Shfaqjet më të reja për sa i përket arkitekturës në botë përfshijnë një suitë hoteli të mbuluar me shtëpi zogjsh në pyjet e Harads, Suedi; Transformimi prej 230 milionë dollarësh i Sidneit i një bunkeri detar në një kompleks arti; dhe një stadium sportiv në provincën Zhejiang të Kinës, i projektuar për të imituar terrenin malor aty pranë, sipas Architectural Digest (AD).
Këto dizajne janë tre nga 20 “Veprat e mrekullive” të përzgjedhura nga ekipi i redaktorëve globalë të revistës.
“Lista wow është një moment njohjeje globale për projektet që po riformësojnë botën tonë – qoftë përmes zgjuarsisë së tyre inxhinierike apo imagjinatës së tyre”, tha Amy Astley, drejtoresha editoriale globale e AD.
Çdo vit, AD zgjedh struktura të reja mbresëlënëse me ndikim kulturor.
Lista e këtij viti përfshin destinacione të reja kryesore për modën, shitjen me pakicë dhe ngrënien, duke përfshirë galerinë e rinovuar të ateliesë së Christian Dior në Paris deri në restorantin e ngjashëm me shpellën Maison Owl në Ube, Japoni. Nuk mungojnë hapësirat kushtuar artit, nga muzeu i ri Edvard Munch në Oslo deri te Muzeu i Artit dhe Fotografisë MAP në Bengaluru, Indi.
MAD Architects projektuan stadiumin Quzhou, i cili përmban hapësira të gjelbra të integruara, për të imituar terrenin malor.
Shtëpia e Muzikës në Hungari në Budapest ka një çati të shpuar që lejon dritën të shkëlqejë brenda dhe pemët e brendshme të shikojnë jashtë.
Memoriali dhe Muzeu i Tërmetit Smritivan mbulon një sipërfaqe të madhe prej 470 hektarësh dhe përmban një sërë rezervuarësh uji./ KultPlus.com
Sa herë që mjeshtria e penës kombinohet me zërin e magjishëm del një vepër e shkëlqyeshme arti, shkruan KultPlus.
E tillë është kënga “Baladë mbi dashurinë”, teksti i së cilës është shkruar nga poeti i ndjerë, Musa Ramadani dhe vie nën interpretimin e Besnik Krajkut.
Kjo këngë përveç që arriti të depërtoj në zemrat e dëgjuesve, ajo fitoi edhe çmimin e parë në Akordet e Kosovës.
KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Baladë mbi dashurinë”:
Nëse për hir të dashurisë, ekziston e vërteta
Atëbotë ç’duhet kjo?
Kur njerëzit s’e njohin dashurinë
Nëse për hir të dashurisë, ekziston dhe gënjeshtra
Atëbotë ç’peshohet kjo?
Për njerëzit s’peshon as dashuria
Një ditë, pa pritë, një ditë
O hiç pa ndodh një çudi
2X Një det vërshoi këtë botë gënjeshtare
Ku humbi, humbi dashuria?
Nëse për hir të dashurisë, ekziston e vërteta
Atëbotë ç’duhet kjo?
Kur njerëzit s’e njohin dashurinë
Nëse për hir të dashurisë, ekziston dhe gënjeshtra
Me koreografi të Mehmet Balkan, baleti “Sisters” u interpretua mbrëmë nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në Teatrin e Gjilanit.
Vepra hyn te baletet neo-klasike, ku lëvizjet e sofistikuara të balerinëve ndërthuren me interpretimin emocional të secilit në skenë. Aty shtjellohet historia e dy motrave dhe e dashurisë, fundi i të cilave rezulton me epilog tragjik.
Kjo shfaqje e kompletuar artistike dhe e pëlqyer për publikun, u luajt për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Sot, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka mbajtur një mbledhje për të diskutuar shkarkimin e Mehmet Krajës nga detyra e kryetarit, shkruan KultPlus.
Megjithatë Kraja nuk është shkarkuar, e për këtë anëtari i AShAK-ut, Jusuf Bajraktari, tha se janë qartësuar të gjitha keqkuptimet.
Më pas reagoi edhe vetë Kraja i cili shprehet se nuk ka kërkuar falje dhe nuk i është kërkuar një gjë e tillë.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
NUK KAM KERKUAR FALJE, EDHE NJE HERE SPEKULIME PUBLIKE
Ne mbledhjen e sotme te Kuvendit te Akademise nuk kam kerkuar falje dhe as e ka kerkuar dikush prej meje nje gje te tille. Duke mos pasur baze ligjore per te marre ne pergjegjesi kryetarin e Akademise, u poropozua nje kompromis, per te cilin eshte shprehur qarte akademik Isa Mustafa: “Z Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”. Ky eshte kompromisi. Deklaratat tjera jane spekulime pa asnje peshe dhe vlere./ KultPlus.com
Në Valencia të Spanjës janë shkrepë fotografitë, ku nëpërmjet gjashtë fotografëve shqiptarë është fokusuar natyra e këtij vendi, fotografi që do të prezantohen nëpërmjet një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery.
Në këtë ekspozitë do të prezantohen 12 fotografi nga gjashtë fotografët shqiptarë, por që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës e ata janë: Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe Sevdail Sulejmani.
Andaj jeni të ftuar që të shihni për së afërmi këtë ekspozitë e cila përpos që ka për qëllim prezantimin e natyrës së Spanjës, ka për qëllim edhe lidhjen e Spanjës dhe Kosovës, pasi që fotografitë e realizuara në Spanjë, për herë të parë po prezantohen në Prishtinë. Dhe qëllimi i kësaj ekspozite në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është që ti rikujtojë Spanjës pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Natyrë, emocion, bashkëbisedim dhe verë ju pret në këtë mbrëmje artistike, ku do të kemi pak Spanjë në mes të Prishtinës.
Ekspozita do të hapet më sonte, më 16 shkurt në KultPlus Caffe Gallery në ora 19:00, dhe do të rri e hapur dy javë. / KultPlus.com
Në nderim të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dje u mbajt Festivali i Poezisë “Republika”, i cili bëri bashkë 15 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra, Maroku dhe ShBA. Në këtë edicion të pestë me radhë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës frymuan vargje, zëra, tinguj e kërcime, të cilat u jetësuan në gjuhë të ndryshme, shkruan KultPlus.
Me pjesëmarrjen e poetëve si Curtis Bauer nga SHBA, Anna Hoffmann nga Gjermania, Dalila Hiaoui nga Maroku, Luccila Trapazzo nga Zvicra, Adem Gashi, Primo Shllaku nga Shqipëria, Nerimane Kamberi, Timo Flloko nga Shqipëria, Vlora Konushevci, Ahmet Selmani nga Maqedonia e Veriut, Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi, Emin Z. Emini, Ndue Ukaj dhe Xhevat Latifi, “Republika” hyri në secilin shpirt të pranishëm.
Ky edicion ka sjell pranë vetes edhe gërshetimin e poezisë me interpretimin e aktores Melihate Qena dhe Avni Dalipit, të cilët dhuruan emocione të jashtëzakonshme që u përcollën nën tingujt e instrumentistit Astrit Stafai. Në anën tjetër, mbrëmja gjeti nisjen fillimisht nga kënga e Vlora Ademit nën interpretimin e Qenës, dhe pjesëmarrjen e balerinës Altina Basha me një kërcim tejet të veçantë nën koreografinë e Robert Nuhës, që i dha hijeshi unike këtij edicioni.
Me fillim nga ora 19:00, BKK u shndërrua në shtëpinë e dytë të poetëve e jo vetëm. Ishin fotografitë abstrakte nga fotografi Fahredin Spahija, ato që këndshëm në prapavijë zunë vend. Gjithsej 45 fotografitë nëpërmjet ekspozitës virtuale së quajtur “odin 45”, e bënë atmosferën akoma më të ngrohtë.
Organizatorja, Vlora Ademi fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke ia lënë hapësirën poezisë që të jehojë.
“Faleminderit shumë që keni ardhur dhe po e nderoni edicionin e pestë të Republikës. Sonte si zakonisht, vetë Republika do të flasë nëpërmjet poezisë, andaj unë po ia jap fjalën poezisë. Uroj që ta shijoni këtë mbrëmje”, tha Ademi.
Ndërkaq, moderatorja Fitore Rexhepi në nderim të figurës së njohur Edi Shkuriu, tregoi se do të interpretohet poezia “Në qiell”, në shenjë respekti.
“Këtë vit e kemi humbur një figurë të rëndësishme të kulturës, Edi Shukriun e cila jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj në fushën e arkeologjisë por ajo ka kontribuar shumë edhe në çështje kombëtare, andaj në shenjë respekti dhe nderimi për të, ju ftoj ta dëgjojmë poezinë e saj “Në qiell”, nën interpretimin e aktores Melihate Qena.”
Tutje, poezitë si: “Putini gri”, “Dita e parë dhe e fundit” nga Adem Gashi, “Shën Valentini”, “Fleta e bardhë” nga Primo Shllaku, “Duhet kërkuar dashurinë”, “Ne vajzat, bijat, motrat” nga Nerimane Kamberi, ““Nekrologji”, “Lutja e mbrëmjes” nga Curtis Bauer, “Shën Valentini”, “Kushtetuta” nga Dalila Hiaoui, “Xhelozi e detit”, “Rob i manive” nga Timo Flloko, “Amulli”, “Veprimtare e pabesë” nga Vlora Konushevci, , “Rrno vetëm për me tregue (Pëshpëritja e At Zef Pllumit) nga Ahmet Selmani, “Bota rrotullohet”, “Kasandra në shërbimin tuaj” nga Anna Hoffmann, “Gruaja e dëshmorit”, “Ende harku” nga Emin Z. Emini, “Rekuiem 20/22”, “Në rrethin e hënës” nga Luccila Trapazzo, “Ikja e kalorësit të fundit”, “Pikë tamël në sy” nga Xhevat Latifi, “Listë personale” nga Blerina Rogova Gaxha, “Biletat”, “Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona” nga Ndue Ukaj, “Njeriu mes mjegulle” nga Halil Matoshi, rrumbullakuan këtë natë përgjatë dy orëve, me ç’rast u dëshmua se poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, andaj jo rastësisht cilësohet si “mbretëresha e arteve”.
Edicioni i pestë i Festivalit të Poezisë “Republika”, këtë vit u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Instituti Goethe në Prishtinë. Ndërsa sponsor medial është gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus.
Leonardo da Vinci mund të ketë pasur një kuptim të gravitetit që ishte “shekuj përpara kohës së tij”, zbulojnë librat e tij të skicave.
Skicat e Da Vinçit, të cilat u harruan për dekada, tregojnë trekëndësha të formuar nga grimcat e ngjashme me rërën që derdhen nga një kavanoz. Këto kokrra në rënie përshkruanin eksperimente për të treguar se graviteti ishte një formë përshpejtimi më shumë se 400 vjet përpara se të bënte Ajnshtajni, argumenton një studim i ri.
Albert Ajnshtajni formuloi për herë të parë idenë se graviteti dhe nxitimi janë të njëjta, të quajtur parimi i ekuivalencës, në vitin 1907. Për ta bërë këtë, Ajnshtajni zgjeroi idetë nga zbulimi i Isaac Njutonit i vitit 1687 mbi ligjin universal të tërheqjes gravitacionale, i cili shpreh çdo objekt në univers tërheq çdo gjë me një forcë të lidhur me masat e tyre dhe në të kundërt të lidhur me katrorin e distancës që i ndan, dhe deklaratën e Galileo Galileit të vitit 1604 për ligjin e rënies së lirë që thotë se pa rezistencën e ajrit, të gjitha masat bien me të njëjtin nxitim.
“Ne nuk e dimë nëse da Vinci bëri eksperimente të mëtejshme apo e hetoi këtë pyetje më thellë,” tha në një deklaratë autori kryesor Mory Gharib, një profesor i aeronautikës dhe inxhinierisë mjekësore në Caltech. “Por fakti që ai po përballej me këtë problem në këtë mënyrë, në fillim të viteve 1500, tregon se sa shumë përpara ishte mendimi i tij.”
Da Vinci ishte një piktor, arkitekt, shpikës, anatomist, inxhinier dhe shkencëtar. Kryesisht i vetë-edukuar, ai mbushi dhjetëra fletore sekrete me shpikje fantastike dhe vëzhgime anatomike. Së bashku me vizatimet e detajuara të anatomisë njerëzore, fletoret e tij përmbajnë dizajne për biçikleta, helikopterë, tanke dhe aeroplanë. Nga më shumë se 13,000 faqet e këtyre skicave që u mblodhën më vonë në kode, më pak se një e treta kanë mbijetuar./abcnews.al/ KultPlus.com
Mendoj për ty kur buzët skuq në pasqyrë, kur fle dhe era vërshëllen në xhamet, kur rri e shfleton një libër të vjetër, kur flet e përhumbur pa ditur as vetë se ç’thua. Mendimet e tua të gjitha veç unë i marr vesh dhe as tjetër me gjuhën e shpikur nga ti dhe unë. Sa keq që në Zot s’kam besuar, sikur të besoja, i lutesha që ti të mos plakeshe. Nesër pemët do gjelbërojnë, të dy do të shtrihemi mes gjelbërimit; rreth nesh le të gumëzhijnë bletët dhe qëngjat le të blegërijnë. Ç’ti bëjmë natës që vjen? ç’ti bëjmë mëngjesit, Kur në pasqyrë i kuqçel trëndafili?/ KultPlus.com
Vështirësitë e komunitetit rom, si qytetarë të diskriminuar në çdo vend, u shpërfaqën përmes jetës së dy vëllezëve Kefeat dhe Selami Prizreni, të jetësuara edhe njëherë në filmin dokumentar ‘Trapped by law’, përcjell KultPlus.
Dokumentari i cili u paraqit para publikut në Kino Armata, përshkroi në mënyrë të përsosur rrugën e vështirë të dy vëllezërve Prizreni, të cilët në mesin e 10 mijë qytetarëve të tjerë, u deportuan nga Gjermania për në Kosovë, pa dëshirën e tyre, duke i bërë ta lënë pas çdo gjë që kishin krijuar gjatë gjithë jetës së tyre atje.
E jetesa në Kosovë, nuk i mirëpriti, madje e kundërta, ata u përballën edhe me mungesën më elementare, atë të ushqimit, por duke mos e lënë pas dore atë që ata dijnë të bëjnë më së miri, muzikën, e sidomos atë që njihet si muzikë e rezistencës, muzika ‘Hip-Hop’.
Filmi dokumentar i regjisorit Sami Mustafa është një portretizim prekës i betejave me të cilat përballen dy vëllezërit e rinj teksa lundrojnë në kompleksitetin e ligjit të “riintegrimit të detyruar” të nënshkruar mes Kosovës dhe Gjermanisë, së bashku me shtetet e tjera të BE-së. Ky film i fuqishëm, i xhiruar gjatë një periudhe prej pesë vitesh, tregon historinë e rrugëtimit të dy vëllezërve përmes ndarjes së tyre të detyruar nga familja, miqtë dhe kulturën hip-hop ku ata u rritën.
Kjo histori e ndarjes së familjes, e treguar përmes thjerrëzave të kulturës hip-hop, është një portret i mprehtë i përvojave të komuniteteve të margjinalizuara dhe luftës për drejtësi.
Pas shfaqjes së filmit u hap edhe diskutimi mbi përfshirjen e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë i cili për panelistë kishte Avni Mustafën nga Roma Versitas Kosova dhe Sakibe Jasharin nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë.
E para fjalën e mori Sakibe Jashari e cila vuri në pah problemet me të cilat ballafaqohen sidomos të rinjtë e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.
“Sot jemi këtu për të diskutuar për një tregim që nuk është i vetëm, sepse të tilla tregime ka shumë. Tregime që kanë të bëjnë me migrimin sidomos për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët janë të prekur nga ky problem. Ky film sjell në vete edhe disa nga stereotipet me të cilat ata ballafaqohen, e para është vetë-identifikimi i tyre si gjermanë që kanë ardhur në Kosovë, tjetra është që muzikën ‘rap’ e kanë importuar tek të rinjtë e komunitetit që kanë qenë të kthyer me forcë prej Gjermanisë dhe është i treti stereotip që akoma përflitet e i cili është se vendet ku kanë jetuar ky komunitet pretendojnë që marihuanën e kanë mësuar prej tyre”, thotë Jashari duke folur për atë që në sytë e saj përcjell ky film.
Më pas, fjalën e mori Avni Mustafa i cili fillimisht theksoi se shumë të rinj të komuniteteve janë të sukseshëm në fusha të ndryshme, disa janë profesorë në shkolla të ndryshme, disa të tjerë artistë të sukseshëm, mirëpo ajo që nevojitet është respektimi i ligjeve në fuqi.
“Ne s’kemi nevojë për ligje dhe strategji të veçanta për integrim. Neve na nevojiten mundësi të barabarta, respektimi i ligjeve në fuqi dhe kushtetutës”, u shpreh ai.
Ju kujtojmë që shfaqja e këtij dokumentari u organizua nga Manifesta 14 Prishtina dhe u përkrah nga United Nations Mission in Kosovo (UNMIK)./ KultPlus.com
Këngëtari bëhet anëtari i 23-të i Akademisë duke u bashkuar me Elton John dhe Paul McCartney.
Ylli i muzikës Sting do të nderohet nga Akademia Ivors që vlerëson kantautorët dhe kompozitorët me çmimin më të rëndësishëm që ajo jep çdo vit.
Ivors është nderimi më i lartë i dhënë nga Akademia e Ivors me bazë në Mbretërinë e Bashkuar për ata që kanë riformuar dhe ripërcaktuar me të vërtetë artin. Sting, i cili ka fituar tashmë shtatë çmime Ivor Novello, duke përfshirë një çmim për arritje të jashtëzakonshme në 2002 dhe do të bëhet anëtari i 23-të i Akademisë, duke u bashkuar me Elton John, Paul McCartney, Kate Bush dhe Andreë Lloyd Ëebber që fiton një çmim të tillë.
“Nga të gjitha çmimet në botën e muzikës, The Ivors janë për mua, më prestigjiozët. Shkrimi i këngëve është një zanat i jashtëzakonshëm“, tha Sting në një deklaratë.
Shkrimtari dhe këngëtari i “Every Breath You Take”, i cili ka shitur më shumë se 100 milionë albume nga koha e tij me grupin rock The Police dhe si artist solo, do të nderohet në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të këtij viti më 18 Maj. Të nominuarit e këtij viti do të shpallen në Prill.
Për të shënuar këtë sukses Amazon Music publikoi një demo të këngës së Sting “If It’s Love” nga albumi i tij “The Bridge”, i cili u publikua në 2021.
I emëruar sipas kompozitorit, aktorit dhe artistit të Uellsit të fillimit të shekullit të 20-të, Ivor Novello, çmimet me po të njëjtin emër u shpërndanë për herë të parë në vitin 1956. Sting ka fituar 17 Grammy, duke përfshirë dy në kategoritë për shkrimin e këngëve më të mira, performanca më e mirë dhe albumi më i mirë. / KultPlus.com
Mehmet Kraja, nuk është shkarkuar nga detyra e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në takimin e sotëm, i cili ishte i mbyllur për media, raportohet se është arritur kompromis që të zgjidhen të gjitha keqkuptimet, transmeton klankosova.tv.
Anëtari i AShAK-ut, Jusuf Bajraktari, tha më pas, se ky takim ishte ndër më të mundimshmit të historisë së kësaj akademie.
”Ishte një ndër takimet të mundshme të historisë së akademisë, megjithatë janë diskutuar detajisht të gjitha problemet”.
”Kanë mbizotëruar arsyet, se në këtë kohë kur Kosova po përballet me probleme të llojllojshme qoftë problem të brendshme ekonomike apo politike, ne si anëtarë të akademisë, erdhëm në përfundim se nuk duhet t’ia shtojmë dhimbjet Kosovës, dhe gjetëm një zgjidhje kompromisi, që të vazhdojmë punën e mëtejshme me projekte shkencore, me harmoni e kompetenca që kemi”./ KultPlus.com
Mos fajëso kurrë askënd, për asgjë, sepse, thellë-thellë, ke bërë me jetën tënde krejt çka ke dashur.
Pranoje vështirësinë e të përmiresuarit të vetes dhe të kurajës për ta ndryshuar atë. Triumfi i njeriut të vërtetë buron nga hiri i gabimeve të tij.
Mos u anko kurrë për vetminë tënde, apo për fatin tënd, përballu kryelartë dhe pranoje. Në një mënyrë apo në një tjetër, është pasojë e veprimeve të tua dhe e bindjes se ti gjithnjë duhet të fitosh.
Mos u hidhëro me dështimin tënd, as mos fajëso dikë tjetër, pranoje bash tash, ose do të vazhdosh të shfajësohesh si një fëmijë. Kujto se çdo çast është i mirë për të filluar dhe asnjë s’është aq i tmerrshëm sa për t’u dorëzuar.
Mos harro se shkak i të tashmes sate është e shkuara jote, ashtu siç e tashmja do të jetë shkak i të ardhmes sate. Mëso nga të guximshmit, nga të fortët, nga ata që nuk e pranojnë destinin, nga ai që do të jetojë pavarësisht gjithçkaje. Mendo më pak për problemet e tua e më shumë për punën tënde, dhe problemet e tua, pa i eliminuar, do të vdesin.
Mëso të lindësh nga dhimbja, të jesh më i madh se ajo, më i madh se pengesat. Shihu në pasqyrën e vetes dhe do të jesh i lirë e i fuqishëm dhe do të pushosh së qeni kukull e rrethanave, sepse veç ti je fati yt.
Ngrihu dhe shihe diellin në mëngjes dhe frymoje dritën e agimit. Ti je pjesë e forcës së jetës sate, zgjohu tash, lufto, ec, ji i vendosur dhe do të triumfosh në jetë. Mos mendo kurrë për fatin tënd, sepse fati është pretekst i të dështuarve. / KultPlus.com
Leonardo da Vinçi kishte pasur intuitën se graviteti është një formë përshpejtimi një shekull para Njutonit, pasi vizatimet e eksperimenteve të tij e sugjerojnë këtë.
Konstanten gravitacionale ”g” ai e kishte gjetur me një saktësi prej 97%.
Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën ”Leonardo” nga inxhinierë nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni, së bashku me ekspertë nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Zvicrës Perëndimore.
Studiuesit panë disa vizatime nga kodiku ”Arundel” që përfaqësojnë një eksperiment në të cilin një enë lëviz horizontalisht duke derdhur disa materiale (ujë ose, më shumë gjasa, kokrriza rëre).
Në shënimet e tij, Leonardo tregon vetëdije për faktin se materiali i derdhur nuk do të kishte rënë me një shpejtësi konstante, por do të ishte përshpejtuar dhe se, nëse ena do të ishte lëvizur me të njëjtën shpejtësi si forca e gravitetit që e zbret materialin, atëherë rënia e fundit do të vizatonte hipotenuzën e një trekëndëshi barabrinjës.
“Rreth 500 vjet më parë, Leonardo da Vinçi u përpoq të zbulonte misterin e gravitetit dhe lidhjen e tij me inercinë përmes një sërë eksperimenteve gjeniale të udhëhequra vetëm nga imagjinata e tij dhe teknikat mjeshtërore eksperimentale”, shkruajnë studiuesit në punimin e tyre.
Simulimi kompjuterik i eksperimentit tregon se Leonardo përdori një ekuacion të gabuar në mënyrën e duhur në llogaritjet e tij, por pavarësisht këtij gabimi, do të kishte lejuar që konstantja gravitacionale ”g” të llogaritej me një saktësi 97% në krahasim me metodat moderne.
”Ne nuk e dimë nëse Leonardo eksperimentoi më tej apo e hetoi më thellë këtë çështje, por fakti që ai po u afrohej problemeve në këtë mënyrë, në fillim të viteve 1500, tregon se sa larg ishte mendimi i tij”, përfundon Morteza Gharib nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni./ atsh / KultPlus.com
Më 12 Mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hapë një konkurs publik për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Rezultat i konkursit të organizuar ishte përzgjedhja e krijimit “Evropa”, si himni zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Himni është pa tekst, i krijuar në formatin instrumental simfonik. Himni u realizua në 11 Qershor 2008 dhe u përzgjodh me votim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 72 vota për dhe 5 kundër.
Vendosja e simboleve shumë etnike për Republikën e Kosovës, ishte paraparë qysh në dokumentin e quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, i datës 2 shkurt 2007, ose siç njihet ndryshme “Pakoja e Ahtisarit”.
Ndër krijimet pjesëmarrëse ishte edhe himni alternativ “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi, krijim i parapëlqyer i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006) për të qenë himn shtetëror i Dardanisë-Kosovës. Një tjetër krijim pjesëmarrës në konkurs ishte himni “Kosova diell” me muzikë të Sami Pirraj dhe fjalë të poetit Skënder Zogaj si dhe himni “Kosova jonë”, pa fjalë, me muzikë të Vasil S. Toles.
“Himni shtetëror” i Republikës së Kosovës është një ndër himnet më të reja në botë, krahas himnit të shtetit të Sudanit të Jugut, i cili u kompozua në vitin 2010 dhe u pranua zyrtarisht më 9 korrik 2011.
Mirëpo edhe himni sikurse edhe emblemat e tjera shtetërore duke përfshirë flamurin, monumentin “NEWBORN”, kanë pasur disa kufizime. Pikërisht në këtë 10-të vjetor autori Mendi Mengjiqi ka dhënë të drejtën që të sjellët himni i plotë siç ai e kishte menduar dhe i pakushtëzuar. Himni i cili ishte menduar në fillim kishte edhe këtë tekst:
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë Çerdhe e dashurisë N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë Vend i të parëve tonë Ti qofsh bekue për jetë e mot O nënë e jonë Ne të dalim zot O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë Çerdhe e dashurisë./ KultPlus.com
Nga një eksperiment me sodë buke, uthull dhe një balonë e deri te krijimi i nanosatelitit të parë në Kosovë, 19-vjeçarja Elta Bajrami nuk u dorëzua asnjëherë para paragjykimeve gjinore në rrugëtimin e saj në fushën e shkencave natyrore. Prishtinasja që tani studion në SHBA, ndan me lexuesit e Radios Evropa e Lirë copëza të këtij rrugëtimi.
Në vitin 2014, në një klasë në Shkollën Fillore “Gjergj Fishta”, dhjetëra nxënës shikonin se si një balonë fryhej dhe më pas fluturonte, shkaku i gazit me të cilin ishte mbushur nga një reaksion mes sodës së bukës dhe uthullës.
Në mesin e këtyre nxënësve ishte edhe Elta, atëherë vetëm dhjetë vjeçe. Klasa e pestë la gjurmë të shumta në mendjen e saj. Nëntë vjet më vonë, ajo ende kujton momente nga ai vit shkollor.
“E mbaj mend një pjesë të tekstit në klasë të pestë, ku pyetej: çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni? E kujtoj shumë mirë që nxënësit e tjerë përgjigjeshin: mësues, floktar, futbollist, këngëtar. Kur më erdhi rendi mua, më vinte pak marre ta shprehja se çka kam dashur të bëhem, sepse e kisha shkruar shkencëtare”, rrëfen Elta për Radion Evropa e Lirë.
Pse nuk rrëzohemi vazhdimisht teksa ecim, pse rrëshqasim në akull, si është e mundur të shkojë një raketë në Mars, çfarë është Marsi, a është planet si Toka? Pyetje si këto ngriheshin vazhdimisht në mendjen e saj.
“Më ka interesuar shumë sistemi diellor, jeta jashtëtokësore dhe sidomos ndërtimi, inxhinieria e raketave. E pata detyruar mamanë të ma blejë edhe një libër rreth raketave dhe mënyrës se si funksionojnë ato”, tregon 19-vjeçarja.
ELTA BAJRAMI, PËRKRAH NËNËS DHE MOTRËS SË SAJ.
E përshkruar si fëmijë çapkën deri në moshën pesëvjeçare, Elta thotë se asnjëherë nuk e ka pasur problem të mos u bindet pritshmërive gjinore. Ka luajtur me lodra që janë konsideruar si lodra për djem.
“E kujtoj gjithmonë që gjyshja, sa herë doja t’ia merrja lodrat vëllait, më thoshte ‘mos çika ime se këto nuk janë për çika’. Por, kurrë nuk e kam kuptuar se përse lodrat duhet të kenë gjini. Kam qenë shumë më e tërhequr nga lodrat që kanë pasur pajisje komplekse, e jo që kanë qëndruar statike, vetëm sa për bukuri”, thotë Elta.
Ky kuriozitet e ndoqi atë edhe më vonë, gjatë kohës sa ishte nxënëse në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në mesin e 14 lëndëve sa kishte në vitin e fundit në gjimnaz, ajo preferonte lëndët e shkencave natyrore.
Elta merrej me projekte dhe gara të kësaj fushe edhe në kohën e saj të lirë gjatë viteve të shkollës së mesme.
ELTA BAJRAMI DUKE LIGJËRUAR NË NJË PUNËTORI TË ORGANIZATËS “GIRLS IN STEM”, TETOR 2021.
Ajo tregon se vështirësitë dhe paragjykimet për të si një vajzë në fushat e shkencave natyrore nuk kanë munguar, por thotë se çelësi për t’i tejkaluar këto sfida është vetëbesimi.
Aktivizmi i Eltës ka vazhduar përgjatë çdo hapi të saj deri më tani. Duke marrë pjesë në projekte të ndryshme në Kosovë – si “Traumë, jo lojë”, “Rráj”, “K’qyr e Dil” dhe “Nuhate” – ajo ka dashur t’i ndihmojë komunitetit.
Përveç këtyre projekteve, Elta, gjatë viteve të fundit, ka përfaqësuar Kosovën në disa gara ndërkombëtare, si për robotikë dhe shkenca kompjuterike.
Në nëntor të vitit 2021, Elta është radhitur e gjashta në botë nga mbi 200 mijë pjesëmarrës në një garë të organizuar nga gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft. Në atë garë, ku testohej njohuria mbi produktet e pakos së Microsoft Office, Kosova ishte përfaqësuar për herë të parë si shtet në mesin e 108 shteteve të tjera.
ELTA BAJRAMI (NË MES), DHE KOLEGET E SAJ DUKE PUNUAR NË NDËRTIMIN E NJË ROBOTI, TETOR 2021.
Por, kjo nuk është arritja e parë e Eltës në arenën ndërkombëtare. Dy vjet më parë, në tetor të vitit 2019, ajo i ka sjellë Kosovës një medalje të artë në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge.
“Kam qenë 15 vjeçe dhe jam angazhuar për herë të parë në krijimin e një roboti, një mekanizmi që është dashur ta kodoj vetë në mënyrë që mekanizmi të lëvizë”, thotë Elta, teksa tregon se ka punuar përkrah dy vajzave të tjera në këtë garë, Elita Hajrizit dhe Albana Hajdinit.
Për shkak të suksesit të treguar në këtë garë në vitin 2019, Elta ishte përzgjedhur ta përfaqësojë Kosovën sërish një vit më vonë, kur gara u zhvillua përmes platformave digjitale, shkaku i pandemisë COVID-19.
Këtë herë, Elta dhe tri garuese të tjera të Kosovës bënë histori duke ndërtuar nanosatelitin e parë në Kosovë. Ky satelit i vogël u kishte sjellë sfida të mëdha vajzave deri në përfundimin e tij.
“Duke e parë që askush në Kosovë nuk ka krijuar më herët një nanosatelit, nuk kishim as ku të bazohemi për ta marrë një model. Por, përmes ndihmës së instruktorëve dhe hulumtimit që e kemi bërë, kemi arritur që për herë të parë të lancojmë një nanosatelit në Kosovë”, shton Elta.
ELTA BAJRAMI (NË TË MAJTË) DHE DY KOLEGET E SAJ NË GARËN NDËRKOMBËTARE ROBOTIKE, TETOR 2019.
Ky nanosatelit – i cili përdorej për llogaritjen e temperaturës dhe shtypjes atmosferike – dhe projektet e tjera të saj bënë që Elta ta merrte një lajm të shumëpritur mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022, pak minuta pasi kishte festuar ditëlindjen e nënës së saj.
“Në emër të komisionit të pranimit, ju urojmë mirëseardhjen në kolegjin Vasser”, shkruhej në mesazhin elektronik, i cili i kishte ardhur Eltës rreth orës 23:00 të asaj mbrëmjeje.
ELTA BAJRAMI, NË KAMPUSIN E KOLEGJIT VASSER NË NJU JORK TË SHBA-SË.
“Pranimi në kolegj është një prej lajmeve më të mira që e kam pritur tërë jetën, për shkak se shkollimi është shumë i rëndësishëm për mua”, thotë Elta, e cila tani është zgjedhur përfaqësuese e studentëve të vitit të parë në kolegjin Vasser në Nju Jork të SHBA-së, ku po studion për shkenca kompjuterike.
Elta nuk e imagjinon dot veten jashtë fushave të shkencave natyrore dhe shpreson që edhe bashkëmoshatarët e saj do t’i ndjekin ëndrrat e tyre.
“Ndiq atë që të fle më shumë në shpirt, sepse ne kemi nevojë edhe për shkenca sociale. Por, nëse të pëlqejnë shkencat natyrore, atëherë vetëm mos u nis me frikën se janë profesione për burra dhe do t’ia dalësh mbanë”, thotë Elta.
“Ti kurrë nuk e di se çka mund të arrish. Kur nuk i vendos vetes asnjë limit, atëherë e sheh që ti i kalon ato limitet që do t’i kishe vendosur”./REL
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Begaj ka uruar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës duke kontribuar në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të saj.
Ndërkaq Presidentja Osmani, ka theksuar se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë së saj në përballje me sfida, por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik.
“Në këtë 15-vjetor të pavarësisë kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, që nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova e deri te vajzat e djemtë e UÇK-së, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, shumë nga të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe Republikën”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga të dy presidentët u vlerësuan jo vetëm miqësore, por vëllazërore, ndaj u zotuan se do të angazhohen për intensifikim të tyre.
Në këtë funksion, Presidentja Osmani vuri në dukje nevojën për një koordinim dhe harmonizim të mëtejmë, posaçërisht në sferën e politikës së jashtme, me ç`rast potencoi nevojën që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në institucionet ku aktualisht Kosova nuk ka përfaqësim.
Të dy presidentët theksuan se Kosova e Shqipëria janë bashkërisht të angazhuara dhe të përkushtuara në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë dhe se stabiliteti i rajonit është jetik në mënyrë që të dy shtetet të vazhdojnë rrugëtimin evropian./KultPlus.com
Kur thuhet mbiemri Buza, mendja të shkon menjëherë te piktura shqiptare dhe historia që ata kanë shënjuar.
Abdurrahim Buza theu çdo tabu të kohës dhe pikturoi për herë të parë në pikturën shqiptare një modele nudo dhe për këtë zgjodhi gruan e tij.
Sot pas kaq shumë vitesh, Kujtimi, djali i tij, që po ashtu është një piktor i njohur duke trashëguar profesionin e të atit, ka rrëfyer si lindi kjo pikturë. Ai ka treguar për “Pas Mensnatës”, se babai nuk donte ta ekspozonte, por Kujtimi bëri të kundërtën dhe nga ai moment gjërat ndryshuan në pikturën shqiptare.
“Nudo është objekt mësimor, nudo nuk është një tekë e artistit për të punuar një femër apo mashkull të zhveshur. Nudo është një ngacmim dhe objekt shumë i rëndësishëm në modelimin e pikturës. Këtë ne e kemi bërë që në shkollë, fillimisht në lice me figurë sportisti dhe pastaj në Akademi, duke dal probleme të tjera më të rëndësishme në lëvizje.
Në ’35 u martuan, babai kishte vrullin e shkollës dhe kishte dëshirë të pikturonte gruan e tij. Mirëpo, te ne ishte traditë që gruan e pikturonin veshur me kostum Lunxhërie, Dropulli, gjeni një kostum që figura e gruas të ishte sa më bukur. Epo ranë dakord dhe im atë e bëri zhveshur, por në një pozicion dinjitoz, nuk e ekspozoi, e çau në disa pjesë dhe e la të flinte bashkë me pikurat e tjera. Ju luta, ashtu siç është gruaja jote, është nëna ime, pse të mos e ekspozojmë. Ajo është grua e emancipuar e një familje të madhe dhe nuk e merrnin për keq. Ishte një shembull i bukur i pikturës shqiptare, kështu që unë e ngjita atë, e ristaurova atëherë dhe e vendosa. Me ekspozitën që bëri Galeria e Arteve, titulluar “Eva”, mbas ’67 erdhi porosia të kthehet figura e sportistit, të kishte rroba banje. Sigurisht që piktorëve nuk i erdhi mirë, se kjo nuk ishte më nudo, ishte figurë sportisti, humbiste poetizmi. Ne kishim respekt për vajzat e emancipuara që bënin modelen, mirëpo që atëherë u mbyll”, rrëfeu ndër të tjera Buza./abcnews.al / KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka postuar në rrjetet sociale një video të filmuar në “Shtegun e ngjyrave”, në Kukës dhe që kohët e fundit është bërë virale në rrjet, duke promovuar alpet e Shqipërisë.
Videoja me kuajt e Afrim Tahirajt, një udhërrëfyes lokal, është rimarrë nga faqja @beautifuldestinations dhe ka bërë xhiron e botës.
Beautifuldestinations me 25 milionë ndjekës, është vetëm njëra nga shumë prej faqeve që kanë shpërndarë këtë video. Përveç saj janë dhe Nature, Earthbestshots, Heaven, Kingdom of Horses, Natgeomagarab etj.
Video në total ka arritur mbi 35 milionë shikime në dy javët e fundit, duke arritur madje 1 milion pëlqime te faqja “Heaven”.
Xhirimi i bukur me kuajt e lirë, me një peizazh befasues, shfaq bukurinë natyrore dhe qetësinë që ofron Kukësi e Shqipëria, duke ftuar miliona ndjekësit e këtyre faqeve, në një udhëtim nëpër veriun e vendit./ atsh / KultPlus.com
Për shënimin e 15- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Prishtina do të mirëpres një super koncert të mbushur me nota jazz dhe ritme të sjella nga artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, shkruan KultPlus.
Jazz Big Band ansambël ka bërë bashkë muzikantët më të mirë të xhazit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Franca për të performuar për herë të parë në këtë formacion që padyshim do sjellin një koncerte ta paharruar që do të luajnë meloditë e përjetshme që kanë përcaktuar zhanrin.
Nën dirigjimin e Armend Xhaferit, në këtë koncert do të paraqiten: Kitarë – Armend Xhaferi; Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov; Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi; Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni; Ilir Bajri – Piano; Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri.
Koncerti për ditën e pavarësisë së Kosovës do të mbahet më datë 17 shkurt në ora 16:00 në Sallën e kuqe (Pallati i Rinisë) dhe hyrja do të jetë falas.
Ky koncert mbështetet nga Komuna e Prishtinës – drejtoria e Kulturës. / KultPlus.com
Më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.
Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Duke abroguar Protokollin e 10 dhjetorit 1916, sipas të cilit qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze, komanda forcoi kontrollin dhe praninë e saj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës./ atsh / KultPlus.com
Festivali i 73-të Ndërkombëtar i Filmit në Berlin fillon sonte në kryeqytetin gjerman duke u rikthyer në formatin e tij të rregullt pas dy vitesh kufizime pandemike.
Pothuajse 400 filma janë planifikuar të shfaqen nga 16-26 shkurt, me një nivel të lartë të shprehjes së mbështetjes që pritet për popullin ukrainas dhe iranian, në mes të luftës dhe trazirave të vazhdueshme atje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë në hapjen e festivalit në një transmetim të drejtpërdrejtë video sonte.
Aktorja amerikane Kristen Stewart, e famshme për “Spencer” dhe “Twilight”, kryeson jurinë ndërkombëtare të këtij viti.
Ngritja e perdes së Berlinale 2023 është komedia “She Came to Me” e regjisores Rebecca Miller, me aktorë Peter Dinklage, Marisa Tomei dhe Anne Hathaway.
Gjithsej 19 filma po konkurrojnë për çmimet e lakmuara ”Ariu i artë” dhe ”Ariu i argjendtë”.
Së bashku me Kanën dhe Venecian, Berlinale është një nga festivalet kryesore të filmit në botë./ atsh / KultPlus.com
“Njohja e gjuhëve është dera e mençurisë, dhe suksesit.”, andaj njohja e gjuhëve është tejet e rëndësishme e sidomos njohja e gjuhës angleze.
Gjuha është mjeti ynë kryesor i komunikimit; është mënyra se si i ndajmë mendimet tona me të tjerët. Qëllimi dytësor i një gjuhe është të përcjellë ndjenjat, emocionet ose qëndrimet e dikujt.
Anglishtja është një gjuhë e tillë në botë që i plotëson të dyja qëllimet e mësipërme. Është bërë pjesë përbërëse e pothuajse çdo fushe ekzistuese.
Ne e përdorim atë si gjuhë ndërkombëtare për të komunikuar në shumë fusha, duke filluar nga biznesi në argëtim.
Gjuha angleze hap një oqean mundësish karriere për ata që flasin. Ajo është kthyer në një kërkesë të pashmangshme për fusha dhe profesione të ndryshme si mjekësia, informatikë etj.
Në botën me zhvillim të shpejtë, është thelbësore të kemi një gjuhë të përbashkët që mund ta kuptojmë për të përdorur sa më mirë të dhënat dhe informacionin e disponueshëm.
Si rezultat, gjuha angleze është bërë një depo e njohurive të ndryshme duke filluar nga fushat sociale në ato politike.
E një ndër universitetet me planprogramin më të mirë për mësimin e kësaj gjuhe është Kolegji Universum.