Misteri që fshihet pas ndërtesave pa perde në Holandë

Ndërtesat në Holandë në shumicën e tyre nuk kanë perde.

Nëse keni pasur ndonjëherë mundësinë të shëtisni nëpër Amsterdam ose në disa qytete të tjera holandeze, do të vini re se askund nuk ka perde, shkruan “Xpat”.

Holandezët njihen si një popull shumë miqësor, siguria dhe kënaqësia e përgjithshme janë prioritetet që ndiqen në këtë vend. Gjithashtu, kultura e tyre përshkruhet si jashtëzakonisht liberale dhe e hapur, dhe temat tabu nuk dihen.

Nëse keni vizituar ndonjëherë vendin e tulipanëve, sigurisht që e keni ndjerë atmosferën e përshkruar, si dhe keni përjetuar që banorët e saj nuk e kanë problem të ndajnë privatësinë e tyre.

Një nga treguesit e mësipërm është i pazakontë – në Holandë, rrallë do të shihni perde në një dritare.

Arkitektura holandeze dhe ndërtesat e apartamenteve janë zakonisht arsyeja e parë për të kënaqur vizitorët. Të gjitha ndërtesat janë vizualisht të ngjashme, shumë të ngushta dhe të larta, dhe materialet dominuese janë tulla dhe druri.

Më herët, shteti taksonte ndërtimin në gjerësi, dhe holandezët filluan të ndërtonin pasuritë e tyre të paluajtshme në lartësi për të paguar më pak taksa.

Kështu, për shembull, ndërsa ecni përgjatë kanaleve të Amsterdamit, do të ecni edhe përgjatë shtëpive të ngushta, të larta, të lidhura me maksimum pesë kate dhe tre dritare të ngushta për kat.

Duke ecur nëpër rrugët e qyteteve holandeze, veçanërisht në mbrëmje, do të keni mundësi të shikoni në shtëpitë e njerëzve të tjerë dhe të shihni brendësinë e tyre. Nuk është e pazakontë për holandezët, përkundrazi, është e dëshirueshme.

Shpjegimi i pranuar i këtij fenomeni daton që në mesjetë, nga kalvinizmi, një degë e protestantizmit, e cila dikton se qytetarët e sinqertë nuk kanë asgjë për të fshehur dhe se perdet në dritare mund të tregojnë të kundërtën. Holandezët i përmbahen kësaj, duke besuar se një pamje e lirë e shtëpisë së tyre dëshmon se ata nuk kanë sekrete.

Padyshim, miti më popullor daton në kohën kur burrat kalonin shumë kohë në det, larg shtëpisë dhe larg grave të tyre. Perdet e hapura siguruan që këto zonja të vetmuara të mos bënin asgjë “të gabuar” derisa burrat e tyre ishin larg.

Perdet e mbyllura ngrinin dyshime, ndërsa perdet e hapura ruanin nga çdo thashetheme.

Ekziston edhe një histori që ata nuk vendosin perde në dritare sepse duan t’u tregojnë të tjerëve se sa të pasur janë dhe ata e konsiderojnë shtëpinë një prezantim të qëndrueshëm të kësaj.

Tendencat në dizajnin e brendshëm sigurisht që po ndryshojnë, ndaj sot ka disa dritare me perde, por në përgjithësi ky rregull i pazakontë ka mbetur në zbatim te holandezët. / KultPlus.com

Së shpejti në BKK shpaloset ekspozita me karakter bamirësie, “Art për të gjithë”

‘Education Code’ përmes projektit “Art për të gjithë” organizon ekspozitën e veprave të artit figurativ të punuara nga nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës.

Veprat e këtyre artistëve nga Komuna (të cilët vijnë nga familjet të cilat jetojnë nga skemat sociale), do të paraqiten në ekspozitën e quajtur “Art Për të Gjithë” dhe do të jenë në shitje. Të hollat e mbledhura nga veprat e shitura do të dedikohen po për ata artistë dhe nxënës të tjerë të cilët janë nga po ajo kategori. Kjo do të ju ndihmojë atyre që të marrin pjesë në eventet e radhës të organizuara nga shkollat së bashku me fëmijët e tjerë siç janë vizitat në Brezovicë dhe të aktivitete të tjera të cilat shkollat do të organizojnë dhe të cilat janë të papërballueshme për ta.

Ekspozita mbahet më 16 Shkurt 2023 në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.

Çmimi bazë për çdo vepër do të jetë 30 euro. / KultPlus.com

Si në legjendat arnaute

Poezi nga Argëzon Sulejmani

Kam ngjy thonjtë në vjollce, nanë
Dua fort me i pri beharit
Të ngutet fill pas meje, nanë
Mu në vlugun e acarit.

Nuk janë thonj çulli, loke
Lumi i kuq nuk stepet kurrë
Janë gishtërinj nuseje, loke
Duar që babën e bajnë gurë.

Gurë mbi kokën time, bac
Një kështjellë me atribute
Bëhesh log i çikës, bac
Si në legjendat arnaute

Në ta nxiva xhanin, nëno
Dhe për mua hanën lute
Qiejsh e gjejë gjininë, nëno
Si në legjendat arnaute. / KultPlus.com

Nesër mbahet edicioni i parë i festivalit “Uni Fest”

Nesër me fillim nga ora 18:30 në Sallën e Kuqe mbahet edicioni i parë i festivalit ‘Uni Fest’ organizuar nga ‘Optima – OPT’ dhe ‘Cult Club’.

Ojq Optima ka filluar edicionin e parë të festivalit “Uni Fest” i cili ka për qëllim promovimin dhe përkrahjen e studentëve të Kosovës dhe më gjerë.

Edicioni i parë ka për qëllim promovimin e artistëve të rinjë dhe përkrahjen ndaj zhvillimit të mëtutjeshëm të tyre. Fuqizimi dhe përkrahja e rinisë fillon tani, andaj përkrahni të rinjtë me pjesëmarrjen.

Ky event është krijuar në partneritet me organizatën “Cult Club” organizatë kjo e mirë njohur për kulturë dhe investimin që bën në ngritjen e artit në Kosovë.

Eventi mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komuna e Prishtinës – Drejtoria e Kulturës. / KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizojnë koncert solemn më 16 shkurt

Në kuadër të kalendarit kulturor në shënim të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë organizojnë koncert solemn më 16 shkurt 2023 prej orës 18:00 në sallën AMC (Rr. Cerriku 15000 Mazgit, Obiliq / Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë).

Në këtë koncert do të interpretohet vepra “Hyland Mass Op. 130” e kompozitorit nga Malta Joseph Vella në dirigjimin e mjeshtrit amerikan David Hayes.

Në rolin e solistëve do të prezantohen solistë nga Filharmonia e Kosovës dhe Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri); sopranoja Adelina Paloja, altoja Françeska Pjetri, tenori Klodian Kaçani, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni, sopranoja Arta Jashari dhe Nard Gllavurda (nga kori i fëmijëve “Okarina”).

Koncerti është përkrahur nga Jim Xhema dhe mbështetjen e Christopher Hyland si dhe institucioneve dhe partnerëve: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, UBT, Vatra, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Rezervimet: bit.ly/3S28wOM / KultPlus.com

Katër vite nga vdekja e gjuhëtarit dhe intelektualit, Idriz Ajeti

Më 13 shkurt të vitit 2019, në moshën 102-vjeçare, është ndarë nga jeta albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, akademik Idriz Ajeti.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si deh anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Idriz Ajeti, lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit është një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. / KultPlus.com

Elina Duni dhe Rob Luft me koncert special në Prishtinë

‘Music Export Kosovo’ në bashkëpunim me ‘RAVE Production’ dhe ‘AMC Corporation’ prezanton një koncert special më 17 Shkurt me të talentuarit si: Elina Duni dhe Rob Luft, për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në AMC Hall.

Koncerti mbështetet nga ProCredit Bank dhe do të filloj nga ora 21:00 në AMC Hall, më datë 17 shkurt.

Mbrëmja do të zgjerohet më tej me një performancë speciale pas koncertit me ‘Soulmate’ nga Kasheme. / KultPlus.com

Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë, Baleti Kombëtar i Kosovës vjen me dy shfaqje

Në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, do të interpretoj në dy qytete të Kosovës.

Më datë 15 shkurt luhet shfaqja “Sisters” me koreografi nga Mehmet Balkan në “Teatrin e Qytetit” në Gjilan, duke filluar nga ora 20:00.

Ngjarja tjetër mbahet më 18 shkurt. Është pikërisht shfaqja “Exil” me koreografi nga Eno Peçi që do të luhet në shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë me fillim nga ora 19:00. / KultPlus.com

Magjia e këngës “Due vite” nga Marco Mengoni që triumfoi në Sanremo 2023 vjen edhe në shqip (VIDEO)

Marco Mengoni është fituesi i Festivalit ‘Sanremo 2023’. Kënga e tij “Due vite” u rendit e para ndër 28 këngët konkurrente. Vendin e dytë e zuri Lazza, të tretin Rain, të katërtin Ultimo, të pestin Tananai. Kjo është fitorja e dytë për Megonin, pas asaj të vitit 2013 me “L’essenziale”, shkruan KultPlus.

Emocionet pushtuan Mengonin, ku nuk munguan as lotët. Kantautori 34-vjeçar ia kushtoi çmimin të gjitha grave, kjo për shkak se asnjë këngëtare nuk u nonimua në pesëshen finale.

Për Super-finalen, votimi u përbë nga 34% televotim, 33% juria e shtypit (TV dhe shtyp, radio, media online) dhe 33% sondazhe publike. Me këtë u formua një renditje e re për pesëshen finale, ku Marco Mengoni siguroi fitoren me këngën e tij “Due vite”.

Kjo nuk është befasi pasi Marco Mengoni ishte kryesuesi në një sondazh për atë se kush menduan njerëzit se duhet të fitonte.

Kënga “Dy Jetë” rrëfehet nëpërmjet një skene të përditshmërisë me ç’rast shpaloset një histori dashurie pa ngjyrë, e cila i reziston vështirësive të hasura ndër vite. Kënga flet për një dashuri të përbërë nga ulje-ngritje, ngjarje të mëdha dhe gjëra të vogla. Tekstit nuk i mungon dëshira për t’u izoluar nga bota, ndonjëherë, për të reflektuar dhe për të sjellë rregull në kaosin mes punës dhe angazhimeve private.

Më poshtë KultPlus ua sjell përkthimin e këngës “Due vite”, përkthim ky që vjen nga Aida Baro:

Dy jetë – Marco Mengoni
(Fituesi i festivalit të Sanremo-s, 2023)

Jemi të vetmit zgjuar n’univers
Ende s’e njoh mirë shkretëtirën tënde
Ndoshta është në një cep të zemrës sime
Ku dielli është shuar përgjithnjë
Ku herë-herë të humbas
Por nëse dua, prapë të gjej.
Kemi ngecur në një kohë të tillë
Që ngre rrugët
Me qiellin një hap larg prej këtu
Jemi përbindëshat dhe zanat
Duhet të të marr në telefon,
Të të them gjithë çka ndiej
Por shfajësimet më kanë mbaruar
As mbrojtje më nuk kam.

Jemi një libër në dysheme
Në një shtëpi bosh
Që duket si jona.
Kafeja me limon
Ilaç për hangover
Dukesh si një foto flu.
Dhe u palluam sërish një natë
Jashtë lokalit
Dhe mirë që ndodhi.

Në qoftë e fundit
Këngë e pastaj hëna do të shpërthejë
Do të jem aty për të t’thënë që gabohesh,
Gabohesh dhe ti e di
Këtu muzika nuk mbërrin
Dhe ti nuk fle
E ku do të jesh?
Ku shkon
Kur pastaj jeta e tepron
Gjithë rendjet, shpullat, gabimet që bën
Kur diçka të trazon
Fundja e di që ti nuk fle, fle, fle, fle kurrë nuk fle
Si vërtiten kështu dy jetë

Jemi të vetmit zgjuar në univers
Që ulërijmë zemërimin tonë mbi një çati
Se askush nuk ndihet kështu
Se askush nuk i shikon më filmat
Lulet në dhomën tënde
Bluzën time metalike

Jemi një libër në dysheme
Në një shtëpi bosh
Që ngjan si jona.
Humbur mes njerëzish
Sa fjalë
Pa marrë kurrë një përgjigje
Dhe u palluam sërish një natë
Jashtë një lokali
Dhe mirë që ndodhi.

Në qoftë e fundit
Këngë e pastaj hëna do të shpërthejë
Do të jem aty për të t’thënë që gabohesh,
Gabohesh dhe ti e di
Këtu muzika nuk mbërrin
Dhe ti nuk fle
E ku do të jesh?
Ku shkon
Kur pastaj jeta e tepron
Gjithë rendjet, shpullat, gabimet që bën
Kur diçka të trazon
Fundja e di që ti nuk fle

Fike dritën, edhe pse nuk do
Të rrimë në terr mbështjellë
Vetëm nga tingulli i zërit
Përtej marrëzisë që vallëzon në çdo gjë
Dy jetë shih ç’lëmsh

Në qoftë e fundit
Këngë e pastaj hëna do të shpërthejë
Do të jem aty për të t’thënë që gabohesh,
Gabohesh dhe ti e di
Këtu muzika nuk mbërrin
Fundja e di që ti nuk fle, fle, fle, fle kurrë s’fle
Si vërtiten kështu dy jetë

Dy jetë…

Më poshtë KultPlus njashtu ua sjell këngën zyrtare të lëshuar nga këngëtari në kanalin ‘YouTube’ si dhe variantin live të natës së katërt të festivalit Sanremo. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=22j9PFapRKg

120 vite nga lindja e shkrimtarit të njohur belg, Georges Simenon

Georges Simenon, një nga shkrimtarët më të famshëm belgë, lindi më 13 shkurt 1903. Bën pjesë tek pesëmbëdhjetë shkrimtarët më të përkthyer në botë dhe ka mbi 500 punime, përfshirë romane, tregime të shkurtra, kujtime, koleksione artikujsh, shkrime dhe tekste të ndryshme botuar me pseudonime.

Që në fëmijëri, Simenon përjetoi konflikte sociale dhe kulturore, që reflektonin shtresat e ndryshme sociale të prindërve. Ishte person që pëlqente të provonte dhe ta sprovonte veten. Ulej të punonte në të gdhirë, i “armatosur” me 20 lapsa të mprehur mirë e 12 llulla, përdorimi i të cilave e ndihmonte të përqendrohej e të shmangte ndërprerjet e mundshme. E rëndësishme ishte ta tregonte historinë me një frymë, duke shmangur stukimet formaliste.

Ai kishte fatin e klasikëve: i lexuar pak nga kritikët, por i cituar në çdo deklaratë; i zhvatur nga të gjithë dhe përfundimisht i panjohur. Për punën e tij fliste si “gjysmë-letërsi”. Fillesat e karrierës i pati në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, duke punuar për një gazetë në Liege, qytetin e tij të lindjes, ndërsa shkrimin e filloi pasi u transferua në Paris. Historitë dhe romanet që u botuan për herë të parë në emrin e tij kishin të bënin me ngjarjet e komisarit francez Zhyl Megre, të shkruara që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar.

Personalitet i shqetësuar, Simenon u martua dy herë; kishte marrëdhënie të ndryshme dhe, mbi të gjitha, shumë herë ndryshoi qytete dhe shtete. Me një stil të thjeshtë dhe në të njëjtën kohë të dendur dhe plot tension, puna e tij aspironte të zbulonte njeriun përtej maskave të tij të panumërta.

“Meqë koha maksimale që më merr një roman është njëmbëdhjetë ditë, kjo më kushton 55 ditë punë në vit, për pesë romane”, shprehet Simenon.

Ishte adhurues i festave mondane, nga ku mori edhe frymëzimin e krijimit të personazhit Zhyl, tregimet e të cilit do të marrin si dekorim Parisin e zi të viteve 1930.

I përshkruar shpesh si njeri shumë elegant, i kushtonte vëmendje të veçantë veshjes, e cila përbëhej nga lloje të panumërta pantallonash, xhaketash, këmishash dhe më shumë se gjashtëdhjetë palë këpucë, të gjitha të punuara me dorë. Dhomë e veshjes ishte në të katër anët me pasqyra, kështu që mund ta vëzhgonte veten në veshjen e tij nga të gjitha këndet. Louis Vuitton e ka renditur Simenon si një nga klientët më besnikë. Veshja është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm në trillimet e Simenon. Përshkrimet e hollësishme të veshjeve të inspektorit Megre, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij personazhi.

“Unë shkruaj shpejt, sepse nuk kam mendje të shkruaj ngadalë”, thotë autori.

Simenon zakonisht shkruante 6,000-8,000 fjalë në ditë, ose 60 deri në 80 faqe dhe i duheshin afërsisht 11 ditë për të përfunduar një roman.

Në moshën 70-vjeçare ai ndaloi së shkruari romane. Vdiq më 4 shtator 1989./ KultPlus.com

‘Frytet më të ëmbla i kanë drunjtë që rriten ngadalë’

Dhjetë thënie nga dhjetë personalitete të njohura.

“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk e ekziston vërtetë, ne e krijojmë atë. Ajo që nuk ekziston është vetëm diçka që nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.”
– Franz Kafka

“Duhet vetëm një minutë për të të ngazëllyer dikush, një orë për të të pëlqyer dikush dhe një ditë për ta dashuruar dikë… por duhet një jetë për ta harruar dikë.”
– Kahlil Gibran

“Poezia është më afër të vërtetës njerëzore se sa historia.”
– Platoni

“Gratë e padashuruara nuk kanë biografi, ato kanë vetëm histori.”
-F. Scott Fitzgerald

“Për aq kohë sa i besoni vetes, ju do të dini si të jetoni.”
– Gëte

“Në qendrën më të thellë të qënies tonë, ne jemi krijesa shoqërore. Mendimi se dikush mund të fillojë diçka nga e para, i lirë nga e kaluara, ose pa qenë borxhli ndaj askujt, nuk mund të ketë imagjinim më të gabueshëm”
– Karl R. Popper

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurt.”
– Arthur Schopenhauer

“Frytet më të ëmbla i kanë drunjtë që rriten ngadalë.”
– Molière

“Nuk besoj që ekziston ndonjë kualitet më esencial për çdo lloj suksesi se sa këmbëngulja. Ajo tejkalon pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën.”
– John D. Rockfeller

“Janë tre gjëra të cilave çdo njeri i mençur u frikësohet: detit me stuhi, natës pa hënë dhe zemërimit të njeriut të butë.”
– Patrick Rothfuss. / KultPlus.com

Anna Oxa dhe Iljard Shaba, dy shqiptarë me një performancë të paharrueshme në “Sanremo 2023” (VIDEO)

Festivali ikonik i Sanremos ka përfunduar për këtë vit, dhe është një nga ato për t’u mbajtur mend! Me pesë netë të përbërë nga shfaqje të panumërta, akte të dukshme, të qeshura, kujtime. Marco Mengoni qe ai që u shpall zyrtarisht fituesi i Festivalit të 73-të vjetor së Sanremo-s me këngën e tij “Due vite”. Festivali shënoi një rekord teleshikueshmërie e ndjekësish në rrjetet sociale sa nuk shihej prej viti të largët 1995. Ndërsa, për sa i përket natës së katërt të këtij festivali, KultPlus ju sjell në vëmendje interpretimin e rrallë të dy artistëve shqiptarë, Anna Oxa e Iljard Shaba, që rrëmbyen vëmendjen e të gjithëve në skenën italiane, shkruan KultPlus.

Iljard Shaba, një artist i vogël, shumë i njohur në botën e muzikës në Shqipëri, është një violonçelist profesionist, si dhe një interpretues DJ. Ai studioi muzikë në universitet dhe që nga mosha 16 vjeçare ai përsosi teknikën e tij me violonçelin. Falë një talenti të jashtëzakonshëm dhe një stili unik, ai ka qenë në gjendje të luajë në koncert në shumë vende të botës për më shumë se dhjetë vjet, me një repertor të përbërë nga muzika klasike, xhazi, muzika latine dhe gjithashtu këngë të tjera popullore.

Në Itali ai u bë i njohur si protagonist i dueteve në “Sanremo 2023” me Anna Oxa. Me këtë rast të dy kanë zgjedhur të ribënin kryeveprën “Un’emozione da poco”. Dyshja kanë interpretuar së bashku këngën me të cilin dikur këngëtarja me origjinë nga Kruja ishte prezantuar në festivalin e famshëm italian, në vitin 1978.

Këngëtarja Oxa numëron 15 pjesëmarrje në Sanremo dhe zëri i saj mahnitës nuk i është zbehur aspak.

Dy shqiptarë në skenën e Sanremo-s patjetër që kanë zgjuar emocione të forta, si një dyshe që do mbahet mend gjatë. Më poshtë KultPlus ua sjell performancën energjike dhe tejet të bukur të tyre.

Kujtojmë se në këtë “Sanremo” u shënua rikthimi i shumë emrave të njohur të muzikës italiane si Gianluca Grignani, Giorgia, Paola&Chiara, I Cugini di Campagna etj. / KultPlus.com

Anna Oxa dhe Iljard Shaba në ‘Sanremo 2023’ (Foto: Daniele Venturelli/Daniele Venturelli/Getty Images)

Vdes shkrimtari dhe përkthyesi Petraq Kolevica

Shkrimtari, përkthyesi dhe arkitekti i njohur, Petraq Kolevica, sot u nda nga jeta. Lajmin e bëri të ditur Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT, në Tiranë.

“Me keqardhje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta arkitekti i mirënjohur Petraq Kolevic. Fau shpreh ngushëllimet e përzemerta familjes dhe të gjithe komunitetit të arkitekteve për këtë humbje të madhe të një prej Mjeshtrave te Modernizmit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e postuar në faqen në Facebook të këtij fakulteti.

Petraq Kolevica, lindi nё Korçё me 11.01.1934, kreu shkollёn fillore dhe gjimnazin nё Korçё. Gjimnazi i Korçёs ishte pasardhёs i Liceut francez dhe disa nga profesorёt e mёparshёm vazhdonin tё jepnin mёsim atje.

Ndёr tё tjera ishin kёta mёsues qё ngjallёn tek Petraqi interesin dhe dashurinё pёr artin e sidomos pёr poezinё. Nё atё kohё pati kontakte edhe me piktorёt Vangjush Mio e Vangjush Tushi qё ndikuan shumё nё formimin e tij.

Studimet pёr inxhinieri ndёrtimi i kreu nё periudhёn 1952-1957 nё Universitetin politeknik tё Tiranёs. Punoi shumё vite si inxhinier dhe arkitekt. Gjatё gjithё veprimtarisё si arkitekt ai u mundua tё projektonte ndёrtesa moderne dhe funksionale. U kritikua shumё herё pёr ndikime tё huaja nga partiakёt e asaj kohe.

Mbas njё fjalёkёmbimi me Enver Hoxhёn nё ekspozitën “Shqipёria Sot” u dёrgua pёr tё punuar si teknik ndёrtimi nё Valias. Qё nga ajo kohё pothuajse nuk punoi mё si arkitekt. Jetёn e tij si inxhinier dhe arkitekt e ka pёrmbledhur nё librin “Arkitektura dhe diktatura”. Qё nё rininё e hershme interesohej pёr poezinё. Nё vitet ’60-tё, botoi pёrkthimin e poemёs “Demoni” tё Lermontovit, qё u prit shumё mirё nga lexuesi i atёhershёm. Nё vitin 1986, botoi librin me pёrkthime nga gjermanishtja “Poezi gjermane dhe austriake”.

Ështё ndër të vetmit qё ka pёrkthyer poezi klasike japoneze, ndonёse jo nga origjinali. Nё kohёn e demokratizimit tё Shqipёrisё kontribuoi si deputet nё parlamentin e parё pluralist tё Shqipёrisё dhe si pjesëtar i kёshillit botues tё gazetёs “Rilindja Demokratike”. Nё vitet e mёvonshme, pёr shkak tё njё sёmundjeje tё rёndё, ai u tёrhoq nga politika aktive, por ka shfaqur shpesh mendimin e tij nё gazeta tё ndryshme.

Nё vitin 1992, u botua vёllimi i parё me poezi “Kёngё nga koha e keqe”. Poezi tё shkruara mё parё prej tij por tё pabotuara deri atёherë. Kuptohet pёr arsye tё pёrmbajtjes. Mё vonё botoi dhe vёllime tё tjera me poezi. Sё fundi mё 2013, pёrmblodhi poezitё e tij origjinale nё dy vёllime “Tё korrat e vona”. Tё rёndёsishme nё krijimtarinё e tij janё edhe librat pёr Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, tё cilёt i pati njohur personalisht dhe e lidhte njё miqёsi e ngushtё. / KultPlus.com

Koncerti “Nga Bjeshkët” në Filharmoninë e Berlinit

Këngët me motive shqiptare dhuruan shumë emocione për audiencën berlineze. Performanca e Korit Siparantum nga Peja në Filharmoninë e Berlinit, përmes koncertit “Nga Bjeshkët”, kaloi nëpër zhanre të shumta.

Ata performuan laramani vepra të periudhave të ndryshme solistike, që nga muzika e renesancës deri tek muzika bashkëkohore, përfshi vepra të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë.

Koncerti u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin dhe CHORALSPACE – International Academy for Choral Arts në prag të festimit të përvjetorit të 15-të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

8 milionë euro grante për kulturën në Ballkanin Perëndimor

Të gjithë aktorët e industrisë kreative, artistë, operatorë kulturorë dhe mediatikë lokalë kanë sot një mundësi më shumë për mbështetje.

Nën praninë e përfaqësuesve të European Union in Albania, UNESCO-s, Ambasadës së Britanisë së Madhe, Italisë, Cooperazione Italiana dhe British Council u hap thirrja për mbështetje përmes grantesh, “Culture and Creativity for the Western Balkans”.

Lajmin e dha ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një postimi në rrjetet sociale. Margariti tha se, Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion një buxhet prej 8 milionë eurosh për zhvillimin e industrisë kreative në vende si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Kjo thirrje i bashkëlidhet politikave të Ministrisë së Kulturës për të mbështetur skenën e pavarur artistike, artizanët dhe industrinë kreative.

Çdo projekt mund të mbështetet me një fond prej 80 mijë eurosh dhe kohëzgjatja e projektit mund të jetë 3-18 muaj.

Afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve është data 31 mars 2023./ atsh / KultPlus.com

Cineplexx dërgon dy çifte në Stamboll për Valentine’s Day!

Për ditën më romantike të vitit, Cineplexx në bashkëpunim me Fibula Travel Agency organizojnë lojë shpërblyese, ku do t’i dërgojnë dy çifte fatlum për pushim në Stamboll, dorën n’xhep pa e shti!

https://www.instagram.com/p/CofinPzIcii/

Të gjithë çiftet që blejnë bileta për eventin “Valentine’s Day”, do të futen në garë për të fituar një pushim në Stamboll në hotelin Ring Stone Hotels Bosphorus me pamje nga deti mundësuar nga Fibula Travel Agency. Loja do të vlejë në të dy kinematë e Cineplexx, Prishtinë dhe Prizren, ku në secilën kinema do të zgjedhet nga një çift fatlum.

Disa nga filmat më të fundit dhe më të shikuar që mund t’i shikoni gjatë kësaj dite janë:

Gerade als Rose (Kate Winslet) den Entschluss fasst, in Amerika mit Jack (Leonardo DiCaprio) von Bord zu gehen, kollidiert die Titanic mit einem Eisberg und beginnt zu sinken.

Titanic Re-Release
Romancë/ Dramë

Titanic rikthehet në kinema për të festuar 25 vjetorin e tij. Filmi, i cili tregon udhëtimin fatkeq të anijes së ëndrrave, u shfaq premierë në vitin 1997. Titanik kaloi 15 javë në krye tek arkat filmike dhe fitoi 11 Oscar. Ngjarja e filmit flet për një aristokrate shtatëmbëdhjetë vjeçar bie në dashuri me një artist të sjellshëm, por të varfër në bordin e anijes luksoze, fatkeq R.M.S. Titaniku. Aktorët kryesor në këtë film janë Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Adnan Kafazi
Komedi/Krim

Në barin e tyre në Meksikë, banda Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina po kalojnë kohën me të mirë të jetës pasi kanë shitur një diamant 7 milionë dollarësh. Brenda dy viteve të mungesës së tyre, në vendlindje, shfaqet një bos i ri i krimit Adnan Kafazi, i cili ka marrë udhëheqjen e nëntokës. Banda vendos të rikthehet në Kosovë mirëpo ata e kuptojnë se Adnani është shumë më i fortë se ata dhe mënyra e vjetër e luftimit të gangsterëve nuk do të funksionojë, dhe në këte mënyre rrezikojnë jetën e tyre. Filmi është i mbushur me aktorë të njohur Kosovar si Armond Morina, Armend Baloku, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, Muhamed Arifi, e shumë të tjerë duke përfshirë këngëtaren Dafina Zeqiri.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Magic Mike’s Last Dance
Komedi/Dramë

Luajtur nga aktori Channing Tatumi, Mike Lane cili del në skenë edhe një herë kur një marrëveshje biznesi që dështoi e lë atë pa para dhe duke u bërë banakier në Florida. Duke shpresuar për një turmë të fundit, Mike shkon në Londër me një socialiste të pasur, e cila e josh atë me një ofertë që ai nuk mund ta refuzojë — dhe një axhendë krejt të sajën. Me çdo gjë duke shkuar siç duhet, ai së shpejti e gjen veten duke u përpjekur të krijojë një listë të re të nxehtë të kërcimtarëve të talentuar.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplex ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.

Mbarë bota është një teatër

Nga Lev Shestov

Lev Shestov (1866-1938) është një nga figurat më të shkëlqyera të mendimit ekzistencialist, filozofi i vetmuar dhe i pavarur që vijoi në kundërrymë me konceptimet e Rusisë së epokës kur jetoi. Pas hamendësimeve racionale, ai denoncon një pozicion metafizik bazuar në dorëzimin. Për të, filozofia e vërtetë është revolta: ajo lind nga vetëdija tragjike.

Lev Shestov është filozofi që luftoi arsyen, ai u përpoq të kthehej në burimin e mendimit dhe të vinte në dyshim drejtimin që ajo merrte. Në këtë kuptim, ai ishte një antifilozof, sepse nuk reshti kurrë së luftuari traditën racionaliste në historinë e mendimit. Gjithnjë ishte paksa jashtë kontekstit: nuk ishte i krishterë, ishte brenda një filozofie fetare, por që në të vërtetë ishte formë e filozofisë ekzistenciale, ai është pararendësi i mendimit të ekzistencializmit”.

Filozofia e tij ka frymëzuar, ka motivuar dhe ka ushqyer më shumë se gjithkush mendimet e shkrimtarëve. Lev Shestov është lloji i filozofit që nuk shkon në shkollë, por që bëhet bashkudhëtar rruge. Ai frymëzoi Albert Kamynë, Bataj, Merlo-Ponti dhe Sartrë, pasi ishte pikërisht ai që e bëri të njohur Husserl në Francë. Pra, ai ishte më shumë një lundërtar dhe frymëzues, sesa model. Në formën e filozofisë së tij ekziston një lloj maksimalizmi, ndihet një burim intelektual rus, kjo formë e racionalizmit ekstrem e bën atë të mos jetë një filozof i lehtë për t’u ndjekur. Filozofi rus Lev Shestov njihet për faqet mbresëlënëse në “Filozofia e tragjedisë te Niçe dhe Dostojevski”, në “Ideja e të mirës te Tolstoi dhe Niçe” ose “Kierkegaard dhe filozofia ekzistenciale”. Nga libri i parë i autorit ndihet menjëherë theksi që vihet mbi tragjedinë, mbi ekzistencën e secilit individ, si e vetmja mënyrë për të eksploruar për filozofin, por këtu Shestov nuk niset as nga Dostojevski, as nga Tolstoi apo Niçe… por nga ai që e konsideronte atëherë si “profesorin e tij të parë të filozofisë”, Shekspirin.

“Mbarë bota është një teatër, të gjithë, burra e gra, janë aktorë”… – shprehet Shestov. Para së gjithash qasja e tij është, siç thotë ai vetë: “një kërkim i trazuar, i paduruar, i ethshëm”, i denjë për një personazh tragjik që kundërshton leximin racionalist dhe shkencor të Shekspirit, pasi dikush kundërshton domosdoshmërinë e fatit. Shestovit nuk i interesojnë ligjet, nuk është domosdoshmëria e botës së jashtme, por shansi, teatri i botës së brendshme, i cili luhet në botën shpirtërore të secilit. Objekti i filozofisë së tij: Është mirë të ndjekësh fatet e individëve deri në fund, të mësosh të shohësh jetën dhe të mos verbohesh nga mendimi, gjë që lejon vetëm tragjedinë, e cila të mundëson të zbulosh vetëm një Hamlet në gjendje të meditojë, por të paaftë për ta parë jetën ashtu siç është./hejza / KultPlus.com

Arabia Saudite do të dërgojë gruan e parë në hapësirë

Arabia Saudite do të dërgojë gruan e parë astronaute në hapësirë, në një mision më vonë gjatë këtij viti, raportoi media shtetërore.

Ky vendim po shihet si një përpjekje për të përmirësuar imazhin ultra-konservator të kësaj mbretërie.

Rayyana Barnawi do t’i bashkohet astronautit saudit, Ali Al-Qarni, në misionin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës “gjatë çerekut të dytë të vitit 2023”, raportoi agjencia Saudi Press.

Astronautët “do t’i bashkohen ekipit të misionin të hapësirës AX-2” dhe nisja e tyre do të bëhet “nga Shtetet e Bashkuara”, tha agjencia.

Ky shtet do të ndjekë hapat e fqinjit të tij, Emirateve të Bashkuara Arabe, që më 2019 u bë shteti i parë arab që dërgoi qytetarë në hapësirë.

Atëbotë, astronauti Hazzaa al-Mansoori qëndroi për tetë ditë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Edhe një shtetas i Emirateve, Sultan al-Neyadi, po ashtu do të udhëtojë drejtë hapësirës më vonë gjatë këtij muaji.

Lideri de-fakto i Arabisë Saudite, Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka tentuar që të përmirësojë imazhin e mbretërisë, duke shtyrë përpara reforma.

Që kur erdhi në pushtet më 2017, gratë janë lejuar që të vozisin dhe të udhëtojnë jashtë vendit pa u shoqëruar nga burrat. Po ashtu, pjesëmarrja e tyre në tregun e punës është dyfishuar, nga 17 në 37 për qind. /REL/ KultPlus.com

Nënshkruhen marrëveshjet për mbështetje në vlerë prej 1.2 milionë euro të 19 kuzhinave popullore

Në vazhdën e angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e mirëqenies sociale në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për të tretën herë radhazi po mbështet financiarisht organizatat joqeveritare që ofrojnë shërbime të kuzhinave popullore.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe parasheh mbështetjen e 19 organizatave humanitare me 1.2 milionë euro, të cilat do të ofrojnë shujta falas për familjet më në nevojë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri Kurti tha se “kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë”.

Ministri Murati në anën tjetër vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm me organizatat humanitare, duke thënë se “masa 3.4 fillimisht është pilotuar për të parë nëse organizatat humanitare kanë nevojë për mbështetje nga shteti, dhe si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm që kemi pasur deri më tani, jemi të lumtur që edhe këtë vit po vazhdojmë që përmes jush të zgjasim dorën e shtetit te familjet që kanë më shumë nevojë”.

Deri më tani, organizatat përfituese nga ky lloj i mbështetjes kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore, ndërkaq në pranverë të vitit të kaluar, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e politikave që kanë për synim mbështetjen e familjes, ngritjen e mirëqenies dhe qasjen më të lehtë në shërbime sociale për të gjithë qytetarët. / Express / KultPlus.com

Mos dashuro të gjysmë dashuruar


Poezi nga Khalil Gibran – (Do not love half lovers)
Përktheu: Guri K. Buza


Mos dashuro të gjysmë dashuruar
Mos zbavit gjysmë shokë
Mos shijo vepra të të gjysmë talentuarve
Mos jeto një gjysmë jete  
dhe mos vdiq një gjysmë vdekje
Nëse zgjedh heshtjen, atëherë ji i heshtur
Kur të flasësh, vazhdo deri sa ta përfundosh
Mos e hesht veten për të thënë diçka  
Dhe mos fol për të qenë i heshtur
Nëse e pranon, atëherë shprehe troç
Mos e mbulo
Nëse e refuzon, atëherë të jesh i qartë
se një refuzim i dyshimtë
nuk është veçse një pranim i dobët  
Mos prano një gjysmë zgjidhje
Mos beso në gjysmë të vërteta
Mos ëndërro një gjysmë ëndrre
Mos fantazo për gjysmë shpresa
Gjysmë gote nuk do të ta shuaj etjen
Gjysmë vakti nuk do të të ngop
Gjysmë rruge nuk do të të shpie gjëkundi
Gjysmë ideje do të të lërë pa rezultat
Gjysma jote tjetër nuk është ajo që e dashuron
Je ti në një kohë tjetër por në të njëjtën hapësirë
Je ti, kur ti nuk je
Gjysmë jete është një jetë që s’e ke jetuar
Një fjalë që nuk e ke thënë
Një buzëqeshje që e ke vonuar
Një dashuri që nuk e ke pasur
Një shoqëri që nuk e ke njohur
Të zgjatesh dhe të mos arrish
Të punosh dhe të mos punosh
Të marrësh pjesë vetëm që të mungosh
Çfarë të bën të huaj tek më të afërtit e tu
dhe ata të huaj tek ti
Gjysma është veçse një moment paaftësie
por ti je i aftë se ti nuk je një gjysmë qenie
Je një tërësi
që ekziston ta jetosh një jetë
jo një gjysmë jete. / KultPlus.com

Ditë zie kombëtare në solidaritet pas tërmetit në Turqi, flamujt në gjysmështizë

Sot flamujt kombëtarë janë ulur në gjysmështizë, në të gjitha institucionet shtetërore në ditën e zisë kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.

Vendimi u mor nga qeveria shqiptare në shenjë solidariteti edhe me Turqinë mike, e cila iu gjend pranë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian”, u shpreh presidenti Bajram Begaj, në një postim online, duke shtuar edhe se shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama ka postuar foton e flamurit në gjysmë shtizë, përpara Kryeministrisë. Gjithashtu edhe institucionet e tjera, i janë bashkuar heshtjes së dhimbjes për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.

“Le të bashkojmë lutjet tona për popullin turk dhe atë sirian, që sot po përballen me një tragjedi të jashtëzakonshme!

Le të shërbejë si një ditë solidariteti dhe reflektimi për jetën”, ka shkruar sot, ministrja e Kulturës, Margariti, ndërkohë që institucione të tjera kanë ftuar qytetarët që më vonë të bashkohen në një ceremoni përkujtimore, duke ndezur qirinj për shpirtrat e humbur në këtë tragjedi.

Mbi 37 mijë viktima janë konfirmuar deri më tani në Turqi dhe Siri. Çdo orë që kalon rrit numrin e jetëve të humbura si dhe ul mundësitë për gjetjen e të mbijetuarve./ atsh / KultPlus.com

Programimi – Profesioni i së ardhmes

Programimi është një ndër fushat më të rëndësishme, më interesante dhe më komplekse e shkencave kompjuterike, programimi është një proces kreativ që udhëzon një kompjuter se si të bëhet një detyrë, është procesi i transformimit të ideve në një gjuhë të cilën kompjuteri e kupton.

Sot jeta njeriut ka marr një kuptim tjetër, një kahje tjetër për shkak të zhvillimit teknologjik, e ky zhvillim është i bazuar në programim.

Programimi është kreativitet: nuk ka asnjë mënyrë të drejtë ose të gabuar për të zgjidhur një problem, në të njëjtën mënyrë, siç nuk ka asnjë mënyrë të drejtë ose të gabuar për të pikturuar një fotografi, ka zgjedhje që duhen bërë dhe ndonjëherë një mënyrë mund të duket më e mirë se tjetra, por kjo nuk do të thotë se tjetra është e gabuar! Me aftësitë dhe përvojën e duhur, një programues mund të krijojë softuer për të zgjidhur një numër të pakufizuar problemesh.

Vendet e punës në këtë profesion po rritën çdo ditë e më shumë, e pagat janë më sfidueset në tregun e punës.

Kolegji Universum e ofron këtë program me profesorët më inovativë dhe një syllabus të mbushur me projekte reale.

Kape tregun dhe studio profesionin e të ardhmes! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni  Kolegjin Universum  në  facebook  &  Instagram .

Richard Wagner, “djalli” që solli engjëlloren nga ferri në muzikë, gjeniu që u përpëlit gjatë në kryqin e anatemës

Richard Wagner ishte një kompozitor, regjisor teatri dhe dirigjent gjerman i cili ofroi prej shpirtit të tij të gjëmimshëm më së shumti vepra për operat dhe dramat e tij muzikore.

Gjatë gjithë karrierës së tij ai u ndesh me shumë polemika. Marrëdhëniet e tij të shthurura të dashurisë dhe kompozimet polemike, mblodhën admirim dhe antagonizëm. Ai kompozoi vargje kundër besimeve popullore dhe i bëri ato të interpretoheshin në teatrot popullore. Falë ideve të tij romane solli finesë krijuese në ‘dramat muzikore’ komplekse si ‘Ring Cicle’. Ndryshe nga disa kompozitorë apo regjisorë të tjerë teatrale të kohës së tij, Wagner jo vetëm shkroi libreton, por edhe kompozoi muzikë për shfaqjet e tij. Në pjesën e mëvonshme të karrierës krijuese ai përsosi më tej me veprat e tij duke drejtuar dhe kompozuar orkestrimin e vështirë.

Richard Wagner ishte një gjeni atipik. Shënjohet në artin gjermani si një i talentuar dhe virtuoz, por kjo as që ndikoi që ai të ishte ndryshe ngase donte ai shpirt rebel, i shumëdebatuar dhe jo pak herë i keqkuptuar?! Ishte ndoshta i vetmi ndër kolosët e muzikës klasike dhe asaj operistike, gjenialiteti i të cilit u përpëlit në kryqin e anatemës. As fama nuk mundi ta ulte më që andej, por e ngjiti në qiell si “djallin” që solli nga ferri engjëlloren e muzikës. Gjithnjë pararendësit, nismëtarët, filluesit e një etape ndryshimesh të mëdha, marrin si shpërblesë një mësymje shkatërruese. Ende vërtitet edhe sot e kësaj dite se ku e ngjynte gjithë kjo hakërri majën e gjuhës në helmin e antisemitizmit apo të kapërthimeve të thekshme psikologjike, me të cilat ai e ushqeu këtë uragan të krijimtarisë muzikore.

Kompozitorit gjerman, Richard Wagner, u lind më 22 maj 1813. Ai ishte dhe mbeti një fenomen artistik, një shkundullimë e kijametshme e asajkohje dhe përmendje e njeriut si shkëndi në barutin e shpërthimeve. Të admiruarin e “të krisurve”, shtjellat e kritikës, rrapëllimat e kohës, do ta vendosnin, në Olimpin e Perëndive të muzikës dhe kompozimit. Edhe pse lindi në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani, ai u akuzua si antisemit. Kjo damkë me gjas i’u hodh përsipër këtij shpërthimi drite si një mantel i rëndë dhe i zi anateme, vetëm e vetëm se muzika që ai kompozoi kishte një admirues të gabuar, Adolf Hitler.

Madhështor në dimensionin më të pakapshëm, dramatik dhe tragjik në zenit të aftësisë perceptuese dhe përjetuese, harmonik dhe i debatueshëm njëherësh, zot dhe djall. Ai guxoi të ishte krejt tjetërçka. Edhe sot Richard Wagner kompozitor, vazhdon të frymëzojë dhe të ngjallë debate të ashpra për kumtin artistik, për kumbimin brendandjesor, për kremtimin ideor dhe estetik. Asgjë nuk është rastësore në këtë përballje dhe kacafytje titanësh. Ai erdhi për të qenë një rrufe shigjetare në qiellin e marazur prej reve të absurdit dhe një nevoje të kohës për tu hedhur në zjarrin e transformimit. I’a lejoi vetes dhe mishëroi deri në grahmën e fundit të shtrëngatës muzikore, shpirtin e tij të stuhishëm, vullnesën trandjes nga themelet të njeriut opak, të kësaj krijese që zvarritej. Ai kushtronte me artin e tij. Nëpërmjet muzikës Wagner përpiu krejt kohën dhe vetë koha ishte ai, në intensitet jetësimi të së tashmes, në kurajo gladiatori për tu ndeshur me veten me realitetin, dhe për të fituar njeriun. Veprat e Wagnerit kanë një intensitet të jashtëzakonshëm dhe një besueshmëri të jashtëzakonshme psikologjike. Mënyra e tij e kompozimit depërton menjëherë në ndjenjat tona. Dhe meqë jemi mësuar tani me muzikën e filmave dhe televizionit, muzika e tij na prek edhe më drejtpërdrejt. Sepse kjo lloj muzike mbështetet shumë tek Wagneri.

 Jeta e gjeniut

Wagner lindi më 22 maj në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani. Babai i tij, Carl Fredrich Wagner ishte nëpunës në polici por vdiq gjashtë muaj pas lindjes së të birit. Familja u zhvendos në Dresden ku Wagneri jetoi derisa u rikthye në Leipzig në moshën 14 vjeçare. Ai nuk shfaqi interes për shkollën, duke parapëlqyer të përqendrohej tek teatri dhe muzika. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme dhe veprash të lëna përgjysmë, opera e tij e parë e suksesshme, Rienzi u shfaq për herë të parë në Dresden në vitin 1842.

 Anatema politike

Për shkak të ideve të tij politike, ai kaloi një pjesë të mirë të jetës në mërgim. Pasi u përfshi në një kryengritje të dështuar në Dresden, ai shkoi në Paris dhe më pas në Zyrih. Wagner gjithashtu botoi artikuj antisemitistë, diçka që vazhdon ta errësojë imazhin e tij edhe sot. Por ajo që e dëmtoi më shumë reputacionin e tij ishte dashuria e Adolf Hitlerit për muzikën dhe përdorimi i kompozimeve të tij nga nazistët në fushatat e tyre propagandistike.

Eksperti Thomas Krakow këshillon që Wagneri të shihet në kontekstin e Gjermanisë së shekullit të 19-të dhe jo përmes prizmit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit. Krakow vë në dukje se Wagner vdiq gjashtë vjet para se të lindte Hitleri.

Pavarësisht nëse protestë apo entuziazëm, interesi për Wagneri, më shumë mufatet se sa shterron, duke kumtuar një nevoj të brezit për të depërtuar në ndjesitë e këtij jetësimi . Këtë vazhdon ta shpalosë rëndësia e operave të tij dhe galerisë shkëlqimtare që la në testamentin e muzikës gjermanbe dhe botërore. Vepra e tij vazhdon të përmbajë “muzikën e së ardhmes”. Duke nisur qysh nga dashuria e ndaluar e Rienzi-t, e deri tek Mjeshtrat e këngës apo Parsifali: Wagneri synon gjithmonë të nxjerrë në pah kritikën ndaj shoqërisë, utopinë e shoqërisë, ëndrrat dhe mallin, artin dhe politikën, problemet e njeriut si: seksi dhe krimi, dashuria dhe vdekja, përpjekja njerëzore për gjetjen e vetvetes, të gjitha tema këto që vazhdojnë të jenë aktuale. Vetëm më 13 shkurt 1883 kur Richard Wagner ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare, vetëm atëherë bota e muzikës dhe opera e mësoi, se me kë ishte ndarë, se çfarë kishte humbur. Përunjësisht përulemi para kësaj përmendoreje shtatlartë e këtij shkëlqimimi të thekshëm. Trandës e hakërrues për çdo plogështi që zvarret, çdo traditë që me shpirt nëpër dhëmbë kërkon të sundojë një kohë që i ka ra mohit. Përplaset pamëshirshëm me çdo barrier lirie. Flakë shtërzen prej turfullimës së nevojës përtëritëse. Lëshohet mbi muret e zëna myshk si më mraztat çjerrje e prej rrënjësh e shkul të shkuarën. Ai është zot i të tashmës së shpirtit të lindur për t’u hedhur në zjarr, vullnetit që gjallon për t’u përleshur. Cyt çdo gjëndje që rreket mëdyshjeve. Nuk ka prehje në paqe për gjeniun e luftës. Lëshoje veten në krahët e përjetimit që ai skaliti me zjarr pasioni e rufeje dhe jeto të tashmën duke u parë sy më sy me dritën.

Episode nga jeta dhe vepra

Wagner, fëmija ambicioz

Wagner ishte nëntë vjeç kur dëgjoi për herë të parë Freischut të Veberit. Kjo shfaqje i la mbresa aq të thella sa ai vendosi që të bëhej muzikant dhe të imitonte Veberin. E ëma, për të kënaqur dëshirën e tij, e çoi djalin te mjeshtri Human që të merrte mësime në piano. Kur e dëgjon Vagnerin që interpretoi plot me gabime mësuesi i inatosur tha:

– Kur të rritesh mund të bëhesh ç’të duash, po muzikant kurrë. Atëherë nëna e dërgoi te një mësues tjetër për të mësuar violinën. Por edhe ai i tha se ishte nxënësi më i keq që kishte.

– Si mund të bëhesh muzikant, – i tha e ëma, – kur nuk mund të mësosh dot asnjë instrument?

– Nuk ka rëndësi, – u përgjigj Vagneri, – unë po të them që do të bëhem muzikant dhe ke për të parë se do të bëhem.

 Kapriçot e moshës

Në rininë e tij Wagner nuk mendonte gjë tjetër veçse si të siguronte para për të luajtur me letra. Në darkë hynte në lokalin e lojës ku rrinte deri në mëngjes. Atje humbiste vazhdimisht. Nëna shqetësohej për qëndrimin e tij të padenjë dhe pikëllohej që i biri kthehej aq vonë në shtëpi. Një mbrëmje e ngarkoi të birin që t’i merrte pensionin. Me këto para ai luajti deri sa i humbi të gjitha, përveç një monedhe të vogël. E vuri edhe monedhën e fundit, por këtë herë fitoi. Fitoi edhe disa herë të tjera deri sa siguroi pensionin e nënës. Atëherë ai u betua se nuk do të luante më dhe e mbajti fjalën gjatë gjithë jetës.

Fillesat e vështira

Më 1839 një poet dhe muzikant i ri gjerman u largua nga vendi i vet dhe shkoi në Francë për të shfaqur veprat e tij me një letër rekomandimi për drejtorin e operës së Parisit.

Në këtë letër shkruheshin vetëm këto fjalë: “I dashur mik, ma hiq qafe këtë budalla”.

Dhe ky “budalla” ishte vetë Richard Wagner.

 Verdi për kryeveprën “Tristani dhe Izota” 

Giuseppe Verdi e admironte shumë operën “Tristani dhe Izota” të Richard Wagner. Ai thoshte për të:

– Përpara kësaj ndërtese gjigande rri gjithnjë me tmerr dhe me habi, dhe nuk e kuptoj sesi mund të jetë e një njeriu kjo vepër. Akti i dytë është një prej veprave më madhështore të shpirtit njerëzor.

Muzikanti dhe nëpunësi i doganës

Roshi ishte një nëpunës i varfër i doganës që e donte shumë poezinë dhe të dielën, të vetmen ditë të lirë që kishte e kalonte duke bërë vjersha kur hyri në zyrën e tij, dëgjoi një të huaj gjerman që ankohej për vonesën në doganë. Roshi ndërhyri:

– Si ju quajnë? – e pyeti të huajin.

– Richard Wagner!

– Jam i lumtur, – u përgjigj Roshi, – që i shërbej një muzikanti të madh.

– Po si më njohët?

Si përgjigje ai nisi të këndojë disa pjesë nga “Tanhojzeri”.

– Ah, – ia bëri Wagner, – kjo është një shenjë e mirë. Nesër jeni i ftuar të hamë mëngjesin së bashku.

Muzikanti i madh dhe poeti i vogël u morën vesh kaq mirë sa ditën tjetër Wagner  i dha Roshit detyrën që të përkthente frëngjisht “Tanhojzerin”. /Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Shqiptari dhuron 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi

I riu shkodran, Kevin Sekniqi, i cilësuar nga “Forbes” si si një nga 30 personat nën 30 vjeç më të suksesshëm në botën financiare, ka bërë një gjest human. Ai ka dhuruar 1 milion dollarë për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Sekniqi kontribuoi për t’iu ardhur në ndihmë sadopak familjeve të prekura nga tërmeti tragjik i 6 shkurtit.

Theksojmë se Sekniqi është “bashkëthemeluesi më i ri i Ava Labs, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, një blockchain me shpejtësi të lartë që numëron mbi tre milionë përdorues, dhe [në krijimin e] AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë.”

Para se të bashkëthemelonte Ava Labs, Kevin ishte një kandidat për doktoraturë në Shkenca Kompjuterike në Cornell duke kryer kërkime në sistemet e shpërndara, kriptografinë, sigurinë dhe ekonominë. Ai më parë ka bërë kërkime dhe inxhinieri softuerike në organizata të njohura, duke përfshirë Microsoft dhe NASA. / KultPlus.com