Behide Hasanaj i dhuron librin autobiografik Muzeut të Kosovës

Behide Hasanaj, e cila njihet për veprimtarinë e saj humanitare në Zvicër, kohë më parë ka përuruar edhe librin “Një jetë veprimtari humanitare”, shkruan KultPlus.

Librin e saj autobiografik, “Një jetë veprimtari humanitare” ajo sot ia ka dhuruar Muzeut të Kosovës. Autorja Behide Hasanaj është pritur nga Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj dhe Vjollcë Aliu – Drejtoreshë e Trashëgimisë Kulturore në MKRS-së./ KultPlus.com

64 letrat intime të Dritëro Agollit dhe Sadijes, vijnë në një libër (VIDEO)

“Dashuri në moshën e Krishtit” është libri i ri nga botimet “Dritëro” që përmban letrat intime të Dritëro Agollit shkruar për Sadijen në vitet 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.

Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Letra shkroi dhe Sadija për Dritëro Agollin, dhe ato përfshihen në këtë vëllim. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija.

Kanë qenë pa dyshim më shumë, por, në fashikullin Letërkëmbimi me Sadijen, 1964-1965, që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim, kaq janë ruajtur.

Redaktor dhe studiues Shaban Sinani ndërsa kopertina Ormira Lulani./ KultPlus.com

“Nëse do diçka të thënë kërkoja një mashkulli, nëse do diçka të bërë, kërkoja një femre”

Femra, shpesh ka qenë frymëzim për shumë libra. Ndërsa ato jo rrallë herë kanë shënuar historinë me sukseset e tyre, shkruan KultPlus.

Këto janë disa nga thëniet më të njohura për femrat.
“Mendo si një mbretëreshë. Një mbretëreshë nuk ka frikë nga dështimet. Dështimet për to janë një hap drejt madhështisë” – Oprah Winfrey

“Femrat kanë nevojë për tri gjëra në jetë: ushqime, ujë dhe komplimente” – Chris Rock

“Pas luleve, femrat janë gjëja më e bukur që Zoti i ka dhënë botës” – Christian Dior

“Nëse do diçka të thënë, kërkoja një mashkulli. Nëse do diçka të bërë, kërkoja një femre” – Margareth Thatcher

“Femrat janë bërë për t’u dashuruar, jo për t’u kuptuar” – Oscar Wilde

“Femrat dhe macet do të bëjnë si duan ato, ndërsa meshkujt dhe qentë duhet të mësohen me këtë ide” – Robert A. Henlein

“Një femër është e pandalshme që nga momenti, kur kupton se meriton më shumë”– Anonim

“Në shoqërinë tonë, femrat që kalojnë barrierat janë ato që i injorojnë limitet”. – Arnold Schwarzenegger

“S’ka rëndësi se si duket një femër. Nëse ajo ka besim në vete, ajo është seksi” – Paris Hilton

“Një femër duhet të jetë si një lule e vetme, jo si gjithë buqeta”-Anna Held / bota.al/ KultPlus.com

Fyell’ i bariut

Poezi nga Andon Z. Çajupi.

Bariu, shokë, bariu,
kur gjëmon e fryn veriu,
është përjashta fatziu,
e rreh breshëri dhe shiu!
Barinë, shokë, barinë,
mos e harroni fatzine,
se lë gruan e shtëpinë
t’u kullosë bagëtinë.
kullotni, moj bagëti,
ti, ti, ti. . .
Kullotni, biro, kullotni,
kur të vdes te me kujtoni,
Ndjesë pastë! — të më thoni.

Shikoni barin’ e gjore:
në diell a në dëborë,
bariu me shkop në dorë
ruan deshtë me këmborë.
Vështronje barinë mirë,
me të ngrën’ e me të pirë,
t’u marrë dhëntë pa gdhirë,
t’i kullosë me dëshirë,
të rrijë bashkë me to,
to, to, to.
Hani, moj bagëti, hani,
kur të vdes do të më qani,
për mua zi do te mbani!

152 vite nga lindja e Andon Zako Çajupit

Më 27 mars 1866, ka lindur poeti i shquar Andon Zako Çajupi. Ai njihej edhe si dramaturg dhe si një veprimtar i njohur i Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.

Çajupi njihet edhe veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar. Kryevepra e Çajupit “Baba Tomori” e botuar më 1902 është ndarë në katër pjesë: “Atëdheu”, “Dashuria”, “Përrall të vërteta e të rreme” dhe si shtojcë e ka komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”.
Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsi. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Pas vdekjes është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937).
Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaniteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë kombëtare./ KultPlus.com

Pjetër Gaci e kishte ndjerë se kishte krijuar një këngë himn: Ky do të jetë hymni që i kam kushtue atdheut, ka për të pasë jetën gjatë

Nga Pjeter Logoreci

Ishin vitet e vështira të represionit komunist, kur njerëzit kishin frikë „edhe me folë me vete“. Ishte koha kur partia – shtet, mori rolin e “radiologut”, duke kaluar në rëntgen e duke nxjerrë të prekur dhe me hije në biografi, me dhjetëra viktima të pafajshme ndër atdhetar dhe intelektual. Ndër plenumet dhe kongreset e kohës, diktatori, porosiste që arti dhe kultura të ruheshin të paprekur “nga influencat borgjezo revizioniste” që kërkonin të çorodisnin “kulturën tonë socialiste”. Nën zë, filluan të qarkullonin fjalë për largimin nga Tirana,(kupto dëbimin) të disa personaliteteve të mirënjohur, për arsye të ndryshme ideologjike apo pse ishin të martuar me gra ruse që i njohën gjatë kohës së studimeve në Bashkimin Sovjetik.


Kujtoj që në këto rrethana, diku rreth vitit 1976, në qytetin e Shkodres ra në sy prania e një çifti¸ i veçantë nga të tjerët. Kurioziteti i jetës monotone të periferisë u“ngacmua” nga dy figura për të cilat u fol shumë, nganjëherë me simpati (kush i njihte nga afër), por edhe me fjalë të ashpra e agresive nga njerëz që jetonin me parimin e luftës së klasave apo që ishin të porositur të flisnin ashtu. Një burrë dhe një grua në moshë të mesme, të veshur thjeshtë, të shkurtë nga shtati, që rrezatonin kulturë e tolerancë, që kalonin të heshtur në itinerarin e përditshëm që ishte “i përcaktuar” nga vendi i punës deri në pallatin ku banonin. Ishte artisti shkodran Pjeter Gaci me gruan e tij ruse Tamara, te cilët “zgjodhën” qytetin e Shkodres për të (mbi)jetuar.

E kush nuk kishte dëgjuar për artistin Pjeter Gaci, i cili ishte pjesë e pandarë e jetës muzikore shqiptare?. Artist i kompletuar, me të gjitha premisat e një virtuozi – gjeniu, si instrumentist – solist në violinë, kompozitor i një sërë veprash që mbetën trashëgimi me vlerë në fondin e muzikës shqiptare. Kush nuk kishte dëgjuar për artistin që e karakterizon te ndjenja e hollë kombëtare, burrin e vogël plot sharm e humor të këndshëm, zbuluesin dhe edukuesin e shumë talenteve me të cilët Shqipëria krenohej në botë?

Pjetri, ashtu si emri që mbante (Lat: Guri), ishte një gurë i fortë në tabanin kombëtar. Ai lindi më 27 mars 1931, në një familje të thjeshtë nga fshati Shirq, por u rrit në Shirokë. Qysh fëmijë shfaqi shenjat e para të talentit si muzikant dhe instrumentist. Në familjen e tij, në çdo festë këndonin të gjithë dhe përdoreshin shumë vegla muzikore.

Babai i tij Gaci, ishte rapsod i njohur. Ai i kompozonte, luante dhe këndonte vetë këngët e tija. Pjetri që mundohej të ishte si babai i tij, që fëmijë përdorte shumë vegla (kitarën, violinën, mandolinën, fisarmonikën), aq sa ra në sy të disa qytetarëve italian që atë kohë banonin tek Vila e Zogut, pranë shtëpisë së tyre në Shirokë. Italianët i patën kërkuar Gacit që ta dërgonin në Itali djaloshin e talentuar, por i ati për arsye moshe nuk e lejoj.

Nëna e Pjetrit, Mrika, e cila ishte shtëpiake, pat tre fëmijë: Ndocin, Luken dhe Pjetrin. Prindërit¸ për të zhvilluar talentin e djalit, e dërguan atë në Kolegjin e Jezuiteve në Shkoder. Deri sa u hap konvikti shtetëror i shkollës 28 Nentori, ku u njoh edhe me mikun e tij Rifat Teqja, ai së bashku me shokun e fëmijërisë Ernest Volaj, rrugëtonin në këmbë çdo ditë nga Shiroka në Shkoder. Pas mbarimit të gjimnazit, Pjetri hyri në Liceun e kryeqytetit në degën e violinës ku falë talentit të tij si instrumentist ra në sy të artistëve rus të cilët e ndihmuan të shkonte në Konservatorin P.I. Tchaikowsky të Moskës.

Kur Pjetri u paraqit para komisionit të pranimit në konsevator, ka treguar ish studenti dhe kolegu Cesk Zadeja (i cili luante dhe rolin e përkthyesit për studentet e rinj në Konservator), teknika e egzekutimit të tij në violinë tërhoqi vemendjen e profesorit tënjohur Jan Polski i cili e dëgjoj rastësisht tek po kalonte atypari. Ai e quajti interpretimin e Pjetrit – BRILANT – dhe kërkoj ti shikonte dorën violinistit shqiptar. Më pas Polski i rekomandoj komisionit:…. pranimin e konkurrentit dhe planifikimin në grupin e studentëve të tij.

Pjetri ishte një instrumentist i lindur. Natyra i kishte dhuruar atij një dorë të veçantë nga të tjerët, tek ai dy gishtat e mesëm të dorës kishin gjatësi të njëjtë, gjë që çuditi pa masë Prof. Polski-n, dhe që e favorizonte shumë violinistin Pjeter Gaci. Ai filloj studimet në vitin 1953 deri në fund të vitit studentor 1956. Më pas Pjetri kthehet në Shqipëri për pushime dhe nuk lejohet nga shteti komunist për tu kthyer më në Moskë. Lidhja me Tamaren, vajzën nga Moska, nuk u pa me sy të mirë nga regjimi i cili në vazhdim nuk i aprovon Pjetrit kërkesën për të bërë specializimin një vjeçar dhe mbrojtjen e diplomës.

Në Tiranë, punësohet si violinist i thjeshtë pranë orkestrës simfonike, ku ra në sy virtuoziteti i tij. Me kërkesën e diplomatëve të huaj të cilët e vlerësonin për talentin e tij, ai ishte i pranishëm si solist në shumë koncerte prestigjioze. Po me këmbënguljen e ambasadorëve të huaj, Pjetrin e emëruan udhëheqës artistik në estradën e shtetit (ku përfshihej Cirku e Teatri i Kukullave), ku qëndroj afro dy vite, për të punuar më pasi pedagog në liceun artistik të Tiranës. Këtu, ai u mundua të stimulonte tek nxënësit e talentuar të liceut, që i zgjidhte vetë, mundësitë që regjimi komunist ja privoi atij. Pjetri nuk mjaftohej me elementët që vinin për të konkuruar në Lice, por dilte vetë ndër zona të ndryshme të atdheut për të kërkuar e zbuluar talente për shkollën. Mbas periudhës së Liceut 1959 deri 1976, ai u la në profesion të lirë ku u mor me kompozime të ndryshme, krijime këngësh për koncertet e majit dhe festivalet kombëtare, pjesësh muzikore për violinë, duke pasuruar kështu fondin kombëtar të RTSH-së.

Dëshiroj të theksoj që prishja e marrëdhënieve me BS-në, shkaktoj një termet ekonomiko – psikologjik edhe për violinistin më të famshëm të kombit tonë, Pjeter Gacin. Ai u bë viktimë e egërsisë, terrorit e hakmarrjes komuniste. I parë si “filo-rus”, pedagogu i Liceut Pjeter Gaci u dërgua dhunshëm në Kavajë si ushtar i thjeshtë duke braktisur familjen, gruan dhe prindërit pleq që jetonin së bashku në Tiranë. Ishte zemërgjerësia, por edhe simpatia për kulturën dhe talentin e virtuozit “ushtar”, që e shtyu Gjeneralin Abaz Fejzo për ta ndihmuar në heshtje Pjetrin “për ti ruajtur duart e gishtat e artë që prodhonin muzikë” duke e vendosur atë në bibliotekën e shtëpisë së ushtarakëve në Durrës. Nën presionin e ngjarjeve të kohës dhe shtetit diktatorial, Tamara kërkon shtetësinë shqiptare. Me marrjen e shtetësisë, partia vendosë të kthejë Pjetrin në gjirin e familjes duke e liruar nga ushtria para kohe.
Pat edhe njerëz që na deshën dhe që u përpoqën të na ndihmonin (por duke na qëndruar larg), me tregon gjatë bisedës tonë gruaja e shumëvuajtur Tamara Gaci. Një herë një nëpunës i lartë në ministrinë e arsimit (Ma.Ba) e këshillon Pjetrin, fshehtas në një cep rruge, që të largohet nga Tirana, pasi është në qendër të vemendjess ë ekzekutivit. Ndër kohë që presioni politik mbi artistin shtohej, Tamaren e largojnë nga puna në radio Tirana dhe e dërgojnë në repartin e sixhadeve të ndërmarrjes Migjeni, ndërsa Pjetrin për ta pasur “nën kontroll”, e komandojnë në Vlorë. Edhe ndër këto momente frikë dhe denigrimi, humori i Pjetrit nuk u shterrua. Janë të njohura batutat me të cilat ai i përgjigjej ndonjë provokatori apo ndonjë miku që mundohej ta ngushëllonte. Kur kuadrot e partisë në Vlorë, ku Pjetri nuk ndjehej mirë, e këshillonin të mos largohej por të qëndrojë aty, Pjetri i përgjigjej me humorin e tij plot sharm…..Nuk kam si rri ktu! …A keni ndi ndoj herë qi ka ndonji lab nga Shkodra?

Shkodra ishte qyteti ku familja Gaci, në vitin 1976, vendos të transferohet për të(mbi)jetuar, mbasi ndjeheshin më mirë, ishin në mesin e njerëzve që i njihnin dhe i vlerësonin, në mes të familjarëve, që ja zbutnin sadopak dhimbjen shpirtërore bashkëshortëve. Megjithatë edhe këtu rrethi dhe takimet me njerëzit ishin të kufizuar. Shpesh herë i duhej të bënte sikur nuk i shikonte shokët apo miqtë që i kalonin pranë. Një herë – tregon Tamara¸ u përballëm me Doktor Sandër Ashtën i cili po vinte përballë nesh bashkë me gruan e tij. Kur na pau, nga gëzimi, hapi krahët dhe me za të lartë e mall filloj të gëzohej për këtë takimin. Pjetri, i cili kishte vërejt nga krahu tjetër i rrugës, një“tip partiak” nuk reagoj, por i kaloj afër duke i pëshpëritur: ….largohu Sandër, kalo se nuk asht mire të më takosh, …sapo kam ra prej fikut….. e mund të jetë keq për ty….Doktori me shpirtmadhësinë që e karakterizonte, duke e marrë në krahë Pjetrin i thotë:….. ku e merr atë fat,……me na ra fiq puca si ti në Shkoder.

Në Shkoder,Pjetri filloj të punonte si pedagog i violinës në shkollën e muzikës ndërsa Tamara si llogaritare në Befetrof-in (Shtëpia e foshnjës) e qytetit. Gjendja e rëndë shpirtërore e muzikantit nuk i linte hapësirë për frymëzimin e domosdoshëm për një kompozitor. Një ditë – kujton Tamara, ai erdhi shumë i tronditur nga rruga. Nuk e kuptova se çka kishte ngjarë, por mu drejtua me këto fjalë:…….Unë jam gjallë, por Pjeter Gaci ka vdekë…

Vështirësitë e mëdha ekonomike e izoluan artistin nga rrethet e larta të artit, ku homologet e tij, jo aq për merita se sa si servile të politikës së kohës, gëzonin favore të pamerituara. Edhe pse i varfër dhe i lënë në harresë, ai ishte kurdoherë dinjitoz dhe nuk pranoj kurrë të lëpijë kockat e diktaturës, që disa nga ish studentët e Moskës, i kishin gëdhtitur me kohë. Madhështia e veprave e puna e pashembullt e tij, penguan më të rëndën, burgun politik. Lufta e klasave, por më shumë keqdashja dhe ambicia në mes kolegësh, sollën shumë viktima¸ ndër to edhe burgosjen e super talentit Luk Kaçaj. Për asnjë moment, Tamara, nuk vërejti tek Pjetri “lodhjen” apo “ftohjen” bashkëshortore, si rezultat i presionit e intrigave të klanit të muzikantëve të kuq.

Ndërrimi i sistemeve nuk solli ndonjë ndryshim të madh në jetën e artistit tonë. Puna me nxënësit mbetej kënaqësia e vetme e jetës artistike për Pjeter Gacin. Shpesh i thoshte shokëve ”.. do ti dërgoj Tiranës dy talente shpërthyes që do të zotërojnë skenën kombëtare…Lorenc Radovanin dhe Elisabeta Qyrsaqin Dodmasej… “

Ekonomikisht, Pjetri merrte një pension prej 8800 lekësh që nuk i plotësonte as nevojat për “cingare partizani”. Ai, për të plotësuar nevojat e familjes, u detyrua të shesë pianon, mjetin e vetëm të punës që ishte gjysma e shpirtit të tij. Për të mbijetuar përpiqej të bënte punë dytësore duke u aktivizuar në projekte të ndryshme artistike në qytet, por edhe kombëtare. Kohën e lirë e kalonte në natyrë ku gjente edhe burimin e frymëzimit. Peshkimi ishte hobby i tij, por edhe kontakti me shokë e miq. Kalonte shumë kohë me kallamin e tij së bashku me artistët Danish Jukni e Ferid Kola, ndër brigjet e Velipojës apo të liqenit. Tamara më tregon që:….nga dëshira për me pasë një mjet ma të sofistikuem në gjuetinë e peshkut, Pjetri kishte ndertue (projektue) vetë MAKINETEN të cilën ja realizuan miqtë e tij mekanikë në ofiçinën e NSHRAK-ut.

Fliste gjithnjë me simpati për shokët e tij Rifat Teqja, Gjon Simoni, Gasper Curcia, Nikolla Zoraqi, Pavlin Shtjefnin e Zef Coben. Kujtonte shpesh me nostalgji miqësinë me piktorin Guri Madhi, dekanin e fakultetit të historisë Ali Ostrenin, tenorin Latif Hoxha, kompozitorin Tonin Harapi, piktorin Kel Kodheli. Me Kel Kodhelin që ishte komshi i tij (në Tiranë), Pjetri kishte shumë episode humori. Tregojnë që Keli të gjithë bisedat i fillonte tuj përmendë gruen e tij Rozen, gjë qi e bezdiste shumë Pjetrin:….Po lene Rozen, të paktën një ditë, pa e përmendë he burrë…!!! i lutej ai. Vjen rasti me ly apartamentin e Pjetri tuj kenë që ishte Dalton e nuk dallonte ngjyrat, i kërkon ndihmë Kelit që si piktor ti jepte nji ide bojaxhiut për ngjyrën e dhomës së gjumit…. Keli që priste me u “hakmarrë” me Pjetrin që nuk mund të ja duronte Rozen e pranon kërkesën…

Kur vjen në shtëpi, Pjetri e gjen dhomën e ndejës të lyer me një ngjyrë rozë që nuk i pëlqeu. Po çka asht kjo marri mor Kel, as unë e as grueja nuk jena “tipa rozë” , a nuk kishte ndoj ngjyrë tjetër?
Keli: … provoje edhe ti se cka don me thanë me ndejë tanë kohën vetëm me Rozen….

https://www.youtube.com/watch?v=ycKKp3y9Ejg

Nuk mund të la pa treguar historinë e këngës PER TY ATDHE. …kishim dalë për nji udhëtim pune ndër malet Kacinarit në Pukë ku malësorët me nderim e respekt po na pregaditshin ca gatime tradicionale që më mrekulluan, tregon Tamara Gaci. Pjetri kishte hypë mbi një shkëmb të naltë ku shihej krejt lugina dhe po shijonte pamjen madhështore që i hapej përpara. ….Eja i thashë, se dona me hanger drekën. Knaqnju ju tuj hangër speca të mbushun, se unë e kam gjetë vendin me u knaqë. Prej ktu ku jam shoh tanë Shqipninë. Unë me të tjerët u ulem në tryezën e shtruar për drekë, ndërsa Pjetri mbasi ndenji një copë herë i fiksuar nga pamja mahnitëse, u zhduk në dhomën e hotelit për 4 orë rresht. Unë e dija, ai po shkruante diçka. Më vonë, ai doli nga dhoma duke tundur në duar shënimet e kompozimit të këngës Për Ty Atdhe e duke më thënë i gzuem:….ky do të jetë hymni që i kam kushtue atdheut¸ ka për të pasë jetën gjatë….

Mjeshtri Pjeter Gaci, i la kombit te vet një trashëgimi të madhe. Rreth 500 krijime, 45 vepra muzikore, koncerte për violinë apo tabllo koreografike, romanca, disa opera nga të cilat 7 u vlerësuan me çmime, rreth 175 këngë ndër to 45 fituan çmime. Ishte laurant i çmimit Naim Frasheri kl I, çmimit Flamuri i kuq i punës kl. II, titujve:Artist i Merituar, Artist i Popullit, Çmimit të Republikës kl. I, Nderimit …Krenaria e Dajcit. Edhe pse pat një aktivitet të gjatë e të suksesshëm, ai vdiq i varfër aq sa edhe për shpenzimet e varrimit ndihmuan miqtë e tij, jashtë kujdesit të një shteti që i mori çdo gjë.
Në të vërtetë ai me muzikën e tij hymnizoj jo vetëm atdheun, por edhe dashurinë për gruan e tij Tamaren, e cila për Pjetrin kishte të njëjtën madhështi. Qëndresa e Tamares ndaj vështirësive, diskriminimit, përndjekjes, sjelljes arrogante të shtetit; mëndyra se si ajo grua nuk lëshoj asnjë fjalë ankese që ti prishë frymëzimin apo gjendjen shpirtërore bashkëshortit, i ngjan shumë atdheut tonë Shqiptar. Ajo qëndroj si vigane dhe e papërkulur në rrebeshet e jetës që kaloj, pa humbur asnjë çast dashurinë për familjen e saj./KultPlus.com

“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale”

Disa thënie të mrekullueshme për librin.

“Ja pra, këtë mrekulli të bëjnë librat: Të lejojnë të udhëtosh, pa i lëvizur fare këmbët” –Jhumpa Lahiri

“Nëse lexon vetëm librat që po lexojnë gjithë të tjerët, prit që të mendosh vetëm ato gjëra që mendojnë gjithë të tjerët” – Haruki Murakami

“Njeriu, qoftë ai zotëri apo zonjë, që nuk gjen kënaqësi në një roman të bukur, duhet të jetë padyshim idiot i patolerueshëm” – Jane Austen

“Një libër i madh duhet të të lërë me përjetimin e shumë përvojave dhe pakëz të lodhur në fund. Sepse ti jeton shumë jetë ndërsa lexon” – Uilliam Styron

“Gjithmonë lexo diçka që do të të bëjë të dukesh mirë, nëse vdes në mes të leximit” – P. J. O’Rourke

“Ka krime më të këqia se sa djegia e librave. Një prej tyre është mosleximi i tyre” – Joseph Brodsky

“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale” – Mark Tuein

“Përrallat janë më se të vërteta: jo sepse na thonë që dragonjtë ekzistojnë, por sepse na tregojnë që dragonjtë mund t’i mposhtësh” – Neil Gaiman

“Nëse ka një libër që do të doje ta lexoje, por nuk është shkruar ende, atëherë duhet ta shkruash ti vetë” – Toni Morrison

“Miku më i mirë është ai që më jep një libër që nuk e kam lexuar” – Abraham Lincoln

“Mendo para se të flasësh. Lexo para se të mendosh” – Fran Lebovitz

“Librat janë avioni, treni dhe rruga. Ata janë destinacioni dhe udhëtimi. Janë shtëpia” – Anna Quindlen

“Lexova një libër një ditë, dhe e gjithë jeta më ndryshoi” – Orhan Pamuk

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt” – Marcus Tullius Cicero

“Dikur njerëzit çmendeshin duke lexuar libra, tani çmenden para pasqyrës” – Hegel

Myrvete Kurtishi merr Çmimin për Vepër Jetësore (FOTO)

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit sot në Ditën Botërore për Teatër ka ndarë çmimet vjetore për teatër, shkruan KultPlus.

Çmimi për vepër jetësore iu nda aktores Myrvete Kurtishi, ndërsa Çmimi për shfaqjen më të mirë Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” të Fatos Berishës. Çmimi për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se këto çmime janë ndarë nga një juri shumë profesionale për të shpërblyer artistët që kanë kontribuar në aktivitetet e teatrit.
“Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi vazhdimisht në përkrahjen e juaj në vazhdimësi edhe përmes ndarjes se çmimeve vjetore por edhe përmes rrugëve të tjera alternative që të keni mbështetje të krijimtarisë tuaj”, u shpreh ministri Gashi, i cili më tutje i uroi të gjithë aktorët që po e mbajnë gjallë kulturën dhe teatrin.

Myrvete Kurteshi, mes emocionesh të shumta pranoi Çmimin për Vepër Jetësore ndërsa tha se për gjithsej dyzetë vite ka pritur për këtë çmim.

“Ndoshta kisha dalë para një mijë personash për ta dhënë shfaqjen, pa mu dridhur duart dhe goja por kjo është sakrifica ime për dyzetë vite”,u shpreh Myrvete Kurtishi, e cila falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur gjatë gjithë karrierës së saj për katër dekada.
“Falënderoj edhe publikun tim i cili më ka rrit, më ka kriju, më ka frymëzu dhe më ka pru deri në këtë moment që t’i fitoi këto ”, tha ndër të tjera aktorja.

Çmimet janë ndarë nga juria e përbërë nga Vlora Nikçi, Luan Daka, Nëntor Fetiu, Mirsad Ferati dhe Liridon Cahani. Luan Daka, përfaqësuesi i jurisë tha se dhjetëra role të shkëlqyeshme të aktores Kurteshi në Teatrin e Gjakovës dhe në teatro të tjera e bëjnë atë bartëse të denjë për çmimin për vepër jetësore.
Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” me regji të Fatos Berishës. Fetah Paçarizi, Drejtori i Teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” derisa pranoi këtë cmim falendëroi ministrinë dhe jurinë për ndarjen e këtij çmimi, e veçmas Fatos Berishën, regjisorin e shfaqjes “Armiku i Popullit”. Regjisori Fatos Berisha tha se është nder i madh që ta pranoi këtë çmim.
“E falënderoi Teatrin e Prizrenit që ma ka dhënë mundësinë së pari, për mua si regjisor dhe ideator i projektit, ky është gëzimi më i madh por mendoj që falënderimi duhet të shkoj për gjithë ekipin e shfaqjes”, u shpreh Berisha sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Çmimi për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”. Duke qenë se regjisori Bekteshi vjen nga Shkupi, ai tha ky çmim përveçse e gëzon atë përmban një simbolikë shumë të rëndësishme se MRKS, hapësirën kulturore shqiptare e sheh si tersi.
“E falënderoj jurinë profesionale dhe nuk mund mos ta falënderoi edhe drejtorin e Teatrit të Prizrenit, Fetah Paçarizin me të cilin çdo herë që bëj shfaqje, e dëshmon se është një menaxher i jashtëzakonshëm. Është hera e dytë që unë punoj në Teatrin e Prizrenit dhe është hera e dytë që shpërblehem”, u shpreh Bekteshi./ KultPlus.com

“Kaligula” e Kamyt, me regji të Kushtrim Koliqit jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Sot më 27 Mars, pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provën e parë për shfaqjen “Kaligula” nga Alber Kamy në regji të Kushtrim Koliqit.

Shpesh konsiderohet si drama më e fuqishme e Kamysë e cila në qendër të saj ka Perandorin romak që udhëhoqi Romën e që njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij. Drama “Kaligula” është një kryevepër e artit teatror e cila pritet të vijë në maj të vitit 2018 si Premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Kjo dramë mbetet aktuale për teatrin dhe mendimin e sotëm botëror, kjo ndodh sepse në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjendja e njeriut në revoltë të përhershme mund ta shpëtojë një shoqëri, duke sjellë ndryshimin apo progresin e vazhdueshëm të saj. Është një temë universale, për gjithë shoqërinë njerëzore, për të gjitha sistemet, pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por edhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, ka nevojë për një revoltë qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik. Ky mesazh i Kamysë vlen dhe për shoqërinë tonë së cilës shpesh i mungon shpirti dhe koncepti i revoltës qytetare, madje edhe kur na preken të drejtat dhe liritë themelore të jetës dhe ekzistencës sonë.

“Kaligula” është projekti i parë i skenës së madhe i propozuar nga Udhëheqësi Artistik Agon Myftari dhe i aprovuar nga Këshilli Drejtues i TKK-së për vitin 2018. Sonte gjithashtu, përveç fillimit të një procesi të ri, TKK shënon 27 Marsin, pra ditën botërore të teatrit edhe me një reprizë të shfaqjes “Të harruarit” me koncept dhe regji nga Shkurtë Aliu me ç’rast lexohet mesazhi i ditës botërore të teatrit. Trupa e shfaqjes “Kaligula” përbëhet nga: Regjisor: Kushtrim Koliqi, Dramaturge: Jazna Zmak, Skenografia: Petrit Bakalli, Kostumet: Njomza Luci, Kompozitor: Trimor Dhomi, Ass. Regjie: Rebeka Qena

Ndërsa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Melihate Qena, Ard Islami, Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Armend Baloku, Allmir Suhodolli./ KultPlus.com

13 mijë dollar për Bekim Lumin nga koncerti në New York (VIDEO)

Përveç shumë iniciativave të miqve të regjisorit Bekim Lumi në Kosovë edhe miqtë e regjisorit të cilët jetojnë dhe punojnë në New York mbrëmë kanë mbajtur një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin, shkruan KultPlus.

Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani, e të tjerë janë bërë së bashku për të ndihmuar artistin.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë vendimin që ti ndihmojnë artistin. Përmes koncertit dhe aktiviteteve të tjera artistike, këta artistë kanë arritur që të mbledhur 13 mijë dollarë për të ndihmuar shërimin e regjisorit Lumi.

KultPlus ju sjellë disa pjesë nga ky koncert i mahnitshëm, ku shihet se kanë performuar artisët e njohur që tash e sa kohë po zhvillojnë veprimtarinë e tyre artistike në New York.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj./ KultPlus.com

“Teatri vazhdimisht rilind nga hiri i vet”, porosia në Ditën Botërore të Teatrit

Shkruan: Isabelle Huppert
Përktheu: Anita Latifi

Ja ku jemi edhe një herë. U mblodhëm sërish në pranverë, 55 vjet pas takimit tonë inaugurues, të shënojmë Ditën Botërore të Teatrit. Vetëm një ditë, 24 orë, i janë dedikuar kremtes së teatrit kudo nëpër botë. Nga Parisi mund të bartemi në Japoni të përjetojmë teatrin No dhe Bunraku; të projektojmë linjën e mendimeve dhe shprehjes aq diverse si Opera e Pekingut dhe Kathakali; të ndalemi mes Greqisë dhe Skandinavisë duke u mbështjellë me Eskilin dhe Ibzenin, Sofoklenë dhe Strindbergun; të fluturojmë mes Britanisë dhe Italisë, mes Sarah Kejn dhe Prinadellos. Brenda këtyre 24 orëve ne mund të shkojmë nga Franca në Rusi, nga Rasini dhe Molieri tek Çehovi, të kalojmë Atlantikun dhe në një kamp në Kaliformi, ku të rinjtë sërish zbulojnë teatrin.

Sepse teatri vazhdimisht rilind nga hiri i vet. Ai është një konventë të cilën duhet shembur vazhdimisht. Në këtë mënyrë ai ngelet i gjallë. Teatri ka jetë të begatshme të nxitur nga hapësira dhe koha. Pjesët bashkëkohore ushqehen nga shekujt e të kaluarës, repertorët më klasik shndërrohen në modern sa herë që rivihen.

Dita Botërore e Teatrit gjithsesi nuk është një ditë në kuptimin e zakonshëm të përditshmërisë tonë. Ai sërish ngjall një hapsirë-kohë gjigante, dhe që të flas për hapsirë-kohë do të desha të kujtoj një dramaturg francez, sa gjenial aq edhe diskret, Zhan Tardje. Sa i përket hapësirës, ai pyet “cila është rruga më e gjatë nga një pikë në tjetrën…” Sa i përket kohës, ai sugjeron “të matet me të dhjetat e sekondës koha e nevojshme për të thënë fjalën ‘përjetësi’.” Për nocionin hapsirë-kohë ai e thotë edhe këtë: “Para se të bini në gjumë, imagjinoni dy pika në hapësirë dhe kalkuloni sa kohë ju duhet, në ëndërr, të arrini nga njëra deri te tjetra.” Do ta ruaj frazën “në ëndërr”. Duket sikur janë takuar Zhan Tardje dhe Bob Uillson. Mund të rezymojmë Ditën tonë Botërore të Teatrit duke kujtuar fjalët e Samjuell Beket, i cili bën personazhin e Uinit të shprehet në stilin e tij të rrufeshëm: “Oh, sa ditë e bukur do të kishte qenë.”

Duke menduar për porosinë që duhet të përcjell, kujtova të gjitha ato ëndrra nga gjithë ato skena. Andaj, më duhet të them që unë nuk kam ardhur vet në këtë sallë të UNESCO-s; të gjitha personazhet që i kam interpretuar janë me mua dhe të gjitha rolet që duket sikur ikin në momentin që lëshohet perdja, por të cilët vazhdojnë të bëjnë një jetë nëntokësore brenda meje, duke pritur të ndihmojnë ose të shkatërrojnë rolet që do të vijnë pas tyre; Fedra, Araminta, Orlando, Heda Gabler, Medea, Mertej, Blansh Diboa…. Më ndjekin edhe të gjitha personazhet të cilat i kam dashur dhe u kam duartrokitur si spektatore. Andaj unë i takoj mbarë botës. Unë jam greke, afrikane, siriane, venedikase, ruse, braziliane, persiane, romake, japoneze, njujorkase, filipine, argjentinase, norvegjeze, koreane, gjermane, austriake, angleze – një qytetare e vërtetë e Botës.

Në Ditën Botërore të Teatrit më 1964, Lorens Olivie deklaroi se pas përpjekjeve mbi një shekullore, në Mbretërinë e bashkuar u themelua Teatri Kombëtar, për të cilin ai shpresonte se do të jetë një teatër ndërkombëtar, së paku sa i përket repertoarit. Ai e dinte mirë që Shekspiri i takon botës. Duke bërë hulumtime për të shkruar këtë mesazh, mësova që në vitin 1962 në inaugurimin e Ditës Botërore të Teatrit, përcjellja e mesazhit iu besua shkrimtarit Zhan Koktou, autorit të librit ‘Rreth botës përsëri për 80 ditë’. Kjo më bëri të kuptoj që unë kam udhëtuar nëpër botë në një mënyrë ndryshe, përmes 80 shfaqjeve apo 80 filmave. Po e përmendi filmin sepse për mua nuk ka dallim aktrimi në teatër dhe ai në film, dhe sa here që e them këtë nxis habi, por është e vërtetë. Unë nuk shoh dallim mes tyre.

Derisa flas tani, unë nuk jam vetja, unë nuk jam aktore, unë jam vetëm një nga shumë njerëz të cilët teatri i shfrytëzon që të vazhdoj të ekzistojë. Dhe kjo është detyra ime. Dhe nevoja ime. Teatri nuk ka nevojë për ne, më shumë mund të thuhet se ne ekzistojmë falë tij. Teatri është shumë i fuqishëm. Ai i reziston gjithçkaje, mbijeton mbi gjithçka: luftërat, cenzurat dhe mungesën e mjeteve.
Mjafton të thuhet se “skena është bosh, koha e pacaktuar” – dhe të hyj aktori në skenë. Ose aktorja. Çka do të bëjnë ata? Çka do të thonë? A do të bisedojnë? Publiku po pret, do ta kuptojë së shpejti – publiku pa të cilin nuk ka teatër – kurrë mos e harroni këtë. Një person i vetëm në sallë është publik. Por, të shpresojmë që nuk do të ketë shumë ulëse boshe në sallë! Shfaqjet e Ioneskut janë gjithmonë plot. Në fund të një pjese të shkruar nga ai, një zonjë e moshura thotë: “Po, po, të vdesim në lavdi. Le të vdesim që të hyjmë në legjendë…. Së paku do të kemi rrugët që do të mbajnë emrat tanë …”

Dita Botërore e Teatrit ekziston tani më 55 vjet. Brenda këtyre 55 viteve unë jam gruaja e tetë e ftuar të dërgoj porosinë – nëse fjala porosi është me adekuatja. Paraardhësit e mi (oh, si imponohet bota mashkullore) flasin për teatrin e imagjinatës, lirisë dhe origjinalitetin duke evokuuar të bukurën, multikulturalizmin dhe duke parashtruar pyetje që s’kanë përgjigje. Në vitin 2013, vetëm para 4 viteve, Dario Fo tha: “Zgjidhje e vetme për krizën ngelet shpresa që kundër nesh dhe në veçanti kundër të rinjve të cilët dëshirojnë të mësojnë mjeshtërinë e teatrit, të ndërmerret një përndjekje e madhe: një diaporë e re artistësh të teatrit, të cilët, prej këtij përjashtimi, pa dyshim, do të nxjerrin përfitime të paimagjinueshme në favor të një rishfaqjeje të re.” Përfitime të Paimagjinueshme – tingëllon si një formulim i bukur, që meriton të përfshihet në retorikën politike, apo jo?

Pasi që gjendem në Paris në prag të zgjedhjeve presidenciale, u apeloj atyre që do të marrin pushtetin të jenë koshient për përfitimet e paimagjinueshme që sjell teatri. Por, kujdes, pa përndjekje të shtrigave!
Teatri për mua paraqet atë Tjetrin, ai është dialog, mungesë urrejtjeje. “Miqësi mes popujve” – nuk jam shumë e sigurte çka nënkupton kjo, por unë besoj në bashkësi, në miqësi mes publikut dhe aktorëve, në unitetin e të gjithë atyre që teatri i bashkon – atyre që e shkruajnë, atyre që e përkthejnë, atyre që e ndriçojnë, veshin, dekorojnë, atyre që interpretojnë dhe publikut. Teatri na mbron; na strehon… Besoj që teatri na don… aq sa ne e duam atë….
Kujtoj një regjisor me të cilin kam punuar, i cili para se të hapej perdja në mbrëmje, uluriste ‘Hapni rrugë për teatrin!’ – dhe këto do të jenë fjalët e mia për fund./ KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.

Shënimi i kësaj dite bëhet nga rreth njëqind qendra të INT-së.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./ KultPlus.com

Muzika shqiptare do të përfaqësohet në festivalin “Ditët e Muzikës Maqedonase”

Artistë shqiptarë do të performojnë sonte në Days of Macedonian Music Festival Shkup, që do të mbahet në Muzeun e Shkupit, shkruan KultPlus.

Koncerti me muzikë kamertale do të interpretohet nga trio e instrumentistëve Merita Rexha- piano, Arben Llozi- violë dhe Jonela Golemi- flaut. Artistët do të interpretojnë vepra nga kompozitorët shqiptarë dhe maqedonas: Endri Sina, Goce Kolarovski, Tome Manchev, Shpëtim Kushta, Dorian Cene Çene, Boris Svetiev, Arbana Fejzo.

Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në këtë festival realizohet falë bashkëpunimit të Shoqatës së Kompozitorëve Shqiptarë (A.C.A) dhe Shoqatës së Kompozitorëve Maqedonas SOKOM. Ky bashkëpunim ka nisur në vitin 2016, në Balkan Contemporary Music Festival, mbështetur nga Ministria e Kulturës . Koncerti i artistëve shqiptarë është vazhdim i shkëmbimeve dhe pjesëmarrjeve të përbashkëta.

Koncerti do të filloi sonte nga ora 20: 00, në Museum of the City of Skopje./ KultPlus.com

“Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis dënon gjuhën seksiste të Prorektores së Universitetit Publik të Prishtinës, znj. Teuta Pustina – Krasniqi, e cila justifikoi ngacmimet seksuale brenda Universitetit Publik në një deklaratë për media, duke i fajësuar studentet për mënyrën e veshjes së tyre, sipas të cilës, kjo është një prej arsyeve pse ndodhë ky fenomen në universitet.

“Por një porosi thotë për gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrativ ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat. Prandaj i apeloj vajzat e reja që janë një pjesë e një institucioni shumë serioz, në të cilin kryhen ligjërata nga profesorë dhe asistent, për këtë duhet të respektojnë kodin e veshjes”, kishte potencuar Prorektorja.

Ne si organizatë jemi mjaftë të shqetësuar, pasi e kemi përcjellë nga afër gjendjen e Ngacmimeve Seksuale në Universitetet Publike të Kosovës (Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Gjakovës, Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Prizrenit), madje përshkak të nevojës për t’u adresuar kjo problematikë kemi nxjerrë edhe raportin që adreson këtë fenomen “Adresimi i Ngacmimeve Seksuale në Universitetin Publik”.

Duke bashkëndje me të gjitha storiet që janë ndarë me neve gjatë përpilimit të raportit, jemi fuqimisht kundër riviktimizimit dhe tendencave mospërfillëse të zyrtarëve të Universitetit Publik rreth adresimit të këtyre rasteve.

Sipas raportit të kompletuar, gjatë intervistave me studentet, ato kanë pretenduar të jenë në dijeni të shfaqjes së rasteve të ngacmimit seksual, por ato nuk i raportojnë sepse nuk i besojnë institucionit. Ka pasur raste që studentët janë bindur të mos i çojnë rastet më tej për shkak të pasojave të mundshme akademike dhe personale.

Apelojmë që Universiteti Publik të distancohet nga kjo deklaratë dhe të marr masat e duhura karshi gjuhës seksiste të Prorektores, duke e shkarkuar znj. Pustina – Krasniqi nga të gjitha detyrat zyrtare brenda rektoratit. Njëherësh, kërkojmë që Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit.

Në këtë mënyrë, me vazhdimin e miratimit të ngacmimeve seksuale – duke fajësuar viktimat dhe duke mbështetur mite të dhunës seksuale, e të ngacmimeve, vetëm se shfajësohen agresorët dhe mirëmbahet toleranca ndaj dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale. Universitetet Publike duhet të krijojnë mekanizma që do të shërbejnë për t’i mbështetur studentët për ta raportuar ngacmimin seksual tek personat kompetentë, e jo t’ua zbehin ende më shumë besimin tek këto institucione./ KultPlus.com

Damir Sagol, fitues i “Istanbul Photo Awards 2018”

Në “Istanbul Photo Awards 2018”, juria ndërkombëtare e mbledhur në Stamboll, caktoi 27 fotografë nga 22 shtete si fitues të çmimeve.

Çmimin “Fotografia e vitit” e fitoi fotografia e titulluar “Fëmija”, e fotoreporterit boshnjak Damir Sagol, të cilën e ka realizuar në kampin ku ndodhen refugjatët myslimanë Rohingya në Bangladesh.

Kevin Frayer fitoi çmimin e parë në kategorinë e “lajmit seri”, me fotografinë e titulluar “Rohingya” të shkrepur për Getty Images.


Lukas Schulze me fotografinë “Notues apo peshk?”, ka fituar çmimin e parë në kategorinë “sport tek”, ndërsa Pavel Volkov mori çmimin e parë për kategorinë “sport seri” me fotografitë e titulluara “Historia e Talait” e shkrepur për ”Vechernaya Moskva Newspaper”.
Muhamed Fathil Asri me fotografinë e realizuar për ”New Straits Times Press” ka fituar çmimin e parë në kategorinë “Natyrë dhe Mjedis tek”, kurse në kategorinë “Natyrë dhe Mjedis Seri” Marcus Yam fitoi çmimin e parë me fotografitë e shkrepura për ”Los Angeles Times”.

Andrew McConnell ka marrë çmimin e parë në kategorinë “portret seri” me fotografitë e shkrepura për Panos Pictures, ndërsa në kategorinë “Jeta e Përditshme Seri” fitues i çmimit të parë është fotografi rus Sergei Stroitelev.
Këtë vit çmimi për Fotografin e Ri të moshës nën 28 vjeç iu dha fotografit nga Filipinet, Ezra Acayan.

Rodrigo Cabrita këtë vit ka fituar çmimin e parë në kategorinë “Natyrë dhe Mjedis seri”, kurse Anastasia Rudenko çmimin e nderit në kategorinë “Jeta e Përditshme Seri”.

Fotografitë të cilat fituan çmime në “Istanbul Photo Awards”, do të përfshihen në albumin vjetor të këtij konkursi, kurse do të takohen me publikun në ekspozitat që do të hapen jashtë vendit. /ATA/KultPlus.com

Intervistë e rrallë e Hasan Prishtinës e vitit 1912

Nga Gjon KEKA

Rastësisht duke kërkuar diçka krejt tjetër e gjeta këtë intervistë me atdhetarin dhe politikanin shqiptar Hasan Prishtina e që ndoshta është me interes për lexuesit shqiptar.
Kjo intervistë është zhvilluar në Prishtinë më 25 korrik 1912 nga Baron E. Winder-Kriglstein,për gazetën“ Neue Freie Presse” e që është botuar më 3 Gusht,1912.( Neue Freie Presse, 3.August 1912, faqe 3,Nr.17221)

Bashkëbisedim me Hasan Bej
Titulli – Raport origjinal nga kryengritja shqiptare.

Autori i kësaj interviste të realizuar me Hasan Prishtinën e fillon me një përshkrim mbi organizimin feudal të Shqipërisë, historikun e saj qysh nga mesjeta e deri sot ,bajraktarizmin defektet tjera e deri të gjakmarrja.Poashtu autori nuk lë pa e përmendur edhe heroin Gjergj Kastrioti sikur që nënvizon. „Dora e fortë e një udhëheqësi të njohur si heroi kombëtar Skënderbeu gati 500 vjet më parë, mungon.Fatëkeqësisht Shqipëria ka shumë Politikan ,por jo ushtarakisht dhe diplomatikisht të shkolluar…“
Pastaj vazhdon me përshkrimin e karaktereve si në aspektin politik ashtu edhe luftarak të disa kryengritësve si Riza Bej,Bajram Curri-Bej dhe Hasan Bej Prishtina. Dhe kështu nis si më poshtë intervista e realizuar me Hasan Bej Prishtinën:
Hasan Bej: Ju nuk besoni se sa i lumtur jam që po shoh këtu një publicist europian. Qëndroni me ne për një kohë të gjatë. Ne duhet të kemi dikë që informon shtypin në mënyrë të paanshme. Ne dëgjojm këtu vetëm atë që raportohet nga burimet turke për ne.Çdo javë jemi në beteja të përgjakshme me ushtrinë turke. Tani mund të shikoni vetë se pavarësisht nga humbjet e supozuara,shqiptarët tanë janë 25.000 metra larg qytetit dhe kanë marrë të gjitha pikat e Shqipërisë së Veriut.Gjakova, Mitrovica, Prizreni, Vushtrria dhe Prishtina ranë në duart tona, kryesisht pa u ballafaquar, por me anë të manovrave të thjeshta, garnizonin e kapitulluan – por jo, siç thonë ata, për arsye të brendshme politike, por thjesht sepse ata e kanë patur parasysh me javë, se lëvizja jonë është e përgjithshme dhe se suksesi ushtarak kundër nesh nuk është më për t’u shpresuar. Vetëm komandanti i Pejsë mbetet ende, sepse për momentin nuk kemi nevojë për këtë pikë, të cilën e kemi hequr nga çdo lidhje dhe disa qindra shqiptarë janë plotësisht të mjaftueshëm për të parandaluar largimin e tij. Presim nga ai që në ditët në vijim ai të na dërgojë negociatorë për të ofruar dorëzimin e tij. Tani ju lutem më tregoni se çfarë duhet të shpjegoj tjetër. Ju me siguri keni pyetje për të bërë.
Unë:Cili është programi juaj?A keni tashmë pikëpamje të qëndrueshme dhe të palëvizshme për kërkesat tuaja ose suksesi ka ardhur aq befas edhe pse ende nuk keni gjetur kohë për të patur ujdi ?

Hasan Bej:Nuk kemi nevojë tani të flasim për kërkesa.Përderisa turqit nuk hyjnë në lojë koha e programit është e mbauar. Çfarë përdorimi do të kishte një program që është arritur pa diskutim nga turqit dhe premtimet e të cilave janë të pazbatuara dhe kryesisht të paarritshme. Ne e dimë mirë karakterin e vendit tonë, kështu që nuk kemi më iluzione. Mund të bashkohemi vetëm nën presionin e një rreziku gjithnjë kërcënues. Pse nuk duhet të bëhemi Republikë, siç është Zvicra? Atje quhen kantone, këtu quhen Fise, dhe historia jonë, kushtet gjeografike të atdheut na përcaktojnë që ta bëjmë këtë….

Unë:Ju e dini, se çfarë kemi biseduar sot. Ju njëzëri thatë në Kuvend se ligjet turke janë të papranueshme për Shqipërinë, sepse ata injorojnë veçoritë e popujve të ndryshëm… Një ligj që është i shkëlqyeshëm në Bagdad mund të jetë ende në Anatolia – por është e pamundur për Rumelinë dhe tallje për Shqipërinë. Bukur dhe mirë. A nuk mendoni se një formë e qeverisjes si ajo e Zvicrës kërkon një shkallë aq të lartë të disiplinës politike dhe të kulturës së përgjithshme saqë do të krijonte një konfuzion të tmerrshëm nëse Shqipëria papritur do të bëhej autonome?

Hasan Bej:Sigurisht! Ne do të duhet të durojmë një periudhë trazire të brendshme, nuk ka dyshim për këtë.Të gjithë jemi të lodhur nga lufta. Vetëm mendoni, ne kemi qenë duke luftuar turqit që tridhjetë vjet e gjysmë dhe prej katër vjetëshë mundohemi me dhimbje për një vendim. Nëse marrim nesër autonominë, ne do të jemi të lumtur që të vendosim administratën tonë për disa vite, të regjistrojmë ligjet tona të pashkruara dhe të bashkëpunojmë me vullnetin më të ndershëm. Ne nuk njohim asnjë grindje fetare, asnjë fis katolik, ortodoks apo musliman kurrë nuk ka qenë në grindje. Duke krijuar një gjuhë të përbashkët të shkruar dhe duke përdorur kapitalin e huaj, ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë shkolla, të ndërtojmë rrugë dhe të përhapim civilizimin.

Unë:Pardon, nëse ju ndërpres, Bej! Tërheqja e kapitalit të huaj – këtu qëndron çështja e madhe! Një republikë e re nuk ka një hua të butë – në amerikën e veriut ka ndodhur kështu – bankieri më i pasur i Filadelfias nuk donte të pomponte Uashingtonin asnjë dollar. Tregu ndërkombëtar i parasë nuk do t’u japë asgjë, dhe një grup financiar i kufizuar nga qeveria do të rrezikonte pavarësinë e saj.
Hasan Bej:Ne mendojmë ndryshe. Pyjet tona të pamasa, depozitat tona të mëdha minerale do të tërheqin kompani të mjaftueshme private dhe ne nuk mendojmë të shpenzojmë minierat apo koncesionet pyjore. Secili fis duhet të jetë financiarisht i pavarur dhe do të shihni se ambicia për të provuar qëndrueshmërinë tonë sa më shpejt që të jetë e mundur do të nxisë Bajraktarët të ndryshëm për përpjekje të jashtëzakonshme….

Unë:Por çfarë doni të kërkoni nga Komisioni nëse vjen nga Stambolli për disa ditë për të negociuar me ju? Nëse ju tani e konsideroni veten si autonom, nuk keni nevojë për më shumë Pourparlers(Bisedime-diskutime), sepse autonominë nuk do të ua japë Turqia me qëllim të mirë?

Hasan Bej:Ne mendojmë në lidhje me këtë, në këtë mënyrë: Nëse ne mund të komunikojmë në mënyrë të mirë me turqit, të cilët më në fund duhet ta shohin padobishmërinë e rezistencës së tyre, atëherë është më mirë se sa nëse e mbartim luftën në Shkup dhe Salonik.
Ne do të duhet të trajtojmë garnizonet turke të zëna këtu si të burgosur të luftës dhe të lëmë popullin tonë, të cilin ne kemi nevojë për zonat tjera, për dy ose tre muaj në terren. Ne jemi të bindur se turqia me dëshirë do të na jep një autonomi,pasi ajo nuk është më në gjendje ta mbajë Shqipërinë. Pse të derdh gjak? Pas të gjitha gjërave që keni parë dhe dëgjuar prej nesh këtu, a mund të mohoni se ne jemi në pozitë të qeverisim popullin tonë, duke arritur, në interes të idesë së shtetit liberal, pas shekujve grindjesh dhe keqardhjeje të shtypjes ?
E vlerësojmë faktin se Europa e di këtë – a mund të jemi të huaj për kulturën – kjo është faji i qeverisë turke – por ne jemi të lartë në disciplinë … a ka ndonjë mbrojtje këtu? Jo! A ka qenë dikush i abuzuar, i grabitur ose madje i kërcënuar? Jo! A i kemi lidhur me zinxhirë apo varur turqit e zënë, ashtu siç duhet, sipas ligjeve të lashta të shenjta të hakmarrjes sonë? Nuk ka?… Ne presim kalorësit dhe presim që tani e tutje nuk do të konsiderohemi më si rebelë grabitqarë … A jemi ne gaksor … ne e dimë, se simpatitë e kombeve kulturore janë gjithnjë në anën e luftëtarëve të lirisë dhe a nuk e ka demonstruar mjaftë vetëmohimin populli jonë?
Unë:Çfarë do të bëjë Komisioni në lidhje me këtë?
Hasan Bej: …nëse ajo mbetet kokëfortë. Pastaj ne diktojmë ligjin tonë…

Aman, m’thuej

Poezi nga Donjeta Elshani

Asht’ qetë n’kit natë vere,
n’dritare rri tuj pa hanën,
tuj folë me ta n’menyren tem,
tuj e knue n’veti
nji kangë t’moçme,
tuj t’lypë ty n’çdo kujtim,
sa n’heshtje e sa zashëm,
tuj e vetë nji hanë që s’flet.

Aman, m’thuej çka t’baj un’

N’zhurmën tane,
t’njejtën natë,
e sheh hanën edhe Ti,
n’pije mshefesh o i ngratë,
dehesh, qeshesh si gjithnji.

Aman, m’thuej.

Sod kur fjalët janë harrue,
e shumë pije janë përbi,
kur të tanë t’janë largue,
A kjanë e qirresh si gjithnji ?

E n’tjera valle,
n’toka tjera,
përvajshëm..
e lypë shpinë./KultPlus.com

“Besë e thyer, Doruntinë”, hiti i viteve të 80-ta nga Shkumbin Kryeziu (VIDEO)

Ishte një këngë hit në vitet e 80-ta, këngë kjo e kënduar nga Shkumbin Kryeziu, shkruan KultPlus.

Kjo këngë ishte në toplistat e atëhershme të Radio Televizionit të Prishtinës, por duke pasë parasysh se në atë kohë dëgjoheshin më shumë radiot, kjo këngë ishte një ndër këngat që reprizohej me dhjetëra herë në emisione të ndryshme të Radio Televizionit të Prishtinës. Kjo këngë tashmë është plasuar edhe në YouTube./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=u_M4t7TWJLY

Në New York, adhuruesi që tërheqë vëmendjen e të gjithëve me këngët e Dua Lipës (VIDEO)

Këngët e Dua Lipës “ New Rules” dhe “IDGAF”, përpos që janë shndërruar në super hite duke thyer edhe rekorde të dëgjueshmërisë, këto dy këngë janë kënduar edhe nëpër rrugët e New York, për të krijuar kështu një atmosferë mjaftë të këndshme, shkruan KultPlus.

Një adhurues i Dua Lipës ka bërë performanca të ndryshme nëpër New York, për të krijuar kështu shumë shpesh edhe situata mjaftë qesharake. KultPlus ju sjellë këtë video me performancën e fansit të Dua Lipës./KultPlus.com

Platoni: Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak

Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

Tregohu i mirë, sepse këdo që e takon, po përballet me një betejë të vështirë.

Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

Filozofia nis me kureshtje.

Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinjë do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

A të duhen luftëtarë, gjithë botës t’i vësh zjarrë, do arratinë të marrë, merr nja dhjetë kosovarë!

Poezi nga Fan Noli

A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?

Merr nja dhjetë kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?

Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak !

A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë !

Fan Noli 1926

Pesë filmat më të famshëm për mafian

Nuk është e vështirë të kuptosh marrëdhënien e dashurisë së Hollywoodit me mitologjinë e mafias. Bota e krimit të ofron të gjitha kurthet e një filmi super të suksesshëm: njerëz të rrezikshëm me një oreks të pashuar për pushtet, që kërcejnë me vajza të bukura, në anën e gabuar të ligjit.

Stampa e këtyre lloj filmave u vendos në 1932, me versionin origjinal të “Njeriu me shenjë”, një film hit nga regjisori legjendar Howard Hawks, që bazohej afërsisht në jetën e Al Capone-s. Censuruesit kërkuan që producenti Howard Hughes të shtonte nëntitullin “Turpi i kombit”, me qëllim që shikuesit nuk do ta interpretonin filmin si një glorifikim të stilit të jetesës së gangsterëve.
Në kohën e daljes së tij, ai qe filmi më i dhunshëm që prodhohej në Hollywood, e megjithatë protagonisti i paedukuar, që eliminon në mënyrë brutale konkurrentët dhe që fiton miliona me kontrabandë, del në fund më shumë si një hero popullor se sa si një kriminel gjakftohtë.

kinopoisk.ru

2.Kumbari
Në vitin 1972, filmi ”Kumbari” i Francis Ford Coppola-s, kapoja i padiskutueshëm i të gjithë filmave mbi mafian, e ngjiti formatin nga një kënaqësi e fajshme në një epikë shekspiriane. Marlon Brando injektoi tek Don Corleone një sens fisnikërie dhe mirësie. Ai është i ashpër por i drejtë, Robin Hood me një kostum Armani.
Ai është dashamirës, për ata që e mbështesin dhe për ata që meritojnë ndëshkim. Në mendje të vjen menjëherë një kokë kali e prerë. Trilogjia “Kumbari” doli në një kohë kur mafia ishte në rënie në Shtetet e Bashkuara, kjo për shkak të legjislacionit të ashpër dhe përpjekjeve herkuliane nga ana e forcave të ligjit.
Kryevepra e vitit 1972 me regjisor Francis Ford Coppola, bazohej në romanin e Mario Puzos dhe në të u mblodhën disa prej aktorëve më të mirë të Amerikës, duke përfshirë Marlon Brandon, Robert De Niron dhe Al Paçinon. Filmi fitoi Oscar-in si filmi më i mirë dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë të shekullit XX. “Kumbari” është imituar më vonë disa herë, por asnjëherë nuk është arritur niveli i tij. Edhe dy filmat pasardhës të Coppola-s nuk kanë arritur lavdinë e origjinalit.

3.Djemtë e mirë
“Për aq sa mundem të mbaj mend, gjithmonë kam dashur që të jem një gangster”. Kështu fillon filmi i vitit 1990 i Martin Scorcese, bazuar në jetën e mafiozit të penduar, Henry Hill. Performanca e mrekullueshme e Ray Liotta përshkruan transformimin e Hill nga një aspirant për gangster në një njeri të rëndësishëm gjatë tre dekadave të tij në mafian e Nju Jorkut. Siç ka shkruajtur David Ansen, “çdo minutë e vetme në këtë film të gjatë vibron me energji të jashtëligjshmish”. Në fund, Hill kapet për trafik droge dhe përfundon në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, i djegur nga nostalgjia për kohët e tij si Goodfella.

4.Kazino
Në filmin e vitit 1995, Kazino, Scorcese u bashkua sërish me Nicholas Pileggi, i cili ishte bashkëskenarist i “Kumbarit” dhe gjithashtu shkruajti librin tek i cili ai bazohej. Joe Pesci rikthehet i njëjti protagonist, tip psikopati që ishte tek Djemtë e Mirë, ndërkohë që Robert de Niro luan Sam Rothstein, një pjesëtar hebre i mafias që dërgohet të drejtojë një kazino në Las Vegas. Personazhi bazohet tek Frank Rosenthal, një bastvënës real nga Çikago. Ylli i vërtetë i filmit është Sharon Stone, e cila luan bashkëshorten e Rothstein, një grua joshëse që zhytet në drogë.

5.Gomorrah
Epika e vitit 2008 e regjisorit Matteo Garrone bazuar në librin e Roberto Savianos, është historia e pesë jetëve të prekura në një farë mënyre nga sindikata e krimit të Napolit e njohur si Kamorra. Me dëshpërimin e një lagjeje banimi të Napolit si sfond, filmi ofron një pamje të pagabueshme të impaktit gërryes të krimit të organizuar. Në një skenë të paharrueshme, aspirantë për gangsterë përmendin thënie të marra nga filmi i Brian de Palmas “Njeriu me shenjë”, riprodhimi i 1983, gjë që tregon se filmat frymëzojnë gangsterët po aq sa këta kanë frymëzuar filmat./ziptirana.info

Sonte të kujtova, Nënë

Poezi nga Azem Deliu

Sonte të kujtova nënë.

Teksa mendoja për librin e ri
Gjeneralë, mjekë e viktima kam vënë.
E asnjë nuk është si ti.

Sonte të kujtova nënë

Tek thithja cigaren që më përgjëroje të mos e pi.
Në tramvajin polak vend kam zënë
Qytet plot me fëmijë,
E plot nëna, nënë
Por jo ti.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva faj që ishe në kokën time një mendim
Kur unë në kokën tënde jam krejt mendimet.
Në suksese krahët m’i rrahin plot gëzim.
Ti ma përkëdhel kokën, në dështime.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva vrapin tim pas mësimit,
Drejt gatimit tënd nëpër shi
Dhe ndjeva të të them: mos i fik dritat.

Kur ta mbaroj librin, prapë, do të vij.

Një gotë lëng mbushe për vete
Se ti alkoolin s’e pi
E unë do të vrapoj nga aeroporti
Se asnjë nuk është si ti./KultPlus.com

Shqipëria e gatshme për Eurovizon, ka lansuar videoklipin e “Mall” (VIDEO)

Eugent Bushpepa do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion dhe përgatitjet për këtë garë po marin formë, shkruan KultPlus.

Tashmë kjo këngë ka edhe videoklipin zyrtar, videoklip i cili sapo është lansuar.
KultPlus ju sjellë këtë video që sjellë këngën “Mall”, që do të garojë me shumë këngë të tjera në Eurovizion./KultPlus.com