“Një vit pa Buqen…”, mbahet takimi përkujtimor në nderim të veprës dhe jetës së Burbuqe Berishës

Në teatrin e Kolegjit AAB “Faruk Begolli”, është mbajtur takimi përkujtimor në një vjetorin të shkuarjes në amshim të regjisores Burbuqe Berisha. Familjarët, miqtë e kolegët e Burbuqes, kujtuan me mall punën dhe angazhimin e madh që ajo ka bërë në sferën e kulturës, duke dhënë kontribute të pashlyeshme.

Motra e Burbuqes, Trëndelina Berisha, tha se ndihet krenare për sukseset që ajo ka shënuar dhe se si kujtohet vepra e jeta e saj pas një viti.

Miku i saj i afërt dhe aktori i njohur, Ilir Tafa, falënderoi për pjesëmarrje të pranishmit, duke thënë se kujtimet për miken e tij Buqen, kanë mbetur të pashlyeshme dhe secili në Kolegjin AAB mban në zemër një kujtim për të.

Shkurta Aliu, përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se humbja e Burbuqes ishte humbja e një figure shumë të rëndësishme të artit. Ajo shtoi se Ministria e Kulturës do angazhohet në maksimum që trashëgimia e saj të përcillet deri te gjeneratat e tjera me shumë krenari.

Regjisorja Burbuqe Berisha ishte themeluese dhe drejtoreshë e “Prishtina International Theater Festival” që mbahet në teatrot e Kolegjit AAB, ku për nder të kujtimit të saj në edicionin e gjashtë, festivali mbajti emrin e saj. / KultPlus.com

Pashë në ëndërr gjenezën time

Në 108 vjetorin e lindjes, kujtojmë poezinë ‘Pashë në ëndërr gjenezën time’ nga Dylan Thomas, shkruan KultPlus.

Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e gjumit, duke çpuar
Lëvoren që rrotullohej, të fortë si muskuli
I një motori në trapano, duke u transportuar
Te shëmbëllimi dhe te trari i nervit.

Prej gjymtyrësh të bëra me përmasa krimbi, i hequr qafe
Prej mishit kryeneç, i limuar
Nga të gjitha veglat e barit, metal
Prej diejsh në natën që njerëzit shkrin.

Trashëgimtar i venave ku valon pika e dashurisë,
E shtrenjtë në kockat e mia një qenie, unë
Bëra xhiron e globit të trashëgimisë sime, udhëtim
Në klasë të parë, te njeriu që u ingranua gjatë natës.

Pash në ëndër gjenezën time dhe prapë vdiqa, shrapnel
I ngulur në zemrën në lëvizje, e grisur
Në plagën e qepur dhe erë e mpiksur, vdekje
Me maskë në gojën që gëlltiti gazin.

Esnaf në vdekjen time të dytë dallova lartësitë,
Vjelje thikash dhe bimësh helmuese, ndryshk
Gjaku im mbi të vdekurit e temperuar, duke forcuar
Luftën time të dytë për tu shkëputur nga bari.

Dhe në lindjen time ishte infektues pushteti, i dyti
Rresureksion i skeletit dhe
Veshje e re për shpirtin lakuriq. Virilitet
Rrodhi nga e dhimbshmja dhimbje.

Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e vdekjes, i rënë
Dy herë në detin që ushqen, jo më i freskët
Në ujin e kripur të Adamit derisa, shëmbëllim
I një force të reje njerëzore, unë të kërkoj diellin. / KultPlus.com

‘Heshtja e sirenave’ me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, pjesë e programit “Work in Progress” në Festivalin e Selanikut

Në edicionin e 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik të Greqisë, i cili do të mbahet përgjatë datave 3-13 nëntor 2022, filmi kosovar i metrazhit të gjatë artistik “Heshtja e sirenave” me regji dhe skenar nga Gazmend Nela, do të jetë pjesë e programit “Work in Progress”.

Filmi ka për producentë Arben Shalën, Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin, kurse bashkëproducentë janë Tomi Salkovski dhe Paskal Semini. Në rolet kryesore luajnë aktorët kosovarë Sunaj Raça dhe Allmir Suhodolli.

“Heshtja e sirenave” flet për përditshmërinë e një polici në Kosovë dhe ballafaqimin e tij me pasojat e një shoqërie të korruptuar, pjesë e së cilës është edhe vet ai.

Projekti filmik është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2018, dhe është bashkëprodhim i katër vendeve: Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Zvicrës dhe Shqipërisë. / KultPlus.com

Promovohet fjalori ‘Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave’, përshkruan kontekstin gjuhësor të Kosovës në 50 vitet e fundit

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në menzën ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë është promovuar fjalori ‘Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave’ nga Qerim Ondozi dhe që sjell një përshkrim sa interesant aq edhe argëtues të kontekstit gjuhësor dhe shoqëror në Kosovë gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, përcjell KultPlus.

Në këtë fjalor janë të paraqitura për çdo shkronjë fjalët që mund të kemi hasur më shumë gjatë këtyre viteve me theks tek fjalët ‘katastrofë’, ‘situata’, ‘paralufta’, ‘paslufta’, etj.

Për të bërë më të veçantë prezantimin e këtij fjalori, Ondozi ka përgatitur një lloj skeçi i cili u luajt nga aktorët Alketa Sylaj dhe Tristan Halilaj, të cilët lexuan disa nga pjesët e librit.

Autori i librit, Qerim Ondozi, tha për KultPlus se ideja e librit ka ardhë si një vazhdimësi e procesit të të menduarit dhe në përgjithësi të bashkëpunimit që ka pasur me ilustruesin e librit, Driton Selmani.

“Kemi ardhë me një ide për të bërë një përzgjedhje arbitrare të fjalëve për të dhënë një përshkrim të kontestit gjuhësor, linguistik dhe shoqëror në përgjithësi të Kosovës, gjatë pesëdhjetëve të fundit. Po ashtu, kemi dashur ta bëjmë një imitim të fjalorëve tradicional, duke e bërë një fjalor me fjalë të përzgjedhura të cilat vërtetë e shënojnë historinë e fundit të Kosovës”, thotë Ondozi.

Sipas tij, përzgjedhja është gjithmonë arbitrare dhe autoriale, për arsye se ka hapësirë edhe për qindra fjalë të tjera por që ka pasur konkurrencë. Ai pohon se ka pasur edhe garë mes fjalëve.

“Ne kemi punuar në libër për më shumë se një vit dhe ka qenë një proces në vazhdimësi i diskutimit derisa kemi ardhur tek momenti i konkretizimit. Unë në libër, kam filluar me situatën sepse gjithmonë më ka lënë përshtypje kur në vitet e 90-ta, unë kam qenë fëmijë dhe shpeshherë është përmend situata. Ka qenë si një fantazmë e cila ka ngërthyer në vete, shumë gjëra dhe mua më la përshtypje se si një fjalë përdoret aq shumë. Situata i ka ftuar edhe fjalët e tjera që të jenë pjesë e ‘valles’.”, shtoi Ondozi i cili mes tjerash tha se gjuha është shtëpia e qenies dhe ne realisht jetojmë me të.

Në përshkrimin që jepet në libër, thuhet se një ndër fjalët më të përdorura në Kosovë në pesëdhjetë vitëshin e fundit është ‘katastrofë’.

“Nëse katastrofën e kemi në majë të gjuhës, unë besoj që jemi duke e prodhuar atë”, shtoi për fund Ondozi.

Ndërkaq ilustruesi i librit, Dardan Selmani thotë se ky libër ka filluar të shkruhet në kohën kur ai ka filluar të zbulojë që ka shumë pasuri brenda një fjale të vetme. Ai thotë se bashkëpunimi me Qerim Ondozit ka rrjedhë krejt natyrshëm dhe çdo mëngjes kanë kaluar një orë duke folur për kuptimet e fjalëve.

“Jemi inspiruar të dy së bashku, ndoshta edhe Qerimi prej meje, ngaqë unë e kam bërë një tentativë të vogël në një botim të vitit të kaluar, andaj edhe kjo ka qenë baza. Me kënaqësi e them se është e fuqishme sepse e kam bërë me një shok shumë të afërt që punojmë shpesh bashkë. Është njëfarë ironie përbrenda që e tregon se si është të jesh kosovar brenda njëzet viteve”, thotë  Selmani për KultPlus.

Sipas tij, është njëfarë doze e humorit përbrenda librit. Ai ka zbuluar kuptimin e fjalës ‘xyth’, dhe në atë moment ka vendosur që është shumë pak, që t’i kushtohen vetëm dy faqe.

“Fjala ‘xyth’, ka tri shkronja që serbfolësit nuk munden me i shqiptu dhe në fakt ka qenë emri i shumë shqiptarëve gjatë të 90-ta. Ka qenë si një revoltë kur policët i kanë pyetur se si e kanë emrin, dhe ata janë përgjigjur me ‘xyth’, dhe e ka lënë të lirë të shkoj në shtëpi. Është me rëndësi, deri ku ka arritur që të hyjë rezistenca. Jam shumë i emocionuar kur flas për këtë fjalë dhe e kuptoj shumë mirë pozicionin ndaj kësaj rezistence”, shtoi mes tjerash artisti Driton Selmani.

Ju kujtojmë që fjalori ‘Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave’, është një fjalor i ilustruar që bashkon disa nga fjalët dhe shprehjet më të (keq)përdorura kosovare në 50 vitet e fundit, që i japin ngjyrë historisë së re të Kosovës, e që formësuan të kaluarën tonë dhe vazhdojnë të formësojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHWB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./ KultPlus.com

Zëvendësministrja Osmani pret në takim drejtorin për zhvillim në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), Vitor Cabral

Zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani ka pritur sot në takim drejtorin për zhvillim në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit (ITF), Vitor Cabral.

Bashkë diskutuan për gjendjen aktuale në fushën e tenisit në Kosovë ndërsa drejtori Cabral shprehu gatishmërinë që ata të ndajnë me vendin tonë programet manuale që kanë për tenisin në shkolla, po ashtu të ofrojnë ndihmë në zhvillimin e trajnerëve në Kosovë.

Tutje u fol për rëndësinë e infrastrukturës sportive dhe zëvendësministrja Osmani e njoftoi me hapat konkret që po ndërmerren për mbulimin e fushave të tenisit të Kosovë në mënyrë që të ofrohen kushte sa më dinjitoze për tenistët tanë.

Në takim ishin të pranishëm edhe udhëheqësit e Federatës së Tenisit të Kosovës, kryetari Jeton Hadërgjonaj, nënkryetarja, Blerina Mati dhe ish-kryetari i FTK-së, Shkëlzen Domi. / KultPlus.com

Sa mirë, atëherë…

Poezi nga Zef Zorba

Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi; 
i lodhur prej lodrimesh gjithë ditën, 
nën hije të një shelgu bija këputur gjumi: 

ëndrra 
gjithfarë, plot ndriçime. I pezmatuar 
tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi, 
shpirtin ndër helme përkundë, 
e arsyeja brehet 
panda, e brenë. 
E në agim shiroku, 
një mbas një, sy lotues ngulitë mbi xhame; 
bie ora pesë: unë kryqin marr në krah 
e më pak frymë fillohen për Kalvar. 

Eci. Dhe me ngadalë e lehtë një këngë sajohet 
ndër dej: “ad adiuvandum me festina”. 
E këmba përmbi baltë len gjurmë të thella. / KultPlus.com

Jusuf Islami sjell ekspozitën me fokus vetëdijësimin për mospërdorimin e mjeteve për gjuajtje, mbledhen fonde për fëmijët autikë

Flonja Haxhaj

Sheshi ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë sot mori një pamje krejt tjetër dhe të veçantë me hapjen e ekspozitës ‘Gjuajtje në Shenjë’ nga autori Jusuf Islami.

Me qëllim kryesor vetëdijësimin e qytetarëve në mos përdorimin e mjeteve për gjuajtje, sidomos në shenjat e trafikut nëpër rrugë rurale, kjo ekspozitë solli pas edhe pjesën artistike ku nënëtë artistë se bashku me fëmijët nga Shoqata e Autizmit kanë bërë punimet e tyre e të cilat më pas janë shitur, e ku mjetet e fituara nga shitja e tyre kanë shkuar direkt për fëmijët me autizëm, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë erdhi si një thirrje përmes artit, e ku qëllimi kryesor është vetëdijësimi i qytetarëve dhe informimi i tyre me rreziqet që mund të sjellin pas gjuajtja në shenjat e trafikut.

Vetë ideatori Islami tha për KultPlus se e gjithë ideja për realizimin e kësaj ekspozite e cila vjen për herë të parë në Kosovë, erdhi kur ai duke kaluar me biçikletë në vise rurale, ka hasur në shenja të trafikut të cilat kanë qenë të shkatërruara nga njerëz të cilët kanë gjuajtur në drejtim të tyre me mjete për gjuajtje duke ua humbur kuptimin dhe duke rrezikuar jetën e atyre që kalojnë nëpër ato vende.

E nga aty ai ka marrë iniciativën në realizimin e një ekspozite, e ku tetë nga ato shenja të shkatërruara ai i ka marrë për t’i përdorur në ekspozitën e tij, ndërkaq nëpër ato vende janë vendosur shenja të reja.

“Më ka lindur ideja që të bëj një ekspozitë të tillë që ato tetë shenja të cilat i kemi përzgjedhur, i kemi zëvendësuar me shenja të reja përkohësisht, që qytetarët me i pa nga afër dëmtimin e shenjave ku e para është që nuk ke të drejtë me përdorë mjete të gjuajtjes, e dyta, prapa shenjës mund të jetë një njeri, një shtëpi apo një kafshë që mund të humb jetën”, u shpreh Islami.

Ideatori Islami foli për KultPlus edhe gjatë ekspozitës duke u shprehur se gjithçka në ekspozitë shkoi ashtu siç edhe ishte planifikuar, e ku vëmendjen e morën fëmijët nga Shoqata e Autizmit të cilët në bashkëpunim me artistët realizuan me dashuri punimet e tyre.

“Shpresoj që mesazhi jonë që mos me i përdor mjetet për gjuajtje të shkojë në vendin e duhur dhe kjo kauzë artistike, humane të përçojë një mesazh te tjerët mjetet për gjuajtje sepse mund të marrin jetë njerëzish. Tjetra është që të mos e dëmtojnë pronën publike, andaj një iniciativë e tillë është shumë e qëlluar në kohën e qëlluar.”, u shpreh Jusufi, i cili ndër të tjerash tha se kjo ekspozitë për momentin është vetëm në Prishtinë por nuk përjashtohet mundësia që të paraqitet edhe në vende të tjera në raste të fushatave vetëdijësuese.

E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe Hatixhe Hoxha nga Shoqata e Autizmit e cila falënderoi ideatorin e ekspozitës dhe Komunën e Prishtinës për këtë iniciativë.

“Jemi shumë të nderuar që jemi pjesë e këtij aktiviteti, shumë suksese në sensibilizimin dhe avokimin e fëmijëve me autizëm”, u shpreh Hoxha.

Ndërkaq, ekspozita ‘Gjuajtje në Shenjë’ u pa si një aktivitet tejet i rëndësishëm edhe nga prindërit e fëmijëve me autizëm.

Hatixhe Krasniqi, e cila ishte e pranishme në këtë ekspozitë bashkë me djalin e saj autik tha se organizimi i aktiviteteve të tilla është shumë e rëndësishme për fëmijët me autizëm.

“Falënderoj organizatorët dhe komunën që e kanë marrë një hap të tillë sepse është diçka shumë pozitive. Po e vërejmë që për përgjatë kësaj periudhe sa zgjat ekspozita do të jemi në qendër të vëmendjes dhe do të kujtohen edhe njerëzit e tjerë që edhe ne jemi pjesë e shoqërisë, edhe ne mundemi dhe se edhe fëmijët tanë duhet të jenë pjesë e shoqërisë”, tha Krasniqi, e cila shtoi për KultPlus se ndonëse aktivitetet individuale për fëmijët me autizëm nuk po mungojnë, aktivitetet nga ana e institucioneve janë të pakta.

Ndërkaq, artistët të cilët morën pjesë në këtë ekspozitën ishin Albiona Berisha, Fatjona Hajdaraj, Emona Deda, Florentina Ramadani, Jona Ahmeti, Jehon Gallapeni, Laura Jahiri, Rema Salihu, Argjenda Azemi dhe Denis Biblekaj.

Ju kujtojmë që ky projekt është financuar nga Komuna e Prishtinës, mbështetur nga RSM, dedikuar fëmijëve me autizëm./ KultPlus.com

1 vit nga vdekja e regjisores Burbuqe Berisha

Sot shënohet gjithsej një vit nga vdekja e regjisores së njohur, Burbuqe Berisha, shkruan KultPlus.

Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar ka vdekur në moshën 51-vjeçare në Ministrinë e Kulturës.

Berisha njihet si regjisore e disa prodhimeve kinematografike vendore si dhe shfaqjeve teatrale.

Krahas një karriere të suksesshme në regji dhe film, Burbuqe Berisha ka ushtruar edhe profesionin e ligjërueses në Kolegjin AAB. / KultPlus.com

Nesër ecja me moto “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”

Nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani, nesër në ora 12:00 do të mbahet ecja me moto “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”, ecje kjo që tashmë është bërë tradicionale për luftën e kancerit të gjirit, kampanjë që ka filluar qysh nga fillimi i muajit tetor.

Ecja do të nisë para Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe është me organizim të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”./ KultPlus.com

Mbrëmje poetike me Arbër Selmanin

Të enjten mbrëma në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, shkrimtari, aktivisti i të drejtave të njeriut, fituesi i festivalit të poezisë “Tirana Gate” dhe bursës Sakharov, si dhe njëri nga gjashtë evropianët e vitit 2022 që po bëjnë diferencën, Arbër Selmani, do të sjell një natë të veçantë poetike, përcjell KultPlus.

Arbëri, shkrimet e të cilit janë përkthyer në gjuhën angleze, greke, gjermane, frënge, serbo-kroate dhe të tjera, dhe i cili ka të botuar katër libra me tregime dhe poezi, do të rrëfejë copëza të jetës së tij përmes poezisë dhe tregimeve personale, shoqëruar në kitarë nga Endrit Xërxa.

“Sonte, prej orës 19:00, ju pres për një natë poetike shumë intime. Kom vendosë që me u thellu në emocionet prej të cilave burojnë poezitë e mia. Disa histori të miat familjare e personale janë në poezitë e mia, për të cilat po du me folë ma haptazi, sepse janë aq sa intime, edhe universale. Shkrimi është vuajtje që bëhet ma pak e goditshme. Nëse doni me dëgju pak poezi në shqip e anglisht, rrëfime, kitarën e Endrit Xërxa, edhe me i shoqëru me një pije, ju pres te Europe House – Shtëpia e Evropës në kryeqytet (përballë Komunës së Vjetër dhe Zyres së BE-së)”, ka shkruar Selmani në rrjetet sociale.

Ngjarja fillon nga ora 19:00. / KultPlus.com

Vuçiq: E mbështes liberalizimin e vizave për Kosovën

“Nuk kam asgjë kundër që Prishtina të ketë një regjim pa viza”, kështu është shprehur sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, derisa refuzoi të tregojë saktë arsyen e këtij qëndrimi, shkruan Tanjug.

Vuçiqi e dha këtë koment sot para gazetarëve teksa po komentonte vizitën e kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen, e cila e vlerësoi Prishtinën për punën e saj të palodhur dhe përkushtimin ndaj reformave evropiane, se ajo nuk ka asgjë kundër Prishtina që të ketë një regjim pa viza.

“Sa i përket lavdërimit të Prishtinës, nuk kam asgjë kundër dhe jam shumë pro që t’u jepet një regjim pa viza dhe do ta mbështes gjithmonë dhe në çdo moment, siç kam bërë gjithmonë, për shumë arsye, e bëj, nuk dua të shpjegoj”, tha Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me lavdërimet e Von der Leyenit”, ka thënë Vuçiqi, përcjell Insajderi.

“Vendi i Kosovës është në Bashkim Evropian”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke dhënë mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën./ KultPlus.com

Një jetë me ditar në dorë

Agim Vinca

(Motrës, Halides, në vend të lamtumirës)

Dyzet e gjashtë vjet me ditar në dorë, nga mosha 19 vjeç kur e kreu Normalen, e deri kur doli në pension. Dyzet e gjashtë vjet, një jetë e tërë, pa munguar kurrë, as edhe një ditë të vetme, pos në rast sëmundjeje a vdekjeje në familje

Ishte privilegj ta regjistroje djalin a vajzën, nipin a mbesën, në klasën e mësueses Halide. Gara ishte e fuqishme. I doje nxënësit si fëmijët e tu dhe i trajtoje të gjithë njësoj: të varfër a të pasur, bij intelektualësh apo fëmijë fshatarësh, gjithsecilit ia jepje hakun që i takonte.

Ishe e para vajzë veleshtare që shkoi në Shkollën Normale në Shkup, në vitin e largët 1960. Normalja “Zef Lush Marku” ishte shkollë dhe konvikt, me profesorë e edukatorë, me orar mësimi e studimi, me restorant (mensë) e mbrëmje vallëzimi. Një çerdhe e vërtetë dijeje e mësimi, por edhe kulture e formimi, ku vijonin mësimet të rinj e të reja nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni e më gjerë… Më kujtohet kur erdhe në gjysmëvjetor, kishe ndryshuar shumë, fytyra të qe pastruar nga njollat e diellit (“leçe” u thonë në Veleshtë), ishe rritur e zbukuruar. Kushtet e jetës në fshat atëbotë ishin të vështira, kurse atje në kyeqytet, sado-kudo, ushqimi ishte më i rregullt dhe kushtet e banimit pak më të mira.

Në udhëtimin tënd drejt dijes kishe shumë shokë e shoqe, por shoqe jote e jetës mbeti ladorishtarja Naze, që u nda nga ti e fundit në varrezat e Prishtinës në Dragodan (Arbëri).

Nuk ishte e lehtë “të thyhej akulli” rreth shtatëdhjetë vjet më parë, kur prapambeturia qëndronte këmbëkryq në vatrat tona. E kush do t’ia bënte fora pos familjes Vinca, një pinjoll i së cilës e kishte sjellë i pari Abetaren në fshat? “Si, or Nexhat, e çove cucën n’shkollë, n’Shkup?”, e kishin ngacmuar babën tonë të urtë e besimtar ca fshatarë zevzekë e fanatikë, kurse hoxha i fshatit nuk i kishte folur një kohë të gjatë. Ishte herezi t’i prisje flokët e të dilje zbuluar në kohën kur edhe ngarja e biçikletës quhej mëkat, sepse “toçaku” ishte vegël e shejtanit!

Në Normale këndoje në korin e shkollës, por shquheshe edhe si soliste. Repertori yt ishte i gjerë, por këngë jotja e preferuar ishte “Si m’ke sytë, m’i ke vetullat”, që e këndoje shpesh në ndeja e gazmende familjare me sy gjysmë të mbyllur. (Si refleks i largët i kësaj kënge të moçme, m’u fiksuan në kujtesë sytë dhe vetullat e tua në çastet e fundit në spital!). Këndoje bukur, sikurse edhe Shpresa, kurse vajtimin, ndryshe nga ajo, nuk e kishe zanat. Ndoshta ngaqë duke qenë më e vogla, këtë “barrë” në familje e kishin mbajtur nëna dhe motrat e mëdha.

Karrierën si mësuese e fillove në vendlindje, për ta vazhduar, pas martesës, në Shkup, kurse nga viti 1973, në Prishtinë, ku fillimisht punove në shkollën speciale për të verbër, duke e mësuar edhe alfabetin e Brajit.

Punove gati një çerek shekulli në “Hasan Prishtinë”, pastaj në shkollën “Gjergj Fishta”.

Nuk pushove për asnjë çast as në kohën e aparteidit, kur ti dhe kolegët e tu mbanit mësim në bodrum, kurse ata të tjerët në katet e sipërme. Pas çlirimit të Kosovës, kur erdhi liria e fituar me aq mund e sakrifica, Dositeji shkoi nga kishte ardhur dhe shkollës iu kthye sërish emri i mëparshëm (“Hasan Prishtina”), tok me bustin e Heroit në oborrin e saj. Kalove në shkollën tjetër me emër të madh, “Gjergj Fishta”, duke u shkëmbyer me një kolege për arsye praktike, për ta vazhduar punën si gjithnjë me zell e përkushtim të madh.  

Edhe pse vetëm me Normale e Akademi Pedagogjike, kishe njohuri më shumë se shumë njerëz me tituj shkencorë. Lexoje vazhdimisht, përveç shtypit, edhe vepra letrare: romane, poezi, libra publicistikë etj. Me libër bije e ngriheshe. Gjuhën e flisje bukur, pastër, shqip; edhe e shkruaje pa gabime. E, megjithatë, gjithë jetën emri të mbeti me dy trajta: Alide në vendlindje, në Veleshtë e në Strugë; Halide në Prishtinë e në Shkup.

Me punën dhe sjelljen tënde nderove veten e familjen, por edhe rrethin ku jetove e veprove. Fitove respektin e kolegëve dhe dashurinë e nxënësve, që në punën tënde zinin vendin kryesor, ashtu sikurse edhe ata e kishin në zemër mësuesen e tyre të dashur.

Ish-nxënësit e tu të vizitonin; të shkruanin e të telefononin; të dhuronin lule e libra; të ftonin për kafe a edhe për drekë a darkë në ndonjërin nga restorantet e Prishtinës, ku ktheje shpesh me shoqet e tua pas shëtitjeve të mëngjesit në Gërmi e Taukbahçe.

Ishe e urtë e paqësore dhe u qëndroje larg sherreve, por nuk lëshoje pe kur duhej mbrojtur shkolla shqipe dhe gjuha amtare. Nuk po përdori fjalë të mëdha si “çështja kombëtare” dhe “interesi kombëtar”, që kanë nisur të na i neveritin zhurmaxhinjtë e pasluftës, ata që gjatë tërë jetës kanë kënduar ashtu siç u diktonte pushteti i kohës. (Të kujtohet peticioni i vitit 1989 me 1200 nënshkrime në mbrojtje të emrit të shkollës sate, tekstin e të cilit e shkrova unë, kurse ti me nxënësit e tu u kujdesët që t’i mblidhnit nënshkrimet e prindërve, disa prej të cilëve, nga frika, nënshkruanin në mënyrë krejt të palexueshme?).

E doje shumë natyrën… Në pushimet e verës shkoje me dëshirë në vendlindje për t’i vizituar të gjithë me radhë, familje e farefis, por edhe për të pushuar pak buzë Drinit a në plazh nën rrezet e diellit…

Ndejën e fundit e patëm në ditëlindjen time, më 22 maj të këtij viti, në Prizrenin e bukur. Ishte dreka jonë e fundit e përbashkët, thellë në grykën e Lumëbardhit. Sapo ishin shfaqur shenjat e sëmundjes, që do të të shtronin në spital dhe në shtrat pas operacionit.

Nuk më heq zemra të shënoj përvjetor a të bëj promovim libri pa ty, që ishe vizitore aq e rregullt e tyre, tok me shoqe, edhe pse e di, jam plotësisht i sigurt, se ti nuk do ta doje këtë.

Dëgjimi i rënduar në vitet e fundit, që ishte pasojë e “muzikës” gjysmëshekullore të “kosheres së bletëve”, klasës përplot me nxënës, ishte burim humori për ne. Një ditë në mëngjes, në ditët e mbylljes në karantinë, zhvilluam këtë dialog me telefon: “A e ke dëgjuar Këngën e mjekut?” – të pyeta unë, ndërsa ti m’u përgjigje: “Vetëm unë jam zgjuar. Të tjerët janë në gjumë”. Ishte koha kur u mbyllën rrugët dhe sheshet e Prishtinës, por jo edhe dyert e zemrës.

Jeta jote nuk qe pa sfida, por të gjitha i përballove me durim e qetësi.

Nënë, motër, gjyshe, teze e hallë, ti ishe edhe lexuese e rrallë. Ndër librat e fundit që lexove qenë Ditari im i pandemisë, ku je edhe personazh dhe libri bestseler i Lea Ypit “Të lirë, të jetosh në fund të historisë”, që flet për Shqipërinë e diktaturës dhe të tranzicionit, parë me sytë e një vajze të zgjuar shqiptare, që po bën emër në botë. Në “muajin e librit”, si quhej dikur tetori, unë humba motrën, por edhe lexuesen time të rregullt. (Ky është shkrimi im i parë që ti nuk do ta lexosh si zakonisht, fizikisht, por besoj se do ta ndjesh edhe atje tek je, çuditërisht!). Në kohën kur lexuesit si ti janë specie në zhdukje kanë arsye të pikëllohen edhe miqtë e mi shkrimtarë.

Nuk kanë të sosur kujtimet, motër dhe unë s’di nga t’ia nisi e ku të bitisi.

Kur rashë në spital tre-katër vjet më parë, më the: “Dua të vdes para teje, jo vetëm pse jam më e madhe, por edhe që të më kushtosh poezi si Vaes e Zinijes”. (Nuk e përmende dhimbjen tonë të madhe, Shpresën). “Ty do të të kushtoj për së gjalli dhe jo poezi, por tregim” – të thashë.

Nuk e mbajta premtimin, sepse nuk e prisja që ti, motra ime e vogël, e vetmja që më kishte mbetur, të ikje kaq shpejt.

I deshe shumë “loçkat e tua”: Vjolën e Tanën, Borën e Lean, Marinin e Lirin (ah!), por nuk arrite ta njihje anëtarin më të ri të familjes, Nolin e vogël. Do t’i flasim për Ty kur të rritet dhe urojmë që të ketë një mësuese si ti kur të shkojë në shkollë.

Ike pa e thënë fjalën e fundit, pa na thënë “lamtumirë”, sepse në muajt e fundit të jetës ishe në komë. Nuk di në ishte komë a diçka tjetër, por di se na brengosi pa masë gjendja jote. Merrje frymë dhe i pranoje ushqimin e ilaçet, por nuk flisje. Gojë kishe, gojë s’kishe! Shpresoj t’i kesh dëgjuar dhe t’i kesh marrë me vete, si peng dashurie, fjalët që t’i thoshin të dashurit e tu që të rrinim mbi krye ditë e natë dhe në mënyrë të veçantë mbesa Vlerë, që tregoi një kujdes të pashembullt dhe një dashuri të paparë prej bije, por edhe familjarët e tjerë, që u kujdesën për ty deri në fund, ashtu siç u kujdesën edhe për përcjelljen tënde në banesën e fundit dhe për pritjen e njerëzve që hynë e dolën varg në shtëpinë tënde në Taslixhe në ditët e “të pames” tradicionale.

Tri ditë rresht si në ekran e kam parë motrën time me sytë e të tjerëve: miqve, kolegëve, prindërve, ish-nxënësve. Gjithë ai respekt e dashuri e paparë, që jo vetëm të mallëngjen, por edhe të bën krenar. Dhe nuk e kam për turp të them me keqardhje dhe ndoshta edhe me një dozë kritike se nuk e kisha njohur sa duhet motrën time!

Lamtumirë, motërmira ime! U prehsh në paqe!

Prishtinë (Ulpianë), 25 tetor 2022/ KultPlus.com

U vu gurëthemeli për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.

Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.

Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.

Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi në ballinën e revistës prestigjioze operistike (FOTO)

Sopranoja e njohur kosovare Elbenita Kajtazi e cila po shënon suksese të panumërta, së fundi  ka zënë edhe ballinën e një prej revistave më prestigjioze operistike, shkruan KultPlus.

Për muajin nëntor, sopranoja Elbenita Kajtazi është zgjedhë të jetë në ballinën e revistës Das Opernglas.

Sopranoja Elbeniota Kajtazi ka njoftuar për këtë intervistë të dhënë për këtë revistë, intervistë që ka zënë edhe ballinën e kësaj reviste.

“Nder i madh të jem në kopertinën e revistës së mirënjohur Das Opernglas , intervistë të cilën do e mbaj mend gjatë!”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

Regjisorja dhe dramaturgia e njohur izraelite, Lilach Dekel-Avneri, do të performojë në Prishtinë, më 28 tetor

Nën organizimin e “Qendra Multimedia” në Prishtinë, Lilach Dekel-Avneri, regjisore dhe dramaturge e njohur teatri nga Shteti i Izraelit dhe drejtore e grupit performues Pathos-Mathos, do të performojë nesër, e premte, 28 tetor, me fillim në orën 15:00, në teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Dekel-Avneri do të jetë e shoqëruar nga Allex (Liat) Fassberg, dramaturg i pavarur izraelit i cili jeton në Berlin.

Pjesë e performancës do të jenë edhe regjisori Gëzim Hasani, performuesi aktorët Ermal Sadiku, Hajat Toçilla, Qëndresa Jashari, Verona Koxha, Blin Sylejmani, Fatlume Bunjaku, si dhe kameraman Dardan Kabashi.

Performancës së titulluar “History Now” i parapriu një punëtori dyjavore praktike dhe hulumtuese, në Prishtinë, me regjisoren Dekel-Avneri. Pjesëmarrësit e punëtorisë punuan me materiale të gatshme tekstuale historike për të krijuar një performancë me kamerë.

Lilach Dekel-Avneri, e cila është edhe kuratore, përkthyese dhe studiuese izraeli, është fituese e Çmimit prestigjioz Rosenblum për Artin Performues për vitin 2016.

Ky aktivitet mbështetet nga Fondacioni i Artistëve të Pavarur në Izrael, Ministria e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit përmes Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, dhe Goethe-Institut.

Fotot: Maud Dinand. / KultPlus.com

Disney prezanton heroinën e parë me përmasa të mëdha dhe është një balerinë

Disney ka prezantuar pa zhurmë heroinën e parë të tij me përmasa të mëdha (plus size), të shfaqur në një video të shkurtër në Disney Plus.

“Reflect”është pjesë e sezonit të dytë të “Short Circuit”, një serial me filma të shkurtër eksperimentalë që rrëfen jetën e Bianca, një balerinë të re që ka probleme me vetëbesimin dhe dismorfinë e trupit.

Teksa mësuesja vëren pozicionin e saj në levë duke i kujtuar “Tërhiqe barkun!  Zgjate qafën!”, pasqyra thërrmohet dhe Bianca përballet me imazhin e thyer të trupit.

Sipas NHS, çrregullimi i dismorfisë trupore është një problem i shëndetit mendor kur dikush shqetësohet për papërsosmëritë fizike, që shpesh janë të padallueshme nga të tjerët.

Më vonë, balerina tejkalon dyshimin dhe frikën duke thirrur energjinë e brendshme dhe vazhduar me baletin.

Filmi është krijuar nga artistja që punoi me “Frozen 2” dhe “Encanto”, ndërsa është publikuar më 14  Shtator në platformë. Fansat kanë shprehur entuziazmin në rrjetet sociale dhe mbështetjen për protagonisten e parë të përmasave të mëdha./tvklan.al / KultPlus.com

UNESCO: 207 objekte kulturore ukrainase të dëmtuara nga lufta

Duke përdorur imazhet satelitore para dhe pas, OKB-ja ka dokumentuar dëmtimin ose shkatërrimin e plotë të 207 vendeve kulturore në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Të dhënat po mblidhen në një platformë online të krijuar posaçërisht, e cila fillimisht do të jetë e aksesueshme vetëm për ekspertët, por së shpejti do të hapet edhe për publikun, njoftoi dje Krista Pikkat nga agjencia arsimore dhe kulturore e OKB-së (UNESCO),në Gjenevë.

Shtatë vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Ukrainë deri më tani nuk janë dëmtuar si rezultat i pushtimit të plotë të Rusisë tetë muaj më parë, tha ajo.

Vende të tjera, si teatri i dramës në Mariupol, nuk kanë pasur të njëjtin fat. Qindra civilë kërkuan strehim atje menjëherë pas fillimit të luftës në mars. Më 16 mars, bombat ruse shkatërruan pjesën më të madhe të ndërtesës. Imazhet e vlerësuara nga UNESCO janë të 9 marsit dhe 12 majit.

Nga 207 vendndodhje, 88 janë objekte fetare, 15 janë muze, 76 janë ndërtesa me interes historik ose artistik, 18 janë monumente dhe 10 janë biblioteka.

UNESCO po punon me Qendrën Satelitore të Kombeve të Bashkuara me bazë në Gjenevë (UNOSAT) për vlerësimet e fotografive.

Kur UNESCO merr informacion rreth dëmtimit, UNOSAT blen imazhe satelitore nga shitësit komercialë të marra sa më afër që të jetë e mundur, para dhe pas sulmit.

Sipas UNOSAT, imazhe të tilla kushtojnë midis 250 euro (251 dollarë) dhe më shumë se 1000 euro, në varësi të mënyrës se si janë marrë. Ekspertët përpunojnë imazhet satelitore për të treguar shkatërrimin e saktë./atsh / KultPlus.com

Artisti izraelit Dor Zlekha-Levy mban sot diskutim në Prishtinë

Nën organizimin e “Paper Gallery” në Prishtinë dhe me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, përmes Ambasadës së Izraelit në Republikën e Kosovës, sot, më 27 tetor, në orën 17:00, në Paper Gallery, në Prishtinë (Aneksi i ish-Radio Prishtinës, rruga George Bush), do të mbahet një diskutim nga artisti izraelit Dor Zlekha-Levy, punimet artistike të të cilit janë ekspozuar në Paper Gallery nga 24 gushti i këtij viti.  

Ekspozita e quajtur “Saltana” është ekspozita e parë e artistit Dor Zlekha-Levy në Paper Gallery dhe përfshin pesë nga veprat e tij artistike: Ayooni, Harb, NOON, The Tarab Prince, dhe UMK/OMEK.

Pika kulmore e kësaj ekspozite është shkëmbimi i njohurive kulturore dhe rrëfimi përmes mediave bashkëkohore në botën e artit. / KultPlus.com

Deputeti ukrainas në Kuvend: Ukraina duhet ta njohë Kosovën sa më parë, do të bëj gjithçka për këtë

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko tha në Kuvendin e Kosovës se kosovarët kishin kaluar nëpër gjenocid ashtu siç po kalojnë ukrainasit sot.

Goncharenko tha se do të bëjë gjithçka çfarë mundet që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë”, tha ai.

“Unë do të bëj çfarëdo që është në dorën time që t’ju ndihmoj në këtë”, shtoi Goncharenko.

Sikur kosovarët më 1998-1999, Goncharenko tha se ukrainasit po luftojnë për pavarësinë e tyre.

“Ne ndjehemi shumë të afërt me ju, sepse edhe kosovarët kanë kaluar nëpër gjenocid. Ukrainasit janë duke kaluar nëpër këtë tani. Kosovarët kanë luftuar për pavarësinë e tyre dhe ne tani jemi duke luftuar për pavarësinë tonë”, tha ai.

Deputeti më 5 gusht e kishte dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë, përmes së cilës kërkonte që vendi i tij ta njohë pavarësinë e Kosovës. / KultPlus.com

Von der Leyen: Kosova i ka plotësuar kushtet, sistemi ETIAS është i ndarë nga kriteret për liberalizim vizash

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave. Von der Leyen ka thënë se Komisioni qëndron prapa qëndrimit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Ajo gjithashtu ka thënë se do të bëjë çmos për të bindur edhe Këshillin Evropian për të adresuar këtë çështje sa më shpejt dhe në mënyrë konstrutkive, shkruan Gazeta Express.

“Sa  përket vizave. Kosova I ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. E Kemi thënë edhe në 2018 e kemi përsëritur. Janë plotësuar të gjitha standardet. Jemi plotësisht në anën tuaj”, ka thënë Von der Leyen, raporton Express.

“Do të bëjmë përpjekje ta bindim të gjithë këshillin që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë për sistemin ETIAS ka thënë se është çështje e ndarë nga procesi i liberalizimit të vizave.

“ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave.

Me këtë do të kemi transparencë në lëvizje. Do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Akademia e Shkencave, në simpoziumin shkencor në Rumani

Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mori pjesë në vizitën zyrtare në Bukuresht, me ftesë të Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë.

Delegacioni kryesohej nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushi dhe përfaqësues të Akademisë, si akademik Nazim Gruda, prof. Vjollca Ibro dhe përfaqësuesja e Universitetit të Tiranës, prof.dr. Linda Luarasi.

Në takimin e zhvilluar në mjediset e ASHRBP, përveç këtij delegacioni, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i ambasadës së RSH në Rumani, Jonian Molla.

Gjatë vizitës zyrtare u diskutua mbi bashkëpunimin ndërakademik dypalësh dhe fushat potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, i institucionalizuar tashmë me marrëveshje që në 2021. Këto fusha, e më gjerë përfshijnë, bashkëpunim kërkimor shkencor, shkëmbim stafi akademik dhe universitar, bashkëpunim në fushën e ndryshimit klimatik, si një fushë me shumë interes. Gjithashtu u përmendën dhe mundësi konkrete me institucionet kërkimore shkencore, si psh. banka gjenetike, etj.

Kjo vizitë u pasua nga një simpozium shkencor, ku pala shqiptare u përfaqësua me prezantime shkencore të fushës së bujqësisë nga akad. Gruda, prof.Ibro dhe prof. Luarasi që paraqitën tema me shumë interes në këtë fushë.

Përfaqësuesi i ambasadës se Republikës së Shqipërisë, Molla, gjatë diskutimeve të ngritura, iu shpjegoi të pranishmëve për situatën aktuale të Shqipërisë në kuadrin e integrimit në BE, veçanërisht për kapitujt e lidhur me fushën e bujqësisë dhe ushqimit. /atsh / KultPlus.com

Bonusi i rijetësimit, restaurohet banesa monument kulture në Vlorë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, njoftoi se ka përfunduar restaurimi i banesës së Beqo Zenunit, Monument Kulture i kategorisë së parë.

Sipas projektit të hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, objekti iu nënshtrua disa ndërhyrjeve mirëmbajtëse e restauruese. Punimet konsistonin në konsolidimin e kreut të murit, rindërtimin e tavanit prej druri dhe zëvendësimin e trarëve dhe tjegullave, në çatinë e objektit.

Banesa e Beqo Zenunit, në Konispol, është njëri prej 40 aplikimeve që përfitojnë nga thirrja e Ministrisë së Kulturës, për përfitimin e skemës së bashkëfinancimit të projekteve të restaurimit, konsolidimit, rijetësimit, pas lidhjes së kontratave përkatëse me Ministrinë.

Ndërhyrjet e specialistëve të DRTK Vlorë ndikojnë drejtpërsëdrejti në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij monumenti por edhe të trashëgimisë kulturore e historike që mbart kjo banesë. /atsh / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale

Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale shënohet çdo 27 tetor.

Kjo datë u zgjodh nga UNESCO në vitin 2005 me qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së dokumenteve audiovizuale.

Dokumentet audiovizuale; si filmat, programet e radios dhe televizionit, janë trashëgimi e përbashkët dhe përfshijnë xhirimet e para të shekullit 20 dhe 21.

Ato ndihmojnë për të mbrojtur identitetin kulturor të njerëzve; por thesaret e panumërta të dokumentarëve janë zhdukur që nga shpikja e teknologjisë së imazheve dhe zërit që ndihmon njerëzit nëpër botë për të shfaqur më mirë eksperiencat e tyre, kreativitetin dhe njohuritë.

Të gjitha trashëgimitë audiovizuale në botë janë të rrezikuara shkruhet në uebsajtin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, me rastin e shënimit të kësaj dite. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në 20 vjetorin e vrasjes së Ukë Bytyqit: Guximi, vendosmëria e urtia e fjalës së tij mbetet shembull për politikanët e sotëm e të nesërm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar kryetarin e parë të Suharekës së pasluftës dhe veprimtarin e shquar të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, Ukë Bytyqin në 20 vjetorin e vrasjes.

Presidentja Osmani ka thënë se sot përkujtojmë 20-vjetorin e vrasjes së kryetarit të parë të Suharekës së pasluftës, Ukë Bytyqit, veprimtarin e shquar të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, aktivistin e devotshëm e bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës

“Uka u vra së bashku me dy përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin,  vetëm një ditë pasi ishte rikonfirmuar fitues në garën për të parin e komunës. Guximi, vendosmëria e urtia e fjalës së tij mbetet shembull për politikanët e sotëm e të nesërm”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Sot përkujtojmë 20-vjetorin e vrasjes së kryetarit të parë të Suharekës së pasluftës, Ukë Bytyqit, veprimtarin e shquar të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, aktivistin e devotshëm e bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës.

Uka u vra së bashku me dy përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin,  vetëm një ditë pasi ishte rikonfirmuar fitues në garën për të parin e komunës. Guximi, vendosmëria e urtia e fjalës së tij mbetet shembull për politikanët e sotëm e të nesërm.

Këto vlera, të cilat e shndërruan atë në njeri të dashur e të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe të gjithë Kosovës, do të jetojnë gjatë e do të shërbejnë si shembull se si duhet e punohet për atdheun.

Dy dhjetëvjetësha nga atëherë, qytetarët e Suharekës dhe të gjithë Kosovës e kujtojnë me respekt të thellë personalitetin dhe veprën e tij në shërbim të vendit.

I përjetshëm do të jetë kujtimi për Ukë Bytyqin! / KultPlus.com