Më 12 Mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hapë një konkurs publik për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Rezultat i këtij konkursit të organizuar ishte përzgjedhja e krijimit “Evropa”, si himni zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi.
Vendosja e simboleve shumë etnike për Republikën e Kosovës, ishte paraparë qysh në dokumentin e quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, i datës 2 shkurt 2007, ose siç njihet ndryshme “Pakoja e Ahtisarit”.
Ndër krijimet pjesëmarrëse ishte edhe himni alternativ “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi, krijim i parapëlqyer i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006) për të qenë himn shtetëror i Dardanisë-Kosovës. Një tjetër krijim pjesëmarrës në konkurs ishte himni “Kosova diell” me muzikë të Sami Pirraj dhe fjalë të poetit Skënder Zogaj si dhe himni “Kosova jonë”, pa fjalë, me muzikë të Vasil S. Toles.
Mirëpo edhe himni sikurse edhe emblemat e tjera shtetërore duke përfshirë flamurin, monumentin “NEWBORN”, kanë pasur disa kufizime. Në 10-të vjetorin e himnit, autori Mendi Mengjiqi, kishte dhënë të drejtën që të sjellet himni i plotë siç ai e kishte menduar dhe i pakushtëzuar. Himni i cili ishte menduar në fillim kishte edhe këtë tekst:
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë Çerdhe e dashurisë N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë Vend i të parëve tonë Ti qofsh bekue për jetë e mot O nënë e jonë Ne të dalim zot O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë Çerdhe e dashurisë. /KultPlus.com
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF përmes një konference për media ka lansuar faqen e internetit për zhvillimin në fëmijërinë e hershme “www.aferfemijes.org”.
Donjetë Kelmendi nga KOMF tha se duke qenë se vetëm rreth 6% e fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor janë të përfshirë në institucionet parashkollore, pjesa dërmuese e fëmijëve në vitet e para rriten në mjediset në shtëpi, kryesisht me prindërit, gjyshërit, të cilët kanë nevojë për mbështetje profesionale për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Loreta Keqekolla nga KOMF prezantoi faqen për zhvillimin në fëmijërinë e hershme e cila synon mbështetjen e prindërve, kujdestarëve dhe ofruesve të shërbimeve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Kjo faqe ofron temat aktuale, aktivitete, këshilla, udhëzime dhe diskutime për prindërit, kujdestarët dhe ofruesit e shërbimeve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Çdo aktivitet dhe këshillë ndikon në ndërtimin e një baze të rëndësishme në fazat e zhvillimit të fëmijës.
Faqja “Afër fëmijës” do të pasurohet në vazhdimësi si dhe do të jetë faqe dinamike ku varësisht nga nevoja do te shtohen edhe rubrika te reja.
KOMF bën me dije që kjo faqe është një burim alternativ shtesë i cili mund të përdoret nga prindërit, kujdestarët, ofruesit e shërbimeve dhe nuk zëvendëson në asnjë mënyrë platformën ekzistuese të MAShTI për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.
KOMF fton prindërit, kujdestarët dhe ofruesit e shërbimeve për të vizituar faqen “www.aferfemijes.org”, për mbështetje në zhvillimin në fëmijërinë e hershme. / KultPlus.com
Një tjetër fëmijë shqiptar shkëlqen në arritjet akademike. Dhe jo për herë të parë.
Ai është Dario Toska, i cili për të dytën herë brenda një cikli shkollor është nderuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me medaljen më të lartë për arritje akademike. Dario u nderua me Medaljen e Artë të Ekselencës, të programit “President’s Outstanding Education Award”.
Kjo medalje jepet dy herë gjatë arsimit të ciklit 8-vjeçar për nxënësit e shkëlqyer, në përfundim të klasës së pestë dhe asaj të tetë. Dario sapo përfundoi me rezultate të shkëlqyera klasën e 8- të të shkollës amerikane Garmisch Elementary/Middle School në Gjermani, pjesë e sistemit të shkollave amerikane në Europë, shkruan Panorama, transmeton KultPlus.
Shqiptari aq simpatik, Dario Toska, bashkë me prindërit e tij, provuan këto ditë një tjetër gëzim të veçantë. Që nga klasa e parë e deri me përfundimin e klasës së tetë, ai ka pasur vetëm rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur çdo vit si nxënësi më i mirë i shkollës.
Edhe në vitin 2017, me mbarimin e klasës së pestë, Dario u vlerësua me këtë medalje. Presidenti Trump do t’i akordonte për të dytën herë medaljen e artë të ekselencës, një rast ky i rrallë. Dario është djali i Valbona Zenelit dhe Igli Toskës.
Dario ka shkëlqyer jo vetëm në mësime. Gjatë këtyre viteve, ai ka qenë fitues i disa olimpiadave e konkurseve në matematikë, histori, letërsi, Spelling Bee e të tjera dhe ka përfaqësuar shkollën e tij në olimpiada të sistemit të shkollave amerikane në Europë. Dario, megjithëse ende nuk ka mbushur 14 vjeç, zotëron disa gjuhë të huaja dhe pasioni i tij i madh është leximi.
Pa bërë asnjë ditë mësim në gjuhën shqipe, ka lexuar të gjithë veprën e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Dario ka pasion sportin dhe artin, sidomos pikturën. Para disa vitesh u prezantua në një libër së bashku me të ëmën e tij, Valbonën, ku me një mjeshtëri kishte skicuar pikturat e shkrimeve ekonomike dhe politike.
Me rezultatet e larta të arritura në mësime, duke u vlerësuar dy herë me medaljen e artë të ekselencës nga presidenti Trump, Dario Toska ka bërë krenarë jo vetëm prindërit Valbona dhe Igli, por të gjithë shqiptarët ndihen po kaq krenarë me djaloshin aq të ditur, të kultivuar e të edukuar.
11 qershori i vitit 1999 shënon Ditën e hyrjes, në Prishtinë, të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe forcave që kishin vepruar ilegalisht në kryeqytet edhe gjatë luftës, shkruan KultPlus.
21 vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë në periferi të qytetit, ndërsa forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar tërheqjen, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor të vitit 1999. Më 12 qershor nga bazat e tyre në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pastaj edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka uruar qytetarët për këtë ditë e cila u arrit me shumë sakrifica.
“Janë bërë 21 vjet që Prishtina frymon lirshëm!
Kaluam shumë sfida, momente të vështira por kishim edhe shumë gëzime. Ka vështirësi të shumta edhe tani. Por Prishtina për secilën ditë që kalon është më e mirë për qytetarët e saj. Për çdo ditë që kalon, një punë e mirë nis ose përfundon në kryeqytetin tonë, që i mirëpret të gjithë pa dallim.
Nuk do të ndalemi së punuari ndershëm për të mirën e Prishtinës. Sepse ky është nderimi më i madh që mund të u bëjmë atyre që u flijuan për çlirimin e qytetit tonë! Qytetarë të Prishtinës, urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar Ahmeti. / KultPlus.com
“Evropa” është himni kombëtar i Republikës së Kosovës. Himnin e Kosovës e kompozoi Mendi Mengjiqi.
Ashtu si edhe himnet kombëtare të Spanjës, Bosnje-Hercegovinës dhe San Marinos, ai nuk ka një tekst zyrtar, por që tekste jozyrtare janë shkruar për të. Ai u zgjodh për shkak se nuk përmbante asnjë referencë të ndonjë grupi të veçantë etnik. U zgjodh nga Kuvendi i Kosovës, më 11 qershor 2008, me 72 deputetë në favor, 15 kundër dhe 5 abstenime.
Më 12 Mars të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli të hapur një konkurs për zgjedhjen e himnit në gazetat e Prishtinës dhe në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit. Rregullat përfshinin:
“Kompozimi duhet të jetë i dallueshëm: – duhet të jetë unik dhe origjinal”
“Gjatësia e kompozimit nuk duhet të zgjasë më pak se 30 sekonda ose më shumë se 60 sekonda.”
“Tekstet mund të jenë të përfshira, në çdo gjuhë zyrtare të Republikës së Kosovës” mirëpo, miratimi përfundimtar nuk do ta përfshinte atë. Zgjedhja e tekstit për himnin do të kishte qenë një detyrë e vështirë, sepse shumica e Popullsisë së Kosovës janë Shqiptarë, Serbët janë grupi i dytë më i madh etnik. Qeveria theksoi se asnjë grup etnik nuk duhet të diskriminohet, duke e shpallur shtetin “republikë demokratike, laike dhe multietnike” gjë që e bënte të vështirë gjetjen e një teksti i cili nuk do të favorizonte asnjë grup etnik mbi një grup tjetër. Probleme të ngjashme janë shfaqur gjatë zgjedhjes së flamurit të Kosovës. Për më tepër, rregullat gjithashtu thonë se propozimi “Nuk duhet të jetë i ngjashëm me ndonjë himn apo këngë popullore e cilitdo vend, ose himnin e cilësdo parti politike, lëvizje apo institucion të Republikës së Kosovës, ose të implikojë besnikëri ndaj ndonjë bashkësie etnike të Republikës së Kosovës.”
Propozimet duhet të dorëzohen deri më 31 Mars të vitit 2008.
Kompozitorit të pjesës së miratuar do t’i jepen €10.000 dhe dy propozimet e tjera të kualifikuara do të marrin €7,000 dhe €5,000. / KultPlus.com
Një përqafim në ditë e mban mjekun larg nga fëmijët!
Nuk ka dyshim se përqafimi na bën të ndihemi mirë, megjithatë, përveç kësaj, ky proces sjell shumë përfitime të tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e fëmijëve, thuhet në studimin që e transmeton G.SH.
Bright Side tregon disa përfitime të padukshme që mund t’ju sjellin ju dhe fëmijës tuaj përqafimet:
Përqafimet krijojnë fëmijë të lumtur
Përqafimet i mësojnë fëmijët të zhvillojnë empatinë
Përqafimet ndihmojnë në ndalimin e një shqetësimi
Përqafimet krijojnë fëmijë më të zgjuar
Përqafimet krijojnë një lidhje të fortë midis një fëmije dhe një prindi. / KultPlus.com
Një nga filmat më të njohur klasikë amerikanë “Gone with The Wind” (Bashkë me erën) është hequr përkohësisht nga platforma kryesore dixhitale e vendit prej portretizimit pozitiv ndaj skllavërisë.
Një nga filmat më të njohur klasikë amerikanë “Gone with The Wind” (Bashkë me erën) është hequr përkohësisht nga platforma kryesore dixhitale e vendit prej portretizimit pozitiv ndaj skllavërisë, në momentin kur pas vrasjes së George Floyd, SHBA duket se ka nisur të bëjë një rivlerësim të vlerave kulturore.
Filmi epik për luftën civile në SHBA me aktorët Clark Gable në rolin e Rhett Butler dhe Vivien Leigh në rolin e Scarlett O’Hara, bazohet në romanin e shkruar tre vjet më parë nga Margaret Mitchell.
Ai tregon historinë e turbulluar të dashurisë gjatë Luftës Civile dhe Rikonstruksionit dhe prej kohësh ishte kontestuar pasi zbukuronte tmerret e skllavërisë në jugun e SHBA.
Dje skenaristi i tij John Ridley, shkruante në Los Angeles Times se filmi duhet hequr perfundimisht.
“Nuk është se vetëm ka mangësi. Filmi i thurr lavde jetës së Jugut të SHBA ku lulëzonte skllavëria. Edhe kur filmi nuk portretizon tmerret e skllavërisë, ai krijon stereotipe shërbëtorësh për njerëzit me ngjyrë”, tha Ridley.
Filmi është kritikuar gjithashtu pasi në një sekuencë përdoret fjala më ofenduese për afro-amerikanët “nigger”.I.C./Shqiptarja.com / KultPlus.com
“Të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se “të gjithë ata që krijojnë punë, të jenë njerëzit më të favorizuar në Shqipëri, që krijojnë punë për vete dhe familjet e tyre. Të gjithë ata emigrantë që kanë kursime ta shikojnë Shqipërinë si një oportunitet për të ardhur për të hapur një biznes të vogël, për të jetuar ata dhe familja e tyre me të ardhura më mirë sesa nga rropatja në emigracion në punë sfilitëse, siç bëjnë një pjesë e mirë e tyre”.
“Të gjitha projektet në agroturizëm të jenë projekte 100% pa taksa”, deklaroi Rama duke shtuar se “faktikisht nuk diskutoj tarifat vendore, pastrimin dhe as sigurimet shoqërore që nuk diskutohet, por të jenë pa taksa”.
“Të vijnë dhe të bëjnë atë që kanë filluar të bëjnë shumë emigrantë, të marrin shtëpinë e gjyshit apo stërgjyshit në fshat dhe aty ku duket e pamundur që të jetohet dhe të nxjerrin të ardhura, të nxjerrin të ardhura më shumë sesa atje ku janë në Gjermani apo Itali, me atë shtëpinë e stërgjyshit duke krijuar agroturizëm. Kjo nuk është më një ëndërr me sy hapur si ajo që unë shihja kur e lancuam projektin, por kjo është një ëndërr e realizuar e një numri të vogël, por të mjaftueshëm emigrantësh, që e kanë bërë dhe po e gëzojnë”, u shpreh Rama.
“Vërtetë të jesh në një fshat në Kuç ku ishim ne është e vështirë të imagjinosh se ti mund të prodhosh, edhe prodhimin tënd ta nxjerrësh në treg. Është e vështirë për të gjitha arsyet e terrenit, infrastrukturës etj., etj., por je në mes të një parajse ku ti mjafton të bësh pikën ku të tjerët të vijnë te ty. Nuk je ti që shkon në treg, është tregu që vjen te ty, janë turistët që vijnë tek ty, familjarët vendas që vijën te ty, falë bukurisë traditës dhe gjithçkaje që ti ofron”, theksoi më tej Kryeministri Rama. /atsh/ KultPlus.com
Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, në përputhje me nevojën që krijimtaria e tij letrare të jetë në dispozicion të lexuesit të gjerë, ka hapur faqen e tij jusufbuxhovi.com në të cilën gjenden disa nga veprat e tij si libra elektronik, shkruan KultPlus.
Buxhovi është shprehur që kjo faqe vjen si rezultat i kërkesave të shumta të lexuesve që librat të jenë të qasshme edhe në mënyrë elektronike.
Në faqen e tij, Buxhovi tashmë ka renditur disa nga veprat e tij: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e Zonjës Von Braun”, “Kodi i dashurisë”, fituese e çmimit kombëtar “Azem Shkreli” në vitin 2006 si dhe “Dosier B” (Dosja B) në anglisht.
Së shpejti, këtyre veprave do t’u shtohen edhe disa të tjera.
Dizajnimin e faqes e ka bërë Tahir Hoxha, të cilin Buxhovi e falënderon. / KultPlus.com
Stafi administrativ i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” prej sot (e enjte) është në vetizolim.
Punonjësi i këtij institucioni, që dyshohej se është infektuar me koronavirus, ka rezultuar pozitiv të mërkurën. I njëjti është bashkëshorti i punonjëses së Galerisë Kombëtare të Kosovës, e cila kishte rezultuar pozitive në testin për COVID-19 të martën. Si pasojë, pas Galerisë tashmë edhe “Shota” është mbyllur. Megjithëse punonjësi i këtij institucioni nga e mërkura e javës së kaluar ishte në vetizolim, Ministria e Kulturës do të kërkojë testim për punonjësit e “Shotës” dhe disa të vetë Ministrisë që ishin raste kontakti, shkruan Koha.net
“Punonjësi i ‘Shotës’ ka dalë pozitiv. Edhe pse ai ka qenë në vetizolim nga e mërkura e javës së kaluar, ne kemi kërkuar vetizolim të punëtorëve të ansamblit të cilët kanë pasur kontakt me punëtorin në fjalë. Të enjten do të kërkojmë testimin e punëtorëve që kanë pasur kontakt me të infektuarin”, ka thënë Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës. / KultPlus.com
Stefan Kuhnigk, artist nga Hamburgu i Gjermanisë i kombinon tri gjëra që njerëzit i duan më së shumti – kreativitetin, të pazakonshmen dhe kafen.
Puna e tij filloi me një incident të vogël në zyrë dhe ky artist vendosi t’ju dhurojë jetë njollave të vogla të kafes. “Krijesat” e tij të vogla kanë rrëfime të veçanta.
Gjergj Fishta vlerësohet si studiuesi më kompetent i temës së gjakmarrjes…
Pikëpamja e Fishtës është: Marrja e gjakut ka qenë një veprim i drejtë, i ligjshëm dhe i dobishëm për gjithë periudhën që Shqipëria ka qenë pa shtet (pra deri më 1912).
Për periudhën e monarkisë, Fishta shkruan: “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër”.
Më tej shprehet se në themel të këtij konceptimi “padyshim asht: ‘gjaku’ – edhe la vendetta” (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Parathanie, Bot. 2001, fq.27,30).
Cilët quan Fishta kundërshtarë të kombit?
Dihet se që nga fundi i shekullit XIX, armiqtë tanë të jashtëm, shovinistët e vendeve fqinje dhe mbështetësit e tyre evropianë, formuluan tezën sipas së cilës, shqiptarët qenkan të paaftë për të krijuar shtetin e tyre, sepse paskan si tipar karakteristik gjakmarrjen.
Fishta e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë këtë tezë. “Duket mirëfillit”, shkruan ai “se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thuhet se kombi shqyptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeveris në vetvedi i pamvarshëm” (fq.32).
Në mbrojtje të tezës së vet, Fishta sjell argumente bindës nga disa shkenca. Nga historia: Ai vë në dukje se ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit “përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të teutonëve, të sllavëve, hindianëve, ase (që) nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare” ( fq.30).
Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar.
Sipas antropologjisë, bëhet klasifikimi në pesë shkallë i kulturës e qytetërimit të popujve. Sipas këtij klasifikimi, vendi ynë hyn në shkallën e tretë, që ka si karakteristikë kryesore realizimin e së mirës së përbashkët. Kjo kulturë mund të quhet legjendare ose heroike sepse: “gjithkund zotëron parimi i lirisë, i nderit e burrnisë” (fq.29-30).
Elemente të egërsisë përmbajnë vetëm shkalla e katërt dhe e pestë e klasifikimit. Nga jurisprudenca, Drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate evropiane, qëllimi i të cilave është “me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, përndryshe nuk asht barbar” (fq.31). Si i tillë, ligji kanunor është i dobishëm sepse ka karakter parandalues ndaj krimit të vrasjes.
Si akt individual është konsideruar si vetë-gjyqësi. Një cilësim i tillë është i gabuar, sepse Kanuni ishte ligji i kohës. “Shqiptari pra”, shkruan Fishta, “tue vra gjaksin e vet, nuk ban tjeter veçse me e que në vend nji ligj, qi ai e mban për të drejtë” (po aty). Më tej vazhdon: “… gjaksi i Luigjit XVI, kur i preu kryet… e mbyti pse mendonte se ligja asht e mirë, e arsyeshme… e as nuk thotë kush sot se kje barbar” (po aty).
Për të qartësuar më këtë çështje, Fishta bën një analizë akoma më të detajuar. Personi që ka kryer krimin e vrasjes mund të gjejë strehim në krahinat e tjera, ku në bazë të normës kanunore të “prerjes së mikut” bëhet i paprekshëm. Kjo mund të çojë deri në konfrontimin me armë midis krahinave ose siç thotë Fishta në “luftë civile”. Për të shmangur këtë rrezik, burrat e mençur të kanunit, marrjen e gjakut ia ngarkuan individualisht shtëpisë së viktimës (fq.31). “Këto vendime të Kanunit”, shkruan Fishta, “kanë kenë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit qi ishte Sulltani i Stambollit” (po aty).
Në aspektin psikologjik, pas marrjes së gjakut, Fishta konstaton zhdukjen e çdo kompleksi negativ në marrëdhëniet përkohësisht në armiqësi midis dy familjeve, siç mund të jetë ndenja e urrejtjes. Madje shkojnë deri atje sa të lidhin fejesa e kumari të reja. “Edhe vrasja e gjaksit në pikëpamje psikologjike” shkruan Fishta, “nuk asht nji vendetta, dan edhe prej faktit se dy familjet marrin e apin me njena – tjetren si me të gjitha familjet e tjera të bajrakut, mos tjeter n`at masë sa shtetet e qytenueme t`Europes mbas luftës botnore” (fq.31). Në vazhdim të arsyetimit thekson se “për ne e marrshim punën në pikëpamje psikologjike, unë tham se puna e gjakut … asht rezultat i do mendorjeve qi nuk mvaren prej shpirtit të këtij kombi” (po aty).
Në argumentimin e gjerë të tezës së vet, Fishta i referohet edhe letërsisë antike greke, siç ishte “Iliada” e Homerit. Por, ajo që është akoma më e rëndësishme i referohet edhe Librit të Shenjtë, Biblës (fq.32). Në botimin shqip të Biblës gjejmë të shkruar: “I afërmi më i ngushtë i të vrarit ka për detyrë ta vrasë kudo që ta gjejë (vrasësin)” (Bibla, ECM, 1993, fq.182). Në mbrojtje të bindjeve shkencore që ka formuar, Fishta nuk i bën lak as doktrinës fetare, e cila si zgjidhje të pranueshme për vrasjen konsideron vetëm faljen. Jashtë çdo dyshimi edhe ai do të preferonte faljen, por konstaton se një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme. “Kurrkush ma shumë se unë si kishtar”, shkruan Fishta, “nuk mund ta dënojë punën e gjakut në vedvedi e të marrne si nji fakt të zdeshun prej mendorjeve ndërmjet të cilave ndolli” (fq.30-31). Në gjithanshmërinë e trajtimit të çështjes autori ndalet edhe në faktorët e brendshëm e të jashtëm që kanë kushtëzuar vazhdimin kaq gjatë te ne të fenomenit të marrjes së gjakut.
“Të marrunit e gjakut”, thekson ai, “buron prej mendorjeve të jashtme e prej t`metave të organizimit shoqnuer të nji kombi” (fq.32). Është fjala për pushtimet e huaja shumëshekullore dhe në prapambetjen e përgjithshme, në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit tonë. Vlera dhe rëndësia e studimit të Fishtës bëhet akoma më e madhe për faktin se aty përcaktohen edhe rrugët që duhen ndjekur për zhdukjen e gjakmarrjes.
Në vitin 1933, kur doli në dritë vepra e Gjeçovit, gjakmarrja nuk kishte dalë nga skena. Megjithëse veprim i ligjshëm dhe i dobishëm deri në vitin 1912, tani ishte shndërruar në një fenomen negativ dhe jashtë kohës së vet. Veçse duhet theksuar se kjo nuk ngjiste për faj të saj. Fajtor i vërtetë ishte shteti që nuk i kryente detyrat që i përkisnin. Për zhdukjen e gjakmarrjes Fishta thekson se: “…ligjet për me ken vërtet të dobishme por të drejta e të ndershme do të jenë, do të jenë të gjashme, due me thanë të preme pas pshihes e nevojave të njimendeta të popullit…Kështu kan punue të gjitha kombet e qytetnueme” (fq.24). /konica/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot për nder të 142 vjetroit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka hapur ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, shkruan KultPlus.com
Në këtë organizim kanë marrur pjesë zyrtarë të lartë të shtetit ndërkaq ky organizim është realizuar nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 142 vjetorit të Lidhjes, Shqiptare të Prizrenit, sonte në Prizren është hapur ekspozita “Personalitet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit”.
Në këtë ngjarje të udhëhequr nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, morën pjesë edhe Kryeparalmentarja Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni si dhe personalitete tjera nga skena politike.
Me këtë rast ministrja Dumoshi, në rolin e nikoqires së organizimit, tha se përmes kësaj ekspozite po sillen në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Sot jemi së bashku për të sjellë në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Për të ruajtur tërësinë territoriale atdhetarët tanë 142 vjet më parë arritën të formojnë organizatën politike dhe ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që disa vite u zhvilluan aktivitete të ndryshme”.
Tutje ministrja tha “Sonte me kujdes te shtuar për shkak te përballjes me pandeminë dhe te angazhimeve tona të përbashkëta për t’ju kthyer dhe punës në institucione, se bashku për prezantimin e ekspozitës tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit” e autorit Prof. Dr. Parim Kosova. Ekspozitë kjo e punuar me përkushtim e profesionalizëm që përmban fotografitë, portretet e ideologëve, udhëheqësve, klerikëve, dëshmorëve luftëtarëve dhe veprimtarëve të shumtë të Lidhjes së Prizrenit”.
“Ky aktivitet, nderon veprën dhe kontributin e të gjithë ideologëve, veprimtareve dhe dëshmoreve qe e krijuan Lidhjen për te cilën ne jemi krenar. Lidhje kjo, qe presidenti i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova e quante Lëvizja me e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës se shkëlqyeshme te Gjergj Kastriotit” shtoi ministrja.
Autori i ekspozitës Parim Kosova, dha detaje për ekspozitën, i cili tha se qysh nga viti 1996 kishte filluar të merret me këto fotografi.
“Kemi arritur të grumbullojmë fotografi të personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Duhet të theksoi një fakt, fati ka qenë i tillë shekulli 19 që studio fotografish vetëm një ka qenë në hapësirën shqiptare, ajo e Marubit dhe të tjerët janë fotografuar ose në Selanik ose në Stamboll ose në Itali ose në Austri. Pata fatin pas luftës të jem i pari studiues nga Kosova të hulumtoj në arkivin e fototekës Marubi, kam hulumtuar në fototekën në Stamboll, të muzeut kombëtar, muzeut të Tiranës, si dhe te familjarët”, tha ai.” / KultPlus.com
Kur nana ik nga kjo botë Në pragun e jetës Ta lë këmishën e njeriut t`rritur T`i lë me qindra fjalë të heshtura N`kornizë muri hijen e saj
Kur nana vendos me shku I ka veç pak ditë shikimin e lëshon përtej është përshëndetja e saj Mos ki frikë njeriu im i vogël
Kur nana pështillet rreth vetes ajo nuk ka pësuar amnezion siç e mendon ti njeriu im i vogël I kthehet shpisë së çiknisë Puth në ballë e merrë n`gryk t`kalumën e saj
Kur nana s`mundet me të thirrë n`emër do m`ja kujtue fytyrën kur ti gjunjëzohesh ka mu t`u shfaq e drejtë si hyjni se ajo nuk do të jetë me t`plotnue me fjalët tu t`dhanë dashni
kështu ta lë fytyrën si shenjë me u çua e me lëvizë
Njeriu im i vogël Tani je rritur më lëre të qetë n`lirinë e saj
Nesër në Gjilan në 75 vjetorin e vdekjes nderohet një nga autorët më të shquar të letërsisë në vend, Beqir Musliu, shkruan KultPlus
Në nderim të veprës së tij, do të ketë një varg aktivitetesh në Gjilan të përkrahura edhe nga Komuna e Gjilanit.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Nesër në Gjilan, në 75 vjetorin e lindjes dhe në 24 vjetorin e kalimit në amshim
NDEROHET NJËRI NGA PENAT MË TË SHQUARA TË LETËRSISË SONË, BEQIR MUSLIU
Pikërisht në 75 vjetorin e Tij të lindjes, më 11 qershor, 2020, Gjilani, si vendlindje e tij, nderon në pajtim me kushtet dhe rrethanat e kësaj kohe pandemike, bjërin nga bijtë e saj më të çmuar, shkrimtarin Beqir Musliu. Përmes Zyrës së Kryetarit të komunës, z. Lutfi Hazirit, Drejtorisë për kulturë, rini e sport si dhe asociacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, Ars Clubit “Beqir Musliu”, në ora 10:00, te Varri i shkrimtarit, do të vendosen lule dhe do të bëhen nderime. Më pas, ora 11:00, në Zyrën e kryetarit të kësaj komune, një Juri profesionale, e emëruar nga kryetari Haziri, do të bëj publike emrin e fituesit të ri të Çmimit letrar “Beqir MUsliu”, njëri nga çmimet më prestigjioze në vend, që jepet në nderim të jetës dhe veprës së Beqir Musliut, që nga viti 2004 e këndej. Çmimi letrar “Beqir Musliu” , pavarësisht rrethanave pandemike, i reduktuar paksa në procedura dhe nga cereominia publike, ruan vazhdimësinë dhe synimin kryesor që ka, për t’i vlerësuar dhe shpërblyer vlerat e mirëfillta artistike si dhe prurjete reja në letërsi. Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi e Edi Shukriu. Cili do të jetë fituesi i 14-të me radhë, do të dihet nesër …”
Pronari francez i një biznesi të planifikimit të dasmave e ka lidhur veten me zinxhirë afër selisë së një kompanie të sigurimeve në Poitiers në perëndim të Francës, për të protestuar refuzimin e kompanisë për të kompensuar humbjet e tij që ka pësuar shkaku i pandemisë së koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Duke mbajtur një maskë të zezë dhe një kapele, Martin Leotard, drejtor menaxhues i kompanisë “Les Ducs de Richelieu”, ka thënë se kompania e sigurimeve ku është siguruar ai, La Mutuelle de Poitiers Assurance, ka refuzuar ta kompensojë atë pasi COVID-19 është pandemi dhe jo epidemi të cilën kompania e sigurimeve e mbulon. Leotard, që ka mbajtur një shënim në të cilin shkruhej “vdekja e bizneseve të vogla”, ka thënë se ai planifikon të fillojë grevën e urisë. “Që nga prill jemi duke pësuar humbje.
Ne nuk do t’ia dalim, do të vdesim”, ka thënë ai. Kompania e sigurimeve ka thënë se biznesmeni nuk është i kualifikuar të kompensohet bazuar në sigurimin që e ka. “Rreziku i pandemisë nuk figuron në sigurimin e tij. Kushtet tona në kontratë janë të qarta”, ka thënë Stephane Desert, shef-ekzekutiv i La Mutuelle de Poitiers Assurance.
Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 10 Qershor 1878.Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.
Tematika e kësaj ngjarje historike, është pasqyruar në monedhën metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor.
Ana e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”.Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.
Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”. atsh / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta i jep titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, prof. dr. Hamlet Bezhanit.
Meta shprehet se “në nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij të vyer si profesor i gjuhës angleze dhe gjermane, dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme si studiues, autor tekstesh dhe gjuhëtar i talentuar, pata sot kënaqësinë që edhe me rastin e 80-vjetorit të lindjes, të çmoj Prof. Dr. Hamlet Bezhanin, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, pikërisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku ai kontribuoi si profesor për mbi 40 vjet”.
“Prof. Bezhani i përket brezit të intelektualeve që hodhën themelet e arsimit të lartë në Shqipëri veçanërisht në fushën e gjuhësisë, të cilët me dashurinë e tyre për shkencën, studimet e shqipërimet e paharruara nga gjuha angleze dhe gjermane, edukuan breza të tërë me kulturën dhe vlerat europiane. Falë përvojës së Tij të çmuar dhe përkushtimit për gjuhën e përkthimin ai përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si ambasador i shkëlqyer i kombit tonë në botë, në studime dhe hulumtime shkencore të vendeve të ndryshme”, tha ai.
Po ashtu, Meta shton se “megjithëse prof. Bezhanin nuk e kemi më mes nesh prej 5 vitesh, ai ka lënë pas breza të respektuar akademikësh, studiuesish të gjuhëve dhe përkthyes të talentuar, të cilët vazhdojnë sot denjësisht traditën e çmuar të tij dhe të familjes së dashur Bezhani”.
Do të mbjellë një arrë në oborr, i tha Xhema motrës, Selës.
Po, i foli ajo.
Ata e bënin të lumtur njëri-tjetrin. Ishin binjakë.
Dua ta shoh nga këndi i dritares kur kurora e saj e madhe mbulon në vapë vere me hije të rëndë gjithë oborrin, vazhdoi ai.
Po, sa mirë, tha motra.
Do ta shortoj se degët e pasistemueme të kurorës së gjerë do të mbulojnë edhe shtëpinë, tha ai.
Nuk është për të thënë, por e di, se ai që mbjell arrën sa kokrra e parë bie nga dega, do të vdesë, tha pikëlluar motra.
Megjithëse kishte filluar të plakej, ajo kishte ruajtur gjallërinë, me trupin e hollë dhe të bukur, të gjatë sa i vëllai. Shaminë e lidhte ende mbi vesh.
Një mbjellës zgjedh me vullnetin e tij të madh kohën e ikjes, mendoi Xhema. E lë mbas një arrë për ata që do të vijnë mbas tij.
E mbjell unë, tha ai. Më është fiksuar arra në oborr. Të martën do të blej dy fidane.
Vetëm një, e korrigjoi motra. Një arrë do një njeri.
Ne jemi dy, tha vëllau. Zoti familjen tonë e bekoi me gëzim të dyfishtë. Kështu ka qenë vullneti i tij.
Po, përgjigji, motra.
Nuk folën pastaj, por shikuan oborrin me kënaqësinë që ofron madhështia e pemës kur do të hapë degët e blert me kokra fshehur nëpër gjethe.
Unë e mbjell, tha vëllau.
Unë, tha motra.
U zunë dhe do t’i zinte zgjuar mëngjesi pa u pajtuar, sikur vëllaut t’ mos i kujtohej: Do të hedhim short!, tha i gëzuar.
Jo, tha motra. Unë! Vetëm, unë!
Arra po rritet, tha motra, kur u bën tre vjet, nga dita kur ajo i pat mbushur duart me pleh të njomë, për t’ia lyer sa më mirë rrënjët e imta të drurit të njomë e të drejtë. E lëshoi si një xhevahir, me kujdes, në Qeremiden e Selanikut atje në mes të thellësisë së tokës së kuqe, përzier me gurë të vegjël xinxarë.
Kur vinte për vizitë me shkimin e kujdesshëm kërkonte në mos arra kishte lidhur kokërr.
Kur do t’ju ushqejë, pyeste ajo.
Vëllau i afrohej, e tërhiqte me butësinë që nuk i venitej asnëjherë, e përqafonte për të kaluar ankthin kur kujtonte arrrën me kokrrat që do të mbushnin kurorën.
Vitet kalonin. Kurora është rritur, por lulet e gjelbërta sa lidhin kokrrën, bijnë një nga një përtokë, ankohej vëllau.
E kemi mbjellur me vullnet të madh, arsyetohej motra. katërmbëdhjetë vjet, pa një kokërr! Në shtatorin e vitit të pesëmbdhjetë, vëllau i mërzitur shumë shkoi ta befasonte motrën. Më në fund, kurora e kishte rritur shumë kokrra që tashmë qenë zverdhur.
I tha motrës: arra është plot kokrra.
A janë të bukura, të shëndetshme, të mëdha, pyeti ajo.
Kishte rënë në shtrat. Tre muaj lëngonte. Kalonte kohën duke u lutur. Nga shtrati shikonte përmes dritares qiellin dhe e bekonte, duke kuptuar kënaqësinë e shpenzimit të dhimbjes që ia sillnin ditët e pandalshme, që kokrrat e arrës më në fund të pikonin në tokë. Me ato edhe ajo e kishte të lidhur fatin.
Të bukura, tha ajo.
Po, tha vëllua. Shumë të bukura kanë qenë gjithmonë.
Edhe kur ti i këpusje çdo maj që unë të jetoja, tha motra.
“Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë ose dashuria vret xhelozinë.”
“Të bëjnë një hap përpara, të hapin dyert e një bote të re… ja këtë kanë frikë njerëzit më shumë.”
“Nuk ka asnjë kufi brenda mendjes së njeriut ku është e rrezikshme që të shkohet. Pasi kalon një kufi ti çlirohesh dhe është e pamundur të kthehesh pas.”
“Lumturia nuk qëndron tek të qënit i lumtur, por tek arritjet e tua.”
“Kur ndalon së lexuari libra, ndalon së menduari.”
“Liria nuk gjendet duke ndrydhur veten, thjesht duke ushtruar vetëkontroll.”
“Lumturia nuk vjen nga rehatitë meskine, por arrihet nga vuajtjet.”
“Duhet të dashurosh jetën më shumë sesa dashuron kuptimin tënd për të.”
“Nuk duhet shumë përpjekje për të shkatërruar një njeri. Mjafton ta bindësh se puna që ai bën është krejtësisht e kotë dhe e pakuptimtë.”
“Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një person që flet.”
“Një njeri mund të jetë i mençur, por në mënyrë që të sillet zgjuarsisht nuk mjafton vetëm inteligjenca.”
“Nuk do të arrish kurrë destinacionin tënd nëse ndalon dhe hedh gurë tek çdo qen që leh.”
“Dua të kem një njeri me të cilin mund të flas për çdo gjë, ashtu siç mund të flas edhe me veten time.”
“Është mahnitëse se çfarë të mirash mund t’i sjellë shpirtit qoftë dhe vetëm një rreze drite.”
“Duhet të flitet hapur me të tjerët në mënyrë që ne t’ia shprehim ndjenjat në fytyrë dhe të tregojmë shqetësimet direkt. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, teksa sheh tjetrin në sy ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe të një libri.”
“Njerëzit ndihen të asfiksuar pa një qëllim në jetë.”
“Shpirti shërohet duke qenë me fëmijët.”
“Edhe duart e lidhura të një personi që ka vullnet për punë mund të bëjnë gjëra të mëdha.”
“E bukura do të shpëtojë botën.”
“Disa njerëz flasin për mizori kafshërore dhe kjo është një padrejtësi dhe ofendim për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, aq artistikisht mizore.”
“Të rriturit nuk e dinë se një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të vlefshme edhe për çështje nga më të vështirat.”
“Mos e mbush memorien me të gjitha herët që u ndjeve i ofenduar, sepse mund të mos të të mbetet vend për të gjitha momentet e mrekullueshme që ke përjetuar.”
“Një njeri që di të përqafojë dikë është një njeri i mirë.”
Sot në komunën e Malishevës, janë hapur të gjitha shkollat, përkatësisht klasat e nënta, e po ashtu është hapur edhe çerdhja.
Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, i cili edhe i ka vizituar disa nga shkollat, për të parë nga afër procesin e hapjes së shkollave për klasat nënta, për parapërgatitjet për testin e arritshmërisë.
Sipas Thaçi, komuna i ka marrë të gjitha masat e sigurisë në raport me pandeminë COVID-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të nxënësve dhe mësimdhënësve.
“Kemi bërë dezinfektimin e shkollave dhe të çerdhes, e po ashtu, kemi pajisur nxënësit me maska, si dhe të gjitha shkollat janë pajisur me dezinfektues për duar”, tha drejtori Thaçi.
Zyrtarët e drejtorisë së arsimit, e kanë vizuar edhe çerdhen, e cila gjithashtu është hapur sot, pasi janë krijuar kushte për hapjen e saj dhe numri i fëmijëve në çerdhe ishte i konsiderueshëm.
Paraprakisht, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, së bashku me zyrtarët e drejtorisë kanë zhvilluar një takim me komandantin e stacionit policor në Malishevës, kapitenin Azem Krasniqi dhe zyrtarët tjetër përgjegjës policor, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve për hapjen e shkollave dhe zbatimin e masave mbrojtëse në raport me COVID-19, si dhe për mbarëvajtjen e mësimit.
Një vepër e artistit britanik, Banksy, që ishte vjedhur në vitin e kaluar nga salla e muzikës në Bataclan të Parisit është gjetur nga policia në Italinë qendrore.
Vepra, që paraqiste një grua të re të pikëlluar, ishte pikturuar në nderim të viktimave të sulmit terrorist në këtë sallë më 2015, shkruan BBC.
Ishte prerë dhe hequr në njërën prej dyerve emergjente të Bataclanit, transmeton KOHA.
Sipas raportimeve nga La Repubblica kjo vepër është gjetur në një fermë në regjionin Abruzzo.
Avokati i distriktit të qytetit italian L’Aquila, Michele Renzo, ka treguar se si është gjetur vepra.
“Ajo ishte e mundur të gjendej pas hetimeve të kryera nga prokurori i distriktit në bashkëpunim me policinë dhe gjyqësorin francez”, ka thënë Renzo.
Murali ishte vjedhur në janarin e vitit 2019.
Pasi ishte vjedhur, Bataclan, kishte shkruar në një postim në Twitter se, “sot jemi thellësisht të indinjuar. Vepra e Banksyt, një simbol i memories që na përkiste të gjithëve – vendasve, parisienëve, qytetarëve të botës – ishte vjedhur nga ne”.
Pritet të mbahet një konferencë për media ku do të japin detaje të tjera se si është gjetur ky grafit i Banksyt.
Në sulmin terrorist në Bataclan të kryer në nëntor të vitit 2015 kishin mbetur të vdekur 90 persona gjatë një koncerti të rok grupit ‘Eagles Of Death Metal’.
Në shenjë kujtimi me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Bekim Fehmiut, DokuFest shfaq filmin “Mbledhësit e Puplave”, shkruan KultPlus
Kjo ngjarje do të organizohet në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, është pa pagesë si dhe konfrom rregullave për distancim social, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta e aktorit të njohur të filmit dhe teatrit Bekim Fehmiu, do të shfaqim filmin e Aleksandar Petrovic ‘Mbledhësit e Puplave’ fitues i çmimit Grand Prix në festivalin Cannes, 1967.
Me Bekim Fehmiun si protagonistin kryesor, filmi shpalos tensionet e një komuniteti rom ku një shitës lokal i puplave dashurohet me një vajzë shumë më të re në moshë. ‘Mbledhësit e Puplave’ do shfaqet të hënën me 15 qershor në KEJ, përballë lidhjes së Prizrenit duke filluar nga ora 7 e mbrëmjes.
Ceremonia do të nisë me hedhjen e luleve në Lumbardhin e Prizrenit – si shenjë nderimi ndaj figurës së aktorit të shquar i cili la gjurmë të përjetshme në kinematografinë vendore dhe botërore – dhe do të pasohet nga aktori Xhevdet Doda i cili do të lexojë disa fragmente nga libri ‘E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme’ i Bekim Fehmiut.
Ngjarja organizohet në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, ofrohet pa pagesë dhe do zhvillohet konform rregullave të distancimit social”.