Serbia planifikon shembjen e përmendoreve të shqiptarëve

Pllaka përkujtimore e Aqif Efendisë në Novi Pazar dhe ajo e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegje do të shemben me siguri në vjeshtën e sivjetshme, shkruan sot gazeta e Beogradit, “V.Novosti”. Sipas kësaj gazete, këtë fat do ta pësojnë që të gjitha përmendoret në Serbi që u janë kushtuar pushtuesve, kriminelëve të luftës dhe terroristëve. Nuk do të pranohen më nisma që fyejnë ndjenjat fetare e kombëtare, traditat historike, që glorifikojnë idetë fashiste e separatiste dhe për to nuk do të vendosin individë, por shteti, shkruan kjo gazetë, transmeton Koha.net.

Lista e përmendoreve kushtuar personaliteteve të padenja është e gjatë, shkruan “Novosti”, ndërsa numri më i madh i tyre gjendet në Serbinë Jugore (në Luginën e Preshevës – sqarim ynë) dhe në Vojvodinë.

Gazeta paralajmëron formimin e Këshillit për kultivimin e traditave të luftërave çlirimtare, i cili do të vendosë për kushtet e shembjes së memorialëve të vjetra dhe ngritjen e të reja. E gjitha, në përputhje me Ligjin për memoriale, të miratuar kohë më parë.

Pllaka përkujtimore kushtuar Aqif Haxhiahmetoviqit (Blytës) në qendër të Novi Pazarit në gusht të vitit 1912 u zbulua nga Esd Xhuxhoviqi dhe ministri i atëhershëm Sulejman Uglanin. Pllaka nuk u hoq, ndonëse muaj me radhë u prezantuan fakte për veprimtarinë e tij, sipas kësaj gazete, kolaboracioniste me regjimet okupuese. Ky hero (“Novosti” këtë cilësim e vendos në thonjëza – sqarim ynë ) historik, që në fakt shqiptar etnik me mbiemër familjar Blyta, ka marrë pjesë në krijimin e projektit të Shqipërisë së Madhe dhe në krimet e kryera ndaj popullsisë serbe dhe në projektet e rezistencës. Që nga viti 1945 ka statusin e kriminelit të luftës, shkruan “Novosti”.

Një shqetësim në opinionin vendës, sipas kësaj gazete, kishte shkaktuar ngritjanë sheshin kryesor të Preshevës të përmendores në Preshevë me 27 emra të të rënëve nga radhët e, siç shprehet “Novosti” të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegje. Ky monument u ngrit në nëntor të vitit 2012. Kjo p[rmendore u mënjanua me asistimin e xhandarmerisë tre muaj më pas, kur u zhvendos në oborrin e xhamisë lokale. Por janë të paprekura në vendet ku janë ngritur edhe 20 përmendore të tjera në nderim të, siç cilësohen në këtë shkrim, terroristëve të rënë.

Ndër to është përmendorja e përmasave të mëdha kushtuar Ridvan Qazimit – Kapetan Llleshit, komandantit të UÇPBM-së, i vrarë gjatë kryengritjes në Jug të Serbisë në vitin 2001, përfundon shkrimi. / KultPlus.com

Ndërtesa e teatrit ra !

Artan Fuga

Ra!

Ndërtesa e teatrit ra !
Qendra historike si kujtesë kolektive e qytetit të Tiranës ra!
Statusi i aktorëve dhe i gjeneratës aktoriale madhire që kishte zënë rënjë në mendjet e shqiptarëve ra!
Kuvendi ra!
Prona publike ra!
Komunikimi midis artistëve, ministrisë të kulturës dhe pushtetit ra!
Politika si veprimtari e qytetarëve ra!
Trashëgimia kulturore e vendit ra!
Endërra europiane ra!

Tërmeti ra!

Ekonomia ra!
Gjykata e larte dhe gjykata kushtetuese ra!
Sistemi i zgjedhjeve ra!
Imazhi i vendit ra!
Libri ra!

Gjithçka ka rënë si në një qytet ky tërmeti ka kthyer në rrënoja gjithçka!

Mbetet vetëm një shans: Vullneti për t’u ringritur, për ta rifilluar nga e para! Brezat e rinj duhet ta nisin ndryshe ndërtimin e vlerave të demokracisë dhe shtetit shqiptar !

Nevoja për mendim intelektual dhe veprim qytetar të mënçur, të pastër, është më e fortë se kurrë!

Jemi si në 1997 kur shteti ra!
Jemi si në 1966 kur besimi ra!
Jemi si në 1956 kur idealet e majta ranë!
Jemi si në 1946 kur republika ra!
Jemi si në 1943 kur uniteti i kombit ra!
Si në 1935!
Si në 1924!
Si në 1917!
Si në 1914!

Mbetet vetëm një shans: Vullneti për t’u ringritur, për ta rifilluar nga e para!

‘Hej Zot, mos ëm korit ma shum se tri herë n’ditë’

Njani i rrethit t’Deçanit i vrau tre vetë edhe duel n’Malsi. Nêjti tri vjet tu ni shpinak. I zoti i shpisë, kur u çojke, e kish pas zakon me thanë:
— Hej zot, mos ëm korit ma shum se tri herë n’ditë.
Ky kaçaku, mas tri vjete i tha:
— Aman, more plak, qe tri vjet qi rri tu ti, për gjeth ditë ta kam nî qet fjalë. Unë ni herë jam koritë edhe i kam vra tre vetë me e nxerrë ftyrën.
He, more bir, – i tha plaku e ke pasë taksirat se nuk e di ti se qysh â korija. Korija à shum turlish. Me i folë vllaut keq, â kori, me i folë e me e idhnue kojshinë, â kori. Me i idhnue print, â kori. Me e sha gruen, â kori. Shum janë koritë n’jetë t’njerit, e për qatâ â zor me pshtue pa u koritë tri herë n’ditë.

Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.

Sislej Xhafa vjen në Prishtinë me ekspozitën si nderim për rrënjët tona

Arbër Selmani

Në hyrje të ekspozitës janë disa lopë, për të cilat është thyer muri i Galerisë Kombëtare të Arteve në Prishtinë. Ato kësisoj shihen, janë pjesë e oborrit por jo nga jashtë, veç nga brenda.

Lopët janë të Kosovës. Era vjen Kosovë. Sisleji është vetë kosovar, me rrënjë kosovare, me erë kosovari, me historinë e tij prej kosovari, pa marrë parasysh në çfarë vendi jeton e ku gëzon më shumë famë.

Sislej Xhafa i solli kësisoj mbrëmë në Prishtinë veprat e tij të renditura e të gatshme për audiencën e cila do të reflektojë e analizojë mbi to. Një ombrellë me rroba varur poshtë saj, një anije e realizuar me mbathje refugjatësh, zemra e madhe me tela dysheku, vepra të tjera të Sislejit kanë ardhur në një ekspozitë që potencohet gjithmonë se nuk është retrospektive por introspektive, me Sislejin si kryefjalën e krijuesin e të gjitha punëve artistike ndër vite.

“Kjo ekspozitë është një tribut për dashurinë. Ndihem tejet i nderuar që Sisleji ka ardhur me një ekspozitë në Prishtinë, nuk më besohet që po ndodhë kjo këtu. Kjo është një ekspozitë për të vlerësuar rrënjët, aty prej nga vijmë” ka thënë mes tjerash kuratori i ekspozitës, Jerome Sans në hapje të ekspozitës. Ky burrë nga viti 1999 deri në vitin 2006 ishte drejtor artistik i Palais De Tokyo në Paris, një prej hapësirave më të mira të artit bashkëkohor në Evropë dhe më gjerë.

“love you without knowing” është ekspozita e parë e Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij. I lindur në vitin 1970, në Pejë, Xhafa ka jetuar ekzistencë nomade që prej largimit nga Kosova në vitet e para të të 1990-ave. Si një udhëtim introspektiv nëpërmes universit të tij unik, kjo retrospektivë madhore është shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut – brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij.
Nënshkrimi i Sislejit dhe thënia “Love you without knowing” të shoqëronin të parat në katin e dytë të ekspozitës, në të njëjtin kat ku vijnë edhe punët ‘Landscape L’ e vitit 2013-të dhe ‘Rocket Ship’ e vitit 2011-të, midis punëve tjera.

Me qasje ironike dhe subversive e cila përdor mediume të ndryshme nga piktura dhe vizatimi deri tek skulptura dhe instalacioni, Xhafa me subtilitet dhe konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta të cilat i strukturojnë jetët tona.

‘Benvenuto’ ishte e vetmja përshëndetje e një Sisleji të brishtë në hapjen e ekspozitës, kjo për të treguar edhe njëherë sa fjalëpak është artisti kur krahasohet me punët e tij artistike.

Arta Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës ka mirëpritur mbrëmë në hapje të gjithë mysafirët dhe shikuesit duke shprehur respektin e saj dhe rëndësinë për ardhjen e Sislej Xhafës në këtë formë në Kosovë, në një shpalosje disapalëshe me punët e tij para një publiku që dukshëm ka interesim për punët e tij.

Edhe Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, ka treguar sa e lumtur është kjo Ministri ta përkrahë ardhjen e Sislej Xhafës në Kosovë me ekspozitën e tij por edhe me aktivitetet tjera që e shoqërojnë këtë ardhje.
“Jemi të nderuar ta kemi Sislejin në Kosovë me këtë ekspozitë, prandaj duhet ta shijojmë secilën pjesë të ekspozitës” tha mes tjerash Ministri Gashi.

Karriera e Sislej përfshin harkun kohor nga të 1990-at deri në të tashmen, prandaj ekspozita përbëhet prej rreth 15 veprave ikonike dhe krijimeve të reja që janë mjaftueshëm fleksibile t’iu përshtatur mundësive të rikrijimit. Ky proces i rigjallërimit të veprave bëhet në nivel lokal duke i krijuar ato atypëraty me njerëz të Kosovës dhe me artistin.

Sislejin duhet ta kujtojmë qëkur u fut në Bienalen e Venecias pa leje, për një ndërhyrje artistike me top futbolli, e deri në ardhjen e tij në këtë Bienale më pas në një përfaqësim ‘legal’ për Italinë, për Shqipërinë e për Kosovën.
“E kemi menduar së bashku një projekt me Sislejin gati tash e dy dekada, dhe së bashku kemi pasur aventura të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Por ai më ka bërë sot dhuratën më të bukur, duke më ftuar në ekspozitën në vendin e tij të prejardhjes. Kultura është i vetmi element që mund ta ndajmë mes njëri tjetrit kudo ku jemi, nën të njëjtin qiell” ka vazhduar kuratori Sans për ekspozitën e Sislej Xhafës e cila u hap mbrëmë me numër të madh audience, siç nuk mbahet mend në këtë Galeri.

Deri me 25 gusht në këtë Galeri mund të udhëtoni nëpër ekspozitën introspektive të Sislej Xhafës duke zbuluar botën e brendshme të artistit i cili ka më shumë se 20-të vide karrierë artistike. Xhafa përfaqëohet sot nga disa galeri; Galleria Continua, San Gimignano / Beijing / Le Moulin dhe BlainSouthern. / KultPlus.com

Ledri Vula takohet me reperin French Montana (FOTO)

Reperi i njohur kosovar, Ledri Vula, ka qenë shumë aktiv muajve të fundit në muzikë.

Muajin e kaluar ai solli duetin me Lyrical Son, i cili u prit shumë mirë nga fansat, teksa së fundmi solli një tjetër duet me Elvanen dhe John Shahun, që gjithashtu u prit mirë.

Ledri ka treguar gjithmonë në intervista se muzikën hip-hop e ka pasur në zemër që nga fëmijëria, teksa është frymëzuar gjithnjë nga reperët e famshëm ndërkombëtarë.

Me një nga këta të fundit, Vula ka pasur rastin edhe të takohet së fundmi. Bëhet fjalë për reperin French Montana, me të cilin Ledri është fotografuar në prapaskenën e koncertit më të fundit të Montanas, të mbajtur në Zvicër.

Këtë fotografi, Vula e ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social Instagram, duke marrë kështu mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit e tij të shumtë, shkruan Telegrafi.

Kjo nuk është hera e parë që French Montana takohe me një shqiptar, pasi vitin e kaluar ai ka realizuar një duet me artisten Era Istrefi.
Montana ka qenë gjithashtu pjesëmarrës në klipin “Four Sesons” të Dafina Zeqirit. /KultPlus.com

Halil Matoshi: Anton Çetta asht Garibaldi i Kosovës

Nga Halil Matoshi

Janë të vocërr e menjeshkretë ata që kundërshtojnë vendosjen e shtatores së tij tek Instituti Albanologjik…
Anton Çetta asht Guissepe Garibaldi i Kosovës, unifikues urtak, zbulues i shpirtit te popullit dhe pajtimtar.
Autoritet moral.
Ai mbylli plagën ma të shëmtuet ndër popullin shqiptar të Kosovës: Gjakmarrjen, tuj i hap shtigjet e emnacipimit dhe Perëndimorizimit të shoqnisë kosovare!
Ishte cok mbështetës i Ibrahim Rugovës, prandaj logjika staliniste që si frymë e drejton Institutin Albanologjik dhe dijet albanistike nuk e durojnë pamjen e tij hijerëndë që mbjell shpresë e uzdajë nder shqiptarët kosovarë.
Profesor Çetta e ka zberthy myjën e fjalës, logosit dhe etosit të shqiptarëve kosovarë.
Mësues e mbledhës folklori, etnolog e patriot e epur i Republikës së pavarme të Kosovës, Anton Çetta asht njani nga ata qe janë shkri me e ngrit n’kambë këtë Republikë!
Nuk është vetëm marre po edhe ligësi e atyne shkretanave që refuzojnë shtatoren e Anton Çettes në oborr të Institutit Albanologjik – ata janë tepër të vegjël para emnit të tij të ndritur – dhe i trishton ideja se Republikën e bënë durimtarët dhe ata që i lidhen vegëzat e këputuna me Perëndimin siç ishte Rugova dhe miku i Tij i afërt Profesor Antoni dhe një vargan i pafund shqiptarësh idealista!
Prandaj për t’u lidhur rreth idesë së çlirimit duhej arritur një pakt, një pajtim mes shqiptarëve të hasmuem mes vete, që Profesor Çetta e arriti në mënyrë shembullore!
Për atë që e ka bërë Profesor Çetta për Kosovën duhej t’i ngrihej përmendore në seccilin qytet të Kosovës e jo vetëm tek Instituti Albanaologjik, ku ai ka shkri një pjesë të madhe të shekullit të tij jetësor.
P.S.
Profesor Antoni rrezatonte mirësi e siguri, nji aurë drite p’ej shejtori mblidhej rreth Tij.
Pranë Tij njeriu ndihej se kishte vleftë…

(Anton Çetta, Bahtir Sheholli, Halil Matoshi, ne nji pajtim, Orllan 1990)

Miratohet ligji për Teatrin, opozita gjuan Ramën me kartonë

Me 75 vota pro u miratua në parim ligji për Teatrin Kombëtar, pavarësisht protestave të shumta të opozitës në sallë dhe artistëve e shoqërisë civile jashtë parlamentit.

Nga foltorja e Kuvendit nuk munguan replikat mes deputetëve të të dy palëve, ku ata të mazhorancës mbrojtën ligjin e sjellë në parlament, ndërsa opozita kërkoi me forcë tërheqjen e këtij ligji.

“Tërhiqeni këtë ligj. Këtë palaçollëk që dëshironi t’i bëni Tiranës dhe Shqipërisë”, tha deputeti Edmond Spaho, para se deputetët e opozitës të bllokonin foltoren e kuvendit.

Foltorja u bllokua në momentin para se të kalohej në votimin e projektligjeve, pasi opozita vijoi me kërkesën për të tërhequr ligjin e shembjes së Teatrit, por hasi në refuzimin e qeverisë.

Projekt ligji për Teatrin kaloi si nen për nen, ashtu edhe në tërësi, me 75 vota pro, të gjitha nga mazhoranca, ndërsa opozita qëlloi me kartonë kryeministrin Rama dhe la sallën e Kuvendit. / KultPlus.com

Kadri Veseli veçon performancën e Sislej Xhafës në Kuvend nga “performancat e subjekteve politike”

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt performancë artistike e artistit të njohur, Sislej Xhafa, në kuadër të ekspozitës së parë historike të tij në Kosovë, i ftuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Vepra “Again and Again” është krijuar në vitin 2000, me qëllim të theksimit të kompleksitetit, unitetit dhe diversitetit të shoqërisë bashkëkohore.

Kjo vepër për herë të parë u performua në Antwerp të Belgjikës në vitin 2000, ndërsa për herë të fundit u performua në muzeun MAXXI në Romë, me rastin e ekspozitës individuale ”Benvenuto“ të Sislej Xhafes atje.

Këtë performancë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës e veçoi nga ‘performancat e subjekteve politike’.

“Është e vërtetë që shpesh në Kuvend kemi pasur performansa nga subjektet politike. Por, një e veçantë ndodhi sot në sallën e seancave. Artisti Sislej Xhafa solli një atmosferë të jashtëzakonshme me veprën e tij. Kuvendi, para së gjithash, është i të gjithë qytetarëve. Edhe i artistëve”, shkroi Veseli. / KultPlus.com

Video e papublikuar deri më tani: Zyrtarët amerikanë duke i thënë Ibrahim Rugovës “Rroftë Kosova”

Me rastin e festës së 4 Korrikut, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka postuar në profilin e tij në Facebook një video e cila tregon raportin e hershëm miqësor mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në video dëgjohet ish-Presidenti Ibrahim Rugova teksa i uron mirëseardhje delegacionit amerikan në Prishtinë, ndërsa aty dëgjohen zyrtarët amerikanë, (Xho Dioguardi), teksa thoshte “Rroftë Kosova”.

“Kosova shtet i pavarur… DHE NE MIQESI TE PERHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA TE AMERIKES, thoshte Presidenti Rugova. Urime 4 Korrikun të gjithë qytetarëve amerikanë”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe 4 Korriku, i njohur edhe si Dita e Pavarësisë, është dita në vitin 1776 kur delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarrë, parada, koncerte dhe piknikë.

Me rastin e festës së 4 Korrikut, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka postuar në profilin e tij në Facebook një video e cila tregon raportin e hershëm miqësor mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në video dëgjohet ish-Presidenti Ibrahim Rugova teksa i uron mirëseardhje delegacionit amerikan në Prishtinë, ndërsa aty dëgjohen zyrtarët amerikanë, (Xho Dioguardi), teksa thoshte “Rroftë Kosova”.

“Kosova shtet i pavarur… DHE NE MIQESI TE PERHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA TE AMERIKES, thoshte Presidenti Rugova. Urime 4 Korrikun të gjithë qytetarëve amerikanë”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe 4 Korriku, i njohur edhe si Dita e Pavarësisë, është dita në vitin 1776 kur delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarrë, parada, koncerte dhe piknikë. / KultPlus.com

Sislej Xhafa solli maskat e zeza në Kuvendin e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Në ulëset e deputetëve, veç një pjesë të figurave të njohura politike, sot zunë vend edhe shumë artistë. Ndryshe nga herët tjera, kësaj here përballë tyre ishin Ansambli i Komunës së Gjakovës të cilët dirigjoheshin nga dirigjenti Pëllumb Vula. Krejt kjo performancë artistike erdhi në kuadër të ekspozitës së parë historike në Kosovë të artistit te famshëm Sislej Xhafa.

Koncepti i Xhafës nis me veprën e njohur të kompozitorit amerikan Samuel Barber. Ansambli i përbërë nga rreth 20 instrumentistë harkorë nisi të shpërndaj tingujt e veprës së kompozuar në vitin 1936 e ka vazhduar rrugëtimin nëpër shumë filma e performancë të njohura. Veçantia e performancës “Again and again” vjen pikërisht përmes maskave të vendosura në fytyrat e muzikantëve, të cilët me publikun përveç tingujve në zbërthim të veprës, komunikonin veç përmes syve që kufizoheshin nga maska e zezë, që kompletonte pamjen e tyre me kostume ngjyrë po ashtu të errët. Vepra e cila lëviz në tingujt më të ngadaltë bën që publiku derisa zhytet në lojën harkorëve nga Gjakova, të zhytet në mesazhin që vetëm një artist si Sislej Xhafa mund ta sjellë. “Again and again” që erdhi për herë të parë në Kosovë, ka lëvizur edhe në vende të ndryshme ndërsa daton që nga viti 1999, dy vite pas daljes së parë publiku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse shikohen rrethanat të cilat e kanë përshkuar Kosovën që nga ajo kohë, e maskat e vendosura në fytyrën e instrumentistëve shihen në kontekstin e sotëm, pamja e tyre si mesazh nuk i rri larg as realitetit të sotëm.

Pasi që dirigjenti Vula lëshon duart poshtë, e instrumentistët largojnë harkun nga instrumentet e tyre, një pjesë e publikut fillon të lëshoj sallën. Artistët i ndajnë pak minuta kur i kthehen nga fillimi lojës së interpretimit të veprës së njohur të kompozitorit Samuel Barber. Nën duartrokitjet e fuqishme të publikut, artisti Xhafa u bashkohet atyre e përkulet në shenjë mirënjohje para publikut, duke qenë i pari që më pas del nga salla.

Dirigjenti Pëllumb Vula tha se kjo performancë i ka dhënë një eksperiencë krejt të jashtëzakonshme, veçmas bashkëpunimi me artistin e njohur Sislej Xhafën. Ai tha se momenti më kulmor ishte ai i heqjes së maskave. Ai tha se vepra edhe pa pamjen e maskave është si një ankth në vete, një rrugëtim në kujtime dhe një reflektim i jetës për atë se çfarë ka bërë ai dhe çfarë dëshiron të bëj.

“Eksperienca e maskës edhe për atë që e sheh edhe për atë që vendos është ngulfatëse, të krijon një ankth, po ashtu edhe muzika e përcjellë atë emocionin. Momenti më kulmor ishte ai i heqjes së maskave, që ishte momenti më i bukur pasi që munda të marr frymë lirshëm. Ishte mirë që sonte këtu kishte dhe politikanë ndërsa ne orkestra jemi munduar që të qëndrojmë sa më shumë në konceptin e veprës, pamja ka qenë koncept i Sislejt . Vepra ka qenë një zgjedhje e mirë e Sislejt për ta përcjellë edhe më mirë këtë pjesën tjetër”, tregoi Vula për KultPlus.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fisnik Ismaili pas seancës kishte qëndruar në sallën e Kuvendin e Kosovës për të ndjekur pikërisht këtë performancë, ndërsa kishte ndjekur edhe pak nga përgatitjet e artistëve, e që ishte mahnitur nga përzgjedhja e këngës. Ismaili tregoi për KultPlus se me Sislej Xhafën kanë ndarë shumë vite miqësi, që nga largimi i tij në Londër ku ai kishte pasur mundësi ta njoh që nga hapat e tij të parë të zhvillimit artistik. Ai tha se kjo performancë i solli emocione të shumëfishta.

“E kam pasur një privilegj të madh që ta njoh Sislellkljn qysh në fillimet e tij dhe gjithmonë na ka mahnitur me idetë e tij që fillimisht nuk i kuptonim e ai mandej na i sqaronte nga pak, gjithnjë na ka mahnitur me performancat e tij dhe kjo nuk kishte përjashtim. Përzgjedhja e këngës ishte shumë emocionale, u mahnita me faktin që është përzgjedhur pikërisht kjo këngë. Kjo këngë ka një melankolie dhe si përzgjedhje muzikore është shumë e mirë, si e tillë më emocionoi shumë pasi që e gjeta vetën aty si një njeri që është i lidhur aq gjatë me Sislejn, si një njeri që ka qenë pjesë e UÇK-së që i ka marrë maskat dhe pe din domethënien e kësaj vepre muzikore”, tregoi Ismaili.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi tha se kjo është një performancë më ndryshe pasi që është në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo për pjesën e politikës ishte një moment i jashtëzakonshëm. Ju jeni dëshmitar që artistët tanë janë duke bërë jehonë në mbarë botën, artistët janë bërë pjesë e agjendave ditore për ta promovuar Kosovën në mbarë botën”, u shpreh Gashi për media.

Galeria Kombëtare e Kosovës organizoj sonte ekspozitën e artistit Sislej Xhafa me titullin “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur), kuruar nga Jérôme Sans. “Love you without knowing” është ekspozita e parë e këtij artisti me famë botërore në Kosovë, pas shumë ekspozitash në muze e galeri prestigjioze të botës.

Ekspozita në fjalë, vjen pas përfaqësimit tejet dinjitoz të shtetit të Kosovës nga Xhafa në Bienalen e 57të të Venedikut më 2017, me veprën “Lost and found”.

Kjo ekspozitë u mundësua nga Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit, si dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Komunës së Prishtinës. Po ashtu realizimin e ekspozitës e ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Pejës, Ansambli i Komunës së Gjakovës, si dhe kompania ndërtimore Bavaria./ KultPlus.com

Unikkatil me koncert në Shqipëri, e quan “Koncerti i Kombit”

Reperi i njohur i cili ka mbajtur me dekada një profil diskret, tashmë po bëhet më publik me postime në rrjete sociale e koncerte.

E nisi në Europë dhe duket që s’do ndalet.

Unikkatil më datë 4 gusht do të mbajë një koncert madhështor në Durrës. Tashmë kanë dalë edhe biletat në shitje. Më poshtë po ju sjellim lokacionet ku mund t’i siguroni ato. / KultPlus.com


Ema Andrea prezanton nismën kundër harresës të së shkuarës

MEMO një projekt ku janë përfshirë emra të njohur të shoqërisë civile apo kulturës u prezantua mbrëmë në një takim të hapur me intelektualë, artistë, gazetarë, përfaqësues të trupit diplomatik, të rinj dhe mbështetës të saj, në mjediset e Muzeut “Gjethi”. Nisma e ndërmarrë nga MEMO synon ballafaqimin me të shkuarën komuniste, duke vënë në qendër të vërtetën, të rrëfyer në vetë të parë nga personazhe publikë dhe njerëz të zakonshëm.

Historitë kanë ardhur deri në ditët tona përmes dëshmive të të mbijetuarve, të dëshmitarëve okularë të krimeve dhe vullnetit për ta dokumentuar të shkuarën, në respekt të sakrificës dhe triumfit të dinjitetit njerëzor.

Në takimin e parë të hapur të MEMO-s, nisma u prezantua nga z. Gjon Radovani, koordinator dhe Ema Andrea, autore e projektit. Paralelisht me arsyet që shpjeguan videot mbi histori të vërteta, – ku grimca tragjike jetësh të shkallmuara nga dhuna përmblidhen në disa sekonda, – u paraqitën linjat sipas të cilave MEMO synon të zhvillojë veprimtarinë e vet në ditët në vijim. Prej rreth një muaji MEMO-s i janë bashkuar me dhjetëra mijëra mbështetës të cilët, me disa qindra mijëra klikime, kanë reaguar, shkruar e shpërndarë mesazhet që i flasin me zë të lartë shoqërisë së sotme dhe asaj që synojmë të ndërtojmë nesër.

Kjo qasje e drejtpërdrejtë e ka rritur ndjeshëm numrin e ndjekësve dhe bashkëpunëtorëve që i janë shtuar rrjetit të gjerë të intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, të rinjve dhe të mbijetuarve të diktaturës apo trashëgimtarëve të tyre. Kësisoj, shqiptarë dhe të huaj brenda e jashtë vendit, të moshave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, të prekur apo jo nga sistemi komunist, por të vetëdijshëm për rolin që mund të luajnë në shoqëri me qëndrimin e tyre të qartë, të dukshëm dhe të argumentuar ndaj errësirës, frustrimit apo padrejtësisë, janë treguar të gatshëm t’i bashkohen nismës dhe ta zhvillojnë më tej atë. Mes të ftuarve të pranishëm, znj. Romana Vlahutin u shpreh për nevojën që ka shoqëria shqiptare për t’u shëruar, që të mund të bëjë përpara, duke qenë besnike e së vërtetës. Vdekja e dytë e viktimave është harresa.

MEMO synon të krijojë hapësirat e nevojshme për dialog të thelluar mbi të shkuarën duke hedhur dritë në të, për ta njohur historinë dhe për të mësuar prej saj. Njohja, pranimi dhe dënimi pa kushte, pa hezitim, pa rezerva i së keqes që vret, çnjerëzon dhe shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht bindjes politike, gjinisë, shtresës shoqërore, cilësive fizike, etj., është shansi që i jepet shoqërisë së sotme shqiptare për të reflektuar, reaguar dhe hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes europiane. Për këtë, MEMO është e hapur të bashkëpunojë me të gjithë aktorët që veprojnë në këtë fushë. /KultPlus.com

Vdes Claude Lanzmann, regjisori i “Holokaustit”

Kineasti dhe shkrimtari francez, Claude Lanzmann, regjisor i dokumentarit të famshëm “Holokausti”, vdiq sot në moshën 92-vjeçare, bëri të ditur shtëpia e tij botuese.

“Claude Lanzmann vdiq sot në mëngjes në shtëpinë e tij. Ai ishte në gjendje të rënduar që prej disa ditësh”, theksoi një zëdhënës i ”Gallimard”.

Regjisori i “Holokaustit”, dokumentar i konsideruar i jashtëzakonshëm kushtuar shfarosjes së hebrenjve të Europës, Claude Lanzmann ka qenë gjithashtu gazetar, drejtor i revistës “Temps Modernes” dhe shkrimtar.

Mik i filozofit Jean-Paul Sartre, shok i Simone de Beauvoir, ai ishte një mbështetës i kauzës së Izraelit./ /ec/ a.jor. / KultPlus.com

Themelohet Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës

Duke parë gjendjen aktuale të teatrove të qyteteve dhe nevojën e domosdoshme për bashkëpunim dhe rrjetëzim të përbashkët me qëllim të mbrojtjes, zhvillimit dhe avancimit të interesave të përbashkëta të funksionimit të teatrove publike të qyteteve të Kosovës , sot është themeluar Asociacionin e Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK), përcjellë KultPlus.

ATQK do të angazhohet që të ndihmojë dhe kontribuojë fuqishëm edhe në rregullimin e politikave të përbashkëta kulturore të cilat zhvillojnë dhe krijojnë ura të rëndësishme të bashkëpunimit dhe krijimit jo vetëm kulturor por edhe atij organizativ e teknik.

Ky mekanizëm do të jetë një zë i artikuluar dhe unik i cili do të kontribuojë, fuqizojë dhe insistojë në zbatimin dhe zhvillimin e legjislacionit juridik të teatrove të qyteteve me qëllim të funksionimit normal të tyre, të krijimit të vlerave e standardeve artistike.

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK) do të mbajë së shpejti një konferencë për media, ku do të prezantohet edhe plani i punës dhe veprimet konkrete të këtij mekanizmi. Për kohën dhe vendin e saj do të njoftoheni me kohë.

Themeluesit e Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (ATQK) janë: Teatri i Qytetit të Gjilanit (Erson Zymberi), Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren (Fetah Paçarizi), Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë (Edonis Kastrati), Teatri “Adriana Abdullahu” – Ferizaj (Fatmir Hyseni), Teatri “Istref Begolli” – Pejë, Teatri i Qytetit të Mitrovicës (Adem Zhitopotuku), Teatri “Avdush Hasani” – Podujevë (Agron Gërguri) dhe Naser Zymberi, përfaqësues sindikal i teatrove të qyteteve.

Kryetar i Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës është zgjedhur Erson Zymberi (Teatri i Qytetit të Gjilanit). Mandati i kryetarit do të jetë 6 muaj dhe kjo pastaj do të funksionojë sipas rotacionit, ku secili teatër do të ketë mundësinë e udhëheqjes me Asociacionin e Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës. / KultPlus.com

Një puthje dhe punë tjera nga HAVEIT

Katër vajzat e grupit artistik HAVEIT kanë paralajmëruar ekspozita dhe pjesëmarrje të reja artistike në Kosovë dhe jashtë vendit.

Grupi i cili performancën e parë e pati në vitin 2011-të, po vazhdon kohë pas kohë të thumbojë realitetin kosovar në forma të ndryshme artistike.
Hana, Vesa, Lola dhe Alketa kanë disa performanca dhe punë artistike të cilat po i sjellim në kujtesë sot.

Me rastin e 8 marsit, në vitin 2015-të vajzat publikuan videon ku shihen duke e gatuar KANUNIN – librin me të cilin u rregulluan çështje të ndryshme ndër shqiptarë, me vite e vite. Një libër që edhe sot sjellë qëndrime kontraverze, sidomos rreth trajtimit që i bën grave. Katër vajzat e gatuajnë, me dorëza, me t`hollues, me shkrepsë, dhe KANUNI kthehet në lëng të zi.

Puthja e njohur e vitit 2014-të është cilësuar si provokimi më i madh i HAVEIT. Në një shoqëri ku homofobët lulëzojnë, vajzat u puthën në qendër të qytetit për të treguar se në një ditë si Shën Valentini i dashurisë, dashuria lejohet pa dallim në gjini.

Billbordet u realizuan në marsin e këtij viti, ndërsa HAVEIT goditi kësisoj shoqërinë e cila lejon burrat ti vrasin e keqtrajtojnë gratë e tyre. Emrat e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit – bashkë me EDHE SA THIRRJE TË HUMBURA qëndruan për disa kohë në billbordet në qendër të Prishtinës. HAVEIT tentoi prapë të kundërvihej dukurisë së vrasjes së grave në Kosovë, inspiruar nga filmi ‘Three Billboards outside Ebbing, Missouri’

Një video afër Gjergj-Kastriot Skënderbeut, me vajzat që e rruajnë veten, ose patriarkatin shqiptar. / KultPlus.com

Projekti i artistes Rudina Xhaferi pranohet në Fashion Film Festival Chicago

Jeta Zymberi

Në jetë gjithçka mund të kthehet në art, por jo gjithkush mund ta bëjë një gjë të tillë. Është artistja Rudina Xhaferi ajo e cila arrin që çdo gjë ta trajtojë në këtë mënyrë. Veshjet të cilat i krijon ajo nuk janë në trend dhe nuk mund t’i shohësh askund tjetër, sepse ato janë krijuar nga një artiste e cila me kreativitetin e saj arrin t’i transformojë gjërat dhe t’i përkthejë në stilin e saj unik.

I tillë është edhe projekti “Love Emotion Dream Rhythm Inspiration”, të cilin Rudina e punoi me shumë dashuri e përkushtim. Pikërisht ky projekt është pranuar në edicionin e këtij viti të Fashion Film Festival Chicago, shkruan KultPlus.

Gara ishte e fortë dhe ishin rreth 1500 aplikime, por komiteti selektues e pa të arsyeshme që puna e artistes kosovare të jetë pjesë e festivalit pasi i përqafon vlerat e organizimit kulturor në fjalë.

Rudina ndihet shumë e lumtur që projektit të saj iu hapën dyert tutje.

“Jam befasuar për të mirë meqenëse shumica e festivaleve si kusht e kanë që filmat të jenë të realizuar vitin e fundit. Projekti me të cilin jam pranuar “Love Emotion Dream Rhythm Inspiration”, është realizuar në vitin 2013. Jam lumturu shumë, se kam aplikuar vjet, ndërkohë më ka dalë prej mendjes, të dielën më erdhi emaili që kam hy në mesin e 73 projekteve që janë përzgjedhë për vitin 2018. Çdo ditë e më shumë po bindem që kur nuk ke pritshmëri, ndodhin mrekulli”, është shprehur artistja Rudina Xhaferi për KultPlus.

Ky është festivali i 7-të vjetor i Fashion Film Festival Chicago dhe këtë fundjavë publikoi selektimin e 73 filmave të shkurtër dhe të angazhuar në konkurrencë. Filmat e përzgjedhur përfshijnë filma ndërkombëtarë dhe të SHBA-së që ishin në mesin e 1,387 konkurrentëve. Ekipi i Festivalit vazhdon synimet për diversitetin dhe përfshirjen. Rrjedhimisht, 38% e zgjedhjeve të këtij stinori drejtohen nga regjisorët femra. Filmat do të paraqiten në programe të ndryshme të konkurrencës duke përfshirë narrativin, dokumentarin, animacionin, eksperimentimin dhe thelbin e modës. Më shumë se 60% e zgjedhjeve të këtij viti janë filma ndërkombëtarë me 20 vende të përfaqësuara.

Finalistët do të shpallen më 1 shtator, por Rudina gjatë kësaj kohe do të fokusohet në një projekt të ri. / KultPlus.com

http://www.fashionfilmfestivalchicago.com/band/

Flaka Goranci interpreton me orkestrën simfonike të Hamburgut

Vetëm një ditë para fillimit të provave për rolin e Carmen në festivalin e operës në Obersaxen në Zvicer, Flaka Goranci është ftuar nga orkestra simfonike e Hamburgut të interpretoj në natën „A la Francaise“ ariet dhe duetet e dy roleve kryesore për Mezzo-soprano, atë të Charlotte nga opera „Werther“ e kompozitorit Jules Massenet dhe atë të Carmen nga opera „Carmen“ e kompozitorit poashtu francez George Bizet.

Orkestra simfonike e Hamburg-ut është një orkestër prestigjioze që luan me emrat më në zë të skenës klasike dhe asaj operistike, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet më datë 9 korrik duke filluar nga ora 19:00, në oborrin e brendshëm të komunes së Hamburgut (Innenhof des Rathaus).

Përkrahë Flakes do të interpretoj edhe tenori Hany Abdelzaher. Kurse orkestra simfonike do të drejtohet nga dirigjenti Ulrich Windfuhr. Më pas mezzo-sopranoja kosovare do të vazhdoj drejt Zvicrës për të realizuar rolin e Carmen me premierë në datën 27 korrik e deri më 11 gusht për të përmbyllur shfaqjen e nëntë me radhë dhe të fundit për këtë festival. /KultPlus.com

Rreth shtatores së Anton Çettës

Nga Ndue Ukaj

Askush nuk do të mund ta imagjinonte se, do të vinte një ditë dhe në atdheun e tij, kundër Anton Çettës, do të ngriheshin drejtuesit e Institutit, të cilit, më punë dhe përkushtim, ai i dha nder dhe lavdi.
Arsyetimet që u bënë publike sot në media, janë qesharake dhe krejtësisht banale. Janë arsyetime të shkreta, që vijnë si rrjedhojë e mendjeve të mykura, të cilat i trazon shtatorja e Antonit. Po, sepse personaliteti i tij reflekton kulturë, paqe, urtësi dhe dashuri, prandaj mendjet e mykura, që nuk mund të shkapen nga prangat e urrejtjes, e kanë të vështirë ta shohin përditë atë. E kanë vështirë ta shohin atë të tillët që besojnë se drejtësia vendoset me dhunë dhe jo me dashuri.
Mundem me thanë me plot gojën se, prapa refuzimit të prezantuar sot fshihen tendenca tjera dhe jo “arsyetimet” e proklamuara. Prandaj, leni mënjanë broçkullat dhe “arsyetimet” qesharake, të cilave nuk u beson askush, përpos juve që i keni konstruktuar ato.
Antoni e ka vendin te Instituti i Albanologjisë.
Jam i bindur se, shtatorja e Antonit, i trazon vetëm ndërgjegjet imbecile dhe të trazuara, kontributi i të cilëve në punët e kulturës dhe të albanologjisë është tepër modest, karshi figurës madhore të tij. Dhe jo ata që besojnë te puna e tyre.
Gjithashtu jam i bindur se, shtatorja e Antoni është burim frymëzimi për mijëra zemra të etura për të parë vendin e tyre më të prosperuar, më të bashkuar dhe më të emancipuar.
Arsyet pse shtatorja e Anton Çettës, duhet të vendoset te Instituti Albanologjik dhe jo diku tjetër, më se paku në livadhet e shkreta, ku tentojnë ta zhvendosin ata të cilëve u bënë hije, janë të pafundme dhe nuk mund të fshihen, ashtu siç nuk mund të fshihet dielli me shoshë.
Në anën tjetër, gjithë ata që hedhin gurë tinëzisht mbi të, duhet ta dinë një fakt: Antoni shtatoren e madhe, në lartësitë e të cilës nuk mund të ngrihen kurrë xhuxhët e kulturës, e ka ndërtuar me veprimtarinë e tij të bujshme, me dashuri dhe punë të madhe, dhe jo me dokrra dhe intriga.
Anton Çetta është figurë shembullore- ikonë e Kosovës- ndikimi i të cilit për lirinë dhe pavarësinë e saj është i pamatshëm dhe i pakontestueshëm.
Shoqëria jonë, e cila nuk ka modele dhe referenca të qëndrueshme kulturore, morale dhe humane, te figura e tij, ka mundësi të gjejë shembullin më të mirë për breznitë e reja. Një shkollë dashurie, për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë, ne një kohë kur na mbizotëron urrejtja dhe mosdurimi ndaj njëri-tjetrit. Në një kohë kur na predikohet përditë urrejtja ndaj historisë dhe figurave themelore kombëtare.
Gjithashtu, figura e tij përfaqëson modelin më të mirë kundër harbutërisë, dinakërisë, autoriteteve të rreme dhe dredhisë. Po, sepse ai, pa asnjë lloj pushteti praktik: pa armë, pa shërbime informative, pa para, pa struktura të organizuara, përballë një regjimi të çmendur, siç ishte ai i Millosheviçit, dhe, përballë një plage tepër të rëndë kombëtare, arriti ta bashkonte popullin e tërë dhe ta luftonte të keqen më të madhe mes nesh: gjakmarrjen.
Antoni zotëronte diçka tejet të çmuar, të pamatshme; një pushtet të epërm: atë të urtësisë dhe të dashurisë, të ngjizur nëpër shekuj nga urtia popullore dhe dija e tij e sistemuar.
Në Prishtinë, tani e dy dekada pas luftës, për të s’ka shtatore.
Ky është turp kombëtar.

Sislej Xhafa mishëron veprën e tij ‘Lost and Found’ me natyrën e Pejës

Alberina Haxhijaj

E njëjta punë me telefonin që pret të cingërojë, nga Venecia e vitit të kaluar e ka sjellë Sislej Xhafën në Pejën e Kosovës.

Artisti ka ardhur në vendlindjen e tij në Pejë për të sjellë ‘E humbur dhe e gjetur’ në kuadër të ekspozitës ‘Të dua pa e ditur’.

Ekspozita “Të dua pa e ditur” e Xhafës është një rrugëtim nëpër lokacione të ndryshme duke zbuluar kështu punime të mëparshme të artistit, por edhe të tilla të reja. Bëhet fjalë për një udhëtim introspektiv, një shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut- brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Një Sislej që shpaloset palë palë në punë artistike që e sjellin artistin e njohur në Kosovë, në habitatin e tij artistik ndoshta.
Ky rrugëtim i artistit kësisoj filloi me “Bazenin me dymbëdhjetë kitrra”, një udhëtim që nisë në fillim të Shtegut të Shëndetit në Pejë, te vendi i njohur si Breg-vorre për të vazhduar duke ecur përgjatë shtegut për më shumë se 30 minuta në ‘kërkim’ të veprës e cila qëndron e vendosur afër lokacionit që njihet si Bazeni, apo pishat.

Në mesin e bukurive të maleve të Rugovës që e rrethojnë hapësirën, në një harmoni të përkryer me natyrën, vizitorët e ekspozitës të lodhur nga ecja e gjejnë veten përballë një kabine me mbishkrimin “Lost and Found” (E humbur dhe e gjetur).

Kabina prapa vetes si mburojë ka malet e Rugovës ndërsa brenda vetëm një telefon me ngjyrë të zezë që tërheq vëmendjen e të gjithëve, një telefon që nuk cingëron.

Për drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Aganin, kjo është vetëm një pjesë përbërëse e ekspozitës e cila do të lërë gjurmë dhe me të cilën galeria dhe artisti po krijojnë histori.

Në anën tjetër për kuratorin Jerome Sans, “Të dua pa e ditur” është një deklaratë e dashurisë, një histori e vërtetë të cilën ai dhe artisti e kanë shkuar si një libër por që ka kapituj të ndryshëm.
“Kjo nuk është një retrospektivë, kjo është një introspektivë brenda vetë artistit”, thekson kuratori.
Ndërsa vepra edhe pse për herë të parë është prezantuar larg Kosovës, ajo është risjellë pasi është Kosova, origjina e kësaj vepre.
“Kjo punë ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për Kosovën por edhe në konceptin global. Pra “Të dua pa e ditur” ju thotë se asnjëherë nuk e kam harruar se nga vij, asnjëherë nuk kam braktisur asgjë, nuk është se vetëm po sjelli vepra dhe po iki”, theksoi kuratori i cili duke buzëqeshur thotë se përmes tij burojnë fjalët e artistit Xhafa.

Pikërisht me këtë pjesë kuratori është shumë i lidhur pasi ai e konsideron veten një endacak të kulturës, gjithmonë në lëvizje nëpër vende të ndryshme ku humb dhe gjen gjëra.

“Pra ne humbim dhe gjejmë gjëra çdo ditë, jeta është e tillë, ne humbim kujtime, zbulojmë gjëra të reja, humbim miq, familjarë por përsëri na vijnë gjëra të reja. Pra, kemi të bëjmë me artin, dashurinë dhe botën”, tregon kuratori.

I rrethuar nga të pranishmit por edhe nga fëmijët që hidheshin në ujin e lumbardhit për tu larë, artisti Sislej Xhafa u shpreh se pikërisht kjo hapësirë i kujton vendlindjen e tij, Pejën.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi që ekspozita të jetë inkluzive, por jo ekskluzive. Prishtina ka kapacitet dhe aftësi, Prizreni është i mrekullueshëm, Gjakova po ashtu dhe të gjitha qytet e tjera. Por, Peja është një qytet magjik ku natyra mishëron gjithçka dhe mentaliteti i njerëzve mua më ka sfiduar me kriju diçka magjike në këtë qytet e që të mos jetë vetëm e këtij qyteti por të jetë edhe një mënyrë më globale e përceptimit të artit me natyrë. Pra, kjo është çka mundet me bo arti me natyrën”, tha Xhafa, artist i dëshmuar tanimë brenda e jashtë Kosovës dhe një personazh me botë artistike të cilën e ka transmetuar në plot ekspozita e ngjarje kulturore.

Sonte në kuadër të ekspozitës “Të dua pa e ditur” do të jetë edhe eventi “Bilbili” në Kuvend të Kosovës, dhe Lepuri i Bardhë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në ora 20:00. / KultPlus.com

Ja lista me 157 emra origjinalë ilirë për fëmijën tuaj (FOTO)

Jeni në një pritje të ëmbël dhe po mendoni për emrin që do i vini fëmijës që po vjen në jetë?

Mos u mendoni shumë të gjeni emra të huaj për fëmijën tuaj. Kjo është një listë me emra të vjetër ilirë të cilët janë fantastikë.

Janë emra fantastikë, shumicën e të cilëve mund të mos i kemi dëgjuar. Si ju duken emrat Siloria, Jolka, Andata, Daorsa për vajza?

Po emrat Etrit, Jorik, Kail, Tedian për djem?

Shikoni më poshtë një listë me plot 157 emra ilirë për vajza e djem. / KultPlus.com

Dashuro!

ASDRENI

Shëko lisi si më flet
Fjalë t’ëmbla si më ushton,
Degët unj e më thërret
Dashuro, se koha shkon!

Maj’ e plepit gjithënje,
Kur tunt kryet më qorton,
Përpjek fletë më çon zë
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Er’ e malit me një ushtim
Dhe mburimi që kullon,
Gjithë më thonë plot gëzim:
Dashuro, se koha shkon!

Kopështit vasha që po pret
Si zog pylli që këndon,
Buzëqeshur më thërret,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Mua zemëra gjith më rreh
Brenda gjaku më valon
Ma ndes mallin me ve re
Dashuro, se koha shkon!

Çdo gjë rrotull më pyet
Djalë ç’pret e s’dashuron
Ditët shkojn, jeta shket
Dashuro, se koha shkon!

Vepra e kompozitorit Artan Hasani do të interpretohet në Festivalin Ndërkombëtar “Clarinet Fest 2018”

Vepra e kompozitorit nga Kosova, Artan Hasani do të interpretohet nga klarinistja e famshme Barbara Borowicz në Festivalin Ndërkombëtar “Clarinet Fest 2018”, shkruan KultPlus.

Vepra titullohet “Funny dialogue” ndërsa është shkruar pikërisht për klarinisten Borwicz, ndërsa do të interpretohet edhe nga okteti i Akademisë së Crakow nga Polonia.

Veprat e kompozitorit Artan Hasani krahas Kosovës janë luajtur edhe në vende të tjera si Amerikë, Japoni e Poloni./ KultPlus.com

“Duhet ta thyesh vazhdimisht zemrën, derisa ajo të hapet”

Thënie brilante nga Rumi:

“Shto fjalët, jo zërin. Është shiu që i rrit lulet, jo stuhia”.

“Ne kemi lindur prej dashurisë. Dashuria është mamaja jonë”.

“Dje isha i zgjuar, ndaj doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur, ndaj po ndryshoj veten time”.

“Ji mirënjohës për çdo gjë që vjen në jetën tënde, sepse çdo gjë është dërguar si një guidë nga lart”.

“Çdo moment përmbaj qindra mesazhe nga Zoti”.

“Edhe në fund të jetës ime, kur të kem vetëm një frymë të mbetur, nëse ti vjen, do të çohem e do të këndoj”.

“Kur jam me ty, unë mund të qëndroj zgjuar gjithë natën. Ndërsa kur ti nuk je këtu, unë nuk mund të shkoj dot as në gjumë. Falendero Zotin për të dyja rastet e pagjumësisë dhe për diferencat që Ai ka krijuar midis tyre”.

“Çdo i gjallë ka për ta shijuar vdekjen, por vetëm disa prej tyre mund ta shijojnë jetën”.

“Kur i bën gjërat me shpirt, ke për të ndjerë një lumë kënaqësie brenda vetes”.

“Shndrit sikur gjithë universi të ishte yti”.

“Ai që ka një mik të mirë, nuk ka nevojë për një pasqyrë”. / bota.al

Nis puna për restaurimin e Kishës së Shën Thanasit

Kisha e Shën Thanasit në Leshnicë, monument kulture i kategorisë së I-rë, prej dekadash ka pësuar degradime të rënda në elementët e saj strukturorë, përcjell KultPlus.

Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon konsolidimin e çarjeve në muraturë, ringritjen e kolonave, kupolave dhe qemerëve me strukturë guri, ringritjen e murit anësor, në pjesën jugore të kishës, ringritjen e çatisë, sistemime të jashtme./ KultPlus.com