Franca, djepi i elegancës, vendlindja e parfumit, modës dhe artit, është më shumë se një shtet, është një ide, një ndjenjë, një frymë që lëviz përmes shekujve. Në rrugicat e Parisit, midis godinave të ndërtuara me hijeshi të përjetshme dhe dritës që prek fasadat si një furçë piktori, lindi një prej emrave më të njohur të luksit botëror, Louis Vuitton.
Louis Vuitton, më shumë sesa një markë, është simbol i mjeshtërisë franceze, i udhëtimit, i ëndrrës së bukur që mbështillet me pëlhura të zgjedhura.
Por rrugët e kulturës nuk janë kurrë njëkahëshe. Ato përthithin ndikime, frymëzohen edhe nga horizonte të largëta. E largët në gjeografi por e afërt në shpirt me artin francez, Japonia u bë një reflektim i bukur i pasionit të Louis Vuitton për formën, simbolikën dhe perfeksionin.
Shumë ndjekës të markës Louis Vuitton mund të mos jenë në dijeni se kanavaca e saj ikonike me monograma u frymëzua fillimisht nga emblemat tradicionale japoneze ‘mon’ që në vitin 1896. Kjo lidhje e hershme kulturore midis Francës dhe Japonisë, ndonëse shpesh e lënë në hije, është duke u rikthyer në qendër të vëmendjes në vitin 2025, me një seri ngjarjesh dhe ekspozitash që festojnë këtë bashkëpunim të gjatë kreativ.

Më e njohur për publikun është dashuria e hershme e Pharrell Williams, aktualisht Drejtor Kreativ për Linjën e Meshkujve në Louis Vuitton, për Japoninë. Marrëdhënia e tij e ngushtë me stilistin e njohur japonez Nigo ka kulmuar së fundmi me koleksionin Vjeshtë/Dimër 2025 të Louis Vuitton, një bashkëpunim që përforcon lidhjen mes shtëpisë franceze të modës dhe kulturës japoneze.
Në vitin 2025, kjo marrëdhënie shekullore po nderohet zyrtarisht në World Expo Osaka Kansai, ku LVMH sponsorizon Pavijonin Francez. Brenda tij ndodhet një instalacion imersiv, i dizajnuar nga arkitekti japonez Shohei Shigematsu i studios së njohur OMA. Pjesë e këtij hapësire është edhe skulptura “Katedralja” e Auguste Rodin, që qëndron përballë një ushtrie prej 85 valixhesh ikonike Louis Vuitton, të vendosura në një ambient zanor të krijuar në bashkëpunim me Institutin Francez për Kërkime dhe Koordinim në Akustikë/Muzikë (IRCAM). Ky kompozim muzikor eksploron “dridhjet intime të savoir-faire francez”.
Një tjetër atraksion vizual në pavijon është video-instalacioni “Trunk Sphere” nga artisti japonez Daito Manabe, i cili krijon një udhëtim shqisor përmes projektimeve në muret e hapësirës ekspozuese.
Dialogu ndërkulturor vazhdon edhe jashtë pavijonit, në Muzeun e Artit Nakanoshima në Osaka, ku është hapur ekspozita “Visionary Journeys”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 17 shtator 2025. Kuruar nga historiania e modës dhe artit Florence Müller, ekspozita ofron një rikthim ndryshe në historinë e Louis Vuitton, përfshirë fragmente origjinale të kanavacës me monograma të frymëzuara nga artizanati japonez, si dhe pjesë të tjera arkivore të rralla.

Sezoni i pasur kulturor përmbyllet me publikimin e dy botimeve të reja nga Louis Vuitton Editions, të zhvilluara posaçërisht për këtë rast:
“Fashion Eye Osaka”, një eksplorim i qytetit nga fotografi Jean-Vincent Simonet, i cili përqafon estetikën urbane me ngjyra dhe shpërthime vizuale.
“City Guide Osaka”, një udhëzues i detajuar mbi qytetin, me përshkrime nga kritiku i njohur i ushqimit François Simon dhe artisti vendas Verdy.
Ndërsa të gjitha këto nisma zhvillohen paralelisht, një detaj bëhet gjithnjë e më i qartë, pa Japoninë, ndoshta nuk do të kishim Louis Vuitton që njohim sot, apo atë të së nesërmes./Cultured/KultPlus.com
