Është vërtet emocionuese dhe e çuditshme të shohësh punën time të shfaqur, duke shkuar atje dhe duke qenë atje me njerëz që duan të bisedojnë me mua për punën time”, tha ajo./21Media / KultPlus.com

Tagjet: Makenzy Beard

Dua Lipa vendos rekord absolut, gruaja e parë që arrin 10 miliardë transmetime në Spotify

Artistja me famë botërore, Dua Lipa, ka shënuar një sukses jashtëzakonisht të madh në karrierën e saj muzikore, shkruan KultPlus.

Lipa është bërë artistja e parë grua që arrin 10 miliardë dëgjime në platformën “Spotify”.

Albumi i saj “Dua Lipa (Complete Edition) ka arritur këtë shifër, ndërkohë është albumi i tretë në përgjithësi në “Spotify” me këtë sukses.

Këtë sukses artistja shqiptare e ka ndarë në “InstaStory” nga një llogari e fansave të saj.

28 vjeçarja po shijon suksese të shumta nëpër botë, derisa është edhe duke vazhduar turneun e saj “Future Nostalgia”. /KultPlus.com

“Rikthimi në shtëpi” i Musine Kokalarit, përmes studimeve të traditave të Gjirokastrës

“Rikthimi në shtëpi” ishte aktiviteti i organizuar nga bashkia Gjirokastër dhe Këshilli i Qarkut, në nder të figurës së shquar gjirokastrite, Musine Kokalari.

Vlerat historike, arkitektonike, monumentet e kulturës, trashëgimia kulturore jomateriale janë shndërruar në elementë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Këto vlera të krijuara në shekuj janë margaritarë, të cilat e veçojnë Gjirokastrën edhe në rang botëror si pjesë e UNESCO-s.

Pjesë e aktivitetit ishte revokimi i kontributit që ka dhënë intelektualja dhe disidentja Musine Kokalari në lëmin e studimeve për traditat, doket dhe zakonet e zonës së Gjirokastrës, ndërsa u prezantua edhe botimi që mban autorësinë e saj i titulluar “Nënë Zejnebija”.

Shoqata TID Gjirokastra ju bashkua aktivitetit për të fokusuar të tilla aktivitete në zonë të cilat i japin unitet zonës, dhe promovojnë vlerat e trashëgimisë kulturore për të cilat vizitorët e huaj tregojnë interes të lartë./ atsh / KultPlus.com

Artisti shqiptar Ramë Beqiri së bashku me Mél Dos Santos me një ekspozitë të përbashkët në galerinë ‘Hermance’

Dy artistë do të bëhen një në qytetin e Gjenevëz në Zvicërr, për të hapur një ekspozitë të vetme, ku takohen arti i fotografisë Mél Dos Santos dhe i pikturave të Ramë Beqirit, shkruan KultPlus.

Artisti Ramë Beqiri, shqiptari që jeton në Zvicër, do të prezantohet në këtë ekspozitë me 15 piktura, derisa 15 fotografi do t’i ketë edhe artistja tjetër.

Në një prononcim për KultPlus, Beqiri thotë se shpreson që do të shet piktura në këtë ekspozitë.

“Unë kam shitur piktura edhe nëpër ekspozitat e tjera, derisa shpresoj që një gjë të tillë ta bëj edhe këtu”. Beqiri gjithashtu njoftoi se pikturat e tij janë nëpër vende të ndryshme dhe gjithashtu ka pasur shumë klientë privat të cilat vazhdojnë të i mbajnë pikturat e tij.

Sipas Ramës, bashkëpunimi ka ardhur pas ekspozitës që ai ka pasur në Milano. “Aty është pëlqyer puna ime nga njohës të artit dhe kam marrë nje ftesë për të ju bashkuar artistëve të njohurë që do të marrin pjesë”, tha piktori.

Ndërkaq, Rama pas kësaj ekspozitë, në muajin dhjetor të këtij viti do të jetë pjesëmarrës në ekspozitën e radhës në Galerinë Pedrera.

“Mundësia për të marrë pjesë në një projekt të tillë siq është Pedrera në Barcelonë pa dyshim që është një privilegj për çdo artist, përpos që është një privilegj për mua është edhe nje arsye për të vazhduar këtë udhëtim të bukur”, thotë ai.

Ekspozita do të hapet nga 9 tetori në Galerinë “Hermance” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor.. /KultPlus.com

“Kur më zu dashunia e më dogji rinia…”

Poezi e shkruar nga Migjeni.

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…

Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…

Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.. /KultPlus.com

“Nëse Zoti të dërgon njerëz të gabuar para së të takosh të duhurin, atëherë duhet ti jesh mirënjohës”

Gabriel Garcia Marquez, një shkrimtar dhe prozator legjendar, një gazetar i talentuar dhe një politikan kompetent nga Kolumbia, në letërsi ai njihet si “realisti i madh magjik”. Ai ishte fitues i çmimeve të ndryshme. Një numër i madh i tifozëve të talentit të jashtëzakonshëm të mjeshtrit shpesh e quanin atë me emrin e shkurtuar Gabo. Në fjalimin bisedor të njerëzve nga vende të ndryshme, shpesh mund të dëgjohen thënie nga veprat e autorit. Ato janë aq të rrënjosura në gjuhë të ndryshme sa që tashmë janë bërë të zakonshme.

KultPlus ju sjell sot disa nga thënie e tij më të  njohura:

Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja ato që po them. Do i jepja rëndësi gjërave jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë. Do vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja kur të tjerët do flisnin, dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!

Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim.

Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa i thënë njerëzve që dashuroja se i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë. Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.

Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”.

Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë.

Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet….Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon…

Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd.

Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri…

Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.

Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër.

Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.

Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…” /KultPlus.com