Rama: Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me Greqinë fqinje

Me moton “Shqipëria mikpret botën”, Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin me aktivitetet kulturore të Greqisë.

Kryeministri Edi Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se është kënaqësi nisja e Javëve Kulturore Ndërkombëtare me Javën e Greqisë fqinje, e cila është përkundur në djepin e një tradite të madhe.

Ndryshe nga viti i kaluar, në të cilin ishin pjesëmarrës 18 shtete, këtë vit do të jenë prezente 20 vende të ndryshme. Holanda, Mali i Zi dhe Azerbajxhani vijnë për herë të parë në edicionin e dytë të këtij eventi të madh kulturor.

E konceptuar si një mozaik aktivitetesh kulturore, çdo javë do t’i dedikohet një shteti, ku në fokus do të jenë promovimi i vlerave dhe shkëmbimi i eksperiencave.

Nëpërmjet këtij organizimi synohet njohja dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Mbi 700 artistë do të bëhen pjesë e programit, ku ndër ta do të jenë dhe emrat të njohur të arenës ndërkombëtare.

Edicioni i dytë i këtij viti përfundon më 30 nëntor 2023./ atsh / KultPlus.com

Javët kulturore ndërkombëtare, Shqipëria mikpret Kombet e Bashkuara

Në kuadër të javëve kulturore ndërkombëtare, në datat 24-30 tetor do të jenë ditët e Javës së Kombeve të Bashkuara.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ndau edhe një video nga temat që do të trajtohen këtë javë.

“Shqipëria mikpret Kombet e Bashkuara 24-30 tetor” theksoi Margariti.

Ndër temat që do të trajtohen këtë javë janë; paqja dhe siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Javët Kulturore Ndërkombëtare 2022, është një nismë e Ministrisë së Kulturës që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës.

E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, kushtuar bashkëpunimit kulturor, ky program dinamik e gjithëpërfshirës, krijon një atmosferë të jashtëzakonshme e shpërndan mesazhe paqeje dhe pranimi./ atsh/ KultPlus.com