MASHT: Testet e Maturës s’janë ato që po dalin në rrjete sociale

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë që testet e Maturës që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale, nuk janë testet reale që janë në ditën e testimit.

MASHT ka bërë apel te të gjithë nxënësit, që të mos bien pre e “keqpërdoruesve, të cilët pretendojnë se e kanë publikuar testin për ditën e dytë në rrjete sociale”.

Sot mbahet testi i maturës për rajonin e Prishtinës

Pavarësisht se MASHT thotë që testi real nuk po qarkullon online, në Facebook janë krijuar grupe të ndryshme ku po shpërndahen pyetjet.

Sipas komunikimeve të maturantëve në grup, ata po i marrin nga dy telefona me vete, njërin për t’ia dorëzuar komisionerëve e tjetrin për ta mbajtur për vete.

“Shkrimtari ballkanas ka tre shpirtra, vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre shpirtrave”

Poet dhe shkrimtar i rrallë, cilësohet për nga veprimtaria e tij, Dritëro Agolli i cila ka një vit që nga ikja nga kjo botë, shkruan KultPlus.

Elona Agolli, e bija e shkrimtarit të madh shqiptar e kujton shpesh përmes letrave, poezive e shkrimeve që ai ka lenë. Në një shkrim për letërsinë dhe rolin e saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale, Dritëroi ishte shprehur se shkrimtari ballkanas ka tre shpirtra ndërsa vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave.

“Shkrimtari ballkanas ka tre shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tre shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen shumë djaj të vegjël. Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtjen nacionale; nëse ngrihet në kulm shpirti ballkanik, shfaqet ksenofobi bashkë me grindjet megalomane; nëse vepron vetëm shpirti evropian humb identiteti dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron tek harmonia e këtyre tre shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet”./ KultPlus.com

Rikthehet “The Voice Kids”

“The Voice Kids” rikthehet, duke ftuar sërish të gjithë fëmijët për të qenë pjesë e aventurës më spektakolare në ekran.

Qershori është muaji i audicioneve në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, për fëmijët e moshave nga 6 deri në 14 vjeç. Dyert do të rihapen në 8 qershor në audicionin e Tiranës, në orën 11:00, tek Piramida, në Top Channel.

Më datë 11 qershor “The Voice Kids” do të udhëtojë drejt qytetit të Shkodrës, ku do të zhvillohen audicionet pranë Pallatit të Kulturës. Kërkimi i talenteve do të vazhdojë në qytetin e Korçës, më datë 14 qershor, te Teatri i Kukullave, për t’u pasuar me audicionet e qytetit të Vlorës, më datë 17 qershor.

Për herë të parë, “The Voice Kids” do të zhvillojë audicione në qytetin e Kukësit, pranë Pallatit të Kulturës, më datë 19 qershor, për t’u pasuar nga audicionet e Prishtinës një ditë më pas, më datë 20 qershor.

Rrugëtimi vazhdon drejt Durrësit, tek Qendra Kulturore e Fëmijëve më datë 23 qershor. Dhe mundësia e fundit për të qenë pjesë e audicioneve është data 29 qershor, sërish në Tiranë, tek Piramida.

Të gjitha audicionet do të zhvillohen duke filluar prej orës 11:00.

Ëndrra e madhe e skenës së “The Voice Kids” është e hapur për këdo që mendon se duhet të provojë veten në këtë “talent show”. Ju presim të gjithëve në një edicion tjetër të paharrueshëm dhe me emocione të mëdha.

08 Qershor 2018 – Audicioni i Tiranës, Studiot e Top Channel, Piramida, ora 11:00
11 Qershor 2018 – Audicioni i Shkodrës, Pallati i Kulturës, ora 11: 00
14 Qershor 2018 – Audicioni i Korçës, Teatri i Kukullave, ora 11:00
17 Qershor 2018 – Audicioni i Vlorës, Pallati i Kulturës, ora 11:00
19 Qershor 2018 – Audicioni i Kukësit, Pallati i Kulturës, ora 11:00
20 Qershor 2018 – Audicioni i Prishtinës, zyrat e Top Channel, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 11:00
23 Qershor 2018 – Audicioni i Durrësit, Qendra Kulturore e Fëmijëve, ora 11:00
29 Qershor 2018 – AudicioniiTiranës, Studiot e Top Channel, Piramida, ora 11:00./ Top Channel

Kardinali Ernest Troshani dekorohet me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i vendit Ilir Meta është sot në Kishën e Shna Ndout në Laç, për të marrë pjesë në pelegrinazhin e një prej 13 të martave, që kulmon më 12 qershor. Pelegrinazhi i besimtarëve nisi më 20 mars, për të përfunduar pas dy javësh, me mijëra persona që vizitojnë vendin e shenjtë.

Pelegrinët vijnë thuajse nga i gjithë vendi dhe pa dallime fetare, të krishterë apo myslimanë. Ato quhen 13 të martat e Shna Ndoit,janë ditët e shënuara të ritualit biblik në këtë kishë të moçme dhe gjithandej në tempujt e tjerë me emrin e këtij pajtori të përbotshëm.

Pas vizitës në kishë, kreu i shtetit Meta dekoroi kardinalin Dom Ernest Troshani, vit i cili përkon edhe me 90-vjetorin e lindjes së kardinalit shqiptar.

“Jemi këtu për të nderuar një nga simbolet e gjalla si rrallëkush tjetër të qëndresës së lutjeve, një promovues universal të vlerave të paqes, dashurisë humanizmit, harmonisë e bashkejetesës fetare, karidnalin Ernest Simon Troshani. Pas kësaj shërbese që na mbush shpirtin e zemrën, dëshiroj të nderoj kardinalin me dekoratën më të lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Kjo dekoratë me emrin e madhështorit e të pavdekshmit heroit tonë, i jepet sot kardinalit si përfaqësues i brezit të jashtëzakonshëm të klerikëve katolikë që jetën ia kushtuar besimit ndaj Zotit”, tha Meta.

Në prill të vitit të shkuar, ish Presidenti Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” kardinalin e dytë shqiptar Dom Ernest Troshanin, shkruan Top Channel.

Papa Françesku shpalli dom Ernest Troshanin , Kardinal, më 9 tetor të vitit 2016. Historia e jetës së dom Ernest Troshanit, përloti Papa Françeskun gjatë vizitës historike në Shqipëri.

Gruaja përmes portretit dhe tingujve muzikor, erdhi në mbrëmjen e katërt të FemArt (FOTO)

Gili Hoxhaj

FemArt për katër ditë me radhë ka mbushur kryeqytetin me aktivitete artistike e diskutime që mëtojnë vetëdijesimin për të drejta të përbashkëta gjinore. Mes shumë aktiviteteve mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita me punimet e artistes Laureta Vinca Mulliqi, e cila u pasua edhe me një koncert nga sopranoja Kaltrina Miftari e përcjellë në piano nga Njomza Kastrati dhe në flaut Gentiana Ahmeti.

Në hollin në Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kishin zënë vend 15 punimet e artistes Laureta Vinca të cilat përmes ngjyrave të ndryshme i kishin dhënë jetë figuracioneve në punimet e saj. Në mesin e punimeve të saj, binin fort në sy portretet që ngërthenin ngjyra të errëta të cilat i jepnin jetë shikimit e pozicioneve në të cilat ato qëndronin. Në çdo portret të saj ajo paraqet një grua më shumë që përmes shikimit e pozicionit të saj, flet për historinë e gruas në shoqëri. “Brusha ime ose e jotja në çdo lëvizje është gruaja”.

Para se të hapet ekspozita, fjalën e mori Avokati i Popullit, Hilmi Jashari i cili u uroi mirë se ardhje të pranishmëve. Ai tha se Institucioni i Avokati i Popullit është mekanizëm ligjor për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe është si mekanizëm për mbështetje të trajtimi të barabartë dhe pa diskriminim.

“Për gjashtë vite me radhë ArtPolis dhe FemArt mundëson bashkimin e shumë artistëve nga Kosova, rajoni dhe bota që përmes artit të promovohen të drejtat e njeriut”, u shpreh Jashari.

Laureta Vinca- Mulliqi tha se pothuajse një pjesë të çdo dite ia kushton pikturimit. Ajo pohoi se kjo ekspozitë nuk dallon shumë për nga stili me ekspozitat e saj të kaluara por për nga kompozicioni. Pesëmbëdhjetë punime që ishin vendosur në formë të rrumbullakët e qëndronin me pak hapësirë nga njëra tjetra, kishin një mesazh. Autorja Vinca- Mulliqi thotë se përmes tyre ka dashur të shpreh emocionet e dhimbjes nga padrejtësitë që i bëhen gruas në Kosovë.

“Tash në vitin 2018-të po merrem më shumë me portrete dhe nga pozita ime si grua më duket se mund ta shpreh veten më shumë, ta përjetoj edhe dhimbjen edhe kënaqësinë. Vështirësitë e shumta që po i shohim në barazi gjinore, ato shprehen kudo dhe unë me ngjyra mundohem ta shpalos që gruaja qëndron e tillë, ashtu siç ka qëndruar me shekuj”, tregoi Vinca- Mulliqi.

Ajo tutje tha se emocionet e saj mundohet t’i shpalosë në punimet e saj duke i lënë hapësirë çdo gruaje që të gjejë emocionet e veta.

“Unë, ti dhe ajo jemi fenomenale… dhe megjithatë ngrihemi si feniksi”, me këtë fjali artistja Vinca Mulliqi bashkon të gjitha gratë në forcën e përbashkët.

Vizitorët shijuan ekspozitën mes interpretimit të veprave të Lehar, Puccini, Kurti, Dubussy, Tchaikovocky, Mendelson, Kuhlau. Me zërin e sopranos Kaltrina Miftari, lojës pianistike të Njomza Kastratit dhe flautistes Gentiana Ahmeti./ KultPlus.com

Vdes aktorja e njohur australiane

Cornelia Frances – aktorja australiane që luajti si Morag Bellingham tek “Home and Away”, ka vdekur në moshën 77-vjeçare.

Francesu diagnostikua me kancer të fshikëzës vitin e kaluar dhe zbuloi në shkurt se sëmundja ishte përhapur, por ishte e vendosur ta mposhte atë, transmeton Klan Kosova. Por, nuk ia doli. Ajo vdiq të hënën pas betejës me kancerin, raporton Daily Telegraph i Australisë.

Ajo ndërroi jetë në mënyrë paqësore dhe ishte e rrethuar nga familja dhe miqtë. Edhe pse ajo kishte lindur në Liverpool, ajo emigroi në Australi në vitin 1970 aty ku karriera e saj aktive lulëzoi./ KultPlus.com

BBC, me dokumentar për këngëtaren shqiptare

I pandalshëm uragani Dua Lipa, pas finales së Championsit, vjen një dokumentar nga BBC.

Ndezi finalen në Kiev me një shikueshmëri prej 200 milionë shikuesish, konfirmoi çmimin e madh të Formula 1 në Singapor, uragani Dua Lipa nuk ka të ndalur. BBC do t’i kushtojë një dokumentar hapave galopant të artistes shqiptare.

Në artikullin kushtuar Duas, thuhet se pas sukseseve të njëpasnjëshme me dy Brit Awards dhe 1.1 miliard shikime në YouTube me këngën NewRules, këngëtarja nuk ka frikë nga figurat dhe skenat e mëdha./ KultPlus.com

“Paganini” shkodran dekorohet nga presidenti i Azerbaxhanit

Elvin Hoxha, muzikanti i talentuar shqiptar i cili jeton në Turqi, ka marrë një nderim të lartë nga Presidenti i Azerbaxhanit, Ilham Aliev.

Me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së këtij shteti, Aliev ka nderuar një numër të madh personalitetit të vendit të tij, nga ata që jo vetëm jetojnë në Azerbaxhan por edhe në diasporë.

Aliev i ka dhënë Elvin Hoxhës titullin “Artist i Merituar” i Azerbaxhanit, duke e vendosur në listën e njerëzve më të vlerësuar të vendit.

Dekorimi i një artisti me një dekoratë të lartë në moshën 20-vjeçare përbën një risi në historinë e Azerbaxhanit.

Elvin Hoxha ka nënën e tij nga ky vend, një muzikante gjithashtu e njohur që punon si instrumentiste në Filarmoninë e Ankarasë.

Babai i Elvinit, Hajredin Hoxha, gjithashtu është një prej muzikantëve të Filarmonisë Kombëtare të Turqisë dhe njihet si një nga violonçelistët më të mirë të vendit.

Hajredin Hoxha është një artist nga Shkodra por që prej shumë vitesh punon e jeton në Turqi. I biri i tij, Elvini është një prej artistëve më të famshëm të botës si violinist, ku jep koncerte solo në skenat më të mëdha të botës.

Të gjitha mediat turke e botërore e cilësojnë Elvinin si “Paganini i kohëve të sotme”, shkruan Te Sheshi./ KultPlus.com

2po2 me këngën e re lufton “Kartelin” e shtetit (VIDEO)

Reperi i njohur shqiptar, 2po2, së shpejti do të publikojë këngën e tij të re me titull “Kartel”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtari përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar trailerin e videoklipit të ardhshëm.

Në videon e publikuar, 2po2 shihet teksa udhëheq një grup që synon t’ua kthejë qytetarëve paratë e marra nga politikanët.

“S’ka më kartel në Kosovë”, e mbyll fjalimin para këtij grupi reperi 2po2.

Ai s’ka treguar ndonjë datë specifike se kur do të publikohet projekti i ri./ KultPlus.com

95-vjetori i lindjes së Rexho Mulliqit kremtohet me koncert

Nëntëdhjetepesë vjetori i lindjes së kompozitorit të njohur Rexho Mulliqi do të kremtohet përmes një koncerti, të cilin do ta organizojë festivali “ReMusica” në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës.

“Simfonia nr. 1”, të cilën e ka kompozuar disa vite më parë në Beograd, autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, do të luhet në këtë jubile nga Orkestra Simfonike Shtetërore, që do të udhëhiqet nga dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa.

Koncerti do të fillojë të martën nga ora 20 e 30, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë./ KultPlus.com

Kjo është kronika e realizuar nga KTV:

Një dasmë shqiptare në Pallatin Schönborn Batthyany të Vjenës (FOTO/VIDEO)

Dasmat shqiptare shumë shpesh janë bërë pjesë edhe e medieve të huaja, të cilat kanë vënë në theks shpenzimet marramendëse të nikoqirëve, numrit të madh të mysafirëve, muzikës së lartë dhe pa shije dhe të shumë elementeve që tashmë e shumë vite janë duke i shoqëruar këto gazmende familjare, që janë shndërruar në një rrëmujë të vërtetë, shkruan KultPlus.

Mirëpo, artistja shqiptare Flaka Goranci ka zgjedhur një mënyrë tjetër për dasmën e saj, e cila ka zgjedhur një ndër pallatet më të vjetra të Vjenës.

KultPlus mëson se kjo dasmë është organizuar në Palais Schönborn Batthyany të Vjenës, pallat që është i stilit barok dhe është ndërtuar në vitin 1699 mu në qendër të Vjenës.

Në këtë dasmë që nga të sapomartuarit është vallëzuar Valsi Vjenez dhe Napoloni, ka pasë edhe elemente që kanë ardhur si një gërshetim i dasmës vjeneze dhe asaj shqiptare.

Në këtë dasmë, ishin të pranishëm artistë shqiptarë dhe austriak, por edhe të nacionalitetve, sikurse që ishte i pranishëm si mysfair nderi, ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo./KultPlus.com

Pandeli Majko: Shqipëria dhe Kosova janë krenarë për arbëreshët, treguan edhe pas 600 vjetësh se shqiptarët mbeten shqiptarë

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe homologu i tij në Kosovë, Dardan Gashi, zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në komunën Piana degli Albanesi si edhe autoritetet lokale italiane.

Kryetari i Bashkisë, Ing. Rosario Petta u shpreh komunitetet arbëreshe në këtë provincë, por edhe më gjerë, janë të njohur për vlerat e tyre të spikatura si edhe ruajtjen e traditave shqiptare. Ai njoftoi pjesëmarrësit se autoritetet vendore kanë përgatitur dy dokumete për qeverinë e Shqiperisë dhe të Kosovës, në të cilën parashtrojnë një program konkret bashkëpunimi midis autorieteve rajonale me të dy qeveritë. Letra propozon krijimin e një agjencie arbëreshe për koordinimin e bashkëpunimit të komuniteteve arbëreshe dhe autoriteteve rajonale siciliane me qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës.

Piana degli Albanesi, si komune perfaqësuese e komunitetit Arbëresh në Sicili, do të bëhet promotori i nxitjes së shkembimeve kulturore, arsimore dhe shkëmbimeve të tjera midis arbëreshëve, institucioneve rajonale e lokale dhe qeverive shqiptare e kosovare. Kjo do të ndihmonte jo vetëm zgjidhjen e problematikave të komuniteteve arbëreshe në institucionet rajonale në Itali, por edhe perfaqësimin e tyre në institucionet shqiptare e kosovare. Kjo do të ndihmonte edhe projektet e qeverisë së Shqipërisë për të mundësuar votimin dhe përfaqësimin e emigrantëve në vendet pritëse.

Ministri Dardan Gashi nënvizoi se në tetor Kosova dhe Shqiperia presin në Prishtine kryetarët e komunave të Arbëreshëve në Sicili për të nënshkruar një marreveshjeje bashkëpunimi. Ministri Gashi kërkoi gjithashtu që kultura arbëreshe të jetë e ruajtur si pasuri e UNESCO-s.

Ministri Majko u shpreh se si ministri pare i Diasporës në historinë e Shqiperisë, e konsideron një përparësi bashkëpunimin me arbëreshët. “Miq të huaj më pyesin si merreni vesh me arbëreshët. U them që flasim shqip dhe kur ndjehemi në vështirësi, vazhdojme në italisht. Marrëdhëniet e shkelyqera italo-shqiptare kalojnë nga arbëreshët”. Ministri Majko u shpreh se qeveria shqiptare i konsideron shumë të rëndësishme marrëdheniet e vecanta me Italinë. Shqipëria dhe Kosova janë duke iu afrur Bashkimit Europian dhe arbëreshët janë një përshpejtues i proceseve integruese. Por edhe arbëreshët kanë mbështetjen e vëllezërve të tyre binjak, Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri u shpreh se “Jemi pak vonë në këtë bashkëpunim, por sic themi ne shqiptarët, më mirë vonë se kurrë”. Shqipëria dhe Kosova janë krenare për arberëshet, të cilët kanë treguar se edhe pas 600 vjetesh shqiptarët mbeten shqiptarë. Propozimet e kryetarit të bashkisë, përfundoi Ministri Majko, i pranojmë me kenaqësi dhe i konsiderojmë hapin e parë te rëndësishëm të bashkëpunimit tonë./KultPlus.com

Dita e shumëpritur po afron

Koncerti i Ermal Metës që do të mbahet në Sheshin Skënderbej në Tiranë është duke afruar, shkruan KultPlus.

Fituesi i Sanremos dhe përfaqësuesi i Italisë në Eurovizionin e sivjetmë do të vjen në Tiranë me një koncert të madh, i pari i këtij lloji pas famës së madhe të Ermal Metës në Itali dhe më gjerë.

Koncerti pritet të nisë pas orës 18:00 në Sheshin Skenderbej dhe pritet të jetë një koncert i zjarrtë, pasi që shumë fansa mezi po e presin këtë performancë./KultPlus.com

Nudo këndon himnin e flamurit kombëtar-rebelimi i artistes kosovare (FOTO)

Artistja Nurhan Qehaja ka hapur ekspozitën e saj me emër “The Flag” të cilën e ka punuar përgjatë studimeve të saj në Fakultetin e Arteve Vizuale në Zelandën e Re.

Ajo ka vendosur që instilacionin e saj ta ndaj edhe me publikun kosovarë. Ekspozita e artistes Qehaja është një video instilacioni i quajtur “The Flag” ku në video ajo shihet duke kënduar himnin kombëtar nudo, shkruan Insajderi.

Kjo performancë shihet si një akt rebelimi nga ana e artistes, që vjen si pasojë e ndikimit të identitetit nacional në formimin e saj personal si dhe reflektimin e artistes kundrejt idesë kombëtare.
“Rade Tape” është një video instilacion i cili flet për identitetin nacional mirëpo në këtë artistja Qehaja ka theksuar se është një tregim personal dhe emocional.

Përsëritja e aktit me shiritin e kuq duket se të jep ndjenjën e dualizmit përbrenda vetes.
Kjo ekspozitë është duke u mbajtur në galerinë “Motrat” dhe është e hapur vetëm sonte. /Insajderi.com

KONKURS Për çmimet që i ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e Artit Pamor.

REPUBLIKA E KOSOVËS
REPUBLIKA KOSOVA
REPUBLIC OF KOSOVA

QEVERIA E KOSOVËS / VLADA KOSOVA /GOVERNMENT OF KOSOVA

MINISTRIA E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT
MINISTARSTVO ZA KULTURU, OMLADINU I SPORTA
MINISTRY OF CULTURE,YOUTH, SPORTS

Departamenti i Kulturës / Departman za Kulturu / Department of Culture

Me qëllim të zhvillimit, avancimit, dhe promovimit të krijimtarisë të artit pamor, dhe në pajtim me Rregulloren NR. 14/2016 për Dhënien Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall:

KONKURS
Për çmimet që i ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e Artit Pamor.

Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e Artit Pamor, që u jepen krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre artistike kanë lënë gjurmë të thella në fushën e Artit Pamor.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”.
• Ky Çmim u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e artit pamor për të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor. Çmimi mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.

• Laureat të Çmimit mund të jenë të gjithë krijuesit e fushë së artit pamor.

• Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.

Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor
• Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor u jepet krijuesve të dalluar për të arriturat gjatë vitit paraprak.

• Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor – jepet për këto gjini:
1. për pikturë;
2. për skulpturë;
3. për grafikë;
4. për qeramikë;
5. për vizatim;
6. për dizajn grafik;
7. për fotografi artistike;
8. për video art dhe art konceptual;
9. për performancë;

• Me vlerësimin e Jurisë Profesionale, Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor mund t`u jepet dy krijuesve.
• Në raste të veçanta, kur vlerësohet se veprat nuk plotësojnë kriteret artistike – profesionale, Juria Profesionale nuk jep Çmim vjetor për kategori përkatëse.

• Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.

Konkurrimi për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor mund të bëhen përmes propozimeve nga:
1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës;
2. Galeria Kombëtare e Kosovës;
3. Fakultet e arteve të universiteteve publike dhe private të Republikës së Kosovës;
4. Asociacionet (shoqatat) [profesionale të artit pamor.

• Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bënë Juria Profesionale e përbërë nga 3 anëtarë.

• Propozimi që bëhet nga institucionet e lartpërmendura duhet të përmbajnë: Arsyetimin me shkrim, CV-in e të nominuarit si dhe materialet tjera përcjellëse për të nominuarin, nëse janë relevante për çmimin përkatës.

• Institucionet nominuese duhet të sjellin foton e veprës në tri (3) kopje dhe jo domosdoshmërish CD-në me incizim, ose ndonjë material tjetër vizual dokumentues.

• Propozimi duhet të firmoset nga titullari i institucionit/asociacionit/shoqatës që ka të drejtën e propozimit.

• Propozimi me shkrim duhet të dërgohet jo më larg se 30 ditë nga dita e shpalljes së Konkursit, në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35).

Propozimet me dokumentacion jo të kompletuar nuk do të shqyrtohen.

Adriana Matoshi fiton çmimim “Aktorja më e mirë “ në SEEFF në Berlin (FOTO)

Aktorja kosovare Adriana Matoshi është shpërblyer me çmimin aktorja më e mirë në “South East European Film Festival, që është mbajtur së fundi në Berlin të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Në këtë festival ku janë prezantuar filma nga shtete të ndryshme, Adriana Matoshi është shpërblyer me këtë çmim, nga Juria Ndërkombëtare e të Rinjve, për rolin e saj në filmin “Unwanted” me regji të Edon Rizvanollit, film i cili tashmë është prezantuar në shumë festivale, duke përfshirë edhe disa çmime ndërkombëtare.

Adriana Matoshi është një ndër aktoret më të kërkuara në Kosovë, dhe ajo është aktorja me më së shumti role kryesore në filmat e xhiruar në vitet e fundit, duke përfshirë edhe shumë filma që janë në proces e sipër./KultPlus.com

Gratë aktiviste treguan rrugëtimin e tyre me feminizmin në FemArt (FOTO)

Vitin e kaluar Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka lansuar Muzeun e Parë Virtual të Grave Aktiviste. Ky muze virtual, paraqitet si një entitet dixhital që i merr karaktersitikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë; Promovimin e vlerave të aktivizmit paqësor të grave të cilat mbrojnë të drejat e njeriut. Ky muze ngërthen në vete një platformë interaktive, duke sjellur rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste.

GiliHoxhaj

Ideja e këtij muzeu virtual ka ardhur nga domosdoshmëria për të pasur informacione për aktivizmin e grave në Kosovë pasi që ka pasur mungesë të informacioneve për gratë aktiviste, të cilat kanë sfiduar mentalitetin dhe sistemin patriarkal. Sot ato erdhën me rrëfimet e tyre në kuadër të Festivalit “FemArt” .
Krejt ky diskutim u mbajt pranë Lapidrariumit të Muzeut të Kosovës ndërsa u moderua nga drejtoresha e Artpolisit dhe e festivalit “FemArt”, Zana Hoxha Krasniqi. Ajo tha se është tejet e lumtur që po e bëjnë promovimin e artistëve e aktivisteve të reja nga Kosova dhe Serbia.

“Jam shumë e lumtur që për herë të dytë po e bëjmë promovimin e Muzeut Virtual të Grave Aktiviste dhe kësaj radhe në hapësirën e Muzeut të Kosovës, duke shpresuar dhe uruar kështu që ndonjë ditë do të kemi një hapësirë permanente dhe një muze edhe të prekshëm të aktivisteve. Le të jetë kjo një ëndërr që ndoshta edhe do të realizohet”, u shpreh Hoxha Krasniqi.

Igballe Rogova, Lepa Mlađenović, Safete Rogova, Tatjana Nikolić, Fjolla Vukshinaj, More Raça dhe Manushaqe Nura, ishin penalistët që u përgjigjën në pyetjen se si e kanë filluar rrugëtimin e aktivizmit dhe cfarë do të ndryshonin nga krejt ky vizion që e kanë ndjekur ndër vite.
Lepa Mlađenović, aktivistja nga Serbia tha se ndihet tejet e lumtur dhe e emocionuar që është në Prishtinë në mesin e feministëve fantastike. Ajo një rëndësi të vecantë i kushtoi kontributit shumëvjecar të Sevdije Ahmetit.

“Unë kam qenë këtu në ceremoninë përkujtimore të Sevdije Ahmetit dhe ajo ishte feministja e parë që e kam takuar në vitin 1993 në një konferencë dhe kurrë nuk do ta harroj”, u shpreh Mlađenović.
Aktivistja Luljeta Aliu u shpreh se aktivizmi i ka shërbyer edhe si shërim ndaj krizave të jetës derisa vet është përballur me dhunë në familje. Ndër të tjera ajo shtoi se cfarë do ta bënte ndryshe, është se do të lidhej shumë më herët me gra të tjera në mënyrë që t’i bënin gjërat në mënyrë të organizuar dhe kështu edhe grave më të reja duhet ndihmuar në rrjetëzim.

“Ne e kemi filluar këtë shumë më herët edhe në rrethin tonë familjar dhe shumë na kanë etiketuar që jemi dalë jashtë normave, por si aktiviste në kuptimin individualist në rrethin ku jemi, e jo me projekte, ato fillojnë shumë më herët. Nisma e fundit lidhet me saktësimin e ligjit për pronën dhe pasurinë e përbashkët në raste divorci, dhe këtë e kisha bërë më ndryshe po të kisha pas kohë, por në anën tjetër isha duke u përballur edhe vet me dhunë në familje e me që e kisha kaluar një periudhë shumë të vështirë edhe e përjtojsha një krizë e kisha dhe më problem të dalë jashtë që të kërkoj ndihmë dhe bashkëpunim”, tregoi Aliu.

Igballe Rugova tha se nuk ka qenë as nuk është e lehtë as sot aktivizmi por solidariteti mes grave
“Urime FemArtit, bravo, po vazhdoni me shumë aktivitete me njerëz nga gjithë bota”, e filloi fjalën e saj atktivistja Igballe Rogova, ajo tutje tha se nuk do të ndryshonte asgjë pasi që mënyrë se si kanë punuar edhe atëherë edhe tash është e njejtë.

“Bashkë me Safeten kemi punuar në shoqatën “Motrat Qiriazi” në vitet 90-ta dhe nga fillimi kemi involvuar burra, djem e gra pasi që nga fillimi nuk kemi besuar që do ta ndryshojmë rajonin e Hasit nëse punojmë vetëm me gra dhe duhet bashkarit që ta ndryshojmë këtë shoqëri dhe që nga atëherë e tash vazhdojmë të punojmë me njerëz të rinj”, tregoi Rogova.
Sipas Rogoves as atëherë e as sot nuk ka qenë e lehtë të jesh aktiviste por që u ka ndihmuar aq shumë solidariteti edhe mes grave që nuk kanë qenë pjesë e rrjetit.
“Unë kam pasur fatin ta kem afër Safeten, unë isha ajo eksplozivja që më shumë eksplozicitet reagoja, kurse Safetja me atë qetësinë e vet më ka ndihmuar”, u shpreh Igballe Rogova.
Kurse aktorja dhe aktivistja e njohur Safete Rugova tha se të flasesh për aktivizëm dhe feminizëm nuk bën të mos përmendet Sevdije Ahmeti.

“Me Igon kemi filluar para viteve 90’ në zonen e Hasit për shkollimin e vajzave dhe mënyra se si kanë vepruar Sevdija, Lepa më vonë, Igo ka qenë pak më ndryshe , kanë qenë edhe rebele i kanë goditur edhe tavolinat me grushta, kurse unë e kam pasur një qetësi pasi që jam aktore dhe kam kufin, ndërsa dhe aktrimi me ka ndihmuar të kem shumë edhe në rolet e dramat e mija në të cilat kam pasur deshire ti luaj, perosnazhet e grave të fuqishme dhe të guximshme”, tregoi Safete Rogova, e cila shtoi se gjithmonë e lidh bashkë aktivizmin dhe feminizmin, pasi që gjithmonë janë munduar t’i ngrisim dhe ndihmojmë gratë dhe mirëpo më vonë thotë se ka mësuar shumë gjëra të reja nga Igo edhe shumë mënyra të reja të feminizmit.

“Tani kemi shumë ma tepër të reja që janë më energjike dhe po e shoh se këto kanë më shumë me thënë dhe më shumë që të veprojnë dhe i falënderoj të gjitha këto të reja”, përfundoi Safete Rogova.
Fjolla Vukshinaj, rrugën e aktivizmit e kishte trasuar nga nëna e saj e ndjerë. Pikërisht me të e kishte nisur këtë rrugëtim, madje në një moshë shumë të re.Mes emocionesh e lotësh ajo tregoi për këtë rrugëtim të përbashkët.

“Mami gjithnjë ka qenë aktiviste për lirinë e Kosovës, për gratë dhe për njerëzit me aftësi të veçanta. Ajo gjatë gjithë kohës rrinte në kompjuter duke punuar dhe nuk arrija ta kuptoja as inspirimin e pasionin e saj”, tregoi Vukshinaj e cila më tutje tregoi edhe takimin e parë me gratë aktiviste në një punëtori që kur ishte 15 vjeçare e thotë se ishte fascionuar nga mënyra se ato punonin shumë dhe në mbrëmje vallëzonin.

Në mesin e panelisteve ishte edhe Manushaqe Nura, togere në Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK). Nura që sonte erdhi e veshur me këtë uniformë tha se në feminizëm e ka gjetur vetën krejt rastësisht.Ajo thotë se ballafaqimi me faktin që është grua në profesionin që ka zgjedhur e ka ndjekur për shumë kohë.
“Siç po e shihni unë shërbej në FSK, një profesion që në krejt botën është i dominuar nga burrat. Feminizmi nuk ka qenë koncept i panjohur për mua dhe pse gjithnjë e kam pasur një karakter më kundërshtues, mirëpo në ushtri qasja e të tjerëve ndaj teje të shtyjnë qe të jesh feministë për shkak se shumë njerëz të shohin me mendimin se “hajt se kjo është femër” dhe në një farë formë kam hy në konkurrencë me kolegët burra për t’iu treguar që edhe ne mundemi”, tregoi Nura.
Kurse regjisorja More Raça mundohet që aktivizmin ta shprehi përmes artit të saj. Ajo thotë se e rritur në botën e kinematografisë e cila favorizon burrat, ajo që nga fillimi i studimit të regjisë, kishte vendosur që të jetë zëri i grave shqiptare në kinematografi.

“Qysh prej feminisë filmi ka qenë pasion i imi dhe zakonisht në filma heroi i një filmi është një burrë kurse gratë janë aty t’i plotësojnë boshllëqet apo historitë e burrave që gjithmonë janë historia kryesore e filmit. Duke u rritur me këtë lloj të filmave, unë kam vendosur ta studioj regjinë, kam vendosur që unë të jem zëri i grave shqiptare në kinematografi duke e parë që tematikat e tyre nuk trajtohen sa duhet në kinematografinë tonë”, u shpreh Raça.

FemArti është ndarë në pika të ndryshme ndërsa po sjellë mjaft shumë aktivitete artistike e diskutime që lidhen me barazinë gjinore./ KultPlus.com

Nënshkruhet Marrëveshja për restaurimin e Qendrës Historike të Prizrenit

Në kryeqytetin historik të Prizrenit, vendim që tashmë e ka marrë Qeveria e Kosovës, sot u nënshkrua letra e marrëveshjes për hartimin e planit për revitalizimin dhe integrimin socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.

Marrëveshja që u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës së BE-së në Kosovë, Përfaqësuesit Special të BE-së, Komunës së Prizrenit, Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe OJQ “Ec Ma Ndyshe”. Marrëveshja parasheh realizimin e projektit në përputhje dhe duke përmbushur objektivat e Strategjisë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës (2017 – 2027) dhe ka për qëllim hartimin e një dokumenti strategjik për menaxhim dhe mirëmbajtje të trashëgimisë kulturore, dhe rikthim të qëndrueshëm dhe integrim të komunitetit lokal nëpërmjet zhvillimit ekonomik; Përgatitjen e projekteve preliminare për restaurimin e 14 ndërtesave të trashëgimisë kulturore në rrugën Marin Barleti; Përgatitje e projektit preliminar të dizajnit urban për rrugën Marin Barleti, që përfshin aspektet teknike dhe mobilerinë urbane.

Ministri Kujtim Gashi i cili nënshkroi në emër të MKRS-së, vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes shumëpalëshe bëhet konfrom zbatimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe në përputhje me obligimet dhe detyrat zyrtare. “Me rastin e nënshkrimit të letrës së marrëveshjes po tregojmë qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë disa veprime konkrete për Qendrën Historike të Prizrenit”, tha ministri Gashi. “Në zbatim të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe unë si ministër, në vazhdimësi kemi qenë të angazhuar për procesin e inventarizimit dhe dhënies së statusit të mbrojtjes së përkohshme për asetet e trashëgimisë kulturore, ndërmarrjes se masave preventive-intervenime emergjente, por edhe siç edhe mund të jeni në dijeni ne kemi zbatuar edhe shumë projekte kapitale në QHP”, tha ministri.

Ministri ka njoftuar për veprimet që kanë ndërmarrë MKRS-ja për trajtimin, konservimin dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë si dhe rritjen e buxhetit në këtë sferë. “Në vitin që lamë pas janë trajtuar 21 ndërtesa nga ana e QRTK-së në Prizren si institucion në vartësi të MKRS-së, kurse gjatë këtij viti kanë filluar së zbatuari edhe dhjetëra projekte konservuese-restauruese në QHP; QRTK e Prizrenit ka në dispozicion rreth 1 milion euro për ndërhyrje restauruese konzervuese si dhe intervenime emergjente per QHP-në”, është shprehur ministri Gashi, duke theksuar faktin se me të marrë detyrën si ministër e ka shumëfishuar buxhetin për QHP-në në përputhje me kërkesat dhe nevojat kjo qendër. Ministri tha ndër të tjera se MKRS ka mbështetur financiarisht shoqërinë civile në përgatitjen e Planit të Menaxhimit per QHP-në

“Unë si ministër i MKRS- së, e vlerësoj lart gatishmërinë e palëve të përfshira në këtë proces, në këtë rast zyrës së BE-së, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar si dhe Komunës së Prizrenit për nënshkrimin e kësaj letër marrëveshje, por dua ta potencoj faktin se duhet patjetër që së shpejti ta nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit ku do të definoheshin qartë të gjitha detyrat dhe përgjegjësit e secilit institucion veç e veç duke marrë për sipër obligimet dhe barrën që na takon”, ka thënë për fund ministri Gashi./KultPlus.com

“Shfaqja ime e kukullave”, projekti që afron brezin e ri me artin e kulturën

Brezi i ri po afrohet më shumë me kulturë dhe artin. Institucionet po hartojnë çdo ditë programe të ndryshme me në qendër brezin e ri, duke i aktivizuar ata dhe duke i bërë protagonistë në shfaqje të ndryshme.

Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë në kuadër të projektit kombëtar edukativ “Edukimi mbi dhe përmes kulturës” në ambientet e shkollës “Misto Mame” shfaqi sot performancën e fëmijëve “Tre derrkucët”.

Kjo shfaqje këtë herë ishte ndryshe,… me kukulla. Fëmijët ishin vetë protagonistë të saj, të cilët interpretuan si aktorë të vërtetë një shfaqje kukullash.

Kjo ishte performanca e parë në kuadër të projektit “Shfaqja ime e kukullave” e cila do shtrihet edhe më gjerë në shumë shkolla të Tiranës./ KultPlus.com

Një mrekulli natyrore zbulohet në zonën e Elbasanit

Specialistët e AdZM Elbasan kanë zbuluar një mrekulli natyrore të panjohur më parë dhe bëhet fjalë për një shpellë në Klos të Elbasanit.

Fundjava nuk ka qenë thjesht turistike e argëtuese në rrethin e Elbasanit, por ka sjellë dhe një zbulim të ri në fushën e spelologjisë. Specialistët e AdZM Elbasan kanë zbuluar një mrekulli natyrore të panjohur më pare dhe bëhet fjalë për një shpellë në Klos të Elbasanit.

Fillimisht shpella është konstatuar nga banorët e zonës të cilët po nxirrnin gurë në shpatin e një kodre dhe menjëherë kanë njoftuar autoritetet e AdZM Elbasan. Shpella mbart vlera unikale dhe është shumë e veçantë në llojin e saj. Shoqata-AlbNatyra – ka propozuar që kjo shpellë të shpallet monument natyre që të mund të mbrohet nga dëmtimet dhe kureshtarët e stalagmiteve.

Kështu mund të themi se zonës turistike të Elbasanit, ju shtua dhe një tjetër destinacion turistik siç është kjo shpellë (në foto shpella e zbuluar në Klos të Elbasanit)./ KultPlus.com

Poetike

Poezi nga Luis Garcia Montero.

Ka momente në të cilat lemë mënjanë
fjalët e dashurisë dhe heshtjet
për të folur për poezinë.
Ti shplodh zërin në të kaluarën,
e rikujton titullin e një libri,
historinë e disa vargjeve,
netët rinore të disa këngëtarëve,
rëndësinë që kanë
poetët dhe flamurët në jetën tënde.
Unë të flas për presje e gërma të mëdha,
pamje të bollëkshme apo që mungojnë,
rëndësinë e të kapurit të një ritmi
që të mbajë historinë,
ashtu siç mbajmë me duar
muret e lagështa të një kështjelle prej rëre.
Kujtoj edhe disa vargje,
në netët ku presjet dhe gërmat e mëdha,
metaforat dhe ritmet,
ngrohën shtëpinë time,
më bënë shoqëri,
ditën të më bindnin
me të njëjtën fuqi joshëse si tënden.

Eh, e di që poetët e tjerë,
vishen si poetë,
hynë nëpër zyrat e qetësisë,
administrojnë bankat e suksesit,
kalkulojnë në esencë
llogaritë e fondeve të tyre të brendshme,
janë pishtarë mbretërish e perëndish
apo janë gjuhëzat e ferit.
Ndoshta sepse ata kanë botë.
Unë eci përpara duke të pasur ty
e duke pasur koshiencën.

Rita Ora kujton sërish Aviciin

Rita ka kujtuar përsëri Aviciin gjatë “Javës së Madhe”, një festival i organizuar nga “BBC Music”.

Këngëtarja shqiptare dhe Tim Bergling (Avicii) i cili u gjend i vdekur më 20 prill, kanë bashkëpunuar me “Lonely Together”. Rita u shfaq në skenë ndërkohë në ekranin gjigant mbrapa shpinës së saj u shfaq një shkrim “Avicii 1989 – 2018”.

Rita ka falenderuar edhe të pranishmit duke i thënë:“Faleminderit që kënduat me mua, sepse është gjithmonë e vështirë ta këndoj vetëm prandaj më të vërtetë faleminderit!”Bashkëpunimi i Ritës me Avicii erdhi në vitin 2017 dhe hyri në dhjetëshen e këngëve më të mira në shumë vende si Australia, Belgjika, Republika Çeke, Hungaria, Irlanda, Lituania, Polonia, Skocia, Sllovakia,Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në këtë festival morën pjesë edhe këngëtarë të tjerë si Taylor Swift, Shawn Mendes, Camila Cabello, Firence dhe Machines dhe Ed Sheeran./ KultPlus.com

Analiza e vitit 1903, “Shqiptarët prapë do t’humbasin, se jemi komb i ftohtë…”

Artikulli “Shqipëria dhe turbullirat e Ballkanit”, është botuar në gazetën e të madhit Faik Konica, “Albania”, në qershor të vitit 1903, rikujton Bota.al. Eshtë një analizë brilante, një përpjekje për të parashikuar atë që pritet të ndodhë – sipas tij së afërmi – në Ballkan: një luftë mes Bullgarisë, të mbështetur nga Mali i Zi dhe Serbia nga njëra anë, dhe Turqisë nga ana tjetër.

Lufta e Parë Ballkanike në fakt do të shpërthente 9 vjet më vonë, në po atë vit kur Shqipëria shpallte pavarësinë e saj. Ashtu si e kishte parashikuar Faik Konica në këtë artikull, shkaku i shpërthimit të luftës ishte dëbimi i Perandorisë Osmane, nga ana e një aleance të shteteve të Ballkanit, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Dhe ekzaktësisht si e parashikon Konica i madh në artikullin e tij të pothuaj një dekade më herët, plani i radhës për këtë aleancë ishte ndarja e Maqedonisë dhe Shqipërisë. Gjë që ndodhi…

“Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë?” Lexoni më poshtë tre skenarit që parashikonte Konica për atë që do të merrte emrin Lufta e Parë Ballkanike. Kush të dojë mundet edhe ta bëjë pjesë të argumentave të debatit shterpë që ka shpërthyer, mbi atë se sa kombe shqiptarë ka në Ballkan …

“Shqipëria dhe turbullimet e Ballkanit

Nga Faik Konica

Albania, qershor 1903

Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë.

Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e robëri e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqi, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rrëfejmë këtu në pakë fialë.

Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e dreqtë. Dreqtësia është t’u lësh Bullgarëve liri të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marrsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (çdo Shqipëtar e di sepse)”.

E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i çfaqin luftë Turqisë edhe Sërbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete mëntja njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushëtarët e saj të pakënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qeveritarëve të kryeushëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë – sa do që Bullgarët e Principatit janë të paktë, shumë më të paktë pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie.

Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rrëfeu në luft të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqi të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë frëngu.

Përandaj, sido që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë, ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhen ay bashkim e ajo marrë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilitdo e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rrezikut. Ata Shqipëtarët për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kishin njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njërës janë të paktë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet nji komb.

Eshtë nji e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtarë në Turqi t’Evropës. Kio ushtëri e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësi të vërtetë t’atyre vëndeve. Ahere, ndofta do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të dreqta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne (“Albania”, qershor 1903)./ KultPlus.com

Ndërron jetë një nga xhuxhët e Borbardhës

Ka ndërruar jetë aktori turk Tayyar Yildiz. Yldiz , i cili u bë shumë I njohur në filmin Borbardha me 7 xhuxhët, është ndarë nga jeta në moshën 61 vjeçare.

“HaberTurk” raporton se Tayyar Yildiz, pas famës që fitoi me filmat në vitet 1970, ka punuar në bankë.
Yildiz, i cili ishte 95 cm i gjatë, fitoi zemrat e të gjithë shikuesve me personazhin e Neseli (i lumturi) në filmin “Borëbardha dhe 7 xhuxhët”./ KultPlus.com