“Mos pranoni thërrimet. Kemi lindur gra dhe jo milingona”, këtu janë disa thënie të mëdha nga njerëz të mëdhenj

“Mos pranoni thërrimet. Kemi lindur gra dhe jo milingona”. – Marilyn Monroe

“Suksesi? Nuk e di se çfarë do të thotë kjo fjalë. Jam i lumtur, por suksesi, për mua është paqja e brendshme. Është një ditë e bukur për mua. Ky është suksesi”. – Denzel Washington

“Përpiqu të mos bëhesh një njeri i suksesit, por një njeri i vlerave”. – Albert Einstein

“Udhëtimi i një mijë kilometrave, fillon me një hap të vetëm”. – Lao Tzu
“Sekreti i ecjes përpara qëndron tek nisja”. – Mark Tuein

“Është e vështirë të dështohet, por më e keqja nga të gjitha është të mos jesh përpjekur kurrë për të patur sukses”. – Teodor Ruzvelt

“Një ditë e keqe për egon tënde është një ditë e madhe për shpirtin tend”. – Jillian Michaels

“Gjëja më e tmerrshme nuk është t’i copëtosh zemrat, por e kundërta, t’i shndërrosh ato në gurë”. – Oscar Wilde

“Sa më bosh koka, aq më e gjatë gjuha”. – Bruce Lee

“Vështirësitë e jetës disa i lodhin,të tjerë i forcojnë.Nuk ka asgjë në botë që të vrasë shpirtin e atij që ëndërron të arrijë diçka në jetë”. – Nelson Mandela / bota.al

Sokrati: I ndershmi mbetet gjithmonë fëmijë

Sokrati ishte një filozof i lashtë grek, i cili konsiderohet themeluesi i filozofisë perëndimore. Burimi më i rëndësishëm i informacionit për Sokratin është Platoni.

Dialogët e Planonit e portretizojnë Sokratin si një mësues që mohon të ketë dishepuj, si një njeri i arsyes, i cili i bindet zërit hyjnor në kokën e tij, si një besimtar që ka përmbushur detyrimet qytetare të vendit të tij.
Ai besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate praktike në mirëqenien më të madhe të shoqërisë. Ai besonte gjithashtu se zgjedhja e njeriut është e motivuar nga dëshira për lumturi, dhe se kjo mund të arrihet vetëm me njohuri të drejtë të vetes – kjo është më shumë mundësi për të bërë zgjedhje që do të na sjellin lumturi të përjetshme që ne e dëshirojmë.
Dënimi me vdekje
Në vitin 399 para erës sonë, Sokrati dënohet me vdekje nga qeveria e Athinës nën akuzat se mohonte perënditë dhe kishte korruptuar të rinjtë me mësimet e tij.
Trupi gjykues i ofroi Sokratit dy zgjedhje; 1) të hiqte dorë nga bindjet e tij; 2) të vdiste duke pirë helm – filozofi zgjodhi të dytën.
Nxënësi i tij, Platoni, ishte i pranishëm në vdekjen e Sokratit dhe e përshkroi ngjarjen: “Pasi piu kupën me helm, Sokrati filloi të ecte nëpër dhomë për të ndihmuar përhapjen e helmit në organizëm, derisa këmbët iu mpinë. Mpirja iu përhap më lart, arriti në zemër, rrahjet e saj u ndalën dhe Sokrati vdiq”.
Sokrati ishte 70 vjeç. Në shekullin XVIII, artisti francez Jacques Louis-David realizoi një pikturë nga kjo skenë duke u mbështetur në përshkrimet e Platonit dhe të një sërë autorësh të periudhës klasike.

Piktura ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Artit Metropolitan të Nju Jorkut.
Njih vetveten: Jeta e pashqyrtuar është më mirë të mos jetohet
Besimi i Sokratit se duhet të reflektojmë për jetën që jetojmë, është jetojmë është frymëzuar pjesërisht nga shprehja e famshme e gdhendur në vendin e shenjtë të orakullit në Delfi, “Njih vetveten”.
Sekreti i vlerës në profecitë e orakullit është vetë-njohuria, dhe jo unaza e deshifrimit. Sokrati ishte kaq pasionant për vlerën e vetë-hetimit, sa e shqyrtoi imtësisht jo vetëm jetën dhe besimet e tij, por dhe ato të të tjerëve. Përmes pyetjeve të shumta, ai i detyroi njerëzit të hetonin besimet personale.
Ai i pa banorët e Athinës së tij të dashur të ecnin përgjumësh përmes jetës, të jetonin vetëm për para, pushtet dhe famë, kështu që u bë i famshëm në përpjekjen e tij për t’i ndihmuar.
THËNIET MË TË BUKUA NGA SOKRATI (Përzgjedhur nga Tirana Observer)
1- Urtësia fillon në mrekulli.
2- Jam më i dituri ndër të gjallët, se e di një gjë, e di se nuk di asgjë.
3- Ka vetëm një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria.
4- Mos u ngut të zësh miq, por, kur t’i zësh, mos i braktis
5- Ai që dëshiron ta ndryshoje botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij.
6- Për ta gjetur vetveten, mendoni për vetveten.
7- Nuk jam as athinas, as grek, jam qytetar i botës.
8- Ruaje emrin si thesarin tënd më të shtrenjtë, sepse besueshmëria është si zjarri; po ta kesh ndezur, e ke të lehtë ta ruash, por, po ta shuash, të bie barra e rëndë ta ndezësh prapë.
9- Fitimi i emrit përkthehet në përpjekjet për të qenë çka dëshiron.
10- Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë.
11- Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën.
12- Për sa i përket martesës ose beqarisë, vendos vetë, o njeri, por ta dish mirë se ke për t’u penduar.
13- Martohu, patjetër. Por të ra gruaja e mirë, do të jesh i lumtur; po të ra e keqe, do të bëhesh filozof.
14- Arrita në përfundimin se nuk ishte mençuria ajo që u dha mundësi poetëve të shkruanin poezi, por një lloj instinkti apo frymëzimi, si ai që hasim tek orakujt dhe profetët, të cilët i përcjellin mesazhet e tyre të larta pa e ditur fare kuptimin e tyre.
15- Ruaju nga shterpësia e jetës së ngarkuar me punë.
16 -Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit.
17- Mos harro se vepra dhe fjala të bëjnë dhe të zhbëjnë njëlloj.
18- Kush lëndohet nuk duhet të hakmerret duke lënduar, sepse kurrë nuk është e drejtë të bësh padrejtësi; dhe nuk është e drejtë të hakmerresh duke lënduar, as t’i bësh keq tjetrit, sado të të ketë munduar.
19- Të këqijtë jetojnë për të ngrënë dhe për të pirë, ndërsa të mirët hanë dhe pinë për të jetuar.
20- Mos i quaj besnikë ata që të lëvdojnë fjalët dhe veprat, por ata që me përzemërsi të qortojnë për gabimet.
21- I ndershmi mbetet gjithmonë fëmijë.
22- Sot fëmijët janë tiranë. Ata kundërshtojnë prindërit, luajnë me bukën e gojës dhe u marrin shpirtin mësuesve të tyre.
23- Lehtë mund të falim një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e vërtetë e jetës është kur njerëzit kanë frikë nga drita.
24- Shikoni, sekreti i lumturisë nuk mund të gjenden në të kërkuarit shumë e më shumë por në zhvillimin e kapaciteteve për t’u kënaqur më pak.
25- Vërtetë, isha aq i ndershëm, sa nuk pranova të bëhesha politikan dhe të jetoja njëherësh.
26- Mençuria fillon nga habia.
27- Nuk është me rëndësi vetëm të jetuarit, por edhe rregullat se si jeton.
28- Mos harro se asgjë nuk është e qëndrueshme në marrëdhëniet njerëzore; prandaj shmang ngazëllimin e pavend që vjen nga begatia, ose brengën e pavend që vjen nga mjerimi.
29- Mos i zër miqtë me lajka, por duke u dhënë dhurata të prekshme dashurie.
30- Kur njerëzit mashtrohen dhe mbrujnë mendime që e tejkalojnë të vërtetën, atëherë kuptohet se gabimi ka hyrë në kokën e tyre përmes një lënde të ngjashme me të vërtetën.
31- Ora e ndarjes arriti, secili nga ne duhet të ndjekë udhën e vet – unë duhet të vdes, kurse ju duhet të jetoni. Vetëm Zoti e di cila nga këto udhë është më e mira.
32- Nëse njeriu krenohet me pasurinë e tij, nuk duhet të lëvdohet, deri sa të merret vesh se si e shfrytëzon atë.
33- Vdekja mund të jetë bekimi më i madhërishëm njerëzor. /KultPlus.com

Sikur të ishe këtu! (VIDEO)

KultPlus ju sjellë tekstin e këngës “Wish you were here“ nga Pink Floyd , sjellë në shqip nga Valton Marku

Pra, ti mendon se e dallon Parajsën nga Ferri,
Dhe qiejt blu nga dhimbja?
A e di dallimin mes një shine çeliku dhe një fushe të blertë?
Po të një buzëqeshje nga një shtirje?
A mendon se mund t’a gjesh?
A nuk të shtynë ata që t’i shkëmbeje heronjtë me fantazma?
Hirin përvëlues me pemë? Ajrin e nxehtë me flladin?
Rehatinë e ftohtë me ndryshimin?
Dhe a nuk e shkëmbeve një rol figuranti në luftë për t’u dukur i parë në kafaz?
Sa do doja, sa do doja të ishe këtu.
Ne ishim dy shpirtra të humbur që pluskonim në akuarium, vit pas viti,
Që vraponim te i njëjti shesh i njohur – çfarë gjetëm?
Po ato frikëra të vjetra.
Sikur të ishe këtu! /KultPlus.com


LDK kërkon hetime se si u financua libri për Hashim Thaçin

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti sot gjatë konferencës së rregullt javore të Grupit është deklaruar lidhur me raportimet shqetësuese në media për shuma të mëdha parash publike të shpenzuara për gjoja lobime.

“Janë shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për interesa personale, letra e GeoffreyNice drejtuar qeverisë tregon qartë për terma financiar të dakorduar jashtë rrugëve formale si dhe përmend shërbimet që ja kryer përfshirë edhe aranzhimin e ligjëratave për z. Thaçi dhe z. Hoxhaj. Letra gjithashtu përmend edhe kërkesën e z. Thaçi për të ndihmuar autorët e biografisë së tij”, tha z. Hoti
Me këtë rast z. Hoti bëri të ditur se për këtë çështje duhet të ketë hetim të plotë të ligjshmërisë së shpenzimeve dhe kjo do të bëhet përmes komisionit hetimor parlamentar.

Fotografi të rralla të grupit “Gjurmët”

KultPlus ju sjellë fotografi të vjetra ku mund të shihen anëtarët e rok grupit Gjurmët, para ëmbëltores Elida në Pallatin e Rinisë (ish Boro Ramizi), në Prishtinë.

Gjurmët është grup artistësh i njohur, grupi është formuar në vitin 1981 ne Prishtinë dhe ka qenë aktiv deri në vitin 1988. Grupi kishte pesë anëtarë. Vokalisti i grupit ishte Migjen Kelmendi, tani gazetar dhe publicist i njohur. Anëtarët tjerë ishin Tomorr Kurshumliu, Bekim Dyla, Petrit Riza e Armando Gjini./KultPlus.com

Rihanna: Snapchat, ju keni shpenzuar para për të animuar diçka të qëllimshme, që sjellë turp për viktimat e dhunës në familje

Snapchat ka largua reklamën, e cila ka qenë për një lojë, që pyeste njerëzit nëse preferonin që të “godisnin Rihannën apo Chris Brown”, reklamë e cila i referohet sulmit të Chris Brown mbi këngëtaren, në vitin 2009, përcjellë KultPlus.

Snapchat ka treguar për Newsbeat se kjo reklamë e cila ishte publikuar vetëm në SHBA është larguar menjëherë. Reklamat në platformën e mediave sociale i nënshtrohen një procesi të shqyrtimit, ndërsa gjithashtu ka një listë të përmbajtjes së ndaluar. Kurse Snap ka thënë se reklamimi është rishikuar dhe se ajo ishte publikuar gabimisht.

“ U miratua gabimisht, sepse shkelë udhëzimet tona të reklamave. Ne menjëherë e larguam reklamën fundjavën e kaluar, sapo u njoftuam për të. Na vjen keq që kjo ka ndodhur”, është përgjigja e ekipit të Snapchat-it, shkruan BBC. Në anën tjetër këngëtarja Rihanna ka shfrytëzuar rrjetin e saj social Instagram për të reaguar për këtë ngjarje.

“Snapchat ju tashmë e dini që nuk jeni aplikacioni im i preferuar. Mirëpo, unë jam duke u përpjekur që ta kuptoj se përse u bë tërë kjo rrëmujë! Do të dëshiroja që të ishte injorancë, mirëpo e di që nuk jeni aq budallenj!Ju keni shpenzuar para për të animuar diçka të qëllimshme, që sjellë turp për viktimat e dhunës në familje, e të bëni shaka më të. Kjo nuk ka të bëj me ndjenjat e mia, sepse nuk kam shumë…mirëpo për gjithë ato gra, fëmijë dhe burra që kanë qenë viktima të dhunës në familje në të kaluarën e në veçanti të atyre që akoma përballën me këtë…Na keni zhgënjyer!”, ka shkruar ajo duke shtuar ‘Turp për ju’. /KultPlus.com

Docomomo International letër Komunës së Prishtinës: Mos e shkatërroni monumentin

Docomomo International – Komiteti Ndërkombëtar i Dokumentimit dhe Konzervimit të Objekteve, Sajteve dhe Lagjeve të Lëvizjës së Modernizmit, dëshiron ta ngrej vëmendjën e opinionit të gjërë për rrezikun që i kanosët monumentit të Bashkim Vllaznimit në Prishtinë.

Para disa ditë Komuna e Prishtinës filloi punimet në rimodelimin e ish sheshit të Bashkim Vllaznimit në qendër të qytetit, ku gjindet edhe monumenti në fjalë. Ky monument i ndërtuar në vitet e 50-ta është pjesë e memorijës kolektive të qytetit dhe për shumë dekada me rradhë ka shërbyer si shenjë identifikuese e qytetit.

Sipas vizulalizimeve të prezentuara për publikun e gjërë nga Komuna e Prishtinës, shihët se monumentit do ti largohen statujat e bronzit si dhe pjesa qendrore në të cilën pushon ky monument, pjesë këto integrale të monumentit.

Kjo letër që i është adresuar kryetarit të Prishtinës, si dhe institucioneve tjera relevante në Kosovë si Ministria e Kulturës, Qendra Regjionale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, fton të gjithë individët dhe institucionet relevant që mund parandalojnë shkatërrimin e këtij monumenti me vlera të larta moderniste.
Së bashku me Docomomo International, Docomomo Kosova fton të gjitha institucionet relevante, në vencanti Komunën e Prishtinës dhe kryetarin e saj, që ta marr këtë cështje me seriozitetin më të lartë dhe ta parandaloj shkatërrimin në pakthim të këtij monumenti./KultPlus.com

Bjeshkët e Nemura, lokacion i xhirimeve për regjisoren Katja Verheul

Regjisorja Katja Verheul ka ardhur në Kosovë pasi që ajo është duke e realizuar një dokumentar të shkurtë ku janë të përfshira edhe skena të mrekullueshme të Bjeshkëve të Nemura. Kështu ekipi i saj është ndihmuar nga Balkan Natural Adventure, për lokalizimin e vendeve që kanë pamjet më të bukura dhe përfshirjen e tyre në dokumentar, shkruan KultPlus.

Balkan Natural Adventure ka mbështetur ekipin e xhirimeve me zgjedhjen e lokacioneve më të mira për filmin si dhe ka ndihmuar pajisjet për të shkuar deri në vendet e caktuara për të filmuar.
Drejtori i kompanisë Balkan Natural Adventure, Virtyt Gacaferri, është shprehur se ata janë një kompani e vogël, mirëpo përpiqen që të ndihmojnë çdo herë që kanë mundësi.

“Balkan Natural Adventure është i lumtur që po ndihmon realizmin e artit në Kosovë. Kjo do të ndihmojë vendin tonë në krijimin e një imazhi më të mirë, e po ashtu edhe për të rritur bashkëpunimin me regjisorë ndërkombëtar. Balkan Natural Adventure beson se filmimet do të ndihmojnë Kosovën që të japë imazhin të cilët qytetarët e saj e meritojnë”, është shprehur ai.

Regjisorja Katja Verheul e ka cilësuar si një eksperiencë shumë pozitive këtë bashkëpunim.
“Ata ishin një burim shumë i mirë i informacionit për të gjetur lokacionet e duhura. Edhe pse ky është një produksion shumë i vogël ata i morën filmimet me shumë seriozitet. Kur po filmonin, moti nuk ishte mjaftë i mirë, por udhëzuesi ynë na gjeti një vend të ri për filmimet dhe na dha pajisjet e duhura për të arritur në këtë vend të ri e të largët në mënyrë të sigurt. Unë do ua rekomandoja ekipeve të tjera të filmit që të punojnë me BNA”, është shprehur ajo.

Balkan Natural Adventure është një operator turistik i bazuar në Kosovë, i cili ofron turne të specializuara në turizëm aventuresk. Bazuar në Pejë, një qytet i vogël pranë Alpeve Dinarike në Kosovën perëndimore, kompania ofron ekskursione të personalizuara dhe të paracaktuara në Kosovë, si dhe në Shqipëri e Mal të Zi./KultPlus.com

Së shpejti romani më i ri nga Jusuf Buxhovi

“Dushkaja”, është romani më i ri i autorit Jusuf Buxhovi, që pritet të publikohet së shpejti, shkruan KultPlus.

Një metaforë letrare për vendin magjik, ku bota kthehet në katund e katundi në botë, ku vrasja merret si virtyt e dija për marrëzi.., thuhet mbi këtë roman, që është botuar nga “Faik Konica” në Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” në Houston./KultPlus.com

Tri herë më shumë se sa vlera e caktuar, violina e Albert Ajnshtajn është shitur në New York

Violina e cila i ishte dhuruar Albert Ajnshtajn kur ai kishte arritur në SHBA, është shitur në një ankand në New York për 516 mijë e 500 dollarë, përcjellë KultPlus.

Instrumenti është shitur tri herë më shumë sesa vlera e caktuar në katalog e cila ishte 150 mijë dollarë.

Sipas një raporti të revistës The Strad, violina i ishte dhuruar Ajnshtajnit nga një anëtar i Orkestrës Simfonike të Harrisburgut (Pennsylvania), pas arritje së tij në SHBA në vitin 1933.
Fizikani i famshëm ishte i njohur edhe për dashurinë e tij për violinën, instrument të cilin e kishte luajtur që kur ishte 6 vjeçar. Ai këtë violinë ia kishte dhuruar djalit të portierit në Universitetin Princeton, ku ai studionte. Që nga atëherë violina kishte mbetur në këtë familje, shkruan The Times of Israel.

Javën e kaluar një letër e shkruar nga fituesi i çmimit Nobel në të cilën ai diskutoi një nga teoritë e tij novatore është shitur në Jerusalem për më shumë se 100 mijë dollarë. Kurse një blerës ka paguar 1.56 milion për një letër të Ajnshtajnit ku diskuton për sekretin e lumturisë e cila fillimisht ishte vlerësuar për 8 mijë dollarë./KulPlus.com

Kur e pyesnin për luftën, sytë e saj mbusheshin me lot, një dhimbje që ishte mbyllur në një kuti për 50 vjet

KultPlus u sjellë historinë e Sara Kirschner, letrat dhe ditarin e saj, të ruajtur që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat u ekspozuan në Bibliotekën Publike të NewYork-ut në vitin 2006.

Po ashtu ato shërbyen si material për realizimin e librit “Dhurata e Sarasë: Historia e nënës sime në Holokaust”publikuar nga vajza e saj Ann Kirschner. Ky libër është përkthyer në shtatë gjuhë, kurse është shfrytëzuar edhe si bazë për realizimin e shfaqjes “Letrat e Sarës”, nga Arlene Hutton, shfaqje kjo e cila ështëperformuar në shkolla dhe në teatrot regjional atje, përcjellë KultPlus.

E shqetësuar se mund të vdes gjatë operacionit kardiak, pa treguar sekretin që e ka mbajtur për më shumë së 50-të vite, Sara Kirschner në vitin 1991 ia dorëzon vajzës së saj një kuti të veçantë.
Brenda ishin 350 letra, kartolina dhe fotografi tëSara Kirschner, familjes së saj dhe miqve, të cilat ajo i kishte mbajtur të fshehura nga rojet nazistë, si e burgosur në kampet e punës për 5 vite, që kur ishte 16-të vjeçare.

Letra të verdha dhe të thyera, në judish, në gjuhën polake dhe gjermane, të cilat kanë qenë të censuruara, ofrojnë shikim të thellë në jetën dhe shpërbërjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në qytetin e zonjës Kirschner, Sosnowiec në jug-perëndim të Polonisë, ku hebrenjtë qëndronin të mbyllur nëpër geto para se 35 mijë prej tyre të internoheshin në Aushvic.

Megjithëse Kirschner mund të mos ketë qenë në dijeni të vlerave të letrave, studiuesit si David S. Ferriero, arkivisti i Shteteve të Bashkuara, i përshkruan ato si të jashtëzakonshme për atë që zbulojnë mbi jetën e njerëzve brenda kampeve të punës.

Sara Kirschner ka vdekur më 7 mars në moshën 94. Ajo i ka mbajtur të fshehura librat nga fëmijët e saj pasi që ka menduar se historia e saj mund të ndikonte emocionalisht te ata. Prindërit e saj ishin vrarë nga gazi helmues nëAushwitz kurse katër vëllezërit dhe e motra ishin vrarë gjatë luftës.
Në kampet naziste Kirschner i fshihte letrat në baraka të kashtëve ose i ka groposur në tokë, duke rrezikuar me dënim nëse ato do të zbuloheshim. Ajo për New York Times ka treguar se këtë e ka bërë pasi që besonte se këshut kishte një lidhje me familjen e saj.

“Kur ndihesha e vetmuar i merrja letrat dhe i lexoja ato pa pushim”, ka treguar ajo. Megjithëse se jeta në kampe ishte e mjerueshme, ata kishin disa liri, pasi që gjermanët dëshironin që bota të besonte se kampet ishin vende për punët që konsideroheshin rutinë. Kështu ajo në fillim ishte lejuar që të dërgonte dhe pranonte letra.

“Nënë është gëzuar shumë kur mori letrën nga ti”, i ka shkruar motra e saj Raizel në një letër Sarës. “je e lumtur dhe falënderoj perëndinë njëmijë herë çdo ditë që kemi akoma njëri tjetrin për t’i shkruar duke parë sesi po shkojnë gjërat këtu”, vazhdon letra tjetër nga motra e saj e cila më vonë i shkruan “Mos u shqetëso për ne, ne jemi mirë. Mirëpo jemi të shqetësuar për prindërit tanë të dashur. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ta. Dashtë Zoti dhe marrim lajme të mira”.

Asnjë nga familjarët apo shokët e Sara Kirschner nuk i mbijetoi luftës. Të mbijetuarit e Holokaustit kanë trajtuar kujtimet e tyre të ankthit nga lufta në mënyra të ndryshme. Kirschner u nxit nga burri i saj që të linte të kaluarën pas. Kur e pyesnin për luftën sytë e saj mbusheshin me lot dhe ajo nuk dëshironte që të fliste, kishte lënë prapa çdo gjë, ka treguar vajza e saj.Mirëpo Sara Kirschner kurrë nuk i harroi letrat e saj të çmuara që i mbante në atë kuti të bërë nga kartoni./KultPlus.com

‘Liqeni im’ nga Gjergj Xhuvani zgjidhet projekti më i mirë nga Eurimages

Projekti “Liqeni im” me skenar dhe regji të Gjergj Xhuvanit, prodhuar nga On Film Production është votuar si projekti më i mirë ndër 54 aplikime, në mbledhjen e 150-të të Eurimages në Yerevan, shkruan KultPlus.

Projekti është një bashkëprodhim me Italinë dhe Maqedoninë dhe ka mbështetjen e Qendrës Kombëtare të kinematografisë.

Filmi “Liqeni im” sjellë historinë e një djaloshi intelegjent, të quajtur Kristo. Ai i ulur në bankën e tij në klasë mendon për kuptimin e fjalisë ‘Liqeni im’ të shkruara në tabelë nga mësuesi i tij. “Liqeni mund të na jap të gjitha nëse ne dimë sesi ta pyesim”, shkruan Kristo. Ai pastaj shikon nga dritarja dhe kujton ngjarjet të cilat kanë ndodhur në muajt e fundit, djaloshi i ri Kristo jeton në një fshat afër liqenit Prespë, një lum i ndarë në tri shtete, Shqipërinë, Maqedonië dhe Greqinë.

Kristo pronari i një varkë të vogël peshkimi përfiton nga kjo situatë gjeografike dhe transporton drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Kristo rritet duke adhuruar dy shitës droge, me të cilët punon, Ismailin dhe Paskon. Ndryshimet fillojnë në jetën e Kristos, pasi që ai fillon që të ndjejë dashuri për mësuesen e tij të zgjuar, Mirandën.

Ismaili merr një vendim fatal, ai dëshiron që të mbizotëroj në tregtinë e drogës që po ndodh në liqen. Kristo rrihet keq, kurse Paskos i ngritet një kurth nga Ismaili, policia është në pritë të tij. Pasko pastaj vritet, në kaosin që po ndodh, nëna e tij vdes dhe gruaja e tij largohet nga vendi.
Kur komuniteti i vogël i peshkatarëve beson qëKristo është fajtor për vdekjen ePaskos, ai e kupton se tashmë Ismaili duhet të ndalet. Kristo hakmerret duke i vënë flakën një anije që bartë drogë, një aksident ky që sjellë vdekjen e Ismailit. Për t’i thënë lamtumirë të kaluarës së tij kriminali Kristo u vë flakën parave të udhëheqësve të drogës. Historia përfundon ashtu si fillon me Kriston i cili kompleton esenë e tij mbi atë se çfarë liqeni mund të u jap atyre që dinë se çfarë ti kërkojnë./KultPlus.com

Delir dimëror

Poezi nga Agim Vinca

(Made in Prishtinë)
Qyteti fle në zjarr e ethe
Bie e ngrihet në kllapi.
Një hënë e zbehtë rend ndër gjethe
Një hënë si pika përmbi i.

Tri herë në ditë ding-dang kambana
Ia pret hoxha në minare:
Ruana Zot! Allah, Allah
Nga djalli që na qiti fare!

E kush është djalli askush s’e di
Kush është shejtan a pejkamber
Hëna baret përmbi çati
Droja troket derë më derë.

Dremit qyteti e njerëzia
S’i heqin sytë nga ekrani.
Vjen shpëtimtari nga Velania,
Vjen dhe mesia nga Dragodani.

Tri herë në ditë ding-dang kambana
Allahu ekber! – lart në minare:
Ruana Zot e Jehova
Nga djalli që na qiti fare!

E kush është djalli askush s’e di
Kush është mesi e pejkamber
Shtatë protektorë, dyqind parti
Trokasin fort derë më derë.

Hape! – thotë njëri. Hape! – dhe tjetri.
Jam Jezu Krishti, Juda, Shën Pjetri.
Jam Shën Mëria, Parajsa vetë.
Zoti, Mesia, Baba dovlet.

Qyteti ka ethe, afsh e zjarrmi.
Hëna ndër gjethe si pika mbi i./KultPlus.com

Rogova e Hasit po bëhet me Qendër Kulturore

Sot, në ora 13:00, do të vihet gurthemeli i Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës, shkruan KultPlus.

MKRS-ja do të investojë 1.2 milionë euro në këtë projekt kapital në një periudhë dy vjeçare, 500 mijë euro për vitin 2018, ndërsa 700 mijë euro për vitin 2019.

Në vënien e gurthemelit do të marrin pjesë ministri Kujtim Gashi dhe kryetari i Gjakovës Ardian Gjini./KultPlus.com

Lika: Askush s’mund ta bllokojë zyrtarizimin e gjuhës shqipe

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Hazbi Lika, ka thënë se askush s’mund ta bllokojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve në këtë shtet, pjesë e të cilit është edhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai i ka bërë thirrje presidentit Gjorge Ivanov të reflektojë ndaj ligjit që zyrtarizon gjuhën shqipe.

Lika ka thënë se, pavarësisht prej qëndrimit të presidentit, asnjë institucion tjetër në Maqedoni nuk mund ta pengojë fuqizimin e këtij ligji.

Ai ka bërë me dije se edhe nëse presidenti nuk e dekreton sipas procedurës këtë ligj, ai fuqizohet pa dekretim.

Zëvendëskryeministri Lika ka theksuar se Ligji për gjuhët ka qenë një nevojë dhe e drejtë e patjetërsueshme për shqiptarët e Maqedonisë

Faik Konica, testament i përhershëm për shqiptarët, për ata që nuk i duan zinxhirët e robërisë

Shkruan: Ndue Ukaj

Faik Konica (15 mars 1875 – 15 dhjetor 1942), kolosi i kulturës shqiptare, është një mendimtar i rreptë, erudit i jashtëzakonshëm, dhe njëri nga kritikët më të ashpër të veseve dhe të plagëve shqiptare, të cilat i stigmatizoi pa kompromis.

Vepra e tij e pasur në fushën e letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë, është testament i përhershëm për shqiptarët, sidomos për ata që nuk i duan zinxhirët e robërisë. Është një vepër e dobishme dhe domethënëse, për ata që aspirojnë të jetojnë me dinjitet në mesin e popujve të emancipuar.
Por, edhe për ata që nuk e duan poshtërimin dhe nënshtrimin. Është një vepër që shqiptarin e ndihmon ta mposhtë plogështinë, të heqë pluhurin e robërisë dhe të ecë me dinjitet ka përparimi e liria e njëmend.
Të lirë nga krahët, por truri i tyre është i lidhur me zinxhirë- thoshte Konica, dhe kërkonte që shqiptarët e tij të çorientuar dhe me pranga zinxhirësh në tru, të çliroheshin nga ky sindrom.

Po ashtu, Konica na mësoi që të kemi kujdes me fjalën, me pushtetin që buron nga ajo, prandaj lutja e tij për ata që shkruajnë, tingëllon aktuale edhe sot:
”Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi për të thënë gjë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mbrehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm në paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu Qoftë”.
“Lutja e shkrimtarit”

Kjo lutje, që ka bazë te teksti biblik, si ligjërim dhe semantikë, përkatësisht te lutja që Jezusi ua mësoi dishepujve të tij, është dëshmi e kulturalitetit të veprës së tij dhe përkatësisë së saj oksidentale.

Po ashtu, Konica na dha leksione nevojshme për të kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar historiografinë shqiptare, sidomos atë që merret për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Duke e analizuar këtë raport, shprehimisht pati shkruar: “Para se gjithash, prapambeturia kulturore është pasojë e pushtimi turk. Ky pushtim zgjati afër pesëqind vjet.”/KultPlus.com

Hamami i Qytetit, Xhamia dhe Çarshia, në pritje të restaurimit

Kryetari Shpend Ahmeti takoi drejtorin e TIKA-s për Kosovë, Hasan Burak Ceran, me të cilin diskutoi për projektet e përbashkëta që po realizohen në dobi të qytetarëve të Prishtinës, njoftohet nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Së shpejti do të nënshkruajmë edhe Memorandum Bashkëpunimi, ku do të zotohemi për ndërtimin e qendrës për Autizëm dhe Down Syndrome, si dhe për restaurimin e Hamamit të qytetit dhe Xhamisë së Çarshisë”, thuhet në këtë njoftim./KultPlus.com

Kështu fliste Hawking për Zotin, jashtëtokësorët…

Për Zotin

Hawking pohonte se është ateist. Thoshte se shkenca ka ofruar “më shumë shpjegime bindëse” në lidhje me origjinën e universit.

“Them se “sikur ta dinim mendjen e Zotit” është njësoj si ta dinim se Zoti ekziston, por ai nuk ekziston. Unë jam ateist”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Thoshte: Nuk besoj në Parajsë ose në jetën e pasvdekjes. Ato janë përralla të atyre që i frikësohen territ”.

Mbi inteligjencën artificiale

Inteligjenca artificiale në një moment do të jetë aq e përparuar sa që në thelb do të jetë “formë e re e jetës, që do të jetë më efikase se njerëzit”.

“Druaj se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë plotësisht njerizit. Ashtu siç njerëzit mund të krijojnë viruset kompjuterike, dikush do të krijojë inteligjencën artificiale që mund të replikohet”.

“Ndërsa ndikimi afatshkurtër i inteligjencës artificiale kufizohet nga personi që e kontrollon, pasojat afatgjata varen nga ajo se a do të mund ta kontrollojë fare “, thoshte.

Nëse ju thërrasin jashtëtokësorët, mos iu përgjigjni

Konsideronte se jashtëtokësorët inteligjentë mund të jenë të disponuar armiqësisht ndaj njerëzve, madje të synojnë kolonizimin e planetit të pasur me resurse, siç është Toka.

Në ekzoplanetin Gliese 832c ndoshta ka jetë. “Një ditë do të marrim sinjale nga planeti si ky, por duhet të mendojmë mirë a t’i përgjigjemi. Takimi me ndonjë qytetërim të përparuar mund të jetë si takimi i Kolumbos me anasit e Amerikës. Ky nuk përfundoi mirë”.

“Njerëzit duhet të braktisin Tokën dhe të gjejnë shtëpi të re”, kishte deklaruar njëherë.

“Zgjerimi në gjithësi do të ndryshojë plotësisht ardhmërinë e njerëzimit. Shpresoj që qëllimi unik të bashkojë kombet konkurrente, në mënyrë që të përbalemi bashkërisht me sfidat që i kemi përpara…”

Njerëzimi, rreziku i vetvetes

Njerëzimit i kërcënohen një varg rreziqesh të cilat vetë i ka krijuar. Lufta bërthamore, ngrohja globale dhe viruset e krijuara gjenetikisht janë vetëm disa prej tyre.

“Nuk do të ndalemi së përparuari, as të kthejmë procesin e përparimit prapa, prandaj duhet t’i identifikojmë rreziqet dhe t’i kontrollojmë. Jam optimist, besoj se mund ta arrijmë këtë”.

Mbi eutanazinë vullnetare

Hawking nga mosha 18 vjeçare vuante nga sëmundja Lu Gerig (skleroza laterale amiotrofike – ALS) dhe kur mbushi 21 vjet i thanë se kishte edhe dy deri tri vjet jetë.

Ai kishte thënë se njerëzit ndonëse duhet ta kenë të drejtën t’i japin fund jetës kur dëshirojnë, kjo do të ishte gabim i madh. “Sado që jeta të dukej e keqe, gjithmonë ka diçka që mund ta bëni dhe të jeni i suksesshëm. Derisa ka jetë ka edhe shpresë”. Por kishte shtuarKur “nuk i lëmë kafshët të vuajnë, pse do t’i linim njerëzit?”./KultPlus.com

Pse në Elbasan “Dita e Verës” festohet në mars?

Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart brenda saj festën e Ditës së Verës, e quajtur edhe festa e luleve.
Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë.

Etnologu Thanas Meksi thotë se “ festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës”. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, citon “Koha jonë” studiuesin. “Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.

Ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre. Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “Bahçe bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.

“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejtë se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “e mira” në konak e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tufë bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, çka nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, vijon etnologu Thanas Meksi.

Në mëngjes ishin djemtë ato që bënin derë (vizitë) tek të afërmit e tyre dhe kur dikush i thërriste në emër nuk duhet të përgjigjeshin me “e, e”, pasi nëmeshin me fyerjen “ Marrsh morrat e pleshtat”, por duhet të përgjigjeshin “ urdhëro”.

“Në mëngjes nëna na i lante sytë me ujin që ziente vezën, pasi nënkupton higjienë, pastërti, ashtu si është lëvorja e vezëve. E më pas, mëngjesin e 14 marsit kryhej rituali “kama e ditës së verës”, që do të thotë që vishen pantallonat e shkurtra të reja që i merrnin nga kanistra dhe fëmijët dilnim për vizita ku bëshim “kamë” ( të parët që hynim në derën e vizitorit) dhe me një sahan në dorë shkëmbenin dhurata e Ditës së Verës. Më e mira ishte që kamë të bënin djemtë, pasi thuhej se viti do të ishte i mbarë”, thotë Shpëtimi, një elbasanas i vjetër.

Por, Dita e Verës kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “ Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “Kodrina rreth Teqes”. Këtë ditë vajzat shikoheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet.

I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. “Në vitet e komunizmit festa pati një “ ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina”, vazhdon Shpëtimi.

Sipas tij, në vitet pas demokracisë aktivitetet janë shtuar, organizohen karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, te cilat shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë./KultPlus.com

Festa e Luleve ka nisë në Elbasan, atmosferë vere në sheshet e këtij qyteti (VIDEO)

Sot po shënohet Dita e Verës, dhe vëmendja shkon në Elbasan, aty ku edhe ka nisë Festa e Luleve, shkruan KultPlus.

Rrugët dhe sheshet e këtij qyteti janë mbushë me qytetarë, ku po përcjellin nga afër parakalimet e organizatorëve.
Poashtu pritet të fillojë edhe koncerti që I dedikohet kësaj feste ku do të këndojnë këngëtarë të shumtë.

Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore.
Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=S5FxN3nJv4g

Vdiq fizikani i njohur Stephen Hawking në moshën 76 vjeçare

Stephen Hawking, mendja e shkëlqyer e të cilit shkonte në kohë dhe në hapësirë edhe pse trupi i tij ishte paralizuar nga sëmundja, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, tha një zëdhënës i familjes të mërkurën herët në mëngjes.

Fëmijët ë tij, Lucy, Roberti dhe Timi thanë në një deklaratë se “ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojë për shumë vjet”.

Fizikani më i njohur teorik i kohës së tij, Stephen Hawking ka shkruar kaq qartë për misteret e hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza saqë libri i tij “Një histori e shkurtër e kohës” u bë një nga librat më të shitur ndërkombëtar, duke e bërë atë një prej të njerëzve më të famshëm të shkencës që prej Albert Einsteinit.

Zoti Hawking ishte një fizikan me ide të guximshme. Puna e tij ishte përqendruar në tejkalimin e hendekut mes teorisë së relativitetit të Albert Einsteinit – e cila shpjegon se si forca e rëndesës kontrollon lëvizjen në hapësirë të objekteve të mëdha si yjet dhe planetet – dhe teorisë së fizikës kuantike, e cila merret me vetitë e grimcave subatomike.

Stephen Hawking ishte pothuajse tërësisht i paralizuar nga skleroza anësore amiotrofike, një sëmundje nervore e pashërueshme. Ai përdorte karrige invalidësh dhe i duhej të flasë me ndihmën e një kompjuteri, transmeton voa. Kur ishte 65 vjeç, atij i dhuruan diçka të veçantë: një udhëtim në një avion që simulon mungesën e forcës së rëndesës, si në rastin e astronautëve në hapësirë.

“Ishte e mrekullueshme, dhe nuk pata asnjë problem. Mund të kisha vazhduar pa fund”, tha i atëbotë

Stephen Hawking e kishte trupin të paralizuar, por mendja e tij endej e lirë. Në vitin 2008, gjatë një ceremonie me rastin e 50 vjetorit të Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, ai bëri thirrje për fillimin e një epoke të re në eksplorimin e hapësirës prej njeriut, e krahasueshme, tha ai, me udhëtimet evropiane në “Botën e Re” më shumë se 500 vjet më parë./KultPlus.com

Këngë nga zemra dhe poezi për Bekim Lumin

Qendra Multimedia, sonte, ka mirëpritur adhuruesit e muzikës dhe poezisë, të cilët ishin mbledhur me një qëllim mjaftë fisnik para tyre, për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Mbrëmja filloi me poezinë “Të gjithë më duan” të shkruar nga Shpëtim Selmani, kurse u mbyll bukur nga zëri i Rona Nishliut, e cila solli këngën “Baresha”, e shoqëruar nga Ilir Bajri.

Alberina Haxhijaj

Rona Nishliu dhe Ilir Bajri dhanë një performancë të improvizuar, duke sjellë këngë mjaftë të njohura, por në një verzion të padëgjuar më parë e që erdhi pikërisht nga zemra, siç ata e ndjenin dhe për një person që e kanë shumë për zemër.

Këngëtarja Rona Nishliu u shpreh për KultPlus se pavarësisht nga organizimet e ndryshme, të cilat janë në rrafshin e artistëve, ndihma institucionale është shumë e rëndësishme.
“Unë jam pjesë e një grupi të artistëve të cilët bashkërisht kemi organizuar një fushatë të tërë. Nuk e di nëse kjo mjafton ose jo, mirëpo ne po bëjmë përpjeke që përmes gofoundme.com/bekimlumi të sensibilizojmë të gjithë njerëzit të cilët kanë mundësi dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në shërimin e Bekimit”, u shpreh ajo, duke theksuar se procedurat mjekësore janë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme për familjen.

“Jam befasuar me përgjigjen dhe solidarizimin e njerëzve, janë treguar shumë bujar dhe bashkëpunues. Më vjen shumë mirë që kanë bashkëndjerë dhe janë bërë ndoshta pjesë e kësaj rruge shumë të vështirë të Bekimit, dhe bashkë më të, të gjithë ne po mundohemi që ta luftojmë armikun e tij shumë të fortë”, është shprehur Nishliu.

Poezitë nga libri “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit”, të cilat u lexuan gjatë kësaj nate janë të shkruara gjatë periudhës 2010-2017. Libri është i ndarë në tri pjesë, kurse pjesa e katërt përmban letra, të cilat Selmani ua ka kushtuar disa autorëve, personazheve fiktive dhe njerëzve të cilët ai e ka ndjerë se ka diçka për t’u thënë.

Shpëtim Selmani u shpreh për KultPlus se regjisorin Bekim Lumi e admiron për guximin dhe dashurinë që ka ndaj punës së tij dhe kontributin që i ka dhënë kulturës në Kosovë. Tutje ai tregoi se poezia për të është një hapësirë ku ai ndjehet si mbret, ku mund të përballet me të gjithë dhe çdo gjë, hapësirë ku ai ndjehet vetvetja.

“Libri është botuar në vitin 2017 kurse sot është promovuar. Libri me poezi ‘Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit’ është se unë konsideroj se periudha 2010-2017 ka qenë një lloj zhgënjimi, i cili na ka mbuluar të gjithëve, dhe poezia ka qenë evidente edhe të unë, pa dashur unë. Përveç poezisë, unë vetëm mundem të lufoj realitetin dhe të krijoj një hapësirë ku unë mundem të ndihem mirë, prandaj është edhe gjaku. Pra poezi është diçka brenda meje”, është shprehur ai, duke theksuar se poezia për të është edhe një lloj mjeti për mbijetesë, mirëpo pa e kuptuar akoma se pse apo si.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar, kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com

Zbulohet lapsi i preferuar i Frida Kahlo, e përdori për vetullat e saj

Posa e mendoni artisten meksikane Frida Kahlo, ajo që menjëherë ju vjen në mëndje (përveç veprave të saj feministe të artit) është dhe imazhi i saj tashmë ikonik.

Megjithatë ajo çfarë e kryesonte atë janë vetullat e saj të veçanta, (monobrows) tradicionalisht të cilat mendohen si një tipar ‘’jo tërheqës’’ në kulturat moderne.

Ndërsa vetullat e saj duket se shkojnë kundër standardeve të bukurisë femërore, Kahlo zgjodhi të nxjerr në pah fytyrën e saj natyrale duke përdorur një laps të vetullave për të përmirësuar edhe më tej tiparin e saj përcaktues.
Por, ajo çfarë është zbuluar tani del të jetë se piktorja e njohur Frida, atë botë përdori një laps të syve të markës Revlon, njofton Klan Kosova.

Produkti tani legjendar i grimit është vendosur të dalë në ekran në paketimin e tij origjinal për herë të parë ndonjëherë në ekspozitën V & A, që i referohet artistes.

Ekspozita do të përfshijë më shumë se 200 sende të saj personale, duke përfshirë stoli, veshmbathje, këmbë proteza, blloqet e saj të zgjedhura Revlon (në hije të saj të preferuar ‘Everything’s Rosy’) dhe dosjen e saj të thonjve.

“Do ta përshkruaja stilin e Kahlo si personale, unike, hibride dhe bashkëkohore”, ka thënë, Claire Wilcox, bashkë-kuratorja e ekspozitës, njofton Klan Kosova.

13 vjeçari shqiptar mahnitë jurinë e The Voice Kids në Gjermani (VIDEO)

Është duke u mbajtur gara e madhe e The Voice Kids në Gjermani, dhe së fundi, jurinë e kësaj gare e ka mahnitë zëri i Besim Karpuzit, që vjen nga Drenica e Kosovës.

Ai ka fituar zemart e jurisë në audicionet e fshehura, kurse vetë juria e ka vlerësuar talentin shqiptar një këngëtar të vërtetë, duke ia vlerësuar zërin, por edhe qëndrimin e tij.
Për më shumë mund ta ndiqni performancën e Besimit, i cili tashmë vazhdon garën e mëtutjeshme./KultPlus.com