Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.
Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.
Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara. “Të martohesh, të themelosh një familje, ti pranosh fëmijët e tu që të lindin, ti bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, ti udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”.
Kjo është vetëm një pjesë nga libri i Shtëpisë Botuese Pema, përkthyer nga Urim Nerguti, për librin “Brief an den Vater” të Kafkës ku tregohen edhe situatat më komplekse e agresive mbi raportin mes Kafkës dhe babait të tij, një Kafkë më ndryshe se Franzi të cilin e shijon dhe lexon mbarë universi, shkruan KultPlus.
Kafka flet më shumë për martesën, për familjen, dhe jo vetëm, brenda letrës. Kafka vdiq në vitin 1924 në moshën 40-të vjeçare, nga tuberkulozi. / KultPlus.com
…Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…
Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve.
Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit… (Nga libri i Stephan Zannovich, “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. / KultPlus.com
Seriali kontrovers nga krijuesi i Euphoria, Sam Levinson dhe Abel Tesfaye, i njohur më mirë si The Weeknd, nuk do të rikthehet për një sezon të dytë.
Nuk është një surprizë e madhe duke pasur parasysh pritjen kritike dhe komerciale të shfaqjes, ku luajtën Tesfaye dhe Lily-Rose Depp. Ai erdhi gjithashtu pas rixhirimeve të gjera pas largimit të regjisores Amy Seimetz, siç u zbulua nga Deadline në prill 2022, dhe një porosie të reduktuar duke e çuar numrin total të episodeve në pesë.
Disa nga aktorët përmendën mundësinë e një sezoni të dytë gjatë intervistave, megjithëse të brendshëm të emisionit thanë se krijuesit nuk hynë në procesin e prodhimit me një plan për një hark shumë-sezonal.
HBO publikoi vetëm të dhënat e shikimit për dy episodet e para. Premiera thuhet se tërhoqi një audiencë prej 913,000 në të njëjtën ditë në HBO dhe Max, ndërsa episodi i dytë ra pak në 800,000. Sipas HBO, ulja në Javën 2 erdhi nga shikimi linear, jo nga shikimi në Max – gjë që ka kuptim duke pasur parasysh se seria ka të ngjarë të synonte një demografik më të ri sesa shikuesi tipik linear televiziv. / KultPlus.com
Nëpërmjet kujtesës fotografike synohet të tregohet se si janë ruajtur traditat, kujtesa historike dhe kulturore gjatë tranzicioneve të ndryshme politike-shoqërore
Libri “Kosova në 100 fotografi” ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike brenda dhe jashtë vendit të Republikës së Kosovës, duke vënë në fokus ngjarje, vende dhe objekte të ndryshme që lidhen ngushtë me identitetin e vendit dhe të banorëve. Nëpërmjet kujtesës fotografike synohet të tregohet se si janë ruajtur traditat, kujtesa historike dhe kulturore gjatë tranzicioneve të ndryshme politike-shoqërore, si dhe ndryshimet që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës së vitit 1998-1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë.
Libri “Kosova në 100 fotografi”
Ky libër është konceptuar në formatin e një Photobook-u, i shoqëruar me 100 fotografi nga i gjithë rajoni i Kosovës, të cilat evidentojnë dhe dokumentojnë pjesë nga trashëgimia historike dhe kulturore e vendit. Krahas çdo fotografie qëndron një tekst i shkurtër informues që përcillet në katër gjuhë të ndryshme: shqip, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Përkthimi në disa gjuhë të huaja është parë si mënyrë që krijon lehtësi në qasjen ndaj tekstit te gjeneratat e reja në vende të ndryshme të diasporës, për t´u njohur më mirë me kulturën dhe trashëgiminë e vendit të origjinës. Gjithashtu një qëllim tjetër është zgjerimi i rrethit te lexuesi i huaj në Europë dhe Amerikë, për ta njohur atë jo vetëm me atraksionet turistike të Kosovës, por edhe me kulturën dhe historinë e saj.
Fotografitë janë kategorizuar sipas natyrës që përfaqësojnë: objektedhe vendehistorike, trashëgimi kulturore, kulturë materiale dhe shpirtërore, objekte kulti, etnografi(veshje, valle, rite dhe festivale), gatime tradicionale dhe peizazhe natyrore.
Duke iu referuar kategorisë Objekte dhe vende historike midis të tjerave dallon historia e Kronit të Lotit në fshatin Gorozhup të Hasit, si vendi ku u vendos kufiri shqiptaro-shqiptar ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë në vitin 1948.
Kroni i Lotit, Gorozhup
Brenda kësaj kategorie, një objekt tjetër me rëndësi historike është dhe Memoriali Heroinat, i cili simbolizon 20 000 gratë shqiptare të përdhunuara, torturuara dhe vrarë gjatë luftës së vitit 1998-1999 nga forcat serbe.
Memoriali “Heroinat”
Në pjesën Trashëgimi kulturore mjaft domethënëse është arti shkëmbor në Kosovë, ku dëshmohet për gjurmë të një popullsie mjaft të vjetër në këtë rajon, nëpërmjet të cilit mund të kuptojmë lidhjen midis kulturave dhe epokave të ndryshme. Pjesë e artit shkëmbor janë pikturat e spiraleve në guvën e Vllashnjës (Guva e Kobit), të cilat i dominon e kuqja okër, apo gravimet e ndryshme në pllakat shkëmbore në fshatin Zatriq.
Spiralet te Shpella e Kobit në Vllashnjë
Gravimet në pllakat shkëmbore në Zatriq
Pjesë e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës janë edhe varrezat e hebrenjve në lagje të ndryshme të Prishtinës (Taukbahçe, Arbëri), por edhe në qytete të tjera, të cilat tregojnë jo vetëm praninë e komunitetit hebre në këtë vend, por edhe bashkëjetesën e tyre me komunitetin shqiptar përgjatë dy luftërave botërore.
Varrezat e Hebrenjve në Taukbahçe, Prishtinë.
Interes të veçantë kundrejt interesave të tjera studimore, paraqet Kultura Materiale dhe Shpirtërore. Në këtë lëm, vend të veçantë zë plisi, si pjesë e pandashme e veshjes dhe si simbol i identitetit kombëtar, madje i kthyer tashmë në një kremte, e njohur ndryshe si Dita e Plisit, e cila festohet çdo 17 shkurt në Kosovë.
Plisi
Lidhur me kulturën materiale mjaft domethënëse gjithashtu është dhe okarina, një instrument muzikor i punuar me argjilë, i konsideruar si një ndër eksponatet më të vjetra frymore të gjetura deri më tani në Kosovë dhe Europë.
Okarina
Objektet e Kultit gjithashtu janë një pjesë mjaft interesante për cilindo lexues dhe studiues, ku dallohet lehtë bashkëjetesa fetare ndërmjet komuniteteve të ndryshme në vend. Në këtë kontekst një histori të veçantë mbart Kisha e Letnicës, ku përveç pelegrinazhit që zhvillohet çdo vit në muajin gusht nga njerëz të besimeve dhe komuniteteve të ndryshme (siç ëshë komuniteti kroat), aty është edhe vendi ku shenjtorja e parë shqiptare Shën Nënë Tereza mori vendimin për të filluar rrugëtimin si motër misionare.
Kisha e Letnicës
Pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Kosovës gjithashtu janë veshjet, vallet, ritet, së fundmi dhe festivalet. Midis diversitetit të veshjeve tradicionale ajo që dallon ndër të tjera është veshja e Medvegjës, kjo për shkak të larmisë së simbolikës kozmologjike dhe astrale.
Veshja e grave të Medvegjës
Ndërsa nga ritet që vazhdon të praktikohet ende prej shqiptarëve të komunitetit katolik është Nata e Buzmit, festë e cila mbart gjurmë të paganizmit.
Nata e Buzmit
Së fundmi në Kosovë një risi në kontekstin kulturor janë edhe festivalet Etnofest dhe Dokufest. Etnofest është një festival i cili ka karakter multimedial, me programe të bazuara në traditë si, shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte, rite arkaike dhe shfaqje bashkëkohore.
Etnofest
Ndërsa Dokufest është një festival ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër, që mbahet çdo vit gjatë muajit gusht në qytetin e Prizrenit.
Dokufest
Gatimet dhe pijet tradicionale janë gjithashtu pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit. Si ushqim i veçantë i traditës buknore te shqiptarët është dalluar flija, forma diellore e së cilës dëften për praninë e kultit të diellit te popullata më e hershme.
Flija
Ndërsa nga pijet është veçuar vera, si një nga pijet më aristokrate në vend, ku si për vendasit dhe të huajt dallon vera e Rahovecit, tashmë dhe me një shpërhapje në tregun europian.
Vera e Rahovecit
Ashtu siç dihet, Kosova është e njohur edhe për bukurinë e peizazhe natyrore, ku disa nga vendet që tërheqin vëmendjen e turistave janë shpellat, ndër të tjera ajo e Gadimës, e cila dallon për shkak të kristaleve të ndryshme dhe formave që ato kanë marrë ndër vite.
Shpella e Gadimës
Si përfundim, ajo çka mbetet evidente nga rrugëtimi i librit përgjatë hulumtimit të terrenit dhe literaturës ndihet nevoja për prurje të reja shkencore në fushën e arkeologjisë dhe antropologjisë, të cilat kanë kapacitet premtues.
Elona Gjata
Elona Gjata ka mbaruar studimet e larta për gjuhësi në Tiranë. Gjata ka punuar prej 8 vitesh si asistente pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Elbasan për lëndën e Fonetikës së Shqipes Standarde dhe për 1 vit pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, për lëndën e Fonotaktikës, Shkrimin Akademik dhe Shqipja për të huajt.
Në dhjetor të vitit 2021 ajo ka doktoruar në fushën e Gjuhësisë pranë Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2019 ajo ka qenë studente e bursës Erasmus si PhD researcher në Universitetin e Humboldit në Berlin.
Tashmë ajo po pregatitet për studimet e dyta doktorale në Gjermani. Fokusi i studimeve të saj të fundit janë ato me kontribut në Albanologjinë Shqiptare.
Së fundmi, ajo është drejtuese e Institutit (NGO), Albanian Institute of Cultural Studies me seli në Prishtinë.
Gjithashtu ajo është ideatore dhe koordinatore e disa projekteve me në fokus Kosovën.
Ajo është autore e librit Kosova në 100 fotografi.
Autore e librit Zanorja ë në gjuhën shqipe. Ë-ja e patheskuar, botuar pranë Institutit Albanologjik, shkurt 2023, Prishtinë. Gjithashtu edhe autore e disa artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
Gjata është bashkautore në tekstin Gjuha shqipe 9 pranë Botimeve Filara. / Albinfo.ch / KultPlus.com
Përkrahur nga Platforma Heritage Space VII – CHWB Kosova dhe financuar nga Qeveria Suedeze, është hapur thirrja për projektin Tregim Kolektiv.
Nëse ju keni fotografi që i mbani afër zemrës, të cilat datojnë nga vitet e 90-ta në Kosovë, atëherë ju mund të merrni pjesë në krijimin e një arkive fotografike; një libër që synon ripërtërije të kujtesës kolektive përmes rrëfimit të kujtimeve harmonike si simbol i bashkimit gjatë shtypjes politike & shoqërore në Kosovë 1990 – 1999.
Arkivat personale të fotografive familjare mbajnë një tregim që shpalosë historinë e identitetit tonë rezistues përgjatë periudhës para-dhe-gjatë luftës.
Hartuesit e këtij projekti, kanë njoftuar se pasi ju të kontaktoni për bashkëpunim, ata do të vijnë personalisht për të mbledhur fotografitë tuaja.
“Çdo fotografi do të qëndrojë me ne për vetëm disa ditë, përderisa të skanohet, dhe do të kthehen menjëherë pas skenimit. Materiali do të trajtohet me shumë kujdes dhe respekt. Në kthim, ju do të merrni një kopje dixhitale të të gjitha fotografive të dorëzuara bashkë me origjinalet, dhe një kopje të librit, i cili do të jetë një selektim i këtyre fotografive si realizim i një albumi kolektiv”, thuhet në njoftim.
Ekspozimi afatgjatë ndaj një prej llojeve më të përhapura të ndotjes së ajrit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës, një sëmundje neurologjike dobësuese e lidhur me humbjen e kujtesës dhe uljen e funksionit njohës, sipas një studimi të ri.
“Studiuesit në Universitetin e Miçiganit kanë arritur në përfundimin se personat që jetojnë me nivele më të larta të grimcave të imta, ose PM2.5, mund të përballen me një rrezik më të madh për t’u prekur nga demenca”, sipas studimit.
Shkencëtarët monitoruan shëndetin kognitiv të gati 28 000 persona të moshës 50 vjeç e lart që jetonin në SHBA midis 1998 dhe 2016.
Pesëmbëdhjetë për qind e këtij grupi u prekën nga demenca, dhe ata që jetonin në zona me më shumë PM2.5 kishin më shumë gjasa t’i nënshtroheshin neurodegjenerimit sëmundje.
Bazuar në këto rezultate, studimi vlerëson se ndotja e grimcave të imta mund të jetë përgjegjëse për 188 000 diagnoza të demencës çdo vit në SHBA.
Shkencëtarët ekzaminuan ekspozimin ndaj nëntë llojeve të ndryshme të grimcave, duke filluar nga trafiku deri te djegia e qymyrit.
“Ekspozimi ndaj ndotjes nga zjarret dhe pluhuri bujqësor kishte lidhjet më të forta me prevalencën e demencës”, sipas Boya Zhang, autore kryesore dhe studiuese në Universitetin e Miçiganit.
“Arsyeja kryesore për këtë dallim mund të jetë për shkak të karakteristikave të ndryshme fizike ose kimike të PM2.5 nga këto burime të ndryshme. Të gjitha grimcat janë të dëmshme për ju, por ndotjet nga zjarret dhe bujqësia mund të jenë më të dëmshme për aftësitë tuaja njohëse”, tha ajo.
Ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë dhe popullsia globale vazhdon të jetë më e vjetër, gjetjet nënvizojnë rëndësinë e kufizimit të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit për shëndetin kognitiv.
Hulumtimi është gjithashtu shqetësues për kalifornianët, të cilët e kanë parë shtetin e tyre të shkatërruar nga zjarret rekord dhe thatësira që shndërruan mijëra hektarë tokë bujqësore në pluhur.
Studimi shërben gjithashtu si një kujtesë e efekteve gjithëpërfshirëse që mund të ketë ndotja e ajrit në shëndetin e njeriut.
Tashmë është zbuluar se ndotja nga grimcat kontribuon në sëmundjet e mushkërive, ataket në zemër, goditjet në tru, peshën e vogël të lindjes dhe diabetin. /atsh / KultPlus.com
LOS ANGELES, CA – SEPTEMBER 17: Los Angeles resident Carmen Green jumps rope at a closed Griffith Observatory where she found a quiet nook to exercise in spite of dense smoke from Southern California wildfires choking the L.A. Basin on Thursday, Sept. 17, 2020 in Los Angeles, CA. (Brian van der Brug / Los Angeles Times)
Tringa Sadiku dhe Torrin Williams po vijnë me koncert duo në kitarë i cili do të mbahet në kopshtin e CNP.
Dyshja janë bërë bashkë për t’ju prezantuar një program të muzikës klasike që përfshin epoka, zhanre dhe stile të ndryshme. Në një udhëtim nëpër Evropën Perëndimore, ata do të luajnë muzikë nga baroku francez, tek këngët popullore spanjolle të frymëzuara nga flamenko, deri te himnet e sotme Ashkenazi.
Ky koncert do të mbahet të mërkurën, më 30 gusht, duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com
Rita Ora ka qenë shumë e kritikuar në rrjete sociale që pas performancës së saj në Hungari, ku mbajti flamurin serb.
Sulmet ndaj Ritës nuk kanë pushuar dhe komentet në fotot e saj janë të shumta.
Mes kësaj situate, ish-futbollisti i njohur i kombëtares shqiptare, Lorik Cana i ka dalë në mbrojtje.
Ai ka postuar një foto ku shfaqet Rita e vogël me veshje tradicionale shqiptare, për të treguar se ajo e do atdheun e saj dhe këtë vazhdon ta dëshmojë cdo ditë para mijëra fansave të saj nga e gjithë bota. Një incident i tillë si ai në koncert, nuk e zbehë aspak krenarinë që ajo ka për vendlindjen e saj. / KultPlus.com
Shtëpia londineze e ankandeve ‘Sotheby’ pritet të nxjerrë javën e ardhshme në ankand, mbi 1500 objekte që i përkisnin legjendës së muzikës Freddie Mercury. Bëhet fjalë për një prej ankandeve më të mëdhenj të kësaj shtëpie, me objekte unike që arrijnë vlera prej miliona paundësh.
“1500 objekte që dikur i përkisnin ikonës së rockut britanik, Freddie Mercury dalin në shitje duke nisur nga java e ardhshme, përmes një ankandi të organizuar nga shtëpia e famshme londineze Sotheby.”
Është fjala për një koleksion, ku përfshihen sendet e përdorimit të përditshëm personal, veshje, aksesorë që mbante gjatë performancave, etj. Mes objekteve më të shtrenjta është pianoja e madhe Yamaha, një instrument i vërtetë krijimi, mbi të cilin ai kompozoi mbi një dekadë hite, nga ‘Bohemian Rhapsody’ në Barcelonë. Vlerësimi fillestar për të është 2-3 milionë paund.
Në ankand është edhe dorëshkrimi autograf i Bohemian Rapsody që vlerësohet rreth 800 mijë-1.2 milionë paund, ose piktura e çmuar e Xhejms Tiso, ‘Type of Beauty’ me vlerë 400-600 mijë paund. Në shitje është edhe kitara e famshme akustike Martin D-35, me vlerë 30 – 50 mijë.
Objektet janë ekspozuar në ambjentet e ‘Sotheby’ në Londër që prej fillimit të këtij muaji. Freddie Mercury ndërroi jetë në vitin 1991 në moshën 45-vjeçare./ KultPlus.com
Pacientët në Angli do të bëhen të parët në botë që do të përfitojnë nga një mjekim që trajton kancerin në shtatë minuta, raportonThe Guardian.
Pas marrjes së miratimit nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA), NHS do të jetë sistemi i parë shëndetësor që do të shpërndajë injeksionin për qindra pacientë çdo vit.
Kohët e trajtimit me ilaçe për disa pacientë me kancer të NHS do të shkurtohen deri në tre të katërtat.
Atezolizumab zakonisht u jepet pacientëve në mënyrë intravenoze nëpërmjet një pike IV, por shumë prej tyre tani do t’i jepet imunoterapia nëpërmjet një injeksioni.
Ilaçi, i njohur gjithashtu si Tecentriq, trajton lloje të ndryshme të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, gjirit, mëlçisë dhe fshikëzës. Ai u jepet rreth 3600 pacientëve në Angli çdo vit.
Pritet që shumica e këtyre njerëzve ta marrin ilaçin nëpërmjet një injeksioni shtatëminutësh në vend të intravenozës, e cila zakonisht zgjat 30 minuta deri në një orë.
Ilaçi njihet si një frenues i pikës së kontrollit dhe funksionon duke ndihmuar sistemin imunitar të gjejë dhe të vrasë qelizat e kancerit.
Studimet sugjerojnë se shumica e pacientëve me kancer preferojnë të marrin trajtim nënlëkuror – me injeksion ose infuzion vetëm nën lëkurë – për shkak të uljes së dhimbjes dhe shqetësimit, lehtësisë së administrimit dhe kohëzgjatjes më të shkurtër të trajtimit, krahasuar me infuzionin IV.
Mijëra pacientë me kancer në Angli kanë përfituar nga forma IV e atezolizumabit, e cila mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e rikthimit të kancerit.
Tek pacientët me kancer të mushkërive me qeliza jo të vogla në fazën e hershme, provat klinike kanë treguar se Atezolizumab mund të zvogëlojë rrezikun e përsëritjes së kancerit ose vdekjes me 34%, pas operacionit dhe kimioterapisë./Klan Kosova / KultPlus.com
Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore, këto ditë ka qenë në cak të kritikave dhe reagimeve të shumta, si shkak i një koncerti në të cilin ajo mbajti gabimisht në duar flamurin serb, shkruan KultPlus.
Megjithëse, Rita Ora disa orë më vonë doli me një sqarim se nuk kishte qenë e vetëdijshme se ai të cilin e kishte mbajtur në duar kishte qenë flamur serb, kritika të shumta morën kahje drejt saj.
Sot këngëtarja shqiptare me famë botërore ka vendosur t’iu kundërpërgjigjet kritikuesve të saj përmes një videoje në instagram, ku shihet Mbreti Charles III, që flet për emrat e shquar me origjinë shqiptare në mesin e të cilëve përmend edhe Rita Orën dhe Nënë Terezën.
Albumi filmik i trilogjisë The Lord Of The Rings është votuar albumi më i mirë filmik.
Ky album i bërë nga Howard Shore zuri vendin e parë në listën e 100 veprave muzikore filmike më të mira të përpiluara nga Classic FM.
Krijimi i Shoret mori mbi 10 mijë vota për t’u pozicionuar në vendin e parë, dhe fituesi u prezantua në këtë radio stacion nga prezantuesi Jonathan Ross./KlanKosova/KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot këngëtarin, artistin, diplomatin Sherif Merdani (14 maj 1940-29 gusht 2021).
Merdani lindi në Korçë dhe u rrit me pasionin për muzikën që në vegjëli. Vinte nga një familje që për kohën cilësohej si me “biografi të keqe”.
Sherif Merdani mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike dhe u caktua mësues në fshatin Backë të Skraparit. Falë mbështetjes së kompozitorit Agim Krajka, Sherif Merdanit iu dha mundësia të performonte në Estradën e Korçës.
Gjatë kohës që u vendos në Tiranë me studime, falë talentit që kishte, ai u mbeshtet nga Vaçe Zela për t’u njohur si këngëtar.
Fillimisht mori pjesë në Festivalin e 8-të Këngës, dhe në vazhdim në festivalet pasardhëse.
Kulmin si artist do e arrinte në Festivalin, e 11-të. Do të ishte ky festival që do të shërbente si pikënisje e sulmit ndaj kulturës, artit dhe shfaqjeve të huaja, sulm që u thellua zyrtarisht nëpërmjet Plenumit IV të KQ të PPSH në qershor të vitit 1973. Mes shumë kolegëve artistë, Sherit Merdani arrestohet në Librazhd ku asokohe punonte në Shtëpinë e Kulturës.
Gjykata e Rrethit të Librazhdit e dënoi me 10 vjet heqje lirie me akuzën “agjitacion dhe propagandë”. Teksa po vuante denimin në Spaç, u ridënua me 10 vjet të tjera. Do të lirohej më 1989, pas 16 vitesh heqje lirie në Spaç, Burrel e Qafë Bari.
Me ardhjen e demokracisë, Sherif Merdani caktohet si diplomat në Ambasadën Shqiptare Romë dhe më vonë në Bukuresht. Ka punuar edhe si Drejtor i Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërron jetë në Tiranë në vitin 2021./atsh/KultPlus.com
“Skena i ka dy rregulla: Gjithçka mund të ndodh dhe diçka duhet të ndodh” është një shprehje e Peter Brook, me të cilën drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës Kushtrim Sheremeti, ka të bëj me dije se TKK është në vlugun e punës sa i përketë projekteve dhe prurjeve të reja, para audiencës, për periudhën e mbetur deri në fund të vitit, shkruan KultPlus.
Për tre shfaqje, të cilat do të shfaqen premierë veçse kanë filluar provat. Në Opole të Polonisë, që nga java e kaluar kanë filluar provat për shfaqjen “The Best European Show”, si një ko-produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta, e me të cilët TKK është bërë partnerë duke qenë pjesë e European Theatre Convention.
Kjo shfaqje e cila vjen nën regjinë e Haris Pasoviç, do të ketë premierën botërore me 13 tetor në Opole, ndërsa në Kosovë do ta ketë premierën me 25 prill 2024.
Në këto prova po marrin pjesë një ekip ndërkombëtarë artistësh nga 9 shtete të ndryshme, ndër të cilët edhe aktorët tanë rezidentë, Armend Smajli, Maylindak si dhe kompozitori Trimor Dhomi.
Po ashtu, në vazhdën e punës së TKK-së, të premten kanë filluar edhe provat e shfaqjes “Ditë Vere” të Slawomir Mrozek, në të cilin luajnë një grup të përzier artistësh për nga gjeneratat përfshirë edhe ata që për herë të parë do të punojnë në TKK – Era Balaj, Andi Bajgora, e Art Pasha, përkrahë aktorëve rezidentë Ismet Azemi, Lumnije Sopi, Adhurim Demi e Veton Osmani.
Kjo shfaqje premierën do a këta më 18 tetor 2023 në njërën prej hapsirave alternative të teatrit.
Kurse dje, TKK po ashtu ka filluar provat për kryeveprën e George Orwell – 1984 – e dramatizuar dhe në regji të Igor Mendjisky, e cila premierë pritet edhe të hapë sezonin 2023/2024 në TKK nga data 30 Shtator!
Në këtë shfaqje Mendjisky së bashku me aktorët do të punojnë bashkë edhe me Imer Kutllovcin i cili kthehet si bashkëpunëtor i TKK-së pas gati 20 viteve.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka bërë të ditur se këto tre premiera janë vetëm fillimi i punës dhe bashkëpunimeve të tjera, duke theksuar se në radhe janë edhe dy premiera të tjera.
“E kjo s’është krejt për sivjet – por vetëm fillimi: na presin edhe 2 premiera tjera, organizimi i Festivalit Mbarëkombëtar MOISIU në datat 20-27 nëntor si dhe turne të shfaqjeve nëpër Kosovë, rajon e Evropë”, ka bërë të ditur drejtori Sheremeti.
Ai përmes një postimi në facebook u ka uruar artistëve punë të mbarë deri në finalizimin e projekteve në fjalë, që do të shfaqen para audiencës së TKK-së.
“Ju uroj mbarësi e suksese të gjithë artistëve që do të punojnë me zell në mënyrë që publikut të TKK-së t’i sjellim një program të pasur e me vlerë”, ka shkruar drejtori Sheremeti ne facebook/KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) organizon Kuvendin e Dytë të Studimeve Arbëreshe me temë “Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI” – Forum mes aktorëve kryesorë. Kuvendi do të zhvillohet në datat 4-5 shtator 2023.
Kuvendi vjen në vijim të dy veprimtarive shkencore ndërkombëtare të zhvilluara në dy vitet e kaluara, përkatësisht Kuvendi I i Studimeve Arbëreshe në 2021 dhe Konferenca e Gjuhëve në Rrezik në bashkëpunim me FEL (Federatën e Gjuhëve në rrezik) me seli në Londër, në lidhje me rëndësinë parësore dhe emergjencën e strategjive dhe politikave të duhura mbi gjuhën arbëreshe.
Kuvendi do të mbledhë së bashku emrat më të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar të fushës së studimit dhe të hartimit të strategjive politikbërëse për rijetëzimin e gjuhëve minoritare; studiuesit, përfaqësuesit e institucioneve evropiane mbi politikat gjuhësore si dhe përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, të cilët pritet të sjellin ekspertizën e tyre dhe disa strategji bashkëkohore që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhëve në rrezik, siç është rasti i arbërishtes.
Ky kuvend synon jo thjesht të nxjerrë në pah gjendjen aktuale të arbërishtes, por sidomos të koordinojë bashkëpunimin ndërinstitucional e komunitar për të mbrojtur dhe zgjeruar sferën e përdorimit të arbërishtes, në kuadrin e politikave të shtetit shqiptar ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme të diasporës sonë historike./atsh/KultPlus.com
Mbreti i Pop-it u bë muzikanti më i suksesshëm dhe më me ndikim i të gjitha kohërave. Michael Jackson është këngëtari më i vlerësuar në histori. Ai ka thyer deri në 23 rekorde Guinness dhe ka shitur më shumë se 850 milionë kopje të albumit “Thriller”.
Rreth tij qarkulluan histori të ndryshme, por një gjë është e sigurt, Michael Jackson ishte një artist që askush nuk do të mund ta zëvendësojë, autenticiteti i tij nuk harrohet. Ai ka edhe sot miliona fansa dhe këngët e tij dëgjohen në të gjithë botën.
Edhe pse jeta e tij ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, disa fakte mund të jenë ende të panjohura për ju.
Ai i kishte borxh bibliotekës
Majk mori me qira libra dhe pothuajse nuk i ktheu kurrë, duke e lënë bibliotekën me një borxh milion dollarësh.
Ai ishte dhunuar si fëmijë
Libri “Michael Jackson, Magic and Madness” thekson se Michael ishte abuzuar nga babai i tij. Këngëtari ka deklaruar se babai i tij e ka tallur dhe e ka rrahur me rrip. Motra e tij konfirmoi një histori të ngjashme në kujtimet e saj, por më vonë i mohoi ato. Abuzimi seksual nuk është vërtetuar kurrë.
Historia e kërcimit legjendar “Moonwalk”
Këtë kërcim ai e ka realizuar për herë të parë me këngën “Billie Jean” në vitin 1983. Atëherë bota ishte magjepsur, askush nuk mund ta besonte sesi ai arriti të sfidonte ligjet e fizikës.
I lyente buzët
Autopsia tregoi se ai i ka lyer buzët me pigment rozë dhe i ka errësuar vetullat me një tatuazh të përhershëm.
Polemika për vdekjen e tij
Informacioni i parë ishte se ai vrau mjekun e tij, i cili po i jepte ilaçe të papërshtatshme. Ai u arrestua në vitin 2011 dhe pas vuajtjes së dënimit, detektivët që po punonin për këtë rast zbuluan detaje të tmerrshme nga dhoma ku vdiq Michael Jackson. Letra me fjalëkalime të shkurtra ishin ngjitur gjithandej, në krevat kishte një kompjuter, një kukull vajze dhe foto të foshnjave. Në çantën e mjekut është gjetur droga që supozohet se ka vrarë mbretin e popit.
Ai kishte një sëmundje të lëkurës
Duke folur me prezantuesin Winfrey në vitin 1993, ai pranoi se kishte vitiligo, një sëmundje që lë njolla të çrregullta të lehta dhe se bën make-up për të barazuar ngjyrën e tij. Kjo dyshohet se është konfirmuar nga autopsia.
Disk muzikor më i shitur i të gjitha kohërave
“Thriller” është rekordi më i shitur i të gjitha kohërave, me rreth 50 milionë kopje.
Ai krijoi këpucë specifike për vallëzim
Michael shpiku këpucë të dizajnuara për kërcimtarë, në të cilat ato mund të shkonin shumë poshtë. Kështu ai tronditi sërish publikun, teksa performonte këngën “Smooth Criminal”, duke u përkulur thuajse në dysheme.
Ai mori dy yje në Walk of Fame
Madje ka dy yje në Hollywood Walk of Fame. Njëri si artist solo dhe tjetri si anëtar i grupit Jackson 5.
Famën e ka arritur në fëmijëri
Performanca e tij e parë ishte kur ai ishte vetëm pesë vjeç dhe ai shkroi këngën e tij të parë “Ben” në vitin 1972, e cila arriti në krye të top listave muzikore në Amerikë./KultPlus.com
Ende pa përfunduar punimet në realizimin e shtegut të ri të ecjes dhe vrapit në Taukbahqe, mbrëmë janë evidentuar nëntë mbetje të djegjes së shiritëve të punimeve, shkruan KultPlus.
Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu përmes një postimi në facebook u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të shqyrtojnë rastin deri në fund.
“Me Granit Rugova dhe zyrtarë të sportit e të inspektoriatit të Kryeqytetit pamë dëmtimet dhe lajmëruam policinë.
I dënojmë veprimet e tilla huligane që pengojnë punën dhe rrezikojnë qytetarët prandaj i ftojmë institucionet përgjegjëse që të ndjekin rastin deri në fund.
Faleminderit banorëve të lagjes që edhe gjatë inspektimeve sot treguan se si ruhet puna e përbashkët. Puna do të vazhdojë dhe qytetarët do të shfrytëzojnë shtegun e përfunduar që ju takon shumë shpejtë”, thuhet në positim./KultPlus.com
Korça është e njohur për traditën e artizanatit që zonjat korçare e ruajnë ende.
E pasur me elementë të shumtë dekorativë kryesisht për shtëpitë puna artizanale korçare ka të përbashkëtat dhe veçantitë e saj me zonat e tjera të vendit. Gjatë një ekspozite të hapur në pazarin e vjetër të Korçës artizanet kanë shpalosur punimet e tyre të realizuara me mjeshtëri ndërsa tregojnë disa nga punimet tipike të Korçës, të cilat ruhen ende.
“Korça, historikisht ka pasur këtë traditë. E kanë pasur të parat tona, nënat, mamatë, vjehrrat, motrat më të mëdha dhe na e ka trashëguar edhe ne”, thotë një artizane.
“Zona e Korçës ka të veçantë punimin e gjilpërë, që japin një punim më fin, më të lezetshëm nga grepi”, tregon një zonjë.
Mjeshtëria e tyre gjendet nga punimet e vogla e deri tek ato me sipërfaqe të mëdha.
Prej vitesh punimet e artizaneve korçare kanë tërhequr vëmendjen e blerësve të huaj ndërsa kanë gjetur përdorim të gjerë në bujtinat e Korçës dhe më pak në ambientet familjare./Tch/KultPlus.com
Gjatë këtij sezoni veror Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka marrë pjesë me sukses në disa festivale ndërkombëtare, duke fituar vlerësime dhe çmime.
Përfaqësimi për të parën herë për Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna, Bullgari, me monodramën “Gruaja e thyer”.
Në 20 gusht, shfaqja “Gadjo” u prezantua në Festivalin Etnofest, një ngjarje e rëndësishme për artin dhe kulturën. Shfaqja u bë thelbësore në këtë festival, duke u vlerësuar me tri çmime të rëndësishme: “Shfaqja më e mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Aktorja më e mirë”. Këto çmime janë një njohje e merituar për përpjekjen e ekipit të Teatrit Kombëtarë Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në prodhimin e një performance të jashtëzakonshme teatrale.
Përveç suksesit të arritur në Festivalin Etnofest, “Gadjo” do të vazhdojë me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Kjo është një tjetër platformë e rëndësishme për të treguar fuqinë e artit teatral dhe për të ndarë ndjenjat dhe historinë e shfaqjes me audiencën e gjerë.
Në një ngjarje e shënuar kulturës dhe artit, është pjesëmarrja e shfaqjes “Dhjetë Kërcime – Tirana my Rhythm”në disa festiovale ndërkombëtare. Më 6 korrik shfaqja ka marrë pjesë me sukses në Festivalin Le DANZATRICI en Plein Air.
Më 26 dhe 27 korrik kjo shfaqje morri pjesë në takimin ndërkombëtar kulturor u mbajt mbështetur nga Teatrin Publik Puliez që u zhvillua në Lama D’Antico.
Dhe më 8 shtator shfaqja do të marri pjesë në festivalin “Talos”, një nga ngjarje e rëndësishme eksperimentim dhe takimi të produksioneve origjinale, projekte të reja artistike, kërcime të shkëlqyera bashkëkohore.
Pjesëmarrja e shfaqjes “Dhjetë Kërcime – Tirana my Rhythm” në këto festivale të rëndësishme shënoi një hap të rëndësishëm për kulturën dhe artin e kërcimit në Tiranë dhe në nivel ndërkombëtar.
Për Teatrin Kombëtarë Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”, pjesëmarrja dhe vlerësimet e arritura në këto festivale ndërkombëtare janë një shenjë e qartë e aftësisë së tyre për të prodhuar vepra të cilat prekin, inkurajojnë dhe ndikojnë tek spektatorët në nivel emocional dhe intelektual, duke çuar artin teatror në një nivel konkurues dhe cilësor jo vetëm brenda vendit por edhe përtej kufinjve./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë, në qytetin e Mitrovicës është hapur edicioni i parë i festivalit Mitrovica International Jazz Days, me fituesin e çmimit Grammy, artistin Richard Bona, shkruan KultPlus.
Artisti Richard Bona i shoqëruar nga MIJD BIG BAND, me orkestër të përbërë nga muzikantë të talentuar nga Kosova dhe Ballkani, nën udhëheqjen e dirigjentit Edon Ramadani, mbrëmë i kanë dhuruar qytetit të Mitrovicës një mbrëmje të paharrueshme.
“Sheshi qendror ishte i mbushur nga turma e qytetarëve artdashës, në mesin e të cilëve ishin edhe ministri Hajrulla Çeku dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Havonier, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë dhe asaj të Italisë, si dhe kryetari i komunës, Bedri Hamza”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës në facebook.
Ky festival, i cili këtë edicion i dhuron publikut tre koncerte, po shënon një rilindje të muzikës Jazz në qytetin e Mitrovicës.
Nata e dytë e festivalit do të pasohet me një koncert nga Ganna Ensemble, Enrico Morello ‘Cyclic Signs, Karen Asatrian & Andrej Prozorow, Elina Duni& Rob Luft. Nata e dytë e festivalit do të mbahet më 29 gusht.
Përderisa koncerti përmbyllës vjen më 2 shtator, me fituesit e katërfishtë të çmimit Grammy, Bill Laurance (Mbretëri e Bashkuar) dhe Michael League (SHBA)./KultPlus.com
Superhëna e dytë e muajit, e cila gjithashtu ndodh të jetë hëna e plotë më e afërt dhe më e ndritshme e vitit 2023, do të shfaqet mbrëmjen e së mërkurës.
Hëna do të jetë më afër se zakonisht, vetëm 222,043 milje larg, natën e 30 gushtit 2023, duke e bërë atë të duket më e ndritshme dhe më e madhe se normalja dhe duke i dhënë titullin e “superhëna”.
Por kjo nuk është e vetmja veçori për këtë hënë të plotë. Për shkak se është hëna e dytë e plotë në të njëjtin muaj, ajo quhet “superhëna blu”.
Hera e fundit që dy superhëna të plota zbukuruan qiellin në të njëjtin muaj, ishte në vitin 2018. Nuk do të ndodhë më deri në vitin 2037, sipas astronomit italian Gianluca Masi, themelues i Projektit Virtual Telescope.
Superhëna e parë e këtij viti ishte në korrik. E katërta dhe e fundit do të jetë në shtator.
Kur do ndodhë “superhëna blu”?
Sipas NASA-s, hëna e plotë do të jetë natën e së mërkurës, 30 gusht 2023, duke u shfaqur përballë Diellit në orën 21:36 EDT.
Çfarë është një hënë blu?
Përkundër asaj që mund të sugjerojë emri, një hënë blu nuk ka të bëjë fare me ngjyrën e hënës, kështu që hëna nuk do të duket blu në mbrëmjen e së mërkurës. Megjithatë, disa herë shpërthimet e vullkaneve e kanë bënë hënën të dukej blu.
Sipas NASA-s, përkufizimi më i ri për një hënë blu u prezantua nga revista Sky & Telescope në vitin 1946 dhe merr këtë emërim kur ka dy hëna të plota brenda një muaji.
Çfarë është një superhënë?
Orbita e hënës rreth tokës është një elips, jo një rreth i përsosur. Një hënë e plotë konsiderohet një superhënë kur ajo vjen brenda 90% të perigjeut, pika e saj më e afërt me Tokën.
Sipas NASA-s, superhënat më të afërta duken rreth 17 për qind më të mëdha dhe 30 për qind më të ndritshme se hëna më e largët dhe më e zbehtë e vitit. Kjo 17% nuk është në fakt e mjaftueshme për ta bërë hënën më të dukshme, por NASA thotë se superhënat janë më të ndritshme se hënat e tjera të plota.
Ndërsa përdoret gjerësisht për të përshkruar hënat e plota më të afërta, “superhëna” nuk është një term zyrtar astronomik. Në fakt, ajo u krijua nga një astrolog në vitin 1979./tch/KultPlus.com
“1984” e dramatizuar nga romani distopik i autorit George Orwell, është shfaqja e radhës për të cilën Teatri Kombëtar i Kosovës dje ka filluar provat, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje e cila vjen me regji të Igor Mendijsky, do të interpretohet nga aktorët: Adrian Morina, Ard Islami, Arta Selimi, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci dhe Ylber Bardhi.
Pjesë e stafit të cilët po punojnë për jetësimin e këtij projekti janë edhe:
29 gushti, shënon 184 vjetorin e lindjes së atdhetarit shqiptar,Abdyl Frashërit, shkruan KultPlus.
Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.
Ishte i biri i Halit beut dhe Emine hanëmit. Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahori
Ai u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare.
Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.
Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit).
Sipas tij zgjidhja më e përshtatshme (ne përkohëshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.
Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.
Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm.
Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka zgjuar kuriozitetin e mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë këtij sezoni turistik.
Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi në një intervistë për ATSH-në e cilësoi sezonin veror të këtij viti më të suksesshmin për vizitueshmërinë dhe zhvillimin e turizmit në qytetin e gurtë.
“Janë mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Pra ky sezon veror po e evidenton Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe me gjerë”, tha Golemi.
Golemi u shpreh se tashmë qyteti pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s është një markë e njohur për turizmin ndërkombëtar duke e kthyer në destinacion të preferuar krahas vendasve edhe për vizitorët nga mbarë bota.
Sipas tij, falë vlerave si qytet i UNESCO-s, resurseve natyrore, monumenteve të kulturës, traditave të pasura Gjirokastra gjithmonë e më shumë po preferohet për tu vizituar nga turistët nga mbarë bota.
“Të huajt zënë mbi 80% të vizitorëve të këtij viti në Gjirokastër, ndërkohë që harta prej nga vijnë është mjaft e larmishme. Qyteti i gurtë po mirëpret vizitorë nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, vendet Skandinave, nga Evropa Perëndimore dhe Lindore por nuk mungojnë as turistët nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina, Kina, Australia, etj, etj. Pra tashmë Gjirokastra është një markë e njohur dhe destinacion në rang botërore për sa i përket vizitueshmërisë nga turistët e huaj”.
Kryebashkiaku Golemi bëri të ditur se mbështetur mbi statistikat zyrtare bëhet fjalë për një rritje prej 35-40% të vizitueshmërisë nga turistët përgjatë sezonit veror krahasuar me vitet e e kaluara.
“Por përtej statistikave do të pohoja se tashmë rritje e turizmit në Gjirokastër është një trend i pakthyeshëm, ndërsa dobishmëria e tij preket përditë nga banorët jo vetëm në gjallërimin e qytetit, kthimin e tij në elitën e destinacioneve, por edhe në rritjen e të ardhurave ekonomike. Janë rreth 250 aktivitete biznesi turistik në territorin e bashkisë, të cilat mes të tjerash kanë krijuar mundësinë e çeljes së vendeve të reja të punës. Turizmi ka nxitur zhvillimin e sektorëve të ekonomisë lokale që kanë në qendër traditën, artizanatin, agroturizmin etj”, theksoi Golemi.
Sa i përket pikave kryesore turistike në Gjirokastër, që tërheqin më shumë turistë, Golemi tha se “guida e vizitueshmërisë që ofrohet është mjaft e larmishme duke përfshirë qytetin e gurtë të Gjirokastrës, por edhe rrethinat si dhe fshatrat e saj”.
“Në Gjirokastër turistët vendas dhe të huaj kanë çfarë të shikojnë dhe të prekin nga afër. Vlera të tilla historike dhe ndërtimore si Pazari karakteristik, Kalaja, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta me elementët e tyre të papërsëritshëm zgjojnë interesimin e turistëve të huaj. Guidën e vizitueshmërisë e pasurojnë edhe muzeumet, vlerat natyrore, objektet e shumta të trashëgimisë kulturore duke e bërë në këtë mënyrë udhëtimin jo vetëm njohës, por edhe për t’u informuar dhe mësuar diçka në lidhje me historikun dhe vlerat e qytetit shumëshekullor”, nënvizoi Golemi.
Guida turistike bëhet më e larmishme kur asaj i shtohen Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe resurset e agroturizmit në Lunxhëri, Cepo, etj.
‘Ndërthurja e vizitës në bashkinë e Gjirokastrës edhe me vlerat dhe traditat e zonave të Libohovës, Dropullit, por edhe më gjerë me Përmetin, Tepelenën apo Sarandën e bëjnë mjaft të larmishëm dhe tërheqës udhëtimin për turistët”, shtoi ai.
Kryebashkiaku Golemi nënvizon se “tashmë turizmi është një sektor prioritar edhe për bashkinë e Gjirokastrës. Me zhvillimin që turizmi po merr duke përfshirë edhe dobishmërinë ekonomike të tij për komunitetin bashkia mes të tjerash ka synuar edhe promovimin e vlerave turistike duke i bërë ato të ditura për vizitorët kryesisht të huaj”.
“Nëpërmjet Zyrës së Informimit Turistik bashkia jo vetëm orienton vizitorët, por i njeh ata edhe me pikat dhe zonat që duhet të përfshijnë në udhëtimin e tyre. Gjithashtu si bashki kemi përgatitur guida, harta, por edhe materiale të tjera promovuese në shërbim të turistëve. Në këtë kuadër kemi mbështetur organizimin e panaireve dhe aktiviteteve të tjera me pjesëmarrjen e grupeve të interesit, bizneseve apo operatorëve turistikë. Mbështetje kemi dhënë edhe për promovimin e vlerave të traditës të zonë sonë në panairet ndërkombëtare duke mundësuar pjesëmarrjen e specialistëve të fushës apo mjeshtrave të traditës dhe promovimin e vlerave turistike. Ky sezon i suksesshëm tregon se jemi në rrugën e duhur për promovimin dhe prezantimin e vlerave të Gjirokastrës turistike”, tha Golemi.
Lidhur me masat që ka marrë bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Golemi sqaroi se “aktualisht në bashki funksionon një grup i veçantë punë për mbarëvajtjen e suksesshme të sezonit turistik. Në këtë mënyrë kemi koordinuar punën e strukturave lokale për një qytet të pastër, garantimin e sigurisë publike, evitimin e problematikave të qarkullimit rrugor kryesisht në pikat turistike e mbi të gjitha organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në shërbim të zhvillimit të turizmit”.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë sezonit të verës Gjirokastra është kthyer në qendër të organizimit të eventeve të tilla duke përfshirë ato me profil kombëtar apo ndërkombëtar , të cilat kanë promovuar vlerat artistike dhe kulturore, por mbi të gjithë kanë qenë elementë kyç për tërheqjen e turistëve. Pra e gjithë struktura e bashkisë, drejtoritë përkatëse, kanë koordinuar punën për t’i shërbyer ecurisë së suksesshme të këtij sezoni turistik”, tha Golemi.
Kryebashkiaku Golemi i pyetur për investimet që po kryhen nga bashkia e Gjirokastrës për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, tha se “sezonit të suksesshëm të këtij vitit ne i paraprimë me dy investime madhore ndërsa me mbështetjen e qeverisë qendrore u ndërtua bajpasi i zonës muzelae dhe parkimi nëntokësor në sheshin “Çerçiz Topulli”. Vazhdon puna me ritme të përshpejtuara për përfundimin e plotë të mjedisit urban në këtë shesh duke e kthyer në një aset me vlerë për turizmin”.
“Investime të tilla ndërmorëm në bashkëpunim me ministritë e linjës për zbatimin e projekteve për rijetëzimin e banesave karakteristike, mjedisin e pastër, etj. Bashkia Gjirokastër edhe në këtë sezon veror është çdo ditë në shërbim të qytetarëve me investime dhe shërbime. Punojmë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe zonat rurale, investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroturizëm, mjedisin e pastër, kulturë, objektet sportive, ndërtimin e mjediseve çlodhëse në qytet dhe fshatra, etj”, tha Golemi.
Për kryebashkiakun Golemi investime të tilla ju shërbejnë jo vetëm banorëve, por edhe vizitorëve vendas dhe të huaj dhe zhvillimit në tërësi të turizmit të qëndrueshëm.