Datëlindja e Dritëro Agollit do të shënohet me publikimin e një libri të ri

Dritëro Agolli sërish do të jetë pranë lexuesve, pikërisht nëpërmjet një botimi që është në përfundim e sipër, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për një libër me aforizma nga Dritëro Agolli,dhe për këtë publikim ka njoftuar vetë vajza e tij Elona Agolli.

Ajo ka njoftuar se libri është drejt përfundimit të përgatitjes për botim, sipas saj, të një vepre të rrallë, tepër të veçantë e shumë të pelqyer si zhaner nga lexuesit besnikë të librit dhe shkrimtarit të zemres : Aforizma nga Dritero Agolli . “Tetori i datëlindjes së Dritëroit vjen i begatë …”,ka njoftuar Elona Agolli./KultPlus.com

Ekspozita “Korzo” sjellë posterat e filmave erotik të viteve 80-të e 90-të në Kosovë

Një ekspozitë e veçantë vjen me 8 shtator.

E premtja në mbrëmje në Soma Book Station vjen me ekspozitën “Korzo”.

Nëpër qytetet e Kosovës kinematë ishin plot filma erotik dhe pornografik, gjatë regjimit jugosllav. Ishin aty për gjithë popullatën pa marrë parasysh moshën. Gjithkush mund të vizitonte kinemanë të solidarizuar pranë ekranit të madh duke i ngulë sytë organeve gjenitale në përmasa të tmerrshme. Për çudi askush nuk vërehej duke e vizitu kinemanë por salla e errët ishte plot burra e fëmijë.

Sidoqoftë, programi i kinemasë prezantohej në qytet nëpërmjet të pllakateve ku lajmëronin filmin e radhës, shpesh në postera ishin disa vajza me gjoks të hapur…, dhe shpesh shpesh meshkuj nudo apo në ndonjë akt seksual në pozita të çuditshme.

Këto pllakate ishin të vendosura në shëtitore “Korzo” ku kalonin gjithë popullata. Aty pranë caktonin takim të gjithë…, të dashuruarit, familjet që shëtisnin korzon, aktivistët politik dhe fëmijët që takoheshin për t’shkue në shkollë fillore…, dhe për çudi gjithçka ishte e natyrshme.
Për fëmijët e asaj kohe ky funksion padyshim se ka arritur ta çoroditë raportin femër dhe djalë sepse të dy gjinitë janë zhvillu me ide se janë të ndryshëm biologjikisht vetëm për të arritur performancë seksuale dhe pritjet ishin se akti seksual duhet të ndodhë menjëherë me të takuar sikur se ndodhë në filma të kësaj natyre.

Kjo ndodhë se të gjithë fëmijët që kalonin aty pari ishin me sy në ato pllakate dhe mund ti vizitonin kinematë…, dhe gjithë kjo skuqje ndodhi para se të pranonin edukim seksual nëpër shkolla…, në fakt edukimi seksual nuk ndodhë nëpër shkolla shkaku se si temë ende mbetet e turpshme të trajtohet.

Ekspozita në fjalë hapet në ora 19:00, të premten me 8 shtator, shkruan KultPlus.

Posterat që shihen këtu janë pjesë e arkivit të Kino Lumbardhit dhe janë printime origjinale të viteve 1980 – 1990. Këta postera kanë qenë të vendosur nëpër pllakate të qyteteve në Kosovë ku janë prezantuar filmat në kinema. / KultPlus.com

Bebe Rexha në ushtrime me Sylvester Stallone (FOTO)

Suksesi i madh i këngëtares shqiptare Bebe Rexha e ka afruar atë me shumë yje botërore.

Së fundmi, këngëtarja me prejardhje shqiptare ka postuar një fotografi me aktorin e famshëm Sylvester Stallone.

Fotografinë Rexha e ka realizuar gjatë ushtrimeve duke treguar po ashtu se aktori 71-vjeçar akoma është në formë të lartë fizike.

Getting my Rocky on today.

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Kasem Hoxha: Shqiptarë, stop dhunën ndaj grave!

Aktori shqiptar Kasem Hoxha, i njohur për disa role ndërkombëtare ku përfshihen filmat “Head Full of Money”, “Chromium”, “Alive” e “The Cell”, ka ardhur sot në rrjetet sociale me një reagim më ndryshe.

Hoxha, i lindur në Tiranë, ka reaguar rreth dhunës ndaj grave dhe rasteve që së fundmi kanë ardhur nga Shqipëria, përfshirë vrasjen e një gjyqtareje por edhe dhunën në familje e cila raportohet shumë shpesh ndër shqiptarë.

“O, SIKUR TË KISHA NJË GRUSHT TË FORTË…..
aq urrejtje kam përbrënda, (kur dëgjoj dhe lexoj se çfar ndodh atje në vëndim tim çdo ditë), ndaj çdo atij specie të ashtëqujtur “MASHKULL”, që dhunon, masakron, vret Nënat, Motrat, Femrat tona aq të shtrejta!!!!
Stop DHUNËN ndaj grave!!
Për një garanci sigurie të jetës së tyre!
Dhuna nuk duhet toleruar dhe as lejuar!
Jam Me Ju!!!! “

Ky ishte reagimi i Hoxhës sot në rrjetet sociale, si për tu revoltuar rreth dhunës e cila ushtrohet ndaj grave, në një shoqëri patriarkale si shoqëria shqiptare. / KultPlus.com

Reportazh: 12-të vite pas bekimit të gurthemelit, u shugurua Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë

Sarandë Selimi

Sot janë mbushur gjithsej 20-të vite qëkur u nda nga jeta Gonxhe Bojaxhiu, ‘lule’ e tokës dhe gjakut shqiptar, Motra Terezë e Loretos (1929), Nëna Terezë ‘Misionare e Dashurisë’ (1959), Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003) dhe së fundmi Shën Nënë Tereza (2016).

E pikërisht sot në këtë ditë të shenjtë u bë edhe Shugurimi i një vendi të shenjtë, ai i Katedrales ‘Nënë Tereza’ në kryeqytetin kosovar.

Qindra njerëz sot morën rrugën për në Prishtinë. Rruga kryesore që të dërgonte tek Katedralja ishte bllokuar e tëra për vetura. Karrige të shumta ishin vendosur para katedrales e poashtu edhe një monitor i madh për të gjithë ata njerëz që nuk kishin bileta për të hyrë brenda në këtë tempull të shenjtë që ta shohin nga afër Shugurimin e tij nga Kardinali Shqiptar Ernest Simoni – i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut.

Njerëzit ishin mbledhur para orës 11:00 dhe fiks në këtë orë u hapën dyert e katedrales duke prirë Kardinali Simoni, e pas tij Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Presidenti i Republikës së Kosovës – Hashim Thaqi, Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës – Isa Mustafa, Kryeparlamentari i Maqedonisë – Talat Xhaferi, politikanë nga të gjitha partitë e Kosovës, familja e presidentit historik Ibrahim Rugova, krerë nga besime të ndryshme fetare, shumë besimtarë e mbi të gjitha shumë njerëz që vlerësojnë lartë kontributin e të shenjtës Nënë Tereza.

Kardinali Ernest Simoni, nisi me lutjet e para, e pas kësaj mbajti një fjalim, një lloj ligjërate mbi atë se çka simbolizon Jezu Krishti e atë çka simbolizon Shën Nënë Tereza.

“Këtë ditë të madhe na e fali Zoti të gjithëve së bashku, që të bashkohemi para Krishtit tonë e t’i japim nderë e lavdi shpëtimtares tonë që ka drejtuar botën shpirtërisht. Një bijë e kombit tonë ishte ajo që i ndihmoi gjithë botës dhe ishte shembull i fuqishëm i të gjithëve. Vëllezër e motra, dua që këtë ditë ta falënderojmë të madhin Zot, t’i lutemi të madhit Zot për të gjitha të mirat që na i ka dhënë”, tha ndër të tjera ai, i cili vazhdoi tutje këtë ceremoni madhështore të Shugurimit të Katedrales.

KultPlus, i pranishëm në këtë ceremoni gjatë gjithë kohës, shoqëroi me video të ndryshme për lexuesit pjesën kryesore të kësaj ceremonie. Gjithçka kishte madhështinë e vet por ajo kryesorja ishte lyerja me vaj të shenjtë e pjesës kryesore të Katedrales, duke vazhduar më pas me lyerjen e 12 kryqeve në shtyllat ku qëndrojnë themelet e Katedrales e që simbolizojnë 12 Apostuj. Pas kësaj u bë tymosja e gjithë katedrales e krejt në fund erdhi koha e kungurimit që iu bë të gjithë besimtarëve të krishterë që ishin të pranishëm.

Pas krejt këtyre riteve fetare erdhi koha e fjalimeve nga të pranishmit, duke nisur me Presidentin e Kosovës – Hashim Thaqi.

Në fjalën e tij, Thaqi tha se kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.
“Ndihem shume krenar që qysh në verën e vitit 1999, pak ditë pas përfundimit të luftës në një bisedë me komunitetin katolik të shqiptarëve të Amerikës hodhëm idenë e ndërtimit të Katedrales në Prishtinë. Bashkërisht vumë gurthemelin e inauguruam Katedralen dhe sot jemi bashkë në shugurimin që po ndodhë”, ka thënë Presidenti.
Sipas tij, me shekuj të tërë myslimanë e katolikë kanë vizituar teqetë e njohura për të gjetur shërim për sëmundje apo halle, dhe me shekuj të tërë myslimanë e të krishterë kanë shkuar në kishë për të gjetur përgjigje për hallet e tyre.

Ai ka thënë se tradita jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë, duke uruar që kjo Katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, t’ju përkujtojë fëmijëve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Tereza.
Pas fjalimit presidenti Thaqi u largua menjëherë bashkë me kryeministrin në largim – Isa Mustafa dhe ministren në detyre të MKRS-së Vlora Dumoshi.

Fjalimet vazhduan, ku disa fjalë tha edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, i cili përveç të tjerash u shpreh shumë falënderues për të gjithë të pranishmit që morën pjesë në këtë ceremoni.

Shugurimi i Katedrales ‘Nënë Tereza’, u bë sot, më 5 shtator, në përvjetorin e 20-të të vdekjes së Shën Nënë Terezës, plotë 12 vite, pasi që ishte bekuar gurthemeli i saj më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit presidentit historik Ibrahim Rugova. / KultPlus.com

27 vite nga mbyllja e dhunshme e Gazetës Rilindja

Bëhen sot gjithsej 27 vite nga ndalimi i botimit të Gazetës Rilindja.

E para gazetë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, Rilindja u botua për herë të parë në vitin 1945, me 12 shkurt.

Me 5 shtator 1990, nga pushteti serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, me 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, shkruan KultPlus.

Rikujtojmë se gazetarët e “Rilindjes” nuk u ndalën para presionit të Serbisë, kur në fillim të viteve 90 shkatërroi çdo gjë që ishte shqiptare.

Në ato kohë të rënda të okupimit pushteti serb e mbylli me forcë edhe gazetën “Rilindja”, por gazetarët dhe punëtorët e tjerë të saj nxorën gazetë të përditshme, gazetë të rezistencës, të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim të fuqishëm properëndimor. / KultPlus.com

Dhitë dhe këmbët e mbijetesës, puna e Doruntina Kastratit shpaloset në Prizren (FOTO)

Që nga lindja e deri në fund të ciklit jetësor pothuajse pareshtur lëvizim nga e njohura dhe e përjetuara drejt të panjohurës e të papërjetuarës. Nga ëndrrat tona në territore të reja si zona të shpresës, por edhe të frikës…

Një pjesë e konceptit artistik të veprës së re të Doruntina Kastratit vjen mes këtyre rreshtash. Një shëtitje e gjatë, një botë që rrotullohet, miliona këmbë që ecin poshtë e lartë, ekzistencë e herë mbijetesë.
Artistja Doruntina Kastrati mbi këtë inspirimin ka krijuar punën “Shëtitje e Gjatë”, një instalacion që është pjesë e Bienales së Artit në Prizren – Autostrada Biennale.

Artistja e lindur në këtë qytet, në vitin 1991, sjellë dhjetë skulptura me materiale organike, dhjetë dhia, ndërsa fokusi qëndron tek këmbët e tyre, si armë e mbijetesës.

“Pyetja që e shtroja ishte “Ç’është ky Long Walk?” që gjithçka rreth meje e bënte kuq: ujin, lulet, tokën, çdokënd, madje edhe ty dhe mua, që të ndihemi të frikësuar, të lemeritur?! Kuptoja se pyetja është universale, shtronte enigmën e ecejakeve të përditshme të çdo gjallese, çdo individi” tregon mes tjerash artistja.

“Që tre vite në kërkimet e mia nuk mjaftohem me vizione të sheshta por intrigohem dhe joshem me lëvizje dhe vizione plastike. Kjo lëvizje e imja e brendshme kushtëzohej edhe me shqetësimet ekzistenciale që i përjetoja duke përcjellë çdo ditë lajmet tragjike mbi refugjatët: kolona të gjata që gjarpëronin nga Orienti drejt Evropës si dhe anijet e stërmbushura me hallexhinj në kapërcim të Mesdheut… Kujtoja rrëfimet e ngjashme të të dëbuarve kosovarë, atë long walk – shëtitje të gjatë të brezit të prindërve të mi, më 1999…”, tregon artistja Kastrati.
Ajo është një prej artisteve që këtë vit po marrin pjesë në edicionin e parë të Autostrada Biennale – një Bienale e Artit që e ka kthyer Prizrenin në një tokë të fortë mbi të cilën qëndrojnë vepra arti, instalacione, video-instalacione, performanca, ekspozita, debate dhe artistë që sjellin veten e tyre në peizazh të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Këmbët e dhisë, apo edhe të kopesë së dhive, mbijetojnë edhe në kushtet më ekstreme të ekzistencës, ndër shkëmbinjtë e pjerrtë me do shkurre të pakta me të cilat ushqehen, shkruan koncepti i punës artistike. Puna e Doruntinës mund të shihet rrugës për në Kalanë e Prizrenit.

Doruntina, në anën tjetër, nuk është emër krejt i ri në artin shqiptar. Ajo ka prezantuar punën e saj në edicionin e dymbëdhjetë të Ekspozitës Artistët e së Nesërmes (2014), në Galerinë Kombëtare të Kosovës, njëherit shpallet edhe fituesja e këtij edicioni. Në janar të vitit të kaluar, krijuesja e dhjetë dhive bëhet edhe fituesja e edicionit të parë të fondacionit “Hajde”, e udhëhequr nga artisti Petrit Halilaj. Në shkurt të këtij viti Doruntina prezanton edhe ekspozitën e saj të parë personale në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, të titulluar “Red Landscape/Peisazh i kuq” kuruar nga Vala Osmani. / KultPlus.com

Miriam Cani rikthehet si pjesë e jurisë në “Voice Kids Albania”

Këngëtarja dhe prezantuesja e njohur nga Shqipëria, Miriam Cani, përmes një postimi në Instagram me entuziazëm ka njoftuar se do të rikthehet në “Voice Kids Albania”.

“Jam e lumtur të rikthehem në atë karrige tashmë për të dëgjuar e shijuar zërat e engjëjve të vegjël”, ka shkruar këngëtarja, transmeton Koha.net.

Cani, 32 vjeçe, është e martuar me këngëtarin e njohur nga Shqipëria Alban Skënderaj dhe së bashku kanë një vajzë, e cila quhet Ameli.

Engjëjt s’dashunojnë djallin

Poezi e shkruar nga Egzon Krasniqi.

Engjëll a djall !
M’kallzo si të t’emnoj !
Engjujt s’vrasin,
t’mirat i marrin me naje
E gabimin dojnë mos me shkrue.
Presin pishmanin tand
e të falin.
Djall s’të dua
Se djajtë vrasin.
T’bardhës i vnojnë pëlhurë
e t’zezën ta pikturojnë.
M’thuaj si të t’emnoj!
Si të t’emnoj ty
Që s’di ç’më fale.
E emnuam dashuni dikur
Dhe vargjet i shkruaja me ambëlsi.
Sa shume doje t’i knoje.
M’thuaj si të t’emnoj!
Djall që ma more dhe t’vetmin varg,
apo ndoshta je engjull e po i ban kangë.
Mes ktyne vargjeve po shkruaj edhe nji varg.
Nji varg…
Që t’emnoj engjull ,
E unë t’bëhem djalli.
Engjujt s’dashunojnë djaj,
Ndaj ta vendosim ndarjen e nji dashunie.
Mes engjujve e djajve
Le t’emnohemi
Ti engjulli
Unë djalli.

“Gruas time Janinës, me të cilën jetuam mes lumturisë e fatkeqësisë”

CZESŁAW MIŁOSZ – DUKE I DHËNË LAMTUMIRËN SIME SHOQEJE, JANINËS
Përktheu Romeo Çollaku

Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit.
Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku.
Ajo dhe unë, martuar kaq vite.
Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri
Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen,
Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë,
Ia zhvishte lumin gri të flokëve,
I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri.
Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë.
S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes.
E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë.
E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime.
E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik.
Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë,
Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi.
Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë.
Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme.
Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë
Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet?
Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend.
Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë,
Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë.
Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe,
Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit,
Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme.
Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë
Sheh flakën tek përpin themelet e botës.
A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri.
Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë!
Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri!
Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë!

Papa Françesku uron në 9 gjuhë përvjetorin e Shenjtërimit të Nënës Terezë

Mbushen sot plot 1 vit nga Shënjtërimi i Nënë Terezës së Kalkutës e 20 vjet nga vdekja e bamirësisë shqiptare.

Një vit më parë në meshën e kanonizimit mbajtur në sheshin e Shën Pietros në Vatikan me mbi 130 mijë besimtarëve nga e gjithë bota, Papa Françesku do të shpallte Shënjtërimin e Humanistes shqiptare duke u shprehur:

“Sot i dorëzoj botës këtë figurë emblematike të gruas e shënjtërimit. Le të jetë ajo modeli juaj i Shenjtërisë. Kjo punëtore e palodhur e mëshirës na ndihmon të kuptojmë gjithnjë e më shumë se kriteri i vetëm i veprimit tonë duhet të jetë dashuria e lirë nga çdo ideologji, nga cdo kufi, e ndaj të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race e feje.”

Një vit më parë Shënjtërimi i Nënë Terezës mblodhi në Vatikan autoritete të larta e Krerë Shtetesh nga e gjithë bota, besimtarë të shumtë por dhe njerëz të varfër e të sëmurë, të cilëve ajo i dedikoj jetën e saj.

Prej një vit bota e krishterë ka një Shënjtëri shqiptare, Shën Terezën, por të gjithë vazhdojnë ta quajmë Nënë Tereza, ashtu sic kish parashikuar Ati i Shenjtë duke u shprehur “se do ta kemi të vështirë ta quajmë Shën Tereza, pasi shënjtëria e saj është kaq pranë nesh, kaq e frutshme dhe e dashur, sa spontanisht vazhdojmë ta quajmë Nënë Tereza.”

Sot një vit nga Shënjtërimi i Nënë Tereza e 20 vjet nga mungesa e saj, bota e krishterë e kujton në të gjithë botën.

Papa Françesku në këtë datë përkujtimore në profilin e tij zyrtar në Twitter në 9 gjuhë të ndryshme, Shën Terezën shqiptare do ta kujtojë me fjalët:

“Si Nënë Tereza le të hapim horizonte gëzimi e shprese për njerëzimin, që ka aq nevojë për sa më shumë mirëkuptim e dashuri.”

Në Indi, Nunci Apostolik i Indisë dhe Nepalit ka mbajtur meshën përkujtimore në shtëpinë e Misionareve të Nënë Terezës, ndërsa Kryepeshkopi i Kalkutës Thomas D’Souza, ka deklaruar se në këtë 1 vjetor të Shënjtërimit të saj, bamirësja shqiptare do të shpallet Shenjtore mbrojtëse e Kryepeshkopatës së Kalkutës.

Në këtë 20 vjetor të vdekjes së saj janë me mijëra pelegrinë që kanë vizituar e janë lutur në varrin e Shën Terezës në shtëpinë e misionareve të Urdhërit në Kalkuta.

Mesha përkujtimore janë mbajtur dhe në të gjitha shtëpitë e urdhërit të Nënë Terezës në 130 vende të botës.

Shën Tereza shqiptare e ktheu jetën e saj në një shembull të dashurisë së krishterë në shërbim të njerëzve në nevojë, të sëmurëve, të vërfërve.

Si themeluese e Urdhrit të Nënë Terezës më 1979 u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen, ndërsa më 26 tetor 1985, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Pérez de Cuéllar, duke e prezantuar në Asamblenë e Përgjithshme e përkufizoi si gruan më të fuqishme të botës. / KultPlus.com

Festivali i Arkitekturës vazhdon aktivitetet, këtë javë në Gjakovë

Festivali i Arkitekturës në Kosovë vazhdon aktivitetet. Këtë javë ky festival do të shtrihet në Gjakovë, me dy ligjërata, dy punëtori dhe shfaqje të një filmi dokumentar.

Luke Pearson dhe Sandra Youkhana nga Bartlett School of Architecture, UCL do mbajnë një punëtori intensive “Back Up Gjakova” si dhe më 7 shtator nga ora 19:00 në hapësirat e Jakova Innovation Center do mbajnë ligjëratën e tyre.

Më 8 shtator nga ora 20:00 në hapësirat e Parkut Kulturor ‘Ali Podrimja’ do shfaqet filmi dokumentar “Barbicania” nga duo i regjisorëve Ila Beka dhe Louise Lemoine.

Më datat 8 dhe 9 shtator do mbahet punëtoria 24 orëshe “Recording Small Worlds” e udhëhequr nga Simon Battisti, kuratori i pavijonit të Shqipërisë në Bienalen e Venedikut 2016.

I njëjti do mbajë ligjëratë më 9 shtator nga ora 19:00 në hapësirat e Jakova Innovation Center. / KultPlus.com

Thaqi në Shugurimin e Katedrales ‘Nënë Tereza’: Nuk ka pëlhurë që mbulon madhështinë e Skënderbeut

Sot pikërisht në 20 vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, në kryeqytetin kosovar u Shugurua Katedralja që bartë emrin e të shenjtës shqiptare ‘Nënë Tereza’.

Në këtë ceremoni të madhe të Shugurimit morën pjesë qytetarët e Republikës së Kosovës, politikanë, e krerë të besimeve të ndryshme fetare.

Kësisoj, pasi që, ishte i pranishëm në këtë ceremoni, një fjalë rasti mbajti edhe presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaqi, i cili në këtë rast ripërsëriti faktin se është krenarë që nga populli shqiptarë dolën dy figura të mëdha siç janë Gjergj Kastrioit Skënderbeu dhe Nëna Terezë, shkruan KultPlus.

“Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka beze as pëlhurë te bardh ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit”, pohoi presidenti, duke vazhduar tutje të thotë se kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë shqiptare./ KultPlus.com

Për gratë që ziejnë fasule…

Shkruan: Flutura Açka

Ku jeni mi, gra, që i keni lënë këto vajza vetëm të luftojnë për ju. Prapë dajak do hani, prapë do t’ju vrasin, sa kohë nuk e mbroni veten. Duhet të ishit me mijëra, vetëm kështu ligji do të ndryshonte në favorin tuaj. Një ligj që mjafton vetëm të kërcënoheni, tjetri, “burri i paburrë” shkon në burg dhe i paamnistuar. Vetëm një ligj shumë shumë i ashpër, që të veprojë për një kohë 20 a 30 vjet, aq sa ta mendoni ju që nuk rrezikoheni, aq sa të ndrydhojë ky mentalitet i poshtër se ju jeni pronë, do të mund ta bëje kthesën e madhe për ju. Po ku jeni ju? As kur ju kërkohet me alarm, nuk dilni, por zini fasule. Këtë ligj të ashpër duhet ta kishin kërkuar ju me mijëra në shesh. Nuk e bëtë, shteti nuk ju ka faj. Të ishte vrarë një grua e zakonshme në perëndim, sepse nuk ka vepruar ligji, bulevardi nuk i nxinte gratë. Të ishte vrarë një gjykatës në Perëndim, një njeri që duhet te mbrojë të drejtat e të tjerëve, një grua si shembull i grave që mbrojnë më të dobëtit, ishte anuar shteti.

Shteti e vrau Erieta Abdulin, me marrëveshje politike.
Shteti e vrau Irena Selin, me heshtje policore
Shteti e vrau Fildes Hafizin sepse nuk e mbrojti

Hipokritë dhe hipokrite, Fildes Hafizi nuk ka nevojë për shtëpi pas vdekjes, por të mos vdiste!

Kreditet për foton: Loreta Cuka

Cineplexx sjellë eventin special “Horror Night”

Kinemaja austriake Cineplexx ka paralajmëruar organizimin e eventit special “Horror Night – IT” më 7 shtator, përcjellë KultPlus.

Me 7 shtator, Cineplexx do të jetë një destinacion i shkëlqyer për të gjithë fansat e filmave horror. Këtë të enjte, prej orës 20:00 do të jetë premiera e filmit IT, film i bazuar nga storja e Stephen King me kllaunin e famshëm “Pennywise”.

Për ta bërë këtë event edhe më të veçantë, Cineplexx së bashku me TEB Bank kanë prezantuar ofertën 1+1, ku të gjithë ata që paguajnë biletë me kartelë të TEB (debit dhe credit), fitojnë edhe një tjetër biletë falas.

Për të ju përshtatur natyrës së filmit, Cineplexx për “Horror Night” do të sjellë një atmosferë horrori me dekorime të frikshme. Filmi do të shfaqet në së paku 7 termine gjatë ditës, si dhe do të ketë aktivitete të shumta dhe pije falas për të gjithë të pranishmit.

Ngjarja e filmit zhvillohet në Derry, Maine, në verën e vitit 1989. Një grup i fëmijëve të njohur si “The Losers Club” luftojnë kundër një entiteti të pavdekshëm, që ndryshon formën e tij dhe është përgjegjës për zhdukjen e shumë fëmijëve në qytetin e tyre. Gjatë procesit, ata detyrohen të përballen me djajtë e tyre personalë.

Interesimi për këtë event është shumë i madh. Deri tani, kemi mësuar se janë shitur mbi 300 bileta për premierë. Biletat mund t’i blini çdo ditë pas orës 15:30 në Cineplexx. / KultPlus.com

Oraret e filmit mund t’i gjeni këtu: http://www.cineplexx-ks.eu/movie/IT/

Thirrje për mbështetje financiare për prodhim të audion incizimeve në fushën e muzikës

Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës duke u mbështetur në vendimin për kriteret dhe procedurën e ndarjes së subvencioneve ka hapur thirrje për krijuesit me projekt propozime për prodhim të audio incizimeve në fushën e muzikës, përcjellë KultPlus.

Audio incizimi mund të jetë muzikë klasike, xhaz, muzikë rock dhe alternative. Aplikimi është i hapur vetëm për solist dhe grupe muzikore.

Parakushti për aplikim është që veprat e krijuar të jenë të pa publikuar më herët.
Konkursi do të qëndron i hapur deri me 19 shtator 2017 në orën 15:00. / KultPlus.com

Linku: http://krs.prishtinaonline.com/

Hapet në Prishtinë ekspozita “Bashkëjetesa ndërfetare – vlerë e trashëgimisë”

Në Prishtinë është hapur ekspozita “Bashkëjetesa ndërfetare – vlerë e trashëgimisë”, qëllimi i së cilës është promovimi i trashëgimisë dhe vlerave kulturore shqiptare.

Kryetari i shoqatës kulturore “Dardania”, Nol Kristaj tha ky është viti i pestë i organizimit të kësaj forme të ekspozitës.

“Këtë vit po promovojmë objektet e kultit, në dallim nga 2016 kur kemi pasur kullat, urat”, tha ai.

Përmes kësaj ekspozite, Kristaj tha se dëshirojnë të promovojnë dy vlera të objekteve fetare, vjetërsinë dhe tolerancën ndërfetare.

Ekspozita është e hapur për publikun nga 3 deri 5 shtator në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. /KultPlus.com

Murali me Rugovën e Ipeshkvët vendorë në katedralen “Nënë Tereza” për arkitektët është i çuditshëm

Pas gati dhjetë vjetësh prejse ka filluar të ndërtohet, Katedralja “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës është pothuajse gati.

Vetëm një ditë para shugurimit, punëtorët po mundohen të bëjnë sa më shumë në atë që ka mbetur pa përfunduar, raporton ktv.

Por, pos vonesave në punime, katedralja është përfolur për një mozaik të punuar brenda saj, ku ndër të tjera janë portretizuar ish -presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, e ai i Prizrenit Don Shen Zefi.

Portretizimi i figurave politike dhe atyre që vazhdojnë të jenë të gjallë, nga këndvështrimi i arkitektëve është i rrallë dhe i çuditshëm.

Arkitekti Arbër Sadiki, thotë se ndonëse tipologjia që i takon katedralja kërkon që të ketë kësi lloj murale, një gjë e tillë nuk haset në kishat e shekullit 21.

E, për udhëheqësit e kishës katolike ky mural nuk paraqet asnjë problem.

Don Lush Gjergji thotë se në të kanë gërshetuar figurat më meritore që kontribuuan në Kishën Katolike në Kosovë dhe ndërtimin e Katedrales.

Brenda katedrales ka edhe murale të tjera, ku portretizohen figura biblike.

Ndërkohë, gjatë ditës, katedralen e ka vizituar kardinali shqiptar Ernest Simoni, i cili është i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut për shugurimin e Katedrales “Nënë Tereza”. / KultPlus.com

Del në ankand një këngë e papublikuar e George Harrison

Një këngë e papublikuar e muzikantit dhe kompozitorit britanik, George Harrison pritet të dalë në ankand këtë javë, si dhe një seri fotosh të pazbulura ndonjëherë të grupit ”Beatles”.

Kënga “Hello Miss Mary Bee”, e vitit 1968, u shkrua për mikeshën e Harrison, Mary Bee, në të njëjtën periudhë kur doli në treg albumi i tij i parë solo “Wonderwall Music”.

Kënga është e regjistruar në një kasetë duke përfshirë edhe disa regjistrime alternative të hiteve të Beatles dhe disa letra të shkruara për Bee ndërsa Harrison ishte në Indi me gruan e tij, Pattie Boyd.
Gjithashtu, në ankand do të jenë në shitje edhe 70 filma negativ të pazbuluar më parë të grupit britanik të vitit 1967, pak kohë përpara vdekjes së menaxherit të tyre, Brian Epstein.

Artikujt pritet të shiten me një vlerë prej 15 000 paund (19 400 dollarë) në shtëpinë e ankandit ”Omega Auctions Beatles Memorabilia” në Warrington, pranë vendlindjes së ”Beatles” në Liverpool, më 11 shtator.

Drejtuesi i ankandit, Paul Fairweather tha se shitjet do të kishin një interes të madh në mbarë botën.
“Cilido fatlum që do të blejë koleksionin do të ketë një qasje ekskluzive në historinë e George si anëtar i ‘Beatles’ dhe si një artist solo”, tha ai./ KultPlus.com

Adele në bisedime për rolin e parë si aktore

E vlerësuar aktualisht si njëra ndër këngëtaret më të mira në botë, Adele pritet ti hyjë së shpejti një profesioni tjetër.

Ajo është në bisedime me drejtuesit e kompanisë që do të ribëjë filmin Oliver, i bazuar në novelën Oliver Twist të shkrimtarit Charles Dickens.

Asaj i është ofruar mundësia të luajë rolin e Nancy, një prostitute të dashuruar në Bill Bill Sikes.
“Do të ishte një rol i rëndësishëm për të dhe ajo po e vlerëson seriozisht këtë mundësi”, ka thënë një burim i afërt me këngëtaren për tabolidin The Sun.

“Ajo flet për Angleon (të birin) si prioritet numër një në jetën e saj dhe e sheh këtë rol si diçka që edhe ai do ta mirëpriste. Do të ishte një sfidë e re, por diçka për të cilën është e gatshme ta bëjë”, ka shtuar burimi.

Në turneun e fundit të koncerteve, këngëtarja 29 vjeçe ka paralajmëruar se do të pushojë për një kohë nga muzika. / KultPlus.com

Populus Illyricus

Poezi e shkruar nga Mirko Gashi.

Populli
e di
kur duhet bërë kryq
me tre
e kur
me pesë gishtërinj
e kur
të thuhet dova
Ai
më së miri
të thotë
s’ka përëndi të tjerë
përvec meje
Populli të thotë
se s’ka kryeplak
më të urtë se fshati
Ai e ka meteorologjinë
e vet
në gjunjtë e pleqëve e të plakave
kur ky yll apo ai
gjendet këtu apo aty
Populli di
pse
s’duhet përqeshur lumin
për rrugën e tij gjarpërore
rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë
po lumi kurrë.

2.-

pasi vetëm ai e di
rrugën e vet
vallen e popullit
askush
s’do ta mësojë
as t’i marrë erë
për një jetë kalimtare
Kurrë mos humb besë
ndaj Zotit tënd të ri
beso
e po të besoj
në këtë aksiomë

Populli e di
se vetëm fëmijët dhe kafshët
të duan pa hile

Cdo fjalë që të thuhet
për Popullin
është e stërvockël
Ai e ka celësin
për cdo rebus
vetëm për të s’ka enigma
Eu
Ai
di
se cili mashkull i shtëpisë
është për pazar
e cili jo
Ai e di
mu si Luli i vocërr

3.-

ku është hija
e ku gjendet dielli
kush është Mark
kush Januz
e kush Janus
Populli e ka syrin
të thellë
sa një oqean
populli të thotë
se kënga
është vaji i burrit
se kështu e ka jeta
Ai ka
cka s’ka
asnjë kryevepër s’e ka krijuar Dante Aligieri
apo ndonjë tjetër
po Ai
i mjeri
Për cdogjë që ke ndier
mos beso as ti
po populli
e di
Ai
para se ta capojë
të njëmbëdhjetin hap
dhjetë i ka kaluar
Populli
s’ka epiqendër
të gjitha trojet
e skajet
e tij
ashtu mund të quhen

4.-

Populli të mëson
me proverba
ai të thotë:
“I di Meta punët e veta”

Studiuesi i njohur: Alfabeti shqiptar dhe ai grek kanë prejardhje të njëjtë

Gjuha shqipe, siç është përmendur nga Konica.al një artikull të mëparshëm, është shkruar shumë kohë para dokumentit të parë në gjuhën shqipe. Studiues të shumtë janë marrë me të duke konkluduar në përfundime të ndryshme. Por, studiuesi dhe albanologu i njohur G. fon Hahn harton një tezë të veçantë mbi gjuhën shqipe dhe prejardhjen e saj.

Sipas tij, gjuha shqipe rrjedh nga gjuha e pellazgëve e cila shkruhej me një alfabet me 52 shenja. Duke studiuar këtë alfabet i cili gjendet në disa fragmente të ungjijve që janë gjetur në qytetin e Elbasanit, Hahn parashtron një pyetje: “A është ky alfabet i vjetër apo i ri?”.

Përgjigjja që ai i jep kësaj pyetje bashkë me argumentimin përkatës jepet në librin “Popullsia, gjuha dhe letërsia shqiptare” me autor Gaetano Petrotta:

Ky alfabet, paraadhës i alfabetit të tanishëm të shqipes, është monument i gjuhës pellazgjike e cila bashkë me atë greke janë zhvilluar nga fenikishtja.

Po sipas Hahn, ky alfabet nuk kishte një përhapje të gjerë në trojet shqiptare. Sipas tij, Në Durrës dhe në Shkodër është njëlloj i panjohur, ashtu si në tërë Toskërinë (Epirin); vetëm në qytetin e afërt të Beratit duket të jetë përdorur aty këtu. Në Elbasan, për më tepër ky alfabet kufizohet në përdorimin kishtar; ai përdoret gjithashtu nga shumë tregtarë në letërkëmbimet e tyre me bashkëkombasit që janë larg.

Alfabeti i përmendur, po sipas Hahn, përdoret për herë të parë nga një mësues me emrin Teodor i cili ishte edhe predikues i krishtërimit në qytet. Githashtu ishte i pari përkthyes i dy Testamenteve të Biblës, por gjithë letrat dhe punimet e tij u dogjën pas vdekjes së tij nga murtaja, me frikën se ato mund të mbartnin infeksionin.

Duke u nisur nga përhapja e kufizuar e alfabetit, nga preukopimet gjuhësore të mjeshtrit Teodor, i cili për më tepër ishte burrë mjaft i dijshëm, dhe nga mungesa e plotë e njoftimeve që duhet të vinin prej tjetërkah për të, studiuesi Petrotta konkludon se i pari që krijoi këtë alfabet duke trajtësuar atë grek dhe atë fenikas, ka qenë pikërisht Teodori.

Ai e futi këtë alfabet në shkollën që hapi vetë dhe ku dha mësim po vetë, me qëllimin për të liruar gjuhën shqipe nga nevoja për të përdorur dy alfabete, atë latin në veri dhe atë grek në jug, duke besuar se do të kontibonte në emancipimin politik të shqiptarëve dhe bashkimin kombëtar të tyre nëpërmjet një alfabeti të njësuar.

I këtij mendimi ishte edhe gjuhëtari i njohur gjerman, Gustav Majer i cili shkruan: “Mësuesi ortodoks, emri i të cilit lidhet me traditën, duhet të mendohet sipas gjasave autori i tij [alfabetit].”

Sislej Xhafa, pjesëmarrës në ekspozitën sensibilizuese kundër vetëvrasjeve

Artisti Sislej Xhafa nga sonte është pjesë e ekspozitës “Mal a ta Vie” në Gjenevë.

Ekspozita që është hapur sonte në Parc des Bastions e ka të përfshirë edhe artistin e njohur kosovar.
Gjithçka po zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjeve. Shtatë kabina telefonike janë në hapësirën ekspozuese, e që ofrojnë material dhe informacion mbi vetëvrasjen e adoleshentëve dhe shifrat shqetësuese që vijnë nga vende të ndryshme.

Deri me 10 shtator, vizitorët do të mund të dëgjojnë në këto kabina telefoni mesazhe të të rinjve që kanë provuar vetëvrasjen, dëshmi nga të afërmit e tyre, këngë që kanë ndihmuar në mbijetesë dhe mënyrat se si të largohen mendimet e tilla nga koka e njeriut.

Xhafa, një artist kosovar që telefonin si simbolikë e ka përdorur së fundmi në Bienalen e Venecias në Itali, është një prej artistëve në këtë ekspozitë, krahas edhe Sylvie Auvray, Sol Calero, Benjamin Renoux, Hicham Berrada, Issam Rezgui dhe Bathelemi Toguo.

Secila kabinë telefonike i takon një artisti, i cili punon dhe e krijon atë në formën që ai e koncepton. Jo vetëm ekspozitë, “Mal a ta Vie” është menduar edhe si një kampanjë sensibilizimi në vetëvrasjen nga të rinjtë, dukuri kjo e cila është shqetësuese marrë për bazë numrat e vetëvrasjeve nga moshat e reja, shkruan KultPlus.


(Këngë nga PINK që lidhet me vetëvrasjen)

Çdo ditë, prej orës 11:00 – 14:00 dhe 16:00- 19:00, studentët e mjekësisë dhe psikologjisë do të jenë të pranishëm në hapësirën ekspozuese.

Xhafa, një artist aktiv, ka ekspozuar në Zona Arti Contemporanee, në Maxi në Romë, në Ludwig Museum në Budapest, në 21st Century Museum of Contemporary Art Kanazawa në Japoni, mes tjerash. / KultPlus.com

“Buzë lumit Piedra u ula dhe qava”

fragment nga Paulo Coelho
perkthimi ne shqip nga D. Taçe

Nganjëherë jemi preja e një ndjesie trishtimi që nuk mbërrijme ta kontrollojmë. Kuptojmë që çasti magjik i ditës ka kaluar dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Jeta e fsheh magjinë dhe artin e vet. Duhet ta bëjmë të flasë fëmijën e dikurshëm që ende ekziston brenda nesh.
Ky vogëlush është në gjendje t’i kuptojë momentet magjike. Ne dimë si ta mbysim të qarën e tij, por nuk dimë të bëjmë të heshtë zërin. Fëmija i dikurshëm është gjithmonë brënda nesh. Lum fëmijët sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Nëse nuk rilindim, nëse nuk arrijmë ta shohim jetën me pafajësinë dhe entuziazmin fëminor, jeta nuk ka kuptim. Ka shumë mënyra për t’u vetëvrarë. Ata që provojnë të asgjësojnë trupin e tyre, shkelin ligjin e Zotit. Por edhe ata që përpiqen të vrasin shpirtin, thyejnë ligjin hyjnor, edhe pse krimi i tyre është më pak i dukshëm për sytë e njeriut. Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj asaj që thotë fëmija i ndryrë në zemrën tonë. Të mos kemi turp. Të mos e lëmë të ketë frikë, sepse ai vogëlush ndihet i vetmuar se ne nuk e dëgjojmë thuajse kurrë. Le t’ia lëmë atij për pak frerët e ekzistencës sonë. Ky fëmijë, e di mirë se çdo ditë është e ndryshme. Le të përpiqemi që ai ta ndiejë se e duam prapë. Le t’i japim gëzim duke u sjellë në mënyrë të pazakontë për ne, apo të dukemi të marrë në sytë e të tjerëve. Është mirë të kujtojmë që mençuria e njerëzve është marrëzi përpara Zotit. Nëse dëgjojmë fëmijën që kemi në shpirt, sytë tanë do të rigjejnë shkëlqimin. Dhe nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën.