Ansambli i Egjiptit, sjell folklorin plot ngjyra në kalldrëmin e Gjirokastrës (FOTO)

Një atmosferë festive u krijua fundjavën që lamë pas përmes shfaqjes kulturore, që mblodhi qindra vizitorë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Pjesë e kësaj shfaqje ishin rreth 30 artistë të Ansamblit Kombëtar të Egjiptit dhe Ansamblit “Lunxhëria”, të Gjirokastrës, të cilët sollën një atmosferë të ngrohtë dhe festive në “Qafën e Pazarit”.

I cilësuar si takimi i dy kulturave, kjo shfaqje çeli siparin e një sërë aktiviteteve kulturore, që “TID”, një organizatë lokale në Gjirokastër do të sjellë përgjatë të gjithë sezonit turistik në qytetin e gurtë.

Këngë dhe valle egjiptiane, si dhe polifonia dhe vallet popullore të Jugut të interpretuara nga artistët, si dhe veshjet tradicionale egjiptiane me një larmi ngjyrash mahnitën turistët dhe vizitorët që ndodheshin në Gjirokastër, duke iu bashkuar festës.

Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Gjirokastra zgjon gjithnjë e më shumë interesin e turistëve të huaj për ta vizituar pasi ka vlera historike, arkitektonike dhe kulturore./ata

Sot mbahet ceremonia finale e çmimeve të Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018”

Sot më 28 maj do të mbahet ceremonia finale e çmimeve të Festivalit Letrar për të Rinj “Tirana 2018”, në Parkun Rinia në qendër të Tiranës, shkruan KultPlus.

Në këtë ceremoni do të ndahen çmimet për nxënësit më të talentuar në gjininë e letërsisë të Gjimnazeve të Tiranës.

Ky event është i organizuar nga Instituti i Librit dhe i promocionit dhe Bashkia Tiranë. Ceremonia do të filloj sot nga ora 18:00 në Parkun Rinia në Tiranë./ KultPlus.com

“Natën, Ma”, përmes dialogut solli marrëdhënien e fuqishme nënë e bijë (FOTO)

Përplot 15 herë, publiku në Tiranë e ka shijuar dramën “Natën ma”, me tekst të Marsha Norman e me regji të Ema Andreas. Salla e Teatrit Metropol në Tiranë, për 15 herë kishte mbushur ulëset për të parë lojën e Ilire Vinces dhe Egla Ceno. Ndërsa për të 16-ën herë, kjo shfaqje erdhi në skenën e Teatri Oda, në kuadër të Festivali FemArt, i cili ka nisë që nga e premtja në kryeqytet.

Kjo dramë me tekst të shkrimtares amerikane Marsha Norman, ka fituar Çmimin Pulitzer në vitin 1983. E gjithë ngjarja zbërthehet brenda një dite por që akumulon historitë e një jete të tërë. Të pathënat akumulohen në një ditë, në të cilën Xhesi kishte vendosur ta mbyllte vet kapitullin e jetës së saj.

Telma një grua e thinjur rreth të 50-ve që vjen përmes rolit të Ilire Vinces, nuk është se kishte qenë e kënaqur me jetën e saj, në një martesë ku dashurinë nuk e kishte zënë kurrë në gojë. Për burrin e saj, as tash pas vdekjes së tij nuk ndjen dhimbje përveçse neveri. E bija e saj Xhesi që vjen në rolin e aktores nga Shqipëria, Egla Ceno është një grua 30-vjeçare që ka lënë prapa një martesë të dështuar e duket sikur ka kohë që jeton mes depresionit kronik e nuk gjen as edhe një arsye që ta mbajë të gjallë në këtë botë. Një nënë që nuk del nga lëvozhga e jetës dhe Xhesi një grua që nuk pranon më të jetoj në këtë lëvozhg.

E gjithë shfaqja zhvillohet në një skenografi që i ngjan një dhomë të ndenjes, brenda mureve të errëta të shtëpisë, ato orvaten nga njëri skaj tek tjetri mes bisedash, pyetjesh e akuzave edhe ndaj vetes. Muzika është ajo që ia shton dramaticitetin edhe më shumë fjalëve të aktoreve. Ishte kjo përballja e fundit e Xhesit me mamanë Telman. Për Xhesin vendimi i saj tashmë kishte arritur në një destinacion ku nuk kthehet më mbrapa as nga të qarat e as nga lutjet e mamasë. E vetmja gjë që i kërkon nënës së saj është ndihma për të vdekur. Telma mes fajit shprehet se ajo në shansin e vetëm, nuk ia arriti ta bind Xhesin që të jetojë. Xhesi para se të ik në dritën e errët, e vesh nënën në fustanin e zi e ia mëson fjalët që duhet t’ua kumtoj të tjerëve për këtë fund. “Natën, ma”, është fjalia e fundit që dëgjohet për t’i parapri një klithme të rëndë të Telmas që tanimë duhet të vazhdoj jetën e vetme.

Ilire Vinca e cila këtë shfaqje e kishte luajtur për 15 herë në Teatrin Metropol, tha se mbrëmë është ndjerë për herë të parë si mysafire në Prishtinë. Pjesëmarrja e saj në dy ngjarje të FemArt thotë se e ka bërë që të ndihet si pjesë organike e këtij festivali.

“Për mua që të jem mysafire në shtëpinë time ishte një ndjenjë që nuk ndodh shpesh. Kalimi në një skenë tjetër, për aktorët është gjithnjë një sfidë dhe një premierë e re sa herë që ne e ndërrojmë ambientin. Për mua ishte kënaqësi që ta hap Festivalin me “Trojanet” dhe menjëherë më pas të jem pjesë me një shfaqje komplet natyrë tjetër. Kjo më ka bërë që të ndihem si pjesë organike e FemArtit”, u shpreh Vinca për KultPlus.

Për Vincen e cila është nga Prishtina kjo ishte një ndjenë e veçantë për miqtë dhe të afërmit këtu, të cilët nuk kanë arritur që ta shohin shfaqjen në Tiranë. Ajo tha se kjo dramë në skenë i nxjerrë të pathënat të cilat shpesh janë të pranishme në çdo familje. Ajo thotë se këtë shfaqje e ka përjetuar në mënyrë të veçantë falë partneres së saj në skenë Egla Ceno, regjisores Andrea dhe mikpritjes së Teatrit Metropol në Tiranë.

“Shpesh nënat i mbajnë sekretet në familje duke menduar që kështu i mbrojnë fëmijët e tyre, kështu që mendoj se kjo komunikon me secilin nga publiku. Shumë shpesh tragjeditë në jetë ndodhin sepse mundohemi të mos i themi të vërtetat apo kur thuhen tashmë është tepër vonë”, u shpreh për KultPlus aktorja Ilire Vinca.
Për aktoren nga Shqipëria, Egla Ceno jetësimi i këtij roli për të 16-ën herë në skenë ishte lumturi, sepse siç shprehet ajo e shikon duke jetuar personazhin edhe dy orë të tjera para se të vriste veten. Ajo tha për KultPlus se dha dhe mori shumë nga ky rol.

“Ishte kaq e vendosur që do e bënte vetëvrasjen sa askush nuk mund të bënte asgjë për t’i ndërruar mendjen. Një personazh si Xhesi nuk simulohet. Më vjen mirë që ajo përdori trupin tim për të folur, jetuar, për të celebruar jetën dhe vdekjen. Nga letër e shkronja e pash të merrte jetë, e pash të kujdesej për mua po aq sa unë u kujdesa për të. Të rrish me dhe për Xhesin në skenë është humane, drithëruese dhe profesionalisht një eksperiencë e mrekullueshme. I dhashë dhe i mora shumë”, tregoi Ceno.

FemArt, po vazhdon sot me programin e tij të ngjeshur, duke sjellë para publikut shqipfolës ngjarje nga më të ndryshmet që kryefjalë e tyre është gruaja./ KultPlus.com

“Tirana mes 19 vendeve më të bukura të Europës”

Mes 19 qyteteve më të mira të Europës është përfshirë edhe kryeqyteti shqiptar. Pas disa mediave botërore, edhe prestigjiozja Business Insider sugjeron Tiranën si destinacion për pushimet e kësaj vere.

Shqipëria renditet mes shteteve si Kroacia, Mali i Zi, Portugalia, Spanja, Greqia, Italia, Franca etj.

Neil Cartwright, ekspert turizmi për faqen Kayak shprehet se “Shqipëria është një nga vendet më pak të njohura nga vendet e tjera që ndodhen në Europë, por ia vlen të vizitohet për disa fundjava të gjata”.

“Tirana ka ndryshuar shumë vitet e fundit dhe është një qytet fantastik me shumë kulturë, argëtim dhe një qendër interesante politike”, shprehet ai më tej.

Eksperti shprehet se “është një qytet i mbushur me ngjyra dhe shumë interesant për të bërë foto që t’i postoni në rrjetet sociale”. ATA. / KultPlus.com

Hapet “ReMusica”, Petrit Çeku e Marc Bouchkov me komunikim e përjetim të veçantë muzikor

Gili Hoxhaj

Festivali Ndërkombëtar “ReMusica” mbrëmë shënoi hapjen e edicionit të 17-të, duke lënë pas vetes një sërë edicionesh të gërshetimit muzikor mes epokash. Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare ishte bërë adresa e hapjes së këtij edicioni. S’u desh edhe shumë kohë që ulëset në çdo pjesë të sallës të mbusheshin, madje organizatorët nuk e filluan hapjen pa i bërë vendin secilit në sallë.

Llogoja e Festivalit e vendosur në skenë krijonte një skenografi më ndryshe e më të zgjedhur. Nga prapaskena vijnë dy instrumentistë virtuoz, që përmes tingujve të tyre kanë lënë jehonë ndjesish në skena të vendeve të ndryshme. Kitaristi i mirënjohur nga Kosova, Petrit Çeku e violinisti belg Marc Bouchkov që nga dalja në skenë priten me plot duartrokitje. Çeku zë vend në ulësen në skenë e mbështet duart në kitarë, Bochkov pranë tij e në këmbë bën gati harkun e violinën.

“Cantabile” e Niccolo Paganinit ishte vepra e parë që e hapi mbrëmjen. Një vepër që vjen përmes melodisë së lehtë e lojës tejet seksuale. Kjo duo solli veprën e një nga kompozitorët, violinistët e kitaristët më virtuoz të kohës. Çeku gjatë ditës së djeshme citoi këtë kompozitor lidhur me raportin e tij me këto dy instrumente. “Ai zakonisht ka thënë që ai është “Zot” i violinës, por që kitara është “Zot” i tij”, ka thënë Çeku.

Me vallet romune vazhdoi rrugëtimi muzikor përmes dy harkorëve. Mes trajtash të ndryshme melodish që ngërthen kjo vepër, ata mbajtën publikun gati se pa frymë e të fokusuar në mjeshtërinë e tyre artistike. Vepra e Bela Bartok bazohet në shtatë meloditë rumune nga Transilvania. Emri origjinal i kësaj vepre fillimisht u titullua “Vallet Folklorike Rumune nga Hungaria” (Magyarországi román népi táncok) por u ndryshua më vonë nga Bartók, kur Rumania aneksoi Transilvaninë në vitet 1918-1920.

Çeku u kthye përsëri në skenë, e kësaj here Bochkov qëndronte i ulur dhe duke e përcjellë pa violinë lojën e tij. “Kënga labe” e kompozitorit nga Kosova, Rafet Rudit filloi ciklin e veprave shqiptare që erdhën të interpretuara mbrëmë. “Ta dish” dhe “Njëzet e pesë gërsheta”, janë këto vepra të rëndësishme shqiptare që janë aranzhuar nga Rudi. Këto vepra ishin shkruar gjatë viteve të 90’ta për kitaristin Ehat Muso, e Çeku ishte shumë i emocionuar që t’i sillte për herë të parë para publikut mbrëmë.

Vepra e kompozitorit francez, Jules Messenet që i përket kohës së Romantizmit zuri vend në repertorin e mbrëmshëm. “Meditation” nga opera “Thais”, u shfaq fillimisht në Opéra Garnier në Paris më 16 mars 1894. Kjo vepër ndër vite është luajtur nga instrumentistë të klasit botëror, të cilën e kanë interpretuar atë si solistë me orchestra të mëdha në gjithë botën. Me vepra të njohura e historike të Astor Pizzolla që tregojnë historinë e tangos ndër vite dhe vendodhjen e saj që nga kafenetë e deri në sallat e mëdha të festivaleve.

Emri i kitaristit Petrit Çeku përbën një nga emrat që përmes veçantisë së tij artistike ka lenë gjurmë në skenat e ndryshme të botës. Paraqitja e tij përfshin recitale solistike në mbarë Evropën dhe Amerikën Veriore dhe koncerte nënë përcjelljen e orkestrave simfonike të ndryshme.
Një përjetim personal, ai e sillte në çdo tingull. Herë me sytë e ulur poshtë kitarës e herë drejt publikut, ai solli një lojë delikate që jo shpesh dëgjohet. Përmes tij, e violinistit erdhi një lojë e kompletuar mes dy instrumentesh. Tingujt plotësonin njëri-tjetrin në çdo prekje e lëvizje të duarve të tyre. Muzika dukej sikur prehej në një frymëmarrje paqeje, nën këtë frymëmarrje tingujt ndonjëherë dukej sikur depërtonin më thellë.

Çeku dje u shpreh se është një ndjenjë krejtësisht tjetër kur luan në vendin ku është rritur, pranë njerëzve të cilët i njeh dhe e njohin për së afërmi.
“Në raport me publikun në përgjithësi është një moment i njoftimit dhe mandej i rinjoftimit kur njihemi dhe flasim. Këtë e përmendi shpesh, shumica e koncerteve janë në një vend ku nuk kam qenë më herët, dmth jam aty për herë të parë, pra nuk e njoh as publikun dhe mendimi i parë kur dal në skenë është “Unë jam Petriti dhe kështu luaj në skenë”, kjo nuk është e nevojshme për Prishtinën, kjo pasi që shumica e publikut më njeh”, tregoi Çeku i cili tha se është i kënaqur që bëri hapjen e “ReMusica”, të cilën e quajti si “Vitaminë C” për skenën kulturore.

Mjeshtëria e violinistit belg Marc Bouchkovit nxitet nga të shprehurit. Ai beson fort se muzika në violinë përveç se lidhet me njohurinë e thellë të pjesës që luan, përmbajtjen historike dhe interpretimin e mirëfilltë po edhe me besimin e tij se perforamnca është një mënyrë e komunikimit të drejtpërdrejtë me dëgjuesit. Ata që e kanë dëgjuar violinistin Bouchkovit, do ta mbajnë mend si një nga violinistet që sjellë zbërthim emocionesh, e lojë elegante në skenë. Edhe kur duart i largonte nga violina, ajo rrinte e mbështetur në krahun e tij të majtë. Komunikimi i veçantë mes kitaristit Çeku, e violinistit Bouchkovit tashmë ishte dëshmuar edhe në skena të tjera, por për Bouchkovit kjo ishte hera e parë e interpretimit në Prishtinë.

“Ka shumë pyetje por të gjitha pyetjet të dërgojnë tek një përgjigje: e natyrshme dhe e mrekullueshme. Me Petritin ka qenë gjithnjë kështu, që nga fillimi kur e kam dëgjuar Petritin dhe qëndroja përkrah tij, kam thënë “Zoti im, kush është ky muzikant dhe çfarë bën”. Është një komunikim për shkak se jam munduar t’i përgjigjem mënyrës se si ai luan dhe ndihem shumë rehat”, u shpreh Bouchkovit.

Bouchkovit tregoi edhe për emocionet e tij të para, para se të vij në Prishtinë. Ai tha se ka ndjerë një komunikim të rrallë edhe me publikun që e përcillte me emocion dhe me përkushtim.
“Unë ndihem sikur Petritin e kam pjesë të familjes në muzikë dhe kur ai më ftoi që të vij këtu e shikova agjendën dhe i thash “po” menjëherë. E kam ndjerë këtë energji edhe disa ditë para se të vija në skenë. Jam ndjerë që shumë rehat këtu, njerëzit dukeshin të interesuar dhe shumë të bukur, fytyrat e publikut ishin të mbushura me emocion dhe kjo më përmbushte”, u shpreh tutje Bouchkovit.
Sonte do të vazhdoj nata e dytë e Festivalit “ReMusica”, e cila para publikut të Prishtinës do të sjellë ansamblin “proModern” të cilët vijnë nga Polonia dhe vijnë me një projekt të quajtur “Shakespired”, me të cilin kanë fituar mjaft çmime në Poloni. Koncerti fillon nga ora 20:00, në Amftiatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Adem Dërmaku me tetë punime me motive nga Kosova në ekspozitë në Zvicër

Artisti kosovar Adem Dërmaku me tetë punime të tij është pjesë e ekspozitës kolektive në grafikë, që është hapur të premten “Dimension Druck”, në Brugg të Zvicrës, shkruan KultPlus.

Ai në këtë ekspozitë ka prezantuar tetë grafika në teknikën e shtypit të rrashtë (monothepi në gur të litografisë). Të gjitha këto punime kanë tematik dhe burim nga Kosova, ka thënë për KultPlus, Dërmaku.

Punimet janë “Shtëpia dhe këmba e një femre”, “Muret”, “Nesër në pushim”, “Lulja”, “Vetura” dhe “Pa titull” që vjen në tri cikle.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 10 qershor./ KultPlus.com

“Prishtina turistike po merr formë”

Së shpejti kryeqyteti do të ketë Panelet Turistike për orientim, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë e publikoi sot, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, duke treguar se do të jenë gjithsej 13 panele që do të vendosën nëpër pikat kryesore turistike të kryeqytetit.

“Kështu do të duken panelet turistike për orientim në Prishtinë. Në kuadër të këtij pilot projekti do të vendosim fillimisht 13 sosh nëpër pikat kryesore turistike të qytetit, së bashku edhe me tableta tjera informuese shtesë. Ekipi që po mbështetet nga SwssContact, CHwB dhe një ekip për narrativën e qytetit është duke punuar në përpilimin e teksteve. Diku në muajin gusht po shpresojmë se do të jenë gati. Prishtina turistike po merr formë!”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

Rita Ora e mahnitshme në Wales, ndalja tjetër në Copenhagen

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka postuar disa fotografi në Instagram nga koncerti i saj i madh në Wales, në qytetin Swansea.

Në fotografi shihet se është pritur nga një numër i madh i fansave, e ky nga turneu i gjatë që po realizon ajo nëpër Evropë.

Përmes këtij postimi, ajo ka njoftuar se ndalja e saj e radhës do të jetë në Copenhagen të Danimarkës./ KultPlus.com

“Pazari i Vjetër i Korçës”, kandidat për çmimin e rëndësishëm evropian

Pazari i Vjetër i Korçës është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Karakterizohet nga ndërtesa në përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Tregu me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete.

Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera kulturore e monumentale.

Drejtori i Çmimeve të Zhvillimit të Europës ka njoftuar se Pazari i Korçës është nominuar në kategorinë e “Rinovimi i Projektit të Vitit”.

Ai shkruan: “Jam i nderuar t’ju njoftoj se rivitalizimi i Pazarit të Vjetër të Korçës është nominuar për çmimet e Europës në Zhvillim në kategorinë “Rinovimi i projektit të vitit””.

Çmimet e Europës në Zhvillim organizohen nga një numer ekspertesh me bazë në Londër, , i cili angazhohet në nxitjen e zhvillimit social dhe ekonomik të 23 vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore. Qëllimi i çmimeve është të nxjerrë në pah më të mirën e rajonit të CEE në një audiencë ndërkombëtare.

Hapi tjetër është që ata të zgjedhin fituesin. Fituesi do të njoftohet në Ceremoninë e Çmimeve në selinë kryesore te EBRD në Londër më 22 qershor.

“Ne ju inkurajojmë që partnerët, bashkëpunëtorët, klientët, furnizuesit dhe miqtë tuaj të njohin nominimin tuaj – ju lutemi përdorni hashtag #EEAwards. Nëse keni ndonjë pyetje ose dëshironi ndonjë informacion të mëtejshëm, unë ose ata do të jenë të lumtur t’i përgjigjemi”, shkruan ai./ KultPlus.com

Elvana Gjata paralajmëron videoklipin me yllin botëror (AUDIO)

Elvana Gjata pak javë më parë ‘pushtoi’ titujt kryesorë në medien shqiptare. Kjo pas rikthimit fuqishëm me albumin e saj në gjuhën shqipe dhe më pas me bashkëpunimin me reperin amerikan, Ty Dolla Sign.

Kënga u pëlqye nga publiku, madje tërhoqi vëmendjen edhe të mediave të huaja, si MTV në Poloni. Por tani është momenti që për pak do publikohet edhe videoklipi i këngës “Shade” në bashkëpunim me Poo Bear, producentin e famshëm.

Kënga tani është vetëm në versionin audio, por Elvana na paralajmëroi nëpërmjet një ‘insta story’ ku shihet këngëtarja Enxhi Nasufi teksa dëgjon këngën. Ndërsa Elvana shkruan se shumë shpejt do vijë edhe klipit. / KultPlus.com

“CultureTrip”: Bota është mbushur me artistë shqiptarë

Bota është e mbushur me artistë të njohur dhe të famshëm nga Shqipëria ose me rrënjë shqiptare, shkruan për “CultureTrip”, Francesca Masotti.

Zbuloni disa prej artistëve, piktorëve dhe këngëtarëve shqiptarë më të famshëm, punët e të cilëve njihen në të gjithë botën:

Albania, Berat, Onufri Museum. Detail. Icon from the central area of the iconostasi of the church of the Annunciation in Berat; one of the apostoles.

Onufri
Onufri është piktori i ikonave më i famshëm nga Shqipëria. Ai ishte aktiv në shekullin XVI në jug të Shqipërisë, në perëndim të Maqedonisë dhe veri të Greqisë. Mendohet se Onufri ka lindur në Berat, një qytet i bukur që ndodhet në jug të Shqipërisë. Sot, Berati ka një muze shumë interesant të Onufrit, ku vizitorët mund të mësojnë për artistin dhe të admirojnë pikturat e tij. Vepra të tjera arti të Onufrit mund të gjenden në Muzeun Mesjetar në Korçë dhe në shumë kisha përmes vendit.

Kolë Idromeno
Nikolla Kolë Idromeno, i njohur si Kolë Idromeno, ishte një piktor, artist, skulptor, kinematograf, fotograf dhe arktiekt shqiptar gjatë epokës së Rilindjes në Shqipëri (periudha historike nga viti 1870 deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912). Idromeno kishte lindur në Shkodër, qyteti më i madh në veri të Shqipërisë. Ai kishte bërë studimet në Venecia në Akademinë e Arteve të Bukura, udhëtoi nëpër Europë dhe më pas u kthye në Shkodër, ku zbukuroi tavanin e Katedrales së Shën Stefanit. Shumë prej pikturave të tij tani ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ibrahim Kodra
Ibrahim Kodra është një prej piktorëve më të famshëm shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai studioi art në Milano dhe ishte mik me artistë të famshëm si Pablo Picasso. Punimet e tij prestigjioze ndodhen në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin italian në Romë, në Galerinë e Arteve të Kosovë në Prishtinë dhe në shumë koleksione private.

Adrian Paci
Adrian Paci është një prej artistëve bashkëkohorë më të famshëm në Shqipëri dhe Europë. I lindur në Shkodër, ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vajti në Milano, Itali. Punimet e tij, që shpesh herë prekin tema si nostalgjia, ndarja dhe paraja, mund të admirohen në shumë muze dhe galeri artesh në botë. Paci ishte artisti i parë shqiptar që përfaqësoi Vendin e Shqiponjave në Bienalen e Venecias në vitin 1999.

Rita Ora
Rita Ora është një këngëtare britanike, aktore dhe modele e lindur nga pridnër shqiptarë në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës. Prindërit e saj u larguan nga Kosova kur ajo ishte vetëm një vjeç dhe vajtën në Londër, ku ajo u rrit me familjen e saj. Ajo u bë e famshme në vitin 2012 me këngën në bashkëpunim me “DJ Fresh”, “Hot Right Now”. Që prej asaj kohe ajo ka nxjerrë shumë hite që janë me famë botërore.

Dua Lipa
Një tjetër yll me origjinë shqiptare është e bukura Dua Lipa. Prindërit e saj migruan në Britani të Madhe në vitin 1990 për shkak të dhunës dhe shtypjeve dhe Dua u lind në Londër. Dua Lipa ka nxjerrë shumë këngë të bukura dhe të famshme në bashkëpunim me artistë të mëdhenj, si Sean Paul dhe Calvin Harris. Pa asnjë dyshim ajo është një nga artistet femër më premtuese në botë.
Immagini e contenuti protetti da copyright titolari: Anna Oxa ®
Oxarte ®

Anna Oxa
Ilirjana Hoxha, që njihet si Anna Oxa, është një këngëtare shqiptare, aktore dhe prezantuese televizive në Itali. Ajo u bë e famshme me pjesëmarrjet dhe çmimet e marra në festivalin prestigjoz të Sanremo, festivali më i famshëm i muzikës në Itali.

Bebe Rexha
Këngëtarja, kompozitaroja dhe producentja amerikane, Bleta “Bebe” Rexha ka rrënjë Shqiptare. Prindërit e sajë janë me origjinë etnike shqiptare nga dy qytete të ndryshme në Maqedoni. Ata vajtën në Bruklin, Nju Jork, ku Bleta lindi në vitin 1989. Ajo ka shkruar shumë këngë për këngëtarë të famshëm, përfshirë Rihanna dhe Eminem. Ajo ka publikuar gjithashtu shumë hite si “Meant to Be” dhe “I Can’t Stop Drinking About You.”

Era Istrefi
Era Istrefi është një këngëtare shqiptare dhe kompozitore e lindur në Prishtinë, Kosovë. Motra e saj Nora Istrefi është gjithashtu një këngëtare. Era Istrefi bëri debutimin e saj pesë vite më parë në vendin e saj dhe më pas në vitin 2016, ajo u bë e njohur në të gjithë botën me këngën “Bon Bon”, një këngë e shkruar në anglisht me fjali në shqip.

Ermal Meta
Ermal Meta është një këngëtar italo-shqiptar dhe kompozitor i lindur në qytetin jugor të Shqipërisë, Fier. Ai fitoi festivalin prestigjoz të Sanremos në shkurt 2018 me një këgë të bukur që i dedikohet viktimave të luftës. Ai morri pjesë edhe në festivalin e Eurovizionit duke përfaqësuar Italinë.

Action Bronson
Arian Asllani, i njohur ndryshe si Action Bronson, është një reper amerikan, yll i “reality show” dhe shef kuzhine që ka lindur në vitin 1983 në qytetin e Nju Jorkut nga një baba shqiptar mysliman dhe një nënë amerikane hebreje. Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar me artistë të famshëm si Eminem, Wiz Khalifa, Prodigy, dhe Kendrick Lamar./ KultPlus.com

Shqipëria tërheq vëmendjen e gazetarëve të Koresë së Jugut

Për herë të parë në Shqipëri u realizua këtë fundjavë një Press Trip me gazetarë nga Korea e Jugut, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë dhe Kosovës në Japoni.

Në një kohë të kufizuar në Shqipëri për palën koreane u mundësua nga AKT pritja në Doganën e Morinës, vizita turistike në Tiranë, Durrës dhe Berat si dhe përcjellja për në Aeroportin Nënë Tereza.

Ky Press Trip kishte për qëllim njohjen e publikut koreno-jugor me Shqipërinë dhe disa nga atraksionet e saj turistike, në përfundim të këtij udhëtimi 2 ditorë, përshtypjet ishin nga më të mirat duke vlerësuar Shqipërinë për natyrën, kulturën, historinë dhe gastronominë e pasur që ofron. ATA/ KultPlus.com

Era mezi e pret hapjen e Botërorit

Këngëtarja kosovare, Era Istrefi, thotë se mezi e pret hapjen e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.

Era bashkë me Nicky Jam dhe Will Smith kanë realizuar bashkëpunimin “Live It Up”, që do të jetë himni i kampionatit të sivjetmë. Producenti i këngës është muzikanti amerikan Thomas Wesley Pentz alias DJ Diplo.

Të tre artistët do ta interpretojnë këtë këngë në finalen e Kupës Botërore të Futbollit 2018.

“Pak minuta para se të dy finalistët të hyjnë në fushë në ndeshjen më 15 korrik, ata do të ndezin 80.000 tifozë në stadiumin olimpik Luzhniki në Moskë dhe afërsisht një miliardë njerëz që do ta ndjekin ndeshjen në televizor”, thuhet në një deklaratë për shtyp të FIFA-s.

Në anën tjetër, Era Istrefi ka shprehur gëzimin që ka bashkëpunuar me yje botërore dhe se mezi pret hapjen e Botërorit

“Puna me artistë të talentuar si DJ Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, të cilët i admiroj shumë, më ka dhënë kënaqësi. Mezi po pres që të fillojë Kampionati Botëror i Futbollit”, tha ajo, raporton dw.

Në Kupën e Botës 2014, kënduan Pitbull dhe Jennifer Lopez “We Are One (Ole Ola)”, kurse në finalen e 2010-ës Shakira këndoi këngën “Waka Waka” (This Time for Africa)./ KultPlus.com

Aktivistët e qytetarët në Vushtrri kundërshtojnë rrënimin e Qendrës së Kulturës

E ndërtuar në vitin 1950, e cila dikur funksionoi si Shtëpia e Armatës Serbe, objekti i Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri nuk është i njëjti më.

Eskavatorët kanë vazhduar edhe sot rrënimin e objektit të Qendrës së Kulturës këtu në Vushtrri. Kryetari ka thënë se do të bëjnë përpjekje që në projektin e rindërtimit të përfshihet vendosja e elementeve të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti në fasadën e jashtme e që janë guri dhe tulla.

Por, shoqëria civile po e kundërshton këtë veprim të Komunës, duke thënë se rrënimi ka qenë opsioni i fundit që është dashur të ndërmerrje për këtë ndërtesë.

Sipas tyre, do të duhej të kishte rinovim apo ndonjë mënyrë tjetër të adaptimit.

Ata kanë ngritur shqetësim se nga punimet mund të rrënohet edhe salla e teatrit.

Me vendimin për rrënim nuk po pajtohen as qytetarët.

Megjithtatë, kryetari Xhafer Tahiri, ka thënë se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, pasi në të kundërtën, Komuna do të kishte pësuar dëme të mëdha financiare.

Ai thotë se paraprakisht për këtë është konsultuar me Ministrinë e Kulturës dhe me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.

Por, ish-drejtoresha e Kulturës në këtë Komunë, Shpresa Rama, ka mohuar se kjo hapësirë ka qenë e planifikuar që të ketë banesa kolektive.

“Raporti i fizibilitetit dhe qëndrueshërisë që e patëm bërë, ka dalë që është objekt jostabil dhe është më ekonomike të rindërtohet. Ata kategorikisht s’e pranonin asokohe këtë version. Sot me nënshkrim të vet e rrënuan”, ka theksuar Rama.

I gjithë projekti për këtë Qendër do të kushtojë mbi 1 milion euro dhe pritet të përfudojë brenda vitit 2019./ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/koha?video=qendra-e-kultures-vushtrri

Jahjaga: Shumë burra më thonin se e kisha vendin në kuzhinë (FOTO)

Ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, njëherit edhe presidentja e parë grua në Kosovë ka marë pjesë në eventin “Shija Shqiptare” që po mbahet në Pejë, mirëpo ajo këtë ngjarje e ka përdorë edhe për ti kujtuar burrave, se gruaja e Kosovës mund të jetë edhe e zonja në kuzhinë, edhe të jetë presidente, shkruan KultPlus.

Ajo këto komente i ka bërë nëpërmjet rrjeteve sociale, e cila ka kujtuar periudhën sa ishte presidente e vendit, ku shumë burra i shkruanin në komente se ajo e kishte vendin në kuzhinë. Më poshtë mund të lexoni të plotë reagimin e saj.

Gjatë mandatit tim si presidentja e parë grua në historinë e Kosovës, shumë burra më thonin nëpër komentet kryesisht që i shkruanin në rrjete sociale që si grua e kisha vendin në kuzhinë, që do të duhej të isha në shtëpi, duke gatuar ndonjë fli. Sonte po ua plotësoj këtë dëshirë, duke më parë në kuzhinë. Mirëpo nga këtu, nga kjo foltore i përshëndes të gjithë ata misogjinist me porosinë që gruaja e Kosovës mund t’i bëjë të dyjat – të jetë edhe e zonja në kuzhinë edhe të jetë presidente e vendit. #shijashqipate#sokolprenga#pejacity./KultPlus.com

Kulinaria dhe shumëllojshmëria e saj, inspirim për brezin e ri

Brezi i ri çdo ditë e më shumë po përqafon kulturën dhe traditën shqiptare. Ata po angazhohen nga institucionet përkatëse si shkollat për të mësuar sa më shumë rreth vlerave dhe kulinarisë sonë të larmishme.

Së fundmi në rrethin e Kukësit nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Qazim Shehu” në Shtiqen kanë organizuar një panair me ushqime tradicionale të zonës.

Nën kujdesin e mësuesve të shkollës,ata kanë treguar vlerat e tyre, për një të ushqyer të shëndetshëm dhe për të zhvilluar shprehi të një biznesi të suksesshëm në të ardhmen në kushtet e ekonomisë së tregut.

Veprimatri të tilla në shkollat e Shqipërisë po organizohen shumë pasi këto aktivitete afrojnë brezin e ri me rrënjët e vendit të tyre pasi ata njohin dhe prekin nga afër ato për të cilat kanë mësuar deri tani./a.a/

Bregdeti si nëpër ëndrra i Shqipërisë

Me verën që po afron, pyetja që dëgjojmë më shpesh nga lexuesit ka të bëjë me pushimet. Disa kërkojnë një vend në det, një vend të thjeshtë dhe të lirë për të kaluar vetëm një jave larg brigjeve të bukura, por kaotike italiane. Përgjigjja jonë është gjithmonë dhe vetëm Shqipëria, një vend me të cilin jemi dashuruar. Po, përse t’i zgjedhim plazhet shqiptare gjatë verës? Deti si nëpër ëndrra, çmime të leverdisshme dhe mikpritje e ngrohtë, shkruan një nga faqet më të njohura dhe më të specializuara për turizmin, 2backpack.it.

Për fat të keq, kemi arritur në përfundimin se ekzistojnë paragjykime në drejtim të këtij vendi, që ne në Itali e njohim shumë pak. Ndoshta për shkak të së kaluarën së saj të mundimshme, ne italianët kemi akoma të stampuar në kokë imagjinatën e një vendi të varfër dhe pak mikpritës, pa menduar se shqiptarët janë të pasur me burime dhe kanë dëshirë për të ecur përpara.

Nga se mund t’ia rifillojë Shqipëria, përveçse turizmit? Sepse me bukuritë natyrore që zotëron, ky vend mund të nxjerrë jashtë loje shumë vende të tjera turistike të Europës dhe, pasi ta keni vizituar gjerë e gjatë për disa muaj, jemi të sigurtë se do të jetë Shqipëria desitinacioni veror i preferuar në vitet e ardhshme.

Meqenëse popullariteti i saj rritet sidomos në gusht, ju këshillojmë që të pronotoni, me çmimet shqiptare, dhe jo italiane, dhe ju këshillojmë agjencinë Albania Travel.

Një tjetër motiv për ne italianët për të vizituar këtë shtet është se në këtë vend kemi gjetur shumë lokale me një italishte të kënaqshme dhe mund të themi që me këtë popull kemi shumë gjëra të përbashkëta si mentaliteti, mënyra e të jetuarit, zakonet e tjerë. Këtu ndenjëm si në shtëpine tonë dhe për këtë shkruajmë, me shpresë që pak informacion më shumë duhet për të gjithë, të kuptojnë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, i sigurtë, mikpritës, dy hapa larg Italisë, dhe më pak e populluar dhe e kushtueshme se Greqia dhe Kroacia.

Meqënëse gjeografia nuk është opinion, Shqipëria, ndan të njëjtat ujëra me Kroacinë dhe Greqinë, por për shumë vite brigjet e saj kanë qënë të virgjëra dhe të pashfytëzuara. Ja disa nga gjërat pozitive të dhjetëra viteve izolimi. Bregdeti shqiptar është një spektakël i natyrës dhe në shumë zona nuk ka akoma spekullime ndërtimore.

Edhe pse veriu i vendit rezervon surpriza përgjatë bregdetit, zonat më të bukura të Shqipërisë janë ato nga Vlora deri në kufi me Greqinë. Ja disa nga plazhet që kemi dashur më shumë në bregdetin jugor, disa të zhvilluar si pika turistike, dhe disa të tjera akoma të virgjëra, të mahnitshme dhe perfekte për adhuruesit e natyrës.

Karaburuni

Në qoftë se do të vëzhgoni hartat, do të vini re se poshtë qytetit të Vlorës, ndodhet gadishulli i gjelbër i Karaburunit. Në këtë ish-zonë ushtarake hyrja ishte e ndaluar për shumë vite, deri në çmilitarizimin e saj në vitet ’90. Zona u shndërrua në një park kombëtar dhe sot mund të vizitohet me varka që nisen të gjitha pranë Vlorës. Nëse doni të vizitoni Karaburunin nuk mund të humbisni pa parë Gjirin e Gramës, një zonë e pasur me shkëmbinj natyrorë ku një herë e një kohë strehoheshin piratët, dhe e karakterizuar me ujëra kristal. Një bukuri të rrallë kanë edhe zallishtet e bardha, që këshillohen të zbulohen në paqe dhe në relax total.

Dhërmiu

Duke ecur përgjatë jugut, arrihet në disa destinacione nga më të bukurat për turizmin lokal. Dhërmiu për ne ishte vërtet një zbulim i vërtetë. Një pjese bregdeti e pabesueshme, e bukur, skenografike, me detin e kaltër të errët, gurë të bardhë dhe male afër detit, ku lokalet dhe restorantet anës detit ofronin një atmosferë kënaqësie, pa kaos dhe zhurmë, siç jemi mësuar të shohim në rivieren tonë. Këtu kemi ngrënë peshk të pjekur duke i zgjedhur vetë me dorë nga barkat e peshkatarëve dhe servirur nga restorantet. Ajo që në Romagna-n tonë është një darkë luksi që të zbraz portofolin, në këto zona kushton sa një pica. Përveç plazhit, ky vend është ideal për adhuruesit e maleve. Në muajt e verës, Dhërmiu është i mbipopulluar, sidomos në fundjavë nga turistët e vendit, por duke qënë se ka shumë plazhe përreth, edhe në këtë periudhë është e mundur të gjesh zona të izoluara dhe të qeta, siç është Drimadhes, që gjendet pak kilometra më në veri, dhe është i arritshëm me një udhëtim më këmbë.

Himara

Ky është vendi me detin më blu në gjithë Shqipërinë dhe është një pikë strategjike për të vizituar vendet e tjera, gjithmone të bukura, por me pak të frekuentuara. Ndërsa Himara është super e vizituar në kulmin e verës (ofron hoteleri dhe çmime të kënaqshme), plazhet afër saj, si Llamani, Livadhi, një në veri dhe tjetri në jug, ofrojnë të njëjtat panorama, ujëra të kulluara dhe male panoramikë.

Porto Palermoja

Duke zbritur drejt jugut, gjatë një rruge detare të mrekullueshme, do të mbërrini në gadishullin e vogël të Porto Palermos, i quajtur kështu nga italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtu, përveç detit si nëpër ëndrra, do të shihni edhe shumë bunkerë, që datojnë që nga koha e monizmit, si dhe një kështjellë që daton që nga koha e Perandorisë Osmane.

Borshi

Në një distancë të afërt, do të gjeni një nga fshatrat më piktoreskë të bregdetit shqiptar. Fshati i Borshit. Me kalanë e tij të Sopotit në majë të malit, ofron një pamje mahnitëse duke vrojtuar bregdetin, vijën e tij gjashtë kilometra të gjatë dhe shumë të bukur. Për të mbërritur në det duhet të kalosh nëpër rrugët me ullinj dhe agrume, që ofrojnë një spektakël natyror të rrallë dhe unik. Borshi është shembulli i natyrës primitive në Shqipëri, me një det dhe male që krijojnë një bukuri mahnitëse.

Ksamili

Duke ecur drejt Greqisë, pak para kufirit gjendet një nga destinacionet më të mahnitshme të të gjithë bregdetit shqiptar. Në këtë rast është e vërtetë të ndjesh mbipopullimin e stinës së verës dhe bukuritë natyrore të kësaj pjese të bregdetit, pak kilometra nga qyteti i Sarandës. Ksamili jo me kot është quajtur Perla e Ballkanit. Kjo zonë detare, e afërt me ishullin e Korfuzit, me ujë kthjellsisht blu, bregdet skenografik dhe i gjithi për t’u zbuluar. Nëse kërkoni pak jetë nate, ky është vendi i duhur për ju, pasi aty ka shumë lokale dhe në plazh organizohen shumë festa gjatë fundjavave./ata

Për herë të parë në Tiranë, festivali teatral i kukullave

International Puppet Theatre Festival Albania “SKANDERBEG” do të jetë një festival teatral me kukulla me vendet më me traditë në këtë zhanër të fushës së artit.

Ky festival zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe është festivali i vetëm i këtij lloji. Me anë këtij festivali, Shqipëria dhe kryeqyteti i saj, Tirana do të jenë përfaqësues në stendat ndërkombëtare si një vend investues në edukimin dhe kultivimin e një brezi të ri.

Ky festival do të ofrojë për publikun një impakt të jashtëzakonshëm në kultivimin dhe edukimin artistik i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në zhvillimin e audiencës. Përveç kësaj interes do të ofrojë edhe për grupet e interesit në qarqet artistike si dhe në ato teknike. Trupat, ndër më të mirat, do të sjellin në vendin tonë traditat e tyre specifike në këtë ballafaqim shumë të rëndësishëm për artin tonë.

Ky festival do të jetë i përvitshëm dhe vazhdimisht me trupa nga vende të ndryshme. Festivali do të ketë edhe katalogun e tij me një volum prej 120 faqesh ku do të pasqyrohet eventi me të gjithë elementët artistike, organizativë, dhe efektit të impaktit që do të krijojë ky festival.

Gjithashtu në këtë katalog do të krijohen hapësira për të qenë prezent me një numër të caktuar faqesh edhe ata që mbështetën këtë event. Kupa e festivalit e derdhur në bronz është një element tjetër përfaqësues i gjetur, mbështetur në elementët folklorikë, i kthyer në një simbol global, përcjell mesazhe të qarta mbi filozofinë e thirrjes për barazi e paqe.

Përgjatë javës së këtij festivali, do të ketë guida në vende turistike dhe historike ( Krujë, Petrelë, Lezhë etj…) në këtë vit të shpallur si viti i Skënderbeut.

Ky festival ka një shtrirje kohore prej 6 ditësh. Kryesisht trupat do të japin nga dy shfaqje secila, ku pas çdo shfaqeje do ketë mini work-shop-e. Në çdo mbrëmje do jetë nata kulturore artistike e traditave të atij vendi që ka performuar. Nata do të titullohet:

“Hello my name is:(…………)”

Nata kushtuar kulturës dhe traditës së vendit përkatës. Në këto net festive në monitorë do të përcillen imazhe të historisë apo arkitekturës së vendit përkatës, do të ketë muzikë live nga orkestrantë, veshje tradicionale si dhe kulinaria e pasur e atij vendi. Kjo në bashkëpunim me ambasadat përkatëse. Një shkëmbim kulturash dhe traditash ndërmjet vendeve pjesëmarrëse te festivalit. Të pesë netët janë konceptuar si netë përfaqësimi për çdo vend.

Kultura dhe arti bashkon popuj dhe pse me histori e gjuhë te ndryshme

Ky event në bashkëpunim dhe bashkëveprim me çdo ambasadë përkatëse, , do të sjellë një frymë miqësore në kuadër të paqes, shkëmbimit dhe njohjes të vlerave historiko- kulturore dhe traditave të kombeve të ndryshme në një nga vendet më të vjetra në botë siç është Shqipëria.

Për 5 ditë rresht do të vijnë 10 shfaqje dhe 5 mbrëmje festive për çdo vend përfaqësues. Nata finale, nata e madhe që përkon me festën e 1 Qershorit me festime nga ansambli Tirana, grupe fëmijësh me veshje popullore si një ansambël do të dhurojnë spektakël në shesh etj… /e.malaj/

Autobiografia Amorfe

Shkruan: Ag APOLLONI

(Nikos Kazanxakis, “Raport El Grekos”, 1961)

Gjaku i letërsisë europiane është grek, thoshte poeti T. S. Eliot, pasi letërsinë romake e shihte si bijë të asaj greke, ashtu siç e shihte edhe studiuesi autoritativ i letërsisë greke, filologu gjerman Ulrich von Wilamowitz-Moellendorf. Gjaku grek i kësaj letërsie qarkullon nëpër të gjithë shekujt, nga antikiteti deri në modernitet, siç e pohon poeti Odiseas Elitis.
Megjithatë, studiuesit që nuk preokupohen me studimin historik, por me studimin aksiologjik, insistojnë të thonë që, pas shkëlqimit në antikitet, letërsia greke vetëm pas më shumë se dy mijë vjetësh shkëlqeu prapë, duke sjellë atë që këta studiues e quajnë Rilindja greke, ku bëjnë pjesë autorët e mëdhenj të modernitetit: Kavafis, Kazanxakis, Seferis, Elitis etj. Për shkak se proza konsiderohet zhanër përfaqësues i shekullit 20, në mesin e këtyre autorëve më i njohuri ndërkombëtarisht mbetet Nikos Kazanxakis (gr. Nikos Kazantzákis), i cili gjatë viteve ’50, falë talentit të jashtëzakonshëm dhe historive autoktone dhe spirituale, iu imponua fuqishëm Europës dhe Amerikës, e cila nuk vonoi t’i kthente kryeveprat e tij letrare në kryevepra kinematografike.
Derisa për studiuesit ky autor përfaqësonte Rilindjen e bujshme të letërsisë greke në shekullin 20, vetë Kazanxakis në librin e tij të fundit iu drejtua piktorit të Rilindjes spanjolle, bashkëvendësit të tij El Greko. Dy artistë të mëdhenj, dy rilindas në kuptimin ambig të fjalës, dy grekë, dy kretasë përballë njëri-tjetrit, kjo është ajo që e bën të madhërishëm këtë roman memoaristik të këtij autori proteik që, si perëndia greke nëpër ujëra, metamorfizohej nëpër trajta të shumta letrare në mënyrë që t’i shprehte sa më mirë mendjen dhe shpirtin.

Autori proteik

Nikos Kazanxakis (1883-1957) është autor proteik, sepse krijimtaria e tij përfshin të gjitha llojet e shkrimit: romane, drama, poezi, ese, itinerare, ditare, refleksione, letra, tekste shkollore dhe antologji. Po ashtu, ai është edhe përkthyes i rreth pesëdhjetë veprave në greqisht, përfshirë “Komedinë hyjnore”, “Faustin” dhe “Kështu fliste Zarathustra”.
Në krijimin e figurës autoritare dhe multidimensionale të tij në qarqet kulturore dhe letrare greke do të ketë ndikuar edhe shkollimi i tij në dy fakultete (Jurisprudencë dhe Filozofi) në dy vende (Athinë dhe Paris), si dhe ndjekja e ligjëratave te Bergsoni dhe doktorata mbi Nietzschen, pasi Bergsoni ishte filozofi më i famshëm i gjallë, ndërsa Nietzsche, pas vdekjes, dita-ditës po kthehej në figurë ikonike në gjithë botën.
Përveç si shkrimtar, Kazanxakis njihej edhe si udhëtar. Si shkrimtar pushtoi Perëndimin (veçmas me veprat: “Zorba” dhe “Tundimi i fundit”), ndërsa si udhëtar (kryesisht) Lindjen (Egjiptin, Sinain, Jeruzalemin, Qipron, Moskën, Kinën, Japoninë etj.). Por, krijimi dhe udhëtimi nuk duhen parë ndaras te ky autor, pasi ato përbëjnë një simbiozë spirituale dhe dëshmia më e mirë për këtë është vepra “Raport El Grekos”, e cila u shkrua gjatë vitit të fundit të jetës së autorit dhe u botua katër vjet pas vdekjes së tij, si një libër që e pamundëson kategorizimin, sepse nuk përfill parimet e formave letrare.

Anafora artistike

Vepra “Raport El Grekos” nuk hyn brenda kritereve zhanrore. Ajo nuk është as roman, as memoare, as ditar, as ese, as itinerar, as autobiografi, por ajo është “të gjitha ngapak”. Prandaj edhe përcaktuesi kategorial që i vendoset veprës poshtë titullit, në gjuhë dhe botime të ndryshme, del ndryshe: roman, memoare, autobiografi etj. Pra, dilemat nuk bien vetëm mbi zhanrin, por edhe mbi distinksionin aristotelian: historia/poiesis, apo e vërteta/trillimi.
“Raport El Grekos” nuk hyn as te njëra, as te tjetra kategori, sepse në vend se ta pasqyrojë, apo ta trillojë realitetin, ajo ka për qëllim ta sfidojë atë. Ky nuk është libër që e thotë të vërtetën, as që e mbulon atë, por thjesht e kërkon. E vërteta këtu nuk është dëshmi, por është qëllim, pra ajo është diçka që s’mund të provohet, por mund të kërkohet. Dhe, kënaqësia nuk qëndron te gjetja, por te kërkimi.
Moskategorizimi i kësaj vepre nuk paraqet problem, por vlerë dhe parim. Duke mos u kategorizuar, ajo lejon leximet alternative dhe sulmon kufizimet formale, njëjtë siç bënte Buda me njeriun dhe Goethe me veprën, kur nuk u kushtonin rëndësi trajtave dhe fokusoheshin në shpirtin. Ndoshta për këtë arsye, shkrimtarja e fiksuar pas kulturës greke, Mary Renault, thoshte për “Raport El Grekos” se është i së njëjtës lartësi me veprat e Rousseau-it dhe se Goethe do t’i hiqte kapelën.
Meqenëse romani në shekullin 20 zgjeron kufijtë e vet dhe thyen dy ligjet e mëdha, ligjin e Aristotelit dhe ligjin e Jakobsonit, mund ta lexojmë këtë vepër si roman spiritual, rrjedhimisht edhe si raport fiksional, por vetëm falë një mirëkuptimi dhe kurrsesi me bazë argumentimi. Pra, mund ta quajmë “roman”, sepse romani është formë që gëlltit gjithçka dhe mund t’ia vëmë cilësorin “spiritual”, sepse udhëtimi këtu është njëkohësisht gjeografik dhe psikologjik, madje me theks në këtë të dytin. Kështu, Kazanxakis është sintezë e Pitagorës dhe Sokratit, nga të cilët, siç thoshte J. L. Borges, i pari udhëtonte jashtë, ndërsa i dyti brenda.
Krejt kërkimi i këtij udhëtari të dyfishtë, kushtimisht, mund të quhet edhe “raport fiksional”. Fjala “raport”, që greqisht mund të jetë më e pasur se në gjuhët e tjera (gr. anaphora – raportim, peticion, ofertë liturgjike, përsëritje retorike etj.), tregon një evidencë me shkrim, apo me gojë, apo edhe një ankesë që një individ ia drejton një autoriteti, ose një autoritet një eprori. Ne që në hyrje e kuptojmë se i apostrofuari është i vdekur, prandaj edhe raporti nuk mund të jetë real, por vetëm fiksional.
Meqenëse udhëtimi shpesh është spiritual, edhe komunikimi i të gjallit me të vdekurin duhet kuptuar si i tillë. Në këtë mënyrë, duke përdorur terma strukturalistë, autorin e shohim si narrator (fr. le narrateur) ndërsa piktorin si narrater (fr. le narrataire). Pasi këtu kemi fiksionin autobiografik, narratori na del autodiegjetik dhe, pasi në prolog dhe në epilog i apostrofuari shfaqet brenda rrëfimit, narrateri fiton statusin e tipit intradiegjetik. Duke krijuar iluzionin e epifanisë, autori krijon një sfumato rreth të apostrofuarit, fillimisht për ta qortuar Zotin (Jehovain), pastaj për t’i raportuar shpirtit grek të identifikuar me piktorin El Greko. Kjo lë hapur mundësinë që po të ishte Zoti narrater, do të ndryshonte edhe diskursi i romanit, sepse autori i paraqet Zotit peticion, kurse El Grekos vetëm i raporton. Ndaj njërit rebelohet, ndaj tjetrit bindet. Njërin e quan bishë e uritur e qiellit, kurse tjetrin e quan gjysh dhe gjeneral. Pasi ka planifikuar t’i ankohet, apo edhe t’i hakërrehet Zotit, ai e kupton që fytyra e fanitur është e dikujt tjetër dhe i nënshtrohet: “Unë prisja ditë e natë urdhrin tënd. Unë jam përpjekur aq shumë që të mund të arrija atje ku nuk mund të arrija. Nëse kam arritur atje ose jo, je ti që do të ma thuash. Unë po qëndroj në këmbë para teje e pres. Gjeneral, beteja mbaroi, e unë po ju raportoj. Ja ku kam luftuar unë; jam plagosur, kam patur frikë, por nuk kam dezertuar.”
Mes prologut dhe epilogut, narrateri zhduket, rrëfimi vazhdimisht transformohet, autori shfrytëzon gjithçka që ka në dispozicion (ditarët, letrat, ndjenjat, kujtesën) dhe krijon autobiografinë fiksionale, intelektuale, spirituale, apo metafizike, historike e filozofike, duke e ndryshuar temën, diskursin dhe formën dhe duke e kthyer librin në një autobiografi amorfe dhe në një çelës për interpretimin e veprave të tjera të tij.

Gjendja postmoderne: raport mbi shpirtin

Nikos Kazanxakis nuk i përmbahet një shkolle, apo një poetike. Ai nuk hyn tek ata shkrimtarë që u përmbahen poetikave, as tek ata që i zgjerojnë poetikat. Ai hyn tek ata që i tejkalojnë poetikat. Kur kujtojmë që karrierën letrare e kishte filluar me një pseudonim budist (Karma Nirvana), atëherë mund ta kuptojmë se pse ai nuk u kushtonte rëndësi formave dhe trupave. Në veprën e tij natyrshëm bashkëveprojnë format dhe shkrihen në një personazhet e ndryshme nga Uliksi deri te Fausti, sepse esencë është kërkimi, jo personi.
Edhe pse Kazanxakis nuk deklarohet për veprat që i lexon, në fragmente të veçanta mund të nuhaten autorët që i lexonte, si nga klasika, ashtu edhe nga bashkëkohësia. Por, ajo që është më e rëndësishme, tek ai gjejmë edhe shenjat e asaj që më vonë u konsolidua në poetikë dhe u quajt postmodernizëm. Kështu, pasi zhgënjehet nga ideologemat, ai shprehej: “Pabesnikëria ime ndaj ideve të mëdha, që vazhdimisht më kanë mashtruar e zhgënjyer dhe që kisha braktisur, të gjitha së bashku përbënin një besnikëri të patundur ndaj substances.” Dy dekada më vonë, Lyotard, te libri “Gjendja postmoderne: raport mbi dijen”, do të shprehte pothuajse të njëjtën gjë kur thoshte se postmodernizmi që në fillim e shfaq mosbesimin ndaj të gjitha metarrëfimeve.
Po ashtu, Kazanxakis tregon problemet e shkrimit që ia transformon idetë: “nisja të thosha diçka, ndërsa fjalët e pabindura, të shpenguara, me çonin diku tjetër.” Kjo e vë atë mes Saussure-it dhe Derrida-së, mes fonocentrizmit pre-strukturalist dhe logocentrizmit post-strukturalist. Ndërsa, sulmi që ia bën zhanrit e afron atë me teorinë e Maurice Blanchot-it.
Këto shenja, sado intuitive që mund të jenë, paralajmërojnë ardhjen e një poetike të re, ia shtojnë vlerën veprës së autorit grek, që dukej se nuk i çmonte eksperimentet formale të modernizmit, prandaj fokusohej në atë që ai e quante substancë. I bindur se në kohën e tij, jeta kishte humbur kuptimin, ai letërsinë nuk e shihte si lojë, por si detyrë dhe qëllimi i tij ishte, siç shprehej, t’i kalonte kufijtë e artit: “Kur shkruaja, qëllimi im nuk ishte bukuria, por shpëtimi.”
Prandaj, “Raport El Grekos” është një raport mbi shpirtin që nuk beson në metarrëfime, por që rrëfimin e vë në shërbim të një qëllimi dhe në kërkim të një kuptimi. Kjo vepër, e cilësuar si vepra më e guximshme e autorit Kazanxakis, sipas Peter Bien, “zbulon të drejtën e autorit për të mos qenë rob i historisë”. “Raporti” i tij është dëshmi e përpjekjes për t’iu larguar majmunëve modernë, siç i quante autori bashkëkohësit, dhe për t’iu afruar njeriut të vërtetë, i cili do të pushojë së qeni një arenë ku luftojnë trupi me shpirtin, pasi do ta arrijë unifikimin e dualitetit: “Mëshira e Zotit do të shpaloset, ajo do të përqafojë dhe shenjtërojë shpirtin dhe trupin; ajo do të vijë dhe do të shpallë se trupi dhe shpirti nuk janë armiq, por bashkëpunëtorë. Pra, çfarë po ndodh? Ne i shitemi djallit dhe ai na shtyn ta mohojmë shpirtin tonë; i shitemi Zotit dhe ai na shtyn të mohojmë trupin. Kur, pra, zemra e Krishtit, do të shpaloset më shumë e do të ketë mëshirë jo vetëm për shpirtin, por edhe për trupin, dhe do t’i pajtojë këto dy bisha?”
Insertet që paraqet ky raport (gjyshërit, prindërit, fqinjët, luftërat, lidhjet, udhëtimet, apo ëndrrat), autori nuk i përmbledh, por i përzgjedh për të shkuar drejt një telosi spiritual. Ky “raport” dëshmon se Kazanxakis, përveç shkrimtar dhe mendimtar i jashtëzakonshëm, ishte edhe udhëtar i madh. E, siç e thotë ai vetë, udhëtarët janë ata që e zgjeruan botën.
Prandaj Kazanxakis sot mund të konsiderohet një Kolombo i botës sonë shpirtërore.

Presidenti Rugova në mesin e artistëve të njohur shqiptarë (FOTO)

Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, krahas vizionit të tij politik, vlerësohej edhe si një intelektual e studiues shembull. Veç kësaj ai kishte një raport të afërt edhe me emrat e njohur të artit që vepronin në atë kohë, me të cilët jo dhe rrallë herë takohej.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të postuar nga Micky Haxhiislami ku Presidenti Rugova shihet së bashku me Sabri Fejzullahun, Dukagjin Lipën, Adelina Ismailin, këngëtarë dhe miq të tjerë.

Fotografia besohet se është realizuar gjatë vitit 1997./ KultPlus.com

“TheNational”: Udhëtim i mrekullueshëm në Bjeshkët e Namuna

Majat e Ballkanit janë një rrugë e gjatë epike, që kalon nëpërmjet kufijëve malorë të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Me një distancë prej më shumë se 192 kilometrash ajo gjarpëron përgjatë luginave dhe shtigjeve të larta, duke shfaqur disa prej peizazheve më të mrekullueshëm që ofron ky cep i ashpër dhe i bukur i Europës.

Shtegu është hapur nga Agjencia Gjermane për Zhvillim (GIZ) në bashkëpunim me zyrat lokale turistike dhe klubet e ecjeve në mal. Ideja është që të inkurajohet një turizëm i vazhdueshëm në këtë rajon malor (që njihet si Bjeshkët e Namuna) dhe ndihmon që të krijohen të ardhura për popullsinë lokale. Në një numër të vogël vitesh, që nga krijimi i tij, ky shteg ka pasur një rritje të ndjeshme në udhëtarë dhe shumë fshatra kanë hapur bujtina përgjatë rrugës.

Kjo rrugë ka shumë hyrje dalje në kufijtë mes këtyre tre vendeve dhe ju nevojitet një leje për të ecur në këtë shteg. Por kjo është e lehtë sepse agjencitë lokale do të merren me dokumentacionin për ju, në këmbim të një pagese të vogël.

Bjeshkët e Namuna i vizitova për herë të parë 15 vite më parë, duke qendruar në një shtëpizë dhe duke bërë ecje në luginën Grbaja, e rrethuar nga maja befasuese dhe të thepisura me emra emocionues si Dhëmb dhe Shtiza. Një ditë u ngjita në luginën fqinje Ropojana, një rrip i gjatë dhe i gjerë plot gjelbërim që shkon deri në kufij me Shqipërinë.

Moti u vrenjt, majat përreth u mbuluan nga retë. Por ende vazhdonte të ishte një vend thellësisht i bukur. Mjegulla mbuloi luginën dhe të vetmit persona që takuam atë ditë ishin disa fëmijë shqiptarë që po mblidhnin manaferra të egra, të qeshurat e tyre dhe fytyrat e njollosura me ngjyrë të kuqe.

Në krye të luginës Ropojana ka një liqen, ose të paktën ishte gjatë asaj vizite të parë, mbushet vetëm nga dëbora e shkrirë dhe sikurse u konfirmua nga një vizitë e mëpasme, shpesh herë zhduket, si një fantazëm, nën tokë. Sidoqoftë, nga ana tjetër ky liqen gri dhe i ftohtë, është i mbuluar me bar të dendur dhe të gjelbërt, sipas stinës dhe ndan kufirin me Shqipërinë.

Dikur kjo luginë ishte një rrugë tregtare mes fshatit të Thethit në Shqipëri dhe Plavës në atë që është Mali i Zi i sotëm. Tani është shumë e lehtë të vish këtu, por në fillim të shekullit të XIX, në skajet e shkatërruara të Perandorisë Osmane, kjo ishte një zonë jashtëzakonisht e largët dhe e vështirë për t’u arritur. Udhëtarja angleze guximtare, Edith Durham duhej të udhëtonte e maskuar kur kaloi këtu në fillim të viteve 1 900 dhe e përshkroi këtë zonë si shumë të vështirë për t’u arritur.

Gjatë ngjitjes së Luginës Ropojana vitin e kaluar, kur po bëja kërkime për të bërë një udhërrëfyes për në Majat e Ballkanit, koha nuk ishte më pak e zymtë. Hyra në Shqipëri nën një pëlhurë mjegulle, duke ecur nëpër një pyll deri sa arrita tek kullotat në Fushën e Ruinicës, ku dy kasolle të thjeshta që përdoreshin nga barinjtë gjatë muajve të verës qëndronin pranë një burimi.

Gjatë rrugës nëpër male kalova disa prej gjysmë milionë, pak a shumë, bunkereve të ndërtuara nga ish-lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha mes viteve 1960-1980. Tani ato janë duke u bërë pjesë e peizazhit, prerjet e vogla të gropave të tyre që shohin mbi luginë duken si sy boshë.

Më lartë kalova pranë një liqeni të thellë të rrethuar nga gurë të mëdhenj sa një shtëpi dhe më pas dola në Shtegun e Pejës, që bie mbi Luginën e Thethit. Rruga për të zbritur kalon në anë të një humnere të thepisur, pjesa veriore e majës që ndodhet në të djathtë, Maja Harapit, që ka një lartësi prej 800 metrash. Diku, pranë kësaj maje ndodhet hyrja në sistemin më të madh të shpellave në Shqipëri, që kanë një shtrirje prej dy kilometra e gjysme nën mal. Pasi mbërrij poshtë në luginë eca në një rrugë për automjete 4×4 përmes kullotave dhe herët në mëngjes eca përgjatë femrave të mbushura me pemë frutore për të mbërritur tek Bujtina Polia, një bujtinë e ngrohtë dhe mikpritëse në fshatin e Thethit.

Mëngjesin tjetër eca poshtë luginës për tek ujavara e Gunës, një ecje e lehtë prej 45 minutash. Familje të ndryshme po zhvillojnë piknik në gurët, pas një pellgu jeshile zmerladi, me ujëvarën që bie nga një lartësi prej 30 metrash.

Më pas nga Thethi vazhdova përgjat Majave të Ballkanit, duke udhëtuar nëpër pyje dhe duke u ngjitur për në Shtegun e Valbonës, që ndan luginën e Valbonës me Thethin. Dielli ngrihet në mes të murit të madh me gurë që është Maja e Boshit, pyjeve të gjelbra që mbulojnë anët e Luginës së Valbonës dhe në veri ndodhet Maja e Jezercës, në formë piramide, që arrin 2 694 metra dhe është mali më i lartë në Bjeshkët e Namuna, që rrethohet nga një aureolë me re.

Që kur rruga për në Majat e Ballkanit u hap, ka pasur shumë ndryshime të rrugës në terren, që ende nuk janë paraqitur në hartën zyrtare.

Njëra është rruga midis Valbonës dhe Ceremit, që “zyrtarisht” shkon përgjatë një rruge të asfaltuar për disa kilometra, pastaj rruga përkeqësohet dhe e bën edhe më të vështirë ecjen në zonat malore. Megjithatë, çdo udhërrëfyes vendor mund t’ju tregojë se rruga më e mirë për ecje në këmbë nga Valbona në Ceremi është mbi Qafën e Prosllopit, në kreshtën kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Unë u nisa herët në mëngjes, rruga ishte mjaft e qartë dhe të çonte drejt bujtinës mikpritëse në Valbonë, ku edhe kalova natën. Rruga në ngjitje përshkohej nga kullota dhe një kasolle e vjetër për barinj, pastaj të çonte nëpër pyje dhe livadhe të mbuluara me lule të egra dhe flutura të vogla blu. U deshën rreth katër orë për të arritur në Qafën e Prosllopit, një parzmore me bar e rrethuar me shkëmbinj gëlqerorë.

“Kjo nuk është një ditë e përshtatshme për të ngjitur Majën Kolata (mali më i lartë i Malit të Zi), rreth 500 metra në të djathtë, barometri në orën time tregon se do të afrohet një stuhi dhe unë duhet të largohem shpejt nga kjo zonë e lartë.”

Pasi u ndala për pak çaste, për të ngrënë kastravecë të shijshëm, djathë të bardhë deleje dhe një fetë të madhe bukë fshati, u ktheva në Mal të Zi, pastaj u ngjita sërish në Qafën e Borit dhe përsëri zbrita në Shqipëri.

Më në fund mbërrita në mbrëmje vonë në shtëpinë mikpritëse të Kujtim Gocaj në Ceremi, një fshat i vogël në krye të luginës, ku u mirëprita ngrohtë, shijova një darkë jashtëzakonisht të mirë dhe një çaj të nxehtë që shërbehej me gota në formë tulipani.

Majat e Ballkanit janë një rrugë e mrekullueshme përmes peizazhit të mahnitshëm dhe maleve pak të njohur , që ende tërheqin vetëm një pjesë të vogël të udhëtarëve të apasionuar pas zonave malore të Europës.

Është një mundësi për të përjetuar mikpritjen e vërtetë rurale që shoqërohet nga një ndjenjë e rrallë që nuk mund të haset shpesh këto ditë në Europë. /ata

Katër këshilla vetes

Poezi nga Azem Shkreli. Në kujtim të 21-vjetorit të vdekjes së tij.

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me seicilin varg, të lindësh me seicilën fjalë.

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

Gazeta më e madhe holandeze: Tirana, më modernja në Ballkan

“Tirana është kthyer në qytetin më modern në Ballkan”. Ky është vlerësimi i gazetës më të madhe në Holandë, “De Telegraaf”, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë kryeqytetit shqiptar. Tirana ka zënë sërish faqet e medieve ndërkombëtare, të cilat po i japin një vëmendje të madhe transformimit që ka pësuar kryeqyteti nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pas gazetës së njohur britanike “The Guardian”, prestigjiozes amerikane “Lonely planet”, “Vogue”, etj., “De Telegraaf” shkruan se, teksa shëtit nëpër qytet të bëjnë përshtypje ndërtesat e lyera me ngjyra dhe atmosfera e relaksuar në kafenetë dhe restorantet “trendy”, transmeton Tch.

Por, pjesa më e jashtëzakonshme, sipas gazetës së njohur në Holandë, është tregu i rinovuar “Pazari i Ri”.

“Me panelet e tij industriale dhe i rrethuar me pallate që janë lyer me ngjyra të ndezura dhe motive autentike shqiptare, ai është vërtet shumë i bukur dhe një pikë takimi për banorët”, shkruan “De Telegraaf”, e cila evidenton mes të tjerave se “qytetarët e lavdërojnë kryebashkiakun e tyre për faktin që ai ka pastruar dhe rinovuar parkun e madh në jug të Tiranës”.

Shkrimi i plotë:

Nga Thea Detiger – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj na mirëpret te festa e tij në tarracën e Bashkisë, si të ishte një yll muzike. I rrethuar nga bashkëpunëtorë të rinj, të bukur dhe entuziastë, ai na tregon, teksa përkundemi nën ritmin e muzikës, sesi e kanë transformuar Tiranën, ai dhe paraardhësi i tij, Edi Rama. “Eshtë bërë qyteti më modern në Ballkan”, na thotë ai.

Është e vërtetë që teksa shëtit nëpër qytet të bëjnë përshtypje ndërtesat e lyera me ngjyra dhe atmosfera e relaksuar në kafenetë dhe restorantet trendi. Panorama që të hapet nga tarraca e “Hotel Monark” është e bukur. Rruga pedonale “Murat Toptani”, përgjatë kalasë së vjetër, ku tani ka një hotel për turistët e rinj, ka një varg kafenesh të hapura. Përballë saj ndodhet një qendër tregtare supermoderne.

Por, pjesa më e jashtëzakonshme është tregu i rinovuar “Pazari i Ri”. Me panelet e tij industriale dhe i rrethuar me pallate që janë lyer me ngjyra të ndezura dhe motive autentike shqiptare, ai është vërtet shumë i bukur dhe një pikë takimi për banorët. Ngjyrat në qytet kanë qenë prej kohësh një ide e kryeministrit aktual, Edi Rama, i cili është artist nga formimi.

Kryebashkiaku Erion Veliaj në fakt ka punuar edhe vet në “Pazarin e Ri’, duke shitur fiq. “Kur humba tim atë, në moshën dhjetëvjeçare nëna më dërgoi në Greqi te të afërmit, si një mënyrë për të mbijetuar”, tregon ai. “Kur u ktheva, zbulova se ajo që kishin sjellë të afërmit për ngushëllim, kryesisht fiq të thatë, saqë vendosa t’i hyja tregtisë në pazar”. Ai kurrë nuk mund ta kishte imagjinuar që dikur do të ishte në një pozitë të atillë sa të mund të sillte një ndryshim kaq të madh për qytetin e tij.

Në prill, ai u vlerësua nga Komisioni Europian me një çmim për projektin e tij për t’i siguruar një strehim të përshtatshëm minoritetit rom në qytetin e tij dhe për të arsimuar fëmijët e tyre.

Vendi është po ashtu i njohur për mënyrën paqësore sesi bashkëjetojnë besimet e ndryshme. Krahas xhamive, kishave katolike dhe ortodokse, Tirana është edhe shtëpia e Qendrës Botërore të Urdhrit sufi të Bektashinjve, të cilët u detyruan të largohen nga Turqia.

Qytetarët e lavdërojnë kryebashkiakun e tyre për faktin që ai ka pastruar dhe rinovuar parkun e madh në jug të Tiranës. Tashmë familjet i gëzohen atraksioneve të shumta përqark Liqenit Artificial, ndërsa të rinjtë bëjnë xhiro me biçikletë. “Për të bërë planin për biçikletat për qytetin kam pasur shumë bashkëpunim nga Ambasada holandeze”, thotë kryebashkiaku, që edhe vet lëviz thuajse kudo me biçikletë.

“Kam pasur herët miq holandezë, prandaj jam frymëzuar nga vendi juaj. Lëvizja me biçikletë është e mirë për mjedisin. Në qoftë se të rinjtë fillojnë të mendojnë se biçikletat janë trendi, atëherë mund të fillojmë ta lëmë pas idenë që duhet medoemos të kesh një makinë. Punoj me shumë dëshirë me të rinjtë. Shpesh atyre iu është dashur të punojnë jashtë shtetit për njëfarë kohe për të fituar parà, kryesisht në Greqi e Itali. Por, tani po kthehen me pasionin për të bërë diçka për vendin e tyre”.