Herakliti: Heshtja, shëron…

Rreth 2,300 vjet më parë, ai arriti të përceptonte atë që shkenca moderne pohoi në shekullin e fundit, që gjithçka në univers është me të vërtetë në lëvizje të vazhdueshme, e për rrjedhojë ligji i ndryshimit është një koncept i gjithsejtë që vlen si për planetet dhe galaktiktat po ashtu edhe për atomet e molekulat, trupin, mendjen, karakterin dhe sjelljen e njeriut.

Herakliti i Efesit lindi në një familje të pasur në Ioni, një qytet në brigjet greke, por që jetonte në pyll për të soditur universin.

Ne kemi bindjen se do t’i lexoni me kënaqësi këto brilantë filozofikë dhe do të na thoni cilën praktikoni apo vlerësoni më së shumti në jetën tuaj.

Njeriu bëhet më së shumti vetvetja kur arrin seriozitetin e një fëmije që është duke lozur.

Askush nuk mund ta kalojë të njëjtin lum dy herë, sepse ai rrjedh, dhe nuk është i njëjti lumë, dhe ai vetë ndryshon, nuk është më i njëjti njeri.

Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit.

Koha është një lojë që fëmijët e luajnë bukur.

Bollëku i informacionit nuk garanton urtësinë te njeriu.

Karakteri yt o njeri, është fati yt!

Është nëpërmjet ndryshimit që ne gjejmë qëllimin.

Shpirti është pikturuar me ngjyrat e mendimeve të tij.

Heshtja, shëron.

Çfarë është ndarë do të bashkohet, dhe çfarë është bashkuar do të shpërthejë.

Të zgjuarit ndajnë të njëjtën botë, ndërsa të fjeturit janë secili në botën e vet.

Rruga për t’u ngjitur dhe rruga për të zbritur është një dhe e njëjta.

Të gjitha gjërat vijnë në ekzistencë si konflikt midis dy të kundërtave.

Sytë dhe veshët janë dëshmitarë të këqinj për njeriun me shpirt barbar.

Historia është një fëmijë që bën kështjella prej rëre në breg të detit, ndërsa ai fëmija është gjithë madhështia e pushtetit të njeriut.

Nuk është asnjëherë tepër vonë për të kërkuar një botë të re.

Zjarri jeton për shkak të vdekjes së Tokës, ajri jeton për shkak të vdekjes së zjarrit, uji jeton prej vdekjes së ajrit, dhe Toka jeton prej vdekjes së ujit.

Natyrës i pëlqen të fshihet.

Njerëzit duhet t’i mbrojnë ligjet ashtu siç mbrohen muret e qytetit./shkollaesuksesit/KultPlus.com

‘Fustanin që ta solla mbrëmë’ nën interpretimin e Parashqevi Simakut (VIDEO)

Parashqevi Simaku është këngëtare e muzikës shqipe. Ajo u lind në Kavajë  më 1 shtator 1966. Me këngën filloi qysh në moshën e hershme të saj, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar.

Përgjatë karrierës së saj muzikore mori pjesë në shumë koncerte dhe festivale muzikore, në të cilat edhe u shpërblye me çmimin e parë.

Sot në ditëlindjen e sajtë 58-të, KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën ‘Fustanin që ta solla mbrëmë’,të interpretuar nga Parashqevi Simaku:

Fustanin qe ta solla mbreme,
a s’e vesh moj per hatrin tim.
Fustanin qe ta solla mbreme,
a s’e vesh moj per hatrin tim

Aman a s’e vesh moj per hatrin tim,
se jam rriture jetim,
Aman a s’e vesh moj per hatrin tim,
se jam rriture jetim

Fustanin o me lule shume,
a s’e vesh moj per hatrin tim.
Fustanin o me lule shume,
a s’e vesh moj per hatrin tim.

Aman a s’e vesh moj per hatrin tim,
se jam rriture jetim
Aman se jetim jam rriture,
me kulac moj te siture./KultPlus.com

Drejtoria e Arkivave prezanton projektin novator të Muzeut Arkivor

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi para medieve projektin novator të Muzeut Arkivor, i cili do të hapë së afërmi dyert për publikun.

Lajmi u bë me dije nga drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, në një dalje përpara medieve në Sarandë, në përmbylljen e turit shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura nga publiku, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

“Ne jemi duke krijuar Muzeun Arkivor, që prezantohet brenda këtij viti, i cili është një muze atipik, sepse ne tentojmë që të pasqyrojmë të gjithë pasurinë tonë kombëtare në një hapësirë të vogël, por që jam i bindur që do të jetë një ndër muzetë më interesantë në Shqipëri. Do të prisni pak mua derisa ta prezantojmë.”

Në bashkëpunim me bashkinë e Sarandës, DPA-ja shfaqi pranë Muzeut të Traditës Sarandiote ekspozitën, që rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

I pranishëm në këtë aktivitet, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, u shpreh në një dalje për mediet se përmes arkivave shëtitëse, synohet të përçohen vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare.

“Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tenton që të sjellë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, veçanërisht në bregdet gjatë verës, sepse shqiptarët aty janë. Pra, në gjithë pika turistike dhe ekspozita mbi trashëgiminë kulturore, mbi veshjet popullore, të cilat shumë njerëz nuk i njihnin, në fakt ka qenë edhe në Durrës, edhe në Shëngjin, edhe në Krujë, që ka masivitet gjatë verës. Ka qenë edhe në Pogradec, në Himarë dhe është edhe në Sarandë. Kudo ku ka njerëz, të cilët mund të shohim trashëgiminë e vyer të kombit tonë, ne shkojmë aty. Nuk presim që ata të vijnë te ne për të parë elementet e veçanta të së kaluarës, të cilat janë një frymëzim në fund të ditës për të ardhmen”, tha Bido.

Në vijim të fjalës së tij, Bido shtoi se ekspozita përfshin edhe kostumet popullore të komunitetit të arbëreshëve të Italisë dhe të arvanitasve të Greqisë, për të treguar larmishmërinë e traditës sonë.

“Ekspozita ka të bëjë me kostumet popullore të të gjitha trevave shqiptare, përfshi edhe arbëreshët e Italisë, apo arvanitasit në Greqi, përtej pra trungut kombëtar, për të treguar larmishmërinë e madhe që kemi në traditën tonë. Dhe besoj se është mjaft interesante, është pritur mjaft mirë në të gjitha qytetet, ku ka shkuar kjo ekspozitë sepse njerëzit kuptojnë sesi gjyshërit dhe gjyshet e tyre visheshin në përditshmërinë e tyre. Stërgjyshërit apo stërgjyshet e tyre për mosha më të vogla, të cilat le të themi nuk i kanë parë me sy këto, por që i kanë së paku në një traditë gojëdhënë. Kanë mundësinë që t’i shohin në treva të ndryshme nga ata janë, të shohin veshje karakteristike të shqiptarëve, të cilat janë mjaft të bukura, shumë të mirëpunuara, goxha të shtrenjta dhe mbi të gjitha e detaje, të cilat sot fatkeqësisht po humbet edhe tradita e të rikthyerit të këtyre detajeve në veshjet tona”, tha kreu i DPA-së.

Ekspozita “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve” është shfaqur më herët në Gjirokastër, në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë, në Lin dhe në Elbasan./atsh/ KultPlus.com

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku feston ditëlindjen e 58-të

Njëra ndër ikonat e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare feston sot ditëlindjen e 58-të. Më zërin e saj të mahnitshëm, Parashqevi Simaku fitoi shumë shpejt zemrat e popullit shqiptar, shkruan KultPlus.

Ajo edhe sot mbahet në mend për gjithçka që dha në skenë para viteve të 90-ta.

Parashqevi Simaku u lind në Kavajë më 1 shtator 1966 dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar. Këndoi shumë në festivale edhe koncerte e pranverës.

Në 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marr edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerr një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Disa nga këngët që Parashqevi Simaku këndoi përballë publikut shqiptar janë: Gëzimi i shtëpisë së re (1983), Në moshën e rinisë (1985), Një mëngjes (1986), Kur lulëzon bliri (1986), Me sytë e tu (1987), Çdo mëngjes, Çdo gjë bashkë ne e ndajmë, Buzë detit jemi rritur, Bashkëmoshatarët (1987), Koha nuk na pret (1987), E duam lumturinë (1988) e shumë të tjera./ KultPlus.com

Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, Rama: Mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës

Mali i Dajtit, vetëm 22.4 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 1 613 metra mbi nivelin e detit, është një tjetër atraksion i mrekullueshëm për turistët e huaj që vendosin të vizitojnë vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një mozaik i natyrës që i rri mbi krye Tiranës duke ofruar mundësi për aktivitete të llojllojshme dhe peizazhe të jashtëzakonshme.

Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.

Me rreth 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit, bimësh e barishtore, kafshët dhe shpendët e egra, dy majat dominuese, “ballkonet”, që qëndrojnë mbi shkëmbinjtë e pjerrët, kjo zonë është kthyer në një atraksion për turistët e huaj, që pëlqejnë natyrën dhe aventurën.

Vizitorët mund të shijojnë edhe pamjet spektakolare të perëndimit të diellit që në mbi 1000 metra lartësi ofrojnë një spektakël të mahnitshëm, duke u shoqëruar dhe nga një pafundësi dritash vezulluese të Tiranës.

‘Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria!’

Nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

Letra

Poezi nga Miguel Hernandes

Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë
ku rrinë kujtimi, brenga zemra dhe heshtja vetë,
posi pëllumba letrat degdisen që me natë.
I ndiej tek flatrojnë për në shtegtim të gjatë.

Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.

Letra, pusulla, fjalë: që nisen në hapësirë, ëndrra ende pa çelur,
mendime ende pa gdhirë, të gjitha marrin rrugën drejt vatrës e drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë, se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty u zverdhën faqet, aty germat u shuhen,
aty humbasin radhët.

Ku mallet derdhur qenë, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë,aty rropaten thellë
(ç’varrezë e llahtarshme!)
hem ndjenjat e kaluara, hem dashuritë e tashme

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Po kur të shkruaj unë do dridhet kallamari:
do skuqet bojë e zezë, me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia:
do shkruaj gjaku im gjithë gulç nga dashuria

Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell- ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti e zhveshur tek dridhesh me ngadalë,
e gatshme ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.

Dhe po të jem nën tokë, që vdiqa ti mos thuaj, më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.

Një letër dje kam parë sesi mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënë tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.

Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
ërmimn’ e letrës sate tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër./KultPlus.com

Nis sezoni i ri i teatrove në Shqipëri, TKOB nis me mbrëmje gala

Me ardhjen e Shtatorit, nis edhe sezoni i ri për teatrot në vend. Ndonëse duhet edhe pak që këto institucione të prezantojnë kalendarin e plotë për këtë sezon, sërish kanë bërë me dije se cilat do të jenë shfaqjet e para që do t’i rikthejnë tek publiku.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, bën me dije se më 14 Shtator do të nisë sezonin e ri artistik, me një mbrëmje gala, që do t’i hapi rrugën një sezoni të gjallë ku nuk do të mungojë shfaqjet operistike, baleti dhe shfaqjet nga Ansambli Popullor.

Ndërsa në skenën e Tetarit Kombëtar, në 15 Shtator do të luhet shfajqa “Karnavalet e Korçës”, një produksion i Andon Zako Çajupi, ndërsa vetë kasti i Teatrit Kombëtar ka nisur punën për premierën “Fausti”, një bashkëproduksion mes Teatrit Kombëtar dhe Sardega Tetaro, me regji të regjisorit dhe dramaturgut Italian Davide Iodice.

Teatri Kombëtar Eksperimental, në bashkëpunim me Teatrin Metropol, më 4 Shtator e nis me shfaqjen “Marmelladov” me regji të Xhino Musollari, pjesë e festivalit “Hapat” që i dedikohet regjisorëve dhe aktorëve të rinj.

Shtatori i rikthen trupat artistike në kryeqytet pas një turi shfaqjesh që patën në zonat me të frekuentuara turistike./tvklan/ KultPlus.com

Nga 2 shtatori nis Java Kulturore e Hungarisë në Shqipëri

Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare rikthehet sërish me plot surpriza e argëtim. Njëjtë si me grupin e parë të shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të tretë të JKN, çdo javë do t’i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve të shumta që përcjellin më së miri pasurinë e tyre kulturore.

Gjithçka vijon nga 2 Shtatori me Hungarinë, që do të sjellë në vendin tonë deri më datë 6 Shtator, argëtim e emocione pa fund. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live dhe ekspozitës mahnitëse me skulptura xhami të artistes Yvette Botz, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube, që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, kjo javë ka diçka për të gjithë.

Surprizë e kësaj jave pa dyshim që do të jetë grupi folk dance Szinvavölgyi Néptáncműhely, që do të sjell në kryeqytetin tonë një performancë që premton shumë. Me kostumet tradicionale hungareze, ky grup do të marshojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në datën 3 shtator, duke i dhuruar qytetit zhanerin e tyre që spikat për ndjenjën jashtëzakonisht të zhvilluar të ritmit, improvizimin dhe levizjet energjike.

E po ashtu, përgjatë ditëve të Javës Kulturore Hungareze, nuk do të mungojnë as workshop-et e veçanta me artistët apo ritmet e muzikës klasike.

Publiku i kryeqytetit do të ketë mundësinë që në morinë e aktiviteteve të shijojë edhe koncertin e madh të grupit hungarez Bohemian Betyars. Folk, punk, shpejtësi, ritëm, nota ballkanike, rock psikodelik, nota vibruese dhe motive cigane që karakterizojnë stilin e grupit, do munden të përjetohen po më datë 3 Shtator, tek Sheshi Italia.

Menjëherë pas Hungarisë, do të nisë java Kulturore e Holandës (7-11 Shtator), për tu pasuar nga Turqia (12-15 Shtator), Mbretëria e Bashkuar (16-22 Shtator), Kina (23-29 Shtator), Gjermania(2-8 Tetor), Japonia (9-15 Tetor), SHBA-ja (19-23 Tetor), Kombet e Bashkuara (24 Tetor), Austria (26-31 Tetor), Spanja (1-6 Nëntor), Mali i Zi (7-11 Nëntor), Meksika (12-16 Nëntor) dhe Kosova(21-30 Nëntor), që edhe përmbyll këtë edicion të tretë.

Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin dhe Brazilin, që e shndërruan vendin tonë nga veriu në jug, në një arenë ndërkombëtare shumë kulturore dhe shumë disiplinore. Fokus i veçantë në aktivitetet e shumta përveç argëtimit, ishte edhe dhënia e mesazheve për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut.

“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ne anë të kësaj nisme, është për qëllim krijimi i urave lidhëse, nxitja e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon. Nëpërmjet këtij projekti vendet gjithashtu njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat./ BalkanWeb/ KultPlus.com

Përfundon ‘Skena Verore’ në Ulqin, përmbyllet nga Elina Duni

Edicioni i 39-të i Festivalit “Skena Verore” në Ulqin është përmbyllur me ekspozitën personale te piktores Luljeta Rama Muçaj.

Pas një muaji me aktivitete te shumta kulturore kjo ngjarje ka kulmuar me koncertin me tingujt e muzikës jazz te interpretuara nga Elina Duni dhe Rob Luft Band në kalanë e qytetit.

Çdo vit ky festival bashkon artdashës nga vende të ndryshme për ekspozita, koncerte, promovime librash e ngjarje tjera kulturore./ rtk/ KultPlus.com

Musk lirohet nga padia 258 miliardë dollarëshe për monedhën digjitale Dogecoin

Miliarderi Elon Musk dhe kompania e tij e automjeteve elektrike Tesla janë liruar nga një padi kolektive e monedhës digjitale Dogecoin prej 258 miliardë dollarësh.

Padia, e ngritur në vitin 2022, pretendonte se komentet nga Musk në Twitter, tani e njohur si X dhe në pronësi të tij, manipuluan çmimin e Dogecoin dhe dëmtuan investitorët e kriptomonedhave.

Investitorët pretenduan se deklaratat e Musk-it, përfshirë se Dogecoin mund të jetë monedha e tij e preferuar, kriptomonedha e njerëzve dhe monedha e ardhshme e Tokës, ishin mashtruese.

Sipas dokumenteve të gjykatës, ata gjithashtu cituan pretendimet se Dogecoin mund të bëhet standardi për sistemin financiar global pasi Musk vendosi një Dogecoin në SpaceX dhe e fluturoi atë në Hënë duke thënë se Dogecoin do të paguante për misionin dhe atë se automjetet Testa mund të blihen me Dogecoin.

“Këto deklarata janë aspiruese dhe të fryra, jo faktike dhe të prirura për t’u falsifikuar”, shkroi në vendimin e tij gjyqtari amerikan i Qarkut Jugor të New York-ut, Alvin K. Hellerstein.

“Sa i përket skemës së supozuar ‘mbush dhe zbraz’ nga Musk dhe Tesla, nuk është e mundur të kuptohen pretendimet që përbëjnë bazën e përfundimit të paditësit për manipulimin e tregut”, shtoi ai.

Një numër i paditësve që iu bashkuan padisë në grup kërkuan 86 miliardë dollarë dëmshpërblim, përveç dëmeve të trefishta prej 172 miliardë dollarësh.

Dikur një kriptomonedhë e panjohur e krijuar si shaka, në fillim të vitit 2021 Dogecoin u rendit shpejt në top dhjetëshen e kriptomonedhave pasi Musk vazhdimisht postonte në Twitter në favor të saj.

Dje, Dogecoin u rendit e 8-ta në mesin e aseteve të kriptove me një kapital tregu prej 14.7 miliardë dollarësh.

Ndryshe nga kriptomendha më e madhe në botë Bitcoin, Dogecoin nuk ka ndonjë kufi në minimin e tij ose në sasinë që krijohet. /atsh/ KultPlus.com

Nesër nis edicioni i 54-t i Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Nesër do të fillojë Festivali i Teatrove në Ferizaj. Sivjet është edicioni i 54-t i cili ka jetëgjatësinë më të madhe nga ngjarjet e arteve skenike në Ballkanin Perëndimor.

Nesër do të jetë hapja zyrtare në Teatrin “Adriana” teksa shfaqja e parë që do të jepet është “Mishi i Egër”.

Pjesë e programit janë edhe shfaqjet “Audienca”, “Charles III”, “Kamarja e turpit”; “Tartufi”, “Çifti i hapur”, “Turjela” e “Togeri i inishmorit”.

Si çdo vit edhe sivjet FTF përballë opinionet me panelet e diskutimit ndër temat “Teatri dhe lufta”, “Modalitetet e mobilitetit të teatrove shqiptare”.

Nuk do të mungojnë as netët muzikore të cilat mbahen në oborrin e teatrit të qytetit. FTF do të zgjasë deri më 6 shtator.

PRIFEST-i shpalos programin tradicional ‘Fokus’ me filma nga industria e Mbretërisë së Bashkuar

Në edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- PRIFEST, programi tradicional jo-garues “Fokus” do të prezantojë industrinë e filmit të Mbretërisë së Bashkuar.

Në një njoftim për media thuhet që kjo kategori e veçantë e festivalit ka për qëllim të prezantojë kinematografinë e një shteti, në këtë rast britanike, dhe të sjellë për publikun kosovarë një përzgjedhje unike të filmave bashkëkohor nga ky shtet. 

Ky program vjen me mbështetjen e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

 LAST SWIM nga Sasha Nathwani, Mbretëria e Bashkuar/ Premierë regjionale (100min).

Është verë në Londër. Në ditën e saj të fundit të lirisë, Ziba, një adoleshente britaniko-iraniane, udhëheq miqtë e saj në një udhëtim plot me ngjarje, ndërsa fshehurazi përballet me një vendim që do t’i ndryshojë jetën.

NO WAY HOME nga Yousaf Ali Khan, Mbretëria e Bashkuar/ Projeksion special – fitues i PriGlobal 2024 (105min).

Ryan nuk e mban mend babanë e tij, por ende ëndërron se një ditë do të kthehet. Kështu që, kur zbulon një burrë të fshehur në shkretëtirën pranë shtëpisë së tij, për të është si një ëndërr e realizuar. Apo jo?

KING BABY nga Kit Redstone & Arran Shearing, Mbretëri e Bashkuar, Francë/ Premierë regjionale (89min).

Një përrallë moderne zhvillohet në një mbretëri të rrënuar ku jetojnë vetëm një Mbret dhe një Shërbëtor. Ardhja e një Mbretëreshe manekin trondit botën e tyre të ndërtuar me kujdes, duke i zhytur në izolim, çmenduri dhe mani vrasëse.

Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata, Prishtinë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e vendit Vjosa Osmani sot ka takuar në Pragë të Çekisë Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, Alexander Kasanof.

Përmes një shkrimi në “Facebook” Presidentja Osmani tha se kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, e rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon.

“Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

YIHR u bënë thirrje institucioneve ta prioritizojnë prurjen e drejtësisë për të zhdukurit

“Dera e Pritjes” Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut e mblodhi në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme në Sheshin “Skënderbeu” për të ndjerë peshën e 1612 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Kjo ishte një ditë solidariteti me të gjithë familjarët, po aq sa ishte një ditë që kërkuam llogari dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet tona”, thuhet në kumtesën e YIHR-së.

Dera që vendosën në shesh simbolizoi agoninë dhe pikëllimin e pritjes së stërzgjatur për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, transmeton Klankosova.tv.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje institucioneve tona që të kenë prioritizojnë prurjen e drejtësisë për fatin e personave të zhdukur si një faktor kyç në ndërtimin e paqes dhe pajtimin”.

“Së bashku, solidarizohemi me të gjitha familjet e viktimave të zhdukjeve të dhunshme dhe dërgojmë mesazhin: nuk do të pushojmë deri në vendosjen e drejtësisë, derisa të zbardhet e vërteta dhe derisa të zbardhet fati i 1612 personave të zhdukur”.

Liza Laska, artistja që i dha jetë figurës së nënës labe në kinematografi

Më 31 gusht të vitit 2014, vdiq aktorja e mirënjohur shqiptare, Liza Laska.

Liza Laska lindi më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë, Shqipëri, aktore shqiptare që mban titullin “Artiste e merituar”.

Kush nuk e mban mend rolin e plakës tek ‘Kthimi i Ushtrisë së Vdekur’, rol që e ngriti Liza Laskën në piedestalin e aktorëve më të çmuar shqiptarë.

Shkollimin e parë e mori në qytetin e lindjes. Ajo filloi jetën artistike si aktore e Teatrit të Vlorës dhe më pas luajti për herë të parë në filmin “Malet me blerim mbuluar” në 1971 dhe që hapi rrugën e saj për shumë interpretime të tjera në ekran.

Filmat e luajtur prej saj janë të shumtë “Një ditë e mrekullueshme” (2002), “Vdekja e burrit”, (1991), “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, (1989), “Familja ime”, (1987) “Teta Kalina”, “Dhe vjen një ditë”, (1986) “Nena e Llano Bletes”, “Gurët e shtëpisë sime” (1985) etj..

Aktorja ndërroi jetë më 31 gusht 2014. Gjatë viteve të fundit “Artistja” e Merituar ka hedhur në letër kujtimet e saj, për t’i lënë pas për brezat që vijnë. Në një intervistë për median, aktorja është shprehur se ‘Kënaqësia më e madhe e aktorit është respekti dhe dashuria e publikut, ai nuk barazohet me asgjë. Kur eci rrugës, më thonë: O labja jonë, o nëna e Vlorës”./diapsorashqiptare/ KultPlus.com

FHD në Serbi publikon librin për 1.636 persona të zhdukur nga lufta e Kosovës

Fondi për të Drejtën Humanitare, në emër të Rrjetit të Pajtimit të KOMRA-s, prezantoi sot librin për 1.636 persona të zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë – “Dinjiteti për të pagjeturit”, dhe konferenca i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për identifikimin e mbetjeve në morgun e Prishtinës.

Themeluesja e FDH-së, Natasha Kandiq, tha se libri është një përpjekje për të sjellë para publikut kujtimet e familjeve të të pagjeturve dhe për t’i ngritur ato në një nivel më të lartë.

“Familjet e personave të zhdukur janë në një pozicion krejtësisht të ndryshëm nga familjet që kanë varrosur të dashurit e tyre. Nuk kanë varr, nuk kanë ku të kujtojnë. Ata janë në një situatë ku kujtimi zgjat dhe jeton vetëm brenda familjes”, ka shpjeguar Kandiq, raporton N1.

Ajo tha se në periudhën e kaluar ka folur me familje të shumta dhe se përshtypja më e vështirë që ka pasur ishte jeta e vështirë e atyre njerëzve.

“Kanë kaluar 25 vite, shumë baballarë dhe nëna nuk jetojnë më, disa jetojnë shumë rëndë dhe shprehen se ‘janë të vështirë për të gjithë’. Kjo është shumë e vështirë për t’u dëgjuar”, theksoi Kandiq.

Shefja e seksionit politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sylvie Estriga, tha se në periudhën e kaluar është bërë shumë për të zgjidhur fatin e të zhdukurve, por se ende ka shumë familje që nuk e dinë fatin e anëtarëve të tyre, kështu që zhgënjimi i tyre është legjitim.

“Ata kanë të drejtë të informohen për fatin e më të dashurve të tyre, sepse pas atyre numrave qëndrojnë disa njerëz. Në emër të asaj çështjeje humanitare, ne duhet të shmangim politizimin dhe të fokusohemi në zgjidhjen e rasteve”, tha ajo.

Drejtori i programit të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Matthew Holliday, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur fatin e eshtrave të 350 deri në 400 personave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.

“Ai vend është një varr masiv mbi tokë dhe autoritetet e Prishtinës duhet të bashkëpunojnë me Komisionin për Persona të Zhdukur të Serbisë për të zgjidhur fatin e atyre njerëzve”, theksoi Holliday.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të dyfishojnë përpjekjet dhe bashkëpunimin në gjetjen e varrezave masive dhe në këtë mënyrë t’u japin dinjitet personave të zhdukur. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Gonxhja përkujton Maks Velon: Veprat e tij do të vazhdojnë të flasin

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përkujtoi sot Maks Velon, në ditën e tij të lindjes.

Sipas Gonxhes, Velo ishte një prej figurave të shquara të artit dhe arkitekturës.

“Në ditën e tij të lindjes, përkujtojmë sot një prej figurave të shquara të artit dhe arkitekturës shqiptare, mjeshtrin Maks Velo! Kontributi i tij i pazëvendësueshëm në kulturën tonë është një frymëzim i përhershëm për të gjithë ne dhe veprat e tij do të vazhdojnë të flasin për të gjithë brezat që do të vijnë. I përjetshëm kujtimi i Maks Velos”, shprehet Gonxhja.

Arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare më 7 maj 2020./atsh/ KultPlus.com

Vjosa, së shpejti pjesë e trashëgimisë së mbrojtur botërore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Vjosa është afër që të bëhet pjesë e trashëgimisë së mbrojtur botërore.

Kjo pasi, sipas Ramës ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për këtë, përcjell Kalnkosova.tv.

“Vjosa në UNESCO – Puna po vazhdon – Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura së bashku me ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për ta bërë Vjosën pjesë të trashëgimisë së mbrojtur botërore, duke vlerësuar nga afër mozaikun e saj si një prej ekosistemeve më unikë në Evropë dhe duke bërë pjesë të diskutimeve edhe banorët e bizneset e zonës”, ka shkruar kryeministri./

Presidentja Osmani takon Doughtyn: Aleanca me MB-në, e rëndësishme për popullin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Pragë u takua me ministrin e ri britanik për Evropën, Stephen Doughty.

Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit thotë se për popullin e Kosovës, aleanca me Mbretërinë e Bashkuara është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Raportet e veçanta dhe historikisht të mira në mes të dy vendeve tona shërbejnë si themel i paluhatur për avancimin tutje të bashkëpunimit bilateral”, shkroi presidentja.

11 herët kur Lady Diana ishte muza e bukurisë së verës (FOTO)

Fotografitë: Tim Graham

Prirja e saj për vijë blu mbi sy dhe hijet e krijuara nga dielli tregojnë se Diana, princesha e Uellsit e donte verën po aq sa ne të tjerët. Veshjet e saj të pushimeve u bënë ikonike, si rrobat e banjos me imazhe kafshësh ku ajo paraqitet duke u zhytur nga një jaht, meten të paharrueshme. Ajo gjithashtu vazhdon të mbetet një frymëzim për paraqitjet plot stil në një mot të nxehtë.

Flokët e theksuara në mënyrë të patëmetë, në ngjyrë të artë, ishin një nga pamjet më dashura për t’u parë në verë (dhe dimër). Ajo gjithashtu dinte t’i jepte shkëlqim dhe një pamje natyrale buzëve, vijë mbi sy në ngjyrë kafe dhe lëkurë të freskët, transmeton KultPlus.

Diana ishte modeste, por rrezatuese, me një shkëlqim nga i cili të gjithë mund të merrnim disa mësime bukurie. Më poshtë mund të shihni 11 herët kur ajo ishte muza e fundit e verës. / KultPlus.com

‘Në hijen e lirimit mbështjellë’, ekspozita që eksploron të qenit queer

Të premten, në hapësirat e hotel ‘Grand’ është hapur ekspozita ‘Në hijen e lirimit mbështjellë’, përcjell KultPlus.

‘Në hijen e lirimit mbështjellë’ organizuar nga ‘Sekhmet Institute’ dhe kuruar nga Shaunak Mahbubani, ka bërë bashkë artistët si Agha Shahid Ali, Anna Ehrenstein, Arlinda Morina, Arbër Selmani, Astrit Ismaili, Bashar Murad, CEL Archive, Clifford Prince King, Dis-visible Narratives, Kristiyan Chalakov, Ledia Dushi, Marko Mizikimakov, Nanda Agic, Paola Revenioti, Pedra Costa, Piro Rexhepi, Rah Naqvi, Robert Gabris, Silvi Naçi, Dëshira Maja, The Queer Muslim Project, Uresa Ahmeti dhe Va-bene Elikem Fiatsi.

Ekspozita e cila paraqet vepra arti të mediumeve të ndryshme eksploron të qenit queer dhe kompleksitetet e veta bashkëkohore në dhe prej vendodhjes së Kosovës.

‘Në hijen e lirimit mbështjellë’ do të jetë e hapur deri më datë 29 shtator./KultPlus.com

Osmani: Kur s‘koordinohesh me aleatë mund të kesh sukses momental që duket bukur, por që mund të rezultojë në hapa mbrapa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përgjatë Forumit Globsec në Pragë ka folur edhe për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Osmanit, dallimi në mes të Kosovës dhe SHBA-së është për shpejtësinë e veprimit dhe jo për rrugën që po ndiqet.

“S’ka ndonjë lloj mospajtimi që SHBA dhe Kosova duan një Kosovë sovrane, në kufijtë aktual. Por ndonjëherë qasja drejt mbajtjes së një Kosovë demokratike të fortë, mund të dallojmë. Janë taktikat nuancat. Mund të ketë diferenca në këtë drejtim. Por asnjëherë dhe s’ka pasur edhe as sot s’ka ndonjë lloj mospajtim se çfarë Kosovë duam.  Kur ky themel është i shëndosh të gjitha sfidat mund të tejkalohen”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje ka thënë se koordinimi me aleatët është kyç për suksesin e Kosovës, dhe sipas saj, në momentin që koordinohesh, suksesi është më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë, derisa ka shtuar kur e bën të kundërtën, mund të kesh një sukses momental që mund të duket bukur, por që më pas mund të rezultojë në hapa mbrapa.

 “Mospajtimi nuk është ndoshta sa i përket rrugës, por ndoshta vetëm shpejtësia me të cilën ecet në atë rrugë.  Nuk po dua të them që e gjithë situata është krejt e qartë. Kam pasur 20 vjet përvojë në politikë dhe koordinimi me aleatët është kyç është një prej aspekteve kyça të suksesit tonë. Kur koordinohemi me aleatët në terren suksesi është më i qëndrueshëm më afatgjatë, por kur nuk e bëjmë këtë është një sukses vetëm momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por që pastaj është më i brishtë si sukses dhe mund të bëjmë hapa mbrapa”, ka thënë presidentja e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Presidentja në këtë panel në Pragë ka thënë se fuqia e Kosovës qëndron pikërisht tek aleancat me shtetet e fuqishme demokratike dhe ka përsëritur se dallimi mes Kosovës dhe SHBA-së mund të jetë tek shpejtësia me të cilën po ecet por jo për destinacionin.

“Kur mban aleanca të forta, këtu e ke fuqinë. Fuqia jonë me e madhe bazohet në partneritetin tonë. Kjo na ka mbajtur të fuqishëm. Pa marrë parasysh sfidat, jo çdokush pajtohet plotësisht me atë që them unë dhe kjo do të thotë që Kosova është një vend me demokraci të shëndoshë. Dallimi mes Kosovës dhe SHBA-së mund të jetë sesa shpejt ecim në një drejtim, nuk është puna për rrugën apo destinacionin”, ka thënë Osmani.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë në disa reagime të fundit se raporti në mes të SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës është lënduar dhe se veprimet e pa koordinuara dhe të njëanshme të Qeverisë së Kosovës vetëm sa po e rrisin përkqësimin e raporteve, shkruan Gazeta Express.

Në reagimin e lëshuar të premten më 30 gusht, Ambasada e SHBA-së ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka instrumentalizuar Policinë e Kosovës dhe se veprimet e fundit do të kenë ndikim edhe në raportin në mes të SHBA-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vartësve të kësja ministrie. Nga Ambasada kanë thënë se instrumentalizimi që po i bëhet policisë është shkelje e premtimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për koordinim dhe konsultime të vazhdueshme me partnerët./ KultPlus.com

Musk lirohet nga padia 258 miliardë dollarëshe për monedhën digjitale Dogecoin

Miliarderi Elon Musk dhe kompania e tij e automjeteve elektrike Tesla janë liruar nga një padi kolektive e monedhës digjitale Dogecoin prej 258 miliardë dollarësh.

Padia, e ngritur në vitin 2022, pretendonte se komentet nga Musk në Twitter, tani e njohur si X dhe në pronësi të tij, manipuluan çmimin e Dogecoin dhe dëmtuan investitorët e kriptomonedhave.

Investitorët pretenduan se deklaratat e Musk-it, përfshirë se Dogecoin mund të jetë monedha e tij e preferuar, kriptomonedha e njerëzve dhe monedha e ardhshme e Tokës, ishin mashtruese.

Sipas dokumenteve të gjykatës, ata gjithashtu cituan pretendimet se Dogecoin mund të bëhet standardi për sistemin financiar global pasi Musk vendosi një Dogecoin në SpaceX dhe e fluturoi atë në Hënë duke thënë se Dogecoin do të paguante për misionin dhe atë se automjetet Testa mund të blihen me Dogecoin.

“Këto deklarata janë aspiruese dhe të fryra, jo faktike dhe të prirura për t’u falsifikuar”, shkroi në vendimin e tij gjyqtari amerikan i Qarkut Jugor të New York-ut, Alvin K. Hellerstein.

“Sa i përket skemës së supozuar ‘mbush dhe zbraz’ nga Musk dhe Tesla, nuk është e mundur të kuptohen pretendimet që përbëjnë bazën e përfundimit të paditësit për manipulimin e tregut”, shtoi ai.

Një numër i paditësve që iu bashkuan padisë në grup kërkuan 86 miliardë dollarë dëmshpërblim, përveç dëmeve të trefishta prej 172 miliardë dollarësh.

Dikur një kriptomonedhë e panjohur e krijuar si shaka, në fillim të vitit 2021 Dogecoin u rendit shpejt në top dhjetëshen e kriptomonedhave pasi Musk vazhdimisht postonte në Twitter në favor të saj.

Dje, Dogecoin u rendit e 8-ta në mesin e aseteve të kriptove me një kapital tregu prej 14.7 miliardë dollarësh.

Ndryshe nga kriptomendha më e madhe në botë Bitcoin, Dogecoin nuk ka ndonjë kufi në minimin e tij ose në sasinë që krijohet./ KultPlus.com