Media hungareze, “Coloré”: Shqipëria atraksion i papërsëritshëm edhe në vjeshtë

Eksperiencë plazhi e jashtëzakonshme, pak turistë, ambient miqësor. Kjo është receta për udhëtimin perfekt. Plazhet e Shqipërisë presin vizitorë që janë ngopur me destinacionet kryesore evropiane, dhe duan të shpëtojnë nga turmat e turistëve, ndonjëherë mbytëse, shkruan në një artikull gazetarja Rozc Franciska, të botuar në të përditshmen hungareze “Coloré.hu”.

Kur bëhet fjalë për eksperiencat evropiane të plazheve, zakonisht të vijnë në mendje plazhet dalmate, spanjolle apo italiane.

Megjithatë, në ditët e sotme, këto vende janë shpesh aq të mbipopulluara sa bukuria e natyrës bëhet e pakëndshme.

Ky nuk është aspak rasti me plazhet e Shqipërisë, të cilat nga njëra anë rezultojnë të jenë shumë më miqësore me buxhetin sesa qendrat turistike të krijuara, dhe meqë ra fjala, ata u premtojnë adhuruesve të detit një pamje të mahnitshme.

Shqipëria e pazbuluar

Riviera shqiptare zyrtarisht 450 kilometra e gjatë (ose seksioni i njohur lokalisht si Bregu) shtrihet në pjesën verilindore të detit Jon: bregdeti shtrihet përmes Vlorës dhe Sarandës deri në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe kufirin grek.

Bregu është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, si dhe shumë atraksioneve të tjera, duke përfshirë mrekullitë natyrore si shpellat dhe burimet nënujore, por edhe fshatrat simpatikë bregdetar, pamjet mahnitëse, rrënojat e lashta, madje edhe bunkerë bërthamor të pashfrytëzuar.

Plazhet e Shqipërisë: Plazhi i Gjipesë

Edhe pse nuk mund të themi kurrsesi se plazhi i Gjipesë është një nga plazhet lehtësisht të aksesueshme (një rrugë e pashtruar të çon në një nga perlat e bregdetit shqiptar).

Gjipe është edhe ndër plazhet shqiptare që konsiderohen të paprekura.

Gjipe është një plazh me guralecë që u ofron vizitorëve ujë të ngrohtë dhe të pastër kristal, duke e bërë atë një vend ideal për not.

Në verë, kajakë dhe SUP gjithashtu mund të merren me qira në zonë, por ju mund të sillni një ombrellë me vete.

Disa kafene në plazh ofrojnë ushqime të shijshme shqiptare, por numri i njësive të kateringut nuk është aq i lartë sa në plazhet e tjera të Evropës.

Plazhi i Gjipes ndodhet afërsisht 1,5-2 orë me makinë nga qyteti i Vlorës.

Plazhi i Dhërmiut

Plazhi i Dhërmiut, i vendosur në veri të Gjipesë, cilësohet si plazhi më i bukur në Shqipëri.

Edhe pse bregdeti i Dhërmiut nuk është me rërë, guralecat e lëmuara, të bardha dhe uji i bruztë i ofrojnë vizitorëve një eksperiencë vizuale të papërsëritshme.

Duke qenë se plazhi i Dhërmiut është më i lehtë për t’u aksesuar sesa i Gjipes, edhe familjet mund të pushojnë në këtë zonë bregdetare.

Shezlongët dhe çadrat mund të merren me qira në këtë plazh, dhe restorantet dhe kafenetë ofrojnë ushqime të shijshme për turistët dhe vendasit që e vizitojnë.

Është interesante që jeta në plazhin e Dhërmiut nuk ndalet as gjatë natës: me perëndimin e diellit, zona e bregdetit bëhet skena e festave të egra të plazhit.

Plazhi i Dhermiut ndodhet dy orë nga Saranda dhe 1,5 orë nga Vlora.

Plazhi i Potamit

Plazhi i Potamit, i vendosur në skajin verior të rivierës shqiptare, ka një efekt shumë më të izoluar, pasi shtrihet mes maleve dhe një zone të gjelbëruar.

Si rezultat, plazhi është kryesisht me hije gjatë ditës, por kjo është shumë e nevojshme në vapë, në fakt!

Plazhi i Potamit, ashtu si Gjipe apo Dhërmiu, ka gjithashtu një plazh me guralecë, por këtu ka gurë të mëdhenj e të rrumbullakët dhe jo guralecë të vegjël.

Potami ka një gamë të gjerë baresh dhe restorantesh në plazh, ku mund të ndjeheni të lirë të provoni disa ushqime të shijshme dhe pije të ftohta duke admiruar pamjen e pazakontë.

Plazhi i Potamit ndodhet pesë minuta me makinë nga qyteti i Himarës. /atsh / KultPlus.com



Presidentja Osmani publikon fotografinë nga pritja presidenciale në Nju Jork: Aleanca e lirisë. Aleanca e përjetshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka takuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Nju Jork, në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përcjell KultPlus.

Ajo ka publikuar një fotografi me Biden, në të cilën janë edhe Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden dhe Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu.

“Aleanca e Lirisë! Një Aleancë e përhershme!”, shkroi presidentja Osmani.

Osmani udhëtoi të dielën për në Nju Jork, ku pati takime me liderë botërorë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidentja është ftuar që të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: Dita më krenare e Shqipërisë në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama drejtoi dje në selinë e OKB në Nju-Jork, Debatin e Hapur të Nivelit të lartë, ku Presidenca Shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejton një nga sesionet më të rëndësishme me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.

Në tryezë mori pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe 50 krerë shtetesh.

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Rama ndau fotoalbumin me pamje nga kjo ditë, të cilën e ciëlsoi si dita më krenare e Shqipërisë në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare.

Gjatë debatit Rama tha se, “agjenda e përkohshme është: ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, respektimi i qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara, Kartës së saj përmes aksionit shumëpalësh efektiv, ruajtjes së paqes dhe sigurisë së Ukrainës”. / atsh / KultPlus.com

Mall

Poezi nga Hilë Mosi

Vend i dashtun , ku un’leva,
Sa sa her’ me mall t’kujtoj!
Kurr si sot dashtni nuk ndjeva,
Shum’ Shypni, un’ ty t’dishroj!

Shpesh kujtimet m’shkojn’ te shpia,
Ku me mall e shkush fmininë,
Zemrën krejt ma grin dashtnia
E prej mallit mrend po zin.

Ah, at’ votër kur kujtova,
Ku qark saj un’ jam rrethu…
Dy tri pika lot i lshova,
Ktu n’kët vend ku jam mërgu.

Kur ma thell’ jam shty n’mendime
E mjerimin kam kujtu…
Ikne, ikne ç’pata gzime,
Zemra faret m’u coptu!/ KultPlus.com

‘The Travel off Path’: Shqipëria mes pesë destinacioneve evropiane me tarifat më të lira

Për të gjithë ata që planifikojnë të bëjnë një udhëtim këtë vjeshtë, është e rëndësishme të kuptojnë se cilat destinacione ofrojnë opsione akomodimi që përshtaten brenda një plani shpenzimesh të përballueshme, shkruan në një artikull gazetarja Megi Canco, të botuar në “The Travel off Path”.

Udhëtarët që presin me padurim të vizitojnë atraksionet evropiane do të jenë të lumtur të marrin në konsideratë renditjen më të re të destinacioneve me tarifat më të lira për momentin!

Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve kryesore evropiane, që ofrojnë shërbime për turistët me çmimet më të lira.

Shqipëria

Si një nga destinacionet më të preferuara të Evropës, Shqipëria kohët e fundit ka fituar një interes të madh në skenën e turizmit ndërkombëtar falë kulturës së saj të pasur, rivierës mahnitëse dhe çmimeve të arsyeshme.

Në përgjithësi, në hotele kostoja për një natë arrin mesatarisht 60 euro (~ 64 dollarë).

Pra, nëse udhëtoni në Shqipëri, qiratë afatshkurtra janë mënyra e duhur për të ndjekur.

Vlen të përmendet se në zonat më turistike dhe të mbiçmuara çmimet mund të ndryshojnë pak mbi mesataren.

Arsyeja pse kaq shumë udhëtarë diskutojnë nëse Shqipëria është një destinacion buxhetor apo jo, është se çmimet mund të ndryshojnë shumë midis qyteteve dhe rajoneve./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, z. Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.

Sipas Presidentes Osmani, Urdhri është falënderim i qytetatëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë  për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.

Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Presidentja Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.

Sipas Presidentes Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.

“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Presidentja Osmani/KultPlus.com

Kompanisë ‘Neuralink’ të Elon Musk i jepet ‘drita jeshile’ për të testuar implantet në trurin e njerëzve

Kompania e Elon Musk, mori dritën jeshile nga një komitet i pavarur ekspertësh, që punon me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), për të kryer studimin e parë klinik të kompanisë neuroteknologjike “Neuralink” .

Kjo do të thotë se kompania ka filluar të “rekrutojë” pacientë të paralizuar për të testuar pajisjen e saj eksperimentale, një implant truri.

Siç raporton gazeta britanike “Guardian”, kohëzgjatja e provave të para klinike do të zgjasë gjashtë vjet, megjithatë, kompania neuroteknologjike shmangu specifikimin e numrit të vullnetarëve që do të marrin pjesë në eksperiment.

Reuters thekson se kompania e Musk Neuralink është e gatshme të nisë Studimin Prime, duke u kërkuar vullnetarëve, mundësisht me probleme lëvizëse, që të vendoset një implant në trurin e tyre me qëllim që të lehtësojë jetën e tyre të përditshme.

Ky implant synon të ndihmojë pacientët e paralizuar të rifitojnë aftësinë për të komunikuar dhe kontrolluar teknologjitë e jashtme.

Pajisja përbëhet nga një çip me madhësinë e një monedhe që futet në tru dhe disa tela të hollë që lidhen me të.

Kompania Neuralink pretendon se mund të regjistrojë dhe stimulojë aktivitetin e trurit me saktësi dhe shpejtësi të madhe, por për të vendosur implantin nevojitet një operacion invaziv, pasi telat futen direkt në indin e trurit, ku zbulojnë sinjalet nervore.

Ky operacion delikat është ndërmarrë nga një robot.

Qëllimi i implantimit të çipave në tru

Qëllimi i studimit është që pacientët vullnetarë të mund të lëvizin me valë kursorin e kompjuterit dhe të shkruajnë me ndihmën e çipit, thjesht me mendimet e tyre.

Në një deklaratë të postuar në internet, kompania e Musk shprehu kënaqësinë e saj me vendimin e autoriteteve kompetente amerikane për t’i dhënë “bekimet” e tyre sipërmarrjes së tij pioniere: “Ne jemi të kënaqur të njoftojmë se kemi marrë miratimin nga komiteti i pavarur i rishikimit dhe spitali ynë i parë për të filluar procesin e përzgjedhjes për provën tonë të parë klinike njerëzore.

“Studimi PRIME” (Ndërfaqja e saktë e implantuar robotikisht truri-kompjuter) – një test kërkimor i pajisjes mjekësore pioniere për ndërfaqen tru-kompjuter plotësisht të implantueshëm pa tel (BCI) – synon të vlerësojë sigurinë e implantit tonë (N1) dhe robotit kirurgjik (R1).) Përveç kësaj, ai dëshiron të vlerësojë funksionalitetin fillestar të kompjuterit BCI për t’u mundësuar njerëzve me paralizë të kontrollojnë pajisjet e jashtme vetëm me mendim.

Gjatë studimit, roboti R1 do të përdoret për të vendosur në mënyrë kirurgjikale fijet ultra të holla dhe fleksibël të implantit N1 në një zonë të trurit që kontrollon lëvizjen. Pasi të vendoset, implanti N1, i cili është i padukshëm, do të regjistrojë dhe transmetojë sinjalet e trurit me valë në një aplikacion që dekodon qëllimin e lëvizjes. Qëllimi fillestar i kompjuterit tonë (BCI) është t’u japë njerëzve mundësinë për të kontrolluar kursorin ose tastierën e kompjuterit duke përdorur vetëm mendimet e tyre.”

“Studimi PRIME po kryhet nën përjashtimin e pajisjeve (IDE) të dhënë nga FDA në maj 2023 dhe është një hap i rëndësishëm në misionin tonë për të krijuar një ndërfaqe të përgjithshme të trurit për të rivendosur autonominë për njerëzit me nevoja mjekësore të paplotësuara. Ata që kanë kuadriplegji për shkak të dëmtimit të palcës kurrizore të qafës së mitrës ose sklerozës laterale amiotrofike (ALS) mund të kualifikohet”, thuhet në deklaratë./balkanweb/KultPlus.com

Margariti, ftesë të rinjve për të vizituar Muzeun Ikonografik ‘Onufri’

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ftoi sot përmes rrjeteve sociale të vizitohet Muzeu “Onufri” i Beratit.

“Muzetë rrëfejnë, edukojnë, por dinë të jenë edhe argëtues”, shkroi Margariti duke ndarë një videokartolinë nga Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat, si një ftesë për të rinjtë.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.

Nën dyshemenë e absidës me 12 Gusht të vitit 1968, janë gjetur dy Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus” i shek. VI pas Krishtit dhe pas Krishtit “Codex Aureus Anthimi” i shek IX. Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodiket e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e Unesco-s./atsh/KultPlus.com

La Fonten: Nuk ka rrugë të shtruar me lule që çon tek lavdia

Thënie të njohura nga Zhan de la Fonten. Ai ishte poeti kombëtar i Francës, njëri ndër krijuesit më prodhimtarë në botë që shkroi pothuaj në të gjitha gjinitë, por shkëlqeu veçanërisht me fabulat e mrekullueshme, të cilat e vunë në radhët e fabulistëve më të mëdhenj të botës.

Një stomak i uritur nuk mund të dëgjojë.

Njeriu shpesh e takon fatin e tij në rrugën që mori për ta shmangur atë.

Një pesimist dhe një optimist, sa është i keq njëri, aq është i mirë tjetri.

Kushdo që i është besuar pushteti do ta keqpërdorë atë nëse nuk ka shpirtin e dashurisë për të vërtetën dhe virtutin, pavarësisht se ai është një princ apo një cilido nga radhët e popullit.

Dije mirë se të gjithë llafazanët jetojnë në kurrë të atyre që i dëgjojnë.

Më mirë një lypsar i gjallë dhe një perandor i vdekur.

Sa të rroni, mos pranoni t’i gjykoni njerëzit nga pamja e jashtme.

Veprat më të shkurtra janë më të mirat.

Nga puna që bën njihet punëtori.

Vdekja nuk e gjen kurrë në befasi njeriun e mençur, ai është gjithmonë gati të largohet.

Veshur me lëkurën e luanit, gomari përhapi frikën gjithandej.

Njerëzit i besojnë lehtësisht gjithçkaje që i druajnë apo e dëshirojnë.

Secili i ka gabimet që rëndom i përsërit: as frika, as turpi nuk na shëron prej tyre.  

Miqësia është hija e mbrëmjes, e cila rritet duke perënduar dielli i jetës.
Ndihmoje veten dhe Zoti do të të ndihmojë ty.

Unë përkulem dhe nuk thyhem.

Më kollaj se askush fajësohet Fati.

Është kënaqësi e dyfishtë ta mashtrosh mashtruesin.

Është e pamundur ta kënaqësh gjithë botën dhe babain e dikujt.

As pasuria, as madhështia nuk na bëjnë dot të lumtur.

Kurrë mos ia shit lëkurën ariut përpara se ta kesh vrarë.

Nuk ka gjë më të rrezikshme se një mik injorant; më mirë është të kesh një armik të zgjuar.

Nuk ka gjë më të rrezikshëm se një mik që nuk e ruan sekretin, edhe një armik fisnik është më i mirë.

Njerëzit duhet ta ndihmojnë njëri tjetrin, ky është ligj.

Njerëzit që nuk bëjnë zhurmë janë të rrezikshëm.

Dashuria e vërtetë është e rrallë, miqësia edhe më e rrallë.

Parimi i njeriut është: më mirë vuaj se vdis.

Trishtimi largohet tutje me flatrat e kohës.

Argumenti i më të fortit është gjithmonë më i miri.

Pasioni më i fortë është frika.

Nuk ka rrugë të shtruar me lule që çon tek lavdia.

Për njerëz të urtë nuk ka asgjë të padobishme.

Na pëlqen t’i shohim të tjerët, por nuk na pëlqen që të tjerët të shohin nëpërmjet nesh.

Ne duhet të qeshim para se të jemi të lumtur, nga frika se do të vdesim pa qeshur ndonjëherë./ KultPlus.com

Shtatë pasuritë shqiptare që janë pjesë e trashëgimisë botërore

Një vend i vogël si Shqipëria por me pasuri të rralla dhe një trashëgimi të pasur kulturore, ku shtatë prej tyre janë tashmë të vendosura nga UNESCO në listat e trashëgimisë botërore. IntoAlbania i sjell ato së bashku duke na treguar pasuritë e saj të shumta natyrore, shpirtërore dhe kulturore, përcjellë KultPlus.

Butrinti

Ky mikrokozmosi i rrallë i historisë së Mesdheut u shpall si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1992 dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen parë në Shqipëri! Rrënojat 2500-vjeçare të Butrintit, brenda një parku madhështor të gjelbërt e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë. Teatri i shekullit të III-të para Krishtit, Tempullit i Eskulapit (shek I – II), perëndisë antike të shëndetit, dhe mozaiku me 69 medaljone kishtare janë vetëm tre prej kryeveprave të Butrintit. Liqeni i Butrintit, kanali i Vivarit që lidh luginën e Butrintit me detin Jon, Kalaja trekëndore e ndërtuar aty pranë, si dhe pyjet e dendura që veshin gjithë peizazhin janë disa nga arsyet pse Buthrotum-i i lashtë përmendet në poemën epike të Virgjil-it, Eneidi!

Gjirokastra

I njohur si një nga vendet e shpallura Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, ky qytet i veçantë është ndërtuar në shpatet e pjerrëta, me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën. Bashkë me shtëpitë më të famshme në vend, si ajo e fëmijërisë së Ismail Kadarsë apo Enver Hoxhës, por edhe të familjeve të tjera vendase të shquara, në rrugët me kalldrëm të këtij qyteti gjendet pazari dhe kalaja më e vjetër e gjithë Ballkanit. Qyteti i gurtë njihet jo më pak edhe për panoramën e tij malore, e cila e rrethon Gjirokastrën në tërësi. E sikur të duhej më tepër, në rrethinat e Gjirokastrës gjenden qytetet e bukura antike të Antigonesë dhe Adrianopolit si edhe disa bukuri të rralla natyrore si Liqeni i Viroit dhe Kanioni i Lengaricës ndër shumë të tjera.

Berat

Është arkitektura e veçantë e qytetit që e ka pozicionuar Beratin si një nga vendet e Trashëgimisë Botërore UNESCO në Shqipëri. I ndarë në dy lagje historike, Mangalemin dhe Goricën, nga lumi Osum, qyteti bashkohet përmes urës së gurtë të Goricës. Ky qytet, një herë e një kohë i quajtur Antipatrea, është i rrethuar nga Tomori dhe Shpiragu, dy nga malet më mitike të Shqipërisë. E kështu Berati zë vend të veçantë dhe në hartën e adhuruesve të natyrës. Ngjitje mali, çiklizëm, rafting apo kayaking janë vetëm disa nga aktivitetet në natyrë që mund të realizoni përreth këtij qyteti. Kalaja mesjetare e Beratit bashkë me Muzeun Kombëtar të Onufrit ofrojnë gjithashtu një udhëtim të rrallë. Për mos t’u harruar janë edhe Qendra Mesjetare në Berat e kuzhina e famshme e këtij qyteti!

Kodikët e Beratit

Vlen të përmenden këtu këto dorëshkrime me rëndësi të veçantë historike për fillimet e letërsisë biblike të cilat quhen zyrtarisht “Kodiku i Purpurt i Beratit.” Kodiku u regjistrua në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të ashtuquajturën Kujtesën e Botës të UNESCO-s, në vitin 2005. Dy kodikët e Beratit, të botuar në vitin 1887, janë pjesë e grupit të “shtatë kodikëve të purpurt” të shkruar në 13 vende të ndryshme në Europë midis shekullit VI-të dhe VIII-të. Një herë e një dy kodikët, të shkruar në greqishten e lashtë, mbaheshin në kishën e Shën Gjergjit në Berat por sot ata gjenden në Arkivin Kombëtar të Shqipërisë.

Liqeni i Ohrit

Me një thellësi prej 285 m, Liqeni i Ohrit është më i thelli në Ballkan dhe lag në pjesën më të madhe të tij Maqedoninë (Ohër, Strugë), dhe Pogradecin në Shqipëri. “Liqeni i dritës” u shpall pasuri natyrore nga UNESCO në vitin 1980 dhe, që prej korrikut te vitit 2019, është pjesë e listës së UNESCO-s edhe pjesa shqiptare e liqenit. Plot 4 milionë vjet janë dashur që të krijohet një liqen i këtyre përmasave, dhe gjithçka filloi kur nisi të shembej toka në pjesën perëndimore të Alpeve Dinarike. Sot, ky liqen i bukur i mjelmave është një ekosistem që përmban më shumë se 200 specie, duke përfshirë koranin, peshkun e shijshëm i cili noton vetëm në këto ujëra. Ka shumë vende të bukur, si Pogradeci, fashti Lin apo edhe shumë fshatra të tjerë në këtë zonë të cilët rrethohen nga pamja qetësuese e këtij liqeni e ku kjo e fundit mund të shijohet më së miri.

Lumi i Gashit

Lumi i Gashit është një prej dy rezervateve natyrore shqiptare të pëfshirë në listën e trashëgimisë botërore të natyrës të UNESCO-s. Me një sipërfaqe prej 3000 ha, lugina e Gashit gjendet në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës, në verilindje të Alpeve, në rrethin e Tropojës, shumë larg zonës së banuar. Një pjesë e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit mbulohet me pyje të virgjëra ahu e këto pyje të lashta janë arsyeja pse Shqipëria i është bashkuar 12 vendeve të tjerë në listen e UNESCO-s. Kjo mrekulli natyrore ruan një nga natyrat më të paprekura në Shqipëri! Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqejtë akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët i dhurojnë gjithë zonës një pamje përrallore.

Rrajca

E dyta në listën e trashëgimisë botërore të natyrës të UNESCO-s është Rrajca, pjesë e European Green Belt të pyjeve të ahut si edhe një prej vendeve të pakta ku gjendet rrëqebulli ballkanik. Pranë zonës së Përrenjasit apo Librazhdit, kjo hapësirë prej 4700 ha, pëfshin katër liqene të mahnitshme akullnajore. Rrajca është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanica, i cili është ende relativisht i panjohur sepse ka qenë zonë e ndaluar kufitare gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura.

Iso-polifonia

Kjo mënyrë të kënduari e trashëguar në breza, tashmë njihet dhe si pasuri e të gjithë botës. Arti i iso-polifonisë është shpallur nga UNESCO në vitin 2005 si trashëgimi gojore dhe shpirtërore e njerëzimit si edhe përfshihet në 50 atraksionet më tërheqëse të popujve në botë. Edhe poeti i njohur britanik Bajroni, i sugjestionuar nga magjia e iso-polifonisë, i ka dedikuar disa vargje asaj. Koha e shpërbleu këtë trashëgimi të shqiptarëve nga shekulli në shekull, e ajo mbetet një nga më të mbrojturat e të paharruarat në vend. Kjo këngë po aq e qetë sa edhe tronditëse mund të këndohet ose, më saktë, isoja të mbahet, prej dy, tre apo katër zërave, të cilët bashkohen për të arritur harmoninë e vërtetë. Iso-polifonia mbahet si një praktikë komunikuese që ka mbërritur në ditët tona që nga periudha e Homerit!/intoalbania/ KultPlus.com

Konferenca e 7-të shkencore në kuadër të Procesit të Berlinit në Tiranë

Dita e dytë e konferencës së 7-të shkencore të përbashkët të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, nisi me një takim me mediet në praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe Lucian Brujan, koordinatori i Procesit të Berlinit për Arsim, Shkencë dhe Inovacion (Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina).

Takimi u mbajt në zyrën e akad. Skënder Gjinushi, i cili theksoi se kjo konferencë mbahet një muaj përpara organizimit nga BE-ja të Samitit të 9-të të Ballkanit Perëndimor në Tiranë dhe mundëson për t’i kërkuar politikës së lartë europiane e qeverive përkatëse kthimin e vëmendjes së veçantë në gjithë rajonin kundrejt akademive, institucioneve dhe elitave arsimore-shkencore, për ta konkretizuar këtë me një mbështetje në rritje në të gjitha planet: politike e financiare, për shkencën, arsimin dhe kërkimin shkencor në rajon.

“Kjo konferencë bashkëorganizohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë”, tha akad. Gjinushi, dhe theksoi se ky bashkëpunim vjen me rritjen e vëmendjes ndaj problematikave në zhvillim, me të cilat përballen vendet tona dhe rajoni në përgjithësi në fushë të shkencës e arsimit, si dhe nevojën e rritjes së peshës ende të ulët të financimeve për shkencën në raport me PBB-në, rritjen e mbështetjes së kërkuesve e shkencëtarëve të rinj nëpërmjet forcimit të statusit të tyre dhe frenimit të emigrimit të trurit dhe ndërlidhjes më të mirë me diasporat shkencore; forcimin e përmirësimin e cilësisë dhe etikës së kërkimit; administrimin e zbatimin sa më të mirë të arritjeve shkencore; rritjen e pjesëmarrjes aktive në programet e përbashkëta.

Lucian Brujan falënderoi kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushin për bashkëpunimin dhe theksoi tri objektiva të rëndësishme të Procesit të Berlinit në rajon: transformimin e vazhdueshëm në fushat e shkencës, arsimit dhe inovacionit, zhvillimin dhe mbështetjen e qendrave kërkimore shkencore në Ballkanin Perëndimor, si dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë në Europën juglindore.

Në konferencë mori pjesë edhe Federica Mogherini, tashmë rektore e Kolegjit të Europës, në Brugge, e cila foli mbi integrimin europian të Ballkanit si dhe rolin e akademive, universiteteve e intelektualëve në këtë drejtim. Të pranishmit në konferencë kanë ndjekur edhe një koncert për harqe të dirigjuar nga Eno Koço./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: 130 mijë vizitorë në Alpet e Shqipërisë gjatë gushtit

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shifrën e lartë të vizitorëve që gjatë muajit gusht zgjodhën të shihnin mrekullitë e Alpeve Shqiptare.

“Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë në muajin gusht priti mbi 130 mijë vizitorë, të cilët zgjodhën të udhëtonin drejt majave madhështore, luginave si parajsa, shtigjeve e lumenjve duke konfirmuar se turizmi malor është në ditët e tij më të mira dhe harta e atraksioneve për t’u zbuluar sa vjen e zgjerohet”, shkroi ministrja Kumbaro.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Bukuria mahnitëse e Alpeve pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj. Ato ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon çdo moment, të atyre që shijojnë bukuritë e shumta të kësaj hapësire./atsh/KultPlus.com

Nga po na vjen, moj erë e rreptë

Poezi nga Fan Noli

Fryn moj erë

Nga po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Blinken: Diskutim i rëndësishëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në New York ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Osmani ka treguar se me Blinken kanë diskutuar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët.

”Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar Osmani./21Media/KultPlus.com

UNESCO nis zgjerimin e Listës së Trashëgimisë Botërore

UNESCO ka filluar të shpallë vendet e reja që do të shtohen në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Lista e iniciativës së OKB-së është një përmbledhje e monumenteve me rëndësi të veçantë për racën njerëzore.

Qoftë nëpërmjet një kontributi të jashtëzakonshëm njerëzor apo mrekullisë së pastër të bukurisë natyrore, vendet e Trashëgimisë Botërore mbrohen për t’u siguruar që ato të ruhen për brezat e ardhshëm.

Këtë muaj, Komiteti i Trashëgimisë Botërore do të mblidhet në Riad, Arabinë Saudite, për të futur një grup të ri vendesh në listë. Përpara se të mblidhej komiteti, kishte 1157 vende të trashëgimisë botërore.

Lista tashmë është rritur dhe ka shpallur faqet e reja që nga 16 shtatori.

Këto janë disa nga vendet e reja më të dukshme të shpallura në të gjithë Evropën deri më tani.

Gordion – Turqi

I vendosur rreth 70 km në jugperëndim të Ankarasë, ky vend arkeologjik është ajo që ka mbetur nga Gordioni, kryeqyteti i Frigjisë. Qytetërimi i lashtë ishte bashkëkohës i grekëve të lashtë me mitet e mbretërve të tyre Gordias, Midas dhe të përshkruara në ‘Iliadën’ e Homerit.

Trashëgimia hebraike-mesjetare e Erfurt-it- Gjermani

I vendsour në mes të Gjermanisë, qyteti i Erfurtit ka një grup mbresëlënës të vendeve kulturore të ruajtura të Mesjetës. Daton nga shekulli 11-14, Sinagoga e Vjetër, Mikveh dhe Shtëpia e Gurit japin një pamje magjepsëse të jetës hebreje në Gjermani.

Kaunas moderniste: Arkitektura e Optimizmit, 1919-1939 – Lituani

Mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kryeqyteti i Letonisë ishte Kaunas. Qyteti u rigjenerua tërësisht nga filozofia e arkitekturës së lëvizjes Moderne. Ende të pranishme sot, rrugët urbane të Kaunas janë një kujtesë e asaj epoke magjepsëse.

Qyteti i vjetër i Kuldīga – Letoni

Një shembull tjetër i një qyteti të shëtitshëm, rrugët e të cilit janë të mbushura me trashëgimi kulturore. Kuldīga u rrit nga një fshat i vogël mesjetar në shekullin e 16-të në një qytet të rëndësishëm artizanal dhe tregtar mbi 200 vjet. Ndryshimet në arkitekturë shihen edhe sot.

Vendet prehistorike të Menorca Talayotic – Spanjë

Që nga viti 1600 p.e.s, komunitetet kanë jetuar në ishullin Menorca të Spanjës. Strukturat, mjetet dhe vendet e varrimit sjellin njohuri për mënyrën se si njerëzit jetonin në Menorca, si dhe ritualet dhe zakonet e tyre mbi një mijëvjeçarë përpara se krishterimi të vinte në brigjet evropiane.

Kështjella e Unazës së Epokës Vikinge – Danimarkë

Në pesë vende të ndryshme, ka unaza monumentale në Danimarkë që shënojnë vendin ku dikur qëndronin kështjellat e Vikingëve. Të ndërtuara mes viteve 970 dhe 980 të erës sonë, Aggersborg, Fyrkat, Nonnebakken, Trelleborg dhe Borgring ishin të gjitha vendndodhje kyçe në Dinastinë Jelling të Perandorisë Vikinge.

Zhatec dhe peizazhi i Saaz Hops – Çeki

Shkoni në Žatec dhe ju garantohet një kohë e mirë nëse jeni adhurues i birrës. Fushat pjellore të  bimës së hopit pranë lumit Ohře i ofrojnë zonës bazën për industrinë e saj të shkëlqyer të birrës, e cila ka sjellë revolucion industrial në qytetin mesjetar./klankosova/KultPlus.com

Ekospozita ‘Solidariteti si Rezistencë’ hapet në Baden të Austrisë

Sonte në orën 19:00 në Baden të Austrisë do të hapet ekspozitë personale nga Mentor Berisha në adresën `Theater am Steg, Johannesgasse 14, 2500 Baden`. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga e mërkura e deri të dielën.

“Solidariteti si Rezistencë” është cikli i punimeve të realizuara gjatë viteve të fundit në pikturë, dhe ka për fokus temën e sensibilizimit të grupeve të ndryshme sociale-kulturore, përgjatë viteve 90-ta në Kosovë.

Ky cikël përmban motive nga “Falja e Gjaqeve”, të shumë familjeve tradicionale shqiptare, aksion i pajtimit gjithëpopullor si akt kundër së keqes (gjakmarrja) i nisur nga një grup intelektualësh të udhëhequr nga prof. Anton Çeta, si dhe “Greva e Minatorëve të Minierës së Trepçës”, si akt solidar i punëtorëve shqiptarë kundër regjimit të atëhershëm, që rezultoi më vonë me largimin e tyre nga puna, duke thyer çfarëdo konvente ndërkombëtare mbi organizimin sindikal.

Kjo ekspozitë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./rtk/KultPlus.com

‘Gjurmë’, ekspozita më e re e Adrian Devollit në FAB

Adrian Devolli çel ekspozitën “Gjurmë”, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, (FAB) e cila përmbledh një pjesë të punëve më të mira të artistit, në pikturë, grafika, skulpturë dhe qeramikë.

Artisti Devolli e konsideron domosdoshmëri ekspozitën e cila shërben për të si një refleksion mbi gjendjen në të cilën gjendet dhe atë drejt së cilës shkon.

Titulli “Gjurmë” ka lidhje me gjurmën që le çdo artist në art, një “guralec” në strukturën e madhe të artit. Emocionet e Adrian Devollit gjejnë një teknikë të veçantë për t’u shpalosur në kuadër apo skulpturë.

“Gjurmë” do të qëndrojë e hapur për publikun e FAB-it deri më 23 shtator.

Ardian Devolli ka studiuar në Akademinë e Arteve, ku u diplomua në vitin 1979. Ai është njëkohësisht studiues i Artit Bizantin dhe themelues i grupit artistik “Mur”./atsh/KultaPlus.com

Aktorët shqiptarë në mozaik, Myftar Cubi sjell punimet e tij në Muzeun Kombëtar

Artisti i talentuar Myftar Cubi çeli në Muzeun Historik Kombëtar, një ekspozitë në mozaik, të titulluar “Aktorët shqiptarë ndër vite”.

Ekspozita, në të cilën janë prezantuar 47 punime në mozaik me aktorët më të njohur shqiptarë, vjen pas një pune të madhe 1-vjeçare.

Myftar Cubi ka realizuar në mozaik portretet e aktorëve, në rolet me të cilat ata kanë mbetur në kujtesën e publikut si Marie Logorecin në rolin e Lokes, Timo Fllokon si Çerçiz Topulli, portretin e Dhaskal Todrit interpretuar nga Sandër Prosi, regjisorin e madh Piro Mani në rolin e Sali Protopapës, Vangjush Furxhi në rolin e Latif Borës, e shumë personazhe të tjera interpretuar nga aktorët tanë më të mirë si: Yllka Mujo, Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Petrit Llanaj, Kadri Roshi, Elvira Diamanti, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Eva Alikaj etj.

Mes aktorëve shqiptarë, në mozaik vjen edhe porteti i Uliksit të pavdekshëm të Bekim Fehmiut.

Sipas artistit, aktorët shqiptarë janë pasuri kombëtare dhe është i lumtur për realizimin e kësaj ekspozite. Për të gjithë dashamirësit e mozaikut ekspozita “Artistët shqiptarë ndër vite”, do tē qëndrojë e hapur deri në datën 25 shtator. / atsh / KultPlus.com

Stephen Fry zbulon se zëri i tij ishte vjedhur dhe përsëritur nga AI për dokumentar

Stephen Fry ka pretenduar se zëri i tij është vjedhur nga librat audio të Harry Potter nga softueri i AI dhe është riprodhuar për një dokumentar pa pëlqimin e tij.

Duke folur në Festivalin CogX javën e kaluar, aktori dhe komediani i tha audiencës se ishte “i tronditur” për të bërë zbulimin.

“Unë jam një anëtar krenar i (sindikatës së aktorëve SAG-AFTRA). Siç e dini, ne kemi tre muaj që jemi në grevë. Dhe një nga çështjet e ndezura është AI,” shpjegoi 66-vjeçari. përpara se të luante një klip të asaj që dukej se ishte zëri i tij që tregonte një dokumentar historik.

“Nuk thashë asnjë fjalë për këtë – ishte një makinë. Po, më tronditi,” bërtiti Fry. “Ata përdorën leximin tim të shtatë vëllimeve të librave të Harry Potter, dhe nga ai grup të dhënash u krijua një AI i zërit tim dhe e bëri atë narracion të ri.”

Ish-prezantuesi i QI i shpjegoi audiencës se “nuk do të kalojë shumë derisa videot e plota “deepfake” të jenë po aq bindëse” dhe teknologjia që po përparon me shpejtësi mund të pretendojë se e ka “lexuar çdo gjë nga një thirrje për të sulmuar Parlamentin deri tek pornografia e fortë”.

“Ajo që sapo dëgjuat, u bë pa dijeninë time,” shtoi Fry. “Kështu që unë dëgjova për këtë, ua dërgova agjentëve të mi në të dy anët e Atlantikut dhe ata shkuan balistikë – ata nuk e kishin idenë se një gjë e tillë ishte e mundur.”

AI është bërë një nga pikat kryesore të sulmeve të vazhdueshme WGA dhe SAG-AFTRA. / KultPlus.com

Zgjatet sheshi deri te rrethi i flamurit

Komuna e Prishtinës, ka njoftuar se e premtja në Prishtinë shënon “ditën pa makina”.

“DITA PA MAKINA”. Të premten, më 22 shtator nga ora 10:00 në Prishtinë do të organizohet aktiviteti “Dita pa makina”, një ngjarje ndërkombëtare, e cila organizohet në 2000 qytete të Botës, dhe që ka për qëllim inkurajimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak makinat për transport, e në vend të tyre të shfrytëzojnë transportin publik apo biçikletat”, njofton komuna.

Në njoftim thuhet se me rastin e organizimit të këtij aktiviteti, të premten, nga ora 10:00 deri në 15:00, vetëm rruga “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave.

“Ndërsa, ju qytetarë të dashur mund të merrni me qera, pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund (rrethi i Flamurit). Pavarësisht se çfarë zgjedhje bëni, kujdesuni për mjedisin dhe bëni ndryshime të vogla në jetën tuaj për të ndihmuar në mbrojtjen e planetit tonë”, thuhet tutje./ KultPlus.com

Spanja për herë të parë lejon gjuhët rajonale në parlament

Politikanët spanjollë nga sot mund të flasin në gjuhët rajonale në parlamentin e vendit, duke shënuar herën e parë në historinë e re të Spanjës.

Ndërsa qeveria mblidhet sërish, politikanët lejohen të flasin gjuhën katalonjase, baske, valenciane ose galike, si gjuhë zyrtare të Spanjës.

Vendimi u mor gjatë negociatave midis qeverisë së majtë në pushtet dhe partive rajonale. Kryeministri Pedro Sanchez ka nevojë për mbështetjen e tyre për të qëndruar në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme në korrik.

Ndryshimi në fjalë do t’i kushtojë Spanjës 53 mijë euro, që është kostoja e blerjes së 650 kufjeve për politikanët, mysafirët dhe gazetarët për të dëgjuar përkthime simultane. Gjithashtu, do të punësohen përkohësisht 12 përkthyes.

Politikanët mund të flasin gjuhë të tjera të pakicave në parlament, madje edhe ato që nuk njihen si zyrtare, si p.sh. asturiane.

Qeveria në detyrë e Spanjës sot kërkoi të merrte miratimin e BE-së për të lejuar që katalonishtja, galicishtja dhe baskishtja të fliten edhe në nivel evropian.

Vendet e BE-së kanë rënë dakord se u duhet më shumë kohë për të shqyrtuar propozimin spanjoll, i cili, për të kaluar nevojitet mbështetje unanime./ atsh /KultPlus.com

Lëshohet vendimi për suspendimin nga puna të 3 edukatoreve që dyshohet se keqtrajtuan 3 vjeçarin

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë njofton se Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë për suspendimin nga puna të dy edukatoreve dhe kuzhinieres së çerdhes “Gëzimi ynë” të kësaj komune.

Kështu ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësja e MASHT, Edona Kutleshi-Maliqaj.

“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, tha ajo.

Kutleshi-Maliqaj tutje theksoi se përmes vendimit, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë qe të merren masa edhe ndaj drejtoreshës së çerdhes e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin.

“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, tha ajo.

Kujtojmë se sot Prokuroria kërkoi që ndaj dy edukatoreve të caktohet masa e paraburgimit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

“The Land Within” vjen në kinemanë e Prishtinës Cineplexx

Filmi “The Land Within” nga regjisori Fisnik Maxville (Maxhuni) pas premierave ndërkombëtare dhe pas shfaqjes së parë vendore në Prishtina Film Festival, do të fillojë rrugëtimin e tij në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 21 Shator në “Cineplexx”, Prishtinë dhe Prizren.

Ky film është prodhuar nga produksioni Ikonë-Studio në bashkëpunim me produksionin zviceran Alva Film Production. / KultPlus.com