Dita e Veteranit në Kosovë shënohet më 30 dhjetor për të përkujtuar dëshmorët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Sipas ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor.
Pikërisht në këtë datë, më 1991 filloi edhe përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, e më 5 mars të vitit 1998 forcat serbe u rikthyen sërish për të luftuar me ç ‘rast masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.
Shtëpia në Prekaz u shndrrua në një Memorial pas luftës dhe së shpejti pritet që të fillojnë punimet për rinovimin e asaj qendre. /KultPlus.com
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka falënderuar shtetin e Shqipërisë për ndihmën që do ta ofrojë në fundvit rreth furnizimit me energji elektrike, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Rizvanolli ka thënë se dy ditët e ndërrimit të viteve kanë simbolikë të veçantë, se përfaqësojnë fillim të ri e është koha që ndajmë me më të afërmit.
“Shqipëria është afër nesh për t’i zbukuruar edhe më shumë këto ditë festive, jo për të filluar por për të vazhduar të qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit”, shkroi ajo.
Tutje, Ministrja e Ekonomisë pati një falënderim të veçantë për Ministren Belinda Balluku, e cila bashkëpunoi vazhdimisht me Kosovën.
“Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë në të dy anët e kufirit”, tha në fund Rizvanolli.
Kosova është duke kaluar nëpër një krizë energjetike, ku edhe janë rikthyer reduktimet e rrymës. /KultPlus.com
Vullneti dhe dëshira për të mos u dorëzuar asnjëherë kanë ndikuar që puna e jashtëzakonshme e pianistes shqiptare, Adea Badivuku, të vlerësohet maksimalisht dhe pjesëmarrja e saj të jetë në nivel global e mbarëkombëtar, shkruan KultPlus.
Së fundmi, pianistja nga Kosova pati një performancë të veçantë në njërën ndër skenat më prestigjioze në botë “Carnegie Hall”.
Rreth këtij suksesi, Badivuku ka thënë për KultPlus se ky vit ka qenë i mbushur me plotë angazhime sikurse në aspektin profesional po edhe atë performoues.
“Tani jam angazhuar edhe në anën hulumtuese në fushën e pianos, meqenëse tashmë jam duke punuar si asistent-profesor në Universitet të Nevadas, e në të njëjtën kohë edhe duke doktoruar”, ka thënë ajo.
Pianistja shqiptare është shprehur tutje se ka pasur rastin të paraqitet në koncerte e salla madhështore në shtetet më të mëdha në Amerikë.
“Si pjesëmarrëse e vazhdueshme e garave dhe fituese e çmimeve të shumta, mund të them se çmimi i parë këtë herë në New York dhe performimi në sallën prestigjioze në Carnegie Hall ishte një përjetim përrallor. Një ëndërr e bërë realitet dhe përmbyllje fantastike e arritjeve të mia në vitin 2021”, u shpreh ajo mes tjerash, duke treguar me emocione të arriturat e saj të jashtëzakonshme.
Artistët dhe sidomos pianistet nuk marrin vlerësimin e duhur nëpër botë dhe vështirësitë e tilla i tregon edhe Badivuku për KultPlus.
“Të jesh pianiste dhe artiste nuk është aspak e lehtë, pasi kërkon punë të vazhdueshme, sakrificë dhe përkushtim të madh ndaj instrumentit”, pohoi Badivuku.
Edhe pse arritja deri te majat e suksesit është rrugë e gjatë dhe sfiduese, ajo tregon se vullneti dhe dëshira për të vazhduar edukimin e sidomos dashuria ndaj profesionit ishin shtytjet më të mëdha që ajo të arrij ku është tani.
“Unë ndihem e privilegjuar dhe shumë krenare të jem pianistja e parë nga Kosova në nivel të lartë akademik “PhD” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ajo.
Sa i përket ëndrrave të rë rinjve, 26 vjeçare thotë se nuk duhet të dorëzoheni asnjëherë në gjetjen e rrugëve të ndritshme, sepse suksesi është rezultat i punës së fortë dhe nxënies nga dështimet. /KultPlus.com
Më 26 dhjetor 1968 në kuvendin federativ të RSFJ u aprovuan amendamentet në kushtetutë, me të cilat u zgjerua autonomia e krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës duke u dhënë statusin e ngjajshëm me atë të republikave. Krahinat fituan kushtetutën krahinore. Krahina e Kosovës dhe Metohisë e mori emrin Kosovë.
Përkundër kontributit në luftën kundër fashizmit, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli për shqiptarët rezultatet e pritura dhe realizim të vullnetit të njohur për vetëvendosje dhe për një shtet të përbashkët. Përkundrazi, tokat shqiptare u copëtuan, synimet kolonialiste të Serbisë nuk u ndërprenë, ndërsa dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi.
Padrejtësitë ndaj shqiptarëve bënë që një pjesë e madhe e tokave të tyre të mbeten të aneksuara nga shteti jugosllav, si vazhdimësi e aneksimit të Serbisë hegjemoniste e kolonialiste. Të gjetur në një situatë të tillë dhe përballë masave shtypëse ushtarako – policore të regjimit jugosllav, të cilat vazhdonin të rëndoheshin, populli shqiptar detyrohej të rezistonte në mbrojtje të ekzistencës e të identitetit të tij, por edhe për të përmbushur vullnetin legjitim të tij politik e kombëtar.
Të privuar nga çfarëdo e drejte kombëtare nga politikat shtypëse e kolonizuese të Serbisë në kuadër të Jugosllavisë, pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 1968 shqiptarët nisën demonstratat për të drejtat e tyre politike e kombëtare, ku për herë të parë u kërkua publikisht që Kosova të bëhet Republikë, që popullit shqiptar t’i njihet e drejta për vetëvendosje, përdorim të lirë të flamurit kombëtar, universitet shqip, ndalje të kolonializmit serbë dhe të drejta të barabarta me kombet tjera.
Demonstratat e vitit 1968 bënë një kthesë të madhe të gjendjes së shqiptarëve dhe afirmuan çështjen e Kosovës si çështje të pazgjidhur, shpërfaqen dhunën dhe politiken shtypëse serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve, por edhe afirmuan vendosmërinë e popullit shqiptar në rrugën e pandalshme të avancimit të të drejtave të tyre për Republikë e bashkim kombëtar.
Për rrjedhojë, demonstratat nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, të rinisë, studentëve, punëtorëve e gjithë popullit pa dallim, vulosën të drejtën dhe vullnetin e shqiptarëve për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje. Viti 1968, ishte vit i protestave e demonstratave kudo në Evropë e botë, por për shqiptarët ngërthen një ngjarje të patejkalueshme, themeltare për përpjekjet e rezistencën që do të vinte më pas, luftën çlirimtare e shpalljen e pavarësisë.
Pesëdhjetë vjet nga atëherë, si një ngjaje tanimë monumentale, na kujton se ecja drejt lirisë e pavarësisë ishte ecje nga ngjarja në ngjarje, secila e frymëzuar nga pararendësja e që frymëzonte e mundësonte pasueset. Përpjekjet për ta ndërprerë dialektiken e prosperitetit të shqiptarëve janë tentim për zvetënim. Tabani i rezistencës me demonstratat e 68-së, 81-së, 90-së e 97-së për të kulmuar me luftën çlirimtare ka përcaktuar jo vetëm të tashmen tonë por do të përcaktojë edhe të ardhmen e shqiptarëve. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, ashtu si edhe demonstratat pasuese e lufta e UÇK-së shënojnë hallkat e vazhdimësisë së lëvizjeve për çlirim kombëtar, të filluara që me Lidhjen e Prizrenit.
Në demonstratat e vitit 1968, u manifestua vetëdije e lartë kombëtare e politike dhe u dërgua mesazh i qartë, që shërbeu si frymëzim për shqiptarët edhe më pas, sikurse do të vazhdojë të na orientojë edhe në të ardhmen. Jehona e brohoritjeve të atëhershme “Vetëvendosje”, “Kosova Republikë” etj, kumbon edhe sot, kur pretendimet e Serbisë për Kosovën mbesin po ato. Politikat hegjemoniste të Serbisë, përkundër krimeve e gjenocidit, nuk kanë ndryshuar në raport me trajtimin e shqiptarëve dhe aspiratat për tokat tona as pesëdhjetë vite më pas. Me kanosjen e vazhdueshme nga këto politika, mobilizimi gjithpopullor në mbrojtje të Republikës dhe tokave tona mbetet angazhimi më sublim të cilën brezat e demonstratave të 68-s na e lanë si shëmbëlltyrë dhe rrugë, për ta përdorur atëherë kur politikat udhëheqëse të konjunkturës bëhen hisedarë a symbyllur në një rrezik të tillë. /KultPlus.com
Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit “Vera Andrron Detin” ka bërë një postim falënderues në rrjetin social “Facebook”, duke treguar se tre muaj pas premierës kanë fituar një sërë çmimesh, shkruan KultPlus.
“Kanë kaluar vetëm tre muaj nga premiera jonë në La Biennale di Venezia . Që atëherë, ne kemi pasur premierë në shumë vende në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore dhe Azi, duke fituar katër çmime”, shkruhet në postim.
Ata gjithashtu kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen e jashtëzakonshme që e kanë ofruar për filmin e tyre, gjë e cila do të thotë shumë për ekipin.
“Gëzuar festat dhe shihemi vitin tjetër! 2022 jemi gati!”, thuhet në fund.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com
Organizata Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children në Kosovë dhe në bashkëpunim me Zyren për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeminitrit në kuadër të fushatës “RriteMeDashni” dhe “Programin për Vetëdijesimin e Publikut për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës” do të realizojmë aktivitetin “Një Hap me i Sigurt për Fëmijët”.
Kjo fushatë do të fillojë në ora 11:00 te NewBorn dhe për të vazhduar më pas në disa lokacione të tjera.
Lokacioni 1 – Zebrat te Newbroni (Rr.Luan Haradinaj) Lokacioni 2 – Zebrat te Hotel Grand (Rr.Garibaldi) Lokacioni 3 – Zebrat te Shkolla Faik Konica (Rr.Xhorxh Bush) Lokacioni 4 – Zebrat te Katedralja (Rr.Eqrem Qabej).
Qëllimi parësorë i kësaj iniciative është rritja e vetëdijes në shoqëri dhe ndryshimi i sjelljes karshi të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjes së tyre siç parashihet me kornizën ligjore. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kënaqësi ta mirëpres presidentin e Republikës së Kroacisë Zoran Milanovic, shkruan KultPlus.
Osmani u shpreh shumë e lumtur për miqësinë e krijuar me popullin kroatë dhe shpreson që mbështetja e Kroacisë për Kosovën të vazhdojë vazhdimisht.
“Dy popujt tanë ishin aty për njëri-tjetrin në ditë të vështira dhe kjo traditë e bashkëpunimit dhe e komunikimit të sinqertë kultivohet sot e kësaj dite ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në të dy shtetet. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në përpjekjet tona për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar. Sot u konfirmua se bashkëpunimi në këtë drejtim si dhe përkrahja për rrugën euro-atlantike të Kosovës do të vazhdojë edhe mëtutje”, shkroi ajo në “Facebook”. /KultPlus.com
Ministret Nagavci dhe Kushi nënshkruan Marrëveshjen për Abetaren e re të përbashkët Kosovë-Shqipëri
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, priti në takim ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi me bashkëpunëtorë, me ç’rast nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për Abetaren e re të përbashkët unike Kosovë-Shqipëri.
Të dy ministret e Arsimit theksuan përkushtimin për të mundësuar që Abetarja e re të jetë në përdorim për nxënësit e të dy vendeve nga viti shkollor 2022/23 për nderë të 110 vjetorit të Pavarësisë.
Ministret Nagavci dhe Kushi falenderuan grupin punues të të dy ministrive për punën që kanë bërë për të finalizuar Marrëveshjen e nënshkruar, ndërsa u zotuan se i tërë procesi për Abetaren e re do të jetë transparent dhe i barabartë.
Ministrja Nagavci shprehu kënaqësinë e saj të veçantë për zyrtarizimin e Marrëveshjes për përdorimin e një Abetare të përbashkët për të gjithë voglushët shqiptarë, e cila do të jetë cilësore.
Nagavci po ashtu theksoi se, gjatë vizitës që kishte në mujin qershor në Shqipëri, diskutuan për obligimet që kanë si instutucione të arsimit në mënyrë që të jenë në hap me kërkesat e qyterarëve të të dy vendeve.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se si ministre të Arsimit, janë të përkushtuara që të ketë bashkëpunim të shtuar edhe në aktivitete të tjera të përbashkëta kulturore e sportive.
Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi tha se, nuk e kishte menduar që vizita e saj zyrtare në Prishtinë do të përkonte me një moment kaq emocionues dhe kaq krenar, siç është nënshkrimi i Marrëveshjes për Abetaren e përbashkët unike për të dyja vendet tona.
Kushi me këtë rast tha se, jemi në një kontekst të ri social, kulturor, kemi një Kurrikulë të re të bazuar në kompetenca, zhvllim të metodave të mësimdhënies dhe zhvillim të teknologjisë dhe revolucionit digjital, të cilat janë argumente që na qojnë drejt hartimit të një Abetare të re të përbashkët unike, më të mirë se abetaret e deritanishme ekzistuese.
Ministrja Kushi foli edhe për Marrëveshjen e përbashkët të nënshkruar në Elbasan për lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve për njohjen e diplomave, kualifikimeve dhe gradave shkencore të studiuesve nga të dyja vendet, si dhe për promovimin e librit për gjuhën dhe kulturën shqiptare për diasporën.
Kosova dhe Shqipëria që nga viti 2012 kanë pasur Abetaren e përbashkët, e cila është ende në përdorim në sistemin arsimor të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, ministret Nagavci dhe Kushi do të marrin pjesë edhe në koncertin e shkollave të muzikës nga Kosova dhe Shqipëria, i cili mbahet në Sallën e koncerteve të shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë./ KultPlus.com
Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”
Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!
Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,
Mbas vuajtjeve dëshmove gjatas që dhe provë
Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.
Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë
Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,
Me flijime pa numër dhënë ditë për ditë,
Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…
Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës
Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,
Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,
Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.
Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë
Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,
Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:
E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!
Një copë truall nuk të linte për jetesë
As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,
Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:
Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!
Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë
Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,
Në trollin tënd ai të kishte si një halë,
Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!
Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,
Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,
Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,
Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!
Në një konferencë për media të organizuar në Prishtinë, u dha lajmi se Kosova tashmë po bëhet me edicionin zyrtar shtetëror të lojës së famshme të Monopolit.
Monopoly është njëra ndër lojërat më të shitura në botë ku deri tani janë shitur mbi 290 milionë kopje në mbarë botën, dhe është e dizajnuar në 44 gjuhë, dhe e shitur në më shumë se 113 shtete.
Deri tani, Monopoly ka krijuar edicione të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë edhe shumë vende të rajonit si Kroaci, Serbi, Slloveni, Mal të Zi etj.
Tashmë, kompania angleze që e ka licensën e kësaj loje ka vendosur që të eksplorojë edhe vendin e të rinjve, Kosovën. /KultPlus.com
Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!
“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.
Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com
Këto ditë doli nga shtypi numri 3 i revistës PEN Kosova, organ letrar i PEN Qendërs së Kosovës.
Revista është 220 faqeshe dhe ka punime nga gjini të ndryshme letrare.
Në numrin e fundit të revistës. PEN Kosova 3, janë përfshirë punime të autorëve nga Kosova, Shqipëria e bota me poezi, prozë, kritikë dhe eseistikë, etj.
Revista ka botuar një numër poezish të autorëve polakë të cilat në shqip nga polonishtja i ka sjellë poeti dhe përkthyesi, tash i ndjerë, Mazllum Saneja.
Kështu lexuesi i PEN Kosova ka rastin ta rinjihet me poetët Ceslaw Milosz, Tadeus Rosewicz,Wislawa Symborska, Zbigniew Herbert, Ewa Lipska, Adam Zagajewsky.
Janë botuar edhe një cikël poezish nga Sadik Bejko, Milazim Krasniqi, Demë Topalli dhe José Angel Buesa.
Në prozë janë prezentuar shkrimtarët Gotfried Keler (përkthyer nga gjermanishtja nga Naim Kryeziu), Besnik Mustafaj, Binak Kelmendi dhe Tom Kuka.
Revista sjell një sërë punimesh edhe nga eseistika e kritika letrare.
Në këtë fushë është me interes punimi i Ibrahim Berishës me titull “Autori, autoriteti dhe arti” si dhe shkrimi Kriza e letërsisë komparative e Rene Wellek përkthyer nga Osman Gashi.
Nga studiuesja dhe përkthyesja e ndjerë Sazana Çapriqi është botua studimi i saj me tiullin “Gjuha si mjet komunikimi”.
Pasojnë shkrimet nga kjo fushë nga autorët Artan Kransiqi (Artet zejtare që s’janë më në Prishtinë) dhe ai i Dardan Lajçit (Natyra dhe trashëgimia socio-kulturore në Bjeshkët e Nemuna) ndërsa Morelle Smith vjen me një vështrim mbi poezinë e Sali Bashotës.
Revista sjell edhe studimin e Avni Spahiut për shkrimin e Obri Hepbertit kushtuar shqiptarëve në Jemen në fillimin e shekullit XX.
Ky numër sjell edhe intervistën e kryetares së PEN Qendrës së Shqipërisë Entela Kasi me nënkryetarin e PEN International Eugene Schoulgin
Disa nga punime të kësaj reviste janë botuar në gjuhën angleze. /KultPlus.com
Së fundmi është publikuar një hartë e re që përfshin shtetet me shkallë të lartë të rrezikut për vitin e ardhshëm, transmeton KultPlus.
Në këtë hartë të publikuar nga “International SOS”, konkludohet se Libia, Siria dhe Afganistani janë në mesin e vendeve më të rrezikshme në botë.
Kjo listë është hartuar në bazë të rrezikut të paraqitur nga dhuna politike, përfshirë terrorizmin, kryengritjet, trazirat e motivuara politikisht dhe luftën e dhunën sociale.
(Harta: International SOS)
Evropa vazhdon të mbetet si njëri ndër vendet më të qeta dhe rrjedhimisht më të sigurta në botë, shtatë shtete duke përfshirë Islandën, Danimarkën, Norvegjinë, Finlandën, Zvicrën, Slloveninë dhe Luksemburgu u vlerësuan si shtete me nivel të ulët rreziku.
Gjithashtu, edhe Britania e Madhe është vlerësuar me rrezik të ulët, njësoj si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e Lituanisë, Jurate Raguckiene me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, të cilën e uroi për detyrën, duke i dëshiruar sukses në angazhim.
Në këtë takim, Presidentja Osmani, siç bën të ditur presidenca, theksoi se Kosova pret mbështetjen e shtetit të Lituanisë në përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq në kontekst të situatës politike në rajon, Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentëve të tyre në Serbi. Sipas saj, nevojitet unitet dhe reagim kundrejt tendencave destabilizuese në rajon.
Të dy palët ranë dakord ta rrisin nivelin e angazhimit, me fokus të veçantë në sferën e mbrojtjes, arsimit, shkëmbimit ekonomik dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Ambasadorja Raguckiene ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj ta mbështesë Kosovën edhe më tej dhe në të njëjtën kohë i ka bërë ftesë zyrtare Presidentes Osmani që në një kohë të përshtatshme për të dy palët, ta vizitojë Lituaninë. /KultPlus.com
Fund nëntori i vitit 2021 në prag të festës se madhe të 28 nëntorit të ditës se Pavarsisë së Shqipërisë u hap lajmi e mori dhenë se në moshën 87 vjeçare vdiq një trim i urtë e atdhetar i mirëfilltë Zef Prekë Kaqinari.Si në legjendat e lashta kur mbrohet diniteti i shqiptarit dhe nuk lejohet që të shahet nëna shqiptare që u sakrifikua me shekuj për lindjen dhe rritjen e familjes e as Zoti që na ka krijuar, Zef Kaqinari nuk lejoi që të poshtërohet në atë mënyrë por e mbrojti dinitetin e shqiptarit.Ishte një rrugë jo e lehtë mbrojtja e këtij diniteti ku dy shqiptar nga Mirdita, Zef Prekë Kaqinari e Mark Allaku u deshtë që të përballen me qindra përsona të tjerë në tramvajën numër 11 në 21 qershorin e vitit 1965.
Zefi sipas traditës kishte ruajtur revolën që e mbante me vete kurse Mark Allaku në këtë ditë kishte pas me vete vetëm një qadër të re, që sillte me ta si me qenë shpatë duke u pre,sepse kishte ardhur mysafir nga Kosova në Zagreb.Dy mirditor të edukuar më traditat shqiptare njëri nga Velezha e Prizrenit e tjetri nga Moglica e Gjakovës u përballën me një furi përsonash por nuk u dorëzuan.Më në fund revolja belgiane i ndau punët ku mbeti i vrarë shoferi i tramvajit,por edhe Zefi e Marku u lënduan.Si në legjenda të lashta kur dy të rinj të dalë jashtë trojeve të tyre për një jetë më të mirë u përballën për një moment me vdekjën vetëm e vetëm se ishin edukuar në frymën kombëtare për mbrojtjen e dinitetit kombëtar.Familja e Zef Kaqinarit është me prejardhje nga Kaqinari i Mirditës e cila para disa kohesh ishte shpërngulur në Velezhë të Prizrenit ku në vitin 1934 kishte lindur Zef Kaqinari.Veshtirësitë jetësore dhe presioni i aksionit të armëve qe ishte shumë i vrazhdë në famullinë e Velezhës bëri që familja Kaqinari të kërkoj një jetë të re dhe u vendos në Zagreb.Zefi ishte një burrë i urtë dhe puntor.
Ai asnjëherë nuk e deshi që të lavdërohej me veprën e kryer por e konsideronte vetëm si një rastësi ku nuk ka mundur ta duron shamjen e nënës shqiptare por ka vepruar në vetmbrojtje.Zef Kaqinari asnjëherë gjatë tërë jetës se ti nuk e vrau këngën e ti siç po ndodh sot me disa luftëtar që po i vrasin këngët e tyre me vepra jo të mira.Familja Kaqinari në Zagreb dhe rrethinë kishte ndihmuar shumë shqiptar në hall dhe shumë student që studionin në Kroaci dhe që kishin kushte të rënda në familje.
Ata student kanë gjetur strehim dhe ushqim pa pagesë shumëherë tek familja e Zef Kaqinarit.Vlenë ta theksoj një fakt të një atdhetari të Shqipërisë Etnike bacës Emin Fazlia alias Emil Kastrioti që ma ka rrëfyer sa ishte gjallë.Pas lirimit nga burgu dhe mosmundësisë se gjetjes se një pune në Kosovë baca Emin kishte shkuar të jetonte në Kroaci.Meqenëse edhe atje bënte një aktivitet kombëtar ishte rrezikuar që të burgosej ose të vritej.Falë humanizmit të Zef Kaqinarit i cili i jep hua një sasi të mjeteve dhe i siguron një dokument udhëtimi.Ai arratiset nga Kroacia dhe vendosët në Gjermani.Gjatë bisedës me Emin Fazliun shpeshherë më ka folur për këtë rast dhe ju ishte mirënjohës për jetë të jetëve Zef Kaqinarit për faktin se i ka shpëtuar jetën dhe ka ruajtur një miqësi me të.Kur filloj lufta në mes të Kroacisë dhe Serbisë familja Kaqinari ishin rreshtuar në ushtrinë kroate.
Një luftëtar i shquar kundër serbëve ishte edhe djali i Zefit, Tomë Kaqinari që e udhëheq shoqatën e veteranve të luftës në Kroaci dhe është mjaft aktiv në komunitetin shqiptar në Kroaci.Për herë të fundit me bacën Zef kemi biseduar në festën e Pavarsisë së Kosovës më, 17 janar 2019, se bashku me Tunë Noc Topallin kemi biseduar disa orë duke evokuar kujtimet në Kosovë e sidomos bisedat gërshetoheshin rreth bisedave të hershme që kishin me babain tim Markun.
Kur vransirat e kohës dhe të ftoftit e dhjetorit më sjellin kujtimet si në balada të lashta më mbesin në mendje trimëria dhe gjeturia e këtyre dy të rinjëve te rrethuar në një vend të huaj nga dhjetra udhtëar që sillnin panderprerë.Duke e kujtuar po ashtu edhe këngën e Zagrebit të këngëtarit legjendar Augustin Ukajt: “moj allti moj belgiane-nam të madh në Zagreb na bane” dhe pastaj duke e përfunduar me fjalët:”Nuk luftuam për mendje t´madhe-as s´luftum se spatëm pare-na nxu puna e spatëm qare-se shqiptart kurr s´kan vdekë me marre”. /KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme, Shqipëria është përfshirë nga disa përmbysje në zonë e Fierit dhe në disa zona të tjera, shkruan KultPlus.
Ministri i Mbrojtës në Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se janë në gatishmëri të plotë për t’iu ofruar ndihmë.
Postimi i tij i plotë:
“Në ditë të mira e ditë të vështira jemi bashkë me vëllezërit tanë në Shqipëri. Pas përmbytjeve në zonën e Fierit dhe zona të tjera të Shqipërisë, i kam telefonuar Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, të cilit i kam shprehur gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje me aftësitë dhe kapacitetet tona të kërkim-shpëtimit për reagim, menaxhim dhe sanim të pasojave. Së bashku jemi më të fortë në secilën sfidë!”
Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) gjatë orëve të pasdites sonte i është drejtuar me një letër Presidencës së Kosovës, Qeverisë dhe Ministrisë së Sporti, KOK ka kërkuar nga këto institucione që të deklarohen nëse do të marrin pjesë apo jo në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.
Kosova do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Australisë duke mos marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore që sivjet pritet të mbahen në Pekin në Kinë.
ShBA ka thënë se nuk do të merre pjesë në këtë lojëra për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në shtetin e Azisë Qendrore,
Kërkesa e KOK është bërë një ditë pasi që nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte mbështetur publikisht vendimin e SHBA-së për bojkotimin e këtyre lojërave,
Presidenca po ashtu ka njoftuar se bojkot diplomatik nënkupton që ekipet garuese mund të marrin pjesë në Lojëra, por Presidentja e Kosovë do t’i bojkotojë shumicën e ceremonive dhe aktiviteve zyrtare që krerët e delegacioneve i bëjnë gjatë Lojërave Olimpike,
Kështu, KOK ka kërkuar gjatë orëve të pasdites me një letër që të këtë sqarime shtesë dhe atyre i është konfirmuar se Kosova do të solidarizohet me diplomacinë amerikane që ta bojkotojë Kinën.
Megjithatë, derisa presidenca ka kthyer përgjigje në KOK, Qeveria ende nuk u ja kthyer përgjigje institucionit më të lartë sportiv në vend,
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi.
“Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, u ka dërguar sot letër Presidencës, Kryeministrisë dhe MKRS-së, për t’u deklaruar nëse do të marrin pjesë ose do ta bojkotojnë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022. Nga Presidenca kemi marrë një përgjigje sonte, të cilët janë deklaruar edhe zyrtarisht se do t’iu bashkohen shteteve aleate për bojkotim. Nga Kryeministria dhe MKRS nuk kemi marrë ende përgjigje. Deri më tani, KOK ka pasur të konfirmuar vetëm pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MKRS”, tha ai për Express.
“Pavarësisht qëndrimit të institucioneve tona, Komiteti Olimpik i Kosovës, qëndron në linjë me vendimet që dalin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, dhe ne vazhdojmë të përgatitemi për të përfaqësuar vendin tonë me sportistë dhe delegacionin tjetër sportiv” .
Kosovën pritet ta përfaqësojë në Pekini 2022 skitari Albin Tahiri, që ka përmbushur kriteret për normë olimpike në katër disiplina të skijimit alpin, dhe po e kërkon normën edhe në disiplinën e pestë.
Normën po e kërkojnë edhe Arbi Pupovci dhe Kiana Kryeziu, por të cilët kanë më pak gjasa.
15 janari i vitit të ardhshëm do të jetë data përfundimtare se sa sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e dimrit. /GazetaExpress/ /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin për Demokraci, i cili do t`i zhvillojë punimet virtuelisht më 9-10 nëntor dhe në të cilin do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga mbarë bota.
Hapja e Samitit do të bëhet nga presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ndërkaq Presidentja Osmani në fjalën e saj në këtë Samit do t’i paraqes pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.
“Në këtë Samit do të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat, ndërkaq është paraparë të diskutohet për: forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen kundër autoritarizmit, mbrojtjen e institucioneve demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit digjital dhe afirmimin e vlerave demokratike”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.
Ftesa për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci i është dërguar Presidentes Osmani nga presidenti Biden më 9 nëntor. Presidentja ka përshirë në delegacionin e saj që do të marrin pjesë virtuelisht në samit edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. /KultPlus.com
Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së Bob Role, i cili vdiq këtë javë për shkak të një sëmundje, shkruan KultPlus.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
KultPlus iu sjellë letrën e plotë të ngushëllimit nga Lidhja Qyetetare Shqiptaro-Amerikane
“Të dashur miq dhe mbështetës,
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i shpreh ngushëllimet e saj të përzemërta Elizabeth Dole dhe anëtarëve të tjerë të familjes së senatorit Bob Dole.
Senatori Dole u bë shumë i rëndësishëm për lirinë e popullit shqiptar, kur kongresmeni Joe DioGuardi bëri me sukses rastin në qershor 1986 për të prezantuar me të Rezolutën e parë për të drejtat e njeriut dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar në Jugosllavi.
DioGuardi dhe Dole punuan në mënyrë aktive së bashku nga viti 1986 deri në vitin 1991 për t’i dhënë fund okupimit brutal ushtarak serb të Kosovës.
Më poshtë janë disa foto të paharrueshme të Bob Dole dhe Joe DioGuardi duke punuar së bashku në Uashington, DC
Gjithe te mirat,”
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës. /KultPlus.com
Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.
Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.
Kjo ceremoni po mbahet në institutin “Ali Hadri” në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se Majlinda dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund te kenë sukses
“Ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit te saj, flamuri i Republikës së Kosovës valoi në Rio. Pa Majlinden dhe perkushtimin e saj, sot nuk do ta kishim as Distrian e Noran. Ajo dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses”, tha presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani.
Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.
Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.
Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.
Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.
Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.
Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka. / KultPlus.com
Në shumë vende të botës po luftohet çdo ditë e më shumë që përmes kauzave dhe thirrjeve të vazhdueshme të mos bëhet ndotja e ujit, shkruan KultPlus.
Aktivitetet njerëzore janë përgjegjëse kryesore për ndotjen e ujit, e ndotja e ujit prek rëndë peshqit dhe rezulton vdekjeprurëse për ta.
Si rezultat i ngordhjes së peshqve në ujë, një liqen ose përrua mund të marrë vite për t’u rikuperuar.
Fotografisti Arian Mavriqi ka ndarë një fotografi të ngjashme me këtë rast, ku ka zënë një peshk i cili ka futë kokën në një qesë të hedhur nga ndokush, me ç ‘rast ka ngordhë nga pamundësia për ta nxerrë kokën jashtë qesës. /KultPlus.com
Këngëtarja Vjollca Robelli-Mripa, e njohur me emrin artistik si ‘AJO’, ka performuar më 3 dhjetor në njërën ndër skenat më të njohura në të gjithë botën “Royal Albert Hall” në Londër, shkruan KultPlus.
“Një ëndërr që u realizua” ishin fjalët e para të këngëtares në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ku ka thënë se ky event ishte një kënaqësi e papërshkrueshme.
“Kënaqësi e papërshkrueshme me qenë ndër artistet e para shqiptare të prezantoj punën time 5 vjeçare me këngët të cilat i kam shkruar dhe komponuar, në një nga venuet më prestigjioze në botë “Royal Albert Mall”, shkroi ajo në Facebook.
Tutje, Mripa falënderojë të gjithë njerëzit që e bënë të mundur performimin e saj në këtë skenë.
“Ndjenja më e fuqishme ishte aty kush pashë fotografinë time në dy ekrane të mëdha nga hyrja kryesore në ndërtesë”, përfundoi ajo duke thënë se ka krijuar histori për vendin e saj.
Vjollca Robelli-Mripa për më shumë se një dekadë është larguar nga Kosova për në Londër, por zëri i saj është mishëruar me gjithë publikun këtu përmes këngës “Ajo”, me të cilën vazhdon të identifikohet personaliteti i saj artistik. / KultPlus.com
Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij, përcjellë KultPlus.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë gjatë ditës së sotme.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës.
Kosova kishte përuruar një pllakë përkujtimore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për nderë të senatorit. /KultPlus.com
Në Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti në letrën e tij ka kujtuar dhe nderuar sakrificën, qëndresën, forcën dhe përkushtimin ndaj atdheut të brezave të ushtarëve e patriotëve.
Ai ka theksuar rolin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që përveçse në mbrojtje dhe siguri të Shqipërisë, shtrihet edhe përtej kufijve dhe i kontribuon edhe paqes në rajon dhe botë.
“Në këto 109 vite, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, na falën nder e krenari të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Kryeministri Kurti në letrën e urimit.
“U gëzohemi sukseseve tuaja, sikurse edhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të dy vendeve tona, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve ushtarake, në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë në vendet tona dhe në rajon”, ka shkruar ai.
Kurti dhe Rama u takuan për herë të fundit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. /KultPlus.com