Protestë me tharëse flokësh në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë

Sot është data 30 qershor dhe që prej një jave, kur 12 mijë libra në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, u dëmtuan nga përmbytja, punonjëset e bibliotekës po i thajnë këto libra me tharëse flokësh.

Po a mund të shpëtohen librat duke i tharë në këtë formë dhe a mund të bëhen të lexueshëm pas këtij procesi? Kundër këtij fenomeni u ngritën të protestojnë këtë të shtunë aktivistë të shoqërisë civile, përpara hyrjes së Bibliotekës Kombëtare, pasi të hynin brenda ata nuk u lejuan.

Për situatën e krijuar, aktivistët fajësojnë Drejtoren e Bibliotekës Kombëtare, të cilës në formë ironie i kishin vënë fotografinë e mbi të një tharëse flokësh.

“Kjo është një vepër e pastër penale dhe çka është më e tmerrshmja, heshtja e këtij shteti përballë vrasjes më të egër që mund t’i bëhet kombit shqiptar tek dija”, u shpreh aktivistja Brizida Gjikondi.

“Meqënëse institucioni i dorëheqjes morale nuk ekziston, meqënëse drejtuesit nuk e kuptojnë peshën e rënde dhe barrën që mbart bërja e detyrës në të gjitha dimensionet, ne kërkojmë që Prokuroria të aktivizohet”, deklaroi pedagodu Erion Kristo.

Aktivistët kërkojnë që të gjendet fajtori dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihet në lëvizje e të hetojë shkaqet e përmbytjes së Bibliotekës.

“I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme, të bëjë detyrën e saj, mos ketë interesat e saj të vogla vetëm për të kaluar vettingun dhe të lërë një krim kaq të madh për kombin shqiptar, të pahetuar e të pandëshkuar”, tha aktivistja Gjikondi./ gazeta shqip

Demolohet xhamia e fshatit Llugaxhi, ende s’ka të dyshuar

Xhamia një shekullore e fshatit Llugaxhi të Lipjanit, ka qenë cak i një sulmi në mbrëmjen mes të premtes dhe të shtunës.

Nga sulmi janë demoluar muret brendshme dhe pjesa e “hytbes”, raporton KTV.

Xhaminë, banorët thonë se e gjetën në këtë gjendje kur dolën për të falur sabahun.

Ata shtojnë se nuk e dinë se kush mund të jetë autor i sulmit.

Në polici, pa dhënë shume detaje, kanë thënë se janë duke hetuar rastin dhe sulmin ndaj xhamisë e kanë cilësuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”

Megjithatë, banorët thonë se së fundmi, ka pasur mospajtime lidhur me një kërkesë për ndërtimin e një xhamie të re.

Sipas tyre, shumica duan xhami të re në lokacion tjetër – dhe ruajtjen e xhamisë së vjetër – të ndërtuar në vitin 1917 – e cila kishte shërbyer edhe si shkollë.

Ndërsa të tjerë duan rrëzimin e më pas ndërtimin e xhamisë në lokacionin aktual.

Për xhaminë e re, thonë se Komuna e Lipjanin kishte miratuar kërkesën për ndarjen e kësaj parcele afër shkollës – por i njëjti vendim është pezulluar përkohësisht.

Derisa shprehet i habitur me atë që ka ndodhur, imami i kësaj xhamie, Vehbi Gajtani, e dënon sulmin, që thotë se është incidenti i parë në 13 vjet sa ai fal namaz në Llugaxhi.

Ndërsa, pohon se shumica janë pajtuar për xhami në lokacion tjetër.

Teksa thotë fjalë të mira për fshatarët, ai thekson nevojën për një xhami të re.

Zëdhënësja e Komunës së Lipjanit, Bukurie Jashari, përmes telefonit ka thënë se vendimi për lokacionin e ri për ndërtimin e xhamisë është pezulluar deri në arritjen e pajtimit në mes banorëve.

Sipas banorëve, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka bërë vlerësimin e këtij objekti.

Televizioni ka provuar të marrë informacione për statusin e këtij objekti, por zyrtarë IKMM-së kanë qenë të paqasshëm të shtunën. / KultPlus.com

Këta janë filmat nga Ballkani që vijnë sivjet në PriFest

Është shpalosur sot programi i filmave nga Ballkani në PRIFEST 2018.

Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku. Një program ku autorët ballkanikë trajtojnë tema të ndryshme nga ky regjion i jashtëzakonshëm në Juglindje të Evropës.

Programi i filmave të Ballkanit, i titulluar ‘Honey and Blood Program’, do të sjell këtë vit gjithsej 10 filma, prej të cilëve nga Kosova janë “Prishtina Story” me regjisore Burbuqe Berisha, “Rooftop Story” me regjisor Gazmend Nela dhe “The Return” (bashkëprodhim i Kosovës dhe Maqedonisë) me regjisor Kastriot Abdyli.

Me një titull simbolik, ashtu sic është edhe vet kuptimi i emrit Ballkan, ‘Gjak dhe mjaltë’ (Honey and Blood) ky program sjell një miks të autorëve tashmë të dëshmuar të rajonit dhe atyre debutues. Nga komedia deri te drama sociale, nga tema lufte deri tek filmat për të rinjë, dhe ajo që është shumë e veçantë, disa filma nga Kosova apo në koproduksion me Kosovën. Këta janë filmat ‘A Prishtina story’ dhe ‘Rooftop story’ nga autorët debutantë Burbuqe Berisha dhe Gazmend Nela, si dhe koproduksionet e Kosovës me Maqedoninë, ‘The Return’ nga Kastriot Abdyli dhe ‘Year of the Monkey’ nga Vladimir Blazevski.

Lista e filmave të Programit Garues Ballkanik – ‘Honey and Blood’:
1. Directions (Bullgari), nga Stefan Komandarev,
2. The Witch Hunter (Serbi), nga Rasko Miljkovic,
3. Men don’t cry (Bosnje dhe Hercegovinë), nga Alen Drljevic,
4. Year of the Monkey (Maqedoni), nga Vladimir Blazevski,
5. Comic Sans (Kroaci), nga Nevio Marasovic,
6. A Prishtina story (Kosovë), nga Burbuqe Berisha,
7. Rooftop story (Kosovë), nga Gazmend Nela,
8. The smell of money (Turqi), nga Ahmet Boyacioglu,
9. Zer (Turqi), nga Kazim Oz,
10. The Return (Maqedoni, Kosovë) nga Kastriot Abdyli.

Audienca e PriFest këtë vit mes datave 17-22 korrik do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re, “Kino Armata”.

Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit ( +38343714944), ndërsa biletat e filmave, të cilat kushtojnë 3 euro, mund t’i gjeni në biletoren e Teatrit Kombëtar gjatë ditëve të festivalit.

Faruk Basha, njeriu që i dha shumë kinematografisë shqiptare

Po e kujtojmë sot një emër të rëndësishëm në kinematografinë shqipe.

Faruk Basha. Ka lindur në Tiranë në vitin 1940 ndërsa rrjedhë nga një familje e vjetër pejane që u vendos në Tiranë në vitet 30-të.

Në vitet 60-të ai kreu disa kurse speciale për kinematografi në Tiranë, ndërsa ka bashkëpunuar me Viktor Gjikën, Dhimitër Anagnostin e disa regjisorë të tjerë. Në vitet 60-të ai nisi më intenzivisht punën në filma, ndërsa pas suksesit si operator ai u bë pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve.

Vitet e 70-ta, Faruk Basha i kaloi duke marrë pjesë asokohe në bashkpëunimin kulturor mes Kosovës e Shqipërisë ndërsa pas vitit 2000 filloi punën si pedagog në Akademinë e Filmit Marubi ku punon ende.

Filmat në të cilët Basha ka punuar janë: “Familja ime”, “Fillim i vështirë”, “Asgjë nuk harrohet”, “Përtej mureve të gurta”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Në fillim të verës”, “Malet me blerim mbuluar” dhe filma të tjerë.

Efektet speciale të fotografisë ai i realizoi në “Balada e Kurbinit” në vitin 1990 dhe “Flutura në kabinën time në vitin 1988. / KultPlus.com

Borxhet e mia

Xhevahir Spahiu

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit,
i kam borxhe nënës
që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit
qe s’ja hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxhe krimit
që si vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13
që s’ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxhe të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve,
gurin e varrit do ta shes,
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.

Tani mund të flisni për borxhet që më keni ju.

Më mirë një shtëpi për aktorët sesa një shtëpi për dashnoret!

Ilirjan Blloshmi

Kisha pushimet, hoqa të gjitha portalet politike, nuk lexova asnjë lajm politik, kam ndjekur botrorin pothujase cdo ndeshje. Rilexova poezite e Salaman Ruzhdies, pata dhe nja dy libra të tjerë me vete por nje mut i lexova se nuk te linte birra dhe oqeani. Kisha dëgjuar nëpërmjet statuseve të miqëve për teatrin, për aktorët e shitur, për ata që po i lepinë bythën pushtetit, për ata që janë padinjitet etj etj. Për sa kohë kam qënë në Shqipëri unë kam qënë një vizitor i regullt i Teatrit. Nuk linja pothujase asnjë shfaqie pa parë, teatri më dhimbset, aktorët i dua, pavarisht se kush janë ata, me cfarë merrem ata, nuk më interson nëse janë të Lulit, të Edit, të Erionit apo të dreqit a shejtanit.

Sot jetojmë në një epokë jashtëzakonisht të materializuar, ku nëvoja shpirtërore është në limitet e saj. Përreth nesh ka shumë zhurma, aq shumë sa nuk na lejon, të dëgjojmë as të vërtetën dhe nevojat tona më të thella. Në gjithë këtë xhahamallahi lexon cdo gjë të mundshme, nga një grup që nuk ja kanë habarin fare teatrit, që nuk kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre. Janë këta që kur ishin në shkollë, të vetim instrumet që kishin të preferuar ishte zilja e shkollës. Sot për teatrin proteson Besjan Pesha, ish drejor dhe hajdut i LSI-së. Protestojnë rrogëtarët e Ervin Salijanit, i cili ka dy breza që pasurohet në kurrizin tonë, vjedh pasuritë tona. Sot kanë dalë disa “filozofë” që Mul Noka paguan të sulmojnë aktorët që janë me Veliajn.

Lexova një” filozof” që thoshte se Arben Derhemit, Velija i ka premtuar një hyrje, një dyqan tek kulla, që do ndërtohet tek Teatri. Nëse kjo është e vërtetë hallall ta ketë Arbeni. Unë e kam parë Arben Derhemin të ushqet tek mencat e qytet studenti. Nuk e kam parë as me ML, as me BMW, por e kam parë të udhetojë më urban madje dhe me abone. Sepse në këtë vend kurvë sundojnë kopilat, që janë produkt i kurvezimit të politikës. Hidhni një sy deklaratave që bëjnë politkanët për pasurnë e tyre. Një hyrje për dashnoren që kan kur janë në pushtet, një hyrje për dashnoren kur janë ne opozite dhe një hyrje ku kanë gratë dhe fëmijët. Nëse vërtë Veliaj ju ka premtuar hyrje aktorëve aty, hallall e ti gëzoni. Vërjani kazmën asaj godine. Fundja më mirë një shtëpi për Arben Derhemin që na jep kënaqesi kur ngjitet në skenë. Sesa një shtëpi për Greta Kocin. Më mirë një shtëpi për Altin Bashën që është një nga regjizorët më të mirë që këmi aktualisht. Sesa një shtëpi për Gugunë. Më mirë një shtepi për Alfred Trebickën sesa një shtëpi për cdo dashnore ministri apo kryetari bashkie.

Netë pritjesh

Poezi e shkruar nga Alketa Spahiu.

Sa netë pritjesh kanë njohur
korsetet e tregjeve Flea
korsetet e zeza, te kaltëra, me lule,
me rrjeta, me dantella, me mëndafsh
lidhëset e tyre shtrëngojnë pamëshirshëm syrin,
dijnë përmendësh anatominë e abdomenit,
kompozicionin e shpirtit,
në glob kanë skicuar déjà vu-në e vajzërisë
ofshamat i rimodeluan në “ave Maria” të aurorës së pagjumë.

Takat e kuqe të tangos së ripërteritjes
kanë vallëzuar me shpërfilljen, njëanësinë,
këmbënguljen, përshpirtërsinë,
takat e kuqe me dy rripa te hollë
që shtrëngojnë kyçet si mungesa zemrën,
takat e kuqe që kanë shkelur kalldrëmet e profecisë së Kasandrës,
takat e takimit të parë i mbetur në tentativë.

Hefaest, kërko ndihmën e porotës laike,
të mblidhen në agoren e ndjeshmërisë,
kam të drejtën e zjarrit të arkave
të kapilarëve plot lotë,
kur shoh arrogancën tek vallëzon bachata me poshtërimin,
me mashtrimin,
korsetet e zeza, te kaltëra, me lule
të tregjeve Flea
ngjyrë gri le të marrin
për të gjitha pritjet që njohën,
takat e kuqe le të vallëzojnë në mesin e drunjëve te skuqur
le të shkopsitet nepsi
për takimin e parë të munguar
dhe valsin që u vallëzua solo.

Raporti: Gratë shqiptare 270 minuta në ditë punë shtëpie, burrat vetëm 45

“Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë”! Poezia me titull “Fshati im” i Andon Zako Çajupit e shkruar mbi 100 vite më parë është aktuale edhe sot në Shqipëri.

Një raport i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, thekson se femrat shqiptare kryejnë 314 minuta në ditë punë të papaguar, nga të cilat 270 minuta janë punë shtëpiake. Kjo bën që shqiptaret të jenë në vendin e 5-të në botë ndër sa i përket punës së papaguar.

270 minuta dedikuar vetëm për punët e shtëpisë përkthehen në plot 4 orë e gjysëm në ditë. Duke parë listën rezulton se, vendet e lindjes dhe sidomos vendet muslimane janë ato që zënë vendet e para të renditjes në këtë drejtim. Situata përmbyset tërësisht kur bëhet fjalë për burrat.

Këta të fundit shpenzojnë më pak se 1 orë në ditë për punën të papaguar, dhe nga këto vetëm 45 minuta në ditë për punë shtëpiake. Siç duket qartë edhe nga ilustrimi grafik i Organizatës së Punës, kjo gjë e vendos Shqipërinë ndër vendet e fundit në listë sa i përket dembelizmit të burrave shqiptarë në drejtim të punëve të shtëpisë.

Me rajonin ndërkohë nuk ka krahasim, femrat janë ato që i dedikojnë më shumë kohë punëve të shtëpisë dhe meshkujt ata që i dedikojnë më pak kohë. Femrat shqiptare bëjnë pune shtëpie 6 herë më shumë se meshkujt në kohëzgjatje, dhe një diferencë të tillë nuk e ka asnjë vend i botës.

Puna e papaguar në Shqipëri sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës përkthehet në 8.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit të shprehur në fuqi blerëse, dhe nga këto, 7.2% i takojnë femrave. Gjithsesi, kjo është ndër përqindjet më të ulta në nivel global. /scan

Ka shpresë për Kosovën në Eurovizionin e vitit tjetër

Ekziston një mundësi dhe shpresë që Kosova të jetë debutuese në Eurovizionin e vitit 2019-të në Izrael.

Në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, Unionit të Transmetuesve Publik, RTK ka marrë premtimin se në dhjetor do të dalë në votim anëtarësimi dhe nëse RTK anëtarësohet në EBU kjo nënkupton që Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion.

RTK ka paraqitur dëshirën dhe vullnetin të jetë pjesë e EBU-së dhe këtë e ka ripotencuar në Tiranë këto ditë.

Në listën e televizioneve publike që do të votojnë janë edhe RTSH nga Shqipëria dhe Radiotelevizija Srbije nga Serbia. Problematike mund të jenë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Shqipëria ka debutuar në Eurovizion në vitin 2004. / KultPlus.com

Januzaj: S’festoj me shqiponjë sepse s’dua të bëj veprime politike

Dy lojtarët e Zvicrës me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, u ndëshkuan nga FIFA me gjobë për shkak të festës së tyre me simbolin kombëtar shqiponjën pas golave të shënuar në ndeshjen kundër Serbisë.

E sulmuesi belg, Adnan Januzaj, i cili po ashtu ka prejardhje nga Kosova, ndonëse ka lindur dhe është rritur në Bruksel, edhe pse shënoi gol në këtë Botëror kundër Anglisë, nuk festoi me në të njëjtën mënyrë.

Në një prononcim për AFP-në, Januzaj tha se nuk dëshiron të bëjë festime politike pas golave.

“Nuk jam shumë i përqendruar në momentin pas shënimit të golit”, tha Januzaj, raporton Koha.net.

“Është gol me plot emocione, po festoja me fansat dhe bashkëlojtarët, por mendoj se janë dy fusha – ajo e futbollit dhe ajo politike. Unë i festoj golat me bashkëlojtarët e mi”, tha Januzaj.

Adnan Januzaj, ditë më parë ka ripërsëritur deklaratën se është belg dhe se është i lumtur që luan për Belgjikën.

Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë mirëpriti punimet e 36-të artistëve nga Turqia

Në Tiranë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë është hapur ekspozita me veprat e 36-të artistëve nga Turqia.

Në ekspozitë përveç piktorëve me punimet e tyre ishin të pranishëm edhe dy skulptorë, një artist me punim në qeramikë si dhe një artist me punime në miniaturë.

Ekspozitën e vizitoi edhe ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, ndërsa kuratori i ekspozitës, Kani Kaya, ka theksuar se e ka pasur ëndërr të hapë një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar.

“Ne kemi një lidhje shumëvjeçare si popull dhe kjo ishte një nga arsyet që të zhvillonim një aktivitet të tillë në Shqipëri. Kemi 43 vepra arti të ekspozuara këtu nga 36 artistë të ndryshëm nga Turqia, të cilët përfaqësojnë artin modern turk. Të ekspozuara kemi piktura, skulptura, punime në qeramikë dhe në miniaturë”, tregoi ai.

Sipas kuratorit, Kaya ekspozita të tilla janë hapur edhe në Kosovë dhe Maqedoni dhe synimi është që aktivitete të tilla të zhvillohen çdo vit në Shqipëri.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 7 korrik për artdashësit e kryeqytetit, shkruan voal.ch. / KultPlus.com

10 hapa për të zvogëluar dhunën e burrave kundër grave

Shqiptar Oseku

1. Te ashpërsohen sanksionet ligjore pēr vepra individuale të dhunës së burrave kundër grave. Të hiqet neutraliteti i rrejshëm i tekstit ligjor dhe të ceket qartë se dhuna e burrave kundër grave do të sanksionohet më ashpēr.

2. Te vendoset rekuizita e dhunes se përsëritur patriarkale: dhuna e perseritur, qofte edhe me partner te ri, te kete sanksion te ashpersuar ne shkalle progresive.

3. Te hiqet mundesia qe viktima te terheqe kallezimin penal. Çdo rast dhune te hetohet nga policia dhe dorezohet te prokurori pavaresisht deshires se paleve.

4. Te percillet rregullisht çdo rajon polior si procedon lendet, e cdo prokurori themelore sa lende dhune i ndjek ne gjyq. Suksesi në ndjekje penale të këtyre lëndëve të bëhet kriter bazë për vlerësim të prestacionit dhe rrogë në tē gjitha nivelet.

5. Keshilli Gjyqesor te organizoje kurse standarde per gjykates per dhunen e burrave kunder grave. Pjesemarrja dhe certifikimi ne kurs te behet i detyrueshem, si dhe kriter bazë për vleresim te prestacionit dhe caktim te rroges. E njejta te vleje dhe per prokurorine publike.

6. Dhuna e burrave kunder grave te behet pjese e kurrikules standarde te arsimit dhe trajnimit te kadeteve te policise. Instruktoret te jene te certifikuar nga Qendra per Studime Gjinore.

7. Te krijohet nje buxhet solid per te financuar Qendren per Studime Gjinore si pjese te universitetit publik. Qendra te kete tri profesura te perhershme ne kulture, kriminologji, e studime gjinore, qe emerohen me mandat dyvjeçar ne baze te arritjeve shkencore. Dhuna e burrave kunder grave te behet pjese e kurrikulave te fakulteteve ku ligjerohet kriminologji, juridike, sociologji, si dhe pune sociale. Te mos certifikohen themelata arsimore ku kjo mungon.

8. Barazia gjinore të bëhet pjesê e kurrikulave dhe themel certifikues qe nga parashkollorja. Barazia gjinore të jetë pjesë obligative e lëndës së edukatës qytetare në fillore. Poashtu, edukata qytetare të jetë pjesë e detyrueshme e kurrikulave të shkollës së mesme.

9. Barazia gjinore të jetë pjesë e skemës programore të televizionit publik dhe radios publike. Te gjitha institucionet publike te kene plane te barazise gjinore, duke perfshire ketu institucionet publike te artit dhe te kultures.

10. Te ndryshoje kuadri ligjor i kodit te familjes, eterit qe denohen nga gjyqi per dhune kunder nenes se femijeve te perbashket te humbin automatikisht kujdesin ndaj femijes ne favor te nenave. Eterit qe humbin kujdesin te obligohen ligjerisht per alimentacion. Nqs eterit nuk duan apo nuk munden te paguajne hisen e vet, shteti t’u paguaje alimentacionin nenave, e t’u kerkoje pastaj eterve rimbursim permes zyreve te permbarimit.

Nuk është hiç vështirë, për atë që do.

#feminizmishqiptar

Kërkohet prania e simbolit të Shqiponjës nëpër ndeshje sportive përmes një peticioni

Vendimi i marrë nga FIFA për të dënuar lojtarët e kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner është parë si i padrejtë nga shumë njerëz të cilët në forma të ndryshme kanë vendosur që ta kundërshtojnë një vendim të tillë, shkruan KultPlus.

Diçka të tillë ka bërë edhe Shqipe Kajtazi e cila ka nisur një peticion i cili kundërshton vendimin e FIFA-së për ndalimin e shfaqjes së simbolit të shqiponjës.

“Kjo është diçka e gabuar duke u bazuar në faktin se në të gjitha ndeshjet e futbollit shfaqen simbolet kombëtare. Ky ehtë një diskriminim nga Shqiptarëve të cilët si mënyrë identifikimi e kanë shqiponjën kudo që shkojnë. Ndryshimi i këtij vendimi nënkupton se shqiptarët mund të bëhen pjesë e garave të ndryshme ndërkombëtare po pasur frikë dhe pa qenë të diskriminuar”, ka shkruar ajo.

Peticioni i saj tashmë ka arritur që të nënshkruhet nga 2 mijë e 474 njerëz.

https://www.change.org/p/swiss-football-association-appeal-the-fifa-decision-against-displaying-the-albanian-flag-eagle?recruiter=34227435&utm_source=share_petition&utm_medium=facebook&utm_campaign=psf_combo_share_initial&utm_term=psf_combo_share_initial

Të tre lojtarët të cilët bënë shqiponjën në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë janë gjobitur nga FIFA me shuma monetare. 10 000 franga zvicerane për Xhakën dhe Shaqirin dhe 5 000 franga për Lishtajner, duke i konsideruar festimet e tyre jo sportive dhe një sjellje kundër principeve të “fair play”-t./ KultPlus.com

Clare Downs dhe Simon Wilkinson mbajnë punëtori në PriFest

Përmes partneritetit me Këshillin Britanik në Kosovë PriFest këtë vit sjell për publikun platformën e filmave më të rijnë PlayUK dhe një numër ekspertësh të industrisë së filmit.

Këtë vit PriFest ka lidhur bashkëpunim me British Council për të sjellë jo vetëm kinemanë e këtij shteti për publikun kosovar, por edhe një numër mysafirësh dhe ekspertësh, të cilët përmes workshopeve të tyre, do të ndajnë njohuritë në fushën e zhvillimit të skenarit dhe në lëminë shumë tërheqëse të realitetit virtual (Virtual Reality and Augmented Reality).

PlayUK do të jetë përmbledhja e filmave më të suksesshëm që vijnë nga kinematografia britanike, të gjithë premiera në PriFest dhe Kosovë, filma atraktiv me shumë ngjarje interesante dhe një numër të njohur aktorësh anglez që interpretojnë në ta.

Mos e lëshoni shansin që t’i shijoni këto ngjarje në ditët e nxehta të korrikut, qoftë në kinemanë e hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”, qoftë në Teatër Kombëtar apo në Kinon e re Armata, të gjitha në javën e PriFest-it, 17-22 korrik 2018.

Ndërkohë, dy punëtori/workshope që ky festival i organizon në bashkëpunim me Këshillin Britanik (British Council) këtë vit, duke sjellë dy ekspertë të rryer me shumë përvojë në fushat e veta, janë:

* Workshopi i rregullt i PriFest për Zhvillim Skenari, që këtë vit do të ekzekutohet nga Clare Downs, dhe
* Workshopi i Realitetit Virtual (VR) që do të mbahet nga Simon Wilkinson, një ekspert që ka marrë vlerësime shumë të mëdha nga shumë revista prestigjioze dhe ka mbajtur workshope në shumë shtete, derisa puna e tij është ekspozuar edhe në Tate Modern në Londër.

CLARE DOWNS – EKSPERTE NË LËMINË E ZHVILLIMIT TË SKENARIT

Clare Downs, është tutore e përgatitjes së skenarit, shkrimtare, skenariste dhe ligjëruese në “National Film and Television School” në Angli dhe nëDepartamentin e Masterit për shkrim skenari në De Montfort University.

Clare Downs është anëtare themeluese e ekipit analizues të skenarit në EAVE (European Audiovisual Entrepreneurs) që ngaviti 1989. Gjithashtu, ajo është producente e The Dress (BAFTA) dhe e High Season (San Sebastian, skenari mëi mirë).

Projektet filmike pjesëmarrëse në këtë workshop, tanimë të përzgjedhura (gjithsej 4 projekte), përfitojnë një punëtori 2-ditore për Zhvillim të Skenarit (Script Development) të udhëhequr nga ekspertja Downs, projekt ky që mbahet tani e shumë vite në kuadër të PriFORUM-it gjatë ditëve të festivalit.

SIMON WILKINSON, EKSPERT NË FUSHËN E VIRTUAL REALITY

Workshopi tjetër që PriFest e organizon në bashkëpunim me Këshillin Britanik (British Council) do të mbahet nga Simon Wilkinson.

Simon Wilkinson, që vjen nga kompania Circa69, është një ekspert që ngarevista CINEUROPA është vlerësuar si “një nga emrat më të shquar në Evropë kur flitet për VR”. Me punën e tij ai ka marrë pjesë në Tate Modern, Londër, si dhe në 3 vitet e kaluara puna e tij me VR ka qenë pjesëmarrëse në një turne të mbajtur në 24 shtete në 6 kontinente të Botës, ndërsa në Prishtinë workshopi i udhëhequr nga ky ekspert titullohet “Virtual Reality & Augmented Reality” (Realiteti Virtual & Realiteti i Zmadhuar).
Kjo punëtori, që do të drejtohet nga Simon Wilkinson [CiRCA69], zgjat dy ditë dhe ka për qëllim që të mësojë pjesëmarrësit të krijojnë VR (Realitet virtual) dhe AR (Realitet i zmadhuar) duke përdorur programin “Unity”.

Programi aplikativ “Unity” është një nga programet më të përdorura ngakrijuesit e VR, mund të shkarkohet falas dhe iu mundëson përdoruesve që të prodhojnë përmbajtje interaktive për Oculus Rift, HTC Vive, Samsung Gear dhe shumë platforma të tjera VR.

Të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje, të cilët mund të jenë fimkrijues, arkitektë, artistë vizual e elektro-muzicientë, në këtë punëtori, duhet të aplikojnë para datës 10 korrik në http://prifest.org/application-for-vr-ar-workshop/

Numri i vendeve për këtë punëtori është i limituar dhe të gjithë pjesëmarrësit e zgjedhur duhet ta sjellin me vete laptopin e tyre në punëtori si dhe duhet ta kenë të instaluar programin “Unity”. Kjo punëtori është pa pagesë dhe zgjat dy ditë./ KultPlus.com

Dua Lipa e mahnitshme para koncertit në San Diego (FOTO)

Dua Lipa është gati për koncertin që do të mbajë në San Diego, por para koncerti ajo ka ndarë me miqtë e saj një set të fotografive të realizuara nga Pixie Levinson, shkruan KultPlus.

Dua Lipa në vazhdën e koncerteve në gusht do jetë e pranishme edhe në Prishtinë, ku do të mbajë koncert në kuadër të festivalit “Sunny Hill”./ KultPlus.com

Ne s’bëjmë asgjë të keqe

Poezi nga Skënder Rusi.

Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Duhemi.
Ndaj dhe kjo ditë
nuk po perëndon ende!
Ne jemi akrepat
e orës së diellit,
Lëvizim brenda tij
si brenda një zemre!

Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Vështrohemi.
Duke u bërë secili
sadopak i verbër!
Që mos na vijë aq turp
kur të takohemi,
Në ato vende ku s’ka shkelur
asnjë tjetër!

Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Puthemi.
Duke hapur portën
e botës së përtejme!
Brenda saj gjithmonë
ka diçka prej absurdi,
Që bëhet shkak
për grindjet mes njerëzve!

Ne s’bëjmë asgjë të keqe. Gënjehemi.
Duke i marrë atë që i vjeshton,
njeri-tjetrit!
Në u bëfshim Prometej,
zjarre nuk do vjedhim,
Por urrejtjet që në shpirt
mbajnë njerëzit! /KultPlus.com

Inva Mula sjellë Festivalin “MIK”, me muzikë synon të kthejë vëmendjen nga Pazari i Vjetër në Korçë

Festivali “Muzika Internacionale në Korçë”, do të zhvillohet nga 25 deri më 29 korrik, në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.

Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga Inva Mula me miqtë e saj në Korçë, një mbrëmje poezie dhe serenatash, në Pazarin e Vjetër, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim të përfshirjes së tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit.

MIK Festival do të zgjasë 5 ditë të plota me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën, historinë e këtij qyteti që është djep të qytetërimit.

“Qyteti i Korçës është një qytet, i cili ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz”, thonë organizatorët.

Koncepti i festivalit është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Festival do të bëjë së bashku artistët lirikë të rinj e të afirmuar të skenës për t’i dhuruar publikut një emocion të rrallë e të papërshkrueshëm.

Emra të mëdhenj të muzikës lirike do të performojnë në qytetin e Korçës për gjatë 5 ditëve, ndërsa do të bëhen të ditur së shpejti.

“Janë pikërisht ata artistë që kanë ngritur lartë emrin e Shqipërisë në botë, dhe tani do të jenë në Korçë, për t’i dhuruar kënaqësinë dhe emocionet e artit të tyre publikut shqiptar dhe atij të rajonit”, thuhet në njoftim të festivalit.

MIK Festival, është festivali i parë që bën bashkë rreth 150 artistë të zhanreve të ndryshme për të performuar si asnjëherë më parë në këto 5 ditë të festivalit./ KultPlus.com

Në Uçë të Istogut u mbajt edicioni i pestë i “Ditës së Plisit”

Sot u mbajt edicioni i pestë me radhë i ditës së Plisit, që tradicionalisht po organizohet në fshatin Uçë të komunës së Istogut, në Odën e Daut Ferataj.

Të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni kishin vendosur plisa të bardhë në kokë.

Aty u fol rreth plisit të bardhë, u kujtuan dhe përfolën edhe shumë barcoleta të odave dhe anekdota popullore, e poezi kushtuar plisit./ KultPlus.com

Ushqimet tradicionale shqiptare pjesë e festivalit “Bronx Night Market” në New York (VIDEO)

Festivali i titulluar “Bronx Night Market” do të mbahet për herë të parë në Brox të New York-ut. Në tezat që do të vendosen në Fordham Plaza, do servohen ushqime të më shumë se 40 vendeve nga vijnë banorët e vendosur në Bronx, e këtu nuk do të mungojnë ushqimet tradicionale shqiptare, shkruan KultPlus.

Në kuadër të festivalit hyrja në të cilin është falas, do ketë shitje të ushqimeve të cilat do të jenë nga 3 deri në 7 dollarë, muzikë si dhe punime dore të ndryshme të cilat do të ekspozohen.

Festivali i cili përdorë sloganin “Shijoje më zemër, New York, Bronx-i po gatuan” është organizuar nga revista Edible Bronx dhe agjencia BLOX.

“Njerëzit nuk e kanë trajtuar me respekt Bronx-in dhe kjo pjesë është nënvlerësuar. Prandaj është qëllim i yni që njerëzit të cilët jetojnë këtu të kenë me çka të krenohen dhe ne të tregojmë mikpritjen dhe diversitetin që është në Bronx”, ka thënë themeluesi i BLOX, Marco Shalma për Gothamist.

Ndër shqiptarët që do të jenë pjesë e këtij organizimi është edhe Ramiz Kukaj, i cili përmes një njoftimin në rrjetin social facebook, ka treguar që do ta promovojë kulturën dhe traditën shqiptare në këtë festival.

Ngjarja do të fillojë sot nga ora 16:00 dhe pjesë e tij do jenë edhe artistë e njohur në këtë komunitet si Bryan Durieux, Consumata Sonidera e të tjerë./ KultPlus.com

Gepostet von The Bronx Night Market am Donnerstag, 21. Juni 2018

U dha premiera e shfaqjes “Si ta vrasim presidentin”, i pranishëm ishte autorit i tekstit Miro Gavran

Alberina Haxhijaj

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës mbrëmë është dhënë premiera e shfaqjes “Si ta vrasim presidentin” me tekst të dramaturgut, Miro Gavran e regji të Marigona Bekteshi-Ferati, shkruan KultPlus.

Dy vëllezër të rritur së bashku, Igoro dhe Roberti takohen pas disa viteve mirëpo pikëpamjet e tyre tani janë të kundërta. Gëzimin që vëllezërit do bëhen së bashku e zbeh vrasja e presidentit të Amerikës, që po e planifikon Igoro.

Igoro i cili erdhi përmes lojës së aktorit Mirsad Ferati është kundër globalizimit dhe është i përgatitur të luftojë në çfarëdo forme për një botë të re. Ai vjen nga kontinenti i Amerikës për të takuar të vëllain dhe këmbëngulë në besimin e tij se shtetet e mëdha po e shfrytëzojnë ndikimin e tyre në botë për të shkatërruar vendet më të dobëta.

Zgjedhja e vetme sipas tij dhe grupit që ai udhëheq është vrasja e presidenti dhe njerëzve të cilët janë në pozita të larta.

Por a do lejojnë vëllai i tij Roberti (aktori Fatmir Haliti) dhe gruaja e tij (aktorja Rabije Kryeziu) diçka të tillë? Po e fejuara e tij (aktorja Njomza Tmava), do e përkrahë këtë plan?

Pikërisht këto elemente intriguese dhe shumë të tjera, të cilat i ka përfshirë në tekst dramaturgu Miro Gavran kanë zgjuar kureshtjen e regjisores, Marigona Bekteshi-Ferati, e cila për herë të tretë me radhë inskenon tekste të dramaturgut Miro Gavran në Kosovë.

Një tekst të këtij dramaturgu regjisorja zbuloi për KultPlus se do e inskenojë edhe në Shqipëri, në muajin tetor gjersa thekson se kjo shfaqje në qendër ka vendet të cilat janë duke kaluar nëpër tranzicion.

“Kemi dy vëllezër që kanë pikëpamje të ndryshme ku njëri është kundër globalizmit dhe tjetri pro. Njëri mundohet që të bind tjetrin se ne jetojmë në një botë jo të mirë, ku nuk kemi të drejta. Tjetri mendon që ata jetojnë në kohën më të mirë. Pra shfaqja është e hapur dhe më mundësi zgjedhjeje. Publiku mund ta përkrahë Igorin kundër globalizmit apo Robertin i cili është pro globalizmit”, tha ajo.

Mirëpo edhe pse regjisorja tashmë e ka të njohur punën e dramaturgut Gavran, i cili prinë në listën e autorëve më të përkthyer kroat për aktoren Rabije Kryeziu kjo ka qenë hera e parë që punon me një tekst të tij.

“Kur e kam lexuar tekstin kam pasur dyshimet e mia për shkak se është një tekst i bazuar në eksperiencën e aktorëve dhe në fuqinë e aktorëve. Mirëpo i kam në qejf sfidat dhe kam pasur dëshirë të sfidoj veten. Prezenca e autorit e ka bërë edhe më të vështirë lojën tonë dhe gjithmonë ka qenë ajo dilemë nëse po bëjmë atë që është e duhur”, tha aktorja për KultPlus.

Këtë dramë Miro Gavran e shkroi 15 vite më parë, në kohën kur në Kroaci është diskutuar për globalizimin se a është apo jo ajo një çështje jetike. Në vorbullën e mendimeve se vendet të cilat synojnë globalizmin a janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

“Në dramë kam dashur që të tregoj në rrëfim familjar. Momentet më të rënda të njeriut janë kur botëkuptimet në lidhje me jetën nuk janë të njëjta me anëtarët e familjes. Në këtë rast të Igorit, më vëllain dhe gruan e tij. Kjo dhemb më shumë sesa kur ke mosmarrëveshje me dikë tjetër. Unë këtu nuk kam dhënë përgjigje por publiku duhet t’i gjejë përgjigjet dhe të vendos se cila është më e përafërt me mendimet e tyre”, tregoi dramaturgo Miro Gavran për KultPlus, i cili ka ardhur në Kosovës, enkas për këtë shfaqje.

Sipas dramaturgut kur janë në pyetje temat politike është mirë që të tregohen botëkuptimet e kundërta.

Viteve të fundit ai ka shkruar shumë komedi pasi që siç thotë ai, është kënaqësi të bësh njerëzit të qeshësh, duke mos u larguar nga dramat tek të cilat kthehet herë pas herë.

Tutje dramaturgu, Miro Gavran, bisedoi për KultPlus edhe për mënyrën e inskenimit të tekstit të tij në skenën e vogël të TKK-së.

“Secili aktorë e ka mbrojtur rolin e vet në mënyrë të mirë dhe jam i lumtur edhe më punën e regjisores e cila ka bërë disa shkurtime por që nuk kanë penguar shfaqjen e cila e ruan kuptim dhe që mban një ritëm. Të gjitha kanë qenë në nivel. Unë them se një shfaqje është e mirë kur e ka erën, ngjyrën edhe shijen dhe shpresoj që kjo shfaqje i ka pasur të tirja dhe do të depërtojë të shikuesit”, tha ai duke theksuar se kjo shfaqje e nxitë publikun që të mendojë për jetën e tyre.

Sonte të gjithë të interesuarit mund të shohin reprizën e parë të kësaj shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 21:00. Ndërsa, kjo është shfaqja e fundit për këtë sezonë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, aty ku deri më 1 shtator nuk do të ketë më premiera./ KultPlus.com

Muzeu arkeologjik i Durrësit magjeps turistët e huaj

Muzeu arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-qershor të këtij viti është vizituar nga 5386 turistë vendas e të huaj.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, muzeu po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve sidomos atyre të huaj, ku në 6 muajt e parë të vitit është vizituar nga 2414 të huaj dhe 936 nga vendi.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur për ATSH-në se “vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si USA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj”.

“Falë një bashkëpunim të ngushtë me agjencitë turistike vendase dhe të huaja, kemi bërë të mundur mirë koordinimin për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit”, shprehet DRKK, Durrës.

Guidës së qytetit të Durrësit këtë vit i është shtuar dhe monumenti Banka Kombëtare Tregtare (Durrës), si dhe është dërguar për propozim për shpallje monument kulture Katedralja e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë, përcjell ata.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit tonë. Një shembull për tu admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. / KultPlus.com

Adem Dermaku paraqiti punimet e tij me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner” në Cyrih

Mbrëmë në Kunst Salon Wolfensberger në Cyrih, është hapur ekspozita kolektive me titull “Lajmet nga vitet e fundit 1902-2018”, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë përpos artistëve të tjetër të huaj, është paraqitur edhe artisti kosovar Adem Dermaku, me tri punime. Ai për KultPlus, shpalosi punimet e tij me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner”.

“Punimet e zgjedhura në këtë ekspozitë janë prej vitit 1902-2018, në mediume të ndryshme të grafikës. Unë jam prezantuar me tri punime me titull “Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner”, ku në një mënyrë të thjeshtë simbolike, ironike kam paraqitur emocionet të cilat na i kanë dhuruar këta futbollistë në ndeshjen Zvicër – Serbi”, ka thënë Dermaku për KultPlus.

Secili nga punimet e artistit Adem Dermaku, ka numrin e lojtarit që mbanë në fanellë ndërsa janë punime unikate.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 30 gusht në Kunst Salon Wolfensberger të Cyrih-ut./ KultPlus.com

“For You” nga Rita Ora dhe Liam Payne, kënga më e dëgjuar në Britani

Kënga “For You” e cila ishte kolonë zanore e filmit “Fifty Shades Freed” është kënga më e dëgjuar në radio në Britani, shkruan KultPlus.

Ky fakt e ka gëzuar shumë këngëtaren shqiptare Rita Ora e cila pret që kënga të vazhdojë suksesin e saj.

Kënga “For You” nga Rita Ora dhe Liam Payne ka më shumë se 100 milionë klikime në Spotify, si dhe ka mbi 140 milionë klikime në youtube./KultPlus.com

Pamje nga kantierët e rilindjes së trashëgimisë kulturore (VIDEO)

Ashtu si prej kohësh, edhe këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me promovimin e zonave turistike.

Ai publikon pamje nga Voskopoja, ku janë bërë ndërhyrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Me këto pamje nga kantierët e rilindjes së vlerave të trashëgimisë sonë kulturore në Voskopojën e bukur, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

APS_

Në videon më poshtë gjeni pamjet e publikuara nga kreu i qeverisë.

Voskopoja është një fshat 20 km në perëndim të qytetit të Korçës me rrugë të asfaltuara. Ai është i vendosur në një pllajë 1160 m të lartë e rrethuar me male e pyje me pisha e bredha, me ajrin plot ozon dhe burime ujore të kristalta, si “Burimi i Floririt” etj. Vendbanim i hershëm që nga viti 1330.

Në dimër funksionon pista e skive ku dhe zhvillohen gara rajonale dhe kombëtare. Vera është e freskët dhe dimri i ftohtë me reshje dëbore gjatë pjesës më të madhe të stinës./ KultPlus.com