David Beckham pret 13 orë në radhë për të nderuar Mbretëreshën Elizabeta II

Ish-kapiteni i Anglisë, David Beckham, iu bashkua radhës publike për tëi bërë nderimet e fundit Mbretëreshës Elizabeta II, duke thënë se ishte e rëndësishme për të ishte aty.

Ai iu bashkua figurave të tjera  që ishin parë duke pritur për të nderuar këtë javë monarken, duke përfshirë ish-kryeministren Theresa May.

Beckham qëndroi në radhë për 13 orë. Duke folur për nderimin e Mbretëreshës në fushën e futbollit, Beckham i tha ITV News:

“Sa herë që qëndronim aty kur vishnim ato fanella të tre luanëve dhe unë kisha shiritin tim në krah dhe këndonim God Save the Queen, kjo ishte diçka që do të thoshte shumë për ne”.

Duke folur për pritjen në radhë si gjithë të tjerët, ai tha: “Mendova se duke ardhur në orën 2 të mëngjesit do të ishte pak më e qetë, e kisha gabim”.,

Deri më tani ka pasur jo pak kritika për mënyrën se si figura të tjera, duke filluar nga politikanët e deri te prezantuesit e televizionit, ishin në gjendje të “kapërcenin” radhën e gjatë publike./topchannel/ KultPlus.com

“Ëndrrat e Hamletit” vlerësohet me çmimin për regjinë më të mirë në ‘Cairo International Festival of Monodrama’ në Egjipt

Drama ‘’Ëndrrat e Hamletit’’ ka fituar një nga çmimet më të rëndësishme, “Regjia më e mirë”, në Festivalin Ndërkombëtar “Cairo Festival of Monodrama” në Egjipt, shkruan KultPlus.

Në festivalin e mbajtur në Kairo të Egjiptit, drama e cila është e bazuar në veprën e Shekspirit “Hamleti, Princi i Danimarkës”, me tekst të shkruar nga Nina Mazur dhe regji e interpretim të Mentor Zymberaj arriti një sukses tejet të madh, duke rrëmbyer këtë çmim.

Vetë Zymberaj e ka cilësuar këtë çmim si sukses të madh të shfaqjes “Ëndrrat e Hamletit”.

Çmimi – REGJIA MË E MIRË në Festivalin Cairo International Festival of Monodrama në Kairo, Egjipt!

Sukses i madhë i shfaqjes ËNDËRRAT E HAMLETIT!“, ka shkruar Zymberaj.

‘’’Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës. Premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 31 mars të vitit 2018 në Teatrin ‘’Dodona’’. / KultPlus.com

‘E zymtë asht dita e motit, nuk dij a kem’me u pa….’

Poezi nga Arshi Pipa

Lamtumirë

Mos loto, q’i n’kujtesë
Të ruej pa turbullue
Kqyrjen tënde plot shpresë
Magdalenë e pikëllue!

Mos qaj! Fisnike zija
kur veten nuk e shpalle
Ashtu nga dashunija
ti vdiqe tue u ngjall.

E zymtë asht dita e motit
Nuk dij a kem’me u pa….
N’se jo, ti lutju Zotit,
Se mirë na jemi nda. / KultPlus.com

Dua Lipa mbledh mbi 100 mijë njerëz në koncertin në Argjentinë: E pabesueshme, 5 vite më parë ishin vetëm 1500

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa ka fituar zemrat në të gjithë botën. Së fundmi ajo mbajti një koncert në Buenos Aires në Argjentinë, me ç’rast të pranishëm ishin rreth 100 mijë artdashës, shkruan KultPlus.

Lipa ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga koncerti që mbajti ndërsa ka bërë një krahasim me vitin 2017.

Ajo thotë se në koncertin e fundit që ka mbajtur në Buenos Aires kishin marrë pjesë vetëm 1500 persona, por pas 5 vitesh këngëtarja shqiptare ka mbledhur mbi 100 mijë adhurues në koncert.

Lipa thotë se kjo është e pabesueshme ndërsa falënderon të gjithë ata që kanë qenë të pranishëm për mbështetjen.

Në koncertin tim të fundit në Buenos Aires në 2017, ishin 1500 persona. Është e pabesueshme të mendosh që në vetëm për dy netë u mblodhën në total mbi 100 mijë njerëz. Shumë faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

“Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën”

Mësuesit kanë detyrën fisnike të frymëzojnë nxënësit e tyre. Por kjo ngre një pyetje shumë të rëndësishme: kush do t’i frymëzojë vetë mësuesit?

Pas një jave të lodhshme ju do të donit një frymëzim të vogël në fundjavë për t’ju ndihmuar që të bini përsëri në dashuri me mësimin dhe të mos harroni përse e keni filluar këtë profesion.

Ja disa thënie frymëzuese që e ngrejnë lart figurën e mësuesit, për t’u lexuar edhe nga prindërit dhe fëmijët, që ta vlerësojnë edhe më shumë.

1. Mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me njohjen e lëndës suaj …

“Ata që dinë diçka, e bëjnë. Ata që kuptojnë “japin mësim”. – Aristoteli

Kjo është gjithashtu përgjigja e përsosur kur ju bëjnë të ndiheni inferiorë.

2. Për ato ditë që ju harroni pse po e bëni këtë punë.

“Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”. – Malala Yousafzai

Ju do të ndikoni gjithmonë në jetën e dikujt duke bërë atë që bëni. Dhe, kjo është ajo që e bën që t’ia vlejëe gjithë puna që bëni.

3. Arsimi është një themel për një të ardhme më të mirë

“Mësoni fëmijët që të mos mësoni të rriturit” – Abraham Linkoln

Mësimdhënia e vetëdijes emocionale, menaxhimi i konfliktit dhe përgjegjësia sociale i nxit nxënësit të bëhen qenie njerëzore më të mira.

4. Të gjithë dështojnë, pregatituni për dështimin.

“Edukimi është pashaporta për të ardhmen, e tashmja u përket mësuesve që po e pregatisin sot” – Malcom X

Dhe ju jeni përgjegjës për atë përgatitje.

5. Shtrirja e vërtetë e mësimeve tuaja

“Një mësues ndikon në çdo kohë, ai nuk mund ta thotë kur mbaron influenca e tij.” – Henry Adams

Mësimet e tua sot mund të kalohen për breza. Ju nuk jeni vetëm duke i mësuar nxënësit tuaj të tanishëm, por të gjithë njerëzit që do të mësojnë dhe ndërveprojnë me të.

6. Mësuesi Modern

Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën” – C.S, Lewis

Mundësia që keni për të edukuar nxënësit dhe për t’u mundësuar atyre që të ndezin flakën brenda tyre për të mësuar është një aspekt thelbësor i mësimdhënies.

7. Sepse mësimi nuk është vetëm një profesion …

“Kuptimi i jetës është të gjesh dhuntinë tënde, qëllimi i jetës është ta ndash atë me të tjerët”. – Pablo Picasso

Ju kërkohet që, çdo ditë, të jepni pjesë të vetes për nxënësit tuaj. Dhe kjo është një dhuratë e vërtetë në vetvete.

8. Nuk janë vetëm studentët tuaj të cilët janë atje për të mësuar

“Pasi të mësoni vetë ju do të jepni mësim, dhe pasi të jepni mësim ju do të mësoni akoma më shumë” – Phil Cholins

Në çdo mësim jepni vetes mundësinë për të mësuar nga klasa, në të njëjtën mënyrë që ata mësojnë prej jush.

9. Mos e harroni këtë herën tjetër që ndjeheni keq për nxitjen e një nxënësi për të punuar vetë

“Fëmijëve mund t’u thuash çfarë të mësojnë, por jo si të mendojnë – Margaret Mead”

Ju nuk do të jeni atje për t’i ndihmuar ata gjatë gjithë kohës; ata duhet të kuptojnë procesin e të mësuarit për veten e tyre.

10. Për shkak se ndodhin ditë të këqija

“Nëse u rrëzove dje, ngrihu sot”-  H.G Wells

Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët.

11. Një mënyrë e re për të parë punën tuaj

“Unë nuk jam mësues, unë jam një njeri i zgjuar” – Robert Frost

Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj, ose për të mësuar, te nxënësit.

12. Mendoni për këtë herën tjetër që do të inatoseni nga një pyetje

“Mos i mësoni fëmijët vetëm të lëxojnë mësimin, mësoni ata të bëjnë pyetje për atë që lexojnë. Mësoni të pyesin për çdo gjë”. – George Carlin

Pyetjet çojnë në: shpikje, zbulime, ndryshime dhe gjithçka në mes. Ndihmoni nxënësit tuaj që të mos pranojnë gjithçka që dëgjojnë ose shohin, si fakt.

13. Dhurata që vazhdon të japë

“E bukura e të mësuarit është që, asnjeri nuk mund ta marrë atë prej teje” – B.B.King

Mësimi i gjërave të reja sigurisht që është emocionuese dhe e frikshme në të njëjtën kohë, por gjithmonë duhet të inkurajohet. Sepse, nëse kjo ishte një përvojë e mirë apo e keqe, një mësim i jetës zgjat përgjithmonë.

14. Për atëherë kur ndiheni sikur nuk ju kupton njeri

“Ne nuk e dimë jetën e kujt do të ifluencojmë, kur dhe si” – Stephen King

Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë.

Ju do të ndikoni dikë më mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë.

Ju kurrë nuk mund t’i shihni ata duke e hapur dhuratën, por ata po, dhe a ka ngushëllim më të madh se ky. / KultPlus.com

PriFest prezanton jurinë e programit të filmave dokumentarë “PriDox”

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit “PriFest” është shumë afër, derisa sot u prezantua edhe juria e programit të filmave dokumentarë, “PriDox”, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell jurinë e PriDox – programi i filmave dokumentarë:

Jana Wolff studioi Komunikim në Kontekste Sociale dhe Ekonomike (M.A.) në Universitetin e Arteve të Berlinit. Që nga fundi i viteve ’90 ajo punon për Berlinale dhe EFM si dhe shumë festivale të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, si Sarajeva FF, Nordic Film Days Lübeck, Duisburg Documentary FF, IDFA, Duhok IFF, Oldenburg IFF, Motovun IF, Pr iFest, Durban FilmMart, Afera e Filmit në Helsinki, Riga IFF, Cinelatino Toulouse, Malaga IFF, BAM, El Gouna IFF dhe JCC Carthage, duke kontribuar me ekspertizën e saj dhe duke ndarë njohuritë e saj për industrinë e filmit. Ajo ishte Drejtuese e PR & Festival Distribution në Akademinë Gjermane të Filmit dhe Televizionit (dffb), Shefe e Acquisition & Shitjeve në Pluton Film dhe tani është përgjegjëse për Marketingun Europian të Filmit, ku është edhe përgjegjëse për Vendin në Foc programi ynë.

Alban Nimani, artist, dizajner grafik, kantautor dhe interpretues i njohur, si dhe profesor i intermedias. Mbi një dekadë punon si profesor i Mediave të Reja në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ku ishte edhe Shef i Departamentit të Arteve të Aplikuara. Nimani u trajnua në Institutin e Arteve në Bournemouth, Britani e Madhe dhe gjithashtu Herberger Institute of Arts and Design në ASU, SHBA. Ai ka një karrierë të mirënjohur muzikore si udhëheqës i grupit alternativ Asgje Sikur Dielli, i cili publikoi 4 albume muzikore dhe shumë video muzikore. Ai gjithashtu prodhoi një performancë solo ndërmjetmedia e cila u shfaq në Galeritë dhe Institucionet e Artit në Kosovë, Shqipëri, Itali, Meksikë dhe Afrikën e Jugut.

Aktualisht është i përfshirë në menaxhimin e artit dhe promovimin si drejtor i Tulla – Culture Center, në Tiranë, ku drejton artet pamore, programet edukative jo-formale të qendrës. Nimani është edhe anëtar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Orhan Kerkezi është filmbërës dokumentarësh me përvojë dhe ka punuar në stacione të ndryshme televizive për prodhimin e dokumentarëve.

Ai është bashkëthemelues i Dokufest dhe PriFest. Ai është gjithashtu ligjërues i regjisë dhe prodhimit.

PriFest “14” do të mbahet nga data 20-25 Shtator 2022 dhe i kushtohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

‘Yjet mbi qiell na bënin roje e lisat gjelbëronin prej lakmisë’ (VIDEO)

Sabri Fejzullahu sot feston 75 vjetorin e lindjes dhe është një nga këngëtarët më të spikatur të skenës muzikore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Fejzullahu i takon gjeneratës së vjetër të këngëtarëve i cili ka arritur që edhe në kohën e re të zë vendin e vet në skenën e muzikës shqiptare.

Këngët e tij si: ‘Fshatarja ime’, ‘Konvikti nr 5’, ‘Merrma shiun e Prishtinës’, ‘Nuk i dua bardhësitë’, ‘Cika e Ulpianës’, ‘Plot rini plot dashuri’, ‘Shpirt magjie’, e shumë e shumë këngë të tjera do të mbeten përherë të freskëta në memorien e atyre që e duan këngën e Sabriut, i cili edhe sot mbetet ndër këngëtarët më të preferuara dhe që gjithmonë po arrin që me muzikën e tij t’i rezistojë kohës.

Ai ka fituar edhe 18 “Okarina të Arta” në “Akordet e Kosovës”, ka incizuar mëse 800 këngë, ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka fituar shpërblime, brenda dhe jashtë vendit. Ka bashkëpunuar gjithmonë me kompozitorët më të mirë të vendit.

Në filmografinë e tij gjenden mbi 20 filma, shumica të zhanrit komedi.

Edhe pse Fejzullahu vazhdon të jetë mjaft aktiv edhe në ditët e sotme, këngët e tij më të vjetra janë hite të jashtëzakonshme.

“Kur pranvera ishte në Prishtinë”, është vetëm njëra nga hitet e tij e cila është kënduar e përpunuar nga dhjetra këngëtar të tjerë.

KultPlus ua sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“A t’kujtohet natë e parë,
shi kur binte në Prishtinë?
Unë e ti si dy këngëtarë
pëshpëritnim për dashurinë!

Unë të doja, ti më doje
lugut t’gjelbërt të Gërmisë;
Yjet mbi qiell na bënin roje
e lisat gjelbëronin prej lakmisë!

S’harrohet dot ngrohtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë!
Unë e ti si dy këngëtar
thurnim vargje për ardhmërinë!

S’harrohet dot ngrohtësi e parë
Kur pranverë ishte në Prishtinë.
Unë e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje per ardhmerinë.

A t’kujtohet natë e parë,
Shi kur binte në Prishtinë.
Unë e ti si dy këngëtar,
përshpërisnim për dashurinë

Unë të doja ti me doje,
lugut t’gjelbërt të Gërmisë,
yjet n’qiell na bënin roje,
e lisat gjelbronin prej lakmisë.

S’harrohet dot ngrohtësi e parë,
kur pranverë ishte në Prishtinë,
Unë e ti si dy kengetarë
thurrnim vargje per ardhmerinë.

s’harrohet dot ngrohëtësi e parë
kur pranverë ishte në Prishtinë
un e ti si dy këngëtar
thurrnim vargje për ardhmërinë
2x.
Në Prishtinë”/ KultPlus.com

Funerali i Mbretëreshës Elizabeth, ngriten çmimet në hotelet e Londrës

Edhe 1550 £ nata ( 1800 euro) edhe pa mëngjes. Janë këto çmimet e dhomave të hoteleve në Londër të cilat po rriten në ‘qiell’ këto ditë.

Funerali i Mbretëreshës Elizabeth II i gjen hotelet gati 95% plot, 20% më shumë se mesatarja në këtë kohë të vitit.

Një hap i jashtëzakonshëm nëse mendoni për goditjen e rëndë që pësoi sektori gjatë gjithë emergjencës së Covid-19.

Tim Hentschel, CEO i HotelPlanner, një shërbim rezervimi online me bazë në Londër, i tha mediave lokale se që nga shpallja e vdekjes së Elizabeth II javën e kaluar, frekuentimi i hoteleve në Londër është rritur në “pothuajse 95% të dhomave të zëna, rreth 20% mbi mesatare sezonale”.

“Tarifat janë rritur për strukturat e të gjitha kategorive dhe ne ende presim që ato të dyfishohen në ditët më afër funeralit”, shtoi ai./ KultPlus.com

Java e Modës në Londër fillon me homazhet për Mbretëreshën Elizabeth

Nga një hapje me pamje tërësisht në të zezë e deri tek modelet që mbanin një foto të Mbretëreshës Elizabeth, Java e Modës në Londër filloi me homazhe për monarken e ndjerë, ndërsa fashionistat bënë nderimet e tyre gjatë periudhës së zisë kombëtare, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

Organizatorët njoftuan javën e kaluar se Java e Modës në Londër do të zhvillohej si një “ngjarje biznes-me-biznes” duke respektuar protokollin mbretëror dhe duke mbajtur homazhe për mbretëreshën 96-vjeçare që vdiq më 8 shtator.

Festat janë shtyrë dhe shfaqjet e së hënës, ditën e funeralit shtetëror të mbretëreshës, janë riplanifikuar.

Ndërsa markat më të mëdha si Burberry dhe Raf Simons, ndër pikat kryesore më të pritura këtë sezon, u tërhoqën nga eventi i 16-20 shtatorit, për etiketat më të vogla të bëjnë një gjë të tillë është diçka mashtruese.

“Pra, shfaqjet dhe prezantimet, që është pjesa nga biznesi në biznes, ku dizajnerët tregojnë koleksionet e tyre para mediave ndërkombëtare, shitësve me pakicë, stilistëve… (është) pjesë e një kalendari global të modës. Nuk mund të zhvendoset,” tha për Reuters Caroline Rush, shefe ekzekutive e Këshillit Britanik të Modës./ KultPlus.com

Regjisori i ‘Squid Game’ në dilemë për ringjalljen e personazheve të vdekur në sezonin e dytë

Drejtori i serialit të madh hit të Netflix “Squid Game” tha të premten se ai ishte në një dilemë nëse dhe si të ringjallte personazhet e vdekur ndërsa përgatitej për një sezon të dytë pasi bëri histori në Emmys javën e kaluar, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.

“Squid Game” u bë seriali më i shikuar i Netflix ndonjëherë pas publikimit të tij shtatorin e kaluar, duke krijuar meme të panumërta në internet dhe kostume të Halloween dhe duke filluar shitjet e tutave jeshile.

Drama e mbijetesës prej nëntë episodesh ofron një përrallë të shoqërisë kapitaliste thellësisht të pabarabartë, me konkurrentët me para të gatshme që luajnë lojëra fëmijërie për një shans për shuma parash që ndryshojnë jetën.

Regjisori-skenari Hwang Dong-hyuk fitoi një Emmy për regji të jashtëzakonshme për një serial dramatik, ndërsa aktori kryesor Lee Jung-jae fitoi nderin për aktorin më të mirë në dramë. Të dy ishin aziatikët e parë që fituan ato tituj dhe të parët nga një seri jo-anglisht.

Hwang tha se ai kishte krijuar tashmë lojëra që do të luheshin në sezonin e dytë dhe po shkruante një skenar, por ishte në dilemë për personazhet e vdekur si Ji-young dhe Sae-byeok.

Sezoni i ri do të xhirohet vitin e ardhshëm dhe do të publikohet në vitin 2024.

“Unë dua të ringjall Ji-young, por edhe shoqja e saj më e mirë Sae-byeok vdiq, kështu që po mendoj se çfarë të bëj,” tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi në Seul me ekipin e dramës dhe aktorët.

“Kaq shumë personazhe vdiqën, veçanërisht njerëz të dashur. Më vjen keq që i vrava kaq lehtë; nuk e dija se kjo po vinte.”

Nderi regjisor i Emmy-t mishëroi udhëtimin e pa ëndërruar të Hwang me serialin, por ai ishte i zhgënjyer nga humbja e trofeut për serialin më të mirë dramatik, i cili shkoi për “Succession” të HBO.

“Sigurisht, ajo që doja më shumë ishte seriali më i mirë dramatik. Sepse mbi të gjitha, vjen në fund të ceremonisë ku të gjithë në ekip dalin në skenë, kështu që shpresoja për një moment të tillë,” tha ai.

“Kur dëgjova një tingull “S” kur e shpallën, mendova se ishte “Squid”, por më pas doli të ishte “Success”, kështu që mbaj mend që u zhgënjeva pak”, shtoi ai me një buzëqeshje të lehtë./ KultPlus.com

Botohet e plotë poema satirike e Teodor Kekos ‘E të tjera, e të tjera’

Botohet 25 vjet më pas, pjesa e dytë e poemës satirike të Teodor Kekos, “E të tjera, e të tjera”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh sot se, “Teodor Kekon nuk mund ta kujtojmë më mirë se me veprën e tij”.

“Plot 25 vjet që nga botimi i pjesës së parë të poemës satirike “E të tjera, e të tjera”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës botohet vepra e plotë, së bashku me pjesën e dytë, lënë nga Teodori në dorëshkrim”, theksoi Keko në një postim në rrjetet sociale.

“Një vepër plot humor e ironi, shkruar çerek shekulli më parë, në një kontekst të vështirë, por që ka mbetur aktuale”, u shpreh Margariti.

“Xhuli Shkurti Keko më premtoi se do të takohemi sërish me të tjera projekte për botimin e veprës së Teodorit”, nënvizoi Margariti.

Më 14 shtator iu kushtua një mbrëmje poetit, shkrimtarit e publicistit, të larguar nga jeta 20 vjet më parë.

Mbrëmja përkujtimore u zhvillua në sallën e koncerteve të Katedrales Ortodokse, me pjesëmarrjen e së vesë së Teodor Kekos, Xhulieta Kekos, të cilën ministrja Margariti e falënderoi që në një mbrëmje të tillë, u besoi të pranishmëve ndjenjat e saj më të thella.

Gjatë mbrëmjes kanë interpretuar vargjet e Kekos, aktorët Luiza Xhuvani, Kastriot Çaushi e Kristian Koroveshi, nën tingujt e luajtura në piano nga Etrita Ibrahimi e Ardit Gjebrea.

Pak kohë më parë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u çel një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të vyer në fushën e letrave shqipe dhe të publicistikës.

Kjo ekspozitë solli për publikun krijimtarinë e Teodor Kekos, duke nisur nga botimi i tij i parë në revistën “Nëntori” (1980) dhe vëllimin e parë me poezi “Pas provimeve” botuar në vitin 1983, e deri tek “Shënimet e një gruaje”, botuar pas vdekjes./ atsh/ KultPlus.com

Vjosa Osmani do të marrë pjesë në varrimin e mbretreshës së Britanisë së Madhe

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të marrë pjesë në varrimin e mbretreshës Elizabeth II që do të mbahet më 19 shtator.

Këtë e kanë konfirmuar burime nga zyra e presidentes së Kosovës.

“ Me 18 shtator z. Osmani do të udhëtojë për në Britani të Madhe , ku të nesermën do të jetë pjesë e cerëmonisë së varrimit të mbretreshës Elizabeth II”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic./ KultPlus.com

Aida Birinxhiku dhe Adnan Dibrani, pjesë e Parlamentit të Suedisë

Tashmë janë bërë të ditur rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Suedi të mbajtura më 11 shtator të këtij viti, përcjell KultPlus.

Në mesin e deputetëve të zgjedhur të parlamentit suedez janë edhe dy shqiptarët, Aida Birinxhiku dhe Adnan Dibrani.

Birinxhiku hyn në mandatin e parë të saj në Parlamentin e Suedisë, teksa për Adnan Dibranin ky është mandati i tij i tretë në këtë parlament./ KultPlus.com

TIFF, gjashtë produksione pretendentë për çmimin e dokumentarit më të mirë

Gjashtë filma janë pretendentë për të fituar çmimin e dokumentarit më të mirë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Nga seleksionimi paraprak, janë përzgjedhur filma dokumentarë me një gjeografi të larmishme. Njëri prej dokumentarëve është prodhim francez e indian, “A Night of Knowing Nothing”, nga regjisorja Payal Kapadia, prodhim i vitit 2021.

Kroati Srdan Kovacevic prezanton dokumentarin “Factory to the workers”, ku në 105 minuta tregohet historia e pengmarrjes së një fabrike nga punëtorët e saj grevistë, të cilët kërkojnë të mbrohen nga një ekonomi pa rregulla.

Tek “Infinity According to Florian”, një prodhim ukraino-amerikan,i vitit 2022, regjisori Oleksiy Radynski rrëfen historinë e arkitektit 90-vjeçar Florian Yuriev, i cili mëson se një nga veprat e tij më të rëndësishme do të kthehet në qendër tregtare.

“The Balcony Movie” është filmi dokumentar i regjisorit polak Pawel Lozinski, film I xhiruar nga ballkoni i shtëpisë së autorit, i cili duke parë nga lart, vëzhgon kalimtarët, duke depërtuar në psikologjinë e jetët e tyre.

Një tjetër film dokumentar vjen nga Natasa Urban me titullin “The Eclipse”, ku tregon se si izolohen nëpër bunkerë një pjesë e popullsisë serbe nga frika e një eklipsi hënor. Filmi vjen si metaforë e ndërgjegjes jo të pastër dhe e pasojave që sjellin zgjedhjet e gabuara në politikë.

Dhe i fundit në renditjen e kandidatëve për çmimin e dokumentarit më të mirë, në TIFF, vjen “Where Are We Headed”. Dokumentari prej 63’ i regjisorit rus Ruslan Fetodow, zhvillohet në metronë e Moskës, përgjatë 1 viti, duke hulumtuar cështjet social-kulturore të Rusisë.

Filmat e edicionit të 20-të të TIFF do të shfaqen në disa lokacione; në Kinema Millennium, Open Air Cinema dhe tek Liceu Artistik.

Për herë të parë ATSH është “Official Partner” i TIFF./atsh/ KultPlus.com

Flutura Dedinja shfaq sfilatën e markës së saj në javën e modës në Vjenë

Nesër në muzeun ‘Quartier’ në Vjenë, dizajnerja kosovare, Flutura Dedinja do të shfaqë sfilatën e markës së saj personale, përcjell KultPlus.

Kjo sfilatë vjen me rastin e javës së modës në Vjenë.

“Më datë 17 shtator, 2022, në Museum Quartier Flutura Dedinja na nderon të gjithëve nesër me sfilatën e markës së  saj perosonale organizuar me rastin e javës së modës në Vjenë,

MQ Vienna Fashion Ëeek.

Është rasti më i mirë për të shijuar krijimet e saj ‘Made in Kosova’”, thuhet në postimin e Ambasadës së Kosovës në Austri./ KultPlus.com

Gjermania, Franca dhe Polonia kërkojnë progres për liberalizimin e vizave për Kosovën

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të premten nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç vizave, në këtë deklaratë përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Të tria vendet kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

“Ne mbështesim plotësisht BE-në, e cila udhëhoqi dialogun Kosovë-Serbi dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre respektive evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratë.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE -së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Tutje, në deklaratë rikonfirmohet angazhimi i tri shteteve ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. /KultPlus.com

Veprat artistike të riciklueshme të Ejup Dearit do të prezantohen në “Carousel Du Louvre në Paris”

Ejup Deari, një artist shqiptar nga Maqedonia, ka bërë një arritje të madhe në karrierën e tij. Tashmë është e konfirmuar që veprat e tij artistike do të shfaqen në “Carousel Du Louvre në Paris”.

Deari, me veprat e tij të artit, të cilat riciklohen nga letra, në bashkëpunim me Shoqërinë e Shkëmbimit Art dhe Ndërkulturor “ACCESS” kanë përzgjedhur artistët më kreativë dhe inovatorë në botë, shkruan KultPlus.

Artisti tregon për KultPlus se pas disa vitesh punë në eksperimentin e tij artistik me materiale të ricikluara si letra, plastika, alumini etj, arriti të pëlqehet nga kjo juri.

“Kjo ekspozitë ka karakter human, ku të ardhurat e saj, shoqata “ACCESS” do t’i dërgojë në përmirësimin e kushteve edukuese-arsimore dhe kulturore të fëmijëve në shtete sikurse Filipinet dhe Uganda”.

“ACCESS” nga ana tjetër ka bërë të ditur se ekspozita do të quhet “Zemra jonë e madhe”, e cila do të mbahet edhe në Carrousel du Louvre nga data 21 deri më 23 tetor në Paris.

Deari do të shfaqet me veprën e tij artistike “Love is power not C-19”, e printuar enkas për të qenë pjesë e këtij instalacioni.

Ejupi ka lindur në Maqedoninë e Veriut, më 12 shtator 1984. Ai jeton dhe punon në Roterdam tani. Një artist figurativ kudo, dizajn grafik, shtyp grafik, pikturë, skulpturë, instalacion, fotografi, art me materiale të ricikluara, etj. Ai është i gjithanshëm dhe krijues me një angazhim të thellë me mjedisin. Në studion e tij të artit “DEARIART”, ai eksperimenton në teknika të ndryshme të artit inovativ.

Ai Bashkëpunon me shumë institucione të tjera artistike në organizimin e simpoziumeve dhe punëtorive, në vend dhe ndërkombëtar. Ekspertiza e tij në teknika të ndryshme grafike dhe printimi është thjesht e pamohueshme! Eksperimenti i tij në lyerjen me bojëra uji me lëngje kimike të lehta ka një rezultat premtues, artistët e tjerë tashmë janë të bindur. Angazhimi i tij me mjedisin prek krijimtarinë e tij. Ejupi po zhvillon dhe krijon një teknikë tjetër arti duke përdorur materiale të ricikluara si letër, plastikë, alumini e shumë të tjera. Për të përhapur dhe paguar pjesën e tij në Nënën tonë Tokë, ai jep leksione dhe i demonstron këto teknika në një formë punëtorie në studion e tij.

Carrousel du Louvre, i vendosur pikërisht në zemër të Parisit, në lagjen e parë të Qytetit të Dritave, është, pa dyshim, një destinacion kryesor i blerjeve. Ai është i hapur gjatë gjithë vitit, 7 ditë në javë (përfshirë të dielën) nga ora 10:00 deri në orën 20:00.

Në Carrousel du Louvre, i cili është një vend ikonik i projektuar në mënyrë unike, me Piramidën e tij të famshme të përmbysur, një arritje fantastike arkitekturore nga Pei, vizitorët mund të eksplorojnë misteret e Kodit të Da Vinçit të Dan Brown ose të bëjnë selfie të përsosur për ta mbajtur si një kujtim të veçantë në Paris).

Kultura është thellë në ADN-në e saj duke e bërë atë një vend kulturor për t’u vizituar patjetër. /KultPlus.com

“Në kërkim të Burbuqe Rushitit”, realizohet film dokumentar për gazetaren dhe poeten e njohur

Për gazetaren dhe poeten e njohur Burbuqe Rushiti, është realizuar një film dokumentar i titulluar “Në kërkim të Burbuqe Rushitit”, shkruan KultPlus.

Familja Komoni dhe AJO Pictures kanë njoftuar se premiera e filmit dokumentar “Në kërkim të Burbuqe Rushitit” me regji të Ujkan Hysaj kushtuar gazetares dhe poetes së njohur, vjen premierë më datë 3 tetor, në Kino Armata në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.

Burbuqe Rushiti, ka punuar disa vjet në ish Radio Televizionin e Prishtinës, në Redaksinë e Kulturës, ndërsa më pas ishte korrespodente e disa mediave në Turqi përfshirë edhe televizionin NTV.

Burbuqe Rushiti është autore e disa përmbledhjeve me poezi. Burbuqja është marrë edhe me përkthime në prozë dhe në poezi, si dhe me kritikë letrare.

Rushiti vdiq më 4 gusht 2019. / KultPlus.com

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg”

Shprehje të papërsëritshme nga Viktor Hygo.

“Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet, dhe për të cilën nuk mund të heshtësh.”

“Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj.”

“Djalë, vëlla, baba, i dashur, shok. Ka hapësirë në zemër për të gjitha dashuritë, ashtu sikurse ka hapësirë në qiell për të gjithë yjet.”

“Jeta është lulja, për të cilën dashuria është mjalti.”

“Iniciativa është të bësh gjënë e duhur, pa ta thënë kush.”

“Kur diktatura është fakt, atëherë revolucioni bëhet një e drejtë.”

“Një ferr inteligjent, do të ishte më mirë se sa një parajsë idiote.”

“Ndrysho mendimet, por mbaju parimeve; ndrysho gjethet, por lëri të paprekura rrënjët.”

“Buzëqeshja e gëzimit është më pranë lotëve, se sa të qeshurës.”

“40 është mosha e vjetër e rinisë; 50 është mosha e re e pleqërisë.”

“Shpirti ka iluzione, ashtu si zogu që ka krahë; ai mbahet pas tyre.”

“Reagimi – një varkë që shkon kundër rrymës, por që nuk e pengon rrymën të vazhdojë të rrjedhë.”

“Ka baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre. Por nuk ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.”

“Qëndresa – sekreti i të gjithë triumfeve.”

“Kurioziteti është një prej formave të guximit femëror.”

“Ka një spektakël më të madh se sa deti, dhe ai është qielli; ka një spektakël më të madh se sa qielli, dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut

“Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.”

“Kafsha është injorante për faktin që di. Njeriu është i vetëdijshëm për faktin që është injorant.”

“Njerëzimi nuk është një rreth me një qendër, por një elips me dy pika qendrore, nga të cilat faktet janë njëra dhe idetë tjetra.”

“Shpresa është fjala që Zoti e ka shkruajtur në ballin e çdo njeriu.”

“Trishtimi është një frut; Zoti nuk e vendos atë mbi degë që janë shumë të brishta për ta mbajtur.”

“E qeshura është Dielli që dëbon dimrin nga fytyra e njeriut.”

“Shoqëria është një republikë. Kur një individ përpiqet të ngrihet mbi të tjerët, ai ulet poshtë prej masës, ose përmes talljes, ose përmes shpifjes.”

“Sa herë që një mik të thotë që dukesh i ri, të jesh i sigurtë se po plakesh.”

“Askush më mirë se një grua, nuk di të thotë gjëra që janë njëkohësisht të buta dhe të thella.”

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg.”

“Çfarë është historia? Një jehonë e të kaluarës në të ardhmen; një refleks i të ardhmes në të kaluarën.”

“Asgjë tjetër në botë… as edhe të gjithë ushtritë, nuk janë më të fuqishme se sa një ide, të cilës i ka ardhur koha.”

– Victor Hugo /KultPlus.com

Regjisori nga Kosova, Ismet Sijarina, pjesë e kategorisë ‘Made in Albania’ në TIFF

Një nga kategoritë më interesante të Tirana International Film Festival, është edhe “Made in Albania”.

Në këtë edicion të 20-të të festivalit të filmit, vijnë 4 prodhime shqiptare e mes tyre gjejmë edhe dy emra të njohur për publikun si Erion Kame dhe Artur Gorishti, një regjisor nga Kosova, Ismet Sijarina si dhe regjisoren Keti Stamo.

Dy prej prodhimeve në “Made in Albania” janë dokumentarë: “Purgator `90” i prodhuar në Kosovë nga Ismet Sijarina, 75 minuta i gjatë dhe “Bijtë e Kainit”, 69 minuta, nga Keti Stamo.

Aktori i mirënjohur Artur Gorishti vjen në TIFF si regjisor i filmit “Winter Fireflies” (Xixëllonjat e dimrit), prodhim i vitit 2022, 149 minuta i gjatë. Më herët Gorishti ka bërë regjinë e dy filmave të metrazhit të shkurtër: “Kurth” dhe “Breath”.

Ndërsa Erion Kame konkurron me “A life with you” (Një jetë me ty) 76 minuta, film i cili në TIFF do të ketë premierën absolute. Filmi trajton një çift në krizë, të cilëve asgjë s’po u shkon siç duhet.

Tirana International Film Festival zhvillohet nga 24 -30 shtator dhe do të sjellë mbi 247 filma të përzgjedhur prej 3000 aplikimeve.

Agjencia Telegrafike Shqiptare do të jetë për herë të parë “Official Partner” i TIFF. /atsh /KultPlus.com

Babai ushtar bashkohet me djalin e tij të vogël pasi çliroi qytetin e tyre (VIDEO)

Ky është momenti kur një ushtar ukrainas u ribashkua me djalin e tij të vogël pasi ndihma e tij për të çliruar qytetin e tyre nga kontrolli rus rezultoi suksesshëm.

Raportet e mediave të huaja në pamjet emocionuese tregojnë babain, i veshur me rrobat e tij ushtarake, duke hedhur armën në tokë dhe duke u gjunjëzuar për të përqafuar fëmijën e tij, i cili vrapoi drejt e në krahët e tij.

Ky është vetëm një nga disa momente të tilla në qytetin e Izyum dhe një nga shumë të tjera në rajonin verilindor të Kharkivit.

Një tjetër video kapi momentin kur një nënë pa djalin e saj për herë të parë që kur fshati i saj, Kozacha Lopan, u pushtua nga Rusia gjashtë muaj më parë.

Ajo vrapoi drejt tij duke thënë: “E dija që do të ktheheshit në shtëpi, një nga lulet e mia lulëzoi”, tha ajo ndërsa përshëndeti djalin e saj.

Këto ribashkime u bënë të mundura për shkak të kundërofensive mahnitëse të fundit të Ukrainës, e cila ka rimarrë pjesë të mëdha territori.

Volodymyr Zelenskyy thotë se ushtria e tij ka çliruar një pjesë të madhe të territorit deri më tani këtë muaj.

Megjithatë, pas gati gjashtë muajsh nën pushtimin rus, Izium është lënë kryesisht i shkatërruar. /KultPlus.com

Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë u bë hapja e festivalit “Summer Cult”

Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë hapja zyrtare e festivalit “Summer Cult”.

Ngjarja filloi me shfaqjen teatrore të dy aktoreve, Arbnore Nuha dhe Blerina Veseli të cilat shkëlqyen para publikut ndërsa vazhdoi me performancën e mrekullueshme muzikore nga Diellza Dedushi dhe Bulza Havolli.

Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësi të shohin ekspozitën “Beyond Borders”, një ekspozitë kolektive e artistëve të rinj.

Në hapje të festivalit morën fjalën këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli dhe drejtoresha e festivalit, Elmaze Nura, ndërsa pjesëmarrës ishin regjisorë, aktorë, muzikantë, studentë e qytetarë.

Përgjatë dy ditëve në vazhdim artdashësit do të mund të shijojnë programin e “Summer Cult” i cili përmban ekspozita, punëtori, shfaqje filmash dhe afterparty.

Lokacionet ku po zhvillohen këto ngjarje janë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fakulteti i Arteve dhe Kino Armata.

“Summer Cult” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Tri nga sopranot më të njohura në Shqipëri – Truja, Kraja dhe Tashko

Tri prej artisteve shumë të talentuara të Shqipërisë, Jorgjie Truja, Marie Kraja dhe Tefta Tashko mbajtën një koncert më 16 shtator të vitit 1937, shkruan KultPlus.

Truja, Kraja dhe Tashko njihen si prej sopranove më të mira që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.

Ky koncert u mbajt në Bari të Italisë, derisa që të rija vazhdojnë të kujtohen me krijmtarinë artistike që kanë lënë pas. /KultPlus.com

Hapet shkolla e re e mësimit të gjuhës shqipe në Kaufbeuren, Gjermani

“Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari (LAPSH), me mbështetjen e Konsullatave Shqiptare në Mynih, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me “Shoqatën ILIRIA” Kaufbeuren organizon  ceremoninë e hapjes së Shkollës Shqipe në Kaufbeuren, ditën e shtunë, më 24.09.2022 në ora 12:00.

Mësimi në kë shkollë shqipe do të zhvillohet me mësuese Eva Krypca çdo të premte nga ora 14:30 deri në 16:30, në adresën: Beethovenschule, Gartenzwerg 22, 87600 Kaufbeuren.

Për më tepër informacion mund të kontaktoni në: [email protected] ose në faqen e internetit: www.shkolla-shqipe.de. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com