Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Ferdonije Qerkezi është një nënë dhe një grua e jashtëzakonshme që po sfidohet vazhdimisht prej 24- vjetësh në pritje të zbardhjes së fatit të burrit dhe katër djemve, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë në mënyrë kriminale nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Deklarata e plotë e Presidentes:
Nëna Ferdonije Qerkezi është shembull i jashtëzakonshëm i ngulmimit dhe qëndresës në momentet e vështira. Ajo është një nënë dhe një grua e jashtëzakonshme që po sfidohet vazhdimisht prej 24- vjetësh në pritje të zbardhjes së fatit të burrit dhe katër djemve, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë në mënyrë kriminale nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Nëna ikonë, në këtë përvjetor, sërish është e vetme në tryezë në pritje të një lajmi.
Nuk ka fjalë që mund ta shprehë dhimbjen dhe trishtimin e saj. Bashkëndjejmë me të në këtë përvjetor dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që fati i më të dashurve të saj, sikurse edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë të zbardhet sa më parë!/ KultPlus.com
Pjetër Gaci, kompozitori, violinisti dhe pedagogu i muzikës klasike, sot do të festonte 92 vjetorin e lindjes, përcjell KultPlus.
Pjetër Gaci lindi në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës, më 27 mars të vitit 1931. Ai ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”.
Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u për-kujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).
Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, “Për ty Atdhe”.
Në vitin 1989, Pjetër Gacit iu akordua titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com
Bukuritë natyrore dhe historike të Shqipërisë vijojnë të tërheqin vëmendjen e medieve ndërkombëtare.
Këtë herë, kanali britanik Channel 14, ka transmetuar një reportazh mbi thesaret e tokës që promovon Shqipërinë turistike.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga xhirimet nëpër Shqipëri të Bettany Hughes, e cila gjatë kësaj fundjave transmetoi në kanalin britanik Channel4, për miliona shikues, “Mrekullitë e Shqipërisë”.
“Bettany do të rikthehet sërish në Tiranë për të marrë pjesë në FESTAForum që e organizojmë në 3-5 prill”, theksoi Kumbaro.
Hughes ftoi turistët të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, te arkeologjia e mesjetës së hershme, nga xhevahiret e qytetërimit Osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.
Vizitorët e huaj në shkurt 2023 janë rritur me 54% krahasuar me shkurtin e kaluar, ndërsa për dy muajt e parë të këtij viti, mbi 686 mijë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë, ose 74% më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2022.
Në shkurt të 2022 vendi ynë u vizitua nga 200 997 turistë të huaj, në shkurt të 2023 nga 309 325 turistë të huaj, pra 54% më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa në janar- shkurt të 2022 u vizitua nga 395 234 dhe në janar-shkurt 2023 686 536 turistë të huaj, pra 74% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj./ atsh / KultPlus.com
Në sistemin universitar të Kosovës studentet – vajza dhe gra – përbëjnë numrin më të madh, por kur është fjala për punësimin, gjinia e kundërt përfiton.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregun e punës, papunësia në Kosovë është më e lartë për gratë për 25 për qind, krahasuar me burrat për 19 për qind.
E papunë është Liridona Ademi nga Fushë Kosova, e cila në vitin 2017 ka përfunduar studimet në drejtimin Menaxhim dhe Biznes në një ndër kolegjet private.
Për gjashtë vjet me radhë 31-vjeçarja tregon se ka aplikuar disa herë në kompani private, por deri më tash nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.
“Në të gjitha kompanitë që kam aplikuar, kriter ka qenë përvoja e punës. Nuk kam arritur të kem përvojë, pasi nuk kam punuar. Ky kriter vazhdimisht më ka penalizuar. Në sektorin publik nuk kam aplikuar asnjëherë, sepse është krijuar bindja se paraprakisht duhet të kesh të afërm ose familjarë që ta sigurojnë një pozitë të tillë”, thotë Liridona.
Gjatë vitit akademik 2021/2022, numri i përgjithshëm i studentëve në të gjitha institucionet e larta arsimore ishte mbi 70.000. Më shumë se gjysma e këtij numri përbëhet nga vajzat dhe gratë – gjithsej 40.826, kurse 29.358 janë meshkuj.
Në mesin e studentëve në Fakultetin Juridik në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, studimet bachelor i ndjekin edhe Arbenita Bytyçi dhe Shkëndije Behaj.
Ato nuk besojnë se mund t’i presë fati i Liridonës së papunë.
Shkëndije Behaj dhe Arbenita Bytyqi, studente në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
“Pas përfundimit të studimeve mendoj se do të ketë vende të lira të punës. Për këtë edhe jam duke u angazhuar që në të ardhmen të kem një mirëqenie për familje”, tha Arbenita.
Qasje të lehtë në tregun e punës, pas studimeve synon edhe Shkëndija nga Prishtina. Ajo dëshiron që profesionin si juriste ta ushtrojë në institucionet publike.
“Tashmë është më i lehtë sigurimi i një vendi të punës. Kanë filluar të rregullohen gjërat në Kosovë. Besoj se lehtë do të inkuadrohem në treg”, shprehet Shkëndija.
Problem për të siguruar një vend pune nuk ka pasur Gojart Mjekiqi.
Ai punon qe pesë punon në një Qendër Thirrjesh (Call Center) në Prishtinë.
“Vetëm vullneti nevojitet dhe aplikimi në çdo konkurs. Në fillim kam aplikuar në shumë vende të punës, derisa kam gjetur punë në drejtimin tim të studimeve, Letërsi dhe Gjuhë Gjermane. Dhe jam i kënaqur me punën time”, shprehet 25-vjeçari.
Në Kosovë, ai thotë se aktualisht ka mjaftueshëm vende të punës dhe nuk beson se mund të ketë dallime gjinore sa i përket punësimit.
Gojart Mjekiqi, punonjës në një Qendër të Thirrjeve në Prishtinë.
Ndryshe, gratë në Kosovë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë. Nga rreth 1.8 milion banorë të Kosovës, më shumë se 905 mijë janë meshkuj dhe rreth 900 mijë gra.
Numri më i madh i grave paraqitet te të dhënat e popullsisë në moshë pune.
Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2021, prej më shumë se 1.2 milion qytetarëve në moshë pune, (nga mosha 15 deri 64 vjeçe), 613 mijë janë meshkuj dhe 618 mijë gra.
D4D: Gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes
Dallimet gjinore në sektorin e punësimit janë të pranishme dhe mjedisi patriarkal paraqitet një ndër arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës, thuhet në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar nga instituti kosovar, Demokracia për Zhvillim, (D4D) i quajtur “(Pa)Fuqia ekonomike e grave në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas D4D, gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes, duke përfshirë përgjegjësinë e plotë për rritjen e fëmijëve.
Përveç kësaj, Drenushë Canolli nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se arsye tjera janë pagat e ulëta, mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë ose pamundësia për t’i përballuar çmimet e tyre, transporti publik e të tjera.
Gratë përfundojnë duke kryer mesatarisht 5-6 orë në ditë në punë përkujdesjeje dhe kjo nuk i lejon ato të përfshihen në mënyrë aktive në tregun e punës, gjë që është baras me punë të papaguar.
Kjo kategori grash quhen joaktive, sipas D4D, pasi nuk janë as të punësuara, ndërsa janë tepër të zëna për të kërkuar punë.
Një fat të tillë e ka pasur edhe Zymretja, tashme 60 vjeç. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitet ‘80, për gati katër vjet kishte punuar si referente në Komunën e Skënderajt.
Pas martesës dhe lindjes së fëmijëve, kujton ajo, gjërat ndryshuan.
“Dëshira për punë ka qenë e madhe, por atëbotë mundësitë ishin të kufizuara, transporti jo i rregullt. Më pas lindën fëmijët dhe përfundova amvise duke u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë”, shprehet ajo.
Që nga përfundimi i luftës, tregon ajo, çdo vit ka kaluar duke shpresuar se ndërkohë do të siguronte një vend pune.
“Shumë merak më ka mbetur të punoj, çfarëdo pune. Kam pasur dëshirë të jem e pavarur financiarisht-por nuk arrita, sepse çerdhe nuk ka pasur mjaftueshëm dhe çmimi ka qenë i lartë”, tha ajo.
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.
Numri i këtyre institucioneve parashkollore, në raport me nevojat, duket se është i pamjaftueshëm.
Pagesa mujore në çerdhet publike është 40 deri në 50 euro, ndërsa në ato private varion nga 80 deri në 250 euro.
Paga mesatare në Kosovë deri vonë ka qenë rreth 480 euro.
Në fillim të shkurtit ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro. /REL / KultPlus.com
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka shpallur Muradije Muriqin dhe Mejreme Berishën fituese të Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Fushën e Teatrit për vitin 2022, shkruan KultPlus.
Ky çmim iu dha aktoreve nën arsyetimin e angazhimit dhe karrierës së gjatë skenike, profesionalizmit, disiplinës, si dhe kontributit të madh për zhvillimin e teatrove të Gjilanit dhe të Gjakovës.
Ndërsa Çmimi Vjetor për Aktoren më të Mirë në fushën e Teatrit, iu dha aktores Ilire Vinca me shfaqjen “Babai dhe Babai”. Ky çmim iu dha aktores për performancën dhe esetikën ekspresive në mishërimin e personazhit, për shkak të kompleksitetit të karakterit në dramën familjare mbi personat e pagjetur, si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në portretizimin e rolit të Sarës.
Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të Mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022, iu dha Qendrës Multimedia me shfaqjen “The Handke Project”.
Nën arsyetimin e inskenimit jolinear dhe trajtimin e materies së dendur dramaturgjike, si dhe pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social të zonave urbane-drejtë një dehumanizimi global, iu dha Çmimi Vjetor për Regjinë më të Mirë ju dha regjisorit, Fatos Beisha, për shfaqjen “Pornography”.
Kurse Çmimi Kombëtar për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëar në fushën e Teatrit iu dha Teatrit të Qytetit të Gjilanit, për shembullin e suksesshëm të prezantimit ndërkombëtar nëpër festivale të rëndësishme të teatrit të Evropës Qëndrore.
Në fund të ceremonisë për ndarjen e cmimeve fjalën e mori Mejreme Berisha e cila i falënderoi bashkëpunëtorët për të cilët tha se puna e saj pa ta do të ishte e pamundur.
‘I jam mirënjohëse shtëpisë time teatrore, kolegëve të mi, pa të cilët puna ime do të ishte e pamundur. Jam shumë e lumtur sot që pikërisht në kupolën e shtetit, ku punohet për kulturën e gjithëmbarëshme në çdo lëmi, vlerësohem sot për rrugën e gjatë, të lodhshme por edhe shumë të bukur’, është shprehur Berisha.
Fjalë falënderuese pati edhe fituesja tjetër e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Muradije Muriqi.
‘Faleminderit të gjithë atyre të cilët më kanë përkrahur gjithë këto vite, falminderit publikut’, ka shtuar Muriqi.
Ndërsa aktorja Ilire Vinca, çmimin e fituar tha se u dedikon familjarëve të përsonave të pagjetur të cilët që 24 vite po jetojnë paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën.
‘’E kundërta e luftës nuk është paqja por është arti’ dhe pikërisht kështu ndoshta festohet ky përvjetor, dita botërore e teatrit. Duke e pasur parasysh që e kemi një detyrë si artistë dhe sidomos me rolin që jam vlerësuar, e kam pasur një detyrë shumë të vështirë që fiks pas një muaji do të jetë dita e të pagjeturve dhe unë këtë cmim ua dedikoj familjarëve të 1600 personave të pagjetur të cilët jetojnë me paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën’, ka thënë aktorja Vinca.
Pjesëtarë të jurisë vlerësuse ishin: Luan Jaha, Agon Myftari, Drita Begolli, Kumrije Hoxhaj dhe Alban Beqiraj, i cili edhe foli në emër të jurisë dhe shpalli fituesit për Çmimet Kombëtare në Fushën e Teatrit.
Ndërsa Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku u shprehu mirënjohje shtetërore komunitetit teatror për punën e madhe të cilën e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve.
‘Për nderë të Ditës Botërore të Teatrit shfrytëzoj rastin të shprehë mirënjohjet tona shtetërore, institucionale, gjithë komunitetit teatror të Kosovës, për punën e madhe që kanë bërë jo vetëm gjatë vitit 2022, por edhe për punën më herët dhe punën që po e bëjnë edhe tash’, ka thënë Çeku.
Përndryshe sot në botë shënohet Dita Botërore e Teatrit./KultPlus.com
Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa është shpallë Ambasador i Qytetit të Durrësit, shkruan KultPlus.
Për këtë nderim ka njoftuar vet baritoni Myshketa i cili karrierën e shkëlqyer e bën në shtete të ndryshme të Evropës.
KultPlus u sjell të plotë njoftimin e Myshketës.
“Ambasador i Qytetit të Durrësir” Jashtëzakonisht i lumtur dhe i emocionuar që personi im nderohet sot me këtë titull që është tejet i veçantë sepse vjen nga qyteti im i lindjes dhe i zemrës, DURRËSI Faleminderit Shoqata “Durrësi Autokton” në personin e Z. Abdulla DELIALLISI dhe autoriteteve vendore për këtë vlerësim./ KultPlus.com
Kryeministri Kurti sot e ka vizituar shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Ferdonije Qerkezi.
Ai tha që nuk ka shqiptar që nuk e njeh nënën Ferdonije e që s’e kanë për zemër.
‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, u shpreh ai.
“Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili”, ka shkruar Kurti në librin e kujtimeve.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti: Nënën Ferdonije e duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi përjetë e i kemi borxh secili
Gjakovë, 27 mars 2023
Në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Nëna Ferdonije Qerkezi.
Kryeministri Kurti e falënderoi Nënën Ferdonije për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep mbarë popullit shqiptar. Ai tha se forcat serbe nuk i kanë marr katër djemtë dhe bashkëshortin e saj sikurse dhe shumë e shumë të tjerë se kanë qenë të familjes Qerkezi, por sepse kanë qenë shqiptarë dhe e kanë dashur vendin e tyre.
‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, u shpreh ai.
Kryeministri veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia, pasi vrasja dhe zhdukjet gjatë luftës kanë qenë pjesë e projektit serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”. Ai tha se Serbia duhet të jetë e hapur për sa më shumë hulumtim dhe hapje të varrezave masive. Por, theksoi se fakti që në varrezat masive të zbuluara në Serbi nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore, është dëshmi që Serbia nuk do që të zbulohet e vërteta.
Nëna Ferdonije e falënderoi Kryeministrin Kurti për vizitën në shtëpi, nga ku më 27 mars 1999 janë rrëmbyer, bashkëshorti i nënës Ferdonije, Halimi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin, nipi i saj Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza, dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatosi.
Bashkë me Nënën Ferdonije ishte edhe Nëna Dudije Dylhasi, së cilës forcat serbe ia kanë rrëmbyer djalin Myrteza dhe bashkëshortin Skënderin.
Gjatë vizitës së tij Kryeministri ka shkruar në librin e kujtimeve: “Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili.“
Në këtë vizitë bashkë me Kryeministrin Kurti ishte edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Abërie Nagavci dhe deputetja Mimoza Kusari, që të dyja të të njëjtit brez me Artan Qerkezin e Myrteza Dylhasi në shkollë në Gjakovë, dhe prof. Jahja Koka që ishte në të njëjtën klasë me Halim Çerkezin. Ministrja Nagavci, ishte po ashtu edhe arsimtare e Edmond Qerkezit, i cili u rrëmbye dhe zhduk në moshën 14 vjeçare. / KultPlus.com
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, përkujtojmë fillimet artistike të Teatrit në Shqipëri.
Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.
Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit” .
Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906) etj.
Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 Maj të vitit 1945 në Tiranë. Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori gjashtëdhjetë e nëntë vjeçare me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios. / KultPlus.com
Ferdonije Qerkezi, gruaja e hekurt që lufta në Kosovë e ka shkatërruar shpirtërisht pasi forcat serbe ia morën bashkëshortin Halimin dhe katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin për të shkatërruar përgjithmonë një familje e cila nuk pati kthim më, sot përkujton 24 vjetorin e këtij krimi.
Shtëpia e saj sot është e shndërruar në muze dhe kjo shtëpi tregon më së miri historinë e kësaj familje
Në ditë si kjo, Ferdonija kujton edhe publikisht familjen e saj e cila u mor më 27 mars nga forcat serbe për të mos u kthyer më.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ferdonija ka përkujtuar në këtë 24 vjetor burrin dhe djemtë e saj duke u shprehur se nuk do të ndalet asnjëherë duke kërkuar drejtësi edhe nëse i duhen edhe 24 vite të tjera.
“U bënë, 24 vite që dolët nga dera e sh’pisë! 24 vite që jam në pritje e dhimbje pambarim! 24 vite që nuk ju kam pranë fizikisht por gjithmonë shpirtërisht!
Nuk do ndalem duke kërku drejtësi për ju edhe nëse m’duhen edhe 24 vite tjera!”, shkruan Qerkezi. / KultPlus.com
Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, njëherit edhe një nga artistët më të respektuar në botën e muzikës klasike, me zërin e saj magjik është shfaqur në Bullgari, me një koncert recital tejet të veçantë, shkruan KultPlus.
Në koncertin i cili u mbajt më 25 mars në shtetin e Bullgarisë, u performua muzikë nga Schumann dhe Strauss, si dhe u interpretuan poezi të përzgjedhura nga poetët shqiptarë kushtuar jetës dhe dashurisë së gruas, në mënyrë mjeshtërore nga aktori Sveti Peniaski.
KultPlus ju sjell Imazhe nga koncerti magjik i Besa Llugiqit në Bullgari./KultPlus.com
Marsi dhe Prilli i vitit 1999, ishin muaj tragjik për shumë qytetarë të komunës së Pejës, ngase pikërisht në këto ditë ndodhën masakra të tmerrshme nga forcat paramilitare serbe.
Pikërisht në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar këtë krim që Serbia e ushtroi në lagjen ”Dardania“ të Pejës duke vrarë barbarisht 40 shqiptarë.
“Më 27 mars të vitit 1999, 40 burra, gra e fëmijë të lagjes ‘Dardania’ në Pejë, u vranë barbarisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë.
Sot i nderojmë të gjithë ata që u vranë në këtë ditë të trishtë dhe bashkëndjejmë me familjet e tyre. Ne jemi të vendosur që kujtimin për ta dhe betejën për drejtësi të mos i ndalojmë asnjëherë!”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com
Gjakova do të jetë stacioni i radhës në të cilin do të performojë institucioni më i lartë i muzikës në vend, përcjellë KultPlus.
Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, i cili kësaj here do të ndalet në qytetin e Gjakovës do të interpretohen vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorak.
Koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani, ndërsa në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti Ardit Ibrahimi.
‘Koncerti me vepra nga Brahms, Weber dhe Dvorak organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, të premten më 31 mars 2023 prej orës 20:00’, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës në facebook.
Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Gjakovës. Koncerti është i hapur për publikun./KultPlus.com
Sot shënohen plotë 24 vite që kur kriminelët serbë u futën në ambientet e Kompleksit Memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe me këtë rast e dogjën Shtëpinë muze të lidhjes me rreth 11 mijë eksponate historike, përcjellë KultPlus.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbanistike dhe arkitektonike në aspektin hapësinor shtrihet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prizrenit dhe ka vlerë të veçantë kulturore, historike, arsimore, shoqërore dhe ambientale. Ky kompleks ndodhet në mes të lumit Lumbardhi i Prizrenit, Kompleksit të Marashit (Mësonjëtorja – Dersëhanja), Rrapit të Marashit, dhe shpateve të Kalasë së Prizrenit. Në kuadër të Kompleksit ndodhen Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Mehmet Pashës, Tyrbja si dhe objektet e banimit. Këto objekte të arkitekturës folklorike janë të shprehura si objekte të veçanta dhe në varg. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, gjatë restaurimeve dhe rindërtimeve në objektet e banimit shihet qartë ndikimi i Barokut Evropian me një përzierje të neoklasicizmit, gjë që formon pamjen specifike të këtyre objekteve
Në vitin 1946 Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit u emërtua “Sheshi i Lidhjes së Prizrenit” dhe u regjistrua si vlerë e posaçme në Raportin Teknik të UNESCO-s. Pas viteve 50 të shekullit XX fillojnë rrënimet masive të objekteve të vjetra duke zgjeruar rrugët, duke ndryshuar rrjedhën e lumit Lumbardh në emër të “modernizimit” të qytetit. Tani nga ky Kompleks kanë mbetur pak objekte banimi të ruajtura sikurse që janë shkatërruar edhe disa pjesë të medresesë. Në vitin 1968 për arsye të ndërtimit të rrugës bëhet rrënimi i objekteve buzë lumit derisa vetëm ndërtesa e Rezidencës Qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dislokohet për disa metra në perëndim. Edhe në vitet 1976/78 bëhen ndërhyrje të rëndësishme duke rrënuar disa objekte të Kompleksit të Gazi Mehmed Pashës për të formuar Muzeun e Lidhjes së Prizrenit për nder të 100 vjetorit të saj.
Ndërsa, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999 digjet tërësisht ndërtesa e Rezidencës Qeveritare të Lidhjes së Prizrenit e cila rindërtohet në qershor të vitit 2000. / KultPlus.com
27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi me propozimin e Findlandës kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror, të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në vitin 1961, përcjellë KultPlus.
Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.
INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./KultPlus.com
Paul është një 19 vjeçar nga Berlini, i cili para një viti ka mbaruar maturën. Për vitet e fundit të shkollës ai nuk ka kujtime të mira.
“Për shkak të Coronës ishim rregullisht në lokdaun. Me javë nuk kishte mësim dhe duhej të qëndroje në shtëpi. Të takoje shokë, të dilje nëpër vende të ndryshme të festoje party apo të shkoje në sport – shumë nga këto gjëra të rëndësishme për të rinjtë, e që janë të të vetëkuptueshme, nuk bëheshin dot.”
Paul thotë, se e vetmja gjë që mund të bënte ishte të qëndronte në dhomë para kompjuterit apo smartphone-it dhe të luante lojëra me të tjerët në mediat sociale. Berlinezi tani është i lumtur që kufizimet e Coronës kanë marrë fund. Ai ka dalë nga bota virtuale dhe i është kthyer jetës reale. Por shumë të tjerë kanë ngecur në kozmosin virtual.
Shifra “të frikshme”
Sipas një studimi të Klinikës Universitare të Hamburgut, UKE së bashku me sigurimin shëndetësor, DAK numri i fëmijëve dhe të rinjve që janë të varur në mënyrë të sëmurë nga gaming dhe mediat sociale është dyfishuar që nga viti 2019. Rreth 680.000 e të rinjve luajnë lojëra, postojnë, chatte-n apo qëndrojnë rregullisht gati 5 orë në mediat sociale. Andreas Storm, kreu i departamentit të shëndetit në DAK bën fjalë për “rezultate të frikshme”. “Nuk u përmbush shpresa, që rritja e kohës së përdorimit dhe shenjat e varësisë janë frenuar.”
Kovë në vend të WC-së
Se çfarë pasojash ka një varësi e tillë e shpjegon psikologu Kai Müller, i cili drejton Shoqatën e Ekspertëve për Analizimin e Varësisë nga Mediat dhe punon në ambulancën që trajton fëmijët me varësi nga lojërat kompjuterike në Klinikën Universitare të Maincit. Aty telefonojnë prindër rë dëshpëruar, që nuk dinë si të veprojnë me fëmijët që kalojnë çdo minutë të lirë në kompjuter apo celular. Janë të rinj që injorojnë shkollën dhe detyrimet familjare, refuzojnë të ndahen nga celulari dhe reagojnë me zemërim, mllef apo nuk e kuptojnë reagimin e prindërve. Janë të rinj që mbyllen në dhomat e tyre, ku prindërit humbasin qasjen tek ata, dhe nuk ndjekin më aktivitete jashtëshkollore apo interesa të tjera. Në raste ekstreme harrojnë të ushqehen dhe vënë një kovë në dhomë në vend që të shkojnë në banjo.
Lidhja emocionale
Sipas psikologut Kai Müller, pandemia ishte shumë më e rëndë për adoleshentët se për të rriturit. Konsumi i lojërave, videove dhe mediave sociale ishte shpesh një “ngushëllues shpirtëror”. “Kur mediat e përthithin për vete dikë që ndodhet në një fazë frike, zhgënjimi apo vetë dyshimesh, atëherë kjo mund të kthehet në një lloj kondicionimi emocional, si themi ne në psikologji”. Krijohet një lidhje emocionale, dhe kjo sigurisht që është shtysa e parë të mbetesh varur në një lidhje të tillë.”
Humbje e plotë e kontrollit
Që nga viti 2022 varësia nga lojërat komjuterike është kategorizuar nga OBSH si diagnozë më vete. Psikologu Kai Müller përmend tre kritere, me të cilat bëhet diagnostikimi. Nga njëra anë është humbja e kontrollit, pra të mos vendosësh më me vetëdije. “Pra sa konsumoj, kur nuk konsumoj, sa kohë dhe çfarë konsumoj?” Pika e dytë lidhet me priorizimin. Nëse loja apo përdorimi i mediave sociale nuk është më pjesë e jetës, por dominon gjithçka. “Kriteri i tretë është vazhdimi i konsumit, megjithëse të prekurit e vërejnë, se kjo çon në probleme, apo nuk më bën mirë”, shpjegon Müller.
Me kohë fillon reflektimi
Presioni që krijon kjo lloj varësie zhvillohet me kohë, sipas ekspertit. “Kur të rinjtë e vërejnë se ata kanë ngecur në këtë varësi në një kohë që rrethi i shokëve që ka luajtur lojëra për para fillon e i drejtohet gjërave të tjera në jetë: ka për shembull shoqen e parë, të dashurin e parë apo ndjek aktivitete të tjera, që nuk kanë të bëjnë me internetin. Ky është shpesh si një fitil i brendshëm, pasi të prekurit pyesin veten -po pse po ndodh me mua kjo?” Kai Müller, thotë se kemi pasur raste, që vetë 17 vjeçarët të vijnë në ambulancë dhe të kërkojnë ndihmë.
Të rinjtë mësojnë përditë diçka të re në qendrën e trajtimit, jo vetëm nga ana shkollore, po edhe njerëzore. Kai Müller thotë, se përsa i përket zhvillimit kam shpesh ndjesinë, se nëse dikush që ka moshën biologjike 25 apo 26 vjeç të duket si një 15 apo 16 vjeçar. Edhe një fenomen vënë re ekspertët. Djemtë janë më të prekur se vajzat. Megjithëse varësia prek të dyja gjinitë, në qendrat e trajtimit të varësisë në Mainc gjen më pak vajza se djem. Përdorimi i mediave sociale është sot i vetëkuptueshëm, por Müller bën fjalë për një “shifër të lartë të paditur” të atyre me varësi klinike. Ministria e Shëndetësisë në Berlin ka porositur fushata sqartimi, që fokusohen veçanërisht tek përdorimi tejet i ekzagjeruar i mediave sociale. Kai Müller flet edhe për një projekt studimor që po shikon mënyrat e trajtimit të të sëmurëve.
Varësi për gjithë jetën
Sipas ekspertëve kjo varësi mund të trajtohet më mirë me terapi nëse mjekët dhe psikologët ndërhyjnë herët para se varësia të bëhet kronike. “Ne kemi edhe pacientë që kanë treguar që në rini simptoma të varësisë dhe pastaj janë trajtuar vetëm si të rritur, pjesërisht janë shtruar në spital, dhe që kanë moshën 30 vjeç e lart, ata vijnë të trajtohen, sepse kanë humbur kontrollin.” Vështirësi ka për gjetjen e një terapie. Në ambulancën e Maincit pacientët duhet të presin tre muaj për një orar tek psikologu. Më parë kanë qenë dy javë. “Jemi larg asaj që të kemi gjendje të mirë të trajtimit të të prekurve”, thotë Müller. Për të një marrë vend terapie pacientët duhet të presin pastaj deri në gjashtë muaj.
Sipas ekspertit të DAK, Andreas Storm duhet që të zgjerohen ofertat e parandalimit dhe të ndihmës. “Nëse nuk veprojmë shpejt tani, atëherë gjithnjë e më shumë fëmijë e të rinj në të ardhmen do të jenë të varur në mënyrë kronike nga mediat sociale dhe trendi negativ nuk do të ndalet.” Storm kërkon që politika dhe shoqëria të veprojnë. “Fëmijet e të rinjtë duhet të mësojnë, që të vlerësojnë rrezikun e përdorimit të mediave digjitale, dhe të reflektojnë mbi konsumin e tyre me qëllim që në plan afatgjatë të përdorin në mënyrë konstruktive mundësitë e botës digjitale në jetën private dhe atë të punës.” Psikologët u kujtojnë prindërve se janë ata që duhet të vendosin kufij më të qartë tek fëmijët në lidhje me përdorimin e ofertave digjitale. Një gjë është e qartë: kompjuterat dhe smartphone-t janë kudo të pranishëm dhe nuk do të largohen nga bota moderne. Në një kohë që varësia nga alkooli është e mundur të trajtohet përmes mosblerjes së tij, rikthimi tek varësia digjitale është vetëm një klikim larg./dw/TopChanel/KultPlus.com
Më poshtë mund të lexoni pjesë nga intervista me filozofin Isaiah Berlin. Në këtë pjesë, Berlin flet për rolin dhe rëndësinë praktike të filozofisë, si ajo ka ndikuar përgjatë historisë njerëzore dhe si mund të ndikojë në të ardhmen. Intervistues është filozofi anglez Bryan Magee, i cili gjatë viteve të 70-ta të shekullit 20, kishte realizuar një cikël intervistash me filozofë dhe studiues të filozofisë, për ta bërë filozofinë më të kapshme për publikun.
Intervista
Bryan Magee: Z. Berlin, a mund ti renditni disa arsye, pse dikush duhet të interesohet për filozofinë, në rast se nuk ka pasur mundësinë të njihet me të përgjatë procesit të edukimit, apo në përgjithësi gjatë jetës së tij?
Isaiah Berlin: Si fillim, kjo pyetje është intersante madje edhe në vetvete. Por, për ata që nuk pajtohen me këtë, më duhet të them se, filozofia i trajton dhe analizon në mënyrë kritike, supozimet apo pohimet, mbi të cilat shumë besime të zakonshme të përditshmërisë (opinione) kanë bazamentin, apo gjejnë mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për besimet, për të cilat njeriu nuk është se ka shumë dëshirë që ti gërmojë, sepse njerëzit thjesht nuk duan që mendimet dhe besimet e tyre të analizohen. Njerëzit fillojnë e ndihen jo komod në rast se i detyrojmë që në mënyrë kritike të analizojnë bazamentin, fundamentin e besimeve të tyre. Dhe pikërisht në lidhje me këtë, një nga detyrat themelore të filozofisë është analiza e mendimeve, besimeve apo analiza mbi të ashtuqujtuarën “mendje e shëndoshë”. Kjo detyrë e filozofisë, duket shumë e pasigurtë dhe në të njejtën kohë edhe shumë e komplikuar. Filozofët duke bërë një punë të tillë, provojnë tu mësojnë njerëzve vet-njohjen (self-knowledge). Shpesh her, duke bërë një punë të tillë, ata u tregojnë njerëzve në mënyrë mjaftë iluminuese, se çfarë ata besojnë dhe pse ata besojnë një gjë të caktuar? Dhe kjo paraqet një detyrë mjaft esenciale për filozofinë.
Magee: Pajtohem plotësisht me juve. Kur mendimet tona të zakonshme bëhen objekt analize dhe kritike, ndihemi si të thuash jo fort rehat me veten. Madje, kjo mund të arrijë deri në pikën sa të krijohet edhe një lloj rezistence ndaj analizave të tilla. Pse mendoni se ndodh kjo rezistencë tek njeriu, kur ai ballafaqohet me kritikën e mendimeve të tij?
Berlin: Së pari, mendoj se njerëzit nuk e kanë fort qejf kur analizohen tej mase, dhe së dyti, supozoj se, vet akti i të analizuarit e përjashton njëfar mënyre një lloj jete apo një qasje të caktuar mbi të jetuarit. Kjo është shumë e dukshme: Ta zëmë se njeriu është duke jetuar në një mënyrë të caktuar, ashtu si ai mendon se duhet të jetojë, dhe papritur ai ballafaqohet me pyetje të tilla si: Pse je duke vepruar kështu? A je i sigurtë se qëllimet që i ke vendosur vetes për jetën tënde, janë qëllimet e tua të vërteta? A je i sigurtë se veprimi jot nuk e kundërshton në një farë mënyre një lloj besimi moral që mbase ju duhet ta përqafoni? Apo, a jeni të sigurtë se disa nga vlerat dhe parimet tuaja, janë në kundërthënie me disa vlera dhe parime tjera dhe ju nuk jeni duke u përballur me këtë fakt?
Sepse ndonjëherë, kur zhytesh në dilema, je aq i frikësuar të ballafaqohesh me mendimet tua sy më sy, saqë ti i shmangesh përballjes dhe kërkon përgjegjësinë diku tjetër: tek shteti, tek mësuesit, tek shkolla, apo tek ndonjë grup apo komunitet ku ti bën pjesë. A mos vallë do të ishte më e udhës që ti vet personalisht, ta marrësh përgjegjësinë mbi supet e tua? Kjo mendoj se i shqetëson njerëzit, i mbush me antkh, dhe si rjedhojë në mënyrë të pavetëdishme dhe shumë të natyrshme zë fillin rezistenca për të cilën folët ju.
Në lidhje me këtë, ne duhet të kemi parasysh një gjë. Ky aspekt i kritikës-analizës, i ka dy anë të medaljes: Nga njëra anë, nëse të gjithë njerëzit do të ishin ‘intelektualë skeptik’, dyshues për çdo gjë, dhe në mënyrë të detajur të analizonin çdo mendim apo veprim të tyrin, ne do të përfundonim në një skepticizëm të skajshëm dhe jeta praktike do të ishte thuajse e pamundur. Nuk është e nevojshme që çdonjëri të ketë qasje të tillë kritike dhe skeptike ndaj jetës. Për këtë arsye, meqë filozofët e kanë si të thuash ‘profesion’ këtë lloj qasje kritike, është detyra e tyre që të merren me këtë punë. Por, ana tjetër e medaljes, na tregon qartë se, nëse këto gjëra (pohime, besime, opinione) nuk shqyrtohen, por lihen djerrë, atëherë shoqëritë bëhen të ngurta dhe të mbyllura. Besimet kthehen në dogma, imagjinata shtrembërohet, intelekti bëhet steril. Shoqëritë prishen si rjedhojë e mbështetjes së tyre në dogma, pa i dyshuar fare ato. Nëse imagjinata do të trazohet, nëse intelekti do të funksionojë, supozimet duhet të vihen në dyshim, supozimet duhet të sfidohen. I gjithë ky mozaik duhet të shikohet vazhdimisht, dhe jo nga shumë njerëz dhe as me intesitet të lartë, por megjithatë, mjaftueshëm sa për të mbajtur shoqërinë në lëvizje. Shoqëria lëviz me një farë shkalle ‘paricide’, ku fëmijët, në tërësi, vrasin, nëse jo baballarët e tyre, të paktën besimet e baballarëve të tyre dhe arrijnë në besime të reja. Dhe kështu ndodh zhvillimi, ky është progresi.
Magee: Mendoj se shumë njerëz hyjnë në filozofi, duke dashur tu tregohet se si të jetojnë, ose duan të marrin një shpjegim të botës, shpjegim të jetës ose diçka të tillë. Dhe më duket se, të hysh me atë dëshirë në filozofi, është heqje dorë nga përgjegjësia jote personale. Askush nuk duhet të synojë, që dikush apo diçka, t’ia mësojë sekretin e të jetuarit. Askush nuk duhet të synojë për gjetjen e përgjigjeve të gatshme dhe përfundimtare. Përkundrazi, është punë tjetër nëse dëshiron të kesh një sqarim të jetës, sqarim të çështjeve që të preokupojnë. E gjithë kjo, duhet të bëhet me qëllimin e vetëm: Vetëm njeriu apo individi vet, duhet të marrë vendime autonome dhe të jetë përgjegjës mbi veprimet dhe jetën e tij.
Berlin: Është shumë e dhimbshme kjo që po thua, dhe unë pajtohem plotësisht. Shumica e njerëzve duan të pasurohen me përgjigje të gatshme. Në lidhje me këtë, më kujtohet një fakt mbi shkrimtarin rus Ivan Turgenev: Kur Turgenev fliste për veprat e tij, ai thoshte se arsyeja pse ato nuk ishin aq te dashura për lexuesin sa mund të ishin potencialisht, lidhet me faktin se lexuesi rus i shekullit 19, dëshiron ti tregohet se si të jetohet, dhe qartazi kërkon të dijë kush është heroi e kush idioti, horri. Por Turgenev nuk e tregon këtë. Tolstoi, Dostojevski dhe shumë të tjerë e bënin një gjë të tillë. Ta zëmë, në veprat e Dickens-it fare lehtë mund të hetosh kush është i miri dhe kush jo. Turgenev thotë: unë vetëm sa i pikturoj qeniet njerëzore ashtu si janë, unë nuk e udhëzoj lexuesin, dhe as nuk e lë të kuptohet se në cilën anë qendroj unë. Dhe kjo e irriton lexuesin, e bezdis atë, e lë pezull dhe njeriu për nga natyra e urren këtë gjendje. Nuk është detyrë as e filozofit e as e shkrimtarit ti orientojë njerëzit si të jetojnë. Detyra e tyre është ti ballafaqojnë me mundësi, ti hapin njerëzit karshi jetës. Detyra e filozofit është ti tregoj njeriut për zgjedhjet që ai ka bërë, dhe pavarësisht se çfarë ka zgjedhur ai të bëj me jetën e vet, me besimet e tij, ai duhet të zhytet në to dhe të përshihet i tëri me përgjegjësi të plotë.
Magee: Më duket e pabesueshme, se si të ashtuquajturit njerëz të thjeshtë, mendojnë se kritika të tilla nga filozofia, janë thjeshtë abstrakte, madje e konsiderojnë atë edhe si një aktivitet shterp. Nëse nuk provon të dalësh nga kthinat e opinioneve tua ekzistuese, sidomos në fushën e moralit, politikës dhe fushës sociale, njeriu mbetet një i burgosur i cilësdo doktrine që ka përqafuar. Njeriu bëhet i burgosur i modeleve ekzistuese dhe modeleve të kohës së tij. Dhe sigurisht, këto ide filozofike që po diskutojmë, kanë pasur një ndikim shumë të madh në jetën praktike. Këtu kam parasysh Revolucionin Amerikan, Revolucionin Francez, Revolucionin Rus, ndikimin mbi religjionet anembanë botës, apo qoftë edhe mbi qeveritë Marksiste respektive. Këto janë vetëm disa shembuj, se si idetë filozofike, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe të dukshme, kanë ndikuar konkretisht mbi jetën qenieve njerëzore. Pra, pikëpamja se kjo qasje e filozofisë, në dukje të parë abstrakte, nuk ka fare lidhje me jetën reale, më duket se është vetë pa lidhje me jetën reale, dhe thellësisht joreale.
Berlin: Ta kujtojmë poetin e madh gjerman Heine, i cili thoshte: Mos e nënvlerësoni filozofin përgjatë studimeve të tij. Ai është shumë i fuqishëm dhe madhështor. Mos e mendoni atë si të ishte një mësues i butë dhe pa ndikim, i shqetësuar vetëm me punët e tij triviale. Nëse Kanti nuk do ja priste kokën Zotit, me shumë mundësi as Robespier nuk do ja priste kokën mbretit. Metafizicienët e mëdhenjë gjerman-Fihteanët(J. Fichte), Shilingasit (F. Schelling), apo të tjerët, janë njerëz që një ditë nuk do të ndalen nga frika ose nga ndjekja e kënaqësisë, dhe do të shkatërrojnë shumë monumente të civilizimit tonë. Kur ky zemërim i madh metafizik do shpërthejë në botë, Revolucioni Francez do të duket thjesht një lojë fëmijësh, e kështu me radhë. Fuqia e ideve filozofike dhe metafizike është shumë e madhe.
Studentët e Departamentit të Shknecave Kompjuterike, Kujtim Gjokaj dhe Leart Krasniqi na bënë krenar duke fituar vendin e parë në garën e mbajtur nga American Corner Prishtina, për Mobile Hackathon App.
Zbulimi dhe kuptimi i faktorëve që kontribuojnë në suksesin e studentëve tanë është një nga interesat tona më të mëdha, prandaj Kolegji Universum punon gjatë gjithë kohës për suksesin e studentëve.
Suksesi i studentëve tanë është krenari për ne sepse një edukim i mirë hap dyert kudo në botë. Kolegji Universum, vazhdon të promovojë dhe përgadisë kuadro të reja dhe të suksesshëme për të ardhmen.
Kolegji Universum do të vazhdojë të jetë përkrahës i punës dhe suksesit të studentëve tanë.
Marsi dhe Prilli i vitit 1999, ishin muaj tragjik për shumë qytetarë të komunës së Pejës, ngase pikërisht në këto ditë ndodhën masakra të tmerrshme nga forcat paramilitare serbe.
Po bëhen 24 vite nga këto masakra po dhimbja gjithnjë e më shumë po rritet për ata të cilët u vranë dhe u masakruan.
Pikërisht në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen 69 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3, me c`rast edhe kryeministri Albin Kurti sot do të bëjë homazhe te pllaka përkujtimore për masakrën në lagjen ‘’Dardania’’ në Pejë, në orën 10:30.
Gani Gashi, banor i kësaj lagjeje, pati rrëfyer se në 27 marsin e vitit 1999 kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar ti ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe duke mos u ngopur me kaq, ata hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda.
Edhe pse kanë kaluar 24 vite, familjarët pohojnë se dhimbja ndaj më të dashurve të tyre për asnjë moment nuk shuhet, kurse më të pikëlluarit janë ata familjarë, anëtarët e të cilëve akoma evidentohen si të zhdukur. / KultPlus.com
Revista e njohura franceze e turizmit, EnVols, përmend Libohovën si një destinacion turistik, me pasuri të shumta të trashëgimisë kulturore.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro thekson se disa vite më parë ishte e paimagjinueshme të flitej për turizëm në Libohovë.
“Libohova në një nga revistat e njohura franceze të turizmit, EnVols, përmendet si një destinacion turistik, me pasuri të shumta të trashëgimisë kulturore; Teqeja e Melanit, Kisha e Labovës e Kalaja e Shanishasë, asetet tona të çmuara që janë në shërbim të turizmit. E paimagjinueshme disa vite më parë të flitej për turizëm në Libohovë. Sot ka iniciativa private, bujtina e restorante që presin e përcjellin vizitorë çdo vit. Nuk dolën nga hiçi, por u ngritën pas investimeve publike në infrastrukturë dhe krijimit të një perspektive të qartë për zhvillimin e turizmit. Kjo është fakt”, shkruan ajo.
Libohova, qyteti i ndodhur rreth 11 km në juglindje të Gjirokastrës, me një bukuri natyrore magjepsëse dhe monumente me vlera kulturore, falë programit kombëtar të Rilindjes Urbane, është kthyer në një atraksion turistik për qytetarët vendas e të huaj.
Në qendër të Libohovës ndodhet rrapi shumëshekullor mbi 560-vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrepë të tjerë. Ata i japin qytetit gjelbërimin dhe bukurinë këtij vendi.
Gjithashtu bien në sy, në qendër të qytetit, sarajet e bejlerëve të Libohovës. Kalaja e Libohovës, me katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, është një fortesë me përmasa të konsiderueshme./ atsh / KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur pas mesnate ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë.
Si pasojë e kësaj ngjarje ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.
Begaj i shpreh ngushëllime familjes së z. Kola dhe inkurajon organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.
Në reagimin zyrtar, Policia informon se është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./ atsh / KultPlus.com
Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Ludwig van Beethovenit pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.
Letrën e përktheu Elona Caslli.
“7 korrik 1812 Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë . Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër… Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë… do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time . Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…
O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vjenë tani është e mjerë… Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë, por a mund ta arrij këtë në gjendjen që jemi ne të dy?
Engjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…
Rri e qetë… Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty… për ty jeta ime… gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.
L. Përjetësisht i yti. Përjetësisht e imja. Përjetësisht ne.” / KultPlus.com
Fotografi Arbër Halili ka ndarë sot me publikun një set fotografik të realizuar në vitin 1960 kur një grup vajzash prezantojnë stilin e rrugës, fotografi këto të realizuara në Liqenin e Batllavës, përcjell KultPlus.
Ato që i karakterizojnë këto veshja janë padyshim veshjet me fustanet dior prej mëndafshi dhe gjerdanet me perla.
“Në mes të udhëtimit V5 është madhështor. Foto e stilit të rrugës së viteve 1960 të një turmë vajzash të reja që qëndrojnë në një varkë me vela në liqenin e Batllavës, Kosovë, të veshura me fustane dior prej mëndafshi, gjerdan perla, perëndimi i diellit mbi liqen, shkrepur në Agfa Vista 200, 4k –ar 16:9”, ka shkruar Halili teksa ka bashkëngjitur fotot./ KultPlus.com
Aktori dhe regjisori italian, Ivano Marescotti vdiq sot në moshën 77 vjeçare, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, sipas “La Repubblica”.
Gjatë karrierës së tij, Marescotti bashkepunoi me emra te njohur si Checco Zalone, Roberto Benigni, Marco Risi, Daniele Luchetti, Carlo Mazzacurati, Ridley Scott, Anthony Minghella dhe Gabriele Muccino.
Ai pati një karrierë e gjatë me dhjetëra çmime dhe nominime.
Ndër filmat më të fundit përfshin “Bar Giuseppe” me regji të Giulio Base.
Një vit më parë Marescotti u tërhoq nga skena për t’iu përkushtuar shkollës “Teatro Accademia Marescotti”, ku ofronte mësime aktrimi.
I lindur në vitin 1946 në Bagnacavallo, Marescotti interpretoi personazhe të ndryshëm në filmat si, “Johnny Stecchino”, “Cado dalle nubi”, “Jack Frusciante è uscito dal gruppo”, “A casa tutti bene” etj. / KultPlus.com