Pa diplomë në xhep por miliarderë, kjo është lista e njerëzve që bënë historinë

Shumica e njerëzve mendojnë sesa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më shumë gjasa ka të bëhesh i suksesshëm.

Përgjithësisht personat që lënë shkollën ose marrin një arsimim minimal, pritet të përfundojnë në pozicione të ulëta pune me paga qesharake. Kjo është ideja që na përcillet që në fëmijëri dhe kultivohet në mendjen tonë për të gjithë jetën. Mësohemi të shohim përpara shumë larg dhe harrojmë se mjetet për sukses mund të jenë para syve tanë në çdo moment.

Njihuni me persona të famshëm, edukimi i të cilëve bën përjashtim nga rregulli:

Xhon D. Rrokfeler, miliarder

Përpara se të bëhej njeriu më i pasur në histori, Xhon Rrokfeler ishte djali më i vogël i një artisti të panjohur dhe një gruaje me shkollë të mesme në provincën e Cleveland, Ohaio. Megjithëse kishte një farë edukimi, në moshën 16-vjeçare Rrokfeler vendosi se ishte koha për ta lënë shkollën dhe për të filluar një karrierë, me qëllimin e vetëm për të siguruar 100 000 dollarët e jetës së tij. Është e sigurt se ai e përmbushi qëllimin dhe shumë shpejt e kaloi atë. Rrokfeler themeloi firmën e tij në industrinë e naftës, “Standart Oil”, duke krijuar kështu një monopol në këtë fushë. Në vitin 1902, Rrokfeler kapi shifrën prej 200 milionë dollarësh dhe para se të vdiste pasuria e tij u vlerësua miliarda dollarë.

Horac Grilei, gazetar dhe kongresmen

Horac Grilei ka lindur në Hampshire në fillim të shekullit XIX, për t’u bërë më pas një prej gazetarëve më të dëgjuar në historinë e Amerikës. Ishte gjithashtu një kongresmen dhe anëtar i Partisë Republikane të SHBA-së. Ai arriti deri këtu pa pasur asnjë arsim të veçantë. Në moshën 15-vjeçare Horac Grili u largua nga shtëpia për të praktikuar një zanat, së bashku me një tipograf në Vermont. Në moshën 20-vjeçare u zhvendos në Nju Jork dhe filloi punë në gazetat “The New Yorker” dhe “The New York Tribune”. Kjo e fundit ishte gazeta që e bëri të njohur. Horac Grili dha ndihmesë në gjetjen e një qyteti në Kolorado, qytet i cili në ditët e sotme mban emrin e tij. Karriera e shkëlqyer e Horac Grilit përbën një kontrast të dukshëm me nivelin e tij të arsimit, por është padyshim në të njëjtin nivel me përpjekjet e tij. Historia e gazetarisë amerikane e ka vlerësuar maksimalisht këtë njeri.

Xhon Glen, astronaut

Gjatë garës së tensionuar të hapësirës, zhvilluar në vitet 1950 dhe 1960, një burrë u shfaq si fytyra e përpjekjeve të Amerikës, për të mundur sovjetikët në betejën e hapësirës dhe uljes në Hënë. Ky burrë quhej Xhon Glen. Ai ishte heroi i luftës dhe një prej astronautëve më të njohur në histori, pavarësisht se e kishte lënë universitetin përgjysmë. Glen frekuentonte Universitetin “Muskingum”, ku studionte shkencë. Bombardimet japoneze në Pearl Harbor e detyruan që ta linte kolegjin dhe të hynte në ushtri për të marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Amerika e nderon këtë njeri duke e quajtur si një prej astronautëve që ndihmoi jashtëzakonisht shtetin në një situatë të vështirë.

Stiv Xhobs, bashkëthemelues i kompanisë “Apple”

Ka nxjerrë shumë mendimtarë të mëdhenj fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI dhe disa prej tyre kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme, pa përfunduar universitetin apo ndonjë arsim tjetër më të lartë, për shembull Bill Gejts dhe Mark Zuckerberg. Megjithatë vlerësohet se mendja më e madhe e teknologjisë së shekullit të kaluar ishte Stiv Xhobs, bashkëthemeluesi i kompanisë “Apple”. Xhobs dhe kolegu i tij krijuan kompjuterët e parë personalë, ose siç njihen ndryshe laptop, dhe ndihmuan për shpikjen e produkteve të tjera revolucionare si “iPod”, “iPhone” dhe “iPad”. Të gjitha këto me një frekuentim vetëm 6-mujor të universitetit nga Stiv Xhobs. Stiv ishte dhënë për adoptim me kushtin e vetëm nga nëna biologjike, se prindërit adoptues duhet t’i jepnin atij një nivel të lartë arsimimi. Pol dhe Klara, prindërit birësues, duket se nuk e kanë përmbushur plotësisht këtë porosi. Stive Xhobs kishte një pasuri, e cila pas vdekjes së tij u vlerësua se arrinte deri në 8 miliardë dollarë.

Mark Tuejn, autor dhe mendimtar

Padyshim shkrimtari dhe komiku amerikan, më i njohur në histori, Mark Tuejn, e fitoi famën e tij pasi krijoi personazhet e Tom Sojerit dhe Hakërbej Fin. Në fakt thuhet se libri i tij “Aventurat e Hakërbej Fin” konsiderohet prej shumë njerëzve si novela më e mirë amerikane. Aspak keq për një djalë, me një edukim të dobët dhe me një zanat që në moshën 11-vjeçare. Kur mbushi 18 vjeç Tuejn punonte si tipograf në qytete të tilla si Nju Jork, Filadelfia, St. Luis, ndërsa netët i kalonte duke lexuar në bibliotekën kombëtare. Librat ishin lidhja e tij më e madhe me dijen, ai lexonte gjithçka, përpara se të bëhej ndër të tjera një kapiten anijesh me avuj. Ai vazhdoi të punonte derisa shpërtheu Lufta Civile e Amerikës. Pas një shërbimi të shkurtër në ushtrinë e Konfederatës ai filloi udhëtimet rreth vendit duke shkruar gjithë kohës. Tuejn është një shembull i qartë sesi zgjuarsia nuk mund të mësohet, ajo lind.

Henri Ford, industrialist dhe sipërmarrës

Në historinë e Amerikës, pak njerëz e kanë përcjellë kaq mirë idenë e një burri të formuar në mënyrë autodidakte, sa Henri Ford. Ai është një nga personat që kujtohet për krijimin e industrisë së automobilave në Amerikë. Ford kishte një shkollim shumë të kufizuar, duke qenë se kishte lindur në një fermë në periferi të Detroit, rritur me një baba që besonte se një ditë djali i tij do të drejtonte fermën e familjes. Por përkundrazi Ford la shtëpinë në moshën 17-vjeçare dhe u largua në qendër të Detroit, ku u bë nxënës i një mekaniku. Një karrierë kjo, të cilën ai e çoi në nivele të larta dhe që i shërbeu për t’u bërë më pas një industrialist i pasur. Ford, pavarësisht arsimit të tij, krijoi linjën e automjeteve për Asamblenë Amerikane. Nuk kaloi shumë kohë dhe Detroiti u quajt qyteti i motorëve, për shkak të punës së palodhshme të Henri Ford. Ai vdiq në vitin 1947, duke lënë një pasuri që vlente 60 milionë dollarë.

Uilliam Shekspir, poet dhe dramaturg

Një nga emrat më të njohur në histori, Uilliam Shekspir, krijoi disa nga punët më të njohura dhe të dashura të botës, që nga Romeo dhe Zhulieta deri te Makbethi. Jeta e tij është shumë pak e njohur dhe e mbushur me errësirë në lidhje me të dhënat e arsimit të tij. Studiuesit janë të lëkundur në lidhje me faktin nëse ai studioi në shkollën “King’s New Scool”, apo nëse sipas shkrimeve të tij ai nuk ishte pjesë e asnjë shkolle pas moshës 13-vjeçare. Është shumë e habitshme që një njeri, i cili ka meritën për shpikjen e më shumë se 1700 fjalëve, sipas të gjitha llogarive nuk kishte as arsim të mesëm. Puna e tij është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës, dramat e Shekspirit janë luajtur në teatrot botërorë dhe shumë filma vazhdojnë të krijohen frymëzuar nga veprat e tij.

Uillson Çërçill, burrë shteti dhe udhëheqës lufte

Një prej figurave më të forta politike të shekullit XX, një mendje e njohur dhe një autor shprehjesh të famshme. Çërçilli lindi në një familje aristokrate. Nuk është aspak çudi të mendosh se ai u rrit për të qenë në radhët e atyre të cilët do ta çonin Mbretërinë e Bashkuar drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore. Çudia është se nëse ai nuk do të përfshihej në listat e personave të rëndësishëm, shkaku do të ishte arsimimi i tij i ulët. Çërcilli, duke qenë se vinte nga një familje e ngritur, kishte mundësinë për të marrë edukimin më të lartë të mundshëm. Ai, nga ana tjetër, e pa shkollën si të vështirë dhe për këtë arsye e ndoqi shumë pak. Për të kaluarën e tij akademike ai është përfolur shumë herë. Në shërbimin ushtarak dha gjithashtu një rendiment të ulët. Aplikoi tri herë për të hyrë në Universitetin Mbretëror të Ushtrisë, por u pranua vetëm për shërbim në kalorësi, sepse aty kërkesat për aftësi të mira në matematikë ishin të ulëta. Vlerësohet si një nga udhëheqësit më të mirë të kohës së luftës në shekullin XX, shërbeu si Kryeministër dy herë në 1940-1945 dhe 1951-1955. I njohur si burrë shteti dhe orator i shkëlqyer, Çërçilli ishte gjithashtu oficer në ushtrinë angleze gjatë luftës, historian, shkrimtar dhe artist. Është i vetmi Kryeministër britanik, i cili është vlerësuar me çmimin “Nobel” në letërsi dhe personi i parë që i është dhënë çmimi “Qytetar Nderi i Amerikës”.

Abraham Linkoln, President i SHBA-së

Ndoshta Presidenti më i njohur në historinë e Amerikës. Abraham Linkoln ishte burri i 16 që drejtoi SHBA-në. Ajo ishte ndoshta koha më e vështirë, sepse trazirat ishin të shumta gjatë luftës civile mes skllavopronarëve të jugut dhe kapitalistëve të veriut. Abraham Linkoln njihet si njeriu që i dha fund skllavërisë në Amerikë edhe pse jo nëpërmjet dekretit të tij për lirimin e skllevërve, i cili nuk kaloi në Kongres. Linkoln njihej si përtac dhe si personi i edukuar pak a shumë vetë. Këto paragjykime nuk e larguan atë nga karriera e tij si politikan i suksesshëm, e cila vlerësohet të ketë ardhur nga leximet me qirinj, që ai bënte në kabinën e tij të drunjtë.

Albert Ajnshtajn, fizikan

Burri i etiketuar si gjeni, burri që publikoi më shumë se 300 punime shkencore, njeriu që fshihet pas formulës së njohur të fizikës E=MC2, njeriu që nxori teorinë e relativitetit, burri që fitoi çmimin “Nobel”, ishte në fakt një gjimnazist i dorëhequr. Përpjekja e tij për të hyrë në universitet u kundërshtua, pasi nuk mori provimet e hyrjes. Por kjo nuk e ndaloi Ajnshtajnin të bëhej shkencëtari më i njohur i kohëve moderne, ndihmesa e të cilit ka një rëndësi thelbësore në përparimet e deritanishme shkencore. Ai është shembulli ideal i frymëzimit për studentët, të cilët dëshirojnë të bëhen gjeni.

Pra, nëse arsimi juaj nuk është në nivelet e kërkuara, mos u shqetësoni, keni më shumë mundësi se të tjerët për t’u bërë një miliarder, shkruan GSH./ KultPlus.com

Dua Lipa shpërndan dashuri

Dua Lipa, tashmë është nominuar në tri kategori Video Music Awards, shkruan KultPlus.

Kësisoj, ajo po ndan sukseset e saj me fansat e shumtë që ka, e poashtu edhe duket se po shijon pushimet. Dua, sapo ka publikuar një fotografi që shihet se është duke bërë plazh, dhe duket mjaft tërheqëse.

Dua Lipa, shumë shpejt do të jetë edhe në Kosovë, në kuadër të festivalit Sunny Hill. Krahas saj do të jenë edhe emra të tjerë të mëdhenj të muzikës në botë./ KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha i drejtohet publikut: Jam me fat që ju kam

Këngëtarja e njohur shqiptare, Nexhmije Pagarusha javën e kaluar është dërguar me emergjencë në QKUK pasa një aksidenti që kishte pësuar në shtëpinë e saj, shkruan KultPlus.

Ky lajm ka bërë ka shqetësuar shumë nga ata që e çmojnë dhe e duan personalitetin e kontributin e saj në muzikë shqiptare. Sot Nexhmije Pagarusha e cila është në gjendje të mirë, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar të gjithë ata që përmes mesazheve të shumta janë kujdesur për shëndetin e saj.

Po ju sjellim postimin e plotë të Pagarushës:

Përshëndetje të dashurit e mi,

Deshiroj t’iu falënderoj për të gjitha mesazhet që më keni dërguar duke më uruar shërim sa më të shpejtë. Shfrytëzoj rastin t’iu informoj se jam mirë dhe e gjithë kjo mbështetje nga ju me ka bërë të ndihem edhe më mirë!

Jam shume me fat që ju kam! ❤️

E juaja,

Nexhmije Pagarusha

Dua Lipa nominohet për çmimin kryesor në “Video Music Awards”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore po vazhdon rrugëtimin e saj me hapa të suksesshëm. Ajo mbrëmë është nominuar në tri kategori në “Video Music Awards”, shkruan KultPlus.

Me hitin e saj të suksesshëm “New Rules”, ajo nominohet në kategorinë kryesore “Kënga e vitit”, me “IDGAF” për “Koreografinë më të mirë”, kurse me “One Kiss” në duet me Calvin Harris u nominua për “Vallëzimin më të mirë”.

Dua Lipa është shprehur tejet e emocionuar për këto tri nominime.

Kujtojmë se Dua Lipa ka qenë një nga këngëtaret më të nomuniara edhe në Brit Awards. / KultPlus.com

Mandatory Credit: Photo by David Fisher/REX/Shutterstock (9433574w)
Dua Lipa
38th Brit Awards, Show, The O2 Arena, London, UK – 21 Feb 2018

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore demanton Komunën e Prizrenit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka mohuar lajmin se komuna e Prizrenit dhe kjo qendër ka përpiluar listë të objekteve që paraqesin rrezik brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

Sipas kësaj qendre, lista e Drejtorisë së Emergjencave dhe Sigurisë ka ardhur si kërkesë për shqyrtim në QRTK, kërkesë të cilën e kanë shqyrtuar në Qendrën Rajonale dhe iu kanë kthyer përgjigje, duke dhënë konkluzionet për çdo objekt i cili ka qenë në listë.

”Dje në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit është plasuar një lajm, ku tregon për punët e Drejtorisë së Emergjencave dhe Sigurisë, si dhe Drejtorisë së Inspektoratit në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht zbatimin e disa veprimeve për rrënim të objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit, duke u bazuar në një listë kinse të përpiluar në bashkëpunim me QRTK-në. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në asnjë moment nuk ka dhënë pëlqim për rrënimin e objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit, përkundrazi, ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që të bëj përforcimin dhe sigurimin e strukturave të objekteve, përveç rasteve të evidentuara për pastrim të rrënojave të objekteve të cilat janë të rrënuara”, thuhet në komunikatën e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore./ KultPlus.com

Rrezeart Galica, pjesë e Javës së Dizajnit Ndërkombëtar të Pekinit

Dizajneri kosovar Rrezeart Galica, do të marrë pjesë në Javën e Dizajnit Ndërkombëtar në Pekin, shkruan KultPlus.

Ekspozita që do të mbahet këtë shtator në Pekin të Kinës, është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme sa i përket fushës së dizajnit në Azi.

Temat e kësaj jave përfshijnë rëndësinë ekologjike në bashkëdyzim me kulturën e dizajnit. Përmes komunikimit dhe kreacioneve do t’i tregojnë botës idetë për dizajnin bashkëkohor.

Ftesa për pjesëmarrje të Rrezeart Galicës, ka ardhë pas vlerësimit të punës si tij, nga organizatorët e kësaj jave. / KultPlus.com

Ndue Ukaj: Shqipëria, nuk është Mustafa Nano dhe as soji tij

Petro Marko, në librin e kujtimeve të tij, tregon pse nuk u bë anëtar i partisë Komuniste të Shqipërisë? Këtë e kam thënë- thotë ai- se “në Berat, në tetor të vitit 1944, kur u ktheva me dyqind vullnetarë shqiptarë, Sejfulla Malëshova më porositi: Kjo parti është një parti terroriste e krijuar nga serbët, prandaj ti mos e hap gojën për asgjë që shikon, të paktën për një vit.

Fjalët e Sejfulla Malëshovës, njërit nga njerëzit më të shquar të demokracisë sonë, që vuajti gjithë jetën dhe që u varros me karron e plehrave në Fier, qenë për mua shpëtim.” Këtë që e thotë Marko, e përforcon në kujtimet e tij, edhe Zef Pllumi, i cili thoshte se, politika shqiptare komuniste, atëbotë projektohej në Beograd dhe ishte kryekëput kundër Kosovës.

Rrënjët e komunizmit nga tokat shqiptare nuk janë shkëputë, ato janë retushuar dhe shfaqur në variante tjera ideologjike, prandaj, nuk është larg mëndësh që, ky diskurs, i cili iu fryn kaq shumë përçarjeve ndërmjet shqiptarëve, të projektohet në Beograd, por edhe në qendra të tjera të armiqve historikë të shqiptarëve.

A duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre zërave?

Pa dyshim se po, por duhet t’i analizojmë brenda kontekstit dhe sfondit historik dhe atëherë shfaqet më e kristalizuar narrativa e tyre.

Shqipëria, për Kosovën, nuk mund të jetë Mustafa Nano, dhe nuk mund të jetë as ai fundërrina, pronari i një hoteli që fyen rënd një qytetar të Kosovës.

Shqipëria, nuk është as politika e papërgjegjshme e banditëve: të majtë ose të djathtë. Sepse, ata e kanë mandatin e tyre, dhe, për të këqijat që kanë bërë dhe për ato që s’i kanë bërë, do t’i gjykojë, vlerësojë apo mallkojë historia.

Shqipëria është rrëfim ynë i përbashkët i thadruar në ndërgjegjen e secilit shqiptar.

Është historia e Gjergj Kastriotit.
Është historia e Pjetër Budit,
Rrugët Bogdanit.
Veprat e Vëllezërve Frashëri,
Veprimtaria gjigante e Fishtës dhe e Françeskanëve.
Është Shqipëria e Gurakuqit, Mjedës, Nolit, Konicës, Kutelit, Merxhanit, Harapit, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Është Shqipëria e jashtëzakonshme e At Zef Pllumit dhe Petro Markos.
Është Shqipëria Havzi Nelës, e Genc Lekës dhe Vilson Bllomishti, dhe e mijëra viktimave që ranë në altarin e drejtësisë dhe dashurisë për vendin dhe drejtësinë e tij.

Shqipëria jonë e përbashkët është përtej marrive dhe poshtërsive të Mustafa Nanos dhe sojit të tij, që më shumë se çdo gjë e duan protagonizmin publik.
Shqipëria, për mua, është vendi i mijëra njerëzve të mirë që jetojnë me dinjitet. Është Shqipëria e miqve të mi të shumtë, të kulturuar dhe të ditur.

Prandaj, mjaft më, mos i fryni zjarrit të përçarjeve./ KultPlus.com

Mustafa Nano: Kosovarët kanë gjak serbi

Analisti i njohur, Mustafa Nano, tregon të vërtetën e pjesëmarrjes së tij në një konferencë të organizuar nga agjencitë shtetërore të lajmeve në Beograd.

Sipas Nanos “Kosova është ‘gjylja e madhe’ në këmbët e marrëdhënieve shqiptaro-serbe”. Ka pasur disa reagime ndaj një qëndrimi tuajit në Beograd, në një konferencë të përbashkët serbo-shqiptare. Çfarë ishte kjo konferencë?

Nano në këtë intervistë ka thënë se shumë serb kanë gjak prej Shqipërie, ashtu sipas tij siç ka edhe gjak serbi në shqiptarë, e sipas tij veçanërisht tek kosovarët.

“Kemi dhënë e kemi marrë aq shumë, sa mund të thuhet pa frikë se në gjakun serb ka shumë prej Shqipërie, ashtu si në gjakun shqiptar, sidomos në Kosovë, ka shumë prej Serbie. Kjo që thashë mund t’u duket një çmenduri, por nuk është. Në harkun e shekujve ka pasur me mijëra krushqira të lidhura, të cilat kanë pasur efektin e tyre”.

Ishte një konferencë e organizuar nga Tanjugu dhe ATSH-ja, me titullin “Shqiptarë e serbë – si të ecet më tutje?”, në të cilën ishin ftuar intelektualë e studiues nga të dyja anët. Ishte i ftuar edhe i mirënjohuri dhe i kudogjenduri Eduard Kukan dhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili, meqë ra fjala, mbajti një fjalë që nuk më pëlqeu. Ishte një nga ato fjalimet e tij të zakonshme, ku mes rreshtave apo edhe në rreshta, vihej re makthi serb për Kosovën e humbur. Ishte një fjalim që mua nuk m’u duk në frymën që duhej të përcillte konferenca.

Në një intervistë për “Panorama”, Nano tregon se kritikët e tij e kanë kuptuar drejt këtë herë, por mendojnë ndryshe nga ai.

Intervista e plotë

Por këtu kanë shkaktuar debat nja dy qëndrimet tuaja. Mendoni që jeni keqkuptuar?

Jo, problemi nuk është që jam keqkuptuar. Problemi është që jam kuptuar drejt. Kjo do të thotë se sulmohem nga njerëz, që në këtë çështje mendojnë ndryshe nga unë.

Çfarë thatë ju atje?

Thashë shumë pak gjëra. Së pari, thashë se nuk kisha pritur që në këtë konferencë të flitej aq shumë për Kosovën. Intelektualët serbë, por edhe ministri i tyre, siç ju thashë, i hapnin dhe i mbyllnin fjalët e tyre me Kosovën. Nuk është se flisnin me gjuhën e Milosheviçit. Madje, as me gjuhën e Daçiçit nuk flisnin. Por dukej se serbët nuk janë ende të përgatitur t’i shohin marrëdhëniet mes tyre e shqiptarëve në një perspektivë, që e kapërcen ankthin e tyre mbi Kosovën. Dhe kjo mua më befasoi, sidomos po të mendojmë që ai ishte një takim midis Tiranës e Beogradit (nuk kishte të ftuar nga Kosova). Nisur nga kjo, unë thashë në thelb se ka shumë Kosovë në këtë takim, duhet ta shmangim pak Kosovën, dhe mund ta shmangim, ndryshe i bie që të llokoçitemi në llucën e zakonshme e të xhirojmë në vend.

Por mund të ndodhë kjo? Mund të përjashtohet Kosova, kur flitet mbi marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve?

Po, mund të ndodhë. Madje, duhet të ndodhë. Për dy arsye. Së pari, sepse çështja e Kosovës ka marrë rrugë e nuk mund të kthehet prapa; nuk ka fuqi askush që ta kthejë prapa; çfarëdo që të ndodhë, nuk ka më kthim prapa; edhe sikur kosovarët të rrëmbejnë armët e të fillojnë të luftojnë me njëritjetrin, kthim prapa nuk ka; dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë; unë çuditem pse kjo nuk është e qartë. Dhe së dyti, sepse ka gjëra të tjera për të biseduar, që mund të jenë shkëmbimet në ekonomi, në kulturë etj., apo edhe – kjo është një temë që unë e kam për zemër – shkëmbimet e takimet midis intelektualëve, akademikëve, gazetarëve, në mënyrë që këta të fundit të ballafaqojnë e të përafrojnë ide, mendime, vizione mbi historinë, mbi njëri-tjetrin, mbi gjëra që ne ndajmë.

Kjo ka shkaktuar debat, mes të tjerash. Se ju keni thënë, sipas kritikëve tuaj, që shqiptarë e serbë kanë shumë gjëra të përbashkëta.

Saktësisht, teza ime është se “problemi ynë është Kosova; kur flasim për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve, Kosova është “gjylja e madhe” në këmbët e këtyre marrëdhënieve; dhe sikur kjo çështje të mos ekzistonte apo sikur të gjente një zgjidhje imediate, që do t’i bënte të gjithë ta flinin mendjen, ne nuk do kishim përse të grindeshim, pasi nuk na ndajnë gjëra të tjera të mëdha. Diferencat e tjera janë si diferencat mes kombeve të tjera, si ato mes Francës e Gjermanisë, si ato mes Spanjës e Portugalisë etj., etj., madje, serbë e shqiptarë janë më të ngjashëm sesa janë të tjerë me njëritjetrin; dhe kjo sepse kemi qenë fqinjë që për shekuj me radhë, kemi jetuar nën sundimtarë të njëjtë dhe në këtë kontekst, më shumë kemi dhënë e kemi marrë me njëri-tjetrin sesa kemi luftuar; dhe se kush mohon faktin që ne kemi dhënë e kemi marrë me njëri-tjetrin, është një i paditur”.

Ku e keni fjalën, kur thoni se “kemi dhënë e kemi marrë me njëri-tjetrin”?

Ku ta kem më parë? Kemi dhënë e kemi marrë aq shumë, sa mund të thuhet pa frikë se në gjakun serb ka shumë prej Shqipërie, ashtu si në gjakun shqiptar, sidomos në Kosovë, ka shumë prej Serbie. Kjo që thashë mund t’u duket një çmenduri, por nuk është. Në harkun e shekujve ka pasur me mijëra krushqira të lidhura, të cilat kanë pasur efektin e tyre. Ka pasur edhe shumë zhvendosje popullsish e asimilime në të dyja krahët. Edith Durhami, të cilën ne shqiptarët e kemi shumë xhan, por edhe Hahni e të tjerë, e kanë vënë në dukje këtë ngjashmëri. Përveç kësaj, ne i mëshojmë shumë armiqësisë sonë, por kjo armiqësi – dhe kjo është një tezë tjetër e imja, të cilën e kam shtjelluar me imtësi në librin “Sandëich” – është e vonë, dhe është jo më e gjatë se 150-vjeçare. Pastaj, edhe kulturalisht ne kemi dhënë e kemi marrë. Shikoni traditat tona orale, të cilat ne i shfrytëzojmë për të krijuar një klimë emulative, i shfrytëzojmë për të thënë se “jemi ne djepi i traditave orale në Ballkan”, në një kohë që e vërteta është se nuk ka një traditë orale ekskluzivisht serbe, boshnjake, malazeze, shqiptare, etj., por ka një traditë orale ballkanike, se tradita orale ballkanike është një “joint venture” dhe se çdo traditë orale kombëtare është pjella, jo djepi i kësaj tradite orale ballkanike. E prandaj, unë mendoj se është e pakuptueshme, madje edhe qesharake, grindja që bëjnë akademikët e historianët për ta vjedhur këtë traditë ballkanike e për ta bërë të tyren. Siç shihet, edhe gjëra që na bashkojnë, ne i shndërrojmë menjëherë në gjëra që na ndajnë dhe kjo është absurde. Doni më? Ka edhe fjalë që ne i kemi huazuar nga njëri tjetri. Ka fjalë të shqipes, fjala vjen, që janë me origjinë serbe, siç janë kovaç, shëtit, vadit, kosit. Madje, me shumë gjasë edhe fjala “vatër”, të cilën shqiptarët e Amerikës e kanë përdorur për të pagëzuar organizatën famëmadhe “Vatra”, është me origjinë serbe. Për të mos folur për fjalët që ne i kemi të përbashkëta prej pushtimit osman, si zanat, inat, hajde etj.. Dhe mua më vjen çudi se si mund të tërbohet njeriu prej titullit “Provokacija”, që unë kam zgjedhur për programin tim.

Pse, ka që janë tërbuar?

Pse, nuk e dini ju? Ka që kanë refuzuar të vijnë në programin tim thjesht prej emrit “Provokacija”. Meqë ra fjala, Idro Seferi që moderonte një nga sesionet e konferencës, e nisi diskutimin me mua bash me këtë pyetje: Pse ky emër për programin tuaj televiziv? Duket që ka bërë përshtypje. Mirëpo nuk duhet të bëjë.

Dhe cila ishte përgjigja juaj?

Përgjigjja ime ishte në frymën e tezave që unë mbroj: Kam dashur t’u përcjell shqiptarëve mesazhin se me serbët nuk është vetëm armiqësia që na mban të lidhur dhe se gjërat serbe nuk janë apriori të huaja e armiqësore për ne. E di, kjo tingëllon surreale, ose më e pakta provokative, por nuk është as surreale, as provokative. Na duket e tillë ngaqë jemi mëkuar qysh në djep me idenë se serbët janë armiqtë tanë të përjetshëm, se ata nuk mund të jenë gjë tjetër, veçse armiqtë tanë dhe se ne shqiptarët nuk mund të përkufizohemi ndryshe, veçse nëpërmjet armiqësisë e urrejtjes ndaj serbëve. Kjo ka qenë e vërtetë në periudha të caktuara në harkun e 150 viteve të fundit, por jo më parë. E nuk ka pse të projektohet edhe në të ardhshmen. Sidomos nëse mendojmë që Kosova do të jetë gjithnjë e më pak një problem.

Ka bërë përshtypje edhe që ju u bëtë thirrje shqiptarëve të Preshevës që të mos jetojnë me ëndrrën e bashkimit. Unë kam qenë në Preshevë. Dhe pashë që shqiptarët atje e mbanin veten peng të një pritmërie, të një perspektive të bashkimit me Shqipërinë a me Kosovën. Ishin duke pritur Godot-në. Dhe kjo i çmobilizonte, i mbante në një gjendje të ngrirë, në një gjendje midis, sandëich, ua bënte pa kuptim çdo përpjekje integrimi në Republikën serbe.

Mua m’u dhimbën ata shqiptarë. Mirëpo, kjo është një gjë e zakonshme në Ballkan. Në të njëjtën gjendje të ngrirë, madje edhe më keq, janë serbët e Mitrovicës, të cilët mendjen e kanë në Beograd, jo në Prishtinë. Po kështu edhe serbët e Bosnjës. Po kështu edhe shqiptarët e Maqedonisë. Madje, edhe grekët e Shqipërisë e kanë mendjen në Athinë. Dhe unë i përmenda të gjitha këto. Nuk është se përmenda vetëm shqiptarët e Preshevës. Dhe unë mendoj gjithë ditën e ditës se kjo është një situatë e çmendur, prej së cilës nuk shqetësohet askush në Ballkan.

Përkundrazi, të gjithë duan që ta përjetësojnë këtë ngrirje. Të gjithë këtyre anëve përpiqen të inkurajojnë/përjetësojnë konflikte. Në ballë të këtyre përpjekjeve janë elitat tona, ato politike e kulturore, anëtarët e të cilave bëjnë garë me sho-shoqin se kush t’i hedhë më shumë benzinë zjarrit të konfliktit. Dhe teksa bëjnë këtë këtë, këta e quajnë veten patriotë. Ndërsa mua, që po bëj bash të kundërtën, këta idiotë më quajnë antishqiptar, shërbëtor të interesave serbe.

Dhe keni vënë re më të bukurën, d.m.th., që elitat tona sulmojnë elitat serbe dhe anasjelltas? Është një luftë që bëhet mes të ngjashmish. Janë elita mendjembyllura, të cilave nuk u intereson paqja dhe e vërteta. Për mua, ne duhet ta fillojmë çdo gjë duke u shkëputur prej ndikimit të elitave tona./ KultPlus.com

George Clooney, më i pasuri i showbiz-it sipas ”Forbes”

George Clooney di si të bëjë histori në botën e “showbiz”-it dhe të mbetet sërish në krye. 57-vjeçari është renditur nga revista “Forbes” si aktori me fitimet më të mëdha brenda një viti.

Për periudhën qershor 2017-qershor 2018, aktori Clooney ka fituar plot 239 milionë dollarë, jo vetëm nga puna e tij si aktor, por edhe nga kompania e tij e tekilës, në të cilën është bashkë-themelues.

Gjithsesi, në listën e prestigjozes amerikane ai renditet në vend të dytë, pas boksierit Floyd Mayweather me 285 milionë dollarë fitime përgjatë një viti. Vetëm nga ndeshja e gushtit të shkuar kundër Conor McGregor, pasuria e tij u shtua me më shumë se 200 milionë dollarë.

“Forbes” ka publikuar listën me 100 personazhet me më shumë fitime të këtij viti, ku në 10 më të pasurit, pas Mayweather dhe Clooney renditet 20-vjeçarja Kylie Jenner, e cila ka shtuar pasurinë e saj brenda vitit me 166.5 milionë dollarë.

Më tej lista vijon me U2, Coldplay dhe Ed Sheeran, të cilët kanë siguruar miliona dollar nga albumet dhe koncertet. Ndër 10 më pasuruarit e 12 muajve të fundit janë edhe yjet e futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, që i kanë shtuar fitimet e tyre me 111 dhe 108 milionë dollarë.

Lista e 100 personazheve më të paguar të botës së “showbiz”-it hartohet nga “Forbes” pas një skanimi të pasurisë së tyre në periudhën 1 qershor 2017 deri më 1 qershor 2018. Nga 100 personazhe VIP, vetëm 15 janë femra.

Për këta yje, kjo është një epokë e artë, pasi të gjithë bashkë kanë arritur fitime 6.3 miliardë dollarë, një rritje me 22% nga një vit më parë.

Pas Clooney, aktori tjetër në 10 më të pasurit është Dwayne Johnson, me fitime 124 milionë dollarë, duke mbetur një nga më të kërkuarit e Hollivudit, kryesisht për filmat aksion./ata

I jepet lamtumira e fundit aktorit Fadil Hasa

Familjarë, miq, artistë dhe qytetarë të shumtë po japin sot lamtumirën e fundit në hollinë teatrit “Aleksandër Moisiu” aktorit të ndjerë Fadil Hasa.

Homazhit i janë bashkuar edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe ish-kreu i qeverisë Sali Berisha.

Fadil Hasa ishte një aktor popullor i humorit, që bëri të qeshë me vite me radhë breza të tërë.

Fadil Hasa ndërroi jetë dje në moshën 78-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë, duke lënë pas dy vajzat e tij./ KultPlus.com

Ekspozitë e rrallë hartash të vjetra nga koleksioni i Afrim Ethemit

Një ekspozitë me harta që datojnë nga shekulli XV deri në shekullin XVIII është hapur në COD, nga një koleksion i Afrim Ethemit, me titull “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse”.

Në sallën “Tako Artistin”, gjenden 36 harta si dhe 5 atlase. Hartat datojnë që nga vitet 1500 e më pas dhe paraqesin kryesisht harta të Europës, Europës Juglindore e sidomos Ballkanit, gjë që i jep kësaj ekspozite dhe koleksioni një karakter të posaçëm.

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facbook e pamje nga këto harta të rralla të ekspozuara në mjediset e COD.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë ftesë për të vizituar një ekspozitë të rrallë hartash të vjetra në Kryeministri (COD – hyrja qendrore) ju uroj një ditë të mbarë “, shkruan Rama.

Hartat, si një formë e komunikimit vizual, janë sa një disiplinë akademike aq edhe art. Vizitorët do të kenë mundësinë të shikojnë lëvizjet e shpeshta të kufijve, perceptimet nga këndvështrime të ndryshme historike dhe detajet gjeografike e topografike të pasqyruara në to.

Ekspozita “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse” me koleksionin e hartave të vjetra të Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës dhe ndryshimeve gjeografike. Afrim Ethemi ka realizuar disa ekspozita personale të pikturave, grafikave dhe vizatimeve.

Përveç koleksionit të hartave të vjetra, i posedon edhe disa koleksione të tjera antike. Koleksioni i hartave të vjetra, është ekspozuar në Muzeun Kombëtar, në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare në Shkup. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator 2018. /ata

Kemi harru’ me qesh

Shkruan: Enkel Demi

Ai pinte ndonjë gotë raki dhe tymoste duhan që ia kishin zverdhur mustaqet e trasha. Unë i qëndroja përballë, tek qeshja me të madhe me historitë që t’i vinte përpara si shuka për gjel deti. Çdo ditë kishte një gjë të re për të më treguar, por me siguri për atë vetë të vjetër nga motet që patën kaluar. Era e detit na flladiste fytyrat e ngrohura nga rakija, ndërsa ai vijonte të qëllonte ato fjali që sot ia kanë nxjerrë kudo si citate. Ia dilte mbanë që me ato ndodhi të ta mbushte mendjen se ti, dëgjuesi që shkriheshe në gaz, për të ishe më i veçanti. Kjo qe arsyeja përse të gjithë mendonin se e kishin mikun më të ngushtë, ja atje, buzë detit. Kështu ishte me gjithë mend, sepse ai kishte vetëm miq të ngushtë. Shpotiste gjithë botën, vinte në lojë gjithë botën, por nuk fyente asnjë fije bari të kësaj bote, se botën e donte çdo herë që përcillte frymën në mushkri. E vetmja që e tradhëtoi.

Ky njeri të merrte për dore të çonte në turnetë e Estradës në katunde, dinte të ta tregonte historinë e dashurisë së jetës, veç duke të mbajtur në humor me rengjet që i punonte së shoqes. E këpuste malli për të, sepse i shkoi shumë shpejt, por nuk qe patetik dhe asnjëherë nuk e lëshoi veten, kurrë nuk u soll si qaraman. Si gjithë komedianët e mëdhenj, gëzonte dhuntinë e tragjizmit magjik.

Tymi i duhanit që i përkëdhelte flokët e hirta nuk e linte të ndalonte, por shenjonte një vijë, e cila të merrte për dore dhe të bëhej udhë e bardhë në Portin e Durrësit, ku punonte dikur, në skenat e amatorëve, te hajgaret e zhurmshme me shokët, tek bijat që i çmonte si margaritarë të rrallë, tek zonja që nuk u lodh kurrë me bëmat e tij, tek shfaqjet, kinemaja. Pastaj ngrinte kupën që i digjte gjoksin e ashpër si të një marinari, të rreshkur nga erërat e detit. Sytë i kuqeshin pak, për një dekikë i njomeshin dhe ja, ku ta lëshonte thagmën e radhës. Ti qeshje me gjithë shpirt, pasi jeta është gënjeshtare dhe mendon se nuk do të ta marrë kurrë. Mund ta takoje pas një ore ose pas një viti, atëherë kur e kuptoje që kishe harruar me qesh.

Ai gjithmonë të mirëpriste, sepse ti ishe i veçantë për të si çdo njeri tjetër që haste në atë rrugëtim komik, ku njerëzit i prisnin udhën, por nuk ia ndërronin dot, pasi ai pati një mision; ai na e tregoi botën duke e qeshur. Kështu e zmadhonte atë, por e zvogëlonte njeriun që nuk e kënaq bota, që e shan botën, që qurravitet për botën.

Tani që shkoi, vajti qetë, se i erdhi Ora, gjë që nuk varej prej tij, kurrën e kurrës se e lodhi bota, por se çdo rrugëtim ka një fund. Ka gjasë të jetë i lumtur, se nuk ka për ta marrë më malli për zonjën e tij, ani se ka lënë trishtim tek margaritarët e tij.

Por, ama një gjë ma la peng tani që vajti; Kë do takoj unë, kur të kem harru’ me qesh?

Anri Sala me “Take Over” sonte në Prishtinë

Me fillim nga ora 20:00, sonte në Klubin e Boksit në Prishtinë në kuadër të Shkollës Verore si Shkollë, vjen artisti Anri Sala, shkruan KultPlus.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina do të prezantojë “Take Over” nga Anri Sala, që është pjesë e Shkolla Verore si Shkollë 2018 të Programit Publik.

Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton tematikat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste. Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën – edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit.

Anri Sala, artist që punon në Berlin, lindi më 1974 në Tiranë, Shqipëri. Ekspozitat e tij të fundit përfshijnë Anri Sala, Marian Goodman Gallery, Neë York (2018), Anri Sala, Museo Tamayo, Mexico City, Mexico (2017), The Last Resort, Kaldor Public Art Projects, Sydney, Australia (2017) Anri Sala: Ansëer Me, Neë Museum, New York, NY (2016), Anri Sala, Galleria Alfonso Artiaco, Naples, Italy (2015), “The Present Moment (in D)”, Haus der Kunst, Mynih, Gjermani (2014); “Anri Sala: Two Films”, Museum of Contemporary Art, Detroit, Michigan (2012); Louisiana Museum of Modern Art, Humlebaek, Danimarkë (2012); Centre Pompidou, Paris, Francë (2012); “1395 Days Without Red”, Irish Museum of Modern Art, Dublin, Irlandë (2012); National Museum of Art, Osaka, Japoni (2011); Serpentine Gallery, Londër, Angli (2011) dhe Musée d’Art Contemporain, Montreal, Quebec (2011).

Sala fitoi çmimin Gilles Dusein në vitin 2000; Çmimin Artist i Ri në Bienalen e Venedikut më 2001, dhe Absolut Art Award, Stokholm, Suedi, më 2011. Në vitin 2013 u zgjodh të përfaqësoj Francës në Bienalen e 55-të të Venedikut me “Ravel Ravel Unravel” dhe së fundi Sala pranoi çmimin Vincent, Hagë, Holandë (2014)./ KultPlus.com

Sonte nisë rrugëtimin e dhjetë PriFilmFest

Sonte me fillim nga ora 19:30 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nisë rrugëtimin e 10-të me radhë Festivali i Filmi në Prishtina “Prishtina International Film Festival” – “PriFilmFest”, shkruan KultPlus.

Ky festival përgjatë gjashtë ditëve do ta bëjë Prishtinën epiqendër të ekranit të madh, duke dhënë filma të ndryshëm, duke mbajtur masterklasa, konferenca e gjithashtu nuk do të mungojnë mbrëmjet me muzikë.

“Rooftop Story”, është filmi i metrazhit të gjatë i regjisorit Gazmend Nela, ai që do ta hapë këtë festival ndërkaq janë edhe shtatë filma vendorë që do të shfaqen përgjatë tij, gjysma e tyre janë premierë.

Vlen të përmendet se mysafire nderi e këtij edicioni do të jetë Vanessa Redgrave – aktorja britanike, fituese e çmimit Oscar e shumë çmimeve të tjera.

Prishtinën pa lum sivjet e pret një javë me filma shumë./ KultPlus.com

Shqiponja dykrenare, stemë e komunës zvicerane

Komuna zvicerane mbanë një shqiponjë dykrenare si stemë. Ngjashmëria e kësaj shqiponjeje është e madhe me atë që dy futbollistët shqiptar të Kombëtares zvicerane, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, festuan golat të cilat i shënuan në ndeshjen me Serbinë.

Falë rastit të shqiponjës dykrenare, është zbuluar histori interesante e shqiponjës dykrenare, sikurse ajo e Simplonit në Zvicër.

Debate të tilla si ato për shqiponjën dykrenare, të inicuara nga fitorja e futbollistëve zviceranë mbi ekipin e Serbisë, mund të japin një ide për fushat e interesit që shumica e njerëzve mezi hyjnë, pasi nuk shpaguhen. Kjo është mënyra e vetme për të spjeguar kur një lexues i të përditshmes zvicerane “Bund”, i cili po udhëtonte gjatë kësaj jave në Valis, redaksisë në fjalë i dërgoi një e-mail me një foto të bashkëngjitur. “Shikojeni”, shkroi ai.

Fotografia tregon kutinë e ndalimit të komunës Simplon. Në te shihet një një stemë me një shqiponjë dykrenare, në një sfond të kuq – lartë, e vendosur në mes dhe e pagabueshme. Ngjashmëria me flamurin e Shqipërisë është e mahnitshme.

Vallë, mos është ndonjë shaka? Një thirrje telefonike tek kryebashkiaku i Simplonit Sebastian Arnold, ka dhënë sqarime.

Shqiponja me dy koka ka qenë prej kohësh kafsha heraldike e komunitetit, thotë dhe përshkruan historinë se si fshati pas kalimit të Simplonit erdhi tek ky zog. Në vitin 1815, një ushtri austriake me rreth 80.000 ushtarë u zhvendos nga Domodossola në Valis.

Me sa duket, banorët ishin të impresionuar nga flamujt, thotë ai. Shumë prej këtyre flamujve të ushtrisë kishin treguar shqiponjën dykrenare.

Për hollësi të tjera, kryebashkiaku i referohet përvjetorit të shkruar nga Renato Arnold “700 vjet të Komunës Simplon”, i cili u botua dhjetë vite më parë.

Përse Simploni ishte në gjendje të vendoste në stemë shqiponjën dykrenare si një kafshë heraldike, në fakt nuk është plotësisht e qartë. Autori lë të vlerësoni, “tërheqjen” dhe ky imazh imponues do të lërë një përshtypje të tillë të qëndrueshme.

Ndoshta edhe mund të jetë, shkruan ai, “se shqiponja dykrenare si një stemë dhe shpend në flamur, në ato vite ishte thjesht në modë”. Këto mund të jenë arsyet përse Komuna Ausserberg e Valisit, në atë kohë, gjithashtu kishte një flamur me këtë pamje.

Megjithatë, është dokumentuar mirë se si i është autorizuar kryebashkiakut flamuri, si e ka shtypur ai çmimin dhe më në fund, sa ka kushtuar flamuri: Blerja e tij kakushtuar sa një pesta e shpenzimeve t ëpërgjithshme komunale në vitin 1817. Flamuri, i cili shërbeu si një flamur i komunitetit për më shumë se 100 vite, ekziston edhe sot e kësaj dite.

Pasi u zëvendësua në vitin 1936, ai pothuajse ishte i humbur në ndërkohë. Vetëm në vitin 1972 u gjetën “mbetjet e tij në një gjendje patetike mbi sallën e komunës”, ka shkruar Renato Arnold.

Ndërkohë, edhe flamuri i dytë është zëvendësuar; ky dhe numri i restauruar duhet të marrin një “domethënie historike për krenarinë e arsyeshme të vendit”, ku ata “mund të admirohen nga vendasit dhe të huajt”, thuhet në publikimin e përvjetorit.

Aq për Valisin, shkruan “Bund”, përcjell Albinfo.ch. Dhe aq shumë sa për të sjellë një debat të panevojshëm. Sepse pa aferën e shqiponjës dykrenare, lexuesi me siguri se nuk do t`i kishte rënë në sy stema me shqipnjën dykrenare në kutinë e ndalimit në Simplon.

Hapet panairi i librit “Prizreni 2018”

Sot hapet Panairi të Librit “Prizreni 2018”, i cili do të jetë i hapur deri më 22 korrik.

Në edicionin e 10-të të këtij panairi marrin pjesë shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

Mbrëmjeve do të ketë programe letrare në ambient të hapur në qendër të qytetit, ku do të ftohen autorë të ndryshëm./KultPlus.com

Rikthimi i kohëve të errëta

Mehmet Kraja / Facebook

Nuk kam asnjë llogari të pambyllur me këtë vend, as politike, as patriotike, as kulturore, as letrare. Nuk kam as nxitje intelektuale, nuk kam as llogari pragmatike për të folur në këtë kohë, sepse në kohë krizash të mëdha, siç është kjo e jona, kur të gjithë flasin dhe dërdëllisin hipokrizi dhe dëngla amorale, nuk është mençuri as heroizëm që edhe ti të këpusësh ndonjë nga ato gjepurat e mëdha ose të vogla. Më anë tjetër, tashmë të gjithë u mësuam më këtë realitet dëshpërues dhe e vetmja gjë që na ka mbetur, është që të shohim deri ku mban durimi dhe deri në çfarë mase mund ta përballojmë pafuqinë tonë. Tani për tani në Kosovë nuk ka një masë kritike, e cila do të përbente kufirin moral midis të mirës dhe të keqes, që do të ndante vlerat nga jovlerat.

Pavarësisht si dukemi së jashtmi, pavarësisht në jemi shkaktarë apo viktima të këtij realiteti, duhet ta pranojmë se edhe vetë plëngprishësit, shkatërrimtarët e këtij vendi, të gjithë kanë filluar tashmë të ndihen bashkëvuajtës, sepse për sjelljen tonë të papëlqyer (lexo: idiote, të papërgjegjshme, primitive) kemi filluar të paguajmë faturën. Mbi të gjitha, pavarësisht në e themi me zë ose jo, të gjithë kemi filluar të ndjejmë një dhembje që na sfilit, një dëshpërim që ka zënë të na lodhë. Të gjithë, pothuajse të gjithë, kemi filluar të vuajmë nga pafuqia për ta duruar fyerjen dhe poshtërimin, që ia bëjmë vetes ose na e bëjnë çdo ditë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë politikanët, titullarë institucionesh ose liderë partiakë, deputetë ose këshilltarë, të rinj dhe të vjetër, burra dhe gra, të cilët në çdo paraqitje publike afishojnë paditurinë dhe imoralitetin e tyre. (Si është e mundur që Kosova të jetë kaq e padijshme, sa ta durojë në heshtje këtë injorancë, këtë rrugaçëri, këtë mediokritet të përbindshëm?! Si është e mundur që Kosova të mos ketë pasur më shumë se kaq dije, kulturë, moral, dinjitet, vlera njerëzore?!) Na fyejnë dhe na poshtërojnë çdo ditë kolegët e mi, gazetarë, shkrimtarë, artistë, profesorë, akademikë, filozofë, sociologë, historianë, juristë, të cilët do t’i falte edhe vetë providenca qiellore pse nuk dinë më shumë, por nuk e di pse i falin fëmijët e tyre, teksa e venë në funksion të gënjeshtrës publike dhe të korrupsionit intelektual edhe atë pak dije që kanë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë studentët dhe krejt të rinjtë e këtij vendi, të cilët e kanë humbur sensin e kundërshtimit dhe të protestës, tek dëgjojnë me indiferencë (të mërzitur ose jo, po kush i pyet?), ndërsa i mashtrojnë, i gënjejnë të gjithë me radhë, baballarët dhe nënat e tyre, njerëzit e fesë dhe të pushtetit, të shkollës dhe të mejtepit, të gjithë pa përjashtim ua nëpërkëmbin të gjitha shpresat dhe idealet.

Vetëm se krejt kjo duket patetike dhe nuk besoj se vlen aq shumë.

Por nuk është patetike, është tmerrësisht cinike, që në Kosovën e dëshiruar për më shumë vlera, tashmë po kthehen zërat e errësirës: kërcënimi i çdoditshëm për të humbur atë që është fituar; sekush legalisht, sekush ilegalisht punon që Kosova të humb territor dhe të integrohet me Serbinë; dikush tjetër ka përvetësuar të drejtën historike të pajtimit; një tjetër ka uzurpuar të drejtën e ndarjes së territorit; Shqipëria politike e ndihmon Serbisë për pacifizimin dhe ndarjen e Kosovës; sekush e pohon publikisht se është i përfshirë në krimin e organizuar serb; sekush tjetër e ndërton krejt prestigjin ekonomik dhe shoqëror duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë; nostalgjia për ish-Jugosllavinë (edhe për Serbinë) është bërë trend politik dhe kulturor; autonomistët dhe ish-luajalët e jugosllavizmës janë bërë heronj; ish-spiunët e UDB-së ose trashëgimtarët e tyre bëhen këshilltarë të burrave të rëndësishëm të shtetit; ideologjitë po rifuqizohen; marksist-leninistët dhe enveristët e djeshëm kanë bërë “bashkim ideologjik” më ish-komunistët jugosllavë; rikonfigurohen koalicione fetare, politike dhe ideologjike më të pamundshme që janë parë ndonjëherë; mëkatarët dhe blasfemuesit me pedigre, mashtruesit, zhvatësit dhe masa e madhe e njerëzve me deficit moral kanë gjetur strehën më të rehatshme te feja dhe patriotizmi, ndërkaq institucionet e shtetit janë azili më i madh i vagabondëve dhe pushtave të këtij vendi.

Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demoktatik është më i keq se çdo diktaturë.

Por as adhurimi i diktaturave nuk na mungon: erdoganizmi fetar dhe politik ka marrë përmasat e një epidemie.
Po kultura? Unë bëj pjesë aty dhe më duhet ta pranoj se mungesa e vlerave, korrupsioni kulturor, shthurja institucionale kanë marrë përmasa të çmendurisë kolektive. Për më tepër, derisa politika merret me “punët e mëdha të kombit”, në arsim dhe në kulturë është duke ndodhur një masakër e vërtetë. Si brez ne mbajmë përgjegjësi, pse nuk arritëm të ngrehim dhe të fuqizojmë një gjeneratë iluministësh, krijuesish dhe animatorësh të kulturës, që do të dinin t’i identifikonin vlerat dhe do t’ia dinin kuptimin artit të lirë dhe lirisë në art. Sepse, tashmë dhe tashmë, pikërisht në këtë fushë liria ka marrë kuptimin e zhvlerësimit, të së drejtës për të shkelur dinjitetin e vet dhe të kombit të vet, për ta nëpërkëmbur atë dhe për t’u mburrur me përdhosjen që i bëhet. Liria e Kosovës tani ka marrë kuptimin e së drejtës për të fyer dhe për të zbrazur pëgërat (lexo: flligështirën) mbi çdo shenjtëri. Ose, për të ngarendur deri në Beograd, me një vepër letrare, me një performansë teatrore ose figurative, që nuk t’i bluan mideja dhe ta çojnë barkun po u bëre konsumator i pavëmendshëm i tyre. Nuk është problem i madh pse disa OJQ tonat i gjejnë me aq lehtësi paratë për promovime të këtilla pa dinjitet; as nuk çon peshë fakti pse para opinionit kulturor të Beogradit na prezantojnë me jovlera, sepse në qarqet e atjeshme kulturore as që çan bythën kush për “mirëdita, dobar dan”; vetëm se, pikërisht vetëm se, është e shëmtuar dhe neveritëse që këta djem dhe vajza (dikur i quaja të UNMIK-ut, por tani nuk e di kush më se të kujt dreqin janë!), për të marrë legjitimitet patriotik dhe për t’u bërë objekt e medies në Kosovë dhe në Serbi, i luten Zotit që ndonjë polic serb të bëjnë ndonjë proçkë në kufi dhe nja dhjetë protestues të gjenden në ndonjë rrugë të Beogradit, në mënyrë që “dishepujt kulturorë të Europës”, që i ndihmojnë Serbisë për integrim, kur të kthehen në Prishtinë, të fitojnë atributet e heronjve të kombit.

Por nuk është vetëm kjo. Një performansë e para do ditëve në sallën e Kuvendit të Kosovës më bëri të çmeritëm. Seç kishin hyrë në atë sallë ca delikuentë të artit dhe e përdhosën atë në mënyrën më barbare, të cilët me lejen ose me ndihmën e vetë kryetarit, apo të ca skuthave përreth tij, vunë maskat në fytyrat e tyre dhe i kënduan rekuiemin institucionit më domethënës të shtetit të Kosovës. Askush nuk u brengos, askush nuk tha gjë, se ai Kuvend, përveç që është përdorur dhe keqpërdorur së fundi për shumë paudhësi, ai e ka edhe historinë e tij, nga më domethënëset për Kosovën dhe lirinë e saj. Të gjithë u duken të lumtur për këtë sadomazohizëm politik dhe kulturor të paparë, një pjesë e komunitetit artistik, mediet, të gjithë, pa çka se është pikërisht ky komunitet artistik dhe kulturor që e di mirë, se këta biçim artistësh, të cilët, pasi iu ka skaduar afati, pasi kanë humbur terren dhe substancë, edhe kreativitet natyrisht, iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që artin nuk e mendojnë, nuk e ëndërrojnë dhe as e perceptojnë si bagël e qelbur e lopës, as si bythë plastike në Galerinë e Arteve të Kosovës. Po kujt i thua! Unë nuk e di pse këta artistë kontemporanë nuk i realizojnë këto ide atje ku kanë zgjedhur ta bëjnë jetën e tyre. Pse këta artistë kontemporanë, ta zëmë, nuk i vënë Statujës së Lirisë në Nju-Jork, rreth kokës dhe rreth qafës, një çallmë nja njëqind metër të gjatë të Bin Ladenit? Ose, pse nuk e improvizojnë një mur betoni nja 20 metër të gjatë, me tel me gjemba sipër, në sallën e madhe të Kongresit Amerikan, mbi atë qilimin e kaltër, aty pranë foltores, duke i vendosur rrëzë atij muri 10-15 fëmijë meksikanë të leckosur, tek hanë përshesh me lugë druri nga ca govata plastike? Përse, pra, para Muzeut të Holokaustit, po në Nju-Jork, këta artistët tanë kontemporanë nuk vendosin një statujë të Adolf Hitlerit të veshur si rabin hebre? Këto janë ide që tronditin botën, dhe jo ca bagla lopësh në Galerinë e Arteve të Kosovës. Të gjithë e dinë se idetë e këtilla, të shkalluara e të lajthitura gjithsesi, kanë një problem të madh: nuk gjejnë dot një vend të çmendur për t’i realizuar ato.

Zhgjyri kulturor dhe politik na doli në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës (po e shkruaj me dy “t” për respekt, jo pse ka ndonjë kuptim). Tani më vjen për të qeshur nga shqetësimi që ndihet në ajër për një gjest jokulturor, poshtërues për memorien historike të këtij vendi, i cili vjen nga një institucion simbol, siç është Instituti Albanologjik, por që shumë vjet e këndej i pushtuar nga ca shkencëtar minorë dhe makiavelistë. Çudi për t’u çuditur nuk është pse Instituti Albanologjik në oborrin e tij nuk i bën vend Anton Çettës (mbështetës i LDK-së), sepse atë hapësirë ia ka rezervuar Rexhep Qosjes (mbështetës i PDK-së), por të habit fakti pse njerëzit nuk e paskan kuptuar tanimë se Instituti Albanologjik, edhe Instituti i Historisë, me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd, as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë. Çudi për t’u çuditur është pse njerëzit nuk e paskan kuptuar se nuk është i politizuar vetëm Instituti Albanologjik, por e politizuar është edhe Biblioteka Kombëtare (po Biblioteka Universitare ku mbeti?), i politizuar është edhe Universiteti, madje edhe fijet e barit në hapësirën gjelbëruar përreth tij. Të politizuara janë të gjithë institucionet e kulturës, të tilla kanë qenë dhe, mbase, do të jenë edhe për një kohë të gjatë, si Tetari Kombëtar (derisa të mos vendosin ta rrënojnë një ditë, si në Tiranë), si Galeria, si Qendra Kinemtografike, si Muzeu etj., të gjitha, pa asnjë përjashtim. Këto institucione për afro njëzet vjet me radhë janë sunduar nga partitë politike, kryesisht nga PDK-ja, ndonjëherë edhe nga LDK-ja, qoftë përmes bordeve, qoftë përmes drejtorëve të ligjshëm ose të paligjshëm, përmes konvertimit dhe shitblerjes të lojalitetit, përmes financimit, përmes projekteve, përmes punësimit etj. Po cili është ndryshimi, çfarë e bëri sundimin e LDK-së më të mirë se sundimin e PDK-së? Asgjë, përveç se të dy palët kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, u kanë bërë gjëmën institucioneve, kanë ushqyer pasione të pandershme dhe, në shumë raste janë bërë bashkë për të luftuar kundër ndonjë kauze të drejtë, kundër vlerave dhe kundër atyre që i krijojnë ato. (Ndërkohë, unë që jetoj në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, mund t’ju bëj me dije se kam në afërsi një rrugë qorre që mban emrin e Anton Pashkut dhe një rrugicë të shëmtuar që mban emrin e Ali Posdrimjes. Esad Mekulin dhe Azem Shkrelin nuk i gjej dot askund.)

Në fund, në ndihmë të atyre që e kanë mendjen e turbullt dhe ende janë të përhantë, mund të shpreh një mendim: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.

Shqiptaret dominojnë në disa kategori të MTV Video Music Awards 2018

Është publikuar të hënën lista e plotë e nominimeve për MTV Music Video Awards 2018.

Të nominuarit u njoftuan për nominimin e tyre në kategoritë përkatëse në IGTV të Instagram.

Cardi B kryeson listën me dhjetë nominime, ndërsa Carters – Beyoncé dhe JAY-Z – pasojnë kryesinë me nga tetë nominime. Edhe këtë vit, nuk mungojnë shqiptaret në listën e nominimeve, pasi tre këngëtaret me famë botërore: Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha kanë arritur të nominohen në disa kategori.

Rita Ora e bëri të ditur nominimin e saj përmes një fotografie të hedhur në rrjetin social Instagram, ku tregoi se është e nominuar në dy kategori, ndërsa bënte thirrje për fansat që ta ndihmonin atë drejt marrjes së çmimit, duke votuar në faqen zyrtare të MTV VMA.

“OMG jam nominuar për 2 VMA-ja!! Ka qenë një nderë shumë i madh për të punuar me Avicii. Faleminderit MTV që keni njohur “Lonely Together”!!. Ju lutem votoni për Vallëzimi më i Mirë në VMA.mtv.com”, ka shkruar Ora në Instagram.

Rita është e nominuar në kategorinë “Best Dance (Kënga më e mirë ritmike)” për këngën “Lonely Together” në bashkëpunim me DJ-n e ndjerë, Aviciin, dhe në kategorinë “Best Visual Effects (Klipi më i mirë me efektet vizuale)”, po prapë për projektin “Lonely Together”.

Ndërkohë, artistja tjetër Dua Lipa, ka arritur që të nominohet në tri kategori: “Song of the year (Kënga e vitit)” për këngën “New Rules”, “Best Dance (Kënga më e mirë ritmike)” për këngën “One kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris, dhe për çmimin “Best Choreography (Koreografia më e mirë në klip)”, për koreografinë në klipin “IDGAF”.

E pa nominuar nuk ka mbetur as artistja tjetër shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, e cila ndonëse me prurje të shumta këtë vit ka arritur që të nominohet në vetëm një kategori – atë të “Best Collaboration (Bashkëpunimi më i mirë)”, për bashkëpunimin “Meant to be” me artistin Florida Georgina Line.

Kur braktis atë që do

Poezi e shkruar nga Timo Flloko.

Ti po kthehesh përsëri tek unë,
Me pendesë edhe trishtim pa fund.
Ka shumë kohë qe po të pres…
Sa shumë…

Vjen,
Përmes erës nëpër natë, ti vjen.
Nostalgji dhe dëshpërim më sjell…
Sa e huaj je tani, s’e ndjen?…

Ku shkuan ëndrrat, ku?
Ke deshën sytë e tu?
S’e di…!
Ne heshtim që të dy.
Na ndan një ftohtësi, tani…

Kur braktis atë që do,
Vjen një çast qe e kupton,
Se pa te, ti dot s’jeton…!

Çfarë më thuaj vlen në botë,
Kur je vetëm e ke ftohtë,
Dhe një zemër s’e gjen dot…?

Ku shkuan pritjet, ku?
Ku ndali hapi yt?
S’e di…!
Një ndjenje në fshehtësi,
Jam skllavi yt me thotë tani…

Unë,
Sa trishtim po ndjej ne shpirt, çudi…!
Kur pendesën shoh në sytë e tu.
S’di…te dua a te humba përgjithnjë?!

Ti u ktheve, lotin shoh te ngrire.
Jam i dobët dhe te fal?! S’e di…
Mund ta kthejmë në jetë dashurinë?!…

“Erdha, pashë, fitova”

“Veni. Vidi. Vici” është shprehja e famshme e Julius Caesarit që është përdorur edhe shumë kohë pas përdorimit fillestar, shkruan KultPlus.

Faqja “Images of Kosovo” që promovon figurat e rëndësishme të vendit, ka krijuar një fotografi në të cilën kanë vendosur tri figurat shqiptare që nga Kampionati Botëror sollën emocione të forta për publikun shqiptarë e duke e përcjellur domethënien e simbolit të “shqiponjës” në mbarë botën.

Fotografia me mbishkrimin “Erdha. Pashë. Fitova”, ka të vendosur fotografitë Era Istrefit, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës të kufizuar në hartën e Kosovës, për ata të cilët shumëfishuan emocionet e shqiptarëve kur nga stadiumi i Rusisë krijuan simbolin e shqiponjës, duke përshëndetur kombin e vendin e tyre. / KultPlus.com

Ina Mula sjellë 150 artistë në Festivalin Ndërkombëtar “MIK Festival” në Korçë

Inva Mula ka iniciuar Festivalin Ndërkombëtar “Mik festival “ i cili mbledhë emra të mëdhenj të muzikës e bën bashkë muzikën, historinë dhe kulturën në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus

Ky sezon veror sjell edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të këngës, “Mik Festival”, që starton nga qyteti i Korçës më 25 Korrik. Drejtorja artistike, Inva Mula, ka rrëfyer më parë se ky festival do të sjellë 150 artistë, që do performojnë muzikën më të mire, të ndërthurur me historinë e kulturën e qytetit të Korçës.

Më poshtë ju sjellim agjendën e festivalit, i cili do të filloi më 25 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 korrik në qytetin e Korçës në Shqipëri. / KultPlus.com

Përparim Rama: Kam qenë krenar me babanë, ai ka ekspozuar së bashku me Picasson por gjithmonë kemi pasur probleme financiare

Përparim Rama është arkitekti i suksesshëm nga Kosova, që ka themeluar Grupin 4M në vitin 2004 , aty ku edhe ushtron rolin e drejtorit. Grupi 4M janë aktivë në zhvillim, projektim dhe ndërtimi, që veprojnë jashtë zyrës në Londër, Prishtinë dhe Irlandën e Veriut, shkruan KultPlus.

Arkitekti i suksesshëm nga Kosova, Përparim Rama është përzgjedhur që përsëri të jetë pjesë e jurisë së Win Awards apo të njohur World Interiors News Awards. Së fundmi ata kanë publikuar një intervistë e cila flet më shumë për punën e Ramës. Intervista tregon se si ai është vendosur në Londër gjatë kohës së Jugosllavisë, në vitin 1912 kur ishte vetëm 16 vjeçar, ndërsa lufta i kishte dëmtuar shtëpinë, për atë ka qenë e rrezikshme të kthehet, ndërsa ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar e cila thotë se “bukfalisht” e ka adoptuar atë duke i siguruar mundësinë për t’u edukuar dhe për të punuar.

Rama ka folur edhe për përfaqësimin e Kosovës në edicionin e 13-të të Bienales së Venedikut në vitin 2012, si përfaqësuesi i parë i Kosovës. Atë është pyetur për pavijonin e tij dhe për reagimet e publikut për atë që ka prezantuar. Lidhur me këtë Rama është shprehur se ka qenë një nder i madh që është kuratori i parë që ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik.

“Toka e përbashkët”, ka qenë tema. Kam dashur të hulumtoj se si shoqëria, kultura dhe tradita dhe besimet në përgjithësi kanë ndikuar në krijim e vendeve ku ne jetojmë. Qytetet tona janë një reprezantim shoqëror për atë se si qëndrojmë ne si shoqëri. Qytetet përfaqësojnë vetëdijen tonë shoqërore; tokën tonë të përbashkët”, është përgjigjur arkitekti me famë botërore Përparim Rama.

Po ashtu në këtë intervistë, Rama është pyetur edhe për ndikimin që ka pasur babai i tij i cili ka qenë po ashtu artistë dhe impakti që ka pasur gjyshi i tij në hapat e tij të parë.

“Kam qenë shumë krenarë me babanë dhe gjithçka që ka bërë ai. Kam kaluar orë e ditë në atelien e tij, duke e shikuar dhe duke u përpjekur të vizatoj ashtu siç bënte ai. Ai ishte shumë i zënë me aktivitetet dhe ekspozitat e tij brenda dhe jashtë vendit dhe orarit të tij akademik. Ai ka ekspozuar së bashku me Picasson dhe Chagall-in ndër të tjerë – në fund të viteve ’70, por gjithmonë kemi pasur probleme financiare. Ai më shtyu drejt shkencës, pasi ai gjithmonë u ankua se jeta e artistit është një jetë e varfër financiarisht, dhe që kur isha duke shkëlqyer në shkencë, ai më shtyu më shumë drejt fushës shkencore të matematikës dhe fizikës. Të dy nëna dhe babai im ishin të befasuar kur unë vendosa të studioja arkitekturën, duke u regjistruar fillimisht në shkencat kompjuterike”, është përgjigjur Rama, përcjellë KultPlus.

Ndërsa për gjyshin e tij, ai është shprehur se ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe i urtë, jashtëzakonisht i durueshëm dhe i ditur, ndërsa ka treguar ndikimin që ka pasur në fëmijërinë e tij.

“Dukej sikur ai kishte të gjitha përgjigjet e Universit. Mua më pëlqente të lexoja dhe shikoja figurat në librat që kishte të vendosura në rafte, që lidheshin me Universin. Pastaj dilnim dhe luanim me baltë dhe kashtë, me degë, duke mësuar se si bëhen tulla me baltë, si mund t’i bashkëngjisni materialet së bashku në mënyrë që të gjejnë përdorim më të madh”, është përgjigjur arkitekti Rama.

“Dhe po ishte dhe dashuria e nënës. Pa marrë parasysh se çfarë, ajo ishte gjithmonë aty, dhe e bëri çdo vend të ndihem si në shtëpi dhe i sigurt. Të gjitha gjërat e mësipërme janë shumë të fuqishme dhe përcaktojnë gjërat që kanë ndikuar në formësimin tim”, është shprehur Përparim Rama.

Në pavijonin e Kosovës në edicionin e 13-të të Bienales së Arkitekturës punimet e filigranit janë vendosur përkrah fotografive të disa godinave të njohura arkitekturale, për të paraqitur peizazhet kaotike nga qytetet e Kosovës së pasluftës dhe për të nxjerrë ide mbi zhvillimet politike në të ardhmen. Po aty ka qenë edhe vendosur edhe biblioteka kombëtare dhe hamami i Prizrenit./ KultPlus.com

“Dashuria është kapja dorë për dore në kinema”

“Më dhemb barku, por jo nga ndonjë e keqe që kam ngrënë. Pres.

Nuk mund të lexoj libër. Në kinema, kur të gjithë fillojnë e qeshin, mua më duket vetja si një “i shkretë” dhe rri aty brenda jo për të parë filmin, por për të kaluar kohën.

Kam shumë frikë se të gjithë do mësojnë se sa “i shkretë” jam. Vazhdimisht mendoj vetëm një gjë.

Nevrikosem me të gjithë për shkak se të gjithë nuk janë njësoj si unë. Në filmin që po xhiroj në imagjinatën time, ne po martohemi. Tavani që është mbi krevatin tim qenka kështu, kordoni i llampës qenka kaq i çuditshëm dhe unë nuk i paskam vënë re më parë.

YAZAR *** Local Caption ***

Askush nuk mund të më ndihmojë. Nevrikosem shumë me të gjithë që flasin duke qeshur për këto tema. Nuk punoj dot si më parë. Gjatë vakteve ha vetëm ëmbëlsirat dhe darkave pi alkool. Nevrikosem me veten time se përse nuk jam si të gjithë. Më paska ikur puçra që kasha në këmbë. Të ishte verë, hyja në det dhe, ndoshta, më bënte mirë.

Dua të jem vetëm. Këto që thashë mos ia tregoni askujt, nuk dua aspak t’i dinë njerëzit. Po sikur t’i dinte ajo do të kishte ndonjë përfitim? Nëse nuk do të kishte, më mirë të mos dijë gjë fare. Jam shumë i shkretë, por ajo që ka rëndësi nuk është kjo.

Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë. Dashuria dhe shpirti fisnik janë e njëjta gjë. Dashuria është poezia e trishtimit.

Dashuria është vështrimi i shpirtit të thyer në pasqyrë. Dashuria është kalimtare. Dashuria është të mos thuash kurrë që jam penduar. Dashuria është kristalizim. Dashuria është të japësh. Dashuria është ndarja e një çamçakëzi. Dashuria kurrë nuk vihet re. Dashuria është një fjalë boshe. Dashuria është të takosh Zotin. Dashuria është një dhimbje. Dashuria është të jesh sy më sy engjëllin. Dashuria është tek lotët. Dashuria është pritja në kokë të telefonit.

Dashuria është një botë e tërë. Dashuria është kapja dorë për dore në kinema. Dashuria është një dehje. Dashuria është një bishë. Dashuria është një verbëri. Dashuria është të dëgjosh zërin e zemrës. Dashuria është një qetësi e shenjtë. Dashuria bëhet temë nëpër këngë. Dashuria i bën mirë fytyrës.

Dashuria është malli ndaj një personi që do ta përqafosh fort dhe të duash të rrish me të. Është të dëshirosh se duke përqafuar atë harron gjithçka në botën e jashtme. Është malli i njeriut për të gjetur strehë të sigurt për shpirtin e tij.”

– Orhan Pamuk

Pasuria e reperit Eminem shumëfishohet

Reperi Eminem është pa dyshim një nga reperët më të pëlqyer në mbarë botën. Emri i tij i vërtetë është Marshall Bruce Mathers, teksa lindi më 17 tetor të vitit 1972.

Ai u bë një nga emrat më të mëdhenj të muzikës hip-hop në botë, teksa njëherësh shquhet edhe si një prej reperëve më të pasur. Pasuria e tij u rrit veçanërisht pas nënshkrimit të marrëveshjes me producentin Dr. Dre, ku filloi të shfaqë popullaritetin në vitin 1999 me “The Slim Shady LP”, me të cilin ai e fitoi shpërblimin e parë Grammy për albumin më të mirë Rap.

LOS ANGELES, CA – APRIL 13: Recording artists Eminem performs onstage at the 2014 MTV Movie Awards at Nokia Theatre L.A. Live on April 13, 2014 in Los Angeles, California. (Photo by Christopher Polk/Getty Images for MTV)

Ndërsa është pikërisht albumi i tij “Marshall Mathers LP”, i cili vazhdon të jetë ndër më të shiturit, dhe shquhet pa dyshim si më i shituri në histori.

Kjo ka ndikuar që edhe pasuria e reperit të rritet dukshëm, shkruan Telegrafi.

Sipas vlerësimeve të fundit, vlera neto e pasurisë së Eminemit është 190 milionë dollarë.